• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2023

ARISTIDH KOLA – I VETËM TRIM NË LUFTË PËR LIRINË E KOSOVËS

July 8, 2023 by s p

Me rastin e 8 korrikut, 79 vjetorit të lindjes

Kur vendos të bësh diçka të rëndësishme në jetën tënde patjetër duhet të kesh parasysh gjënë më të keqe dhe të vesh “kokën në torbë“…Aristidh Kola, 9 shkurt 2000.

Është e njohur nga çdo mërgimtar shqiptar i kohës kur Kosova luftonte, beteja heroike e Aristidh Kolës në rrjetet televizive greke, një betejë titani, i vetëm trim në luftë për mbrojtjen e çështjes së madhe të një populli që lëngonte nën pushtetin gjakatar të Millosheviçit, ishte më e ndjekura, më frymëzuesja. Aristidh Kola e kishte denoncuar publikisht regjimin gjakatar serb në librin “Greqia në kurthin e Millosheviçit”, libër i përkthyer edhe në gjuhën shqipe…

Aristidh Kola ishte i pari, në ballë të mbrojtjes së çështjes kosovare e të popullit të Kosovës në ditët më të vështira të tij. Cilët ishin motivet e kësaj mbrojtjeje ?
        “Unë më duket se isha i vetmi që kisha theksuar dhe paralajmëruar se propaganda filoserbe dhe antishqiptare, e cila asokohe sapo kishte filluar, ishin dy anë të së njëjtës monedhe…
        Atëherë ishte shumë e vështirë të shkruaje e denoncoje për këto sepse e gjithë bota politike dhe Kisha qenë viktima të një mashtrimi dhe të një aventure me rrezik të madh…
        Është një joshje e madhe të shkruaj një pjesë të dytë me brendi ngjarjet e fundit në Kosovë . Por, si ka thënë Gëte , “Ndërsa arti është i pafund, jeta është e shkurtër.”

Aristidh Kola (kështu më tha atë ditë, “shkruaje Kola dhe jo Kolja”), sot, më 8 korrik 2023 do të ishte plot 79 vjeç.
Nuk është, nuk e lanë të ishte sot midis nesh.
          Me përkushtimin e tij…
        Me trimërinë e tij…
          Me fjalën e tij…
Është thënë dhe thuhet se Aristidh Kolën e eleminuan, e helmuan…
Është thënë por nuk është vërtetuar.
          E vërteta e eliminimet fizik të Aristidh Kolës nuk do të zbardhet kurrë…
Mbase intervista që kam bërë me Të thotë atë që parandjente Ai…

* * *


Atë ditë të 9 shkurtit 2000 tek nxirrte nga kompjuteri përgjigjen e pyetjeve të mia bërë dy ditë më parë, shkruar në greqisht, tek m’i  përkthente ato në gjuhën e lashtë të të parëve të tij, arvanitëve, ndjeva një respekt që nuk e kisha përjetuar kurrë në jetën time. Para meje ishte shkencëtari, njeriu erudit, kërkuesi i thesareve të mëdha të gjuhës së popullit tim, një njeri trim që, siç më tha… “e dija se shkoja në gojë të ujkut”…
Sot, pas shumë vitesh, si gjithnjë në ditë të shënuara të jetës së tij, Ditë Lindjen dhe Ditë Ikjen, kur gjithnjë kam përcjellë bisedat, takimet e fotografitë me Të e për Të, i hodha një vështrim paksa më të gjerë fjalëve të Aristidh Kolës atë ditë, fjalëve që më lexonte dhe fjalët që i nënkuptonte. Aristidh Kola atë ditë ma kishte parashikuar fatin e tij…
Do të vijë koha të shkruaj historinë e arvanitasve. Dhe në qoftë se nuk do ta arrij unë, do ta bëjnë bashkëpunëtorët e mi më të rinj, në bazë të ideve dhe udhëzimeve të librit “Arvanitët dhe prejardhja e helenëve”…
Dhe në qoftë se nuk do ta arrij unë… Pse nuk do ta arrinte Aristidh Kola? …do ta bëjnë bashkëpunëtorët e mi më të rinj !!!

Për Aristidh Kolën libri i tij i parë “Arvanitet dhe prejardhja e helenëve“, libër i cili që nga viti 1983 e deri atë ditë numronte 9 botime, nuk është ndonjë histori e arvanitasve por rishikim dhe ripërcaktim i historisë helenike dhe se për Të… historia greke që nuk merr parasysh arvanitët në epokën e re dhe pellazgët në atë të lashtë, as greke e as histori nuk mund të quhet. Është thjesht një histori e sajuar. 
Është e njohur nga çdo mërgimtar shqiptar i kohës kur Kosova luftonte, beteja heroike e Aristidh Kolës në rrjetet televizive greke, një betejë titani, i vetëm trim në luftë për mbrojtjen e çështjes së madhe të një populli që lëngonte nën pushtetin gjakatar të Millosheviçit, ishte më e ndjekura, më frymëzuesja. Aristidh Kola e kishte denoncuar publikisht regjimin gjakatar serb në librin “Greqia në kurthin e Millosheviçit”, libër i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, libër i bibliotekës time në mërgim krahas librave të tjerë dhe një serie të revistës “Arvanon”.
“Unë më duket se isha i vetmi që kisha theksuar dhe paralajmëruar se propaganda filoserbe dhe antishqiptare, e cila asokohe sapo kishte filluar, ishin dy anë të së njëjtës monedhe.” – më thoshte Aristidh Kola në përgjigje të pyetjes time: Aristidh Kola ishte i pari, në ballë të mbrojtjes së çështjes kosovare e të popullit të Kosovës në ditët më të vështira të tij. Cilët ishin motivet e kësaj mbrojtjeje ?
Për të vazhduar… Atëherë ishte shumë e vështirë të shkruaje e denoncoje për këto sepse e gjithë bota politike dhe Kisha qenë viktima të një mashtrimi dhe të një aventure me rrezik të madh.
Për tu ngritur në këmbë me trimëri…Nuk ishte fjala se kisha frikë për jetën time…
Atëherë , për herë të parë, ndonëse kisha qenë antiamerikan, thashë: “Nuk ka shpresë tjetër veç Amerikës !“ Jeta luan role të çuditshme; shumë herë mbytesh nga miqtë dhe shpëtohesh nga armiqtë. 
Aristidh Kola në atë intervistë, ndoshta e fundit me një gazetar, e ndjente se ishte futur në një betejë të madhe, në “Betejën e Kanaleve”, siç e quan Ai, një betejë me “kokën në torbë”…
Për sa i përket “Betejës së Kanaleve“, e dija se shkoja në gojë të ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flas kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mija. Shkoja i ndërgjegjshëm për të gjitha ato vështirësi dhe bashkë me mua shkuan edhe miq e bashkëpunëtorë të tjerë… Bëmë një betejë krejt të pabarabartë, një betejë ama që e kishim detyrë ta bënim. Ekzistonin sigurisht rreziqe të mëdha, por kur vendos të bësh diçka të rëndësishme në jetën tënde patjetër duhet të kesh parasysh gjënë më të keqe dhe të vesh “kokën në torbë“. 
Përgjigja që më vjen pas pyetjes… “Vepra Juaj “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit“ e botuar edhe në shqip që evokon ngjarjet në Bosnjë a do të pasohet nga një volum i dytë me temë Kosovën ?”,  tek e lexoj sot pas katërmbëdhjetë vjetësh më vjen si përgjigje e asaj që thuhet për fundin e Aristidh Kolës…
Është një joshje e madhe të shkruaj një pjesë të dytë me brendi ngjarjet e fundit në Kosovë . Por, si ka thënë Gëte , “Ndërsa arti është i pafund, jeta është e shkurtër.” Nuk kam kohë. Po përpiqem të botoj veprën time “Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane“, ku përcjell materiale dhe të dhëna shumë të rëndësishme për periudhën parahistorike dhe kryesisht paraardhësit e kosovarëve, Dardanët. Nga ana tjetër shumë gjëra i kam shkruar në revistën “Arvanon“ me të cilën merrja pjesë në betejë bashkë me kosovarët. Dhe së fundi: problemi kosovar mori një fund fatlum.

… “Ndërsa arti është i pafund, jeta është e shkurtër.”

Jeta e një njeriu të madh, jeta e ARISTIDH KOLËS, shkruar me germa kapitale. Një jetë e prerë kur jetët arrijnë në lulëri, në formim e në pjekje frytash…

Abdurahim Ashiku
Athinë 8 korrik 2023

TRIMËRITË E HERKULIT DHE HERKULËT INTELEKTUALË 

Bisedë me Arvanitasin e Madh Aristidh Kola
Athinë, 9 shkurt 2000

Çfarë thotë Aristidh Kola për veten e tij ?

Linda në vitin 1945, më 8 korrik, në fshatin Leontari të Thivës ( Tebës ), një fshat arvanitësh që atëherë quhej Kaskaveli. Atje viteve të hershme bënin djathin e mrekullueshëm kaçkavall, ladhotiri . 
Fëmijërinë e kalova në fshat, në një mjedis ku jo vetëm gjuha por edhe doket e zakonet, këngët dhe vallet, morali, sjelljet dhe karakteri i njerëzve mishëronin në mënyrë të theksuar karakterin e Arvanitit. 
Në vitin 1963 fillova studimet në Universitetin e Athinës në jurisprudencë, drejtësi. Pas diplomimit, deri në vitin 1987, vazhdova të ushtroj profesionin e avokatit. 

Kur filloi dhe sa janë përmasat e punës suaj në shërbim të studimit të çështjes arvanite ?

Fillimet u përkasin viteve ‘ 70-të, por nga viti 1975 mund të them se jam marrë sistematikisht me gjurmimin dhe studimin e gjuhës arvanite, të historisë dhe të folklorit arvanit. Fryt i këtij studimi të gjatë ishte libri im i parë: “Arvanitet dhe prejardhja e helenëve“ . Libri, që nga viti 1983 e deri sot, është në rend të ditës dhe numëron 9 botime. Libri nuk është ndonjë histori e arvanitasve por rishikim dhe ripërcaktim i historisë helenike në përgjithësi. Këtu qëndron origjinaliteti i tij, zhurma dhe interesi i madh ndaj tij. U përpoqa të faktoj, dhe më duket se e faktova, se historia greke që nuk merr parasysh arvanitët në epokën e re dhe pellazgët në atë të lashtë, as greke e as histori nuk mund të quhet. Është thjesht një histori e sajuar. 
Do të vijë koha të shkruaj historinë e arvanitasve. Dhe në qoftë se nuk do ta arrij unë, do ta bëjnë bashkëpunëtorët e mi më të rinj, në bazë të ideve dhe udhëzimeve të librit “Arvanitët dhe prejardhja e helenëve” . Këtu qëndron edhe vlera e madhe e këtij libri; një libër i ngjalljes së vetëdijes dhe jo një rrëfim historik 

Aristidh Kola ishte i pari, në ballë të mbrojtjes së çështjes kosovare e të popullit të Kosovës në ditët më të vështira të tij. Cilët ishin motivet e kësaj mbrojtjeje ?

Që në vitin 1991 kisha parashikuar zhvillimin e ngjarjeve të lidhura me Kosovën, lëvizjet e Millosheviçit dhe të qarqeve nacionaliste të Beogradit. Shqetësohesha sepse në planet e tij të çmendura donte të ngatërronte edhe Greqinë me qëllim që të gjejë mbështetje për zgjidhjen e problemit shqiptar. Kërkonte nga Greqia që ta ndihmojë në çastin e përshtatshëm me një kundërgoditje në Jug të Shqipërisë. Po ashtu kërkonte edhe nga Gligorovi të përgatitej për një përballim të përbashkët të problemit sepse edhe në atë shtet, shpejt apo vonë do të ngrihej problemi i shqiptarëve.
Siç e dini, çdo veprim politik ose ushtarak, që të ketë sukses, kërkon një parashtrim teorik për të bindë aleatët dhe popullin. Millosheviçi foli si ortodoks i krishterë në Kishën greke e cila është me ndikim të madh në popull, foli si komunist në Partinë Komuniste Greke dhe si socialist popullor në PASOK. Ai me nacionalizmin dhe serbomadhizmin e tij arriti të mallëngjente nacionalistët dhe shovinistët e këtushëm. Ai mundi të rrëmbejë dhe të ngatërrojë shumicën e botës politike greke dhe si rrjedhojë edhe të popullit. U gjendën disa gazetarë grekë të cilët kuptuan, parashikuan dhe denoncuan planet aventureske gjakatare të Millosheviçit. Unë më duket se isha i vetmi që kisha theksuar dhe paralajmëruar se propaganda filoserbe dhe antishqiptare, e cila asokohe sapo kishte filluar, ishin dy anë të së njëjtës monedhe. 
Atëherë ishte shumë e vështirë të shkruaje e denoncoje për këto sepse e gjithë bota politike dhe Kisha qenë viktima të një mashtrimi dhe të një aventure me rrezik të madh. Nuk ishte fjala se kisha frikë për jetën time, por se nuk do të më dëgjonte askush. Shikoja se Millosheviçi, Karaxhiçi, Shesheli, Arkani dhe bandat e tyre kriminale prisnin të lanin hesapet me Bosnjën dhe me Kroacinë dhe pastaj të lajnë duart një herë e mirë me Kosovën. Atëherë , për herë të parë, ndonëse kisha qenë antiamerikan, thashë: “Nuk ka shpresë tjetër veç Amerikës !“ Jeta luan role të çuditshme; shumë herë mbytesh nga miqtë dhe shpëtohesh nga armiqtë. 
Në qoftë se nuk ndërhynte Amerika dhe Evropa do të kishim probleme shumë të mëdha, të cilat u përpoqa t’i tregoj dhe t’i theksoj në libër. U përpoqa të lajmëroj udhëheqjen politike se po luan haptazi me zjarrin duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën dhe tërësinë e shtetit grek. Mjerisht ai libër u varros krejtësisht në Greqi. Nuk pati asnjë jehonë e popullaritet në vitin 1995 kur u botua. 
Në vitin 1999 kur shpërtheu kriza e Kosovës ua dërgova librin disa politikanëve me horizonte të hapura dhe e rivendosa në librari, ku ndonëse u shit, nuk iu dha përsëri asnjë popullaritet. Një vello heshtjeje ! Ekzistonin njerëz këtu që kujtonin se Greqisë i leverdiste një “Serbi e Madhe“. Për fat të mirë grekët kurrë nuk do të mësojnë se çdo të thoshte për Greqinë një “Serbi e Madhe“. Këtu nuk mungon vetëm njohja e historisë. Mungon edhe fantazia… 
Për sa i përket “Betejës së Kanaleve“, e dija se shkoja në gojë të ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flas kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mija. Shkoja i ndërgjegjshëm për të gjitha ato vështirësi dhe bashkë me mua shkuan edhe miq e bashkëpunëtorë të tjerë si J. Miha dhe J. Korizis dhe njerëz të tjerë të ndershëm me të cilët nuk kisha kontakt dhe bashkëpunim deri atëherë si R. Sumeritis, Xhanetakos, Theodhoraqis ( jo kompozitori ), Dhimu e të tjerë. Bëmë një betejë krejt të pabarabartë, një betejë ama që e kishim detyrë ta bënim. Ekzistonin sigurisht rreziqe të mëdha, por kur vendos të bësh diçka të rëndësishme në jetën tënde patjetër duhet të kesh parasysh gjënë më të keqe dhe të vesh “kokën në torbë“. 

Vepra Juaj “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit“ e botuar edhe në shqip që evokon ngjarjet në Bosnjë a do të pasohet nga një volum i dytë me temë Kosovën ?

Librin “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit“ e ka përkthyer Mite Guga. Libri ka një parathënie të bukur të mikut tim të dashur Moikom Zeqo me të cilin jam njohur para disa viteve në Athinë kur erdhi në shtëpinë time bashkë me të madhin Dritëro Agolli.
Është një joshje e madhe të shkruaj një pjesë të dytë me brendi ngjarjet e fundit në Kosovë . Por, si ka thënë Gëte , “Ndërsa arti është i pafund, jeta është e shkurtër.” Nuk kam kohë. Po përpiqem të botoj veprën time “Zeusi pellazgjik dhe lajthitja indoevropiane“, ku përcjell materiale dhe të dhëna shumë të rëndësishme për periudhën parahistorike dhe kryesisht paraardhësit e kosovarëve, Dardanët. Nga ana tjetër shumë gjëra i kam shkruar në revistën “Arvanon“ me të cilën merrja pjesë në betejë bashkë me kosovarët. Dhe së fundi: problemi kosovar mori një fund fatlum.

Me çfarë planesh për çështjen shqiptare hyn Aristidh Kola në shekullin e ri ?

Planet duhet t’i bëjnë vetë shqiptarët. Unë dhe sa të tjerë ju duam dhe ju ndjejmë vëllezër në të gjithë botën. Bëjmë vetëm plane për ndihmë. Por që të të ndihmojnë duhet që ti vetë me punët dhe veprat e tua të tregosh se sa vlen, se lufton në një rrugë të mirë për një qëllim të shenjtë. Barra bie mbi shpatullat e udhëheqjes politike dhe shpirtërore – kulturore të shqiptarëve. Nuk dua të hyj në fushën e politikës për shumë arsye. Dua ama të shpresoj tek udhëheqja intelektuale.. Vëzhgoj ndërhyrjet dhe luftën e të madhit Ismail Kadare në fushën botërore. Është ambasador i madh i Shqipërisë në botën e jashtme. Pres akoma një lëvizje të madhe dhe mbështetjen e fuqishme të vlerave të mëdha intelektuale brenda Shqipërisë. Atje do të bëhet lufta më e madhe dhe më e vështirë, luftë kjo e domosdoshme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Problemin ekonomik e zgjidh lehtë shqiptari kudo që gjendet. Problemin e kombit, historisë dhe kulturës si do t’i zgjidhë në kushte kaq të vështira, me influenca e ndikime nga kaq rryma që vërshojnë çdo ditë në vend ose që pranojnë emigrantët në vendet e huaja ? Trimëritë e Herkulit kanë nevojë për trimëritë e Herkulëve të rinj intelektualë. 
Kjo është rruga e ndritshme e lavdisë për njerëzit e artit e të shkronjave….

Bisedoi Abdurahim Ashiku

Filed Under: Kulture

Pse Shqipëria ka kaq shumë male?

July 7, 2023 by s p

Naum Prifti

Legjendë Shqiptare

Kur krijoi botën Zoti papritur gjeti se i kishin tepëruar një mori malesh. Meqë nuk i pëlqente t’i mbante me vete dhe të ecte ngarkuar ngado që shkonte, mendoi se mund t’i linte për një kohë në Shqipëri. Iu tha banorëve dhe ata pranuan.

Shqiptarët e patën mjaft vështirë në fillim se malet të marrin frymën kur u ngjitesh e të këputin gjunjët kur u zbret; pale pastaj dëmet që vinin nga vithisjet dhe orteqet, shkëputjet e shkëmbinjve, dëmet nga teptisjet e përrenjve, rreziqet nga honet e greminat, humnerat e lerat. Por ata u lezetuan me bukuritë e bjeshkëve, freskun e mrizeve, burimet e ftohta, bulmetin e staneve, shushurimën e ujvarave, flladin e shpateve. Aq shumë i deshën sa nisën të betoheshin për malet ashtu si për diellin e për zjarrin. Madje pjesëve të tij u dhanë emrat e gjymtyrëve të trupit: këmba e malit, qafa e malit, kurrizi, gryka, shpati dhe kryet – një terminologji e tërë që nuk e ka gjuhë tjetër në botë.

Pas mijëra vjetësh, disa popuj iu ankuan Zotit se atyre u kishin rënë në pjesë vetëm fusha, këneta e moçale dhe asnjë mal për be, ndaj nuk u dukej e drejtë ndarja e parë. Atëhere Zoti u kujtua për ata malet e shumtë që kishte lënë në Arbëri dhe dërgoi lajm se do të vinte t’i hiqte disa sojesh nga ajo tokë.

Shqiptarët morën lajmin dhe u shqetësuan së tepërmi. U ngritën në këmbë e dhanë kushtrimin duke vënë njërën dorë në gojë si bori e tjetrën në vesh, duke dhënë jehonë e cila ushtonte nëpër lugje, bjeshkë e skërka më fort se murlani në dimër.

– Hej hej hej! A ndive more! Zoti kërkon të na marrë malet…

– Çka po thue, t’u thaftë goja! Po kush ia jep bukurinë, madhështinë dhe hijeshinë vendit tonë veç njatyre maleve? Paj si mundet me jetue njeriu pa pasun male rreth e qark?

– Thuhet se i paska lanë veç për pak kohë.

– Jo, besa, se këtu i kena jetë e mot, veç druj se nuk po kujtohet. 

– Po ti a nuk e din se ai është Zot dhe ai urdhëron.

– Paj kushdo qoftë, gjë e falun s’ka si merret prapë. Njaj Zot e din se malet janë fronat ku rrijnë hyjnitë tona, dhe selia e shtojzovalleve, orëve e zanave. Po të hjekim malet edhe ato kanë me shku ku munden.

– Qe besa, pa male edhe krahinat, fiset e bajraqet bahen lesh e li se ato janë kufijtë e kahershëm, – vikati gjithë pezm një mustakoç.

Dikush mes tyre dha piskamën:

– Ku ku për ne…Po shkun malet, çka do të bahet me Kanunin, i kujt do të jetë ai? Ba me i la duert prej tij, jetën tonë e ha dreqi… Mo Zot ma keq!

– A nuk kishte kenë ma mirë për ne me i pasun fusha? – pyeti një tjetër për të dëgjuar edhe mendime të tjera.

-Mos ta ndij kush atë fjalë, he burrë, se na shkrepat e maleve i kemi shenja për orët e mëngjesit dhe për ditët e kremte, me ato janë të lidhuna festat e vitit dhe pa to s’po dijmë kur po vjen agu a kur po bie muzgu…

Kulmin e zemërimit e shprehu një plak i imët kur lëshoi piskamën:

– Jo, he burrë, për së gjalli s’i lëshojmë malet se mbetemi pa një fije çaj mali.. Çka do të pijmë në dimër, si do t’i shërojmë pleqtë dhe carrokët nga kolla dhe rrufa? Jo, këtë s’e lejon as nomi i perëndisë, as i njerëzisë.

Nga sokëllimat dhe protestat e shqiptarëve ushëtonin lugje e hone, shkrepa e gërxhe, shpate e curre dhe Zoti i Madh tek dëgjoi gjithë atë zallamahi, e kuptoi se shqiptarët dhe malet qenë bërë një dhe atë botë i uroi:

– I gëzofshi përjetë e mot dhe u pafshi hajrin!

The Legend of Albania’s Many Mountains

Naum Prifti/

While God was finishing up with the Earth’s creation, he soon noticed a stack of mountains sitting by his side and since he didn’t like the idea of carrying them around everywhere, he decided to store them for some time in Albania. He asked the inhabitants and they obliged.

Albanians had a tough time getting used to them, because mountains leave you breathless when you climb up and tire your knees when you come down; let alone the damages caused by the rocks and avalanches, the hazards of icefalls and landslides, cornices and crevasses. Yet they also discovered the coolness of springs, the freshness of livestock goodies, the breezing brooks, the murmuring waterfalls, the refreshing winds of slopes and trails. So much captivated by the mountains, they soon worshiped them much like the Sun and the Fire. Albanians even called parts of the mountain by the same names as body parts: the face, the neck, the foot, the back, the throat, the shoulders, the mountain head – a whole terminology rarely encountered in other languages of the world.

Thousands of years passed and some people began complaining to God about the fact that their homeland was covered only with hills and swamps with no mountains around. They felt as if they didn’t get their fair share. That is when God remembered the mountains he had placed in Albania and sent word that he would return to take a few of them from the land.

Upon hearing this Albanians became very upset. They rallied to make their voices heard. Using their mountain call by placing one hand around the mouth so as to be amplify the volume and the other by their ear to be ready to receive the response, there came such a trembling roar across the slopes and peaks that outdid even the howling of the winter storms.

“Hey! Have you heard? God wants to take away our mountains…”

“What did you just say, may you never speak another word again? Aren’t the mountains part of Albania’s charm, beauty and grandeur? How does one live without the presence of mountains all around?”

“Word is out that he only left them here for a short while.”

“No, truth be told, they have been here as far back as we all remember, I fear that God probably doesn’t remember.”

“Don’t you get it? He is the almighty God and he can give a direct order?”

“Makes no difference, what is given once it is not to be withdrawn. Besides God knows that the mountains are the thrones and seats of our deities, nymphs and sprites. Without the mountains, they too would go somewhere else.”

Someone amongst them burst out with anger:

“Poor us… If the mountains are gone, what will become of Kanun, who will it belong to? If we lose it then our lives are at the mercy of the devil…Dear God, how terrible!”

“Wouldn’t it have been better for us if we would only have plains?” – asked someone interested in hearing another opinion.

“Bite your tongue man, our mountains are our clocks and calendars, without them we can’t tell eve from nightfall…”

Filled with rage an elderly man unleashed his anger:

“No, man, as long as live we don’t give up the mountains lest we lose the mountain tea…What do we drink in wintertime, how do we cure the elderly and the children’s coughs and runny noses? Neither God, nor man shall permit this.”

The protests and outraged cries of the Albanians were amplified by the ledges and the ridges, the crests and the slopes, the peaks and the summits. Upon hearing all the commotion Almighty God realized that the Albanians were one with their mountains and so He gave them his blessing:

“May you have them to enjoy eternally!”

Translated from Albanian by Eric Tare

Filed Under: Fejton Tagged With: Naum Prifti

Të kontrolluara

July 7, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Teoria e Darvinit është kryesisht e saktë, por nuk është 100% e saktë. Nëse mutacionet do të ishin krejtësisht të rastësishme, atëherë disa do të ofronin një avantazh dhe disa një disavantazh, por shumica e tyre do të ishin indiferentë, duke mos ofruar as një avantazh e as një disavantazh. Megjithatë, vërejmë se kjo nuk ndodh në praktikë.

Informacioni në lidhje me nevojat që ka çdo specie kalon në materialin gjenetik. Tani shkenca konfirmon dyshimin në lidhje me kujtesën gjenetike, pasi në studimet e fundit, u vërtetua se një stimul i jashtëm mund të ndikojë në ADN dhe të ndryshojë trurin dhe sjelljen e brezave të ardhshëm. Në veçanti, ky hulumtim u botua në revistën “Nature Neuroscience” dhe tregoi se minjtë të cilët ishin trajnuar për të shmangur një erë mund të “përcjellin” pakënaqësinë e tyre për të tek “nipërit e mbesat”. Ky kalim u gjurmua në gjenet përgjegjëse për atë erë, pasi gjenet specifike u bënë më aktivë kur kafshët mësuan të kishin frikë nga era. Edhe më herët ishte vënë re nga shkencëtarët, por pa u vërtetuar, se kushtet e jashtme ndikojnë në lindshmërinë e djemve dhe vajzave. U vu re se pas periudhave të stresit intensiv, si Lufta e Dytë Botërore, po lindnin më shumë djem se zakonisht. Një tjetër efekt i ngjashëm shkaktohet nga ndryshimi i temperaturës, pasi sa më e lartë të rritet temperatura, aq më e lartë lind përqindja e meshkujve. E gjithë kjo dëshmon se ndryshimet gjenetike janë pjesërisht të kontrolluara dhe jo thjesht të rastësishme, siç besonte Darvini.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Astrit Lulushi

BILL KLINTON HIMN PËR NJERËZIMIN ËSHTË EMRI I TIJ

July 7, 2023 by s p

C:\Users\Home\Downloads\Xhema3 (1).jpg

                                 Xhemail Peci

BILL KLINTON

HIMN PËR NJERËZIMIN ËSHTË EMRI I TIJ

                                     “Jetojnë vetëm ata që luftojnë, vetëm ata,

                                                             që shpirt e mendje mbushur nga një qëllim i kanë, ata,

                                                  që fatí i çon të ngjiten në shkëmbinj të thepisur,

                                                                që ecin t’munduar e mbërthyer nga një mendim i ndritur,

                                                duke u rrëzëllyer në sy, çdo cast, ditë dhe natë;

                                                             o ndonjë mendimin i shenjtë, o ndonjë dashuri e lartë”.

                                                                                                                                 Viktor Hygo                                                                     

1.

Ata erdhën ballëlartë dhe gjoksshpalosur në flakët e luftërave dhe të betejave, 

mes shpresave, mes lutjeve, mes ankthit, mes kujës, pritjeve dhe përgjërimeve,

të qindra, mijëra dhe milionave, që zgjatur i kishin duart për mëshirë kah qielli,

ata rendën dhe marshuan me ligjin e drejtësisë njerëzore në duar si vetë dielli,

mes rrebesheve të kohës e mes stuhive dhe dallgëve të oqeaneve kreshpëruar,

ballëlartë e kryelartë rendën dhe erdhën ata e zjarrin e fjalëve mbanin qëruar,

ata që besonin në ligjet e drejtësisë hyjnore, në thirjet e tyre gjithëvëllazërore,

ata që mes sfidave dhe rreziqeve gjakonin për të sjellur tej barazinë njerëzore.

Të papërkulur ishin ata përballë Scillës dhe Haridbës, përballë zjarrit dhe litarit,

mes shqotave dhe suferinave vinin ata dhe çanin përmes kudhrës dhe çekanit,

ata si Prometheu i lashtë në mitologjinë antike, mbollën e sollën farën e lirisë,

në misionin e tyre të shenjtë, më pranë njerëzve e sollën bekimin e perëndisë;

Ata që si flakën e Prometheut, në botën e kërcënuar padrejtësisë edhe smirës,

flakadanë lirie mbollën e sollën n’botën e kërcënuar prej të ligës dhe shëllirës,

ata – promethejtë e ri që e hodhën farën e barazisë bashkë me idenë e së mirës,

si promethejtë – misionarët e vizionarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata ecnin dhe rendin me hapa viganësh dhe frymëzimin nga e kaluar e merrnin, 

mes popullit, me popullin e për popullin ishin ata, e tej me hapa prej levendësh,

dhe fjalët si oshëtimë e shekujve, korifejtë e ri të shpresës së re pamje titanësh,

e sfidë u bënin padrejtësive të mëdha, që si dikur Bastiljës grilave dhe hekurave,

ndrynin popujt e vegjël por me zemër të madhe lirie-vuajtur krimet e gjilotinave,

të cilët historia oh sa tinëzisht atyre ua kish kthyer shpinën mes aq padrejtësive,

të cilët diplomacia e fshehtë i tallte edhe aq fort i përbuzte profkave e qesëndive,

e të cilëve fati kurrë nuk u buzëqeshte dot prej nëperkave, hileve edhe sehireve,

që hisen e diellit zënë ua kishin aq egërsisht-si përbindshat e mitologjive antike,

e ansambletë e mjekrrave të thinjura të diplomacisë hipokrite në kurthet cinike-

të shekujve të kaluar sa nuk i shpallnin të mallkuar nëpër konferencat djallëzore,

se me hapat e shekujve rendnin dhe vinin ata, errësirën e gjatë duke e ndriçuar,

me dritën e diellit vinin ata e me librat e tyre në duar bartnin tej fjalën e bekuar,

që të mos kishte më as skllevër, dhe as bij skllevërish, e kurrë më të nënshtruar.

Dhe u ngritën atje lart, u ngjitën sipër piadestalit nën urdhërat e veprimit hyjnor,

sa shumë popuj liridashës ata sot i mbajnë në zemër dhe librat e tyre nëpër dorë:

Xhorxh Uashingtoni dhe Linkolni, Udrou Uilsoni e Xhon F. Kenedi, e Nestor

i urtë e me ballët lartësuar Klintoni njerëzimit i vie si himn dhe lirisë i vë kurorë,

këta promethej të ri të vizionit njerëzor, vigajtë e mendjes dhe kalorësit e lirisë, 

këta korifej të paqes e sogjetarë amshimi, lart Panteonit, sytë drejt ardhmërisë, 

dhe sa herë që kah ata dhe kah veprat e tyre e kthen prore mendjen njerëzimi,

u falet përunjësiht, në shenjë të thellë respekti, mirënjohje, nderimi e admirimi.

7.

  “Amerika s’pyet asgjë për vetvete, përpos për të drejtën që e ka për të pyetur për njerëzimin”                                                                                      (Udrou Uilson) 

Poemë është emri i tij. Poemë që krahët i shtrinë qiejve dhe kontinenteve, shtigjeve të pafundshme të paqes dhe dashurisë mes popujve. Urë në mes dy shekujve është emri i tij, legjendë e gjallë që shpresat i ngjallë, urnë e eshkë e unor me strall. Këngë lirie e sogjetar amshimi është emri i tij, mes qiellit dhe tokës, mes ëndrrës dhe shpresës, fanar lirie është Ai. 

Ogur i bardhë është Ai, misionar dhe vizionar i paqes, këngë e lashtë lahutash, plis i bardhë drejt qiellit e këngë shekujsh është emri i tij. 

Urë që lidh brigjet e Adriatikut me brigjet e Atlantikut, është Ai. 

Flamur që valvitet në horizontet e ardhmësisë së kombeve tona, është Ai. 

Poemë lirie është emri i tij, himn për njerëzimin është emri i tij. 

Ai, burri i kombit e burri i botës, që tok me Uashingtonin, Linklonin dhe Uilsonin, lirinë, të vërtetën dhe drejtësinë – një i ngritën lart me perëndinë. 

Vallë, kush si Ai, zërin e një kombi të vogël dëgjoi, një komb i vogël në numër por aq i lashtë në gjakimin e tij për liri; qëkur Dom Ndre Mjeda shkroi me flatrat e fjalëve shqipe, ankthin e të gjithë brezave dhe gjeneratave: 

Të lumtë, o Uashington! U zhvillat qiella…Lirin’ e keni ju! Na hekra kena…

17.

                          “Zoti është dashuri”. Bill Klinton: Jeta ime. Kapitulli 50, fq, 846

Kur shpresa si një ëndërr e venitur, bashkë me lotët të ardhmen zë dhe fton,

e kur agimi zbardh si një ëndërr e bardhë-mbështjellur zë edhe zbardhëllon,

në krahët e fluturave rrijnë agsholet ku një emër zemrat peshë nderimit çon,

emblemë e bardhë me vulë të kohës, libër i hapur si një meteor: Bill Klinton.

Kur koha flet me zërin e vet dhe kur ëndrra vie dhe bëhet bardhësi e dashuri,

kur zemrat mbushen jetë e hov e vrull të ri, e kur qiellit yjet në flakërim fton,

aureolë e paqes shfaqet sipërfaqes e gjithë madhështi ngjitet lart në kaltërsi,

epokë në vete që shekujt mbrujnë denjësisht n’histori emrin e tij:Bill Klinton.

Kur e djeshmja i flet zëshëm të sotmes dhe e sotmja zë e nis të përshpërisë,

fillin e vet me fjalë fluturake e nis thellësive të kohës tek lashtësive mburon,

kur kokën e kthen nga e kaluara, e sotmja vetveten si Nositi zë e zogjtë i nis,

në gjakimin sa fisnik dhe njerëzor për paqen e për të ardhmen: Bill Klinton.

Kur paralaksë e dashurisë paqja zë e shfaqet madhnisht si një himn njerëzie,

kur vie nga thellësite e shekujve si një promemorje që përherë veten naltson,

kur rri si përmendore e si një vepër vigane në sfidë të të gjitha padrejtësive,

kujtesa kombëtare himne i thur edhe përjetësisht ate e nderon: Bill Klinton.

Kur shfaqet re e zezë në qiellin kuqezi ndër shekujt shkabës sonë t’përgjakur,

kur shami e valles e tingujt e lodrës hyjnite ilire sërish mëton qiellit që t’i fton,

kur tufët e kuqe të opingave mbajnë vetëtimat në ritmin e tyre iso e përflakur,

kësulë e bardhë ngritet krenare drejt qiellit tek denjësisht naltson: Bill Klinton.

Kur errësirë e shekujve ecën tinëzisht në majet e stërholla të vet gishtërinjve,

e kur kohët ziliqare tok me netët tinzare sulen trungut ilir: prapë tek kafshon,

kur hidhet e përdridhet kufirit-tek përvidhet hija e lashtë e atyre gjarpërinjve,

nëpër këngët e lahutave e në veprat e artistëve ai tok me ne rron: Bill Klinton.

Kur paqja rri e brishtë si një sorkadhe e trembur keq në hapësirat ballkanike,

e kur pëllumbat e paqes prapë i trazojnë sa herë qe urrrejtja errësirën e fton,

kur ikonat mesjetare e hijenat hileqare kurthe u ngrejnë ideve euro-atlantike,

në pëllëmbët e duarve edhe në gjurmët e kohës prapë zë e vie ai: Bill Klinton.

Kur mijëvjeçarëve zë e u bën sfidë shekulli i ri që paqen ai ia fali plot dhunti,

kur varganit të kohës si në një vargmal vigan i shkëlqen firma si konstelacion,

kur si një rrufepritës në mes të vetëtimave edhe rrufeve bie fjala e madhe e ti’

paralaksë dashurie paqja, e konstelacion yjesh që prore flakëron: Bill Klinton.

Kur rafalet këpusin prapë lulet e kur lulëkuqet në gjak sërish vijnë e na mbijnë,

kur korbat bien mbi shqiponjat e kur terrin agu prapë n’zbardhëllim zë e zbon,

kur Dardaninë si diell dardanësh fatosat e kombit sërish dijnë që ta përtërijnë,

koha mba plisin e bardhë mbi vetull dhe zemra gjithmonë nderon: Bill Klinton.

Kur shamibardhat mermerin mbi kurmet e dëshmorëve larë me lotët e puthin,

kur lotët pikojnë faqeve, e dhembja e çanë gurin në ofshamën që nuk mbaron,

kur eshka fton strallin e kur zjarrin si flakadan e nxjerr si llavë përmbi prushin,

stendat e muzeut krahanor, me shkronjat e emrit të tij na mbushen: Bill Klinton.

Kur nis me zë përjtësie e kur fjala në yllësinë e saj i vie sikur shenjë pavdekësie,

kur bie agimi përmbi dheun e të parëve si nje diell që përmbi ballë zë e vezullon,

kur breznitë orëmira e ngrejnë përmbi breznitë orëzeza veçse një flamur lavdie,

himn për njerëzimin e Nestor i urtë që koha me shekujt vetë bekon: Bill Klinton.

Filed Under: LETERSI

I nderuar nga Klintoni, i turpëruar nga kllouni

July 7, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi/

Vizita e ish-Presidentit Bill Klinton në Shqipëri dhe pranimi i tij me nderime dhe medaljen e “Yllit të Mirënjohjes për Arritje Publike” konsiderohet si një akt simbolik i mirënjohjes për kontributin e tij në fillimet e demokracisë në Shqipëri dhe ndalimin e dhunës serbe në Kosovë në vitin 1999. Ky vizitë është parë si një rast i rëndësishëm për të shprehur mirënjohjen ndaj SHBA-ve, veçanërisht për kontributin e tyre në Kosovë.

Pavarësisht nga karakteri privat i vizitës, ftesa për të nderuar Bill Klinton është pritur me kënaqësi nga shqiptarët dhe një fjalim live nga ai do të ishte një moment i rëndësishëm. Emri i Bill Klinton për shqiptarët ka tejkaluar të gjitha politikat dhe është vlerësuar si një aleat dhe mbështetës i tyre gjatë kohës së nevojshme.

Megjithatë, përtej spektaklit politik, është e rëndësishme të kuptohet qëllimi dhe mesazhi i kësaj vizite private. Duke qenë se ajo ishte një event i sponsorizuar dhe i organizuar nga Aleks Soros, është e pamundur të jetë një rastësi rutinore. Ka të ngjarë që Fondacioni Shoqëria e Hapur, i cili është i lidhur me Aleks Soros, të kishte dashur të bënte një dhuratë simbolike në ditën e 59-vjetorit të lindjes së Ramës, si një formë e shprehjes së mirënjohjes për angazhimin e tij të vazhdueshëm.

Duke ditur që fjalimet e Bill Klinton kushtojnë shuma të konsiderueshme, një fjalim i tij në këtë event mund të shihet si një dhuratë e shtrenjtë, për një datë që nuk ishte përvjetor. Është e mundur që ky akt të jetë një mënyrë për të vlerësuar dhe inkurajuar angazhimin e Bill Klinton në çështjet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe për të promovuar veprimtaritë e Fondacionit Shoqëria e Hapur.

Në përgjithësi, vizita e Bill Klinton në Shqipëri dhe pranimi i tij me nderime tregon se roli dhe kontributi i tij në historinë e Shqipërisë dhe Kosovës vazhdojnë të jenë të vlerësuar dhe të mirëpritur nga populli shqiptar.

Në ceremoninë e mbajtur në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Edi Rama prezantoi zotin Bill Klinton me një grup fëmijësh dhe të rinjsh nga Kosova, të cilët mbanin emrin e tij. Kjo veprim tregoi solidaritetin dhe mirënjohjen ndaj roli që Bill Klinton ka luajtur në luftën e Kosovës në vitin 1999. Megjithatë, disa persona kanë shprehur kritika lidhur me këtë veprim, duke e krahasuar me praktikën e emërtimeve ideologjike që ndodhnin në regjimin komunist.

Si President, Bill Klinton njihet për aftësinë e tij për të marrë vendime të arsyeshme në baza emocionale. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e Shteteve të Bashkuara, zbutjen e tensioneve me Rusinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe bashkimin e Europës së ndarë nga Lufta e Ftohtë.

Në kontekstin e Shqipërisë dhe Kosovës, Bill Klinton është vlerësuar për kontributin e tij në ndalimin e dhunës serbe në Kosovë dhe në përkrahjen e proceseve demokratike në Shqipëri. Ai ka kontribuar në çlirimin e popullsisë shqiptare nga dhuna dhe ka ndihmuar në stabilitetin politik të vendit në momente të vështira, siç ishte koha e krizës së vitit 1997.

Vizita e tij në Shqipëri dhe pranimi i tij me nderime nga kryeministri Edi Rama tregojnë se roli dhe ndikimi i tij vazhdojnë të jenë të vlerësuar dhe të mirëpritur nga populli shqiptar. Bill Klinton shpreh mirënjohjen për mirëpritjen dhe dashurinë e shqiptarëve, veçanërisht për vendimet e tij që i mori në mbrojtje të drejtave të njeriut dhe lirisë në rajonin e Ballkanit.

Kryeministri Rama vlerësoi ndërhyrjen e Bill Klinton në Kosovë në vitin 1999 dhe shprehu përkrahjen e Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara. Ai e vlerësoi Shqipërinë si një vend pro-amerikan dhe shprehu besimin se ka vetëm regjime të këqija, jo popuj të këqij.

Përgjithësisht, vizita e Bill Klinton në Shqipëri dhe nderimi i tij tregojnë se kontributi i tij në vendet shqiptare është vlerësuar dhe se ai mbetet një figurë e dashur dhe respektuar nga populli shqiptar.

Në ceremoninën e pritjes së ish-Presidentit Bill Klinton në Shqipëri, ka pasur shumë komente dhe spekulime rreth qëllimeve të kryeministrit Edi Rama dhe politikave të tij. Disa prej tyre kanë shqetësuar mungesën e liderëve të Kosovës në ceremoni dhe ndjenjën e fyerjes që i bëhet Kosovës si shtet.

Disa persona kanë vërejtur se çmimi i “Yllit të Mirënjohjes për Arritje Publike” që u dha Bill Klinton nuk ishte i parë, pasi ai kishte marrë një nderim të ngjashëm nga një President i mëparshëm i Shqipërisë. Kjo vlerësimi i dytë mund të ketë qenë i organizuar për t’i shërbyer qëllimeve politike të kryeministrit Rama, veçanërisht në kontekstin e opozitës së tij me Albin Kurtin, i cili përfaqëson një pushtet që është në kundërshtim me Ramën.

Disa persona kanë argumentuar se Kurti ka gabuar në situatën e tanishme në Kosovë duke mos u marrë me politika të jashtme dhe duke i shtrirë dorën për bashkëpunim me ndërkombëtarët. Megjithatë, ata kanë vlerësuar përpjekjet e Kurtit për të ndërtuar një Kosovë me dinjitet dhe për të luftuar krimin e organizuar, ndërkohë që po ndërton institucionet demokratike të vendit. Kurti konsiderohet si një politikan që nuk ka përfshirë në vepra të kundërligjshme dhe që është përqendruar në politikën e paqes dhe stabilitetit.

Mungesa e liderëve të Kosovës në ceremoninë e pritjes së Bill Klinton është interpretuar nga disa si një fyerje ndaj Kosovës. Serbia ka kryer shumë krimet dhe dhunën ndaj popullsisë shqiptare dhe Kosovës, dhe shqiptarët nuk do t’i falin kurrë për ato veprime. Megjithatë, Kurti ka treguar ndërgjegjësim të madh ndaj kësaj situate dhe ka ndërtuar politikën e paqes, institucionet dhe demokracinë, pa u bërë kompromis me ata që dëshirojnë të dëmtojnë Kosovën.

Disa persona kanë kritikuar faktin që ceremonia e pritjes së Bill Klinton u organizua pasi kryeministri Rama deklaroi se do të nisë turin e Procesit të Berlinit. Kjo vlerësohet si një taktikë e përdorur për të trembur Berlinin 

Pa ndjesën më të vogël, pa gajle dhe skuqjen e fytyrës. Pa asnjë llogari dhënie dhe kjo ndodh kur Uni ka pushtet absolut. Dhe kjo nuk është më demokraci. Kësisoj edhe ata 700 mijë votues të Edi Ramës apo, 34% e shoqërisë shqiptare, kanë të drejtën e Unit të mendojnë se edhe kombi duhet t’i bindet. Ndaj dhe ky show. A do te kishte qenë dinjitoze që Klinton te kishte folur ne parlamentin shqiptar, me prani te qeverise te Kosovës? Unë këtë unë e quaj nderim. 

Rama, skenaristi, regjizori, moderatori e kllouni i ceremonisë së pritjes së ish president të SHBA Z.Bill Klinton, thërret në këtë ceremoni Aleksis Soros, dhe bën “surprizën” komike të thirrjes së ca të rijve e fëmijëve nga Kosova me emrin “Klinton” apo “Hilari”, dhe nuk thërret asnjë politikan të partive të Kosovës e jo më të qeverisë Kurti, 

Dëgjuam “oratorinë” kllounadë të Ramës që kishte si lejtmotiv oratorinë e jashtëzakonshme të Klinton, e dëgjuam “oratorin” Klinton që deklaroi se qeveria aktuale e Kosovës po bën marrëzi që arreston grupe terroriste të komanduara nga qeveria e Vuçiçit për të destabilizuar sovranitetin e Kosovës.

A nuk është paradoksale që pikërisht ish presidenti amerikan që mori vendimin pa pyetur Kongresin e Këshillin e Sigurimit të OKB për të bombarduar Beogradin, quan marrëzi vendimin e Kurtit që paska bërë krimin e madh që ka ndëshkuar terroristët serbë në Kosovë që sulmuan edhe forcat e NATO-s, dhe ju sekuestruan armatime të paligjshme. 

Kur Albin Kurti i kundërvihej Ballkanit të Hapur, me Procesin e Berlinit, Edi Rama tallej, madje plot mendjemadhësi, në atë tipin e tij bullist, e ftonte qeveritarin e Kosovës të përfshihej në tryezë me qëllim lëvizjen e lirë. Albin Kurti pohonte publikisht se, si Shqipëria dhe Kosova e kanë vendin në Europë, në Berlin, Edi Ramës i hante timoni për në lindje.

Ndaj sot jo rastësisht, Shqipëria nuk është akoma anëtarë e komunitetit europian. Në Proçesin e Berlinit Albini, jo, thoshte Edi Rama. Madje, bashkë me grupin e interesit, jo Kosovën, shpikën termin e një Mini Shengeni Ballkanik, bash për të trembur Berlinin. A ia arriti qëllimit? Asesi! Shqipëria sot ka rënë në një vakum dështimi sa ekonomik aq edhe politik. Kujtoni se vetëm në muajin e kaluar (8 qershor 2023) qeveria e Edi Ramës mori borxh rreth 600 milion euro kredi me interesa të lartë. Nga këto para borxh plus përqindjet bankare, i bie të jenë në borxh edhe ata që do lindin në vitin 2060.

Kjo vizitë e përgatitur mirë e Ramës me Klintonin është vlerësuar si një show i përmasave groteske dhe një përpjekje e panevojshme për të impresionuar publikun shqiptar. Kritika është se Rama ka paguar për ture të panevojshme të lobimit dhe ka sjellë Klintonin në Tiranë për të ndikuar në perceptimin e shqiptarëve. Megjithëse Klinton ishte i lodhur, ai ende u përpoq për të dhënë një leksion mbi të drejtën universale dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes, në kontrast me retorikën e Rames që fokusohet vetëm në Unin e tij.

Përveç kritikave për ftesat selektive dhe retorikën e Rames, kritika është se ai kërkonte të shprehte vetëm retorikën e tij, ndërsa Klintoni e bazoi fjalën e tij në funksion të ideve. Ky dallim tregon se Rama ishte më shumë i interesuar për formën sesa për përmbajtjen e fjalës së tij. Kritikat ndaj Rames dhe organizimit të vizitës së Klintonit theksojnë mospërputhje të qëllimeve dhe fokusit të dy politikanëve. Kjo vlerësohet si një përdorim politik i vizitës së Klintonit për të promovuar imazhin e Rames dhe për të krijuar një spektakël politik, në vend të të përqendruar në çështjet reale dhe sfidat e vendit.

Situata në konfliktin Kosovë-Serbi nuk është një krizë e thellë si konflikti në Irlandë midis katolikëve dhe protestantëve, por është kthimi i skenarëve të zinj serbo-rusë për të përmbysur historinë, që Klinton ka krijuar dhe mbeti i pavdekshëm për shqiptarët. Vetë Klintoni kur i është drejtuar popullit Amerikan për ndërhyrjen në Kosovë ka thënë: “Kjo ndërhyrje nuk vjen nga vlerësimet politike dhe sondazhet, por është një film që unë e kam parë në Ruanda dhe në Bosnjë dhe nuk duhet të përsëritet më!”. Pra ishte një nevojë për të shpëtuar botën nga një tjetër gjenocid, sesa një aksion politik.

Sa për këshillat e tjera të tij për komunat, zgjedhjet, selitë, Kryeministri Kurti duhet të shikojë mënyrën për ti zbatuar në një mënyrë apo tjetër, se është lider i zgjuar dhe me integritet dhe jo një showman cirku. Pa paragjykuar se i janë imponuar nga Aleksi, Edi & Co., ai duhet të ketë guximin  të dëgjojë të mençurit dhe përbuzë hapur liderët e shpallur globalë nga Vuçiçi, që për pushtetin shesin  kombin.

Dje ne pamë spektaklin e radhës të mjeshtrit të madh të ceremonive me pikësynim goditjen e liderit të Kosovës, Albin Kurti. Pjesëtarët e këtij spektakli, si A. Soros, na kujtuan se “Ballkani i Hapur” është mbyllur përkohësisht nga një fakt shumë tronditës që ka lidhje me Vuçiç apo me Ramën. Por skenaristët kërkojnë fillimisht kokën e Albin Kurtit për ti dhënë hapësirë pushtetit të Edi Ramës si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve.

Është koha që Kosova dhe Kurti ti kthejnë reston, jo si hakmarrje personale por si detyrë ndaj kombit. Por një gjë Edi Rama duhet të dijë, se kurrë dhe asnjë rast nuk e ka mandatin të flas në emër të Kosovës, as nuk duhet kjo t’i lejohet të flas ”Albin Kurti ia dogji njëherë e mire ëndrrën Edi Ramës për të qenë “lider rajonal”. Jo për ego personale, ndoshta madje edhe në pavetëdije! Albin Kurti i dogji Edi Ramës të vetmen alibi që ai kishte për “aleancën” me Aleksandër Vuçiç, kur pretendonte se përmes saj shmangeshin konfliktet në rajon. Serbia nuk do të ndryshojë kurrë, i vetmi që propagandonte këtë komedi, ishte vetëm Edi Rama! Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit do ta realizon një vizitë në vendet e rajonit.

 Ai nesër do të vizitoj Shkupin e pastaj edhe në Kosovë. pas kësaj ai do të shkon për vizitë në Bosnje, Mal të Zi dhe Serbi. Ramën në Kosovë nuk e priti kryeministri Albin Kurti, por presidentja Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca. 

A thua Rama nisi një luftë të ftohtë mes dy shteteve shqiptare për shkak të egos së tij? 

Ajo që ndodhi në Kosovë duket si një prolog i epilogu të padëshiruar mes dy shteteve shqiptare ndërkohë që Vuçiçi fërkon duart.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT