• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

Në UBT u organizua konferenca shkencore “Roli i mërgatës shqiptare në krijimin e shtetit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës”

February 18, 2023 by s p

UBT/

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u organizua Konferenca Shkencore “Roli i mërgatës shqiptare në krijimin e shtetit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, në prag të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kjo konferencë e cila mblodhi përfaqësues nga institucione të ndryshme publike e private nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora, u organizua nga UBT dhe Federata Panshqiptare në Amerikë “VATRA”.

Në këtë konferencë morën pjesë: veprimtari i shquar dhe lobuesi më i madh shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, Jim Xhema, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Presidenti i Federatës Panshqiptare në Amerikë “VATRA”, Elmi Berisha, nënkryetari i kësaj federate, Alfons Grishaj, Presidenti i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti, Presidenti i “Christopher Hyland Inc.” dhe drejtori i “Hylandtown”, Christopher Hyland, rektorët e universiteteve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe profesorë dhe studentë të UBT-së.

Në fjalën e tij hyrës, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi vlerësoi lart kontributin e mërgatës shqiptare në Amerikë, me theks të veçantë ndihmën e madhe për shkollimin e të rinjve nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“UBT është krenar që ka marrëveshje me universitetet më të mëdha në Amerikë. Ka programe të përbashkëta, marrëveshje bashkëpunimi, për shkëmbim të profesorëve e të studentëve, për hulumtime shkencore, për organizim konferencash të përbashkëta e shumë aktivitete të tjera. Ky institucion punon me planprogramet e universiteteve më të mira evropiane dhe amerikane. Ndaj edhe është më i miri institucion privat i arsimit të lartë jo vetëm në vend, por edhe në rajon”, tha rektori Hajrizi.

Në kuadër të kësaj konference, në fjalën e tij, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare dhe lobuesi më i madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Jim Xhema duke treguar edhe pak nga historia dhe eksperienca e tij, tha se është krenar për arritjet e popullit shqiptar.

“Ne jemi shumë unik si njerëz, jo vetëm në Evropë, por në tërë botën. Jam krenar për arritjet të cilat po i shoh sot. Që të jeni në gjendje të keni sukses, duhet të përfshiheni. Kur bashkohen përgatitjet dhe mundësia për të takuar dikë, duhet të shfrytëzohet, dhe unë i zhvillova këto relacione”, u shpreh Jim Xhema.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se ndihet i impresionuar me punën në UBT, njëherit vlerësoi organizimin e konferencës për rolin e mërgatës shqiptare në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Jam i impresionuar për punën që është bërë në UBT dhe uroj që të shtojmë bashkëpunimin, jo vetëm për të mirën e kryeqytetit, por edhe për gjithë vendin tonë. Prishtina ka një potencial fantastik. Unë besoj në energjinë e të rinjve, të shqiptarëve, dhe në mundësinë e transformimit të kryeqytetit”, potencoi Rama.

Në kuadër të kësaj konference u bë ndarja e çmimit të parvjetshëm “Exellence Lidership Award”, i cili u dedikua për Universitetet e Republikës së Shqipërisë, për kontributin e pamohueshëm për krijimin e kuadrove profesioniste të Kosovës.

Për këtë vlerësim të UBT-së, në emrin e universiteteve shqiptare, kryetari i Konferencës së rektorëve në Shqipëri, Artan Hoxha, i cili u shpreh falënderues dhe mirënjohës ndaj UBT-së, duke theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunimeve të reja në mes institucioneve arsimore në Kosovë dhe Shqipëri.

“Arsimi i lart privat në Kosovë po ecën me një ritëm të shpejtë. UBT është një nga ato rastet që mund të krenohemi, dhe që së bashku me të gjitha institucionet e tjera ndikon në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. Ne vazhdojmë të punojmë së bashku me institucionet e arsimit të lartë dhe uroj që këto bashkëpunime të vazhdojnë dhe të thellohen më shumë”, u shpreh Hoxha.

Përgjatë kësaj konference u prezantuan edhe disa kumtesa, të cilat përmblidhnin historikun e angazhimit dhe përpjekjes së mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lirinë dhe demokratizimin e Shqipërisë dhe lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Christopher Hyland foli rreth rolit të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krijimin e shtetit shqiptar dhe deklarimin e pavarësisë së Kosovës, duke përmendur personalitete të shquara të kombit shqiptar, të cilët ndihmuan dhe u angazhuan në këtë aspekt.

Ndër të tjera, ambasadori Flamur Gashi dhe Frank Shkreli vlerësuan lart kontributin e senatorit Bob Dole, të Jim Xhemës dhe të komuniteteve ortodoks, katolik, mysliman dhe bektashian për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Filed Under: Komente

Jim Xhema dhe delegacioni i Vatrës vizituan Shenjtëroren e Shën Nënë Terezës në Prishtinë

February 18, 2023 by s p

Në ditën e Pavarësisë së Kosovës, aktivisti i çështjes Shqiptare për shumë dekada, dhe humanisti Z. Jim (Xhim) Xhema, i shoqëruar nga Kryetari i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” me seli në New York, Z. Elmi Berisha dhe aktivistë të tjerë, vizituan Shenjtëroren e Shën Nënë Terezës në Prishtinë. Ata u pritën nga Ipeshkvi i Kosovës, Mons. Dodë Gjergji me bashkëpunëtorë. Në këtë ditë të veçantë për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, për të nderuar veprën dhe kontributin e tij të krijimit të Shtetit të Kosovës, pikëtakimi u bë para Shtatores së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ipeshkvi i uroi mysafirët e nderuar për 15-Vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ndërkaq bashkëbisedimi vazhdoi në lidhje me Katedralen kushtuar Shenjtëreshës sonë dhe rëndësinë e saj për besimtarët dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi.

Me këtë rast, Z. Xhema, pranë relikteve të Shën Nënë Terezës, i shoqëruar nga Ipeshkvi i Kosovës, ndezi një qiri për shpirtin e bashkëshortes së tij të ndjerë, Znj. Mrika Xhema. Pasi u luten së bashku për shpirtin e saj, në shenjë nderimi e falënderimi për vizitën, Ipeshkvi ynë, Mons. Doda, ju dhuroi nga një medalje të “Nënë Terezës”, Z. Xhim Xhema si dhe kryetarit të Federatës “Vatra”, z. Elmi Berisha.

Filed Under: Politike

IL POPOLO ROMANO (1919) / “BESA” STËRGJYSHËRORE E POPULLIT TË MATIT – KUVENDI SOLEMN NË KULLAT E ZOGOLLËVE DHE APELI NDAJ FUQIVE TË MËDHA KUNDËR PUSHTUESIT SERB

February 18, 2023 by s p


Ahmet Zogu – Burimi : Royal Court Of the Albanians – Oborri Mbretëror i Shqiptarëve
Ahmet Zogu – Burimi : Royal Court Of the Albanians – Oborri Mbretëror i Shqiptarëve

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Shkurt 2023

“Il Popolo Romano” ka botuar, të premten e 16 majit 1919, në ballinë, një shkrim rreth kuvendit solemn matjan të mbajtur asokohe në kullat e Zogollëve dhe apelit drejtuar prej tij Fuqive të Mëdha kundër pushtuesit serb, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Nga Shqipëria

“Besa” e popullit të Matit – Simpatitë për Italinë – Një britmë kundër serbëve

Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë
Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë

Nga Mati (Shqipëri) – Paria dhe popullsia e Matit, të mbledhur në pallatin (kullat) e Zogollit në një kuvend mbresëlënës, dhanë “besën” e tyre sipas zakonit të vendit, dhe njëzëri janë betuar se do të jenë të bashkuar për të mbështetur të gjitha ato sakrifica që do të kërkojë liria e vendit. “Besa” u shkrua dhe u firmos nga përfaqësuesit e popullit.

Nënprefekti Sadik Gostivari lexoi në mënyrë patriotike nenet që përmban “besa”, më pas foli gjerësisht, duke përshkruar një tablo të jetës politike shqiptare dhe duke ilustruar miqësinë besnike të Italisë për vendin tonë.

Pas tij, fjalën e mori majori kav. Renzetti, i cili dëshiroi të transmetojë përshëndetjen e popullit italian. Në emër të familjes Zogolli dhe të popullatës u përgjigj Haki Stermilli, i cili përfundoi së foluri me duartrokitjet e ngrohta të të pranishmëve dhe thirrjet e përsëritura “Besa!… Besa!…Rroftë Shqipëria!… Rroftë Italia!…”

Zëri entuziast dhe solemn i popullit u bënte jehonë krismave të pushkëve që gjuajtën ushtarët italianë në shenjë gëzimi dhe vëllazërimi.

Përfaqësimi i oficerëve italianë, kapiten Martini, kapiten Ferret, kapiten Cocivera, toger Marsala dhe toger Del Vecchio, të karabinierëve, përshëndetën popullin dhe u pritën me britma që shprehnin miqësi dhe simpati.

Në mbrëmje familja Zogolli, e cila me dashamirësi kishte dhuruar sallat e pallatit të tyre për mitingun patriotik, shtroi një banket për nder të përfaqësimit të ushtrisë italiane dhe të nesërmen ofruan një tjetër, përsëri si dëshmi e asaj miqësie të sinqertë dhe e palëkundur që mbretëron mes shqiptarëve dhe italianëve. Në këtë banket të dytë, nënprefekti dhe një orator tjetër morën fjalën, duke uruar Shqipërinë dhe Italinë.

Popullsinë e Matit, siç e tregon qartë edhe kronika e ngjarjeve, e ka kapluar një dëshirë e një qëllim i vetëm : të jetojë a të vdesë për atdheun shqiptar dhe në mitingun solemn të mbajtur pikërisht tani, deshën të shprehin simpatinë e tyre për Italinë, një mikeshë e sinqertë dhe mbrojtëse e sigurt e Shqipërisë.

*** 

Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë
Burimi : Il Popolo Romano, e premte, 16 maj 1919, ballinë

Në mitingun për të cilin ju raportova lajmin, këtë axhendë votoi njëzëri edhe popullsia e gjithë rrethit të Matit, të cilën ua dërgoi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha Aleate :

“E gjithë popullsia e rrethit të Matit, e mbledhur në kuvend solemn, sjell në dijeni të qeverive aleate dhe të asociuara dhe të gjithë botës së qytetëruar, veprën e neveritshme, masakrat barbare, rrënimet dhe zjarret që serbët po bëjnë vazhdimisht në tokën shqiptare dhe që vazhdojnë dita-ditës duke marrë përmasa gjithnjë e më alarmante, sepse jeta, pasuria dhe liria e të gjithëve shqiptarëve janë në rrezik.

Serbia, me qëllimin për të nëpërkëmbur “besën” rreth së cilës janë tubuar të gjithë shqiptarët për lirinë e atdheut dhe me synimin për të prishur paqen që mbretëron në Shqipëri, shkeli kufijtë shqiptarë të vendosur nga Konferenca e Londrës dhe shkoi deri në grykat e Matit, duke shkaktuar dëme, rrënoja dhe masakra të tmerrshme, vetëm sepse shqiptarët duan të jetojnë të lirë dhe janë në gjendje të bëjnë që bota të dëgjojë jehonën e patriotizmit të tyre.

Popullsia e Matit, e mbledhur në kuvend solemn, proteston me indinjatë kundër kësaj vepre barbare dhe çnjerëzore të serbëve dhe me besim i drejtohet Fuqive të Mëdha, që duke u interesuar për gjendjen kritike të popullatave shqiptare, duan të urdhërojnë Serbinë të lirojë territoret e Shqipërisë, përndryshe shqiptarët e rrethit të Matit, të grumbulluar rreth “besës” stërgjyshërore, do të detyrohen të rrokin armët kundër serbëve. Këtë e deklarojnë sepse duan që tani të heqin dorë nga çdo përgjegjësi për pasojat e kësaj lufte të re, të cilën populli i Shqipërisë nuk e ka kërkuar.”

Axhenda e deritanishme e popullit shqiptar të Matit, e votuar unanimisht, i është dërguar të gjitha qeverive të Fuqive të Mëdha. Nuk do ta komentoj gjatë, sepse është mjaft shpjeguese dhe të gjithë mund ta shohin seriozitetin e situatës, e cila, për më tepër, është e përshkruar mjaft qartë. Pra, çfarë po pritet që t’u imponohet serbëve respekti për jetën, pronën dhe të drejtat e të tjerëve? Situata është mjaft e tensionuar në Shqipëri dhe mund të shpërthejë në çdo moment. Ballkani mund të rrëmbejë sërish armët. Fajin e kanë serbët.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Bohemi me i famshem i poezise shqipe…

February 18, 2023 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Frederik Rreshpja (19 korrik 1940 – 17 SHKURT 2006)

Bohemi me i famshem i poezise shqipe…ndoshta edhe liriku me i madh i saj, por me i vuajturi, me i pavleresuari qe fatkeqsisht nuk studjohet ne asnje tekst shkollor…

“Bukowski” lirik shqiptar u shua 17 vjet me pare i harruar, i uritur dhe i braktisur nga te gjithe…

Nje perle e Frederikut te Madh te poezise shqipe…

“Gjithmonë”

Është gjithmonë një trëndafil,

ndoshta edhe prej reje,

ose i bërë nga zëri im.

Është gjithmonë një yll që flë e gdhihet te dritarja ime

Dhe një zog që ikën nga kafazi i qiellit,

Është edhe hija jote ngjyrëgri që lulëzon.

Hija jote gjithmonë më ka kujtuar

Ngjyrën e aeroporteve të braktisur nga avionët.

Është një mesditë që zhvendos horizontet

Dhe unë ngjyros ylberë

Që shirat nuk i kanë njohur kurrë,

Që në ditën e parë kur lindën shirat.

Është një mbrëmje që thyen muzgun e vet dhe bëhet ditë,

Është një ajër që tringëllin; këputen telat

Dhe unë kurdis violina të reja,

Sepse gjithmonë është e diel.

Madje edhe me vite, kur vjen ti.

Filed Under: Kulture

Faruk Myrtaj- Poezi për Kosovën

February 18, 2023 by s p

17 SHKURT

Herë pas here na i ke falur borxhet,

“Si Gjysma ndaj Gjysmës…”, kemi thënë!

Mund të vazhdohet kështu edhe më tej,

Mjaft që borxhet t’i mbajmë mend…

Ah, edhe një bozhur-lule gjaku, prej gjakut tënd

një stalaktit mall prej lotit- nga syri yt rrëzuar

në stalagmit, llavë magme, shndërruar…

Kështu, në borxhe të reja hyjmë…

Ti, pra ti, sërish të na i falësh,

siç na i fale gjer Dje,

deri sa të mos mundim më si gjysma,

Si gjysma në një, mbase…

Filed Under: ESSE Tagged With: Faruk Myrtaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT