• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2023

30-VJETORI I TAKIMIT MEKSI-CLINTON

April 24, 2023 by s p

30-VJETORI I TAKIMIT TË ISH-KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ALEKSANDËR MEKSI ME PRESIDENTIN BILL CLINTON DHE ZËVËNDËS PRESIDENTIN AL GORE NË SHTËPINË E BARDHË

Nga Frank Shkreli*

Ishte 22 Prilli, 1993 – 30- vjet më parë – Muri i Berlinit ishte shembur, regjimi komunist i Enver Hoxhës – të pakën në sipërfaqe dukej se kishte rënë —  dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane — pas një ndërprerjeje të njëanshme prej pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi diktatorial komunist enverist – ishin rivendosur me 15 mars 1991. Delegacioni i parë diplomatik amerikan vajti menjëherë në Shqipëri për të filluar kontaktet e para dhe kishte ndërmarrë hapat e parë për hapjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në mars/prill, 1991, në Tiranë.  Ekzistonte një entuziazëm i paparë deri atëherë nga Tirana zyrtare dhe Kombi shqiptar në përgjithësi, por edhe nga Washingtoni zyrtar, për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy kombeve tona – të ndërprera, aq brutalisht, për pothuaj 5 dekada nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës.

Gjithçka kishte filluar me këmbë të mbarë në marrëdhënie e reja—ose të njoma – aq shumë inocente që dukeshin në atë kohë – përball realitetit të sotëm, midis dy kombeve tona. Ish-Presidenti i Shqipërisë, Dr Sali Berisha, i ftuar nga Presidenti George H. Bush i vjetër, kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë në qershor të vitit 1992.  

Një vit më vonë,  me 22 Prill, 1993 Kryemistri i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi ishte ftuar në Washington nga Presidenti demokrat Bill Clinton.  Presidenti i Shteteve të Bashkuara Clinton kishte ftuar udhëheqës shtetesh e qeverish nga Evropa Lindore/Qendrore për të marrë pjesë në hapjen e Muzeut të Hollokaustit në Washington, Prill, 1993. Takimi ishte gjithashtu edhe një rast i mirë për udhëheqsit e rinj amerikanë që të takoheshin me disa prej udhëheqsve post-komunistë të Evropës Lindore/Qendrore, me të cilët do merreshin për 8-vitet e ardhëshme të mandatit Clinton/Gore. 

Shqipëria përfaqësohej nga Kryeministri i saj, Aleksandër Meksi me delegacionin e tij, i cili zhvilloi një takim me Presidentin Clinton e që pas pak kohë, takimit iu bashkua edhe Zevendës Presidenti Al Gore. Të dy udhëheqsit amerikanë u treguan shumë të interesuar për zhvillimet demokratike në Shqipëri por edhe për zhvillimet në rajon, duke marrë parsyshë luftën në ish-Jugosllavi. Të gjithë e dinin se ishte çeshtje kohe që lufta do përhapej edhe në Kosovë. 

Shqipëria kishte treguar interesim që t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s. Çdo delegacion i qeverisë së re të Partisë Demokratike të Shqipërisë – në takimet e tyre me zyrtarët më të lartë amerikanë në Washington — kërkonte në atë kohë, antarësimin e Shqipërisë në NATO. Ky ishte një subjekt bisedimi Meksi/Clinton, në takimin e tyre 30-vjet më parë – më 22 prill, 1993.

Ndër vendet që përfaqësoheshin në atë tubim të organizuar nga Shtëpia e Bardhë ishin Shqipëria, Portugalia, Kroacia, Rumania, Bullgaria, Hungaria, Polonia, Sllovenia, Republika Çeke, Sllovakia, Moldova dhe natyrisht edhe Izraeli, pasi kremtohej hapja e Muzeut të Hollokaustit në Washington.

Qysh atëherë, Shqipëria kishte treguar interesim e saj që t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s. Çdo delegacion i qeverisë së re të Partisë Demokratike të Shqipërisë – në takimet e tyre me zyrtarët më të lartë amerikanë në Washington — kërkonte në atë kohë, antarësimin e Shqipërisë në NATO. Ky ishte një subjekt edhe i takimit Meksi/Clinton në takimin e tyre 30-vjet më parë – më 22 prill, 1993.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Aleksandër Meksi, kryeministri i parë post-komunist i atij vendi, i qeverisë së dalë nga Partia Demokratike e Shqipërisë me delegacionin e tij (Arian Starova dhe Roland Bimo) në takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton dhe Zëvendës Presidentin Al Gore në Shtëpinë e Bardhë, 22 Prill, 1993.   (Autori në të djathtë të fotos)

Frank Shkreli

*Shënim nga historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane 

    Sikur të ishin dy miq të vjetër…para takimit zyrtar – 22 prill, 1993

Filed Under: Interviste Tagged With: Frank shkreli

Shkollat italiane në trevat shqiptare deri në vitin 1912

April 24, 2023 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Marrëdhëniet midis italianëve dhe shqiptarëve janë diktuar nga afërsia gjeografike. Ndër shekuj, marrëdhëniet e Shqipërisë me gadishullin Italik kanë qenë të shumëllojëshme dhe midis tyre, në të gjitha rastet, ka pasur komunikim, i cili ka ndikuar edhe në zhvillimet arsimore. Mund të përmendim shkollimin e klerikëve katolikë shqiptarë në Itali, si dhe hapjen e shkollave shqipe nga misionarët me kombësi italiane. Me lindjen e nacionalizmit në Europë dhe pas bashkimit të Italisë, u formësua gardualisht një politikë shqiptare dhe që atëherë filloi zbatimi i politikës arsimore të Italisë për trevat shqiptare, si mjet për shtimin e ndikimit italian. Politika italiane fillimisht u përpoq të shfrytëzonte faktorin arbëresh, i cili në procesin e zgjimit kombëtar, në mënyrë të natyrëshme do të kërkonte të rivendoste lidhje me dheun amë dhe do të bënte të gjitha përpjekjet që Shqipëria të çlirohet prej osmanëve. Roma synonte që përmes shkollave të krijohej një brez i shkolluar ndër shqiptarë me kulturë italiane, me synim për të realizuar depërtimin ekonomik dhe politik në trevat shqiptare si porta hyrëse në Europën Juglindore.

Kultura e Perëndimit është elementi më i hershëm i kulturës dhe shkrimit të lartë shqiptar. Ajo erdhi në territorin verior shqiptar së bashku me misionet katolike. Tekstet e para të gjëra në shqip janë vepra fetare të shkruara nga priftërinjtë katolikë. Në territorin e gegëve shkrimi shqip u zhvillua falë urdhrave të françeskanëve, jezuitëve dhe më pas edhe dominikanëve, të cilët drejtonin shkollat katolike ku mësonin priftërinjtë e ardhshëm. Edhe misionarët italianë që erdhën në trevat shqiptare e patën detyrim të mësonin të lexonin dhe të shkruanin shqip. Nga ana tjetër, më të mirët nga studentët shqiptarë vazhduan arsimin e lartë katolik në Perëndim dhe kryesisht në Itali(Sawicka, 215: 95).

Tradita e shkollave shqipe të subvencionuara nga italianët është e herëshme. Shkolla të rëndësishme u krijuan që nga fundi i shek. XVI në Venedik, te vëllazëritë dhe kolegjet fetare për shqiptarët, që i gjejmë në disa qytete të rëndësishme të bregdetit të Adriatikut e në territoret e Mbretërisë së Napolit, ku u mirëpritën një pjesë e konsiderueshme e refugjatëve dhe emigrantëve nga trevat shqipfolëse të Ballkanit. Këto komunitete gjetën në Itali forcën kulturore dhe shpirtërore që u lejonte, jo vetëm të mos asimiloheshin nga mjedisi përreth, por edhe për të rigjeneruar identitetin e tyre(Altimari, Gli Arbëreshë d’Italia, Academia.edu). Një interes të madh ndaj komunitetit shqiptar në Ballkan dhe të atij arbëresh në Itali filloi ta sillte veprimtaria e zhvilluar nga papa Klementi XI, nga familja Albani, me origjinë shqiptare (1700-1721), por një kthesë të vërtetë në historinë fetare, politike, kulturore e qytetare të komunitetit arbëresh në Itali shënoi fillimisht themelimi i dy kolegjeve arbëreshe në Kalabri dhe në Siçili me interesimin e papa Klementit XII (1730-1740). Këto qendra të rëndësishme arsimore ishin Kolegji Korsini (1732) në Shën Benedhit në Kalabri, mbështetur fuqishëm nga vëllezërit Stefano e Felice Samuele Rodotà, dhe Seminari Arbëresh i Palermos në Siçili, i themeluar në vitin 1734, me nismën e At Gjergj Guxetës(Altimari, 2016, Academia.edu).

Me krijimin e Italisë së bashkuar dhe sidomos pas Kongresit të Berlinit (qershor-korrik 1877), kur Mbretëria e Italisë filloi të përvijonte një projekt koherent të politikës së jashtme, trevat shqiptare hynë në sferën e interesit italian. Në fund të fundit, i gjithë gadishulli Ballkanik ishte kthyer në një skenar gjeostrategjik me rëndësi parësore për Italinë(Basciani, 2013 : 503), e cila investoi shuma gjithnjë e më të mëdha për të mbrojtur interesat e saj në Shqipëri(Altimari, Arbëreshë d’Italia :2012: 6-7). Rreth vitit 1900 Shqipëria u bë një çështje gjithnjë e më e rëndësishme në jetën publike italiane(Altimari, Arbëreshë d’Italia :2012: 14).

Rilindja kombëtare shqiptare përmes arbëreshëve dhe hapja e shkollave shqipe

Përpara dy kolegjeve arbëreshe, të themeluara në shekullin e tetëmbëdhjetë në Kalabri dhe Siçili për trajnimin e klerit të komunitetit katolik shqiptar të ritit bizantino-grek, kishte qenë

Kolegji Grek i Romës dhe Manastiri i Mezzoiuso që shërbyen për të ushqyer këtë lidhje me identitetin e përbashkët greko-bizantin të territoreve ballkanike të origjinës(Altimari, Arbëreshë d’Italia :2012: 2). Kolegji Grek i Shën Athanasit është më i hershmi ndër Kolegjet Ortodokse Lindore të Romës, i themeluar nga Papa Gregori XIII, me Demin e 13 janarit 1576, në Apostolicae Sedis specula. Kolegji ishte i hapur dhe pranonte studentë ortodoksë, grekë, italo-shqiptarë dhe shqiptarë. Përveç klerikëve katolikë shqiptarë të ritit lindor, në këtë kolegj jezuitët përgatitën edhe klerikët ortodoksë shqiptarë, pasi Shqipërisë në atë kohë i mungonin shkolla të vetat për përagtitjen e klerikëve ortodoksë. Një kontribut të rëndësishëm në edukimin e klerit shqiptar dha edhe Kolegji Ilirik i Loretos në Itali, i themeluar nga Papa Gregori XIII në vitin 1580 dhe i vënë nën drejtimin jezuit(Murzaku, 2017 : 84-85).

Ndër institucionet arsimore të kishës arbëreshe lindore, ku përfshihen sidomos qendrat formuese të klerikëve të komunitetit arbëresh të Italisë së jugut, ishte Manastiri bazilian i Munxifsit (Mezzojuso-s), i themeluar në vitin1609 nga Andrea Reres në Siçili. Ky kolegj ka qenë e para qendër arsimore kishtare e Arbërisë siçiliane dhe më e rëndësishmja, deri në gjysmën e parë të shek. XVIII. Aty studionin dhe vepronin ”grekë” të ndryshëm: shumica arbëreshë vendas, grekë “venedikas” të gadishullit të Moresë (Peloponezi i sotëm) dhe të ishullit Kandja (Kreta e sotme), si dhe ndonjë italian i kishës “italo-greke”, që mbijetonte ende në Italinë e jugut në atë periudhë, si pasojë e sundimit të gjatë bizantin në ato treva. Në këtë manastir studiohej greqishtja liturgjike, por i gjallë ishte edhe interesi ndaj arbërishtes, që u shërbente murgjëve në misionet e tyre fetare në Shqipërinë e jugut, sidomos në Himarë, ku u duhej doemos të përdornin shqipen, krahas greqishtes(Altimari, Napoli, 2016: 4). Nevoja për t’u dalluar nga grekët i shtyu klerikët intelektualë arbëreshë të vinin në pah veçoritë gjuhësore, fetare dhe kulturore të etnisë së tyre, duke i hapur rrugë çështjes kombëtare që do të lindte në dhjetëvjeçarët më vonë. Në fakt, këto dy shkolla, krahas ndihmës për ruajtjen e ritit bizantin në Itali, u bënë dhe qendrat kryesore të formimit kulturor për intelektualët arbëreshë, deri në fund të shek. XIX(Vaccaro, 2008: 147; Tare:2021: 80; (Altimari, Arbëreshë d’Italia: 2012 : 3).

Kanë qenë misionarët arbëreshë që vinin nga manastiri bazilian i Munxifsit ata që hapën shkollat e para shqipe në Jugun e Shqipërisë. Qëllimi i këtyre shkollave në Himarë ishte kryesisht fetar, mbrojtja e besimit të krishterë sipas ritit bizantin, por brenda kishës katolike, që kërcënohej qoftë nga sundimi osman, qoftë edhe nga Kisha ortodokse greke. Ndër murgjit bazilianë arbëreshë por edhe italianë, katolikë të ritit bizantin, që morën pjesë nga gjysma e shek. XVII deri në gjysmën e shek. XVIII në këto misione të përkrahura nga Kongregata “De Propaganda Fide” mund të përmendim misionarët: Nilo Catalano, italian me origjinë nga Messina, që më pas u arbëreshizua nga ana kulturore dhe gjuhësore; Filoteo Zassi e Callinico Granà nga Munxifsi; Basilio Matranga e Giuseppe Schirò, të dy nga Hora e Arbëreshëve(Altimari, Napoli, 2016: 5).

Ndërkohë që Selia e Shenjtë ua bëri me detyrim misionarëve që do të dërgoheshin në Shqipëri ta mësonin gjuhën shqipe, u shtua interesi për të përgatitur klerikë vendës me arsim të lartë teologjik, të cilët do të shërbenin edhe si mësues, duke hapur shkolla shqipe në vend. Për ta realizuar këtë synim dhe për t’u ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve të tij, Papa Klementi XI themeloi një vend të përhershëm në Kolegjin e Propagandës për shqiptarët(Shllaku, 2002 : 163). Në vitin 1713, në shkollën “San Pietro” në Montorio të Romës, me angazhimin e drejtpërdrejtë të tij filloi punë katedra e gjuhës shqipe. Mësimdhënës të kësaj katedre ishin italo-shqiptarët(Shllaku, 2002 : 55). Për mësimin e shqipes në shkollat italiane ishte përgatitur gramatika e parë sistematike e shqipes, në shek. XVII nga Francesco Da Lecce(Sawicka, 2015: 98). Në vitin 1736, për herë të parë filloi të shkruhej gjuha shqipe dhe, kësisoj për arbëreshet filloi një epokë e re e arsimit kombëtar dhe një epokë e re e gjuhës shqipe(Tare:2021: 80). Kur në krye te Kolegjit do të vendosej Imzot Zef Skiroi, nën drejtimin e tij dhe falë insistimit të Jeronim de Radës, u arrit te themelohej katedra e gjuhes shqipe. Krijimi i katedrës së gjuhës shqipe, në Kolegjin arberesh të Shen Adrianit, ndihmoi për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe me shkrim nëpër ngulimet arbëreshe të Italisë. Shqipja deri atëherë përdorej nga nxënësit vetëm në kumtimet me gojë me njëri-tjetrin(Tare:2021:83). De Rada, u bë mësuesi i parë i shkollës shqipe. Dëshira e tij për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe, vihet re dhe në letërkëmbimet e kohës(Tare:2021:83) me atdhetarëve të ndryshëm, ndër të cilët dhe me Dora d’Istria, ku vë në dukje përpjekjet e arbëreshëve të Kalabrisë dhe Siçilisë për rimëkëmbjen e Shqipërisë.

Lëvizjet kulturore arsimore, D’Istria i shikonte si pjesë përbërëse e lëvizjes kombëtare shqiptare, e cila për vetë kushtet dhe rrethanat fillimet do t’i kishte në kolonitë arbëreshe të Italisë. Nga fillimi i vitit 1867, intelektualë arbëreshë si Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Vincens Dorsa, etj., morën iniciativën të parashtronin në Parlamentin italian një kërkesë për futjen e gjuhës shqipe në programin e shkollave dhe institucioneve arsimore, si dhe për gjallërimin e jetës në kolegjet arbereshe. Dora d’Istria përmes letrave dëshmonte vlerën e atdhetarëve arbëreshë në rilindjen e popullit shqiptar dhe bënte çmos për kthimin e atyre kolegjeve në vatra arsimore kombëtare shqiptare. Në një nga letrat e saj shkruante: “Shqiptarët e Italisë së Jugut, nga vetë pozita e tyre, nga patriotizmi i tyre i patundur, janë pikërisht ata që do të bëjnë të rilindë një popull që ka pasur fatkeqësira në shekuj me radhë”(Tare:2021:79).

Kolegji i Shën Adrianit, pikërisht në kohë të vështira e të turbullta për Shqipërinë, shërbeu edhe si qendër kulture e edukimi për rininë shqiptare. Që prej vitit 1898, deri me 1919, aty ndoqën mësimet mbi njëqind intelektuale shqiptare, të cilët u bënë veprimtarë entuziastë në shërbim të atdheut e të arsimit kombëtar. Të diplomuarit në shkollat italiane në Shqipëri fituan bursa italiane për të vazhduar studimet e tyre në Kolegjin e Shën Adrianit(Skëndi, 2000: 239).

Në vitin 1904, në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Dhimitër Korona, vazhdonin studimet Kolë Kamsi, Pjetër Troshani, Luigj Kodheli, Zef Kurti, Lazër Prendushi, Ndoc Martin Camaj (Tare:2021: 85). Duke punuar në kolegj, De Rada bashkëpunoi me rilindas të shquar shqiptarë, si Zef Jubani e Thimi Mitko, Luigj Gurakuqi, i cili ishte nxënës i De Radës, pa harruar bashkëpunimin me Aleksandër Xhuvanin, studiuesin e çmuar të gjuhës shqipe, i cili shërbeu si mësues atje(Tare:2021:86).

Me nismën e De Radës, Skiroit dhe Aselmo Lorekios, publicist dhe avokat me profesion, i cili tregoi se ishte jashtëzakonisht energjik në veprimtarinë e tij për çështjen shqiptare, u mbajt i pari kongres në Corigliamo Calabro në tetor 1895. Françesko Krispi u zgjodh president nderi. Duke pranuar nderin, ai i telegrafoi Kongresit që si “një shqiptar nga gjaku dhe zemra” (ai qe një italo-shqiptar prej Siçilisë) ai ndihej i gëzuar për nismën e marrë, e cila, shpresonte ai, do të ishte e dobishme për historinë e qytetërimit të Shqipërisë dhe për mbarësinë e letërsisë së saj. Kongresi i dytë u mbajt në Lungro të Kalabrisë në shkurt 1897. Programi i të dy kongreseve kërkonte: a. një alfabet të unifikuar; b. përpilimin e një fjalori, c. themelimin e një shoqërie kombëtare shqiptare d.nisjen e lidhjeve dhe të marrëdhënive në një shkallë të gjerë me mëmëdhenë. Si pasojë e Kongresit të parë, doli më 1896 revista “Ili i Arbëreshëve”, botuar nga kryeprifti Antonio Argondizza, një burrë me kulturë të gjerë dhe studiues i gjuhës shqipe(Skëndi, 2000 :202). Në Kongresin e Lungros qe vendosur të kërkohej nga qeveria italiane të krijohej një katedër e gjuhës e të letërisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit. Më 1900 poeti Zef Skiroi u emërua aty dhe filloi leksionet e tij. Ishte mbajtur dhe një kongres tjetër në Napoli, ku u propozua dhe çelja e një katedre të re në Universitetin e Palermos. Këtu u morën edhe disa vendime të tjera: 1. dhënia e më shumë bursave shqiptarëve në mëmëdhe për studime në Kolegjin italo-shqiptar të Shën Adrianit në San Demetrio Corone; 2. fillimi i mësimit të gjuhës shqipe në shkollat publike të komuniteteve arbëreshe në Itali(Muceku & Haloçi: 2015 :140).

Shkollat italiane në Shqipëri

Shkollat në gjuhën italiane janë hapur të parat, nisur nga nevojat e tregëtisë. Nxënësit e mësuan gjuhën italiane ndër shkolla private, si nismë e tyre, me mbështetjen e klerit katolik dhe të Konsullatës Austro-Hungareze në Shkodër, ku si lëndë mësimi u përdor gjuha shqipe, por edhe italishtja. Shkolla e parë, ku mësimi zhvillohej në italisht u themelua nga Gegë Kodheli në vitin 1830. Gjashtë vjet më vonë, u hap një shkollë tjetër që përdorte italishten si gjuhë mësimi, e Gjergj Benusit. Ai ishte për shumë kohë oficer i Vezirit të Shkodrës. Disa familje shkodrane, pasi që nuk ishte më oficer, i kërkuan të hapte një shkollë, të cilën ai e hapi në 1836(Kastrati, 1963: 63). Mësimet në këtë shkollë i jepte në italisht, pasi ai nuk dinte shqip. Shkollën e frekuentonin kryesisht fëmijët e tregtarëve, të cilët duke mësuar gjuhën italiane, do ta përdornin atë për t’i zhvilluar më lehtë marrëdhëniet tregtare, si dhe për arsimimin e tyre në Itali (Muceku, &Haloçi, 2015: 140). Meqenëse nxënësit e shkollës së Benusit u shtuan mjaft, u mendua se do të ishte mirë që të silleshin mësues të përgatitur nga Italia për të themeluar një shkollë publike të rregullt. Kështu u sollën nga Venediku tre mësues italianë të quajtur Mark Rebeskini, Gjuriq dhe Luigj Kataliniq, të cilët së bashku me Benusin hapën një shkollë me katër klasë. Shkolla pati frekuentim të lartë. Tre mësuesit italianë qëndruan në Shkodër një farë kohe, e pas kthimit të tyre në Itali, Benusi e vazhdoi vetë aktivitetin e tij, duke qenë se ndërkohë e kishte mësuar mirë shqipen, pasi edhe ishte martuar në Shkodër(Kazazi, 2018:241-242). Pas Gjergj Benusit, kjo traditë u mbajt më tej nga i biri, i cili së bashku me të atin drejtoi shkollën, por ai botoi edhe një abetare në Bukuresht, në fund të së cilës është një fjalor i vogël italisht-shqip(Muceku,&Haloçi, 2015: 140).

Diku nga gjysma e ‘800, në Shkodër u lejua hapja edhe e shkollave të tilla si Shkolla Teknike Tregtare, Shkolla e Arizanatit dhe Profesioneve, Shkolla Fillore Italiane, në të cilat programi dhe mësimi bëhej në gjuhë të huaj, në këtë rast italisht, kjo edhe sepse këto shkolla subvencionoheshin nga Italia(Osmani, 1963:44-45). Shkollë të veten kishte edhe zotëria italian, Signor Shjor Markja (siç e thërrisnin shkodranët)(Kastrati, 1963: 64). Emri i tij i vërtetë ishte Marko Rebeskini. Ai erdhi nga Venediku dhe u martua në Shkodër. Punoi një periudhë kohe si farmacist, por pastaj meqenëse nuk i pëlqente kjo punë, hapi një shkollë për fëmijë ku u mësonte edhe italisht(Gurakuqi, 1928:92). Kemi të dhëna se një shkollë/kurs gjuhe italiane u hap në Shkodër edhe nga Giuseppe Vittoli, patriot italian, i cili erdhi në Shqipëri në vitet para bashkimit politik të Italisë. Vittoli, pas udhëtimesh të gjata u vendos në Shkodër, ku edhe hapi këtë shkollë kundrejt një pagese (private), e cila ndiqej nga fëmijët e familjeve më të mira katolike shkodrane.(Galletti, Simini, 2011:17). Edhe urdhrat e jezuitëve dhe françeskanëve ishin aktivë dhe bënë përpjekje në hapjen e shkollave. Më 1854, Emzot Gjon Topiç OFM, në bashkëpunim me propagandën Fide, ftoi Klaudio Stanislao-Nerin, i cili vlerësohej si ekspert i talentuar dhe besimtar, por edhe si person që njihte mirë gjuhën shqipe dhe zakonet e Shqipërisë – të bënte planin e ndërtesës shkollore dhe të fillonte punën për themelimin e një seminari kombëtar në Shkodër(Murzaku,2006:122), i cili u hap në vitin 1859. Seminari shërbeu për të gjitha vendet e juglindjes së Ballkanit dhe në vitin 1862 u emërtua Kolegji Papnor, me varësi të drejtpërdrejtë nga Propaganda e Fesë(Papleka,2007 :18-19). Në atë kolegj mësoheshin gjuhët klasike: latinishtja dhe greqishtja e vjetër(Dushi, 2005:94), por edhe italishtja. Italisht mësohej dhe në Seminarin Françeskan, që u hap në vitin 186(Kurti,2003 :23). Veprimtaria e kësaj shkolle u zhvillua më tej dhe brenda një kohe të shkurtër shtoi klasa të cilat shkonin nga dy në tre në secilën paralele dhe në vitin 1902 u shtua shkolla e mesme qytetare. Gjatë këtij viti shkolla numëronte Kolegjin Françeskan, Saurian-Jezuit, një shkollë fillore me 5 paralele, shkollë reale me 3 paralele dhe shkollë tregtare me tre paralele. Po atë vit u hap shkolla e mbrëmjes e cila frekuentohej nga çirakë dhe punëtorë të ndryshëm. Mësimi i gjuhës italiane në këtë shkollë u bë më i konsoliduar dhe u zhvillua më tej nga mësimi i thjeshtë i të folurit të gjuhës deri te studimi i gramatikës italiane. Megjithatë duhet theksuar se të gjitha lëndët e tjera mësoheshin në gjuhën shqipe dhe kështu kjo shkollë ka qenë ndër të parat që ka prezantuar kurset e mësimit të gjuhës shqipe(Muceku & Haloçi, 2015: 140). Shkollë tjetër ku mësohej italishtja ishte Kolegji Saverian, i cili u hap më 17 tetor 1877, me themelues At Luigi Mazza. Në shkollë mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, por një nga lëndët kryesore ishte gjuha italiane, e cila ishte shumë e kërkuar nga njerëzit, që e shihnin atë si një mjet për t’i ndihmuar në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare që kishin me Italinë. Kjo ishte arsyeja që klasat e para ishin të karakterit tregtar dhe teknik (3 tregtare dhe 3 teknike) (Muceku & Haloçi, 2015: 141).

Krahas arsimimit të djemve, një vend të rëndësishëm në sistemin arsimor në Shkodër kishte shkollimi i vajzave. Shkolla e parë e vajzave, e hapur në këtë qytet, u themelua nga motrat Stigmatine në vitin 1879 dhe funksionoi si shkollë fillore, gjysëm e mesme dhe më vonë si shkollë e mesme. Në klasat e ulëta mësimi jepej në shqip, ndërsa në klasat e larta italisht dhe shqip(Muceku & Haloçi, 2015: 141).

Kur Italia doli në skenën e arsimit si rivale e Austrisë, kjo e fundit e kuptoi se vazhdimi i italishtes si gjuhë e mësimit në shkollat me karakter fetar ishte në dëm të saj, e kufizoi përdorimin e italishtes, futi gjuhën shqipe në vend të saj dhe vetëm në shkollat tregtare futi gjuhën gjermane(Skëndi, 2000:241-242). Me shtimin e depërtimit italian, Perandoria Austro-Hungareze, duke filluar nga vitet 1880, rriti vazhdimisht shpenzimet e saj për protektoratin e kultit në territorin shqiptar(Csaplár-Degovics: 23). Nga ana tjetër, Roma filloi të financonte një pjesë të klerikëve italianë dhe të nxiste nismat që gjithnjë e më shumë seminaristë të ardhshëm të zgjidhnin seminaret italiane për studimet e tyre.

Shkollat italiane jashtë vendit e filluan veprimtarinë e tyre menjëherë pas krijimit të Italisë së bashkuar, fillimisht për italianët që jetonin jashtë dhe pastaj edhe për të përhapur ndikimin italian në vende të ndryshme. Duke qenë se nuk mundi të përfitonte të drejtën e Protektoratit të kultit mbi Shqipërinë, Italia hapi vetëm shkolla laike; në vitin 1888, dy shkolla laike në Shkodër, një për djem dhe një për vajza, me italishten si gjuhë mësimdhënies(Skëndi, 2000:128), si dhe shkollat në Prevezë, Vlorë e Durrës, të cilat në varësi të situatave të brendëshme dhe ndërkombëtare do të shtoheshin apo do të pakësoheshin, por gjithnjë do të kishte një prani të shkollave italiane në territoret shqiptare. Në vitin 1891, gjatë qeverisë së Rudinit, shkollat e mesme italiane të Prevezës, Vlorës dhe të Durrësit u mbyllën, ndërsa shkollat fillore në ato qytete vazhduan të funksionojnë(Skëndi, 2000: 239). Por në vitin 1899 kemi një shtim të këtyre shkollave aty ku ishin apo dhe në vende të tjera. Një shkollë tregtare italiane u themelua në Shkodër, e ndjekur nga shkolla fillore e shkolla nate si dhe nga kopshte fëmijësh e shkolla tregtare në qytete të tjera të Shqipërisë, si Durrës, Vlorë, Janinë dhe në Gjirokastër(Skëndi, 2000 :239). Një rol të rëndësishëm luajti përpjekja për tërheqjen e studentëve shqiptarë në Itali, rithemelimi i degës së gjuhës shqipe në Kolegjin Shën Adrian, rëndësia e veçantë që i dha këtij institucioni më pas, ngritja e degës së gjuhës shqipe pranë Institutit të Studimeve Orientale. në Napoli, botime për Shqipërinë etj(Sota, 2021:83).

Sistemi shkollor laik italian përfshinte gjithashtu shtypjen masive të librave, broshurave, gazetave dhe botimeve të tjera në italisht. Interesat italiane favorizoheshin edhe nga fakti se shkollat italiane ishin falas, ndryshe nga ato që i përkisnin protektoratit të kultit, edhe nëse në këtë të fundit ishte futur përdorimi i gjuhës shqipe(Csaplár-Degovics, 23-24). Për të promovuar pretendimet e saj politike dhe territoriale, Mbretëria e Italisë, pas hapjes së shkollave dhe institucioneve fetare në Shqipëri dhe pas financimit dhe formimit të shoqatave shqiptare në territorin italian, lejoi botimin e disa revistave, duke përfshirë “Avanti”, “Lavoro di Genova”, “Nuova Antologia” e “Impressioni d‟Albania”. Sipas shkrimeve të botuara në këto gazeta, në Itali jetonin rreth dyqind mijë shqiptarë, shumica e të cilëve emigruan nga shek. XV, kur Shqipëria u pushtua nga Perandoria Osmane(Hoti-Dani, 2014: 16-17).

Gjuha italiane ishte më e njohura në Shkodër. Nga njëra anë, programi arsimor, në përputhje me diplomacinë kulturore italiane të ndjekur në territorin shqiptar, iu përgjigj synimeve të qeverisë italiane, për t’i zhvendosur këto territore nën ndikimin e tyre dhe për të krijuar një treg lokal të favorshëm për Italinë dhe nga ana tjetër, vihet re edhe synimi i qartë për të realizuar një zgjim të ndërgjegjes kombëtare shqiptare(Lorenci: 83). Di San Giuliano që vizitoi Shqipërinë në vitin 1903, kur ishte deputet, theksoi gjithashtu rëndësinë e shkollave në gjuhën shqipe për formimin shkallë-shkallë të një ndërgjegje të vërtetë. Për këtë qëllim, ai gjithashtu bëri thirrje për revokimin e ndalimit të mësimit të shqipes nga ana e Portës(Skëndi, 2000 : 239-240).

Jo vetëm italianë të shquar, por edhe organizata kulturore italiane kanë këshilluar përkrahjen e kulturës shqiptare. Në Kongresin XII të Shoqërisë “Dante Aligeri” në shtator të 1901, u shpreh dëshira që qeveria e Romës të shqyrtonte mundësinë e rihapjes së shkollave në Durrës, Vlorë dhe Prevezë. Në të njëjtën kohë, Kongresi i besoj Këshillit të vet të Përgjithshëm të ndihmonte, për sa të ishte e mundshme, në përhapjen e kulturës italiane në Shqipëri dhe zhvillimin e kulturës shqiptare atje dhe në Itali(Skëndi, 2000 : 239-240). Ishte pikërisht kjo Shoqëri që ishte e angazhuar në përhapjen e gjuhës dhe kulturës italiane në botë(Caparelli, 1985: 11).

Në fillim Italia ndihmoi shkollat në gjuhën italiane, por duke filluar nga viti 1890 filloi të kontribuonte materialisht në shkollat në gjuhën shqipe. Duke iu referuar një raporti konsullor austro-hungarez, rezulton se në Shkodër, në vitin 1909, qeveria italiane ndihmoi në financimin e 6 shkollave, ndërsa në prag të Luftës së Parë Botërore numri i shkollave të financuara u rrit në 21(Sota, 2021:83).

Italia mbështeti bashkëpunimin në mes arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarët në anën tjetër të Adriatikut, çfarë do ta favorizonte politikën italiane për të forcuar ndikimin e saj në Adriatik. Një meritë të veçantë për inaugurimin e politikës aktive në drejtim të Adriatikut lindor, veçanërisht ndaj Shqipërisë, pati pa dyshim kryeministri italian Francesco Crispi, me origjinë arbëreshe. Vizioni i tij politik i vështronte interesat e qeverisë italiane në gadishullin e Ballkanit, veçanërisht në Shqipëri(Tare,2011:251).

Shkollat italiane në Shqipëri vazhduan edhe pas shpalljes së Pavarësisë, me të njëjtat synime për të ruajtur dhe shtuar ndikimin e shtetit italian në Shqipëri. Pavarësisht synimeve politike për të shtuar ndikimin italian, ato shkolla e patën një të mirë se ndikuan në përmirësimin e nivelit arsimor të shqiptarëve, duke ndikuar në zhvillimet politike dhe shoqërore në vend.

Bibliografi

– Francesco Altimari, Gli Arbëreshë d’Italia per la rinascita dell’Albania tra XVIII e XIX secolo: parallelismi con altre diaspore di area italo-balcanica, https://www.academia.edu /24927912/ GLI_ ARBERESHE_DITALIA _PER LA_RINASCITA_ DELLALBANIA_ pARALLELISMI_ IN_AREA_BALCANICA

– Altimari, Francesco. Napoli, vatër e rëndësishme e Rilindjes arbëreshe dhe shqiptare (shek. XVIII-XIX), p.4, https://www.academia. edu/ 24927897/Napoli_ vat%C3%ABr_e_r%C3% ABnd%C3%ABsishme_ e_Rilindjes_ arb%C3%ABreshe_dhe_shqiptare_shek_XVIII_XIX_

– Basciani, Alberto. ” I rapporti tra Italia e Albania tra le due guerre mondiali”. Un profilo in Nuova Rivista Storica anno XCVII fasc. 2, 2013

– Caparelli, Filippo(1985). La “Dante Alighieri” 1920-1970, Roma.

– Csaplár-Degovics, Krisztián. “La rivalità fra l’Italia e l’Impero austro-ungarico concernente l’Albania (1878-1912)”, p. 2. http://real.mtak.hu/71233/1/Csapl%C3%A1r-Degovics_ Larivalta. pdf

– Dushi, Mark. (2005). “Tirana dhe rrethinat e saj”, Tiranë, botimet “Toena”.

– Hoti-Dani, Esmeralda.(2014) (Dissertazione) Le istituzioni educative in Albania dal 1978 al 1913, Il ruolo della manualistica scolastica nella formazione dell’identità nazionale albanese, Università degli studi di Macerata.

– Draga, Nail.(2018). “Roli i Austro-Hungarisë në shkollimin shqip në Mal të Zi (1916-1918)”, revista “Gegnia” Nr,7, viti 2018.

– Galletti, Mirella & Simini Gennaro. “Esule e medico nell’Albania Ottomana”, në Giacinto Simini, Un patriota leccese nell’Albania Ottomana, Argo, Lecce, 2011.

– Gurakuqi, Karl. “Françeskanët në Shqypni”, në “Dituria”, nr. 3, 1928.

– Kazazi, Lindita. “Kahe perëndimore të arsimit në Shkodër dhe mësimi i italishtes si gjuhë e huaj nëpër shkollat e Shkodrës(deri në fillim të shekullit XX)”, Buletini shkencor i Universitetiot të Shkodrës, Seria e shkencave të edukimit Viti XLVIII (68), Shkodër 2018.

– Kuçi, Blerina.(2021). “Shkollat katolike gjatë pushtimit italian (prill 1939-shtator 1943) ”, Studime Historike Nr.1-2.

– Muceku, Albana, Haloçi, Andomaçi. (2015).“Presence of Italian Language in the Albanian Education System during the, Years 1800-1944”, Journal of Educational and Social Research, Vol. 5 No.3 September 2015, MCSER Publishing, Rome-Italy.

– Murzaku, Ines A. Catholicism, culture, conversion: the history of the Jesuits in Albania (1841-1946), Pontificio Istituto Orientale, Roma, 2006.

– Kastrati, Jup. Kontribut për historinë e arësimit në rrethin e Shkodrës deri në vitin 1912, në Arësimi popullor, nr. 2, 1963.

– Kurti, Donat. (2003). Provinca Françeskane Shqiptare, botimet françeskane Shkodër.

– Lorenci, Markenc, L’emigrazione italiana nell’Albania pre-indipendente: il caso di due esuli italiani nella seconda metà del XIX secolo, p.83, https://www.academia. edu/51643589/L_ emigrazione_italiana_nell_ Albania_pre_ indipendente_il_caso_ di_due_esuli_italiani_ nella_ seconda_met%C3%A0_del_XIX_secolo

– Murzaku, Ines A. “Ad maiorem Dei gloriam: The Jesuits in Albania,” Occasional Papers on Religion in Eastern Europe: Vol. 37 : Iss. 6 , Article 4, 2017, p.84-85; https://digitalcommons.georgefox.edu/ree/vol37/iss6/4

– Osmani, Shefik. Mësuesit dhe shkollat e para në Shkodër për gjuhën dhe lirinë kombëtare, në Arësimi popullor, nr. 3, 1963.

– Papleka, Anisa.(2007). “Urdhëri i Jezuitëve, përhapja e shkencës dhe e dijes edhe te shqiptarët”, gazeta “Shqip”, viti II, Nr.119 (411), e premte 4 maj 2007

– Sawicka, Irena.(2015) “A Crossroad Between West, East and Orient- The Case of Albanian Culture”, Colloquia Humanistica, 6.

– Skëndi, Stavro.(2000). “Zgjimi kombëtar shqiptar 1978-1912”, Mendimi shqiptar, përkthyer nga Skënder Luarasin, Nestor Nepravishta, Phoenix and Shtëpia i Librit dhe e Komunikimit, Tiranë.

– Sota, Jani. “Albania and the Education Policies of Italy from the beginning until the end of the 30s of the Twentieth Century in Archival Documents and in the Albanian Press in General”, Academic Journal of Interdisciplinary Studies, Vol 10 No 3, May 2021.

– Shllaku, Ludovik.(2002) Shkollat klerikale, vështrim historik nga fillimet deri më 1924, Shkodër, botimet “Camaj-Pipa.

– Tare, Denisa.(2021). “Kolegjet arsimore arbëreshe”, Revista Albanon, 2 (2).

– Tare, Denisa. “Italian Politics and Albanian National Movement in the end of XIX-th and the begining of the XX-th”, Mediterranean Journal of Social Sciences, Vol. 2, No. 3, September 2011.

– Vaccaro, Attilio.(2008). ”Il pontifi cio Collegio Corsini: presidio di civiltà e ortodossia per gli albanesi di Calabria”, Hylli i Dritës Nr.3.

– Van Kessel, Tamara. (2011). Cultural promotion and imperialism: the Dante Alighieri Society and the British Council contesting the Mediterranean in the 1930, University of Amsterdam.

Filed Under: Kronike Tagged With: Nikolle Loka

LETTRES CHAMPENOISES (1820) / PAS MBRETËRESHËS SË ANGLISË, PERSONAZHI QË ZË MË SHUMË VËMENDJEN E PUBLIKUT ËSHTË PASHAI I FAMSHËM I JANINËS

April 24, 2023 by s p


Litografi e Ali pashë Janinës — Autori : Jean-Baptiste-Ambroise-Marcellin Jobard
Litografi e Ali pashë Janinës — Autori : Jean-Baptiste-Ambroise-Marcellin Jobard

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Prill 2023

“Lettres champenoises” kanë botuar, më 1820, në faqet n°226 – 228, një shkrim mbi Ali Pashë Tepelenën (Janinën), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Pashai i famshëm i Janinës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pas Mbretëreshës së Anglisë, personazhi që zë më shumë vëmendjen e publikut është pashai i famshëm i Janinës, i cili ka hedhur zgjedhën dhe është bërë i pavarur nga Porta.

Nëse despotizmi bëhet burrë, me siguri që ai dë të përhapet në botë nëpërmjet Aliut. Thuhet se thesaret e tij, të cilat qëndrojnë në pasazhe të mëdha nëntokësore dhe që mund të krahasohen me ato të Abulkasemit, në “Një mijë e një net”, arrijnë në dyqind milionë.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kjo shumë e madhe është fryt i plaçkitjeve, grabitjeve dhe mizorive të tij. Kushdo që gjendej në sundimin e saj, nëse dyshohej se ishte i pasur, vihej menjëherë në shënjestrën e tij; e cila ishte e barazvlefshme me një dënim me vdekje. Atij i ka ndodhur të rrafshojë fshatra të tërë për t’u marrë atë që kishin.

Ai komunikonte shpesh me Bonapartin, sepse kishte dëgjuar se ai ishte një njeri që e kuptonte despotizmin në mënyrë të admirueshme; madje pretendohet se ai fshehurazi ishte xheloz. Ai foli për këtë një ditë me Z. de Pouqueville dhe e pyeti se çfarë dobie kishte për të një organ legjislativ :

— Për të bërë ligje, u përgjigj Z. de Poucqueville.

— Çfarë, ligje! Pra, ekzistojnë gjëra të tjera përtej vullneteve të tij?

— Pa dyshim, madje ka edhe disa anëtarë të këtij organi legjislativ që kanë guxuar t’i thonë të vërtetën, dhe Z. de Poucqueville përmendi emrat e Z. Laîné dhe Z. Raynouard.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— Dhe çfarë u bë me ta?

— Ata jetojnë.

— Ata jetojnë!!! Ky është Bonaparti juaj! mos më flisni më për këtë.

Ali Pasha është mbi gjashtëdhjetë vjeç; e mundon përdhesi, i cili e pengon të hipë në kalë.

Porta po bën përgatitje të jashtëzakonshme kundër tij dhe po përgatitet për ta sulmuar nga toka dhe nga deti.Këto përgatitje e shqetësojnë shumë; dhe duket se kjo luftë do t’i japë fund si pushtetit, ashtu edhe mizorive të tij.

M. J.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

At’ Kola, “Frati i Hotit”, si At’ Benardini i “Visareve të Kombit”…

April 24, 2023 by s p

Frano Kulli/

At Kolë Berisha vjen pa mëdyshje e hyn në aradhen e “Françeskanëve të M’dhaj”, jo për hatër, por sepse ka vendin e vet aty; atë vend, ai e ka “zanë ” me veprën e vet. Një aso vepre që se ka peshën e veprës së Fishtës a Prendushit, Harapit a Pal Dodajt, Justin Rrotës a Martin Gjokës , me të vërtetë. Por që ai është përvijues i denjë i At’ Benardin Palajt e Donat Kurtit po. I atyre dijetarëve e zelltarëve të mëdhenj, që i sollën albanologjisë shqiptare e folklorit në veçanti “Visaret e Kombit”, të pavdekshme dhe “Përrallat kombëtare”
Të parët studiues, që i kodifikojnë ato vlera të trashëgimisë sonë dhe i kthejnë nga gjendja orale (gojore) e tyre në një kolanë botimesh të mirëfillta studimore e shkencore, duke ruajtuar gjendjen e tyre burimore, pra autenticitetin e tyre, është libri “Visaret e kombit”. Mbledhë e kodifikue prej At Benardin Palaj e At Donat Kurtit. Dy françeskanë, të cilët në misionin e tyre kulturor atdhetar, kishin eksploruar në imtësi dhe më pas i kishin përmbledhur hulumtimet e tyre në librin e sipërpërmendur, “Visaret e Kombit”. Me nëntitullin: Kangë kreshnikësh dhe legenda, libri përmban këngë kreshnikësh dhe legjenda, të mbledhura dhe të redaktuara nga dy autorët e sipërpërmendur. Çka do të shënonte edhe të parën punë të mirëfilltë studimore moderne në këtë fushë. Do ta vijojnë këtë punë-mision edhe Prof. Karl Gurakuqi e Filip Fishta. Edhe ata, referuar teksteve të botuara tashma, i përgatisin për botim dhe ia paraqesin lexuesit të interesuar të zgjedhura e të komentuara. Kurse i gjithë korpusi, përgjatë atij viti jubilar, pra 1937, përmbush 15 vëllime (gjithnjë nën titullin “Visare të kombit”) me krijimtari folklorike, tashmë jo vetëm nga eposi , por nga të gjitha zhandrret e kësaj fushe të krijimtarisë së popullit, me një shtrirje nga e gjithë bota shqiptare, nga veriu në jug si dhe nga shqiptarër e Greqisë dhe Arbëreshët e Italisë.
“At Bernardini ishte frati i kangvet ”, do të thoshte për tê Ernest Koliqi.-Nuk e dij se kush pat thanë qi gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, vetëm në Balkan populli këndon për poetët. Deri tash për mue poeti ma i madh i Shqipnis’ asht populli i ynë. Kjo e vërtetë, më shëndriti para syve të mendes në Palç,[fshat në krahinën e Nikaj-Merturit] në qelën e Fratit të Kangve. Ai, në vetmin e gjatë të malit, i ka vu veshin kangës së pashtershme qi buron shi nga zemra ma e thellë e kombit arbnuer edhe ia ka rrëmbye harresës. Mbi lëpiza të pluhunuene të qelës së Palçit, flen fara e prendvernave të përtardhuna të poezisë re shqiptare.
Porse kjo ka qenë “zeja” e krejt “Françeskanve të mdhaj” të Shqipërisë. E atyre meshtarëve, famullitarë të malësive kryesisht, që sot e kurdoherë përbëjnë një copë ashti të kombit …At’ Kolë Berisha, njëri prej tyre, fort i shenjuar në këtë “zeje”.
Edhe sikur të mos keshë pasë rastin me i pá krejt “turrat e letrave të zverdhuna” të At Kolës, por vetëm disa prej tyre e le ma pastaj të kesh shfletuar disa prej shumë daktiloshkrimeve, që ai i ka lanë fort bukur të sistemuara aty në një odë në Kuvendin françeskan të Tuzit, përqasja me përshkrimin e Koliqit për “Fratin e kangëve”, At Benardin Palajn të vjen vetvetishëm. Ngjasimin e përshkon i njejti fill: hulumtimi, përmbledhja e kodifikimi i thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare. Dikush këngët e vallet , extratin shpirtnor të popullit, e dikush tjetër pa interferue te pararendësi, të tjera dhunti të kulturës doksore e zakonore shqiptare. Po edhe të kulturës materiale, jo shpirtnore të saj. Pader Kola, na vjen si vijimtari i shenjuar i kësaj tradite. Librat e botuar por, po aq lënda që ka lënë të daktiloshkruar, edhe pa iu nënshtruar një rendi të mirëfilltë studimor, por vetëm një vozitje përkitazi, ta ngulisin të përplotë mendimin se ato janë punë të mirëfillta ditunore, ardhur prej hulumtimeve të gjata, sidomos nëpër male, ku jeta gëlonte “shtirë” (si thonë malsorët) si lulja në gur. E prap të ndërmendet Koliqi, teksa përshkruan impresionet e veta prej vizitës që i bënte mikut të vet, At Benardinit: “… Ato çasa të shkurtë trishtimi midis malesh më bajnë të mendoj vetmín e kishtarve, të mësuesve, të nëpunsave t’anë qi jetojnë nder vise ma të humbuna t’atdheut. Sidomos merzija e gjatë dimnore, kur bora për gjashtë muej pret çdo marrëdhanje me qytete, tham do të jetë e tmerrshme. Por ndoshta e shumta mësohen. Ata qi nuk mund të mësohen në shkretí, vuejnë, por sigurisht ua lehtëson vuejtjen vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë.”
Njëjtë, për nga thelbi i përshkrimit dhe ndjesive që përftohen prej tyre janë edhe përshkrimet e At Kolës, rrugës për në Toplanë të Dukagjinit… Pak vite ma vonë, 5 a 6, saktësisht në vitin 1943, kur prej Kuvendit françeskan të Shkodrës, Provinçiali e cakton me shkue famullitar në Toplanë. At Anton Harapi, ai që e kishte bashkëshoqërue në Meshën e parë, bash në Priften, në katundin e vet, me 15 gusht 1942. Meshën e parë në ditën me shêj për atje; diten e Zojës së Grudës. Ditë feste e shéndi, feste që lutej me miq… Në Toplanë duhej me mrritë natën e Shënkollit, me 5 dhjetor. Dimër, borë e akull, cerm si nalt ndër male. I lodhun fort prej udhëtimit të mundimshëm. Mbramja përreth zjarmit shtrue në sofër me të mirat e Zotit, me mish e me raki deri në mesnatë. E, mikpritësi ku kishte me bûjtë, të gatshëm me e zbardhë këso dore… Por me padijen gati pagane të tyre, se për fratin, që nesër ka me thanë meshën e ditës së festës së urdhnueme , mesnata duhet me e gjetë të çuem pres sofret. Kaq shumë mundime sa fratin e bajnë me ndie si nji trandje prej peshës së kryqit përmbi shpinë… I ndamë me malet, larguar prej andej qysh në fëmininë e herëshme, vaditë [mësuar, përshtatur] me jetën qytetëse në Shkoder e në Siena e Romë, sigurisht nuk ishte e kollajtë për té. Vetmia e atjeshme ku e ku me jeten rregulltare, plot larmí në Kuvendet françeskane. Por siç qëmton mjeshtri, Koliqi, “vuejtjen ua lehtëson vetëdija e naltë e detyrës, e misjonit qi n’ato vise vetmitare kryejnë.”…Njëjtë si me krejt bashkëvllaznit e vet françeskanë, destini kryesor i të cilëve qe shërbesa meshtarake në male.
16 muaj shërbeu në Toplanë, Pader Kola. Mandej, për 30 vjet meshtarí në Traboinë të Hotit. Përposë punëve të meshtarisë, mbledh si bleta ditë për ditë e stinë për stinë nektarin e shûjten [ushqimin] e jetës atje. Mbledh doke e zakone, pa ja dá, njeh e shënon virtyte po edhe vese të gjindjes së atyshme. Me njet e me devocion, me shumë dashni e pa aspak zéher [helm]… “Mos mendo, o nieri, se k’to gjana i shkrova per me naltue vedin…” vijon një kumti i tij përmbyllës i veprës që ka lënë. E begatë sa s’bëhet dhe e përzgjedhun. Sofrat në Malësinë e Madhe, Ndér e burrni ndër malet tona, Rrjedha e disa shprehjeve popullore, Kajde e dyzene, Visare të Malësisë, Kangë e vaje, të përgatitura e botuara e shumta mbasi ai është nisë për në amshim, nën përkujdesjen sqimatare të Dr. Gjovalin Gjeloshit.
E të tjerat : Mullijtë e Cemit, Kisha të vjetra në Shas e Malsi, Varia: Etnografi e histori (në tre volume) Kangë heroike, Dyzenet e çudnarëve… Një “turrë e madhe e letrave të zverdhuna”, që presin dorën e përkujdestarit, Gjovalinit. Sigurisht me bekimin e përkrahjen e Pader Pashkut (Gojçaj), të Provincialit të sotçëm të Provincës françeskane shqiptare. E përposë tyre, një album me foto, kohëshkrepja e të cilave shtrihet në rreth 4 dekada. Relike të çmueshme e një pasuri e begatë e trashëgimisë kombëtare, ardhur e shenjuar si punë të papërsëritëshme në thesarin kombëtar, të njërit prej “Françeskanëve të Mdhaj” që shkëlqejnë me veprat që lanë, At’ Kolë Berishës.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frano Kulli

“KUJTO PËR MOS ME HARRU”

April 24, 2023 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Koncert madhështor në Teatrin “Migjeni”, me këngë të përzgjedhura nga krijimtaria e artistëve të mëdhenj shkodranë Hasan Preza dhe Paulin Pali.

Nata e 13 prillit 2023 mbodhi bashkë në një koncert memorial në Teatrin “Migjeni” në Shkodër këngëtarët më të spikatur të skenës dhe ekranit shqiptar, të rritur në djepin e kulturës shkodrane, në kujtim të dy kolosëve të këngës qytetare, Hasan Preza dhe Paulin Pali, një koncert i ideuar dhe organizuar nga “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili “Nderi i Kombit”, nën kujdesin dhe mbështetjen e Bashkisë Shkodër.
Si rrallë herë salla e këtij teatri ishte e tejmbushur me spektatorë artëdashës dhe admirues të repertorit të këtyre dy autorëve të këngëve të përzgjedhura, të cilat për dekada me rradhë e ruajtën shkëlqimin në memorien dhe shpirtin e këtij qyteti.
E quaj veten tejet e të privilegjuar, por edhe të ngarkuar nga pesha e përgjegjësisë, për besimin e ofruar në punimin e libretit dhe bashkëpunimin në përgatitjen e insertit përkujtimor mbi biografinë jetësore dhe artistike të këtyre dy artistëve të paharruar shkodranë.
Inserti, i cili u shfaq në fillim të koncertit me titull “Kujto për mos me harru” ishte si një homazh në nder të mjeshtrave të paharruar Hasan Preza dhe Paulin Pali, ku publiku u njoh me jetën dhe krijimtarinë artistike të këtyre dy kolosëve të këngës qytetare shkodrane, si dhe me kujtimet e lëna në memorien e këtij qyteti dhe familjarëve të tyre, të gërshetuar me materiale arkivore të fillimshekullit XX e në vazhdim, kohë në të cilën bënë epokë edhe këta dy autor të shquar të këngës.
Hasan Preza lindi në Shkodër në vitin 1904, në një familje të thjeshtë në Lagjen Dudas, por kohën më të madhe e kaloi ne Lagjen Ndocaj. Këto lagje karakteristike të qytetit të Shkodrës kishin shumë gjëra të përbashkëta, por mbi të gjitha njiheshin si qendrat e “Ahengut Shkodran”.
Hasan Preza ishte një mjeshtër në profesionin e tij si këpucar, por ai ishte edhe një artist i madh në shpirt. Ai u dashurua pas këngës shkodrane dhe gjithë jeten ia kushtoi asaj, për ta bërë të pavdekshme në repertorin e “Ahengut Shkodran”. Me krijimtarinë e pasur që na ka lënë, Hasan Preza është ndër krijuesit më të mëdhenj të asaj kohe. Si krijues i këngës qytetare shkodrane, ai mbetet një ndër autorët më me zë ndërmjet krijuesëve të shumtë të kësaj kënge.
Me pasurinë e madhe që na ka lënë, ai ka zënë vend përjetësisht në panteonin e këngës popullore shkodrane.
Dy fjalë edhe për artistin tjetër shkodran Paulin Pali, pjesë e koncertit “Kujto për mos me harru”.
Paulini ka lindur në Shkodër në vitin 1905, në një familje qytetare dhe është rritur në mjediset e këtij qyteti kaq të veçantë, ku pa droje mund të themi se të gjithë banorët ishin nga pak artista, jo vetëm të këngës, por edhe të profesioneve të tyre. Ashtu si ç’dinin të bënin mrekullira argjendarët, rrobaqepësit, këpucarët, gdhendësit, ashtu edhe shpirti shkodran bënte mrekullira me muzikën dhe këngën që e shoqëronte në jetën e përditshme.
Paulin Pali lindi në këtë “bahçe” mes luleve dhe bilbilave dhe më vonë në një moshë tashmë të pjekur, talenti dhe pasioni i tij shpërthyen, duke bërë që vlerat e tij të kalojnë caqet e qytetit të vendlindjes, duke iu hapur dyert pranë Radio Tiranës në vitin 1938, ku dhe fillon punë në sektorin e muzikës, fillimisht si instrumentist e më pas si autor, por dhe si ekspert i kultivimit të këngës popullore.
Shumë nga figurat madhështore të këngës popullore kanë vlerësimet e tyre për këtë mjeshtër të madh.
E madhja Marie Kraja e vlerësonte Paulinin si një njeri të dashur, të qeshur, por dhe shumë të rreptë në punë.
Ishte i drejtë, i përkushtuar për këngët dhe e them me bindje se njerëz të mëdhenj si ai lindin rrallë, shprehej bilbili i këngës popullore Luçie Miloti.
I paharruari Bik Ndoja do të shprehej kështu për Paulinin: Do ta kujtoj me shumë mall. Ai i bëri të pavdekshme një pjesë të madhe të këngëve popullore qytetare shkodrane.
Drita Papajani e vlerëson kështu artistin e madh Paulin Pali: Ishte ekspert i këngës shkodrane. Ai i ka kthyer në perla këngët popullore shkodrane, këngët që mbushin zemrat e popullit, të cilat vetë populli ka ditur t’i ruajë dhe t’i mbaj gjallë. Këto këngë nuk do të shuhen e nuk do të harrohen asnjëherë, por do të kujtohen brez pas brezi.
Hasan Preza dhe Paulin Pali qëndrojnë lart në piedestalin e këngës qytetare shkodrane dhe për këtë shërbim ndaj artit tonë gëzojnë respekt për të mos u harruar kurrë, si më të mëdhenjt e më të mëdhenjëve.
Pas insertit, i cili u ndoq me mjaft interes nga spektatorët, në skenën e Teatrit “Migjeni” u ngjitën këngëtarët: “Mjeshtërit e Mëdhenj” Bashkim Alibali, Myfarete Laze, Mukades Çanga, Gëzim Salaj, duke vazhduar me këngëtarët e mrekullueshëm Rezarta Smaja, Orjeta Kelaj, Blerta Cina, Alma Velaj, Leonora Çuliqi, Savjana Vjerdha, Vjollca Palushani, Adelina Correj, Ardian Tanushi, Laorjan Ejlli, Ademir Fresku, Elsida Sina, Egzona Salaj, Xhuli Pjetraj, Lul Bajrami, Ea Zoga, Grupi karakteristik “Karaifilat që ka Shkodra” dhe qershia mbi tortë “Mjeshti i Madh” Bujar Qamili, “Nderi i Kombit”.
Nga repertoti i këtyre dy artistëve të paharruar u interpretuan disa nga qindra këngët që ata kanë lënë trashëgimi të punës së palodhur e të pasionuar, që nga rinia e tyre, e deri në ditët e fundit të jetës.
Duartokitjet e spektatorëve artëdashës dhe shoqërimi i këngëve nga salla, treguan se këto këngë po këndohen në shtëpinë e vet, ku një dorë ia kanë dhënë disa ustallarë si maestrot: Roland Guli, Ilir Zoga, Artion Qamili dhe Andi Unaza, të cilët i sollën ato përmes orkestrimit profesional që ua kanë bërë këtyre perlave shkodrane.
Për jetën dhe karrieren e këtyre dy artistëve sollën kujtimet e tyre edhe familjarët; Flutura Shima, mbesa e Hasan Prezës dhe Ermira Pali, vaza e Paulin Palit, e cila kishte ardhur nga Gjermania me djalin dhe vajzën e vet.
Në suksesin e kësaj nate, padyshim një meritë të jashtëzakonshme ka edhe orkestra e mrekullueshme:
Në vjolinë – Anton Kaftalli dhe Ditmir Mati, në klarinetë – Indrit Kodraliu dhe Gjergj Marku, në bateri – Gëzim Mesi, në kitarr elektrike – Daniel Prendi, në kitarr akustike – Artion Qamili, në kitarr bas – Roland Guli, sint – Andi Unaza, në fizarmonikë, maestro Ilir Zoga, i cili ishte edhe drejtues artistik i kësaj orkestre të mrekullueshme.
Një meritë të veçantë në suksesin e këtij koncerti madhështor patën edhe dy moderatoret e mrekullueshme Dana Xhaj “Mjeshtre e Madhe” dhe Linda Kavaja, të cilat për çdo çast mbajtën të gjallë lidhjen shpitërore mes spektatorëve dhe krijuesëve të pavdekshëm që u interpretuan në skenë.
Falë këtij prezantimi, falë kësaj lidhje, si dhe falë daljes në skenë të “Mjeshtrit të Madh” Bujar Qamili, “Nderi i Kombit”, ideues i këtij spektakli, në këtë natë çdo spektator e ndjente veten këngëtar, sepse të gjitha këta perla nuk janë pronë e profesionistëve, por pasuri e të gjithë qytetarëve shkodranë.
Çdo lëvizje në skenë, çdo vendosje, që nga dekori, orkestra dhe vendinterpretimi i këngëtarëve ishin studiuar dhe realizuar me mjeshtri nga regjisorja tashmë me shumë eksperiencë Merita Smaja “Mjeshtre e Madhe”.

Prill 2023

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT