• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2023

MASHTRIMET E KISHËS ORTODOKSE SERBE ME AUTOQEFALINË DHE PASOJAT PËR SHTETIN E KOSOVËS

May 24, 2023 by s p

Nga Jusuf BUXHOVI/

Ngritja e shtetit hegjemon serb nga autonomia në vitin 1830 (në përmasat e pashallëkut të Beogradit) dhe pranimi shtet në Kongresin e Berlinit 1878 e deri te zgjerimi me tokat shqiptare gjatë luftërave Ballkanike 1912-1913, me ç’rast Kosova dhe Maqedonia do t’i njihen Serbisë, u bë mbi “tapitë shpirtërore” të kishës ortodokse serbe dhe mashtrimeve të saj si “pjesë e identitet shpirtëror dhe kulturor serb nga mesjeta e këndej”. Ky mashtrim që ishte pjesë e konceptit sllavo-rus që në pjesën europiane të Perandorisë Osmane të krijojë shtete vasale (Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë), duhej të përcillej me faktorin Kishë Ortodokse Serbe si dhe autoqefalinë e saj nga shekulli XIII e këndej, që si do të shihet, ishte vetëm një autonomi e përkohshme nga Peshkopata e Ohrit (nga viti 1219-1275).

Diskursi i këtij mashtrimi do të vazhdojë për tetë shekuj me radhë, meqë autoqefalia e Kishës Ortodokse Serbe do të fitohet në vitin 1922, pasi që të jetë formuar Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene. Meqë autoqefalia kishtare përherë lidhej me shtetësinë, Kisha Ortodokse serbe, këtë “të drejtë” e fitoi vetëm pas vendimeve të Konferencës së Parisit më 1919 kur u pranua Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene. Këshut, në gusht të vitit 1920, me anën e një delegacioni shtetëror do t’i drejtohet Sinodit të Shenjtë të Patrikanës së Kostandinopojës për unifikimin e tri kishave (të Karllovcit, të Malit të Zi dhe të Mitropolisë së Beogradit) në një kishë të përbashkët, e cila nën ndikimin e Karaxhorxhëviqëve do të quhej Kisha Ortodokse Serbe. Sinodi i Shenjtë, në përputhje me realitetet shtetërore të cilave u nënshtroheshin edhe ato kishtare (autoqefalitë), vendosi të miratojë kërkesën e shtetit SKS me kusht që të paguajë 1,5 milionë franka francezë për lejimin e kishave të Kosovës dhe të Maqedonisë (deri më atëherë nën juridiksionin e Patrikanës së Kostandinopojës) që të përfshihen në kuadër të hierarkisë së Kishës së bashkuar ortodokse serbe. Akti përfundimtarë i kësaj marrëveshjeje do të nënshkruhet në vitin 1922 nga Patriku i Kostandinopojës.

Pra, sipas kësaj marrëveshjej të dokumentuar, nuk ishte fjala për vazhdimësi të “autqefalisë kishtare serbe” nga mesjeta, por që pushtimi ushtaraka i Kosovës dhe Maqedonisë , i pranuar ndërkombëtarisht, së pari të legjitomojë asimilimin e popullatës ortodokse (shqiptare dhe maqedone) në serbë, dhe së dyti, të legjitimojë përvetësimin e krishtërimit ortodoks nga mesjeta e këndej bashkë me objektet e kultit (manastiret dhe kishat) që ishin objekte kulti të përbashkëta.

Meqë ky mashtrim prej tetë shekujsh po vazhdon të prodhojë pasoja politike për shtetin e Kosovës, ngaqë me pakon e Ahtisarit krishterimi ortodoks dhe objektet e kultit kishtar trajtohen si pronësi e Kishës Ortodokse Serbe, me ç’rast shqiptarët, që i kanë takuar krishterimit nga zyrtarizimi i tij në shekullin IV, kur në Ilirik nuk ka pasë sllav, privohen nga një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tyre shpirtërore dhe asaj historike, është e udhës që të sqarohet historia e këtij mashtrimi, në mënyrë që edhe shteti I Kosovës të ruajë të drejtën mbi trashëgimin shpirtërore, kulturore dhe objektet e kultit, si të përbashkëta në rrethanat kur kjo çështje po ndërkombëtarzohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që shteti serb dhe kisha ortodokse vazhdojnë propagandën e tyre të njohur rreth “të drejtës historike

dhe kulturore në Kosovë prej tetë shekujsh”!

Natyrisht se ky mashtrim, me çka synohet që shqiptarët të përjashtohen nga pjesa më e rëndësishme e identitetit të tyre historik-kulturor – nga mesjeta, si qendër e saj në Ilirik, hap edhe çështjen tjetër, atë të Dinastisë së Rashës Nemanjane (me prejardhje tribale) si pjesë e kësaj dihomie kulturore-politike ne të cilën lidhet edhe formula e mashtruese e “shtetit mesjetar serb”, pra të një faktori tjetër, që lidhet me kyçjën e këti despotati nga bërthama historike dardane në kryqëzatat katolike evropiane si dhe shfrytëzimi i tyre bashkë me ato të dobësimit të Bizantit, që u krijoi mundësi për ngritje të fuqishme në Ilirik. Kështu, kur në Kostandinopojë kryqtarët katolikë do të rrënojnë kulturalisht dhe politikisht Bizantin, duke shpallur Perandorinë Katolike në vitin 1204, ndërsa qendra e Bizantit bashkë me kishën ortodokse do të kalojë në Nike, kisha e Rashës në qendrën e saj në Zhiçë, me ndihmën e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë, do të ndihmohet, që me veprime në kundërshtim me kanonet kishtare, për t’u shkëputur njëanshëm nga Peshkopata e Ohrit, në të cilën gjendej nga koha e Simeonit bashkë me të tjerat në pjesën perëndimore të Ilirikut. Kjo gjendje ishte konfirmuar edhe nga perandori i Bizantit Vasili II në vitin 1018. Nga dokumentet e rishkruara dhe të përpunuara të Kishës Ortodokse Serbe nga punëtoria e manastirit të Hilandarit veçmas me anën e “zhitive”(jetëshkrimeve të monahëve kishtarë) që nuk paraqesin tjetër pos një formë të haxhio-grafisë (jetëshkrime fetare), shumë prej tyre të përpunuar dhe të rishkruara në shekujt XVII-XIX në përputhje me qëllimet e caktuara politike, fitohet bindja se e ashtuquajtura Kishë Ortodokse Serbe “pranohet e pavarur” nga Patrikana e Kostandinopojës, pra fiton autoqefalin, ndonëse ajo që kishte ndodhur në Nike, në bazë të dokumenteve meritore, paraqet vetëm një pavarësim të Peshkopatës së Zhiçës nga Peshkopata e Ohrit dhe assesi autoqefali. Pra, në Nike, në rrethanat kur në Kostandinopojë asokohe sundonte Perandoria Latine, kishte ndodhur vetëm një riorganizim i përkohshëm kishtar në pjesën qendrore të Bizantit, si kundërpërgjigje realiteteve të reja të krijuara kur kisha katolike kishte fituar hapësirë të dukshme në këto pjesë dhe kërkonte që të faktorizojë aleatët dhe vasalët perëndimorë: Nemanjajt e Rashës dhe bullgarët. Në këtë drejtim Vatikani punoi me të madhe qe Kisha e Rashës me seli në Zhiçë dhe ajo bullgare të shkëputen nga Kostandinopoja. Natyrisht se edhe kisha e Kostandinopojës e dëbuar nga kryeqendra e vet, asokohe nuk e kishte kundërshtuar “mëvetësimin” e kishës së Rashës me seli në Zhiçë nga ajo e Ohrit, meqë ishte e interesuar që ajo të mos bëhej pre e Vatikanit, veçmas pas kurorëzimit kishtar të Stefan Ne-manjës në vitin 1217 nga Papati. Përkundrazi, si shihet, edhe Patriku i Nikesë, Manojllo, do ta kurorëzojë “mbre rasien” Nemanjën duke e toleruar formalisht krijimin e Peshkopatës së Zhiçës, si të shkëputur nga ajo e Ohrit, por kjo me asnjë dokument nuk u vërtetua se fitoi edhe autoqefali kishtare. Rreth kësaj kemi edhe dëshminë meritore të Dr. Dimitrije Ruvarac, arkimandrit, menaxher i shtypshkronjës së kishave dhe Bibliotekës Patriarkale të Karlovcit të Sremit dhe redaktor i “Srpski Zion”. Ruvarac pohon se “nuk ka dyshim se Sava mori disa privilegje për hierarkinë kishtare rasiene në Nikea, por është e pamundur të identifikohen të gjitha ato me bekimin për një ngjarje kaq të madhe kanonike, siç është krijimi i kishës autoqefale. Me fjalë të tjera, Sava mund të merrte një vetëqeverisje të caktuar nga Kostandinopoja për hierarkinë kishtare, me një listë të përcaktuar qartë të privilegjeve – por jo autoqefali.

Por, pas rrëzimit të Perandorisë Latine më 1261 dhe të rikthimit të Bizantit në Kostandinopojë, vendimet e Nikesë rreth shkëputjes së Peshkopatës së Rashës nga Peshkopata e Ohrit anulohen dhe ajo prapë do t’i kthehet gjendjes që ishte në vitin 1219. Madje, me rastin e rikthimit nën administrimin e Peshkopatës së Ohrit, bashkë me atë bullgare, në Koncilin e Lionit, më 1274, kërkohet falje për këtë “sjelle të pamirë të kishës së Rashës”.

Lajmet më të hershme të suksesit të Savës në fitimin e autonomisë – jo autoqefalisë – erdhën nga biografët e tij (higjiografët). Dhe me një vonesë të madhe. Domentian shkruan për këtë (rreth 1253, kështu që shkrimet e tij u “ripunuan” nga një autor tjetër pas vitit 1290); dhe më pas, të paktën një shekull më vonë (midis 1320 dhe 1330) dhe Teodosi.

Domentian dhe Teodosi lan një konfuzion në takimin në shkrimet e tyre. Njëri prej tyre shkruan për 14 vitet që Sava kaloi si kryepeshkop; kjo do të thoshte, me kushtin që në vitin 1233 (ose 1234) për disa arsye Sava dha dorëheqje nga froni i Kryepeshkopatës së Zhiçës, se ai mund të ishte shuguruar më 1219, dhe pastaj Patriarku Manojlo Sarantin (νοανουήλ Α΄ Σαραντητός ή Χαριτόπουλος).

Sidoqoftë, Domentiani dhe Teodosi janë të aftë për çështjet kishtare, kështu që, megjithëse ata zbukurojnë dukshëm gjëra – për shembull, thuhet gabimisht që Sava erdhi në Kostandinopojë me perandorin bizantin, megjithëse është e verifikueshme që Theodore I Lascaris mbretëroi në Nikea – ata nuk pretendojnë se bëhej fjalë për autoqefali të kishës.

Edhe te kjo çështje, ndërhyrja e dr. Ruvarac, heq mjegullimin e krijuar nga biografët e tij dhe të tjerët që i përpunuan ato. “Deri më tani, asnjë letër nuk është shtypur askund, e cila do të konfirmonte kush dhe kur Shën Savën e shuguroi kryepeshkop dhe mbi çfarë baze. Sepse, po të ishte kështu, atëherë duhej të lëshohej një letër e tillë dhe një akt i tillë i rëndësishëm nuk mund të humbiste. Prandaj, nuk dihet saktësisht se cilin vit, për të mos përmendur muajin dhe ditën, është shuguruar Sava kryepeshkop, siç mungon edhe emri i patriarkut që e bëri atë”.

Ato që thotë dr. Ruvarac, mbështetet nga qëndrimet e Dr. Janko Shafarik, i cili u mor shumë me këtë çështje. Shafariku paraqiti një raport mbi rezultatet e hulumtimit të tij në arkivat e Kostandinopojës, botuar më 1855 në Beograd. Për atë që gjeti në Kostandinopojë, Shafarik shkruan:

“Ne nuk mund të dokumentojmë asnjë veprim me anë të të cilit Shën Sava u bë një kryepeshkop i pavarur. Madje, asnjë veprim tjetër i ngjashëm, nuk është gjetur deri më sot!”.

Edhe historiani i kishës serbe, Svetozar Niketiq, qysh më 1870 vlerëson se “Megjithëse kisha serbe ka qenë ajo që e konsideroi Sava si të pavarur, përsëri kryepeshkopët e saj, të zgjedhur nga asambleja e hierarkëve, u përcaktuan në atë titull nga patriarku i Kostandinopojës”. Por Niketiq, thotë se, falë Savës, u fitua e drejta për të shuguruar peshkopët e tyre vetë në të ardhmen, por ata mbetën nën ohforionin e Kostandinopojës, praktikë kjo që përkohësisht do të ndërpritet nga Stefan Dushani. S’do mend, se e drejta për të shuguruar peshkopët e tyre në të ardhmen, që si përvojë u shfrytëzua gjatë dy shekujve të ardhshëm në hapësirat kah Nemanjajt shtrinë pushtetin, u shfrytëzuar për t’u “promovua” autoqefalia. Kisha Ortodokse Serbe retushoi në këtë frymë thuajse të gjitha dokumentet kishtare që erdhën nga punëtoritë e Hilandarit. Ky fakt i dokumentueshëm, ka rëndësi, meqë e liron historiografinë shqiptare nga diktati i këtyre mashtrimeve dhe falsifikimeve, që vazhdojnë të citohen prej saj.

Në të vërtetës, ky veprim, nuk anashkalohet as nga disa autorë objektivë serbë (ndër të cilët duhet dalluar Ilarion Ruvarac). Aty, me të drejtë, shihen edhe prapaskenat e Vatikanit, që asokohe luheshin në kurriz të Patrikanës së Kostandinopojës me rastin e pushtimit të kryeqytetit të Bizantit nga katolikët, në vitin 1204 që zgjati deri në vitin 1261, kur aty u kthye Perandori bashkë me suitën e klerikëve nga Nikea. Në këtë vënerim, gjithsesi, rolin kryesor kishte veprimi i Peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian (Demetros Chomateros), që sapo të përhapet lajmi nga Nikea, nxori mallkimin drejtuar Arhimandrit Sava të Rashës. Në letrën drejtuar Patrikut ortodoks në Nike thotë se Sava nuk e ka të drejtën të shkëputet nga Peshkopata e Ohrit, meqë kjo nuk lejohet nga kanoni i rregullit apostolik.

Letrat e peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian, do të mbesin një zë i shurdhër për mbi gjysmë shekulli, deri sa do të bjerë Perandoria latine e Kostandinopojës në vitin 1261. Bizanti sapo u kthye në kryeqytet e me të edhe qendër e Patrikanës Ortodokse, u kthye edhe rregulli i dikurshëm kishtar. Ky veprim ishte përcjellë me “miratim” edhe nga Vatikani, ngaqë ishte kthyer “normaliteti” midis dy qendrave botërore që thirreshin në të njëjtën perandori, e cila asokohe ndodhej përballë kërcënimeve osmane. Në kuadër të këtyre raporteve, për Patrikanën e Kostandinopojës me interes të madh shfaqej edhe rikthimi i fuqisë së humbur kishtare të Peshkopatës së Ohrit, me rastin e shkëputjes së njëanshme prej saj të Ipeshkvisë së Rashës dhe asaj bullgare, të cilat aktronin autoqefalin. Në këtë aspekt letrave të Homatianit do t’u hiqet pluhuri i kohës dhe madje, do t’u jepet përgjigje e drejtë, me atë që në Koncilin e Lionit do të thuhet se në Nikea ishte shkelë kanoni apostolik dhe se Peshkopatës së Ohrit i ktheheshin Ipeshkvia e Rashës dhe ajo bullgare. Natyrisht se këtij vendimi i parapriu dekreti i Perandorit Mihali VIII, me të cilin Peshkopatës së Ohrit i kthehej juridiksioni mbi Ipeshkvinë e Rashës dhe atë bullgare në përputhje me dekretin që kishte shpallur në fillim të shekullit XI Perandori Bazili II. Anulimi i pavarësisë së peshkopatës së Rashës, qendra e së cilës kishte kaluar në manastirin e Zhiqes, që në historinë kishtare të Kishës Ortodokse Serbe quhej autoqefali, kërkonte edhe largimin e peshkopit Danilo nga ajo pozitë. Kjo do të bëhet në vitin 1272.

Filed Under: Politike

Zjarr dhe kohë

May 24, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Në vitin 334 pes, Aleksandri u nis për të pushtuar botën. Ai mori me vete historianë dhe gjeografë për të dokumentuar dhe përhapur fjalën për shoqëritë dhe kulturat e ndryshme që hasën ndërsa luftonin në rrugën e tyre nga Maqedonia në perëndim, deri në Indi në lindje. Pas vdekjes së tij të parakohshme në vitin 323 pes, pushtimet e Aleksandrit ndihmuan në fillimin e një epoke të re në historinë e lashtë të quajtur Helenizëm. Helenizmi është rezultat i përzierjes së kulturës greko-maqedonase me shoqëritë e Afrikës së Veriut, Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Indisë; përcaktohet nga shprehjet artistike të gjalla, horizonte të zgjeruara filozofike dhe një kërkim i vazhdueshëm për njohuri të reja. Asnjë institucion tjetër nuk e ilustron më mirë frymën e helenizmit sesa biblioteka e lashtë e Aleksandrisë.

Zjarri në bibliotekën e Aleksandrisë, Egjip, zgjati 6 muaj. Të gjithë librat, rreth 700 mijë, u dogjën. Mes historianëve, ka që thonë se ky është një mit i krijuar kohë më vonë nga një prift, i cili shkruante pa iu referuar dokumentave historikë. Edward Gibbon thotë se djegja e Bibliotekës është një mit i sajuar për të ngarkuar me faj myslimanët:

“…u dogj aksidentalisht nga trupat e Jul Cezarit; pushoi së ekzistuari në vitet 40 pes; dhe u ringjall në epokën e Perandorisë romake, kur islamizmi ende s’kishte lindur”.

Ideja e një biblioteke universale në Aleksandri iu propozua Ptolemeut nga Demetrius i Falerimit, burrë shteti, i mërguar në Aleksandri. Demetrius ishte nga Himera, qytet-koloni e rëndësishëm në bregun verior të Siçilisë, prane lumit me të njëjtin emër (Imera), në komunën Termini Imerese. Por punimet për ndërtimin e Bibliotekës nuk filluan deri në kohën e mbretërimit të Ptolemeut II rreth vitit 250 pes.

Pavarësisht besimit të shumicës se Biblioteka e Aleksandrisë u dogj dhe u shkatërrua në mënyrë kataklizmike, ky nuk është fakt; Biblioteka ra gradualisht gjatë disa shekujve, kryesisht për mungesë fondesh ose kur injorantët u bënë zyrtarë dhe interesi për librat nuk ishte i dukshëm. Kjo rënie filloi me spastrimin e intelektualëve gjatë mbretërimit të Ptolemeut VIII, që u karakterizua nga konflikte të ashpra politike e ushtarake mes vëllezërve dhe motrave për trashëgimin e fronit. Si rezultat i ndërhyrjes romake, Ptolemeut VIII iu dha kontrolli i Syrenës, pranë Qipros. Më 145 pes, ai u kthye në Egjipt, por trajtimi mizor që bënte i opozitës dhe vendimi i tij për t’u martuar me mbesën për t’u bërë faraon, çoi në luftë civile. Gjatë kësaj lufte, egjiptianët vendas u promovuan për herë të parë në nivelet më të larta të qeverisë. Ptolemeu VIII doli fitimtar dhe sundoi derisa vdiq në vitin 116 pes. Burimet e lashta flasin jashtëzakonisht keq për të, duke e quajtur mizor, fodull dhe të degjeneruar, Historianët e cilësojnë si “një nga politikanët më brutal të dinastisë 300 vjeçare ptolemiane

Gjithësesi, prodhimi i jashtëzakonshëm shkencor i Didymus rreth viteve 20 pes dëshmon se Biblioteka ekzistonte – nuk ishte rrënuar – pasi kishte akses në shumë prej burimeve të saj. Didymu njjihej në Aleksandri si autor i rreth 5 mijë librave dhe konsiderohej “Biblietekë lëvizëse”.

Gjatë shekujve të ardhëm, Biblioteka e Aleksandrisë u shkatërua e u rindërtua shumë herë. Por asnjë skroll nuk ka mbijetuar, megjithëse ka mundësi që disa të ekzistojnë. Koleksioni i bibliotekës, vendndodhjet e materialeve të humbura dhe institucionet e lidhura me të u dëmtuan qëllimisht disa herë, çka do të thotë se rrotullat do të jenë djegur, plaçkitur, përmbytur ose shpërndarë me kalimin e kohës. Forcat pagane, greke të krishtera dhe myslimane arabe kontribuan në këtë shkatërrim.

Ideja e ringjalljes së bibliotekës së vjetër daton në vitin 1974 kur një komitet i ngritur nga Universiteti i Aleksandrisë zgjodhi një parcelë toke për bibliotekën e re; puna e ndërtimit filloi në vitin 1995; dhe kompleksi u përurua zyrtarisht në tetor 2002. Në vitin 2009, biblioteka Bibliotheca Alexandrina (latinisht “Biblioteka e Aleksandrisë”), mori një donacion prej 500,000 librash nga Biblioteka Kombëtare e Francës (BnF). Kjo dhuratë e bën Bibliotheca Alexandrina, bibliotekën e gjashtë më të madhe frankofone në botë dhe Biotekën më të madhe dixhitare. B.A. ka rafte për të nxënë rreth 8 milionë libra, por me fondet e tanishme (kryesisht donacione) do të duhen 80 vjet për t’i mbushur.

Photo by: https://www.imago-images.de/search?archiv=on…

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Gjurme shqiptare ne Bukuresht…

May 24, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kisha e Shen Nikolles ne Bukuresht, nje kishe e ndertuar perbri nje kishe te drunjte qe nga shekulli XVII, nga Dinastia Branceavanu dhe restauruar nga Grigore Gjika IV ne 1825. Më 1908 shqiptarët e Bukureshtit të udhëhequr nga Nikolla Naço mundën të hapnin një kishë për shqiptarët. Anëtarët e kolonisë mblodhën fonde për ndërtesën e kishës dhe për pagesën e meshtarit. Si kishë u zgjodh Shën Gjergji i Vjetër, ndërsa si meshtar caktuan atë Harallamb Çalamanin. Gjithashtu me fondet e grumbulluara u ble një organo dhe u sigurua pagesa e drejtuesit të korit të kishës, që ishte një nga muzikantët e njohur prof. Kiriak. Ngjarje e shënuar ishte mesha e parë në gjuhën shqipe më 1908, ku pa dyshim kori kishtar i kolonisë shqiptare të Bukureshtit ishte pjesë e saj. Shqiptarët e Bukureshtit kishin korin kishtar dhe kishin marrë me qera një sallë që bënin provat. Përveç këngëve patriotike shqiptare, kori mësoi edhe himnin e Rumanisë, i cili titullohej “Mbi flamurin tonë”. Shqiptarët e Rumanisë të entuziazmuar prej këtij himni iu lutën Asdrenit që t’i përshtaste vargjet në gjuhën shqipe. Asdreni përshtati fjalët shqipe sipas melodisë së himnit rumun dhe tekstin e titulloi “Betimi mbi flamur”. Ky himn u popullarizua shumë tek shqiptarët e Bukureshtit dhe mbërriti në atdhe me anën e Tashko Ilos dhe Hilë Mosit. Këta të fundit sollën partiturat e himnit në Korçë dhe më pas e përhapën në gjithë Shqipërinë. Hilë Mosi, i cili kishte prirje për muzikë bëri përshtatjen e himnit në gjuhën shqipe sipas muzikës rumune. Ky himn ka shoqëruar ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor të vitit 1912.

Kjo kishe ka qene Kisha Ortodokse e komunitetit shqiptar nga 1911-1945. Ketu meshoi per here te pare ne shqip Fan Noli dhe mblidheshin te gjithe personalitet shqiptare te Bukureshtit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dorian Koci

POEZI NGA ARJANA FETAHU GABA

May 23, 2023 by s p

I dashur gjysma ime!

I dashur gjysma ime më e mirë,

Çerek shekulli i mbushëm sot në kalendar,

Dy të panjohur në të njëjtin stacion,

Dy bashkëudhëtar.

U nisëm dhe udhës jemi ende,

Me mijëra te panjohura ky destinacion,

Ç’do lufte e fitore ka qene e vertete,

Me lot, të qeshura e plot emocion.

Ti s’me ke dëgjuar sa herë të dua kam thënë,

Dhe më shumë kur kemi qënë hidhëruar,

Ti ndoshta se di se botën time,

Ti e ke në duar.

Dhe kur të dy mbajmë mëri prej fëmije,

Për gjëra të vogla që s’kanë fare vlerë,

Unë qaj nën zë se jam grua e rritur,

Dhe fshihem shpesh pa u ndjerë.

Ç’do gjë që lëviz në kohën time,

Ndalon kur ti s’më thua një fjalë,

Heshtin gjethet nga fëshferimat,

As deti s’ka valë.

As zogjtë s’më çojnë në tjetër gjëndje,

Dhe unë nuk dua që dimrit ti ngjaj,

Për një buzëqeshje ka nevojë zemra ime,

Po fol që dreqi ta hajë.

Ndaj jetën e kam ndarë me ty,

Dhe shpirtin tim jo më pak,

Unë e ti jemi nga ato dashuritë,

Që s’digjen asnjëherë nëpër flakë.

Mos u afro në portën time

As hapat mos i sill në portën time,

Mos bë gabim e më troket,

Ikja ta dish më shumë se ardhja,

Të vret!!

Mos u afro se ta njoh hijen,

Dhe frymëmarrjen ty ta njoh,

Më kanë mbaruar gjithë dëshirat,

E s’dua të të shoh.

Prapa derës ku kërkon të hysh,

Nuk jam ajo që vrave ti,

Unë s’jam buzëqeshja e sajuar,

As dhe jotja mbretëri.

Në do ta dish sa ike ti,

Qershija sythat e brishtë I nxorri,

Në vend të lotit ka rënë pak shi,

Për trëndafilat e oborrit.

Dhe një këshillë në emër të asaj,

Që dikur ne të vyer kishim,

Mos mu afro se s’ka më vlerë,

Ne s’jemi më ata që ishim.

S’më zë gjumi nëna ime

S’më zë gjumi nëna ime,

Eh si unë mund të fle,

Trupin e nde në shtratin tim,

Por mëndjen tek ty ,atje.

Valixhen e mblodha një muaj të shkuar,

Nuk harrova të marr as ilaçet e tua,

E di që dhe ti s’ke gjumë nëno,

Dhe pse asnjëherë s’më thua.

Të voglin do ta marre me vete,

I gëzuar të takoj gjyshen e tij,

Ndërsa unë kthehem në një më e vogël,

Që pret ditën sa më shpejt të vij.

Ai se njeh mungesën e nënës,

Dhe unë s’kam sesi t’ja tregoj,

Ka çaste kur të voglin se marr me vete,

Por mungesa jote s’është njësoj.

Shpesh kur më shtrëngojnë lotët,

Ja fsheh fytyrën djalit,

Ato janë aq të rëndë nëno,

Ja kajojnë dhe malit.

Bileta pret mbi tavolinë,

S’di pse ditët ngurojnë nëpër fletë,

Shpirti më hidhet si zog I drobitur,

Me një cicërimë që gulçet .

Valixhen e mblodha një muaj të shkuar,

Dhe shpirtin me frymë e kam po aty,

Të të puth pak ballin plot rrudha,

Të çmall ata sy.

MË PREMTO

Më premto, si dielli i kthehet prap tokës e ngroh,

Më premto, si dallga buzës së detit, sërisht shkumbon,

Më premto, që ti kthehesh përgjithmon tek unë,

Të lutem i dashur, më premto.

Më premto, si lulja e çel gonxhen e saj, motin tjetër,

Si koha ndjek kohën në çdo sekondë më premto,

Më premto, që ti s’me lë nëpër ëndrra që i harron në mëngjes,

Më premto i dashur, më premto.

Më premto, dhe mbaje në shpirt, sikur fishekun e fundit,

Sikur aty, të varej jeta jote, në je ai burrë që unë njoh,

Kthehu, që zemra të bind mendjen për zgjedhjen time,

Më premto i dashur, më premto.

Se, nëse ndryshe,

As diell, as qiell,

E as tokë,

S’do mundem,

T’u gëzohem.

AI DHE VAJZA

Do të doja të gjëndesha mes resh

Për mos parë atë me një tjetër në krahë

Zemra m’u drodh si të jesh mes rrufesh

Bota m’rrëshkiti në copëza m’u nda.

Ajo dukej e çelur në karahët e tij

E pashë disi vjedhurazi pa u kuptuar

Ndërkohë u mundova lotët të fshij

Sa keq që më kishte harruar.

Ai m’u duk I huaj si jo nga ky planet

Ndaj në shpirt provova tjetër ndjesi

Padyshim zhgënjimi der në asht të vret

Jo kjo s’mund të jetë aspak dashuri.

U zhburrërua në çast para meje ai

Kuptova arsyen që ishte larguar,

E shtangur mbeta gjithësesi

Si një trup pa shpirt e i shuar.

Vetëm qielli ishte I qartë atë ditë

Unë s’kuptova si ndarja të jetë kaq e thjeshtë

Kurajo I dhashë vetes kokën ngrita lart

Dhe eca rrugës tjetër me lot si një vjeshtë.

Lamtumire..

Mos me prit neser,

pasneser,

as dhe të dielë mos më prit,

as në këtë,

e as në atë vit…

Ti mbetesh për mua,

i vyeri mik,

e unë,

e largëta dritë….

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ARJANA FETAHU GABA

Inva Mula Wants to See You at the Town Hall Theater Wednesday Night

May 23, 2023 by s p

We are looking forward to seeing you on Wednesday. You can purchase tickets here, but we also have a special discount for all organizations that buy ten or more tickets.

If you would like a free ticket, it’s as EASY as 1-2-3 and will take 5 minutes. All you have to do is organize a group of ten or more people and you will get a free ticket, and everyone in your group will not pay Ticketmaster fees.

Faleminderit shume and we hope to see you for a great concert with Inva and Genc and the Florent Boshnjaku Band. You can watch this 30-second video to get ready. Gjithe te mirat.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT