Alfons Grishaj/
Që në vitin 1991 dhe deri më sot sa herë që bëhen zgjedhjet të kap një ankth shpirtëror jo për rezultatin e skuadrës së zemrës, por a do të ndodhë gjë si me dy prill të vitit 1991 ? A do kemi komente negative nga vëzhgues të botës së qytetëruar ? A do e kuptojmë njëri-tjetrin si kundërshtarë të zhvillimit apo si stërnipër të Nastradinit? A do t’a kuptojmë njëri-tjetrin si shqipfolës dhe mëkatarë me peshë të njëjtë specifike… apo njeri pupël dhe tjetri hekur?
Brohoria e fitores duhet të zërë vend vetëm ateherë kur liria e votës flet realen dhe jo imponimin. Duhet të festohet ateherë kur ndërgjegje kumton progresin dhe jo regresin. Duhet përshëndetur kur qytetaria lexohet si manifest njerëzor dhe jo kulm banditesk e rrugaçëror.
Partia Socialiste brohoret se fitoj 95 % të Bashkive në Shqipëri , si në 96 kur PD-istët ranë viktimë e hiles së “braktisjeve” kutive të votimit. Demokratët në ekstazë i mbushën kutitë me shqelma, duke dalë “fitimtarë” 90 deri 125%. Atëherë pak kush e kuptoi se një gabim i tillë do i krijonte PD-së imazhin e malukatit dhe fillimin e rënies së legjendës së flamurtarit të lirisë.
Berisha e kuptoi këtë, por njerëzit përreth, injorantë që kishin ardhur me lugë në brez paasnjë meritë, disa kishin hequr rrobën e vjetër, duke u rreshtuar në armatën e liridashësve me një neps rruge për të shkulur dhëmbë, gurë e garlliqe. Urrejtja kuturu godiste mullarët e kashtës.
Tani polet kanë ndryshuar dhe pak a shumë shohim të njëtën tabllo, me të vetmin ndryshim se pushtetarët e sotëm kanë bërë plaçkë dhe thasët e parave lëvizin ditën për diell duke bërë pazarin e rradhës.
Në Shqipëri, demokracia ka vdekur palindur mirë. Njerëzit nuk kanë më ndërgjegje lirie …
E keqja është se askush nga “fitimtarët” nuk e kupton se, kjo është një vetvrasje !
Sikur Enveri dhe Ramizi të rinkarnoheshin do thonin: “ Ngadalë more djema se nuk është koha tënë kur dilnim në votime fitimtarë 99% ! Tani kllasa jonë duhet të jetë më koherente, më dinake, ti japë ca minibashki këtyre bukëshkalëve që u bashkuan me kulakët dhe tradhëtarët, për arsye se: armiqtë e huaj do na akuzojnë se në Shqipëri funksinon ende diktatura e proletariatit!”
Po dëgjon Padrino ? Padrino para se të pushtonte kështjellën e Socialistëve, qe një ëndërrimtar demokrat , por i etur për gjak si Sadi, ku ëndërronte ti mbushte sheshet më gjak komunistësh. Por, ja që nuk e mbajti fjalën, sepse furia e kalit të tërbuar ndalet përballë kufirit të humnerës!
Ai krenohet se fitoi Shkodrën, pa e kuptuar se ai vrau bletën e fundit që e mbante në pushtet. PS nuk e fitoi Shkodrën se , ne e dimë përqindjen e elektoratit që ka PS me gjithë rutinën e shit-blerjes . Shkodrën e humbën divergjencat dhe përçarja si në vitin 1996 kur kandidoi Artur Luka, ku e “Djathta Shkodrane” fitoi me votat e Partisë Socialiste. Dhe e “ Djathta Shkodrane” kishte borxh për të larë … dhe borxhin e ktheu me besnikëri .
Në të tilla raste, Rozafa loton besën e dhënë që vëllezërit e shkelin dhe pas 2500 vjetësh, ku për të “qëndruar kalaja” , herë pas here duhet të muroset një i pafaj .
Bardh Spahia është një burrë brilant që sëbashku me të motrën Nausika dhe babanë legjendar , Ali Spahia ( bashkëluftëtari dhe miku im i shtrenjtë) dhanë çmundën për demokracinë shqiptare dhe Shkodrën.
Familja e Becve është një familje qytetare e shkëlqyer , që me Bahrinë, Fahri Beci ( miku im), Astrit Beci (miku im ) e tjerë Becë kanë treguar se janë bij të denjë të Shkodrës .
Lind pyetja : a duhej familja e Spahive dhe Becve të dilnin kundër njëri-tjetrit ( ashtu siç dolën Spahitë me Bushatllinjtë) për hatër lojës politikë ? Po! Shkodra hë për hë nuk duhet të udhëhiqet nga heterogjenët sepse akoma nuk e kemi kulturën demokratike për t’u udhëhequr nga subjekti, por nga tradicioni, duke sjellë paqen mbi qytetin hije rëndë.
Në kontekstin politik, PD, humbi përkohësisht bastionin e demokracisë që krenohej dhe Europa. Dikur, Euronews komentonte : “Shkodra, roca forte!!”. Në rastin në fjalë , fitoi qytetaria, ku dy kundërshtarët, xhentëlmenë të vërtetë i shtrënguan dorën njëri-tjetrit, shenjë përgjegjshmërie dhe demokracie. Shkodra e dha mesazhin e vet të qartë në rregullat e lojës politike .
Në këto zgjedhje u konstatua se, kotherja kulmoi gjeneralizëm, ndërsa ndërgjegja kombëtare dhe demokracia : zero!!
Kasnecët laramanë fërkojnë duart, duke thënë: “ Humbi Sali Berisha dhe Ilir Meta !” Unë u them, Jo ! Në sy të botës së qytetëruar politike nuk ka humbur Sali Berisha dhe Ilir Meta , por Demokracia Shqiptare dhe Dardania që ka nevojë për një krah të djathtë jo internacionalist proletar që bën pazare më të huajt. Unë nuk do përsëris vetveten dhe miqtë e mi që kanë vënë në dukje me qindra herë hemoragjinë kombëtare, e cila po zvogëlon popullsinë dhe shpresën se Shqipëria do bëhet një ditë.
Asnjëherë të majtët nuk kanë ndërtuar të ardhme, por kanë dhunuar lirinë, duke sjellur varfëri deri aty sa kanë detyruar popullin të thotë fjalën e vet , nganjëherë dhe me gjak .
Ajo që më ra në sy gjithë këto ditë ishte shfryrja e gjokseve dhe besnikëria e rreme, e cila dikur “kumbonte dhunshëm”. Lëpirja e akullores ksenomane lektisi të djathtën, duke treguar hapur delitantizmin politik infantil të vasalitetit të trashëguar në brezni.
Shkodra nuk pyet për “leshin” e habisë së sinqertë të Ylli Rakipit, i cili e pyeti me habi fëminore, Blendi Fevziun , “ Mos kemi shkuar për lesh o Fevzi ?…”, as për koburet e njerit apo tjetrit që nuk përbëjnë 00.1%… SHKODRA ESHTE VARREZA E MADHE E VETEKENAQESISE TE ÇDO DEKLAMACIONI ARTIFICIAL.
Tek vërej hartën rozë e them me plot bindje se me këtë “fitore” piramidë, PS e ka futur veten në një problem të madh. Demokratët e botës së qytetëruar e kanë të qartë se në Shqipëri mund të flitet për çdo gjë , por për demokraci? JO!
Në Shqipëri, dajrja do bie për sa kohë që verbëria e kotheres sotme lurton çengitë për ahengun e nesërm . Paftat e teneqeve të dajres do bëjnë zhurmën galduese primitive ku në ekstazë masturbimi çengitë dhe çengijet do pjellin breshkën për ta emëruar çhief of staff për në portën e familjes europiane , e cila do ngelet e mbyllur për një kohë të gjatë.
Bash në prag të vetmisë kualitative të gjysheve dhe gjyshërve, qentë bastardë (që kanë pushtuar rrugët ) do jenë kortezhi ideal i tyre për në jetën tjetër. “Shenjë e bollëkut” dhe e largpamësisë vrastare të shpopullimit.
Dajrja bie për ditë zie .
Sa dëshirë kam që të jem i gabuar !!