• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2023

SHTETET KU S’KA ASOCIACIONE PËR MINORITETET

May 8, 2023 by s p

Xhelal Zejneli/

Bashkimi Evropian apo ShBA-ja kurrë s’kanë treguar interesim të formojnë në ndonjë vend të Evropës apo të Ballkanit asociacion apo bashkësi komunash me shumicë të një grupi etnik të caktuar, përkundër faktit se minoritete ka në shumë vende të gadishullit apo edhe të kontinentit. Për themelimin e një krijese të tillë i janë vënë vetëm Kosovës. Madje për një minoritet që nuk përbën më shumë se 3-4 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit. Për një pakicë që i gëzon të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta, si në asnjë vend tjetër të BE-së. 

Uashingtoni, Berlini dhe Parisi mund të krijojnë: 

– entitet për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së përgjithshme të këtij vendi dhe ku sllavo-maqedonasit përbëjnë jo më shumë se gjysmën e popullsisë së tij; 

– entitet apo asociacion për shqiptarët në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); 

– asociacion për boshnjakët në Sanxhak të Serbisë.

Uashingtoni dhe Brukseli duhet të ndalin eksodin e hungarezëve të Vojvodinës apo ta rikthejnë autonominë e dikurshme të saj, të suprimuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në kohën e jogurt revolucionit (revolucioni i kosit) të vitit 1988. 

Asociacion do të mund të kishin edhe shqiptarët në Mal të Zi, të cilët si pasojë e një gjenocidi të heshtur të kryer nga autoritet malazeze, dita-ditës shpërngulen për në Amerikë;

Qendra politike të Perëndimit mund të krijojnë asociacione edhe:

– për hungarezët në Rumani ku sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011jetojnë 1.227.623 banorë, apo 6,1% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së këtij vendi;

– për hungarezët në Sllovaki ku sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, banojnë 458.467 hungarezë, që përbëjnë 8,5% të popullsisë së përgjithshme të këtij vendi: 

– për bashkësinë turke në Bullgari ku sipas regjistrimit të popullsisë të viti 2011, 8.8% e popullsisë së përgjithshme të këtij vendi janë turq;    

– për grupet etnike në Greqi – për shqiptarët, për sllavo-maqedonasit dhe për turqit, ekzistimin e të cilëve Athina e mohon. Greqia është shteti më jodemokratik i BE-së. Është për t’u habitur sesi ky vend ia ka dalë të bëhet anëtar i strukturave euroatlantike. Është pranuar në BE ngase ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë.  

*   *   *

Ka edhe të tjera shtete ku mund të formohen asociacione. Numri i serbëve në Kosovë është i vogël për të pasur asociacion. Serbia në Kosovë ka qenë kolonizuese dhe pushtuese. Që nga viti 1877 e këndej ajo në Kosovë ka kryer gjenocid. Në vitin 1999 ajo e k humbur luftën pushtuese në Kosovë. Humbësi dhe agresori duhet të dënohen dhe jo të shpërblehen. Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq (1970- ), ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq (1966- ) dhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë Aleksandar Vulin (1972- ) duhet t’i dorëzohen Gjykatës së Hagës që të përgjigjen për krime kundër njerëzimit.  

*   *   *

COPËTIMI I HUNGARISË NË TRIANON NË VITIN 1920  – Gjatë Luftës së Parë Botërore Hungaria ka qenë në anën humbëse për arsye se ka qenë pjesë e Austro-Hungarisë humbëse. Pas kësaj lufte, me Marrëveshjen e Trianonit (Treaty of Trianon) të nënshkruar më 4 qershor të viti 1920 midis Hungarisë, në një anë dhe vendeve të Antantës, në anën tjetër, Mbretërisë Hungareze të dikurshme iu mor një pjesë e madhe e territorit. Si humbëse, Hungarisë iu desh të pajtohet me marrëveshjet paqësore nënçmuese. Fuqitë ngadhënjyese nuk i kursyen fare armiqtë humbës. 

Ka pasur studiues të cilët kanë thënë se ndëshkimi i pamëshirshëm i Gjermanisë humbëse pas Luftës së Parë Botërore, ka qenë një prej shkaqeve kryesore të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Sipas disa studiuesve, është paradoksale që Hungaria të jetë dënuar më fort se Gjermania dhe Austria. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së paqes në Trianon, Hungarisë i është marrë 72% e territorit të dikurshëm, ndërsa rreth 3.300.000 hungarezë kanë mbetur jashtë kufijve të saj.

Në dobi të Rumanisë i është marrë Transilvania (Erdeli). Zonat veriore të Hungarisë i takuan Çekosslovakisë, përkatësisht Sllovakisë së sotme.. Gradishqa (Burgenlandi) i takoi Austrisë, ndërsa Prekmurja, Megjimurja Baranja, Banati dhe Baçka i takuan Mbretërisë së Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (më vonë: Mbretëri e Jugosllavisë).

Marrëveshja e Trianonit e ka marrë emrin sipas pallatit Trianoni i Madh (Grand Trianon) që ndodhet nnë afërsi të Versajës (Versailles), për arsye se marrëveshja është nënshkruar aty. Vendimet e sipërthëna, edhe sot hungarezët i quajnë të padrejta dhe vështirë i falin ato.

*   *   *

HUNGAREZËT NË RUMANI – Sipas regjistrimit të popullsisë në Rumani, të vitit 2011, bashkësia hungareze në këtë vend përbëhet prej 1.227.623 vetëve. Kjo pakicë etnike përbën 6,1% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Rumanisë. Pjesa më e madhe e hungarezëve etnikë jeton në rajonet të cilat para Traktatit të Trianonit të vitit 1920, kanë qenë pjesë të Hungarisë. Hungarezët në Rumani jetojnë në Transilvaninë lindore. Rajoni më i njohur njihet si Sekler, d.m.th. Székely Land (rumanisht: Tinutul Secuiesc; hungarisht: Székelyföld në të cilat hungarezët përbëjnë shumicën e popullsisë. Të drejtat e hungarezëve etnikë në Rumani, me dekada ndodhen në qendër të konflikteve politike midis Hungarisë dhe Rumanisë. “Për të ruajtur identitetin e vet dhe për të siguruar përparim ekonomik” – siç thuhet – hungarezët etnikë në Rumani kërkojnë autonomi territoriale.

HUNGAREZËT NË SLLOVAKI – Hungarezët në Sllovaki janë bashkësia kombëtare më e madhe në Sllovaki. Sipas regjistrimit të popullsisë në Sllovaki në vitin 2011, 458.467 vetë janë deklaruar hungarezë. Kjo përbën 8,5% të popullsisë së përgjithshme të Sllovakisë. 508,714 banorë apo 9.4% e popullsisë deklarojnë se gjuhë amtare e kanë hungarishten. Hungarezët në Sllovaki kryesisht janë të përqendruar në pjesën jugore të vendit, pranë kufirit me Hungarinë. Ata paraqesin shumicë në dy qarqe: në Komarno dhe në Dunajska Streda.

Pas disfatës së Fuqive Qendrore në frontin e Perëndimit në vitin 1918, midis fuqive aleate ngadhënjyese dhe Hungarisë, në Konferencën e paqes në Paris të mbajtur në vitin 1920, u nënshkrua Traktati i Trianonit. Me këtë traktat, territori i Mbretërisë Hungareze u zvogëlua dukshëm. Si pasojë, Hungaria e Epërme në të cilën sllovakët përbëjnë strukturën etnike dominonte, iu bashkëngjit Çekosllovakisë.

HUNGAREZËT NË SERBI – Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1948, në Serbi kanë jetuar 433.701 hungarezë. Në vitin 1961 janë regjistruar 449.586 hungarezë. Për nga numri, hungarezët në Serbi sot janë grupi etnik i tretë. Me kalimin e kohës, numri i hungarezëve në Serbi apo në Vojvodinë, bie në mënyrë drastike. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në Serbi kanë jetuar 253.899 hungarezë, që përbën 3.53% të popullsisë së Serbisë. Prej tyre, 251,136 jetojnë në Vojvodinë, ku përbëjnë 13,00% të popullsisë së përgjithshme të saj. Numri i hungarezëve në Serbi apo në Vojvodinë, sipas regjistrimit të viti 1961, krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, pothuajse është përgjysmuar. Sipas regjistrimit të viti 2022, numri i hungarezëve në Serbi apo në Vojvodinë, në krahasim me regjistrimin e vitit 2011 ka rënë për 70.000 mijë. Sot aty figurojnë 184.442 hungarezë.          

Kjo ka ndodhur kryesisht si pasojë e politikës shkombëtarizuese dhe asimiluese të Serbisë ndaj tyre. Si pasojë e politikës diskriminuese serbe, një numër i hungarezëve janë shpërngulur nga Vojvodina. Në vitin 2014, 119.000 hungarezë të Vojvodinës kanë kërkuar shtetësi të dyfishtë, d.m.th. përpos shtetësisë serbe, edhe shtetësi hungareze.

Në Vojvodinë jetojnë 26 grupe etnike apo minorite. Ajo e ka statusin e një kuazi-autonomie. Në Serbi jetojnë 5.360,239 serbë. Përpos tyre, aty jetojnë edhe: hungarezë, boshnjakë, shqiptarë, romë, sllovakë, kroatë, jugosllavë, rumunë, vlleh, malazias, maqedonas, myslimanë, bullgarë etj. 

KRIMET E KOMUNISTËVE JUGOSLLAVË NDAJ GJERMANËVE – Në prag të Luftës së Dytë Botërore, në Mbretërinë e Jugosllavisë ka pasur rreth 500.000 gjermanë etnikë. Kanë qenë të përqendruar kryesisht në Vojvodinë dhe në Sllavoni. Pas vitit 1944, nën akuzën kolaboracionist, komunistët jugosllavë apo serbosllavë, ndërmarrin spastrimin etnik dhe shfarosjen e tyre. Në vitin 1945, pjesëtarët e bashkësisë etnike gjermane, komunistët jugosllavë apo serbosllavë i kanë dëbuar, i kanë internuar, i kanë mbyllur në kampe të përqendrimit, i kanë ekzekutuar pa gjyq. Kolaboracionistë nuk kanë qenë të gjithë gjermanët. Ekzekutime pa gjyq kryejnë vetëm ideologjitë barbare. Ekzekutimet, qofshin edhe me gjyq, nuk janë veçse barbari.

Në artikullin “Kapitulli më i tmerrshëm i tragjedisë gjermane në Jugosllavi”, studiuesja Rosina T. Shmit (Rosina T. Schmidt) shkruan se në kampet e vdekjes kanë qenë të mbyllur rreth 200 mijë civilë gjermanë. Ato kanë ekzistuar deri në vitin 1948. Pas vitit 1944, prej krimeve komuniste, në Jugosllavi janë vrarë mbi 100 mijë gjermanë. Sipas të burimeve jugosllave, në kampet e vdekjes kanë qenë të mbyllur rreth 125.000 gjermanë, kryesisht civilë. Prej tyre kanë mbijetuar rreth 80.000. Shumica kanë vdekur nga uria, nga sëmundjet dhe nga kushtet higjienike të këqija. Të mbijetuarit i kanë deportuar dhe i kanë internuar. Burimet jugosllave thonë se rreth 300.000 gjermanë që kanë qenë në Vojvodinë dhe në Sllavoni kanë ikur bashkë me Wehrmacht-in dhe me njësitë SS. 

Prindërve gjermanë u janë marrë 40.000 deri 45.000 fëmijë dhe me qëllim asimilimi, u janë dhënë prindërve sllavë. Këtu kemi të bëjmë edhe me serbizimin e civilëve gjermanë. Ndarja e fëmijëve prej prindërve të tyre paraqet krim kundër njerëzimit. Sjellja e partizanëve dhe e komunistëve jugosllavë apo serbosllavë ndaj civilëve gjermanë po ashtu paraqet krim kundër njerëzimit. Për këtë askush nuk është përgjigjur. Sipas burimeve kroate, numri më i madh i vdekjeve ka ndodhur në vitet 1945-1946.

Pushtetarët jugosllavë planifikonin që deri në vitin 1947 në mbarë Jugosllavinë të mos mbetej asnjë gjerman. Spastrimi etnik në Vojvodinë dhe në Sllavoni, d.m.th. dëbimi i gjermanëve apo shfarosja e tyre, rezultoi me popullimin e këtyre rajoneve me popullsi serbe. Qëllimi ishte ndryshimi i strukturës etnike të atyre rajoneve dhe mbizotërimi i elementit serb.     

BASHKËSIA TURKE NË BULLGARI – Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në Bullgaria ka pasur 7.364.570 banorë. Në periudhën e viteve 2001-2011, janë larguar nga vendi 175.244 vetë. Këta janë vendosur në Spanjë, në Itali dhe në Gjermani etj. Sipas regjistrimit të sipërthënë, 84,8% e popullsisë kanë qenë bullgarë etnikë; 8,8% – turq dhe 4,9% – romë. Në Bullgari ka pasur rusë (9.978); armenë (3.684); vlleh (në veri – rumunë, ndërsa në jug – arumunë); pomakë (bullgarë të fesë islame të cilët flasin bullgarisht). Sipas regjistrimit të vitit 2001, pakica turke banon sidomos në provincat Kërxhal, Razgrad, Tërgovishte, Silistra dhe Shumen. Pomakët banojnë kryesisht në provincën Smolan. 

Në vitet ’80 të shekullit XX, regjimi komunist kishte hartuar projekt për asimilimin e dhunshëm të turqve dhe të myslimanëve të tjerë në Bullgari. Vajtja e rreth 340.000 turqve etnikë nga Bullgaria për në Turqi në muajt qershor-shtator të viti 1989 ka qenë spastrim etnik dhe jo shkuarje vullnetare, siç proklamohej në atë kohë. Kjo është dëshmuar nga dokumentet e reja të publikuara nga arkivi bullgar. Në fillim të spastrimit etnik, në korrik të vitit 1989, diktatori komunist Todor Zhivkov (1911-1998) deklaron: “Ballafaqohemi me një eksod masiv… që për ne është i domosdoshëm dhe i volitshëm. Po qe se nuk bëjmë diçka që këta 200 mijë deri 300 mijë vetë të largohen, brenda 15 vjetëve Bullgaria s’ka për të ekzistuar. Ajo do të bëhet Qipro e dytë” duke aluduar në ishullin të ndarë në vitin 1974 në pjesën veriore turke dhe në atë jugore greke.        

GRUPET ETNIKE NË GREQI – Sipas burimeve greke, Greqia na qenkësh shteti etnikisht më i pastër në Ballkan. Grekët përbëkan mbi 95% të popullsisë së përgjithshme të shtetit. Pakica etnike janë shqiptarët, turqit dhe maqedonasit. Të dhënat zyrtare të Greqisë për numrin e grupeve etnike në këtë vend janë të pasakta. Numri i banorëve që u përkasin grupeve etnike në këtë vend është shumë më i madh se numri i pasqyruar nga politika zyrtare greke. Qeveria greke zyrtarisht njeh vetëm një minoritet – myslimanët e Trakisë. Gjatë historisë, sllavët në Maqedoninë greke, Greqia i ka konsideruar grup linguistik dhe jo kombësi. I ka quajtur grekë sllavofonë ose grekë dygjuhësorë. Në fund të shekullit XIX dhe gjatë gjithë shekullit XX, ndaj grupeve etnike jogreke Greqia ka ushtruar gjenocid. Është i njohur në histori pogromi ndaj çamëve. Në qershor të vitit 1944, zervistët, të udhëhequr prej gjeneralit Napoleon Zerva (1881-1956), hyrën në Çamërinë e mesme, ndërsa në shtator të po atij viti, pushtuan edhe Çamërinë veriore. Gjatë këtyre ekspeditave vrastare kryen krime çnjerëzore mbi popullsinë e pafajshme shqiptare të Çamërisë, e cila u shpërngul në Shqipëri. Pas mbarimit të luftës, këtij iu dha posti i ministrit në qeverinë greke.          

Xhelal Zejneli

Filed Under: Ekonomi

Zbardhet dokumenti i shek.XIX, shtypja e klerit katolik në Vilajetin e Prizrenit, pa urdhër të Sulltanit

May 8, 2023 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Në arkivat e Europës gjenden dokumente të shumta dhe të vjetra në kohë, sa i takon historisë së popullit shqiptar. Do të ishim shumë me fat nëse do të financoheshin misione studimore, për të zbuluar thesarin historik që mban bota perëndimore për Shqipërinë, dokumente të cilat do të shërbenin për të hedhur dritë mbi shumë enigma dhe të pathëna. Këto dokumente të vjetra mund të jenë mbajtur në hije për shkak të interesave të Europës apo mosinteresimit të shkencës shqiptare, kjo pak rëndësi ka; e rëndësishme është që ato ekzistojnë dhe studiuesit shqiptarë mund t’i zbardhin për interesin e kombit tonë shqiptar. Perandoria Osmane dogji dhe shkatërroi gjithçka, duke mos lënë dokumente dhe prova autentike për historinë, kulturën, ekonominë, jetën fetare të kombit shqiptar, por jemi me fat që Europa në arkivat e saj mban gjithë historinë shekullore të Arbrit. 

                   Pas botimit të dorëshkrimit të shekullit të 17-të, i cili përshkruan në mënyrë të detajuar dhe kronologjike jetën fetare, historike, kulturore, gjendjen sociale, kryengritjet e shqiptarëve për pavarësi kundër turqve, të shkruar nga Fra GIACINTO P. Da Sospello, një tjetër dorëshkrim është zbuluar dhe përkthyer me shumë kujdes dhe profesionalizëm nga studiuesi Mark Palnikaj, i cili me shumë zell po punon fort në arkivat e Vatikanit, duke nxjerrë në dritë dokumente 600 vjeçare për Shqipërinë. Palnikaj është një ndër të vetmit që po i lë një pasuri të madhe arkivave të Shqipërisë, studiuesve dhe lexuesve në veçanti. Bëhet fjalë për Relacionin Sinoptik rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit, nga data 26 gusht 1866 deri me datën 6 mars 1868, të shkruar nga dëshmitari okular, Arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Buçareli (Buçiarelli). Ngjarjet bazohen në torturat dhe masakrat që kanë vuajtur fshatrat me popullsi të krishterë në zonën e Vilajetit të Prizrenit, por dhe në Gjakovë, Deçan dhe në Pejë. Buçareli ishte i lindur në Castelplanio (Itali) më 4 prill 1827, ishte françeskan, dhe në vitin 1864 u emërua Arqipeshkëv i Shkupit, me seli në Prizren.

Vrasjet, rebelimet

                   Kleri katolik i huaj pati ardhur në trevat shqiptare me misionin për ruajtjen dhe pasurimin e jetës fetare, ekonomike dhe kulturore. Një rol të veçantë, kleri katolik luajti në afrimin e shqiptarëve të dy besimeve të Vilajetit të Prizrenit, Gjakovës e të Pejës, po dhe në fshatra, ku ata jetonin së bashku. Pra, konkretisht, konkretisht, vetë Arqipeshkvi Dario Buçareli u zotua të pengonte thellimin e përçarjes mes vëllezërve shqiptarë. Në këtë relacion, i cili tashmë është përgatitur për botim, tregohen qartë nga një dëshmitar okular, vuajtjet, torturat, masakrat, grabitjet, vjedhjet, djegjet e fshatrave dhe shtëpive me popullsi të krishterë, nga rebelët banditë turq, mes të cilëve edhe shqiptarë që ishin konvertuar në fenë islame, dhe, rrjedhimisht, quheshin turq. 

                       Këto vrasje dhe rebelime, nuk vinin me urdhër të Sulltanit, Portës së Lartë, por nxiteshin nga përfaqësuesit e qeverisë turke dhe forca të tjera të errëta, si Kisha Ortodokse Serbe dhe Greke. Këta nëpunës të qeverisë turke, gënjenin dhe mashtronin në emër të Sulltanit, se kishin marrë urdhër prej tij për të dëbuar të krishterët nga banesat e tyre. Ishin banditë, fanatikë myslimanë, që vidhnin, plaçkisnin fshatarët e varfër, ishin sahanlëpirës të qeveritarëve vendorë, merrnin rryshfete dhe paguheshin nga qarqe të errëta sllave dhe greke. Njerëzit që donin paqen, ankoheshin te qeveritarët, si Nazif Pasha, por këta të fundit, akuzat i cilësonin thashetheme dhe shpifje. Ndërsa nga ana tjetër, rebelët banditë shpifnin dhe akuzonin të krishterët për hakmarrje, të cilët më pas përfundonin në burgje. Gjenerali Mahmud Pasha ishte njeri i mirë dhe u mundua të vendoste rend dhe qetësi. Arrestoi shumë turq që kishin grabitur dhe masakruar të krishterët, madje në një aksion me ushtrinë e tij, vrau 5 prej tyre. 

Përpjekjet për paqe dhe stabilitet

                    Kleriku Buçareli si Arqipeshkv i Shkupit, me qendër në Prizren, bëri çmos që të vendoste paqen në vend dhe vrasjet ndaj të krishterëve të merrnin fund. Ai u dërgoi letra pa fund Portës së Lartë, ambasadorëve të huaj, duke i informuar mbi gjendjen dhe u kërkoi që të merrnin masa për ndalimin e masakrave dhe vrasjeve ndaj të krishterëve. Sipas ligjeve të Portës së Lartë, të krishterët ishin të lirë të mbanin besimin e tyre nëse dëshironin, dhe nuk duhej të ushtrohej forcë dhe dhunë ndaj tyre. Por nëpunësit e qeverisë bënin me kokën e tyre, duke përdorur emrin e Sulltanit, dhe abuzonin me ligjet. Sipas dorëshkrimit, burgjet ishin të mbushura plot me njerëz, kryesisht me të krishterë. Autoritetet vendore abuzonin me ligjin derisa kërkonin para për të nxjerrë të krishterët nga burgjet. “Duke filluar nga pashai e duke mbaruar tek mashtruesi i

fundit, e mbanin veten dhe silleshin si të ishin zotat e atij vendi e madje deri edhe ndonjë që mbahej për i ditur, përpiqej që të shpallej i ditur si ai që di gjithçka”, dëshmon Arqipeshkvi.              

 Abuzimet për t’u marrë para fshatarëve të varfër, ishin të pafundme. “Rasti deshi që me datën 12 shtator, në një ditë tregu, një xhandar i kërkonte një fshatari jeshirin (faturën) për disa speca që ai i kishte blerë, domethënë donte ta gjente në faj dhe ta kërcënonte që të mund t’i zhvaste ndonjë beslik (çmimi i 5 piastrave 1 fr dhe 11 cent), e meqë fshatari nuk e kishte e nuk

pranonte që t’ia jepte, u vra nga xhandari me një goditje pistole”, thuhet në dokument.

                      Në dorëshkrimin e tij, Buçareli thotë se shkaku i gjendjes së krijuar në Vilajetin e Prizrenit ishte qeveria vendore e jo ligjet e Perandorisë, të drejtuar nga Sulltani. “Prisni të mirën nga këta lloj njerëzish e personazhesh? Prisni nga ata zgjidhjen e problemeve dhe largimin e të këqijave, që e pikëllojnë aq shumë provincën e Prizrenit, e cila është plot me shfrytëzim, me grabitje, me abuzime, me futjen e duarve misterioze, që minojnë lirisht qeverinë e Sulltanit të madh? Ai, kuptohet, nuk i do këto gjëra, dhe urdhrat që i jep, janë të tjerë, por tradhtohet nga të tijtë, të cilët kërkojnë të angazhojnë vetveten e të mos i drejtojnë popujt sipas dispozitave të drejta që jep qeveria perandorake. Pa hezitim duhet thënë se ky lloj i njerëzve, po të krahasohet me duart misterioze, janë më fajtorë, më të dëmshëm, më të pafytyrë”, shkruan ai. 

                    Madje, ai përmend dokumentin e 10 gushtit të vitit 1867, nënshkruar nga N. N., ku dëshmohet fare qartë terrori i krijuar në fshatra nga rebelët turq. “Filloi stuhia në fshatrat, duke djegur gjithçka që u dilte para. Aq shumë u trash e keqja, saqë me zor i detyronin të krishterët që të mohonin besimin e tyre, ose do t’u merreshin të gjitha pronat e gjëja tyre, e i kërcënuan se do t’i vrisnin e do t’ju merrnin edhe jetën, e kështu, shumë veta, të detyruar nga dhuna dhe forca, që të mos e humbisnin jetën, pasuritë dhe pronat, si dhe nderin, qenë të detyruar që të nënshtroheshin ndaj peshës së rëndë me të cilën po i ngarkonin. Kush mund t’i tregojë dëmet që iu shkaktuan të krishterëve, ndërsa nga 240 shtëpi nuk gjendej më asnjë që të mund të thoshe se nuk ishte dëmtuar?”, thotë dokumenti, sipas Buçarelit.

Rrëmbimi i katolikes, Maria

                   Në fshatin që quhet Kramovik, banonte Preng Kaçinari, i besimit katolik, vendas, me origjinë nga Mirdita, kolon, zotërues i një numri të madh kafshësh bagëti të trasha, një punishte bakri dhe punishte armësh. Ai ishte i martuar me Marian, e cila ishte kthyer në besimin e krishterë. Rebelët turq i erdhën në shtëpi, shkatërruan çdo gjë, ndërsa gruan ia rrëmbyen dhe e mbyllën në kullë, vetëm se kishte qenë muslimane dhe kishte ndërruar fenë. 

                  Maria arriti të largohet nga kulla dhe kërkoi ndihmë te arqipeshkvi Buçareli, ndërsa njeriu i parë i Vilajetit, Nazif Pasha, kërkonte që ai t’ia dorëzonte atij gruan. “Ta dini, pra, shkëlqesia e juaj, se unë jam mësuar të fle me dyshek për tokë, në dysheme, direkt, e në kashtë. Me pullaz mbi kokë e në qiell të hapur, sikurse më ndodhi në udhëtimin e fundit(2). Deri tani mund të them se kam qenë pa banesë. Bamirësit e devotshëm më ndihmuan që të ndërtoj këtë shtëpi. Si në të kaluarën, edhe në ardhmen, mund të rri pa të. Ta dini se, meqë unë kam lënë nënën e babanë, vëllezërit motrat e të afërmit, shtëpinë, pasurinë e gjithçka, miqtë e atë që është më i shtrenjtë, atdheun, vullnetarisht, pa asnjë shtrëngesë në botë, kështu që mund ta kuptoni mirë se të jetoj apo të vdes është e njëjta gjë për mua. Përkundrazi, dashtë qielli që të bëjë që unë ta lë jetën e kësaj toke në shërbim të besimit të shenjtë”, tregon ai përgjigjen që i dha Nazif Pashës. Sa herë që Marian e pyesnin, e cilit besimit ishte, ajo jepte këtë përgjigje: “Si, ende nuk doni ta merrni vesh? Unë jam e krishterë e dua të jem e krishterë. Më bëni copë e grimë. Forca dhe dhuna nuk më thyejnë. Më mbani të mbyllur brenda kësaj kulle deri sa të jem gjallë, unë do të mbetem përgjithmonë e krishterë. Dhe këtë besim që kam, edhe sikur të më premtoni se nuk ma prekni jetën e si edhe po të ofroni të gjithë arin e botës, unë nuk do ta braktis”.

                  Përpjekjet e Dario Buçarelit janë të panumërta për të mbrojtur të krishterët. Ai u dërgoi letra ankese të pafundme qarqeve më të larta drejtuese, të cilat mashtroheshin nga rebelët banditë. Përpjekjet e Dario Buçarelit janë të panumërta për të mbrojtur të krishterët. Ai u dërgoi letra ankese të pafundme qarqeve më të larta drejtuese, të cilat mashtroheshin nga rebelët banditë. Korrespondencat dhe masat që u morën, do i trajtoj në një artikull tjetër.

Filed Under: Kronike Tagged With: Eneida Jacaj

Rezultatet zyrtare të regjistrimit në Serbi, manipulim me numrin e shqiptarëve

May 8, 2023 by s p

Më datën 28 prill, janë shpallur rezultatet zyrtare të regjistrimit në Serbi. Dhe paraqitja jo e drejtë, pasi ky numër i regjistrimit është manipulim dhe mos pasqyrim i drejt e objektiv. Enti Republikan i statistikave në Serbi, ka shpallur rezultatet dhe jan vetëm 61.687 qytetarë të përkatësisë shqiptare. Për Krahinën e Preshevës,që përfshin Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.

Kujtoj se në Krahinën e Sanxhakut që shtrihet në Serbi dhe e përbëjn,si Komuna: Pazari i Ri, Sjenica, Tutin, Prijepolje, Priboj dhe Varosh i ri, jan publikuar shqiptarë në numër simbolik. Shpallja dhe publikimi i rezultatave të regjistrimit, dallon shumë nga rezultatet preliminare, apo themi dallimi është një përgjysmim i popullatës shqiptare, kemi një manipulim.

Edhe pse ky regjistrimi i përgjysmuar e qëllimisht i minimizuar, i manipuluar e i kurdisur politikisht, kujtoj që në vitin 2011, shqiptarët e kësaj Krahine së Preshevës kan bojkotuar regjistrimin e popullsisë.

Tani ky regjistrim edhe pse i përgjysmuar, ka krijuar një rrethanë të re, si një gjendje faktike dhe juridike e rrjedhimisht përfaqësimi i shqiptarëve në çdo institucion publik duhet detyrimisht e ligjërisht të bëhet në proporcion me përqindjen e pupullatës shumicë të kësaj krahine.

Duke ju referuar shifrave të publikuar, rezulton se: Në gjithë Serbin jetojn 61.687 shqiptarë, kurse vetëm në Krahinën e Pershevës që përfshin: Preshevë, Bujanoc e Komunën e Medvegjës, rezulton se jan 57710 qytetarë Shqiptarë, kurse Në Krahinën e Sanxhakut,si:

Komuna e Novi Pazarit jan publikuar si të regjistruar 200 qytetarë shqiptarë, nga Komuna e Sjenicës jan publikuar si të regjistruar 26 qytetarë shqiptarë,nga Komuna e Tutinit jan publikuar si të regjistruar 16 qytetarë shqiptarë, nga Komuna e Prijepoljes jan publikuar si të regjistruar 2 qytetarë shqiptarë.

Në Krahinën e Sanxhakut, qytetarë të përkatësisë shqiptare,që jetojnë Republikën e Serbisë me gjithë Vojvodinën, marrë parasysh të një asimilimi dhe rezulton se jan regjistruar vetëm 3977 qytetarë shqiptarë!!!.

Në Krahinën e Sanxhakut kemi asimilim e një diskriminim, po ashtu në Krahinën Shqiptare të Preshevës kemi një diskriminim, më të madhë në këtë pjesë të Evropës, kur kemi pasivizim të adresave dhe pastrim etnik në mënyrë institucionale, tani jan manipuluar, sepse numri prej 61.687 qytetarë të përkatësisë shqiptare, nuk është regjistrim i sakt-pra jemi shumë më shumë.

Shkruar nga: Refik HASANI 7 maj 2023

Filed Under: Rajon

U MBAJT ORA POETIKE “PRANVERA VJENEZE 2023” 

May 8, 2023 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

Vjenë, 30 prill 2023 – Organizuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, u mbajt orë letrare në hapësirat e Hotelit Europahaus të Vjenës. Morën pjesë krijues nga disa vend  dhe mysafirë të ftuar të fushës letrare. Nga Ambasada e Republikës së Kosovës përshëndeti Jeton Maliqi, diplomat. Të ftuar të veçantë  ishin  Prof.Dr. Isak Shema dhe Dr.Ornela Radovicka, studiuese nga Napoli. 
          Në sallën e bukur Europahaus në bashkinë e katërmbëdhjetë të Vjenës u dëgjua fjala letrare e artistike shqipe nga shumë autor. Salla u rezervua  nga veprimtari i njohur, menaxher Arbër Marku. Grupi organizues i kryesisë së Lidhjes, Musa Jupolli, kryetar, Mentor Thaqi, sekretar dhe Hazir Mehmeti, anëtarë, me sukses realizuan aktivitetin tradicional letrar tani kur Lidhja.. mbushë dhjetëvjetorin e jetës.  Prof. Valbona Naku luajti mjeshtërisht në violinë nga muzika klasike e njohur vjeneze dhe raportuari shkodran. Veshjet dhe meloditë e grupit të Shoqërisë Kulturo Artistike “17 Shkurti” nga Bedeni të prirë nga Tahir Turkaj dhe Afrim Rukolli e gjallëruan ambientin në sallën e bukur.  Gazetari i njohur me veprat e tij mbi Arbëreshët dhe trevat shqiptare Rexhep Rifati nga Zvicra, solli veprën e tij të re “Arbëreshët -fotosintezë e shpirtit tim” e promovuar në disa vende dhe tani në Vjenë. Shkrimtari i njohur, autor i disa romaneve, Muharrem Blakaj, e pasuroi bibliotekë e veprave të  Lidhjes…. Prof. Shenasi Aliu, krijues e natyrë prezantues i njohur. Me praninë e tij e pasuroi aktivitetin,  Leon Lekaj, poet i ardhur enkas nga Athina me përmbledhjet e tij poetike. Të pranishëm ishin edhe Dr. Isauf Bajraktari, Shefqet Dina, Fatmir Bekaj etj. Paneli i punës së orës letrare “Pranvera vjeneze 2023” ishte nga Sylë Bajrami, Dr.Ornela Radovicka, Dr. Isak Shema, Violeta Allmuça, Musa Jupolli. Kujdesi teknik dhe filmimet u realizua me sukses nga Kreshnik Mehmeti.
      Në emër të kryesisë së Lidhjes.. orën letrare e hapi Musa Jupolli, kryetar. Ai mes tjerash tha:” Jemi këtu në Austrinë mike, në Vjenën e kulturës, artit dhe notave të muzikës, në Vjenën e Operave, në Austrinë e gjuhëtarëve që na përkrahën dhe i dhanë aq peshë gjuhës shqipe në prejardhje nga ilirishtja, albanolog austriak e gjerman:Gustav Majer, Gotrid Vilhelm Labnic, Norbert Jokl,Arnold fon Harf.  Albanologu gjerman Johan Georg von Han : “Shqiptarët janë të vetmit që kanë ruajtur gjuhën e vjetër të tyre pellazgjike dhe shqipja është vazhduese e drejtpërdrejtë e ilirishtes”.  Vilfird Fidler, Jemi këtu në Vjenën e Schubertit, Mozartit, Joseph Haydn, Stefan Zweig, Franz Kafka, Robert Musil, Gustav Klimt e sa e sa figurave tjera…
        Po, i jemi aq mirënjohës Austrisë mike në përkrahje për lirinë e Dardanisë. Në Vjenën e Alexandër Moisiut, Karl Gegës arkitekt, eshtrat e të cilit janë në Panteonin e njerëzve më të shquar të Austrisë.
Jemi këtu “Pranvera e Vjenës 2023” me fjalën e bukur për artin dhe letrat tona, evropian që nga më të parët e Evropës, që me këto fjalë t’i falemi Gjergjit emri i të cilit udhëton në gjithë botën dhe është identiteti ynë!
     Dr. Ornela Radovicka në fjalën e saj mes tjerash tha: “Jam shumë e gëzuar që ndodhëm në shpirtin fisnik të artistëve”.  Ajo foli mbi historinë e lavdishme arbëreshe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe vetëdijes kombëtare shekujve. Porosia e saj ishte: “Edhe ju artistët jeni me ndjenjë, jeni me dashurinë, por ktheni sytë andej nga Arbëria, nga arbëreshët”. Në vazhdim lexoi: Çmimi “NDERIM ARBËRESH”, Mikut, vëllait shqiptar, Mësuesit, Publicistit, Aktivistit, Themeluesit të Lidhjes së Shkrimtarëve në Austri, Hazir Mehmeti. Motivacion: Në mision për njohjen dhe shpërndarjen e kulturës arbëreshe gjashtëshekullore në diasporë. Nënshkruar nga drejtori Prof. Dr. ANTONIO BELUSHI, Frasnita (Frascineto). Poeti, Mentor Thaqi, në emër të Lidhjes i dhuroi Dr. Ornela Radovickes  një gurë artistik të veçantë si traditë e themeluar nga Presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Duartrokitjet në sallë shprehën edhe një herë respektin për punën madhore të studiues nga Napoli. 

        Prof. Dr. Isak Shema, profesor i Universitetit të Prishtinës përshëndeti të pranishmit. Ai mes tjerash tha:  “Zonja dhe zotërinj, shkrimtarë, krijues e lexues! Jam shumë i gëzuar që shoh organizimin e krijuesve dhe Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë e organizuar në disa vende është sintezë që premton edhe më shumë. Me vete kam sjell tri botime; botimin e Faik Konicës me dokumente të pa njohura më parë; Librin “Letërsia shqiptare për klasën e parë dhe të dytë gjimnaz”, sipas modelit në Evropë; dhe së fundi kam botuar librin “Arti letrar i Ismail Kadares”. Veprimtaria e juaj është pjesë e rëndësishme e rrjedhave në Kosovë, në lirinë e saj dje dhe shtet ndërtimin e saj sot. Sa më shumë veprimtaria e juaj të bashkërendohet me ato veprimtari që janë dhe zhvillohen në Kosovë. Nga ky aspekt propozoj që takimi i ardhshëm të mbahet në Kosovë, ngase njerëzit duhet të shohin sa më shumë veprimtarinë tuaj, të binden se sa ka qenë investimi i juaj intelektual krijues, sepse ju keni krijuar vlera të reja dhe keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në vendet ku jetoni. Andaj, ne atje duhet të realizojmë projekte të përbashkëta dhe atje do shihej ajo që ju krijoni”  

      Prezantimin e librave e nisi Violeta Allmuça, recensente e librit “Kohpërfytje” e autorit Hazir Mehmeti. Ajo mes tjerash tha: “Kur flasim  për përmbledhjen e re të tregimeve, gjithnjë lexojmë kohët e tij si vetëdije artistik për jetën, botën e njeriut, ku lënda është sa letrare, po aq historike, mitologjike dhe aktuale.” Rreth romanit “Rrënjët e kujtesës” të autorit Ramiz Selimi u lexua nga Ragip Dragusha pjesë nga fjala e Safet Gërxhaliut dhe kritikut letrar Prend Buzhala. “Kjo vepër është një roman social dhe historik që paraqet me realizëm përjetimet e familjes së Ilirit. Romani tregon për një periudhë shumë të rëndësishme në historinë e Kosovës.”  Abedin Sutaj prezantoj veprat e tij. “Kam punuar rreth dymbëdhjetë vite në studimin e gjuhës shqipe dhe kam shfrytëzuar rreth njëmijë tituj të punimeve shkencore moderne ku shihet se sa është e vjetër një gjuhë duke shfrytëzuar teknikat moderne dhe shkencat ekzakte.”

        Krijuesi shkodran i cili jeton në Vjenë Gjergj Josef Kola u prezantua me dramën e tij. Ai tha se deri më tani ka shkruar 70 drama. Në sekuenca filmimi u dha pjesë nga drama “Rekujim  për Musine Kokalarin.” Në mungesë të krijuesit nga Franca Abedin Krasniqi, përkthyes i  “Lahutës së Malësisë” së Gjergj Fishtes në gjuhën frënge, në vëllimin prej njëmijë faqesh e prezantoi para auditorit Musa Jupolli. 

        Krijuesit vazhduan me leximet e tyre poetike. Këtë e filloi Kimete Ternava duke vazhduar me radhë  me Gabriela Mujaj, Lumni Nimani, Shefqet Dinaj, Ragip Dragusha, Xhevat Muqaj, Anton Marku, Mërgim Osmani, Xhevat Muqaku, Avni Neziri, Miftar Tershnjaku, Leon Lekaj, Musa Jupolli, Sylë Bajrami dhe Mentor Thaqi. Bashkim Halilaj, Violeta Allmuça.  

      Hulumtuesi i bimëve shëruese dhe bimëve me rëndësi të veçanta Prof.Shenasi Aliu nga Zvicra dhe një vështrim të shkurtër rreth krijimtarisë së tij në shfrytëzimin e bimëve shëruese dhe udhëtimeve të tij në shumë vende. Ai ndau dhurata të veçanta të Eshkës (kërpurdhë) për disa nga krijuesit e pranishëm, eshkë nga Portugalia, Zvicra dhe vende tjera.  Në fund Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, shpalli anëtarë nderi të saj Prof.Dr.Isak Shemën dhe ndau mirënjohje disa veprimtarëve dhe krijuesve që dhanë kontribut në organizimet letrare. Ora letrare “Pranvera vjeneze 2023” do mbahet në kujtesë të gjatë për organizimin e mirë dhe leximet e shumta nga krijues vendesh të ndryshme, shumë nga të cilët ishin të rinj.    Nga Europahaus të pranishmit vizituam muzeun e njohur të Vjenës ku ruhet shekujve përkrenarja dhe shpata së  Skënderbeut. Naim Frashëri para 149 vjetëve shkroi: 

Lum ti moj Shqipni! thash,

Armët e tij kur i pash

N’dë Belveder e n’dë Vjen

Sikur pashë Skenderbenë.

         Takimi i radhës së krijuesve nga mërgata do mbahet në fund të korrikut dhe fillim të gushtit në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. 

Filed Under: Opinion

Gjergj Kastrioti dhe Lavdia e tij në Shekuj

May 8, 2023 by s p

Maji është tradicionalisht një muaj tepër special për gjithë Shqiptarët kudo në botë. Më 6 Maj, të gjithë së bashku nderojmë e festojmë ditën e lindjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti,Skendërbeu. Gjergj Kastrioti , lindi në vitin 1405. Familja e tij zotëronte një principatë midis Lezhës dhe Prizërenit në të cilën përfshihej Mati, Mirdita e Dibra. Paraardhës se tij ishin Konstandin Kastrioti i cili e filloi sundimin e tij në këtë principatë në Vitin 1383.Gjon Kastriotti, babai i Gjergjit ishte princi i Arberise së Veriut. Atij padrejtësisht iu morrën peng nga Turqia 4 djemtë, midis tyre edhe Gjergji i vogël.

Historia e jetës e mësoi Gjergjin të ruante thellë në shpirt dashurinë për familjen dhe tokën e humbur padrejtësisht. Në vitin 1443, Skendërbeu pa mundësinë për të tu larguar nga ushtria Osmane dhe u kthye në Shqipëri me 300 trupa të besnikëve të tij. Aty, Skendërbeu rimori Kalanë e Krujës, ngriti flamurin me shqiponjën dykrenore dhe shpalli veten mbret i Principatës së Kastriotit. Gjergj Kastrioti bëri te gjitha përpjekjet per të bashkuar popullin Shqiptar dhe e arriti atë , më 2 Mars 1444, në Besëlidhjen e Lezhës. Gjergj Kastrioti konkuroi frikën dhe e ruajti sovranitetin e vendit të tij për 25 vjet me rradhë.

Aftësitë ushtarake dhe mençuria strategjike e Skendërbeut ishin thelbësore për të bashkuar princat dhe zotërinjtë shqiptarë nën një qëllim të përbashkët. Gjenialiteti i tij taktik çoi në një seri fitoresh kundër forcave shumë më të mëdha dhe më të pajisura osmane. Në mesin e triumfeve më të famshme të tij ishte Rrethimi i Krujës në vitin 1450, ku ai mbrojti me sukses kalane kundër një ushtrie osmane prej mbi 100,000 ushtarësh me vetëm 8,000 njerëz të tij.

Përkushtimi i paepur i Skendërbeut ndaj lirisë së Shqipërisë frymëzoi jo vetëm bashkëkombasit e tij, por edhe shtetet e tjera evropiane që e panë atë si një barierë kundër zgjerimit osman. Përpjekjet e tij për rezistencë u njohën dhe u mbështetën nga vende te tjera , duke rritur më tej statusin e tij si simbol i mbrojtjes krishtërimit kundër osmanëve.

Megjithë sfidat e shumta, duke përfshirë edhe përpjekjet për t’a vrarë atë, Skendërbeu nuk ndryshoi kurrë devocionin e tij ndaj Shqipërisë. Ai luftoi me trimëri deri në vdekjen e tij në vitin 1468, ndërsa Perandoria Osmane arriti të pushtonte Shqipërinë vetëm dhjetë vjet pas vdekjes së tij. Megjithatë, trashëgimia e Skenderbeut si hero kombëtar vazhdoi të jetojë dhe të frymëzojë popullin Shqiptar deri më sot.

Gjergj Kastrioti është simboli i forcës, kurajos, vendosmërisë, besnikërisë, ndjeshmërisë, sakrificës, frymëzimit, integritetit, përkujdesjes dhe dedikimit ndaj vendit të tij. Duke nderuar ditëlindjen e Skendërbeut, në këtë ditë të tij , ne përkujtojmë një udhëheqës të jashtëzakonshëm, një njeri që, megjithëse u largua nga atdheu e tij, mbeti besnik ndaj rrënjëve dhe luftoi pa u ndalur për lirinë e popullit të tij. Jeta e Skendërbeu është dëshmi vendosmërie, rezistence dhe pune të palodhur për unitetin e gjithë Shqiptareve. Shpirti i tij është thellësisht i rrenjosur në zemrat dhe mendjet tona, kujtimi i tij vazhdon të jetë ndjeshmëri dhe burim frymëzimi për brezat e rinj.

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” INC është emëruar pas emrit të ketij heroi legjendar. Eshtë detyrë dhe përgjegjësi e cdo anëtari të punojë për të mbrojtur vlerat, traditat dhe kulturën e popullit tonë, të njohë historinë dhe heronjtë e saj si edhe të transmetojë ketë vlerë tek brezi i ri. Sot, jemi krenarë të dëshmojmë se në të gjitha aktivitetet tona jemi munduar t’i përmbahemi ëktij boshti, duke ruajtur dhe promovuar këto vlera te vyera te trasheguara përmes shekujsh. Falenderojmë Shtetet e Bashkuara te Amerikës për mundesitë që na jep cdo ditë si edhe promovimin që na siguron.

Lavdi Vepres Legjendare të Heroit Tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbej!

SH.SH. A. “Skenderbej” Inc

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT