• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2023

Sot është një ditë e veçantë për Luginën e Preshevës — në Senatin e SHBA-ve

March 1, 2023 by s p

Faton Bislimi/

Sot është një ditë e veçantë për Luginën e Preshevës — në Senatin e SHBA-ve, organizuar bashkërisht nga zyret e Senatorës Joni Ernst (Republikane nga Iowa) dhe Gary Peters (Demokrat nga Michigan), si bashkëkryesues të Grupit për Çështje Shqiptare në Senat, prezentuam dëshmitë tona për diskriminimin shtetëror që Beogradi vazhdon ta bëjë ndaj shqiptarëve në Luginë.
Çështja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Luginë është pjesë e pandashme e kauzës sonë kombëtare. Si anëtar ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, tash e gati dy dekada, jam i angazhuar në këtë mision me rëndësi jetike për demokraci, stabilitet, e paqe afatgjate në rajon.
Pjesë e panelit ishte delegacioni nga Lugina e Preshevës në pëberje të së cilit janë Deputeti Shaip Kamberi, Kryetari i KNSH Ragmi Mustafa, iah-Kryetarët e Preshevës Ragmi Mustafa e Ardita Sinani, dhe Dr. Flora Ferati (nga Medvegja), si dhe Kryetari i Bujanocit Nagip Arifi (i cili për shkak të një rasti vdekje në familje, nuk mundi të udhëtojë për DC, por dëshmia e tij u dorëzua me shkrim).
Pëkrahja e SHBA-ve është kruciale për të arritur objektivat tona kombëtare për Luginën, dhe Liga Qytetare nën lidershipin e Joe DioGuardit e Shirley Cloyes DioGuardi mbetet adresa më e saktë e më e suksesshme për të ruajtur e ripërtrirë miqësinë tonë unike me Washingtonin!

Filed Under: Rajon

KËTU I THONË DARDANI, O BIR!

March 1, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

Frank Shkreli: Një zë nazi-fashist e anti-shqiptar nga qendra e Evropës ...

Ditët e fundit disa media dhe portale shqiptare kanë njoftuar për një zbulim të ri arkeologjik të një pllake me mbishkrimin “Dardanus” në Shkupin shqiptar.  Ky zbulim i një pllake varri u bë gjatë punimeve në Karposh tek varrezat e vjetra, e që sipas njoftimeve mediatike, daton nga shekulli i VI. Ky nuk është zbulimi i parë i gjurmëve dardane në ato troje shqiptare dhe zbulime të tilla nuk do të jenë të fundit, pasi të gjithë e dijmë se, historikisht, Kosova e sotëme dhe trojet për rreth, kanë qenë dhe janë Dardani.  Këto zbulime vetëm po provojnë, historikisht dhe shkencërisht, se ajo tokë është dardane, se atje jetonin fiset ilire, njëri prej tyre Dardanët. Duan a s’duan sllavët e jugut, e vervet historike është se, Këtu i thonë Dardani, o bir! Frank Shkreli/ Ndërroi jetë Apostulli i Dardanisë | Gazeta Telegraf Ky zbulim i kohëve të fundit në Shkup më kujtoi Profesorin e nderuar, Zef Mirditën studiuesin e Dardanisë dhe të historisë së dardanëve, si fis ilir, paraardhës të shqiptarëve të sotëm.

I ndjeri Profesor Zef Mirdita ka provuar në veprat dhe shkrimet e tij, me argumente shkencorë, se Dardania ishte Iliri dhe se dardanët ishin me prejardhje ilire, njëkohësisht, duke hedhur poshtë njëherë e mirë edhe tezat e shtrembëruesve të historisë së shqiptarëve – pasardhësve të ilirëve – se dardanët nuk na paskan qenë me prejardhje ilire. Sidoqoftë, shpresojmë që falsifikuesit sllavë të historisë së Dardanisë dhe të shqiptarëve, si pasardhës të dardanëve, ta kenë humbur davanë e tyre nga pikëpamja shkencore, por u mbetet shqitarëve sot që të ruajnë dhe të kultivojnë provat historike dhe zbulimet arkeologjike që provojnë historinë e vërtetë të Dardanisë dhe të shqiptarëve. 

Ndonëse këto zbulime të ditëve të fundit në Shkup, na bëjnë të gëzohemi për provat historike që ekzistojnë – duhet të na shqetësojë fakti – se në dorë të kujt janë këto prova — se çka po ndodhë me kto zbulime dhe prova të historisë, të së kaluarës së vjetër të shqiptarëve të sotëm në trojet e veta dardane, arbëroro-shqiptare. Si dhe kush po kujdeset për këto vlera, që dduhet të konsiderohen, jo vetëm të historisë së shqiptarëve në trojet e veta shekullore, por edhe të historisë antike të njerëzimit, në ato anë.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me të drejtë është i shqetësuar për këtë —Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup – duke marrë parasysh se si është trajtuar nga sllavët e jugut, historia e e ilirëve dhe shqiptarëve, si pasardhës të tyre në territorin e ish-Jugosllavisë komuniste dhe më heret.

ITSHKSH reagoi ditë e fundit në lidhje me gërmimet e reja arkeologjike dhe shfaqi shqetsimin për përkujdesjen e “stelave të zbuluara”, përfshir një që mbante mbishkrimin, “Dardanus”, ndërsa Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, përkatësisht Departamenti i Kulturës Materiale të ITShKSh-së, rithekson faktin që Scupi ishte qendra e mbretërisë Dardane dhe për këtë dëshmojnë edhe gjetjet e shumta arkeologjike në këtë lokalitet.

ITSHKSH, në një njoftim për median, shprehet se është “Shqetësues fakti se si ka mundësi që “pronari” që i bën punimet, nuk lejon mediat që të marrin pamje të stelave në fjalë, me arsyetimin se kjo është “pronë private”, duke ditur fare mirë se kemi të bëjmë për nekropolin e qytetit të Scupi-t”, thuhet në deklaratën e Instituti të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. 

Një ndër problemet kryesore që paraqet ky rast i fundit, sipas ITSHKSH,  është se, “si ka mundësi që në zonën e mbrojtur me ligj bëhen ndërtime moderne, duke mos respektuar Ligjin për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Paluajtshme Arkeologjike”?! Instituti në fjalë u bën thirrje dhe kërkon që të “dalin, publikisht, të gjithë institucionet që kanë dhënë leje për një ndërtim të tillë, si dhe të ndërpriten të gjithë punimet të cilës do natyrë, në zonën e qytetit antik Scupi.”

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, bën gjithashtu thirrje, “që sa më shpejt këto stela të dërgohen në Muzeun Arkeologjik të Maqedonisë së Veriut, sepse çdo vonesë do të ndikojë për krijimin e dyshimeve për abuzime të mundshme”, të këtyre zbulimeve historike të rëndësishme arkeologjike për historinë antike të Dardanisë dhe jo vetëm, nëqoftse bien në duar të gabuara, ose në dorë të mohuesve dhe shtrembëruesve të historisë së shqiptarëve ndër shekuj. 

Këto zbulime sot dhe më të hershme, janë pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar të shqiptarëve edhe sot dhe si të tilla, keqpërdorimi dhe abuzimi i tyre duhet të jetë një shqetësim për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Prandaj Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, meriton mirënjohjen dhe mbështetjen  e të gjithë shqiptarëve, në përpjekjet e tija për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, shpirtërore dhe kulturore të fisit të shqiptarit në ato anë – përfshir zbulimet e fundit të gjurmëve dardane në trojet shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Sepse, për të gjithë ne, atij trolli i thonë Dardani, o bir!

Frank Shkreli

A person smiling in front of a bookcase

Description automatically generated with low confidence

     Portreti zyrtar i Presidentit të parë të Kosovës, me Flamurin e Dardanisë, 2001  

No photo description available.
Zef Mirdita babai i “Dardanisë antike” - nga Fahri Xharra | Radi and Radi

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli

Disa nga arritjet kulminante të rinisë shqiptare në Suedi

March 1, 2023 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Pos krijimtarisë letrare dhe artistike, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, në fokus të saj të interesimit janë edhe grumbullimi i materialit të shumtë, i cili ka të bëj me punën, aktivitetin dhe kontributin që kanë dhënë bashkatdhetarët tanë për komb e atdhe. I gjithë ky material është botuar në 12 librat voluminoz “ Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Po ashtu, interesimi i anëtarëve të këtij asosacioni krijues është edhe mbledhja e informacioneve për të arriturat e mërgimtarëve tanë në fusha të ndryshme, të cilat janë të mëdha e të rëndësishme edhe në aspektin e lartësimit të imazhit të shqiptarëve jo vetëm në këtë vend skandinav. Ky konstatim mund të dëshmhet edhe me rastin e mbajtjes së një Akademie Shkencore këto ditë nga SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Suedi (RRBDSHS), në të cilën u shënua 500-vjetori jubilar i pavarësisë së Mbretërisë së Suedisë dhe 15-vjetori, gjithashtu jubilar, i pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në këtë event u paraqitën 24 kumtesa nga fusha të ndryshme, të cilat zgjuan interesim nga të pranishmit. Njëra ndër kumtesat që u dallua ishte ajo e Prof. Fetah Bahtirit e titulluar  “ Integrimi i rinisë shqiptare në shoqërinë suedeze”. 

Aleksander Mojsiu është shqiptari i parë që ka shkelur në tokën suedeze

    Në fillim të kumtesës së tij Prof. Fetah Bahtiri fokusohet në atë se cili shqiptar ishte i pari që ka ardhur në këtë shtet skandinav, duke shtuar:  Sipas dokumenteve të zbuluara gjer më sot, dihet se shqiptari i parë që ka shkelur në tokën e Suedisë është artisti i madh shqiptar me famë botërore – Aleksandër Moisiu (Alexander Moissi 2 prill 1879 – 23 mars 1935). Duke hulumtuar arkivat e shtypit suedez, gazetari Shuquri Sejdijaj ka gjetur një artikull gazetaresk në të cilin shihet se aktori shqiptar Aleksandër Mosiu ka qenë në Stockholm më 1911 dhe 1932, herën e parë me dramën e Sofokliut “Mbreti Edip”, dhe herën e dytë me ”Faustin” e Gëtes. Për vizitën e parë më 1911, më datë 19 prill 1911, ditë e mërkurë, gazetari D. D-n ka shkruar në gazetën Dagens Nyheter të Stockholmit dhe për Aleksandër Moisiun e regjisorin Max Reinhardt ka dhënë vlerësime shumë të larta: 

     “Jo, ishte Aleksandër Moisiu ai që e bëri mbrëmjen të paharrueshme

Artikulli i gazetës “ Dagens Nyheter” që vlerësoi lartë interpretimin e Aleksander Moisiut në tetarin e Kryeqytetit Stokholm të Suedisë

“ Ai ishte madhështor dhe ai ishte i vetmi që ishte madhështor. Kur doli te shkallët për në pallat – sfondi monumental ishte me një efekt të shkëlqyer – ai tërhoqi sytë dhe interesin e të gjithë publikut. Edipi i tij ishte sundimtari, njeriu i popullit, njeriu i perëndive. Shfaqja u përshkua nga një madhështi, nga një forcë lëkundëse, një dhunë që ndoshta aty-këtu thyente linjat antike, por që në shprehjet e lira të njerëzve i përkasin skenës më të stilizuar që kam parë. Dhe pastaj zëri! Në fillim: asnjë rrokje e humbur. Arti i diksionit ishte i çuditshëm. Dhe ky zë me melodiozitetin e tij të mrekullueshëm ngrihej e binte me tone të gjata madhështore, merrte tingullin metalik të tubit, forcën e britmës së ankthit, vajtimin e vdekjes së të dërrmuarve. Krejtësisht në fund fytyra më karakterizuese u trajtua me të njëjtën mjeshtri. 

     Ajo që pamë dhe dëgjuam ishte diçka që nuk harrohet – dhe kur duartrokitjet më në fund u shkëputën nga grumbullimi impozant i njerëzve, gjithçka doli mjaft madhështore. 

     Sidoqoftë regjisori Reihardt ndan fitoren me Moisiun”.  

     Ndërkaq, për vizitën e Aleksanër Moisiut në vitin 1932 e njëjta gazetë ka shkruar më 2 shtator 1932, ditë e premte, artikullin ”D:r Faust i stan”, shqip: ”Dr. Fausti në qytet”. Kësaj radhe Aleksandër Moisiu luajti së bashku me aktoren gjermane Karin Evans. Gazeta sjell edhe një foto të përbashkët të këtyre dy aktorëve, të shkrepur në Grand Hotel nga fotoreporteri i gazetës Dagens Nyheter. 

     Gazetari tjetër që jeton dhe vepron në Suedi, Qerim Kryeziu, në librin e tij ”Shqiptarët në retrokujtesën Nordike (Veprimtaria kulturore e mërgatës shqiptare në Suedi)”, Prishtinë, 2022, cek disa emra të personaliteteve shqiptare që nga viti 1916 e këndej kanë qenë në Suedi. Përmenden emrat si Faik Konica, studenti i kimisë Besnik Sytja, i cili ”në ditën e mbrojtjes së disertacionit, kishte vdekur”, mbreti Ahmet Zogu, shkrimtarët Vedat Kokona, Petro Marko, Sterjo Spasse, Musine Kokalari etj.  

     Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet e gjashtëdhjeta Suedia u shndërrua në destinacion ku kërkohej jetë më e mirë. Shumica e ardhacakëve shqiptarë ishin nga Maqedonia e Veriut. Ndërkaq, që nga viti 1981 fillon emigrimi edhe i shqiptarëve të Kosovës për t´u shndërruar pastaj në pjesën e parë të viteve të 90-ta në njërin prej grupeve më të mëdha të azilkërkuesve, një pjesë e mirë e të cilëve morën lejeqëndrimi. Këta shqiptarë organizuan jetën vet kulturore e politike, filloi edhe mësimi i gjuhës amtare shqipe në shkollat suedeze, u themua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë Naim Frashëri”, Dega në Suedi, u hapën shumë shoqata kulturore shqiptare nëpër qendrat ku ishin të vendosur shqiptarët. Filloi edhe botimi i revistave dhe gazetave në gjuhën shqipe, u hapën radio dhe stacione televizive etj. etj. 

     Ky lulëzim i shpejtë e i hovshëm i veprimtarisë së shqiptarëve në Suedi u bë në radhë të parë për arsye se shqiptarët këtu fituan hapësira veprimi e organizimi. U themelua edhe Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi dhe forma e asociacione të tjera të shumta të veprimtarisë. U themelua edhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, më vonë edhe Rrjeti i Bisneseve të Diasporës Shqiptare në Suedi (RRBDSHS), etj. Në vazhdimësi shqiptarët u kyçën në të gjitha format e veprimtarisë konform normave dhe rregullave ligjore vendore.  

Shumë të rinjë me kualifikime universitare e doktorate në fusha të ndryshme

     Ndërkaq, duke folur për arritjet e rinisë shqiptar në shumë fusha Prof. Fetah Bahtiri shkruan: Rinia shqiptare në mënyrë të veçantë filloi një integrim të shpejtë e të vrullshëm në shoqërinë suedeze. Rinia jonë iu përvesh punës, sidomos në shkollim dhe shpejt dolën kuadra me kualifikime superiore universitare në degë të shumta dhe shumë prej tyre fituan gradën e magjistrit dhe të doktorit të shkencave. Sot në Suedi ka shumë shqiptarë mjekë specialistë, inxhinierë të dalluar, ekonomistë nëpër banka e institucione shtetërore, drejtorë e udhëheqës institucionesh etj. Pra, rinia shqiptare këtu në Suedi nëpërmjet shkollimit, punës, sportit, shoqërimit e besa edhe dashurisë arriti që të integrohet deri në atë shkallë, sa që Suedia filloi të përjetohet si shteti i dytë amë – pas atdheut të prejardhjes. Kur them ”nëpërmjet dashurisë”, më duhet të cek se në Suedi janë lidhur bukur shumë martesa të përziera shqiptaro-suedeze dhe kështu janë krijuar familje në të cilat mbretëron harmonia dhe lumturia.

Dy deputet shqiptarë në Parlamentin suedez

    Në këtë kumtesë jepen të dhëna edhe për arritjet e rinisë shqiptare në fushën e politikës dhe në Parlamentin e Suedisë, që quhet Riksdagen, aktualisht 

shqiptarët janë të përfaqësuar me dy deputetë, të rinj përkah mosha, por me një bagazh serioz të marrjes me politikë. Këta janë: Adnan Dibrani, i lindur në vitin 1985 që momentalisht ushtron mandatin e katërt si deputet dhe Aida Birinxhiku, e lindur në vitin 1999 – që të dy deputetë nga radhët e Partisë Socialdemokrate. Supleant deputeti është Arbër Gashi, i lindur në vitin 1994. 

     Ndërkaq, anëtare e Parlamentit Evropian si përfaqësuese e Suedisë aktualisht është shqiptarja e re Arba Kokalari, e lindur në Tiranë në vitin 1986. 

     Në nivele prefekturash dhe komunash kemi shumë kuadro të reja shqiptare që udhëheqin me përgjegjësi të lartë.  

Integrim jashtëzakonisht i shpejt në degën e sportit

     Rinia shqiptare në Suedi është integruar jashtëzakonisht shpejt dhe mirë sidomos nëpërmjet sportit. Në degë të ndryshme sportive rinia jonë ka arritur rezultate kulminante.  

     Futbolli suedez i femrave ka dhënë një yll që ka bërë histori – Kosovare Asllanin (1989). Kjo lojtare ka arritur të fitojë shumë tituj në futboll, si: Kupën e Suedisë, kampione e Suedisë, medaljen e argjentë në Lojërat Olimpike (2016), medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror (2019), medaljen e argjendtë të Lojërave Olimpike (2020) etj. Për skuadrat kombëtare të Suedisë ka luajtur si vijon: për U17 – 6 herë, U19 – 15 herë, U23 – 4 herë dhe për kombëtaren A (senioret) – 161 herë. Është fituese individuale e çmimit më të lartë në konkurencën e femraven ë Suedi – e Topit të Diamantit (2017), e çmimit ndërkombëtar Këmba e Artë, disa herë është shpallur mesfushorja më e mirë i vitit dhe e shumë e shumë çmimeve të tjera. 

     Kosovarja është ende aktive dhe luan për AC Milan (Itali) e njëkohësisht edhe për kombëtaren e Suedisë. 

     Një tjetër yll shqiptar i futbollit të femrave në Suedi është Loreta Kullashi (1999), e cila ka përfaqësuar Suedinë U17 – 11 herë, U19 – 19 herë, U23 – 15 herë dhe kombëtaren A – 8 herë. 

     Strumbullarin e përfaqësueses së Suedisë në futsal qe një decenie dhe aktualisht e përbëjnë shqiptarët. Granit Berisha (1991), Mërgim Berisha (1993), Albert Hiseni (1992), Donat Gashi (1998), Petrit Zhubi (1988), Liridon Makolli (1990) dhe disa të tjerë shumë herë na kanë bërë krenarë me lojërat e tyre për kombëtaren e Suedisë. 

     Në elitën e futbollit suedez që quhet Allsvenska janë dalluar shumë të rinj shqiptarë, të cilët kanë arritur të luajnë edhe për kombëtaren e Suedisë të moshave të reja dhe të seniorëve. Të tillë ishin: Labinot Harbuzi (1986) që 6 herë luajti për kombëtaren e Suedisë U21, Emir Bajrami (1988) veshi petkun e Suedisë U19 – 12 herë, U21 – 25 herë dhe të kombëtares A – 18 herë. Erton Fejzullahu (1988) luajti për përfaqësuesen e Suedisë U 21 – 7 herë, për kombëtaren A të Suedisë – 5 herë dhe një herë për Republikën e Kosovës. Arbër Zeneli (1995) ka përfaqësuar Suedinë U17 – 7 herë, U19 – 17 herë, U20 – 11 herë dhe Kosovën A – 26 herë. Ibrahim Dresheviq gjithashtu ka luajtur për Suedinë U17 – 2 herë, U19 – 11 herë dhe për Kosovën A – 19 herë.   Valon Berisha i lindur në Suedi në vitin 1993 ka luajtur për përfaqësuesen e Norvegjisë U19 – 8 herë, U21 – 18 herë, kombëtaren A   – 20 herë dhe për Kosovën A – 36 herë. Astrit Ajdareviq (1990) ka luajtur për Suedinë U17 – 20 herë, U19 – 18 herë, U21 – 14 herë dhe U23 – 3 herë dhe një herë për Shqipërinë (ekipi A).  Loret Sadiku (1991) ka luajtur për Suedinë U21 – 3 herë dhe për Kosovën A – 4 herë, Liridon Kalludra (1991) ka përfaqësuar Suedinë U 17 dhe U 19 nga 7 herë dhe shumë të tjerë. 

     Aktualisht në klubet suedeze të Allsvenskas janë të integruar dhe luajnë me dhjetra futbollistë profesionistë shqiptarë. 

     Një shqiptare është duke shkëlqyer edhe në hendbollin suedez të femrave. Ky yll quhet Amanda Iséni (2003). Amanda ka përfaqësuar Suedinë në të gjitha kategoritë e moshave, aktualisht edhe senioret. 

     Do t´i hynim në hak yllit të hipizmit dhe të vrapimeve trokthi me karroca në Suedi – Lutfi Kolgjinit (1959) nëse nuk do të theksonim se ai gjatë karierës së tij 20-vjeçare ka shënuar më shumë se 2 000 fitore në gara të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, duke fituar gara e çmime të ndryshme dhe gjithnjë në helmetën e tij ka mbajtur shqiponjën dykrenore. Rrugës së tij janë duke ecur djemtë e tij – Adrian Kolgjini (1993) dhe Dante Kolgjini (1999). 

     Ilir Latifi (1982) është një mundës i stilit MMA (Mixed Martial 

Arts), UFC (Ultimate Fighting Championship) dhe i stilit greko-romak. Iliri ka fituar shumë gara e tituj të rangut kombëtar dhe ndërkombëtar. 

     Naim Tërbunja (1984) është një boksier shqiptar i cili ka fituar shumë tituj kombëtar në Suedi. Ka përfaqësuar Suedinë edhe në Lojërat Olimpike të vitit 2008 si dhe ka pasur një karierë të suksesshme në boksin profesional ku ka zhvilluar 13 lufta, prej të cilave ka një barazim, dy humbje dhe 10 fitore. 

     Filmi suedez e ka një aktore yll me emrin Fortesa Hoti (1988) e cila ka lënë gjurmë të pashlyera, kurse Teatrin Kombëtar të Suedisë në Stockholm e udhëheq regjisori shqiptar Dritëro Kasapi (1975). 

     Anëtarë të të Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë dhe përkthyes të dalluar janë disa shqiptarë (edhe anëtarë të Shoqatës sonë) të cilët veprojnë me sukses të dalluar. 

     Anëtari i Shoqatës sonë Shyqri Gjurkaj është një piktor akademik i cili me punën dhe sukseset e tij ka zënë vend të merituar në elitën e piktorëve aktualë të Suedisë. 

Janë krijuar vepra të rëndësishme letrare e artistike

     Kështu, pra, shumë të rinj shqiptarë kanë lënë gjurmë shqiptare në Suedi e edhe në forma të tjera të punës dhe të veprimtarisë, siç është p. sh. letërsia, piktura, skulptura, përkthimet letrare etj. Janë botuar me qindra libra të gjinive të ndryshme në të cilat gjithmonë ka mbizotëruar ndjenja kombëtare e atdhedashuria për vendin dhe rrënjët e prejardhjes, por, njëkohësisht është shprehur edhe dashuria e respekti për atdheun e dytë – Suedinë, e cila ka mundësuar dhe ndihmuar këtë krijimtari.  

     Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi në gjirin e vet ka grumbulluar shumë krijues dhe artistë të cilët  kanë krijuar vepra të rëndësishme letrare e artistike. Kjo Shoqatë praktikisht ka prodhuar shkrimtarë të rinj të moshave të ndryshme dhe këtë punë është duke e bërë me dashuri. Vetë emri i anuarit të Shoqatës – Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi – shpreh vlerat dhe peshën e këtij libri të cilin shumë personalitete me kompetencë e kanë vlerësuar lart dhe e kanë quajtur enciklopedi. 

     Këtë kumtesë Prof. Fetah Bahtiri e përfundon me këto fjalë: Ne shqiptarët në Suedi e kemi një rini të shkëlqyeshme. Unë konsideroj se kjo rini është krijuar e këtillë si derivat i kombinimit të edukatës e vlerave tradicionale shqiptare me kulturën dhe edukatën që kultivohet në shoqërinë suedeze që nga fëmijëria e hershme. 

Filed Under: Reportazh

Presidenti Biden fton Presidenten Osmani në Samitin e Dytë për Demokraci

March 1, 2023 by s p


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci.

Sipas ftesës, përveç fjalimit që do të mbajë krahas krerëve të shteteve të tjera sipas formatit të vitit të kaluar, Presidentja Osmani është përzgjedhur edhe në mesin e dhjetë liderëve që do të jenë folës kryesor në seancën plenare në të cilën do të diskutohet për rolin e demokracisë në krijimin e institucioneve stabile.

Samiti për Demokraci është nismë e Shtëpisë së Bardhë që mëton të nxjerrë në pah suksesin e demokracisë në dobi të qytetarëve si dhe adresimin e sfidave më të vështira botërore.

Më 9 dhjetor 2021, Presidentja Osmani përfaqësoi Kosovën në edicionin e parë të Samitit për Demokraci, platformë që ka bashkuar vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.

Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkë-udhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit.

Filed Under: Rajon

Një ditë e shndërruar në Traditë!

March 1, 2023 by s p

AADLC/

21 shkurti njihet si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Për herë të parë ajo u festua nga Organizata Albanian American Dual Language & Culture dhe shkolla shqipe Children of the Eagle me themeluese dhe drejtuese Zonjën Drita Gjongecaj rreth dy vjet më parë. Ishte një tribut dhe manifestim i miqve të kësaj shkolle ku nxënës, mësues, prindër dhe miq të shumtë festuan dhe gëzuan së bashku. Këtë vit festimet kulmuan në një event gala me pjesëmarrjen speciale të tenorit shqiptar Riad Ymeri i cili performoi me fëmijët dy himnet tona, atë amerikan dhe shqiptar dhe më pas ai këndoi vargjet e Naim Frashërit, “Fjalët e qiririt”, kompozuar nga Limoz Dizdari.Nuk mungoi në këtë event edhe një prezantim konçiz i zonjës Marjana Bulku e cila në fjalën e saj hyrëse panoramizoi veprimtarinë e AADLC dhe shkollës Children of the eagle, e cila në fare pak vite jetë i ka sjellë kaq shumë cilësi edukimit në gjuhën shqipe si dhe komunitetit shqiptaro-amerikan përmes Seminarit të përvitshëm mbi Metodat dhe perspektivat e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, Piknikut veror, trajnimeve online të networkut të mësuesve të gjuhës amtare në disa kontinente, etj. Vëmendje të vecantë ato i kanë kushtuar edhe veprimtarive të përbashkëta me Vatrën, Televizionin Kultura Shqiptare (ACTV), Konsullatën e Kosovës në NY, organizatën Motrat Qiriazi (AAWO), Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, Sigal Group Austria, partnershipe këto që janë zgjeruar së fundmi me shoqatën Skënderbej, Shoqatën Humanitare Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” (AAOHA) dhe OJQ Arta Prishtinë.Nëpërmjet këtyre partnershipeve AADLC ka dalë më e fortë dhe natyrisht që përfitues janë nxënësit e shkollës Children of the eagle, të cilët zgjerojnë diapazonin e njohurive përmes veprimtarive të shumta që shkolla zhvillon përtej orëve të mësimit fundjavave.Pastaj fjalën e mori themeluesja dhe drejtuesja, zonja Drita Gjongecaj, e cila theksoi ndërmjet të tjerash: “Në këtë ditë ne vlerësojmë mundësinë që na jepet të ruajmë gjuhën, kulturën, identitetin dhe krenarinë kombëtare edhe këtu në Amerikën e largët; me anë të gjuhës ne vazhdojmë të shprehim shpirtin e kulturën tonë unike, prandaj edhe një herë riafirmojmë përkushtimin tonë maksimal ndaj punës për përcimin e vlerave më të bukura shqiptare e rrjedhimisht të një prezantimi dinjitoz të shqiptarëve këtu dhe kudo në botë”.Festa gala kishte prezent zërat e fëmijëve; ata ishin protagonistët e kësaj dite me këngët, vallet, recitimet.Nuk do t’i mungonte këtij organizimi Vatra me përfaqsuesit e saj Asllan Bushati dhe Presidenti i saj i Nderit, zoti Agim Rexhaj i cili në fjalën e tij theksoi se ndjehej i privilegjuar të jetë mes fëmijëve në festimet për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Ai tha se ishte thellësisht mirënjohës që kjo ditë po shndërrohej në festë dhe traditë ku gjuha shqipe, simbol i yni përbashkues është edhe kryefjala e veprimtarive të përditshme.Z. Rexhaj iu drejtua të pranishmëve edhe si qytetar por edhe si vatran i kahershëm që çmon dhe nderon kontributin e shkollës shqipe Children of the eagle e cila kontaktet me Vatrën i ka ruajtur si të shenjta. Ato datojnë me fillimet e veprimtarisë së kësaj shkolle e cila i ka sjellë komunitetit kaq shumë risi dhe vlera këto 10 -vjet.Falë zonjës Drita,-theksoi ai-nxënësit u afruan në Vatrën tonë, duke iu rrëfyer atyre mbi historinë e saj mbishekullore që e mbrojti atdheun me pendë mendimtarësh në çdo kohë. Rexhaj gjithashtu theksoi, “Partnershipin tuaj me Vatrën e shoh si një investim për të ardhmen e Vatrës por edhe si garanci për marrdhëniet tona sistematike me kulturën, historinë, vlerat e trashëguara gjuhsore e intelektuale”.Nuk mungoi falenderimi i përzemërt për mësuesit e Children of the Eagle dhe të gjithë kontribuesit që kohën e tyre të shenjtë e ndajnë mes fëmijëve dhe gjuhës shqipe duke e ruajtur dhe trashëguar atë për brezat që rriten larg atdheut në mënyrë që të mos e harrojmë kurrë gjuhën amë.“Asgjë më shumë sesa gjuha shqipe nuk na bën dot bashkë dhe ky është një shërbim patriotik dhe intelektual që i bëni kombit për të sotmen e mbi të gjitha për të nesërmen”, e mbylli fjalën e tij Presidenti i nderit i Vatrës, zoti Agim Rexhaj.Në këtë takim festiv dhe simbolik nuk munguan vlerësimet që stafi drejtues i AADLC kishte menduar të ndante me miqtë e saj.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT