• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

DY LETRA TË PA NJOHURA TË FAN NOLIT

October 12, 2022 by s p

Fan S. Noli.jpgC:\Users\User\Documents\D1A-FC3\F.152-1920-2-001.jpg

Nga Enver Memishaj

Për të prezantuar dhe kuptuar dy letrat e Fan Nolit (1882 – 1965), më parë duhet të themi dy fjalë për kohën kur ato janë shkruar. 

Përfundimi i Luftës së Parë Botërore (1914 – 1918), e fshiu nga harta botërore shtetin shqiptar që kishte lindur me luftë e sakrifica më 28 nëntor 1912. Fuqitë e mëdha, apo vendet e qytetëruar siç i quajmë ne sot e kishin coptuar Shqipërinë e vitit 1913, dhe ua kishin dhënë si dhuratë fqinjëve tanë grabitqarë. Kështuqë shqiptarët vendosën t’i dilnin vetë zot fatit të tyre. Atdhetarë dhe mëndje të ndritura të vendit u mblodhën në Kongresin e Lushnjës më 21 janar 1920 dhe pak më vonë vlonjatët vendosën ose të hidhnin në det pushtuesin italian, të çlironin Vlorën dhe ta bashkonin me administratën e qeverisë së Sulejman Delvinës ose të shuheshin me gjithë ç’kishin.

Ndërsa vlonjatët e shqiptarët luftonin me italinë, grekët nxituan të shkëpusnin një copë nga trokat shqiptare. Në këtë udhë heroizmi dhe therorie që kishin hyrë vlonjatët, u duk përsëri pa besia greke që u mundua të godiste pas shpine interesat e popullit shqiptar. Qazim Kokoshi, prefekti i prefekturës së Drashovicës, pasi për arsye politike, Komiteti Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi Luftën e Vlorës e kishte shpallur Drashovicën prefekturë, dhe Vlorën nënprefekturë që varej nga Drashovica, më 20.7.1920 i shkruante Ahmet bej Zagollit, Ministrit të Brendshëm: “ Kur gjanë sulmet tona kundëra ushtrisë italiane dhe kur armët tona u kurorëzuan me fitim duke shtërnguar armikun të mblidhet në porta të Vlorës, ushtria italiane që ndodhej në Himarë, iku me të shpejtë duke liruar krejt Himarën.

Ca ditë Himara mbeti pa ndonjë qeveri, duke qenë se ushtria kombëtare nuk e ndiente veten të fortë të coptonte fuqitë, duke i çuar lartë e poshtë. Pas ca kohe dëgjuam ca lajme dhe në ditët e fundit u vërtetua që himariot nën kryesinë e Niko Milos, proklamuan autonominë e Himarës duke marrë brenda shtatë fshatra. Hoqën një flamur me shtatë yje dhe me një shqiponjë në ngjyrë të qiellit, rregulluan një postë me pulla të grekut etj, etj. 

Neve duke pasur një armik përpara, dhe duke bërë çdo sakrificë që t’i bëjmë ballë këtij, nuk mundemi as me mend as me fuqi të kthehemi dhe të merremi me një çështje tjetër, ndërsa edhe ajo është një plagë e pa shërueshme për nevej… Çështja e Himarës është edhe ajo fort me rëndësi, prandaj i lutem z. tuaj të merrnui masa të nevojëshme dhe të shpejta”.

Ndërsa komandanti i batalionit të xhandarmërisë së Gjirokastrës n/toger, firma, më datën 15.7.1920, i shkruan Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë: “Pas një fonogrami marrë prej kompanisë së Delvinës lajmërohet se himariotë kanë ngrehur një si qeveri më vete nën kryesinë e Niko Milos dhe kështu duan që të marrin në dorë dhe doganën. Thuhet se Niko Milua ka ngrehur dhe banda greke, po jo në zyrë, po në shtëpinë e tij dhe kur sheh vaporrin italian që gjezdis afër detit se heq”

Kështu zhvillohet një korespodencë ndërmjet prefkturave të Drashovicës (Vlorës) dhe Gjirokstrës me Ministrinë e Brendshme, se si duhej vepruar me Çështjen Himara. Qeveria e Sulejman Delvines shfaqet e vendosur për të mbrojtur tokat shqiptare kur iu shkruan prefekturave: “Vlorës ju dha urdhën rreptësisht që të ndalojë këtë lëvizje. Në qoftë nevoja edhe me pushkë. Prandaj edhe nga ana juaj të mirren masat ma të shpejta e ma të rrepta dhe në e dashtë nevoja dhe me armë. Të ndaloni çfardo lëvizje që mund të bëhet”.

Por në situatën e krijuar nga lufta, qeveria merr vendim që të mos ndërhyhej në Himarë, por të kontaktohej me parinë e himariotëve dhe ata të bindeshin se ishin shqiptarë dhe se kaluara dhe e ardhmja e tyre ishte me shtetin shqiptar. 

Kështu u veprua nga patriotët e shumtë vlonjatë deri sa më 2 qershor 1921, kur qeveria vendosi të nderhyhet në Himarë, të dëboheshin renegatët grekë dhe të vendosej atje administrata shqiptare. Lavdia i takon major Ahmet Lepenicës i cili hartoi planin strategjik për të marrë Himarën. Në krah të tij do të gjendej një patriot tjetër, kapiten Azis Çami i cili me focat ushtarake që komandonte hyri në Himarë nga Llogoraja, ndërsa major Ahmet Lepenica, do dilte në majë të malit në Pilur dhe prej andej do të zbriste me vrull pas krahëve të himariotëve. 

Kështu hynë në Himarë për herë të parë pas 28 nëntorit 1912, forcat shqiptare dhe major Ahmet Lepenica vedosi atje administratën dhe xhandarmërinë shqiptare. 

                                                       *        *       *

Në këto ditë të vështira për kombin shqiptar Fan Noli ndërsa ishte me detyrën e  kryetarit të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarsonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920, nuk e hiqte vëmëndjen nga zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri. 

Ai i shkruan Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Zotni Ministër! Kam nderin t’ju bëj të njohur se kopjet e dokumentave të prefekturës së Gjirokastrës që m’i dërguat në letrën tuaj më datë 14 tetor nr. 210, si dhe annexet e saj si dhe letrën më datë 27 tetor, nr. 7485, i mora dhe i këndova me vrejtje. 

Telefoni (kupto telegram E.M.) që i jep guvernatori i Janinës inspektorit civil të asaj prefekture Namik be Delvinës është një grackë politike për të marrë një shkresë zyrtare që e pranon autonominë e Himarës. 

Më këtë telefon (kupto telegram) guvernatori i Janinës e përmend në tre vende vetqeverimin e Himarës dhe thotë se ky vetqeverim u bë me vendimin e Tiranës. 

Inspektori ynë Namik be Delvina pa e pyetur qeverinë e vetë i përgjigjet guvernatorit të Janinës”.

Kjo letër e Fan Nolit është një dëshmi më shumë, për patriotizmin e atij burri që e shkriu jetën e tij për popullin shqiptar, duke lënë gjurmë të pa shlyera në çdo fushë të punës, luftës dhe dijet ku militoi.

Të kësaj periudhe kemi gjetur edhe një letër ose shkresë tjetër të Fan Nolit që mban datën 23 nëntor 1920 dhe i drejtohet Ilias Vrionit, Kryeministër i Shqipërisë, në të cilën shkruan: “Die Komisioni i “Ligës Kombeve” ndënë kryesinë e Lodr Robert Cecil – it, na ka pyet për një horë (orë) e gjymës – mbi konditat e Shqipëniës – dhe u dukte fort i interesuar prej lajmeve t’ona. Fan Noli”.

Nga këto dy shkresa ose letra të Nolit po ti vrejmë me kujdes arrimë në disa përfundime, jo vetëm për shkrimin e bukur dhe të qartë si shpirti dhe karakteri tij, por edhe se sa mirë e shkruan ai gjuhën shqipe, shumë pak njerëz në atë kohë mund ta shkruanin gjuhën shqipe si Noli, po ashtu në këto letra duket dija, kultura, edukata etj. 

*       *       *

Në këto ditë të vështira kur po bëhej shteti shqiptar, ose po rilindëte Pavarësia, e përmbysuar nga Lufta e Parë Botërore, për fatin e keq të këtij populli kishte edhe tentative të tjera që pengonin forcat progresiste për të bërë shtet.Jo vetëm Himara e shtyrë nga Greqia, por edhe Kurveleshi! “Në Kurvelesh kërkohet të formohet një nënprefekturë ma shumë me qëllime vetiake se tjetër gjë”, etj.

C:\Users\User\Documents\D1A-FC3\F.152-1920-16-017.jpg

Filed Under: Vatra

NJË BILBIL N’BAHÇE KA ARDH’

October 12, 2022 by s p

Koncert recital i këngëtarit të ri shkodran Klinsman Llazani.

Nga Ramazan Çeka

Një verë e nxehtë ishte kjo që sapo kaloi, që duhet harruar për temperaturat e larta, por mbajtur mend për një sezon të mrekullueshëm turistik në gjithë territorin shqiptar, që nga malet e deri tek bregdeti ynë i mrekullueshëm. E gjithmonë, pas vapës vjen edhe freskia: vjeshta rikthen jetën e përditshme në të gjitha fushat e saj. 

   Jo më kot disa njerëz të zgjuar i kanë dhënë kësaj stine edhe atributet e një rikthimi të jetës aktive në të gjithë aspektet. Jo më kot pas një pushimi vjen një rifreskim psiqik e fizik që premton për një sezon të ri të jetës dhe krijimtarisë njerëzore. 

   Në njëfarë mënyre jeta rinis me energji të reja. Rifillon puna, rifillon shkolla, rifillon dëfrimi, e pse jo edhe dashuria që frymëzohet nga kjo stinë e pikturuar nga dora e natyrës.

   E fillova kështu këtë shkrim, pasi kjo stinë gjithmonë më vë në njëfarë detyre ta pasqyroj atë sidomos në fushën e artit. Shkodra është një qytet që njihet për një verë të nxehtë, por edhe një qytet që me shpirtin e tij sjell gjithmonë freski, me liqenin, me lumenjtë, me malet, por edhe me këngën e saj të mrekullueshme.

   Pikërisht me këtë pasuri shpirtërore tradicionale erdhi në këtë bahçe shumëngjyrëshe që quhet Shkodër një bilbil i ri, i cili, me cicërimat e tij, sfidoi vapën e zabullinën duke marrë vlerësimet e gjithë qytetit tonë kaq artdashës.

   Këtë radhë kjo bahçe ishte skena mitike e Teatrit “Migjeni”, ku këngëtari i ri shkodran Klinsman Llazani, do të shpaloste talentin dhe repertorin e tij.

   Shtatori, pra e grishi këtë djalosh të merrte guximin të ngjitej në këtë skenë (sepse nuk është një sipërmarrje e lehtë) për të realizuar një koncert recital me këngë të reja e të traditës dhe për të konfirmuar se kjo bahçe shkodrane gjithmonë do të ketë lule e bilbila.

   Në këtë fidanishte është rritur edhe këngëtari i ri, kaq i dashur dhe i mirëpritur nga publiku, Klinsman Llazani, pikërisht sepse kënga shkodrane u bë pasioni i tij që në moshë fare të njomë.

   Për dy netë me radhë në Teatrin “Migjeni” ky djalosh, tanimë edhe me një eksperience artistike do të bëhej i pëlqyeri, i vlerësuari dhe i duartrokituri i publikut shkodran. 

   Trimi i mirë me shokë shumë, thotë një fjalë e urtë. Kështu u vlerësua Klinsmani, pasi përveç talentit të tij, ishte edhe njohja dhe bashkëpunimi me artistë të shquar që i garantuan atij suksesin.

   Ai ka bashkëpunuar me shumë kompozitorë në Shqipëri e Kosovë si: Vani Rushiti, Endrit Shani, Ilir Zoga, Fatmir Lela, Andi Unaza, Florent Boshnjaku, si dhe bashkëpunime me poetë, të cilët kanë punuar me shumë dashuri me Klinsmanin si: Jorgo Papingji, Armand Trebicka, Ramazan Çeka, etj. dhe që i dhanë atij mundësinë për të zgjeruar repertorin me këngë shkodrane, të vjetra dhe të reja. 

   Modelet e preferuar të tij, të interpretimit të këngës popullore shkodrane, kanë qenë këngëtarët e paharruar; Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, si dhe Bujar Qamili, Vjoleta Zefi, Mukades Çanga, etj, dhe që krijuan tek ai atë marrëdhënie të ngrohtë me spektatorin, duke ndikuar shumë edhe në interpretimin e këngëve popullore me një siguri dhe profesionalizëm.

   Si një bashkëpunim të suksesshëm mund të veçojmë interpretimet me vëllezërit korçarë Endri e Stefi Prifti, të cilët jo vetëm e kanë mbështetur, por edhe e kanë motivuar që të punojë edhe më shumë, pasi talenti dhe pasioni i tij janë një garanci për të hyrë në eliten e këngëtarëvë të shquar të këngës popullore.

   Klinsmani u bë i preferuar edhe për organizatorët e aktiviteteve me zë në qytetin e Shkodrës si; “Sofra Shkodrane”, “Bejta Shkodrane”, Agjensia e Spektakleve “Buna 1”, Recitali i Bujar Qamilit, etj., të cilët që në moshë të re e thirrën në edicionet e tyre përkrah këngëtarëve të tjerë të qytetit tonë.

   Sukseset e tij edhe pse i ri e bënë atë pjsëmarrës edhe në shumë aktivitete kulturore e artistike, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë.

   Talentët e reja kanë pasur gjithmonë nevojë të inkurajohen dhe të mbështeten për të zënë një ditë një vend në krah të artistëve të afirmuar dhe Klinsmanit ky inkurajim dhe kjo mbështetje nuk i ka munguar, pasi një ndër më të mirët e tyre, këngëtari emblemë i këngës popullore Bujar Qamili “Nderi i Kombit”, ka qenë si të thuash jo vetëm modeli i Klinsmanit, por edhe profesori i ti, sepse një “profesor” e zbulon talentin dhe jep kontributin për ta bërë atë të vlefshëm në karrieren e gjatë të një artisti.

   Një artist i ri ka nevojë ta demonstrojë talentin e tij në aktivitete të ndryshme dhe ai që ka kontributin kryesor për Klinsman Llazanin në këtë drejtim është i madhi Bujar Qamili.

   Kjo eksperiencë e ka motivuar Klinsmanin që të jetë gjithmonë sa më afër publikut, por dhe të jetë gjithmonë i përfshirë edhe në raste festash e gëzimesh familjare.

   Përveç se një këngëtar i talentuar, Klinsmani është i apasionuar, por edhe njohës i shumë instrumenteve muzikorë si: piano, fizarmonikë, kitarrë dhe perkusion.

   Në festivalin “Luleborë” kënga “Tuj shetit te Kafja Madhe”, me tekstin tim dhe muzikën të cilën e ka kompozuar vetë, u interpretua mjaft bukur nga ky këngëtar i talentuar, duke treguar se talenti i tij nuk mjafton vetëm në interpretimin e këngëve të vjetra, por ka edhe firmën e tij si krijues.

   Për ta pasuruar këtë biografi artistike të Klinsmanit tonë do të ndalem në disa momente shumë të bukura që për vetë këngëtarin janë të pa harrueshme.

   Që në moshën 6-vjeçare ka studiuar muzikë me prof.Zef Çoba dhe pas 6 vitesh është pajisur me diplomë për teori muzikore.  

   Është aktivizuar për katër vite në korin e Shoqatës “Rozafa Expression”, ku ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare si në: Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë, Greqi, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Austri, Itali, etj.

   Ka marrë pjesë në disa festivale ku mund të përmendim festivalin e organizuar nga Shoqata Botërore e Trashëgimisë Kulturore “CIOFF” në vitin 2015 dhe është diplomuar për interpretim me nivel të larë artistik.

   Që nga viti 2015 është pjesëmarrës në Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci” në të gjitha festivalet dhe aktivitetet që janë organizuar nga kjo Qendër.

   Këngëtari Llazani, me një buzëqeshje që nuk i perëndon nga fytyra, përherë duket elegant dhe vazhdon të jetë modest në komunikimet e bashkëpunimet e tij dhe për asnjë çast nuk i ndahet pasionit të tij, duke sjellë këngë dhe videoklipe të reja. 

   Për këtë këngëtar kaq të dashur të qytetit të Shkodrës janë prononcuar edhe përfaqësues të shquar të jetës kulturore e artistike të qytetit si Zef Çoba, Bardh Hysa, Edi Furra e Zija Vukaj të cilët e kanë vlerësuar dhe inkurajuar atë.

   Pas një inserti të përgatitur për këtë këngëtar të ri  dhe të përcjellë me zërin brilant të aktorit të njohur Agron Dizdari “Mjeshtër i Madh” i cili interpretoi pjesë të libretit të përgatirur nga Ramazan Çeka, moderatorja e talentuar Linda Doda Kavaja thirri në skenë këngëtarin për të realizuar performancën e tij të parë. 

   “Klinsmani këtë radhë, -prezantoi ajo, – do të interpretojë për Ju katër perla të gjerdanit të këngës popullore shkodrane: “Vaj si kenka ba dynjaja”, “Tri vjet që u deshtme bashkë”, “Sa e bukur kenka Gjyla” dhe “Nuk kam hak me t’dasht unë ty”.

   Koncerti u dha për dy netë më radhë i ndjekur nga një publik i mrekullueshëm shkodran.

   Organizimi i një aktiviteti artistik, skenik, aq më shumë organizimi i një koncerti recital, ka vështirësi specifike. Aty ka orkestër, aty ka artistë të ftuar, aty ka bashkpunëtorë, aty është edhe ai për të cilin është mbledhur publiku dhe për mendimin tim si libretist i këtij recitali, detyra e moderatorit është më e vështira dhe më e rëndësishmja. 

   Këtë detyrë, këta dy netë e kishte marrë përsipër moderatorja e talentuar, me eksperiencë edhe në formate televizive, Linda Kavaja, e cila arriti të realizojë një urë emocionuese marrëdhëniejeje mes këngëtarit dhe shoqëruesëve të tij në skenë me publikun në sallë.

   Kjo moderatore përçoi te spektatorët si falenderim të parë mirënjohjen për Teatrin “Migjeni”, drejtoreshen e tij gjithmonë të palodhur e vizionare znj.Rita Gjeka, por për ta plotësuar më mirë këtë falenderim, – tha ajo, – le t’i themi në emrin tuaj: “Faleminderit” edhe Bashkisë sonë të nderuar, me kryetar z.Bardh Spahija, që gjithmonë ka qenë, jo vetëm përkrahëse, por dhe një “mecenat” që ka mbajtur afër dhe ka inkurajuar të gjithë artistët shkodranë, e veçanërisht ata që sot i quajmë brezi i ri.

   Me duartrokitje e mirënjohje u prit edhe kontributi i sponsorëve të këtij recitali: Sponsor gjeneral Grand Hotel “Europa” dhe Media partner TV Channel, NOA institucion financiar Parrucë, Xhovani 4 -ndër importuesit më të mëdhenj të pllakave dhe pajisjeve hidrosanitare në Shqipëri dhe Kafe Dua – një kafe për të të ngrohur shpirtin.

   Ky formacion dhe këta emra që po rreshtoj më poshtë janë edhe pjesa më e rëndësishme e këtij spektakli muzikor, janë artistët e mrekullueshëm shkodranë që mbështesin dhe shoqërojnë më profesionalizëm këngëtarët që ngjiten në skenë: Në violinë, Anton Kaftalli, klarinetë-saks, Namik Jahja dhe Erion Lishi, bateri- Fatmir Mesi, dajre- Gazmir Bardhi, perkusion- Jetmir Mesi, bass kitarrë- Roland Guli,kitarrë – Daniel Prendi, në tastierë dhe udhëheqës artistik, Andi Unaza. Drejtues i orkestrës dhe fizarmonikë, Ilir Zoga.

   Pak humor me artistët Besnik Çinari “Mjeshtër i Madh” dhe me humoristët e rinj Jusi Bregu e Fritz Selmani, si dhe emocioni që solli në skenë kapiteni i ekipit të futbollit të “Vllaznisë” Erdenis Gurishta, i cili i dhuroi këngëtarit një bluz të ekipit me emrin “Klinsman”, i dhanë larmi këtij spektakli, sepse edhe këto dy fusha janë dashuria e shkodranëve.

   Sa i shkojnë këtij qyteti këta djem e vajza, të cilët siç e përshkruam më lart do të jenë gjithmonë lulet dhe bilbilat e bahçes shkodrane.

   Çfarë kënaqësie! Edhe unë bashkohem me këtë falenderim të madh.

   Faleminderit Shkodër që lind e rrit këtë rini të mrekullueshme e të talentuar! 

   Faleminderit Klinsman!

   Tetor 2022

Filed Under: Kulture

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron delegacionin e Kosovës, pjesëmarrës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

October 12, 2022 by s p

Tiranë, 12 Tetor 2022/

Dje, Kosova për herë të parë është ulur në sallën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku edhe ka pasur të drejtën e fjalës.

Gjithashtu, Kosova do të ketë edhe tri ulëse të rezervuara për tre anëtarë të delegacionit të saj në AP të KiE-së.

Me këtë rast, KASH ka kënaqësinë të urojë delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për paraqitjen dinjitoze në punimet Asamblesë Parlamentare të KiE-së, një prej institucioneve më të vjetra e të konsoliduara ndërkombëtare dhe mbrojtës i paepur i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të vlerave më të larta evropiane dhe vlerëson se kjo është një arritje e madhe në arenën ndërkombëtare të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në të gjitha institucionet ndërkombëtare do të jetë rruga e sigurtë për paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajonin tonë.

Filed Under: Politike

Kosova, jo vetëm siguresa e NATO-s për Ballkanin Perendimor

October 12, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Një Kosovë në NATO nuk nënkupton vetëm një siguresë më shumë në mekanizmin ushtarak të Aleancës Veriatlantike, por edhe një shansë më tepër për instalimin e standardeve demokratike në shtendërtim, që nënkupton zhvillimin e ekonomisë së lirë të tregut , shtetin e së drejtës, goditjen e krimit dhe korrupsionit dhe luftimin e të gjitha formave të kanosjeve të brendshme e të jashtme. Për rrjedhojë, një pyetje e logjikshme që shtrohet është se sa do të ishte e favorshme për sigurinë kolektive të NATO-s një Kosovë e dobët dhe e shkërmoqur nga brenda?

Kosova si “mur gjeopolitik” që ndan botën rusofile, e ndikuar nga politikat e Kremlinit dhe botën e civilizimit perendimor, vazhdon të tërheq vëmendjen si një zonë me mundësi eventuale të rrezikut për detabilizim nga jasshtë. Faktori vendimtar që ndikon në amortizimin e këtij rreziku, është, pa dyshim, prania e forcës shumëkombëshe të NATO, përmes misionit tash më të njohur KFOR, i cili u dislokua në Kosovë në muajin qershor të vitit 1999, pas dëbimit të forcave serbe nga territori.

Duke kaluar nga një zonë me ndikim margjinal perendimor, në një zonë ku ky ndikim paraqet edhe një gurë peshoreje në kantarin e gjeopolitikës, Kosova tash më po trajtohet si një faktor ku e ardhmja e Ballkanit Perendimor duhet patjetër të testohet nëpër sfidat e sigurisë rajonale dhe globale. Ky testim po bëhet edhe më domethënës pas agresionit rus në Ukrainë, me ç’rast gatishmëria për të parandaluar shtrirjen e konflikteve në këtë pjesë të rajonit po analizohet me kujdes në zyrat e strategëve të NATO-a dhe të diplomatëve që monitorojnë situatën e sigurisë në pika të caktuara të globit. Në të gjitha këto analiza dhe vëzhgime ekziton një vlerësim i përbashkët se në Ballkanin Perendimor ende ka vrima të zeza të cilat shfrytëzohen nga Rusia dhe satelitët e saj për ta destabilizuar rajonin.

Ky është edhe shkaku që ka detyruar klasën politike të Kosovës që të shqyrtohet sa më parë mundësia e anëtarësimit të shtetit tonë në NATO, si garancë e vetme e ruajtjes së paqës në këtë pjesë të rajonit. Arsyeshmëria e një kërkese të tillë lidhet me faktorët kryesorë të sigurisë rajonale, të cilët jo rrallë kushtëzohen nga faktorët politik në Beograd, që me të drejtë quhen edhe transmetues të ndikimit rus në Ballkanin Perendimor. Tensionet e herë pas hershme në veri të Kosovës rishfaqin aspiratat serbo-ruse për shtrirjen e ndikimit të tyre në këtë pjesë të Europës Juglindore, me çka Rusia synon të vendos një kufi të përhershëm të sferave të ndikimit, duke iu afruar ujërave të ngrohta me qëllim të neutralizimit të krahut lindor të NATOs.

Ka plot njerëz që pretendojnë se garantimi i paqës në Kosovë është i pacënueshëm falë pranisë së KFORI-t. Kjo është e vërtetë, po aq sa është e vërtetë edhe fakti që Kosova, megjithatë, ka nevojë të përfshihet në strategjinë aftagjate ushtarake-politike të NATO-s, sidomos pas asaj që ndodhi në Ukrainë. Aventurat serbe për destabilizim të vendit tonë janë pjesë e planeve të menduara mire, të cilat projektojnë faza të ndryshme të veprimit në terren në mënyrë që të arrihet një prej objektivave të Memorandumit 2 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), ku parashihet që në një të ardhme jo të largët shteti i Kosovës të bëhet sa më jofunksional, në mënyrë që të realizohen planet e Beogradit për bosnjizimin e vendit tonë.

Për rrjedhojë, një pyetje e logjikshme që shtrohet është se sa do të ishte e favorshme për sigurinë kolektive të NATO-s një Kosovë e dobët dhe e shkërmoqur nga brenda?

Përgjigjet në këtë pyetje në mënyrë të tërthort i dha edhe Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“, i cili i zhvilloi punimet për tri ditë me radhë në Prishtinë (8, 9, 10 tetor) dhe ku ishin të pranishëm më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në këtë takimi tre-ditor u diskutua për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.

Ligjvënës të NATO-s, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, gjithashtu diskutuan edhe për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës dhe progresin e deritashëm, për situatën ekonomike në rajon pas Covid-19, për rolin e të rinjve në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme, për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet politike dhe të sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, implikimet e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, shtrirjen dhe implikimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, pastaj për kontributin e grave për paqen dhe sigurinë rajonale, pjesëmarrjen politike të tyre në Kosovë, si dhe forcimin e sundimit të ligjit e luftimin e korrupsionit.

Me vet faktin se të gjitha këto tema u trajtuan në Prishtinë, flet për faktin se NATO përpos që është një mekanizëm ndërkombëtar i sigurisë kolektive, ajo është edhe struktura më e përgatitur politiko-ushtarake që kujdeset për balancat gjeopolitike e gjeostrategjike në botë. Dimensioni politik i kësaj strukture është e një rëndësie të veçantë, sidomos në raport me pretendimet ruse për të penguar procesin e demokratozimit dhe liberalizimit në disa shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore. Kjo është edhe arsyeja pse Kremlini e sheh me sy jo të mirë zgjerimin e NATOs në kufinjt e saj lindor, përfshi edhe Kosovën.

Dimensioni politik i NATO-s e bën më të qartë arsyen e gjithë atyre që kërkojnë me ngulm përfshirjen e Kosovës në këtë aleancë shumëkombëshe ushtarake. Kjo parasegjithash ndërlidhet me ruajtjen e vlerave demokratike perendimore nga ndikimet arbitrare që vijnë nga shtetet me demokraci të pazhvilluar, ose me regjime totalitare.

Një Kosovë në NATO nuk nënkupton vetëm një siguresë më shumë në mekanizmin ushtarak të Aleancës Veriatlantike, por edhe një shansë më tepër për instalimin e standardeve demokratike në shtendërtim, që nënkupton zhvillimin e ekonomisë së lirë të tregut , shtetin e së drejtës, goditjen e krimit dhe korrupsionit dhe luftimin e të gjitha formave të kanosjeve të brendshme e të jashtme.

Prishtinë, 12 tetor 2022

Filed Under: Opinion

Nobelistja franceze Annie Ernaux në Nju Jork

October 12, 2022 by s p

Rafaela Prifti/

Autorja franceze Annie Ernaux (Ani Erno) e cila është laureatja në letërsi për vitin 2022 u takua me shumë admiruesë amerikanë dhe francezë në librarinë Albertine Books në lagjen verilindore të Nju Jorkut të hënën në mbrëmje. Në mjediset e librarisë gjendet koleksioni më i madh i librave franceze dhe përkthimeve nga frëngjishtja në anglisht. Albertine njihet si qendër kulturore e intelektualëve franko-amerikane. Biletat për të hyrë në sallën e leximit, e cila ndodhet në katin e dytë ku janë edhe ambientet e Zyrës Kulturore të Ambasadës Franceze, ishin shitur kohë përpara se të shpalleshin fituesit e Nobelit të këtij viti. Por të hënën radha e njerëzve zgjatej rreth e qark ndërtesës së Ambasadës ndërsa qindra të tjerë e ndiqnin takimin në katin e parë me anë të transmetimit me video.

Shumë nga librat e saj tashmë janë shitur dhe nuk gjenden më në raftet e librarive kurse ata që duan t’i porositin me postë duhet të presin një muaj a më shumë për tituj të caktuar. Në përmbledhjen e botuar nga Dielli në datën 7 tetor, lexuesi u njoftua se Akademia Mbretërore e Suedisë i dha çmimin Annie Ernaux (Erno) “për krijimtarinë 40-vjeçare të pakompromis, gjatë së cilës hulumton jetën, e karakterizuar nga dallimet e thella në sferën e gjinisë, të gjuhës dhe të klasës shoqërore, për guximin dhe saktësinë klinike përmes të cilave zbulon rrënjët, tjetërsimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”. https://gazetadielli.com/the-nobel-goes-to/

Nëpërmjet përkthyesit, Erno foli gjerësisht për karrierën e saj dhe procesin krijues. Duke nisur që nga fëmijëria saj në Normandi, librat ishin për të njësoj si ushqimi por ajo ishte e ndjeshme ndaj asaj që thuhej edhe nuk thuhej në to. “Veprat jane qëmtime të mendjes sime,” thotë ajo. Tema e takimit të së hënës në Nju Jork ishte “Arti i të shkruarit për jetën”. Autorja 82 vjeçare foli për veten në raportin e ndërlikuar midis përjetimit të mendimeve të saj, origjinës dhe domethënies se tyre dhe materializimit të tyre në fjalë të shprehura në tekst, që arrijnë të transmetojnë një përjetim të njohur te lexuesi. “Letërsia mu paraqit si e vetmja rrugë për të arritur atë që unë e quaj e vërteta ose realiteti. Me anë të saj gjërat qartësohen por jo në formë të thjeshtë, përkundrazi,” shtoi Erno, “të shkruarit i bën gjërat më të komplikuara. Në një mënyrë mund të thuhet se nëse për diçka nuk është shkruar atëherë ajo nuk ekziston.”

Në veprat e saj Erno përdor gjuhë të kursyer dhe fjali të shkurtëra por gjatë diskutimit të mbrëmshëm ajo fliste me pasion dhe elokuence të mrekullueshme. “Nuk kam pasur asnjëherë synim të shkruaj një libër të bukur dhe as të jem pjesë e letërsisë boterore,” tha Nobelistja e gjinisë letrare për vitin 2022. Libri Ndodhia (Happening), ku autorja jep kronikën e një dështimi të paligjshëm në vitin 1963, u kthye në skenar të një filmi francez me të njëjtin titull vitin e kaluar. E pyetur se përse ju kthye kësaj teme, Erno tha se e ndjente se aty kishte diçka më shumë për tu zbuluar dhe se vetëm narracioni e mundëson një vështrim më të thellë. Në takimin me admiruesit e shumtë të saj në Nju Jork, Erno ishte e shoqëruar nga autorët Garth Greenwell dhe Rachel Kushner.

Ani Erno është autore e më shumë se 30 veprave të përkthyera në shumë gjuhë. Disa prej tyre janë botuar edhe në gjuhën shqipe. Në përmbledhjen tonë të fituesve të Nobel-it të shpallur nga Akademia, në kategorinë e letërsisë ju sollëm reagimin e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili është propozuar disa herë për të njëjtin çmim. Ai dhe e shoqja thanë në mediat shqiptare se Erno nuk njihet nga publiku shqiptar dhe as nga ai botëror. Dhe shtuan se Kadareja ka dyzet vjet që pret ‘në listat e fundit’ për të marrë çmimin Nobel.https://gazetadielli.com/the-nobel-goes-to/ Ja si shkruan revista javore New Yorker për këtë pikë “Lajmi për çmimin Nobel në letërsi i ndau lexuesit amatorë në dy kampe: ata që nuk e kishin dëgjuar kurrë më parë emrin e saj dhe ata që e kishin pak të dëgjuar.” Ndërsa bota e letërsisë dhe artit, midis tyre edhe filozofi dhe sociologu francez Didier Eribon, e uroi Nobelisten duke shprehur admirim për veprën e saj. Në veçanti, Akademia suedeze e quan atë një hallkë lidhëse midis traditës së romanit francez të stilit të Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) dhe një gjurmimi të ri që shkon në një drejtim tjetër. Erno thotë se është “etnologe e vetvetes” dhe jo shkrimtare. Për nga fryma feministe, ajo është krahasuar me autoren amerikane, të ndjerën Joan Didion.

A woman Story është libri i fundit i propozuar për çmimin “Los Angeles Times Book Prize”. Novelat A man’s Place, Simple Passion, A woman Story janë vlerësuar nga New York Times dhe kritikët. Erno vjen në letërsi si lauretja e parë e cila identifikohet para së gjithash si autore autobiografike në kuptimin bashkëkohor të fjalës, pra që shkruan për jetën ashtu si e përjeton atë. Revista kulturore javore New Yorker shkruan se dhënia e çmimit Nobel një autoreje të fokusuar në fakte jetësore do të thotë se kemi arritur në momentin kur librat e kujtimeve janë vendosur në rangun e parë të zhanreve të kohës sonë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT