• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

Një shënim mbi librin “Esencat e mendimit letrar”, të Dr. Besim Muhadri

February 2, 2023 by s p

Adnan Mehmeti/

Shtëpia botuese “Adriatic Press” në Nju Jork ka botuar librin me kumtesa dhe studime letrare “Esencat e mendimit letrar” të anëtarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe profesorit të Universitetit të Gjakovës “F. Agani”, Prof.asoc.dr. Besim Muhadri. Libri i autorit në fjalë, i cili tash e 13 vjet zhvillon jetën në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, është i shtati me radhë në fushën e studimit letrar dhe i 22-ti në tërë opusin e tij krijues.

Siç e tregon edhe vet autori që në titull, libri “Esencat e mendimit letrar” është një libër me kumtesa dhe studime, shumica të lexuara nëpër konferenca dhe seminare ndërkombëtare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Belgjikë, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por disa të botuara edhe nëpër revista shkencore ndërkombëtare.

Librit i paraprin studimi “Pal Hasi dhe Andrea Bogdani autorë të cituar të një letërsie dhe trashëgimie të tretur”, për të vazhduar me studimet “Komisia Letrare e Shkodrës, reflektimi dhe vlerësimi i saj në Kosovë”, “Proza e Ernest Koliqit në kontekstin e letërsisë shqipe të shekullit XX”, “Rexhep Qosja dhe rikthimi i Gjergj Fishtës dhe i Faik Konicës në letërsinë shqipe”, “Kosova në veprën letrare dhe publicistike të Ismail Kadaresë’, ”Tipologjia e veprës “Njerëzit” i Hivzi Sulejmanit dhe rëndësia historike – letrare e saj”, “Aspekte tematike në poezinë dhe prozën e Murat Isakut”, “Anton Pashku dhe simbolika e prozës të tij”, “Poezia e Din Mehmetit dhe kritika letrare”, “Vrasja e poetëve nga regjimi komunist dhe (mos)reagimi i shtresave intelektuale të kohës”, “Pasqyrimi i figurës së Skënderbeut në veprën letrare të Bilal Xhaferit e të Fatos Arapit”, “Kultivimi dhe zhvillimi i letërsisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, “Gjekë Marinaj – poet i shquar i diasporës shqiptare në Amerikë”, “Ramiz Gjini, tregimtar e romansier”, “Studimi i veprës së Lasgush Poradecit në Kosovë”, “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar”, “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar” dhe përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”.

Te “Pal Hasi dhe Andrea Bogdani” autorë të cituar të një letërsie dhe trashëgimie të tretur”, studiuesi merret me fatin e shkrimtarit dhe veprës së humbur, që ne letërsinë tonë nuk janë raste të rralla. Prandaj, këtë fat kishin edhe “Pal Hasi dhe Andrea Bogdani”, të dy priftërinjtë të spikatur por edhe autorë të rëndësishëm të kulturës sonë. Njëri poet, të cilin e përmend Pjetër Budi, ndërsa tjetri gjuhëtar, të cilin e përmend Pjetër Bogdani për gramatikën e gjuhës shqipe, e cila, siç thotë P. Bogdani, u tret si kripa në ujë, pasiqë ajo i kishte humbur gjatë kohës kur ai po fshihej për t’i shpëtuar ekzekutimit të Perandorisë Otomane. “Megjithatë, veprat e Pal Hasit dhe të Andrea Bogdanit, qoftë edhe në këtë formë, arrijnë të komunikojnë në formën dhe mënyrën e tyre, duke përçuar tërë kompleksitetin e veçantisë dhe të rëndësisë së tyre kulturore letrare, gjuhësore të një kohe të caktuar, gjithsesi të rëndësishme, në shkallë kombëtare. Ata, padyshim, janë dhe do të mbeten emra që nderojnë kulturën tonë të lashtë dhe dëshmojnë për një traditë tonën letrare dhe shkencore shumë më të hershme se sa ajo që na vijnë dëshmitë”, thotë në mes tjerash Muhadri në studimin e tij.

Ndërkaq, në studimin “Komisia Letrare e Shkodrës, reflektimi dhe vlerësimi i saj në Kosovë”, autori merret me trajtimin e rolit të kësaj Komisie, të themeluar nga austro-hungarezët në dhjetëvjetëshin e dytë të shekullit XX, ndërkaq, në këtë studim Muhadri përqëndrohet në rolin e saj në fushën e gjuhës e të lëtërsisë shqipe, por edhe për jehonën e saj edhe në Kosovë. Më konkretisht ai merret me rolin e saj në fushën e arsimit, kurse në fokus të punimit të tij ka vënë veprat e Fadil Rakës dhe të Sheremet Krasniqit në lidhje me Komisinë Letrare të Shkodrës.

Në studimin “Proza e Ernest Koliqit në kontekstin e letërsisë shqipe të shekullit XX”, Muhadri flet për zhvillimin e prozës shqipe në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, duke vënë në fokus të saj prozën e Koliqit, përkatësisht shqyrtimin e disa aspekteve të tregimit të shkurtër në letërsinë tonë në përgjithësi, dhe të atij të Koliqit si themelues i kësaj lloj proze, në veçanti. Ai ka marrë në shqyrtim librin “Hija e maleve”, por edhe në libra të tjerë të këtij shkrimtari të rëndësishëm të letësrisë sonë. “Proza tregimtare e Koliqit mban vulën e një kohe që paralajmëronte se në prozën dhe në letërsinë tonë, në tërësi, po shfaqej një brez, i cili, për shumëçka, do të ishte i rëndësishëm dhe do të tejkalonte brezat e tjerë. Ajo paraqet një aspekt të veçantë, jo vetëm për stadin e zhvillimit të letërsisë sonë në një kohë dhe periudhë të caktuar të historisë së letërsisë sonë”, thotë studiuesi Muhadri.

Te studimi “Rexhep Qosja dhe rikthimi i Gjergj Fishtës dhe i Faik Konicës në letërsinë shqipe”, Muhadri ka vënë në spikamë pikëpamjet e akademik Qosjes në lidhje me dy kolosët e letërsisë sonë, Gjergj Fishta e Faik Konica, me rastin e rikthimit të tyre në letërsinë shqipe, pas një ekzili të padrejtë gjysmëshekullor, të dhënë nga regjimi komunist, që rezultoi me një ekskomunikim të veprës së tyre me lexuesit në atdhe. Sipas Muhadrit “Shkaqet e qëndrimeve të politikës zyrtare të kohës që çoi në eleminimin apo përjashtimin e shkrimtarëve të mëdhenj, Qosja i klasifikon jo vetëm politike dhe jo vetëm ideologjike, por edhe kundërkulturore, të rrezikshme për artin, shkencën, kulturën dhe për lirinë e njeriut dhe të popullit, ndërkaq, rikthimin e tyre, përkatësisht të veprës së tyre pas 45 vitesh të përjashtimit, e cilëson si një rikthim të një thesari tejet të rëndësishëm artistik, shpirtëror dhe moral”.

Në “Kosova në veprën letrare dhe publicistike të Ismail Kadaresë”, autori spikat kontributin e Ismail Kadaresë në trajtimin e temës së Kosovës, si në poezi, ashtu edhe në roman dhe publicistië. Muhadri thotë se “te Kadareja, trajtimi i temës së Kosovës kap një periudhë të gjatë kohore të shtrirjes si problem”, ndërsa kontributin e Kadaresë në trajtimin e temës së Kosovës e cilëson si të patjetërsueshëm që, “jo rrallëherë atij i ka shkaktuar telashe të llojit të vet”. Megjithatë, siç thotë Muhadri “karshi kësaj çështje, Kadare e ka kryer dhe vazhdon ta kryejë detyrën e vet si intelektual dhe shkrimtar i shquar i letërsisë së kombit të tij”.

Te “Tipologjia e veprës “Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit dhe rëndësia historike – letrare e saj”, ka trajtuar aspektin tipologjik të veprës “Njerëzit” të Hivzi Sulejmanit, një vepër e cila qëndron në mes romanit dhe të prozës dokumentare. Autori veprën në fjalë e cilëson edhe si një kronikë e një revolucioni dhe një dëshmi relevante e një jete dhe e një shoqërie, e cila trajton dramën e njeriut tonë në përpjekje të vazhdueshme për t’i ruajtur e mbrojtur virtytet, qenien e botës së vet, përpjekjen e njeriut për të mbetur njeri, për ta ndryshuar vetveten dhe realitetin e kohës”.

Në “Aspekte tematike në poezinë dhe prozën e Murat Isakut”, Muhadri në laboratorin e analizës së tij ka vënë veprën letrare të Murat Isakut, duke e cilësuar Isakun si një shkrimtar erudit dhe kreativ, por edhë një zë tepër origjinal dhe interesant, duke kërkuar që veprës së tij t’i kushtohet vëmendje e veçantë studimi dhe vlerësimi, në mënyrë që asaj dhe autorit t’i jepet vendi i merituar në historinë e letërsisë së gjithëmbarshme kombëtare”.

Studime mjaft të rëndësishme në librin “Esencat e mendimit letrar” janë edhe “Anton Pashku dhe simbolika e prozës të tij” dhe “Poezia e Din Mehmetit dhe kritika letrare”, ku studiuesi merret me prozën e Pashkut në përgjithësi dhe me atë të romanit “Oh”, në veçanti si dhe me relevancat e studimit të poezisë së Din Mehmetit dhe të vlerësimeve të kritkës letrare për këtë poet të shquar në letërisë sonë.

“Vrasja e poetëve nga regjimi komunist dhe (mos)reagimi i shtresave intelektuale të kohës”, është një trajtesë interesante, ku Muhadri i bën temës së tragjikës së vrasjes së poetëve gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si dhe të reagimit apo të mosreagimit të intelektualëve shqiptarë të kohës në lidhje me këto përmasa tragjike të ekzekutimit të krijuesve letrarë. Ai me këtë rast në shqyrtim të punimit të tij ka poetët e vrarë e të varur në litar, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela.

“Ajo që është më e dhimbshme dhe më trishtuese në këtë katrahurë vrasjesh poetësh, thotë autori, është skenari i likuidimit të tyre, që sipas studiuesit i ngjan një tragjedie në tri akte, para së cilës nuk vjen në pyetje indiferenca e lexuesit, i cili gjatë zhvillimit të akteve të saj do të ndiejë tërë peshën e bagazhit të një sistemi kriminal dhe tërë peshën e injorancës, fodullëkut dhe serviletit të “njeriut” të shndërruar në hiqnjeri, në sadist, i cili kënaqej me të keqen e tjetrit, të cilën ia përgatiste vetë”.

Te studimi “Pasqyrimi i figurës së Skënderbeut në veprën letrare të Bilal Xhaferrit e të Fatos Arapit”, autori ka marrë në shqyrtim pjesën e veprës së e dy shkrimtarëve tanë që ndërlidhet me trajtimin e figurës dhe epokës së Skendërbeut, ndërkaq, te studimi “Kultivimi dhe zhvillimi i letërsisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, Muhadri jep kontributin e tij në pasqyrimin e aktivitetit të mërgatës shqiptare në SHBA në fushën e letërsisë, si në gjininë e poezisë, ashtu edhe të prozës dhe të publicistikës, që i bëhen krijimtarisë letrare të mërgatës shqiptare në SHBA.

Te studimet “Gjekë Marinaj – poet i shquar i diasporës shqiptare në Amerikë”, “Ramiz Gini, tregimtar e romansier”, Dr. Besim Muhadri ka analizuar veprat e dy shkrimtarëve shqiptaro-emerikanë, Gjekë Marinaj si poet dhe Ramiz Gjini si prozator, duke vënë në spikamë disa nga vlerat ideo-estetike dhe tematike e zhanrore të këtyre dy shkrimtarëve të diasporës sonë në Amerikë.

Të një rëndësie të veçantë janë dhe kumtesat “Studimi i veprës së Lasgush Poradecit në Kosovë”, “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar”, “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar” dhe përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”.

Te punimi për studimin e veprës së Lasgush Poradacit, është fokosuar te leximi dhe studimi i poezisë së Lasgushit në Kosovë, por edhe te vlerësimet që studiues nga Kosova i japin veprës së poetit tonë të shquar. Në këtë rast ai ka veçuar mendimet e Rexhep Qosjes, Sabri Hamitit, Emin Kabashit, Mensur Raifit, Kujtim Shalës e të ndonjë studiuesi tjetër. Ndërkaq te “Kontributi i studiuesit japonez Kazuhiko Yamamoto në studimin e strukturës etike të Kanunit shqiptar”, shohim kontributin e profesorit Japonez në lidhje me pasqyrimin e vlerave dhe të strukturës etike të Kanunit, në krahasimin me konceptet etike të veprave homerike por edhe me ata të kulturës dhe traditës së japonezëve antikë.

Te “Interneti dhe deformimet gjuhësore dhe konceptuale të artit të mirëfilltë letrar” autori shpërfaq shqetësimet e tij në lidhje pasojat e deformimeve letrare e gjuhësore në kontekstin e zhvillimeve të reja teknologjike. Ndërkaq libri përmbyllet me vështrimin “Përmendore letrare për poetin e harruar”, që është një analizë interesante e librit “Rreshpja që nuk e kuptuam kurrë” të Petrit Palushit. Në këtë analizë të Muhadrit, shohim portretin fizik dhe krijues të një poeti interesant dhe tragjik, siç ishte Frederik Rreshpja. Po aty shohim edhe pikëpamjet e Rreshpjes në lidhje me poezinë, jo vetëm të tij, por edhe atë shqipe dhe botërore në përgjithësi.

Prandaj, duke parë gjithë këtë material studimor të Dr. Besim Muhadrit të ofruar në librin e tij “Esencat e mendimit letrar”, duhet të themi se libri në fjalë është një libër i strukturuar, me një thellësi analitike dhe shkencore, që shoqërohet edhe nga citate dhe referenca të shumta, të cilat librit i japin edhe karakterin e mirëfilltë shkencor. Libri i Dr. Besim Muhadri është rezultat i një pune disavjeçare të tij në fushën e studimit dhe trajtimit te temave të rëndësishme letrare, por edhe të veprave të autorëve të shquar të periudhave të ndryshme të letërsisë sonë. Prandaj, si i tillë, me plot të drejtë thotë edhe autori në parathënien e tij, se ai mund t’u hyjë në punë jo vetëm lexuesve, por edhe studiuesve dhe studentëve të letërsisë.

Prandaj, më duhet të them për fund se “Esencat e mendimit letrar”, i botuar këtu në Nju Jork, paraqet një ngjarje të rëndësishme për komunitetin letrar, veçanërisht të fushës së studimit, jo vetëm këtu në Nju Jork, pjesë e të cilit tash e sa vite është autori, por edhe në Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku janë shqiptarët.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Adnan Mehmeti

Shoqata Shqiptaro Amerikane e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin e saj vjetor

February 2, 2023 by s p

Nga Qemal Zylo/

Në mjediset lluksoze të Graycliff i cili është një vend dasmash dhe eventesh të ndyshme i vendosur në Moonachie, New Jersey Shoqata Shqiptaro Amerikane, Organizata e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin vjetor të radhës.

Elton Shametaj një nga themeluesit dhe kryetar i kësaj organizate së bashku me të gjithë stafin dhe anëtarët kishin marrë masat në mënyrë perfekte për ta organizuar këtë aktivitet të rëndësishëm.

Vlen të theksohet se kjo organizatë është kthyer në një institucion të rëndësishëm dhe ka shumë lidhje me shtetin amë.  Ajo ka lidhje të forta me Shqipërinë dhe Kosovën dhe ka realizuar binjakëzimin mes Policisë Shqiptare, Emergjencës Civile dhe Ushtrisë në Shqipëri.

Kryesia dhe anëtarë të saj janë të edukuar në Amerikë dhe janë forcë aktive e Departamentit të Policisë së Amerikës.  Kjo organizatë ka mbi 200 anëtarë oficerë policie të cilët janë të përkushtuar për zbatimin e ligjit dhe në gadishmëri të plotë për mbrojtjen e jetës së popullit nga kriminelët dhe njerëzit e papërgjegjshëm.  Janë disa oficerë të policisë që kanë detyra të larta në departamentet ku ata punojnë dhe ushtrojnë detyrën e tyre.

Ata me përunjësi dhe dashurinë për rrënjët e tyre punojne fort per të mbajtur gjallë traditën, kulturën dhe historinë e lavdishme shqiptare.

Nderoi me pjesëmarrjen e tij dhe përshëndeti Imam Tahir Kukaj i cili është përfaqësuesi kryesor i detyrave Islame në policinë e Nju Jorkut ose siç njihet ndryshe NYPD Muslim Chaplin.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm mori pjesë gjithashtu Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në NY, Ambasadori Blerim Reka.

Ajo që më bëri përshtypje në këtë aktivitet ishte dhurimi që bëri një anëtar i Organizatës të punonjësve të policisë i cili heshturazi dhuroi 10. 000 dollar për një familje të një Heroi të policise në Shqipëri rënë në krye të detyrës, emrin e të cilit nuk donte ta identifikonte.  

Gjesti i tij prej fisniku të kujton që jemi pasardhës të shenjtores Nënë Tereza e cila na ka msëuar se: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Ndonëse nuk ka shumë vite, e themeluar në vitin 2019, ajo sot është bërë shumë e njohur në mbarë Diasporën, në Shqipëri dhe Kosovë për shkak të pjesëmarrjes së saj aktive në shumë ngjarje të komunitetit tone në Diasporë.

Bordi drejtues dhe gjithë veprimtarët e kësaj organizate shumë të njohur po punojnë ngushtë dhe profesionalisht për t’u degjuar dhe më shumë zëri shqiptar, në bashkëpunim me policinë amerikane.

Programi i kësaj Shoqate Shqiptaro-Amerikane të Zbatimit të Ligjit, ose shkurtimisht si AALEA, ka nje program shume të pasur dhe mjaft frymëzues.

Në këtë aktivitet pjesëmarrësit u argëtuan nga intepretimet e artistit të mirënjohur Edmond Nikolla nën tingujt e DJ Dritan Papa.

Aktiviteti do të transmetohet së shpejti në kanalin 27 në paketën digitale, TV ALB nga TV “Alba Life”, New York.

31 Janar, 2023

New Jersey, USA

Filed Under: Komunitet Tagged With: Qemal Zylo

Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit

February 2, 2023 by s p

Valdete Cenalia/

Në librin “Prof. Rexhep Krasniqi-një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”, profesor Besim Muhadri e ka përshkruar qartë figurën e Profesor. Dr. Rexhep Krasniqit, si një njeri që punoi dhe luftoi për një Shqipëri natyrale, për një Shqipëri etnike. Njeriu që kurrë nuk e ndali luftën kundër së keqes që kishte pllakosur Shqipërinë dhe shqiptarët, si ata që jetonin brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ashtu edhe ata që jetonin në trojet e veta etnike, por që kishin ngelur padrejtësisht brenda territoreve jugosllave, ndaj të cilëve ushtrohej dhunë e po mundoheshin t’i asimilonin dhe shfarosnin.

Profesor Besim Muhadri në librin e përgatitur për Prof.Dr. Rexhep Krasniqin, na jep një informacion të mjaftueshëm për jetën dhe veprimtarinë e Profesorit të nderuar, i cili 24 vjet më parë vdiq këtu në Nju Jork, duke lënë prapa një veprimtari të shquar në fushën e atdhetarisë dhe të studimeve historike e politike për shqiptarët. I lindur 28 shtator 1906 në Gjakovë kaloi një jetë të dhimbshme, duke mbetur jetim që në moshën 8 vjeç e për t’u adaptuar më pas si “bir shpirti” nga Bajram Curri, i cili më pas do ta shoqërojë vetë në regjistrimin e shkollës në Vjenë, ku edhe doktoroi në fushën e historisë, për t’u bërë njëri ndër doktorët e parë të shkencave historike në trojet shqiptare. Pas kësaj kohe ai kthehet në atdhe, ku jep kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit, por edhe të udhëheqjes, kurse pas përfundimit të luftës së Dytë Botërore, detyrohet të largohet nga vendi, ku jetoi dhe veproi në mërgim, Austri, Australi dhe së fundi në Nju Jork, ku edhe vdiq. Pas vdekjes së Mit’hat Frashërit, udhëhoqi “Komitetin Shqipëria e Lirë, të cilin Komitet e udhëhoqi për plot 35 vjet me radhë.

Përmes librit të përgatitur e të redaktuar nga vetë ai, Prof. Dr. Besim Muhadri na e sjell mjaft qartë dhe të pastërt figurën e një njeriu brilant si në fushën e shkencës, ashtu edhe në fushën e kontributeve politike në favor të atdheut dhe Kombit të tij, siç ishte prof. Dr Krasniqi.

Në kapitullin e parë trajton prejardhjen, origjinën dhe shtrirjen e popullit shqiptar si dhe zhvillimin e kësaj popullsie brenda hapsirës së vet historike.

-Tema e Kongresit të Berlinit dhe pasojat e këtij Kongresi për Verilindjen e Shqipërisë.

Vrasja e Mehmet Ali Pashes në Gjakovë me përmasa tragjike, pushtimin e Podgoricës, Shpuzës, Zhabiakut nga ana e Malit të Zi.

-Temën e Konfliktit për marrjen e Plavës dhe Gucisë dhe përfundimi i Lidhjes së Prizerenit dhe çështjen e kufirit etnografik të Kombit Shqiptar në Verilindje;

Temën e luftërave për lirinë e popujve kristian të Ballkanit, në të cilën profesor Krasniqi shpreh qartë arsyet e shpërthimit të këtyre luftërave dhe zhvillimin e tyre duke trajtuar problemin bullgar, grek. Pastaj ai flet edhe për zhvillimin kulturor e kombëtar të shqiptarëve si dhe përpjekjet e sllavizmit ku gjuha shqipe mbizotëroi e jetoi në themelin e gjuhës familjare.

Temën e rrjedhës së ngjarjeve para luftës Ruso-Turke ku Perandoria Ruse mbeti e pakënaqur nga Protokolli i Londrës 31 Marsit 1877 ku Fuqitë e Mëdha dhanë pëlqimin për paqen e bërë me serbët, Turqia të nënshkruante me Malin e Zi të njëjtën paqe për çarmatimin e fuqive të veta ushtarake etj.

Temën e copëtimit të tokave shqiptare pas përfundimit të luftës Ruso-Turke, ku në mars 1878 në Shën Stefan nënshkruhet një traktat, sipas të cilit pjesët e tokave shqiptare i kaluan shteteve fqinje, favorizohet Bullgaria, kurse Rusia detyronte Turqinë të jepte viset shqiptare, që solli edhe Kongresin e Berlinit si dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, mbajtur më 10 qreshor 1878, si kundërshtim i copëtim i tokave shqiptare nga ana e fuqive të mëdha.

Në librin “Profesor. Dr. Rexhep Krasniqi- një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”, profesor Besim Muhadri prezanton shumë shkrime të tjera interesante të shkruara nga ana e Rexhep Krasniqit gjatë kohës sa ishte kryetar i Komitetit Shqipëria e lirë, shkrime të publikuara nëpër revista të kohës e në libra të veçantë, madje edhe në në gjuhën angleze. Përmes këtyre shkrimeve profesor Krasniqi opinionit ndërkombëtar ia bënte me dije çështjen e pazgjidhur shqiptare e në veçanti atë të Kosovës, ndërkombëtarizim të cilin e bënë pranë diplomacisë amerikane në SHBA, në kohën kur kishte filluar valë e madhe shpërnguljesh të popullsisë shqiptare duke ngritur si problem në OKB.

Po ashtu profesor Besim Muhadri, në librin kushtuar Rexhep Krasniqit, prezanton edhe shkrime të autorëve të tjerë që flasin për figurën e Rexhep Krasniqit. Ndër ta është edhe publicisti Idriz Lamaj, një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Rexhep Krasniqit, që falë kontributit të tij në ruajtjen e arkivit të profesorit, e ka parë dritën e botimit edhe ky libër që po promovohet sot, por i shkruar katër vite më parë. Idriz Lamaj jep të dhëna interesante për Rexhep Krasniqin, por edhe për Xhafer Devën. Më të parin kishte punuar në të njëjtën zyrë 17 vjet, kurse me të dytin 10 vjet.

Po ashtu shkrime interesante të prezantuara në këtë libër janë edhe ato të studiuesve si Nuredin Ahmeti, Hamdi Thaçi, Frank Shkreli, Alban Dobruna e Nexhat Çoçaj. Përmes të cilave shkrime sikur plotësohet portreti politik, atdhetar dhe historik i profesor doktor Rexhep Krasniqit.

Prandaj libri “Prof. Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të shqipërisë etnike” ,i përgatitur dhe i redaktuar nga profesor Besim Muhadri, me të drejtë mund të quhet një kontribut i rëndësishëm në ndriçimin e figurës së Rexhep Krasniqit, apo siç e thotë edhe recensenti i librit Dr. Alban Dobruna një hap i rëndësishëm në hostoriografinë shqiptare, sepse koncepti, qasja dhe formimi i profesor Rexhep Krasniqit përbën një përafrim me shkollat historiografike evropiane dhe një gërshetim me traditat e shkollës historiografike shqiptare.

Duke përfunduar këtë shkrim timin për këtë libër, e përgëzojmë profesor Besim Muhadrin për këtë kontribut të veçantë në lidhje me nxjerren në dritë të këtij libri, i cili shpërfaq në mënyrë komplekse figurën e Rexhep Krasniqit në këtë format libri.

Filed Under: LETERSI Tagged With: valdete cenalia

Kalendar – Kosova drejt Pavarësisë: Para 16 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin 

February 2, 2023 by s p

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

– Para 16 viteve Kosova mori Propozimin Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)/

– Shtetet e Bashkuara të Amerikës falënderonin të Dërguarin Special të OKB Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës/

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për bisedimet e udhëhequra nga Ahtisaari: I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 2 Shkurt 2023/ Sot u bënë 16 vjet nga 2 Shkurti 2007, kur iu prezantua palëve Propozimi Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Paketa Ahtisaari u pasua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, para 15 viteve, në 17 Shkurtin historik 2008.

Po në 2 Shkurt 2007, në një Deklaratë të Zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës falënderonin të Dërguarin Special të OKB-së Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës.

Kjo ishte Deklarata e dërguar atëherë nga Zyra e SHBA-ve në Prishtinë:

2 Shkurt 2007

DEKLARATË E ZËDHËNËSIT TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT SEAN MCCORMACK LIDHUR ME PREZANTIMIN E PROPOZIMIT PËR STATUSIN E KOSOVËS PALËVE

Shtetet e Bashkuara falënderojnë të Dërguarin Special të KB-ve Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës. Ky Propozim për Marrëveshje, që është rezultat i negociatave të zhvilluara për më tepër se një vit, është i drejtë dhe i balancuar. Ky është një draft për një Kosovë stabile, prosperuese dhe shumetnike. Dispozitat e gjera të Propozimit për Marrëveshje të cilat mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve do të ndihmojnë për të përparuar zhvillimin demokratik të Kosovës.

Me prezantimin e këtij Propozimi për Marrëveshje, bërë palëve me 2 shkurt, procesi i statusit të Kosovës po hyn tani në fazën e tij përfundimtare. Ne bëjmë thirrje në udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë që të angazhohen konstruktivisht me të Dërguarin Special Ahtisaari në një fazë konsultimesh me qëllim të finalizimit të Marrëveshjes. Ne inkurajojmë të Dërguarin Special Ahtisaari që të kompletojë punën e tij së shpejti, ashtu që Kosova dhe rajoni përfundimisht të mund të kenë qartësi lidhur me të ardhmen. Qëllimi ynë mbetet një rezultat që e përparon stabilitetin rajonal, që promovon shumetnicitetin dhe që është i pranueshëm për popullin e Kosovës.

February 2, 2007

STATEMENT FROM THE STATE DEPARTMENT SPOKESMAN SEANMCCORMACK ON THE PRESENTATION OF KOSOVO STATUS PROPOSAL TO THE PARTIES

The United States thanks UN Special Envoy Martti Ahtisaari for his efforts to produce a Comprehensive Proposal for a Kosovo Status Settlement.  This Settlement Proposal, the product of over a year of negotiations, is fair and balanced.  It is a blueprint for a stable, prosperous and multi-ethnic Kosovo.  The Settlement Proposal’s broad provisions to protect the rights of all citizens will help advance Kosovo’s democratic development. 

With the presentation of this Settlement Proposal to the parties on February 2, the Kosovo status process is now entering its concluding phase.  We call on leaders in Belgrade and Pristina to engage constructively with Special Envoy Ahtisaari in a period of consultations to finalize the Settlement.  We encourage Special Envoy Ahtisaari to complete his work soon so that Kosovo and the region can finally have clarity about the future.  Our goal remains an outcome that advances regional stability, promotes multi-ethnicity and is acceptable to the people of Kosovo.

6 TETOR 2005 – RUGOVA PËR BISEDIMET E UDHËHEQURA NGA AHTISAARI: I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

10 DHJETOR 2008-PRESIDENTI SEJDIU URON MARTTI AHTISAARIN ME MIRNJOHJE TË POSAÇME PËR UDHËHEQJEN E PROCESIT TË BISEDIMEVE PËR PAVARËSINË E KOSOVËS

PRISHTINË, 10 Dhjetor 2008/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i dërgoi sot një telegram urimi fituesit të sivjetshëm të Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ku i shprehet posaçërisht mirënjohe për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që ka treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e Kosovës.

Në telegramin e urimit të presidentit Sejdiu dërguar nobelistit Ahtissari thuhet:

I nderuari President Ahtisaari,

Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës për mirënjohjen më se të merituar që pranuat sot – Çmimin Nobel për Paqe!

Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart vendimin e Komitetit të Lartë të Mbretërisë Norvegjeze të Nobelit për t’ju shpërblyer Ju me këtë çmim kaq prestigjioz. Kjo mirënjohje është satisfaksion i madh për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në botë, të cilët janë të përkushtuar për promovimin e paqes, të drejtësisë dhe të pajtimit në mes popujve. Ne ju jemi posaçërisht mirënjohës për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që keni treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e vendit tonë.

Siç edhe jemi zotuar gjatë atij procesi të gjatë e të vështirë, Republika e Kosovës do të jetë një shembull i respektimit të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, race a besimi. Po ashtu, vendi ynë do të bashkëpunojë thellë me vendet e rajonit, në mënyrë që sa më parë të integrohemi në strukturat euroatlantike, në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Realizimi i këtij synimi madhor do të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe do të hapë perspektivën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e kësaj pjese të Evropës Juglindore.

Duke ju shprehur edhe një herë mirënjohjen për punën e madhe që keni bërë për paqen kudo në botë dhe të ardhmen më të ndritshme të njerëzimit, ju lutem, z. President Ahtisaari, pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë!

Miqësisht,

Dr. Fatmir Sejdiu,

President i Republikës së Kosovës

22 KORRIK 2010: KOSOVA DOLI FITUESE NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË PAS NJË ANKESE TË SERBISË 

Në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

KOMUNIKATË E DËRGUAR NGA PRESIDENCA E KOSOVËS NË  21 SHTATOR 2011:

Nju Jork, 21 shtator 2011

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me ish-ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Neë York, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, z.Avni Spahiu, u takua me ish-ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Presidentja Jahjaga e falënderoi ish-presidentin finlandez Maarti Ahtisaari për punën dhe mbështetjen e tij për Kosovën dhe tha se vendi ka shënuar përparime të mëdha në veçanti në zbatimin e planit të hartuar nga zoti Ahtisaari.

Presidentja Jahjaga tha se Plani Ahtisaari ka ofruar mundësi të mëdha për komunitetin serb dhe theksoi rëndësinë e shtrirjes së tij edhe në pjesën veriore të Kosovës, me qëllim të integrimit të plotë të komunitetit serb që jeton atje. Ajo tha se shpërbërja e strukturave ilegale serbe në veri do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik për këtë pjesë të Kosovës dhe  komunikimin më të lirë dhe të drejtpërdrejtë të qytetarëve serbë në veri me institucionet e Kosovës.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po zhvillon marrëdhënie normale dhe miqësore me vendet fqinje dhe tha se promovimi i këtyre marrëdhënieve, përfshirë edhe me Serbinë, është në interes të stabilitetit afatgjatë të rajonit.

Ajo tha se dialogu me Serbinë, që po zhvillohet me ndihmën dhe ndërmjetësimin e BE-së, është mënyra më e mirë e zgjidhjes së çështjeve të hapura, por theksoi se ndarja ose shkëmbimi i territoreve janë të papranueshme. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është shtet sovran dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe e njohur ndërkombëtarisht.

Ajo tha se Kosova dhe Serbia kanë synim integrimin në strukturat euroatlantike dhe ato duhet që ta ndihmojnë njëra-tjetrën në këtë rrugë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nevojë për marrëdhënie kontraktuale me BE-në që të thellojë reformat e brendshme dhe të përshpejtojë procesin e përafrimit me strukturat euroatlantike.

Ajo tha se Kosova ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga miqtë e saj për të ndihmuar në ngritjen e imazhit të saj dhe për lobim dhe njoftoi ish-Presidentin Ahtisaari për idenë e krijimit të grupit “Miqtë e Kosovës”, në të cilin përfshihet edhe vetë zotëri Ahtisaari.      

Ish-presidenti finlandez Ahtisaari e përgëzoi Presidenten për punën e saj dhe vlerësoi të arriturat e Kosovës në kohët e fundit. Ai tha se është i gatshëm që të ndihmojë Kosovën në përpjekjet e saj në skenën ndërkombëtare por theksoi se është i shqetësuar me procesin e ngadalshëm të njohjeve të pavarësisë së saj.

Ish-presidenti Ahtisaari tha se mosnjohja e Kosovës nga 5 vende të BE-së e ka vështirësuar rrugën e saj dhe theksoi se BE-ja duhet të dërgojë porosi të qarta për gjithë rajonin dhe për Kosovën në veçanti për proceset integruese.

Ai tha se duhet të qartësohen të gjitha pengesat që po i bëhen Kosovës që ajo të vazhdojë zhvillimin e saj në të gjitha fushat.

Ish-Presidenti Ahtisaari tha se shpreson për ndryshim të gjendjes në veri të Kosovës dhe për integrimin e serbëve të kësaj pjese.   

*****

Po sot, Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi një takim miqësor me udhëheqësit Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, me të cilët diskutoi për një varg çështjesh me rëndësi. Në takim, Presidentja Jahjaga vlerësoi kontributin shumë të madh që kanë dhënë shqiptarët në Amerikë në përkrahje të Kosovës, ne të gjitha periudhat.

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

  Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, Kryeredaktor i së cilës isha,  për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Filed Under: Politike

Statuses Are Different, Issues Are Similar

February 2, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

February 1 – Columbia University’s Institute for the Study of Human Rights hosted a webinar  “to discuss prospects of PREVENTING A SECOND ARMENIAN GENOCIDE”. As a result of the virtual closure in December 2022 of the Lachin corridor, a road that links Armenia and the enclave of Nagorno-Karabakh, the humanitarian situation is rapidly deteriorating into a crisis. David L. Phillips, the Institute’s Director of the Program on Peacebuilding and Human Rights at Columbia University’s Institute for the Study of Human Rights, moderated the event online. Phillips, who served as foreign affairs expert and senior adviser to the US Department of State in several prior US administrations, is a respected scholar and a well known personality for the Albanian community here as well as Albanians abroad.

What are the implications of a blockade? (Is it ringing any bells yet?)

The 50 day blockade of the Lachin corridor raises a number of issues ranging from humanitarian and security to the international confidence in the peace process. It has been under reported by the media yet the issue has received the attention of UN Security Council, UNICEF and the US Department of State. Speaking as a guest at the webinar, Senator Chris Van Hollen of Maryland, called again upon Biden administration to engage beyond its support for dialogue. In the past, Senator Van Hollen has demanded the US to cease its security assistance to Azerbajan as cross border clashes continue. He has cosponsored resolution expressing the sense of the Senate that “it is the policy of the United States to commemorate the Armenian Genocide through official recognition and remembrance.” He is also an outspoken critic of the Azerbaijani authorities subjecting the Armenian population to ethnic cleansing. Azerbaijan’s closure of the corridor is seen as a bid to depopulate the territory from Armenians who live there while the genocidal intent is expressed publicly by the government officials and the head of the state, Ilham Aliyev. Ruben Vardanyan, State Minister of Artsakh, gave a brief overview of the region’s history before presenting the dire conditions in the region. Artsakh, officially the Republic of Artsakh (Nagorno-Karabakh), is a breakaway state in the South Caucasus whose territory is internationally recognized as part of Azerbaijan. “The current clash,” he said, “is not an ethnic conflict, but rather a battle between the autocratic rule of Azerbaijan and the democratic state of Armenia.”

Long Overdue, Armenian Genocide Formally Recognized by US in 2021

Van Z. Krikorian, Co-Chair of the Armenian Assembly of America, Adjunct Professor at Pace University School of Law, debunked Azerbaijani accusations with regard to the military presence in the region or the environmental protection claims and so on. He praised the ongoing work of the Biden administration towards the prevention of future genocides “as we call for democracy in Artsakh”. More than a 100 years ago, the first phase of the Armenian genocide began on April 24, 1915 with the Ottoman government killing more than one million Armenians, roughly 70 percent of the total Armenian population in the Ottoman Empire. The wide-scale extermination and subsequent lack of accountability inspired Polish lawyer Raphael Lemkin to conceptualize the concept of genocide—a word he coined in 1944—and campaign for its criminalization. (The Auschwitz Institute) The US formally declared that the systemic mass killing and deportation of Armenians by Ottoman Empire forces in the early 20th century was “genocide”. At the commemoration of Armenian Genocide Remembrance Day in April 2021, President Biden recognized that the events that began in 1915 were a deliberate effort to wipe out Armenians.

The Politics of Conflicts

Although Armenia does not recognize Kosovo’s independence (February 17, 2008), Armenia immediately welcomed the decision by the ICJ in 2010, saying it may help international recognition of Nagorno-Karabakh. The world court ruled that Kosovo Independence is in line with international law. States with minority problems have thus far adamantly opposed recognizing the new entity to prevent a potentially devastating spillover effect in their countries, arguing that the controversial ruling might boost secessionist movements all over the world (The Economist, July 2010).

Why it matters?

At many points during the webinar there were notable resemblances and similarities with the history of the Cham population, the massacre and expulsion of Muslim ethnic Albanian inhabitants from Greek territory from 1912-1945, also the ethnic cleansing of Kosovo Albanians including the systemic violence, killings and mass deportations with the aim of exterminating the Albanian population in the region.

Cham Expulsion, Kosovo Ethnic Cleansing, No Accountability for State Crimes

The unresolved issues underscore the lack of accountability. Neither Greece, nor Serbia are held accountable for the actions perpetrated by the state or with the complicity of the state agencies. The forced movement of the entire Albanian Muslim population from Greece has left a lingering sense of injustice amongst Albanians in general. (Miranda Vickers)  The blockade of Lachin, since December 2022, is eerily similar to the Serbs’ tactics in Kosovo. What’s more, all these cases serve as a reminder that accountability is a battle that must be fought every day, not with one protest or one parade but by constantly rallying together as a community, speaking out and pressing the issues in front of the state politicians, government officials and elected representatives in the US, Albania and Kosovo.  

Note: The name Kosovo is the most frequently used form in English for Kosova.

Filed Under: ESSE Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT