Koncert recital i këngëtarit të ri shkodran Klinsman Llazani.
Nga Ramazan Çeka
Një verë e nxehtë ishte kjo që sapo kaloi, që duhet harruar për temperaturat e larta, por mbajtur mend për një sezon të mrekullueshëm turistik në gjithë territorin shqiptar, që nga malet e deri tek bregdeti ynë i mrekullueshëm. E gjithmonë, pas vapës vjen edhe freskia: vjeshta rikthen jetën e përditshme në të gjitha fushat e saj.
Jo më kot disa njerëz të zgjuar i kanë dhënë kësaj stine edhe atributet e një rikthimi të jetës aktive në të gjithë aspektet. Jo më kot pas një pushimi vjen një rifreskim psiqik e fizik që premton për një sezon të ri të jetës dhe krijimtarisë njerëzore.
Në njëfarë mënyre jeta rinis me energji të reja. Rifillon puna, rifillon shkolla, rifillon dëfrimi, e pse jo edhe dashuria që frymëzohet nga kjo stinë e pikturuar nga dora e natyrës.
E fillova kështu këtë shkrim, pasi kjo stinë gjithmonë më vë në njëfarë detyre ta pasqyroj atë sidomos në fushën e artit. Shkodra është një qytet që njihet për një verë të nxehtë, por edhe një qytet që me shpirtin e tij sjell gjithmonë freski, me liqenin, me lumenjtë, me malet, por edhe me këngën e saj të mrekullueshme.
Pikërisht me këtë pasuri shpirtërore tradicionale erdhi në këtë bahçe shumëngjyrëshe që quhet Shkodër një bilbil i ri, i cili, me cicërimat e tij, sfidoi vapën e zabullinën duke marrë vlerësimet e gjithë qytetit tonë kaq artdashës.
Këtë radhë kjo bahçe ishte skena mitike e Teatrit “Migjeni”, ku këngëtari i ri shkodran Klinsman Llazani, do të shpaloste talentin dhe repertorin e tij.
Shtatori, pra e grishi këtë djalosh të merrte guximin të ngjitej në këtë skenë (sepse nuk është një sipërmarrje e lehtë) për të realizuar një koncert recital me këngë të reja e të traditës dhe për të konfirmuar se kjo bahçe shkodrane gjithmonë do të ketë lule e bilbila.
Në këtë fidanishte është rritur edhe këngëtari i ri, kaq i dashur dhe i mirëpritur nga publiku, Klinsman Llazani, pikërisht sepse kënga shkodrane u bë pasioni i tij që në moshë fare të njomë.
Për dy netë me radhë në Teatrin “Migjeni” ky djalosh, tanimë edhe me një eksperience artistike do të bëhej i pëlqyeri, i vlerësuari dhe i duartrokituri i publikut shkodran.
Trimi i mirë me shokë shumë, thotë një fjalë e urtë. Kështu u vlerësua Klinsmani, pasi përveç talentit të tij, ishte edhe njohja dhe bashkëpunimi me artistë të shquar që i garantuan atij suksesin.
Ai ka bashkëpunuar me shumë kompozitorë në Shqipëri e Kosovë si: Vani Rushiti, Endrit Shani, Ilir Zoga, Fatmir Lela, Andi Unaza, Florent Boshnjaku, si dhe bashkëpunime me poetë, të cilët kanë punuar me shumë dashuri me Klinsmanin si: Jorgo Papingji, Armand Trebicka, Ramazan Çeka, etj. dhe që i dhanë atij mundësinë për të zgjeruar repertorin me këngë shkodrane, të vjetra dhe të reja.
Modelet e preferuar të tij, të interpretimit të këngës popullore shkodrane, kanë qenë këngëtarët e paharruar; Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, si dhe Bujar Qamili, Vjoleta Zefi, Mukades Çanga, etj, dhe që krijuan tek ai atë marrëdhënie të ngrohtë me spektatorin, duke ndikuar shumë edhe në interpretimin e këngëve popullore me një siguri dhe profesionalizëm.
Si një bashkëpunim të suksesshëm mund të veçojmë interpretimet me vëllezërit korçarë Endri e Stefi Prifti, të cilët jo vetëm e kanë mbështetur, por edhe e kanë motivuar që të punojë edhe më shumë, pasi talenti dhe pasioni i tij janë një garanci për të hyrë në eliten e këngëtarëvë të shquar të këngës popullore.
Klinsmani u bë i preferuar edhe për organizatorët e aktiviteteve me zë në qytetin e Shkodrës si; “Sofra Shkodrane”, “Bejta Shkodrane”, Agjensia e Spektakleve “Buna 1”, Recitali i Bujar Qamilit, etj., të cilët që në moshë të re e thirrën në edicionet e tyre përkrah këngëtarëve të tjerë të qytetit tonë.
Sukseset e tij edhe pse i ri e bënë atë pjsëmarrës edhe në shumë aktivitete kulturore e artistike, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë.
Talentët e reja kanë pasur gjithmonë nevojë të inkurajohen dhe të mbështeten për të zënë një ditë një vend në krah të artistëve të afirmuar dhe Klinsmanit ky inkurajim dhe kjo mbështetje nuk i ka munguar, pasi një ndër më të mirët e tyre, këngëtari emblemë i këngës popullore Bujar Qamili “Nderi i Kombit”, ka qenë si të thuash jo vetëm modeli i Klinsmanit, por edhe profesori i ti, sepse një “profesor” e zbulon talentin dhe jep kontributin për ta bërë atë të vlefshëm në karrieren e gjatë të një artisti.
Një artist i ri ka nevojë ta demonstrojë talentin e tij në aktivitete të ndryshme dhe ai që ka kontributin kryesor për Klinsman Llazanin në këtë drejtim është i madhi Bujar Qamili.
Kjo eksperiencë e ka motivuar Klinsmanin që të jetë gjithmonë sa më afër publikut, por dhe të jetë gjithmonë i përfshirë edhe në raste festash e gëzimesh familjare.
Përveç se një këngëtar i talentuar, Klinsmani është i apasionuar, por edhe njohës i shumë instrumenteve muzikorë si: piano, fizarmonikë, kitarrë dhe perkusion.
Në festivalin “Luleborë” kënga “Tuj shetit te Kafja Madhe”, me tekstin tim dhe muzikën të cilën e ka kompozuar vetë, u interpretua mjaft bukur nga ky këngëtar i talentuar, duke treguar se talenti i tij nuk mjafton vetëm në interpretimin e këngëve të vjetra, por ka edhe firmën e tij si krijues.
Për ta pasuruar këtë biografi artistike të Klinsmanit tonë do të ndalem në disa momente shumë të bukura që për vetë këngëtarin janë të pa harrueshme.
Që në moshën 6-vjeçare ka studiuar muzikë me prof.Zef Çoba dhe pas 6 vitesh është pajisur me diplomë për teori muzikore.
Është aktivizuar për katër vite në korin e Shoqatës “Rozafa Expression”, ku ka marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare si në: Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë, Greqi, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Austri, Itali, etj.
Ka marrë pjesë në disa festivale ku mund të përmendim festivalin e organizuar nga Shoqata Botërore e Trashëgimisë Kulturore “CIOFF” në vitin 2015 dhe është diplomuar për interpretim me nivel të larë artistik.
Që nga viti 2015 është pjesëmarrës në Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci” në të gjitha festivalet dhe aktivitetet që janë organizuar nga kjo Qendër.
Këngëtari Llazani, me një buzëqeshje që nuk i perëndon nga fytyra, përherë duket elegant dhe vazhdon të jetë modest në komunikimet e bashkëpunimet e tij dhe për asnjë çast nuk i ndahet pasionit të tij, duke sjellë këngë dhe videoklipe të reja.
Për këtë këngëtar kaq të dashur të qytetit të Shkodrës janë prononcuar edhe përfaqësues të shquar të jetës kulturore e artistike të qytetit si Zef Çoba, Bardh Hysa, Edi Furra e Zija Vukaj të cilët e kanë vlerësuar dhe inkurajuar atë.
Pas një inserti të përgatitur për këtë këngëtar të ri dhe të përcjellë me zërin brilant të aktorit të njohur Agron Dizdari “Mjeshtër i Madh” i cili interpretoi pjesë të libretit të përgatirur nga Ramazan Çeka, moderatorja e talentuar Linda Doda Kavaja thirri në skenë këngëtarin për të realizuar performancën e tij të parë.
“Klinsmani këtë radhë, -prezantoi ajo, – do të interpretojë për Ju katër perla të gjerdanit të këngës popullore shkodrane: “Vaj si kenka ba dynjaja”, “Tri vjet që u deshtme bashkë”, “Sa e bukur kenka Gjyla” dhe “Nuk kam hak me t’dasht unë ty”.
Koncerti u dha për dy netë më radhë i ndjekur nga një publik i mrekullueshëm shkodran.
Organizimi i një aktiviteti artistik, skenik, aq më shumë organizimi i një koncerti recital, ka vështirësi specifike. Aty ka orkestër, aty ka artistë të ftuar, aty ka bashkpunëtorë, aty është edhe ai për të cilin është mbledhur publiku dhe për mendimin tim si libretist i këtij recitali, detyra e moderatorit është më e vështira dhe më e rëndësishmja.
Këtë detyrë, këta dy netë e kishte marrë përsipër moderatorja e talentuar, me eksperiencë edhe në formate televizive, Linda Kavaja, e cila arriti të realizojë një urë emocionuese marrëdhëniejeje mes këngëtarit dhe shoqëruesëve të tij në skenë me publikun në sallë.
Kjo moderatore përçoi te spektatorët si falenderim të parë mirënjohjen për Teatrin “Migjeni”, drejtoreshen e tij gjithmonë të palodhur e vizionare znj.Rita Gjeka, por për ta plotësuar më mirë këtë falenderim, – tha ajo, – le t’i themi në emrin tuaj: “Faleminderit” edhe Bashkisë sonë të nderuar, me kryetar z.Bardh Spahija, që gjithmonë ka qenë, jo vetëm përkrahëse, por dhe një “mecenat” që ka mbajtur afër dhe ka inkurajuar të gjithë artistët shkodranë, e veçanërisht ata që sot i quajmë brezi i ri.
Me duartrokitje e mirënjohje u prit edhe kontributi i sponsorëve të këtij recitali: Sponsor gjeneral Grand Hotel “Europa” dhe Media partner TV Channel, NOA institucion financiar Parrucë, Xhovani 4 -ndër importuesit më të mëdhenj të pllakave dhe pajisjeve hidrosanitare në Shqipëri dhe Kafe Dua – një kafe për të të ngrohur shpirtin.
Ky formacion dhe këta emra që po rreshtoj më poshtë janë edhe pjesa më e rëndësishme e këtij spektakli muzikor, janë artistët e mrekullueshëm shkodranë që mbështesin dhe shoqërojnë më profesionalizëm këngëtarët që ngjiten në skenë: Në violinë, Anton Kaftalli, klarinetë-saks, Namik Jahja dhe Erion Lishi, bateri- Fatmir Mesi, dajre- Gazmir Bardhi, perkusion- Jetmir Mesi, bass kitarrë- Roland Guli,kitarrë – Daniel Prendi, në tastierë dhe udhëheqës artistik, Andi Unaza. Drejtues i orkestrës dhe fizarmonikë, Ilir Zoga.
Pak humor me artistët Besnik Çinari “Mjeshtër i Madh” dhe me humoristët e rinj Jusi Bregu e Fritz Selmani, si dhe emocioni që solli në skenë kapiteni i ekipit të futbollit të “Vllaznisë” Erdenis Gurishta, i cili i dhuroi këngëtarit një bluz të ekipit me emrin “Klinsman”, i dhanë larmi këtij spektakli, sepse edhe këto dy fusha janë dashuria e shkodranëve.
Sa i shkojnë këtij qyteti këta djem e vajza, të cilët siç e përshkruam më lart do të jenë gjithmonë lulet dhe bilbilat e bahçes shkodrane.
Çfarë kënaqësie! Edhe unë bashkohem me këtë falenderim të madh.
Faleminderit Shkodër që lind e rrit këtë rini të mrekullueshme e të talentuar!
Faleminderit Klinsman!
Tetor 2022