
Visar Zhiti/
Ndërsa Panairi i Librit 2023 në Torino është në ditën e tij të fundit gëzimplote, në atdhe po përkujtohet 50 vjetori i revoltës në burgun e tmerrshëm të Spaçit, që pas 11 vjetësh ndodhi dhe në burgun po aq të tmerrshëm të Qafë Barit, të vetmet revolta politike në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste…
Shqipëria këtë vit në Panairin e Torinos është e Ftuara e Nderit, po ç‘libra ka dërguar për t’u nderuar që dëshmojnë me art qëndresën, përballjen me të keqen dhe dhunën e saj, por dhe genocidin në luftën e Kosovës? Botime të tilla nga ata që kanë qenë vetë burgjeve e internimeve e janë përndjekur e kanë luftuar, tashmë ka, madje dhe janë përkthyer në gjuhë të tjera e vlerësuar lart…
Shtëpia Botuese “Besa” në Itali, protagoniste në këtë panair, botoi së fundmi dhe burgologjinë “Sulle strade dell’inferno”, (“Rrugët e ferrit”), romani i Spaçit, sipas tyre, – po ku mund ta gjejmë, ku përurohet, a është? – më shkruajnë të njohur e të panjohur, – çfarë përkujton në Panair e “Ftuara e Nderit”, Shqipëria sot? –
Ne jemi ajo që kujtojmë, thoshte poeti i madh italian, Mario Luzi.
Por me cilën kujtesë jemi ne, të persekutorëve apo të të persekutuarve?
Me kujtesën e Shqipërisë. Dhe Shqipëria të mos harrojë se “Panairi i Torinos” së pari ishte në ëndrrën e atyre që përndiqeshin, dua të them liria dhe demokracia, hapja drejt Europës dhe Perëndimit, prandaj të mos vidhen ëndrrat nga një pjesë në dëm të pjesës tjetër, pra, të Shqipërisë, por t’i bëjmë realitet të bukur, të përbashkët… dhe të mos harrojmë…