• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

BRIAN D. JOSEPH, Universiteti Shtetëror i Ohajos

November 7, 2022 by s p

“…. disa veçori të shqipes janë pjesë e trashëgimisë së saj nga proto-indo-evropianishtja, dhe janë në shqip, sepse gjuha është anëtare e familjes së gjuhëve indo-evropiane…”

-Ligjërata akademike “Jeta ime me gjuhën shqipe dhe me gjuhësinë shqiptare: Rëndësia e shqipes për mua dhe për studiuesit e huaj)” që paraqiti sot në gjuhën shqipe, gjatë ceremonisë së dorëzimit të diplomës “Anëtar nderi i Akademisë” –

#AShSh

#BrianDJoseph

#anëtarnderiiASH

“Të nderuarve kolegë të mi të rinj,

Jam thellësisht i nderuar që jam emëruar Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke njohur kërkimet e mia në historinë dhe strukturën e gjuhës shqipe përgjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit.

Për mua, t’i bashkohem radhës së shkencëtarëve të shkëlqyer që përfaqësojnë Akademinë, e ndër ta albanologëve më të shquar, është një njohje që as do të mund ta kisha ëndërruar para më se dyzetë vjetësh, kur iu futa studimit të shqipes si një mënyrë për të zgjeruar kuptimin tim për gjuhët ballkanike dhe për konvergjencën gjuhësore që ato shfaqin.

Meqenëse në studimin e Ballkanit arrita më së shumti nga një perspektivë greke, për shkak të përgatitjes sime si helenist, kur u ndërgjegjësova për veçoritë mahnitëse që mund të shihen në gjuhën shqipe, vetëm atëherë fillova të çmoj plotësisht kompleksitetin e kontaktit gjuhësor në këtë pjesë të globit.

Në shumë mënyra, Ballkani dhe pozita e shqipes japin një mësim për hulumtimin shkencor të gjuhës dhe të historisë së saj. Kontaktet intensive mes popujsh të ndryshëm në këtë rajon kanë çuar në përdorimin e përbashkët të struktorëve dhe fjalëve, duke treguar se, edhe nëse Ballkani është një vatër tensionesh etnike, jo gjithmonë kontaktet kanë çuar në konflikte midis grupeve të përfshira. Në të vërtetë, përfundimi i kontakteve në Ballkan, nga këndvështrimi gjuhësor, është më shumë çështje bashkëjetese paqësore, sesa konflikti dhe grindjeje.

Më lejoni të përmend këtu disa nga karakteristikat e shumta të shqipes që janë dëshmi e këtij kontakti dhe rezultojnë nga ai, për shembull, përdorimi pleonastik i një përemri së bashku me një objekt (si në “E pashë Gjonin” ose “I dha Gjonit” një libër), përdorimi i një forme të foljes të ‘dua’ në kohën e ardhme (si në Do të vij nesër), frazat jopersonale si “Më hahet” ose “Më pihet”, përdorimi i shënjuesit mohues mos si thënie ndaluese me një fjalë, pozicionimi i artikullit të caktuar (pozicioni i dytë në togfjalëshin emëror, si në libri interesant/ interesant-i libër, ndër shumë të tjera.

Megjithatë, disa veçori në shqipen janë pjesë e trashëgimisë së saj nga proto-indo-evropianishtja, dhe janë në shqip, sepse gjuha është anëtare e familjes së gjuhëve indo-evropiane, për shembull, dallimi në mohim midis “s’” për indikativ dhe “mos” për joindikativ, trajta e paskajores gegërisht (që përfshin pjesoren me “-në”, si p.sh. thânë), dhe numri i madh i foljeve me dallime në formë dhe në rrënjë midis së tashmes dhe së shkuarës, p.sh. jep / dhashë, sheh / pa, etj.

Dhe janë disa veçori të pazakonta dhe të papritura nga këndvështrimi i gjuhës njerëzore në përgjithësi, si p.sh. parafjalët që kërkojnë emëroren për formën rasore (do me thënë “tek” dhe “nga”), ose dukje e një elementi të veçantë që lidh emrat me mbiemrat ose emrat me pronorët (si në “libri i madh i Gjonit”, “librin e Gjonit”).

Këto veçori tregojnë se shqipja kontribuon në njohuritë gjuhësore në tri mënyra:

• si gjuhë indo-evropiane, shqipja shton njohuritë tona për mënyrën sesi u zhvillua familja gjuhësore dhe cila ishte forma e gjuhës mëmë

• si gjuhë ballkanike, ajo shton njohuritë tona se sa kontakti gjuhësor mund të ndikojë në një gjuhë dhe llojet e ndryshimeve që mund të ndodhin në situata me kontakte intensiv midis folësve të gjuhëve të ndryshme

• si gjuhë njerëzore, ofron material, nga i cili përcaktojmë gamën e strukturave të mundshme dhe gamën e kombinimeve të veçorive që mund të gjenden në gjuhët njerëzore.

Në të njëjtën mënyrë, shqipja na tregon ndërveprimin midis vazhdimësisë historike dhe ndryshimit në kohë.

Në këtë drejtim, më lejoni të përmend dy raste nga puna ime që përfshijnë semantikën leksikore, ku shqipja tregon vazhdimësi nga njëra anë dhe ndryshim nga ana tjetër.

Së pari, shqipja vazhdon një metaforë të vjetër në mohim në parashtesën negative “as-“, si në “asgjë” ose “askush”, sepse rrjedh nga fraza negative proto-indo-evropiane *ne H2oyu kwid, ku *H2oyu është fjala për ‘jetën e gjatë’, si anglishtja bisedore “Not on your life!” si një mohim i theksuar.

Lidhja e ‘jetës së gjatë’ me mohimin vazhdon në shqipe tani përmes paralelizmit strukturor të dy shprehjeve: shprehja e parë është “kurrën e kurrës”, d.m.th. “kurrë fare”; “jo në një milion vjet”, si një frazë e theksuar negative e bazuar në kurrë, e cila fjalë për fjalë është ndajfolja kurrë, trajtuar si emër dhe shfaqet si kallëzore dhe më pas përsëritet si gjinore, d.m.th. kurrë.kallëzor e një kurrë.gjinor, dhe shprehja e dytë është për (në) jetë të jetëve ‘për përjetësi’, d.m.th. fjalë për fjalë “për (një) jetë(gjatësi) jetese”, me leksemën jetë të përsëritur në raste të ndryshme, fillimisht kallëzore (njëjës) e më pas gjinore (shumësi).

Është e rëndësishme që fjala shqipe “jetë” është argumentuar (nga Eric Hamp) se është zhvilluar nën ndikimin e latinishtes aetas “moshë”; domethënë, nëpërmjet këtyre efekteve të kontaktit, jeta i përket familjes leksikore të *H2oyu, përderisa aetas lidhet me aevus ‘periudha kohore’, një derivat i fjalës për ‘jetë e gjatë’. Metafora vazhdon dhe kemi paralelizma strukturore në këto fraza që theksojnë lidhjen.

Së dyti, në përdorimin e foljes “bie” në shprehjet e motit, “bie shi” / “bie (dë)borë”, vështrojmë një kuptim krejt të natyrshëm, pasi ‘shiu’ dhe ‘bora’ bien nga qielli. Por nga pikëpamja etimologjike, situata është më e komplikuar, pasi bie rrjedh nga rrënja *bher-, që do të thotë ‘mbart’. Pra, ka pasur këtu një ndryshim semantik nga “mbart” në “rënie” që duhet shpjeguar.

Unë sugjeroj se ishin pikërisht këto shprehje të motit që dhanë bazën për këtë ndryshim semantik, pasi fillimisht idioma ishte se diçka – me sa duket një re – mbart shi/borë; një ndryshim në diatezën verbale do të kishte dhënë ‘bartë shiu/bora’ (d.m.th. ‘mbartet’, nga një re), dhe interpretimi natyror do të ishte se shiu ose bora bën atë që bën shiu ose bora, domethënë bien nga reja. Pra, konteksti i shprehjes së motit ofron një bazë për të kuptuar se si “bartja” mund të ndryshojë në “rënie”.

Të gjithë këta shembuj ofrojnë dëshminë për mënyrat sesi shqipja pasuron të kuptuarit tonë për aspekte të ndryshme të gjuhës njerëzore – në raport me gjuhët e tjera dhe në vetvete – dhe tregojnë se gjuha ka ardhur në vazhdimësi me të kaluarën, por edhe me risi, duke shfaqur drejtime të reja. Në këtë mënyrë, ne nxjerrim një mësim të rëndësishëm nga gjuha shqipe, mësim që vlen për të gjitha institucionet njerëzore.

Siç e përmenda, karrierën time e nisa duke u fokusuar në greqishten dhe ndërsa studimi i greqishtes më ka çuar natyrshëm në studimin e shqipes. Meqenëse të dyja janë gjuhë ballkanike, gjithnjë e gjej veten vetvetiu të tërhequr veçanërisht në botën magjepsëse të historisë dhe të analizës strukturore të shqipes.

Në përgjithësi, për mua, ka qenë një kënaqësi që kam qenë në gjendje të ofrojë njëfarë ndriçimi mbi gjuhën shqipe dhe të tregojë se si ajo ofron një pasqyrë në fenomene më të përgjithshme të gjuhës njerëzore.

Dhe të njihem nga Akademia për kontributet e mia është përtej asaj që mund të kisha shpresuar ndonjëherë.

Ndërsa nga njëra anë ky është një nderim personal, nga një anë tjetër më e rëndësishme, ai ka domethënie të madhe për studimet shqiptare në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara. Shqipja, si gjuhë nuk ka tërhequr asnjëherë vëmendjen e plotë të gjuhëtarëve amerikanë, pavarësisht shumë veçorive të saj interesante. Megjithatë, ka një traditë të vogël, por të fortë të studimeve shqiptare dhe unë jam i lumtur që kam luajtur një rol sado të vogël, duke ndihmuar për ta mbajtur gjallë dhe madje për ta lulëzuar atë.

Tash në dhjetëvjeçarin e fundit kam udhëhequr disa diploma studentësh të programit master dhe atij doktoral, të cilët kanë punuar me mua në çështje që lidhen me gjuhësinë shqiptare. Me njohjen më të madhe që më jep anëtarësimi në Akademi, mund të shpresoj që të rritet numri i studentëve në vitet e ardhshme. Në këtë kuptim, të qenët tim Akademik Nderi do të kontribuojë në çuarjen përpara të çështjes së gjuhësisë shqiptare, që është me siguri një çështje e rëndësishme.

www.akad.gov.al

Filed Under: Kulture

AKTIVITETE LETRARE DHE DAKA E LAMES NË TRADITËN KOMBËTARE

November 7, 2022 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

“Pena e Artë – Martin Camaj” iu nda poetit Sylë Bajrami, Çmimi vjetor “Fran Tanushi”, në poezi iu nda Xhevat Muçakut kurse në prozë shkrimtarit Muharrem Blakaj. Pjesëmarrës nga disa vende të Evropës. Organizuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë në bashkëpunim me Klubin Letrar “Martin Camaj“ dhe Klubin Letrar “Bekim Berisha – Abeja“ në Moosburg u mbajt aktivitet i dhjetë letrar shoqëruar me elemente artistike të traditës së lashtë shqiptare. Takimin e drejtoi Mentor Thaqi, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarë në Mërgatë, duke i përshëndetur në emër të organizatorit uroi një mbrëmje të frytshme me letrat dhe artin e kulturës sonë. Kurse Musa Jupolli, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Mërgatë mbajti fjalën e hapjes. Ai mes tjerash tha: “Nëntori dhe Qershori janë dy muaj të shenjtë të Arbërisë, janë muaj të shenjtë të kombit, janë gjuha dhe historia e trojeve Arbërore. Janë muaj dhe data të veçanta, që ndryshe nuk mund të ndodhte. Rruga ishte e gjatë, e mundimshme për ta shpëtuar kombin nga pushtues të egër, për t’i ruajtur vlerat Ilire-Arbërore, gdhendur në gur me shkronja ari. Është Flamuri që na e përkujton shpëtimtarin e kombit, që bota e njeh me emrin Gjergj Kastrioti, është mu ky Flamur që u ngrit në Krujë me 28 Nëntor 1443 e që na e ruajti gjuhën dhe emrin, po me këtë Flamur me 28 Nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë, po me këtë Flamur u themelua Lidhja e Prizrenit me 10 qershor 1878, po me këtë Flamur me 10/12 Qershor 1999 erdhi liria e Dardanisë”. Të pranishëm ishin edhe figura politike nga Atdheu, mes tyre Faton Peci, Ministër Bujqësisë i Republikës së Kosovës, Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin e Serbisë nga Lugina e Preshevës, Medvexhës dhe Bujanovcit. Afrim Nura, Kosull nga Repulika e Kosovës në Bavari. Të tre zyrtarët e ftuar nga Atdheu përshëndeten mërgimtarët dhe aktivitetin e bukur letrare të traditës. Ata shprehën fjalë respekti për mërgatën si pjesë e një trupi të përbashkët të Atdheut. Sylë Bajrami, kryetar i Shoqatës … i përshëndeti të pranishmit dhe ofroj të incizuar në zë Martin Camajn, një përshëndetje e ngrohtë historike e ruajtur me kujdes. Kjo përshëndetje u prit me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.
Në orën letrare prezantuan veprat e tyre letrare nga të cilat autoret/ët lexuan pjesë të zgjedhura përcjellë me muzikë e cila i dha ngjyrë e shije fjalës artistike. Krijimtaria e përcjellë nga juria e Lidhjes së Shkrimtarëve në Mërgatë ndau shpërblimet tradicionale vjetore.
Çmimin vjetor në poezi “Pena e Artë – Matin Camaj” iu nda krijuesit të njohur Sylë Bajrami. Çmimi i LKSHM “Fran Tanushi” për poezi Xhevat Muqaku, ndërsa për prozë shkrimtarit Muharrem Blakaj. Çmimi “28 Nëntori”, piktorit Milazim Ukëhaxhaj, Çmimi “Kongresi i Alfabetit” e mori Shkolla Shqipe në Freising, respektivisht mësuesja Nife Arifaj. Mirënjohje të veçanta iu ndanë: z. Shaip Kamberit, Faton Pecit, Ministër, Konsullatës së Republikës së Shqipërisë dhe Konsullatës së Republikës së Kosovës. Mirënjohje iu nda Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve në Austri “Aleksandër Moisiu”, për aktivitet e saja botuese me rëndësi gjatë vitit. Kurse kryetarit të kësaj Hazir Mehmeti iu nda mirënjohje për botime të dy veprave letrare e publicistike. Mirënjohje morën edhe Milaim Krasniqi, Gazmend Dashi, nxënësja 12 vjeçe Lorina Nebihi. Mirënjohje e veçantë për promovim kulture dhe ruajtje tradite, për vallen burimore Familjes Kurti; Imer e Zyla Kurti dhe pesë fëmijët e tyre. Mirënjohje të veçantë iu nda veprimtarit atdhetar Brahim Gërvalla,
Tetë vite me radhë “Pena e Artë – Martin Camaj”, punohet dhe sponsorizohet nga artisti Sokol Ahmetaj i cili jeton në Francë.

Mbrëmja letrare përveç ndarjes së çmimeve vjetore u shoqërua me lexime poetike nga autorë: Sylë Bajrami, Xhevat Muqaku, Mentor Thaqi, Musa Jupolli, poezi nga Fran Tanushi në shenjë kujtimi me rastin e njëvjetorit të ikjes në amshim.
Darka e Lamës u shoqërua me ceremoni nga tradita kombëtare shoqëruar me kostume kombëtare dhe në veçanti plisi si simboli i vjetër, vegla muzikore frymore: fyej, kavall, okarina të punuara nga legjenda e folklorit burimor Shaqir Hoti. Tradita e pritjes së të ftuarve, ngritja e dollisë festive, fjala e mysafirit dhe nikoqirit, përkujtuan odat tona në kullat e njohura shqiptare. Regjisor i të gjitha këtyre ishte poeti i njohur Mentor Thaqi me ndihmën e grupit të tij.
Pjesa folklorike u shoqërua me këngë e valle të luajtura me vegla muzikore tradicionale shqiptare: lahutë, sharki, çifteli, def, okarinë, kavaj fyej etj. Në mbrëmje u promovua filmi “Mesazhi i Dëshmorit” me regji nga Nexhat Nebihi.
Tradita dhjetëvjeçare e Penës së Artë – Martin Camaj është pasuri letrare e artistike e cila e meriton mbështetjen e të gjithëve, në veçanti institucioneve tona dhe bizneseve. Kjo do ta pasuronte ruajtjen e traditës, kulturës dhe mbi të gjitha gjuhën shqipe brezave në mërgatë, aq e domosdoshme. Përgëzime!

Filed Under: Reportazh

Abdixhiku në takim me bashkatdhetarë: Rrugëtimi euroatlantik i Kosovës nuk bëhet pa miq e aleatë

November 7, 2022 by s p

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, u takua me bashkatdhetarë dhe struktura të degës së LDK-së në Gjermani. Kryetari Abdixhiku në fjalën e tij vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e mërgatës në vazhdimësi që nga ditët e para e deri më sot. Ai potencoi kontributin për shkollat shqipe, mësuesit, mjekët dhe gjithë aparatin shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe në orët kritike Abdixhiku tha se mërgata i dha Kosovës burrat, gratë, djemtë e vajzat deri në flijimin e tyre në altarin e lirisë. “Ju, të dashur bashkatdhetarë, ishit burim i pashtershëm organizativ, financiar e logjistik. Angazhimi i juaj, gjatë viteve të 90-ta, është shembull mobilizimi e ideali. Për këtë angazhim, Kosova, atdheu i juaj, gjeneratat e sotme e të ardhme që do të vijnë; do të jenë mirënjohës përherë. Asnjë mërgatë, e asnjë vendi tjetër – në gjithë historinë moderne të kontinentit tonë, nuk mund të arrijë standardin e vënë nga ju. Kontributi i mërgatës sonë nuk u ndal tek liria. Kjo mërgatë e jona, ndihmoj fillimisht me rindërtimin e Kosovës, e më pas dhe me mbijetesën e vështirë të popullit të Kosovës. Por mbi të gjitha, më e rëndësishmja, ishte mbështetja juaj për angazhimin e Presidentit Rugova. Kjo mbështetje, e shoqëruar nga një mbështetje popullore e padiskutueshme për rrugëtimin e tij e tonin, kulmoj më 17 shkurt të vitit 2008 me pavarësinë e Republikës së Kosovës; aktit më të lartë historik të shqiptarëve të Kosovës”, tha kryetari Abdixhiku. Pasi që vlerësoi lart rolin e mërgatës për Kosovën në vazhdimësi, Abdixhiku tha se është shumë i lumtur që në këtë takim sheh njerëz që kanë nisur kontributin për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para, si dhe njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para. “Me Lidhjen Demokratike të Kosovës, u lindën dhe aspiratat e artikuluara politike për liri, për pavarësi, për demokraci. Postulati themeltar e identitar, është ndërtuar nga një burrë i madh shqiptar, një patriot i papërsëritshëm historik, nga ati themeltar i Republikës së Kosovës e bartësi i lëvizjes më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova”, tha Abdixhiku.
Në fjalën e tij para një numri të madh të bashkatdhetarëve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kushtrimi i rugovistëve do të bëj jehonë.
“Kur kushtrimi të bjerë në mërgatë e Kosovë, një gjë e dimë të gjithë, se kjo shtëpi politike bëhet e pandalshme, e pathyeshme, e paarritshme, ndaj sot ndjehemi të tillë”, tha Abdixhiku para të pranishmëve.

Abdixhiku më tej paraqiti pikëpamjet për mërgatën, orientimet e brendshme të LDK-së dhe vizionin Kosovën e së ardhmes. “E shkuara e jonë e përbashkët është e lavdishme. E ardhmja me ne është e domosdoshme. LDK duhet të jetë vendimtare dhe prijetare e proceseve integruese në dekadën e saj të katërt të veprimit politik. Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është udhërrëfimi jonë”, nënvizoi Abdixhiku. Abdixhiku, theksoi se LDK është kthyer tek anëtarësia e qytetarët si dhe ka hapur dyert për të rinj e të reja, për të ndërtuar gjeneratën e ardhme politike në vend. Në fund të fjalës së tij, Abdixhiku i ftoj bashkatdhetarët dhe strukturat e LDK-së që të bëhen bashkë, siç tha ai, për ta përmbushur misionin historik; integrimin e Kosovës në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të. “Kam ardhur këtu të shtroj ftesën për një besëlidhje. Që të bëhemi të gjithë bashkë, t’i kthehemi qëllimit tonë fillestar të organizimit politik – atë që na mësoj prijësi ynë historik Rugova – e të ringritemi të gjithë për një qëllim të vetëm: t’i japim atdheut tonë të ardhme, ta dërgojmë Kosovën në familjen Evropiane. Ky është misioni ynë historik. Ne duhet të përfundojmë misionin e nisur 33 vite më parë, të një shteti të pavarur e sovran, të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të. Dhe në këtë mision historik, mërgata jonë, bashkatdhetarët tanë, Dega jonë në Gjermani, të djathtit, rugovistët, patriotët e të gjitha anëve, kanë rol thelbësor.”
LDK – Zyra për Informim

Filed Under: Analiza

Në kujtim të 100- vjetorit të lindjes së Androkli Kostallarit (1922-1992)

November 7, 2022 by s p

Bledi Filipi 

Si  sot, një shekull më parë, në 7 nëntor 1922, lindi gjuhëtari Androkli Kostallari. 

Lartësimi i shqipes ishte forca e rëndesës që e priu drejt përmbushjes së vokacionit të tij, gjuhësisë. Zotëronte një formim teorik tejet të gjerë, si rezultat i hulumtimeve vetjake dhe i studimeve të ndjekura në Universitetin “Lomonosov” të Moskës (1949-1954).

Ka zënë vend në enciklopedinë e gjuhësisë shqiptare me personalitetin e vet shkencor krahas figurave të shquara, si: A. Xhuvani, E. Çabej,  K. Cipo, M. Domi, I. Ajeti, S. Riza etj., që së bashku me gjuhëtarë të tjerë të mëparshëm si: S. Frashëri, K. Kristoforidhi etj., si dhe albanologë të shquar të së kaluarës e të së tashmes, krijuan e pasuruan atë që quhet trashëgimia e gjuhësisë shqiptare.

  Në opinionin shkencor shqiptar emri i këtij studiuesi të shquar të shqipes, lidhet në rend të parë  me ndihmesën e tij të madhe për njësimin e shqipes standarde dhe në fushën e leksikografisë shqiptare; përkatësisht në hartimin e Fjalorëve shpjegues të shqipes dhe fjalorëve dygjuhësh , dhe sidomos fjalorëve terminologjikë, përfshi këtu edhe organizimin  dhe udhëheqjen e punës për realizimin e tyre. (Kostallari 5-209)

Por do të ndalemi në ndihmesën e drejtpërdrejtë në fjalëformimin e shqipes, këtë  e sjellin studimet e tij të gjera mbi kompozitat.

 Punimet e tij hedhin dritë mbi disa veçori themelore të fjalëve të përbëra dhe mbi zhvillimin e tyre.

 Prof. Kostallari vërteton qenien e kompozitave të mirëfillta me krahasime të shumta me sanskritishten, greqishten dhe latinishten, dhe e mbështet mbi dëshmimin e gjerë të tyre në dialektet dhe në shkrimet e vjetra të shqipes.

Të gjitha studimet dëshmojnë se ai ka ecur në hullinë e hapur nga K. Kristoforidhi e S. Frashëri, mbështetet drejtpërdrejt në shqipen popullore dhe i pasqyron objektivisht fjalët e përbëra. Këtë traditë më parë e kishin ndjekur edhe N. Jokli, me artikullin “Naim Bej Frashëri dhe pasunimi i gjuhës shqipe”, K.Cipoja me punimet “ Rreth disa kompozitave”, dhe A. Xhuvani me punimin “Kompozitat”, të cilët u mbështetën  në materialin e gjallë leksikor të shqipes së shkruar dhe të folur. (Kostallari 5-203)

Megjithatë, këta autorë e kuptuan se studimet e  formimeve të përbëra si një punë që sapo kishte nisur dhe shtruan detyra të gjera lidhur me të. A. Xhuvani, bie fjala, vinte në dukje se kompozitat e shqipes u hapnin studiuesve “ një shesh të madh studimi, pse janë shumë e gjithfarësh” dhe atyre duhet t’i kushtohet një studim i gjithanshëm dhe i shkoqitun” (A.Xhuvani-11)

Punimet e prof. Kostallarit duket se e kanë dashur të përmbushin këtë detyrë. Ato përshfaqin një problematikë të gjerë e mjaft të shkoqitur për historikun e kompozitave.  

Vepra e tij mbetet një pikë referimi për çdo studiues të shqipes brenda dhe jashtë vendit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bledi Filipi

Pesë vizitat e Shën Nënë Terezës në Kosovë

November 7, 2022 by s p

Nga Don Lush GJERGJI/

Në 25-vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës, për lexuesit e Dritës Don Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës, i sjell, si kujtim i bukur bekues, pesë vizitat e saja në Vendin tonë.

Shën Tereza jonë ishte pesë herë në Kosovë:

  1. Vizita e parë e Nënë Terezës ishte më 9-12 korrik 1970. Gjatë kësaj vizite ka qenë në këto vende: Prizren, Shkup, Letnicë, Ferizaj, Gjakovë.

Ndër personalitete të atëhershme kishtare ka takuar: Imzot Joakim Herbut, ipeshkëv, Imzot Nikë Prela, ipeshkëv, e shoqëruar nga Mons. Nikollë Mini, famullitari i atëhershëm i Przrenit dhe kushëriri i saj. (Rreth kësaj vizite më gjerësisht lexo:  Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, DRITA, 1990, botimi i dytë, f. 233-235).

Mons. Nikollë Mini gjatë intervistës me Nënën Tereze  (Prizren, 12 korrik 1970).

  1. Hera e dytë ishte 28-30  mars 1978 vizitoi: Shkupin, Ferizajin, Prizrenin, Letnicën dhe pati shumë takime edhe me popull:

Mesha me popull dhe kler në  barakën në “Bitpazar” në Shkup;  fjalët përshëndetëse të Imzot Joakim Herbut dhe Imzot Nikë Prela;  Fjala e Nënës Tereze; Biseda e Nënës Tereze me televizionin e Shkupit; Përshtypjet pas takimit me Nënën Tereze. (Më gjerësisht lexo, Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 235-249).

Nënë Tereza dhe Don Lush Gjergji duke e kënduar këngën e Zojës së Letnicës, “N’Cernagore kem nji Nanë”. (Letnicë, 1978)

Nënën Tereze në Kishën e “Bitpazart” (lagje e Shkupit) me Don Lush Gjergji dhe Don Tomë Pjetri (Shkup, 28 mars 1978).

Nëna Tereze në kapelë në “Bitpazar” (Shkup, 28 mars 1978).

  1. Hera e tretë ishte 26 – 29 qershor 1980: Shpallet “Qytetare e Nderit” të Shkupit dhe pati shumë takime publike:

Me kryetarin e Shkupit, Metodi Antonov; nënkryetarin e KE të RSM-së Vasil Tugjarov; vizitoi varrin e babait të saj Kolë Bojaxhiut;  jetimoren e Shkupit; takimin me gazetarë.

Me 27 korrik 1980 ishte në Binçë:

Mesha me popull, me fjalën e rastit të Imzot Joakim Herbut, Imzot Nikë Prela;  dhe fjala e Nënës Tereze;  Vizita e Nënës Tereze në Letnicë;

Më 28 korrik 1980 Nëna Tereze në Prishtinë: takimi në Këshillin Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës  me kryetarin Bahri Oruçi, nënkryetarin Pajazit Nushi dhe bashkëpunëtorët.

Më 29 korrik 1980 largimi i saj nga Kosova, Prishtina. (Më gjerësisht lexo: Dr. Lush Gjergji, vep. e cit., f. 249-279).

Intervista e Avni Spahiut me Nënë Tereze (Prishtinë, 26. 06. 1980).

Nëna Tereze me Bahri Oruçin (Prishtinë, 28. 06. 1980).

Nëna Tereze me Bahri Oruçin (Prishtinë, 28. 06. 1980).

Nëna Tereze me Vasil Tugjarov (Shkup, 27. 06. 1980).

Nëna Tereze me kryetarin e Shkupit Metodi Antonov (Shkup, 27. 06. 1980).

Nëna Tereze me dy ipeshkvintë e atëhershëm, Imzot Joakim Herbut dhe Imzot Nikë Prela (Letnicë, 28. O6. 1980).

Nëna Tereze në kishën e “Shna Ndout” duke e lutur Rruzarën me popull  (Binçë, 28. 06. 1980).

Nëna Tereze me murgesha dhe meshtarë (Shkup, 27. 06. 1980). 

  1. Hera e katër ishte në Kosovë 22-23 tetor 1982, me vizitë në Shkup, Letnicë, Ferizaj, Prizren, Zllokuqan dhe Pejë.

Gjatë kësaj vizite Nëna Tereze e hapi kuvendin e “Misionareve të Dashurisë”, me ftesë të famullitarit të atëhershëm, të ndjerit  Dr. Don Gjergj Gjergji.

Nënë Tereza e shoqëruar nga Don Mark Sopi, famullitari i Zllakuqanit dhe Don Fran Sopi, famulltar i Klinës (1982).

Nëna Tereze në kishën “Shën Katarina” (Pejë, 22 tetor 1982).

Nëna Tereze me Imzot Nikë Prela, Don Lush Gjergji dhe Don Fran Sopin. Don Lush Gjergji ia dhuron Nënës Tereze monografinë e parë “Nëna jonë Tereze” (Pejë, 22 tetor 1982).

Imzot Nikë Prela dhe Nëna Tereze (Pejë, 22 tetor 1982).

Nënë Tereza me Imzot Nikë Prela, meshtarë dhe motra të Kosovës (Pjeë, 22 tetor 1982).

  1. Hera e pestë gjatë qëndrimit të saj në Zagreb  17-19 korrik 1986, ishte në vizitë private motrave të saja në Pejë dhe në disa vende tjera (18. 07. 1986).

Me atë rast i dhurova Nënës Tereze monografinë “Lule për Nënën” dhe pata një intervistë me të për revistën tonë “DRITA”.  (Intervista dhe fotografitë janë botuar tek Revista “DRITA”, nr. 7-10, 1986, f. 8-9).

Nënë Tereza Intervistohet nga dy meshtarët e Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi (momentalisht argjipeshkëv i Tivarit në pension (Pjejë, 18. 7. 1986)

Nënë Tereza Intervistohet nga dy meshtarët e Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi (momentalisht argjipeshkëv i Tivarit në pension (Pjejë, 18. 7. 1986)

Nënë Tereza Intervistohet nga dy meshtarët e Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi (momentalisht argjipeshkëv i Tivarit në pension (Pjejë, 18. 7. 1986).

Nënë Tereza Intervistohet nga dy meshtarët e Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi (momentalisht argjipeshkëv i Tivarit në pension (Pjejë, 18. 7. 1986)

Nënë Tereza Intervistohet nga dy meshtarët e Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Don Zef Gashi (momentalisht argjipeshkëv i Tivarit në pension (Pjejë, 18. 7. 1986)

Don Lush Gjergji i dhuron Nënës Tereze monografinë “Lule për Nënën”.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT