• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2022

Çështja e pazgjidhur Çame së shpejti në kongresin Amerikan

November 7, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Çështja shqiptare na bashkon të gjithëve pavarësisht nga bindjet politike, fetare apo krahinore…

Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, z.Gregory Meeks premtoi në praninë e shqiptaro amerikanëve se do të thërras në Kongresin Amerikan z.Sali Bollati të mbijetuarin e genocidit grek të dëshmojë për masakrat greke.

Në restorantin “Cello” në Staten Island Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane me Presidenet ish Kongresistin me origjinë arbëreshe Joe DiGuardi në bashkëpunim me organizatën “Rrënjët Shqiptare” organizuan darkë Kongresi për Çamërinë: “Çamëria Congressional Dinner”.

Darken për çështjen e Çamërisë e hapi aktivisti i njohur z. Safet Doci i cili përshëndeti të pranishmit dhe fjalën ia dha z.DioGuardi.  Joe DioGuardi ishte Kongresisti Amerikan që i kishte futur frikën në palcë Hitlerit të Ballkanit.  sllobodan milloshevicit i cili të vetmin që zuri në gojë në gjyqin e Hagës ishte Joe DioGuardi dhe Liga e tij Shqiptaro Amerikane që drejtonte.  

Fjala e tij u mirëprit me duartrokitje të zjarrta si heroi i shqiptarëve, pasi ai ishte i pari në Kongresin Amerikan që sensibilizoi opinionin për çështjen e Kosovës, ku shumica e kongresistëve, senatorëve nuk dinin se çfarë po ndodhte nga Hitleri i Ballkanit rreth shqiptarëve në Kosovë.  E njejta gjë do të ndodh vazhdoi Joe DioGuardi me Gregory Meeks i cili do të ngrejë çështjen çame në Kongres dhe do të sensibilizojë opinionin e ligjvënënsve amerikanë në Kongres.  

Po me aq duartrokitje u mirëprit fjala e z. Sali Bollati të mbijetuarit nga genocidi grek.   Unë tha z. Bollati kam lindur në Paramithi të Çamërisë më 1937.  Më 27 Qershor 1944, kur isha vetëm 7 vjeç; monarkofashistat grekë mbasi masakruan barbarisht, më vranë 7 njerëzit më të dashur e më të shtrenjtë të familjes sime: gjyshin Muharrem 82 vjeçar, gjyshen Ruhije 72, babain Ibrahim 52, nënën Betula 36, vëllain e madh Ferhatin 13 vjeç, vëllain e vogël Farukun 5 vjeç dhe motrën e vogël  Makbulen 2 vjeçe. Vetëm ne Paramithi u masakruan mbi 600 njerëz, në gjithë Çamërinë 2900, u përzunë me dhunë mbi 40,000 Shqiptarë Çamë, nga trojet etnike shqiptare.

Duhet të dënohet genocidi i ushtruar grek ndaj popullatës së pafajshme Çame;

Çamëria (Thesprotisë) krahina më jugore e Trojeve Etnike Shqiptare eshtë pushtuar që nga 

1913-ta nga Greqia.

Fjala e tij preku jo vetëm zemrat e vëllezërve dhe motrave shqiptare, por edhe të tre Kongresistëve që ishin aty prezent në këtë darkë Kongresi për Çamërinë.

Në këtë darkë ishin disa shqiptarë aktivistë me origjinë nga Çamëria si bashkëshortët Mimoza dhe Izmir Bako tëcilët medoemos mezi e presin ditën e zgjidhjes së Çështjes Çame.

Kongresmeni Gregory Meeks i zgjedhur për 13 herë është Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, anëtari i parë me ngjyrë i Kongresit që shërben si Kryetar i Komitetit.  Politikani i lartë në Kongresin Amerikan premtoi se do të thërras në Kongresin Amerikan z.Sali Bollati si dëshmitar dhe i mbijetuari i masakrës greke.  Premtimi i tij u mirëprit me ovacione të stuhishme, pasi është hera e parë që çështja çame do të sillet në vëmendjen e ligjvënënsve Amerikanë. Ky është një ogur i mirë për të gjithë ne shqiptarët, çka tregon se ne kur bashkohemi jemi më të fuqishëm dhe më pranë çështjeve të pazgjidhura kombëtare. Ne vazhdoi kongresisti Meeks historinë duhet ta mësojmë sic është me të vërtetat e saj si në rastin në fjalë të Çamërisë.

Shume e veçantë ishte fjala e aktivistit të njohur, atdhetarit të zjarrtë z.Uka Gjonbalaj.  Ndonëse është me pikëpamje republikane, ai foli aty si shqiptar që i dhëmb Kombi, i dhëmbin çështjet e padrejta, i dhëmbin trojet e shkëputura me të padrejtë nga trugu amë.  Z. Gjonbalaj vazhdimisht ndër vite është në krah të Çamërisë dhe mbështet pa rezerva çështjen e saj. 

Fjalim i zjarrtë ishte dhe i ish kongresistit Max Rose i cili ka hedhur kandidaturën përsëri për në Kongresin Amerikan.  Ai tha se është në krah të Çamërisë dhe nuk do të rresht për t’ju mbështetur për cështjen çame.  Kandidatura e tij u mbështet nga Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, z.Gregory Meeks.  

Darka e kongresit për Çamërinë ishte premtuese dhe besimplotë.  Është merite e aktivistëve të shquar, e organizatave të mirënjohura Ligës Qytetare Shqiiptaro Amerikane dhe Rrënjët Shqiptare që organizuan për herë të parë Darkë Kongresi për çështjen e pazgjidhur çame dhe premtuan shumë…

Dhe ashtu siç thotë historiani i shquar zviceran Dr. Aleksandre Lambert se: “Çështja Çame është çështje shqiptare që kërkon zgjidhje.  E kam mbrojtur me bindje shkencore dhe do të vazhdoj ta mbroj Çështjen Shqiptare. Europa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi, në kurriz të shqiptarëve”.

Ne shqiptarët të bashkuar dhe vetëm të bashkuar mund t’i heqim plagët kanceroze që na kanë shkaktuar ndër shekuj, provat i kemi dhënë me Kosovën.  Le të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona kombëtare të mohuara, dhe këto fillojnë nga tempulli i Demokracisë në botë në Washington.  Dhe Shqipëria do të bëhet!

Darka u filmua nga TV “Alba Life” New York me kameraman Enes Basha dhe themelues dhe producent Qemal Zylo.  Aktiviteti do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive.

5 Nëntor, 2022

Staten Island, New York 

Filed Under: Opinion Tagged With: Keze Zylo

ZERI I AMERIKES – SHBA: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në dhunë

November 7, 2022 by s p

https://www.zeriamerikes.com/a/6822811.html

06 nëntor, 2022


Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të zgjedhin rrugën e bisedimeve dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe përplasje.

Një zëdhënës i ambasadës amerikanë në Prishtinë tha të dielën se Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe vënë në rrezik paparimin e rëndësishëm të arritur në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka mundësi për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Të gjitha palët e përfshira duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe qëndrueshmërinë në Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshëm dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, tha zëdhënësi.

LEXONI EDHE KËTË

Serbët vendosin të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës

Së këndejmi, tha ai, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të dala nga bisedimet të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën lokale.

Në të njëjtën kohë, “ne përsëri i bashkohemi BE-së në thirrjet për t’u kërkuar autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të makinave dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të dialogut”.

LEXONI EDHE KËTË

Ambasadori amerikan kërkon shtyrjen e afatit për targat – dënon incidentet në veriun e Kosovës

Kjo, tha zëdhënësi, gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Parlamenti i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e e tij detyrim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë detyrim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës.

Është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe qëndrueshmërinë në në terren dhe veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar, tha zëdhënësi duke theksuar se Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje palëve të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe përplasje. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të dala nga bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian, tha ai.

LEXONI EDHE KËTË

Serbët protestojnë në veriun e Kosovës

Tensionet ndërmjet Kosovë dhe Serbisë u shtuan gjatë fundjavës pasi Lista Serbe, subjekti kryesor politik vendosi tërheqjen e plotë nga të gjitha institucionet e Kosovës për shkak të mospajtimeve me vendimin e autoriteteve të Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Me një nëntor autoritetet e Kosovës filluan zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për targat e makinave që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm, por kjo kundërshtohet nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës. Vendimi i qeverisë së Kosovës u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për një shtyrje dhjetë muajshe.

Me 3 nëntor autoritetet pezulluan nga puna komandantin e policisë në veriun e Kosovës Nenad Gjuriç për shkak të refuzimi të tij për të zbatuar vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave.

Ky ishte shkasi që përfaqësuesit serbë pas këshillimeve me Beogradin, vendosën të tërhiqen nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u bëri thirrje të dielën qytetarëve serbë në veri që t’i rezistojnë trysnisë së Beogradit dhe të mos heqin dorë nga vendet e punës duke thënë se Serbia po përpiqet të destabilizojë Kosovën.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç hodhi poshtë të dielën të ketë ndikuar mbi serbët për t’u tërhequr nga institucionet ndërsa shfaqi shpresën se “Shtetet e Bashkuara do të vendosin që misioni i NATO-s në Kosovë, dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës”.

Ai shfaqi, siç tha, frikën se situata mund të përshkallëzojë “nëse amerikanët mendojnë që këtë punë mund ta bëjnë shqiptarët, e diçka e tillë nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vullnetin e popullit…”.

Filed Under: Politike

Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani lidhur me njoftimin për tërheqjen e përfaqësuesve të zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës nga institucionet e Republikës së Kosovës

November 5, 2022 by s p

Veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit.

Tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin.

I siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës se institucionet do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në çdo cep të territorit të saj në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar.

Zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike. Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë. Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës.

Komunikimi dhe bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe institucionet e Kosovës do të përkujdesen që secili qytetar i Kosovës në secilën pjesë të territorit të saj të marrë shërbimet e nevojshme nga institucionet pa ndonjë ndërprerje.

I bëjmë thirrje serbëve të Kosovës të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destablizuese ndaj Kosovës dhe rajonit. Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, si dhe mbetet e pozicionuar qartë në rrugën e saj euroatlantike. Veprimet e institucioneve për barazi të të gjithëve para ligjit janë në përputhje me standardet më të larta dhe vlerat evropiane. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe askush nuk do të mund ta ndalojë këtë rrugë.

Por, është Beogradi ai i cili po tenton destabilizimin dhe i cili mbanë raporte të ngushta me Rusinë dhe është vegël e saj në këtë pjesë të Ballkanit.

Filed Under: Analiza

VATRA FTON TË GJITHË SHQIPTARËT NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 5, 2022 by s p

Filed Under: Featured

ATAOL BEHRAMOĞLU, POETI QË NA TREGOI STATUJËN E VET…

November 5, 2022 by s p

Nga Visar Zhiti/

Me poetin turk Ataol Behramoglu u miqësuam shpejt. Mbase shkaku i parë ishin gratë tona, edhe ato u miqësuan menjëherë, por jo, s’do mjaftonte vetëm kjo. Natyrisht as 500 vjetët, kur Shqipëria jonë bënte pjesë në Perandorinë Otomane, edhe pse nuk e zumë me gojë Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, megjithëse Eda ime, kur ai u interesua për gjuhën shqipe, po i thoshte se ishte e vetmja gjuhë që u ndalua gjatë sundimit turk dhe s’pati shkolla shqipe. Ai heshtëte.

Dëgjonte me vëmendje. Fliste me kujdes, bëhej i këndshëm dhe i dashur. A thua ndikoi në mbarëvjajtjen e mirëkuptimit tonë, kaq përzemërsisht, një mynxyrë: që kishim qenë në burg të dy, secili në vendin e vet, madje dhe në kohë të njëjtë, unë para tij disa vite dhe pas tij disa vite të tjera. Apo që ishim në një vend tjetër të dy, asnjëanës si të thuash, paqësor, në Rumani, në verën e qytetit Craiova. Por më të gëzueshme e bëri bisedën tonë statuja e tij. Poeti Ataol Behramoglu ka një statujë në atdhe, në Stamboll, ku e shohin të gjithë, edhe ai vetë…​​​

Vërtet, dhe je gjallë? – Qeshëm me të madhe. S’e di se si u hap kjo bisedë, mbase hanëmia e tij, Hülya. ia tregoi hanëmes time, Eda, dhe unë pata kërshërinë që ta shikoja, të ma tregonte, duhet të kishte ndonjë foto të statujës në celular a të vetes bashkë me të, se nuk janë e njëjta gjë, ia thashë, madje duhet të jenë shumë të ndryshëm, besoj.

Ja, ai në bronz, në Parkun Sailer Sofasi, Ataol Behramoglu – poet, duke recituar, në këmbë si tani para meje. Ekrani i vogël i celularit vezullonte si pasqyrë magjike.

E si të duket, kur e shikon statujën tënde? – e pyeta gëzueshëm.

Jam më i ri, – tha. Kaq.

Dhe u ktheva nga e shoqja:

​E cili është më i mirë, ai apo statuja e tij? – e pyeta. Iu zmadhuan sytë. Kishte ca sy të bukur orienti, gazmore dhe ajo si i shoqi, vinte pak më e bëshme.

​Ky! – tha. Pra Ataoli eshte më i mirë se statuja e tij. Absolutisht po. Edhe Ataolit i ndritën sytë. Nuk të besohej që ishte 80 vjeç sivjet, veshur sportiv, madje gazetat në vendin e tij shkruanin me skepticizëm se ai së vonë kishtu nisur sportin e sërfit, të rrëshkiste mbi dallgët e larta të detit mbi një cope dërrasë dhe ia kishte dalë. Çfarë aventure! Qeshi prapë. Trup drejtë, jo dhe aq i hollë, por s’duhej të kishte asnjë problem me shëndetin, në këtë moshë dëgjon vetëm ankesa, tension, zemër… si organ, jo si organ dashurie.

Po i thosha Ataolit që kisha lexuar prej tij në antologji të poezisë së sotme turke, por dhe në antologji të tjera europiane.

Tani që mora vesh që kishte dhe statujë, po kërkoja të dija më shumë dhe po kërkoja. Se edhe statujat janë poseduese. Shkruhej se kishte lindur në Çatalca në afërsi të Stambollit në vitin 1942, ai, jo statuja e tij. Në 1942 në moshën 23 vjeçare kishte nxjerë përmbledhjen e parë me poezi dhe diplomohet në Universitetin e Ankarasë në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Ruse në vitin 1966. Në vitin 1970 botoi librin e dytë me vargje “Një ditë patjetër”. Që do të ribotohej shumë herë e deri më sot si një vazhduese e traditës poetike të Nazim Hikmetit (1902-1963) me dukuritë e reja të simbolizmit dhe surrealizmit. Në këtë kohë do të niste të lexonte poezitë veta përpara audiencave të mbushura me studentë. Ndoshta këtu do të kapej njëri nga detajet e bronzta, një gjest për statujën. Por dashuria e tij për Nazim Hikmetin do të ishte një statujë tjetër.

Në vitin 1970 u largua nga Turqia për të udhëtuar, për të zgjeruar dijet në letërsi dhe gjuhë, kështu shkruhet. Jetoi në Londër dhe Paris, ku u takua me Pablo Neruda-n dhe Louis Aragon. Ai mori pjesë në themelimin e “Theatre de Liberté” me seli në Paris dhe bashkëpunoi me të. Boton përkthime të tij në Turqi: Pushkin, në dy volume, proza, M. Gorky, dramat e Chekov. Punoi si studiues/asistent në Fakultetin e Filologjisë Ruse të Universitetit Shtetëror të Moskës, Katedra e Letërsisë Ruse dhe Sovjetike. Në këtë kohë të gjithë studentët shqiptarë, që kishin qenë atje, i kishin kthyer në atdhe. Ishin prishur marrëdhëniet…

Libri i tretë, “Poezitë e rrugës, të mallit, guximit dhe të luftës”, del në Turqi në 1974 dhe kthehet dhe ai vetë dhe punon si dramaturg në Teatrin Komunal të Stambollit. Nxjerr përmbledhjen tjetër “As shi… as poezi” (1976) e kështu me radhë…

Unë do të isha student në Shkodër, kur do të ndeshja emrin e tij së pari, kështu më duket, Ataol, më bëri përshtypje, Behramogllu, duhet të jetë Bajram, në një revistë rusisht, e kishte marrë një shok imi i dhomës në Bibliotekën e qytetit nga një mikeshë, fshehurazi. Poeti tjetër turk, Fazil Daglarxha, kishte poezi të shkurtra, për një natë sa kishim ne revistën, i përktheva…

Ataol B, lexoj, shkon në Greqi dhe takohet me Janis Ricos. Përkthehet në greqisht, pritet mjaft mire poezia e tij, që do të ribotohej disa here atje dhe me lëvdatat e Ricos-it.

Pas okupimit ushtarak të 12 shtatorit 1980, u detyrua të largohej nga posti i tij në Teatrin Komunal të Stambollit.

Në këtë vit mua me çojnë në burgun e Spaçit, i dënuar me 10 vjet burg për poezitë mia.

Libri i fundit i Behramoğlu konfiskohet dhe ai u mbajt në paraburgim për disa kohë.

Në vitin 1981 mblodhi një seri poezish humoristike dhe kritike, që u muzikuan dhe u konsideruan si një nga shembujt e parë të kabaresë politike turke. Boton përkthimet e tij të poezive të zgjedhura nga vepra e Aragonit, Brehtit, A. Jozef, Lorka, José Marti, Majakovski, Neruda, Petëf, Pushkin, Ricos e të tjerë me titullin “Balladat e trishtimit”.​​​​​U arrestua në mars 1982 së bashku me anëtarët e tjerë të komitetit ekzekutiv të Shoqatës Turke të Paqes. U mbajtën në kushte mizore në Burgun Ushtarak të Maltepes deri në nëntor 1982, kur u liruan me kusht.​

Unë vazhdoja të isha në burg. Atij iu dha çmimi “Lotus” nga Unioni i Shkrimtarëve Afro-Aziatikë në 1982. Një vit më pas u dënua me 8 vjet punë të rëndë dhe internim të brendshëm. Ikën në Paris me pasaportë tjetër. Më tregoi se bënte sikur nuk dinte turqisht në dogana, e provokonin gjithë natën në gjuhën amë dhe ai memecëronte. Nis punën në Institutin Kombëtar të Sorbonës për Gjuhët dhe Qytetërimet Orientale, në Qendrën për Poezinë Krahasuese. Përfaqësonte Turqinë në Festivalet Ndërkombëtare të Poezisë, etj, etj.

Tek ne as që bëhej fjalë për ndonjë amnisti të të burosurve politikë. Po përgatitej revolta e dytë, ajo e Qafë Barit.

Në 1985 në Gjermani u botuan në turqisht dy librat e tij të rinj me poezi: “Turqia, vendi im i trishtë, toka ime e bukur” dhe “Letra vajzës sime”, etj, etj.

I shfajësuar nga të gjitha dënimet, ai u kthye në Turqi në vitin 1989. Edhe unë isha liruar nga burgu, por pa asnjë të drejtë, qoftë të ushtrimit të profesionit tim, mësues, as të botimit apo atë elektorale.

Ataol botoi poezitë e tij të mbledhura në tre vëllime (1991-1992), të ripërpunuara vazhdimisht, ndërsa unë kisha dorëzuar për botim librin tim të parë me poezi “Kujtesa e ajrit”, por s’kishte letër në këtë kohë. ​​​​​​​​​​Poezitë e tij janë përkthyer gjerësisht dhe botuar në disa gjuhë të huaja. Në vitin 2003 u nderua me “Çmimin e Madh të Poezisë” nga PEN-Turk Ndërkombëtar.

Nga këto kujtuam dhe atë pasdite rumune në vilën që kishte qenë e diktatorit Çaushesku, ku do të lexonim poezi, të kujtonte shtëpitë e pritjes së udhëheqjes në Shqipëri, si e realizmit socialist, muret metaforike të të cilit i mallëngjenin ende ca tipa kritikësh impozantë, pa vepra, që, pasi kishin dështuar totalisht në krijimtarinë e tyre të mirëfilltë, u ishin kthyer çështjeve posdiktatoriale, kinse posmoderniste, grindjet e dikurshme që kush nga ne do t’i këndonte më shumë Partisë dhe Enverit, na i servirin sot si shkolla, atë ngjirje zëri si disidencë dhe revanshojnë për të mbrojtur atë hierarki që mbeti nga atëhere.

A ka problem të tilla në Turqi? Në Rumani jo kaq bajate sa tek ne. Në njërën nga tryezat e mëdha, ndanë pllakave të porcelanta me vizatime, që Çaushesku i pëlqente, por për ca si ato në Shqipëri i kishin futur burgjeve, përballë Ataolit dhe së shoqes ishim Eda dhe unë e pranë nesh miqtë tanë, studiuesi dhe esteti Luan Topçiu dhe poeti Jeton Kelmenti nga Kosova. Teksa pinim birra krajove po bisedonim çlirshëm, ç’na vinte. Folëm për Sami Frashërin që Ataol e çmonte shumë, por nuk e dinte që poeti kombëtar i shqiptarëve, Naim Frashëri, që e njihte sigurisht, kështu tha, të ishte vëllai i Samiut. Dhe ra fjala për shkrimtarin nobelist, Orhan Pamuk. Po, tha, është shkrimtar turk. Kaq. Nobelin unë do ia kisha dhënë më parë Jashar Qemal, e kisha dhe mik… Hallall, përgëzova dhe qeshëm.

Pastaj Ataoli me humor do të thoshte se më të persekutura se ne, janë gratë tona, që na kanë marrë ne. Ne jemi ish të burgosur, ato janë të burgosura në ne. Përsëri të qeshura me zë të lartë, të grave më shumë, tërhoqëm dhe vemendjen e tryezave të tjera. Ataoli u kthye nga unë, sa i ngjante statujës se vet, dhe më pyeti me seriozitet:

Dua një mendim tëndin?

Patjetër.

Mua më kanë futur në burg në Turqi me akuzën si komunist e ty të kanë futur në burg komunistët… dhe rrimë bashkë kaq miqësisht. Pse?

Po ju si e mendoni? – ia ktheva pyetjen me pyetje.

Ma thuaj ti, pastaj unë.

Mjeshtër, – po flisja me kujdes, – ju në vendin tuaj jeni rebeluar prej padrejtësive, keni parë si janë shkelur të drejtat e njeriut, keni kërkuar barazi dhe ata në krye ju kanë parë si kundërshtar dhe kundërshtarët e tyre ishin komunistët. Kurse në vendin tim sundonin komunistët, socializmi real, barazi në fakt s’kishte, askush nuk i mbronte të drejtat e njeriut, luftë klasash dhe çdo të pakënaqur ata e shihnin si kundërshtar. Dhe kishte kundërshtarë doktrinarë, që i dënonin rëndë, me burg, pushkatim… Kurse ne na bashkon njerëzorja, doktrina e poezisë.

Ashtu është, – u kënaq Ataol. – Dhe unë kështu mendoj, s’kam tjetër.

Dhe do të na shkruante nga Stambolli: “I dashur Visar, e dashur Eda! Ndihemi sikur e kemi njohur-njëri-tjetrin në një kohë shumë të gjatë… Tani jemi në Foça (Phokaia) në shtëpinë tonë verore. Pse nuk vini të kalojmë bashkë mrekullueshëm këtu në detin Egje, me peshk dhe raki turke?…”

A do ta ketë takuar shtatoren e tij? Shihen shpesh? Dhe në letrën tjetër do të na shkruante sërish, se “poezinë tënde e lexoj si letrat intime të vëllait tim… dhe siç kam shkruar përpara derës së shtëpisë tonë verore, me çmim detin mahnitës të Egjeut, dera është e hapur për miqtë e dashur… Ataol & Hülya.”

Në vend që t’i përgjigjesha me një letër tjetër, u ula të përkthej disa poezi të tij. Poezia është statuja e gjallë e tij.

11 poezi

nga Ataol Behramoğlu

PËR (MOS)NDARJEN

DHE DASHURINË

I​​​​​ U ndamë në jetë dhe vdekje

Dy trupa të ndarë.

Me zemrat e ndara.

Zërat tanë të ndarë njëri nga tjetri.

Duart tona të ndara. ​​​​​​​​ Aromat tona. U nda zgjimi

ynë i përbashkët në shtrat. ​​​​​ Të qeshurat tona. Lotët tanë. Ëndrrat

të ndara nga njëra-tjetra.

Nata e errët e shpirtit

Papritmas mbylli gjithçka.

PARA FYTYRËS SË DASHURISË

Dije se i njerëzimi i gjithë është miku yt, vëllai yt, vajza ime ​​

Qëniet njerëzore vijnë nga dashuria, jo nga urrejtja, vajza ime ​​

Mbaje nderin lart përballë padrejtësive, ​​​ Përunjgju para fytyrës së dashurisë,

vajza ime.

HARMONIKË

I çmendur jam pas sirenës së trenave ​​​​​​​ Në stacionet e vegjël, kur bie borë. ​​​​​​​ Gratë buzëqeshin pas perdeve, ​​​​​​​​ Unë kapem në dritare, ua bëj me dorë.

Dhe shkruaj një poezi, dhe këndoj një këngë

Ulem diku në rrugë dhe qaj.

Befas lulëzoj, ndriçuar nga një brengë,

duke luajtur me harmonikë pastaj.

Çdo natë bie shi në këtë qytet

Dhe rishtas çdo natë unë vdes dhe iki.

S’e fsheh dot, teksa treni rend,

Thuaj ç’të duash, në shkallë hipi.

MACE:

“Lamtumirë, lamtumirë.” me sa dëshirë

Një i tretë la harmoninë në kate.

“Lamtumirë, lamtumirë, lamtumirë.”

Për më tepër a s’ngjan si një mace?

Koka e shokut është tejet e madhe

Në xhepin e tij një roman i Sartrit.

As majtas as djathtas nuk pa fare,

Për në parajsë e shtriu hapin.

Ataoli e urren, kur bie shi,

Ka frikë ta thotë, për kohën mos pyet.

Sa herë ulem për një raki,

Vjen këtu “lamtumira” e tretë.

GAZEL PËR NJË DASHURI

TË ZHDUKUR

Ai diell vere që sytë më verboi,

U kthye në imazh të një dashurie që shkoi.

Një ndjesi humbjeje më sjell nga fëminia,

Tjetërsimin e shkretë të pasditeve të mia.

Udhëtar rrugëhumbur në një qytet-çudi, ​​​​​​​

Që s’e di nga erdhi, ku të shkojë s’e di.

Një jehonë që s’i kthehet më zërit të saj,

përsërit vetveten në zbrazëtirat pa skaj.

Dielli i verës kështu bën pa ngushëllim,

kthen imazhin e një dashurie pa kthim.

NË LËVDRIMIN E LOPËVE

Në jetën time kam parë kaq shumë lopë

sa duhet të shkruaj një poezi lavdërimi.

Lopë nëpër livadhe, që prehen në një sop,

Lopë që kullosin në pafundësi mendimi.

Nëse do thosha për një grua që ka sy-lope, ​​​​​

S’do t’i vinte mirë, do t’i dukej ofendim. ​​​​​ Ndërkaq në sytë e lopëve, ah, çfarë bote, ​​​​​​

E bukur kaq shumë, me sa trishtim!

Kthimi i tyre nga kullotat në mbrëmje

Ndryshe nga kthimet e kafshëve të tjera. ​​​​​​

Asnjë zile, ngatërresë a ngarendje,

Vetëm ndonjë muuu si rënkime të thella.

Janë shenjat e një serioziteti të madh

që disa gjëra durojnë pa ndryshim.

Le të jetë kjo poezi për lopët dhuratë

për qëndresën që japin, sigurinë.

ÇFARË THONË KËNGËT GREKE

Çfarë thonë këngët greke

Për natën, për dashurinë.

Çfarë thonë këngët greke,

Jetën si e dimë?

Çfarë thonë këngët greke

Me atë trishtim që na mbulon nga flokët deri te thonjtë?

Diçka e pathënë mbetet gjithmonë,

Sado që brenda vetes e zbulojmë.

Çfarë thonë këngët greke

A është fundi i një dashurie a një dashuri që fillon?

A është një fytyrë vajze, që nuk do ta shohim kurrë,

Livadheve të një fshati, ku nuk do të gënjejmë kurrë?

Çfarë thonë këngët greke

Me këtë këmbëngulje kaq të butë që s’mbaron?

Çfarë thonë këngët greke,

Me rrahjet që u bashkohen të zemrave tona?

Çfarë thonë këngët greke

Për bukurinë e përjetshme, paqen e përjetshme;

Sado qofsh i mbushur me dhimbje

Ata kanë kaq jetë, kaq përndezje.

Çfarë thonë këngët greke,

Një ditë a do të jenë një këngët të gjitha?

Çfarë thonë këngët greke,

kaq larg… por jo të largëta.

VIII

Me një vdekje a mësohemi dot?

Kështu do të kalojë dhe dashuria që kemi.

Çdo njeri nuk ka veç një fytyrë

dhe as një fat të vetëm.

Kur fle në një shtrat prej guri,

më dhemb në mugëtirë

​​mendimi se pa ty mund të isha ende.

Është natë, zëri i lagësht i erës

më mbush sytë me terr

​​dhe më thërret engjëllin e armiqësisë.

IX

Paç vdekje të mbarë, zotëri, në ndonjë mesnatë kur fryn erë e përgjakur

Vdekje e mirë, ku rrjedh uji më i thellë!

Lërini lulet e akacies të purpurta dhe trëndafilat të rriten bollshëm,

Paçi vdekje të mirë ju, pranvera të shkuara dhe të tashme!

Vjen një vjeshtë e rrëmujshme, mbi gropat e saj të lagura

Një rrebesh shiu kalon i zbathur.

E paç të mbarë vdekjen, zotëri! Goja dhe sytë, kur mbyllen të lodhur nga rënia, me mavijosjet e saj, mirë është të vdesesh.

X

Zemra e thyer si copa xhami brenda meje

mbyll faqet e një libri të rraskapitur. Dhimbje të pluhurosura, shija e një buzëqeshjeje të zbehur.

Tani po mbyll faqet e një jete të rraskapitur, mbyll kështu dyert e një deti plot me mirë-u-pafshim.

FOSHNJAT NUK KANE KOMBE

Foshnjat nuk kanë kombe,

E ndjeva për herë të parë larg atdheut tim.

Foshnjat nuk kanë kombe

Njëlloj e mbajnë kokën kudo në botë,​​ Vështrojnë me të njëjtën kërshëri në sy, ​​​​ kur qajnë, zërin e kanë të njëllojtë.

Foshnjat janë lulëzim’ i njerëzimit,

Nga trëndafilat më të pastër, nga sythet e trëndafilave.

Disa janë rrush i errët shpirti.

Disa janë copëza të gëzuara drite.

Nëna, mbrojini bebet tuaja!

Etër, mos t’ju rrëshqasin kurrë nga mendimet

Të heshtin, të heshtin, mos i lini të flasin,

Kush do të bisedojë për luftën dhe shkatërrimet.

Le t’i lëmë të rriten me pasion,

Të mbijnë dhe të shpërthejnë si fidane.

Nuk janë të tutë, as të mitë, të askujt.

Janë molla e syve të gjithë njerëzimit. ​​​​​ I përkasin gjithë botës së madhe.

E ndjeva për herë të parë larg atdheut tim,

Foshnjat nuk kanë kombe,

Foshnjat janë lulëzim i njerëzimit,

e vetmja shpresë dhe e vetmja e ardhme.

———————

Përktheu nga anglishtja Visar Zhiti

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT