• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

15 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës nëpër Shkollat Shqipe “Alba Life” në New York dhe Online

February 13, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë. A.Shkreli

Shkollat Shqipe “Alba Life” në të gjithë Nju Jorkun festuan me madhështi 15 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në javën e Kosovës

Nxënësit e këtyre shkollave performuan mjaft bukur dhe me një dashuri të madhe për Kosovën martire.
Ka qenë një javë që iu kushtua vetëm 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Nxënësit kishin përgatitur programe të ndryshme artistike me këngë, valle e recitime në të gjitha Shkollat Shqipe si në Staten Island, Brooklyn, Queens, Bronx dhe në Online. Vlen të theksohet puna e kualifikuar dhe organizimi nga të gjitha mësueset e përkushtuara që i janë bashkuar këtij Misioni Kombëtar, mësimit të Gjuhës Shqipe. Në cdo shkolle z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i shkollave pas përshëndetjes shfaqi në ekran deklaratën e Pavarësisë së Kosovës lexuar nga Kryeministri Hashim Thaci dhe miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, 15 vjet më parë.
Në këtë ditë të shenjtë për Kombin tonë përshëndeti në Bronx, Ushtari i UÇK-së Agim Gashi. Ai është Ushtari i UÇK-së, invalid dhe kontribues në themelimin e Shtabit Lokal të UCK-së. Fjala e tij u mirëprit me duartrokitje dhe emocione. Natyrshëm ka ende shumë punë për të bërë për Kosovën martire, por nxënësit mësojnë mirë se c’është Kosova, genocidi serb, lufta për të fituar Pavarësinë dhe ruajtja e saj në përjetësi.
Duke dëgjuar Bijtë e UÇK-së, përshëndetjet e mësuesëve, interpretimet nga nxënësit, e pamundur të më hiqej nga mendja poezia “Lirikë për Lirinë shkruar nga poeti i shquar Azem Shkreli si:
Liria është ylberi im matanë grilave/ Liria është gërshet i vashës me fjongë/ Kur rritet, e veshim nuse/ Kur eçtohemi, i pijmë shëndet nga gjiri/ Ajo është pikë në ujë, zog në qiell/ Kur flet, e kuptojmë si nënën/ Kur dhemb, dhemb në zemër/ Liria thinjet bukur, nuk plaket/ Kur vdiset, është e pavdekshme/ Kur vdes, i bëjmë vend në dhe të Atdheut/
Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë.

Gëzuar 15 Vjetorin e Pavarësisë Kosova Jonë!

12 Shkurt, 2023
New York

Filed Under: Komunitet

“SKA ME RUSI -Vladimir Putin ka krye Misionin e tij në këte jetë!” Nji interpretim!

February 13, 2023 by s p

Shkruen : Leonid Y. Gozman/



Ridgefield, CT. Kuptimi i titullit të masipërm “…Ai, Putin, mendon se misioni i tij është të gjunjëzojë Shtetet e Bashkueme të Amerikës, të krijojë një rend botëror në të cilin Putin do të ishte lojtari kryesor, etj. Por ai ka gabuar! Misioni i tij është shkatërrimi i Rusisë; tani ai mund të largohet i qetë”. Arsyeja? 1)Ekonomia ka ra poshtë; 2) përkeqsimi i situatës demografike; 3) prapambetja e thellë teknologjike; 4) hipokrizia gjithëpërfshirëse.
Këto janë arritjet e mbretërisë së Putinit. Lista mund të jetë shumë më e gjatë. Me luftën dhe vrasjet masive si arritje kulmore. Por kur bëhet fjalë për Rusinë- po, ai e shkatërroj ate. Vendi ku kemi lindur dhe jemi rritur nuk ekziston më” shkruen autori rus me tone pesimiste. Per autorin Gozman, Rusia putiniste ka vdekë moralisht me vetë-vrasjen në Ukrainë.
Ky shkrim ashtë botue në novoyagazetaeurope(r.m.Illyria,N .Y) Kush ashtë autori?
Emni i tij: Leonid Yakovlevich GOZMAN president i Lëvizjes Publike Gjithëruse, Bashkimi i të Gjitha Forcave të Djathta. Ai ka kundërshtuar agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, atë të vitit 2014 dhe të vitit 2022. Me 25 korrik 2022, aI u arrestue dhe u mbajt në burg 15 ditë për shkak të nji postimi në Facebook, spjegon editoriali i gazetës, që, sipas autoriteteve”… denigronte imazhin e Rusisë”. Gozman ashtë sot emigrant politik në Svicër…
Në janar 2023, the Harriman Institute, Columbia University, botoi studimin e Profesor Yana Privoduka, anëtare e këtij Instituti, ku ajo adreson problemin e “shpifjeve”të “historianëve rusë ” në mediat e vendit gjatë Fazës së Parë të agresionit rus kundër Ukrainës (2014-2016). “Përpjekjet në fushën e betejës- shkruen Profesori rus në Columbia- janë vetëm nji element i luftës në Ukrainë. Agresioni parashikon nji invadim të plotë rus në Ukrainë në shkurt 2022. Kjo luftë hibride ka dimensione të shumëta që përfshijnë edhe interpretimin e së kaluemes gjatë viteve 2014-2016. Rusia shpërndan gënjeshtra jo-historike të cilat portretizojnë Ukrainën e sotme si nji shtet artificial, i falimentuem.(“failed state”). Tue paraqitë situatën në Ukrainë, mediat ruse perdorin kuadrin e Luftës II Botënore që ashtë tejet i politizuem, e diskursin politik bashkëkohor. Fushata e Donbas-it, e përkrahun plotësisht nga Rusia paraqitet si “Lufta e Vogël Patriotike”, nji përsëritje ose nji kopje e “Luftës së Madhe Patriotike.” Kjo “luftë e vogël…” kushtoi rreth 200.000 viktima deri tashti!
(Shenim: mbas disfatave fillestare e kolosale sovjetike në vitin e parë (1941-42) të agresionit nazist, lufta e rezistencës ruse u quejtë jo “Lufta kundër fashizmit” nji shprehje që nuk frymëzoi qytetarët e ish Bashkimit Sovjetik, por ishte “Lufta e Madhe Patriotike”, që mobilizoi forcat e qytetarëve rezistues deri në fitoren e plotë, me 9 maj 1945. Ukraina gjithashtu ka rezistue. SR)
“Përfshirja në diskutim e interpretimit të së kaluemes” ka marrë sot nji randësi të veçantë në justifikimin zyrtar të invazionit agresiv, anti-ligjor, dhe përdorimin e mjeteve shkatërruese për asgjasimin e objektivave paqësore të Ukrainës, me rezultat vrasjen e mijëra qytetarëve të pafajshëm dhe shkatërrimin e objekteve civile të Ukrainës, me shpresë se vuejtet e mëdha që pëson popullsia civile do të ushtrojnë presion mbi qeveritarët ukrainas me pushue rezistencën, e me pranue pushtimin ushtarak rus të Ukrainës.
Këto llogaritje ushtarake u dermuen para rezistencës heroike të mbar popullit ukrainas!
Simbas Zërit të Amerikës ka arsye me besue se lufta e paprovokueme Rusi-Ukrainë të zgjanohet me stërvitje ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainën, dhe vlerësimi i SHBA-së se mund të jemi para nji pushtimi masiv, të mundshëm e të plotë rus në Ukrainë, mbrenda pak ditëve. Me gjithë kerkesën e Putinit që Amerikanët akoma në Ukrainë të largohen mbrenda 48 orëve, ka mundësi që të mos ndermerret nji ofensivë para 20 shkurtit, kur lojët olimpike të përfundojnë në Kinë.
Konfirmohet lajmi se ka nji rritje tjetër të trupave ruse në kufijtë me Ukrainën. Këshilltari presidencial, Jake Sullivan, deklaroi:” Ne, nuk mund të përcaktojmë tani ditën e orën e fillimit të nji sulmi, por kjo ashtë shumë e mundur të ndodhë në çdo moment”. Për çdo eventualitet Amerika dergoj mijëra ushtarë në Poloni e Rumani. Në vlerësimin e gjendjes, sekretari i shtetit Blinken tha ”…Ne vazhdojmë të shohim shenja shumë shqetësuese të përshkallëzimit rus…” Njikohësisht, Zëri i Amerikës raporton se “udhëheqsit politikë perëndimorë janë plotësisht të bashkuar , dhe do të përgjigjen ashpër nji pushtimi rus me sanksione shkatërruese ekonomike dhe tregëtare”.
Mbrenda Rusisë, ish shkrimtari personal i Putinit – i njohun me “#85233B.A.”- dha alarmin se “…ndersa Moska ndjek me sy mbyllun fitoren e përgjakëshme në Ukrainë, ka zhvillime në vend që heshtazi po ecin drejt nji solucioni ushtarak “ shkruen gazeta The Daily Beach e 26.II.2023. Me 17 janar 2023, u hap lajmi se helikopteri me të cilin udhëton Z. Putin u rrëzue në Moskë.
V.Putin ashtë i vendosun me ndertue të ardhmen njilloj si ka qenë e kaluemja e saj. Ai urdhënoi “operacionin special ushtarak” sepse besonte që ishte e drejta hyjnore “the divine right” e Rusisë me sundue mbi Ukrainën, me fshi nga faqja e dheut identitetin kombëtar ukrainas, dhe me integrue popullin ukrainas në kuadrin e Rusisë së Madhe. Për këte ai botoi nji essay të gjatë 5.000 fjalësh “Mbi unitetin historik të Rusëve dhe Ukrainasve”(korrik 2021).
Simbas V. Putinit, Bjelorusët, Rusët dhe Ukrainasit janë mbasardhës të popullit të vjetër “Rus”
Ai shkruen se (fati) i kishte lidhun ata me territor të përbashkët, gjuhë dhe fenë, krishtenimi orthodoks. “Ukraina, shkruen ai, nuk ka qenë e pavarun, sovrane“. Putin mendon se Ukraina u shkëput nga Rusia prej Bolshevikëve, 1922. Mbas vitit 1989, Perendimi e perdori Ukrainën me kercënue Rusinë, dhe zhvilloi Nazismin (sic!). E vetmja zgjidhje për Ukrainën ashte nji partnership me Rusinë. Kështu Ukraina do të ishte sovrane. “ Na jemi nji popull” shkruen Putin. Shteti rus i krijuem kerkon që Perendimi dhe zonat tokësore në Jug të Rusisë të pranojnë rolin predominant rus në Euro-Azinë. Kjo don të thotë nji sferë kontrolli e dominueme nga Rusët” nji lloj përziemje të re-integrimit territorial (pushtimit) në disa vende, dhe pozitë dominuese në sferat e sigurimit, politikës, dhe ekonomisë”shkruen diplomatja Fiona Hill,eksperte ruse në Brookings Institution”(Fo.Aff.Sept-Oct. 2022)
Problemi ngrihet me seriozitetin e pabesueshëm të Z. Putin. Ukraina e konfirmoi ate. Me 2014, Rusia okupoi Krimenë, tue fillue kështu nji konflikt të armatosun që zgjati tetë vjet (2014-2022) me rreth 14.000 viktima. Perendimi u lajmërue se Rusia ka synime për aneksime rreth e rrotull kufinjëve ekzistues, me reparue shkëputjet territoriale historikisht të njohuna si tokë ruse”. Bolshevik, komunist Russia “created” nji vend që nuk ka ekzistue ma parë, Ukrainën, tue i dhanë asaj zonen e industrializueme të Donbas-it. Nga shtypja e pësueme në diktaturën e proletariatit, shtypja e pakicave jo-ruse vazhdoi. “Per Z. Putin, Ukrainasit janë ’Nazis’ sepse refuzuen me qenë rusë” shton Profesor Fiona Hill. Para nji situate të këtill, Ukraina kerkoi të bashkohej me organizatën e NATO-s.
Por nuk ashtë kjo arsyeja e konfliktit; refuzimi i Ukrainës me u njohë si “ruse”, po! Si dhe arsyeja e Ukrainës me u bashkue me Europën si mjeti ma i mirë i mbrojtjes së tyne nga agresiviteti i Putin-it. Shkrimtari rus Sorukin e paraqet si nji car mesjetar, si Ivani i tmerrshem, dhe anti-perendimor. Ka mundësi që pretendimet tokësore ruse mund të nxisin, sidomos në Ballkan, konflikte ku kerkesat për aneksime tokësore do të jenë argumentet e agresioneve të reja.
Putin sot shpreson tek “gjenerali dimni rus” , mohimi i furnizimit me gaz dhe vajguri për të gjithë Europën rreth 400 miljonëshe do të thyej vullnetin e rezistencës ukrainase, kësaj rradhe me ndihmën e aleatit natyror, tue mohue ngrohjen dhe ujin e pijshëm për popullsinë civile ukrainase dhe europiane, sidomos pleqtë dhe fëmijtë që nuk shkojnë në front. Nji degradim moral i këtill pa dyshim që dekurajon elitën e popullit rus të ofenduem nga mungesa e plotë e arsyes njerëzore; udhëheqja ruse ka krijue atmosferën e nji para-revoltimi masiv popullor. Në këte kuadër, qendrimi i forcave opozitare vishet me nderin e madh të nji populli thellësisht njerëzor, dhe frika që shqetëson autorin Gozman ashtë plotësisht e justifikueme. Opozitarët rusë shohin degradimin moral total të atdheut që ata adhurojnë, dhe kanë parulln e tyne:”Ska më Rusi!” Me qindra mijëra rusë kanë abandonue konfortin e votravet të tyne nga nji vend që nuk e quejnë ma gjatë “atdheu i im”!
Akoma ma e shemtueme ashtë thirrje e peshkopit rus Kyril drejtue ushtarëve rusë në Ukrainë: “Vdekja në Ukrainë ju pastron nga të gjitha mëkatet”! (R.L.E. 29.IX.2022) Nji thirrje ma anti -Perendi se kjo, ashtë e vështirë me u gjetë!
Në Botën e Qytetnueme veprimtaria ruse në Ukrainë denohet pa kompromis. Megjithate, ka akoma elementë që nuk frikësohen nga kercënimi i rrezikut rus para nji situate që shqetëson OKB-në dhe mosperfillë të gjithë legjislacionin nderkombëtar të ruejtjes së paqës dhe zhvillimit të demokracisë në botë.
Ekspertë nderkombëtar janë të mendimit se pretendimet ruse tejkalojnë Europën dhe Euro-Azinë, dhe frikësohen nga ky skenar. Me 3 shkurt, Presidentja e Bashkimit Europian,Ursula von den Leyen në nji deklaratë të përbashkët me Presidentin ukrainas Z. Zelensky njoftuen se nji qendër për ndjekjen e fajtorëve të “krimeve nga agresioni në Ukrainë” do të hapet në Hague.
B.E., vitin e kaluem deklaroi Ukrainën kandidat për anëtarsim, nji vendim që zemroi Kremlinin, dhe që nuk besohet se do të kryhet para mbarimit të Luftës. Rusia duhet të mbahet si përgjegjse para Gjykatës Nderkombëtare për krimet e tmerrshme, tha Zonja von Leyden. “Prokurorët nga Ukraina dhe Bashkimi Europian po punojnë tashti së bashku në këte rol. Na po mbledhim materiale perkatëse”. Jemi para nji Milosheviq 2 ?
Tue ndjekë shembullin e Hitlerit e Milosheviqit, V. Putin përsëriti gënjeshtrat që do të justifikojshin sulmin banditesk kundër Ukrainës, dhe siguroi popullin rus se fitorja ashtë e Rusisë pa zanë me gojë humbjet e mëdha të ushtrisë ruse , pa zanë me gojë humbjet edhe ma të mëdha të popullsisë civile ukrainase, e shkatërrimin e qendrave qytetare të viktimës, Ukrainën. Por në këte rast ai kercënoi indirekt edhe Gjermaninë, shteti europian me marrëdhanje ma të ngushta me Rusinë putiniste për dergimin e tankeve gjermane ushtrisë ukrainase. ”Ne nuk dergojmë tanket tona në kufi gjerman. Por na kemi mjetet e duhuna me i dergue, dhe nuk kufizohen me dergimin e tankeve, Të githë duhet të kuptojnë këte” tha ai në Volgograd (Stalingrad). Por Presidenti Zelinsky nuk i lejoi vetes përsëritjen e nji gjykimi të këtill. “Lufta e sotme (kundër Ukrainës) nuk ashtë nji luftë (ruse) difensive,” tha ai.”Kjo luftë nuk ashtë nji përsëritje e historisë; kjo luftë ashtë realiteti ditor i atdheut tonë” (The N.Y.Times 3.II.2023).
Në paragrafin e parë të studimit të tyne “Putin’s Last Chance”(F.O.Jan-Feb.2023) studjuesët Liana Fix dhe Michal Kimmage, shprehen: ”Lufta e Presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë, synonte të ishte demonstrimi i përparimeve të kryeme nga Rusia që nga ramja e perandorisë sovjetike, 1991. Aneksimi i Ukrainës do të ishte kështu hapi i parë në restaurimin e “perandorisë ruse”. Qellimi i V.Putinit ka qenë me ekspozue SHBA-në si nji “paper tiger”(tigër prej karte), jashtë Europës Perendimore, dhe me demonstrue se Rusia, së bashku me Kinën janë të destinueme për nji rol udhëheqës nderkombëtar të ri dhe multi-polar.
Por ngjarjet morën nji drejtim të kundërt”.
Në përpjekje me përcaktue zhvillimet nderkombëtare gjatë dhe mbas agresionit rus në Ukrainë, filozofi amerikan Timothy Snyder (Yale Univ.) preferoi termin:”nihilizm”(nji doktrinë që mohon çdo bazë objektive ose reale të së vertetës”.Webster Dict.)
__________________________________________________________
(Përgatitë për botim në shenj solidariteti me populllin heroik ukrainas, nga Sami Repishti, PhD.)
_______________________________________________________________________

Filed Under: Emigracion

Kujtese hisorike…Gazeta “RILINDJA” – Prishtine- Datelindja: 12 shkurt 1945

February 13, 2023 by s p

Flamur Gashi/

Kontributi i gazetareve, bashkepunetoreve dhe e shumices se atyre qe punuan dhe u angazhuan, qe nga dita e pare e deri ne diten e fundit ne kete gazete, eshte me vlera te pazevendesueshme per kulturen, emancipimin dhe ngritjen e vetedijes kombetare te shqiptareve ne trojet e tyre nen ish-Jugosllavi…

Gazeta dhe Shtepia Botuese “RILINDJA”, jane gur te medhenj ne themelet e PAVARESISE dhe SHTETESISE se KOSOVES!

– Gazeta “RILINDJA”, per here te pare eshte botuar me, 12 shkurt 1945 ne Prizren.

– “RILINDJA”, eshte gazeta e pare ne gjuhen shqipe ne ish-Jugosllavin komuniste.

– Gazeta “RILINDJA”, fillimisht u shtyp ne Shtypshkronjen Shteterore ne Prizren, nga numri 1 deri ne 60-te.

– Numri 61 i gazetes faqoset dhe shtypet ne Prishtine ne Shtypshkronjen Krahinore te Frontit Popullor.

– Ne fillimet e saj, Gazeta “RILINDJA” ishte e perjavshme vetem me kater faqe, deri me 27 qershor 1948 kur fillon te shtypet dy here ne jave, diteve te diela dhe te enjteve.

– Nga nentori i vitit 1958 nis te shtypet si gazete e perditshme (nuk dilte vetem diteve te premte).

– Nga viti 1964 del çdo dite standard në 20 faqe, ndersa te shtunave dhe gjate festave 24-32 faqe.

– Me 5 shtator 1990, nga pushtetit pushtues serb u ndalua botimi i Gazetes “RILINDJA” ne Kosove.

– Per nje periudhe kohore pas ndalimit te botimit te saj ne Prishtine, Gazeta “RILINDJA” u botua ne Tirane dhe ne Zvicer.

– Pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999, Gazeta “RILINDJA” filloi perseri botimin ne Prishtine.

– Gazeta “RILINDJA”, ka pushuar se botuari qe nga viti 2009.

– Gazetaret e Redaksise se Kultures ne “RILINDJE”, por edhe te redaksive te tjera te saj, jane bartesit kryesor te jetes politike dhe kulturore ne Kosove gjate vite ’90 e deri ne LIRINE dhe PAVARESINE e KOSOVES!

Filed Under: Komente Tagged With: Flamur Gashi

SHOQATA SHQIPTARO-AMERIKANE, “SKENDERBEJ” NË NJU JORK FESTON 15-VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

February 13, 2023 by s p

“15-VJET SHTET – PËR JETË”

Nga Frank Shkreli

Të dashur vëllëzër e motra të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej”, të nderuar miq, pjesëmarrës në këtë festim të 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Para se të filloj, deshiroj që të përshëndes mikun tonë të madh, të Përndershmin Ambasador William Walker, që gjëndet sot me ne. Zoti Ambasador është vërtetë kënaqësi që je me ne sot këtu. Ju, i nderuar mik, me praninë tuaj, na restauron, na ringjall besimin tonë në këtë vend të bekuar, në Amerikën tonë, në popullin amerikan dhe mbi të gjitha na ringjall besimin në

Njerëzimin. Shumë faleminderit.

Fjalët e para të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës janë: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë…”, thuhet në deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, (17 Shkurt, 2008 në Prishtinë).

Në këtë ditë të shenjtë të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe të 25-Vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Për Jetë – të pasqyrimit të vullnetit të lirë të popullit shqiptar — na kujtohen fjalët e At Gjergj Fishtës:

“Ma mirë n’vorr me u kja për mallë / se nën shkja me ndejë për t’gjallë.”

Por në veshët tonë sot tingëllojnë edhe fjalët e Naim Frashërit: “Bota që kur është zënë — Shqipëria gjallë ka qenë.”

Të nderuar miq — Në këtë ditë të shënuar për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar — në 15-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës — le të kujtojmë dhe të përulemi me nderim e respekt para RILINDASVE TË VËRTETË TË KOMBIT, duke filluar me Gjergj Kastriotin-Skenderbe në Lezhë, Abdyl Frashërin në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit, e të tjerëve. Në veshët e çdo shqiptari të vërtetë kudo, sot, veçanërisht, jehon edhe kushtrimi i Adem Jasharit, e i Ibrahim Rugovës, por edhe i Bajram Currit, Ded Gjon Lulit, Mihal Gramenos dhe i Çerçiz Topullit dhe i heronjëve më të ri të Kombit që kanë dhenë jetën në luftën për liri e pavarësi të Kosovës.

Shqiptarët janë ndër të parët e njerëzimit, me një histori të gjatë e cila është e shkruar me penë, por edhe më shumë – ajo histori është shkruar me gjak.

Por, ndërsa festojmë këtë përvjetor sot – duhet të jemi të vetdijtur se çdo gjë, “Bacë nuk është Kry”. Shqiptarët duhet të ndigjojnë edhe ushtimën e kushtrimit të At Gjergj Fishtës për realizimin e shpresave të pa realizuara, kushtrimin për përjetësimin e ëndërrës shekullore të shqiptarëve:

SHQIPNIA E LIRË

Po, por nesër, me ndihmë t’Zotit,

Do ta bajmë prap Shqipni t’lirë

Prej Prevezet m’Leqe t’Hotit,

Prej Tivari në Manastir,

Edhe Flamuri Shqipnisë

Si flakë mnijet e Perëndisë

Do t’valvitet në Kaçanik.

Të nderuar miq, duhet të jemi të vetdijshëm se kjo ditë e Pavarësisë së Kosovës i ka rrënjët thellë në historinë dhe vuajtjet shekullore të Dardanisë dhe të Kombit shqiptar. 500-vjet Kosova priti!

Por megjithë problemet me të cilat përballet sot Kombi shqiptar – qofshin ato me njëri tjetrin, për fat të keq tonin, qofshin ato me të tjerët, që nuk ia duan të mirën shqiptarëve — Pavarësia e Kosovës na kujton dhe na jep shpresë sot se Shqiptaria, jo vetëm është gjallë, por është e gjallë dhe e fortë! Prandaj, festoni e gëzoni, por mos harroni!

Se kjo ditë na kujton se shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të mbeten shqiptarë me identitetin e tyre historik në trojet e veta autoktone. Aty ku i ka vendosur Perendia në fillimin e historisë!

Kurrë nuk i kemi mbetur kujt në qafë. Kombi shqiptar nuk do asgjë tjetër veçse të jetojë i lirë e i pavarur në trojet e veta, në shtëpitë e veta pa asnjë lakmi ndaj tokave të tjerëve — në harmoni me njëri tjetrin dhe në paqë me të huajt, për rreth.

Zonja dhe Zotëri — Sot urojmë, lutemi dhe shpresojmë për ditë më të mira për Kombin e vuajtur shqiptar dhe për Kosovën. 15-Vjetë Shtet – Për Jetë! Shqiptari nuk mund dhe nuk guxon të jetë indiferent ndaj fatit të shqiptarëve kudo! Tirana zyrtare……

Të nderuar miq, le të brohorisim të gjithë — që sot e përgjithmonë: Rroftë Flamuri, Rroftë Kosova e Pavarur, Rroftë Shqipëria. Zoti bekoftë Kombin Shqiptar dhe Kombin Amerikan, në miqësi të përherëshme me njëri tjetrin!

Përzemërsisht, falënderoj Shoqatën Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, për ftesën! Qofshi gjithmonë faqebardhë!

Frank Shkreli

Filed Under: Kronike

DITËT E MIQËSISË SË GAZETARËVE SHQIPTARË NË EDICIONIN E XI

February 13, 2023 by s p

Përmet-Leskovik-Ersekë( Kolonjë)

Nga Ymer Hysa

Pas disa orëve udhëtm me autobuz, mes miqve gazetarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, dhe Maqedonia e Veriut, duke përshkuar mes për mes fushat dhe luginat e gjëra të Elbasanit, Lushnjes, Fierit, Mallakastrës e Tepelenës do të mbërrinim në qytetin historik, të kulturës, të pastërtisē të estetikës, të poetëve, këngëtarëve, sazeve e të mikpritjes, Përmetin e trëndafilave.

Dikush më pati thënë se: “Permeti është mirë të vizitohet në muajt pranverë-vjeshtë, kur të mbulon aroma dhe bukuria trëndafilave “, por jo; Përmeti shkëlqen edhe sot në mesin e shkurtit i rrethuar me kurorë dëbore.

Që në hyrje të qytetit bie në sy rregulli dhe pastërtia, Guri simboli i qytetit, Obelisku i Dēshmorëve, bie në sy harmonizimi i sheshit qëndror ku përballë institucioneve ngrihet madhështor obelisku kushtuar Kongresit tē Përmetit.

Pas okomodimit në hotel “Përmeti” nën kujdesin e Xhimi Vilës, president i Shoqatës RessEgnstia dhe Besim Dybeli, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, qarku Elbasan, do t’i drejtoheshim Restorant “Trifilia”, ku do na uronte miseardhjen zonja e parë e Bashkisē, kryetarja Alma Hoxha.

Prezantoheshim me radhë. “Ymeri nga Laçi”. “Mirëseerdhe, kryetaren tuaj të bashkisë e kam mike, të dyja jemi mēsuese, të dyja kemi qenë drejtore të Arsimit dhe të dyja jemi kryetare Bashkie, m’i bëj shumë të fala!”

Ulemi për të ngrënë drekë, një ushqim i bollshëm tradicional. Në tavolinën ku drekoja unë ishte edhe Ledioni, që shpjegon gjithçka rreth historisê dhe kulturës së qytetit. “Pozitiv është fakti se të rinjtë po rikthehen dhe po investojnë nē turizëm dhe agroturizëm. Edhe në bashki punojnē rreth 40 tē rinj të shkolluar” shpjegon ai.

Më pas së bashku me kolegun nga Kosova Ilir Krasniqi bëjmë një xhiro nëpër qytet. Bie në sy sistemimi dhe rregulli kudo. Ambjentet shlodhëse apo lulishtet dhe parqet janë plot stola për të pushuar dhe pasuruar me vepra arti. Bien në sy bustet e Naim Frashërit, Tefta Tashko Koços etj.

“Të shohim Përmetin e vjetër, mu drejtua Iliri dhe u nisēm nëpēr rrugët e kalldrëmta. Shtëpi karakteristike të vjetra, avlli, rrugica e mbi të gjitha kisha mesjetare si ajo e Shen Mërisë dhe e Shën Kollit. I vizitojmē dhe bëjmë foto për t’i patur si kujtim të këtyre orëve të para të festës sē Miqësisē sē Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.

SHKËMBIM PËRVOJE DHE DARKË INFORMUESE KULTURORE

Pas forumit me temë “Media dhe emigracioni jashtë e vendit”, ku gazetarë të shumtë nga mbarë trojet shqiptare ku veç kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, kolegut Aleksandër Çipa si moderator i kësaj tryeze, do të merrnin fjalën dhe shprehnin opinionet dhe mendimet e tyre edhe gazetarët e mediave respektive si Iliri nga Kosova, Musai nga Tuzi, Jetoni nga Presheva, Frroku, Bashkimi, Vladimiri, Ersiona, , Emirjona, Shefi i Medias së OSBE-së z. Dan Bonger. Me interes të veçantë u ndoq panorama sociale dhe problematikat demografike nga zonja Hoxha, kryetare e Bashkisë së Përmetit.

Ajo do të shprehej entuziaste dhe me konsiderata të kënaqshme për arritje të punës në këtë drejtim. 60 të rinj të shkolluar në universitetin e Tiranës apo ato të Europës janë kthyer dhe punojnë në bashki. Ajo sjell me emra konkretë shumicën prej tyre që janë edhe drejtues të disa drejtorive përkatēse të bashkisë, mes të cilëve shumica zonjëza. Nga diskutimi i saj vihej re qartë kënaqësia që këta të rinj e të reja i kishin dhuruar me punën dhe pasionin e tyre kontribut qytetit.

Aktiviteti do të vazhdonte gjatë orëve të mbrëmjes me vizitën e gazetarëve në Muzeun e Qytetit. Binte në sy puna e kujdesshme që ishte bërë në ngritjen e pavioneve që nga ai i antikitetit, Mesjetës, Luftës së Dytë e gjer te pavione të veçanta si ai i Vëllezërve Frashëri, për Skulptorin e Popullit Odise Paskali, pavioni etnografik ai i kulinarisë etj.

Mbase edhe në raste të tjera, por këtë radhë “ciceroni” ishte vetë Kryetarja e Bashkisë zonja Alma. Ajo gjithë pasion do na shpjegonte për ngritjen e muzeut që nga rindërtimi i objektit gjer te grumbullimi i materialeve dhe artefsktrve, ku në sy binin kontributet dhe dhuratat e qytetarëve. E si mund të ndodhte ndryshe në këtë qytet ku nga 13 projekte të aplikuara në BE, 12 prej tyre do të fitoheshin. Ndaj ky qytet sot ka muze kinema, bibliotekë, rrugë të shtruara cep më cep, ndriçim, etj

“Panairin e kulinarisë” do ta shikonim dhe shijonim në darkën e shtruar te Restoranti ” Familjari” një ndër më trsdicionalët e qytetit.

Aty ishin të tëra, që nga pijet vendase, produktet e brumit, mishërat dhe ëmbëlsirat. Aty ishin bashkë bujaria përmetare, kënga dhe vallja, dashuria dhe respekti për njerëzit dhe estetikln e tyre.

Si kurdoherë në evente të tilla nuk do të mungonin edhe shkëmbimi i dhuratave. Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Çipa do t’i dhuronte znj.Hoxha një medalion simbolik në emër të bashkëorganizatorëve të edicionit të XI të ” Ditëve të Miqësisë së Gazetarëve”, në imazhin grafik të të cilit është porta hyrëse dhe dalëse në qendër të Elbasanit, qyteti nga nisi kjo veprimtari rajonale e gazetarëve. Ajo ishte Porta e Kalasë e gdhendur në mermer që simbolizonte hyrjet dhe daljet, pra, lëvizjen e lirë të njerëzve. Edhe zonja Alma do i dhuronte bashkëorganizatorit një shportë simbolike me produkte të zonës.

Bisedat e lira, përshëndetjet, këngët e vallet, fotografitë mes miqve gazetarë e shndërruan darkën në një mbrëmje të mirëfilltë festive dhe artistike. Jo më kot u sugjerua nga shumë miq gazetarë për t’u propozuar institucioneve përkatëse që të hartojnë programe që “Kabaja Përmetare” ashtu si “Polifonia Labe”, të merret nën mbrojtje nga UNESKO

DITA TJETËR NJË ITINERAR DREJT LESKOVIKUT DHE KOLONJËS

E habitshme ! Edhe pse Kolonja (Erseka dhe Leskoviku) është një ndër zonat më të thella malore shqiptare jugore aty, këndojnë këngë popullore qytetare kaq të bukura që të rrëmbejnë t’i këndosh e të rrëmbejnë, të hedhin në valle. E thuaj pastaj se nuk janë artdashës të mëdhenj!

Në Leskovik dhe Ersekë ka pafundësisjt gjurmë kulture dhe shenja historie. Gazetarët e ardhur nga të gjitha qarqet e vendit dhe nga trojet e hapësirës shqiptare janë të mrekulluar nga gjithçka shohin e dëgjojnë. Përfaqësues të qeverisjes vendore në të dy qytetet shprehen se kurrë nuk kanë pritur e të mund të komunikonin me një numër kaa të madh gazetarësh. Janë rreth 70 gazetarë të bashkuar në ciklin e veprimtarive të Ditëve të Miqësisë, nga të gjitha llojet e mediave, si online, tv, radio, gazeta, revista etj. Mbi 40 prej tyre vinin për herë të parë në këto zona të skajshme jugore të Shqipërisë. Artistët vendorë të njohur, të respektuar dhe me talent në Ersekë u bënë kontribuesit më të shkëlqyer të paraqitjes së vlerave dhe pasurisë etnokulturore, traditëa dhe interpretimit muzikor. Në mbrëmjen e dytë në Ersekë u krye një rit homazhi përkujtues me krijimtarinë e poetit më të shqipar të pesë dekadave të fundit në zonën e Kolonjës, për poetin e shquar Dhori Qiriazi.

Ndërkohë që gazetarët patën mundësinë të njoheshon me mjedisin e shkëlqyer të Bashkisë, Muzeun e qytetit dhe asetet turistike të fshatit të afërt Rehovës.

Dita e tretë dhe e fundit e ciklit të veprimtarive, do të na gjente mes bardhësisë së borës në Ersekë.

Organizatorët, Xhimi Vila, President i Shoqatës RessEgnatia, Unioni i Gazetarëve i Qarkut Elbasan dhe kryetari Besim Dybeli nën kujdesin e kreut të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, me merakun që aktiviteti të përmbyllej ashtu siç ishte planifikuar, i plotësuar sa duhej, do të kujdeseshin edhe për detajet më të vogla.

Aktiviteti ditor do të niste nga fshati i gurtë Rehovë, një fshat piktoresk me karakteristika të veçanta, i mbledhur, me shtëpi sup më sup që tregon harmoninë dhe dashurinë mes tyre. Si kudo në fshatra të tillë të organizuar, ku të gjitha rrugët të sjellin në qendër, tregon për elemente të shumta të kulturës qytetare. Mes shtëpive të gurta binin në sy kisha me konstruksion si katedrale, binin në sy shtëpi si ajo e fisittë aktorit të shquar Agim Qiriaqi, apo shtëpia e Naum dhe Peter Prifti.

Anila, drejtore e Kulturës në Bashki, në një nga kryqëzimet e rrugëve të kalldrëmta do të dhuronte për disa nga miqtë gazetarë librin e studiuesit dhe arkeologut të njohur Skënder Aliu: “KOLONJA, Studime Arkeologjike”.

Largohemi nga fshati i gurtë piktoresk Rehovë, drejt qytetit të Ersekës.

Një qendër qyteti e harmonizuar bukur e shtruar me pllaka guri dhe e shndërruar totalisht në pedonale, por që prej disa ditësh dhe sot, për dëshirën tonë, do të ishte e shtruar me tapetin e bardhë të dëborës.

Fillimisht do të vizitonim Muzeun Historik dhe Etnografik, ku pasqyrohet historia, kultura dhe tradita e Kolonjës. Para muzeut në stenda metalike do të shkruhej titulli hit i këngës popullore kolonjare “As e vogël, as e madhe”.

Muzeu me dy kate, i ndarë në pavione të shumtë që nga antikiteti gjer në ditët tona, do të pasqyronte gjithë jetën aktive të njerëzve të shquar që kanë lënë gjurmë.

Vend të rëndësishëm zinte periudha e Rilindjes Kombëtare me korifejtë e saj si: Jani Vreto, Shahin Kolonja e Muço Qulli, Fan Noli, Gjerasim Qiriazi, Papa Kristo Negovani, Themistokli Gërmenji, Mustafa Leskoviku, Spiro Ballkameni, Sali Butka e dhjetra patriotë të tjerë të shquar.

Binte në sy puna e kujdesshme për evidentimin e ngjarjeve dhe lëvizjeve patriotike duke i ndarë me periudha kohore.

Në pavionin e katit të dytë të muzeut do të befasohesha nga “Marubi” kolonjar, Dhimitër Vangjeli, i cili me aparatin e tij kishte fokusuar figura politike të kohës, veshjet traditën, kulturën, klerikëtetj, etj një galeri unike fotosh të arkivës së tij.

Ah , klerikët, mbase ata ja fikën derën duke bërë që regjimi i kohës t’ja mblidhte fotografitë dhe negativat, për tja mbyllur në kasaforta metalike si të ishin municione apo lëndë plasëse, për të mos i prekur askush.

Teksa ngjit shkallët e muzeut galeri, bien në sy dy piktura të piktorëve të trevës së Lezhës si Pashk Përvathi e P. Radovani.

Përballë muzeut sheshi i qytetit ku nē lulishtat e saj veç obeliskut madhështor do të ishin gjithë shkëlqim bustet e Fan Nolit, Jani Vretos, Faik Konicës dhe Petro Nini Luarasit.

Erseka është një qytet që çdo vizitor e sfidon me imazhin real të ndryshimit dhe të thellësisë së trashëgimisë së qytetarisë dhe traditës së saj. Është një qendër që në kohën e ardhme të afërt do të kthehet në një destinacion i rrallë turistik për rajonin jugor dhe atë juglindor të vendit, por për t’u arritur duhet urgjentisht të përshpejtohet puna e përfundimit të segmentit të rrugës kombëtare Korçë- Ersek dhe Ersekë- Leskovik. Kjo vepër mund të shpnojë edhe momentin e kthesës për rikthimin e banorëve, krysisht rinisë nga udhët e mërgimit nëpër botë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT