• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2023

Drakula dhe Interpretimi i Shkëlqyer i Balerinit Shqiptar Klevis Tafaj në New York

May 23, 2023 by s p

Ditën e Shtunë me datën 20 Maj, 2023, në Manhattan, New York, u shfaq Baleti Drakula nga balerinët e teatrit Ajkun të qytetit të New Yorkut, me koreografi dhe libret të drejtueses së këtij teatri znj. Chiara Ajkun. Në rolin kryesor të shfaqjes ishte balerini i talentuar dhe i mirënjohur i New York-ut, Klevis Tafaj.

Në këtë shfaqje morën pjesë shumë qytetarë të qytetit të New York-ut, profesionistë të artit dhe kulturës, anëtarë të shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skendërbej” Inc., si edhe bashkëkombas të balerinit të famshëm Shqiptar.

Bisedat e zhvilluara para shfaqjes, mes grupmoshave të ndryshme në Hall-in e Teatrit, ishin tepër të këndshme! Të pranishmit, shkëmbyen informacione të ndryshme rreth artit, historisë dhe kulturës. Tematikat dhe informacionet interesante, i afruan ata mes njeri-tjetrin. Trokëllimat e gotave të shampanjës në hyrje të sallës , ishin dëshmi kënaqësie e bisedave të përbashkëta, symbol mikpritës i organizuesve të këtij teatri për artdashësit e qytetit.

Shkalla më e lartë e kulturës së një shoqërie, lidhet ngushtë me kryeveprat e muzikës klasike, operat, baletin , letërsinë klasike, veprat historike të artit apo skulpturat. Baleti Ajkun, me balerinët e saj dhe legjendën e Drakulës lidhi natyrshëm historinë me artin klasik dhe e solli atë në skenë prej thellësive të shekullit të 15-të. Kjo histori u transmetua përmes viteve nga brezat dhe nëpërmjet përmbledhjeve të tregimeve rumune, gjermane si edhe ato ruse.

Grupi i baletit u përfaqësua nga balerini Klevis Tafaj,(në rolin kryesor të Drakulës), kolegët e tij, Momoko Burbine ( në rolin e Minës), Welton Lucena (në rolin e Mehmetit), Risa Takeshima( në rolin e shërbëtores), Beiley Smith (në rolin e Omen-it) , Simon Kazantsev (në rolin e Emir-it), Emma Maksuti dhe Amantia Karaj ( në rolin e fëmijeve te Vlad-it) si edhe te tjerë balerinë si: Eliska Bouzkova, Bianca Delli Priscoli, Storm Ide, Areum Jeong, Abbi Johnson, Angelina Matteliano, Eureka Nakano Grimes, Ella Smart, Arisu Torii, Luana de Silva, dhe Camille Parker.

Historia e Drakulës

Vladimir Drakula III (1431-1476) i Transilvanise (Rumania), lindi në një familje fisnike. Ai pas emërimit të babait të tij në rendin e dragojve u mbiquajt Drakula (Biri i Dragoit). Drakula u rrit në oborrin Osman si një udhëheqes ushtarak dhe luftëtar i aftë. Drakula u rrëmbye në moshën 13 vjecare nga familja e tij. Ai u mbajt si peng politik nga turqit. Vlad, nuk ishte aspak i kënaqur nga turqit për shkak të praktikës osmane. Ai ishte në kundërshtim të plotë me praktikën e marrjes së fëmijëve nga nënshtetas të tjerë, për ti siguruar mbështetjen Perandorisë Osmane.

Drakula, u mundua të rifitonte fronin e babait të tij. Ai u kthye në një princ të rreptë , i cili mbronte popullin e tij nga agresioni i huaj. Drakula u kthye në mbrojtje të së drejtave të njeriut kundër shtypjes së djemve (fëmijëve) nga Perandoria Osmane. Historia e tij, analogjia, n’a kujton historinë tragjike të famijes fisnike Shqiptare të Kastriotit, së cilës, iu morën peng katër djemtë, e midis tyre edhe Gjergji i vogël 9 vjeçar, pra Skenderbeu. Skenderbeu u kthye në një model rezistence kundër Perandorisë Osmane sikurse edhe Drakula.

Me vone, Drakulës i duhej të shkonte në fushën e betejës Gruaja e tij Mina, mirëpret një shërbëtore të re (kjo spiune Osmane) duke mbetur e vetme. Drakula përballet me Sulltan Mehmetin dhe ushtrite e tij. Ai lufton për të ndaluar pushtimin e Ballkanit.

Në Vitin 1459, Sulltan Osmani Mehmeti II, u mundua të nxiste Drakulën të paguante një haraç të vonuar prej 10,000 dukatesh . Vlad, refuzoi të paguante atë dhe ai vuri në shtyllë mbi 23,000 turq.

Më pas, Mehmeti, ngriti një ushtri të madhe me qëllim që të pushtonte Vllahinë dhe të aneksonte atë brenda perandorisë se tij. Drakula vret Emirin, të dërguarin e Mehmetit, i cili vjen të bejë negociata me të. Emiri, para këtij akti, ekspozon shërbetoren e gruas se tij, si të dërguarën e Sulltanit. Mina vuan papritmas dhe vdekja e saj e bën Drakulën të vrasë të dërguarin e Sulltanit.

Legjenda dhe mitet frymëzuan znj.Chiara Ajkun të krijonte këtë balet origjinal të quajtur Drakula, një histori realiste e princit Vlad Dracul III, djalit te tij(Dragoit), gruas së tij , dhe armikut, Sulltan Mehmet II, si pushtues. Chiara punoi për koreografine dhe muzikën e baletit. Në qendër të skenës ishin lëvizjet plot emocion të kërcimtarëve si edhe muzika tipike lindore e përzgjedhur prej saj.

Në fund të shfaqjes spektatorët u ftuan të takohen me balerinët. Ata ndanë emocionet e shfaqjes, i përshëndetën për punën e kualifikuar dhe talentin e tyre.

Grupit të baletit i urojmë suksese të mëtejshme, po ashtu edhe balerinit tone te famshëm, Klevis Tafaj!

20 Maj, 2023

Manhattan , New York

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej”Inc.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Klevis Tafaj

PANAIRI DHE REVOLTAT…

May 23, 2023 by s p

Visar Zhiti/

Ndërsa Panairi i Librit 2023 në Torino është në ditën e tij të fundit gëzimplote, në atdhe po përkujtohet 50 vjetori i revoltës në burgun e tmerrshëm të Spaçit, që pas 11 vjetësh ndodhi dhe në burgun po aq të tmerrshëm të Qafë Barit, të vetmet revolta politike në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste…

Shqipëria këtë vit në Panairin e Torinos është e Ftuara e Nderit, po ç‘libra ka dërguar për t’u nderuar që dëshmojnë me art qëndresën, përballjen me të keqen dhe dhunën e saj, por dhe genocidin në luftën e Kosovës? Botime të tilla nga ata që kanë qenë vetë burgjeve e internimeve e janë përndjekur e kanë luftuar, tashmë ka, madje dhe janë përkthyer në gjuhë të tjera e vlerësuar lart…

Shtëpia Botuese “Besa” në Itali, protagoniste në këtë panair, botoi së fundmi dhe burgologjinë “Sulle strade dell’inferno”, (“Rrugët e ferrit”), romani i Spaçit, sipas tyre, – po ku mund ta gjejmë, ku përurohet, a është? – më shkruajnë të njohur e të panjohur, – çfarë përkujton në Panair e “Ftuara e Nderit”, Shqipëria sot? –

Ne jemi ajo që kujtojmë, thoshte poeti i madh italian, Mario Luzi.

Por me cilën kujtesë jemi ne, të persekutorëve apo të të persekutuarve?

Me kujtesën e Shqipërisë. Dhe Shqipëria të mos harrojë se “Panairi i Torinos” së pari ishte në ëndrrën e atyre që përndiqeshin, dua të them liria dhe demokracia, hapja drejt Europës dhe Perëndimit, prandaj të mos vidhen ëndrrat nga një pjesë në dëm të pjesës tjetër, pra, të Shqipërisë, por t’i bëjmë realitet të bukur, të përbashkët… dhe të mos harrojmë…

Filed Under: Kulture

VATRA PËRKUJTON 50 VJETORIN E REVOLTËS SË SPAÇIT

May 23, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 50 vjetorit të Revoltës së Spaçit, ditën e Shtunë më datë 27 Maj 2023 ora 11 A.M. në Selinë Qëndrore të Vatrës me adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458, do të organizojë promovimin e librit: “Përtej Harrimit, Abdulla Rami” nga auditoret franceze në terrin e diktaturës, shkruar nga Ermira Xhomaqi-Godo.

Referojnë:

Ph.D. Ines Angeli Murzaku – Professor of Religion at Seton Hall University in New Jersey, Director of Catholic Studies Program and the Founding Chair of the Department of Catholic Studies at Seton Hall University.

Rafaela Prifti – Gazetare

Valdete Cenalia(Dida) -Studiuese

Jozef Radi -Studiues

Ermira Xhomaqi-Godo -Autore, Përkthyese, Studiuese.

Libri i kushtohet vuajtjeve dhe persekutimit në regjimin komunist shqiptar të Intelektualit

Abdulla Ramit, përkthyesit të Hygoit, ish -liceistit të Korçës, në një klasë me diktatorin Hoxha dhe bashkëstudent në Montpellier të Francës.

Abdulla Rami si antikomunist vuajti 19 vite në burgjet e diktaturës, në ferrin e Burrelit dhe vdiq në internim. Në këtë promovim do flitet për rëndësinë e Revoltës së Spaçit dhe për vlerat e librit të përkthyer nga Abdulla Rami “William Shakespeare” të autorit Victor Hugo.

Ftohet komuniteti dhe media të marrë pjesë.

Filed Under: Vatra

Jashar Erebara, mbrojtës i interesave kombëtare; në kuadër të 70-vjetorit të vdekjes

May 23, 2023 by s p

Nga Najada Velçani/

Jashar Erebara hyri në jetën politike shqiptare në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e e parë të shekullit XX. Lindi në qytetin e Podjevës, në LLap më 1872, ku kaloi vitet e para të fëmijërisë. Babai i tij quhej Sadik Fejzullahu, i cili punonte në ushtrinë turke si nëpunës i postë-telegrafit.

Pas vdekjes së të atit për të u kujdes e ëma. Në vitin 1877 zhvendosen në Mostar, ku Jashari ishte pesë vjeç. Babai i tij filloj punë në zyrën e Postë-Telegrafisë së Mostarit (sot në Bosnje-Hercegovinë), ku më vonë u emërua në postin e zëvëndësdrejtorit të postës. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), Serbia fitoi pavarësinë dhe me këtë Mostari iu bashkua Serbisë. I gjendur në këtë situatë familja Fejzullahu shpërngulen në Dibër ku u strehuan fillimisht në xhaminë e Bajram Beut. Mësimet e para Jashar Erebara i mori në shkollën fillore turke të Dibrës ku ishte i detyruar të mësonte gjuhën turke. Gjithashtu ai mësoi dhe gjuhën shqipe që e dëshironte aq shumë. Mësuesi i parë që i mësoi gjuhën shqipe ishte Said Najdeni.

Babai i vdiq në mal si i përndjekur, mamaja dhe e motra i vdiqën nga turbekulozi, ndërsa i vëllai Zeneli emigroi dhe nuk dihet asgjë për atë. Me vdekjen e familjarëve ai u strehua te familja Erebara në Dibër. Më pas Erebara braktis Dibrën dhe vendoset në Manastir ku mbaroi gjimnazin. Në vitin 1892, ai u regjistrua në shkollën normale të Bukureshtit ku u përgatit për profesionin e mësuesit. Ai punoi në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe për realizimin e këtij qëllimi filloi si publicist në gazetat rumune “Avdenit”, “Dropetul” dhe “Lassa”’.

Në vitin 1899 ka nënshkruar një dokument “Në emër të kombit shqiptar” nga atdhetarët shqiptarë të Bukureshtit, të cilët bënin pjesë në rrethin e studentëve për gjendjen e shkollave dhe të arsimit.

Në vitet 1902-1906 ka udhëhequr gazetën “Albania” të Beogradit ku shquhet për shkrimet e tij analitike. Në këtë gazetë ai pasqyronte frymën demokratike dhe përparimtare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Më pas ai vendoset në Kumanovë ku themeloi klubin e tij “Klubi shqiptar i Kumanovës”. Jashar Erebara, si njohës i mirë i arsmit dhe i gjuhës hapi shkollën e parë shqipe. Më 1911 hartoi abetaren e Kumanovës, të njohur me emrin Abece-ja e Jashar Erebarës, e cila u shpërnda edhe në Kosovë. Në vitet 1911-1912 Erebara nxorri gazetën “Shkupi” e cila ishte gazeta e parë në trevat e Kosovës dhe Maqedonisë.

Jashar Erebara pati shumë bashkëpunime me personalitetet e njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare, si: Nikolla Naço, Mihal Grameno, Mit’hat Frashëri, Mitrush Kuteli, Hilë Mosi, Çerçiz Topulli etj.. Ai zhvilloi veprimtari të ndryshme atdhetare si me çështjen e shkollave dhe të arsimit, në hapjen e shumë shkollave në Maqedoni dhe në Kosovë.

Në vitin 1913 Jashar Erebara vendoset në Vlorë, në qeverinë e Ismail Qemalit ku dha një kontribut të madh në vendosjen e pushtetit demokratik në Shqipëri. Në 1914 Erebara vendoset në Durrës, në kohën e qeverisë së Durrësit. Më 1914-1915, ai së bashku me disa atdhetarë të tjerë shkuan në Vjenë për të penguar copëtimin e trojeve shqiptare. Më 1916 kthehet në Prishtinë në postin e Komisiariatit Qeveritar pranë Bashkisë së Prishtinës. Synimi i tij ishte hapja e shkollave shqipe dhe librarive në gjithë territorin e Kosovës. Organizoi disa kurse për mësimin e gjuhës shqipe. Për këto aktivitete që ai zhvilloi e internuan në Karllovc për 18 muaj.

Më 1918, pasi kreu internimin, u kthye përsëri në Kosovë ku u takua me Bajram Currin i cili ishte kryetar i “Komitetit të Kosovës”. Bajram Curri e vendosi Erebarën sekretar të këtij Komiteti. Mbas dy vitesh që qëndroi në Kosovë, në vitin 1920 u kthye në Shqipëri ku u angazhua në politikë dhe arsim. Në vitin 1921 ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe anëtar i shoqatës “Djelmëria Dibrane” të muhaxhirëve të ardhur nga Dibra. Ai u përpoq shumë që t’i ndihmonte dibranët duke ju siguruar kushtet elementare të jetesës.

Jashar Erebara ishte një personalitet i shquar. Në vitin 1939 u bë deputet i Dibrës në Parlamentin Shqiptar. Ai ishte njohës i mirë i problemeve të ekonomisë gjë që ndihmoi në rimëkëmbjen e saj pasi Shqipëria ishte në një nivel të ulët ekonomik. Gjatë kohës që ishte deputet u përpoq shumë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në vitin 1940 Jashar Erebara doli në pension. Gjatë kësaj kohe u angazhua në shoqata të shumta.

Viti 1945 shënon një kthesë të errët për jetën e tij. Për 8 vjet, saktësisht përgjatë viteve 1945-1953, atij i bëhen padrejtësi duke e përndjekur politikisht dhe ekonomikisht. E gjithë pasuria iu sekuestrua dhe, duke qënë në këto rrethana, pasuria e tij e vetme që ishin librat dhe dokumentet me vlerë që ai i ruante me fanatizëm u detyrua t’i shiste. Kjo ishte humbja më kolosale që ai pati. Pas shumë kërkesash që ai bëri për të vendosur drejtësinë e tij, më 3 prill të vitit 1946 fitoi të drejtën e një shpërblimi patriotik mujor e cila zgjati vetëm një vit. Jashar Erebarën e akuzonin se ka qënë deputet në regjimin e Zogut dhe për këtë arsye e sulmonin. Pas shumë peripecirash që kaloi, që nga nxjerrja me dhumë nga shtëpia, shpërngulja në Berat, vendosja e një pesioni prej 11.13 lekësh e cila nuk i zgjati as një vit. Jashar Erebara u nda nga jeta më 24 qershor 1953.

Filed Under: Kronike Tagged With: jashar erebara, najada velcani

Ku ndodhet Itaka?

May 23, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Shumë studiues kanë vënë re se gjeografia e ishullit Itakë, përshkruar nga Homeri, nuk është plotësisht në përputhje me Itakën e ditëve të sotme. Në studimet e tyre thuhet se Homeri bën gabime gjeografike kur përshkruan peizazhin e një ishulli të cilin nuk e kishte vizituar kurrë personalisht (Homeri ka jetuar në Azinë e vogël). Kjo i kundërvihet idesë, se Ithaka e Homerit është i njëjti ishull i njohur sot në greqisht si Ithaki. Ky identifikim deri diku pranohet. Megjithse, edhe ide të tjera nuk janë të padiskutueshme.

Shumë studiues, të lashtë e të kohës, thonë se gjeografia e ishullit të përshkruar nga Homeri nuk është e njëjtë me Ithaki e sotëm.

Straboni, i konsideruar si babai i gjeografisë, ishte grek nga Azia e Vogël. Në vitin 20, kur Roma sapo ishte bërë Perandori, Straboni, duke u mbështetur në burimet e lashta të viteve p.e.s, tha se në kohën pas Homerit, një pjesë e vogël e ishullit Kefalon u shkëput dhe krijoi ishullin Palik. Këtë ndarje historianët e quajn “Kanali i Strabonit.

Ithaki është kandidati më i mirë për ishullin, i cili që në antikitet njihej si shtëpia e Odiseut. Por asnjë rrënojë e pallatit të tij nuk është zbuluar. Kjo bën që çështja të mbetet e hapur dhe shumë njerëz të spekulojnë.

William Gell, historian – duke shkruar në 1807 – besonte se “Ithaca” e Homerit ishte në bregun Aetos të ishullit Ithaki, afër gjirit të Vathisë. Samuel Butler zhvilloi një teori të diskutueshme se Odisea erdhi nga pena e një gruaje të re siciliane, e cila e paraqet veten në poemë si Nausicaa, në bregun e Siçilisë. Historiani britanik Robert Graves, i njohur si autor i shumë librave mbi mitologjinë, e shpjegon këtë histori në romanin e tij Homer’s Daughter. Arkeologu gjerman Wilhelm Do, në fillim të viteve 1900, pasi kishte kryer gërmime të shumta në ishullujt Ithaki dhe Lefkadë, propozoi që pallati i Odiseut ndoshta mund të gjendet në Nidrit në bregun jugor të Lefkadës. G. Volterra, duke shkruar në vitin 1903, besonte se dikur mund të ketë patur “kanal të Strabonit” midis Palikit dhe Kefalonit. A.E.H. Goekoop, duke shkruar në vitin 1908, besonte se “Ithaca” ndodhej në juglindje të qytetit të Argo-stolisë. W.A. Heurtley dhe Sylvia Benton – besonin se “Ithaca” ishte në ishullin Ithaki dhe në gërmimet e tyre gjetën monedha të shekullit të 9 p.e.s.; në monedha Odiseu shfaqet me plis në kokë. Një kërkim për atdheun e Odiseut, autorë të tjerë besojnë se qendra e Itakës homerike ishte në Kefaloninë juglindore ku tani ndodhet fshati Poros. John Underhill – duke punuar për herë të parë në 2003 – beson se Paliki është vendndodhja e “Ithaca”, dhe se “Kanali i Strabonit” e ndau atë nga Cefalonia.

Homeri thotë se Odisea “eci përmes një kallamishteje” në ishull, ecje që mund të bëhet vetëm në Lefkada. Ishulli gjithashtu ka ujëvara, ku “gratë e Itakës shkonin për të larë rrobat”. Pranë vendit, ku mendohet se ishte pallati i Odisesë, janë “Ujëvarat e Nidrit”, nga ku buron edhe lumi “Dimosarii”; ku ndodhet edhe “Mela-nidros” (me la e ndru). Ka pasur sugjerime se Itaka u riformua nga tërmetet prandaj nuk mund të provohet se ku ka qenë territori i ishullit.

Fjala Ithaka, gjithashtu, mund të jetë ose është shqip ‘e thata’; ‘Ishulli i Thatë’. Fjalorët etimologjikë e japin:

Itaka: Ishull, shtëpia legjendare e Odises; shkronja e parë ‘I’ është fenikase për ”ishull”, pjesa tjetër nuk dihet.

Uliks: “I lënduar” ose “i zemëruar”. Është versioni latin i Odiseut, “udhëtues”, një emër që frymëzoi fjalën “Odyssey”, që do të thotë “udhëtim epik”.

Ndonjë mund të thotë se Odise – Uliks vjen nga fjala ‘uthull’, pasi që kur lindi qante shumë – dhe i ati tha “jepi uthull”.

Duhet thënë gjithashtu se në kohën romake, Itaka ishte pjesë e Eparkisë së Ilirisë. Kur perandori Kostandin ndau Perandorinë gjatë shekullit të 4-të, Itaka u bë pjesë e Perandorisë Bizantine, derisa u pushtua nga normanët në 1185 dhe anzhuinët në shekullin e 13-të. Për disa kohë, Itaka ra në duart e Venedikut. Më 1453 erdhën osmanët. Përfundimisht, Itaka iu bashkua revolucionit të vitit 1821 që solli pavarësinë e Greqisë. Se ku ndodhet Itaka e Odisesë sot, kjo ende nuk dihet.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT