• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2023

Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra

May 28, 2023 by s p

Alfons Grishaj/

Që në vitin 1991 dhe deri më sot sa herë që bëhen zgjedhjet të kap një ankth shpirtëror  jo për rezultatin e skuadrës së zemrës, por a do të ndodhë gjë  si me dy prill të vitit 1991 ?  A do kemi komente negative nga vëzhgues të botës së qytetëruar ? A do e kuptojmë njëri-tjetrin si kundërshtarë të zhvillimit apo si stërnipër të Nastradinit? A do t’a kuptojmë njëri-tjetrin si shqipfolës dhe mëkatarë  me peshë të njëjtë specifike… apo njeri pupël dhe tjetri hekur?

Brohoria  e fitores duhet të zërë vend vetëm ateherë kur liria e votës flet realen dhe jo imponimin. Duhet të festohet ateherë kur ndërgjegje kumton progresin dhe jo regresin. Duhet përshëndetur  kur qytetaria lexohet si manifest njerëzor dhe jo kulm banditesk e rrugaçëror. 

Partia Socialiste brohoret se fitoj 95 % të Bashkive në Shqipëri , si në 96 kur  PD-istët ranë viktimë e hiles  së “braktisjeve”   kutive të  votimit. Demokratët në ekstazë i mbushën   kutitë  me shqelma, duke dalë   “fitimtarë” 90 deri 125%.  Atëherë pak kush e kuptoi se një gabim i tillë do i krijonte PD-së imazhin e malukatit dhe fillimin e rënies së legjendës  së flamurtarit të lirisë.

Berisha e kuptoi këtë, por njerëzit përreth, injorantë që kishin ardhur me lugë në brez paasnjë meritë, disa kishin hequr rrobën e vjetër,   duke u rreshtuar në armatën e liridashësve me   një neps rruge për  të shkulur dhëmbë, gurë e garlliqe.  Urrejtja  kuturu godiste mullarët e kashtës.

Tani polet kanë ndryshuar dhe pak a shumë shohim  të njëtën tabllo, me të vetmin ndryshim se  pushtetarët e sotëm  kanë bërë plaçkë  dhe thasët e parave lëvizin ditën për diell duke bërë pazarin e rradhës.

Në Shqipëri, demokracia ka vdekur palindur mirë. Njerëzit  nuk kanë  më ndërgjegje lirie … 

E keqja është se askush nga  “fitimtarët” nuk e kupton  se, kjo është një vetvrasje ! 

Sikur Enveri dhe Ramizi të rinkarnoheshin do thonin: “ Ngadalë more djema se nuk është koha tënë kur  dilnim në votime  fitimtarë 99% ! Tani kllasa jonë duhet të jetë më koherente, më dinake, ti japë ca minibashki këtyre bukëshkalëve që u bashkuan me kulakët dhe tradhëtarët, për arsye se: armiqtë e huaj do na akuzojnë se në Shqipëri funksinon ende   diktatura e proletariatit!” 

Po dëgjon Padrino ? Padrino para se të pushtonte kështjellën e Socialistëve, qe një ëndërrimtar demokrat , por i etur për gjak si Sadi, ku ëndërronte ti mbushte sheshet  më gjak komunistësh.  Por,  ja që nuk e mbajti fjalën, sepse furia e kalit të tërbuar  ndalet  përballë kufirit të humnerës!

Ai krenohet se fitoi Shkodrën, pa e kuptuar se ai vrau bletën e fundit që e mbante në pushtet.  PS nuk e fitoi Shkodrën  se , ne e dimë përqindjen e elektoratit që ka PS me gjithë rutinën e  shit-blerjes . Shkodrën e humbën divergjencat  dhe përçarja si në vitin 1996 kur kandidoi Artur Luka, ku e “Djathta Shkodrane” fitoi me votat e Partisë Socialiste. Dhe e “ Djathta Shkodrane”  kishte borxh për të larë … dhe borxhin e ktheu  me  besnikëri .

Në  të tilla  raste, Rozafa loton  besën e dhënë që  vëllezërit e shkelin dhe pas 2500 vjetësh,  ku  për të “qëndruar kalaja” , herë pas here duhet të muroset  një i pafaj . 

Bardh Spahia është një burrë  brilant që sëbashku me të motrën Nausika dhe babanë legjendar , Ali Spahia ( bashkëluftëtari dhe miku im i shtrenjtë) dhanë çmundën për demokracinë shqiptare dhe Shkodrën.  

Familja e Becve është një familje qytetare e shkëlqyer , që me Bahrinë,  Fahri Beci ( miku im), Astrit Beci (miku im ) e tjerë Becë kanë treguar  se janë bij të denjë të Shkodrës . 

Lind pyetja :  a duhej familja e Spahive dhe Becve të dilnin kundër njëri-tjetrit ( ashtu siç dolën Spahitë me Bushatllinjtë)  për hatër lojës politikë ? Po! Shkodra hë për hë nuk duhet të udhëhiqet nga  heterogjenët sepse  akoma nuk e kemi  kulturën demokratike për t’u udhëhequr nga subjekti, por nga tradicioni, duke sjellë  paqen mbi  qytetin hije rëndë. 

Në kontekstin politik, PD,  humbi përkohësisht bastionin e demokracisë që krenohej dhe Europa. Dikur,  Euronews  komentonte : “Shkodra,  roca forte!!”.  Në rastin në fjalë ,  fitoi qytetaria, ku dy kundërshtarët, xhentëlmenë të vërtetë i shtrënguan dorën  njëri-tjetrit, shenjë përgjegjshmërie dhe demokracie. Shkodra e dha mesazhin e vet të qartë në  rregullat e lojës politike .  

Në këto zgjedhje u konstatua se,  kotherja kulmoi  gjeneralizëm, ndërsa  ndërgjegja kombëtare dhe demokracia : zero!!

Kasnecët laramanë fërkojnë duart, duke thënë: “ Humbi Sali Berisha dhe Ilir Meta !”  Unë u them, Jo ! Në sy të botës së qytetëruar politike   nuk ka humbur Sali Berisha dhe Ilir Meta , por Demokracia Shqiptare dhe Dardania që ka nevojë për një krah të djathtë  jo internacionalist proletar që bën pazare më të huajt. Unë nuk do përsëris vetveten dhe miqtë e mi që  kanë vënë në dukje  me qindra herë hemoragjinë kombëtare, e cila po zvogëlon popullsinë dhe shpresën se Shqipëria do bëhet një ditë.

Asnjëherë të majtët nuk kanë ndërtuar të ardhme, por kanë dhunuar lirinë, duke sjellur varfëri  deri aty sa kanë detyruar popullin të thotë fjalën e vet , nganjëherë dhe me gjak . 

Ajo që më ra në sy gjithë këto ditë ishte  shfryrja e gjokseve  dhe besnikëria e rreme, e cila dikur “kumbonte dhunshëm”. Lëpirja e akullores ksenomane lektisi të djathtën, duke treguar hapur delitantizmin politik infantil të vasalitetit të trashëguar në brezni.  

Shkodra nuk pyet për “leshin” e habisë së sinqertë të Ylli Rakipit, i cili  e pyeti me  habi  fëminore, Blendi Fevziun , “ Mos kemi shkuar për lesh o Fevzi ?…”,  as për koburet e njerit apo tjetrit që nuk përbëjnë 00.1%… SHKODRA ESHTE  VARREZA E MADHE E VETEKENAQESISE TE  ÇDO DEKLAMACIONI ARTIFICIAL.

Tek vërej hartën rozë e them me plot bindje  se  me këtë “fitore” piramidë, PS e ka futur veten në një problem të madh. Demokratët e  botës së qytetëruar e kanë të qartë se në Shqipëri mund të flitet për çdo gjë , por për demokraci? JO! 

Në Shqipëri, dajrja do bie për sa kohë që verbëria e kotheres  sotme lurton  çengitë  për ahengun e nesërm . Paftat e teneqeve të dajres  do bëjnë zhurmën  galduese primitive ku në ekstazë masturbimi çengitë dhe çengijet do pjellin breshkën për ta  emëruar  çhief of staff  për në portën  e familjes europiane , e cila  do ngelet e mbyllur për një kohë të gjatë.

Bash  në prag të vetmisë   kualitative të gjysheve dhe  gjyshërve, qentë bastardë (që kanë pushtuar rrugët ) do jenë kortezhi ideal i tyre për në jetën tjetër. “Shenjë e bollëkut” dhe e largpamësisë vrastare të shpopullimit.

Dajrja bie  për ditë zie .

Sa dëshirë kam që të jem i gabuar !!

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?

May 28, 2023 by s p

Agim Rexhaj, New York 27 Maj 2023/

Të nderuar pjesmarrës!

Vatra promovon vazhdimisht libra të autorëve të ndryshëm nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, nga shqiptarët tanë, vëllezër dhe motra të vendosur nëpër vende të ndryshme perëndimore.
Një promovim libri këtu tek ne, në fakt është një ngjarje e rëndësishme dhe përbën një gur të ri kilometrazhi në trashëgiminë e Federatës tone, e cila në fakt vetë zanafillën e saj e ka tek njerëzit e penës – Noli dhe Konica.
Dhe tradita vazhdon.
Janë shumë libra të promovuar në këtë sallë. Janë edhe shumë autorë. Secili ka pasë rëndësinë e vet dhe neve i kemi pritur me dëshirë, respekt dhe mirënjohje.
Megjithatë, më duhet të them se ky rasti i sotëm është shumë i veçantë.
Është i veçantë për disa arësye:
E para, libri “William Shakespeare është një vepër madhore, në mos më e rëndësishmja që ndonjë autor francez ka shkruar ndonjëherë për një autor anglez, siç është Shakespeare.

Autori i këtij libri është shkrimtari i madh Francez, Viktor Hugo.
Pra dy kollosët që e kanë dominuar letërsinë e Evropës Perëndimore gjëjnë një pikë takimi në kritikën e shprehur në këtë vepër madhore e cila nderon çdo bibliotekë, qoftë me libra në gjuhën franceze, qoftë në gjuhët e tjera ku libri është përkthyer në gjuhët kryesore të botës.

E dyta, autori i librit në original është njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të Francës. Victor Hugo, autor i veprave si:
1. Të Mjerët (1862):
2. Notre-Dame e Parist” (1831
3. Lindorët (1829):
4. “Punëtorët e detit” (1866):
5. “Njeriu që qesh” (1869) etj.

Pra është vepër e një shkrimtari të jashtëzakonshëm që ka shkruar në një nga gjuhët më të rëndësishme të botës.

E treta, libri i kushtohet shkrimtarit anglez më të madh të të gjitha kohërave, William Shakespeare.

Është e tëpërt të flasim për madhështinë e këtij autori por fakti që dy kollosë, njëri anglez i shekullit të 15-16 si Shakespeare dhe tjetri një francez i shekullit të 19 – të, Hugo, kryqëzohen në një libër si ky që kemi sot në dorë, flet vete.

Pa hyrë në vlerat e librit të cilat zonja Ermira Xhomaqi – Godo na i shpjegoj kaq me elegancë, do të desha të ndalem tek përkthyesit e këtij libri:

KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?

Abdulla Rami ka lindur më 20 maj 1908 në Delvinë. Vitet e para të shkollimit i nisi në Egjipt dhe i përfundoi në vitet ’20, në Delvinë.

Nga viti 1927 – 1931 – ai vazhdoi studimet në Liceun francez të Korçës, ku u diplomua në degën e filozofisë.

Nga viti 1931 – 1936 – ai punon si misionar i dijes në Fier, Përmet dhe Delvinë.

Nga viti 1936 – 1940 – studion në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Montpellier-së në Francë, dhe laurohet në Jurisprudencë.

Më lejoni të shënoj këtu se në atë shkollë studionte edhe diktatori i ardhshëm, Enver Hoxha, i cili pas luftës bëri atë që bënte me të gjithë patriotët dhe ata që i dinin bëmat e tij të mbrapshta. Edhe Abdullah Rami nuk i shpëtoj dot ndëshkimit të diktatorit.

Në korrik të vitit 1940 – emërohet gjykatës në Përmet e më pas në Konispol.

Në prill të vitit 1942 – emërohet gjyqtar i klasit të parë në administratën juridike të Gjilanit, Kosovë.

Ne shtator të vitit 1943 – mbështet dhe përkrah Konferencën e Mukjes duke mbrojtur idealin e bashkimit mbarëkombëtar për një Shqipëri të lirë dhe Etnike. Është ndër përfaqësuesit më të spikatur të organizatës “Balli Kombëtar” për qarkun e Gjirokastrës dhe kundërshton hapur përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri.

Më 16 Dhjetor 1944, fill pasi komunistët e Enver Hoxhës e morën pushtetin, ai -arrestohet si kundërshtar i regjimit komunist dhe dënohet fillimisht me burgim të përjetshëm, më pas me tridhjetë vjet burg, nga të cilat vuan tetëmbëdhjetë vjet në Burgun e Burrelit.

Mbas burgut dëbohet familjarisht në Gosë të Kavajës. i mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit të juristit dhe gjykatësit. Punon si punëtor krahu në punë të detyruar, deri në fund të jetës së tij.

Sfidant e stoik, edhe pse gjëndja shëndetsore i përkeqësohet nga vuajtjet e gjata të burgut, ai vazhdon të shkruajë e të përkthejë vepra të autorëve francezë e anglezë si: Victor Hugo, Henry Van Dyke, William Ernest Henley, Lord Byron, James Montgomery, Walter Skott, Emily Jane Brontë.

Ai studioi dhe analizoi vepra të ndryshme si “Drejtësia e Paqes” të Eugène Raviart-it, “Njeriu komunist” të Aragon-it e të tjerë. Nga përkthimet e tij kanë shpëtuar dy vepra të plota “William Shakespeare”, i shkrimtarit Victor Hugo dhe “Arti në pikëpamje sociologjike”,

Ai vdiq më 29 janar të vitit 1973.

Më 19 shkurt 1996, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Dr. Sali Berisha, e ka dekoruar me titullin :
“Martir i Demokracisë”: Motivacioni “Luftëtar i vendosur kundër komunizmit për një Shqipëri Demokratike, masakruar mizorisht nga regjimi komunist”.

Një vepër kaq emblematike e shkruar nga një peronsalitet i tillë është shumë e mirëpritur.
Një legjendë e tillë e intelektualëve shqiptarë nuk mund të sillte asgjë më pask se sa një kryevepër.

Por edhe më të përkryer veprën e ka bërë puna e kujdeshme e mbesës së ti. Ermira Godo të cilën e kemi sot.
Më lejoni të shpreh të gjithë admirimin për këtë vepër kaq të rëndësishme dhe më shumë se aq, për autorët dhe sidomos këtë intelektulal i cili edhe nëpër burgjet komuniste edhe në internim nuk iu nda punës së tij me vlera kaq të mëdha.

Po aq e admirushme është edhe kujdesi dhe sakrifica e njerëzve të afërm të Abdullah Ramit të cilët e ruajtën me aq kujdes veprën e tij për ta sjellë deri në ditët e sotme me kaq finesë, art, cilësi botimi dhe kujtime të dhimbshme por me vlerë të madhe.

Nderim të përjetshëm për këtë martir, mbesën e tij Ermirën dhe familjen dhe pasardhësit e Abdullah Ramit!

Agim Rexhaj, New York 27 Maj 2023

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim REXHAJ -

Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave

May 28, 2023 by s p

Julika Prifti/

Koncerti The Bright Lights of OriginAL u dha të mërkurën në sallën Town Hall në Manhattan ku disa vite përpara shkuara publiku kishte ardhur për shfaqjen e sopranos Inva Mula e pianistit Genc Tukiçi. Një shi i papritur dhe i furishëm pak përpara hapjes së dyerve e prishi disi atmosferën e gëzueshme dhe momentet për përqafime e bisedime të shkurtra mes të njohurve. Njerëzit u dyndën për të hyrë sa më parë brenda ndërtesës. Në hyrje nga ana ku shiten biletat ishte vendosur një tavolinë me fletushka OriginAl ku kishte informacion për aktivitetin që donin të sponsorizonin si edhe bileta e lista të njerëzve të ftuar. Tavolina pengonte hyrjen nga ai krah kështu që pas marrjes së biletës duhet të dilje në shi për tu kontrolluar me metal ditektor, siç është bërë e zakonshme, për të hyrë në sallonin e madh e më pas në sallën e bukur me kolltuqe kadife të kuqe.
Pas një vonese më shumë se 30 minuta Avni Mustafaj, drejtues i Germin, përshëndeti e falenderoi të pranishmit. Ai kujtoi se shumë prej spektatorëve kishin marrë pjesë në demonstrata para Kombeve të Bashkuara, Shtëpisë së Bardhë e ishin takuar me senatorë e kongresmenë derisa arritën të takohen edhe me Presidentin Clinton për Kosovën. Më pas ai ftoi në skenë dy të rinjtë, Sihana Bejtullahu dhe Lirim Krasniqi të ardhur nga Prishtina. Pas studimeve në Amerikë ata u kthyen në Prishtinë me një ide të re. Të lidhnin brezat e rinj të lindur e të rritur jashtë atdheut me kulturën e me dashurinë për trojet e të parëve. Shembulli më i mirë për këtë është Israeli i cili ka një program që fton të rinj që nuk e kanë vizituar kurrë vendin e prindërve apo të të parëve të tyre. Ata njihen me vendin e kulturën, historinë e gjeografinë duke shëtitur në vende të rëndësishme, e duke qëndruar në grupe gjatë vizitës disajavore. Pse të mos e bëjmë edhe ne? menduan dy të rinjtë shqiptarë, të cilët e filluan projektin në 2019. Covid-19 e ndaloi pak progresin. Verën e kaluar ata arritën ta vinin në jetë programin e tyre duke ftuar 40 të rinj të moshave 18-24, për 2 javë në Shqipëri e Kosovë (rruga dhe shpenzimet tjeter të paguara nga OriginAL). Një nga pjesëmarrëset e programit tregoi se pas vizitës në Shqipëri e Kosovë ndihej më e lidhur me traditat dhe prejardhjen e saj. Pas tyre foli z. Kozmo që falenderoi gjithë sponsoruesit, emrat e të cilëve gjendeshin edhe në një tabelë të madhe e të dukshme në skenë. Z. Kosmo tha se deshira e tij e madhe ishte që në 100 vjetorin e ditëlindjes së tij të linte një milion dollarë, për të ndihmuar organizatën, gjallë apo vdekur, ai do ta arrinte qëllimin megjithëse ende nuk e dinte rrugën që duhej ndjekur.
Programi artistik filloi me një pjesë në piano të luajtur nga Genc Tukiçi e pas disa minutash në skene doli Inva Mula e veshur me një fustan të kuq e me mëngën e djathtë në formën e një trëndafili të zi. Në skenë me të ishte dhe banda e Florent Boshnjakut, me instrumentistë shumë të talentuar e njohës të muzikës së trojeve shqiptare. Në prezantim Genc Tukiçi tha ndonëse bashkëpunimi me bandën ishte vetëm dyditor në koncert përshtypja ishte krejt ndryshe. Koncerti kishte kenge nga Shqipëria, Kosova e Kalabria. Inva Mula interpretoi me mjeshtëri këngë të kompozuara nga babai i saj Avni Mula e dy këngë të njohura nga mjeshtra Nexhimie Pagarusha. Për herë të parë ajo e kishte parë Pagarushën në një koncert në Tiranë dhe prej asaj dite e kishte modelin që duhej të ndiqte. Pjesa e parë përfundoi me pianisten e re e të talentuar Anila Aliu. Ajo jo vetem ka fituar çmimin e parë në çdo konkurs po edhe po interpreton me orkestra të ndryshme të botës.
Klarinetisti Igli Tuga e elektrizoi sallën. Interpretimi i tij është magjik dhe luajtja virtuoze e ngriti në këmbë publikun. Në pjesën e dytë Inva doli e veshur me një veshje të stilizuar të xhubletës shqiptare që tashmë është marrë në mbrojtje nga UNESCO si pjesë e Pasurisë Botërore të Njerëzimit. Ajo falenderoi “një mik që e njohu 25 vite më parë, kur ishte ende e re por një njeri që e përkrahu me të gjitha forcat e influencen e tij, e që deshi të nxirrte në pah jo vetëm talentin po edhe bukurinë e femrës shqiptare. Sot dua të falenderoj Fadil Berishën, i lindur në Tropojë e i rritur në Gjakovë,” tha Inva Mula e mbytur nga duartrokitjet e gjithë sallës. Mbyllja e programit me këngën Xhamadani Vija- Vija, e kënduar nga e gjithë salla në këmbë ishte një finale madhështore.
Koncerti kishte një vizion panshqiptar, ku muzika e Kosovës dhe Shqipërisë ishin pjesë e një shtrati. Banda e Florent Boshnjakut, si njohës i thellë i muzikës popullore shqiptare ia dha këtë dimension koncertit.
Veç mbledhjes së fondeve për OriginAL, koncerti arriti të zbulojë forcën e bukurinë e muzikës shqiptare të të gjitha trevave.

Filed Under: Opinion Tagged With: Julika Prifti

“Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët

May 27, 2023 by s p

Ermira Godo

New York 27 maj 2023

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Federata Pan-shqiptare Vatra, Gazeta Dielli, 

Të dashur bashkëatdhetar, vatranë, media, mësues, profesorë, aktivistë, veprimtarë të çështjes kombëtare, ju përshëndes e ju falenderoj përzemërsisht të gjithëve, të jeni sot të pranishëm në këtë takim, e në këtë ditë të shënuar. Kam kenaqësinë e veçantë të cilën ndoshta nuk do të mund ta përcjell dot me fjalë, të ndaj me ju këtë prezantim sot në këtë sallë.

Dëshiroj gjithashtu të falenderoj të gjithë organizatorët që mundësuan këtë takim, e   veçanërisht krye-redaktorin e Gazetës Dielli, Sokolin për mirëkuptimin dhe mbështetjen, por edhe për punën e palodhur që bën me Gazetën Dielli, e cila ashtu siç ka edhe emrin është një ndriçim për të informuar por edhe një thesar i vyer, për të mbajtur gjallë frymën atdhetare, për të sjellë në kujtesë gjthçka që nuk duhet harruar, gjithçka që nuk duhet të jetë kurrsesi nën pluhurin e kohës e as në oborrin e padijes, duke përmbushur kështu atë mision të shenjtë, solemn dhe historik të kësaj “Vatre” të nderuar shqiptare, e cila sheston në rrugëtimin e saj njëshekullor, mbrojtjen e të drejtave të mbarë shqiptare, si dhe përhapjen e vlerave tona kombëtare, historike e kulturore, jo vetëm në New York dhe Amerikë por kudo në botë. 

Jam e lumtur dhe e nderuar të ndaj me ju këtë bisedë sot, dhe në nderim të gjithë atyre figurave të shquara të cilat kanë dhënë e vazhdojnë të japin kontributin e tyre në “Vatrën” e Nolit të madh e të viganit Konicë dhe në përkujtim të 50 vjetorit të revoltës së Spaçit më lejoni të shtoj në tempullin e kujtesës së kulluar vatrane edhe “revoltën time paqësore” e cila sjell sot mes jush këto dy vepra, kushtuar intelektualizmit shqiptar dergjur qelive të burgut të Burrelit, shkrirë e përputhur me figurën e tim gjyshi, një intelektuali antikonformist, në imazh të të gjithë atyre intelektualeve, jeta e të cilëve humbi e mori rrapëllimën viteve të diktaturës.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

“Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, janë mbi të gjitha një përpjekje për të dhënë një kontribut sado modest, në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët, një përpjekje për të rrëfyer mbi fakte e dokumenta atë pjesë të historisë dhe të qëndresës sonë e cila u fsheh dhe u përgënjeshtrua enkas, për më shumë se një gjysmë shekulli gjatë viteve të diktaturës.

Në këtë këndvështrim “Përtej harrimit” dhe përkthimi i Shekspirit të Hygosë ndërlidhin jo vetëm emra e kolosë të letërsisë botërore të të gjithë kohërave, por mbi të gjitha ato janë një nyje gordiane që përtej shkrimit e përkthimit, përtej fjalës dhe emocionit, përtej brengës dhe kujtimit, përtej përvojave gjuhësore e njerëzore, përtej ekzilit, internimit e jetëve paralele, – Lidhin Epoka, Ngjarje, Breza e Histori. 

Sepse përtej “thirrjes” e zërit të amanetit së tim gjyshi, detyrimit shpirtëror, ishte një tjetër “thirrje” edhe më kumbuese, e cila trondiste edhe më fort e jepte kushtrimin për pëmbushjen e një detyrë qytetarie, në emër të një pune shumëvjeçare, për t’ju përcjellë pasardhësve jo vetëm një histori e një përkthim por edhe një gjurmë e një pjesë të kontributit të tij, e cila shënon qëndresën, betejën dhe arratisjen e një mendjeje, arratisjen e shumë mendjeve si Ai,  drejt një bote të lirë, drejt një bote të munguar por të ëndërruar, për të reflektuar veten në trajtën e fjalëve të Hygoit dhe pikërisht kështu të mund të mbetej ajo më e mira, më e vërteta, e ndoshta më e bukura e asaj kohe të vështirë… 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Abdulla Ramin, gjyshin tim të mirë, për fat të keq nuk e njoha kurrë. Edhe pse ai më dha bekimin dhe emrin, vdiq papritmas në internim, kur unë isha ende shumë e vogël, vetëm dy vjeçe. 

Jetonim atëherë të dëbuar, në një shtëpi ndërtuar me qerpiç nga duart e babait dhe të xhaxhallarëve të mi. Aty, nëna ime, në një sënduk të vjetër druri ruante librat dhe dorëshkrimet e Atit të saj. Ishin pikërisht ata libra pikëtakimi im i parë me të dhe frëngjishten, ishin ato dorëshkrime dialogu im i parë me personazhin e tij… me nje figurë e cila thuajse nuk ekzistonte, atë nuk e njihnin plotësisht, as të afërmit, as familja, as të tjerët… Shumica e bashkëvuajtësve të tij nuk jetonin më, shumë shkrime e dokumente të rëndësishme gjatë raprezaljeve, burgimeve dhe internimeve që ndoqën familjen ishin zhdukur. Për Ramin nuk kishte thuajse asgjë të shkruar, as tituj, madje edhe diplomat e tij ishin zhdukur në ato vite… 

Gjithsesi, kam hezituar mjaft përpara se të filloja të shkruaja këtë libër , jo nga mungesa e dëshirës, por në radhë të parë, sepse kam menduar se duhej dikush tjetër, një shkrimtar, studiues a historian i mirëfilltë, i cili do ta ndërmerrte një mision të tillë, Por shihja çdo ditë se vitet po rridhnin, se brezi i prindërve tanë po largohej nga kjo botë…, dhe ne e bashkëmoshatarët e mi, mbeteshim kështu i vetmi vektor transmetues i ngjarjeve dhe i historive të tyre.

E kështu, mora në duar shkrimet, dorëshkrimet, kujtimet, dosje të pahapura nga arkivat e shtetit shqiptar, fillova të bëj biseda pafund me të afërm, bashkëkohës dhe bashkëvuajtës, rrugët e të cilëve ishin pikëtakuar në vuajtje të përbashkëta, përgjatë kalvarit e golgotës së atyre viteve.  Ata më shfaqnin përpara syve një palimpsest të kohërave, të mbresave e historive… dhe me përcillnin jo vetëm një mesazh të përshpirtshëm e hyjnor, por mesazhin e një akti lirie e qëndrese, si një tregues i pakundershtueshëm në faktin se në çdo moment të jetës së saj Shqipëria është përballur dhe i ka qëndruar diktaturës së atyre viteve.

Në këtë rrugë të pashkelur e të gjatë… kalova nga Tatzati i Delvinës, në Gjirokastër, nga arkivat e Tiranës, në burgun e Burrelit; duke ndjekur trajektoren e rigjetur nga Arkivat e Universitetit të Montpellier-së në Francë, në Arkivat Shtetërore të Kosovës në Gjilan e në Prishtinë, m’u desh të lexoja madje edhe mjaft nga librat e diktatorit Hoxha, i cili e përmendte shpesh  Ramin si bashkënxënës të tij në liceun e Korçës e më pas, si kundërshtar të vendosjes së platformës komuniste në Shqipëri. 

Ky qëmtim më provonte edhe njëherë, se fati i atyre, udha e jetës së të cilëve u kryqëzua me diktatorin, do të ishte tragjik. Të konsideruar si kundërshtarë politikë antikonformist, edhe pse me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ata përfunduan pafajësisht në gijotinë, u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë ose u zhdukën, menjëherë gjatë viteve të diktaturës në Shqipëri. 

I referohem këtu një liste të gjatë emrash si… Arshi Pipa, Abaz e Bahri Omari, Gjergj Kokoshi, Pashko Gjeçi, Sami Rrepishti, Uran Kostreci, Aleko Turtulli, Vedat Kokona, Guljelm Deda, Andon Frashëri, Bilal Xhaferri, Sabiha Kasimati, Isuf Luzaj, Myslim Çarçani, Avni e Seit Xhomaqi, Lazer Radi, Mustafa Kadilli, Mit’hat Araniti, Nedin Kokona, Isuf Vrioni, vëllezërit Rami, Musine Kokalari, etj etj… Historia e tyre, dëshmon për energji të pallogaritshme e të pafajshme njerëzore, mbytur me një lehtësi kriminale nën diktaturë, ndërkohë që kontributi i tyre intelektual do të kishte qenë aq i çmuar dhe i vyer për Shqipërinë e pasluftës.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Sigurisht, ky ligjërim merr përsipër jo të relatojë kalvarin nëpër të cilin u rrokullis jeta e tim gjyshi dhe  e mjaft intelektualëve të tjerëve si Ai, të cilët pa dyshim, nëse do të jetonin, do të kishin qenë shtylla të fuqishme në fusha të ndryshme të mendimit ligjor dhe të drejtësisë shqiptare, të shkencave politike e filozofike, të ekonomisë dhe letërsisë, të mjeksisë, inxhinjerisë e agronomisë, të cilët do të kishin vendosur e do të kishin ndërtuar bazat e një shteti shqiptar europian e demokratik, por gjithsesi kjo kumtesë është një përpjekje për t’i bërë homazh të vërtetës dhe qëndresës së tyre, edhe për një fakt shumë të rëndësishëm, pse e vërteta e tyre ende nuk e ka gjetur vendin që i takon në Panteonin e Historisë shqiptare. 

Më lejoni t’i referohem këtu vetëm një moment letërsisë:

  • Në imazhin e kolosëve të letrave botërore: Hygoi është vigan, Hygoi është gjeni, Hygoi ndodhet në Panteon në Paris
  • Shekspiri është i paarritshëm, Shekspiri është gjigand embrional, i përplotë e sublim, Shekspiri mbetet poeti kombëtar i Anglisë.
  • Ne këtë këndvështrim e në një kuptim tejet më të gjerë se puna e një individi të cituar: Rami dhe të ngjashëm si Ai, janë modele të fatit të intelektualizmit shqiptar në vitet e diktaturës, ata mbeten qëndrestar e antikonformist.

Për të theksuar këtu edhe faktin se çdo komb është ballafaquar, të paktën në një moment të caktuar të historisë së tij me nevojën e pashmangshme të punës me kujtesën.  Ne e dimë shumë mirë se shoqëritë dhe kombet janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi rrjedhat e ngjarjeve historike ku kanë qenë aktorë e subjekte, në varësi të rrethanave specifike për ruajtjen e kujtesës kolektive.

Po për ne shqiptarët…, pse është kaq e vështirë historikisht ta shohim në sy të shkuarën e diktaturës? Pse është kaq e vështirë t’i kushtojmë kohën e duhur studimit të saj, për t’i kuptuar ngjarjet ashtu siç kanë qenë, për të qëmtuar e zbardhur me durim e me kujdes atë periudhë të errët të atyre viteve që ishte aq mizore për shumë e shumë nga ne, aq e pamëshirshme për shumë e shumë familje, aq e dëmshme për një popull të tërë dhe aq frenuese për zhvillimin tonë mbarëkombëtar.

Si mund të justifikohet tek ne që edhe pas tre dekadash, ajo që francezët e cilësojnë si “Puna me Kujtesen – le Travail de Mémoire” tek ne është kaq e ngadaltë, për të mos thënë tejet e vështirë dhe e pa arritshme? E mbi të gjitha, a mund të mbrohet sot e drejta e padiskutueshme e viktimave dhe e qëndrestarëve të diktaturës vetëm në ligjërimin për Kujtesën? 

Për të ndihmuar në artikulimin e kësaj përgjigjeje, do të doja të bëja një paralelizëm e një lidhje shumë të shkurtër midis punës së kujtesës dhe programeve të përcaktuara me të cilat trajton Unesko – veçanërisht atë të program të quajtur “Kujtesa e Botës” – “Memory of the World”

Krijuar në vitin 1992, Programi “Kujtesa e Botës” në Unesko – synon të mbrojë të gjitha kombet nga “amnezia kolektive”, duke bërë thirrje për ruajtjen e trashëgimisë dokumentare, duke përfshirë ruajtjen e koleksioneve të çmuara të arkivave dhe bibliotekave në mbarë botën, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e kësaj trashëgimie dhe duke u përpjekur për të promovuar aksesin në thesaret dokumentare të mbarë njerëzimit. Këtë vit, Programi “Kujtesa e Botës” në Unesko feston 31 vjetorin e krijimit dhe vazhdon të punoj për të rritur ndërgjegjësimin e autoriteteve publike dhe shoqërisë civile, të specialistëve të arkivave, për rëndësinë e politikave të ruajtjes dhe aksesit ndaj kësaj forme unike dhe të brishtë të trashëgimisë botërore – përballë të gjitha rreziqeve, duke filluar nga ato të pavullnetshmet e të pavetëdijshmet e deri tek shkatërrimi i vetëdijshëm, zhdukja, plaçkitja, e dëmtimi përmes trafikut të paligjshëm, shpërdorimit të vullnetshëm e të pandreqshëm, mosfunksionimit të mjeteve të ruajtjes e të mbrojtjes ose, thjesht, për ta ruajtur këtë trashëgimi nga e keqja më absolute: Harresa.

      Sepse kujtimet që nuk përcillen janë ide të humbura përgjithmonë; një libër që nuk shkruhet është një pjesë historie e patransmetuar; një dokumentar i pashfaqur,  do të jetë një dëshmi e humbur; një ngjarje e humbur është një gur më pak në foltoren e kujtesës së dijes e të transmetimit të Kujtesës sonë. 

E kjo gjithashtu sepse për arsye që ne i dimë e i njohim, ne – shqiptarët – i kemi paguar një çmim të madh historisë, një çmim të pallgaritshëm qëndrese e mbijetese në shekuj. Në Shqipëri ashtu si edhe në vendet e tjera të lindjes, arritja më e madhe e diktaturave komuniste ka qenë e mbetet fatkeqësisht: “krijimi i njeriut të ri – njeriut pa kujtesë, njeriut pa memuaristikë. 

Arsye për të cilën Shqipëria ka sot nevojë të domosdoshme punën me kujtesën, Shqipërisë i duhet një regjistër Kombëtar për Regjistrimin, Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Kujtesës sonë Kombëtare, Shqipërisë i duhen muzetë e viktimave dhe qëndrestarëve të totalitarizmit, memorialet e të vrarëve e të pushkatuarve pa gjyq e pa varr, Shqipërisë i duhen ditët e Kujtesës, jo vetëm në emër të viktimave të komunizmit, por mbi të gjitha Ditët e Kujtesës së Qëndresës ndaj diktaturës, muzetë “Akt Qëndrese e Lirie”, në nderim të Kujtimit të Kundërshtarëve politikë, të Disidentëve dhe të Martirëve.  Sepse vetëm kështu ne mbrojmë, jo vetëm kujtimin e viktimave të totalitarizmit, por lartësojmë qëndresën e atyre që nuk iu nënshtruan diktaturës dhe e sfiduan atë në mënyrë stoike, duke sakrifikuar madje edhe me jetën e tyre. 

   Ndaj kur vizitoj muzetë “Bunk’Art”, “Bunk’Art 2” apo “Shtëpia me gjethe” e shoh aty në imazhe intiligjencën, forcën shkatërruese e madje glorifikimin diktaturës, mendoj se : 

Përballë tunelit të nëndheshem në Buk’Art, përballë dhomës së hetuesisë e përgjimit– ne duhet të shohim gjithashtu në muze maketin e netëve makabre të arrestimit, birrucat e Burrelit, minierat e Spaçit, kampin e Tepelenës… të shohim maketin e rrugëve të gjakosura të kufirit, ku mbeti jeta e dhjetra e qindrave të arratisurve të cilët tentuan t’i shpëtonin atij regjimi.

Përballë stendave shkëlqyese të përgjimeve dhe aparatit fotografik të kamufluar nën pallton e zezë te operativit, përballë radio-marrëseve të sofistikuara të sigurimit, përballë imazhit të perfeksionimit të shkollës së Sigurimit, ne duhet të shohim imazhet e profesorëve epik të burgut të Burrelit, të shohim radion e thjeshtë ku fshehtas dëgjohej zëri i Amerikës, të shohim këmishën e gjakosur flamur-valëvitur revoltës së Spaçit, të shohim poezitë e poetit të burgosur e të vrarë, vetëm për vargjet e tij kundër regjimit.

Përballë dhomës moderne të atyre viteve, tek “Shtëpia me gjethe – të shohim në muze dhomën ku përgatiteshin çantat e ushqimeve për të shkuar burgjeve, të shohim imazhin e bashkëshortes, nënës, bijës që së bashku me vëllanë e babanë nuk e lanë vetëm në vuajtjet e burgut të birin.

Përballë gabimeve ortografike në shkrimet e akt akuzave të gjyqeve makabre, përballë tavolinës ku vihej përgjuesi a «Çimka» e sigurimit – të shohim Promemorjet e martirëve, diplomat e tyre, poezitë, korrespondencat, përkthimet e gjenive.

Përballë planimetrisë të mirëstudjuar të “Shtëpisë me gjethe”, përballë postës së përgjuar e letrave të hapura – të shohim  në muze shkrimet dhe mesazhet e shkruara e të shpëtuara nga thellësitë e qelive, të shohim planimetrinë e burgjeve dhe të kampeve të dëbimit

Përballë historisë gjysmëshekullore të Shqipërisë – të shtresëzohet, të mirëpunohet, të mirëintegrohet, dhe të mirëtransmetohet për tu studiuar në shkollat tona – historia e diktaturës komuniste dhe e persekutimit.

Vetëm kështu ne përballemi me të shkuarën tonë pa ndroje, për të ndërtuar në tempullin e Kujtesës sonë të përbashkët të paktën, një Memorial Qëndror të denjë e të merituar, një Ditë Kujtese Kombëtare, një Muze, një Qëndër Studimore e Memuaristike, që Shqipëria u detyrohet viktimave dhe qëndrestarëve të diktaturës komuniste, e të cilat ajo ende nuk i ka.  

Kur do t’i ketë vallë? 

Historia jonë po pret prej më shumë se 30 vitesh.

Por pa dyshim, përmendorja që kundërshtarët dhe viktimat e totalitarizmit i kanë ngritur vetvehtes vlen më shumë se çdo përmendore. Ata vetë sfidojnë çdo piramidë; ata kanë veprën e tyre piedestal. 

E megjithë këtë, në respekt të së vërtetës së tyre, e për t’u transmetuar brezave vërtetësinë e historisë, është e rëndësishme, kyç madje puna jonë memuaristike, duke qëmtuar me kujdes e vërtetësisht ngjarjet e fenomenet, ne nderojmë e respektojmë ata që u ngriten mbi vetveten, ata të cilët dhanë gjithçka për kauzat e mëdha; shohim pa ndroje e hezitim gabimet dhe vendimet e mbrapshta; e bëhemi kështu pjesë e pandashme e asaj pjese të botës që është përballur plotësisht me të shkuarën edhe pse të dhimbshme të  tyre.

Sigurisht kjo kërkon jo vetëm angazhimin e një grupi të shoqërisë, jo vetëm shoqatën e të përndjekurve politik, “Vatrën”, Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Autoritetin e Dosjeve, fondacionin kujto.al, IDMC…etj, por mbi të gjitha kjo kërkon vullnetin dhe  frymën e të gjithë aktorëve të shoqërisë – sepse pa dyshim kujtesa e një shoqërie është më e qëndrueshme se ajo e një individi, kërkon vullnetin dhe  frymën e gjithë institucioneve dhe strukturave shtetërore – sepse kujtesa e një Institucioni është gjithashtu më e qëndrueshme se kujtesa e një individi, kërkon vullnetin dhe  frymën e mbarë diasporës, të mbarë shoqërisë civile, kërkon grupe pune, me ekspert, sociolog, historianë, pedagogë, juristë, studiues, hulumtues, dëshmitarë të krimeve të diktaturës, të cilët larg indiferentizmit e shkurajimit, të jenë prezent në këtë mision, pse vetëm kështu ne vendosemi në anën e duhur të historisë së njerëzimit, të përkujtimit, të nderimit dhe të mos-harrimit ! 

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj e dëgjimin!

Ermira Godo

New York 27 maj 2023

Filed Under: Opinion Tagged With: ermira godo

Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm

May 27, 2023 by s p

Vjosa Osmani/

Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. (Neni 2 i Kushtetutës)

Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë.

Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë! 🇽🇰

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT