• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2023

“Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

April 2, 2023 by s p

Nga Beqir SINA

YONKERS – NY : Thirrja “Bashkë për Drejtësi” – UÇK aleate e Amerikës dhe Nato-s- UÇK themeli i Kosovës, bëri bashkë dhjetra shqiptar pjestar të komunitetit nga zona e Tri-Shteshit, në një homazh të shtunën 1 Prill në Varrezat e Vëllezërve Bytyqi, St.Mary’s Cementery – Yonkers. NY.Ideatorët dhe inicuesit e këtij manifestimi , Gani Shehu, Shefki Mexhuani dhe Uk Lushi, thanë se kësaj radhe po bëhemi “Bashkë për drejtësi”, për Vëllezërit Bytyqi dhe për një proces të drejtë të Gjykatës Speciale kundër çlirimitarve dhe themeluesve kryesorë të Shtetit të Kosovës në Hag.Folësit, Uk Lushi, Gani Shehu, Shefki Mexhuani, Gjek Gjonlekaj, Mark Gjonaj, Nikoll Junçaj, Shpend Gjocaj, Shpetim Qorraj, Marko Kepi, dhe ish ambasadori Frymëzim Isufaj, në fjalën e tyre u përqendruan në “rolin negativë” të Gjykatës së Hagës në gjykimin e ish komandateve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovësdhe u solidarizuan duke dhënë një mbështetje tjetër të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.Në fund nga ky homazh u bë thirrje të gjithë shqiptarve për të “luftuar” dhe për të treguar edhe një herë se shqiptarët e amerikës duan vetëm drejtësi për Vëllezërit Bytyqi, dhe për të patur një proces të drejtë të Gjykatës Speciale kundër çlirimitarve dhe themeluesve kryesorë të Shtetit të Kosovës në Hag딓Të jemi bashkë për Drejtësi”

Filed Under: Politike

“Liria Ka Emër” falënderon qytetarët që marshuan për drejtësi: UÇK na bashkon!

April 2, 2023 by s p

Prishtinë, 2 prill – Ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë falënderuar të gjithë qytetarët që në mënyrë masive i janë përgjigjur thirrjes për të marshuar për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.Tasholli tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlera më sublime që ka krijuar kombi ynë, prandaj sot po marshohet kundër ndryshimit të historisë.“Ju falënderoj nga zemra që i jeni bashkuar thirrjes sonë për drejtësi. UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët. Është vlera më sublime që kemi krijuar si komb. Ne, si komb, njëzëri, bashkë, marshojmë kundër ndryshimit të historisë. Marrshojmë për drejtësi. Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi fillojnë nesër betejën e radhës. Betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Si gjithmonë, do të na kthehen fitimarë e faqebardhë”, theksoi Tasholli.Ndërsa, Eliza Hoxha u shpreh se UÇK dhe thirrja për drejtësi, sot i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës.“Gjatë këtyre dy javëve, anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismajlin e kam rijetuar historinë tonë. E kam ndjerë në dhimbjen e nënes Ferdonije, në guximin e Shyhretes dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, në qëndresën e bacës Shaban. E kam parë dhe ndjerë sa e gjallë dhe sa e hapur vazhdon të jetë plaga jonë, dhe thirrja për drejtësi. Përulësisht, ju falenderoj nga zemra që jeni me ne sot. UÇK na bashkon. Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të bucojë sërish, në ditën e kthimit të luftëtarëve tanë”, tha ajo.Hoxha kujtoi prillin e 24 viteve më parë kur qytetarët e Prishtinës ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, për t’u kthyer pas disa muajsh në Kosovën e lirë, pas fitores së luftës së UÇK-së.“Si sot 24 vite më parë, Prishtina ishte shëndrruar në një qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbe kishte mësyer stacionin e trenit. Ai stacion, që ishte i mbyllur për më shumë se dhjetë vite, u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës, në një rrugë pa kthim. Po ne u kthyem, e këto sheshe u mbushën prapë, për të festuar clirimin dhe pavarësinë. Si fotografe e re atëbotë, i mbajë mend shkrepjet e fytyrave me lot gëzimi kur të gjithë bashkë, shënonim ato fitore të mëdha.E këto fitore epokale, do të ishin të pamundur pa guximin, luftën dhe vetëmohimin e pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.Qytetarëve iu drejtua edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se nuk ka dyshim që Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e bashkëluftëtarët e tyre do të rikthehen fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë.“Sot, ballëlartë e me zemër plot, marshojmë krenarë, për ata që dikur marshuan drejt lirisë. Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë. Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë, që përveç lirisë, s’kanë pasur një mision të dytë dhe përveç pavarësisë, s’kanë pasur një projekt rezervë. Sot, ne solidarizohemi me ta, sepse ata janë pasqyra e një rrugëtimi historik e kombëtar, demokratik e qytetërues, por që s’ka përfunduar akoma”, theksoi kreu i PDK-së.Ai ka ftuar qytetarët ta ruajnë frymën e unitetit, për ta ripërtrirë përkushtimin për Kosovën, të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar.“Ky është obligimi që kemi edhe ndaj Hashimit, Kadriut, bacës Jakup, Rexhës, Calit, Hysit, Nasimit e Pjetrit. Dhe kjo duhet të jetë rruga jonë e përbashkët për Kosovën e ëndërrave tona. Për Kosovën që na bashkon e në të cilën DIELLI DO TË LIND PËRSËRI. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës. Drejtësi për çlirimtarët tanë”, tha Krasniqi.Flaka Fazlia, vajza e dëshmorit Fatmir Fazlia tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizatë Çlirimtare dhe bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm.“UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk është në asnjë formë organizatë kriminale, por një organizatë clirimtare. Pjesëtarët e UÇK-së ishin njerëz, të cilët dënesën e dhimbjeve tona kolektive, e kthyen në zë të fuqishëm, të cilin e dëgjoi e gjithë bota, e në vecanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe BE. Bota nuk duhet t’ia lejojë vetes që në emër të drejtësisë të dënojë njerëz të pafajshëm”, tha ajo.Ish-ushtari i UÇK-së, Kjani Guri, tha se liria e Kosovës ka emrin e sakrificës, martirëve, heronjve tanë dhe të UÇK-së.“Jemi sot bashkë këtu për të kërkuar drejtësi. Për të mbrojtur me këmbëngulje historinë tonë të lavdishme. Në UÇK kanë qenë bijat dhe bijtë tanë më të mirë, të cilët luftuan për lirinë e Atdheut. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët, nuk janë emra të përveçëm, por janë historia jonë, të cilën nuk do ta lejojmë të rishkruhet”, tha Guri.Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi janë liria jonë dhe do ta kalojnë edhe këtë sfidë.“Rrofshin të rënët tanë. Rroftë ky popull. Ne po duam drejteësi për lirinë. Kemi luftuar për liri dhe nuk po e gëzojmë”, tha Qerkini.Simboli i grave të Krushës dhe gjithë grave të forta shqiptare, Fahrije Hoti u shpreh e indinjuar që sot para gjykatës po dalin çlirimtarët e vendit, e jo ata që kryen krime në Kosovë.“Jam sot bashkë me ju që të kërkojmë drejtësi për luftëtarët e lirisë. Jam sot me ju për të kërkuar drejtësi për të ardhmen. Familja ime dhe Krusha ende kërkojnë drejtësi edhe 24 vite pas luftës. Edhe bashkëshorti im është ende i pagjetur. Në vend të kriminelëve, sot, fatkeqësisht, para gjykatës po dalim çlirimtarët e vendit tonë”, theksoi Fahrije Hoti

Filed Under: Opinion

VATRA DHE DIELLI PROMOVOJNË VEPRËN E DALIP GRECËS MË 30 PRILL 2023

April 1, 2023 by s p

Sokol Paja/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta Dielli do të promovojnë më 30 prill 2023 veprën e lënë në dorëshkrim nga Dalip Greca, Editori i Diellit (2009-2021). Veprat: “Editorët e Diellit në 110 vite histori” dhe “Editorial” janë botim ekskluziv i Federatës Vatra dhe do të promovohen ditën e Diel më 30 Prill 2023 ora 11 Am në Sallën Iliria pranë Jacobi Hospital në Adresë: 1400 Pelham Pkwy S, Bronx, NY 10461 (Salla e Amfiteatrit).Ftohet mbarë komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mediat, miqtë, bashkëpunëtorë dhe të njohur të Dalip Grecës që të marrin pjesë.Në promovim do të flasin rreth veprës publicistike dhe atdhetare të Dalip Grecës: Sokol Paja, Elmi Berisha, Alfons Grishaj, Dr.Paulin Marku, Agim Rexhaj, Idriz Lamaj, Nazo Veliu dhe Dorjan Greca.

Filed Under: Politike

Mbi vjershën «Thomsoni dhe kuçedra» të Fan Nolit

April 1, 2023 by s p

Sevdai Kastrati/

Viti 1914 qe viti i mbrapshtë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Atë vit, në fillim të qershorit, në Shijak rebelët turkomanë të nxitur nga xhonturqit në njërën anë, nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi në anën tjetër dhe të përkrahur nga dervish Haxhi Qamili, nga shehu i Shijakut Hamdi Rubejka si dhe nga refugjatët myslimanë nga Bosnja (edhe boshnjakët ishin të shqetësuar për mbretin e krishterë të caktuar nga Perëndimi) shpallin programin e lëvizjes së tyre për krijimin e një Turqie të dytë. Ata kërkojnë heqjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe rikthim në sundimin turk; zëvendësimin e Princ Vidit me një princ mysliman; shpalljen e gjuhës turke¹ si gjuhë zyrtare, kurse shqipja të shkruhet me shkronja arabe dhe në fund fanatikët myslimanë kërkojnë që flamuri shqiptar të zëvendësohet nga gjysmëhëna turke.
Përballë fanatikëve me dinin në gojë, me helmin në bark qëndronin forcat qeveritare në krye me kolonelin Lodewijk Thomson (i dërguar nga Fuqitë e Mëdha për krijimin e xhandarmërisë shqiptare) dhe vullnetarët që kishin ardhur në ndihmë trupave qeveritare. Në agim të 15 qershorit rebelët u hodhën në sulm kundër Durrësit. Atë ditë, koloneli Thomson gjatë një inspektimi të artilerisë, jo më pak se treqind metra nga vija e armikut u qëllua nga një snajper për vdekje. Të nesërmen, më 16 qershor 1914, në ceremoninë e varrimit të kolonelit, Faik Konica në fjalën e përzieshme² në frëngjishte, ai ngriti lart figurën e tij, si mbrojtës të pavarësisë së Shqipërisë, për sakificën e lartë për mëkëmbjen e shtetit shqiptar. Konica e përfundon nderimin me këto fjalë: “Shqipëria, që ishte mësuar ta donte mbrojtësin e saj të madh të rendit publik, tani e qan si një martir të lirisë së saj. Thomsoni vdiq në fushën e lavdisë”.
Pas dy javësh nga vdekja e Thomsonit, Fan S. Noli e shkroi vjershën “Thomsoni dhe kuçedra” gjatë qëndrimit në Triesht më 1 korrik 1914 dhe e dërgon në Boston që të botohet në gazetën “Dielli”. Në rubrikën “Vini re” të gazetës “Dielli” të datës 24 korrik na bëhet me dije se numrin e ardhshëm të gazetës do të botohet vjersha “Tomsoni dhe Kulçedra” edhe pse është në kundërshtim me programin e gazetës. Sikurse dihet, gazeta “Dielli” në vitin e parë të daljes nuk boton asnjë vjershë, kurse në vitin e dytë lejon të botohen vjersha që kanë të bëjnë me ngjarje të ditës që francezët i quanin les pieces de circonstance.
Vjersha “Thomsoni dhe kuçedra” botohet në gazetën “Dielli” më 28 korrik 1914³. Në këtë botim të parë vjersha ka 54 vargje, pra nëntë strofa gjashtëvargëshe (vargjet janë gjashtërrokëshe të dyzuara).
Mitrush Kuteli është i pari që ka përmbledhur vjershat e Nolit në vëllimin “Mall e brengë” i botuar në Tiranë më 1943. Edhe pse sipas një dëshmie që kemi nga Noli, me rastin e botimit të vjershës Marshi i Barabbájt në gazetën Liria Kombëtare më 28 nëntor 1928, kishte në plan të botonte vëllimin poetik Tragjedia e Kryqit, siç thotë ai ‘një vepër poetike që trajtón pësimet e Krishtit’ e për fat të keq kjo përmbledhje nuk e pa dritën e botimit.
Përsëri mund të themi se është meritë e Kutelit4 që ka ndikuar në mënyrë të tërthortë për ta nxitur Fan Nolin që t’i botonte vjershat e mbetura në dorëshkrim, të cilat i kishte shkruar gjatë qëndrimit në Vjenë, Berlin dhe Hamburg më 1926-1930: Kënga e Qirenarit, Krishti me kamçikun, Plak, topall dhe ashik, Anës lumenjeve të Babillonës. Këto vjersha do të botohen në gazetën “Dielli” gjatë viteve 1945-46 me pseudonimin Robo Rogozhina dhe Bajram Domosdova. Po në këtë kohë, më 27 shkurt 1946, Noli boton vjershën Sofakliu dhe Ferid Asllani kinse është shkruar në Venedik më 2 janar 1946 me pseudonimin Bajram Domosdova. Dy muaj më vonë Noli shqipëron vjershat Asaj që shkoj nga Charles Baudelaire dhe Jetimi nga Paul Verlaire. Po ashtu Noli riboton vjershat Hymni i flamurit, Rent, or marathonomak (e përpunon nga ana gjuhësore dhe i shton një strofë), Shën Pjetri në mangall dhe Mosiu në mal.
Disa studiues janë të mendimit se Fan Noli nuk ishte i njohur në Shqipëri si poet para botimit të Kutelit. Ata kanë parasysh botimet historiografike të viteve ’20, ’30 e ’40.
Në veprën e Àt Justin Rrotës “Letratyra shqype”, Shkodër 1925, Noli përmendet si përkthyes, vlerësohet vepra “Historia e Skënderbeut” dhe njihet si gojëtar nga studiuesi françeskan.
Në veprën e Gaetano Petrottës “Popolo, lingua e letteratura Albanese”, Palermo 1930, Noli njihet si dramaturg, përkthyes dhe si historian i Skënderbeut.
Në veprën “Shkrimtarët shqiptarë” vëllimi i II-të, Tiranë 1941, Noli në këtë kristomaci nuk përfaqësohet me asnjë poezi.
Në fakt, i pari që e ka njohur Nolin si poet në Shqipëri është Vangjel Koça, i cili në një fjalim³ që mbajti në Gjirokastër më 6 nëntor 1923, të organizuar nga shoqëria “Drita” për nder të Imzot Nolit thotë:
«Po më pëlqen veçanërisht t’a përshëndosh si Poet nga më të mëdhenjtë që numron sot Shqipëria e Re»5.
Më pas ai shpreh habi në shkrimet mbi letërsinë: pse Fan Noli nuk përfshihet krahas vjershtorëve të tjerë shqiptarë?
Është e qartë për V. Koçën se poet mund të jesh edhe me një vjershë të vetme. A nuk ka thënë edhe ky burrë që jemi mbledhur sot ta kujtojmë se Félix Arversi u bë i famshëm me tingëllimën Dashuria e fshehët.
V. Koça përmend përkthimet e Nolit si Othellon, Skënderbeun, Korbin dhe Annabel Lee. Po kështu përmendet edhe dy vjershat e Nolit “Thomsoni dhe kuçedra” dhe “Jepni për nënën”. Ai shprehi habi: pse Fan Noli nuk merret me vjersha origjinale? Supozojmë se edhe kjo mund të jetë një nxitje për Fan Nolin që do të shkruajë vjershat më 1926-1930.
Ribotimin e vjershës “Thomsoni dhe kuçedra” e bën Mitrush Kuteli (1943), por siç shihet e bën me disa ndryshime e përmirësime. Ai fillon që nga titulli, se në botim të parë kemi “Tomsoni dhe kulçedra” dhe duke e hequr strofën e gjashtë:
Dhe prapë petriti
Së treti e priti
Me armë, me topa, me kordh’ e me shpata,
Tomsoni kaluar me nam në rigata.
Prej qielli dërguar, me pallë në shesh,
Luftón trim’ i huaj për né kundrë nesh

Vargu i gjashtë i strofës së katërt te botimi i parë del:
Me grusht prej rrufeje, që grin e që tret,
kurse te Kuteli dhe në Album është:
Me grusht prej rrufeje, që ngrin e që tret.
Vargu i tretë i strofës së nëntë te Kuteli del: Po ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën! i njëjti del edhe tek Fan S. Noli Vepra 1 (2003), kurse tek Albumi: Ju ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën!
Mitrush Kuteli i shkruan me shkronjë të madhe: Ura, Gjol, Fron, Shqiponjë, Nënë dhe Flamur.
Në fakt, Kuteli ka bërë ndërhyrje edhe në vjershat e tjera si p.sh. Hymni i flamurit, nga gjashtë strofa (28 vargje) sa kishte në variantin e parë të botuar në gazetën “Liria kombëtare” më 28 nëntor 1926 boton vetëm tri strofa (10 vargje) me ndryshime të mëdha. Vjershën tjetër Moisiu në mal e boton nga 10 strofa që kishte në variantin e parë në gazetën “Liria kombëtare” të datës 27 janar 1930 në pesë strofa. Dhe kështu me radhë.
Një nga tiparet që bie në sy në vjershën “Thomsoni dhe kuçedra” dhe në gjithë krijmatarinë e Nolit është zanorja “ë”. Ai për t’u shmangur nga ky breshëri pikash dhe për të mos dalur nga vendimet e Kongresit të Manastirit, e merr zanoren “є” prej alfabetit të Stambollit, duke i dhënë një formë më arkaike (veçse ndryshon nga epsiloni), por që e përshtatet me shkronjat latine.
Fan Noli ka vepruar drejt në përdorimin e theksit aigu,6 kur theksi bie në rrokjen e fundit: për dhé, atdhé, ajó, për né, po ashtu ai përdor theksin tek fjalët dyrrokjesore, atje ku rëndon zëri: hyén’, pastáj, luftón si dhe ka vënë theksim mbi formën foljore të vetës së tretë njëjës të foljes dua: dó.
Sa i përket apostrofit, Noli apostrofon rregullisht ë-në fundore të patheksuar të fjalëve para zanores e: me kordh’ e me shpata, kulçedr’ e Turqisë, hyén’ e urisë, vet’ e vratë.
Një veçori tjetër është pjesëza e mesores ai e shkruan gjithnjë të ndarë me vizë, sidomos kur ndodhet para foljes u-ngjalle, u-ngrite, u-vërvite. Po ashtu, ndan me vizë edhe trajtat e shkurtra kur vijnë pas foljes prit-më.
Një dikuri tjetër në këtë vjershë është edhe shurdhimi i bashkëtingëllorëve b në p.
Mendojmë se vjershën “Thomsoni dhe kuçedra” Noli e përpunoi duke u mbështetur në botimin e Kutelit. Dhe për këtë hipotezë kemi një fakt që mbështet mendimi tonë: në fund të vjershës kemi shënim se kur është shkruar vjersha “Korrik 1914” te përmbledhja Mall e brengë, po të njëjtin shënim të ngjajshëm e gjejmë edhe në Albumin e Nolit. Megjithatë nuk gabojmë, në rast se pohojmë se kjo është dhe arsyeja pse vjersha doli me një strofë mangut. S’ka dyshim se Nolit i ka munguar dorëshkrimi i vjershës (dorëshkrimin e vjershës nuk e kemi gjetur deri më sot) në njërën anë dhe nuk mund ta përjashtojmë si mundësi edhe mungesën e kopjes së gazetës “Dielli” ku është botuar vjersha, në anën tjetër. Ashtu sikurse edhe nuk mund të besojomë se për shkak të përpunimit Noli vendosi ta fshinte këtë strofë.
Së fundi, deri më sot nuk është bërë ndonjë krahasim ndërmjet këtyre botimeve të vjershës “Thomsoni dhe kuçedra” nga studiuesit e ndryshëm që janë marrë me krijmtarinë poetike të Nolit.

¹ Më 17 maj 1914 shqiptarët e Amerikës protestuan në Boston kundër vendimit të qeverisë për futjen e turqishtes si gjuhë zyrtare: shih gazetën “Dielli” të numrave 313-314.
²Shih Fjala e z. Faik beg Konica në qivur të Thomsonit, “Zâna”, Durrës, 1 gusht 1914, nr. 3, f. 43-44.

³Këtë të dhënë, se kur është botuar vjersha për herë të parë, e gjejmë edhe në shënimet e vëllimit të parë të veprave të plota të Nolit, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që e ka përgatitur studiuesi Vehbi Bala.
4Pra, kemi të bëjmë edhe me një letër që Kuteli i ka dërguar Nolit më 1945 kur ndër të tjera i shkruan se “ju keni krijuar këtu një shkollë letrare, ryma e të cilëve ndjehet shumë në shkrimet e të rinjve”: Mitrush Kuteli, Letër Fan Nolit, “Dielli”, 13 shkurt 1946, nr. 5710, f. 2. Po kështu, mund të supozojmë, ka ndikuar si nxitje në botimin e vjershave edhe zgjedhja kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë në tetor 1945-ës.

5Krh gazetën “Dielli” ku është botuar fjala e Vangjel Koçës më 17 maj 1924, nr. 2715 (258), f. 8; 20 maj, nr. 2716 (259), f. 6.

6Shih Faik Konica – Fan S. Noli: Orthografia shqipe. Ca shënime. “Dielli”, 7 nëntor 1912, nr. 174, f. 1.

Tomsoni dhe kulçedra
Sipas «Diellit»

Te ura, te ura
Vraponi, o burra,
Me armє, me topa, me kordh’ e me shpata,
Se dolli Kulçedra e errєt nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shjaku nє Durrєs me vrap.

Kulçedr’ e Turqisє
Hyén’ e urisє,
E rrahur nga Greku, nga Sєrbi e Bullgari
Dó gjak tє thєthijє dhe vjen te Shqiptari,
Si gjarpєr zvarniset, i sillet pєr qark.
Me dinin nє gojє, me helmin nє bark.

Kulçedrєn e vrarє
E hasi mє parє
Tomsoni nє Vlorє, kur vinte prej detit
Me katєrqint krahє, lubi’ e Dovletit;
E zuri pєr gryke, e shtriu pєrdhé,
Nga thonjt’ i rrєmbeu tє mjerin atdhé.

Pastáj pєr sє dyti
Nє Durrєs e mbyti
Dhe kokєn i shtypi me top nga kalaja,
Kur hodhi Esadin nga froni, nga maja,
Nga forca nє pluhєr, nga bregu nє det,
Me grusht prej rrufeje, qє grin e qє tret.

Kulçedra e thyer,
Me turp e pєrlyer
Pєrmblidhet e kthehet nga toka nє Durrєs
Dhe ngrihet m’e fortє, nє gjol afєr urєs.
Shqiptar’ i verbuar vєrsulet nє det,
Shkel flamur e nєnє dhe vllezєr po vret.

Dhe prapє petriti
Sє treti e priti
Me armє, me topa, me kordh’ e me shpata,
Tomsoni kaluar me nam nє rigata.
Prej qielli dєrguar, me pallє nє shesh,
Luftón trim’ i huaj pєr né kundrє nesh

Dy herє tє theva,
Tє shtriva, tє ndeva,
Po prapє u-ngjalle dhe prapє u-ngrite!
Prit-mє, the, prit-mє!” Dhe prap’ i u-vєrvite,
Dhe hovin Kulçedrєs ia preve, po re,
Kalorєs i huaj, qє vdiqe për né.

Nga ura, nga ura
Po ikni, o burra?
Ju ikni, po hij’ e Kalorєsit s’ikєn!
Kulçedrєs tєrbuar ajó i fut frikєn,
Se urєn e ruan, se urєn e mpron
Stihia-shqiponjє, me qip e me thonj.

Te ura, te ura
Vajtoni, o burra,

Tomsonin e ngratє që ju vet’ e vratє,
Qє pas nuk i ratє, po vetєm e latє,
Kur shkonte kaluar tє vdesє pєr né,
Pєr ju, tє mallkuar, qє s’doni atdhé.

Triesht, 1 korrik 1914

Thomsoni dhe kuçedra
Sipas «Albumit»

Te Ura, te Ura
Vraponi, o burra,
Me armë, me topa, me kordh’ e me shpata,
Se dolli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shjakut në Durrës me vrap.

Kuçedr’ e Turqisë
Hyen’ e urisë’
E rrahur nga Greku, nga Sërbi e Bullgari
Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,
Si gjarpër zvarniset, i sillet përqark.
Me dinin në gojë, me helmin në bark.

Kuçedrën e vrarë
E hasi më parë
Thomsoni në Vlorë, kur vinte prej detit
Me katërqint krahë, lubi’ e Dovletit;
E zuri për gryke, e shtriu përdhe,
Nga thonjt’ i rrëmbeu të mjerin Atdhe.

Pastaj për së dyti
Në Durrës e mbyti
Dhe kokën ia shtypi me top nga kalaja,
Kur hodhi Esadin nga Froni, nga maja,
Nga forca në pluhër, nga bregu në det,
Me grusht prej rrufeje, që grin e që tret.

Kuçedra e thyer,
Në trup e përlyer
Përmblidhet e kthehet nga toka në Durrës
Dhe ngrihet m’e fortë, në Gjol, afër Urës.
Shqiptar’ i verbuar vërsulet në det,
Shkel Flamur dhe Nënë dhe vllezër po vret.

“Dy herë të theva,
Të shtriva, të ndeva,
Po prapë u-ngjalle dhe prapë u-ngrite,
Prit-më, the, prit-më!” Dhe prap’ iu-vërvite,
Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re,
Kalorës i huaj, që vdiqe për ne!

Nga Ura, nga Ura
Po ikni, o burra?
Ju ikni, po hij’ e Kalorësit s’ikën!
Kuçedrës tërbuar ajo i fut frikën,
Se Urën e ruan, se Urën e mpron
Stihia-Shqiponjë, me qip e me thonj.

Te Ura, te Ura
Vajtoni, o burra,
Thomsonin e ngratë që ju vet’ e vratë,
Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë,
Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,
Për ju, të mallkuar, që s’doni Atdhe.

Korrik, 1914

Filed Under: LETERSI

DOMINANCAT BALLKANIKE DHE MARVESHJA KOSOVË-SERBI

April 1, 2023 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Shembja e sistemit komunist në Europë në 1990, solli një zgjim “të papritur” dhe shtim të nacionalizmit dhe në pjesën Juglindore të Kontinentit  të Vjetër (e cila qysh nga viti 1808 ishte quajtur “Ballkan”, sipas një fjale turke). Ky shpërthim i nacionalizmit çoi në një vlerësim mjegullues se “çështjet kombëtare kishin qënë fatkeqësi për stabilitetin në rajon për shumë breza” dhe e përforcoi prirjen për të fajsuar kryesisht popujt e Ballkanit, që kishin hyrë në armiqësira midis tyre, si dhe karakterin shoqëror të këtyre popujve. 

Në “epokën e kombeve” stabiliteti dhe siguria në Europë kanë qenë punë që e kishte marrë në dorë vetëm “Klubi i Fuqive të Mëdha”, i cili u krijua në Koncerti e Vjenës në vitin 1815. Kongresi i Berlinit (1878) shënoi fillimin e një serie ndërhyrjesh nga fuqitë e mëdha në rajonin e Ballkanit, rrjedhimisht edhe në gjeopolitikën e tij. Edith Durham, që kishte udhëtuar shumë në trevat ballkanike, ka theksuar se; “një gjë që nuk mund të ndryshojë kurrë në Ballkan është qielli i mbuluar nga retë e fuqive (të mëdha)”. Sot pothuajse të gjithë aktorët e “koncertit të fuqive të mëdha” (Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Rusia dhe Italia) janë sërish aktorët e mëdhenj ndërkombëtarë në Ballkan. Vetëm SHBA janë faktori i ardhur rishtas.  Vlerësohet që ndërhyrjet e fuqive të mëdha kanë qenë burimi kryesor i turbullirave në Ballkan gjatë shekullit XX, dhe me gjasa po vazhdon dhe do të vazhdoj edhe në shekullin e XXI, derisa t’u jepet fund një here e mire ndasive dhe padrejtësive, sidomos me kombin Shqipëtarë, që padrejtësisht shtrihet në 4 shtete, (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi), ku dy prej tyre të njohura ndërkombtarisht me popullësi etnike shqipëtare, Shqipërija dhe Kosova. 

Duke pare konfliktet e vazhdueshme Ballkanike mund të themi që shtetet Ballkanike janë mbështetur gjithnjë nga fuqitë e mëdha për të realizuar dominancat e tyre gjeopolitike dhe gjeoekonomike por është e rëndësishme të themi se kur interesat e fuqive të medha kanë qënë konkrete përplasjet e këtyre fuqive kanë qënë të mëdha, sidomos në kohët e sotme ku luftrave ia ka zënë vendin gjeoekonomia e cila është një instrument tepër efikas i vendeve të zhvilluara. 

Me të drejtë lindë pyetja;Si paraqitej ballkani në dy shekujt e fundit?

Vitet 1815-1839,pas Koncertit të Vjenës predominim i perandorisë Otomane dhe asaj Austro-Hungareze.

Deri në vitin 1914, në prag të Luftës së pare Botërore, Turqit ishin tërhequr nga pjesa dërmuese e Ballkanit dhe u zëvendësuan nga fuqitë rivale Europiane kryesisht me mbështetjen e Rusisë ndaj Sërbisë dhe kontrollit Austriak ndaj Bosnjes.

Midis dy luftrave Botërore, nëpërmjet traktatit të Versajës u krijua mbretëria e unifikuar e Sllavëve të Jugut me Serbët dhe Kroatët me kryeqytet Beogradin me dominance Serbe. Kjo ishte një përpjekje për të dominuar Ballkanin nga Sllavët Orthodoskë.

Vitet 1942-1944,Lufta e Dytë Botërore, u evidentua dominanca fashiste me Gjermaninë Naziste dhe Italinë Fashiste. Nje pjes e serbeve, kroateve, rumuneve dhe bullgarëve perkrahen pushtimin ndersa Shqipëria dhe Greqia e luftuan atë.

Vitet 1945 – 1990, periudha e luftës së ftohtë, Ballkani u dominua nga ideologjia dhe sistemi komunist të udhëhequr nga BRSS. Përjashtim bënë Greqia dhe Turqia që ndoqën politika perëndimore si dhe shkëputja dhe hapja ndaj perëndimit e Jugosllavisë.  

Pas 1991, përfundimi i luftes së ftohtë, shpërbërja e Jugosllavisë, luftrat etnike krijimi i shteteve të reja, integrimi i Ballkanit në BE dhe në NATO. Përpjekjet Ruse për të dominuar Ballkanin.

Historikisht fuqitë e mëdha perëndimore kanë patur interesa në Ballkan dhe kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në Gjeopolitikën e Ballkanit.

Në vitin 1878 pas një dominimi të gjatë rus dhe turk, fuqitë e mëdha bënë një ndarje të re të Ballkanit ndërmjet Danubit dhe Egjeut si dhe ndërmjet Adriatikut dhe Detit të Zi. E veçanta e kësaj ndarje ishte njohja ndërkombëtare e principatave të Serbisë dhe Malit të Zi si dhe administrimi i Bosnje-Hercegovinës nga Austro-Hungaria, por një pjesë e territoreve të Ballkanit mbetën nën sundimin Otoman. Pra kishim një ndarje midis ndikimit rus që ishte duke u forcuar dhe atij turk që ishte në perëndim e sipër. 

Kongresi i Berlinit evenimentoi e vërtetoi interesat perëndimore ose të fuqive të mëdha Europiane, (Anglia, Franca dhe Gjermania) në Rajonin e Ballkanit. Në këtë kongres u analizuan krizat Ballkanike duke e kthyer atë në një koncept Ballkanik Europian.

Konferenca e Ambasadorëve e mbajtur në Londër në vitin 1913 ishte edhe kulmi moment më të rëndësishëm dhe më fatëkeqet për shqipëtarët,  ku dolën në pah interesat gjeopolitike Europiane në Ballkan. Vendimet e kësaj konference ndryshuan hartën e Ballkanit madje u njoh edhe shteti i parë shqiptar me një padrejtësi shumë të madhe, duke i cunguar nga një pjesë të mire të territoreve. Tashmë Fuqitë e Mëdha Europiane kishin filluar dominimin e tyre në Ballkan.

Pas luftës së ftohtë Gjeopolitika e Ballkanit do të shoqërohej me ndryshime dhe lëvizje të mëdha positive dhe negative. Padyshim shtetet e fuqishme Europiane e perëndimore ishin iniciuse dhe udhëheqëse të të gjitha këtyre lëvizjeve jo vetë me politikat e tyre por edhe me plane konkrete për ti ofruar vendeve Ballkanike të gjithë ndihmesën e nevojshme për integrimin e tij në BE dhe NATO, ku tashmë më shumë  se gjysma e vendeve të Ballkanit janë antarësuar në BE dhe shumica në NATO-s, dhe pjesa tjetër janë në drejtim të këtyre proçeseve integruese.

Padyshim në këto vjetet e fundit, SHBA kanë luajtur rolin kryesor në zhvillimet Ballkanike. Ndërhyrja e SHBA-ve në konfliktin e Bosnjes nëpërmjet marveshjes së Dejtonit dhe në Luftën e Kosovë tregon se interesat gjeopolitike Amerikane në Ballkan janë thelbësore dhe do të mbeten të tilla për një kohë të gjatë.

Konflikti më problematik në Ballkan është ai serbo-shqiptar, ku gjithmon më të dëmtuarit kanë dale shqipëtarët dhe kjo me bekimin edhe të fuqive të Mëdha Europiane. Zgjidhja e këtij konflikti është histori e diplomacisë Europiane dhe shumë pak asaj Amerikane, sepse vetëm kjo e fundit ka ndikuar në zgjidhjen e problemeve shqipëtare. Pëmendim Lidhjen e Kombeve dhe shpëtimin nga mos coptimi i trojeve shqipëtare dhe Lufta e Kosovë. 

Të gjithë shqipëtarët sot pyesin; A po luhet përsëri nga fuqitë europiane me fatet e një pjese të kombit shqipëtarë (Kosovës)? Nisur nga të gjitha ato që rendita më sipër dhe ato që kanë ndodhur këto muajt e fundit, unë mendoj se po. 

A mbajm një pjesë të fajit edhe vet ne për çka po ndodh? Përsëri unë mendoj se po,  këto do ti analizoj shkurtimisht më poshtë.

Edhe pse gjoja me bekimin Franko-Gjerman dhe të BE, me një gjysëm zëri nga SHBA,  marrëveshja është larg asaj përfundimtare, për sa kohë në krye të Serbisë të jetë Vuçiqi.

Thuhet dhe trumbetohet nga  pjesmarrësit se ka marveshje? Në fakt marrëveshje nuk ka. Në kushtetutat e të dy shteteve thuhet se marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në parlament. Parlamentet  janë jashtë loje sepse nuk kanë çfarë të miratojnë. 

Vuçiqi shkoi në Ohër me synimin e qart  për ta dështuar marrëveshjen dhe mos firmosur atë. Përdori  Kushtetutën e Serbisë dhe u largua pa nënshkruar. Me të mbërritur në Beograd, deklaroi se; Nuk kam nënshkruar asgjë dhe se; “Asociacioni është i rëndësishëm, sepse serbët do të marrin një kornizë institucionale për veprim”. Ndjeka e politikave të njënëshme nga perëndimi, duke toleruar Serbinë për ta larguar nga Rusia, po shërbehen që Vuçiqi të vazhdonte me sukses politikat e tija në dëm të Kosovës. Pa filluar negociatat dhe akoma pa u firmosur ato, Serbia u lejua në terren të kontrollojë situatën në Veri të Mitrovicës, pavarësisht angazhimeve në marrëveshjet e mëparshme. 

Po shqiptarët ku gabuan dhe po gabojn? Kosova hyri në negociata me Serbinë pa e përcaktuar saktë rrugët nga duhet lëvizë për të shkuar tek objektivi final. Për  kauzat e tyre politike dhe elektorale, opozita po sulmuan Kurtin dhe bashkë me të edhe marrëveshjen duke etiketuar Kurtin, si shkaktarin e të gjitha gabimeve. Ajo nuk po angazhohet sa dhe si duhet për të shprehur qëndrimet e tyre, jasht çdo interesi partiak, duke vu mbi gjithëçka, interest e Kosovës. Të gjithë e dim se, marrëveshja nuk është ajo që e dëshiron Kosova, Qeveria, Opozita dhe cilido shqiptar, kudo që jeton. Dje dhe sot të gjithë duhet të shprehen qartazi se a duhet marveshje Kosovë-Serbisë,  kjo marrëveshje a është në të mirë apo në dëm të Kosovës? Nëse është në të mirë? çfarë duhet bërë për ti marrë maksimumin e mundshëm, dhe  nëse jo cila është rruga ligjore e pakontestueshme për ta rrëzuar? Ky duhet të jetë qëndrimi i të gjitha  palëve, në veçanëti i atyre kundër.

Shqiperia me politikën e saj të jashtëme, duke e kthyer dhe afruar atë më tepër me  Beogradin, po e vendos  Kosovën në një pozicion të vështirë. Të dyja së bashku, Kosovë dhe Shqipëri,  duhet të punojn  shumë më tepër dhe të këmbngulin, që Kosova të marrë njohjen ndëkombetare nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur, kjo dhe si shpërblim i pranimit të planit franko-gjerman. Në gjykimin tim, Kosova me ketë marrëveshje ka hapur një shteg për të shkuar drejt një marrëveshje detyruese për Serbinë. Shumë më leht duket që ky shteg të mbyllet sesa të vazhdojë më tej.

Unë mbetem skeptik në gjykimin tim, se pa një ndërhyrje serioze nga ana e SHBA, duke mos e lën gjithçka vetëm në doren e Europianëve, dhe ajo që është më kryesore pa njëanshmëri(duke favorizuar Serbinë siç e kanë bërë gjithmonë dhe po përpiqen ta bëjnë), Kosova dhe kombi ynë do dalin të humbur.

New York Mars 2023

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT