• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2023

Kryeministri Kurti takoi Papa Françeskun në Vatikan

June 22, 2023 by s p

Vatikan, 22 qershor 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Vatikan sot, u prit nga Ati i Shenjtë, Shenjtëria e tij, Papa Françesku.

Në këtë takim të përzemërt, në mëngjesin e ditës më të gjatë të vitit, siç veçoi kryeministri në takim, ai u shpreh falënderues dhe shumë i lumtur për mikpritjen kaq dashamirëse.

Ai tha se Republika e Kosovës është e përcaktuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim. Me Papa Françeskun, biseduan për rininë dhe ardhmërinë, për figurën, veprën dhe trashëgiminë e Nënës Terezë, për Letnicën e Vitisë ku asaj i erdhi thirrja për devocion, dhe për bashkëjetesën multi-fetare në Kosovë. Kryeministri më tej e njoftoi Atin e Shenjtë edhe për suksesin demokratik dhe ekonomik të vendit, dhe për arritjet e qeverisjes së deritanishme, duke theksuar faktin që jemi qeveria e parë që po ndanë shtesa për nënat lehona dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeç, si politikë mbështetëse për ta.

Për besimin e tij, kryeministri Kurti tha se politika është shërbim, teksa e ftoi Shenjtërinë e tij, Papa Françeskun që ta vizitojë Kosovën, pas rikuperimit të shpejt dhe të mirë nga operacioni kirurgjik që kishte së fundmi.

Ata u pajtuan se duhet që përherë të jemi pranë e me popullin i cili ka nevojë për dashuri dhe drejtësi.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e kryeministrit Kurti në Vatikan dhe takimi i parë i tij me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun.

Filed Under: Politike

SERBIA VAZHDON DESTABILIZIMIN E KOSOVËS SIPAS SKENARIT DHE POROSIVE TË MOSKËS

June 22, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Rrëmbimi i tre policëve të kufirit në krye të detyrës në afërsi të kufirit verior te Kosovës, është vazhdim i planeve destabilizuese në Ballkan me porosi dhe mbeshtetje politike nga Moska e ‘qarramanit’ Vuçiç dhe e partnerëve të tij ne rajon.

Kjo padyshim në vazhdën e taktikave për të larguar nga drejtimi pengesën e tyre të fundit, njërin nga kryeministrat shqiptarë më dinjitoz dhe patriotë të tre dekadave të fundit z. Albin Kurti, me qëllim krijimin e kushteve për bashkësitë me shumicë serbe dhe më pas ndarjen e territorit të Kosovës ne veriun e saj.

Rrëmbimi i forcave policore gjatë kryerjes së detyrës në brendësi të territorit te një vendi demokratik nga një vend fashist si Serbia, e cila drejtohet nga nje president autokrat, i korruptuar me mendësi të shekullit të kaluar dhe vegël e Federatës Ruse në Ballkan, përbën jo vetëm një agresion ndërkombëtar por në të njëjtën kohë edhe krijon kushtet për destabilizimin më tej të situatës në Ballkanin Perëndimor.

Si shtetas shqiptar por në të njëjtën kohë si një nga ish ushtarakët që vendin tim së bashku me kolegët e mi è kemi bërë krenar kudo në botë duke përfaqësuar me profesionalizëm flamurin kombëtar tonë, do të dëshiroja të shikoja dhe dëgjoja per here te pare një reagim të fortë nga drejtuesit e vendit tim, të cilët e kanë detyrim kushtetues të mbrojnë shtetasit shqiptarë brënda dhe jashtë vendit.

Për këtë arsye por jo vetëm, ndihem i turpëruar në maksimum kur mendoj se kush na drejton. Por për më keq sa më lartë, sa herë që dinjiteti i shtetit të ‘pafajshëm’ serb, shtet i cili ka shkaktuar katër luftëra dhe genocid në Ballkan, ushtria, milicia dhe grupet çetnike të së cilës kanë vrarë mijëra pleq, gra, burra dhe fëmijë, kanë përdhunuar mijëra gra e vajza, ‘shtetarët’ tanë paturpesisht vrapojnë t’i dalin ne krah dhe për më keq opozitarët e Kosovës në vend që të mbështesin qeverinë e tyre në këtë situatë kaq kritike, janë sulur si çakej duke e sulmuar padrejtësisht vetëm për të përfituar një karrige dhe për të grabitur çti dalë përpara.

Qasja e politikanëve shqiptarë në mbështetje të ‘qarramanit’ Vuçiç, jo vetëm qe është e papranueshme, por është antikombëtare dhe e dënueshme. Fatkeqësisht kjo ndodh vetëm tek një popull si populli jonë ‘dele’, i cili është dorëzuar përpara varfërisë, talljes, fyerjes, vjedhjes, keq qeverisjes, blerjes së të ardhmes, shpopullimit të rinisë, popullsise dhe lista është pa fund.

Asnjë njësi e xhandarmarisë serbe, as ushtria e Serbisë nuk do të guxonin të ndërmerrnin një veprim të tillë kriminal dhe antikushtetues në rast se faktori politik në Republikën e Shqipërisë nuk do të ishte i përçarë, nuk do të ishte hapur në mbështetje të interesave serbe në Ballkan dhe të ndarjes së Republikes së Kosovës.

E njëjta gjë vlen të theksohet edhe për partitë politike në Kosovë. Partite politike dhe drejtuesit e saj, pikërisht tani kanë mundësi që të tregojnë përpara faktorit ndërkombëtar unifikim kombëtar dhe mbështetje për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Ky është momenti i duhur për të mbështetur presidenten dhe kryeministrin e Kosoves, duke treguar unitet kombëtar dhe dënuar të gjithë së bashku këtë agresion të papranueshëm. Në rast se arrihet ky unitet në të gjitha trojet Shqiptare, të gjithë politikanët tanë të korruptuar nuk do të kenë as guximin as mundësinë të dalin dhe të mbrojnë ministrin e fundit të Milosheviçit.

Presidentja Vjosa Osmani, kryemistri Albin Kurti dhe qeveria e Kosovës me këtë rast duhet të ruajnë gjakftohtësinë, të bashkëpunojnë edhe më ngushtë me komandën e KFOR-it, bashkësinë dhe institucionet ndërkombëtare, ambasadorët e vendeve perëndimore dhe veçanërisht me SHBA-të. Kam bindje të plotë se një ditë SHBA-të dhe DASH do t’i tregojnë vendin Vuçiç-it dhe strukturave të tij kriminale të cilat veprojnë sipas skenarëve destabilizues të Moskës.

Këto ngjarje ndodhin edhe për faj të qasjes së gabuar prej shumë vitesh te komunitetit ndërkombëtar. Mbështetja e vazhdueshme e politikanëve të BE-së dhe SHBA-ve ndaj anti-amerikanit Vuçiç, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse e ka bërë atë më trim për të vazhduar axhendën për destabilizimin e Ballkanit ne interes vetëm të Vladimir Putinit.

E kam thënë edhe herë të tjera, mbështetja e liderve autokratë dhe të super të korruptuar në Ballkan nuk i ka sjellë asnjë të mirë popujve të Ballkanit, përkundrazi kjo ka bërë që qytetarët të mos kenë më besim tek institucionet demokratike ndërkombëtare.

Policia e Kosovës nuk ka asnjë arsye të dekurajohet, por përkundrazi ky rrëmbim antikushtetues i banditëve frikacakë serbë me uniformë, duhet ti bëjë edhe më të bashkuar me qëllim vazhdimin e misionit të tyre të shenjtë kushtetues mbrojtjen dhe sigurinë publike të qytetarëve të vendit në të gjithe territorin e tij.

Si përfundim, kam shkruar edhe herë të tjera se nisma si Ballkani i Hapur dhe ekzistenca e pasurive të jashtëzakonshme të pasurive minerale në verit te Kosovës së bashku me liqenin e Ujmanit të cilat janë vlerësuar në 250-300 miliardë Euro, po i lënë pa gjumë mercenarët serbë, bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës dhe oligarkët perëndimorë që mesi po presin t’i shfrytëzojnë ato.

Pasuritë kombëtare të Kosovës nuk janë pronë e askujt, aq më tepër e serbëve të cilët i kanë shkaktuar kaq shumë vuajtje popullit tonë në Kosovë. Ato i përkasin dhe duhet të shfrytëzohen vetëm për interes të qytetarëve të saj.

Dr. Dritan Demiraj

Filed Under: Opinion

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi!?

June 22, 2023 by s p

Shkruan: Refik HASANI/

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, sepse Serbia gjithnjë po vazhdon të ushqejë e helmojë  popullin e vet, vazhdon të synoj me plane pushtuese, kolonizuese edhe shtrirjen në territoret shqiptare, me një sërë platformash dhe memorandumesh, që kanë kryer ndër dekada Kisha Ortodokse dhe Akademia e Shkencave,  e të cilat janë zbatuar nga krerët më të lartë të Ushtrisë, Policisë e Administratës, por edhe qarqe e subjekte politike deri edhe te Unversiteti i Beogradit, etj. Shqipëria ka arye të plotë, duke filluar nga program i hartuar kryekëput kundër ne shqiptarëve për zhdukjen, dëbimin, asimilimin, shkombëtarizimin,  shfarosjen, shpërnguljen e shqiptarëve, të quajtur “Naçertanija” e Ilija Grashaninit. Ky ishte  një projekt i detajuar, por është paraqitur në formë të një plani e platforme të sintetizuar, e si një dokument sekret në vitin 1844.

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, pasi Serbia kreu dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, që ishte një njësi Administrative-Territoriale e Perandorisë Osmane me qendër në Nish, pasi Serbia dëboi 700 vendbanime shqiptare si në Qarkun e Toplicës, i cili përfshinte rrethin e Jabllanicës, Kosanicës, Prokuplës dhe qytetin e Prokuplës; Qarkun e Nishit që përfshinte rrethet e Vllasotincës, Leskocit, Nishit dhe qytetin e Nishit; Qarkun e Vranjës me rrethin e Masuricës, Polanicës, Pçinjit dhe qytetin e Vranjës dhe Qarkut të Pirotit (Nishavës). Banorë shqiptarë kishte edhe në vende tjera, sidomos në qytete si Qupri, Paraçin, Uzhicë, Krushec, Aleksinc, Karanovc (Kralevë), madje edhe në Beograd.

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, sepse Serbia aneksoi Kosovën dhe viset e tjera Lindore të Shqipërisë me një politikë shkombëtarizuese, përmesë programeve kundër ne shqiptarëve për zhdukjen, dëbimin, asimilimin, shkombtarizimin, shafarosjen, shpërnguljen e shqiptarëve, të quajtur “Dëbimi i Shqiptarëve”, në vitin 1937, nga akademiku Vaso Çubriloviç. Shqipëria të protestojë duke tërhequr ambasadorin e saj nga Beogradi, sepse Serbia ende vazhdon të qëndrojë e të gjejë zbatim-programe, memorandum, si “Spastrimi i shqiptarëve”, nga Ivo Andriçi, të botuar më datën 30 janar të vitit 1939.

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, pasi këtë veprim nuk e filloi asnjëherë, para e as pas Luftës së  II-të Botërore kur shqiptarët u në ish-Jugosllavi, në hapsirat e kësaj ngrehine artificiale ku shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Malë të Zi, Serbi dhe gjithëandej, ishin të diskriminuar e shpërnguleshin për Turqi dhe ishte aksioni i kolonizimit famëkeqë të armëve, deri në vitin 1960-të. Shqiptarët ishin të privuar nga çdo e drejtë elementare, të drejtat e njeriut dhe ato kolektive.                           

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, sepse Serbia  e ngriti në nivelin më të lartë deri edhe te Presidenti i Unionit të Serbi-Mali i Zi, në vitet 1990-ta të akademikut Dobrica Çosiç. Gati gjithjë krijimtarinë e ka orientuar në libra e programe kundër ne shqiptarëve për zhdukjen, dëbimin, asimilimin, shkombtarizimin,  shafarosjen, shpërnguljen e shqiptarëve  dhe në bazë të saj të marrë epitetin si “Babai i Popullit Serb”.

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, pasi këtë veprim nuk e filloi asnjëherë gjatë kohës dhe pas periudhës së shpërbërjes së Jugosllavisë dhe me këtë rast Serbia suprimoi Autonominë e Kosovës, largoi gjithë shqiptarët nga institucionet dhe vazhdoi të instalojë një aparat shtetëror të gjenocidit dhe apartedit ku përmes aksioneve policore-ushtarake synonte dëbimin dhe asmilimin e popullatës shqiptare. Serbia kishte platformë për shpopullimin e hapësirave ku jetonin shqiptarët, duke helmuar nxënësit dhe studentët, kur e gjitha bota demokratike u interesua, paraqiti dhe shtroi si në mekanizma të instancës së BE-së dhe të OKB-së. Por, Shqipëria sikur heshti në njëfarë mënyre, dhe s’kemi më njohuri as edhe për së paku një notë proteste verbale nga Shqipëria drejt Serbisë, apo ndonjë rezolutë që do ishte miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë.      

Shqipëria dhe Kosova kufizohen si dy shtete, dhe është i njëjti popull. Shqipëria ka mërrëdhënje të plota diplomatike me Serbinë, kurse Kosova përveç se ishte nën pushtimin e saj, ende është në një gjendje të luftës dhe këto dy shtete nuk njihen.  

Shqipëria për hir të asaj se Serbia për më shumë se një shekull ka kryer gjenocid, spastrim etnik në hapësirat shqiptare, por edhe në Serbi ka një krahinë shqiptare që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, ku vazhdon diskriminimi e pastrimi etnik, ku është mbajtur dhe organizuar Referendumi i datës 1 e 2 Mars 1992, ku u shpreh vullneti plebishitar i kësaj krahine.

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, sepse asnjëherë nuk i kanë kërkuar me ngulm, duke i parashtruar Serbisë pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshëvë, Medvegjë e Bujanoc, dhe Marrëveshjes së Konçulit, që Serbia të kthej Lapidarin e UÇPMB-ës në Preshevë, të vendoset Shtatorja e Skënderbeut në qendër të Bujanocit, të ndalë dëbimin, diskriminimin të lejojë realizimin e Refrendumit.  

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, sepse asnjëherë nuk i kanë kërkuar dhe nuk e kanë paralajmëruar se Shqipëria, pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në vazhdim dhe të Marrëveshjes së Konçulit, ku shqiptarët e kësaj krahine të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Republikës së Serbisë, janë të diskriminuar, pasi po pasivizohen adresat dhe po ndodh një spastrim etnik, një dëbim dhe diskriminim, pasi kjo krahinë është rajoni më i prapambetur në gjithë Evropën.

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, sepse nuk i kanë kërkuar dhe parashtruar para palës Serbe për dy  dekada pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, dhe Marrëveshjës së Konçulit, pasi shqiptarët e kësaj krahine të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Republikës së Serbisë, iu mungon Universiteti në Gjuhën Shqipe, rregullimi me Ligj i përdorimin të simbolit tonë kombëtarë shqiptar, flamurit dhe përfaqësimi në instanca dhe mekanizma të nivelit lokal dhe qendror.

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi, sepse mbi të gjitha, ende sot e kësaj dite Serbia nuk ka kërkuar asnjë falje, e cila do të duhej të zgjohej nga ajo që ka kryer në dëm të shqiptarëve dhe të paraqesë së paku një PENDIM, sikur Gjermania që u përkul para gjenociodit të hebrenjëve, të cilin e kreu Adolf Hilteri, gjatë Luftës së II Botërore.

Shqipëria do të duhej të tërhiqte ambasadorin e saj nga Beogradi!, edhe pse me vonesë të pajustifikueshme, pasi janë një milionë e një arsye nga e kaluara dhe mbi të gjitha, për hire të së ardhmes. 

Lufta shqiptaro-serbe, herë e shpallur e herë e pa shpallur, ende nuk ka përfunduar. Vetëm kur fillimisht Shqipëria të tërheqë ambasadorin nga Beogradi, fillon menjëherë përpilimi dhe dorëzimi i padisë në gjykatën ndërkombëtare, që do përgatitet duke kalkuluar dëmet e shprehura në valutën € apo $, në miliarda, bilionë e trilonë  të shkaktuara për më shumë se një shekull. Atëherë Serbia do të fillojë ndoshta të ndërrojë qasjen ndaj ne shqiptarëve.    

Filed Under: Komente

Hështja e Putinit shpërfaq paknaqësinë e tij në frontet e luftës

June 22, 2023 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU/

Kundërofensiva e ukrainase është ende në fazën fillestare, ndërkaq sfida është përpjekje për të thyer linjat e thella të mbrojtjes ruse. Ekziston mundësia, edhe pse ajo është e vogël, që lufta të fitohet këtë vit dhe të ketë një armëpushim, thonë njohësit e kësaj fushe. Ndërtimi i linjave të mbrojtjes nga Rusia ka vazhduar prej muajsh. Linjat janë të thella, të fortifikuara dhe përmbajnë fusha të minuara. Ato përbëjnë një mbrojtje të qëndrueshme që e bën të vështirë për Ukrainën, vëren Joakim Paasikivi, nënkolonel, i cili mëson strategjinë ushtarake në Akademinë Norvegjeze të Mbrojtjes. Sipas një raporti të institutit amerikan CSIS, bëhet fjalë për rreth 100 kilometra në tokën ukrainase ku janë vendosur llogore, fusha të minuara, tela me gjemba, argjinatura dheu dhe pengesa automjetesh.

Linja e gjatë e frontit është gjithashtu një problem për Rusinë. Ai hap pika të dobëta ku Ukraina mund të vendosë përpjekjet e saj. “Ju nuk keni mundësinë të mbuloni të gjithë këtë front me personel që supozohet të mbrojë gjithçka.” Pra, ka pika më të dobëta dhe kjo është ajo që ukrainasit kërkojnë tani – ose do të krijojnë, thotë Joakim Paasikivi.

Ofensiva në një nyje 

Për momentin ai vlerëson se ofensiva është në një kryqëzim mes fazës fillestare – ku ndër të tjera ka nisur granatimet me artileri të objektivave të rëndësishëm – dhe fazës tjetër ku vendosen brigada të rënda pas gjetjes së lokacioneve të përshtatshme për to. Ai thekson se planifikimi i Ukrainës për ofensivën nuk është bërë publik për arsye natyrore, por se zhvillimet e deritanishme janë brenda asaj që mund të pritet. Megjithatë, pritjet janë rritur kur media raportoi gjerësisht mbi rëndësinë e suksesit dhe konsideratat politike të mbështetjes perëndimore. — “Nëse e shikoni ushtarakisht mungesën e informacionit, zhvillimet atje nuk janë për t’u befasuar. Do të ishte mirë nëse do të kishte shkuar më shpejt, por gjithashtu nuk do të ishte e çuditshme nëse do të kishte shkuar më ngadalë”. Kjo, megjithatë, është brenda qëllimit të një rezultati të imagjinuar, thonë ekspertet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë si dhe strategjisë luftarake, që po e përcjellin grabitjen imperialiste të Rusisë në Ukrainë.

Mund të jetë vendimtar

 Nëse Ukraina dështon në ofensivën e saj, nëse vendi ngec dhe nuk thyen linjat e mbrojtjes ruse, pritet një luftë e zgjatur e shkatërrimit. Por ofensiva ka potencialin të jetë vendimtare për të gjithë luftën, thekson Paaskivi – “Unë besoj se lufta mund të fitohet këtë vit në atë masë që situata të ndryshohet në atë mënyrë që rusët të kuptojnë qartë se “operacioni i tyre special ushtarak” nuk do të ketë kurrë sukses. Mund të detyrojë një fitore të Ukrainës, që ose do të thotë se rusët do të arrijnë në përfundimin se duhet të tërhiqen, ose se Ukraina ka një pikënisje të mirë për vitin e ardhshëm, thotë ai. — Mund të ndodhë që në retrospektivë mund të shohim se ishte kjo ofensivë që fitoi luftën.

Sulmet e natës më të efektshme

Kundërofensiva e Ukrainës po zhvillohet kryesisht nën mbulesën e errësirës, ​​raportojnë disa media. Një komandant ukrainas thotë se planet kundërofensive duhet të rregullohen. Sipas grupit të ekspertëve ISW Kundërofensiva e Ukrainës vazhdoi të përparojë në të paktën në tre drejtime. Oleksandr Syrskyi, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, thotë, sipas al-Jazeera, se situata është e tensionuar dhe se planet për kundërsulm duhet të rregullohen. “Megjithëse forcat tona po përparojnë në jug dhe armiku po humb territor dhe vendbanime në atë drejtim, armiku vazhdon të lëvizë disa nga njësitë e tij më të afta luftarake drejt Bachmutit dhe ta kombinojë atë me zjarr të rëndë artilerie dhe sulme ajrore kundër forcave tona”. pozicionet”, thotë ai. Sipas Forbes, sulmet ukrainase po ndodhin gjithnjë e më shumë gjatë natës. Nën mbulesën e errësirës, ​​forcat ukrainase që përparojnë janë më pak të dukshme për helikopterët, avionët dhe dronët rusë. Forcat ukrainase janë pajisur edhe me sisteme moderne të armëve perëndimore, për të cilat thuhet se kanë optikë nate më të mirë se ato ruse, nga të cilat ukrainasit po përpiqen të përfitojnë. “Pajisjet e importuara kanë optikë të shkëlqyer të natës. Ata mund të zbulojnë, synojnë dhe kontrollojnë saktësinë e zjarrit të tyre. Prandaj, armiku zgjedh natën”, shkruan një bloger ushtarak rus, sipas Forbes. SHBA-ja ka furnizuar ushtrinë ukrainase me pajisje për shikimin e natës që të paktën që nga viti 2018. Për më tepër, automjete të tilla si tanket Leopard dhe automjete të tjera të blinduara kanë optikë të avancuar. Vetë ukrainasit heshtin për taktikat e tyre, përkundrazi është pala kundërshtare ajo që konfirmon sulmet e natës. “Arsyeja kryesore është zvogëlimi i efektivitetit të aviacionit; e dyta është zvogëlimi i humbjeve nga goditjet e sakta të dronëve kamikaze të divizionit tonë të 42-të; e treta është të përfitojmë nga avantazhet e pajisjeve të furnizuara nga perëndimi”, shkruan Vladimir Rogov. një udhëheqës i informuar nga Rusia i pjesëve të okupuara të Zaporizhzhya, në Telegram, sipas CNN.

Përse ndodhi vizita e disa udhëheqësve të shteteve afrikane në Ukranë?

Udhëheqësit e Afrikës së Jugut, Senegalit, Zambisë dhe Bashkimit Afrikan, si dhe përfaqësues të Ugandës, Egjiptit dhe Kongos-Brazzaville vizituan Ukrainën të premten e shkuar me qëllim që të jenë në gjendje të prodhojnë një plan paqeje. Por analisti i Sky News Sean Bell shkruan se paqja në Ukrainë është ende një synim i largët. Megjithatë, ai shkruan se është “pa dyshim” se lufta një ditë do të përfundojë në të vërtetë dhe se atëherë do të jetë e mundur të vërtetohet se pushtimi ishte një dështim rus. “Do të jetë një mësim i rëndësishëm për vendet e tjera me ambicie të ngjashme, dhe lufta mund të kontribuojë për një botë më të qëndrueshme në terma afatgjatë,” përfundon ai. Korrespondenti i lajmeve “Ekot” për Afrikën, Richard Myrenberg thotë se delegacioni afrikan i paqës  nuk është vetëm në kërkim të paqes. Sipas tij, takimi ka të bëjë po aq me sigurimin e eksporteve të grurit rus dhe ukrainas në kontinent. Përveç kësaj, ai beson se udhëheqësi i delegacionit, Cyril Ramaphosa i Afrikës së Jugut, e sheh udhëtimin si një mundësi për të përmirësuar pikëpamjen e Perëndimit për Afrikën e Jugut, e cila është akuzuar se është afër Moskës.

Në disa artikuj të agjencive të njohura është spikatur edhe heshtja e presidentit rus Putin, i cili këtë po e bënë për të vetmën arsye se nuk i ka punët mirë në frontet e luftës pushtuese në Ukrainë. Ai, pra, para opinionit rus, por edhe ndërkombëtar, mundohet që të gënjejë hapur se si sankcionet e shteteve perendimore nuk po kanë efekt në ekonominë e këtij shteti, ndërkaq në anën tjetër thekson se në mungesë të parasë duhet ndërmarrë masa të veçanta.

Filed Under: Analiza

Moldavia asit kuqezinjve. Shqipëria fluturon në vendin e dytë. Polonia bie në Stadionul Zimbru

June 22, 2023 by s p

Asllani:” Unë jap zemrën në fushë”.

Kryetrajneri Sylvio Mendes”: Shanset janë njësoj siç ishin dhe më përpara”.

Muçi:”Trajneri na bën që të ëndërrojmë Europianin”.

Pergatiti: Albano Kolonjari

Shqipëria nuk fitonte dy ndeshje radhazi që nga tetori i vitit 2021. Pas fitores 2-0 me Moldavine në Tiranë, ndeshja në transfertë përballë modestëve të Ishujt Faroe u prit me interes të madh nga opinion sport dashës. A do të thyente Shqipëria tabunë apo do të vazhdonte të njëjtën melodi, të gabonte në momente dhe ndeshje që nuk duhen humbur. 45 minutat e para vertetuan sëmundjen e vjetër të kuqezinjëve. 1-4-3-2-1 eshte prefernca e teknikut kuqezi Sylvio Mendes ne kete takim perballe 1-4-4-2 klasik te kundershtarit tone. “Ne kishim dy-tre dyshime para ndeshjes, edhe pse brenda tre ditësh te luash dy ndeshje nuk është e lehtë. Shto këtu dhe faktin që Ishujt Faroe është një vend i largët dhe rruga eshte e lodhshme. Asllani bëri një ndeshje e mirë, por dhe Seferi gjithashtu. Kemi bërë zgjedhjet e duhura. Të gjithë jemi të rëndësishëm në këtë rrugëtim’, thote Sylvio Mendes pas ndeshjes. Një gol i shënuar nga Sokol Cikalleshin ne minute e pare te takimit dhe qe u anulua me te drejte për pozicion jashtë loje dhanë sinjalin për një fitore të lehtë të kuqezinjëve por minutat në vazhdim treguan se asambli kuqezi nuk funksionon sic duhet. Ne minute e 20 Jasir Asani jep një asist të bukur për Nedim Bajramin, i cili me një të djathtë tokazi dërgoi sferën ne rrjeten e Teitur Gestsson. Sokol Cikalleshi fitoi penallti por gaboi nga pika e bardhë minutën e 30-të të takimit. Humbja e penalltise dhe rastet e hubura njera pas tjetres lene shije te hidhur. Sulmuesit kuqezinj nuk jane altruist dhe kerkojne te shenojne per te bere heroin kur kane mundesine qe te pasojne tek shoku qe ka pozicion or zgjidhje me te lehte shenimi. Nga ana tjeter kundershtari shikon drejt portes kuqezi duke krijuar raste dhe rene kembanave te alarmit ne mbrojtjen tone. Vendasit vendosin ekuilibrat me një gol me kokë të Fareo ne minute e fundit te pjeses se pare. Ne te njejten kohe rivali yne per nje bilete ne Euro 2024 Polonia udheheq perballe Moldavise 0-2. Pjesa e dyte nis me sulm nga ana e vendasve te cilet kane marre energji nga goli i barazimit. Ne minute e 51-te Kristjan Asllanit shenon nje eurogol dhe kalon kuqezinjte ne avantazh 1-2. Kampi kuqezi merr fryme, nderkohe Moldavia shkurton rezultatin ne 1-2 perballe Polonise.Ishujt Faroe shikojne sherisht perpara drejt portes tone. Sylvinhos nuk eshte i qete. Ajo cfare ka ndryshuar ne fushen e lojes eshte fakti qe kuqezinjte jane me altruist, nuk ka me gjuajtje individuale. Frika ekziston dhe per me teper kur Moldavia barazon 2-2 me Polonine. Kundershtaret tane bejne cfare eshte e mundur per te barazuar. Pikerisht ne kete moment Muçi vuloi suksesin, e Shqipërisë ne 1-3. E ndersa kuqezinjte perqafonin njeri-tjetrin dhe pershendesnin tifozet e paket ne ishullin e larget, Moldavia i jep asit kuqezinjve duke shenuar golin e trete dhe nxjerre ko Polonine 3-2.

Kualifikimi ? “Shanset janë njësoj siç ishin dhe më përpara. E rëndësishme ishin të fitonim dy fitore radhazi. Ka ndodhur para dy viteve kur Shqipëria fitonte dy ndeshje radhazi. E kam thënë që në fillim që është një grup shumë i vështirë, shumë i ekuilibruar. Jemi të kënaqur për dy fitoret dhe jemi tërësisht në garë për kualifikimin”, u shpreh pas ndeshjes tranjeri Sylvio Mendes Campos Júnior. Sipas kryetrajnerit:” Është shumë e vështirë të luash këtu. Një pasim i gjatë mund të vendosë në vështirësi. Nuk ka nevojë për shumë zotërim topin, me një top të gjatë mund të sjellë situata të padëshiruara.

Duhet të shohim anën pozitive. Kemi fituar me rezultatin 1-3. Ndoshta ka qenë në 2021 që Shqipëria fitonte dy ose më shumë ndeshje radhazi. Djemtë kanë bërë shumë mirë. Të gjithë kohën që ishim këtu kanë bërë një punë shumë të mirë.” Goli i Asllanit apo i Muçit? Të dy ishin gola shumë të bukur. Stafi teknik punon, kemi bërë një punë të mirë, por lojtarët janë ata që bëjnë punën kryesore. Sigurisht në aspektin taktik i Asllanit ishte më i bukur, por unë nuk mund të rri pa përmendur lojtarët që kanë hyrë dhe kanë dhënë kontributin e tyre”, shprehet braziliani. Por vete Asllani cfare thote:” Unë jap zemrën në fushë. Kam gjithmonë dëshirë të luaj. Po mësoj shumë te Interit nga lojtarët që kam përpara. Kam luajtur pak, por kam mësuar shumë gjëra. Falenderoj trajnerin Silvinjo, që më dha shansin të luaja sot.Të gjithë e dinë, që unë kam qejf të gjuaj nga larg, shkoi 3 herë keq, më pas erdhi fati dhe shënova”. Jam shumë i lumtur që shënova. Ishin 3 pikë shumë të rëndësishëm për ne. Mes Polonisë dhe Shqipërisë është lufta, shpresoj që t’i mundim në shtator. Ndihem shumë mirë , trajneri na bën që të ëndërrojmë akoma më shumë për tu futur në Europian. Sa herë që do të futem, do të jap më të mirën për të ndihmuar kombëtaren”, u shpreh Muçi

Çekia 7 pike

Shqiperia 6

Moldavia 5

Polonia 3

Ishujt Faroe 1

Ishujt Faroe-Shqiperi 1-3

Moldavi-Poloni 3-2

Çekia pushim.

7 shator 2023

Çekia-Shqiperi

Poloni- Ishujt Faroe

Moldavia pushim.

10 shtator 2023

Shqiperi-Poloni

Ishujt Faroe-Moldavi

Çekia pushim.

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT