• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

NJË TAKIM I PËRZEMËRT NË NJU JORK ME IPESHKVIN E KOSOVËS, IMZOT DOD GJERGJI

October 31, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

Ishte një kënaqësi e veçant takimi para disa ditësh me Ipeshkvin e Kosovës, Shkëlqesinë e tij, Imzot Dodë Gjergji, në Nju Jork. Imzot Gjergji ishte në udhtim e sipër duke u këthyer në Prishtinë nga Detroiti ku kishte marrë pjesë në festimet me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Kishës së parë Katolike, Zoja Pajtore e Shqiptarëve, në Southfield, afër Detroitit, në shtetin Miçigan, Frank Shkreli: Në shërbim të Zotit dhe Atdheut | Gazeta Telegraf

Në Nu Jork, morëm pjesë në këtë darkë miqësore me Ipeshkvin e Kosovës, një grup i ngushtë, të ftuar nga Paulin dhe Drita Mrnaçaj, vatranë, aktivistë të komunitetit dhe anëtarë të njohur të familjes anti-komuniste Mrnaçaj nga Kelmendi i Malësisë së Madhe. 

Në takimin me disa shqiptaro-amerikanë, Imzot Dodë Gjergji shkëmbeu me të ftuarit në këtë darkë, mbresat e tija nga celebrimet dy-ditëshe kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Kishës Pajtore të Shqiptarëve në Detroit dhe mbi jetën dhe veprimtarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan në atë shtet dhe në përgjithësi këtu në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se sa herë që vjen në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikë e ndjenë veten si në shtëpinë e vet dhe falënderoi mikëpritsit, miqtë dhe dashamirsit e tij të shumtë në këtë vend të lirisë e demokracisë – me të cilët, siç tha ai, është gjithmonë një takim midis vëllëzërish.  Ai u shpreh gjithashtu se vlerson shumë rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan — përpara, gjatë dhe pas çlirimit të Kosovës — duke shtuar se roli i diasporës së madhe shqiptare anë e mbanë botës — por sidomos asaj në Amerikë dhe në Evropë, mbetet jetësore për të ardhmen e Kombit shqiptar – Kosovës dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve në Ballkanin Perëndimor.  Prelati i lartë i Kishës Katolike në Kosovë ndau me të pranishmit edhe informacione mbi gjëndjen aktuale të Kishës që ai kryeson në shtetin më të ri të Evropës, për të kaluarën dhe për përspektivat e saja në të ardhmen. Ai u shpreh entuziast për zhvillimet dhe gjëndjen e Kishës që ai drejton, në përgjithësi.

Në një atmosferë miqësore, Imzot Dodë Gjergji ndau me pjesëmarrësit, në këtë darkë të shtruar nga familja Mrnaçaj në Nju Jork, edhe veprimtarinë e tij publicistike dhe prej autori, duke folur për botimin e kohëve të fundit të trilogjisë rrëfimore, “Kthimi”.  Vepër kjo e cila është vlerësuar nga autorë e historianë, qoftë nga Kosova ashtu dhe nga Shqipëria, si një libër i së vërtetës historike të identitetit kombëtar e shpirtëror të shqiptarëve dhe si një rrëfim i bashkjetës fetare ndër shqiptarët, gjatë historisë.

Darka me Udhëheqsin e lartë të Kishës Katolike në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe u përshëndetëm me të duke falënderuar Ipeshkvin e Kosovës për kohën që kaloi me ne atë darkë, ndërsa i uruam rrugë të mbarë për në Atdhe, duke shprehur shpresën dhe deshirën që të shihemi përsëri dhe sa më parë, qoftë në Kosovë qoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Frank Shkreli

Disa prej pjesëmarrësve në darkën e shtruar nga familja Mrnaçaj në Nju Jork për nder të Imzot Dodë Gjergjit, Udhëheqsit të Kishës Katolike të Kosovës.  

                                    Autori duke përshëndetur Imzot Dodë Gjergjin

          Autori me Z. Paulin Mrnaçaj në pritje të Imzot Dodë Gjergjit

May be an image of 7 people, people sitting and indoor

Para se të vinte në Nju Jork, Imzot Dodë Gjergji me disa nga pjesëmarrsit në Konferencën kushtuar 50-vjetorit të themelimit (nga i ndjeri Dom Preke Ndrevashaj) të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield afër Detroitit.  Nga e djathta në të majtë: Disidenti dhe ish i burgosuri i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Visar Zhiti, Mons. Lush Gjergji, Biografi i njohur i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës Dom Fred Kalaj, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Rrok Gjonlleshaj, Ipeshkvi i Tivarit, Patër Pashk Gojçaj, Udhëheqsi i Provincës Shqiptare të Françeskanëve dhe Dom Anton Kçira, ish=famullitari i Kishës Shën Pali në Detroit.

Nga promovimi i librit tre vëllimesh “Kthimi” i Imzot Dodë Gjergjit, më heret këtë vit, në Qendrën Bogdanipolis, që gjendet në Katedralën Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

1798 / LETRA QË NAPOLEON BONAPARTI I DËRGOI ALI PASHË TEPELENËS NGA MALTA

October 31, 2022 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Tetor 2022

Në librin “Œuvres de Napoléon Bonaparte, Tome 2, 1821 – Vepra të Napoleon Bonapartit, Vëllimi 2, 1821”, gjejmë dy letra ekskluzive (f. 230 – 231) ku Napoleon Bonaparti, pas pushtimit të Maltës, kërkonte të komunikonte me Ali Pashë Tepelenën, përmbajtjen e të cilave Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Maltë, 17 qershor 1798.

Shtetasit Lavalette,

Shtetas, “L’Arthémise” ka urdhërin që t’ju ankorojë në bregdetin e Shqipërisë dhe t’ju vendosë në gjendje të bisedoni me Ali Pashën. Letra e bashkangjitur që do të duhet t’i jepni atij, nuk përmban asgjë tjetër veçse t’i jepni besueshmëri asaj që do t’i thoni dhe ta ftoni që t’ju japë një mënyrë të sigurt për të folur vetëm me të. Do t’ia jepni vetë letrën e përmendur, në mënyrë që të siguroheni se do ta lexojë vetë.

Pas kësaj, ju do t’i thoni atij se, pasi sapo kam pushtuar Maltën dhe duke u gjendur në këto dete (ujëra) me tridhjetë anije dhe pesëdhjetë mijë burra, do të kem marrëdhënie me të dhe se dua të di nëse mund të mbështetem tek ai; se do të doja që edhe ai të dërgonte pranë meje, duke e hipur në fregatë, një njeri fisnik dhe që do të kishte besimin e tij; se për shërbimet që u ka bërë francezëve, për trimërinë dhe guximin e tij, nëse më tregon besim dhe dëshiron të më ndihmojë, unë mund t’ia shtoj shumë lavdinë dhe fatin e tij.

Në përgjithësi do të mbani shënim gjithçka që ju thotë Ali Pasha dhe do të hipni sërish në fregatë për të ardhur tek unë dhe do të më raportoni për gjithçka që keni bërë.

Duke kaluar nëpër Korfuz, ju do t’i thoni gjeneralit Chabot të na dërgojë anije të ngarkuara me dru dhe t’u bëjë një shpallje banorëve të ishujve të ndryshëm që t’i dërgojnë skuadriljes verë, rrush të thatë dhe se do të paguhen mirë për këtë. 

BONAPARTI

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Maltë, 17 qershor 1798.

Ali Pashës,

Miku im shumë i respektuar, pasi ju kam ofruar urimet e mia më të mira për begatinë dhe ruajtjen e jetës tuaj, kam nderin t’ju informoj se e njoh prej kohësh lidhjen (simpatinë) që keni për republikën franceze, gjë që do të më bënte të dëshiroja të gjeja një mënyrë për t’ju dhënë prova të vlerësimit që kam për ju.

Meqë sot rasti mu duk i favorshëm, u nxitova t’ju shkruaj këtë letër miqësore, dhe kam udhëzuar një nga ndihmësit e mi në terren që t’jua sjellë, t’jua dorëzojë personalisht.

E kam porositur gjithashtu që t’ju bëjë disa propozime në emrin tim dhe meqë nuk e njeh gjuhën tuaj, ju lutemi të zgjidhni një përkthyes besnik dhe të besueshëm për bisedimet që do të ketë me ju.

Ju lutem t’i jepni besueshmëri gjithçkaje që ai ju thotë nga ana ime dhe ta ktheni menjëherë tek unë me një përgjigje të shkruar në turqisht nga vetë dora juaj.

Ju lutem pranoni urimet e mia të mira dhe sigurinë e përkushtimit tim të sinqertë. 

BONAPARTI

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

U organizua në Lushnje festivali “Mikrofoni i Artë, Vaçe Zela”

October 31, 2022 by s p

Intervistoi: Eneida Jaçaj Lamçe/

Jeta kulturore në Shqipëri ka nevojë për shumë vëmendje dhe investim, nga pushteti vendor, qoftë për atë çka sjell në publik, por edhe për shpalosjen dhe zhvillimin e talenteve në muzikë, poezi, kinematografi, etj. Publiku shqiptar ka më shumë nevojë të ndjekë ngjarje kulturore për edukimin dhe disiplinimin e brezave të rinj, sesa të shohin ngjarje makabre nga më të shëmtuarat që përcjell çdo ditë kroniza e zezë e lajmeve, duke u bërë një shembull i keq për shumë të tjerë. Ajo që është për t’u vlerësuar dhe nënvizuar është se si një emigrant, i cili punon dhe vetësakrifikohet në një vend të huaj, sjell projekte kulturore dhe humanitare për Shqipërinë, duke mos harruar vendin e origjinës. Etleva Rrapa, e cila prej 23 vitesh jeton dhe punon në Itali, është organizatorja e Festivalit “Mikrofoni i Artë, Vaçe Zela”, në Lushnje. Ajo, së bashku me kreun e Shoqatës Kulturore në Mbështetje të Grupeve Vulnerable, z.Adriatik Gega, pas një pune disa mujore, arritën të realizojnë “Mikrofonin e Artë, Vaçe Zela”, ngjarje e cila i kaloi të gjitha pritshmëritë. Kjo ngjarje kulturore pati për qëllim rizgjimin e figurave madhështore si Vaçe Zela, dhe do të thotë më shumë investim në kulturë. Etleva Rrapa rrëfen se biletat e festivalit u shitën të gjitha, duke shtuar se kjo do të bëhet një kulturë duke sjellë të tjera aktivitete të ngjashme. Në këtë festival, nën tingujt e muzikës së këngëtares së madhe, Vaçe Zela, ishin të pranishëm figura të ndryshme, ndërkombëtarë, kryetarja e Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa, deputetja e Parlamentit, Lindita Buxheli, etj. E veçanta është se mori pjesë edhe vajza e Vaçes, Irma, e cila kishte ardhur posaçërisht nga Zvicra, për të nderuar figurën e nënës së saj. Etleva Rrapa është organizatore e shumë projekteve të tjera kulturore dhe humanitare. Ajo, me organizatorë të tjerë, u ka ardhur në ndihmë jetimëve, familjeve me probleme ekonomike, moshave të treta, etj, me veshëmbathje, ushqime, batanije, e cdo gjë tjetër të nevojshme.

-Është për t’u përshëndetur dhe vlerësuar që emigrantët shqiptarë jo vetëm punojnë për të arritur sukseset e tyre, por japin kontribut të vyer nga vetja, në realizimin e projekteve kulturore, humanitare, edhe me karakter politik për Shqipërinë, duke mos e harruar vendin e tyre. Ju jeni një nga organizatoret e eventit “Mikrofoni i Artë, Vaçe Zela”, në Lushnje, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore në Mbështetje të Grupeve Vulnerable. Si lindi ideja e organizimit të kësaj ngjarje kulturore, dhe si u prit nga publiku i dashur i Lushnjes?

Festivali kulturor humanitar, “Mikrofoni i Artë, Vaçe Zela”, lindi në muajin Maj, ku u përpoqa të gjej një ide origjinale e të drejtpërdrejt për publikun. Unë, bashkë me z.Adriatik Gega menduam se i kemi mrekullitë në qytet; mjafton t’i vlerësojmë, të mos i harrojmë, e ku më mirë se nëpërmjet një festivali live dedikuar fëmijëve nga mosha 5-15 vjeç, nga të gjitha trevat shqiptare e jashtë. Mund ta përmbledh me shumë fjalë si e priti publiku, por do të cilësoja që publiku bëri sold out, pasi edhe në këmbë qëndruan. Publiku qau e duartrokiti fëmijët, dhe, deri në orët e vona pas festivalit, njerëzit nëpër rrugë këndonin, ndalonin e emocionoheshin nën tingujt e Vaçe Zelës. 

-A i arriti pritshmëritë tuaja ky event, dhe çfarë emocionesh morët mbrapsht ju si organizatore?

Pas një pune disa mujore, festivali kaloi çdo pritshmëri dhe, une, si organizatore, bashkë me z.Adriatik Gega morëm emocione të papara. Shumë fëmijë konkurrues qanin në skenë, ndërsa unë i mbështillja në përqafime e u jepja prapë mikrofonin nga e para. Artistët e vegjël kënduan edhe ulur në gjumë në skenë, kërcyen, duartrokitën e bënë tifo për shokët, ndërsa salla e teatrit u ndez nga drita e telefonave, parrullat me emra të konkurruesve e me gjyshet, prindrit e shokët e shkollave, që këndonin çdo këngë. Kjo ngjarje kulturore solli rizgjimin e dëshirës për t’iu rikthyer kulturës live larg gjërave të montuara më parë në tavolinë.

-Cilat ishin çmimet që u ndanë pas eventit, dhe si u pritën nga pjesëmarrësit?

U ndane tri çmime të para e tri speciale. Fëmijët i pritën me emocion çmimet; ne u dhamë çertificatë pjesëmarrje, fëmijëve të edicionit të parë. Shpresoj që të sjellim aktivitete të tjera, të cilat do të jenë të hapura për grupet vulnerable, por edhe në përfshirjen e çdo shtrese të shoqërisë.

-Ju znj.Etleva jeni organizatore e shumë projekteve të tjera me karakter humanitar për të mbështetur shtresat në nevojë. A do të sillni projekte të tjera të ngjashme, që do të ndikonin pozitivisht në jetën kulturore të qytetarëve shqiptarë, por do të ishin dobiprurëse edhe për grupet vulnerable në shoqërinë tonë? Sa herë në vit organizohen projekte të tilla, dhe, konkretisht, ku konsiston ndihma juaj? Cilat janë ato shtresa që ju u gjendeni më pranë?

Shoqata, të cilën unë e përfaqësoj në Pistoia Italy, punon gjatë gjithë vitit në projekte që nga ndihmat ushqimore, veshje, mbathje, mjete shkollore, asistenca ligjore e psikologjike, nëpërmjet anëtarëve e profesionistëve që ka bordi drejtues. Më pranë u gjendemi fëmijëve jetimë e me vështirësi ekonomike, por edhe shtresës së tretë, të cilët kanë nevoja në ushqime, karroca, panolina etj. Unë mbuloj shpesh miniprojekte humanitare që donatorët e huaj e shqiptarë japin për njerëzit në nevojë, ku çdo gjë bëhet në mënyrë transparente. 

-Projekte të tilla humanitare, për të ndihmuar sadopak jetimët, moshat e treta, familjet në nevojë, janë për t’u vlerësuar, por një individ në nevojë nuk do të mjaftohej me një batanije gjithë vitin. A keni menduar që me politikat tuaja të ndikoni në pushtetin vendor, që të hapen sa më shumë qendra sociale, apo të zhvillohen disa projekte në vit, që shtresat vulnerable të gjejnë mbështetje 365 ditë të vitit?

Ne shpresojmë që të ketë hapa përpara në hapjen e zhvillimit të qendrave për të mbrojtur çdo njeri në nevojë. Ka politika ekonomike që shteti shqiptar u ofron njerëzve në nevojë, por padyshim vështirësi ka kudo e duhet akoma punë nga çdo hallkë e sistemit ekonomik e politik.

-Ju keni qenë e ftuar në një ngjarje kulturore në Rrozhaje të Malit të Zi. Cili ishte qëllimi i këtij organizimi dhe çfarë solli te publiku?

Në muajin prill, unë isha e ftuar në Rozhaje të Malit të Zi, nga zoti Ali Daci, ku u organizua edicioni i 13-të, “Ora e Maleve”, me të ftuar nga shumë shtete, ku unë dërgova punën poetike të dy zonjave në emigrim, nga Londra, Alma Mehmeti, poete e prozatore, dhe Luanesha Rucaj, nga Kreta, Greqi. Ky event midis historisë, poezisë, kinematografisë, ekspozitës fotografike e muzikes tradicionale shqiptare ka synimin të mbajë gjallë kulturën e artin shqiptar, brenda e jashtë kufijve. E adhuroj Kosoven e forcën e shqiptarëve për mbijetesë.

-A u spikatën talente interesante, dhe cilat ishin çmimet që u ndanë?

Çmimet e ndara ishin për pjesëmarrësit nga Italia, Kosova, Gjermania, Austria, Mali i Zi, Shqipëria; ato nuk u dhanë vetëm për poezinë, por edhe në hulumtim, bashkëpunim, studime historike e humanizëm. 

-Doja të ndalesha te Forumi i Mesdheut Albany-Italy, në Toskanë, i cili konsiston në bashkëpunimin me vendet e Mesdheut, në politikë, kulturë, shkencë, etj. Çfarë u diskutua konkretisht dhe çfarë u arrit në përfundim të këtij forumi?

Eventi i 25 qershorit solli për herë të parë një forum 360 gradë mbi politikën, emigrimin, biznesin, artin, kulturën, traditën dhe historinë e dhimbshme, por dhe me shpresa që bashkon brigjet e Mesdheut. Në këtë forum u prezantua për herë të parë Albanitaly Festival Internazionale dedikuar shqiptarëve brezit të dytë e të tretë, të cilët sot mbajnë vendin e parë si potencë ekonomike, të dytin, si komuniteti më i madh dhe një ndër realitetet e emigrimit që po ecën përpara edhe në art, sport e politikë. Shpresojmë që vitin që vjen ky forum të zhvillohet në Shqipëri. Në çdo vend ka gjithmonë gjëra që duhen ndryshuar e përmirësuar, por në Shqipëri, njerëzit duhet të fillojnë të ndryshojnë idenë e punës e karrierës, idenë që jo çdo gjë duhet ta bëjë shteti apo kushëriri apo vëllai nga emigrimi. Ndersa shteti si kudo duhet të jetë më shumë shtete e më pak pushtet. Duhet të ndërtojnë së bashku të ardhmen, jo një ndërton e 10 shkatërrojnë.

-Ju keni realizuar Fashion Week për fëmijët me aftësi ndryshe. Çfarë solli kjo ngjarje?

Më 23 shtator, në Milano, u zhvillua GX Milano Fashion Wieek, ku për herë të parë, një vajzë, Elda Gjoni, 26 vjeçe, e lindur me paralize cerebrale infantile precizim diagnoza, sfiloi në pasarelë. Ishte një ide që ia prezantova zonjës Gentiana Dervishi. Fustani me flamurin shqiptar u ideua nga stilistë italianë, u qep në Shqipëri dhe vajza u shoqërua në sfilatë nga Miss Univers, Bolivia 2021. Ndihmuan në këtë ëndërr të bukur z. Adriatik Gega, Antonio Gjonaj, Ada Guma hair stylist shqiptarë, directory official e make up dhe padyshim nga Gentiana. 

-Ju keni 23 vite që jeni larguar nga Shqipëria në drejtim të Italisë. A keni një mesazh për klasën politike shqiptare sot?

Si qytetare e thjeshtë, unë do të thosha vetëm një mesazh për klasën politike: Ju jeni makina e një shteti, por mos harroni që populli është motorri i makinës e pa një popull të fortë, pa një motorr të fortë nuk mund të tërhiqet pesha e problemet e jetës! 

Filed Under: Analiza

Ndërrimin i Orës Mbase Për Herë të Fundit

October 31, 2022 by s p

Rafaela Prifti/

Shprehja “ndërrimi i orës” është disi e çuditshme sepse ora në të vërtetë nuk ndërrohet por të gjithë e dimë kuptimin e saj. Sot në Evropë dhe të dielën tjetër në gjithë Amerikën ora kthehet mbrapa një orë me përjashtim të Arizonës dhe Havait ku ruhet koha standarte. Ndonëse kjo mund të jetë hera e fundit përsëri mund ta pyesim veten nëse mund ta përballojmë më me lehtësi kalimin zyrtar në stinët e ftohta dhe të errëta. Sondazhet tregojnë se amerikanët e kanë mërzi “rikurdisjen” e orëve, të cilën disa madje e quajnë “tirani”. Dhe në periudhën dixhitale, siç dihet, pajisjet elektronike e bëjnë tranzicionin në mënyrë automatike. Në fillim të këtij viti Senati amerikan miratoi ligjin për orën e pandryshuar që mund të hyjë në fuqi që vitin e ardhshëm. Një orë më shumë errësirë mund ta ngarkojë gjendjen shpirtërore tek njerëzit që janë më të ndjeshëm dhe i kap plogështia në stinën e vjeshtës dhe dimrit. Si kundërpeshë, një orë më shumë gjumi ju jep mundësi të pushoni por edhe të funksiononi më mirë gjatë ditës. Mjekët këshillojnë që këtë javë të filloni të shkoni në shtrat 30 minuta më vonë se zakonisht në mënyrë që t’i jepni trupit mundësinë të përshtatet më gradualisht me ndryshimin të dielën e ardhshme dhe për të shmangur orë të tëra zgjuar në shtrat për shkak se truri ndalëson prodhimin e hormoneve të gjumit, melatonin. 

Kur orët kthehen gjashtëdhjetë minuta pas kjo nuk do të thotë një orë më shumë.gjumë. Në të vërtetë mund të dalim defiçit me gjumin, të paktën në javët e para të muajit nëntor. Trupi vetëpërshtatet në mënyrë organike me dritën natyrale prandaj mund të fillojmë qysh sot ta ndihmojmë bio ritmin tonë me disa hapa konkrete. Për të mos e humbur aktivitetin e pasdites si për shembull shëtitjen pas pune apo një ecje të lehtë në park të cilin ka nisur ta kaplojë muzgu, dilni në orët e para të mëngjesit. Nëse rënia e temperaturave në agim të ditës ju pengon të bëni vrapin ose rutinën e ushtrimeve të mëmgjesit, dëgjoni një këngë ritmike dhe bëni lëvizje në vend sa për t’i dhënë vetes një kolpo. Për prindërit me fëmijë të vegjël zgjidhje të tilla mund të sjellin lehtësira për gjithë familjen. Për ata që e kanë rutinën e stërvitjes apo gjimnastikës në mbrëmje këshillohet që mos e shtyjnë vajtjen në palestër shumë vonë sepse gjendja fizike interferon me rutinën e vajtjes në shtrat. Dietologët thonë se për të mos ndryshuar orarin e të ngrënit mund të filloni të hani 10-15 minuta përpara tani në mënyrë që trupi të përshtatet brenda disa ditëve me vaktet e bukës një orë më vonë. 

Këshilla të tilla praktike apo një guidë personale mund të jenë ide të thjeshta por të vlefshme në një kohë kur ngarkesat mendore, jeta sedentare dhe pasive si edhe streset e shtuara nga konsumimi i tepërt i mediave janë faktorë që çojnë në depresion mijra njerëz  Për historinë e ndërrimit të orës, arbitraritetin dhe ingranimin e saj në jetën e përditshme, mund të lexoni më shumë te Dielli https://gazetadielli.com/do-you-have-time/

Mbase një mënyrë për të gjetur energji pozitive dhe aktivitete krijuese mund të jetë recitimi me zë i vjershave të preferuara tuajat apo të familjarëve, vizatime, punë dore etj. Një ide e shkëlqyer për të recituar janë vargjet legjendare të Mjedës sonë të madh te poezia Dimni që hapet me këtë panoramë të paharrueshme:

“Nëpër fushë e nëpër male, 

Fryn murlani me stuhi,

O murlan, at frymë ndale,

Ndal, ti, akull mos më ngri,” …..

Vargjet që pasojnë janë nga përshkrimet më të bukura në poezinë shqiptare. 

Shkencëtarët dhe politikanët nuk kanë arritur të pajtohen për kohën optimale standarte, edhe pse projekligji është miratuar. Ndërkohë ushtrimet fizike, daljet në ajër të pastër, aktivitetet dimërore, shtimi i dozës së vitaminës D dhe mendimet pozitive ndihmojnë për ta përballuar pak më lehtë tkurrjen e ditëve, ardhjen e temperaturave të ulëta dhe netët e gjata. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafaela Prifti

Komandanti Suprem i NATO-S, Gjenerali Clark u takua me komunitetin shqiptar në Staten Island

October 31, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Gjenerali Wesley Clark mbështeti kandidaturën e ish Kongresistit Max Rose I cili kandidon përsëri në Kongresin Amerikan.

Komandanti Suprem i NATO-S, Gjenerali Clark, Heroi i Kosovës që i vuri kufirin tek thana kucedrës ballkanike sllobodan milloshevicit u takua sot të dielën në Staten restaurant në Staten Island me Diasporën Shqiptaro Amerikane.  

Gjenerali Clark shoqërohej nga bashkëshortja e tij fisnike Gertrude Kingston.  Gjeneralit Clark i është dhënë Urdhri “Hero i Kosovës” për vepra trimërie për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Nën komandën e tij supreme, trupat e NATO-s ndërhynë dhe i dhanë fund genocidit serb, pasi ushtarët serbë me sllobodanin vranë mijëra civilë shqiptarë kosovarë dhe bën spastrim etnik.  Gjenerali Clark ka qenë komandant i përgjithshëm i NATO-s, në kohën e ndërhyrjes në Republikën Federale të Jugosllavisë e cila ka nisur më 24 mars, 1999, dhe ka përfunduar më 10 qershor, 1999.

Si një qytetare amerikane me banim në Staten Island dhe me të drejtë vote, arsyeja më e madhe që shkova ishte për respektin e madh, mirënjohjen e pakufishme që kemi për Gjeneralin Klark i cili iu gjend në kohën më të zezë motrave dhe vëllezërve të mi shqiptarë të Kosovës dhe bombardoi nazistët serbë me kucedrën me 7 kokë sllobodan milloshevicin.

Ardhja e gjeneralit Clark njëkohësisht ish kandidati presidencial i vitit 2004 ishte që të mbështeste kandidaturën e ish Kongresistit Amerikan Max Rose I cili po kandidon për në Kongresin Amerikan.  

Gjenerali Clark u mirëprit me duartrokitje të stuhishme nga të pranishmit dhe shumë i emocionuar dhe me lot në sy iu kthente përshëndetjen e tij.  Fjala e tij ishte rrënqethëse dhe plot mesazhe sidomos, kur fliste për luftën në Kosovë dhe për Lirinë e saj.  

Në fjalën e tij në mbështetjen që i dha Max Rose kandidatit për në Kongresin Amerikan ai tha: “Ne kemi nevojë për patriotë që janë të përkushtuar ndaj shërbimit, siç ishte Max Rose në detyrë, qoftë në Afganistan, ku ai shërbeu ose në Kongres, ku ai vendosi të parën klasën punëtore si në Staten Island dhe në Brooklyn.  Max Rose ka mbrojtur gjithmonë atë që është e drejtë.

Gjenerali Klark tha se Uashingtoni ka nevojë për më shumë udhëheqës si Rose, një veteran luftëtar i ushtrisë amerikane nga lufta në Afganistan, i cili më parë ka shërbyer një mandat në Kongres.

Kandidati për në Kongres Max Rose është përballë kongresistes Nicole Malliotakis, distrikti i 11-të qe  mbulon të gjithë Staten Island dhe një pjesë të Brooklynit Jugor.

Në fjalimin e tij ai tha se Clark drejtoi koalicionin shumëkombësh që i dha fund genocidit kundër shqiptarëve etnikë dhe i ka treguar botës se si duhet të ngrihemi kundër tiranisë në emër të drejtësisë.  Diaspora Shqiptaro Amerikane nuk e ka harruar kurrë lidershipin dhe angazhimin e gjeneralit Clark për të garantuar sigurinë e tyre në kohët më të vështira. Wesley Clark është një shembull i të jetuarit të një jete kushtuar shërbimit, Flamurit dhe vendit dhe kjo është ajo që ka të bëjë kjo fushatë.”

Max Rose premtoi se do të luftojë fort për cështjen shqiptare dhe do të jetë një përkrahës i madh i saj. 

Në fund njerëzit u vendosën në radhë për të bërë foto me Gjeneralin dhe për të pasur kujtim të vyer në jetën e tyre. 

Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life”, me themelues dhe producent Qemal Zylo.

30 tetor, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: Analiza Tagged With: Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT