• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2023

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

June 16, 2023 by s p

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.”

FIODOR DOSTOJEVSKI

Nga Eugjen Merlika (Vijon nga numuri i kaluar) 

Ja çfarë ka shkruajtur për Markun shkrimtari e poeti i madh Ernest Koliqi, në një shkrim të vitit 1971, me rastin e një të katërtit të shekullit të ndërrimit jetë të tij, me titull tejet kuptimplotë, “Mark Gjomarkaj, theror i traditës”:

“…..Të moçmit na lanë fjalë se dielli me shoshë nuk mbulohet. E dijmë mirfilli  se herët a vonë, në çastin që vjen stina historike,vlerat e njimendta dalin në dritë duke i dhënë secilit protagonist në fushë të përparimit dhe të lartësimit të lartë kombtar vendin përkatës sipas meritave. Por kjo nuk do të na ndalojë të shfaqim një ndiesi keqardhjeje për padrejtësitë si të njerëzve ashtu dhe të fatit përballë disa fatosave tek të cilët spikatën vetitë eprore të gjakut tonë.

Nji ndër ta është dhe Mark Gjomarkaj.

Markun e njoha kur ishte student 24 vjeçar në Romë. Më bëri përshtypje që prej takimit të parë pjekuria e mëndjes së tij, një pjekuri ku me zgjuarsi natyrore plot vetëdije për pozitën e veçantë krahinore në shoqërinë shqiptare, shartohej pamja e gjërë realiste e problemeve të kohës dhe kuptimi i nevojës për t’u inkuadruar me qëllime e drejtime në jetën e përgjithëshme kombëtare. Kapidani i ri, me moshë e me mendësi, ashtu m’u duk dhe ashtu e tregoi veten dhe më vonë, Mark Gjomarkaj.

I rysun prej një mërgimi politik 5 vjeçar që më kishte dhënë mundësinë për të njohur e për t’u miqësuar me persona e personalitete të ndryshme nga mbarë Shqipëria, u përpoqa kur u bëmë miq të ngushtë, me i folë Markut për nacionalistët tonë të spikatur. Në shpjegimin tim ai pëlqeu mbi të tjerët si njeri politik me ide të qarta e të prera, Mustafa Krujën, të cilit i a kishte dëgjuar emrin…..”

Ka një përputhje pothuajse të plotë të opinioneve të dy shkrimtarëve të sipërpërmendur mbi personalitetin e Mark Gjomarkajt. Është një dukuri që vërteton dëshminë e tyre se i përgjigjet së vërtetës. Marku shkoi në Itali për të studjuar Drejtësi, në traditën më të mirë të profesionit shekullor të familjes. Mbas pak kohe Italia e pushtoi Shqipërinë dhe dërgata e Shkodrës në parlamentin shqiptar, në të cilën bënte pjesë edhe Kapidan Gjoni, babai i Markut, qe ajo që kundërshtoi më shumë formën e re të marrëdhënieve me Vëndin fqinjë. Në këtë kundërshti pikërisht Kapidan Gjoni pati rolin e parë. Por pushtimi i Shqipërisë ishte edhe pragu i luftës së Dytë botërore, e juristi i ri, kapidan Marku, shpresonte në sendërtimin e ëndërrës së madhe të bashkimit të shqiptarëve në një Shtet të vetëm. Kështu ai përqafoi vijën politike të Mustafa Krujës, e pranoi të bënte pjesë në qeverinë e tij, duke marrë postin e zv.ministrit të Brëndëshëm, mbasi atë të ministrit e mbante vetë kryeministri. Ishte ministria më e rëndësishme në kabinet, sepse duhej të ruante barazpeshat e detyruara ndërmjet mëtimeve të pushtuesve e kërkesave të shqiptarëve. Marku ishte ministri më i ri në moshë i një kabineti që shquhej për cilësinë e lartë profesionale dhe integritetin moral të gjithë pjestarëve të tij.

Pak muaj mbas betimit si zv. Ministër, i ngarkuar nga kryeministri Kruja, u angazhua në shpëtimin e 320 familjeve hebrenje, duke u shpërngulur nga Kosova në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, z. Engjëll Çoba e ndonjë tjetër pëfaqësues të  qeverisë, shkuan në Kosovë e në fshehtësi shpërngulën në Shqipëri hebrenjtë e vendosur në Kosovë mbas ribashkimit të trojeve, të cilët ishin shënuar në dokumentet e Legatës gjermane në Beograd. Këto familje hebrenje u pajisën me dokumente zyrtare letërnjoftimesh me emra shqiptarë, siç ishte rënë në ujdi ndërmjet Mëkëmbësit Jakomoni e kryeministrit Kruja.

Miqësia me Mustafa Krujën erdhi duke u forcuar gjithënjë e më shumë, duke vërtetuar fjalët e Koliqit në lidhje me bindjet e Markut mbi politikanët shqiptarë. Më 12 korrik 1942 Mark Gjomarkaj ishte në Bari të Italisë, në ceremoninë e martesës së birit të parë të kryeministrit, Petritit, me vajzën e gazetarit kolonjar Sotir Gjika, Elenën. N’atë ceremoni ai nënëshkroi në regjistrin e Bashkisë, si dëshmitar nga ana e djalit, së bashku me Shuk Gurakuqin, ndërsa dëshmitarë të vajzës ishin Gjovalin Kamsi e Kostandin Kotte. Mustafai i zgjodhi dëshmitarët ndërmjet miqve e antarëve të kabinetit e Marku ishte më i riu prej tyre, dy vite më i madh se vetë dhëndërri.

Ai qëndroi në atë qeveri deri në fund e dha dorëheqjen, së bashku me të gjithë ministrat e tjerë kur Mustafa Kruja vendosi të ndërpresë detyrën e tij së bashku me veprimtarinë politike, si pasojë e mos pranimit nga ana e autoriteteve italiane, për të hetuar e marrë masat përkatëse ndaj vrasësve të Qazim Koculit, komisar i lartë i qeverisë për Vlorën, i ngarkuar me një mision të fshehtë nga kryeministri, mik e bashkëpuntor i tij.   

Marku u tërhoq në Shkodër e në Oroshin e tij. Ai tashmë , megjithëse vetëm 30 vjeçar kishte familjen e tij, të përbërë nga një shejtëreshë, që ishte bashkëshortja e tre fëmijë të vegjël, dy vajza, Kristina e Çelestina dhe djali, Gjoni. Por gjëndja në Shqipëri keqësohej dita ditës. Marku e kuptonte se e ardhmja e saj vihej në rrezik nga një përfundim i luftës, në të cilën mund të dilte fitues Fronti Nac-Çl. Me partinë komuniste në qëndër, të drejtuar nga jugosllavët e me mbështetjen e aleatëve që kishin vendosur të mos njihnin kufijtë e krijuar nga lufta e që përkrahnin ardhjen e komunistëve në pushtet.

Shkruan Kol Bib Mirakaj në librin e tij të kujtimeve “Vetvrasja e një Kombi : “Që në verë të 1942-shit, në ndeshje me forcat e Milicisë sonë në Mal të Zi, nji të vramit malazez i kje gjetë në trup nji dokument që përcaktonte masakrimin e Shqiptarëve të Kosovës dhe okupimin e Shkodrës…. 

Plani “Mihajloviq” ishte aq i kjartë e i tmerrshëm ndër synimet e tij për shfarosjen e të gjithë shqiptarëve, sa çdo shqiptar me ndërgjegje përgjegjësie para kombit e historisë, duhej prej atij çasti me drejtue veprimin e vet drejt forcimit ushtarak të Vendit, që mund t’arrihej vetëm në harmoni me “okupatorin” e jo me sabotime dhe provokime.”  

Kjo frazë e fundit e Mirakajt përmbledh në vetvete, me pak fjalë, tragjedinë e vërtetë të problemit shqiptar gjatë luftës së Dytë botërore. Ai, copëzimi i bashkësisë, me njohjen e të drejtave sërbe, greke, maqedonase e malazeze lakmisë grabitqare të fqinjëve, duke mos mbajtur parasysh asnjë nga arsyet historike, gjeografike, etnike të popullsisë shqiptare mbi trojet e tyre, të rrëmbyer padrejtësisht e barbarisht në një periudhë kalimtare, kur Turqia ishte në perëndimin e fuqisë së saj perandorake e Shqipëria ishte një bebe e sapo lindur, shkaktuan padrejtësinë më të madhe që pësoi populli shqiptar në shekullin e atomit. Fatkeqësisht, aleatët perëndimorë, në bashkëpunim me Rusinë, që përcaktuan këtë padrejtësi, madje atë katrahurë të shqiptarëve, nëpërmjet konferencave të Londrës e të Parisit, shpallën vendimin e tyre edhe gjatë luftës, për të ngulur këmbë n’ata qëndrime, të cilat shkaktuan zëmërim të ligjshëm tek shqiptarët. Kundërshtarët e tyre, pjesëmarrësit e Boshtit, u a kthyen atyre të drejtën e bashkimit të atdheut. Prandaj pjesa më atdhetare e tyre e quajti parësore këtë gjë e nuk vendosi të luftojë kundër ushtrive të tyre, edhe se ishin pushtuese.

Historia e fituesve duhet t’a kuptojë qëndrimin e asaj klase politike shqiptare, që qe e vetmja në Evropën e luftës së Dytë botërore që nuk i u nënështrua politikës antisemite kriminale të Gjermanisë e Italisë e i vunë Vëndit të tyre një kurorë dafinash të fituesve moralë, edhe se praktikisht të mundur. Ai qëndrim nuk ishte në dobi të diktaturave, madje synonte një Shqipërin në sintoni me vlerat më të spikatura të traditës arbërore, por edhe të demokracive të Perëndimit, por një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë e jo të ndarë në të gjithë fqinjët e saj.  Lufta e vendimet e saj sollën në Shqipëri Shtetin e rindarë me fqinjët, e një diktaturë më të keqe se ajo e pushtuesve gjatë luftës. Nuk ka asnjë lloj arsye njerëzore, që të mos u japë të drejtë atyre drejtuesve shqiptarë, ndërmjet të cilëve edhe Mark Gjomarkaj, pavarësisht fundit të tyre dhe përfundimit të tyre.

Oficerët e misioneve angleze dhe amerikane, në vetvete e kuptonin se nuk ishte në dobi të tyre e të Shqipërisë një qeveri komuniste e mbas luftës, se lëvizja kombëtariste duhej të përkrahej krahas asaj komuniste. Por e para mbetej në hijen e së dytës sepse për të dytën problemi kombëtar nuk kishte asnjë farë rëndësie, mbasi ata ishin ngritur për të luftuar për atdheun e Stalinit e të komunizmit ndërkombëtar. Veç asaj shenjat e ndryshimit të epërsisë luftarake vinin nga Rusia e Stalini kërkonte pjesën e tij nga fitorja e mundëshme. Marku e kuptonte se e vetmja shpresë që mbetej ishte ajo e asgjësimit të lëvizjes komuniste e afirmimit të një lëvizjeje të bashkuar kombëtariste që duhej të përbënte një forcë të konsiderueshme edhe në sytë e anglo-amerikanëve. Prandaj ai i dha përparësi krijimit të një fuqie ushtarake me besnikët e krahinës së tij e përpjekjeve për të gjetur një gjuhë të përbashkët me Lëvizjen e Legalitetit të Abaz Kupit e Ballin Kombëtar të Mithat Frashërit, të cilët, mbas prishjes së marrëveshjes së Mukjes e kishin kuptuar se mbas luftës nuk do të kishte asnjë mundësi pjesëmarrjeje në qeverisje me partinë komuniste. Këto përpjekje synonin t’i dilnin përpara një rreziku që, me gjasë, i kërcënohej Shqipërisë së bashkuar nga zhvillimi i luftës.

Një strategji e tillë, që të mbante parasysh interesin madhor të Shqipërisë, ruajtjen e kufijve të vitit 1941, ishte bërë urdhërues për të gjithë atdhetarët kombëtaristë, edhe se ndërmjet tyre kishte ndryshime herë herë të theksuar pikëpamjesh e vlerësimesh të gjëndjes në Shqipëri e jashtë saj, në marrëdhëniet me botën që n’a rrethontee në të cilën bënin pjesë. Shumllojshmëria e mendimeve, e vlerësimeve dhe interesave përcaktoi një gjëndje pasigurie që çonte në mos veprime e pritjeje që nuk qenë aspak të dobishme për strategjinë kombëtare. Politikani atdhetar Kol Bib Mirakaj, ish ministër i partisë fashiste në pjesën e dytë të kabinetit të Mustafa Krujës, më vonë titullar i dikasterit të Punëve të Brëndëshme në qeverinë e dytë të Eqerem bej Vlorës, në librin e tij me kujtime “Vetvrasja e një Kombi”, ndoshta vepra më e saktë e më e plotë, përsa i përket vërtetësisë historike, e shkruar mbi periudhën e luftë së Dytë botërore, tregon mbi bisedën që ka zhvilluar me Benito Mussolinin  në Romë, më 23 prill 1943, në prani të zotërinjve Hilmi Leka, Vasil Alarupi e Hysref Frashëri, në të cilën ka shtjelluar me guxim qytetar e largpamësi politike problemet që shtroheshin para Shqipërisë n’atë çast e në t’adhmen, madje duke hamendësuar edhe një humbje të luftës nga Italia dhe Gjermania. Ja disa nga pikat e shtruara nga Mirakaj në marrëdhëniet ndërmjet Italisë e Shqipërisë:

“1.Asht ba gozhdë e ngulun e shqetsim i përgjithshëm në mendje të Shqiptarëve:  Frika e kolonializimit, që si rrjedhim do të sillte shkombtarizimin e ngadalshëm tek ne.

Populli shqiptar duhet të sigurohet për tash e për t’ardhmen nga synimi i kolonializimit, t’i hiqet ky preokupim.

2.Asht nevojë imperative dhe e ngutshme me rikrijue ushtrinë shqiptare ashtu si e keni premtue Ju, me komandë të veten, me flamurin e vet kombtar dhe me divizione të veta, dhe njiherit me përgatitë planin e mobilizimit të përgjithshëm, qi të mund të përballojmë për kohën e nevojshme rrezikun që U tregova. 

3.Italia, ka detyrë ta venë në gjendje Popullin shqiptar të mbrohet nga rreziku i shuemjes nga faqja e Dheut. Ma interes ka Italia të jetë populli Shqiptar  mik në bregun kundruell Adriatikut, se sa i shuem e i zëvendësuem nga anmiq të fortë e të papajtueshëm t’Italisë.

4.Asht nevojë e domosdoshme që kjo kolonë e pestë e sllavizmit të zhduket rrajsisht, para se të mundet me krye krimin që synon dhe që i asht ngarkue nga Kremlini.

5.Në kët raport, U kam ba edhe nji propozim që mund të prekë sensibilitetin: pushimin e funksionit të P.F.SH. dhe zëvendësimin e saj me Lëvizjen e Birëve të Shqipes…

Nji lëvizje kombtare për të kenë i sigurtë suksesi i saj, duhet të ketë zanë fill nga ndijesitë e tradicioni i Popullit. Ju vetë e keni thanë se fashizmi nuk asht për eksportim, pra nuk mund të kopjohet integralisht, siç ban komunizmi. Tentativa e disa jerarkëve me e kopjue në Shqipni,  e ka sjellë në negativitet.”

            Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika

ROBERT ELSI – I SAKTI, I URTI, PUNETORI I MADH DHE MIKU I DASHUR I SHQIPTARËVE

June 16, 2023 by s p

Prof. Thanas L. Gjika/

Këto kujtime i hartova me rastin e vdekjes së këtij albanologu të shquar në tetor 2017. I ribotova më 29 qershor 2020 me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij shoqëruar me disa vlerësime lexuesish. Tani bera disa korrigjime dhe po e dergoj per botim, sepse dua të shkoj në Shqipëri per të kryer një vizitë respkekti në Theth tek Vari i të ndjerit Prof. Robert Elsi (29 qershor 1950 – 2 tetor 2017).

Njohja me albanologun e ri, 1978.

Studiuesi kanadez Robert Elsie (me “e” në fund e shkruante ai mbiemrin e vet ashtu si shkruhet në anglisht), kishte disa vite që jetonte në Gjermani (Republika Federale Gjermane). Gjatë vitit 1978 ai erdhi pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për të bërë kërkime e studime lidhur me letërsinë tonë. Donte të mblidhte materiale biografike dhe bibliografike për shkrimtarët shqiptarë, sepse synonte të hartonte një histori të letërsisë shqiptare anglisht, e cila deri atëhere mungonte. Nga ana e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të ASh., ku punoja, më ngarkuan mua ta shoqëroja për ta ndihmuar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, në Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në Bibliotekën e Institutit tonë. Natyrisht pas meje qëndronte shpesh herë një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendëshme (sigurims), që mbikqyrte lëvizjet, takimet e këtij të huaji, për të hartuar raportet e veta…

Që në takimet e para më ra në sy kujtesa e tij, karakteri i qetë, e folura pa nerv. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. Fliste shqip me një fjalor jo shumë të pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e gjuhës sonë pa asnjë theks (aksent) të huaj, prandaj nuk mundja ta dalloja se cila ishte gjuha e tij amëtare. Kisha vënë re se gjermanët, anglezët, francezët, italianët edhe më shumë rusët e grekët e flisnin shqipen me thekse të ndryshme, që mund t’i dalloja shpejt se cila ishte gjuha e tyre amëtare. E pyeta se si e shpjegonte këtë dukuri dhe më sqaroi se ai ishte rritur në Vankuver të Kanadasë, ku flitej anglishtja, por kishte mësuar që herët gjermanishten dhe gjatë shkollimit frëngjishten, keltishten, italishten, sërbishten, etj. Më sqaroi se shqipen e kishte mësuar kryesisht në rrugë autodidakte, duke u përqendruar në zotërimin e gjuhës letrare të njësuar pa u kushtuar vëmendje dialekteve.

Shprehu dëshirën për t’iu dhënë një bursë studentore për dy vjet në Fakultetin Histori Filologji. Mirëpo kjo kërkesë nuk iu pranua. Më tej ai erdhi shpesh në Shqipëri, shkoi dhe në Kosovë. Në Prishtinë mori pjesë disa herë në Seminaret e gjuhës shqipe që organizonte çdo vit Fakulteti Filozofik gjatë muajve të verës. Aty ai mësoi dialektin geg të shqipes dhe njohu mentalitetin e shqiptarëve të Jugosllavisë së atëherëshme.

Nga pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, njohuritë e gjera kulturore, gjuhësore dhe letrare, mosshprehja e opinionit për të tjerët, buzëqeshja e tij disi e ngrirë, më krijuan idenë se ai mund të ishte me origjinë hebreje. Mirëpo as gjatë takimeve të atyre ditëve dhe as gjatë takimeve dhe shoqërimeve të mëvonëshme, nuk e pyeta për origjinën e tij familjare. Ai nuk fliste kurrë për familjen e familjarët e tij. Më vonë pas vdekjes së tij, kur ndodhesha në ShBA, mësova nga një kolegia e tij, mike e vajzës sime, me të cilën Roberti kishte punuar si përkthyes në Gjykatën e Hagës, se ai kishte pasur një vëlla më të madh. Ky kishte qenë tepër i shthurrur, madje vrasës dhe i dënuar disa herë. Roberti i kishte prerë përfundimisht marrëdhëniet me të që në rini. Ndoshta kjo mund të kishte qenë një nga arsyet e largimit të tij nga Kanadaja dhe vendosja në Europë.

Më bëri përshtypje veshja e tij, pantallona dhe këmishë që nuk kishin nevojë t’i hekuroste, kurse sandalet i kishte prej një materiali plastik, që nuk kishte nevojë t’i bojatiste.

Një ditë, kur më sqaroi se ai ishte lindur e rritur në qytetin e bukur Vankuver, pra në brigjet e Oqeanit Paqësor, u bëra kurioz dhe për të mësuar diçka rreth rinisë së tij, e pyeta:

– A e ke vizituar kryeqytetin e Kanadasë?

Ai m’u përgjigj: “Në brigjet kanadeze të Paqësorit, ka shumë njerëz që lindin, jetojnë, plaken e vdesin pa e parë Otavën, kryeqytetin e shtetit. Unë me katër shokë, pasi mbaruam maturën, me kursimet që kishim mbledhur, blemë një makinë të re dhe një çadër. Udhëtuam për gjashtë ditë. Për të kursyer fjetëm në çadrën tonë e jo në hotele. Natën e kalonim larg qyteteve, si kur shkuam dhe kur u kthyem. Kanadaja është fushë e pamasë. Iknim me orë të tëra dhe në horizont nuk shihnim tjetër vetëm fusha me grurë. Kishim përpara fusha pa fund, horizont i njëjtë, platacione me grurë, herë pak të tatëpjetë e herë pak të përpjetë. Ishte monotoni. Tani rrugët janë sistemuar më mirë dhe automjetet janë shumë më të shpejtë…

Ne kishim mbledhur jo shumë pare nga punët që kishim bërë gjatë kohës së shkollës. Në hotel fjetëm vetëm në Otava. Shumicën e ushqimeve i blinim gjysëm të gatshme dhe i hanim pa i gatuar”.

Mua nuk m’u durua dhe e pyeta: – Po prindërit, nga ana e tyre nuk ju dhanë para?

– Mbas viteve 1954-1955, më sqaroi ai, mirëqenia e popullit kanadez ishte rritur dhe midis të rinjve u krijua një psikologji sipas së cilës, marrja e ndihmave prej prindërve ishte turp. Sejcili kishte mundësi, që me punën e vet të krijonte të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e studiuar si të donte vetë, pra ishim të pavarur nga prindërit.

Jeta disi e ndarë nga bota atje në Vankuverin e largët më nxiti të synoj për të ardhur e jetuar në Europë. Që në fëmijëri më ishte ngulur ideja se Europa ishte pjesa më e mirë e botës.

Kur mora vesh se ai ishte lindur e rritur në Vankuver i thashë se im atë kur kishte qenë kurbetli në ShBA kishte jetuar e punuar nja tetë vjet në Siatle VA, pak më në jugë se Vankuver, sepse klima e ftohtë plot borë e pjesës Veri-Lindore të ShBA-ve nuk i kishte pëlqyer. Kurse në Siatle nuk binte kurrë borë. Më tha se në atë qytet jetonte ende një shok i tij i gjimnazit dhe do t’i kërkonte disa foto me pamje nga Siatle. E mbajti fjalën. Nuk kaluan as dy muaj dhe më erdhën disa foto të qytetit të bukur të Siatle-t si kujtim. Natyrish qyteti kishte ndryshuar shumë dhe asnjë nga fotot nuk më solli në kujtesë ambjente për të cilat babai im më kishte folur.

Kur shkuam tek Biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva shefja e bibliotekës, e sqaroi mysafirin se shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, sipas rregullit kishin depozituar sejcili nga një biografi të shkurtër mbi jetën dhe listën e botimeve të tyre. Roberti ia kërkoi dhe pasi pa disa, iu lut që t’i merrte me vete për të mbajtur shënime. Meqenëse Lidhja nuk kishte makinë kopjimi (kseroks), Flutura ia dha dhe ai i kopjoi kur punonte në hotel e në Bibliotekën Kombëtare.

Kishte një shkrim të vogël, si shkaravitje. Shkruante me dorën e majtë, gjë që më bëri përshtypje, sepse tek ne nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. Mu kujtua fëmijëria ime, kur isha në klasën e parë. Zyshe Jorgjia, kur më pa se shkruaja me dorën e majtë, më detyroi që të mësoja të shkruaj me dorën e djathtë. Më dha detyrë të mbushja me shkrimin e dorës së djathtë faqe të tëra me gërmat a, A, b, B dhe c, C që kishim mësuar deri atëhere. Nuk më erdhi mirë, kur Roberti më tha: Të paskan dhunuar që fëmijë. Dhunim unë konsideroja rahjet, arrestimet, internimet.

Në vitet 1970-1980 tek ne nuk kishim kompjutera, kurse Roberti punonte në shtëpinë e vet në Gjermani në një kompjuter të vogël. Kjo ia shtonte atij shpejtësinë dhe saktësinë e punës. Gjatë vizitave të para, ai nuk e përmendi faktin se punonte në kompjuter, ndoshta nuk donte të na lëndonte për varfërinë tonë. Gjatë bisedave mësova se ai zotëronte shumë mirë me gojë dhe me shkrim anglishten, frëngjishten e gjermanishten, kurse rusishten, serbishten, greqishten e italishten i shfrytëzonte për interesa studimi.

Duke pirë kafe një ditë e pyeta:

– Si të lindi ideja të merresh me letërsinë shqipe, letërsi e një populli të vogël e shkruar në një gjuhë të vështirë? Me gjuhët që dije, ti mund të studjoje letërsi më të mëdha dhe mund të arrije suksese pa u lodhur të mësoje shqipen e vështirë.

Ai, më sqaroi:

– Në Europën Perëndimore është vështirë të gjesh tema studimi në fusha si historitë e letërsive dhe historitë kombëtare të popujve. Janë kryer aq shumë studime, sa që studjuesit vendës e kanë vështirë të gjejnë tema studimi. Një histori e plotë e letërsisë shqipe është një vepër e munguar në anglisht, prandaj mendova se ia vlente mundimi për të mësuar këtë gjuhë me anën e së cilës do të kapja një temë studimi që intereson shkencën dhe kulturën europiane.

Letërsia shqipe, është letërsi e pasur, shtoi ai. Ka shumë popuj në Europë, që janë më të mëdhenj se populli shqiptar, si psh populli hollandez, por ky nuk ka letërsi të pasur si ka populli juaj. Populli shqiptar është popull që ka probleme (nuk përmendi fjalët ‘probleme shoqërore dhe kombëtare’) dhe si i tillë e lëvron letërsinë shumë më tepër se popujt që nuk kanë probleme. Hollandezët janë marrë e merren me pikturë.

Kosova e Maqedonia zjejnë, prandaj dhe atje lulëzon poezia”.

Ndryshe nga ne, që konsideronim letërsi shqipe/shqiptare vetëm atë që zhvillohej brenda kufijve të shtetit shqiptar dhe letërsinë që kishin lëvruar arbëreshët e Italisë dhe të Greqisë gjatë Rilindjes, ai e shikonte letërsinë shqiptare si një të tërë, pa ndarje kufijsh. Koncepti i tij mbi letërsinë tonë, si letërsi që zhvillohej në gjuhën shqipe në mbarë Ballkanin Perëndimot dhe në diasporën shqiptare të të gjitha kohëve, ai e demostroi te vepra e tij Histori e Letërsisë Shqipe, që hartoi e botoi shqip e anglisht më vonë, si do ta përmend më poshtë.

Gjatë vizitave të mëvonshme

Pas vizitës së parë, Roberti erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Përsëri Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë më caktoi ta shoqëroja e ndihmoja deri në vitin 1996, kur unë fitova lotarinë amerikane të Green Card-it dhe u largova nga Shqipëria.

Ndoshta ishte mars – prill i vitit 1979, kur krahas meje u caktua si shoqërues dhe Fatos Beja, një punonjës i ri që kishte ardhur në Institut. Pasi vizituam Pazarin dhe Kalanë e Krujës, Roberti hapi bisedën për Bektashizmin. Pyeti nëse kishim parë ndonjë Baba teqeje, i cili gjatë kërcimit ritual fuste një thikë ose një shtizë nëpër bullçijtë e tij. Unë i thashë se kisha dëgjuar, por nuk kisha parë gjë të tillë. Fatosi, i cili ishte rritur në një familje myslimane, i tha se kishte parë një ritual të tillë në një teqe në Gjirokastër kur ishte 14 ose 15-vjeçar.

Kur zbritëm në Fushë Krujë, para se të vijonim rrugën për Tiranë, Roberti kërkoi të ndalonim tek ish-Teqeja e Bektashinjve. Pyetëm dhe na treguan ku ndodhej. Prej kohësh ai ambjent ishte kthyer në një ndërmarrjeje prodhimi. Nuk mbaj mend se si quhej dhe çfarë prodhonte ajo ndërmarrje. Tek hyrja, në të majtë të portës së madhe ishte një pllakë e gurtë e thyer. Gjysma e saj qëndronte në mur brenda një kornize të krijuar nga gurë të skalitur si pjesë përbërëse e murit, kurse pjesa tjetër ishte rrëzuar në tokë, e thyer në disa copa. Në këtë pllakë jepeshin të dhëna për krijimin e teqesë në arabisht.

Roberti u afrua dhe u gëzua kur pa se shkronjat ishin të lexueshme. Pasi fotografoi pjesën e varur në mur, u ul dhe i bashkoi copat e thyera e i fotografoi. Na sqaroi se kishte ndjekur një kurs për të mësuar alfabetin e arabishtes dhe se dinte shumë fjalë të asaj gjuhe, gjë që nuk e kishte thënë më parë. Modestia nuk e linte të mburrej e të përmendëte gjuhët që dinte, ose studimet e ndryshme që kishte kryer, artikujt që kishte botuar, dhe as planet për të ardhmen.

Të nesërmen kërkoi të vizitonte Varrin e Naim Frashërit që ndodhej tek ish-Teqeja e Kryegjyshatës Botërore. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Mbreti Ahmet Zog i Parë u interesua dhe i solli nga Stambolli eshtrat e Naim Frashërit, autorit të poemës Qerbelaja, një nga poemat më të shquara të Bektashizmit. Në kopshtin e këtij institucioni u varrosën eshtrat e poetit kombëtar. Mirëpo ky institucion, pas vitit 1967 u kthye në Azil për Pleq, kurse Kryegjyshin Botëror, nuk dihej ku e kishin degdisur. Kjo qendër, dikur aq e rëndësishme për besimin Bektashian, ndodhej në anën lindore të Tiranës mbi vargun e kodrave të Malit Dajt. Jo larg saj në vitet 1970-të u ndërtuan Uzina Traktori dhe Kombinati Poligrafik.

Shkuam atje, takuam drejtoreshën e Azilit e cila na shpuri tek vendi ku ishte Varri i Naimit. Ajo dhe pleqtë azilantë na thanë se aty preheshin eshtrat e poetit, por në shtypin e vitit 1950 ishte shkruar se eshtrat e Naim Frashërit, me rastin e 50-vjetorit të vjekjes së tij, u shpërngulën dhe ishin rivarrosur anës bulevardit kryesor, pranë godinës së Komitetit Qendror të PPSH. Kurse më 1978 me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit u krijua Varreza e Vëllezërve Abdyl, Naim e Sami Frashëri te kodra e Liqenit Artificial. Nuk më kishte shkuar në mendje se te cili nga këto tre varre preheshin vërtet eshtrat e Poetit tonë Kombëtar.

Më 1940, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Naimit, Varri i tij te Kryeqendra e Bektashizmit Botëror ishte rindërtuar si dhuratë e Fancesko Jakomonit, mesa duket për të marrë me të mirë Kryegjyshin Dedej, i cili nuk e kishte pranuar pushtimin italian dhe ishte shprehur kundër. Duke u gdhirë 28 nëntori i vitit 1941 ky kryegjysh u vra nga njerëz të panjohur, pas takimit me Jakomonin, kur kishte kundërshtuar firmosjen e një deklarate pro pushtimit fashist.

Varri ishte vërtet madhështor, por më vonë qeveria komuniste ia kishte dëmtuar madhështinë. Më 1979, kur shkuam ne, ende dukej që kishte qenë një objekt monumental i rëndësishëm. Roberti nxori aparatin dhe bëri disa fotografi. Kur ktheheshim në Tiranë më tha:

– Ky varr nuk e ka vendin këtu. Duhej të ishte te oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve.

Mirëpo të dy kryetarët e Lidhjes së Shkrimtarëve, si ish-kryetari i parë, Dhimitër Shuteriqi, njeri me kulturë franceze; dhe Dritëro Agolli, kryetari aktual i Lidhjes, ndoshta e dinin ku e kishte vendin Varri origjinal i Naimit, por nuk besoj se kishin bërë ndonjë vizitë atje. Edhe në tetor të vitit 1990, kur Instituti ynë organizoi një konferencë shkencore kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së Naimit me pjesëmarrje dhe të disa studiuesve nga bota, nuk u mendua dhe as u dërgua kush tek asnjëri nga Varret e Naimit të bënte omazhe me një tufë lulesh. Njerëzit që përpiqeshin të krijonin kulturën e re socialiste, ishin indiferentë ndaj të tilla respekteve.

Sot, indiferenca e kuadrove drejtues të kulturës dhe artit të asaj kohe, më ndihmon të kuptoj faktin se si po këta njerëz, krijues, studiues të letërsisë shqiptare dhe pedagogë të letërsisë shqiptare në universitete, nuk shpunë në Librazhd një tufë me lule gjatë viteve të tranzicionit tek memoriali i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, dy poetëve të pushkatuar nga diktatura komuniste dhe as te varri i Havzi Nelajt, poetit që e varrën në qytetin e Kuksit, rast unikal i dënimit të një krijuesi nga diktatura komuniste…

Populli shqiptar rrezikohet të ndahet në dy kombe.

Ndryshe nga kolegët e mij, unë e përjetoja ndarjen e kufijve të vitit 1912-1913 si plagën më të rëndë të popullit tonë. Desha të mësoja sa më shumë për popullin shqiptar që jetonte në Jugosllavi, por mua për shkak se kisha qenë i martuar në vitet 1972-1975 me bijën e një zëvendës ministri që u shpall armik i PPSh, më kishin futur në listën e njerëzve që nuk mund të dërgohesha jashtë shtetit, pra as në Kosovë. Kur u ndodhëm vetëm tek kafja e Pallatit të Kulturës gjatë vitit 1979 e pyeta Robertin për gjendjen e shqiptarëve të Jugosllavisë. Ai më dha një sqarim që dallonte nga sqarimet që kisha marrë prej shokëve e miqve, që kishin vizituar Kosovën:

Populli shqiptar që jeton në Jugosllavi prej gati 70 vjetësh po jeton në një realitet tjetër historik, politik dhe ekonomik. Kjo rrethanë pas disa brezash mund të shpjerë atje tek krijimi i një kombi të ri shqiptar. Gjuha e përbashkët nuk mjafton për ta ruajtur njësinë e një kombi, janë dhe rrethanat historike, politike dhe ekonomike që ndikojnë në forcimin e unitetit dhe lulëzimin e tipareve të një kombi. Pikërisht rethanat e ndryshme shpunë popullsinë gjermanishtfolëse në krijimin e kombeve të ndryshme. Flasin gjermanisht dhe shkruajnë gjuhën e përbashkët letrare gjermane, por nuk quhen një komb gjermanët, austriakët dhe zviceranët gjemanishtfolës. Po kështu dhe serbët, kroatët, bosnjakët e malazestë…

Fatmirësisht shumica e intelektualëve shqiptarë të Jugosllavisë është atdhetare dhe përpiqet për ruajtjen e unitetit kombëtar, por politika e shtetit jugosllav punon për asimilimin e shqiptarëve dhe deformimin e unitetit kombëtar shqiptar…

Me një fjalë Roberti dha një alarm lidhur me rrezikun e ndarjes së popullit tonë në dy kombe. Rrezik, i cili vijon dhe sot, prandaj intelektualët shqiptarë dhe qeveritarët e sotëm të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, duhet ta kenë parasysh e ta luftojnë procesin e diferencimit duke krijuar plane strategjike për lulëzimin e tipareve të përbashkëta kombëtare midis shqiptarëve që jetojnë në shtete të ndryshme në Ballkanin Perëndimor e në diasporë. Kjo strategji do ta lehtësojë procesin e krijimit të shtetit kombëtar shqiptar kur të jemi shtete anëtare të Bashkimit Europian.

Ciganët, janë analfabetë dhe në Shqipëri, si në gjithë Europën.

Gjatë një vizite tjetër Roberti kërkoi të vizitonte Shkodrën, Bibliotekën e Shtetit Marin Barleti dhe Institutin e Lartë, sot Universiteti Luigj Gurakuqi. Takoi dhe bisedoi me disa pedagogë, midis të cilëve pati më shumë interes për prof. Jup Kastratin, bibliograf i mirënjohur. Mbasdite, para se të niseshim për t’u kthyer, më kërkoi ta shpija tek ish-Kisha e Madhe, e cila që nga viti 1967 ishte kthyer në pallat sporti. Brenda saj dëgjohej zhurmë e madhe, bërtitje tifozësh. Po luanin basketboll dy skuadra. Roberti, nxori aparatin fotografik, hyri brenda dhe bëri disa foto.

Gjatë kthimit për Tiranë, aty afër Mamurrasit, pranë një përroi pamë një grup ciganesh pranë çadrave të tyre.

Ata njerëz janë analfabetë edhe në Shqipëri si në gjithë Europën, tha Roberti.

Duke dashur t’i mburresha, i thashë se në Shqipëri shkolla 8-vjeçare është e detyrueshme për gjithë fëmijët dhe ciganët nuk ka si të jenë analfabetë.

– Në Europë mund të ketë analfabetë, por tek ne, nuk ka, shtova unë.

Roberti shtoi:

– Nuk beson? Po deshe shkojmë t’i pyesim.

I thashë shoferit ta ndalte makinën dhe zbritëm. Mora një libër në dorë dhe iu afruam një grupi me vjaza ku midis tyre ishte një 15-vjeçare. Iu afruam edhe më dhe duke i treguar librin, iu luta të lexonte titullin e librit. Ajo qeshi dhe tha:

– Po ku di unë të lexoj.

– Si nuk di, ti a e ke mbaruar shkollën 8-vjeçare? Gati i bërtita.

– Shkollën e kam mbaruar, po nuk kam bërë kurrë detyra me shkrim, nuk kam zënë libër me dorë. Kam mësuar vetëm ato që kam dëgjuar nga shpjegimi dhe më kanë kaluar nga një klasë në tjetrën. As motrat, as shoqet, as vëllezërit e mij, as mamaja dhe as babai nuk dijnë të lexojnë e të shkruajnë.

Më e pabesueshme ishte kur i thashë nënës së saj, një grua e re nja 35 vjeçe të afrohej e të lexonte fjalët PARTI – POPULL – ENVER, që ishin shkruar me shkronja të mëdha me gurë të lyer me gëlqere të bardhë te faqja e një kodre përballë. Edhe ajo tha se nuk i njihte shkronjat e nuk dinte ta lexonte.

– Mos ngul këmbë, më tha Roberti, ky popull nga që nuk e shkruan gjuhën e vet, nuk përpiqet të mësojë si të shkruajë e lexojë gjuhën e vendit ku jeton. Kjo është dukuri e ciganëve në mbarë Europën.

Roberti punonte në punë shtetërore vetëm disa ditë në muaj.

Kisha vënë re se Roberti nuk ishte i pasur, se bënte një jetë modeste, por kuptohet, dallonte shumë nga jeta e varfër e ne studiuesve shqiptarë. Një ditë guxova dhe e pyeta se ku jetonte dhe ku punonte për të siguruar të ardhurat e nevojshme për jetën.

– Unë jetoj në një fshat të vogël pranë Bonn-it. Atje nuk kam shokë intelektualë, bëj jetë të shkëputur nga banorët. Jam studjues i lirë. Lexoj e shkruaj ç’ të dua. Kam nje farë shoqërie me një komshie të moshuar e cila më afrohet e më bën nga pak muhabet kur takohemi rastësisht.

Për të më shuar kuriozitetin se ku punonte dhe si i siguronte të ardhurat, shtoi:

– Unë nuk jam i punësuar në asnjë institucion shkencor, për të sigurar të ardhurat e nevojshme për jetesën, punoj si përkthyes për qeverinë gjermane, ose ndonjë gjykatë, sa herë ato kanë nevojë. Një ditë pune në këto raste paguhet 1.000 (njëmijë) marka gjermane. Me katër ditë pune të tilla unë plotësoj nevojat e mia për gjithë muajin, madje kursej dhe qindra marka për udhëtimet.

Pra ky studiues ishte krejt i pavarur, i pavarur në zgjedhjen e temave të studimit, i pavarur dhe nga disiplina e një rrogëtari. Ndoshta kjo pavarësi i krijonte ndonjëherë vështirësi ekonomike, sepse po të mos e kërkonin si përkthyes, ai nuk kishte si jetonte. Një jetë e tillë ishte krejt e pakuptueshme për mua, që isha punonjës i një instututi shkencor te shtetit socialist, të cilit temat e studimit dhe të ardhurat ekonomike ia caktonte drejtoria e institutit.

Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen të mbekullueshme

Gjatë vitit 1992 Roberti erdhi dy hetë. Herën e parë në verë e pastaj në nëntor. E pyeta për emigrantët tanë në Gjermani. Më tha se kishin ambicie, se përpiqeshin të mësonin gjermanishten dhe shumë prej tyre kishin filluar punë. Pastaj shtoi: – Ty nuk të shau e nuk të kritikoi asnjë prej tyre.

Kuptova se emigrantët tanë i kishin marrë në pyetje për të dhënë opionin e tyre për njerëzit që njihnin, ose për njerëz që interesohej shteti gjerman, ose vetë Roberti.

I thashë se jeta jonë në Shqipëri ishte vështirësuar edhe më shumë nga ana ekonomike dhe po të hapeshin edhe një herë ambasadat, do ikja edhe unë me familjen. Për ta përforcuar mendimin shtova:

– Bëri mirë Isamail Kadareja që iku.

– Mos u ngut, më tha, rri, sepse në Gjermani sundon mendimi se Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen, pas 20 vjetësh, të mbrekullueshme”. Pastaj shtoi: Për Ismailin, mendohet se ikja e tij është pjesë e planit të Ramiz Alisë. U dërgua jashtë si i arratisur, që ta kërkonit ju pas rëzimit të diktaturës dhe të vijë si udhëheqës për të shpëtuar klanin Hoxha-Alia.

– Nuk mund ta besoj, i thashë, që Isamili të pranojë të kthehet në Shqipëri për t’u marrë me politikë. Ai shyqyr që shpëtoi nga imponimet e politikës”. Roberti nuk kundërshtoi.

Në Gjermani kujtonin se shqiptarët do të ecnin sipas rrugës gjermane, pra do ta dënonin krimin komunist dhe do t’i futeshin punës me ndershmëri e seriozitet si gjernmanët, që pas L2B e dënuan krimin nazist e iu futën punës. Prandaj qeveria gjermane mendonte se 20 vjet tranzicion ishin të mjaftueshëm për të krijuar tek ne shtetin ligjor dhe shoqërinë demokratike…

Pas dy vjetësh, pra më 1994, duke parë korrupsionin dhe mungesën e dëshirës te pushtetarët shqiptarë për krijimin e shtetit ligjor, po në Gjermani, më tha Roberti, u krijua opinioni i kundërt, sipas të cilit Shqipëria ishte kthyer në një kazan plehrash.

Në nëntor të vitit 1992 u zhvillua një takim shkencor me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. U diskutua problemi nëse gjuha letrare me bazë toskërishten e kishte kryer deri atëhere detyrën e saj, apo duhej ndërruar baza e saj me gegërishten.

Gruaja ime, Julia, më tha që t’i ftonim për drekë disa studiues nga Kosova dhe Robert Elsie-n. Kështu gjatë drekës Roberti dhe profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca, Abdullah Zymberi u njohën me Julian, vajzën e djalin tonë dhe me nënën time. Studiuesit kosovarë flisnin lirshëm, kurse Roberti dëgjonte.

Kur ikën, Julia tha: “Roberti nusëroi si nuse e bukur, ai nuk foli fare!”

Robert Elsi i lindur e rritur katolik më këshilloi të vijoj studimet shkencore.

Në vitin 1992 në Shqipëri u lejua rihapja e institucioneve fetare. Erdhën dhe fetarë protestantë ku bënin pjesë dhe misionarët e kishës Advendiste të Ditës së Shtunë, besim që nëna ime e kishte përqafuar që në vitet 1935-1936. Ajo filloi të shkonte rregullisht në takimet e së shtunave, që oranizoheshin në salla të ndryshme që merreshin me qira. Vëllai im dhe unë, që jetonim në Tiranë, filluam ta shoqëronim nënën në këto takime. Predikimet mbaheshin anglisht prej misionarëve të huaj dhe përktheheshin shqip prej disa djemve e vajzave të reja. Ne na interesonte ushtrimi i veshit në anglisht, gjuha që mori përhapje të shpejtë tek ne pas ndërrimit të regjimit komuniste. E shtuna ishte shpallur ditë pushimi bashkë me të djelën, kështu që kishim mundësi të kalonin disa orë në ato salla predikimi.

Një të shtunë gjatë vitit 1994, kur po kthehesha nga një ceremoni e tillë predikimi, takova Robertin pranë Hotel Tiranës. Pasi i thashë se unë vija të shtunave dhe dëgjoja predikimet fetare prej misionarëve protestantë, më tha:

Mos i merr shume seriozisht predikimet fetare, se mund të të shtyjnë të bëhesh klerik dhe nuk do çash më kokën për shkencë. Unë nga ana ime u linda dhe u edukova si besimtar katolik, por iu kushtova studimeve shkencore. Dhe ti, mbasi ke arritur rezultate në këtë fushë mos shiko të ndërrosh profesion.

Me këto fjalë e mbylli ai këshillën për të ardhmen e punës sime duke dyshuar se mos kualifikohesha për t’u bërë pastor.

History of Albanian Literature / Histori e Letërsisë Shqiptare

Në vitin 1995 Robert Elsie e kurorëzoi punën e tij për hartimin e historisë së letërsisë shqiptare. Atë vit ai e solli një kopje të veprës së tij anglisht në dy vëllime, botim i COLUMBIA UNIVERSITY PRESS, USA. Ia fali bibliotekës së Institutit.

U gëzova për këtë sukses të tij dhe e lexova. Sa kisha mbaruar së studiuari një metodë të anglishtes me 52 mësime, sepse pasi fitova lotarinë amerikane të Green Card-it, po përgatitesha për t’u larguar nga Shqipëria.

Vepra më mahniti me informacionin e madh mbi shkrimtarët shqiptarë të të gjitha kohëve, të të gjitha bindjeve politike dhe të të gjitha teritorreve ku banonin shqiptarët, me fotografi të shumta, shumë prej të cilave ishin të panjohura për ne studjuesit e institutit. E ndjeva për detyrë që kësaj dhurate t’i përgjigjesha me një recension. Duke qenë se e njihja lëndën, e kuptova gjithë librin, sa që m’u krijua ideja se kisha ecur mirë në anglisht. Recensioni u botua së pari te gazeta “Rilindja” e Prishtinës, e cila për shkak të përndjekjes në Kosovë, botohej në Tiranë. Një variant më të plotë e dorëzova te revista shkencore të Institutit “Studime Filologjike” e cila delte tashmë vetëm dy herë në vit dhe me shumë vonesë. Numëri 2 i vitit 1995, ku u caktua të botohej recensioni, nuk ariti të delte nga shtypi as në fillim të korrikut 1996, kur unë me familjen u largova për SHBA.

Lidhjet me Robertin i vijova edhe pas vendosjes sime në Amerikë. Më 1998 më dërgoi veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare” përkthyer shqip prej Abdurrahim Myftiut, botim i shtëpisë DUKAGJINI Tiranë – Pejë 1997, me dedikimin: “Mikut tim te vjetër Thanas Gjika me nderime, Robert Elsie, Olzeim / E. 12, 20 JAN. 1998”

Pasi e falenderova, i shkrova se fabrika ku punoja në turnin e tretë u mbyll dhe kisha filluar të punoja si pjatalarës në një restorant. Moszotërimi i anglishtes në nivel të mirë po më pengonte për t’u punësuar në ndonjë punë intelektuale. Roberti m’u përgjigj me të qeshur:

– Mos u mërzit, shumë emigrantë në Amerikë, që punojnë pjatalarës, bëhen shpejt a vonë pasanikë.

Herë pas here këmbenim e-mail, por fatkeqësisht ato që u shkruan në kompjuterin e vjetër, nuk i ruajta. Për herë të fundit e takova Robertin në Tiranë gjatë vizitës që bëra më 2008. Unë dhe historiani Iliaz Gogaj po ecnim në rrugë pranë shkollës Sami Frashëri. Roberti na doli papritur përpara. Pasi u përshëndetëm, Iliazi nxori nga çanta një kopje të librit që kishte botuar atë vit dhe filloi të shkruante dedikimin për t’ia dhuruar mikut tonë.

Të gjithë studiuesit shqiptarë të fushave humane dhe shkrimtarët e deshin dhe e respektonin shumë këtë albanolog dhe i dhuronin me qejf librat e tyre. Madje unë, më 1994 i pata dhuruar dhe një punim në bakër në formë disku, basorelev me temë Gjergj Elez Alia e Bajlozi, vepër e artistit G. Tirana.

Duke dashur të bëja shaka, i thashë Iliazit:

– Iliaz, ne e duam dhe i dhurojmë libra Robertit, por atij i japin aq shumë libra sa nuk ka mundësi t’i lexojë , madje harron dhe titujt e tyre.

Roberti nuk ma mori për keq dhe nuk reagoi me ndonjë thumb. Ndoshta e kuptoi që më kishte mbetur qejfi për dërgimin e librit tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” MEDAUR Tiranë 20107, 504 fq. të cilin ia kisha dërguar një vit më parë duke iu lutur që ta dorëzonte në Tybingen University, ku kishte specialistë që mund të më ndihmonin për ta bërë problem të shkencës europiane çështjen e vizitave të Shën Palit në territoret ilire, që unë e kisha trajtuar me shumë argumente në atë studim dhe që e kishin pranuar pedagogët e Atlantic Union College USA, të cilët e sponsorizuan dhe botimin e librit.

– Me të vërtet kohën e kam shumë të pakët, e mori fjalën Roberti. Nga librat që më dhurohen lexoj vetëm ndonjë që lidhet drejtpërdrejt me synimet e mia. Po më shtohen shumë punët. Më duket se nuk do t’i botoj dot gjithë ato studime që po hartoj.

Letrën e fundit ia dërgova me i-mel më 29 shkurt 2016, ora 10:17 AM . Iu luta që të shkruante kujtimet e tij për Profesor Eqrem Çabejn. E sqaroja se unë bashkë me vajzën e profesorit, mendonim të mblidhnim kujtime prej atyre që e kishin njohur nga afër, sidomos prej kolegëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ia vlente të përgatitej një libër me kujtime për këtë personalitet të shquar të shkencës shqiptare.

Roberti m’u përgjigj po atë ditë në ora 11:16 (ora e Amerikës 5:16 AM e datës 1 mars). Më falenderonte për letrën, më uronte për idenë, por më sqaronte se ishte shumë i zënë me projete të ndryshme dhe konkretisht profesor Çabejn e kishte takuar vetëm një herë. Disa muaj para se profesori të largohej nga jeta, në një takim me shkencëtarë gjermanë në Universitetin e Bonn-it, por që nuk i kujtoheshin hollësira. Më uronte që kjo vepër të kryhej me sukses dhe sugjeronte që të përkthehej dhe anglisht…

* * *

Po i mbyll këto kujtime duke shprehur pakënaqësinë time ndaj qeverisë së RSh dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sepse kam vënë re se këtë albanolog të shquar, që hartoi e botoi 60 libra me shpenzimet e tij, ku na solli aq shumë materiale të panjohur dhe studime të depolitizuar e të shumanshëm, e ka vlerësuar më shumë Akademia dhe institucionet shkencore të Kosovës se sa ato të Shqipërisë. Këtij albanologu i është dhënë vetëm Medalja e Mirënjohjes prej Kuvendit të Shqipërisë, kurse në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar Tiranë 2008, vol. I, nuk është trajtuar si zë më vete jeta dhe ndihmesa e tij. Kam frikë se kjo akademi nuk do të interesohet për të sjellë në Shqipëri gjithë bibliotekën e tij, fondin e letrave, fotografive dhe të materialeve e shkrimeve të tij të pabotuara…

Mezi pres të shkoj këtë verë (2023) në Shqipëri e të vendos një tufë lulesh te varri i tij në Theth, që është ndërtuar në oborrin e kishës katolike të atij fshati turistik në rrëzë të Bjeshkëve të Namuna përtej të cilave shtrihet Kosova. Ky studiues, me jetën dhe veprën tij është albanologu i huaj më i shquar. Ai u dallua për saktësi, urtësi, punë të shumanëshme dhe dashuri ndaj popullit tonë, të cilën e shprehu dhe me dëshirën për t’u varrosur në Theth. Mendoj se vlerësimi i këtij studiuesi do të rritet gjithnjë e më shumë dhe një ditë ato pak kilometra shkëmb që ndajnë Thethin me Kosovën do të përshkohen nga një tunel automobilistik për të bërë të mundur lidhjen e kësaj pike turistike me Kosovën…

I përjetshëm qoftë kujtimi i albanologut Prof. Robert Elsie

Filed Under: Kulture Tagged With: Thanas L Gjika

Legjenda e ndarjes së botës

June 16, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Peleg “ndarje” përmendet në Biblën Hebraike si një nga dy djemtë e Eberit, paraardhës i izraelitëve. Djali i Pelegut ishte Reu, i lindur kur Pelegu ishte tridhjetë vjeç dhe pati djem e vajza të tjerë. Pelegu jetoi 239 vjeç. Sipas Septuagintës, Phaleg jetoi deri në 339 vjet.

Peleg është një mbiemër i zakonshëm në Izrael, duke qenë gjithashtu shkronja rrënjësore për lundrimin. Kuptimi i Pelegit në anglisht është “përrua”, lumë i vogël. Në shqip “pellg”.

“Dhe Toka u nda” gjatë kohës së Pelegut. Kuptimi i ndarjes së tokës zakonisht merret për t’iu referuar një ndarjeje patriarkale të botës, ose ndoshta vetëm hemisferës lindore, në pjesë të caktuara midis tre bijve të Noeut për pushtimin e ardhshëm, siç përshkruhet në mënyrë specifike në Librin e Jubileeve, Flavius ​​Josephus dhe shumë burime të tjera antikuare dhe mesjetare, madje aq vonë sa Kryepeshkopi Ussher, në Annals of the World, Konflikti i Adamit dhe Evës me Satanin, thotë se “Në ditët e Phalekut (Peleg), toka u nda për herë të dytë midis tre bijve të Noeut; Semit, Kamit dhe Jafetit – ishte ndarë një herë. më parë në mesin e tre djemve nga vetë Noeu.

Disa e interpretojnë këtë për t’iu referuar kontinentit të Pangeas të ndarë në kontinente moderne. Kjo shpesh supozohet të jetë pak para, gjatë ose pas dështimit të Kullës së Babelit të Nimrodit.

Është e çuditshme që shpërndarja e fiseve në Babel lidhet me emrin e Nimrodit (stërgjyshi i Pelegut), i cili figuron në traditën biblike dhe atë babilonase si një gjahtar i fuqishëm. Epiphanius thotë se që nga themelimi i këtij qyteti të Babilonisë filloi një skenë e menjëhershme e komplotit, rebelimit dhe tiranisë, e cila u krye nga Nimrodi, biri i Kush Ethiopit. Rreth kësaj figure të zbehtë legjendare është ndezur një polemikë e madhe. Në Librin e Zanafillës, përmendet: “Ashtu si Nimrodi, gjahtari i fuqishëm përpara Zotit”. Ai ishte gjithashtu sundimtar: “Fillimi i mbretërisë së tij ishte Babeli, Ereku, Akadi dhe Kalnehu në vendin e Shinarit. Nga ai vend doli Asuri dhe ndërtoi Ninevinë dhe qytete të tjera të mëdha. Në Shkrime, Nimrodi përmendet si pasardhës i Kamit, por kjo mund të lindë nga leximi i emrit të babait të tij si Kush, i cili në Shkrime tregohet si krijuesi i një racë me ngjyrë. Emri mund të jetë Cash dhe duhet të lidhet me Cassites. Më pas duket se bijtë e Kushit ose Çusit -Kasitët -, nuk morën pjesë në ndarjen e racës njerëzore pas rënies së Babelit, por nën udhëheqjen e vetë Nimrodit mbetën aty ku ishte, ndërtoi Babiloninë dhe fortifikoi territorin rreth saj. Thuhet gjithashtu se ndërtoi edhe Ninevinë dhe shkeli tokën e Ashurit, kështu që më në fund e detyroi Ashurin ta linte atë territor. Grekët i dhanë emrin Nebrod ose Nebros dhe ruajtën ose shpikën shumë tregime në lidhje me kullën që ai supozohet të ketë ngritur. Ai përshkruhet si një person gjigant me sjellje të fuqishme dhe përçmues i çdo gjëje hyjnore; ndjekësit e tij përfaqësohen si po aq mendjemëdhenj dhe autorizues. Në fakt ai duket se grekëve u është dukur si një prej Titanëve të tyre. Nimrodi është identifikuar si me Merodakun, perëndinë e Babilonisë, dhe me Gilgameshin, heroin e eposit me këtë emër, me Orionin dhe me të tjerë. Emri, madje është gjetur në dokumentet egjiptiane të dinastisë XXII si ‘Nemar’.

Filed Under: ESSE

Kryeministri Kurti u takua me Përfaqësuesin e Përhershëm të ShBA-ve në OSBE, Ambasadorin Michael Carpenter

June 16, 2023 by s p

Strugë, 16 qershor 2023/

Takimin e radhës, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin e Prespës në Strugë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e zhvilloi me Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ambasadorin Michael Carpenter.

Aty u bisedua për situatën në vend pas rrëmbimit nga forcat serbe të tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe për përkushtimin e institucioneve të vendit për depërshkallëzim dhe normalizim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.

Ambasadori Carpenter tha se sundimi i ligjit duhet të mbështetet, derisa theksoi kërkesën për lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre zyrtarëve policorë të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia.

Në lidhje me veprimin agresor të Serbisë, Kryeministri Kurti, tha se ky akt është shkelje e Kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe kërkoi që agresioni të dënohet nga faktori ndërkombëtar.

Edhe në këtë takim, i pranishëm ishte Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.

Filed Under: Opinion

AFORIZMA TË BUKËTA TË MID’HAT FRASHËRIT

June 16, 2023 by s p

Uran Butka/

U përurua vëllimi VIII i veprës së zgjedhur të Midhat Frashërit, merrnim pjesë intelektualë, studiues, shkrimtarë, botues dhe qytetarë të Tiranës. Mes tyre edhe të ftuarit: akademiku i shquar Rexhep Ismajli, nga Kosova, dramaturgu Ekrem Kryeziu dhe shkrimtarja Resmie Kryeziu, deputeti Bujar Leskaj, si edhe deputeti Agron Shehaj, sponsor i veprës së kolanës prëj 10 vëllimesh të M.Frashërit.

Vëllimi VIII ngërthën nëpërmes lëtërkëmbimit dy tema kryesore: Midhat Frashëri si diplomati më i madh i kombit tonë dhe si një albanolog i spikatur por i panjohur për publikun.

Për Midhat Frashërin si albanolog, ligjëroi personaliteti i shquar i kulturës shqiptare, gjuhëtari i mirënjohur, shkencëtari dhe akademiku Rexhep Ismajli, ish kryetari i Akademisë së Skencave të Kosovës, në dhjetra vepra të botuara, mes tyre edhe vepra e plotë e Selman Rizës, me dhjetra e dhjetra hulumtime dhe studime në revista shkencore shqiptare e të huaja për diturinë e shqipes, gjuhën dhe letërsinë si dhe përkthime të rëndësishme.

Për rolin e jashtëzakonshëm të Midhat Frashërit për mbrojtjen e popullsisë të Çamërisë dhe të Kosovës nga genocidi grek e serb, kur ishte ambasador i Shqipërisë ne Greqi, kumtoi studiuesi dhe shkrimtari, Enver Kushi.

Po japim për lexuesin disa aforizma të bukta të Mid’hat Frashërit, nxjerrë nga letërkëmbimi i tij:

*

Shqiptarizma a s`është sinonim me kultin, me adhurimin e Shqipërisë, me naltësimin e çdo gjëje që i përket kësaj Shqipërisë sonë? E mira, e dobishmja, bukuria, nderimi, frymëzimi i çdo therrorie për këtë Shqipëri, a s`do të jetë kurdoherë dhe tekdo ideali i idealeve tona, kandili i udhës sonë?

*

Nuk mund të flitet për liri aty ku rrahjet me shkop marrin karakterin e një riti. (Në Çamëri)

*

Çështja ka një rëndësi fort të madhe dhe mbase munt që të shkakëtojë zbrazjen dhe shkretimin e Kosovës, duke shtënë në rrezik dhe rrojtjen e Shqipërisë, në qoftë se nuk merrenë masa serioze që tani.

*

Në vend te lirisë, turmat preferojnë barazinë në robëri.

*

Shqiptari s`është akoma mësuar të lexojë, të ndjejë nevojën e ushqimit të trurit, të kërkojë ide të reja, të ketë uri (një uri më të fortë se ajo fizike, mëse të panginjshme) për njohje dhe dije. Kjo ësht`e meta e atij që duhet ta marrë, ta konsumojë lëndën e shtypur. Nga ana tjetër, e meta i takon edhe kësaj literature, që s`ka ditur edhe kjo të jetë e kandshme dhe e dobishme.

*

Nga gjithë ç’kanë lënë prindërit dhe gjyshërit tanë, m’e vlejtur dhe m’e dashur për ne është gjuha që flasim. Kjo gjuh’ është shënj’e gjallërisë dhe e rrojtjes sënë, kjo gjuh’ është shpirti dhe zëmra jonë. Po gjuha fuqinë dhe rrojtjen e saj e gjen në bukuri të saj: një gjuh’e shëmtuar dhe e pa stolisur ësht’e vdekur. Gjuha është një qint herë më grua se gruaja më e stolisur.

*

“Fjalët dhe frazat e gjuhës janë kufoma pa jetë. Stili u jep shpirt. Ky shpirt që vëmë në stil, është uni”

Jam sigur se në qoftë që nuk mejtohemi sot për shëndetin e popullit dhe për të shpëtuar djemt’e vegjël nga vdekja, po qe që s’bëmë shoqëri për të mësuar të punojnë çupat dhe gratë, jam fare sigur, them, se nesër ne ose djemtë tanë do të venë dhe lypin në dyert e kafeneve ose të mejhaneve, ose do të lajnë tabakatë e botës. Më mirë, pra, të mejtohemi pak sot.

*

Është nevojë e madhe të çelim një dritare dhe një rrugë të re për ambicionin dhe madhërinë e shqiptarit. Është koha, më duket, të themelohet një aristokraci e vërtetë, ajo e vlerës, sipas shërbimeve të çdo njeriu, sipas mendjes dhe punës së ti. Të mos e kërkojë më njeriu nderin dhe madhërinë me verbëri, me thikë ose me farmak në dorë, po ta kërkojë nga puna, djersa, talenti, mendja dhe vullneti i tij, një nder dhe madhëri mbi themel të vërtetë e të shëndoshë, për fitim dhe dobi të njerëzisë. Të mësohen shqiptarëttë kërkojnë famën në punë, te puna pjellore dhe ftimtare, e qetë dhe pa gjëmë, pa tym, pa pluhur, pa thirrje e pa çjerrje, që ka dobi për punonjësin vetë dhe për botën. Të shohë se njeriu ka më tepër vlerë dhe është fort m’i dobishëm, kur është një shkrimtar i mirë, një poet i mençur, një mendimtar i thellë, sesa duke qenë një funksionar i madh ose një fitonjës të hollash me çdo mënyrë që të jetë, të ndershme a të turpshme. Është nevojë e madhe të çelim një dritare dhe një rrugë të re.

*

Nuk mund të mohohet se në shumë rasje fuqitë shqiptare, aspiratat individuale edhe pasionet personale, kanë pasur një force largonjëse nga qendra, një forcë “centrifuge”. Duhet, pra, që ajo forcë, në qoftë e mundur duke u shtuar edhe më tepër, të transformohet në një fuqi që mblidhet drejt qendrës dhe të hyjë në një veprimtari të dobishme dhe prodhimtare. Ujërat, rrëketë, përrenjtë duhen kanalizuar drejt mullirit të math që i thonë jetë kombëtare dhe shtetnore dhe jo të lihen që të largohen nga mulliri dhe të mbetet thatë korita. Në qoftë se i vemë re jetës sonë historike, gjithë fatkeqsia jonë ka ardhur, jo nga mungesa e forcave, por nga shpërndarja e këtyre fuqive dhe nga të bërët shkatërrimtarë.

*

Unë i përkas një rajoni të Evropës që ka vuajtur shumë, ndoshta ai që ka vuajtur më shumë gjatë dy dekadave të fundit.

Është ky rajon i Evropës që kishte më shumë nevojë për paqe, pajtim dhe harmoni midis elementëve të ndryshëm të tij. Popujt ballkanikë kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një mënyrë për të arritur prosperitetin, vetëm një mënyrë për të shkëputur zakonet e këqija të së kaluarës, sipas të cilave çdo popull përtej kufirit konsiderohej armik. Ata tashmë e kuptojnë se një solidaritet interesash të përbashkëta, materiale dhe ekonomike, madje edhe morale e intelektuale, duhet t’i bashkojë popujt dhe jo t’i ndajë ata. (nga fjala në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve)

*

Vendi që kam nderin të përfaqësoj u ka dhënë pakicave etnike që jetojnë brenda kufijve të tij të gjitha të drejtat fetare, kulturore, civile dhe qytetare. Në këtë aspekt, Shqipëria është shteti më liberal në pjesën juglindore të Evropës.

*

“Rrojtja jonë si komb dhe shtet është një gjë prekëse, Edhe kur shteti është i dobët, ai duhet të forcohet e të përmirësohet e jo të shembet; edhe kur qeveria ezgjedhur nuk është aq e mirë, duhet përmirësuar, plotësuar apo rizgjedhur me përgjegjësi, po jo duke e përmbysur me rebelim turme”\

*

Puna e qeverimit më duket se do të zgjidhej më lehtë me një regjim republikan: ndryshe kena me pas shumë ngatrresa.

*

“Kusht i domosdoshë për zhvillim është puna. Varfëria e Shqipërisë vjen nga të mospunuarit. Nuk do thenë as ishallah as kemi kohë. Kapitali jo vetëm më i madh, por i vetmi i njeriut, janë puna, mundimi e krahët e ti. Puna të mos jetë dënim dhe mallkim për ne, por uratë dhe gëzim si një falje”

*

“Shqiptarët, të cilët e duan paqen, kërkojnë të kenë marrëdhënie të mira me fqinjët. Popujt e Ballkanit kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një rrugë për të arritur lulëzimin, vetëm një mënyrë për të hequr qafe zakonet e këqija të së shkuarës, sipas së cilave konsiderohej armik çdo popull përtej kufirit. Tani e kuptojnë se një solidaritet me interesa të përbashkëta, solidaritet material e ekonomik, madje edhe moral e intelektual, duhet t’i bashkojë popujt e jo t’i ndajë”.

*

“Një ndihmë e vogël shpëton një jetë, gëzon një shpirt , hedh pak lumturi në një zemër”.

*

“Po luftoj midis zemrës dhe arsyes, midis dashurisë dhe detyrës, pikërisht në emër të kësaj dashurie…”

*

“Dashuria është kondita e jetës. Pa atë s’ka rrojtje. Po të mos ekzistojë dashuria, shkatërrohet lidhka mes gjymtyrëve të familjes e të njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka as shpresë dhe nuk kryhet asnjë vepër. Entuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë e të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilat e mëngjesit, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit”.

*

“Siç e di, dashuria as që komandohet; dhe në të dua, këtë e bëj për veten time, nga një hov i papërmbajtshëm i krejt qenies sime; dhe nuk do desha aspak që ti të më duash mua. Dashuria nuk lypet”.

Mid’hat Frashëri

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT