• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), mbi marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë

February 6, 2023 by s p

Tiranë, 4 Shkurt 2023/

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) po i përcjell nga afër zhvillimet rreth dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndër-shtetërore në mes tyre.

KASH thekson se, burimi i problemeve dhe tensioneve në marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është fakti se, Serbia mban një qëndrim armiqësor dhe agresiv ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.

KASH shpreh bindjen se, normalizimi i marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është parakusht për zhvillimin normal të të dyja vendeve dhe në interes të mbarë rajonit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të bëjë të qartë se, asnjëherë nuk do të ketë marrëdhënie normale as në mes të Republikës së Shqipërisë me Republikën e Serbisë dhe as në mes të kombit shqiptar dhe atij serb, përderisa Beogradi nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

Angazhimi aktiv dhe parimor i BE-së dhe SHBA-së është i domosdoshëm për të përmbyllur me sukses procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndër-shtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Të dy palët në dialog duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe secila palë duhet të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga dialogu.

KASH shpreh qëndrimin se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut duhet të trajtohen dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë.

Është shqetësues fakti se Republika e Serbisë asnjëherë nuk ka zbatuar marrëveshjen për shuarjen e strukturave të saj institucionale ilegale në Kosovë, si dhe disa marrveshje të tjera. Siç jemi dëshmitar në mënyrë të përsëritur, strukturat kriminale të drejtuara nga Serbia në Kosovë kërcënojnë paqen dhe sigurinë në veri të Republikës së Kosovës dhe ushtrojnë presion të vazhdueshëm ndaj të gjithë banorëve të asaj pjese të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie.

Edhe më shqetësues është tolerimi e madje në disa raste edhe mirëkuptimi që qarqe dhe emisarë ndërkombëtarë tregojnë ndaj këtyre strukturave ilegale dhe sponsorëve të tyre në Beograd.

Për sa i përket marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, KASH sjell në vëmendje se themelimi i kësaj Bashkësie ka mbetur çështje e hapur nga viti 2015 dhe kjo ka ndodhur për shkak të druajtjes së arsyeshme në Prishtinë se ai entitet mund të shndërrohet në instrument të Serbisë për të minuar sovranitetin shtetëror dhe funksionalitetin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Për të shmangur një rrezik të tillë, çdo veprim apo proces eventual lidhur me krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të ketë për bazë tri parime themelore:

Së pari, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të cënojë parimet themeltare kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është sovraniteti, epërsia e kushtetutës dhe karakteri unitar i Republikës së Kosovës.

Së dyti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të jetë strukturë një-entike dhe as pushtet i ndërmjetëm në mes të nivelit qëndror dhe komunave të caktuara.

Së treti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të trajtohet e shkëputur nga marrëveshja përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende sovrane dhe të pavarura që e njohin njëra tjetrën si të tilla.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen e plotë se Republika e Kosovës, si gjithmonë, do të sillet si shtet i përgjegjshëm, që ruan interesat shtetërore dhe aleancat strategjike, i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe integrime Euro-Atlantike. Ndërkohë që e vlerësojmë si jo parimor dhe kundër produktiv faktin që presioni ndërkombëtar ushtrohet vetëm ndaj Kosovës dhe vetëm lidhur me një marrëveshje, nga më shumë se 30 që janë nënshkruar.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë dhe të ofrojë mbështetje pa rezervë ndaj Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të mos qëndrojnë pasive dhe indiferente ndaj proceseve historike nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës dhe populli i saj dhe që kanë ndikim afatgjatë në paqen, sigurinë dhe zhvillimet në të gjithë rajonin tonë.

https://www.albanianambassadors.al/…/keshilli-i…/
https://www.albanianambassadors.al/council-of-albanian…/

Filed Under: Politike

MIRËNJOHJE KOSOVË, FALEMINDERIT Z.FITIM GLLAREVA

February 6, 2023 by s p

Erdhi në Athinë Abetaria e re mbarëkombëtare, e cila është e përpiluar nga dy shtetet tona, Shqipëri – Kosovë.

Abetaria erdhi dhuratë edhe nga Kosova nëpërmjet nismës së z. Fitim Gllareva , Udhëheqës i Selisë së Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë , i cili prezantoi kompletet me tekstet: Abetare, Fletore Pune, Gjuhë Shqipe në Pikën Shkollore të Gjuhës Shqipe në Rendi-Athinë..

Megjithëse bashkëpunimet me z. Fitim Gllareva dhe projektet e tij për nxënësit e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi në këto kater vite kanë qënë të shumta e të larmishme ku ka treguar dhe gatishmërinë e tij…

Mësuese ! Ju lutem , sa herë të keni nevojë për ndihmën tonë ne jemi të gatshëm të ndihmojmë fëmijët sipas mundësive që kemi…

Por ku falenderim i veçantë është për nismën e z. Fitim ku bëri të mundur ardhjen nga Kosova në Greqi të Abetares së Përbashkët Shqipëri – Kosovë dhe shpresoj të hyjë në çdo familje shqiptare aty ku dëshira është të flitet , të lexohet dhe të shkruhet shqip.

Z. Fitim asnjëherë nuk i ka ndalë kontaktet me nxënësit e mësimit të gjuhes shqipe në Athinë dhe është kujdesur pët ta .

Sa hyri në klasë të gjithë nxënesit e njohin, të qeshur e përshëndetën dhe filluan të thoshin është nga Kosova…është nga Kosova !

Hyri në klasë ,krahët i kishte mbushur plot me Abetare, me shumë dashamirësi na uroi: MËSIM TË MBARË !!!

Pasi i vendosi tekstet mbi tryezë shkoi nëpër banka duke përkëdhelë kokat dhe supet e nxënësve ,shihte me sy përgezimi çfarë kishin shkruar në fletoret e tyre. Kryefjala e asaj dite mësimi ishte dhe 17 vjetori i amshimit të Presidentit të parë të Kosovës ku nxënësit u njohën me jetën dhe veprimtarinë e Doktor Ibrahim Rugovës.

I entuziasmuar pasi i vlerësoi nxënësit për vullnetin dhe dashurinë që kishin për të mësuar Gjuhën Shqipe, hapi kutitë me tekste dhe duke mbajtur në duar kompletin e Abetares filloi të shprehej duke u drejtua herë nga nxënësit dhe herë nga unë : -Këto Abetare kanë ardhur nga Kosova !

-Me këto Abetare do të mësojnë Gjuhën Shqipe edhe shumë fëmijë të tjerë si ju.

– Kjo Abetare është shenja identitare e kulturës dhe e kombit tonë.

Këto Abetare do të shkojë në ato familje që i ushqejnë fëmijët me ndjenjën e dashurisë për Atdheun tonë, me ndjenjën e përkushtimit dhe dashurisë për Gjuhën Shqipe që është baza mbi të cilën mbështetet identiteti i këtyre fëmijëve….dhe shumë fjalë të tjera tha ku më ngjallën emocione si shtetase shqiptare dhe si mësuese e Gjuhës Shqipe.

E mora në duar Abetaren duke u menduar që të gjeja fjalët më të mira shqip që të falenderoja dhe të përgëzoja për këtë nismë z.Fitim.

E falenderova për vëmëndjen që tregoi Shteti i Kosovës për nxënësit në Greqi duke i shprehur dhe mirënjohjen ku nuk e ka ndalur asnjëherë interesimin e tij për misionin e gjuhen shqipe ; ku krahas detyrave të tij diplomatike ka gjetur kohën dhe mundësinë të jetë vazhdimisht i pranishëm ne cdo fillim te vitit shkollor , midis aktiviteteve shkollore ,festave kombetare , festes se Abetares, konkurseve te nxënësve të gjuhes shqipe .

Duke e falenderuar , me modesti më thotë ; nuk është nevoja të më falenderosh dhe as të shkruash për mua ; është obligim dhe detyrë kombëtare të sjell nga Kosova Abetaret për të ndihmuar mësuesit dhe fëmijët e bashkatdhetareve të mësojnë gjuhën shqipe .

Shumë u lumturova kur pashë Abetaren e re ,e kisha kërkuar shumë e vlerësoja si gjë të shenjtë këtë Abetare simbolike të unitetit tonë

Shqipëri-Kosovë.

Duke e lëmuar me dorë këtë Abetare u ndjeva e përtërirë, kjo Abetare tani është udhëheqëse në arsimin tonë mbarëkombëtar për gjuhën shqipe.

Kjo nismë tregon përgjegjësinë dhe seriozitetin dhe nuk është hera e parë qe z.Fitim është treguar i gatshëm . Para tri vite ka sjellë përsëri 30 Abetare dhe materiale didaktike nga Kosova. Të gjitha këto janë burime ku kanë shërbyer që nxënësit të duan Kosovën dhe te zhvillojnë identitetin e tyre kombëtar, gjithashtu e falenderova për vlerësimin që u bëni gjithë mësuesve të gjuhës shqipe ne Greqi.

Sa e thjeshtë kjo nismë por dhe aq e domosdoshme që nderojnë e vlerësojnë z.Fitim Gllareva kur sheh që ka persona që marrin të tilla iniciativa si dhe vleresoj kujdesi që ka treguar perhere Shteti i Kosovës për shqiptarët e Greqisë.

Le të shpresojmë që të mos mbetet i vetëm por të hapen rrugë nismash në dobi të kurseve të gjuhës shqipe në Greqi.

Nuk mund të besoni sa të bukura mu dukën Abetaret mbi tryezën e punës , sa shkëlqim dhanë klases dhe mua.

Duke shfletuar Abetaren të vijnë para syve shkronjat e Alfabetit Shqip si flutura ngjyra – ngjyra ku mbushin klasën me zërat tinguj : A ; B ; C ;…

Neper faqe lexon emra qytetesh Vlorë, Prizren, Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Ulqin, Shkup… Sheh njohuri gramatikore gjuhësore, foto me ilustrime nga festat kombëtare kuq e zi, si dhe kostumet tona popullore qëndisur me ornamente.

Por Abetares së re nuk i mungonin as dy vargjet e këngës më të dashur ku nxënësit i këndojnë me krenari duke bërë me duar shqiponjën mbi gjoksin e tyre të vogël …

XHAMADANI VIJA – VIJA

ËSHTË KOSOVA

O ËSHTË SHQIPËRIA….

Faleminderit dhe shumë urime KOSOVË E DASHUR , ku së shpejti do të festojmë së bashku Jubilenë e

15-të vjetorit të Pavarësisë dhe të Lirisë.

Filed Under: Mergata

Platoni mbi edukimin

February 6, 2023 by s p

Dr. Dorian Sevo/

Platoni në veprën e tij “Republika” flet gjerësisht mbi edukimin e qytetarit. Ai mendonte se: “Mbasi qëllimi ynë, siç dihet, duke themeluar një Shtet nuk ka qënë që të bënim të lumtur një klasë të vetme të qytetarëve, por të siguronim lumturinë më të madhe e të mundshme për të gjithë Shtetin, mbasi ne kemi besuar se në një Shtet të tillë zbulohet mirë drejtësia, ashtu si padrejtësia në një Shtet të mbytur nga veset, dhe nga ana tjetër ky zbulim do t’u jepte fund diskutimeve për këtë çështje për të cilën po hahemi prej shumë kohësh.”( Platoni 1999).

Ndërsa përsa i përket mirëqeverisjes dhe punës së administratës për të pasur një shtet të mirë për qytetarin, Platoni thotë: “Dua të them detyrën për të dërguar në klasat e tjera fëmijët e degjeneruar të rojtarëve dhe të ngrihen në rangun e rojtarëve pinjollët që mund të dalin nga klasë të tjera. Doja të thoshja me këtë që zyrtarët e lartë duhet t’i caktojnë qytetarët e tjerë në detyra për të cilat ata janë përgatitur, një detyrë të vetme, në mënyrë që secili, i zënë vetëm më një detyrë që i përket atij, të mbetet një, në vend që të shpërndahet në shumë të tjerë dhe në sajë të kësaj edhe Shteti të mbetet gjithashtu një, në vend që të bëhet i shumëfishtë.” ( Platoni 1999). Por si mund të bëheshin qytetarët më të mirë sipas këtij filozofi të antikitetit Grek, Platonit? Ai mendonte se vetëm nëpërmnjet edukimit ata mund të bëheshin më të virtytshëm për vëndin e tyre, dhe se jeta e tyre duke qënë të edukueshëm rrjedhimisht do të ishte më e virtytshme. Le të shkëpusim një pjesë nga “Republika” e cila e jep mjaftë qartë këtë ide mbi edukimin. “Arsimi dhe edukimi, u përgjigja unë; mbasi nëse një edukim i mirë i ndriçon shpirtërat e tyre, qytetarët tanë do të jenë në gjëndje t’i zgjidhin vetë këto çështje dhe shumë të tjera që ne po i lëmë mënjanë hëpërhë, siç janë ato që kanë të bëjnë me pronësinë mbi gruan, martesën, lindjen e fëmijëve, të gjitha gjëra këto që, sipas proverbit, duhet të jenë sa të jetë e mundur më shumë të përbashkëta midis miqsh.” ( Platoni 1999). Pra shohim se sa shumë rëndësi i jep Platoni arsimimit të shoqërisë, duke e parë atë si një fakt i cili sjell qetësinë dhe rendin në një Shtet. Arsimi është ekuilibri i rendit publik. Pa arsimin në një shtet, ekuilibrat janë shumë lehtë të prishshëm. Prandaj qytetari duhet të edukohet. “Një edukim dhe një arsimim i mbajtur në parametrat e përsosmërisë, formojnë njerëz të mirë sipas natyrës; nga ana e tyre këta njerëz të mirë, duke u lidhur me këtë edukim të përsosur, vinë e bëhen më të mirë sesa paraardhësit e tyre në të gjitha pikëpamjet e në mënyrë të veçantë përsa i përket fëmijëve që lindin, ashtu siç ndodh edhe me kafshët.” ( Platoni 1999). Gjithashtu sipas Platonit duhet që të ishte një instancë e cila të ruaj, që edukimi të shkojë tamam ashtu siç e kanë përcaktuarë Shtetarët e mos të ndryshojë apo të korruptohet nga të tjerë. Prandaj rojet duhet të ishin tepër vigjilent në këtë aspekt. “Duhet pra, për ta thënë me dy fjalë, që rojtarët e Shtetit të vigjilojnë në mënyrë që të tjerët të mos korruptojnë edukimin pa e marrë vesh ata; ata duhet të ruajnë në çdo rast që asgjë të mos rinovohet në gjimnastikë e në muzikë në kundërshtim me rendin e vendosur; ata duhet të përpiqen me sa mund, duke patur frikë se kur thuhet që “njerëzit shijojnë më shumë këngët më të reja që dalin nga goja e aedëve”, të mos mendohetqë poeti e ka fjalën për melodi të reja, por për një mënyrë të re të kënduari, dhe kjo risi të mos miratohet.” ( Platoni 1999). Por cila do të ishte mënyra më e mirë për ti mësuar fëmijët që nesër të jenë qytetarë të denjë? “Kur pra fëmijët i nënshtrohen që në krye rregullës në lodrat e tyre dhe muzika do të ketë bërë që në zemrën e tyre të rrënjoset dashuria për ligjin, ndryshe nga ç’ndosh me fëmijët e mësuar keq, kjo dashuri për ligjin do t’i ndjekë pas në të gjitha rrethanat e jetës, ajo do të rritet bashkë me ta dhe do të vërë në vendin e duhur atë që mund të ketë mbetur nga disiplina e vjetër.” ( Platoni 1999).

Platoni më lartë e thekson rolin madhështor të muzikës në edukimin e të rinjve: “dhe muzika do të ketë bërë që në zemrën e tyre të rrënjoset dashuria për ligjin”, sepse për të muzika i zbut shpirtrat; ajo i bën njerëzit më të mirë, njëlloj si një tokë e mirë e cila e bën më të lehtë mbjedhjen dhe rritjen e vreshtit dhe të frutave të tjera. Por cilat do të ishin rregullat më kryesore për të krijuaj një njeri të mirë edukuar sipas Platonit. Do të ishin pikërisht: “Këto: të heshtësh, kur je i ri, në prani të njerëzve të moshuar, ashtu siç e kërkon mirësjellja, t’u lëshosh vend për t’u ulur, të ngrihesh në këmbë kur ata afrohen, të nderosh babanë dhe nënën, të ndjekësh zakonin e qethjes së flokëve, të veshjes, të mbathjes, në tërë pamjen e jashtme, dhe të gjitha gjërat si këto.” (Platoni 1999). Për Platonin dy ishin mënyrat më të mira për të edukuar qytetarin; shprehimisht ai e thotë këtë tek “Republika”: “E mirë, thash unë, tani imagjino sikur ne të përpiqeshim të bënim sa më mirë një punë të ngjashme, duke i zgjedhur ushtarët dhe duke i edukuar me muzikë dhe gjimnastikë. Binde veten se qëllimi ynë i vetëm është që ata të marrin ngjyrën më të mirë të ligjeve, në mënyrë që në sajë të natyrës së tyre të mirë dhe edukimit të marrë, ata të kishin kurdoherë një opinion të pacënueshëm për sendet nga të cilat duhet patur frikë dhe për të tjerat, dhe që ngjyra e marrë t’i rezistojë sapunit që është aq i fortë në heqjen e ngjyrave, e kam fjalën për qejfet, që janë më të fortë se çdo lloj sode apo finje, për hidhërimin, frikën, pasionin që ua kalojnë të gjitha larjeve.” (Platoni 1999). Po në këtë punim nuk mund të lëmë pa përmëndur edhe Sokratin. “Sokrati ishte një njeri me një ndjenjë të lartë detyre dhe me një pastërti morale absolute.” (Stumpf 2000). Hegeli shpesh herë e krahasonte atë me Krishtin. Sokrati ishte një person tepër modest, nuk ishte një mendjemadh, madje e pranonte injorancën e tij. “Kur Kerofoni pyeti Orakullin, nëse gjendej ndonjë person i gjallë, që të ishte më i zgjuar se Sokrati, Orakulli u përgjigj se nuk gjendej. Sokrati e interpretoi këtë përgjigje duke thënë se ai ishte më i zgjuar, sepse ai e kuptoi dhe e pranoi injorancën e vet.” (Stumpf 2000). Pra duke pranuar injorancën [padijen] e tij, Sokrati në këtë mënyrë e kishte e bërë veten e tij, njeriun më të zgjuar në botë. Në hulumtimet e antikëve grekë Sokrati zë një vënd të jashtëzakonshëm lidhur me idenë e shpirtit. “Bota e brendshme e njeriut, thotë Sokrati, është vendi i një aktiviteti unik, vendi i aktivitetit njohës, i cili udhëheq aktivitetin praktik. Për të përshkruar këtë aktivitet, Sokrati krijoi konceptin e shpirtit, të psiqikës (psyche). Për të shpirti nuk është ndonjë dhunti e veçantë, as ndonjë lloj i veçantë substance, por është, deri në një farë shkalle, kapacitet për inteligjencë dhe karakter. Ai është personaliteti i vetëdijshëm i njeriut.” (Stumpf 2000). Me pak fjalë shpirti për të ishte: “struktura e personalitetit.” (Stumpf 2000). Për sa i përket të mësuarit, Sokrati mendonte se metoda më e mirë e të mësuarit ishte nëpërmjet dialogut. Ai mendonte se vetëm dialogu me njeriun që kemi përballë mund të na çonte më qartësisht terk rruga e vërtetë e njohjes. “Në veprën “Euthifro”, Sokrati do të shtirej si injorant rreth një teme dhe u përpoq të nxirrte nga njeriu tjetër njohjen më të plotë të mundshme për të. Ai e konsideroi këtë metodë të dialektikës njëlloj mamie intelektuale.” (Stumpf 2000). Sokrati bënte pjesë tek ata filozofë ku diturinë dhe virtytin e vlerësonin po njëlloj. Të mësuarit në kohën e antikitetit grek kishte një metodë shumë interesante. Ata mësonin edhe duke shtëtitur nëpër lulishte dhe du ke dialoguar me njëritjetrin; pra ata nuk mësonin vetëm duke u ulur në bankat e shkollës siç ndodh rëndom sot. “Filozofia, për Platonin, ashtu si edhe për Sokratin, ishte jo thjesht një aktivitet i specializuar dhe teknik, por një mënyrë jetese.” (Stumpf 2000). Platoni i kushtoi një rëndësi shumë të madhe edukimit, dhe kryesisht mënyrës se si mund të arrihej një edukim sa më i mirë. Ai i qëndroi metodës dialektike të Sokratit. “Ai ishte i bindur se edukimi i tyre [burave të shtetit] duhej të konsistonte në aktivitetin rigoroz intelektual, me anën e të cilit ai nënkuptonte një studim shkencor, duke përfshirë matematikën, astronominë dhe harmonikën.” (Stumpf 2000). Moment tjetër interesant në teorinë e njohjes së Platonit është edhe Miti i Shpellës.

Njerëz të mbyllur në një shpellë dhe të lidhur për të mos parë pas; dhe pas tyre njerëz dhe kafshë të ndyshme dhe pas kafshëve zjarr. Zjarr i cili bën të mundur të shkaktohen hije para murit, të cilin ata mund të shohin. Por ato hije që ata mund të shohin, nuk janë kafshët dhe njerëzit e vërtetë, por hijet e tyre, që ata i marrin për të vërteta pasi nuk kanë mundësi të kthejnë kokat e tyre që janë të lidhura me zinxhirë, për të parë objektet e vërteta. “Kur ata shohin një hije dhe dëgjojnë jehonën e zërit të njeriut nga muri, mendojnë se zhurma vjen nga hija, sepse ata nuk kuptojnë ekzistencën e ndonjë gjëje tjetër.” (Stumpf 2000). Me të dalë nga shpella dhe në mënyrë graduale pasi, nëse do të dilte shpejt, do ti erreshin sytë nga dielli; njeriu i dalë nga shpella kupton se shkaku i të bërit të objekteve të dukshme është pikërisht dielli, dhe se ato gjëra që kishte parë në shpellë nuk ishin veçse mashtrime, “sepse atje, ku ai më përpara shihte një njollë të errët, tani mund të shohë detaje më të qarta të linjave dhe të ngjyrave.” (Stumpf 2000). “Tani ai e kupton se pa diell nuk ka botë të dukshme.” (Stumpf 2000). Por si mund të arrihej një njohje sa më e mirë për njeriun. Sipas Platonit kjo njohje e përkryer mund të arrihej vetëm me anë të inteligjencës së përkryer. “Inteligjenca e përkryer përfaqëson mendjen e çliruar tërësisht nga objektet ndijore. Në këtë nivel mendja merret direkt me format. Format janë objekte të kuptueshme, siç është trekëndëshi dhe njeriu, të cilat janë abstraguar nga objektet aktuale.” (Stumpf 2000).

Figura e Sokratit në antikitetin grek por edhe më vonë ka qënë shumë e vlerësuar. Sokrati ishte një person i cili e donte dijen por edhe shtetin. Përveç shprehej “Unë di një gjë, që nuk di asgjë” Sokrati si një mbështetës i zbatimit të ligjit në shoqëri, la shprehejne e tij po aq të famshme sa e para: “Ligjet janë babai dhe nëna ime.” (Hersh 1995). Dija për Sokratin ishte shumë e rëndësishme pasi “dija vë në veprim gjithë shpirtin.” Përsa i përket edukimit, Sokrati na flet për ide të lindura, ato që më vonë do i hasim tek Platoni si reminishenca [rikujtesa]. Logjika e kësaj teorie e të mësuarit dhe të edukuarit kishte të bënte me faktin se: “duhet të pranojmë se ne i kemi kundruar idetë para se sa të lindnim. Gjatë lindjes shpirti humbet kujtimin e qartë të ideve. Por tek ai mbetet një lloj nostalgjie për to, çka bën që ai të përpiqet t’iu drejtohet atyre, që ti kërkojë ato. Maieutika e Sokratit kthehet tek Platoni në një proces rikujtimi, reminishence.” (Hersh 1995) Pra sipas kësaj teorie ne nuk mësojmë gjëra të reja, por thjesht rikujtojmë atë gjëra apo ide që shpirti ynë i ka parë kur ishte në botën e ideve pa zbritur ende në tokë. “Edukimi përpiqet para së gjithash të nxisë dhe ta bëjë efikas kujtimin e ideve të kundruara dikur, përpara lindjes.” (Hersh 1995). Por si mund të arrijmë një dije të sigurtë dhe të fortë për të pasur një edukim të shëndetshë dhe me bazë? Platoni shprehej se: “filozofia duhet të niset nga mendim i saktë i matematikës, për të na çuar drejt diçkaje që nuk mund të shprehet nëpërmjet koncepteve, por me një gjuhëpoetike, domethënë e vërteta përtej mundësive të përvojës së prekshme dhe mendimit konceptual.” (Jacoby Edmond 2006).

Bibliografia

Jacoby. E. Filozofët më të mëdhenj të kohërave. Max Tiranë 2006

Hersh. Zh. Habia filozofike. Dituria Tiranë 1995

Stumpf. S. Filozofia. Toena Tiranë 2000

Platoni. Republika. Phoenix Tiranë 1999

Vernant. J. Origjina e mendimit greek. Dituria Tiranë

Filed Under: ESSE Tagged With: dorian sevo

KONGRESI I SHTETEVE TË BASHKUARA DENONCON TMERRET E SOCIALIZMIT

February 6, 2023 by s p

“Socializmi nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Të ënjten që kaloi, Kongresi i Shteteve të Bashkuara – miratoi, zyrtarisht, një rezolutë me të cilën denoncohet socializmi si doktrinë dhe sistem qeverisjeje. Rezoluta amerikane kundër socializmit, e sponsorizuar nga kongresistja republikane, Maria Elvira Salazar nga shteti Florida, u miratua në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, me 328 vota në favor dhe 86 kundër. Është kjo një rezolutë me të cilën pajtohet (concurs) edhe Senati i Shteteve të Bashkuara. Kjo është një votë me shumicë dërmuese në favor të rezolutës kundër socializmit, ndërkohë që të gjithë antarët e Partisë Republikane votuan për miratimin e saj, siç bëri edhe shumica e kongresistëve të Partisë Demokrate (109), ndërsa 86 prej antarëve demokratë të Kongresit, votuan kundër miratimit të kësaj rezolute. BILLS-118hconres9ih.pdf (congress.gov)

Socialism Resolution Vote

Vota përfundimtare për miratimin e rezolutës me të cilën Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës denoncoi “tmerret e Socializmit”, duke shpallur gjithashtu se socializmi si doktrinë nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

2 Shkurt, 2023

Në një njoftim për median, sponsorizuesja e kësaj rezolute,  H. Con. Res. 9, kongresistja e shtetit Florida, Maria Elvira Salazar u shpreh se miratimi i rezolutës që denoncon tmerret dhe ideologjinë socialiste, “Është një fitore për çdo njeri në Shtetet e Bashkuara që beson në fuqinë e lirisë individuale dhe jo në socializmin shtypës shtetëror”.  Me këtë rezolutë, shtoi ajo, “Ne i dërguam një mesazh botës se socializmi nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

 Në atë njoftim, thuhet gjithashtu se për antarët e Partisë Demokrate, kjo ishte hera e parë që u detyruan të merrnin, publikisht, një qendrim sa i përket socializmit. Por, megjithkëtë, në njoftimin e kongresistes Salazar thuhet se është për të ardhur keq që kjo votë tregoi gjithashtu se pothuaj gjysma e demokratëve në Kongres refuzojnë gjithnjë të denoncojnë socializmin. Ndonëse një shumicë e demokratëve iu bashkuan republikanëve duke votuar në favor të rezolutës që denoncon socializmin, si ideologji majtiste dhe tmerret që kjo ideologji ka shkaktuar gjatë historisë, kjo ishte një votë që përçau Patinë Demokrate në Kongtres, të pakën për këtë çështje. Vota e demokratëve ishte 109 në favor dhe 86 kundër.  Disa prej këtyre demokratëve në Kongresin amerikan, që votuan kundër kësaj rezolute që denoncon socializmin, janë deklaruar ose janë cilësuar nga të tjerët si “socialistë demokratë”. 

Kongresistja Salazar, si sponsorizuese, e paraqiti këtë rezolutë duke përmendur përvojën e banorëve në distriktin e saj në jug të Floridës, shumica me origjinë kubane, që ata ose para-ardhësit e tyre janë arratisur gjatë dekadave nga tmerret dhe krimet e regjimit komunist të Fidel Castros në Kubë. Frank Shkreli; Një frymë e re anti-socialiste /anti-komuniste në Kongresin e ardhshëm të ShBA-ve | Gazeta Telegraf  — Duke iu drejtuar kolegëve të saj në Kongres, kongresistja Maria Salazar u bëri thirrje kolegëve që ta miratojnë rezolutën kundër socializmit sepse një masë e tillë  do të tregonte se Kongresi, Shtëpia e Popullit tonë, denoncon pa asnjë dyshim këtë ideologji “mizore dhe të padrejtë”.

Në rezolutën e miratuar me votë dërmuese nga antarët e dy partive kryesore – republikanë e demokratë – thuhet se, “Ideologjia socialiste mandaton përqendrimin e të gjitha pushteteve në dorë të një personi ose partie, diçka që është provuar herë pas here të ketë përfunduar në regjime komuniste, qeverisje totalitare dhe në regjime diktaturash brutale.”   Në rezolutë, me të drejtë theksohet, se krimet më të mëdha në histori janë bërë nga ideologët e socializmit e komunizmit gjatë shekullit të kaluar e deri më ditët e sotëme dhe nënvijon aktet barabare që regjimet socialiste/komuniste kanë kryer anë e mbanë botës.  Rezoluta thekson se Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, denoncon socializmin në të gjitha format e tij dhe kundërshton, fuqimisht, zbatimin e politikave socialiste në Shtetet e Bashkuara. Sipas kongresistes republikane, Zonjës Salazar, kjo rezolutë garanton që, “Shtetet e Bashkuara do të angazhohen se nuk do të miratojnë ose të zbatojnë politika socialiste të cilat me doemos çojnë në shkatërrime ekonomike dhe regjime autoritaritare politike.”

 Ndërkaq, kongresistja demokrate nga Florida, Zonja Debbie Wasserman Schultz, e cila mbështeti rezolutën kundër socializmit denoncoi rëndë autokratët socialistë në fjalimin e saj në sallën e Kongresit, ndërsa kritikoi disa udhëheqës politikë amerikanë, të cilët kritikojnë zgjedhjet demokratike si dhe disa programe amerikane. “Unë po ngrihem për të folur për të denoncuar të gjithë autokratët socialistë kudo, të cilët vendosin pushtetin autoritar dhe pasuritë e tyre mbi interesat e qytetarëve të vetë. Kjo rezolutë, injoron disa prej krimeve më të mëdha të këtyre autokratëve” botërorë, ndërsa, sipas saj, anashkalon përpjekjet e disa udhëheqsve amerikanë që imitojnë taktikat e tyre, është shprehur demokratja e shtetit Florida, kongresistja Debbie Wasserman Schultz.

Miratimi i kësaj rezolute javën e kaluar në Kongresin amerikan (me pajtimin edhe të Senatit),më sjellë kujtime dhe më bën të ndihëm personalisht i kënaqur, pasi denoncimi i socializmit dhe komunizmit dhe i krimeve që regjimet komuniste, anë e mbanë botës, kanë kryer në emër të kësaj ideologjie — është dhe ka qenë si një mision i jetës time. Me modestinë më të madhe më duhet të rrëfej se këtë “luftë” e kam filluar nga ditët e para, me të arrijtur në Shtetet e Bashkuara – madje nga bankat e shkollës – siç mund të shikoni më poshtë shkrimin e 50-viteve më parë, e deri në ditët e sotëme Frank Shkreli: Argumenti kundër socializmit | Gazeta Telegraf– duke u munduar të paralajmëroj – sipas mudësive të mia — edhe sot ashtu si përpiqesha të bindja një gjysëm shekulli më parë kolegët studentë dhe disa profesorë në atë kohë – mbi rreziqet e socializmit për Shtetet e Bashkuara dhe për botën.

Po, Shqipëria e Kosova kur do të denoncojnë socializmin dhe komunizmin? Frank Shkreli: Dita Shqiptare e Lirisë në Uestçester të Nju Jorkut dhe krimet e komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf – Për fat të keq, për 30-vjetë tashti — Në vend që Shqipëria të denoncojë dhe të ndëshkojë krimet e komunizmit – siç ka bërë mbarë bota perëndimore dhe të kujtojë gjithashtu viktimat e atij sistemi terrorist — forcat nostalgjike të komunizmit në nivelet më të larta të politikës shqiptare dhe në sistemin e të ashtuquajturës “drejtësi” shqiptare, me arrogancën dhe indiferencën e tyre ndaj krimeve dhe viktimave të komunizmit në Shqipëri – në vend të denoncimit të socializmit dhe komunizmit për krimet e tyre në atë vend,  përkundrazi, po përpiqen të legjitimojnë krimet dhe të riabilitojnë figurën e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës. 

Frank Shkreli

Representative Maria Elvira Salazar

Kongresistja e Partisë Republikane Maria Elvira Salazar e shtetit Florida – sponsorizuesja kryesore e rezolutës së Kongresit Amerikan e miratuar me shumicë nga Dhoma e Përfaqsuesve të enjëtn që kaloi, me pajtimin gjithashtu të Senatit amerikan. Rezoluta denoncon doktrinën socialisto-komuniste dhe “tmerret e socializmit”.   

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS

February 5, 2023 by s p

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT