• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

LETËRSIA DHE RISHKRIMI I HISTORISË

October 6, 2022 by s p

(Mbresa nga leximi i librit “Vdekja e Enver Hoxhës” i P. Kullës)

Nga Eugjen Merlika/

Kohët e fundit në librat e botuara sërishmi u shtua një titull që pushton përfytyresën e vë në provë kujtesën për ngjarje të zhvilluara një të katërt shekulli më parë.”Vdekja e Enver Hoxhës” është titulli i librit, kurse autori i saj, z. Pëllumb Kulla është një firmë e njohur nga lexuesi shqiptar. I afirmuar që herët në botën e humorit, jashtë kafazit të “realizmit socialist”, vazhdoi krijimtarinë e tij që, në gjininë e saj, mbetet pa dyshim në nivelet më të larta të letrave të sotme shqipe. Vepra e re është një hap i madh para n’atë krijimtari, mbasi ka meritën që, nëpërmjet fjalës artistike, të japë ndihmesën e vet në zbulimin e një realiteti tepër të zymtë të së shkuarës sonë, për të cilin ende heshtet, madje ekziston edhe një farë malli.

Nëntitulli i veprës është “Shumë romane në një” dhe shënon drejtimin e parë që i jepet lexuesit në shtjellimin e një gjinije letrare disi të veçantë. Por në parathënien, tepër të shkurtër e po aq konçize, autori zbulon pjerrjen e qëllimin e shkrimit të veprës, që i largohet disi traditës së tij humoristike, duke e vënë në plan të dytë atë, për t’i dhënë më shumë hapësirë përmasave dramatike e tragjike të epokës. Vepra hedh dritë mbi Shqipërinë komuniste të dhjetëvjeçarit të fundit të qënies së saj, madje fokuson qëndrën e saj të gravitetit, majën e piramidës ku vendosej deri në imtësi fati i frymorëve nënshtetas, në një çast kulmor siç është ai i ndarjes së Enver Hoxhës nga kjo jetë.

Autori saktëson: “ Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale.” Është ky shqetësimi i shkrimtarit, ballafaqimi i popullit të tij me një epokë historike të gjatë e të vështirë siç qe ajo e jetuar në vitet 1944-1991, traumat kryesisht morale të kësaj dukurie. Lënda e trajtuar është shpërthyese, mund të japë shkas për diskutime pa fund mbi dobinë e paraqitjes, rrok një gamë të madhe problemesh,  personazhesh e mjedisesh, duke vënë në pikëpyetje karakterin e një populli të tërë. Vepra trajton ngjarje të njohura në planin shoqëror e historik dhe autori që në fillim e siguron lexuesin mbi vërtetësinë e tyre. “Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur!”.

Vërtetësia e ngjarjeve të përshkruara, burimet e sakta të riprodhimit të tyre ndihmojnë lexuesin e ri, por edhe atë më pak të ri, të krijojë idenë e plotë mbi Shqipërinë e Enver Hoxhës, larg demagogjisë, retorikave dhe fasadave të një regjimi që, si objektiv të parë, kishte mbulimin e të vërtetave nëpërmjet një organizimi të përsosur që mund të krahasohej vetëm me atë të Rusisë staliniane. Ky realitet tragjikomik, i përshkruar me mjeshtëri nga autori, merr shkas nga vdekja e Enver Hoxhës, njeriut që hyri në historinë e popullit të tij si sundimtari më jetëgjatë e, ndoshta, më mizori, plot katër dhjetëvjeçarë. Vepra pasqyron ditët e fundit të qëndrimit të trupit të tij pa jetë në “kullën e fildishtë” ku e kishte futur përfytyresa legjendarizuese e një populli të traumatizuar nga terrori deri n’atë pikë sa nuk ishte në gjëndje të pranonte për udhëheqësin e tij as idenë e dukurisë më të zakonshme të ekzistencës njerëzore, atë të vdekjes.

Vepra, gjithmonë duke patur si bosht qëndror figurën e diktatorit dhe prapaskenën e organizimit mastodontik të funeralit të tij, shtjellohet në tre plane kryesore, që do t’ishin secili një roman me vete, por që përbëjnë një radiografi të plotë të shoqërisë shqiptare t’asaj kohe. I pari është ai i rrethit të ngushtë të udhëheqësit, duke filluar nga bashkëshortja e deri tek kuadrot kryesore të partisë e të Shtetit, nga qëndra deri në skajet më të largëta të Vendit, të përshkruara në përmasat e tyre të vërteta të mungesës së vlerave, të dinjitetit, të meritave, një klasë drejtuese e aftë vetëm për t’u jargavitur në lajka e hipokrizi karshi të parit të vet. I dyti është ai i militantëve të partisë, ish partizanëve, komunistëve, heronjve të punës, sigurimsave, të gjithë asaj hordhije jo të vogël shqiptarësh që e patën për nder e krenari të ishin baza besnike dhe e sigurtë e një diktature, e cila kishte si strategji kryesore të saj “luftën e klasave”, atë dukuri të pafund në kohë e mizori, një nga treguesit kryesorë të së veçantës së “socializmit shqiptar”. I treti është ai i viktimave të dhunës “proletare”, i asaj pjese të popullsisë që pagoi me vuajtje të pashëmbullta përkatësinë e të parëve të tyre në pjesën kundër komuniste të shoqërisë.

Episode komike, dramatike e tragjike përbëjnë lëndën e tre mini romaneve. Mjediset e përshkruara me mjeshtëri e vërtetësi janë terreni ku lëvizin personazhet, secili me botën e vet shpirtërore, secili me të veçantën e tij. Ata i ngjajnë një tufe insektesh që vërtiten rreth një llambe që i mban pranë me dritën e saj, por që në takimin me të përzhiten e bien në tokë. Llamba është arkivoli me trupin e Enver Hoxhës, ndërsa insektet janë njerëzit që, për mirë apo për keq, e kanë lidhur fatin e tyre me emrin e tij.

Në këtë galeri të gjërë personazhesh bien në sy, veç grimiorit që është treguesi në vetë të parë i ngjarjeve, Teloja, i plotfuqishmi i sigurisë së “shtëpisë mbretërore” të kuqe, njeriu në hije para të cilit rrijnë gatitu të gjitha kukullat e udhëheqjes së Vendit, Moisi Dhëmblani, një farë poeti oborri i qytetit të lindjes së diktatorit, nënkryetari i presidiumit të Kuvendit popullor në një episod sa komik aq kuptimplotë për të kuptuar mekanizmin infernal të regjimit, sosia e Komandantit që përfundon në arkivol për të ruajtur paraqitjen e jashtëme të tij në sytë e turmave, çifti Rico me kompleksin e tij të besnikërisë e adhurimit për Enverin por dhe me dëshirën për të festuar në një dasëm familjare, Kujtim Gjyzari, i “burgosuri i përjetshëm” i regjimit. Këta e të tjerë lidhen me figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës, qoftë për së gjalli, qoftë dhe kur ai gjendet pa frymë në arkivol.

Episodet, të cilat përshkruajnë këto lidhje, janë secili një hallkë e atij zinxhiri të gjatë që qe diktatura e personifikuar nga Enver Hoxha, një sistem në të cilin dhuna, pabesia e mashtrimi nuk njohën caqe, duke krijuar një shoqëri në të cilën frika ishte motivi zotërues i jetës. Kjo ndjenjë, që arrinte të kushtëzonte skajshmërisht çdo qelizë të shoqërisë, gjen shprehjen e saj më domethënëse në të gjitha veprimtaritë që përbëjnë skenën e shfaqjes së fundit të duetit Enver-Shqipëri, që përbën lëndën kryesore të veprës e shqetësimin më të madh të shkrimtarit. Depersonalizimi i bashkatdhetarëve, indoktrinimi skajor i tyre, tjetërsimi i karakterit që humbet vetitë tradicionale të racës, këto janë për autorin dëmet më të mëdha që komunizmi i solli Shqipërisë. Kriza morale në të cilën u zhyt shoqëria, simptomat e së cilës janë të gjalla ende, që i ktheu shumë qytetarë të këtij Vendi në automatë imoraliteti, duke patur për faltore ndërtesat e degëve të brëndëshme e për rrëfyes oficerët e Sigurimit, ishte ndoshta plaga më e thellë që infektoi trupin e Shqipërisë. Ai infeksion, për dobinë e zbulimit të të cilit vazhdojmë të diskutojmë ende sot, qe si një stuhi rrënuese që rrafshoi vlera e karaktere, pothuajse në të gjitha shtresat e shoqërisë. Asaj stuhije gjysëm shekullore i qëndruan individët më të shëndoshë, jo si prejardhje, as si shtresë shoqërore, por si karakter vetiak. Kam përshtypjen se autori është mjaft pesimist e i pezmatuar n’atë drejtim. Në mjediset që paraqet gjen pak motive shpresëdhënëse, ata i shëmbëllejnë një bataku pa kufi, ku notohet nën rrezikun e zhytjes në çdo çast.

Në gjithë këtë katrahurë, që është Shqipëria e ditëve të funeralit, shkrimtari shpëton vetëm një personazh, Kujtim Gjyzarin. Ai është kanakari i autorit, i zgjedhuri i tij, simboli i qëndresës ndaj së keqes, i luftës së pabarabartë me të. Historia e personazhit përbën lëndën e një romani më vete. Jeta e tij është një pasqyrë e mizorisë së një regjimi, që synoi të çthurë moralisht qytetarin, e që nuk nguroi të përdorë dhunën më skajore tek ata që i bënë qëndresë kësaj prirjeje. Kujtimi arrestohet në moshën 17 vjeçare, sepse do të paguajë haraçin e një familjeje në të cilën babai ishte në burg e tre vëllezërit u arratisën për t’i shpëtuar atij fundi. Ishte një i ri idealist i mëkuar me veprat e rilindësve dhe autorëve kombëtaristë të dhjetvjeçarëve të parë të shekullit të shkuar. Ishte një i ri i çiltër e i sinqertë i edukuar me bindjen se e vërteta duhet pohuar në çfarëdo rrethane. Të vërtetën për dënimin e padrejtë të tij nuk e mohon kurrë, madje as para Enver Hoxhës, që shkoi të “vizitojë” burgun. Ky pohim i kushtoi shumë mundime, vite burgu e tortura, por ai nuk u dha edhe kur pësoi zhgënjimin e madh, rrahjen nga bashkëvuajtësit pragmatikë në kërkim të një luge sheqer.

Lotët e tij në birucë, kur merr vesh nga altoparlanti vdekjen e diktatorit, janë një gjetje shumë e bukur e autorit që krijon një tabllo të pashlyeshme nga mëndja e lexuesit. Ato lotë shprehin gëzim e shpresë, por edhe dëshpërim sepse me emrin  që vajtonte atë ditë zyrtarisht Shqipëria, ishin lidhur shumë tragjedi e jetë të dhunuara si ajo e vetë Kujtimit, e prindërve të tij e sa e sa viktimave anekënd atdheut. Ata lotë nuk i bashkohen atyre të turmave servile e hipokrite anembanë Shqipërisë, ata lotë janë bilanci i hidhur që vetëdija e kësaj të fundit i bën vetes. Ata lotë shënojnë një fund e një fillim që duhet të burojë prej tyre. Aty duhet të marrë forcën e vet Shqipëria e ardhme për të filluar ngritjen e saj, në të cilën do të kenë një rol të rëndësishëm njerëzit si Kujtimi. Ky është mesazhi i shpresës që, tërthoraz përciell shkrimtari, ky është besimi i tij. Fatkeqësisht kjo nuk qe bindja e atyre që morën përsipër misionin e vështirë të ndërtimit të demokracisë shqiptare pas komuniste.

Për kushtet e veçanta të kombit tonë letërsia është binjakëzuar me historinë dhe ngjarjet e saj më të rëndësishme. Nëse për gjysëm shekulli kemi patur një letërsi që ka ndihmuar politikën për të krijuar realitetin “virtual” në mëndjet e shqiptarëve, duhet të kemi kurajon e forcën të krijojmë një tjetër letërsi që të vihet në shërbim të së vërtetës, mbasi ende “ kushtrimi i të parëve” vazhdon t’a mbulojë e tjetërsojë atë. Përgëzimet më të mira z. Pëllumb Kulla, që me veprën e tij  të arrirë jep një ndihmesë themelore n’atë drejtim, duke i bërë një shërbim të çmuar kulturës shqiptare dhe popullit të tij.

Filed Under: Fejton Tagged With: Eugjen Merlika

5 TETORI DITA BOTËRORE E MËSUESVE 

October 6, 2022 by s p

Hazir MEHMETI/

E ardhmja është në duart e mësuesit – Hygo.   

Që nga viti 1964 festohet 5 tetori- Dita Botërore e Mësuesve/eve.  Kjo festë ka për qëllim ngritjen e ndërgjegjes shoqërore mbi përgjegjësinë e mësueseve e mësuesve për misionin e tyre që kanë në shoqëri; edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Nga          

Dita Botërore e Mësuesve Dita Botërore e Mësues, synon të rrisë ndërgjegjësimin për përgjegjësinë e mësuesve. Dita e Mësuesit është një ditë e veçantë vlerësimi për mësuesit. Festimi i kësaj date është nderim për mësuesit dhe shkollën e një lokaliteti kudo qoftë në botë. Kjo ditë është themeluar në vitin 1994 nga UNESCO dhe shumë vende shënohet me programe festive kushtuar mësuesit. 

  …histori           

 Nisma rreth themelimit të Ditës Botërore të Mësuesve u dha në vitin 1993 në Gjenevë kurse një vit më vonë, në vitin 1994, UNESCO vendosi Ditën Botërore të Mësuesve ose Ditën Botërore të Mësuesve. Drejtori i Përgjithshëm i atëhershëm i UNESCO-s Frederico Mayer bëri thirrje për njohjen e angazhimit të stafit mësimdhënës.  Fakti që dita botërore e mësuesit bie më 5 tetor nuk është zgjedhur rastësisht, por kthehet në një ngjarje historike. Më 5 tetor 1966, UNESCO dhe Grupi Ndërkombëtar i Punës në Paris miratuan Kartën për Statusin e Mësuesve, e cila thekson rolin e rëndësishëm të mësuesve.

    UNESCO thekson se profesioni i mësuesit është në rënie në status në shumë vende të botës. Në Ditën Botërore të Mësuesit, është momenti  i veçantë për të forcuar reputacionin e mësuesit si faktor  me vlera shoqërore për aftësimin e brezave të ardhshëm.

   … përpjekje 

   Mësuesja respektivisht mësuesi është figura më e dashur e një kombi dhe shumë e respektuar. Shqiptarët e robëruar e kishin të ndaluar shekujve shkollimin në gjuhën amtare, andaj për arritjen e mësimit shqip shumë mësuese e mësues ranë dëshmorë  duke derdhur gjakun e tyre për shkronjat e shenjta shqipe. Shekujve u fol shqip, u këndua shqip, u recitua shqip, u shkrua shqip. Tani shkolla shqiptare vazhdimisht po reformohet. Kudo me  krenari kujtojmë historinë tonë të ndriçuar nga emra të mësuesve e mësueseve para të cilëve përulemi me respekt: Pandeli Sotiri, Koço Sotiri, Papa Kristo Negovani,  Anderua Logoreci, Don Mikel Tarabulluzi, Ndue Paluca, Ahmet Duhanxhiu, Kolë Rrota, Justin Rrota, Fadil Gurmani, Agni Papajani, Shaban Jashari e shumë tjerë, janë emra që shndritin shkronjat shqipe shekujve.  

        Urime 5 Tetori- Dita Botërore e Mësueseve dhe Mësuesve! 

Filed Under: ESSE

Bisedë me znj.Shpresa Sinani nënën e dëshmorit të UÇK-së Visar Sinani

October 6, 2022 by s p

Bisedoi: Keze Kozeta Zylo/

“Nënë dhe Baba, Unë sot mora dëftesën e klasës së dytë dhe notat janë ashtu si deshët ju.

Kam sukses të shkëlqyer! Por unë do të iki në mal, se më thërret Atdheu!

Mirupafshim në Liri- Visari”!

Biri juaj i lavdishëm Visari vdiq duke luftuar dhe i kënduar Lirisë, kam qenë shumë e impresionuar kur kam lexuar jetën e tij. Cilat janë disa nga kujtimet për djalin tuaj kur mori pushkën dhe doli për Liri?

Në vitin 2001 kur krisën pushkët për Lirinë në Maqedoninë e Veriut, Visari sapo e kreu vitin e dytë të shkollës së mesme medicinale – drejtimi për teknik të dhëmbëve.

Unë në punë në arsim kisha detyrimet në shkollë dhe Visari e bënte punën praktike dhe duhej t’i merrte notat.

Një ditë kthehem nga puna dhe pres Visarin të kthehet nga shkolla, por ai nuk u kthye! E kërkova në lagje, e thirra babën e vet në Prishtinë, Ramadan Sinani dhe i lajmërova se djali nuk është kthyer në shtëpi! Por,shumë vonë ,hyra në dhomë dhe në bibliotekë e gjeta një letër ku shkruante: “Nënë dhe baba, unë sot morra dëftesën e klasës së dytë dhe notat janë ashtu si deshët ju. Kam sukses të shkëlqyer! Por unë do të iki në mal, se më thërret Atdheu!

Mirupafshim në Liri- Visari”!

Ai i mbushi 17 vjet te Gurri i kuq i fshatit Sellcë dhe aty e festoi ditëlindjen!

Shokët më të vjetër të tij më thërrisnin në telefon duke më thënë se është shumë i ri, por nuk kish forcë, që mund ta kthente! Ishte trim me një trup të gjatë dhe të mbushur! I ndihmonte çdo kujt kur kish nevojë, veçmas në vitin 1999, kur krisi Lufta në Kosovë dhe vëllai i tij i dytë Betim Sinani u kthye nga Gjermania në Shqipëri për t’i kryer ushtrimet e nevojshme!

Të dy ishin bashkë sërish me vëllain Betimin me pushkë në dorë për të kërkuar Lirinë e cunguar! Mori forcë dhe u kalit dhe me vehte thoshte: “Unë do të hakmirrem për gjithë ju, se u rritet me problemet e shqiptareve gjithandej! Vëllai i madh i Visarit, Arsimin policia e pat marrë dhe rrahur aq shumë në Tetovë e Shkup për 24 orë në Autokomandën në Shkup dhe pastaj e kishin hudhur me gjysë shpirti në hyrje të Tetovës! I ndigjonte bisedat tona, se gjyshi nga nëna profesor Qerim Arifi, kish qenë tre vite në burg në burgun Idrizovë të Shkupit! Axha doktor shkencor , Sulejman Arifi 5 vite burg, babai i vet Ramadan Sinani 2 vjet burg në vitin 1968! Nëna në polici 6 orë dhe në gjykatën e Shkupit në vitin 1968 si dëshmitare, sepse ia kishin gjetur një letër në Beograd, që ia kishte çuar një shoku për padrejtësitë ndaj shqiptarëve, ndërrimin e emrave të shkollës së Skenderbeut në Xhepçisht me emrin Liria, edhe pse për shqiptarët s’kishte Liri. Visari na thoshte: “Unë kur të rritem do të hakmirrem për të gjithë ju, për padrejtësitë dhe përndjekjet e gjithë antarëve të familjes”!

Ai i tha vdekjes, “Të sfidoj!” I tha hasmit, “nuk më tremb!” Dhe i vdekur, jam në këmbë!” te shkruara nga poeti: Si u përballë Visari me sllavomaqedonasit kur luftoi në fshatin Brodec të Malësisë së Tetovës?

Ai, Visari i tha vdekjes “Të sfidoj”!

I tha hasmit “ nuk më tremb” “Dhe i vdekur jam në këmbë “

Në fshatin Brodec të Malësisë së Sharrit kishte ardhë nga Prishtina,,sepse atje studjonte drejtësinë në Universitetin e Prishtinës! Nuk u pajtua kurrë,edhe pse e larguam të studiojë atje, por ai edhe më thellë kishte hyrë në jetësimin e Lirisë së plotë dhe ribashkimin e trojeve shqiptare, sepse puna kishte mbetur përgjysmë ! Më ka thirrë një natë në celular dhe më thotë më ço pak tesha më të trasha, se Prishtina është e ftoftë.

Unë i çova do tesha dhe sërish më thirri dhe më thotë : a ke dru në shtëpi? Diçka më therri në zemër se zërri m’u duk se është afër!

Një ditë erdhi të më takonte dhe të merrte bekimin nga nëna, por unë kisha shkuar t’a merrja mbesën nga shkolla nuk u takuam, por i pashë gjurmët e çizmeve ushtarake dhe i kishte ndezur dritat e oborrit! Nuk u takuam!

Cfarë kujtoni në momentet e fundit të Visarit, kishit komunikim dhe si e morët vesh rënien e tij heroike?

Katër ditë pas luftës në Brodec, ku nga toka,ajri 4000 mercenarë e policë i rrethojnë dhe u shterën lajmet dhe asnjë zë nga Visari! Gjersa pastruan gjurmët e krimit dhe terrenin nga luftimet nuk pipëzinte as zogu, vetëm partitë që ishin në pushtet PDSh dhe vizitat e partisë BDI ishin lajmet e vetme!

Një natë në ora 24 më erdhi një lajm,që duhet të largohem nga shtëpia dhe e ngrita mbesën Ilirida nga gjumi dhe nga një rrugë dytësore shkova te kushërira për t’u strehuar dhe të nesërmen shkova te vëllau! Në mbrëmje gjithë shokët e lagjes ishin mbledhur e kishin ardhë në shtëpi sepse kishin lajmëruar në TV se kush janë vrarë në aksionin e Stuhisë Malore!

Tregojne se ai ishte një djalë guximtar, trim e sypatrembur për Atdheun, ndërkohë që fëmijë ai u regjistrua në shkollën e muzikës për piano, cilat kanë qenë ëndrrat e tij?

Visari ishte djalosh trim,syri nuk i trembej fare! Kish një trup si selvi dhe i lartë si ushtar trim! Një djalosh shumë i zgjuar, i bukur dhe shumë i shkathët! Krahas shkollës fillore kish ndjekur dhe shkollën e ultë të muzikës dhe instrument kish zgjedhur pianon! Pas shkollës fillore të muzikës u regjistrua në shkollën e mesme të mjekësisë! Pas kryerjes së shkollës së mesme u regjistrua në Fakultetin e drejtësisë në degën e kriminalistikës! Pas luftës e shihte dhe e ndiente se ushtarët u lanë pas dore dhe nuk i risocializuan ushtarët! Por ja që nuk arriti t’i kryejë, ëndrrat i mbetën përgjysmë…

Bashkëshorti juaj prof. Ramadan Sinani ka dhënë mësim në gjimnazin e Tetovës, cilat kanë qenë disa nga pengesat në procesin arsimor nga sllavomaqedonasit? Luftën patriotike të bashkëshortit tuaj si e përshkruani?

Bashkëshorti im Ramadan Sinani nuk iu lejua të punojë në Maqedoni, sepse kishte qenë i dënuar politik i Demonstratave të vitit 1968. Ai shkoi dhe u punësua në Kosovë, në qytezën e Vitisë si profesor i Gjuhës Shqipe dhe i latinishtes, por edhe prej aty e nxorrën dhe e larguan nga procesi i arsimimit, pas letrës së Titos,se asnjë i burgosur nuk guxon të punojë në arsim dhe u punësua si përkthyes simultant në Kuvendin e Komunës së Prishtinës! Aty punoi 18 vjet dhe në vitin 1990 i larguan të gjithë shqiptarët nga punët shtetërore dhe u kthye në Tetovë. Disa vite mbeti pa punë, por hyri në një televizion privat TV Art. Pastaj filloi të demokratizohet situata në Maqedoni dhe u pranua në gjimnazin e Tetovës, ku para burgimit kish punuar disa muaj në vitin 1968.

Pastaj filluan nismat për një universitet shqiptar në Tetovë,u formua Bashkësia Kulturore Shqiptare, Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë dhe shumë asociacione të ndryshme dhe ishte shumë aktiv! Pas themelimit të UT u emërtua profesor, sepse kishte titullin e masterit në Prishtinë! Pas shumë mundimeve filluam të jetojmë bashkë me tre çunat: Arsimin, Betimin dhe Visarin!

Ju keni qenë mësuese në Tetovë, cilat janë disa nga sfidat që u përballët me regjimet e ndryshme nën Jugosllavinë?

Po vështirë, mbijetova ,që të mbes në procesin arsimor, me shume sfida ndjekje e përndjekje edhe për shkak të babës dhe burrit, por me punë titanike mbeta në punë! Një letër që i kisha dërguar në Beograd një shokut, kisha shkruar për shumë padrejtësi që u bëhen shqiptarëve këtu pasi edhe kisha marrë pjesë në Demostratat e 1968-ës, atëherë me të dashurin tim R.S. dhe kështu ca kolege maqedonase në një mbledhje më paraqitën si pjesëmarrëse në demostrata dhe duhej të më largonin nga puna! Më morën prej mësimit 6 orë në polici, bastisën shtëpinë me pretekst se e kërkojnë përgjigjen e letrës nga Beogradi. Kështu me shumë halle, por me punë të madhe, nxënësit e mij ishin më të mirët, testuan vetëm klasën time në gjuhën shqipe, maqedone, muzikë dhe dituri shoqërie që të shohin a e përmendin nxënësit Kosovën, Shqipërinë, këngët e mësuara, si përmendin emrat e qyteteve shqiptare etj.etj.

Babai dhe burri ishin ata që më mbajshin gjallë duke thënë: babai “bijë ky shtet dhe pushtet don të të plandosë në tokë, mundohu me patina të rrëshqasish mbi akull, por të mos rrëzohesh”!

Ndêrsa burri më merrte me telefon dhe thoshte: “grua : vishu bukur, kokën lart dhe në punë”!

Kështu unë u bërra një mësuese e denjë dhe një grua e forte, përballë një pushteti të egër !

Visari veshi uniformën e UÇK-së cili ka qenë impresionimi I parë kur e ke parë të veshur me rrobat e UCK-së?

E dijsha se fëmijtë e mi të gjithë i kishim edukuar për atdhedashuri ndaj gjuhës, historisë ndaj Shqipërisë Natyrale dhe besojsha se nuk do t më korritin do dalim fitimtarë, se e duam shkollën, arsimin dhe barazinë si të gjithë në botën civilizuese dhe demokratike!

Takimin e bëra në kohë lufte me fëmijët e mij dhe shokëve tjerë luftëtarë, sepse edhe unë punoja në logjistikë dhe kam marrë mirënjohje edhe nga Kosova edhe nga shtabi nga Shipkovica dhe Lidhja E Gruas Shqiptare nga Prishtina, gjegjësisht nga Flora Brovina!

Një ditë me profesor Hamdiun dhe Mamudijen shkuam në Xhermë ti vizitojmë djemtë ushtarë të U Ç K- së! Kur e pashë Betimin me një kalë vinte nga kalaja ku kish çuar ushqimin dhe armë në Kala, pastaj Visari, Argjentin dhe Arditin u stepa se ishin dobësuar, Visari 18 kilogram dhe gjithë armë nëpër trup, që kur s’kishin parë me sy, por atdhedashuria e bëjka të veten! Moralisht ishin shumë të fortë se do vjen fitorja dhe prof.Hamdiu i puthte në ballë nga gëzimi!

U strehuan te shtëpia e mësues Lahit dhe pritshim të vinte Visari nga Sellca! Takim plot mall, por krenare me punën dhe veprën që bënë ata!

Visari sic ka emrin mbetet Visar i Kombit, ndonëse shkoi në përjetësi për të ngelur i gjallë. Ai vazhdon të frymëzojë brezat përfshirë dhe mua që po ju intervistoj si nënë, si mësuese, si heroinë e djemve tuaj dhe e të gjithëve ne qe jemi me gjak shqiptari. Cilat janë disa nga takimet tuaja në përkujtim të Visarit dhe të gjithë ushtarëve të UCK-së nëpër Atdhe?

Visari mbeti në gjerdanin e visarëve të kombit shqiptar. Në momentin që u ballafaqova me humbjen e Visarit unë vendosa të bëhem një nënë e fortë dhe stoike dhe mos të dorëzohem dhe të jem prore verikalisht para popullit tim dhe me kokën lart!

Sepse Visari para se të shkojë në altarin e Lirisë më thirri në telefon dhe më tha: “Nënë ,unë misionin e kreva me nderë, nuk të kam koritë, por ti vec duhet të bëhesh një nënë e forte”!

Asgjë s’ dua nga Ti, vetëm të bëhesh e fortë dhe ta vazhdojsh misionin tënd! Dhe unë nga ai moment jam betuar se do të bëhem e forte, se ti Visar deshe ashtu, dhe amanetin do ta çoj në vend! Ai sakrifikoi rininë e vet në mal me 23 vjet dhe çka më mbetet mua, përveç se ta vazhdoj misionin që ka mbetë përgjysmë, simbolin e unitetit dhe pajtimit kombëtar dhe ti frymëzojë njerëzit edhe me këtë dhimbje të madhe, të mbijetoj!

Të jem një nënë e fortë dhe e denjë siç e kërkon vendi dhe kuvendi!

Më përlotni shumë kur ju shoh me lule në duar para varrit të birit tuaj dhe shkruani në mediet sociale si: Buqetë e freskët, nga nëna për ty, sot!

Jo vetëm juve ju përlot, por kushdo që vjen te vendprehja e Visarit përlotet, por unë nuk qaj,por mendoj çka do flas, çdo përvjetor dhe ruaj krenarinë e veprës së tij dhe shokëve të tij! Shkruan edhe në Lapidar: “Edhe kur bie çohem, kurrë nuk dorëzohem”!

E bëj kopsht me lule dhe shkoj aty në qetësi meditoj dhe kujtoj Visarin dhe shokët e tij! Lexoj vjersha dhe pëshpëris: “Visar! Nëna e mban dhe do t’a çoj në vend amanetin”!

Cila është familja juaj dhe përpjekjet tuaja për jetën dhe 2 djemtë e tjerë?

Familja ime e ngushtë janë dy djemtë e mij Arsimi dhe Betimi. Arsimi është doktor profesor i letërsisë dhe gazetarisë dhe punon në Universitetin e Prishtinës. Gruaja e tij Arlinda Hasani S. ( nusja) është ekonomiste e diplomuar dhe punon si drejtoreshë në një bankë të Tetovës! Ata kanë dy fëmijë : Jonin student i vitit të dytë të arkitekturës në Prishtinë dhe Rroni viti i parë në gjimnazin e Tetovës. Arsimi ka tre vepra të botuara!

Ndërsa Betimi e mori degën e Visarit juridikun në Prishtinë dhe Albona Megjuani S. (nusja) ekonomiste e diplomuar, kanë tre fëmijë, Iliridën e cila ka kryer marketing menaxhment, Visari, Juniori, klasa e katërt dhe Gaia fëmijë 8 muajshe. Jetojnë në Gjermani!

Unë jam pensioniste nga arsimi qe 17 vjet! Burri ka qenë profesor i letërsisë shqiptare me titull magjistër dhe poet dhe ka 7 vepra të botuara!

Ju faleminderit dhe lavdi veprës së birit tuaj Visarit dhe gjithëUCK-së!

Ju faleminderit mësuese Shpresa dhe jetë të gjatë!

5 tetor, 2022

Staten Island, New York

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kozeta Zylo

Bajroni, Faik Konica dhe kënga labe

October 6, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897 ai boton në frëngjisht “Le voyage de Lord Byron en Albanie” . Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli”më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë.

“Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen.(Albania, tetor 1903, nr. 10, viti 7.)

Këto dy këngë mund të kenë qenë një nga kontaktet e para të këngës labe me botën perëndimore në një tekst të shkruar dhe përpos marshit të njohur “Tamburxhi, Tamburxhi” në “Shtegtimet e Çhilde Haroldit” përbëjnë dëshmi të rëndësishme të përfaqësimit të kulturës shqiptare në botë. Duket sikur është një rastësi fatlume , një nga ato rastësitë që ndodhin shumë vjet më parë por që i vijnë kaq shumë në ndihmë të sotmes, që vargjet e këngës labe janë mbledhur në viset e bregdetit shqiptar të Jonit. Ato duken se i kanë paraprirë regjistrimit të parë të këngës labe himariote nga Neço Muko, 90 vjet më parë me këngën emblematike tashmë “Vajzë e valëve”. A nuk ka pashaportë më të fortë dhe më të bukur identiteti sesa këto këngë polifonike që dëshmojnë sa lashtësinë po aq dhe etnicitetin e këtyre viseve. Jo rastësisht Bajroni në himnin e ushtrive të Ali Pashës, “Tamburxhi , Tamburxhi”, na jep një gjeografi jo vetëm fizike por edhe shpirtërore të territoreve shqiptare, kur këndon:

Të bijt’ e Himarës që s’falin as mikun,

Si mundet ta lënë të gjallë armikun?

Si s’markan dot gjak me pushkat besnike,

Ka shenj’ më të bukur se zemra armike?

Kënga labe e këtyre viseve jug-perëndimore të shqiptarisë na vjen e freskët dhe gjithë ritëm duke bashkuar bashkë dhe vargmalet e maleve të Vetëtimave që i përngjajnë valëve të detit dhe detit Jon të Himarës gjithë valë. Duket se malsia dhe bregdeti shtrihen bashkë të harmonizuara në isot gjithë plazëm e jetë të këtyre viseve të mrekullueshme.

Bblliografi:

1- Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Plejadë:2002

2-Shtegtimet e Çajd Haroldit 1973, perkthyer nga Skender Luarasi.

3-Fotaq Andrea. Faik Konica-Përlindesi modern. Zenit 2016

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dorian Koci

Gjethet e vdekura – Përktheu nga frengjishtja: Sadik Elshani

October 5, 2022 by s p

Jacques Prevert/

Oh! Sa kisha dashur që t’i kujtosh

Ditët e lumtura kur ne ishim miq

Në atë kohë jeta ishte më e bukur

Dhe dielli flakëronte më fort se sot.

Gjethet e vdekura mblidhen me lopatë

E sheh, unë nuk kam harruar…

Gjethet e vdekura mblidhen me lopatë

Kujtimet e pendimet gjithashtu.

Dhe era e veriut i bart

Në natën e ftohtë të harresës

E sheh, unë nuk e kam harruar

Këngën që ma ke kënduar.

Ajo është një këngë që ne na përngjan

Ti, ti më ke dashur dhe unë të kam dashur

Dhe ne të dy jetonim së bashku

Ti që më ke dashur dhe unë që të kam dashur.

Por, jeta i ndanë ata që duhen

Qetas, pa bërë zhurmë

E deti i fshin mbi rërë

Hapat e dashnorëve të ndarë.

Gjethet e vdekura mblidhen me lopatë

Ashtu si kujtimet e pendimet

Por, dashuria ime e heshtur e besnike

Përherë buzëqesh e jetën falendëron

Sa të kam dashur, ti ishe aq e bukur

Si mund të dëshirosh që unë të të harroj?

Në atë kohë jeta ishte më e bukur

Dhe dielli flakëronte më fort se sot

Ti ishe mikja ime më e ëmbël

Por, unë nuk duhet të pendohem

Dhe këngën që ti e ke kënduar

Gjithmonë, gjithmonë do ta dëgjoj.

Përktheu nga frengjishtja: Sadik Elshani

Secila stinë e ka bukurinë, magjepsjen e vet, na sjell diçka të këndshme, na frymëzon, na bën të ndihemi mirë, na ngjallë kujtime, mall. Në këtë çast është stina e vjeshtës me tërë bukurinë e saj, ngjyrat e mrekullueshme, pemët plot fruta, vreshtat plot me rrush. Secili e përjeton këtë stinë ndryshe, secilit i ofron diçka të veçantë. “Les feuilles mortes”, që në gjuhë të ndryshme përkthehet si: “Gjeyhet e vdekura, “Gjethet e thara, “Gjethe e vjeshtës”, është një poezi shumë e njohur me motive vjeshte e poetit të shkëlqyer francez, Jacques Prevert (1900 – 1977). Është një poezi melankolike, nostalgjike, vargje që sjellin në kujtesë çastet e lumtura të një dashurie tani të ndëreprerë, të humbur dhe mungesën e së dashurës, sidomos në kohën kur gjethet e vjeshtës fillojnë të bien. Sikurse gjethet e thara që mblidhen me loppatë dhe era e ftohtë e veriut i bart në natën e harresës, ashtu edhe kujtimet e keqardhjet zbehen ngadalë. Por, kënga që e dashura i ka kënduar dikur poetit do të mbetet gjithmonë në kujtesën e tij, për t’i kujtuar ato ditë të lumtura, atë dashuri të zjarrtë. Poezia “Gjethet e vdekura” radhitet si njëra ndër poezitë më të bukura të të gjitha kohërave të letërsisë franceze. E shkruar me vargun e lirë e pa rima, ajo është e rrjedhshme dhe sjell atmosferën, ndjeshmërinë e stinës së vjeshtës. Po aq e bukur është edhe kënga me të njejtin titull, kënduar nga Yves Montand, Edith Piaf, Juliette Greco e shumë këngëtar të tjerë të njohur. Poezia dhe kënga “Gjethet e vdekura” sikur e begatojnë më shumë stinën e vjeshtës dhe ndjeshmërinë e shpirtit tonë, na frymëzon, na ngjall kujtime e mall.

Philadelphia, më 30 shtator, 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT