• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

JULIA GJIKA – CIKEL POETIK KUSHTUAR KOSOVES

February 18, 2023 by s p

GEZIMI I FITORES.

Mezi e pe ditën,

mezi e ndave nga nata e gjatë,

mezi erdhi fitorja.

S’ ishin pak tragjeditë,

humbjet, dhimbjet s’ ishin pak.

17 Shkurt, Kosovë

I ngjan stinës së pranverës,

gëzimin sjell

me kthimin e dallëndysheve,

me kthimin e yjeve në qiell.

Si një trup i vetëm ke dalë,

nuk te nxënë sheshet.

Nëpër botë

me kohë u shitën biletat

për të ardhur te ty.

Rrugët i gjetën dasmorët.

Eshtë e diel,

fytyra jote shkëlqen.

Pritja ishte e gjatë, përtej durimit.

Me zë të plotë, me zë të fortë shpërthen

me korin e ëngjëjve,

me fuqinë e dallgëve të lumenjve,

të deteve dhe oqeanive.

Rruga e gjatë e mundimeve

mbeti në hartë, për t’u treguar brezave.

Fitorja është ulur

pranë sofrës së madhe

buzëqesh me fytyrën e heronjve

Shpirtrat gëzojnë,

toka dhe qielli ka festë.

Martirët shtrijnë eshtrat

të qetë janë tani.

Asgjë nuk vajti dëm

as gjaku i derdhur.

Ata që e dinë se cfar’ ndodhi dje

ndoshta nuk dinë shumë,

shumë pak dinë.

Por ky qiell I di të gjitha

ndaj sot nuk mbahet

derdh dritë, ngrohtësi

të rritet bari me shpejtësi

të gëzojë fitoren

Kosova e pavarur,

shteti më I ri në botë.

Botë a e degjon?

Bota te njeh KOSOVE!

Shkurt / 2008

NE KOSOVE NE PRAG TE SHPALLJES SE PAVARESISE

Për herë të parë unë dhe im shoq Thanasi, vizituam Kosovën në Tetor 2006. Unë kisha mësuar shumë gjëra për Kosovën në vitet e gjimnazit përmes mësueses sime të letërsisë, të ndjerës Zyma Berisha, e cila ka qënë një nga simbolet më të bukur e më domethënës të Kosovës tek ne.

Dita e parë, u gdhimë në Pejë. Vëllai i mësueses, Zoti Aziz na bëri dhuratën e cmuar, shëtitje nëpër grykën e Rugovës, ,Kur aritëm në një nga majat e Rugovës, sikur prekëm retë,para syve tanë lugina dhe zabele të gjelbëruar me barin e dëndur dhe të pastër. ishte bukuria mahnitëse, e shumë ëndërruar.

Ditën e dytë, shkuam në Prishtinë. Mbrëmjeve këtu nuk kishte drita dhe gjeneratorët që punonin nëpër dyqane të mërzisnin me zhurmën e tyre .Bujtëm në hotel Iliria. i cili e kish humbur shkëlqimin e hershëm si pasojë e luftës.

Ditën e tretë, në hotel Iliria na vizitoi i ndjeri prof Sadri Fetiu, drejtor i Institutit Albanologjik i cili na shpuri për vizitë tek varri i të ndjerit president Ibrahim Rugovës, në vazhdim tek godina e Institutit Albanologjik, pastaj Kompleksi memorial i të rënëve në luftën e fundit.

Në monumentin e gjatë prej mermeri janë skalitur emrat e 2 400 e ca dëshmorëve. U ndalëm në Skenderaj ku pamë shtëpitë monumentale të djegura të Jasharajve, dhe varret ku prehen Jasharajt.

Bota e njohu peticionin të firmosur nga gjaku i pleqve 94 vjecarë dhe fëmijve, ëngjëjve 6-7 vjecarë. Truproja rrinte gatitu gjatë kohës që bëmë vizitën në vorrezat e Jasharajve në Prekaz.

Tani Kosova është e lirë. E pavarur. Në kujtim të atyre ditëve, momenteve prekëse që perjetuam, po sjell për ju të dashur miq e mikesha vargjet më poshtë:

IBRAHIM RUGOVA

Atë, që askush nuk e shihte,

Ti e pe, ende udhën pa e nisë

qiellin e kaltër përtej reve,

Kosovën në krahët e lirisë.

Te shkëmbi i larë qajnë valët,

era shkon e vjen si e marrë,

njerëzit, gurët dhe drurët

kanë ankth, kanë acar.

Zjarrin që të digjte në zemër,

si trim e durove pa ankim,

si mendjendritur vizionar

me dashuri fole, i urti Ibrahim.

Të ftohta ditët e këtij Janari,

të ftohta muret nëpër oda,

luadhet e malet e Kosovës,

mbuluar nga ngrica e bora.

Nata harron të largohet,

shpirti po ikën ca nga ca,

zemra dhe truri i munduar,

në duart e natës dhimbjet i la.

Lot’i fundit I jetës rrëshqet,

Njeriun e Madh paqja mbështjell

21 Janar, 2006

CDO MINUTE PER TY KOSOVE

Cdo minutë të dërgoj

dashurinë time, Kosovë,

sadopak të mbështjell plagën tënde.

Cdo minutë të dërgoj lotin tim të valë,

sadopak të të ngushëlloj.

Cdo minutë lutjet të dërgoj,

cdo minutë shpresën time të dërgoj,

që ti të mos humbësh.

Do shihemi në ditë verore me diell,

më brohoritje gëzimi,

në netët hënore me yje e fishekzjarre,

në netët e gjata të dimrit.

Do këndojmë në odat e burrave

trimëritë e tua që panë shekujt.

1998

PO VIJ TE TY KOSOVE

Po vij te ty dhe humb

në luadhet e gjelbra,

në luginat ku krihen zanat,

fytyrën laj me to,

në ujrat e bardha.

“Janë trembur, thonë,

“Fshehur rrinë në Bjeshkët e Namuna”

Po vij te ty,

të dëgjoj trokitjen e zemrës,

dhe fjalën e burrave të urtë.

Gryk e Rugovës,

të flladit,

dekori I maleve të pushton.

Stuhitë shekullore

trazuan paqen e lumenjve,

por nuk ua ndrruan shtratin-

nga goja tënde dua të dëgjoj-

Dielli, dielli të do e të ka dashur

Fytyra jote , hënë e plotë,

duart mëkojnë pëllumba

Kur yjet buzëqeshin në qiellin tënd , Kosovë,

vezullimet reflektohen te Nëna.

2006

KUFIRI

Eshtë e njejta tokë

tokë e Zotit ku kam lindur,

ku kam jetën time.

Unë i njoh këta gurë shekullorë,

në këto luadhe bari zgjatej nga gëzimi im,

kufiri ndau pjesën time nga ty.

Këtu ka dritë, ka ajër, ka zogj njësoj,

ka tinguj, ka policë,

(Ata më buzëqeshin kur u jap pashaportën)

Kufiri,

ka qiell këtu

dhe une mbrita,

kur dielli ishte në zenith.

E kapërxeva kufirin dhe erdha

në zemrën tënde, Kosovë,

bash ne zemren time.

Do fle te ty, e shkela kufirin,

përtej kufirit jam

nën një qiell që dje ish ndarë me dysh.

Do fle në qytetin, rethuar nga Bjeshkët,

fytyrën do t’ia kthej dritës së natës

dhe do të pres zgjimin me ty.

2006

NE PRIZREN

Roje të bëjnë murret e hirta të kalasë

hëna e zënë në re- dritë kandili,

ndricimi dridhet mbi gjokse malesh,

mbi valë dilemash akoma ti.

Era ngre pluhurin,

aroma e tokës kudo hyn

Bistrica rjedh e heshtur,

e heshtur valët shtyn.

Malli mat rrugët

pëllëmbë për pëllëmbë,

nga xhamia e Sinan Pashës

te Shtëpia Muze më sjell.

Paqeruajtësit me uniforma kaki

mbi kamiona shtrëngojnë armët,

tytat e zeza në një drejtim.

Kryq e tërthor vështrojnë Prizrenin,

vjeshta i vjedh ngjyrat perëndimit.

2006

JAM NJE RE NE QIELLIN TEND

Gjakovë, me cati të kuqe

me oborre, pemë rënduar nga frutat,

gjithcka e pabesushme më duket,

edhe qënia ime te ty, e pabesueshme

Leviz si një re e qiellit,

herë ndricohem,

herë ngysem, herë humbas.

Ti e sapozgjuar

përgjon lëndinën e Mejës.

Ringjalljen takoj te gjakovarët,

te krahët e tyre

shpresa ri mbështetur, në pritje.

2006

NE PRISHTINE

Eshtë muzg,

qyteti zbrazet ngadalë,

pa vajtur gjashtë e mbrëmjes.

Elektromotorët japin energji,

pak dritë, pak ngrohtësi,

zhurma e tyre të kujton luftën, breshëritë,

pikëllimin mund, Prishtinë.

Një fëmijë i vetmuar

numuron me gishtat e dorës

cka humbur!

Në një qoshe të shtëpisë, plaku,

(Oh! I ka ikur drita e syve),

me gishtat zverdhur nga duhani,

me tregon zhdukjen e bijve.

Zërat janë mbledhur e bucasin

lart në qiell.

2006

KODRINA E JASHARAJVE

Kodrina i mban në prehër,

kodrina e blertë,

përkund një fis me emër.

Një harpë dëgjohet,

zgjatim duart, prekim emrat.

Lulet janë pak,

fjalët s’janë mjaft,

trimat flenë në gjirin e Prekazit.

Mosha të ndryshme:

nga pesë mbi shtatëdhjetë,

fëmijë buzëqumësht,

fisnikë pleq.

Zemra ime sa e dobët je,

fillon të lotosh.

2006

NE KRUSHEN E VOGEL

Pranvera atë vit u ngatërua,

stinët e tjera nuk u takuan me të,

për t’a ndjekur me shpërthime,

me ngrohtësi.

Fëmijët nuk rendën luadheve

Nata rëmbeu burrat e Krushs se Vogël.

U thyen trarët e shtëpive.

300 burra i vranë

300 palë krahë u ndenë,

u ndenë sa mbuluan dhenë.

Fëmijët ruajnë fotografitë në korniza.

Ne ikona baballarët janë kthyer!

2006

Filed Under: LETERSI

Kryetari Konjufca merr pjesë në aktivitetet për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë

February 17, 2023 by s p

Kryetari i Kuvendit mori pjesë në ngritjen e flamurit, ndërsa më pas bëri homazhe te Memorali i të Pagjeturve, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi dhe në Kompleksion Memorial në Prekaz.

Për nder të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, mori pjesë në ngritjen solemne të Flamurit të Republikës, duke shënuar kështu edhe fillimin e aktiviteteve për këtë ditë.

Më pas, liderët shtetërorë bënë homazhe te Memoriali i të Pagjeturve, para Kuvendit të Kosovës.

Aktivitetin për nder të 15 vjetorit të pavarësisë Konjufca e vazhdoi me homazhe dhe vendosje të luleve te varri i ish presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Kryetari Konjufca bëri homazhe edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga ku tha se sakrificën dhe flijimin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij do ta kujtojnë gjithnjë.

Kryetari i Kuvendit tha se liria dhe pavarësia kanë qenë të pamundshme pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e momenti më i lavdishëm i luftës clirimtare ka qenë lufta e Jasharajve kundër Serbisë për çlirim dhe flijimi i gjithë familjes.

“Sakrifica e Jasharajve e ka ngritur në një dimension tjetër edhe kombin shqiptar, por në anën tjetër edhe e ka zgjuar botën, e ka tronditur ndërgjegjjen ndërkombëtare dhe prej atij momenti nuk ka pasur askush dyshim që liria për popullin shqiptar është e pashmangshme”, tha kryetari Konjufca.

Aktivitetet për nder të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë do të vazhdojnë edhe gjatë ditës.

Filed Under: Analiza

Kosova 15 vjet shtet, me Axhendë Shtetërore festohet Dita e Pavarësisë

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

February 17, 2023 by s p

PRISHTINË, 17 Shkurt 2023/ Kosova me Axhendë Shtetërore feston sot Ditën e Pavarësisë së shpallur para 15 viteve në 17 Shkurtin historik 2008, pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Pavarësia jonë është rezultat i historisë shekullore të Kosovës, si vend ku gjithmonë kanë jetuar krah për krah me shumicën shqiptare dhe në bashkëpunim me të, komunitete të feve dhe gjuhëve të ndryshme”, tha Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen festive të Qeverisë së Republikës së Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë, me të cilën nisi sot axhenda shtetërore që vazhdon edhe me shumë veprimtari, përfshirë Seancën solemne të Kuvendit, ku sapo folën liderë institucionalë e politikë, uroi edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës”, uroi ai.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, të dielën e 17 Shkurtit 2008 – të para 15 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Pak para kësaj ore, parase 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i atëhershëm i Kosovës Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, ku na priti në atmosferë feste e përzemërsie drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare Artur Kopani dhe mua korrespondentin në Kosovë të kësaj Agjencie Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, në intervistën ekskluzive deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”…

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.
Kosova deri tani është njohur nga 117 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.
Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror të Kosovës.
Gjatë 15 viteve, Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.
Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.
Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.
Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së – kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.
Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë me Mbikëqyrje Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike. Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës.
Në 10 Shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.
Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.
Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë.
Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016…
Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 15 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.
E ngjarja e vitit 2022 e Kosovës ishte kjo: Në 15 Dhjetor, Kryeministri Albin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës, i dorëzoi Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Një ditë më parë në Prishtinë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.
E në prag të Vitit të Ri 2023 Qeveria kosovare në mbledhjen e 112-të ka themeluar Këshillin Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 2023-tën festohet edhe 24 vjetori i Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë NATO – forca ushtarake më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.
Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.
Fotoja e ballinës së gazetës Rilindja e fishekzjarreve mbi Prishtinë në mbrëmjen e 17 Shurtit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u bë nga shtëpia e vëllait tim Demë Jashari në Laxhen Taslixhe 4 – Rruga Fatmir Gjata Nr. 9, ku po festonim bashkë me ekipin e Agjencisë Shtetërore – Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, fotoreporteri i saj Florian Abazaj është autori i fotografisë…

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.
Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.
Fotoja e ballinës së gazetës Rilindja e fishekzjarreve mbi Prishtinë në mbrëmjen e 17 Shurtit historik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u bë nga shtëpia e vëllait tim Demë Jashari në Laxhen Taslixhe 4 – Rruga Fatmir Gjata Nr. 9, ku po festonim bashkë me ekipin e Agjencisë Shtetërore – Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, fotoreporteri i saj Florian Abazaj është autori i fotografisë…

Filed Under: ESSE

Akti i deklarimit të pavarësisë, kapitull i pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës

February 17, 2023 by s p

PRISHTINË, 17 Shkurt 2023-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë / Komunikatë e dërguar nga Zyra për Komunikim Publik – Zyra e Kryeministrit të Kosovës:

Kryeministri Kurti në seancën solemne: Akti i deklarimit të pavarësisë së Kosovës dhe shpalljes së saj shtet, shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës

Prishtinë, 17 shkurt 2023

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuari President i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj,

I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit, zëvendëskryeministra e ministra,

Shkëlqesi ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë që keni ardhur nga vende të Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetiu,

I nderuari z. George Robertson, sekretari i dhjetë i Përgjithshëm i NATO-s,

Të nderuara familje të dëshmorëve, veteranëve e invalidë të luftës çlirimtare,

Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore,

Të nderuar prijës fetar,

Të nderuar mysafirë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, Sanxhaku, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Vërtet shkurti është muaji me më së paku ditë, por mes tyre, ka një ditë që për nga denduria e peshës kombëtare dhe historike, ka efekt zgjatues ndaj përjetimit tonë të kësaj periudhe të vitit. Ajo është dita e 17-të e muajit shkurt, ditëlindja e Pavarësisë së Kosovës!

Datat e përvjetorëve të ngjarjeve kyçe si kjo, janë stacione ndalimi për refleketim, mes dy lloj kohërrjedhjesh: kohëve ditore të asaj kohe të vazhdueshme dhe të përditshme në njërën anë, si dhe të kohëve historike në anën tjetër, të atyre kohëve që dikur ishin të sotme kurse sot janë të djeshme, ditë të shkuara por që nuk shqiten nga asnjë ditë, të sotme apo të ardhshme qofshin ato. Janë këto lloj ditësh, datat e të cilave regjistrohen si data historike.

E tillë është data e 17 shkurtit, sepse sikur sot, 15 vite më parë, më 17 Shkurt 2008, në po këtë sallë Kuvendi, 109 përfaqësues të zgjedhur nga populli i Kosovës, hodhën firmat e tyre në pergamenën ku ishte dorëshkruar teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Pasditen e asaj të diele të veçantë dhe të papërsëritshme, më 17 shkurt 2008, kontinentit të Evropës iu shtua edhe një shtet i ri, kurse botës perëndimore iu shtua edhe një vend ku vlerat demokratike janë thelbi i çdo kursi politik dhe shoqëror. Në një kohë të vështirë politikisht, kur jo vetëm politikanët dhe diplomatët, por edhe teoricienët politikë besonin që kishte perënduar epoka e shtetndërtimeve, shtetformimeve në Evropë, në Ballkan u krijua edhe një republikë parlamentare e mirëfilltë. Kjo falë miliona vullneteve politike që ndër vite thirrën “Kosova Republikë”, derisa këtë parullë politike e kthyen në një emër zyrtar shtetëror.

Akti i deklarimit të pavarësisë së Kosovës dhe shpalljes së saj shtet më 2008, shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës. Kumti i këtij kapitulli, është vullneti politik i popullit të saj, që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe i pandashëm. Ky kapitull, duhet të mbetet i tillë, duke u mbrojtur politikisht dhe përforcuar në vazhdimësi, nga të gjithë, në secilin rast, para çdo sfide!

Shpallja e pavarësisë së Kosovës këtu e 15 vite më parë, ishte rezultat i shumë përpjekjeve dhe sakrificave të skajshme të popullit tonë shqiptar si dhe i ndihmës e përkrahjes aq të nevojshme të partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë. Krijimi i Republikës së Kosovës, erdhi pas 666 shekujsh të kaluara gjithsej nëpër burgje nga mijëra të burgosur politikë, siç erdhi edhe nga gjenerata të tëra mësimdhënësish që edukuan dhe shkolluan breza të tërë në frymë patriotike dhe atdhedashurie. Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të rënë dhe i secilës jetë të dhënë për lirinë e këtij vendi, siç erdhi edhe nga kontributi i atyre që i drejtuan dhe i zhvilluan proceset politike shtet ndërtuese deri në këtë ditë. Republika jonë, erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtarë që më 1999, na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia pushtuese.

Ishin po këta aleatë ndërkombëtarë, që më 2008, mbështetën po ata faktorë vendorë, në koordinimin e gjithë atyre veprimeve të nevojshme politike dhe proceseve të domosdoshme diplomatike, që kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Që nga atëherë, njësoj si edhe më përpara, partnerët dhe aleatët tanë kanë qenë të pandashëm në rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të përplotësimit të subjektivitetit ndërkombëtar të republikës sonë.

Duke kujtuar atë ditë të ftohtë të 17 shkurtit 2008, teksa shënojmë ditëlindjen e sivjetme të shtetit të Kosovës, 15 vjet më pas, vazhdojmë të ndjejmë të rrahurat e zemrave të të gjithë atyre që luftuan dhe punuan për atë ditë, siç ndjejmë të rrahurat e zemrave tona secilën ditë më pas, nga gufimi i tyre prej ndjenjave të krenarisë dhe të përbashkësisë që na jep shteti ynë, Republika e Kosovës. Si mund t’i përmendim sot të gjithë ata që s’ua dijmë emrat. Është fjala popull që shënon dhe tregon të gjithë ata, të gjithë neve bashkë, pra populli si burimi ynë i secilit, si qëllimi ynë i të gjithëve.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit dhe viktimave civile të rënë për lirinë e Kosovës. Njohje dhe përkujtim të gjithë atyre që në panumër mënyra kontribuuan për shtetin e Kosovës deri në këtë ditë dhe më tutje. Mirënjohje e thellë dhe respekt për partnerët dhe aleatët tanë që në secilën fazë të historisë së vendit tonë, e ndihmuan popullin tonë nga shtypja drejt çlirimit e lirisë dhe nga pavarësimi drejt fuqizimit e zhvillimit.

Gëzuar 17 Shkurti dhe urime 15- vjetori i Pavarësisë së Kosovës!

Filed Under: Kronike

Republika e Kosovës është e përjetshme

February 17, 2023 by s p

PRISHTINË, 17 Shkurt 2023-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Republika e Kosovës është e përjetshme, siç do të jenë të vazhdueshme edhe përpjekjet tona për ta fuqizuar atë dhe për të vazhduar për t`u ndje krenarë me shtetin, i cili është interesi ynë mbi secilin interes tjetër, theksoi sot Presidentja Vjosa Osmani në parakalimin e Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Komunikata e dërguar nga Presidenca e Kosovës:

Fjalimi i Presidentes Osmani në parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës me rastin e 15- vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës

Shumë të dashur qytetarë të Republikës sonë, ju faleminderit që çdo ditë i bëni nder Kosovës, dhe çdo ditë e lartësoni flamurin e Republikës sonë,

I nderuar president i Shqipërisë,

E nderuar zëvendës presidente e Bullgarisë,

I nderuar Kryetar i Kuvendit Konjufca,

I nderuar Kryeministër Kurti,

I nderuar komandant i FSK-së,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,

Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës,

Të nderuar oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të FSK-së,

Zonja dhe zotërinj,

Sot jemi mbledhur për të festuar një vit tjetër pavarësie, një vit tjetër lirie dhe një vit tjetër përparimi.

Në 15-vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë, Republikës së Kosovës, kujtojmë me respekt të thellë sakrificën e të gjithë atyre që luftuan trimërisht e ranë heroikisht për ta siguruar lirinë tonë dhe për ta bërë të mundshme një Kosovë demokratike ku të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Jo rastësisht, trupat e ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës do të parakalojnë sot në tri sheshe emblematike, të cilat përmbledhin dhe gërshetojnë një pjesë të madhe të historisë sonë.

Do të fillojnë nga sheshi “Ibrahim Rugova”, do të vazhdojnë nëpër sheshin “Nëna Terezë”, e do të kthehen këtu tek sheshi “Zahir Pajaziti”, e pas nderimit ndaj 15-vjetorit të pavarësisë së shtetit, kuadratet e tyre do të kthehen në kazermën, e cila mban emrin e ikonës së luftës sonë çlirimtare, komandantit legjendar Adem Jashari.

Vajzat dhe djemtë e Ushtrisë dhe Policisë sonë, në këtë ditë feste, do të marshojnë nga sheshi pra që mbanë emrin e arkitektit të shtetit të Kosovës, atit themeltar, presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, i cili edhe tani po na shikon nga atje, duke u ndier jam e bindur krenare me sukseset e shtetit tonë.

Republika jonë mbanë vulën e sakrificës së tre mijë dëshmorëve të UÇK-së të cilët u udhëhoqën nga komandanti legjendar Adem Jashari. Liria, pavarësia dhe shteti ynë janë testamenti i tij dhe i shumë brezave, ndaj përulemi me respekt para tyre!

Kuadratet e ushtrisë, të cilat sot parakalojnë para nesh së bashku me Policinë e Kosovës janë pjesa më e ndritshme e historisë sonë të re dhe ndërlidhja e dy periudhave historike, të cilat i dhanë udhë lirisë sonë, shtetformimit dhe shtetndërtimit.

Sikurse ushtria jonë që dëshmohet e na bën krenarë çdoherë, edhe Policia e Kosovës, e cila së fundi u përballë me angazhim të shtuar nga zhvillimet në veri të vendit ka treguar përkushtim e vendosmëri për ta ruajtur rendin dhe ligjin, por mbi të gjitha për ta ruajtur sovranitetin në çdo cep të Republikës së Kosovës.

Këta vajza e djem, janë pasardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e kthyen dhe mbrojtën dinjitetin e popullit tonë.

Prandaj, faleminderit secilit veç e veç!

Por, sot, sot një falënderim i madh shkon edhe për miqtë tanë, në radhë të parë faleminderit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatët tanë të përjetshëm, faleminderit për të gjitha shtetet anëtare të NATO-s si dhe shtetet e tjera mike anekënd botës, të cilat duke mbështetur të drejtën tonë për të jetuar të lirë, u vendosën në anën e duhur të historisë.

Forca jonë është profesionale dhe e gatshme kurdo në mbrojtjen e sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, andaj sot së bashku me ju qytetarë të nderuar do të kemi mundësinë që ushtrisë sonë e Policisë sonë t’i themi së bashku faleminderit gjatë këtij parakalimi.

Si shoqëri dhe si shtet i detyrohemi ushtarëve tanë e policisë sonë si dhe sakrificës së tyre. Ata janë mishërim i vetëmohimit dhe i shërbimit.

E pavarësia jonë nuk është vetëm çlirim nga robëria, por edhe përpjekje e çdoditshme e jona për një shoqëri të bazuar në drejtësi, barazi dhe prosperitet për të gjithë qytetarët pa dallim.

Prandaj, le të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tonë dhe brezat që do të vijnë. Periudha në të cilën po kalon shteti ynë, në këtë kohë të sfidave dhe kërcënimeve globale, shton nevojën e bashkimit tonë në një front, në të mirë të Republikës. Sepse, vetëm kur jemi bashkë jemi të suksesshëm. Republika jonë është e shenjtë dhe ne duhet ta trajtojmë dhe ta ruajmë si të tillë.

Republika e Kosovës është e përjetshme, siç do të jenë të vazhdueshme edhe përpjekjet tona për ta fuqizuar atë dhe për të vazhduar për t`u ndje krenarë me shtetin, i cili është interesi ynë mbi secilin interes tjetër.

Zoti e bekoftë Ushtrinë dhe Policinë tonë!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT