• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

VATRA ZHVILLOI MBLEDHJEN E KËSHILLIT NË FLORIDA

October 7, 2022 by s p

Sokol Paja/

Florida, 6 Tetor 2022- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA zhvilloi mbledhjen e radhës së Këshillit në Fort Lauderdale. Me një pjesëmarrje masive të anëtarëve të Këshillit e Kryesisë së Vatrës fizikisht dhe në platformën dixhitale zoom, të gjithë anëtarët dhanë diskutime e tyre, ide, forma e metoda sesi të zhvillohet Vatra e shekullit të 21. Në panelin e drejtuar nga kryetari i Këshillit Z.Kolec Ndoja, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj dhe nënkryetari i Këshillit Kolonel Dritan Demiraj, mbledhjen e hapi kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja i cili ishte organizatori dhe mikpritësi i këtij takimi vëllazëror. Në fjalën e hapjes z. Kolec Ndoja theksoi se Vatra prezantoi dhe mbrojti shtetin shqiptar në ditët më të vështira e nevojitet që ky mision i shenjtë të vazhdojë. Në fillim të takimit u mbajt një minutë heshtje për Dr. Gjon Buçaj, Zef Balaj, Dalip Greca, Zef Përndocaj, vatranë e personalitete të shquara shqiptare në mërgatën e Amerikës. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha deklaroi në fjalën e hapjes: “Jam këtu për t’iu falënderuar dhe kërkuar falje për gabimet e bëra në punën për sukseset tona kolosale të përbashkëta”. Z. Berisha diskutoi rreth vizionit të lidershipit të Vatrës, përfshirjes së intelektualëve në Vatër, të rinjve e të rejave, elementit femëror në Vatër dhe fuqizimi i Vatrës duke u kthyer në substancën e saj. Kryetari Berisha kërkoi respekt, vëllazëri, bashkëpunim të fortë mes vatranëve. Z.Kolec Ndoja kërkoi Organizim të strukturave të brendshme të Vatrës, fuqizim i pushtetit të Këshillit, Degëve, Vatranëve. Hartimi i Rregulloreve dhe akteve nënligjore që funksionalizojë veprimtarinë e Vatrës e vatranëve, krijimi i komisioneve që do hartojnë rregulloren e Vatrës. Ndër komisionet do jenë: Komisioni i financës dhe administratimit, Auditorit, investimeve e donatorëve, degëve të Vatrës, trashëgimisë së Vatrës, kulturës dijes e historisë, komisioni i të përndjekurve politikë, i ligjeve dhe ankesave. Ai kërkoi që Vatrën ta mbështesin shqiptarët e Amerikës. “Vatra do jetë mbi politikën. Vatra do rrijë si shqipja mbi male” përfundoi z.Ndoja. Lek Mirakaj në fjalën e tij diskutoi rreth temës së të përndjekurve politikë, pastërtisë së figurës për personat që do konkurojnë për poste drejtuese në Vatër, votimi mbi kanunoren e Vatrës në Kuvend, mandatin, mosbotimet në gazetën Dielli, diskutime mbi skemën e financimeve në Vatër etj. Julian Çefa vatran që nga viti 1968 deklaroi: Vatra organizata ma dinjitoze e ma serioze e kombit shqiptar. Vatra e Vatranët të kenë bashkim e bashkëpunim për të ecur përpara. Mark Mërnaçaj kërkoi nga arkëtari i Vatrës gjendjen financiare të arkës së Vatrës, diskutoi rreth Kuvendit të fundit, Kanunores etj. Merita Bajraktari ndër të tjera kërkoi që të gjendet mënyra më e mirë për të ecur përpara, bord editorial për gazetën, jo personalizim të çështjeve por idealizëm dhe dashuri për atdheun. Agustin Mirakaj kishte pyetje rreth Kanunores, votimit në Kuvend, diskutimeve, ngjarjeve të brendshme në Vatër etj. Ervin Dine diskutoi rreth themelit të Vatrës dhe fuqizimit ekonomik të Federatës. Astrit Gjonpalaj diskutoi rreth donacioneve, kontributeve dhe meritave në Vatër. Ilir Cubi kërkoi mirëkuptim dhe vazhdimësi prej të gjithë vatranëve. Ai solli në kujtesë aktivitetin e tij nga koha e Prof. Arshi Pipës. Z.Gëzim Nika deklaroi se Vatra është gjëja me e shenjtë e kombit shqiptar dhe kërkoi zhvillim të mendimit të lirë e situatat të kalohen dhe të ecin përpara. Angjelina Nika kërkoi bashkim dhe unitet prej të gjithë vatranëve. Bashkim Musabelliu arsyetoi votimin e Kanunores në Kuvend dhe kërkoi historinë e krijimit të fondit të studentëve. Mehmet Kadrija foli rreth ndihmës që ka dhënë Vatra e Vatranët për shtetin e kombin shqiptar. Ai listoi disa raste të ndihmës financiare të Vatrës ndaj shtetit e personaliteteve të larta të shtetit. Gjok Deçkaj foli rreth vështirësive në të cilat ka kaluar Vatra dhe përpjekjet për vazhdimësinë e saj. Tasim Ruko ndër të tjera kërkoi që nga Vatra të propozohen deputetë apo kryetarë bashkisë në Shqipëri. Mondi Rakaj diskutoi rreth fuqizimit të financave të Vatrës, dhe riinvestimit në të ardhmen të godinës së Vatrës. Adriatik Spahiu kërkoi që të punohet për Vatrën e shekullit të ri.

Ylli Dosku dha mesazhe paqësore për Vatranët, kujtoi sukseset e Vatrës dhe kërkoi që Vatra të ngrejë zërin për pluralizmin në Shqipëri. Shpresa Gallaj kërkoi transparencë financiare dhe raport për çdo mbledhje të financave të Vatrës dhe kërkoi që të krijohet një fondacion non-profit. Dr. Pashko Camaj foli rreth rëndësisë së diversitetit në Vatër dhe nevojës së avancimit të vendimeve të shumicës për të ecur përpara për të mirën e Vatrës, vatranëve e kombit shqiptar. Ndrek Tonaj e cilësoi domosdoshmëri vazhdimësinë të gjithë së bashku, vëllazëri, mirëkuptim e bashkëpunim për të mirën e të gjithë vatranëve. Studiuesi Dr. Paulin Marku kërkoi nga vatranët pjesëmarrje aktive në aktivitete të Vatrës, bashkëpunim me gazetën Dielli, organizimin e Bibliotekës Shkencore të Vatrës, projekte afatgjata për zhvillimin e Vatrës. Dr. Iris Halili vlerësoi simbolikën e takimit në Florida si shenjë respekti e vlerësimi ndaj shqiptarëve që po fuqizohen në shtetin e Floridës. Kërkoi që të bëhen përpjekje për fuqizimin e femrës në Vatër dhe brezit të ri. Paulin Mërnaçaj vlerësoi bashkimin e vatranëve për të ecur përpara. Nesti Nikaj kërkoi mbështetje ndaj luftëtarëve të UÇK, votën e diasporës, deputetët e diasporës. Anton Raja kërkoi prej të gjithëve që të punojnë në çdo kohë për të mirën e Vatrës. Drita Vushaj vlerësoi punët e vatranëve dhe afrimin e njerëzve vullnet mirë në Vatër. Kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja mbajti fjalën e përmbylljes së takimit vëllazëror. Në përfundim u hodhën ide rreth fuqizimit të rolit të Vatrës dhe përfshirjes së Vatrës në procese vendimmarrëse për të mirën e të gjithë vatranëve e shqiptarëve kudo në botë.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

50-VJET NGA THEMELIMI I KISHËS, ZOJA PAJTORE E SHQIPTARËVE NGA PRIFTI DUKAGJINAS DOM PREKË NDREVASHAJ – I PËRHERSHËM QOFTË KUJTIMI I TIJ!

October 6, 2022 by s p

Frank Shkreli

Filed Under: Analiza

100 VJET MË PARË, GJIMNAZI LAIK I SHTETIT NË SHKODËR, ME NXËNËS NGA TË GJITHA TREVAT SHQIPFOLËSE

October 6, 2022 by s p


Nga Pertefe Leka/


“Për herë  të parë bëhet  në Shqipëri, në gjuhën shqipe provimi i maturës (1922-1928). Të jetë fatlum dhe me këmbë  mbarë, ky hap me të cilin fillon indipendenca dhe në fushën arsimore të kombit shqiptar.” M. Ivanaj.

Gjimnazi publik, laik në Shkodër, u hap me një vendim të Këshillit të Ministrave, 11Gusht 1922. Një ngjarje me rëndësi të veçantë, si nevojë e kohës, në një qytet me tradita dhe me kontribute në fushën e Arsimit Kombëtar.Një veprim i vonuar, sepse shkollat e para shqipe ishin hapur në veri të Shqipërisë dhe në Shkodër 400 vjet më parë.sipas studimit të At Donat Kurtit (shkrimtar,etnolog,profesor,përkthyes,i persekutuar nga regjimi komunist,vdiq në varfëri duke lënë një pasuri të madhe :”Visaret e Kombit”dhe fjalorin frazeologjik me 45000 fraza shqip) dhe sipas studimit të Amerikanit Edwin Jacques me titull “Historia e popullit Shqiptar nga lashtësia deri në  ditët e sotme.” ( Për dijeni, në veprën e shkruar të misionarit amerikan Edvin Zhak “The Albanias : An Ethnik from Pre-Historic Times to the Present”) përmendet Kolegji i Shën Savjerit me 400 studentë, ku merrnin arsim teknik dhe tregtar.Ishte një qendër shkencore jo vetëm për Shqipërinë, por për krejt Ballkanin, pasi kishte të parin observator astronomik 1888, që shërbeu deri sa u konfiskua nga komunistët me 1946. Gjithashtu theksohet Shtypshkronja e Shkodrës, disa vite pas shpikjes së Madhe të Gutenbergut, që gjallëroi jetën intelektuale në qytet,duke i dhënë shtysë lidhjeve të drejt për drejta me përendimin. Kështu, aty kishte një jetë intelektuale plot energji, ku përhapej kulturë.) Duke ditur këte të kaluar të edukimit shkollor, po rritej presioni i opinionIt publik të qytetit që përfaqësohej nga një peticion prej 58 firmash, ku përmblidhte shtresa të ndryshme me kërkesën si domosdoshmëri për një shkollë shtetërore, laike për Shkodrën, për qytetin e kulturës së lashtë. Megjithëse përpara kësaj, kishte ndonjë shkollë shtetërore në qytet, siç ishte Shkolla e Parrucës, që e administronte Komisioni Arsimor i ngritur më 1913, pranë Bashkisë, i drejtuar nga personalitete të larta si Xhemal Naipi,Hafiz Ibrahim Repishti,Mustafa Kruja, At Gjergj Fishta, Hafiz Abaz Golemi, Gaspër Mikeli, Sheuqet Muka, P.Anton dhe Mark Harapi….të cilët nxitën dhe u bënë promotorët kryesorë të hapjes së Gjimnazit shtetëror edhe pse një pjesë e tyre jepnin mësim në shkolla jo shtetërore, ata nuk hezituan të bashkonin vullnetin e tyre në këte moment historik. Në ndërtesën e shkollës, studentët hynë në klasat përkatëse me 5 Tetor 1922. Nxënësit vinin nga shkollat qytetëse, shkolla tregtare, gjimnazi Françeskan, nga medresetë…më vonë edhe nga Kosova, Ulqini e Çamëria. Në ate kohë kërkohej një drejtor me autoritet shkencor, për këte u propozue Maksimilian Lambertz….(Albanologu Lambertz,1882-1963.i cili për herë të parë dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e mësoi ate dhe nuk iu nda studimeve albanologjike, mbi folklorin, mitologjinë gjuhësinë letersinë historinë….deri sa vdiq. Përktheu gjermanisht Lahutën e Malcisë dhe për poetin e Madh shkruan : Fishta është poeti më gjenial që deri më sot ka dhënë Shqipëria.Ai është Epiku më i madh i shekullit, Homeri Shqiptar dhe” Lahuta e Malcisë” Iljada Shqiptare)

Në fakt Drejtori i parë i këtij Gjimnazi u emërue Prof.Xhevat Korça,(10 Janar 1893–—27 Korrik 1959), student i Zosimeas dhe Universitetit të Vjenës për Filozofi dega Histori,Ministër Arsimi në Qeverinë e Mustafa Krujës, vdiq në burgun Famëkeq të Burrelit, viktimë e diktaturës komuniste.

Në vitin e dytë shkollor të gjimnazit drejtor ishe Prof.Mirash Ivanaj (12 Mars 1891—22 shtator 1953) origjinë nga Trieshi i Malësisë Madhe. Pasi vazhdoi Gjimnazin Klasik në Pozharovac-Beograd,studimet e larta i mori në Universitetin e Romës, ku u laurua në dy degë, Filozofi-Letërsi,dhe Jurisprudencë. Ishte publicist,jurist,arsimtare e drejtor, Ministër Arsimi me një kontribut të vyer në politikën arsimore,me të ashtuquajturën ”Reforma Ivanaj” Vdiq në burg, pak përpara se ta plotësonte dënimin. Në këte Gjimnaz të Shtetit, një Institut i mesëm i teknikës arsimore, ushtruan profesionin një trupë mësuesish patriotë të përgatitur në Universitet e Evropës, të cilët zbatuan programet më efikase të një sistemi shkollor më të përparuar të kohës.Të parët ishin Prof.Kolë Kamsi, Simon Rrota, Ndue Paluca,Ruhi Zeka,Luigj Shala,…..( më vonë ndër vite në këte gjimnaz u emëruan shumë Personalitete të shquara, si Aleksander Xhuvani,Skender Luarasi.Gjergj Kokoshi, Eqrem Çabej,Mustafa Demiri)…. Mësuesit punuan me programin e gjimnazeve franceze të pranuar nga Kongresi Arsimor 1922.Ndër figurat më të spikatura që hyri thellë në memorjen e shkodranëve dhe më vonë të gjithë shqiptarëve ishte Prof.Dr.Mirash Ivanaj. Mjaftuan vitet e para të veprimtarisë padagogjike të Ivanajt, për të konturuar në shembëlltyrën e mësuesit, edukatorit, drejtuesit dhe organizatorit me dije të shumanëshme të thella të qëndrueshme dhe aktive. Si drejtor i gjimnazit Ivanaj në zbatimin origjinal të programit shkencor e pedagogjik për formimin kulturor të nxënësve, kërkonte vendosjen e çdo shkence mbi themele shqiptare, që përparimi i shkollës të ishte në dobi të zhvillimit të vendit.Shumë e rëndësishme për Ivanajn ishte zhdukja e ndasive fetare,krahinore,që propogandat e huaja ndër shekuj kishin helmue mendjen dhe shpirtin e shqiptarëve.Ai mbronte idenë se shkolla,do të hapi horizonte të reja me studimin e shkencave, sidomos të matematikës. Bashkëpunimi im me Drita Ivanaj,(1993) mbesa e Zotni Mirashit, siç e thërriste im atë mësuesin e tij,më ka ofruar me njohjen e dokumentacionit përkatës të familjes Ivanaj.Drita më autorizoj duke më dhanë të drejtën të hulumtoja në Arkivin e shtetit, në bibliotekat shtetërore,dhe së fundmi edhe në dosjen e burgut të Mirash Ivanajt, e tërhequr prej saj këto kohët e fundit.Nuk besoj të ketë mësues dhe drejtues arsimi  jo vetëm në Shqipëri dhe përtej që të ketë marrë vleresime nga nxënësit e tij, kolegët, eprorët, si Prof. Mirashi. Në librin me autor Iljaz Gogaj  “M.Ivanaj personalitet i shquar i Universit Shqiptar “ janë përshirë dhjetra  emra intelektualësh, që kanë shkruar, libra, Letra, kujtime , ditare, po  përmend disa, Dhimiter Pasko,Skender luarasi, Meri Lalaj ( librin për Institutin e vajzave  në Tiranë ia kushtoi Prof. Ivanajt), Ish- nxënës  të Ivanajt, shkruan. kujtimet e tyre, Rrok Zojzi etnograf,Dr. Jakov Milaj,  Jahja Domnori,mësues,Pal Doçi historian, Veis Seiko, avokat  nga Çamëria,kolegë të Ivanajt, Prof.Ahmet Gashi,Gjergj Kokoshi, Palokë Traboini, Atë Athanas Gega, historian nga Trieshi i Malësisë Madhe, Marash Mali  historian. Nga  Prof. Lazër Radi janë  botuar librat : “Misteret e një Ministri”,”Epopeja e Njeriut “,” Ministri i hekurt “ pa llogaritur artikuj  nga bashkëvuajtësit  e studime të pafund  nga personalitete shqiptare . Figura e tij ka  hyrë edhe  në vepra Arti “,Vizatim Portreti i M.Ivanaj 1947 “ nga piktorja e famshme Androniqi Zengo  Antoniu.Arkitekti piktor Maks Velo , i dhuroi “Fondacionit M.M.Ivanaj “ Portretin e Mirash Ivanajt Nxënësi i M.Ivanajt, Dr. Belul Voshtina  nga Çamëria kishte organizuar me shokët të bënin Bustin e  mësuesit tyre, por mbeti  maket  i papërfunduar, sepse filloi lufta .Vepra e Dedë Shytit “ Kronikë Rapsodike “ kushtuar patriotëve Martin e Mirash Ivanaj,  ku janë gëdhendur  emrat  dhe  bëmat  e Ivanajve, këndohet  me çifteli …Disa poezi të Ivanajt janë kompzuar nga  muzikanti Lekocaj ….Duke pasë përpara  gjithë këto  vlerësime  nga njerëzit më të shquar të  Shqipërisë dhe më tej,  I kam   përmbledhur në  studimin e dokumentuar  Idetë Mirashiane për reformimin e shkollës kombëtare të cilat i kishte zbatuar në Gjimnazin e Shkodrës. Ivanaj ishte shumë I vëmendshëm për të ruajtur strukturën e shkollës si gjimnaz dy degësh, klasik e real, u përpoq që shkolla t’i përshtatej nevojave të nivelit të përgjithshëm të vendit dhe e gëzoi pa masë maturën e parë, që nxori mësuesit e rinj, për të cilët kishte shumë nevojë Shqipëria.( Ata ishin Rexhep Bërdica,Qamil Golemi, Jahja Domnori,Refik Shpuza,Xhemal Lopçi,Ahmet Ashikja.Nga këta   Maturanti  Qamil Golemi, ka  përshkruar  provimet e maturës  në kronikën  e mbajtur  për zhvillimin e provimeve   të degës normale  në vitin shkollor  1927-1928.(dokumentuar në  librin  “Rruga e mundimeve e shkollës shqipe  1912- 1944 “ f.111 . )Bashkëvuajtësi, personaliteti i shquar, Prof.Lazër Radi, për këte grup,ka cituar fjalët e Ivanajt të shprehura kur vuanin denimin në izolim: ”Në Gjimnazin e Shkodrës kam pasë disa nxanës shumë të mirë, sidomos të edicionit të parë të maturës që edhe sot i kujtoj me respekt”). Por, si drejtues,Ivanaj, nuk u kufizua vetëm me studentë  brenda kufijëve të cunguar të Shqipërisë, por u kujdes gjithashtu të tërhiqte sa më shumë nxënës nga Kosova dhe trojet shqiptare jashtë kufijëve shtetëror, që nepërmjet tyre të shpërndahej dituria në gjuhën shqipe. Duke I kushtue vëmendje organizimit dhe drejtimit të shkollës, pati kujdes për të afrue e vëllaznue nxënësit me besime të ndryshme e zakone krahinore.Themeloi shoqatën “Besa” me nxënës të gjimnazit, ku kërkoi të nxirrej një e përkohshme nga vetë shoqata.Bëri çmos të krijonte një fanfarë të vogël dhe korin me nxënës të talentuar.Duke e parë në mënyrë të veçantë edhe landen e muzikës që “Asht mjeti ma efektiv për dëfrimin dhe naltësimin e shpirtit të nxanësve”. Gjithashtu për zhvillimin e sporteve, përveç futbollit i dha prioritet edhe sporteve të tjera për të cilët investonte edhe nga paratë e veta,sidomos për mjete dhe uniformat sportive, kur nuk mundësohej nga ministria.Vlen për t’u përmendur se kur mori postin e Ministrit të Arsimit,bashkëpunoi ngusht me Dr.Vasfi Samimin dhe e realizoi përkushtimin e tij për Themelimin e Kombëtares së Futbollit të Shqipërisë në vitin 1934. Qellimi kryesor ishte të kultivonte identitetin kombëtar dhe përkatësinë kulturore për një arsim cilësor gjithëpërfshirës në zhvillimin intelektual, etik, fizik,estetik dhe social.( Dr.Vasfi Samimi Visoka,(1905-1981) veteriner, shkencëtar biolog,futbollisti shqiptar i Fenerbaçes, themelues i Kombëtares së Futbollit Shqiptar, krjoi të parin laborator biologjik me Dr.Bilal Golemin,mësues në Shkollën e Mesme Veterinare Shkodër,Profesor në UBT,shkrimtar,publicist,përkthyes..I denuar në Gjyqin Special për veprën Atdhetare “Nëna Kosovë”). E këto shtylla të forta të vendosura që në themelet e viteve të para të gjimnazit të shtetit i rezistuan kohërave dhe në vazhdimësi u ruajt struktura e mësimdhënies edhe në periudhat më të vështira të përsekutimit të mësuesve dhe studentëve, qytetarë të ndershëm, me shpirt të lirë për demokraci dhe bashkim kombëtar. Kam pasë fatin që të isha nxënëse në dy shkollat e mesme si dy degë të Gjimnazit të shtetit :Dy vitet e para të shkollës së mesme t’i kaloja në Gjimnazin 28 Nëntori, ku nuk mund të harroj mësuesit e mi të nderuar, Kadrie Kopliku,Gema Tirana,Zyhdi Zekja, Drita Shundi Siliqi, Urti Osmani,…Dhe dy vitet e dyta në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”me drejtor  Gani Daiu dhe mësues Safet Hoxha, Eqrem Rusi, Simon Rrota,Leonard Deda, Abdyl Kajanaku,Shefik Osmani,Arta Frania… Për secilin mësues të lartpërmendur mund të shkruhen faqe të tëra respekti….Ndërsa ndër më të rinjtë që kam njohur si vazhdues i traditës më të mirë dhe ithtarë i Prof.M Ivanajt mund të shquaj, ish-nxënësin dhe mësuesin e këtij Gjimnazi, Ahmet Boriçi,mbaruar për matematikë me 1972.Si didakt dhe botues tekstesh vazhdon të kontribojë në këte drejtim.Ai ka një veprimtari të dendur si hartues tekstesh shkollore mbi 27 botime të ndryshme…. nuk është rastësi për metodistin A.Boriçi.të ketë këte ecuri . I edukuar në një familje mësuesish dhe vazhdues i paraardhësit tij të mirënjohur, Daut Efendi Boriçi, për botimin në Stamboll 1861 të Abetares Shqip, si dhe për dorëshkrimin e një gramatike shqip dhe fjalori osmanisht- shqip,duke mbetur një shembull i lartë në historinë e arsimit shqiptarë (Daut Efendi Boriçi,si student i suksesshëm i gjimnazit Zosimea të Janinës dhe i Stambollit, u përzgjodh nga Mustafa Pasha, kur ishte në Stamboll, si mësues privat për djalin e tij.Kur u kthye në Shkodër e ushtroi profesionin e mësuesit në Ruzhdijën e Pazarit. Ishte hartues peticionesh dërguar Kong. të Berlinit si kryetar i degës së Lidhjes Prizrenit, Shkodër.Ka mbetur i përmendur për fjalimin në ceremoninë e hedhjes se themeleve të Kishës Madhe, me 1858) duke i dhënë prioritet punës organizative, mësimore edukative të Ivanajt, shembulli i të cilit ka vlera të patjetërsueshme edhe për Arsimin sot e nesër, mendova ta zgjeroj se si u konkretizue përvoja e Ivanajt në Gjimnazin e Shkodrës, për të refomuar arsimin në shkallë kombëtare,kur mori postin e Ministrit të Arsimit, që i shërbejnë arsimit kombëtar edhe sot.





PROF. MIRASH IVANAJ, PUBLICIST,  MËSUES, DREJTOR, MINISTËR ARSIMI, JURIST, POLITIKAN…PËR SHKOLLËN KOMBËTARE SHQIPTARE


Dr. Mirash Ivanaj, si vazhdues i denjë i mendimit iluminist të rilindësve, por tashmë në kushte të reja të vendit dhe brenda tij, bëhet ideatori i shkollës shqiptare. Ai përpunon drejtimin modern të saj sipas shëmbëlltyrës së sistemit arsimor bashkëkohor oksidental, duke ruajtur me xhelozi veçantitë kombëtare.Shkollën e shihte si vatër kryesore të përparimit të përgjithshëm të popullit tonë, me të cilën duhen luftuar dhe mposhtur synimet arsimore të armiqve në çdo kohë dhe kërkonte arsim të detyruar e falas për të gjithë shqiptarët meshkuj e femra, “Jeta moderne e shteteve — pohonte Dr. Ivanaj para parlamentit shqiptar, – ka pru me vedi nji mënyrë pushtimi tjetër, qi asht robnija mendore, vorfnia morale, me të cilin shkatërrohen shtetet ma të fortat, racat ma konservative. Kësaj mënyre të kadalshme shkatërrimi, me të cilën krijohen njëri mbas tjetrit brezat gjithnjë ma të dobët e shkatrrues traditash të popullit të vet, kësaj mënyre të sigurt vdekjeje të një kombi, mund t’i kundërvihet një rezistencë vetëm me një armë të ngjashme, e kjo asht bashkimi kombëtar, asht edukata kombëtare e bazueme mbi gjuhë, mbi burrni, mbi traditat e përbashkëta, mbi interesat e përgjithshme të popullit”, GjimnazI shtetëror 1922 në vitin e dytë të jetës së tij pati si drejtor, Dr. Mirash Ivanajn, u shque si organizator dhe drejtues që rëndësinë më të madhe ia kushtoi disiplinës në punë mësues-nxënës. Si mësues e ngriti mjeshtërinë e tij në art dhe me erudicionin, seriozitetin në punë, talentin e taktin pedagogjik, vuri në jetë idetë më të përparuara pedagogjike të kohës, luftoi padijën dhe plogështinë intelektuale, pasivitetin e të mësuarit që nuk synon lirinë e mendimit, zellin dhe kërkimin shkencor. Duke i patur këto cilësi vetë, Dr. Ivanaj do t’i kërkojë këto edhe nga mësuesit e Shqipërisë, posaçërisht kur emërohet në detyrën e ministrit të arsimit “… Me sa të ngulem në misionin, përpara të cilit duhet të zhdukë çdo mendim tjetër, çdo prirje, kërkoj që i tanë veprimi i arsimtarit rreth brezit të ri në shkollë dhe jashtë saj, të përmblidhet në të vetmin kujdes : “NJERËZI E DISIPLINË në një të vetmin mund: burrni e zhvillim mendor, në një të vetmin qellim : bashkim a ndiesi kombëtare; në një të vetmin dashtuni, në një të vetmin besim (M.Ivanaj,- fjala me rastin a marrjes së votëbesimit), kështu punoi gjithë jetën për të ndërtuar një shkollë që do t’i përmbushte këto objektiva, një shkollë që do të ngrihet nga një filozofi, numri një i së cilës, do te ishte ai i atdhetarizmit. Mbi këto filozofi u përpunua politika arsimore e shtetit shqiptar të kohës, qe shprehet ne qëllimet që do të përmbushin shkollat: a) “Arsimi filluer ka për qellim me rrite fëmitë me disiplinë, moral e shpirt kombëtar dhe me i zhvillue fuqitë trupore e mendore, tue i pajisun me njohuritë a aftësitë e nevojshme për jetën praktike, në mënyrë që të bëhen njerëz të mirë e anëtarë të dobishëm për shoqninë kombëtare”, dhe b) Arsimi i mesëm asht rregullue në mënyrën ma të përshtatshme për me i forcue rinisë shqiptare vullnetin e disiplinën në punë dhe me i zgjue ndiesinë e detyrave ndaj vetvetes e ndaj Atdheut tue e pajisun me një kulturë të përgjithshme e kombëtare”. Do të ishte e tepërt te flitet për vlerat aktuala të këtyre qellimeve, për të ilustruar vlerat e Dr. Ivanajt si ideator e reformator, por duhet nënvizuar me të fortë ideja që këto objektiva, sipas Dr.Ivanajt mund t’i realizojë vetem shkolla e shtetit. Këta ide bazale të reformës arsimore të prillit 1933, Dr. Ivanaj do t’i shtronte që me 1924 në gazetën “Republika” ku shkruante: “Flasim për shkollën e shtetit, për shkollën kombëtare, të cilën deri dikund Parlamenti dhe Qeveria e kanë mohue, tue harrue që tri  sende janë, që një shtet për ekzistencën e vet, nuk do t’i lanë t’i ikin prej dore: Ushtrija,drejtësia, shkolla”, Në një numër tjetër të gazetës “Republika” (13 mars 1924), duke folur për shkollën e shtetit, ide që mbështetej nga mendimi intelektual i përparuar i kohës, i cili kërkonte organizimin e një diskutimi akademik mbarëkombëtar, Dr. Ivanaj do të theksonte: Na jena për dijen, na jena për përparimin, na jena për edukimin e vërtetë, na jena për veprim, për punë, për jetë: don me thanë se na jena për shkollën e shtetit’, “shkolla nën kontrollin e shtetit nga klasa a parë deri në fund”, do të kërkoje në të gjitha Shkrimet e rubrikës “Mbi programin tonë” në gazetën “Republika”,
>> Jemi në periudhën historike të pas vitit 1920. Forcat patriotike e demokratike kanë përqëndruar përpjekjet për forcimin e shtetit kombëtar, ende të pakonsoliduar, bëhen përpjekje që ky shtet të formohet me të gjithë elementet e tij, si shtet demokratik, i prirur gjithmonë nga modelet ma të avancuara të demokracive të Evropës Përendimore e të Amerikës. Por, gjendjen e veshtirë ekonomike dhe situatat politike që përjetonte vendi, nxituan t’i shfrytëzojnë fqinjët dhe fuqitë e tjera të kontinentit, të cilët, duke abuzuar mbi hapjen e Shqipërisë ndaj tyre, kërkuan të përfitojnë diçka për qellimet e veta ekspansioniste. Fusha, ku u ndie shumë ndërhyrja e forcave jodashamirëse të shtetit të ri kombëtar shqiptar, ishte arsimi, ç’ka gjeti shprehjen me fluksin e madh të investimeve për hapjen e shkollave private, vaçanërisht atyre të minoriteteve në jug e në veri të vendit, në Korçë e në Vlorë, Tiranë e Shkodër, por, me së shumti, bie në sy përpjekja e shtetit dhe patriarkanës greke për shtrirjen e ethshme të shkollave, jo vetëm në fshatrat minoritare të Gjirokastrës, por mundësisht në mbarë Shqipërinë, si premisë potenciale, për realizimin e ëndrrës së çmendur për Vorio-Epirin, ëndërr të cilën kanë guximin ta përsërisin edhe në ditët tona, në ditët e konsolidimit të shtetit demokratik shqiptar,të vendosur me vullnetin e popullit. Si shumë të tjerë patriotë e demokratë të vërtetë, Dr.Ivanaj do ta kuptojë mirëfilli rrezikun që i vjen vendit nga këto shkolla, prandaj do ta ngrejë zërin në përpjekjen për zbatimin e reformës arsimore, do të nguli këmbë për kufizimin e tyre, duke luftuar që shkolla të mbetet monopal i shtetit, që shteti të ketë të drejtën për të ushtruar kontrollin e tij mbi to. “Për me e shpjegue ose me mirë me thanë për me e kuptue këte mision që shteti asht tue e marrë për të konservue vendin nga çdo zhgatërrim, na duhet me pak fjalë të kuptojmë qartë fatet historike të zhvillimit të edukatës te djelmënisë. Shkollat private deri me sot në Shqypni nuk kanë pasë kuptue misionin e vet, ato në vend që të konsideroheshin bashkëpunatorë të shtetit, kanë kujtue sa duhet me e sulmue, me e luftue shkollën shtetërore” (M.Ivanaj) Këto ide që e ngacmuen që në fillimet e karrierës së tij pedagogjike dhe u përpunuan e morën formë të plotë gjatë kësaj karriere, si mësues e drejtues shkolle, u karakterizuan me reformën arsimore të vitit 1933. Rezultat e veprimit të tij është miratimi në Parlamentin Shqiptar i ndryshimit të nenit 206 të Statutit Themeltar si më poshtë : “Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqyptarë janë një e drejtë e shtetit. Jepet vetëm ndër shkolla dhe institute shtetnore shkallësh të ndryshme simbas Ligjes”. “Arsimi filluer për gjith shtetasit shqyptar asht i detyrueshëm dhe jepet falë.”. “Shkollat private, të çdo kategorie qofshin, qi kanë veprue deri sot, mbyllen” (sipas Ligjit Shkallor Nr. 229, dt.11.14.1933)si dhe të nenit 207 që thotë se ne konformitet me Ligjin vetëm shtetasit shqiptarë mund të hapin shkolla të ndryshme private. Shkollën e shtetit ose shkollën e lirë, Dr.Mirash Ivanaj, – Duke e parë këte si shkollë të Atdheut, shkollë të mendimit të lirë e të përparimit, në politikën e tij arsimore synonte që : “shkolla të mos e marrë në kujdes besimin ma fort se fatet e Atdheut, shkollën për djelmërinë a tri besimeve, për të forcue ate bashkim që vetë Zoti na e ka dhanë me një gjak, me një gjuhë, me një interes, megjithëse me tre besime të ndryshme”.
>> Pikërisht për këto ide reformiste në fushën e edukimit dhe të mësimit të breznive shqiptare Ivanaj do të hyjë shumë herët në konflikt me përpjekjet e klerit që synonte të merrte në dorë arsimin në Shqipëri, duke u bërë interpret e zëdhënës i fuqive të hueja që e sponsorizonin: “Dona vetëm të diftojmë absurditetin kah pikëpamja praktike dhe patriotike e koncesionit qeveritar, me të cilin tue u tërhekë shteti, shkolla ishte në duer të pamëshirshme.Absurditet nga pikëpamja praktike, sepse besimet – për natyrën e vet – veshtirë dhe shumë vonë adaptohen sendeve të reja dhe përparimeve shkencore. Absurditet nga pikëpamja patriotike sepse tue mos pasë dhe tue mos mujtë me pasë Shqypnija një të vetmen kishë kombëtare, besimet e ndryshme bahen të huaja, të ngjituna jo dheut që i mban dhe i ushqen, por atje ku i kanë rranjët’”, Polemikën dhe luftën ndaj synimeve regresive e shovene të përfaqësuesve të këtyre forcave në rrafshin e arsimit, Dr. Ivanaj do ta zhvillojë nën dy qellime  të mëdha: atë të atdheut e bashkimit kombëtar dhe të dijes, të progresit, gjithnjë duke qenë vetë një besimtar i devotshëm i fesë, por jo fanatik e rob i saj, gjera këto, të cilat ai i shpreh aq qartë dhe vertetësisht kur thotë: “Tue qenë patriot nuk don me thanë me qenë antifetarë,përkundrazi: për ne kush nuk don, a se ja mbrapshton çdo sendit kombësinë e atdheun e vet, nuk e don Zotin, nuk mund të jetë në zemrën e vet fetar”, Por, si iluminist, i vetëdijshëm për vlerat e dijës e të shkencës në përparimin e shoqërisë njerëzore, ngrihet kundër dogmave mesjetare të fesë, mbi të cilat vazhdonte ta ndërtonte punën shkolla klerikale në Shqipërinë e asaj kohe si dhe tendencës për ta monopolizuar kleri shkollën në Shqipëri, kundër venies së interesave fetare mbi ato atdhetare, çka ishte kapërcyer me kohë në vendet e përparuara,prandaj kërkon ndarjen e shkollës prej besimit, “Këte gjasend e dijtnë aq mirë në oksident, sa vetëm kur u lirue mendimi prej vargojve të fesë, ky mendim mujti me mbërritë ndër maja ma të nalta pa e damtue aspak fenë, e cila sot s’ka nevojë për me i shti në veprim ato mjete antinjerëzore (si zjarrin e hekurin) për me i plotësue mësimet e katekizmit sikur bante në kohën e mesjetës”. Ai është i vetëdijshëm se qëllimi i shkollës në një shtet modern nuk është kundërshtimi i fesë, siç e propagandonte idenë reformiste të Ivanajt kleri i të tri feve. Por, nisur nga kushtet konkrete të vendit tonë, Dr. Ivanaj shpjegon: “Shqyptarët sot janë tri fenash te papajtueshme njena me tjetrën, janë tri viza qi tue u nis nga tri vende të ndryshme, shpërndahen pa shpnesë, qi të përpiqen kurrë dhe kurkund ma, E këta, sepse ato janë të shenjueme prej influencave dhe prej parimeve ndërmjet vedit të papajtueshme, Çfarë do të jetë kjo pikë, në të cillën tri hise të një populli, qi flasin nji gjuhë, dhe e kanë nji kalesë të vetme dhe të vetmen dëshirë të sotmen dhe të nesërmen, – do të bashkohen si anët e nji piramide” s’ka dyshim: asht ndiesia kombëtare, qi asht e fortë dhe ma e shejtnueshme prej fenave, sepse ajo asht një e vetmja për të gjith popujt historik…Kjo ndiesi zhvillohet e përmirësohet por s’ndërrohet…Ndiesia atdhetare do me thanë pika me të cilën bashkohen ndiesinat e gjithë një populli, s’mund të formohet veçse me një shkollë krejt të lirë prej çfarëdo dogme qi nuk a shkencore, prej çfardo turbullimi shpirtnuer, prej çfardo mbrapshtijes qi në një mënyrë a tjetër mundohet të zaptojë shpirtin”. Duke e kuptuar reformën si domosdoshmëri, si shprehje të ndryshimeve të gjera e të thella që duheshin bërë në lëmin e arsimit shqiptar, Dr.lvanaj punoi për të projektuar dhe realizuar tërësinë e problemeve që kishte shkolla shqiptare në vitet 20-30, për t’i dhënë asaj orientimin bashkëkohor, pa pranuar imitime e modele e shabllone e të papërshtatshme, të shkollave të huaja cilado qofshin. Dr. Ivanaj do të luftojë për ta shtrirë shkollën në mbarë vendin, shkollën për djemët dhe vajzat e popullit shqiptar, për të realizuar praktikisht arsimin e detyruar fillor dhe falas, siç shprehet në nenin e parë të ligjit mbi shkollën: “ Arsimi fillor për gjithë shtetasit shqyptar asht i detyrueshëm dhe jepet falë’e për hirë të së vërtetës duhet pranuar që, me gjithë dëshirën e mirë iluministe e qytetare të Mirash Ivanajt dhe përpjekjes së pandërprerë të masave popullore arsimdashëse të vendit që hapin shkolla fillore në shumicën e fshatrave, anë e kënd Shqipërisë, shumë herë të ngritura e të financuara nga vetë fshatarët, pati edhe shumë mangësi, mbyllje shkollash për paaftësi mbajtëse nga shteti, apo për mosplotësim të kushteve materiale e didaktike, për mungesë mësuesish etj. ,etj. Kjo dhe të tjera qëndrime të qeverisë së kohës do ta zbehin realizimin praktik të reformës dhe Dr. Ivanaj me keqardhje do të shprehet: “Njoftoj rregulloren mbi shkolla minoritare private dhe shkresat përkatëse, të përgatitura prej meje, qysh me kohë, por shtoj se nuk do të jem unë ai qi do ta zbatojë këtë ndryshim, (M.lvanaj 20 gusht 1935)
>> Që shkolla të ruaj fizionominë kombëtare, që të mos bie ajo pre e ndikimeve subjektive dhe e kopjimeve shabllone Dr.Ivanaj do të kujdeset që dokumentacioni bazë i saj të hartohet sa më shkencor, në përputhje me gjendjen konkrete të vendit, me nevojat që kishte Shqipëria aktualisht dhe në perspektivë, Ja si shprehej Ai për punën e komisionit hartues të projektit të reformës:…Komisioni nji zani ka parapamë, – për shkaqe të shfaquna, -ndryshimin e sistemit të tanë shkollnuer të Shqipnisë, simbas nevojës së popullit, t’më kuptohet se me këto ndryshime do të ndryshohet edhe programa e landëve të ndryshme, sidomos të shkollave të mesme; e mbase ky sistem dhe program do të ketë parasysh përgjithësisht gjendjen e Shqipnisë, besojmë se pa përcaktue ma parë programin përkatës, nuk mund të merren në kujdes dorëshkrimet e shkollave të jashtme të paraqitura deri sot, dhe jo të hartueme veçanërisht mbas nevojavet tona; komisioni mendon se disa landë mbesin në zhvillimin e tyne po ato në çdo sistem; ndërsa besojmë nji sistem rranjësisht mund të ndryshojë prej nji sistemi tjetër e sidomos sistemi i ardhshëm i Shqypnisë prej sistemit francez, si nga pikëpamja e gjanësisë së programes, ashtu nga pikëpamja e paraqitjes simbas klasës në të cilën do të lektohet mësimi… Një arsim i detyruar,i orientuar shkencërisht nga ai bashkëkohor evropian, shikohej nga Dr. Ivanaj si shtegu më i mundshëm që do ta çonte atdheun në rrugën e emancipimit, drejt Evropës, do ta vendoste atë krahas vendeve të zhvilluara”.  Pa harruar përpjekjen në qeveri  për të mbajtur gjallë shqiptarizmën  të shqiptarët e mërguar kërkoi të investonte në shkollat shqipe jashtë atdheut siç ishte ajo e Kajros  me mësues Milo Duçi.(1870-1933)publicist, mësues i shkollës shqipe . Për të siguruar të ardhura, shkurtoi personelin e tepërt në ministri, punoi pa sekretar,nuk përdori  makinë shtetërore, shkurtoi bursat  dhe ndërpreu bursat e pamerituara të atyre që  nuk kishin likujduar provimet ( Shkruante The Near East India  23.3.1934)kërkoi  vullnetarizëm nga  intelektualet në profile të ndryshme  për të dhënë  orë mësimi  pa shpërblim siç u përgjigjen Inxh. Qemal Butka, Prof.Safet Butka në Gjirokastër gjithashtu …në Vlorë në shkollën Zogu i Parë , Drejtori Jahja Domnori, jepte ore mësimi   në. kurset e kualifikimit, Mësueset Ifet Asllani, Hafa Xhafa, në  kursin  kundër analfabetizmit për vajza e gra. Në këte drejtim autoriteti i Ministrit rritej jo vetëm si i pa komprometuar,për këte  e quanin  Robespier, por  lartësoi autoritetin e shkollave të vendit, duke i dhënë prioritet  atyre që kishin kryer shkolla të mesme kombëtare për nepunësi shtetërore. Kujdesi i Dr.Ivanajt për shkollën e shtetit, për përmbajtjen e shëndoshë të arsimit, është shoqëruar vazhdimisht me kujdesin që tregonte për përgatitjen dhe kualifikimin e mësuesve kërkues dhe model, siç ishte vetë në fushën e mësuesisë, Ai do të kërkojë edhe nga mësuesit të jenë shembull në punën e tyre, të rritin vazhdimisht dijet, të kualifikohen, duke i quajtur arsimtarët si forcë vendimtare që siguron: zbatimin e reformës arsimore.Ai punon t’i sigurojë mësuesit statusin, duke shprehur më saktë të drejtat dhe detyrat, kërkesën për ruajtjen e figurës morale e shoqërore të mësuesit, nevojën për ngritjen e vazhdueshme profesionale.
 Në shërbim të kësaj ideje është përpjekja e tij për zgjerimin e shkollave normale edhe në qytetet e tjera të vendit, është interesimi për sigurimin dhe dhënien e bursave për normalistë e normaliste nga anë të ndryshme të vendit si dhe dërgimi për studime pedagogjike jashtë shtetit, Kur normalja e Elbasanit nuk i plotësonte nevojat e vendit për mësues të shkollës fillore, u aktivizuan edhe mësues me shkollë fillore qytetëse, pra pa arsimin e nevojshëm pedagogjik.
 Puna e një pjese të madhe të këtyre mësuesve ishte e një niveli të ulët profesional, didaktik e shkencor, ndërkohë që Dr. Ivanaj shtronte kërkesën për përdorimin e metodave didaktike bashkëkohores. Kontradikta që lindi ndërmjet kërkesave pedagogjike dhe aftësive konkrete të kuadrove thirri nevojën e domosdoshme të spastrimit të shkollës nga të paaftit dhe të pa përkushtuarit, duke futur ligjin e kategorizimit përmes testimit dhe kualifikimit të mësuesve si formë kualifikimi, veç konferencave mujore të mësuesve në bazë rrethi. Dr. Ivanaj i kushtoi rëndësi botimeve pedagogjike, forcimit të drejtimit të shkollës, ngritjes së bibliotekave pranë çdo shkolle e tjere….Lufta që bëri në qeveri Dr. Ivanaj për spastrimin e shkollës nga të paaftit, të futur në arsim me njohje e miqësi, puna për rishikimin e kritereve të dhënies së bursave për studime brenda dhe jashtë shtetit, duke vënë kufirin për familjet më të ardhura të mira ekonomike e që dërgonin pjestarë nga e njëjta familje, për t’i prerë rrugën abuzimeve e korrupsionit, do të jetë një anë e dallueshme e tendencës demokratike që kishte reforma arsimore që projektoi Dr. Ivanaj. Duke e çmuar lart vlerën e edukimit të brezave të kombit përmes kulturës artistike, fizkulturës dhe sporteve, Dr. Ivanaj do të luftojë që shoqëria “Djelmnia shqiptare” të kalojë nën drejtimin e shtetit shqiptar, si pjesë e punës së tij, si pjesë e Ministrisë së Arsimit. Këto dhe probleme të tjera të reformës që projektoi Dr. Ivanaj dhe miratoi Qeveria shqiptare prekën shumë interesa të kundërshtarëve dhe forcave regresive brenda e jashtë vendit, cënuan e kufizuan synimet antikombëtare të fqinjëve shovenë dhe përkrahësve të tyre, gjë që çoi deri në hedhjen e shtetit shqiptar në Gjyqin e Hages, më 2-6 prill 1935.
Duke e komentuar këtë akt armiqësor ndaj reformës arsimore dhe shtetit shqiptar, një gazetar i revistës “The near east and In-dia” më 16 maj 1935 shkruan: “Mbasi kthimi i jem koincidojë me shpalljen e përfundimit të votimit të Hages, të parin objekt që gjej për ta përdorun asht: çështja e shkollave. Lajmi i Hagës shkaktoi aq keqardhje në Shqipni, sa gëzime në Greqi.Kjo keqardhje gjeti shesh në shfaqjet e kryenaltësisë së prekun, në zemrimin kundra italianëve, urrejtje kundër grekofoneve të Shqipërisë dhe përbuzjen ndaj Zotit Ivanaj, ministër i Arsimit: – Po të ish Shqipëria aq e madhe sa Greqia,- pëshpëritej-, të drejtat e saj për të qenë e zonja e shtëpisë së vet, nuk do t’u merreshin në bisedim. Votimi i kundërt i Hages, komentohet këtu se ka qenë një votë italiane: “ Tue qenë se italianët janë mjaft të idhnuem për mbylljen e shkollave italiane dhe shkollave katolike në Shqipni, flitet se ata kanë qenë aq të fajshëm sa grekët e Greqisë në shkaktimin e turbullimeve ndër grekofonët e Shqipërisë dhe një votim armiqësor prej përfaqësuesit të Italisë në Hagë ishte një konkluzion i parapamë. Franca nga miqësia e re me Italinë, qe e detyrueme me ndjekë udhëheqjen italiane dhe shtetet e vegjël, që votuan kundër Shqipërisë janë në nji mënyrë ose tjetër nën zgjedhën e parmendës së Francës ose të Italisë. “Arkivi Kombëtar, fondi M.Ivanaj, dosja 225). E pafuqishme për t’i qëndruar trysnisë dhe izolimit, qeveria shqiptare kapitulloi përpara gjyqit ndërkombëtar të Hages. Në një situatë të tillë Dr.Mirash Ivanaj e shikon të pamundur qëndrimin në postin e Ministrit të Arsimit dhe kërkon dorëheqjen duke u shprehur kështu: “Mbasi konsideroj se interpretimi i dhanun prej meje zbatimit të ndryshimeve 206 e 207 të Statutit Themelor të Mbretnisë, ka mbështetjen e patundëshme si në të drejtën konstitucionale ashtu edhe në vetë Deklaratën Shqiptare para Shoqnisë së Kombeve më dt,2,X,1921, e më anë tjetër, tue qenë i bindur se vetëm në shkollat e shtetit, pa as ma të voglin cenim, të së drejtave individuale ose kolektive, djelmnia jonë mund të edukohet si e tillë e të fitojë ndiesinë dhe ndërgjegjen kombëtare, moralin dhe disiplinën shtetërore me kuptimin e sakrificit për atdheun dhe mbretin, nuk mund të bashkohem me mendimin e shumicës së Këshillit Ministror e të pranoj çfardo ndryshimi në zbatimin e nenit 207 të Statutit të Mbretnisë: Për këtë arsye kam nderin të Ju paraqes dorëheqjen nga Dikasteri i Ministrisë. Ndonëse qe e shkurtër kariera e Dr.Mirash Ivanajt si Ministër i Arsimit, ajo kohë qe e mjaftueshme për të dhënë të plotë e të gjithanshëm personalitetin e tij si reformator dhe organizator i arsimit kombëtar, Idetë e tij të shprehura qartë dhe guximshëm në fillimet e veprimtarisë së tij pedagogjike, po qartë dhe guximshëm u konkretizuen në reformën e vitit 1933, do të ishte ëndrra dhe përkushtimi i Dr. Ivanajt për një sistem arsimor demokratik e kombëtar në Shqipërinë e pasluftës ajo forcë tërheqëse që do ta sillte këtë atdhetar në vitin 1945 për ta çuar drejt në qelinë e burgut, nga ku nuk do të dilte më i gjallë. Idetë kryesore të kësaj reforme të Dr.Mirash Ivanajt do të përshkojnë arsimin shqiptar në vitet e mëvonshme të ruejtura e të mbartura nga përfaqësuesit më të denjë të tij dhe do të jenë  sot e nesër të freskëta dha aktuale.

Filed Under: Histori

SHTËPITË-SHKOLLË

October 6, 2022 by s p

Atdhe Geci/

Në jetën e popujve të shquar e me histori të begatë, kujtesë të madhe të qytetërimit quajmë të tashmen 15- mijëvjeçare të gjuhës, origjinës dhe, të kulturës sonë. Udha mbretërore e popullit tonë kaloi nëpër një qytetërim të lashtë e të stërlashtë; pellazgo-iliro-shqiptar.

Në këtë udhë aspak të lehtë të atdheut tonë, patëm çaste dhe momente nga më epiket, për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Zhvillimi i arsimit shqip në shtëpitë-shkollë, ishte një gjetje kombëtare e duhur e Kosovës dardane përballë forcave gjenocidiste serbo-ushtarake.

Arsimimi i imponuar në “Shtëpitë-shkollë”, në vitet e okupacionit serb ishte një krijim i mbijetesës, ku hero ishin, mësuesi-nxënësi-populli. Në atë kohë në Kosovë dënoheshin dhe vriteshin për organizimin e arsimit nëpër Shtëpitë-Shkollë.

Në ato vite Kosova dardane po përgatitej të hynte në një fazë të re të rezistencës, nga demonstratat nëpër sheshe, në luftë çlirimtare. Në vitin 1992, rreth 30 mijë arsimtarë dhe 100 mijë nxënës e studentë të Kosovës, të të gjitha nivelet të arsimit shqip, u ndaluan nga ushtria e milicia serbe të hyjnë në lokalet e shkollave të tyre, -pronësi e popullit të Kosovës.

Mirëpo, Zëri i Kosovës dardane aso kohe ishte më i fortë se tanket e armikut. Populli sa çel e mëshel sytë bëri mrekullinë. Ai hapi zemrën dhe shpirtin e tij qytetar dhe shtëpitë i shndërroi në shkolla e mësojtore. Kjo mrekulli kombëtare dhe ai guxim qytetar i Kosovës dardane për të mos u ndërprerë mësimnxënia, qe maja e një betimi për të ardhmen e vendit.

Armiku s´ngopet kurrë me pushtim. Por populli pushtuesin përherë do ta quaj të huaj në tokë tij. Ngjarjet e mëvonshme treguan se kur e vërteta është brenda popullit, fuqia e popullit është e pamposhtur.

Flamuri kuq e zi i lirisë dhe i shkronjave shqipe të lirisë ishin tregues se Kosova dardane për liri e teritor nuk fal asgjë. Dora dhe grushti i Kosovës dardane i tregoi pushtuesit serbë, se liria për Kosovën është e shenjtë!…Kosova nuk e turpëron kurrë atdheun e vetë për liri.

Atdhe Geci – Autor i filmit, “Shtëpitë- Shkollë” 1992 / Prishtinë.

Filed Under: Emigracion

Memorandumi mbetet referencë për statusin e shqiptarëve në Mal të Zi

October 6, 2022 by s p

Nail  Draga/

Miratimi i  Memorandumit për status special të shqiptarëve në Mal të Zi, tridhjetë vite më parë(1992-2022) paraqet dokumentin me të rëndësishëm të shqiptarëve në këtë mjedis për avancimin e të drejtave të tyre qytetare e kombëtare. Por, nëse analizojmë kërkesat e shënuara në këtë dokument  shqiptarët janë të zhgënjyer sepse përveç arritjës  së  statusit të komunës së pavarur për Malësinë(Tuz) kërkesat tjera kanë mbet të pa realizuara, në mungesë të vullnetit politik të pushtetit, ku pa  përgjegjësi nuk janë as  partitë  politike të shqiptarëve  të cilat duke qenë  pjesë e pushtetit qendror(1998-2020), kanë dështuar në avancimin e barazisë qytetare e nacionale të shqiptarëve  në këtë mjedis – Diskursi  politik. 

Viti 1990 paraqet datë të veçantë sepse në këtë vit u zyrtarizua rënia e sistemit monist, përkatësisht miratimi i pluralizmit, ku edhe për shqiptarët u paraqit rasti  për vetorganizim politik. Filimisht falë angazhimit të një grupi intelektualësh dhe aktivistësh të ndryshëm, në Ulqin u themelua Forumi Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi(26.8.1990). Formimi i këtij subjekti jopolitik  i papapriu themelimit të Këshillit inicues të subjektit të parë politik të shqiptarëve në Mal të Zi, që u mbajt në një shtëpi private në Kodra të Ulqinit po atë ditë(26.8.1990), që më pas u zyrtarizua me kuvendin themelues në Tuz, më 09.9.1990, me emrin Lidhja Demokratike në Mal të Zi(LDMZ).

Votimi plebishitar i shqiptarëve

Në zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi(9.12.1990), shqiptarët përkrahen në mënyrë plebishitare LDMZ-në, sepse ajo më tepër kishte karakterin e një Lëvizjeje kombëtare se sa të një subjekti politik. Së bashku në koalicion me partinë e boshnjakëve(SDA), nga gjithsej 12 deputetë, shqiptarët fituan 4 deputetë, të cilët ishin përfaqësuesit e parë autentikë në Kuvendin e Malit të Zi. Këta deputetë për të parën herë në foltoren e Kuvendit prezantuan kërkesat e shqiptarëve, duke njoftuar opinionin e gjerë se shqiptarët nuk pranojnë pabarazinë por do të angazhohen për barazi qytetare e nacionale sipas standardeve ndërkombëtare.

Dokumenti i parë për statusin e shqiptarëve

Ngjarje e veçantë për shqiptarët në Mal të Zi  u shënua në vitin 1992, sepse përmes Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi u organizua mbledhja e cila u mbajt më 22 gusht dhe vazhdoi më 12 shtator 1992, ku u miratua teksti i Memorandumit për Statusin Special të Shqiptarëve në Mal të Zi, të cilin e kanë nënshkruar 39 pjesëmarrës me kryetar z.Gjergj Gjokaj. Ashtu siç pritej, një akt i tillë u mirëprit nga subjektet shqiptare anekënd hapësirës etnogjeografike shqiptare, ndërsa u sulmua nga subjektet politike në Mal të Zi, qofshin ato nga pozita apo opozita, ku përjashtim bënte vetëm  partia e boshnjakëve (SDA). 

Memorandumi kishte vlerë të veçantë jo vetëm për momentin por edhe më pas, sepse ky ishte dokumenti i parë për shqiptarët në pluralizëm, i miratuar në mënyrë publike, nga një subjekt jopolitik. Në të janë paraqitur në mënyrë taksative kërkesat e shqiptarëve në lidhje me pozitën dhe statusin e tyre në kuadër të Malit të Zi. Një veprim i tillë ishte logjik, sepse në hapësirën e ish-Jugosllavisë popujt e ndryshëm kishin dalë në opinion me kërkesat e tyre politike, madje disa për statusin e tyre kanë organizuar edhe referendume. Andaj, edhe deklarimi i shqiptarëve përmes Forumit nuk ishte risi, por realitet i situatës politike në vend.

Memorandumi është paraqitur në formë të amandamentit edhe në Kuvendin e Malit të Zi nga deputetet shqiptarë, por ai u majorizua nga shumica parlamentare e pushtetit. Ndërsa me rastin e miratimit të Kushtetutës së Malit të Zi(1992), deputetet shqiptarë e cilësuan atë  të papranueshme dhe e lëshuan mbledhjen e Kuvendit.

Pasi për ish-Jugosllavinë kishin filluar takimet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje optimale, në ato konferenca tash mund të merrnin pjesë edhe shqiptarët nga Mali i Zi me dokumentin përkatës, që paraqiste kërkesat optimale për zgjidhjen e statusit të tyre e ky ishte Memorandumi i 12 shtatorit të vitit 1992. Me këtë dokument shqiptarët ishin palë  dhe partner në bisedime, sikurse ishin në Konferencën  e Gjenevës për ish-Jugosllavinë, të ftuar nga organizatorët, që fatkeqësisht ishte  takimi i parë dhe i fundit. 

Statusi special apo autonomia bashkëkohore

Statusi special ishte një modifikim terminologjik për autonominë bashkëkohore që e ka burimin nga faktori ndërkombëtar(anglezët), i cili ishte kyçur për të zgjidhur statusin e serbëve në Kroaci. Të nxitur nga një situatë e tillë, autonomia u bë kërkesë për pjesëtarë të shumë popujve në ish-Jugosllavi, ku as shqiptarët në Mal të Zi nuk ishin përjashtim, sepse ajo është forma më optimale  praktike e barazisë nacionale dhe qytetare në mjedise të caktuara.

Ndërsa, disa ditë pas miratimit të Memorandumit, për shkak të efikasitetit praktik, Forumi në një mbledhje të veçantë formoi Këshillin për realizimin e Memorandumit, me kryetar avokatin Mustafa Çapuni, i cili do të merrej enkas me organizimin e takimeve dhe formimin  e komisioneve të ndryshme për elaborimin e çështjeve përkatëse që ishin pjesë e kërkesave të prezantuara. Por, punët nuk shkuan ashtu siç ishin paraparë, sepse që nga fillimi  ekzistonte animozitet dhe refuzim nga ana e LDMZ(!). Andaj, për të mos krijuar paralelizëm dhe për të mos dalë qesharak para opinionit, pas pesë takimeve, Këshilli i sapoformuar e ndërpreu veprimin e vet. Dhe nga një gjendje e tillë plot animozitet dhe atavizëm politik, Forumi nga një aktivitet dinamik kaloi në pasivitet të plotë, duke e ndërprerë aktivitetin tërësisht më pas.

Referendumi pa kërkesa të shkruara

Se shqiptarët ishin e janë të pakoordinuar dhe pa ide për kërkesa të përbashkëta për avancimin e pozitës dhe statusit të tyre u dëshmu me rastin e mbajtjës së Referendumit për Pavarësi të Malit të Zi(21 maj 2006). Dhe nuk ka si të jetë ndryshe  sepse dominoi qasja  ataviste  përmes subjekteve nacionale politike  duke e mbështetur  pavarësinë e Malit të Zi, pa asnjë kërkesë të shkruar për barazi nacionale dhe qytetare. Ishte ky lëshim i pafalshëm i subjekteve politike, duke anashkaluar kërkesat e Memorandumit, ku  pasojat janë të pranishme edhe në ditët tona. 

Partitokracia në punësim

Sepse sot, në Malin e Zi të pavarur me konceptin e ashtuquajtur qytetar, hasim në  padrejtësi praktike, sepse kemi të bëjmë jo me shtetin qytetar, por tipik nacional-partiak, ku kemi  institucionet dhe kuadrot janë partiake. Nëse analizojmë vetëm fushën e arsimit, del se përveç drejtorëve partiakë, kemi edhe këshillat e shkollave partiake, të punësuarit partiakë, qofshin me kohë të kufizuar apo praktikantë, të gjithë nga partia në pushtet, nga del qartë se jemi të diskriminuar në aspektin qytetar sepse ata që nuk i takojnë partisë apo koalicionit në pushtet nuk kanë asnjë  mundësi për të udhëhequr shkollat apo për t’u punësuar. Një veprim i tillë është më keq se në kohën e monizmit.

Nga ana tjetër, mospërfaqësimi proporcional në punësim vazhdon gjithnjë, nga del se kemi pabarazi nacionale, ku institucionet qeveritare e ato lokale janë shembull praktik i kësaj dukurie.

Arsimi mbetet diskriminues

Sa iu përket planprogrameve mësimore dhe teksteve shkollore, në lëndët e identitetit kombëtar (histori, kulturë muzikore, dituri natyre, art figurativ etj.) gjendja është skandaloze,  sepse ato janë diskriminuese për shqiptarët, që të kujton kohën pas vitit 1981, kur u zyrtarizua fushata antishqiptare.

Ndërsa eliminimi i të drejtave të realizuara, sikurse është ligji zgjedhor për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve, që u miratua në Parlament me shumicë votash(2011), pa votat e deputetëve të partive nacionale shqiptare, dëshmon majorizimin  e shumicës ndaj pakicës.

Komuna e Malësisë në Tuz, arritje e veçantë 

Ne këtë periudhë kohore tridhjetëvjeçare përjashtim bën formimi i Komunës së Malësisë me qendër në Tuz(2018) e cila u dëshmu e suksesshme ne funksionimin e saj që nga formimi i pushtetit lokal i dalë nga zgjedhjet lokale(3 mars 2019), duke qenë model edhe për komunat tjera në Mal të Zi.

Ndërsa mosinvestimi në viset shqiptare si dhe privatizimi i dështuar ka ndikuar në keqësimin e gjendjes sociale të shqiptarëve, andaj kemi dukurinë e  emigrimit  të shqiptarëve e për pasojë zvoglimin e tyre demografik nga një regjistrim në tjetrin, nga del se këtu ndodh në praktikë  pastrimi i heshtur etnik.

Kërkesat  mbesin aktuale  

Kërkesat e Memorandumit janë aktuale edhe sot pas 30 viteve dhe ato presin realizim praktik për të eliminuar pabarazinë qytetare dhe nacionale në Mal të Zi. Pavarësisht se kërkesat e shqiptarëve nuk janë kundër të tjerëve, pushteti i Malit të Zi deri më tash nuk ka shprehur gatishmëri për zhvillimin e një dialogu me shqiptarët, sepse iu  mungon vullneti politik. Andaj është koha e fundit që të fillojë një dialog i tillë në mes Qeverisë së Malit të Zi dhe shqiptarëve, përmes partive politike nacionale, si përfaqësues autentik të tyre, në këtë mjedis. Vetëm përmes një dialogu konstruktiv duhet të krijohen raporte të partneritetit për të gjetur zgjidhje të pranueshme sipas standardeve ndërkombëtare.

Në këtë aspekt duhet  të kontaktohet dhe informohet vazhdimisht  faktori ndërkombëtar, duke iu ofruar argumente në lidhje me çështjet përkatëse. Sepse çështjet e barazisë nacionale në një mjedis multinacional, nuk janë më çështje të shtetit përkatës, por kanë karakter ndërkombëtar.

Përfundimisht, nuk ka dilemë së kur trajtohet  pozita dhe statusi i shqiptarëve në Mal të Zi, Memorandumi mbetet  referencë e domosdoshme për çdo qasje apo analizë në këtë drejtim, sepse ai paraqet bazën e kërkesave për barazi qytetare dhe nacionale në këtë mjedis multinacional dhe multikulturor. Andaj, si i tillë është bërë pjesë përbërëse e platformave politike të subjekteve politike nacionale të shqiptarëve në Malin e Zi.

Dhe në fund, e themi pa hezitim  se derisa nuk do të realizohen ende  në praktikë kërkesat për barazi qytetare dhe nacionale sipas standardeve ndërkombëtare, çështja shqiptare në Mal të Zi  mbetet e hapur. 

                                                                                            (Shtator  2022)

Filed Under: Politike Tagged With: Nail Draga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT