• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

Një popull ” i çmendur ” që prijësat i çmend…

December 9, 2022 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\PORTRETI 1.jpg

Dje e dëgjova se, për agresorin që me 6 dhjetor, në mesditë, goditi zotin Sali Berisha, duhen jo më pak se 40 ditë të vertetohej nëse ai është një i çmendur ose jo. Dhe i gjithë debati përreth atij akti të shëmtuar e të rëndë  fort,  të asaj dite, përsillet aty në atë qerthull fjalësh. Është a nuk është i çmendur agresori ! Mirëpo, duke e ditë se çudija më e madhe në këtë vend zgjat  vetëm tri ditë, në mos ndodhtë kështu, siç ka ndodhë gjitherë ndër ne, synimi ka qenë i qartë: ngjarja, sa më shpejt të bëhet e paqenë. E të vijojnë masandej pa u ndalë tam-tamet e festës së mikpritjes, që prijësi e ka kuruar me duar e veta…

Në të vërtetë dy pamjet e mesditës së 6 dhjetorit  në Tiranë, janë dy pamje në një. Edhe pse krejt të përkundërta; njëra pamje festive mikpritjeje e mirëpritjeje të prijësve të Europës dhe tjetra e një dhune ektreme mbi udhëheqësin e opozitës, themeluesit të saj qyshse opozita politike ka rilindë mbas një gjysë shekulli diktaturë, në fillim vitet ’90.

Janë dy pjesë të së njëjtës, jo vetëm pse ndodhën në të të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, në kryeqytetin e Shqipërisë, jo vetëm se ndodhën, në fakt në dy perimetra të skicuar e të rrethuar në mënyra të ndyshme, po në të njëjtën sipërfaqe të qendrës së Tiranës. Por përmbi këto, janë dy ngjarje, që hamendësimi edhe më i largët mundet me i bashkëngjitë. Dhe aspak “deus ex machina”, po në njëfarë mënyre, vetvetishëm. 

Vetvetishëm,  sepse, klima e gjithherëshme politike, por sidomos  kjo e kohëve të fundit, gjithçka lëviz në atmosferën e saj, me shumë ré e me pak kthjellësi, këtë mundet me sjellë. “Moti i mirë duket në mëngjes”. Shqipëria politike është në pikën e saj të një demokracie të shpartalluar. Qeveria dhe opozita janë vite drite larg në galaktikën e bashkëekzistencës, domethanë e pranimit të njera-tjetrës, e pranimit të të ndryshmëve, të mendësive dhe të koncepteve të ndryshme. Sepse në këtë mes është prishur e gati asgjësuar forca rregullatore përbashkuese – vota e lirë. Votuesit shqiptarë, pra populli ka në dorë “çelsat e kashtës” të ngrehinës së demokracisë. Prijësi i pushtetit është prijësi i Shqipërisë; ai që prin gjithçka në këtë vend, atë që i takon të prijë e atë që s’i takon të prijë. Vret e pret përditë, sa i ha krahu. Me fjalë, më së pari; se ka do kohë që atij fjala i rrjedh si përrua (…). Po, thonë se ” gjuha [fjala pra] kocka s’ka po kocka thyen”. E kështu, përroi i psikikës rrjedh fjalë e fjala bëhet dinamit. Dinamit që shemb hotelin e të pasurit, fermanin për të cilin vetë e ka pasë dhënë, njësoj si jerevinë [kthinën] e të vorfnit pa hak e hile, shemb teatrin gati shekullor të kryeqytetit dhe ngre përreth kulla plot mister të lavdisë së shtatlartësisë së vet…

E rinia turitet e rinia ikë. Për më mirë i merr rrugët e botës, pa u zorit se len këtu vjetërsi. Prindër të vjetër e mendësi të vjetra, ende të paçliruar prej reminishencave të diktaturës. Dhe prijësat e çmendur në lumninë e vet, në ekstazën e ethëshme të sundimit prej trashëgimisë së etërve të vet. E prej saj, tash kërkohet një i çmendur që të godasë me grusht kundërshtinë e mizorisë. Opozitën, që prijësi e don të paqenë. Se kështu populli i sunduar sundohet ma lehtë. Sidomos në një ditë që sytë e Europës janë këtu, ndër ne e midis nesh. Edhe pse Europa, siç po duket, ma së pari pëlqeka shfaqjet tona të zbukuruara që udhëheqësíja luan sesa thelbin e funksionimit të shoqërisë sonë, sesa u zoritka për qeverisjen që qelbet në korrupsion e nivelin e demokracisë së saj që është ulëritës. Prijësi  e ka kuptuar heret se ç’duan ata dhe, me zotësi e bukuri që vret e shpërfaq atë. Hipur mbi supet e një populli, i cili përkujdesjen për vehte e për të drejtat e tij në rrugën e demokracisë, ia ka dorzue dëshpërimit. Dhe ky ritëm i ecjes sonë po i ka dehur e po i çmend prijësit tanë, sundimtarët tanë, që vetë i gradojmë si të tillë. Tashma ata nuk njohin zgjedhës e as popull që ka tagrin përmbi ta. Që, gjasme i zgjedh si shërbyes dhe më shpejt se të zgjidhen bëhen sundimtarë. Sundimtarët tanë, që ne na bëjnë të marrë…E ne nuk zemrohemi. Kemi harruar se duhet të zemrohemi fort derisa t’i rrëzojmë ata. Ata e ata, derisa të kemi gjetë shërbyesit e administrimit të jetës sonë e të prosperitetit tonë. E jo të ikim, nga sytë këmbët e t’i lëmë fatet tona në dorë të prijësve që çmenden. E çmenduria e tyre të na rraskapisë jetën tonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Frano Kulli

LE MATIN (1921) / KUR SENATORI FRANCEZ D’ESTOURNELLES DE CONSTANT MBRONTE SHQIPËRINË NDAJ LIDHJES SË KOMBEVE

December 9, 2022 by s p


Paul d’Estournelles de Constant (1852 – 1924)
Paul d’Estournelles de Constant (1852 – 1924)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne kemi marrë letrën e mëposhtme :

Paris, 1 korrik.

Zoti kryeredaktor,

Lexova në “Le Matin” e ditës së sotme protestën bujare, tepër të justifikuar, që frymëzon kolegu dhe miku im, deputeti Justin Godart, mbi mohimin e drejtësisë prej të cilës u bë viktimë Shqipëria.

Dua t’i bashkohem, me disa nga miqtë më të devotshëm të Lidhjes së Kombeve, kësaj proteste. Është tepër e vërtetë që për një kohë të gjatë Shqipëria konsiderohej nga fuqitë e mëdha si një pronë pa zot, një pre për t’u ndarë, një monedhë shtesë për të rregulluar tregjet e fshehta të politikës. E pajisur me një bollëk pasurish të lakmuara natyrore, Shqipëria e dobët nuk kishte të ardhme tjetër veçse të shtypej dhe të shfrytezohej keq. Por kjo nuk duhet të jetë më e vërtetë pasi ekziston Lidhja e Kombeve.

Të gjithë ata që, si unë, besojnë në Lidhjen e Kombeve; të gjithë atyre që shohin tek ajo të fundit, të vetmen shpresë shpëtimi kundër luftërave të reja dhe kundër anarkisë përfundimtare universale, do t’u vijë keq ta shohin atë t’i kthejë shpinën misionit të saj. Ajo e mohon këtë mision nëse braktis një popull që me energjinë e tij për shekuj ka shpëtuar pavarësinë, gjuhën, traditat e tij. Ajo e braktis këtë popull; ajo bën shumë më keq; ajo braktis vetveten; e dorëzon veten duke dorëzuar, pa e dëgjuar, një nga anëtarët e saj në arbitraritetin dhe fshehtësinë e nuk e di se çfarë negociatash qeveritare.

Mua më intereson Shqipëria pa dyshim, ashtu siç mbrojta popujt e tjerë të shtypur të Gadishullit Ballkanik. Por është një viktimë, për fat të mirë, që ka një jetë të vështirë, si Franca, dhe që do të mbetet mjaft e guximshme për t’i mbijetuar padrejtësisë dhe për të triumfuar ndaj saj. Ajo që më shqetëson mbi të gjitha është fati i Lidhjes së Kombeve që është, ose duhet të jetë, ndërgjegjja dhe streha jonë.

E përgëzoj z. Godart që nuk pati frikë të kompromentonte veten duke u dëshpëruar që Lidhja e Kombeve u bindet ndikimeve qeveritare, për të braktisur një popull që i beson asaj dhe për të hequr dorë nga detyra e saj të paanësisë, arsyeja e saj e të qenit.

D’Estournelles de Constant,

senato

Filed Under: Histori

NDERIM I VEÇANTË NGA SHBA-TË

December 9, 2022 by s p

Faton Bislimi/

Dje, në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, pata nderin të pritem nga Ambasadori i SHBA-ve z. Jeffrey Hovenier, në një takim sa të veçantë aq edhe mbresëlënës dhe miqësor. Të nderohesh nga Shtetet e Bashkuara, përtej nderit, është inkurajim për punë e angazhim tutje. Nga Ambasadori Hovenier zyrtarisht pranova Flamurin e Shtetit të Teksasit të valëvitur mbi Kupolën e Kongresit të Shtetit në nder timin, bashkë me Certifikatën e Mirënjohjes së Dhomës së Përfaqësueseve të Teksasit, me këtë dedikim: “për punën time në forcimin e lidhjeve në mes Teksasit dhe Kosovës,” pikërisht në 20 vjetorin e angazhimit tim të parë në Teksas si student. Një nga punët që më së shumti më plotësojnë shpirtin është se në Teksas kisha aranzhuar programin e bursave “Education for Peace” përmes së cilit me dhjetëra student meritorë nga Kosova janë shkolluar aty dhe mandej kanë bërë emër të madh në krejt SHBA-të.

Po ashtu, ky nderim i jashtëzakonshëm, është vlerësim edhe i punës sime për gati dy dekada në lobim e angazhim për kauzën tonë kombëtare me figurat më të larta politike të SHBA-ve, në Capitol Hill. Për mua, ky angazhim vazhdon të jetë udhërrëfyes i punës së mbarë e të mirë për vendin e kombin.

Miqësia jonë me SHBA-të është jo vetëm unike por duhet të jetë edhe permanente. Është shtylla kurrizore e avancimit tonë si shtet e komb.

Filed Under: Komunitet

A ka një shkencë letrare?

December 9, 2022 by s p

Behar Gjoka/

Humnera verifikuese, ose situata e mbrapshtë e mosverifikimit të letërsisë prej studimeve shqiptare, me ndonjë parathënie rastësore, e sidomos me kumtesa të shqiptuara përvitshëm në katedrat e trojeve shqiptare, me llomotimën e vet, ma tepë r të një shkencërimi kinse formal, e ka sjellë situatën deri në shtrimin e çështjes hapur, në se ka vërtet një shkencë për letërsinë. Ndaj kësaj pyetjeje, në thelbin e vet sugjeruese dhe, mbi të gjitha, të vënë në kërkim të rrënjëve të interpretimit dhe verifikimit të teksteve letrare, evidentohen së paku dy qëndrime të ndryshme:

A – Ka një shkencë të letërsisë, madje që lulëzon gjer në kulm, si dëshmi klasike dhe moderne, e cila përbëhet nga teoria letrare, kritika dhe historia e letërsisë. Pra, simbas akademizmit diturak, në këto punë kemi një shkencë të mirëfilltë, që përbëhet nga tri disiplina dhe, secila prej këtyre kanë si objekt letërsinë. Përsëri, gjendur përballë zhurmës zyrtare, mbi gjoja shkëlqimin e shkencës së letërsisë, vetvetiu më erdhi në mendje Harold Bloom-i, që mes të tjerash, për mbijetesën e letërsisë, thotë: … zor se ia ka nevojën trumbetave potermadhe të sekteve akademike… te libri Si dhe përse lexojmë, që ndihmon ca më shumë për të hapur debatin mbi këtë çështje jetike për letërsinë dhe të rolit të studimeve letrare mbi të.

B – Letërsia, në mjediset serioze, që e dinë mirë se ç’janë vlerat specifike shpirtërore/letrare, ka qenë dhe është e para, dhe ndërkaq, e dyta në radhë është qasja dhe verifikimi i saj, që kryhet në procesin e leximit dhe të studimit të veprës letrare. Kur letërsia përjetohet dhe thuhet se është e para, përfundimet e leximit, rileximit, shqyrtimit dhe analizës, pra proceset e njohjes dhe të interpretimit të saj, janë të ndërvarura nga thelbi i tekstit letrar, i cili megjithatë, në çdo lexim zbulohet rishtas, si dhe ndërkohë, asnjë lexim, sado i ardhur nga akademikët, nga profesorët e universiteteve, nga studiuesit e qendrave apo të institucioneve albanologjike, nuk arrin që të shpjegojë pë rfundimisht të pashpjegueshmen e veprës letrare, që përbën një realitet imediat, i cili zbulohet pas çdo leximi.

Konceptimi i shkencës së letërsisë duhet bazuar në hulumtime dhe jo në tituj, në libra dhe jo në paçavra llafollogjemash, pra jo të bëjmë sikur po bëhet shkencë e madhe me anë parathëniesh dhe kumtesash, por të rrahim mendimet përtej interesave mësimdhënëse, që kanë të bëjnë me dobinë utilitare e jo me vlerat estetike gjithëkohore. Vlen të sillet në vëmendje pohimi i Tzvetan Todorovit në librin e tij Poetika e prozë s, ku shprehet: Njohjes së letërsisë vazhdimisht i kanosen dy rreziqe të kundërta: ose ndërtohet një teori koherente, por shterpë; ose kënaqemi së përshkruari disa “fakte” duke kujtuar se çdo gur i vogël do të hyjë në punë për të ngritur ndërtesën e madhe të shkencës. (2000: 109), që hedh dritë në të dyja aspektet, nga njëra anë në teorinë letrare, e në anën të tjetër të vetë shkencës mbi të, pra të asaj që lehtësisht emërtohet si shkencë. Në teoritë e ndryshme letrare, sidomos ato moderne, marrëdhënia me letërsinë, përfundimet më të arrira të secilit lexues, përsëri janë të varura drejtpërsëdrejti nga leximi dhe rileximi i faktologjisë letrare, si një prani që mbetet e hapur për secilën kohë dhe brez, e po kaq edhe për secilën hapësirë të letërsisë së përbotshme. Dámaso Alonso, në shqyrtimet e veta, më tepër është skeptik kundrejt mundësisë së një shkence të letërsisë, teksa nënvizon: Nëse esenca e veprës së artit dhe veprës letrare është individualiteti i saj, dhe kjo mund të njihet vetëm në mënyrë intuitive, do të lihej mënjanë njohuria shkencore, e cila konsiston në, më saktësisht, në gjetjen e ngjashmërive, në përgjithësimet dhe në krijimin e ligjeve universale. Midis këtyre tri disiplinave që merren me interpretimin e veprës letrare, ajo që mendohet si shkencë e letërsisë, me gjithë reminishencat e pranishme, mbahet dhe përjetohet si e tillë (madje shpeshherë si të qe një shkencë ekzakte në të gjitha parametrat e veta, që shpeshherë ka bërë edhe zbulime). Megjithatë, teoria letrare, teksa merret me aspektet teorike të gjinive, llojeve, zhanreve, të stilistikës etj., i përmbush disa parametra kryesore të përcaktimit të saj, së paku si një shkencë teorike.

A është shkencë kritika letrare?

Një pyetje që, formalisht dhe logjikisht, do të kërkonte qëmtime më të thelluara, larg trajtimit bardhezi, që e ndeshim shpesh në media dhe mjerisht edhe në mjediset akademike, mbi praninë ose papraninë e kritikës letrare si shkencë. Në pamje të parë, lidhur ngushtësisht me praninë e shkencës në metatekstet kritike, më tepër i bie që të rrahësh ujin në havan, sesa të rrekesh të ndërtosh kështjella prej rëre, ose kështjella pa dritare, që madje mezi komunikojnë me veten, brenda auditorëve shurdhanë. Ideja e Zherar Zhenetit: Një kritikë mund të jetë e pastër empirike, naive, e pavetëdijshme, “e egër”; një metakritikë, gjithmonë implikon “njëfarë ideje” të letërsisë dhe ky implikim nuk do mungojë gjatë kohë për t’u eksplikuar. (1985: 70) te libri Figura, duket se e lë të hapur përcaktimin e kritikës letrare, gjer në një situim që përfshin shumëçka në të, pa shmangur praninë subjektive, që të largon nga rrafshet e trajtimit shkencor. Në të gjitha rastet e mundshme, me shumë gjasa teorike dhe praktike, kritika letrare, veçmas në kohërat moderne dhe postmoderne, tashmë është thjesht dhe vetëm një reagim parak, informues dhe afirmues, ndaj botimeve bashkëkohore, me gjasë një qasje thelbësisht subjektive, që natyrisht shqiptohet përmes recensioneve përcjellëse, ose në një këndvështrim edhe më të ngushtë shpalimi. Gjithashtu, në një pikëpamje më të ngushtë, kritika letrare mund të jetë edhe një tejqyrë për të sjellë në bashkëkohësi vlerat e dikurshme, pra një rivlerësim i teksteve të mëparshme, të antikës dhe hershmërisë së shkrimit letrar. Në mes të tjerash, thotë Roland Barthes: Kritika është vetëm një moment i kësaj historie në të cilën po hyjmë dhe e cila na shpie në njësi – në të vërtetën e shkrimit. (2008: 208) te libri Aventura Semiologjike. Ngado që ta rrotullosh gjuhën, në teoritë klasike dhe bashkëkohore, vështirë që të arrihet në përfundimin se kritika letrare është shkencë, mbase as për hije, së paku e pikëvështruar si ndërvarje në kriteret e logjikës formale.

Po historia e letërsisë a është shkencë?

Niçe, nga njëra anë, historinë që shumëkush e mendon si shkencë, ky filozof i kohëve moderne e ka emërtuar më tepër “interpretim faktesh”. Për analogji formale, varësisht fuqisë së mendimit të Niçes, historia e letërsisë, me shumë gjasa i bie që të jetë “interpretim tekstesh ose veprash”. Pra, më shumë kemi të bëjmë me një rrethanë mbizotëruese të vlerave estetike që leximi i veprave mbetet i hapur. Po në këtë linjë, shoqëruar me shtjellime të gjera studimore, vijon edhe Benedeto Kroçe, në pjesën më madhe të veprave dhe shqyrtimeve të tij. Përfundimet e historisë së letërsisë shqipe, bazuar kryesisht në parimet sociologjike dhe historiciste, shpien ujë në rishikimin e saj, të historisë së përjashtimeve dhe paragjykimeve, që madje shpallet me të madhe si shkenca e historisë së letërsisë, më tepër duke krijuar një ishull të mbyllur të qarkut hermetik, të një historie pa letërsi ose të një letërsie pa histori. Tashmë jemi në rrethanat e përjetimit të saj si një interpretim të periudhave dhe teksteve të secilës prej këtyre fakteve letrare, sesa si përfundime shkencore përfundimtare, që kinse janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, që ka gjasa, po t’i marrësh seriozisht, pasi ke lexuar “shkencën” e madhe të mësimdhënësve, të mos jetë e nevojshme të lexohet më as Shekspiri:

Së pari: Varësisht rrethanave të sistemit të realizmit socialist, që me ekzistencën e vet realizon historinë e përjashtimeve, ku u la anash gjysma e saj, në motet e sundimit të socrealizmit, sepse u përjashtuan Fishta, Konica, Skiroi, Koliqi, etj.

Së dyti: Historia e letërsisë shqipe, ndërkaq është vështruar në një pikëpamje më të ngushtuar, pra si eseistikë dhe kulturologji, çka ka bërë që në Prishtinë, koncepti shkollë letrare dhe avangardë, të shtrihet në mënyrë abuzive dhe, me mungesë të logjikës formale dhe të argumentuar, në të gjithë zhvillimin letrar, duke krijuar një keqkuptim konceptual, sa edhe Fishta dhe krijimtaria e tij letrare të përfshihet në rrjedhat e modernitetit.

Së treti: Britmat alarmuese për nevojën e shkencës letrare, madje duke synuar që shkencërimi me titujt të zëvendësojë vetë letërsinë, si dhe mendimin verifikues për të, përmes kumtesash dhe parathë niesh dhe, me marrjen e gradave shkencore me anë të monografive (ku simbas konceptit zyrtarist, mjafton ta emërtosh kështu dhe që në pak raste e përmbushin si metodikë, ke shënuar majën e shkencës mbi letërsinë), zakonisht pa libra, një tipar i dëshmuar me krenari absurde, sidomos në shtetin amë, ku secili nga “shkencëtarët” e graduar aspiron të shkruajë historinë unike të letërsisë shqipe.

Teoria letrare si konceptim shkencor

Ligjërata mbi shkencën letrare, krahasuar me dy anët e tjera, me kritikën letrare dhe historinë e letërsisë, teoria letrare anon nga shenjat e pranishme të disiplinës shkencore, e cila është e pajosur me jo pak elemente metodike dhe hulumtuese, që parashtrojnë udhën për te portat e verifikimit shkencor. Megjithatë, nga mënyra e funksionimit, në këtë rast, sërish evidentohen dy tipe teorish letrare:

– Teoritë letrare që organikisht ndjekin procesin letrar, njohin dhe zbërthejnë arritjet e letërsisë, qysh në zanafillën e vet, pavarësisht gjinive dhe shkollave të ndryshme letrare. Po kaq, përmes interpretimit të veprave apo teksteve letrare, realizojnë kodifikimin e letrares, ndërkohë sugjerojnë metodika të leximit dhe vlerësimit të letërsisë. Teoria letrare zë fill qysh me veprën Poetika të Aristotelit, që ka vënë bazat e saj, të gjinive fondamentale të letërsisë, dhe duket sikur ajo ngrehinë ka mbetur në këmbë qysh prej antikitetit dhe deri në kohët moderne. Në thellim të kësaj qasjeje teorike mbi letërsinë, janë teoritë moderne të dy shekujve të fundit, të cilat thellojnë dhe plasojnë analizat strukturore të teksteve letrare.

– Teoritë letrare që marrin përsipër ta udhëheqin letërsinë dhe ta modelojnë në varësi të nevojave letrare dhe jashtëletrare. Kështu ka ngjarë në kuptim të ngushtë me klasicizmin, që për nevojat e oborrit të monarkisë absolute, hartohet një platformë rregullash detyruese për letë risinë dhe artin. Megjithatë, ai përmbushi edhe kërkesat e letrares, në lidhje me vlerësimin e antikitetit, dhe të lënies hapur të shansit për të materializuar vlera artistike, më përtej normave fikse. Krejt ndryshe qëndron çështja me realizmin socialist, që me kriteret e shpallura jashtëletrare, të partishmërisë proletare, heroit pozitiv, tendenciozitetit klasor, me vetëdije të shpallur ideologjike, e mbylli të bukurën në kuvli. Më tepër e mbërtheu në prangat e propagandës së ideologjisë komuniste, duke e kthyer në propagandë në interes të ideologjisë së kohës. Në këtë kuptim, ata që prangosën letërsinë shqipe me atë model ideologjik, që mëkuan artin dhe letërsinë me dobinë e shërbesës ndaj sistemit, si dhe një pjesë e konsiderueshme e studiuesve të sotëm, ndonëse kanë rënë në kontakt me dijen moderne letrare, në marrëdhënie me letërsinë, sidomos me debatin për të, bartin po atë mentalitet, të rolit udhëheqës në letërsi dhe art. Letërsia, me gjinitë dhe llojet letrare, kuptohet që është e para dhe kjo nuk ka nevojë të diskutohet. Fjalët e Umberto Eco-s, te libri Si shkruaj: Tekefundja, unë duhet të shkruaja një roman fundi i të cilit – qoftë dëshpërim, pas një dështimi të çdo esteti, dhe duke i respektuar në tërësi ligjet e krijimit, të cilat janë krijuar qysh prej romanit helenistik e deri më sot, për mos thënë që prej Poetikës së Aristotelit – duhet të shkaktojë kënaqësi gjatë rrëfimit. (2003: 40). Madje ajo rrethanë zyrtare që për ditë rrekemi ta paraqesim si shkencën e letërsisë, sërish ajo që emërtohet si shkencë është thelbësisht e ndërvarur nga teksti letrar. Fatit të mbramë të shqipes, që gjendet në udhëkryqin ekzistencial më të vrazhdë të mundshëm, tashmë i shtohet edhe qasja zyrtare dhe snobiste, se nuk kemi letërsi shqipe, se ajo është në nivele të papërfillshme estetike. Pavarësisht faktit se kush e thotë, ideja duhet marrë seriozisht në analizë, madje do të duhet vështruar në të gjithë treguesit e vet, duke parë tekstet dhe kontekstet, me përqendrim të vëmendjes te vlerat letrare që bart materia e letrave shqipe. Është e vërtetë që letërsia shqipe, në shtjellat e veta, varësisht konteksteve, më tepër ka kryer funksione të dyfishta, por edhe letrare, në lavrimin e zhanreve dhe llojeve të ndryshme. Në një kuptim, në të gjitha periudhat e shkrimit, arti i fjalës, ndërkaq ka pasur më tepër ngarkesë jashtëletrare. Kuptohet që ngarkesa e këtillë jashtëletrare, ka qenë e lidhur ngushtësisht me rrethanat ekzistenciale të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në periudhën e parë, letërsia shqipe pati barren e madhe të identifikimit të gjuhës shqipe, që hedh themelet me Mesharin e Gjon Buzukut.

Periudha tjetër, që përkon me letërsinë romantike, mori përsipër që nga hiri i sundimit shumëshekullor të otomanëve, të shënonte Rilindjen e kombit, pa lënë në hije lëvrimin e letërsisë. Gjithnjë simbas studimeve zyrtare, të të gjithë anëve të shkrimit të shqipes, me veprën e Naim Frashërit dhe Jeronim De Radës, zë fill letërsia e mirëfilltë, ku padashtas krijohet një hije konceptuale, se paska edhe letërsi jo të këtillë. Megjithatë, kulmin e vet të detyrimeve jashtëletrare/ideologjike, letërsia shqipe e përjetoi në motet e realizmit socialist, kur asaj zyrtarisht iu vunë prangat e bërjes së njeriut të ri, në emër të ideologjisë komuniste. Letërsia shqipe, ashtu si çdo letërsi tjetër, merr kuptim në varësi të tekstit dhe kontekstit, të leximit dhe vlerësimit të këtyre aspekteve, ku në fund fare mbetet vlera estetike e teksteve, që kapërcen kohën e vet, si dhe kohën e leximeve të shumëfishta. Për ta vijuar formalisht logjikën e mospasjes së letërsisë, të mungesës së vlerave në gjuhën shqipe, që për hir të së vërtetës nuk është se kemi kaq shumë vlera, por edhe krejt pa to nuk jemi. Në lidhje të ngushtë me vlerat, nuk jemi as qendra e botës, po as bishti i saj. Atëherë kur nuk paskemi letërsi, për të ecur në logjikën e nihilizmit skajor, pa u thelluar këtu në argumentet e marrëdhënies së konteksteve dhe të teksteve, çfarë nevoje kemi që të kemi katedra letërsie, ose titujmbajtës që i kanë marrë titujt me vepra të letërsisë shqiptare?!

Në vend të përfundimit

Nga njëra anë, shqiptarët e të gjitha anëve të kufirit, janë poetë e shkrimtarë të papamë, kritikë dhe eseistë të nivelit më shkencor të mundshëm, madje siç e pohojnë po vetë, gjeni që s’janë parë në shpinë të tokës. Nga ana tjetër, me parametra gjeometrikë, në mënyrë të pakthyeshme, sa vjen dhe zhduket fara e lexuesve të teksteve, jo e leximit biografik dhe hermetik, të cilët që të dy këto tipe të mosleximit të veprës letrare, të largojnë nga magjia e tekstit. Më herët, Benedeto Kroçe, në mes tjerash, theksonte: Kritikët profesorë rrallëherë zhvishen në gjykimet e veta nga përvoja e tyre si profesorë të pranishëm në provim a gjyqtarë konkursesh… (1998: 11) te libri Poezia antike dhe moderne. Edhe kur është e pranishme soji i leximtarëve, së paku nga sa shohim në media dhe nëpër institucionet e shpallura si shkencore, ky xhins mbizotërohet nga lexues të asojmë, që mjafton që të jenë mësimdhënës dhe vetvetiu janë edhe shkencëtar të mbaruar. Pohimi i T. Todorovit te libri Letërsia në rrezik, ta sqaron në dritën e diellit përjetimin e këtillë, kur shkruan: Ne – specialistët, kritikë letrarë, profesorë – në të shumtën e kohës nuk jemi gjë tjetër përveç se xhuxhë të strukur në sqetullat e viganëve. (2007: 22), duke përveçuar mjeshtrit e shkrimit letrar nga soji i leximtarëve të ndryshëm. Ky debat, letrar në thelbin e vet, të paritetit të letërsisë apo verfifikimit shkencor mbi të, është i gjerë, me shumë hapësira konceptuale dhe, mbi të gjitha, do të kërkonte kontributin e të gjithë faktorëve të tekstit letrar, të autorit si krijues, si dhe të lexuesit të letërsisë, qoftë edhe studiues me tituj dhe fame.

Filed Under: ESSE Tagged With: Behar Gjoka

Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë

December 9, 2022 by s p

Vjosa Osmani/

Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999.

Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë.

Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë.

Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT