• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2023

A ËSHTË I PËRKTHYESHËM LASGUSHI?

July 22, 2023 by s p

Prof.Aristotel Spiro/

Mjaft poezi të Lasgushit janë të vështira për t’u përkthyer. Por nuk janë të papërkthyeshme. Nevojitet njohja e brendshme e teknikave të poetit, por edhe njohja e thellë poetike e gjuhës mbërritëse, në atë masë që lojërat fjalëformuese të origjinalit të jepen në mënyrë përkatëse në përkthim.

Por është edhe një kategori tjetër poezish, ato të mbështetura mbi folklorin, të cilat janë më miqësore ndaj përkthimit. Një poezi të tillë pata përkthyer në gjuhën greke shumë kohë më parë, në vitet e mia të gjimnazit. Duhet të ketë qenë viti 1980. Kur ia tregova mësueses së letërsisë vjershën e përkthyer, pa e lexuar (edhe të donte, nuk kishte se si), tundi kokën në shenjë mosbesimi, meqenëse problemi i papërkthyeshmërisë së Lasgushit ka qenë – dhe vijon ende të jetë – një lloj aksiome në tërësinë e njohurive për veprën e tij.

Mirëpo, shumë kohë ka kaluar që atëherë, dhe, megjithë përpjekjet e mia për ta mohuar këtë përkthim timin, prapë e lexoj me kënaqësi sa herë i rikthehem.

Po e postoj më poshtë duke ndrequr edhe ato gabime drejtshkrimore, që në kushtet e atëhershme të vetëmësimit të një greqishteje më intelektuale, ishin të pashmangshme.

[Shtuar pas disa komenteve kontroverse:]

Ka dy arsye shumë të forta të lexuesve shqiptarë që të vënë në dyshim çdo përpjekje përkthimore të poezisë lasgushiane në gjuhë të huaj. Që të dyja lidhen me gjuhën:

1) Njëra lidhet me gjuhën e origjinalit, me të cilën janë mësuar ta njohin Lasgushin dhe ta dashurojnë. Çdo rilexim në gjuhë të huaj do të vihej menjëherë në dyshim.

2) Tjetra lidhet me gjuhën e huaj. Duke pasur një njohuri jo aq të thellë për gjuhën mbërritëse, nuk janë në gjendje të perceptojnë atë estetikë gjuhësore, e cila buron prej leximeve të hershme dhe të vazhdueshme të letërsisë së huaj në origjinal, të të kuptuarit të shpirtit të gjuhës. Është me të vërtetë e vështirë që një lexues shqiptar të pëlqejë një poezi të Lasgushit në gjuhë të huaj, në qoftë se nuk ka kaluar përmes “mijëra dallgëve” të asaj gjuhe. Këtë ndjesi e rëndon edhe ajo njohje sipërfaqësore e gjuhës së huaj, që ndihmon për të plotësuar nevojat e jetës së përditshme, por jo nevojat e stërholluara estetike. Siç ndodh me letrarët shqiptarë të ndodhur në Greqi, që kanë mësuar gjuhën greke në një nivel komunikativ të kënaqshëm, por që nuk arrin të plotësojë nevojat më kërkuese të kënaqësisë estetike. Nëse je një gjendje të kuptosh një reklamë greke në TV dhe nuk ke lexuar asnjë libër letrar në poezi a në prozë, kjo nuk jep asnjë garanci se do të ndiesh estetikisht një poezi të Lasgushit në greqisht, qoftë e përkthyer nga një debutant, që ende nuk i ka mbushur të njëzetat.

ΛΑΣΓΚΟΥΣ ΠΟΡΑΝΤΕΤΣΙ (1899-1987)

ΠΗΡΑ ΤΗ ΦΙΛΗ ΜΟΥ ΚΟΝΤΑ

Πήρα τη φίλη μου κοντά

και περπατήσαμε σιγά,

πήγαμε πέρα, μακριά.

Η μέρα πάει, σουρούπωσε,

η νύχτα όταν μας σκέπασε

στον κόρφο η νια μου έπεσε.

Γαλήνια λίμνη, τι βροντάς!

Λίμνη, τι λες όταν βογκάς!

Μην είδες στο χαλίκι εμάς;

Και τη στιγμή που νοσταλγώ

ούτε πεθαίνω ούτε ζω.

Αχ, λίμνη, αχ, θα τρελαθώ!

Μετάφραση:. Αριστοτέλη Σπύρου

LASGUSH PORADECI (1899-1987)

E MORA SHOQEZËN PËRKRAH

E mora shoqezën përkrah,

e matmë rrugën ca nga ca,

sikur na ndillte larg diçka.

Pa zuri dita perëndoi,

pa zuri nata na mbuloi,

pa zura shoqen ta pushtoj.

Përse buçet liqen i qet!

Liqen, ti ç’thua ndaj buçet!

Çfar’ pe, liqen mi zall të shkretë?

E çastin kur e sjell ndërmend,

kur sjell ndërmend, ah, atë vend,

as rroj, as vdes, po jam pa mënd.

Filed Under: LETERSI

HEQJA E OBELISKUT TË NËNË PASHKES, KRIM NDAJ VIKTIMAVE TË LUFTËS- OGUR I KEQ DHE ALARM PËR SHTETIN

July 22, 2023 by s p

Prof. Besim Muhadri/

Nëna Pashke Krasniqi-Marku, ishte vajza e vëllait të Akademik Mark Krasniqit. Ishte e martuar në Korenicë të Gjakovë. Gjatë luftës së fundit soldateska serbe e krimit, më 27 prill të vitit 1999, bashkë edhe me 374 shqiptarë të tjerë vrau dhe më pas i masakroi dhe i dërgoi në varrezat masive në Serbi edhe dy djemtë e Nanë Pashkes, Gjovalinin dhe Milanin.

Në vitin 2003 eshtrat e djemve të saj, sikurse edhe të shumë tjerëve, u kthyen në Kosovë. Në atë kohë punoja korrespondent i gazetës “Zëri” nga Gjakova dhe bashkë me kolegë të tjerë shkuam të përcillnim këto momente të dhimbshme jo vetëm për familjen. Shkuam për ngushëllime në shtëpi. E pamja mbahej në oborr. Nënë Pashkja ishte ulur pranë vëllait të saj Prof. Markut. Nuk fliste, veç rrinte në kujtime, tërësisht e nemitur. Kishte marr një pamje tepër të dhimbshme. Të gjithë ishim të tronditur. I thash fotoreporteres së “Zërit”, Laura Hasani që të kapte disa momente, sepse gjendja e Nënë Pashkës më tronditi. Në numrin e nesërm të “Zërit” fotografia e saj ishte në faqen e parë të gazetës. Dy- tri ditë pas rivarrimit të djemve të saj dhe të tjerëve që ishin gjetur në varrezat masive në Serbi, Nënë Pashkja u gjet e vetëdjegur afër një lluge pranë një are në Korenicë. Kjo ishte tronditja tjetër për familjen Marku dhe për ne shqiptarët në përgjithësi. Lajmi mori dhenë. Njëzet vite më parë ishim më njerëzor, më kombëtar. Vite më vonë, në vendin ku Nënë Pashkja ishte vetëflijuar për të bashkuar shpirtin e saj të vrarë me dy djemtë e vrarë e të masakruar nga serbët, asaj i ndërtuan një obelisk. Askush nuk e kishte kundërshtuar ngritjen e obeliskut, që simbolizonte dhembjen, sakrificën, vetëflijimin. As pronari i tokës, që sot, në mënyrë barbare paska hequr nga aty.

Kjo tregon situatën ku kemi ardhur si popull e si komb.

Heqja e obeliskut të Nanë Pashkes, përveç që është humbje e respektit për të vdekurit, është edhe një akt barbar, antinjerëzor dhe antikombëtar. Është vrasja e tretë që i bëhet familjes, martirëve dhe historisës sonë, të ngritur mbi gjakun dhe sakrificën e atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës, mjerisht të keqpërdorur.

Ky akt le të mbetet në ndërgjegjen e atij që e paska bërë, ndërsa për shtetin, një ogur i keq, i cili duhet të alarmohet për këto akte vandale.

Ndërsa ne sot, të gjithë, duhet të shkojmë në Korenicë e ta ngushëllojmë vëllain tonë e mikun tim Marjan Markun, për ngacmimin e plagëve, 24 dhe 20 viteve.

Filed Under: Histori

Shteti shqiptar duhet të jetë në unitet me shtetin e Kosovës*

July 22, 2023 by s p

Mark Qehaja/

Situata e krijuar në veri të Kosovës si spirale që përsëritet në kohë të ndryshme nga të njëjtët armiq shekullorë të shqiptarëve sa herë që përpiqemi të ngrihemi e tu bashkohemi vlerave europiane dhe euro-atlantike na ngatërrohen nëpër këmbë me të gjitha mënyrat më të sofistikuara e të kamufluara. Shteti shqiptar duhet të jetë në unitet me shtetin e Kosovës për trojet kombëtare. Duhet bashkrendim i gjithë veprimtarive të shtetit shqiptare dhe intutucioneve te saj me shtetin dhe institucionet e Kosovës për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të dy shteteve tona me standartet europiane dhe euro-atlantike gjë e cila do ndikonte ndjeshëm te qytetaret shqiptarë në dy anët e kufirit. Pa zhvillim të Shqipërisë nuk mund të ketë zhvillim të Kosovës dhe anasjelltas. Coptimi i Shqipërisë në 1913 për të kënaqur lakmitë e vendeve shoviniste la në prapambetje të thellë e në terror popullin shqiptar. Kosova dhe trojet shqiptare iu shkëputën trungut amë. Shqiptarët u përballën me luftra me krime çnjerëzore e gjenocid nga pushtuesit barbarë. Në e këto 33 vite qeveritë që kane drejtuar në Atdheun tonë nuk kanë ditur apo nuk kanë punuar për të vendosur në plan të parë interesat kombëtare por kanë parë më shumë interest e tyre dhe të pushtetit për tu pasuruar. Raportet Kosovë-Shqipëri janë përkeqësuar. Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi midis dy shteteve tona duhet të jetë gjithmonë korrekt se marrëveshjet që prodhohen nga ky proces u shërbejnë qytetareve shqiptarë. Qëndrimi i njëanshëm i qeverisë shqiptare për të anulluar mbledhjen me qeverine e Kosovës ishte i gabuar dhe i pa menduar. Këtë gabim e shfrytëzoi Beogradi për të te lançuar këto mosmarrveshje mes shqiptareve dhe për të krijuar një imazh negativ për Kosovën. Gjithashtu mos takimi i dy kryeministrave ia shtoi më shumë negativitetin kësaj atmofere. Trishtuese ishte ngjarja e shëmtuar në Parlamentin e Kosovës ku dhuna fizike mes deputeteve nuk kurseu as zonjat deputete, ku forca e arsyes dhe argumentit u zëvendësuan me forcën fizike. Ku është shërbimi më i keq qe i bëhet Kosovës. Përfaqësuesit e shtetit dhe të instucioneve duhet të jenë të kujdesshëm para opinionit publik dhe atij ndërkombëtarë që i përcjell me vëmendje këto zhvillime. Ata para së gjithash duhet të udhëhiqen nga interesi kombëtar dhe jo nga protogonizmi individual. Kosova është gjysma e kombit tonë, është vatra patriotike dhe atdhetare e shqiptarizmit. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, qeveria shqiptare e ka për detyrim kushtetues të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e në trojet tona etnike. Shqipëria duhet ta ngrejë me shumë këmbëngulje zërin në institucionet ndërkombëtare ku bëjmë pjesë. Siç dhe ishte rasti i shkeljes së këtyre të drejtave njerëzore e teritoriale përmes provokimeve të vazhdueshme të grupeve militare serbe të orkestruara nga Beogradi dhe Moska duhej të dënohej ashpër nga Tirana Zyrtare duke e parë problemin në tërësinë e saj e duke mos e përqendruar dhe fokusuar këtë situatë qoftë dhe te një individ i vetëm në rastin konkret Albin Kurti. Dua të theksoj atë çfarë tha Presidentja Vjosa Osmani në 28 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës: Mohuesit e gjenocidit s’mund të kthehen në faktor paqeje. Serbia asnjëherë se ka pranuar e jo ta dënojë gjenocidin e barbarizmat serbe mbi Kosovën. Ajo po shfrytëzon këtë situatë për tu paraqitur si faktor paqeje në rajon duke parë trysninë e madhe dhe presionin e ndërkombëtarëve kundër Albin Kurtit, dhe si mos të mjaftonte kjo edhe atë të qeverisë shqiptare. Këtu nuk dua të shfajësoj veprimet e qëndrimet e Albin Kurtit ndonëse ai duhet më shumë të dëgjojë e të bashkëpunojë me aleatet tanë perëndimorë por nga ana tjetër nuk mund të jemi dakort me akuzat që i behen nga një pjesë e opozitës në Kosovë por dhe disa media e politikane në Shqipëri se Kurti na qenka anti-amerikan pse diskuton dhe debaton për disa elemente të veçantë që dhe mund të mos jesh dakord dhe kjo është gjëja më normale në demokraci por kjo nuk e bën atë anti-amerikan.

Të jash amerikan do të thotë të duash vendin e popullin tënd, t’i dalësh zot të punosh çdo ditë për mirëqenien sigurinë e tij etj. Mos ta përdorësh Amerikën si kartë për të qëndruar në pushtet e për t’u pasuruar siç bëjnë rëndom politikanët e kurruptuar dhe një pjesë e mediave të pasuruar prej tyre. Në nismat rajonale dy shtetet tona duhet të jenë bashkë dhe të reagojnë si komb i vetëm.

Nisma për Ballkanin e Hapur deshtoi. Ajo nuk arriti të bashkonte të gjithë vendet e Ballkanit dhe e izoloi më tepër Kosovën.

Tanimë procesi i Berlinit pritet të jetë i suksesshëm dhe përfitues për vendet e rajonit përfshi edhe Kosovën.

Shteti shqiptare duhet të kujdeset dhe për shqiptarët në trojet etnike në Mal të Zi, Luginën e Preshevës e Çamëri e sidomos kjo e fundit nuk është në asnjë agjendë të bisedimit mes homologeve të dy vendeve Greqisë e Shqipërisë të pakten nga kjo që dimë nga media dhe shtypi i përditshëm.

Kordinimi midis shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës mund të ishte në çdo fushë qoftë dhe për atë që dikujt i duket e pa rëndësishme apo problem teknik siç është vendosja e traut midis Shqipërisë e Kosovës. Kjo përveçse izolon më shumë zonat veriore në pamundësinë e tyre si zonat me varfëra të vendit por krijon dhe një ndarje të panevojshme me Kosovën ndërkohë që ka dhe janë propozuar shumë zgjidhje alternative.

*Botohet me shkurtime dhe redaktime.

Filed Under: Ekonomi

PËRTEJ KAUZËS SË VERIUT TË KOSOVËS

July 22, 2023 by s p

A DUHET TË FLASË POLITIKA?

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Me këtë shkrim do të mundohet të sjellë një mendim ndryshe të pandikuar politikisht objektiv ndaj zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Të preokupuar me situatën e tanishme që po ngulfatet nga politika apo politikanët e papërgjegjshëm, të cilët me apo pavetëdije po sjellin një rrezik të paparashikueshëm të vendit. Duke u shitur si “filozofë, patriotë, trima, e sherifa” në Kuvendin e shpresës, të besimit që duhet të ishte. Me gjithë këtë pamje të shëmtuar të përdorimit të forcës, me grushta e sharje dhe përdorimin e gjuhës së poshtërimeve, dëshmonin se janë kategoria më e ultë e vlerës kombëtare e njerëzore. Pavarësisht se edhe mund të kenë titullin e doktorit, profesorit, deputetit, ministrit, apo çka tjetër.

Kjo pamje tmerruese, që po i ndodhë politikës së Kosovës në ditët e sotme është papjekuri, inatçore, karrieristë, lideriste dhe mbi të gjitha bajraktariste. Në kohën kur duhet të flisnim me një gjuhë në mbrojtjen e vlerave kombëtare, duke pasur si në obligim moral porosinë e programit të rilindjes kombëtare “Një komb, një gjuhë dhe një flamur” dhe gjakun e dëshmorëve, që ranë për lirinë dhe bashkimin e atdheut. Megjithatë, politika jonë – e sotmja dhe e djeshmja, bëhet si hiena kundër njëri-tjetrit, duke harruar dhjetëra mira të vrarë e të masakruar, të dhunuar e të ndjekur nga politika fashiste serbe, që kishte si qëllim aktin e pastrimit të Kosovës nga shqiptarët. Si dëshmi, kjo që ndodhi vetëm në luftën e fundit, pa i përmendur tragjeditë tjera; Si ajo e Traktatit të Shën Stefanit, kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër e tjera të shumta që u bënë në dëme të Shqiptarëve.

Në ato konferenca, që pamëshirshëm e copëtuan Shqipërinë nga fuqitë e mëdha, duke ua dhënë peshqesh shteteve të krijuara në tokat shqiptare. Shteteve, të cilat kurrë nuk kanë fituar me luftë, por në tavolinë; Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia, që kishin mbështetje nga Rusia, Franca dhe Anglia.

Pra, politikanët e sotëm, të djeshmit dhe ata që do të vijnë është dashur ta ndërtojnë një strategji, e cila do të fliste dhe vepronte në interes të kombit dhe popullit, pavarësisht se cilit krahë politik i takon. Kjo është dashur dhe duhet të jetë bazamenti i shtetit. Jo të zgjedhurit e popullit të bijën nën ndikimin e politikanëve të pandërgjegjshëm e të papërgjegjshëm, sidomos të atyre servileve, që për një copë pushtet japin edhe shtetin.

Kërkojmë nga deputetët e politikanët, qofshin majtistë apo djathtistë, që mjerisht pjesa më e madhe e tyre nuk e kanë idenë e përcaktimeve ideologjike, e mos të flasim për një pjesë të deputetëve të cilët jo që nuk kanë përcaktime ideologjike, por që as nuk kanë idenë se ç`janë këto si definicione. Qëllimi i këtij lloj “deputeti”, “politikani” ishte rruga se si të vij deri te karrierizmi, apo edhe te përfitimi i pasurisë pa meritë, qoftë edhe përmes forcës me grushta. Fatkeqësisht, kjo mendësi e tyre për pushtet nuk i bën nder popullit, por shkel mbi çdo vlerë kombëtare në dëm të shtetit.

Pra, çfarë duhet të ishte qëndrimi i politikës shqiptare në përgjithësi përballë politikave të së kaluarës, konkretisht politika e sotme duhet të flasë përtej asaj të Veriut të Kosovës?

Po i përmendi disa arsye:

Do të duhej të fillojë nga Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Nga programi i Rilindjes Kombëtare me synim të riparimit të historisë, që kishin si kërkesë të vetme çlirimin e vendit, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe zhvillimin ekonomik, shoqëror e kulturor të shtetit të ri shqiptar. Gjë që këtë qëllim e kishte dhe lufta çlirimtare e Kosovës, UÇK-ja. Por, fatëkeqësisht politika e pasluftës, e cila ka rrëshqitur në filozofinë e politikës së premtimeve, duke u fshehur pas premive, me premtime se “ne jemi ata të shpresës”, ata që do t’i realizojmë kërkesat e vullnetin të popullit. Realisht, për fat të keq kjo po rezulton shumë më ndryshe se ato premtime që ua kishin dhënë popullit, të zgjedhurit me votën e popullit.

Të merrej me organizimin e grupeve profesionale, që vë në pah gjenocidin serb të ushtruar mbi popullatën e pafajshme e të pambrojtur shqiptare dhe të krijohen komisione përkatëse:

Kundër gjenocidit, të të pagjeturve, të dëmtimit të pasurisë shtetërore dhe asaj private, të pensioneve, të cilat kanë mbetur nën juridiksionin e administratës serbe. Kundër kriminelëve që sot janë në maje të shtetit serb, të atyre që kanë dhunuar mbi 20.000 shqiptare dhe kanë vrarë fëmijë, gra e pleq, mbi 15.000 veta.

Të merren me mbrojtjen e ushtarëve të lirisë, të cilët padrejtësisht po mbahen në paraburgime apo në burgime. Dhe po gjykohen në emër të krimit të luftës, duke e kriminalizuar UÇK. Të merren me shpifjet e atyre që kanë gënjyer dhe kanë dhënë fakte të rrejshme, të paguar nga mafia e shtetit serb. Gjithsesi të jetë kundër atyre që kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë të pavërteta në gjykatën speciale të Hagës. Të bëhej ligji për ilustracionin, i atyre njerëzve që i kanë dënuar liridashësit e sot janë në mesin e pushtetarëve me ndikim.

Të krijohet një komision ligjor kundër atyre që fyejnë dinjitetin e ushtarit, të veteranit të UÇK-së, të krijohet një komision kundër atyre që fyejnë të gjitha komunitetet, konkretisht kombin shqiptar në Kosovë. Ngaqë komunitet, apo etni dhe komb “Kosovar” s’ka. Ata që i mohojnë të drejtën e më se dy milion shqiptarëve, për të qenë shqiptarë, ndaj tyre duhet me përgjegjësi të merret ligji. Se nuk mund të jetë e njëjtë në një Kosovë me mbi 95 % shqiptarë, 5% të komuniteteve tjera, prej 5% mund të jenë 3% serbë.

Pra, politika dhe politikanët e Kosovës duhet të jenë në interes të kombit dhe jo të karrierizmit, hajnisë dhe jashtë interesave të përgjithshme të kombit shqiptar, gjithsesi duke i respektuar të drejtat e komuniteteve, të cilat janë më pak se 5%.

Duke mos u marrë me emra të përveçëm dhe partitë politike, po ndalemi te fenomeni, i cili është bërë dukuri për politikën shqiptare. Që sa më shumë të gënjesh, apo të thurësh elozhe që i bënë vetës apo partisë, me popullizëm, shitje trimëri e atdhetarizëm, apo me sloganin e famshëm për bashkim e luftë kundër korrupsionit, se do të krijosh besimin e popullit për pushtet, apo mbajtjen e pushtetit. Këto premtime kanë gjymtuar vullnetin e popullit, kanë thyer shpirtin e atdhetarit, të ushtarit, veteranit, mbi të gjitha të rinisë. Që në saje të këtij fenomeni shpërfillës populli ka mbetur në rrugë qorre dhe shpresë tjetër nuk gjen vetëm ikjen, zbrazja e Kosovës nga rinia, mjekët, të diplomuarit dhe të tjerët që presin të diplomojnë dhe me diploma të ikin. Të ikin larg atdheut, për të gjetur një vende pune jashtë shtetit.

Të bashkuar ta thërrasim ndërgjegjen e kombit të mblidhen në një pikë të arsyes, t’i lëmë inatet, unin për pushtet pa meritë dhe t’i qasemi me zemër e mendje zgjedhjes së çështjes kombëtare shqiptare! Mbi të gjitha, ta ndërtojmë atdheun me moral dhe dinjitet, ta forcojmë bindjen e shqiptarëve dhe të etnive tjera se çdo qeveritar, apo deputet të mos jetë karrierist e hajdut. Ta krijojmë besimin dhe të mos krijojmë huti dhe përçarje mes popullatës, siç dhe keni filluar ta shkallmoni mërgatën. Vetëm në këto muajt e fundit sa e sa njerëz të politikës e nder ta edhe deputetë, në vend se të flasin për ikjen e mërgatës dhe për shkollën shqipe, që për fat të keq as 3% e fëmijëve në mërgatë nuk e ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe, ata për këtë dukuri tepër të dhimbshme e shqetësuese as që e vrasin mendjen. Thjesht as që e diskutojnë, por vrapojnë për të hapur pika partiake. Ky angazhim i politikës jo vetëm që është i gabuar, por është edhe i tmerrshëm, që përmes kësaj forme po mundohet ta ndajë mërgimtarin në ngjyra, edhe pse pas fundit të luftës së Kosovës u shuan partitë në mërgatë e tash u ringjall kjo lëngatë partiake.

Pra, përpos këtyre që i cekëm më lart me çka e justifikojnë qëndrimin në pushtet ish-pushtetarët dhe të pushtetshmit e sotëm?

Duke thënë se po e luftojmë nepotizmin, hajninë, korrupsionin.

Po luftoni kundër varfërisë, rritjes së çmimeve.

Po angazhoheni kundër ikjes së rinisë, mjekëve dhe për ta bërë më të mirë mirëqenien.

Po luftojmë për ta mbrojtur Veriun e Kosovës.

Po luftojmë për drejtësi, që dikush harxhon e nuk paguan, ata që paguajnë edhe për këta që harxhojnë, siç është rasti me rrymën në pjesën veriore të Kosovës.

Për ta ruajtur gjuhën dhe vlerën e saj.

Për të dërguar përfaqësues diplomatikë të merituar e jo me shkolla të mesme, e të paditur.

Pra, për t’ju besuar se vërtet jeni për shtetin e jo pushtetin, të jeni afër popullit, duke u shërbyer interesave të tyre e jo duke i tmerruar, me rritjen e çmimeve, injorimin, përbuzjen dhe me afera të shumta e çka jo tjetër, që nuk duhet t’i bënte kjo qeveri, as ato të shkuarat, sepse politika dhe qeverisja janë çështje publike. Për të cilët paguheni nga taksat e popullit, jo për ta zhvatur dhe në fund për ta lënë rrugëve si lypsarë, apo duke ikur nga pushteti, që ia ka rënduar apo po ia rëndon jetën njeriut.

Nuk mjafton vetëm të thuhet se po e luftojmë të keqen, por duhet dëshmuar së pari se nuk jeni në këto ujëra të turbullta, o njerëz të përkohshëm.

Filed Under: Interviste

Kalandar-22 Korrik 2010: Kosova shtet fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Serbia ishte ankuar kundër Pavarësisë

July 22, 2023 by s p

-Para 13 viteve, në  ditë historike – 22 Korrik 2010, Kosova shtet doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik të vitit 2008/

-Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, atëherë Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni fliste në telefon nga Haga: Sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën…/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Korrik 2023/ Kosova fituese përballë Serbisë doli para 13 viteve, kur Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë, para 13 viteve, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

ARKIV, 22 KORRIK 2010 – INTERVISTA QË KAM ZHVILLUAR NË DITËN E VENDIMIT TE GJND – MINISTRI HYSENI FLET NGA HAGA: ME BEOGRADIN NUK DO TË KETË BISEDIME PËR STATUSIN E KOSOVËS, NDARJE APO SHKËMBIM TERRITORESH

 -Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND)  para 12 viteve: Marrëdhëniet e mira me Serbinë, interes i përbashkët për integrim në BE e NATO/

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) tregoi qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor, deklaronte ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar para 13 viteve për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. “Opinioni këshilldhëns i GJND-së, tregoi qartë se pavarësia e Kosovës, nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hyseni, në intervistë telefonike nga Haga.

Ministri Hyseni në 22 Korrik 2010 ishte i pranishëm kur GJND dha mendimin këshillimor në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh në favor të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i GJND-së Hiasashio Ovada deklaroi se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se, “ne e dimë që Kosova dhe Serbia e kanë të ardhmen e tyre në BE dhe NATO, e për këtë arsye marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të domosdoshme”. Ai nënvizoi se “këtë fakt, e kemi përcaktuar qartë prej kohësh, tani është në dorën e Serbisë që të tregohet në nivelin e përgjegjësive të duhura”.

 Hyseni vuri në dukje se “nga vendimi i GJND-së, nuk ka asgjë që do të mund linte mundësi sado të vogla që të hidheshin dilema rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Ministri pohoi se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi varet ekskluzivisht nga Serbia. “Kemi shprehur vullnetin për raporte të mira fqinjësore me Serbinë, sikurse i kemi ndërtuar me të gjithë fqinjët e tjerë por ky rast është interes i përbashkët”, tha ai.

 Hyseni rithekson faktin se me Beogradin nuk do të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ndarje apo shkëmbim territoresh, ide rreth të cilave është spekuluar muajt e fundit. “Kosova dhe Serbia janë fqinjë të përhershëm dhe si të tillë, sot apo nesër, pas një kohe apo pas shumë kohësh, do duhet të bisedojnë për çështje të natyrës praktike që i lidhin këto vende të pavarura dhe sovrane”, tha Hyseni.

Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni, u shpreh i sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën pasi ka një numër vendesh që janë zotuar për këtë ndërsa u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende, e veçanërisht atyre vendeve që kanë pritur opinionin këshilldhënës të GJND-së, që ta bëjnë këtë sa më parë.

Kosova shpalli pavarësinë në 17 Shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga 69 shtete, theksohej në fund të intervistës së 22 Korrikut 2010.

Ndërsa, deri tani – 13 vjet pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Kosova është njohur nga 117 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

KOSOVA PËRGADITET PËR GJND – RAPORTIM QË KAM BËRË MË 15 TETOR 2008:

PRISHTINË, 15 Tetor 2008/ –  Sir Michael Wood nga Mbretëria e Bashkuar do t’i prijë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sapo kumtuan institucionet më të larta kosovare, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi.

Deklaratën për shtyp në lidhje me përgatitjet dhe procedimet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në një konferencë për media, të sapo mbajtur në Presidencë, ku ishin edhe presidenti Fatmir Sejdiu e kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e paraqiti kryeministri Hashim Thaçi, pas konsultimeve të krerëve të institucioneve kosovare.

Më poshtë po e japim të plotë deklaratën:

Deklaratë për shtyp në lidhje me përgatitjet dhe procedimet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

·       Kemi kënaqësinë e madhe të shpallim se Qeveria e Kosovës, pas konsultimeve me Presidentin e Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, dhe Kryetarin e Parlamentit, z. Jakup Krasniqi, si dhe konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët ligjorë, ka zgjedhur Sir Michael Wood nga Mbretëria e Bashkuar t’i prijë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

·        Z. Wood është një nga juristët më të shquar dhe përgatitur ndërkombëtarë të së sotmes, dhe jemi me fat që ai është i gatshëm të paraqesë rastin tonë para GJND-së.  Sir Michael Wood ka shërbyer si këshilltar ligjor në Zyrën e Jashtme dhe të Komonveltit të Mbretërisë së Bashkuar prej vitit 1999 deri më 2006.   Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ai mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare të Dejtonit dhe në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999. 

·       Z. Wood është paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë shumë herë dhe ka punuar në shumë raste të njohura të drejtës ndërkombëtare, përfshirë Mendimin Këshilldhënës të GJND-së për Pasojat Ligjore të Ndërtimit të Murit në Territorin e Okupuar Palestinez.

·       Angazhimi i tij i kohëgjatë në çështjet e së drejtës ndërkombëtare të ndërlidhura më progresin e Kosovës drejt pavarësisë, e bën atë të kualifikuar në mënyrë unike për të përfaqësuar interesat tona kombëtare para gjykatës, dhe kemi besim të madh në gjykimin dhe përvojën e tij. 

·       U takuam sot me z. Wood për ta diskutuar rastin e Kosovës dhe paraqitjen tonë. Kosova ka një rast të fortë, dhe synojmë të demonstrojmë para gjykatës se nuk ka asgjë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës që shkel të drejtën ndërkombëtare.

·       51 shtete nga e tërë bota tashmë kanë njohur se Kosova është shtet i pavarur me qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe kushtetutë moderne që ofron garanci të bollshme për të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, dhe posaçërisht komunitetet e saj pakicë. 

·       Gjatë javëve dhe muajve të vijim, z. Wood do të punojë ngushtë me Qeverinë e Kosovës për të zhvilluar paraqitjen tonë para gjykatës. 

·       Në koordinim me ne, ai do të mbledhë një ekip ndërkombëtar ligjor të kalibrit më të lartë.  Sipas nevojës, ekipi i tij ligjor do të përdorë ekspertizën vendore në Kosovë për të formuluar rastin më të fortë të mundshëm. 

·       Koordinimin e kësaj përpjekjeje ia kemi besuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila do të merr rolin prijës në emër të Qeverisë së Kosovës. Dëshirojmë që sërish të shprehim besimin tonë të palëkundur në ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe do të vazhdojmë të ndjekim njohjet ndërkombëtare gjatë zhvillimit të procesit para GJND-së. Dëshirojmë të theksojmë se kemi besim të plotë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, organin kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara.

GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS  RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

  Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, Kryeredaktor i së cilës isha, për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT