• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2023

Kush e krijoi njerëzimin?

April 20, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Thënë shkurt, në fillim kishte një errësirë ​​ujore, një lloj deti eterik me plazmë të nxirë. U quajt “ujërat e kaosit”. Brenda kësaj matrice ishte i pari ‘Atum’, i cili u kap në mënyrë meditative në atë që përshkruhet si një bisht në formë veze. Atum ishte më pak një krijesë trupore dhe më shumë një forcë. Atum ishte androgjen, dhe për shkak të kësaj krijoi çiftin e parë të qenieve, duke ndarë forcat krijuese mashkullore dhe femërore. Nga ky çift lindën perënditë. I njohur si Ennead, gjithsej dhjetë perëndi familjare me Horusin që ishte shtesa e mëvonshme, toka filloi të formohej.

Pasi toka u formua, ishte një kohë e lavdishme kur ekzistonin vetëm perënditë, të njohur si ‘Zep’. Pas kësaj kohe të perëndive, u krijuan njerëzit. Për disa kohë, perënditë dhe njerëzit bashkëjetuan. Pasi perënditë u plakën dhe u lodhën, njerëzit u bënë të guximshëm dhe u përpoqën të rebeloheshin dhe të vrisnin perëndinë Ra. Atëherë, u vendos që perënditë duhet të largoheshin nga toka. Zotat, pasi vranë shumë njerëz dhe i kursyen disa, u larguan drejt yjeve për të ekzistuar përjetësisht në “parajsë”.

Kjo histori ka një simbolikë që mund ta shohim të përsëritur në kultura të tjera, siç do ta përshkruante edhe Bibla e mëvonshme hebraike.

Piramida e Madhe dikur ishte e mbështjellë tërësisht me gur gëlqeror të lëmuar të bardhë, që mund të reflektonte intensivisht dritën; shkëlqimi i saj mund të shihej nga hapësira si një yll në tokë. Vendosjet e Piramidave të Mëdha janë interesante. Vetë fjala piramidë thuhet se rrjedh nga fjala greke ‘pyra-midos’ ose “zjarr në mes”. Grekët mund të kenë përdorur fjalën semite ‘urrim-midden’ për përkthimin e tyre.

Fjala e vërtetë e lashtë egjiptiane për piramidën ishte ‘kuti’, dritë e lavdishme.

Piramidat e Egjiptit mund të jenë vendosur gjithashtu aty ku janë sipas shkencës së linjave. Shkencëtarët thonë se sipas Thoth-it, për shkak të vendosjes së Piramidës së Madhe në Tokë që lidhet me fushën e madhe gjeometrike të Tokës, dhe për shkak të masës së piramidës dhe gjeometrive të përdorura në të, fusha energjitike e dritës së bardhë ngjitet lart dhe bëhet jashtëzakonisht e fortë, duke u shtrirë deri në qendër të galaktikës. Energjia e dritës së errët vjen nga lart, spirale, përmes pikës zero dhe lidhet me qendrën e Tokës.

Të mendosh se dokumenti më i vjetër i mbijetuar i shkruar i njohur për të gjithë ekzistencën tonë si racë njerëzore është ky tekst, himni i tempullit të Keshit, i cili lavdëron perënditë për ndërtimin e një ndërtese mahnitëse që arrin deri në qiej. Një aspekt tjetër interesant i kësaj strukture të përmendur në tekst është fakti se në portën e saj ndodhet një monument i madh si sfinksi, siç dëshmon: “Shtëpia në brendësi të së cilës është fuqia e Tokës dhe pas së cilës është një luan i mbështetur në putrat e tij, në portën e të cilit është sundimtari që vendos çështjet. Shtëpia në derën e së cilës është Mali i Madh pa kundërshtar…”

Nuk mund të thuhet se kjo është prova që Anunnaki ndërtoi piramidat dhe sfinksin e Gizës; megjithatë, përsëri, të mendosh se ky, teksti më i vjetër i prejardhjes njerëzore, lavdëron ndërtimin e një tempulli të rëndësishëm kushtuar perëndive është befasues. Teksti është të paktën nga viti 2600 pes. Ngjarjet historike duhet të jenë më të vjetra; sa më të vjetra nuk e dimë. Në tekst ka tregues të qartë të një priftërie që daton të paktën në këtë epokë, nëse jo më tej.

Foto: albeu.com

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi

EFEKTI I BILINGUALIZMIT TEK SHQIPTARËT

April 20, 2023 by s p

Helena Lubonja/

Hyrje

Dalja nga sistemi komunist solli për Shqipërinë ndryshime të thella politike, ekonomike dhe shoqërore dhe në këtë vorbull ndryshimesh u përfshi dhe problematika e gjuhës shqipe. Gjuha shqipe u përball me një mori gjuhësh pas largimeve të një pjese të konsiderueshme të popullsisë jashtë kufijve të Shqipërisë. Shqiptarët e larguar filluan të vënë në përdorim një gjuhë tjetër, atë të vendit ku zgjodhën të jetonin. Të tjerë përvetësuan gjuhë të tjera përmes arsimit duke e konsideruar mësimin e gjuhëve të huaja si një domosdoshmëri për kohën. Hyrjet dhe daljet, udhëtimet turistike apo ato për qëllime pune në vende të tjera i shtynë shqiptarët drejt mësimit dhe përvetësimit të gjuhëve të huaja duke bërë që bilingualizmi të zërë vendin e një fenomeni të zakonshëm dhe për rrjedhojë pjesa më e madhe e shqiptarëve të cilësohet bilinge. (Lloshi, 2011)

Emigrimi dhe bilingualizmi

Emigrimi, i trajtuar në kontekstin historik dhe atë politik, përjetohet si një eksperiencë e vështirë që sjell shumë ndryshime në familje, pasi anëtarët e një familjeje emigrantësh duhet që në mënyrë paralele të ruajnë elementët e kulturës së tyre të origjinës, gjuhën, zakonet dhe traditat si dhe të përvetësojnë një mënyrë të re të të folurit, të të menduarit, sikurse dhe vlera të reja, që i çojnë drejt ndryshimeve në mënyrën e organizimit familjar dhe mbi të gjitha të identitetit të tyre.
Emigrimi dhe vendosja e familjes në një vend të ri është një nga faktorët bazë që luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e bilingualizmit si për të rriturit ashtu edhe për më të rinjtë. Forma që merr bilingualizmi i çdo brezi është e ndryshme, pasi studiohet në varësi të moshës së folësit në momentin e përballjes së tij me gjuhën e vendit pritës, në kushte të ndryshme të zotërimit të saj si dhe në përputhje me orientimin e ndryshëm socialokulturor të tij. McLauglin (1978), duke u bazuar në moshën në të cilën zotërohet gjuha e dytë dalloi bilingualizmin e njëkohshëm nga ai i njëpasnjëshëm, duke shpjeguar se bilingualizmi i njëkohshëm zhvillohet në disa raste: 1. kur fëmija, pas lindjes së tij është në kontakt me dy gjuhë njëkohësisht, 2. kur në familjen e tij fliten të dyja gjuhët dhe 3. kur të dyja gjuhët fliten përveç se në familje dhe në mjedisin përreth si p.sh në çerdhe, kopsht, shkollë. Edhe Hoffman (1991) mbron tezën se realizimi me sukses i bilingualizmit të njëkohshëm ndodh kur fëmija: 1. bën pjesë në një familje dygjuhëshe, 2. kur prindërit e fëmijës janë emigrantë në një shtet të huaj, 3. kur prindërit e fëmijës kanë emigruar përgjithmonë nga vendi i tyre, 4. kur fëmija ka kontakt të vazhdueshëm me tjetër grupim gjuhësor të shoqërisë shumëgjuhëshe ku jeton si dhe 5. kur fëmija studion në një kopsht apo shkollë dygjuhëshe (Triarchi-Herrmann, 2000).
Kështu që parë nga ky këndvështrim për fëmijët shqiptarë, të lindur në vende të tjera ose për të ardhurit në moshë të vogël përvetësimi i gjuhës së shumicës përbën domosdoshmëri për socializimin e tyre në një mjedis të ri, për vendosjen e kontaktit midis tyre dhe bashkëmoshatarëve të tyre, si dhe për arsimimin e tyre në çerdhe, kopshte apo shkolla. Sa më i ri të jetë folësi aq më i madh është ndikimi i gjuhës mbizotëruese. Ndërkaq ndryshueshmëri e madhe vihet re në performancat e personave që mësojnë një gjuhë të dytë pas moshës së pubertetit. Disa arrijnë të zotërojnë në mënyrë perfekte një gjuhë, sikur të ishte gjuha e tyre amtare, ndërsa të tjerë dominohen nga gjuha e tyre amtare gjatë gjithë kohës. (Klimi 2015) Përgjithësisht të rriturit, të gjendur në rolin e punëtorëve në një vend të huaj ndryshe nga fëmijët janë detyruar ta mësojnë gjuhën përmes komunikimit të përditshëm me folësit natyralë kryesisht në ambientet e punës ose nga stacionet televizive. Studimi paralel i gjuhës me metoda apo me frekuentim kursesh gjuhësore ka qenë për emigrantët pothuajse i parealizueshëm, pasi për ta mungonte faktori kohë. Ata ishin të kushtëzuar nga nevoja jetike, kështu që punonin me orare shumë të zgjatura dhe me lodhje të madhe fizike. Ndërkohë gjuhën amtare e përdornin kryesisht në familje, në festa apo grumbullime me bashkëpatriotët e tyre. Por edhe në këtë rast me kalimin e kohës gjuha e shumicës ka interferuar në gjuhën e pakicës duke e minimizuar përdorimin e saj.

Shqipëria dhe bilingualizmi

Edhe shqiptarët që jetonin e punonin në Shqipëri filluan të ndërgjegjësohen lidhur me mësimin e gjuhëve të huaja, përvetësimin apo përdorimin e tyre. Nevoja për të komunikuar me të huajt, dëshira për të njohur kultura të reja, për të vizituar vende të tjera (për arsye emigrimi apo udhëtime turistike), kërshëria për të admiruar nga afër një botë që për gati gjysëm shekulli iu ishte privuar i shtyu shqiptarët të tregonin interes të madh për gjuhët e huaja. Në një periudhe pak më të vonshme, kur shumë shqiptarë të ikur vetë, pa familje, po vendosnin të tërhiqnin edhe familjet e tyre në vendet ku jetonin familjarët e këtyre burrave (me pak grave apo burrave e grave) vendosën të mësojnë në vendin e tyre gjuhët e huaja, për të shkuar sa më të përgatitur në shtetet e tjera. Në këtë rast kuptohet, përdoret një mundësi me komode e mësimit të gjuhës, mësimi i saj me mësues, në shkolla apo kurse. Infrastruktura për t’iu përgjigjur këtij zhvillimi të ri u zhvillua shumë shpejt, u hapën disa shkolla private si dhe shumë kurse. Në fakt sot në Shqipëri ekzistojnë aq shumë kolegje dygjuhësh si p.sh shkolla franko-shqiptare, greko-shqiptare, gjermano-shqiptare, anglo-shqiptare, turko-shqiptare, italo-shqiptare etj., apo qendra për mësimin e gjuhëve të huaja sa mendojmë se janë treguesi më i qartë që thekson faktin se shqiptarët janë një popull që i admiron gjuhët e huaja dhe qe është i bekuar me dhuntinë për t’i përvetësuar ato shumë shpejt.

Emigrantët shqiptarë në Greqi

Përmbysjet politike të viteve 1990 të ndodhura në Shqipëri i drejtuan emigrantët ekonomikë drejt perëndimit, dhe një përqindje mjaft e madhe zgjodhi Greqinë. Këta njerëz u përballën më bilingualizmin, gjendjen e dygjuhësisë, ndërkohë që deri vonë ka pasur një prirje për ta quajtur situatën e monolinguizmit si më normalen.
Shqiptarët, në Greqi janë grupi më i madh i emigrantëve dhe nxënësit shqiptarë përfaqësojnë përqindjen më të lartë të nxënësve të huaj në sistemin arsimor grek. Sipas një studimi të kryer në Greqi, me 70 nxënës shqiptarë, në formën e një ankete me vetë-raportim, në lidhje me praktikat gjuhësore të nxënësve shqiptarë, u konstatua se nxënësit shqiptarë karakterizohen nga shprehi të dobëta në gjuhën shqipe dhe përdorim të kufizuar të saj. Rezulton mbizotërim i greqishtes ndaj shqipes, akoma dhe në rastet kur nxënësit shqiptarë dinë shqip përpiqen ta nënvlerësojnë këtë duke pretenduar se dinë shumë pak shqip apo nuk dinë fare. (Gogonas, 2009) Njohja e gjuhës së vendit si gjuha me peshën më të madhe, gjuha kryesore për të jetuar, punuar, për t’u bërë pjesë e shoqërisë është kthyer për ta në një domosdoshmëri duke lënë mënjanë gjuhën amtare. Për rrjedhojë, një pjesë e emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe kryesisht të rinjtë nuk e zotërojnë mirë shqipen standarde. Madje nga një sondazh jo zyrtar rezultoi se ndër fëmijët nën 10 vjeç dy të tretat po e humbasin shqipen dhe asnjë prej tyre nuk ka bërë shkollë në Shqipëri. Kjo tregon se gjuha shqipe është shndërruar në një mjet të përdorur vetëm për jetën familjare duke rritur rrezikun që këta fëmijë të humbasin gjuhën amtare. (Lloshi, 2011)
Sipas opinionit tim shqipja e një pjese të konsiderueshme të fëmijëve të lindur në Greqi, apo e të ardhurve në moshë të vogël, pothuajse ka humbur funksionin e saj komunikativ. Ata janë në gjendje ta kuptojnë atë kur e flasin të tjerët, por vështirësohen kur duan të shprehin një mendim të tyre. Me kalimin e kohës, si rezultat i përfshirjes në një ambient gjithnjë edhe me më pak elemente shqip, ata harrojnë ta shkruajnë dhe ta flasin atë. Shqipja e këtyre individëve rezulton pothuajse e pambrojtur ndaj ndikimit të greqishtes duke bërë të depërtojë lehtësisht çdo ndërhyrje e tipit strukturor, leksikor apo gramatikor. Në fakt duke iu referuar studimeve dhe statistikave të mësipërme lind natyrshëm pyetja mos ndoshta këta fëmijë janë produkt i një bilingualizmi të çalë? Pra me kalimin e kohës gjuha e shumicës do të vazhdojë të interferojë në gjuhën e pakicës duke e minimizuar ose duke e zeruar përdorimin e saj, duke ndikuar dhe në asgjësimin e pjesshëm ose të plotë të njohjes së leksikut apo gramatikës. Për pasojë fëmijët shqiptarë të lindur në Greqi ose të ardhur në moshë të vogël do të humbasin pjesërisht apo plotësisht gjuhën amtare duke humbur në këtë mënyrë dhe nyjen lidhëse që i bashkon ata me vendin e origjinës. Një rol të rëndësishëm në parandalimin e këtij fenomeni luajnë pa dyshim prindërit e këtyre fëmijëve, familja e tyre në përgjithësi. Dhe në fakt rezulton një interesim i madh dhe shqetësim nga ana e prindërve emigrantë për të ardhmen e shqipes në brezat e rinj. Për kultivimin e shqipes prindërit shqiptarë i dërgojnë fëmijët e tyre në kurse të gjuhës shqipe, iu ofrojnë ndihmën e tyre gjatë përgatitjes mësimore, i këshillojnë dhe i nxisin të lexojnë libra shqip si dhe i mëshojnë faktit se në familje/në shtëpi duhet të flasin shqip.
Le t’i referohemi një studimi mbi qëndrimet e prindërve emigrantë (shqiptarë) në Greqi ndaj bilingualizmit të fëmijëve të tyre dhe anketimit të kryer në disa shkolla në Kretë dhe Selanik, ku studiojnë një numër i madh fëmijësh të ardhur nga Shqipëria. Sipas këtij studimi u konstatua se të mësuarit mirë të gjuhës greke konsiderohet prej shumicës si një gjë e rëndësishme duke e lidhur me kërkesat e realitetit të sotëm si arsimimi në shkollat greke, nevoja për komunikim, jeta e përditshme etj. Ndërsa një pjesë e mirë ka qëndrim pozitiv ndaj multilinguizmit në përgjithësi. Rëndësia e përvetësimit të gjuhës greke konsiderohet me peshë dhe nga një pjesë e vogël të cilët mendojnë të vendosen përgjithmonë në Greqi, ndërsa pjesa tjetër që dëshiron rikthim në atdhe mbron faktin se shqipja është simbol i identitetit kombëtar dhe kurrsesi nuk mund të lihet në harresë. (Chatzidaki-Qiriazi, 2008)

Bilingualizmi dhe të menduarit

Kur të menduarit e një fëmijë është kreativ, imagjinativ, fleksibël, i hapur dhe i lirë, fëmija konsiderohet «divergjent». Personat me aftësi njohëse divergjente preferojnë të japin përgjigje të ndryshme, në vend të gjetjes së përgjigjes së saktë dhe secila prej këtyre përgjigjeve mund të jetë e vlefshme. Janë bilingët ata që për çdo objekt apo ide kanë dy apo më tepër fjalë dhe bilingualizmi është fenomeni që rrit rrjedhshmërinë, fleksibilitetin, origjinalitetin dhe kompleksitetin e mendimit.
Bilingët kanë fjalor mjaft më të pasur dhe aftësi të admirueshme shprehëse për të treguar histori të ndryshme në krahasim me monolingët. Si rezultat i zotërimit të dy gjuhëve bilingët dallojnë emrat nga objektet. Shumica e studiuesve gjykon se ekzistojnë lidhje pozitive midis bilingëve dhe aftësisë konjitive, pra bilingët kanë disa avantazhe konjitive krahasuar me monolingët. (Baker, 2001)
Aftësia e fëmijëve bilingë për të gjykuar drejt në kushtet normale është më e madhe se e fëmijëve monolingë. Fëmijët bilingë fitojnë një epërsi intelektuale dhe janë të prirur që më shpejt se monolingët t’ia dalin në mësimin e rregullave të matematikës, që do të thotë se ata shquhen nga fuqia e tyre e të menduarit.
Të qenët biling është me rëndësi edhe në aspektin e krijimit të një ekuilibri emocional ndaj përkatësisë kulturore-gjuhësore, pra të identitetit. Disa nga avantazhet e bilingualizmit janë: fleksibiliteti mendor, mobiliteti konceptual, të arsyetuarit abstrakt rreth fjalëve, ndërtimi i koncepteve, inteligjenca verbale, të menduarit kreativ, ndjeshmëria në të komunikuar, aftësia për të zgjidhur problemet e rëndësishme, performancat në perceptimin hapësinor, aftësitë në fushën e matematikës. (Tahiri 2014)

Roli i bilingualizmit në arsim

Kur flasim për arsimimin dygjuhësh nënkuptojmë mësimdhënien në dy gjuhë, të cilat përbëjnë mjetin për arritjen e qëllimeve të caktuara didaktike në procedurën arsimore. Programet dygjuhëshe synojnë në nxitjen e aftësive gjuhësore të nxënësve gjatë gjithë arsimimit të tyre, në mënyrë që ata të zhvillohen si individë bilingë ku të dyja gjuhët të jenë në ekuilibër.
Tre janë faktorët që luajnë rol të rëndësishëm në rezultatet e paraqitura nga nxënës bilingë: koha që nevojitet për zotërimin e gjuhës akademike, në mënyrë të tillë që fëmijët të jenë pjesë aktive e procesit mësimor në shkollë, vlerësimi i çdo lloj dijeje të mëparshme të nxënësve dhe roli i gjuhës së parë përgjatë procedurës së mësimit të së dytës.
Koha që nevojitet për zotërimin e një gjuhe në të gjitha format e saj është e ndryshme. Për t’u aftësuar në komunikimin e përditshëm fëmijët nuk kanë nevojë për shkollën. Mjafton që të komunikojnë me individë të mjedisit që i rrethon për të zhvilluar gjuhën e tyre pavarësisht nëse është gjuhë e parë apo e dytë. Fëmijëve bilingë, nuk do t’u duhej një periudhë e gjatë kohore për të mos i dalluar nga vendasit e së njëjtës moshë. Mjafton që ata të luajnë dhe të përfshihen në aktivitete të ndryshme me individët vendas. Por kjo nuk mjafton për një pjesëmarrje aktive në mësim. Shkolla pretendon që të gjithë folësit të përdorin gjuhën zyrtare me rrjedhshmëri, pra gjuhën akademike ose gjuhën e shkollës. Kjo formë e gjuhës nuk zhvillohet as me shpejtësi dhe as drejtpërdrejt nga komunikimi i përditshëm, por kërkon zgjedhjen e një fjalori specifik dhe procedurë mësimdhënieje. Ndërsa për të folmen e përditshme nevojiten deri në dy vjet që një fëmijë biling të arrijë nivelin e zotërimit të gjuhës të një monolingu të së njëjtës moshë, për gjuhën akademike duhen 5 deri në 7 vjet. (Cummins, 2000)
Që të ecë para procesi i të mësuarit duhet një mbështetje që do të sigurojë një urë lidhëse midis institucioneve apo vendeve të përdorimit të gjuhës. Kryesisht duhet të sigurohet një urë lidhëse midis vendeve kryesore të përdorimit të gjuhës për fëmijën domethënë midis familjes dhe shkollës. Por kjo është e realizueshme nëse familja ndihmon në ndërtimin e kësaj lidhjeje dhe nëse mësuesi duke njohur zakonet kulturore të familjes garanton vazhdimin për nxënësit.

Konkluzione

Fëmijët bilingë vendosen në një nivel superior, në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre monolingë. Bilingët arrijnë të mësojnë dy gjuhë në një periudhë kohore gjatë së cilës monolingët mësojnë vetëm një. Bilingualizmi paraqet tek fëmijët normalë dhe në situata jokonfliktuale të dygjuhësisë përfitime të tilla si zotërimin e shpejtë dhe të kënaqshëm të dy gjuhëve në të njëjtën mënyrë, si dhe të dy sistemeve kulturore e të qytetërimeve dhe i çel fëmijës një hapësirë të gjerë. Është konstatuar se fëmija është në gjendje që të mësojë paralelisht dy gjuhë, pa pasur ndonjë problem në inteligjencën e tij apo stabilitetin psikik. Bilingualizmi jo vetëm që nuk ndikon negativisht në suksesin e fëmijëve në shkollë, por dhe e rrit atë. Fëmijët që njohin mirë gjuhën amtare janë më të suksesshëm në mësimin e gjuhës tjetër dhe anasjelltas ata që janë të shkëlqyeshëm në gjuhën e dytë, janë të suksesshëm edhe në gjuhën amtare. Mësimi i një gjuhe të dytë nuk nënkupton në asnjë rast ndalimin e gjuhës së parë. Gjuha amtare duhet të ruhet, sepse ajo përbën identitetin tonë kulturor, një trashëgimi familjare që transmetohet brez pas brezi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Helena Lubonja

ELITA ÇAME NË PERIUDHËN 1945-1990 DHE PERIUDHËN POSTKOMUNISTE

April 19, 2023 by s p

Petrit Begati/


Me shpërnguljen e dhunshme që përfundoi në 12-15 Mars 1945, popullata çame u vendos në Shqipëri me statusin e refugjatit politik, të pranuar edhe nga organizmat ndërkombëtare të asaj kohe. Kjo popullatë për herë të parë u mblodh pas elitës së saj të krahut të majtë, si krah fitues në koalicionin antifashist, e cila tashmë mori përsipër të bëhet zëdhënsia e kësaj popullate të martirizuar. Janë mbajtur dy kuvende, të cilat ishin në nivelin e një kongresi. Kongresi i parë u mbajt në Shalës në korrik të vitit 1944, dhe Kongresi i Dytë Çam në Vlorë, në shtator të vitit 1945. Kongresi i dytë shënon një pikë kthese në rolin dhe detyrën e elitës çame. Popullata çame do të mblidhet rreth Komitetit Antifashist Çam, i cili do të marrë atributet e një lloj pushteti për këtë popullsi të emigruar. Ngjarjet e mëvonshme që dihen
tashmë sollën eleminimin e këtij organizimi. Regjimi komunist do të mundohet ta shfrytëzoj këtë elitë per interesat e tij, dhe kjo elitë do të vendoset në shërbim të këtij regjimi. Më vonë kjo elitë do të persekutohet dhe do të eleminohet nga partia në pushtet, ashtu sikurse do t`i nënshtrohej persekutimit e gjithë popullsia çame. Kjo elitë u tradhëtua në kontributin e saj nga partia në pushtet. Kështu do të braktiseshin edhe të drejtat dhe kërkesa e popullsisë çame për t`u kthyer në vatrën e saj në Çamëri. Deri në prag të shëmbjes së komunizmit kjo popullatë me një sakrificë dhe vetmohim të jashtëzakonshëm ju përshtat realitetit të hidhur, që ju imponua duke dëshmuar vitalitet dhe dashuri për vlerat e saj, duke bërë një luftë të heshtur për mbijetesë. Terrori fizik i së kaluarës u zëvëndësua tani me terror psikologjik. Por ajo nuk do të dorëzohet asnjëherë, do të ruajë shpresat në gjirin e saj të shumëvuajtur, dhe do t´i kushtoj vëmendje së ardhmes, edukimit dhe arsimimit të fëmijëve të saj, e bindur se nga radhët e saj do të dalin njerëz të ndërgjegjshëm intelektual, që do të dinë të marrin përsipër
misionin historik të ndërprerë, dhe të realizonin ëndrrën e saj “kthimin në trojet e veta”.

Elita Çame në periudhën post komuniste.


Akti më kulmor i kësaj periudhe është dalja e njerëzëve të rinj apo të Elitës së re Çame, në skenën re të politikës shqiptare. Duke vlerësuar momentin historik që po kalonte vendi, në përpjekje për përmbysjen e komunizmit, intelektual të vetëdijshëm çamë realizuan aktin më sublim, themelimin e Shoqërisë Atdhetare Çamëria si domosdoshmëri historike, së cilës asaj i kishte munguar deri në këtë moment. Nuk ishte e lehtë që të krijohej një organizim i popullsisë çame në vitet 90-91 në Shqipëri, kur akoma nuk ishte përmbysur pusheti i vjetër komunist, pushtet i cili në mënyrë djallëzore po përgatiste skemën e vet pluraliste, për
ndryshimin e sistemit, me qëllim që të krijonin një demokraci në themel të së cilës të ishin përsëri ata vetë dhe të vazhdonin të ushtronin kontrollin e tyre pushtetor, për të siguruar
mundësinë e një revanshi politik në të ardhmen. Gjenerata e intelektualëve çamë të kësaj kohe, pjestar i së cilës kam patur fatin të jem edhe unë, ishte një gjeneratë e përvuajtur dhe e papërlyer me regjimin komunist. Ajo diti me mjaftë mënçuri të distancohet dhe nuk lejoj të bëhet pjesë e lojrave të pushtetit, që po i vinte fundi. Pra e thënë troç kemi nderin të themi që organizimi i Lëvizjes Çame nuk ishte vepër e Ramiz Alisë apo e kulisave të tij. Ajo u mbrojt gjithashu me mënçuri, që të mos vihej nën kontollin e partisë në pushtet, dhe të të gjitha grupimeve të reja politike që po dilnin në skenën pluraliste shqiptare, që tetntonin t`a bënin pjesë të lojrave të tyre dhe t`a shfrytëzonin për interesat e tyre politike. Drejtuesit e Shoqërisë Atdhetare Çamëria, tashmë të zgjedhur dhe të votbesuar nga Komuniteti Çam, mori fizionominë e një elite të përgjegjëshme, serioze, e cila ishte e gatshme të merrte në
dorë fatin e çështjes së saj të nëpërkëmbur, dhe të lënë në harresë. Deviza e kësaj elite, e cila do të mirëpritej dhe do të mbështetej kolegjialisht nga e gjithë popullata çame ishte, “Çamëria është vatra jonë e përbashkët, dhe Çamëria mbi të gjitha:!”. Me shumë kujdes u mënjanuan tendenca të ndryshme për t´a kanalizuar veprimtarinë e kësaj shqoqërie në drejtime të majta apo të dhjathta, si dhe në ndarje krahinore, të cilat shfaqeshin në shprehje të tilla si “po na komandojnë filaqotët apo paramthiotët, apo margëlliçiotët”. Ne e kuptuam që mund të realizonim amanetin e prindërve tanë, vetëm nëse do të ndiqnim me këmbëngulje dhe rigorozitet si ide lëvizëse tonën: “Çamëria mbi të gjitha”, duke qënë në të gjithë veprimtarinë tonë transparent me popullin çam. Kujtoj me respekt të veçantë kryetarin e parë të kësaj shoqërie të ndjerin z. Abaz Dojaka dhe stafin e tij, i cili me mënçurinë e një vizionari të vërtetë çam, dhe me urtësi të thellë, shmangu frymën e përçarjes, së mosbesimit dhe betonoj themelet e një shoqëie të shëndoshë të aftë për t`u bërë ballë sfidave të reja, që do të hidhnin themelet e rrugës së duhur për zgjidhjen e Çështjes Çame. Periudha e viteve 1991-1997 rezulton si një periudhë shumë e rëndësishme për fatet e kësaj çështjeje, me përpjekje titanike për t`a ngritur nga pluhuri i harresës kolektive shqiptare. Elita çame e zgjedhur nga popullata çame për ta drejtuar atë, demostroi energji të pa para për sensibilizimin e kësaj çështje, si në planin ndërkombëtar, ashtu dhe në rrafshin e përpjekjeve diplomatike të shtetit të ri shqiptar post komunist. Ne do të ushtronim veprimtarinë tonë në këtë periudhë historike në kushte të vështira, në krahasim me kushtet që ka elita e sotme çame, qoftë nga ana financiare, ashtu edhe nga situata politike në të cilat kalonte vendi në atë kohë. Ne u mbështetëm vetëm tek idealizmi ynë i fortë shpirtëror dhe i popullsisë që na mbështeste,
prandaj dhe arritëm të hidhnim hapa shumë të rëndësishëm për të ardhmen në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, hapa që do t`i lehtësonin punën brezave të ardhshëm, që do të hynin në Elitën Çame. Këto arritje tashmë dihen dhe janë të evidentuara. Ajo që dua të theksoj, dhe mendoj që duhet të konsiderohet ndër të tjera si shqetësim për politikën që ndjek elita e sotme, është mungesa e përpjekjeve, për të gjetur dhe vazhduar rrugën e dialogut me shtetin grek dhe përafaqsuesit e saj, si një domosdoshmëri për të çuar përpara Çështjen Çame, pa të cilën nuk mund të ketë zgjidhje të kësaj çështjeje. Në këtë aspekt dëshiroj të prezantoj edhe njëherë një moment me shumë rëndësi, i cili lidhet me takimin e parë të drejtuesve të kësaj shoqërie me Ambasadën greke në mars të vitit 1992 në Tiranë, e cila u zhvillua me kërkesën dhe insistimin tonë zyrtar. Pritja u realizua dhe u konsiderua zyrtare nga të dyja palët. Ky takim që do ta cilësoja si takim historik midis të dy palëve, ishte hapi i parë
i instalimit bilateral të një dialogu apo negocimi midis shtetit grek dhe perfaqësuesve të ish shtetasve të tyre shqiptarë të Çamërisë. Ndonëse për arsye taktike ky takim nuk iu bë i ditur opinionit publik të asaj kohe, ky takim duhet të shërbejë për politikanët e sotëm aktivë të Çështjes Çame, si një dëshmi e pakundërshtueshme që problemi çam ekziston edhe për shtetin dhe qeveritë greke, pavarsisht nga ajo që deklarohet prej tyre. Për fat të keq ne ndjekim me keqardhje, që lidershipi i ri çam nuk po bën asnjë lloj përpjekje për të vazhduar këtë dialog, që do të çonte përpara çështjen çame. Duke parë realitetin në sy, jemi të vetëdijshëm që nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë të punosh për zgjidhjen e Çështjes Çame, e cila ka mbetur pezull midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë. Vështirësitë dhe pengesat janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme, të cilat sillen si nga shteti grek ashtu edhe nga shteti shqiptar. Ajo që dua të theksoj me forcë, është që veprimtaria e të gjithë shtetit shqiptar, që nga vitet 90 dhe deri sot ka dëshmuar paaftësi dhe papërgjegjësi për të bërë hapa konkrete
në lidhje me Çështjen Çame, po për fat të keq e kanë keqinterpretuar dhe keqtrajtuar këtë çështje kombëtare. Ky lloj qëndrimi i papërgjegjshëm i qeverive shqiptare, të cilën ata janë munduar ta shfrytëzojnë për interesat e tyre konjukturale, i ka shkaktuar shumë dëme Çështjes Çame. Në këto kushte kërkohet para së gjithash nga i gjithë komuniteti çam dhe elita e tij, shumë energji për të rikoperuar këto dëme të shkaktuara. Këto momente shtrojnë përpara inteligjencës çame detyrën, që të jetë më e vëmëndshme dhe më konsekuente në hapat që ndërmerr, mbasi plagët e së kaluarës nuk janë tharë akoma dhe nuk do të duronin më të reja. Ajo që dua të ngre si një shqetësim timin personal, të cilin e kam vënë re edhe tek bashkpatriotë të tjerë, lidhet me daljen në skenën politite çame të partisë PDI dhe PDIU. E kuptoj dëshirën e politikanëve të rinj çamë për një evoluim të skemës politike çame, si një kërkesë të kohës dhe si dialektikë të ecurisë së Çështjes. Ne vëmë re me keqardhje, që puna e bërë nga aktivistët e rinj, lë shumë për të dëshiruar. Çështja çame nuk ka evoluar, nuk ka ecuri, që do të afronte zgjidhjen e saj. Konstatohet të kemi një ngërç politik në radhët e komunitetit Çam dhe levave drejtuese të saj. Shtrojmë pyetjen: Ky ngërç ka të bëjë me daljen e një partie në skenën politike çame, apo ka të bëjë me rolin dhe konceptin politik të lidershipit të saj?! Personalisht kam qenë edhe për evoluimin e Çështjes Çame, nëpërmjet një partie politike, që do t`a përfaqsonte atë direkt në jetën parlamentare shqiptare. Por kam qënë gjithashtu edhe kundër zbehjes dhe anashkalimit të rolit të të vetmit organizim përfaqsues kolegjial të komunitetit çam, të ngritur me aq sakrifica dhe përpjekje të – SH.A. “Çamëria”. Ngre shqetësimin, se ku është kjo shoqëri sot? Përse ka rënë në heshtje? A është e gjykuar dhe vlerësohet si dobiprurëse përqëndrimi i çështjes vetëm në një levë apo strukturë? A është vërtetë e zgjedhur nga komuniteti ynë elita e sotme drejtuese çame, apo rezulton si një klasë politike apo politikanësh të vetëzgjedhur? A janë të besueshme figurat dhe hapat që ata kanë ndërmarrë për përfaqsimin dinjitoz të Çështjes Çame? A kanë vazhduar ata rrugën e Çështjes Çame me të njëjtin zell dhe filozofi si brezi i politikanëve çamë te 1991? Nga një krahasim dhe analizë e ftohtë e veprimtarisë të së djeshmes dhe të sotmen nxjerr në pah, që çështja çame nuk po lëviz. Për fat të keq nuk shohim hapa konkrete për ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje, por vëmë re një stepje, një qëndrim në vend. Nuk ka asnjë shenjë për të vazhduar dialogun me shtetin grek dhe përfaqsuesit e saj në Tiranë, por shohim vetëm pozicionime deklarative deri diku të panevojshme, populiste dhe të pa arsyetuara thellë për ngjarje dhe episode të ditës. Nuk rezulton asnjë përpjekje apo takim me përfaqsuesit e BE-së, së paku këtu në Tiranë, për të bërë prezente problemet me të cilat ballafaqohet sot Komuniteti ynë Çam. Prisja dhe pres më shumë nga dalja në skenë e partisë Çame. Prisja që
ajo të bënte hapa më konkrete, që do të afronin drejt zgjidhjes së çështjes Çame, por jo largimin apo ngecjen e saj në vend, duke harxhuar energji jo efiçente. Një e metë e madhe e liderve politikë çamë të sotëm, është mungesa e transparencës kundrejt atij komuniteti në emër të të cilit ata flasin. Mendoj që sot nuk ka një vizion të qartë, në filozofinë tonë të
zgjidhjes së problemit. Mungon bashkëveprimi dhe kordinimi i vlerave më të mira çame. Nuk shohim asnjë përpjekje serioze për të vënë urat lidhëse me diasporën e vjetër dhe të re çame, për të rrjeshtuar dhe përqëndruar forcat në një front të vetëm të përbashkët. Shohim vetëm një amulli apo veprime populiste. Eshtë kërkuar nga përfaqsues të Disporës sonë, konkretisht nga i nderuari z. Ahmet Xhafo, para një viti mbajtja e një Kongesi apo Kuvendi Çam, si një domosdoshmëri për realitetet e krijuara. Deri më sot është heshtur në lidhje me këtë kërkesë. Shtroj përsëri pyetjen: kush e pengon mbajtjen e një Kongresi të tretë Çam? Çështja Çame nuk duhet të kthehet si patericë për mbështetjen e njërës apo të një force tjetër politike qeverisëse në Shqipëri. Ajo nuk duhet të shfrytëzohet për interesa të vogla të çastit. Ajo duhet të ruhet nga çdo spekullim politik dhe të shërbejë për elitën si forcë lëvizëse, e cila duhet të ketë si mision të saj parësor zgjidhjen e kësaj çështjeje, dhe e gjithë puna e saj duhet të drejtohet në funksion të kësaj zgjidhjeje. Çështja Çame nuk duhet të lejohet të bjerë kurrë në
gabimet e politikës aktuale të Tiranës, në marrëdhëniet me shtetin fqinj, Greqinë. Për fat të keq tonin, shohim që ekziston një realitet i hidhur, që qeveria shqiptare nuk tregon asnjë
interes për të vazhduar dialogun me qeverinë Greke, të filluar në vitet `95, në lidhje me ketë çështje. Duhet të pranojmë njëkohësisht që kjo çështje është dëmtuar edhe nga një qëndrim pasiv i komunitetit çam, i cili nuk është treguar më shumë këmbëngulës në kërkesat e tij
ndaj qeverisë shqiptare. Për sa kohë që ne çamët do t`ia varim në qafë zgjidhjen e problemit tonë tërësisht qeverive shqiptare, siç është dëshmuar deri më sot, apo të vetizolohemi në
interesa dhe kërkesa minimale, aq më të pa shpresë do të jemi. Duke u nisur nga përvoja dhe dëshira personale për të përmirësuar përpjekjet tona të përbashkëta sygjeroj: Thirrjen e Kongresit apo Kuvendit të tretë mbarë Çam!

Marrë nga libri: “ÇAMËRIA – NJË ZË QË DUHET DËGJUAR”

Foto: Nga Kongresi i Dytë Çam në Vlorë, më 23 Shtator 1945. Në sallë janë të ftuar e të pranishëm dhe përfaqësues të huaj të akredituar në Tiranë, si ai amerikan, anglez etj.

Filed Under: Emigracion Tagged With: petrit begati

PËR BASHKIMIN SHPIRTNOR TË SHQIPTARËVE

April 19, 2023 by s p

Filip Guraziu/

” Çka asht gjuha e Nanës ?

   Gjuha e Nanës asht dashni, kujtesë, shpresë.

   Gjuha e Nanës asht dhimbje, emocion, poezi.

   Gjuha e Nanës asht siguri, mbrojtje, krenari.

   Gjuha e Nanës asht identitet

   Për ne Gegët, gjuha e Nanës asht Gegnishtja.”

Harresa e gjuhës së nanës na privon prej faktorëve bashkëformues, të cilët shoqnojnë, plotësojnë dhe zbukurojnë botën shpirtnore dhe jetën emocionale të nji personi, familje, shoqnie dhe, në përgjithësi, të nji kombi. A i keni ba ndonjiherë pyetje vetes se çka jemi, kush jemi dhe cilët do të ishim pa gjuhën e nanës, pa Gegnishten ? A do të mundeshim na me shprehë ndjenjat, emocione  dhe çdo gja tjetër që lidhet me botën shpirtnore të kësaj jete tokësore, tue harrue gjuhën e Nanës?

Ekziston nji praktikë gjuhësore që po zbatohet ende me “dhunë” në shoqninë shqipfolëse që prej kohës së Kongresit famëkeq politik ( i ashtuquejtuni gjuhësor) të vitit 1972: në punë , shkollë etj. përdoret gjuha e kongresit, kurse në jetën private vazhdohet me gegnishten. 

Kjo praktikë ushqen DYZIMIN. Po, fatkeqësisht sot na jetojmë të dyzuem, jemi qenie të dyzueme ! Humanoidë me dy ftyra, me dy karaktere, me mungesë identiteti dhe personaliteti, me të kalueme mjegullnajë dhe të ardhme pa orjentim, mbasi “ai që nuk e din se prej kah vjen, nuk mund ta dijë as edhe ku shkon.” 

Kjo praktikë, padyshim, demostron dëshminë rrënqethëse të transformimit të ndërgjegjës dhe të identitetit për 70% të shqiptarve ku flitet gegnisht. Dami kulturor dhe shpirtnor që i bani dhe po i ban shoqnisë shqipfolëse ai “kongres” asht vështirë të matet apo të llogaritet; Në radhë të parë ai vendim përçau tue nda në dy pjesë shqiptarët, mbasi nuk projektoi nji gjuhë zyrtare bashkuese për të dy kryedialektet e shqipes: Gegnishtes dhe Tosknishtes, por dënoi “për jetë” Gegnishten, tue  eleminue prej përdorimit paskajoren, urën lidhëse të kulturës së lashtë shqipe me gjuhët europiane, si dhe reduktoi fjalorin e gjuhës shqipe, tue mos përfshi në te sinonimet që të ofron gegnishtja, për mos me kujtue të tjerat…

    Pasojat e atij vendimi kanë sjellë nji situatë të vështirë në plotkuptimin e fjalës; të rijtë sot nuk mund të lexojnë ma P.Vasen,  F. Shiroken, K.Kristoforidhin, At Gj.Fishtën, D.N.Mjedën, D. Anton Zanonin, D.N. Niken, At Sh. Gjeçovin, H.Mosin, L. Gurakuqin, E.Haxhiademin, P.J. Rroten, P. Anton Harapin, E.Koliqin, Migjenin, Z.Palin, M.Camën, A.Pipen, S.Rrepishtin, Gj.Shllakun, P.Gjeçin, G.Deden, P.B.Palaj, D.L. Shantojen, D.N. Zadeja, M.Toptanin, J.Bageriin, H.Sharofin, Haxhi I. Dalliun, M.Greblleshin, Imz. V.Prendushin, P. Donat Kurtin, Injac Zamputi, Kolë Ashta, Kolë Kamsin, Arshi Pipa, Q. Draçinin, H. Gjylbegun, P.Z.Pllumin, At K.Gjolajn, Imz.F.Illian, Imz. Z.Simonin, Pader Meshkallen, M. Krasniqin, A.Pashkun, H. Nelen, S. Rroten, E. Tedeschinin, Z Benussin, A. Bushatin, L.Shllakun, A. Shkanjetin, E. Pikolinin, Gj.Zezajn e shumë e shumë  kolosë të tjerë të kulturës gege për arsyen e thjeshtë, sepse nuk i kuptojnë! A ka ma faqe të zezë se kjo? A nuk demostron kjo tendencën drejt tjetërsimit të ndërgjegjes dhe të identitetit së popullsisë shqiptare ?

Lexues të nderuem, dëshiroj të mirëkuptohem. Këto rreshta nuk duhen kuptue si veprim kundër tosknishtes që ka marrë sot vendin e gjuhës së “njësuar letrare” ose, si quhet shpesh , “të standardit”, mbasi për  tosknishten si dhe për kontributin kulturor patriotik ‘ pro shqiptar ‘ të personaliteteve me origjinë prej tosknije, unë përkulem me respekt të thellë, por si tentativë pro shqiptarizmit që nëpërmjet ruejtjës së rrajve tona të herëshme e të përbashkëta, por që mbijetojnë te Gegnishtja, të krijojmë kushte reale për homogjenizimin kulturor gjuhësor me pasojë bashkimin shpirtnor dhe patriotik të popullit shqiptar. 

Asht ” Klithma e Rozafës” që i detyron moralisht të tanë  personalitetet e fushës gjuhësore, kudo që ata ndodhen, për me ndërmarrë veprimin e shumëpritun të rishikimit të vendimeve të Kongresit të vititi 1972. 

Vëllazen e motra: Bashkimi shpirtnor i shqiptarëve  asht pafundësisht ma i randësishëm për ” botën shqiptare” se sa egoizmi  ideollogjik përçamës që na la trashigim diktatura e mallkueme.

Filed Under: Fejton Tagged With: Filip Guraziu

MOVE TRIAL OF FBI AGENT TO ALBANIA PROVE U.S. JUSTICE CAN RELOCATE ANYWHERE

April 19, 2023 by s p

PUBLISHED: Peter Lucas:  March 4, 2023 Boston Herald

The U.S. ought to hold the trial of disgraced former super FBI counterintelligence agent Charles McGonigal in Tirana, Albania, the site of his alleged shakedown schemes. 

Why Albania? Because that is where all the witnesses are, many of whom are barred from entering the United States — declared persona non grata — based on nonexistent or phony sanctions.

An open trial in Tirana would allow the U.S. to show its little NATO ally — and the rest of the world — how there are not two systems of justice in America, or in Albania.

Although that would be hard to sell, there still might be some people who believe it

Albania is a country where McGonigal got rich without the FBI knowing anything about his rogue behavior. And that behavior included cementing a secret relationship with Albanian Socialist Prime Minister Edi Rama.

The indictments against McGonigal, to which he has pleaded not guilty, include accepting $225,000 in cash from a former Albanian intelligence officer with ties to Rama. The payoff for alleged illegal services rendered came from the Russians or the Albanians, but probably both. McGonigal worked the Russian side of the street as well.

While Rama has acknowledged meetings with McGonigal, he has denied any wrongdoing but has thwarted attempts for an internal investigation.

His political opponents in the center-right Democrat Party have charged, however, that McGonigal was paid to stigmatize and destroy Rama opponent Sali Berisha, a former prime minister, by recommending that he be smeared with sanctions to thwart a political comeback.

Secretary of State Antony Blinken in 2021 declared Berisha persona non grata on unspecified “corrupt acts” that allegedly took place while Berisha was in power eight years earlier.  Berisha is planning to challenge Rama in 2025.

Also interesting is the looming presence of billionaire George Soros, long active in Albania — and long attacked by Berisha — who in the name of reform is attempting to do with the Albanian criminal justice system what he has done to the criminal justice system in the U.S.

Berisha maintains that if anyone should be declared persona non grata it is George Soros.

Blinken’s parents Vera and Donald Blinken, who share Soros’ Hungarian interests, have close ties to Soros and funded Soros’ Open Society Archives a Central European University in Budapest, which Soros founded. Perhaps Blinken was doing a favor for dad’s friend. Soros is from Hungary.

Not only that, but U.S. Albanian Ambassador Yuri Kim has also thrown herself into Albanian politics as no other ambassador has ever done. Kim tried to get Berisha thrown out of the Democrat Party, which he originally founded upon the fall of communism in 1999.

Failing that, as a favor to Rama, she tried to get the Democrat Party to unseat Berisha as a member of Parliament even though he was duly elected. She also said that Washington would stop all dialogue with the Democrat Party if Berisha returned as its head, which he did.

Berisha is no saint. Outside of Mother Theresa, there are no saints in the Balkans. There are no saints in the FBI either.

But Berisha was and is a staunch anti-communist who was the first leader of the Democrat Party following the ouster of the Communist regime. He served as president from 1992 to 1997, and again as prime minister from 2005 to 2013. He was always staunchly pro-American.

It does not matter who runs Albania, as far as the U.S. is concerned. That is because no matter who is in charge, Albania follows U.S. foreign policy and is helpful in providing sites for military air bases or taking in Afghan refugees

So, what mystifies Balkan observers is why Biden would meddle in Albanian politics and turn on the 77-year-old Berisha. Left alone, he would be in retirement tending his garden. Now, thanks to McGonigal and Blinken he has been given new life.

If I were a member of Congress, or a persona non grata, I would want to know what Blinken and McGonigal did in Albania. The story smells.

Peter Lucas, is a veteran Massachusetts political reporter and columnist, has written three books on Albania including “The OSS in World War II Albania.”

Dergoi per botim: Rafael Floqi – LINKU: https://www.bostonherald.com/2023/03/04/lucas-move-trial-of-fbi-agent-to-albania/

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT