• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

LE JOURNAL (1900) / “ITALIANËT DUAN KËTË GJË PËR SHQIPËRINË” —  LETRA E MANLIO BENNICI-T, NËNKRYETARIT TË KOMITETIT SHQIPTAR “PRO PATRIA”

October 22, 2022 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Tetor 2022

“Le Journal” ka botuar, të premten e 6 korrikut 1900, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me reagimin e Manlio Bennici-t, nënkryetarit të komitetit shqiptar “Pro Patria, mbi interesat italiane në Shqipëri, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Italia dhe Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pas shkrimit që botuam mbi situatën e shqiptarëve, morëm letrën e mëposhtme nga z. Manlio Bennici, nënkryetar i komitetit shqiptar “Pro Patria”:

“Lexova me interes në “La Tribuna” raportin e artikullit tuaj të botuar në “Le Journal”, ku arrini në përfundimin se çështja shqiptare nuk është interesante vetëm për Austrinë dhe për Italinë.

Natyrisht, kjo pyetje duhet të prekë të gjithë popujt që e bazojnë ekzistencën e tyre në parimet e lirisë dhe të pavarësisë, dhe veçanërisht popullin fisnik francez, i cili, nëpërmjet entuziazmit dhe traditës shekullore, ka mbështetur gjithmonë çështjet e shenjta të të drejtave të të dobëtëve.

Agjitacioni italian në Shqipëri nuk ka qëllim tjetër veçse të mund të përballojë përfundimisht të gjitha goditjet që Austria do të donte t’i jepte popullit shqiptar. Por do të ishte gabim të konkludohej nga kjo se Italia planifikon ta pushtojë vetë këtë vend. Italianët duan vetëm një gjë : pavarësinë e Shqipërisë.”

Filed Under: Kronike Tagged With: Aurenc Bebja

Greva e pedagogëve dhe korrigjimet në ligjin e Arsimit të Lartë

October 22, 2022 by s p

Nga Romeo Gurakuqi/

Ditën e hënë, më 17 tetor 2022, KM i vendit zoti Edi Rama mblodhi Konferencën Rektorëve të universiteteve publike dhe private. Ky takim u zhvillua ditën e parë të fillimit të shkollës, ndërkohë që një pjesë e rëndësishme e profesorëve universitarë vijon me vendosmëri grevën, me synim kryesor rritjen e pagës së pedagogut, që është me e ulëta në të gjitha vendet evropiane.

Çdo drejtues qeverie në Evropë ndër aktet që kryen herë pas here është verifikimi i impaktit që kanë në jetën e përditshme të vendit të tij, reformat që ka ndërmarrë. Për më tepër kjo duhet të ndërmerret, kur ke luksin të të “dhurojnë” tre mandate për KM të vendit, dy të tilla pas ndryshimit rrënjësor të sistemit universitar shqiptar. D.m.th., të hënën e kaluar, 7 vite pas ndryshimit të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, duhej të kishte ardhur dita, që pikërisht në Aula Magna të MAS, të kryhej një analizë të plotë e pasojave të implementimit të Ligjit të vitit 2015 dhe akteve nënligjore që janë nxjerrë nga qeveritë dhe ministrat përkatës. Në fakt një analizë e tillë nuk ndodhi. KM nuk ishte i përgatitur për një vetëvlerësim të tillë dhe me sa kam informacion, ai dhe qeveria e tij nuk kanë as edhe një raport të brendshëm, një analizë të tillë, në asnjë hallkë të ekzekutivit. Kjo mungesë e thellë në treguesin e përgjegjshmërisë qeverisëse, besoj se ka ardhur për dy arsye: së pari, nuk ekziston një vullnet për ta ndërmarrë analizën strukturore dhe impaktin në jetën sociale dhe universitare të reformës së 2015; së dyti, në Shqipëri ka veç pak profesionistë, që janë në gjendje të kryejnë matje të tilla të nevojshme komplekse, por ata specialistë sot ndodhen të paangazhuar në konsulencën e ekzekutivit për Arsimin e Lartë dhe Shkencën. Si në çdo bord shtetëror, qeveria e partisë kujdeset në përzgjedhjen politike të anëtarëve dhe shpërndarjen e fondeve vetëm brenda komunitetit besnik socialist.

Çfarë duhej të kishte analizuar, vlerësuar KM i vendit para se të mbërrinte në sallën e MAS për të komunikuar me rektorët, profesoratin, studentët, prindërit dhe publikun?

Unë mendoj se Ai dhe këshilltarët e tij duhet të kishin ngritur këto pyetje dhe dhënë, së paku për vete, përgjigjet respektive:

1. A ka mundësuar Reforma e 2015 arritjen e objektivit të qeverisë për të cilin është ndërmarrë ndryshimi i legjislacionit organik? A janë përmbushur kërkesat e publikut për arsim cilësor në vend, përmes rekrutimit të profesoratit të ri të shkolluar në Perëndim, programeve të reja dhe një drejtimi të ri, jashtë kastave të kaluara, i universiteteve publike?

2. A e përpiloi Qeveria, tanimë pas 7 vitesh, “Letrën e Prioriteteve” të saj në raport me arsimin e lartë dhe universitetet në RSH?

3. Si e kishte strukturuar në pikëpamje kronologjike zbatimin e reformës qeveria? Sa vite ishte parashikuar faza tranzitore e implementimit të Ligjit të vitit 2015 ? A mendon KM se IAL publike janë strukturuar dhe fuqizuar mjaftueshëm, janë vendosur me barazi dhe me kualitet në treg sa të mbijetojnë, ndërsa IAL private janë bërë serioze, respektuese të ligjit, të drejtave të profesoratit, me kurrikula që nuk ndryshojnë më për arsye jo akademike, varësisht ëndrrave të pronarëve, borxheve, gjobëvënësve dhe kredive të tyre?

4. Si ka ecur në dinamikë kohore nxjerrja e akteve nënligjore në raport me implementimin e ligjit, specifikisht? A ka pasur një planifikim ideor në këtë dinamikë dhe në cilën fazë ndodhet përmbyllja e këtij procesi në tetorin 2022?

5. Cila është trajektorja e numrit të studentëve në përgjithësi dhe atyre cilësorë ne veçanti, që vijnë nga shkollat e mesme drejt universiteteve të vendit, të ardhurat familjare të atyre që mbesin në Shqipëri, dhe atyre që largohen, duke krahasuar vitin 2022 me vitin 2013?

6. Sa shpenzon për shkollimin e një studenti në Tiranë, një familje shqiptare, përfshirë tarifën e studimit, e ndarë në publik dhe privat, koston e jetesës në kryeqytet?

7. A ka përfunduar përllogaritja kostos së universiteteve për student, publik dhe privat, dhe si do të financojë qeveria shtresat në nevojë për shkollimin e fëmijëve?

8. Çfarë rregullimesh ka parashikuar qeveria për studentët që ndjekin degët MATEMATIK, FIZIKË dhe e mësuesve të Ciklit të Ulët të shkollës 9 vjeçare?

9. A është krijuar me të vërtetë ai tregu i famshëm universitar, ku studenti zgjedh universitetin më të mirë, ndërkohë që vetë universitetet janë rritur, stabilizuar, ndërkombëtarizuar dhe kanë veç një mision: edukimin cilësor dhe kërkimin shkencor?

10. Si ka ndryshuar buxheti i shtetit për arsimin e lartë nga viti 2013 në vitin 2022 dhe si e mbështeti qeveria vetë reformën me para, si kusht themelor që një reformë të ketë sukses? Pse nuk e ka rritur qeveria financimin e arsimit të lartë edhe pas 7 vjetëve pas nxjerrjes së ligjit ?

11. Si është strukturuar dhe si janë përdorur nga universitetet publike dhe private të ardhurat nga tarifa studentore?

12. Sa biblioteka janë themeluar, investuar, pajisur me literaturë të re ? A ka kryer një kontroll MAS mbi investimet e bibliotekave në IAL private, mbasi pa biblioteka, pa literaturë, pa akses në revistat bashkëkohore online, nuk ka universitet, nuk ka kërkim shkencor, nuk ka ecje të njëkohshme me Evropën dhe ky investim ka qenë i projektuar nga reformatorët e vitit 2015, si kusht i domosdoshëm për të arritur sukses.

13. A ka kryer një vlerësim qeveria, se si ka ndikuar reforma në qarkullimin e elitave universitare në IAL publike, në thyerjen e kastave të ngulitura nga kohë që nuk mbahen mend; në specializimin e departamenteve, në zbatimin rigoroz të statusit të profesorit universitar (academic tenure) ? Si respektohen standardet e konkurrencës së lirë ? Sa abuzime janë kryer nga departamentet që janë verifikuar nga kontrolli i MAS dhe si janë korrigjuar dhe ndëshkuar fajtorët e devijimit të të drejtës për konkurrim të lirë ?

14. Në vitin 2014 MAS ndërmori një nismë shumë të mirë për stabilizimin e sistemit të IAL private, që kishin rrënuar sistemin universitar shqiptar në pararëndje. Mirëpo pyetja që bëhet sot është kjo : ku është Shqipëria e vitit 2022 me atë të 2014-2015 në aspektin e plotësimit të detyrave të atij kontrolli rigoroz të ndërmarrë asokohe ndër IAL private ? Sa i plotësojnë standardet IAL private ? Si i respektojnë kushtet e stabilitetit programor në raport me licencimin, akreditimin dhe rankimin ? Si i respektojnë ngarkesat e pedagogëve dhe lëndët e specializimit të tyre ? Si respektohet Statusi i Profesorit Universitar ? Si janë paguar profesorët e brendshëm nga viti 2014 deri në vitin 2022 ? Si janë paguar detyrimet ndaj shtetit ? Me çfarë lloj kontratash mbahet stafi ? etj., etj..

15. Kostoja e jetës në Shqipëri dhe paga e pedagogut: a ka ndonjë studim krahasimor në këtë drejtim ? A mund të ketë universitete cilësore, kërkim shkencor dhe profesorat të mirëfilltë, pa stabilitetin financiar të stafin pedagogjik dhe shkencor ?

16. Sa e përgatit shkolla e mesme shqiptare studentin me aftësi për të përballuar në shkencat natyrore Universitetin e shekullit XXI ?

17. Si është e mundur që ndryshon aq shpesh pronësia e universiteteve private në Shqipëri dhe a ka dijeni paraprakisht KM i vendit mbi këto destabilizime dhe zhvendosje pronësore ? Kush luan ndër prapaskenat tona në kurriz të shkollimit cilësor? A ndërhyn ai në orientimin e pronësive ? Sa është e përfshirë është politika në këto këmbime dhe si i kontrollojnë organet ligj zbatuese veprimtarinë financiare, aktet e zhvendosjes së pronësisë, zbatimin e ligjit mbi fondacionet, ose ShPK, etj.

Me keqardhje mund të them se KM kryelartë i vendit tim nuk bëri asnjë prej pyetjeve verifikuese, që ia imponon detyra dhe përgjegjësia, pa përgjigjet e të cilave nuk mund të krijojë bindjen se, impakti i reformës ka qenë pozitiv, amullia e periudhës pararendëse, sikurse e cilësoi ai vetë, është tejkaluar, universitetet janë shndërruar në konkurrenciale dhe mirëfilli ndërkombëtare, studentët nuk largohen më nga Shqipëria me dhjetëra-mijëra, bibliotekat universitare janë shndërruar në vende studimi dhe kërkimi, profesorati është tanimë klasë e mesme e stabilizuar, kastat kanë rënë, elitat ndryshojnë varësisht meritave dhe konkurencës në punë e studim, buxheti është dyfishuar sipas premtimit, kërkimi shkencor gëlon në çdo pore të jetës akademike, e çfarë të them unë më shumë ?! Ai në fakt, u mor me aspekte që nuk i kërkohen një Kryeministri: me metodat e mësimdhënies, renditjen e universiteteve dhe mbrojtjen e pozicionit të panjohur të shkollave tona në botë, vetingun e profesoratit, me kapacitetet (në formë evazive dhe të papërcaktuar se çfarë kupton me këtë term), premtoi për kontroll të kushteve që duhet të përmbushen, ndërkohë që duhej ta kishte bërë përditë dhe në vazhdimësi, vetë -deklarimin e të dhënave, bordin e akreditimit, rankimin, për specializimin e universiteteve, ndarjen dhe bashkimin e tyre, d.m.th. me çdo gjë mikro që nuk është detyrë e tij dhe me asgjë makro që është detyra e tij e drejtpërdrejtë. Ngjan se ai e ka kuptuar rolin që ka, si një passatempo dhe se jo shkolla, por të tjera aspekte të ditës janë kryesore për KM e vendit tim, nga humori i të cilit varet jeta jonë, çmimi i naftës, paga e profesorit, shkollimi i fëmijëve, shëndeti publik, gëzimi i hapësirave publike, lulëzimi i biznesit, punësimi, digjitalizimit, emigracioni dhe shndërrimi i tmerrshëm kombëtar që ka vendosur në veprim vrastar etj..

Në fakt, unë nuk pres më shumë nga Kryeministri i një vendi qe në qendër të Tiranës, rrëzon Teatrin Kombëtar, ngre pa fund Kulla të shëmtuara, por jo Bibliotekën Kombëtare. Edhe aq sa dinte për universitetet, ishte mjaft. Është KM i një vendi, në fakt, pa Bibliotekë Kombëtare të aksesueshme me sistemet moderne dhe me biblioteka universitare të vendosura ndër kate shkollash, shpesh herë edhe në magazina dhe dhoma.

Dhe në qoftë se duhet të them dy fjalë mbi opinionin tim mbi atë çfarë ndodhë në sistemin universitar, do të shtoja se është një situate e rëndë. Sistemi është i pa financuar, në kolaps të plotë dhe me ritmet mbrapa që ecën, nuk do jetë asnjëherë konkurencial, as me Malin e Zi, as me B-H, dhe as Maqedoninë e Veriut. Autonomia, në vend që të përforconte akademizmin dhe cilësinë e universiteteve, rriti klientelizmin e brendshëm, përforcoi klientelat pararendëse më të njëjtët njerëz që sundojnë si ‘monarkë’ të vërtetë ndër Departamente dhe Dekanate prej dekadash, që nga koha e Ramiz Alisë. Kontrollorët ndodhën në skenë direkt, ose ne prapaskenën vendimarrëse, përmes drejtuesve të rinj ruralë, që përkulen ndër labirinte ku nuk futen dot njerëzit e mirëfilltë të punës dhe dijes. Një piramidë njerëzish që nuk çahen dot, mbasi shkëmbejnë interesa dhe ndajnë atë pak para që hyn nga të ardhurat prej të tretëve. Ky shkëmbim ndodh vetëm për klanin, grupin e votuesve të sigurtë për mbajtjen e postit, shërbëtorët që bëjnë punën të gatshme për të vendosur emrin shefat. Përndryshe, kush nuk bën pjesë ndër grupe të tilla ‘kooperativistësh’ me akademi, është tërësisht i cenueshëm në jetën e përditshme, e ka derën të mbyllur, flakët në hije, me kërcënimin e kyçjes së gojës para “rretheve okulte të interesave private”. Duhet të kuptoni zoti KM se profesorët e universiteteve shtetërore dhe akademive studimore kanë një pagë që nuk mjafton as për nevojat jetësore për gjysmën e muajit, jo më për arsim cilësor dhe shkencë, për udhëtime akademike, për përthithje studentësh në degët universitare etj.. Dhe ju nuk keni asnjë të drejtë të kërcënoni, të ngatërroni njerëzit e dijes me tregtarët e dijes. Kupolat universitare kane krijuar “principata” dhe askujt që vjen nga jashtë nuk u hapet rruga; mburojë kundër ndërhyrjes së ndonjë qeverie iluministe hipotetike që mund të krijohet ndonjëherë, kanë dhe kanë me pasë gjithmonë, autonominë, kartën e së cilës e valëvisin sipas dëshirës, nganjëherë edhe me mbështetjen dhe dritëshkurtësinë e opozitave që këmbehen në Bazarin politik të Tiranës. Krahinarizmi, nepotizmi dhe klani mbisundues është fryma komanduese dhe referenca për të bërë hajr. Universitet private janë një drame me vehte: në vend që të jenë në shërbim te publikut, mbasi kështu janë konceptuar në ligj, sikurse e tha edhe vetë KM, ato janë shndërruar në biznese të mirëfillta në funksion të një grupi aksionerësh të lidhur me politikën, ose një individi që herë duket dhe herë humbet në prapaskenat e Tiranës së errët. IAL private ndërrojnë programet çdo vjetë, disa prej tyre ndërrojnë edhe kontratat e profesoratit dhe lëndët çdo semester, në funksion të kursimit te profesorëve, të cilët ngarkohen përkundër specializimit të sanksionuar në ligj, me nga 5 deri më shumë lëndë të reja dhe askush ndër institucionet ekzekutive shtetërore nuk i pengon, por ua akrediton programet pa ia nda. Ministria nuk e kontrollon dot, me mekanizmat që ka në dispozicion, stabilitetin e profesoratit ndër universitetet private, as mënyrën se çfarë ndodh me fondet e grumbulluara nga tuition fees, ku filtrohen të ardhurat; pse ikin ndër shumë llogarina, nga ikin dhe pse nuk përdoren sikur e kërkon ligji mbi fondacionet- vetëm për Universitetin. Mijëra studentë emigrojnë jashtë vendit mbasi maksimumi që shpenzojnë në muaj është 750 euro, ndërkohë që po kaq duhet për të jetuar edhe në Tirane me koston e jetesës marramendëse qe ka lëshuar pa frena vetë Edi Rama. Duhet të kujtojmë se shërbimi që marrin studentët, po qëndruan në Shqipëri është i atillë, që nuk hyn në asnjë llogari të të qenurit sistem universitar.

Kjo e gjitha tregon, i nderuari zoti Kryeministër, se një ndërhyrje e re, e thellë dhe e saktë, duhet te ndodhë. Asnjëherë ajo që aktrove të hënën.

Një KM normal nuk i sheh qytetarët e tij që e kundërshtojnë, profesorët që bëjnë grevë dhe e kritikojnë, gazetarët që shkruajnë, si armiq, por si oponentë konstruktivë në rrugën e përbashkët drejt përmirësimit. Afërmendsh të gërmohet e të kërcënohet profesori protestues, për shkak të ushtrimit të të drejtave sindikaliste, se në fund i bën dëm edhe Shqipërisë. Unë po ju them që le të shërbejë thirrja e profesoratit për ngritje pagash si një thirrje mendje për qeverinë tende, për shoqërinë dhe për universitetet në tërësi, si start për korrigjim të mirëmenduar dhe të studiuar paraprakisht.

Një ndërhyrje vullnetmirë dhe dashamirëse e njerëzve që dijnë dhe kanë dashuri për vendin, dijen, arsimin dhe brezin e ri, te ardhmen e Shqipërisë, duhet të ndodhë dhe duhet të lejohet. Ajo që keni ndërtuar në vitin 2015, me keqardhje e them, KA DËSHTUAR, jo për shkak të programimit të reformatorit kryesor, por për shkak të rumpallës së gjithanshme që është krijuar në vend në këto vite, të sabotimit të mediokrëve që e implementuan, të korrupsionit dhe mos-studimit të kushteve specifike të Shqipërisë, që nuk ka rezerva të ngjashme me UK, për të futur ne treg, ashtu në kurriz të familjeve të varfra shqiptare, shkollën e lartë, për hatër të disa aventurierëve me ambicje të shfrenueme për pasurim të pamerituar në kurriz të profesorëve dhe studentëve.

Përgjigjet arrogante, nga shumë krahë, duhet të lihen mënjanë sot. Një KËSHILL i Ri i Arsimit dhe Shkencës, me pak njerëz që e kanë kompetencën e nevojshme në programim, duhet të ri-themelohet, pa ngurrim dhe pa bujë shumë, për të kryer korrektimet në Ligjin e vitit 2015, ose duke përmirësuar atë të 2008. Ndryshe, tatëpjeta do vijojë, vërtetë e mbuluar nga kërpudhat dhe gardhet që gëlojnë nëpër ndërtesën kryeministrore, por e zbuluar tërësisht në dyert e ambasadave të huaja në Tiranë dhe në pikat e kalimit të kufirit shtetërorë, ku rropaten për shpëtim fëmijët tanë.

Fjala.al

Filed Under: Opinion

Gjurmë të huajsh

October 22, 2022 by s p

Astrit Lulushi/

Për Aleksandrin e Madh ishte e lehtë të pushtonte Persinë, por jo Afganistanin megjithatë qytetet e tij – të ashtuquajtur “greke”, siç ishte çdo gjë nga ajo kohë – shtriheshin kudo. Këta ushtarë nuk u larguan kurrë nga Afganistani, ata u bënë Mbretëria e Bactria dhe më pas populli Yuan ose Dayuan siç përmendet në tekstet kineze. Ato zhduken nga Historia vetëm pas rreth tre deri në katër shekuj pas Aleksandrit të Madh. Në fakt, një pasues i tij në Afganistanin e atëhershëm e çoi budizmin deri në Sri Lanka dhe Kamboxhia.

A e keni parë pamjen e disa prej atyre afganëve sot? Flokë të hapur, sy të gjelbër, të gjatë dhe të tjerë me flokë të zinj kaçurrelë dhe fenotip mesdhetar, si shqiptarë, historia i quan “greke”

Imran Khan i Pakistanit thonë se është me origjinë prej tyre. Nuristanët në veçanti mendohet se janë shumë mesdhetarë dhe ka të ngjarë të jenë të fundit nga të gjithë afganët që u islamizuan, dmth vetëm në fund të viteve 1800, të gjithë të lënë nga ushtria e Aleksandrit.

Po ashtu edhe kallashët që deri më sot i duan guacat e detit si stoli, dhe janë të vetëdijshëm për rrushin dhe verën.

Edhe Rudyard Kipling, një autor i famshëm britanik, shkroi një libër imagjinar të ushtarëve britanikë, të cilët mendohet se janë të mbetur e të humbur të lashtë nga ushtria e Aleksandrit të Madh mes popullit afgan.

Qytete të Afganistanit; Kandahari, Herati, madje edhe Kabuli, Aeroporti Bagram etj., të gjitha janë të themeluara ose të rindërtuara si qytete mesdhetare.

Thuhet se Aleksandri (Maqedoni e lashtë, Greqi, Iliri) dhe Persia janë në fakt të vetmet shtete që pushtuan Afganistanin.

Pashtunët nuk pretendojnë të jenë pasardhës të Aleksandrit. Prejardhja mund të gjendet aty-këtu, megjithëse shumica e pashtunëve janë të ngjashëm me ata në rajonet ballkanike.

Greko-Baktrianët mbetën vërtet të rëndësishëm, por ata nuk u bënë Baktria. Bactria ekzistonte para tyre.

Greqia dhe Persia nuk janë të vetmet shtete që pushtuan Afganistanin; Maurianët dhe Gupta indianë, Parthianët iranianë, Arabët, shumë shtete turke dhe sigurisht Perandoria e fuqishme Mongole ishin disa prej tyre.

Filed Under: Fejton

DITA E SOTME SHENON KATËRDHJETË VJETORIN E VIZITËS SË NËNË TEREZËS BËRË KISHËS SË ZLLAKUQANIT

October 22, 2022 by s p

Shkruan: Lekë Mrijaj/

Shqipëria (dhe Trojet e saja) është një trevë e banuar që në lashtësi. Gjurmë dhe emra personalitetesh jetësore, shpirtërore, kombëtare e kulturore shqiptarësh janë deshmuar dhe janë gjetur gjithmonë gjatë gjithë kohëve dhe epokave të ndryshme.

Siq thonë edhe shumë studiues vendorë dhe të huaj, në këtë pjesë të Ilirikut shqiptarët e sotëm janë pasardhës të drejtëpërdrejtë të Ilirëve, të cilët ishin shtrirë me fise të ndryshme në mbarë pjesën perëndimore të Ballkanit, ku në këtë pjesë siq e potencuam sipër përfshihen edhe shumë emra shqiptarësh duke vequar kësaj radhe edhe misionaren e shkupjanen shqiptare, shënjtereshën e vlerave universale, Nënë Terezën, e cila në historinë shqiptare dhe të botës njerëzore mbetet një figurë e misionare e denjë dhe një shënjtereshë e dykohësive, e cila shënjtereshë kishte vepruar një jetë të tërë nën thirrjen hyjnore në misionin e saj në Kalkutë të Indisë e botën mbarë pra në sherbim të Zotit dhe vëllaut njeri.

Nënë Tereza, duke i sherbyer njerëzimit ka predikuar fjalën e Zotit në misionin e saj, njëkohësisht ka deshmuar edhe dashurinë hyjnore të Tij , si dhe mëshirën, pendesën, faljen, ndihmen ndaj njerëzve me nevoja të veçanta e të sëmurë, taman si një bijë me rrënjë shqiptare e cila edhe u bë Nëna me e dashur në botë për njerëzimin mbarë.

Andaj sot, me 22 tetor 2022, është katërdhjetëvjetori i ardhjes së shkupjanes e nobelistës shqiptare, Nënë Terezës, e cila me 22 tetor 1982 në orët e pasditës, vizitoi Kishën e Zllakuqanit, i cili është një fshat shqiptarë ku banorët e saj edhe përkundër sfidave nga ana e pushtuesve mesjetar, otoman e serbofil, me fanatizem i kanë qendruar besnik jo vetëm kombit të tyre por edhe besimit të tyre katolik e njerëzor, pra qysh nga koha e ardhjës së Shën Palit në Ilirik ( deshmi nga Bibla ) e deri në ditët e sotme për asnjëherë nuk u gjunjëzua.

Pikërisht ishin nikoqirët e arthershëm të famullisë, tashmë i përndritshmi, dom Mark Sopit (ish ipeshkëv i Kosovës tashmë i ndjerë), ish kapelanit të tij, dom Fran Sopit e motrat vinçenciane të cilët e mirëpritën ku me atë rast morën pjesë edhe shumë adhurues të frymës tereziane ( një fat i mirë i imi historik se edhe unë isha pjesmarrës i asaj ngjarje madhore, ku në kalim, Nënë Tereza edhe ma vuri dorë mbi sup…) nga famullia e Zllakuqanit dhe me gjërë në pritjën e Shënjtëreshës- Nënë Terezës e cila erdhi në Zllakuqan, në shoqërim te dom Lush Gjergjin dhe disa motra të rregullit të saj-tereziane.

Bazuar në librin e Don Lush Sopit, “Famullia e Zllakuqanit” (faqe 121, 122, 123) gjejmë fjalët e nikoqirit të famullisë, dom Mark Sopit i cili gjatë pretkut të meshës së asaj dite, në emër të famullisë i ka deshirue një mirëseardhje Nënë Terezës me këto fjalë: “Jeni keni ardhur në mesin tonë për të qenë dora e Zotit, e cila do të na tregojë, do të na prijë kah rruga e tij, në Dashuri. Mbasi jeni plotë dashuri me Zotin, këtë me së miri do ta ta bëni ju. Ne dhe bota mbarë ka nevojë për njerëz të tillë, për deshmitarë të vertetë të Zotit”.

Ndërsa Nënë Tereza e cila dukej e entuziazmuar, e gëzuar e lumtur të pranishmeve ju drejtua me disa fjalë: “Jam shumë e lumtur qe sot gjendem në mesin tuaj, qe të flasë me ju. I faliminers Zotit për gjithë këtë dashuri qe me keni treguar dhe ju lus të gjithëve që ti luteni Zotit për mua, për motrat e mia, për të varfërit e mi qe Zoti na i ka dhënë në kujdesin tonë. Ne lutemi qe Hyj të vijë në zemrat tona, qe Jezu Krishti të hyjë në shpirtin e popullit tonë. Ne lutemi qe Zoti të jetë fuqia jonë, jeta jonë, dashuria jonë. Lutemi qe të kthehet në familjet tona urata, pjesa e rruzarës qe Zoja të jetë Nëna jonë. Nëna e konaqeve tona. Ajo të na mësoj se si kërkohet për ta dashur njëri tjetrin. T’i falenderojm Zotit qe na ka bashkuar sot këtu qe të kërkojm prej Tij dhantinë e paqes, për të cilin kanë aq shumë nevojë familjet tona dhe gjithë njerëzim.

Ju falemenders Zotit qe nuk po përjetoni tragjedinë e shumë të gerbulurve të Kalkutës, ju keni mjaftë ushqime pije dhe veshmbathje, por në radhë të parë lypset të falenderuar të Madhin Zot. Mendoni edhe pak për ata qe s’kanë asgjë, qe vdesin urie rrugëve. Zoti ju bekoftë!” – tha në fund Nënë Tereza.

Vlen të potencohët se (me 29 tetor 2022 në Qëndrën Kulturore të Kishës në Zllakuqan) në kuadër të katërdhjetë vjetorit të ardhjes së Nënë Terezës në Zllakuqan, famullia e Zllakuqanit në krye me dom Alfred Sokolin, (në bashkpunim me Forumin e Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë dhe Komunën e Klinës), do të shënoi një Takim Jubilarë në shenjë nderimi për figurën e Nënë Terezës, ku do të flasin shumë personalitete e ligjerues të shkencës, njëkohësisht do të ngritet një pllakë përkujtimore në shënjë kujtimi në katërdhjetë vjetorin e vizitës së Nënë Terezës bërë Zllakuqanit.

Ps: Fotoja në fjalë e shënjtereshës, Nënë Terezës s’bashku me dom Mark Sopin është shkrepur në balkonin e zyrës famullitare me 22 tetor 1982, e cila foto është shkoqitur nga libri, Don Lush Sopit, “Famullia e Zllakuqanit”.

Filed Under: Histori

Ambasadorët e Kombit Tonë në Diasporë, Qemal Dhe Kozeta Zylo

October 22, 2022 by s p

Nga Ylli M. Dilo/

Vlerat universale të qytetërimit perëndimor gërshetuar me mbajtjen gjallë dhe forcimin e ndjenjës kombëtare janë mbrujtur në mënyrë ideale në kontributin e shquar të çiftit Zylo. Si një jehonë që valëvitet në hapësirë, tingujt e TV “Alba Life”, mbushin me optimizëm zemrat e gjithë shqiptarëve në Diasporë dhe kudo në Atdhe. Mesuese Kozeta dhe Ing. Qemali të përkushtuarit dhe të palodhurit, janë dy themeluesit dhe producenët e TV “Alba Life” dhe të Shkollave Shqipe me të njëjtin emër në SH.B.A. të cilat për 15 vjet rresht japin kontributin e tyre të çmuar.
Familja Zylo në New York dhe më gjërë për aktivitetin e saj kulturor dhe patriotik i ka kaluar caqet e Ambasadorit te Kombit.
Ku e ka burimin kjo veprimtari e shquar? Kanti dhe Schelling në filozofinë e tyre na mësojnë se qartesia e mendimit dhe energjia e vullnetit janë të lidhura në mënyrë të pandashme. Ky çift model intelektualësh mbështetur në këtë bindje filozofike ka arritur rezultatet e kësaj drite vezulluese që percjellë kulturë, mirësi, dlirësi dhe patriotizëm. Besimi se çdo majë mund të arrihet, e ka bërë këtë çift të bekuar. Pak dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e tyre: Kozeta u lind në Mezhgoran, Tepelenë nga prindërit Brahim dhe Liri Gjoni. Pas mbarimit të Universitetit, dega Gjuhë-Letërsi punoi 20 vjet mësuese në gjimnazet e Tiranës. Në Shkurt 1997 emigroi në SH.B.A. bashkë me familjen e saj: Ing. Qemal Zylo dhe dy vajzat. Vazhdoi kualifikimet pas-universitare. Punoi si pedagoge disa vite në “Globe Institute of Technology”. Vazhdon të punojë në programin e Autizmit në shkollën e mesme “Susan E. Wagner” në Staten Island. Është Autore e mbi 8 librave në poezi, proze, kritikë, esse, reportazhe dhe studime me vlerë. Ka gati për botim gjithashtu dhe dy libra të tjerë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT