
Prof. Besim Muhadri/
Nëna Pashke Krasniqi-Marku, ishte vajza e vëllait të Akademik Mark Krasniqit. Ishte e martuar në Korenicë të Gjakovë. Gjatë luftës së fundit soldateska serbe e krimit, më 27 prill të vitit 1999, bashkë edhe me 374 shqiptarë të tjerë vrau dhe më pas i masakroi dhe i dërgoi në varrezat masive në Serbi edhe dy djemtë e Nanë Pashkes, Gjovalinin dhe Milanin.
Në vitin 2003 eshtrat e djemve të saj, sikurse edhe të shumë tjerëve, u kthyen në Kosovë. Në atë kohë punoja korrespondent i gazetës “Zëri” nga Gjakova dhe bashkë me kolegë të tjerë shkuam të përcillnim këto momente të dhimbshme jo vetëm për familjen. Shkuam për ngushëllime në shtëpi. E pamja mbahej në oborr. Nënë Pashkja ishte ulur pranë vëllait të saj Prof. Markut. Nuk fliste, veç rrinte në kujtime, tërësisht e nemitur. Kishte marr një pamje tepër të dhimbshme. Të gjithë ishim të tronditur. I thash fotoreporteres së “Zërit”, Laura Hasani që të kapte disa momente, sepse gjendja e Nënë Pashkës më tronditi. Në numrin e nesërm të “Zërit” fotografia e saj ishte në faqen e parë të gazetës. Dy- tri ditë pas rivarrimit të djemve të saj dhe të tjerëve që ishin gjetur në varrezat masive në Serbi, Nënë Pashkja u gjet e vetëdjegur afër një lluge pranë një are në Korenicë. Kjo ishte tronditja tjetër për familjen Marku dhe për ne shqiptarët në përgjithësi. Lajmi mori dhenë. Njëzet vite më parë ishim më njerëzor, më kombëtar. Vite më vonë, në vendin ku Nënë Pashkja ishte vetëflijuar për të bashkuar shpirtin e saj të vrarë me dy djemtë e vrarë e të masakruar nga serbët, asaj i ndërtuan një obelisk. Askush nuk e kishte kundërshtuar ngritjen e obeliskut, që simbolizonte dhembjen, sakrificën, vetëflijimin. As pronari i tokës, që sot, në mënyrë barbare paska hequr nga aty.
Kjo tregon situatën ku kemi ardhur si popull e si komb.
Heqja e obeliskut të Nanë Pashkes, përveç që është humbje e respektit për të vdekurit, është edhe një akt barbar, antinjerëzor dhe antikombëtar. Është vrasja e tretë që i bëhet familjes, martirëve dhe historisës sonë, të ngritur mbi gjakun dhe sakrificën e atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës, mjerisht të keqpërdorur.
Ky akt le të mbetet në ndërgjegjen e atij që e paska bërë, ndërsa për shtetin, një ogur i keq, i cili duhet të alarmohet për këto akte vandale.
Ndërsa ne sot, të gjithë, duhet të shkojmë në Korenicë e ta ngushëllojmë vëllain tonë e mikun tim Marjan Markun, për ngacmimin e plagëve, 24 dhe 20 viteve.