• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2023

PSE është e MADHE FESTA e SHIPSHANIT

July 6, 2023 by s p

(“Ara e Osës”, 15 korrik 2023, ora 10.00)/

Nga Ramiz LUSHAJ/

“Festa e Shipshanit” mbiemrin “e Madhe” e mori qyshce në start, në herën e parë, në atë 8 gusht 2021 në Padesh, ku e thoshja asokohe, në një shkrim përkushtimor, se lindi e tillë, “e Madhe”, për “nga vet origjina, misioni, mënyra e veprimtarimi i saj”.

Ishte “e Madhe”, sepse madhështinë ia jepte vet mrekullia natyrore alpine e Padeshit e Ujezës me rrethina, një ndër qindrat treva ma të bukura të Shqipërisë, Ballkanit, Europës e Botës.

Ishte “e Madhe”, sepse madhështinë ia jepte vet historia e Padeshit me Koshare, vet Beteja shqiptare legjendare e Koshares, ma madhështore edhe se “Beteja e Termopileve” e 300 spartanëve të para erës sonë. Se Beteja monumentale e Koshares e theu kufinin Kosovë-Shqipëri në atë 9 prill 1990 të erës sonë. Se Beteja epokale e Koshares ka 114 “Heronj të Kombit” të shpallur me dekret presidencial të Kosovës, ka ma shumë heronj shqiptarë në një betejë që nga njeriu i Neandertalit deri tek “Koha e Rugovës”. Se pa Padesh nuk ka Koshare, se pa Koshare nuk ka Padesh, se pa Padesh e Koshare nuk do të kishte Luftë e Paqe, Liri e Pavarësi të Kosovës.

“Festa e Shipshanit” është “e Madhe”, edhe kur organizohet dy herët në Padesh (2021 e 2022) edhe sivjet tek “Ara e Osës” (15 korrik 2023), sepse madhështinë ia jep vet historia epokale e krahinës-fisit-bajrakut të Shipshanit. Sepse Shipshani (edhe me Berishën e atyhit), e shtrirë përgjatë kufinit etno-historik, politik e administrativ, se për në Malësi të Gjakovës, edhe për vet pozicionin gjeofizik, ishte e para si një forcë goditëse e si një qendër mbështetje në luftërat e mëdha, të shumta e të përhershme për Kosovën dardane, prej nga koha genetike e të parit të fisit tonë, të ardhur nga Kalaja historike e Shipshanikut (Tuz/Malësi), nga Kall Kamberi me tre të bijtë Gega, Buça e Papa, e, dekterit, tek Lufta e fundit e Kosovës, prej nga Padeshi deri në Kasaj (1999).
“Festa e Shipshanit”, sivjet, me 15 të korrikut 2023, do të organizohet tek “Ara e Osës”, rrugëngjitjes për në “Bjeshkët e Bekuara”, përskej lumit të Sylbicës, përndryshe, kur hyn në territorin shipshjan, ma saktësisht (duhet) cilësohet “Lumi i Shipshanit”, që historia e zhvillimit e formësimit të tij daton nja 300 milionë vite ma herët, para Evës e Adamit, para zjarrit e hirit, para mishit e bukës. E kur luftëtarët shipshjanë, gashjanë, berishianë, bytyças, pas tubimit tek Kalaja e Komit e pushimit luftarak tek “Ara e Osës”, shkonin përgjatë e përpjetë “Lumit të Shipshanit” për të luftuar për Plavë e Guci, sikurse në Luftën ma të madhe në Historinë Kombëtare Shqiptare, në Luftën e Jashtëakonshme të Nokshiqit (1879-1880), kur Shqiptarët për herë të parë e të vetme u ngritën me fjalë e penë luftarake, me pushkë beteje tejet epokale kundër një Kongresi Botëror si Kongresi i Berlinit (1878), kundër 7 fuqive më të mëdha të botës e kohës së atëhershme, kundër dy krajlive të Ballkanit. Në këtë luftë të papërseritshme e të paarritshme, në Luftën e Nokshiqit, malësorët alpinë të Shipshanit ishin në frontin ma të vështirë të betejës, bash tek Ura e Limit, ku siç e thotë kanga “po bajnë luftë sa tanë dunjaja” e siç e thotë Historia “ishin kontributorë përcaktues në fitoren e Luftës së Nokshiqit”.

“Festa e Shipshanit” është “e Madhe”, sepse e ban të tillë vet vendorganizimi i saj tek “Ara e Osës”, një nga vendet ma të bukura të Alpeve Shqiptare, përmes lartësive alpine, përskej lumit shipshjan, në mes gjelbrimit e lulimit gjithëfarësh, një nga vendet që e lidh Vrrinin me Bjeshkët, një nga vendpushimet ma të veçanta për luftëtarët në histori, për bjeshktarët ritual të bjeshknimit alpin, për turistët shqiptarë e të huaj.

Sivjet, edhe në “Festa e Madhe e Shipshanit” do të kemi ma shumë bjeshktarë se vijnë Lumës së Shipshanit prej gjithë atyne bjeshkëve, do të kemi ma shumë mërgimtarë që vijnë nga Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Gjermania, Zvicra…nga shumë shtete të botës, do të vijnë edhe turistë shqiptarë e të huaj që e kanë planifikue në intinerarin e tyre të jenë atë ditë tek “Ara e Osës” dhe në Bjeshkët e Alpeve Shqiptare të Shqipërisë e Kosovës dhe në Malin e Zi. Se deri tek “Ara e Osës” i sjell rruga e makinës, e hapët edhe me u shndrrue dy makina gjithandej, e bukur në mrekullitë natyrore në ngjitje-zbritje. Se tek “Ara e Osës” është një vendparkim i madh natyror për makinat e shumta me marka e targa nga ma të ndryshmet. Se rruga e makinës që të çon deritek “Ara e Osës” është pjesë urbane auto-rrugë e “Unazës së Alpeve”. Edhe këta bjeshktarë, mërgimtarë e turistë shqiptarë e të huaj, do të jenë pjesë e madhështisë së “Festës së Shipshanit”, e mbiemnit të saj “e Madhe”.

Edhe sivjet, edhe tek “Ara e Osës”, në këtë mrekulli natyrore alpine, me patjetër: “Festa e Madhe e Shipshanit”, do të ketë madhështinë e pranisë dhe atmosferës historike e aktuale të Betejës në Padesh-Koshare, sepse aty/këtu, do të vijnë, sikurse edhe vjet, me dhjetra ushtarakë me grada e plagë lufte, me histori lufte e paqeje. Ata do të sjellin në “Festën e Madhe të Shipshanit” mirënjohje shpirtërore për Shipshanin për kontributet e saj legjendë e legjendare edhe në Luftën e fundit të Kosovës, do të sjellin mesazhet e tyre për mos me pasë “klone”-“piramida”-“dogana”…në mes shqiptarëve në të dy anët e Qafës së Morinës e Qafës së Prushit…se me thanë të vërtetën historike: Shkijet e Ballkanit dhe Ndërkombëtarët e Traktateve gjithnjë “na i kanë pré kufijtë në qafa malesh” dhe kjo thikë e tyne ende po na rrinë mbi krye e pas qafe edhe në Kosovë, edhe në Malësi të Gjakovës, nga Vuçiçët e “çiçët” e ish Jugosllavisë së Krajlive, Titos e Millosheviçit.

“Festa e Shipshanit” tek “Ara e Osës” është “e Madhe”, sepse është dhe “Festë e Bashkimit Kombëtar Shqiptar. Në lartësi alpine bjeshktare të Tropojës është një shkamb kufitar, ku vijë-ndahet kufini Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi, (keq)ndahet në mes tre shteteve të sotme ballkanike. Madhështia e “Festës së Shipshanit” qëndron edhe tek fakti aktual trevjetor i kësaj Feste (2021-2022-2023) si “Festë e Bashkimit Kombëtar Shqiptar”, sepse, aty/këtu, do të vijnë me dhjetra e dhjetra malësorë alpinë e personalitete shtetërore, akademike, kulturore, ushtarake nga Rrafshi i Dukagjinit të Kosovës (nga Gjakova, Deçani, Juniku, Peja) dhe nga komunat e Plavës e Gucisë në Malin e Zi, si dhe nga komuna të tjera të Kosovës, si Prizreni, Istogu (Burimi), Klina, Prishtina, etj. dhe nga Rozhaja, Tuzi (Malësi) etj. në Malin e Zi. Do të vijnë malësorët bregdrinas nga Hasi e Kukësi, nga Fushë Arrëzi e Puka, nga Shkodra, Vau i Dejës, nga Shkodra e Lezha, ku do të kalojnë dhe Korridori Adriatik-Alpe (Rruga e Hekurudha Bregdrinase).

“Festa e Shipshanit” është “e Madhe”, sepse e organizon dashuria, krenarie e malli për vendlindjen e Shipshanit, se e organizon misioni historik e qytetar dhe shpirti bajemirë vullnetarë i djemëve e çikave, i burrave e grave të Shipshanit; sepse e organizon Shoqata e mirënjohur dyvjeçare “Shipshani i Malësisë së Gjakovës” e cila ka garancitë ndihmëtare të çmuar të Bashkisë së Tropojës dhe disa donacione në vijimësi e pritje nga shipshjanët në Shqipëri, Kosovë e Mërgata Shqiptare; sepse të gjithë pjesmarrësit, qindra pjesmarrësit, janë bashkëorganizatorë të kësaj Feste që ka hyrë e mbetet në gjerdanin e bukurive e madhështive të Festave tona Kombëtare Shqiptare.

Mirë se vini në Festën e Madhe të Shipshanit!
Mirë se të gjejmë Festa e Madhe e Shipshanit!

E enjte, 6 korrik 2023

Filed Under: Ekonomi

Republika e Kosovës nuk është pronë private e askujt!

July 6, 2023 by s p

Skënder Karaçica/

Pse nuk bëhet publike “ftohja politike” në mes Kosovës dhe Shqipërisë…?! Pse opozita parlamentare në Prishtinë, kujtoj se nuk është në dijeni se çfarë po ndodhë në relacionet shtetërore në mes të dyja qeverive Rama-Kurti…? Në politikë në artin e të mundshmes, Kuri në Prishtinë dhe Rama në Tiranë, duhen të mbajnë qendrim më të matur dhe pa huqet e të dyja palëve me sindromin allaballkançe.

Kosova dhe Shqipëria dy shtete sovrane, nuk duhet të emitojnë, larg qoftë modelin e dy koreve me rrafshet e tyre me dorën e ftohtë akull të politikës! Sa larg Prishtina nga Tirana! Sa larg Kurti me Ramën, pa marrë parasysh dallimet e kabinetit qeveritar Kurti 2, do të duhej të takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Prishtinë!

Albin Kurti (partia politike VV) i pati fituar zgjedhjet parlamentare dhe erdhi në pushtet. Kjo krejt në rregull me vlerat e demokracisë dhe të votës së lirë të sovranit, por askush dhe as Albin Kurti nuk e ka të drejtën të pushtojë e të largojë shtetin e Kosovës përmes “fletës poseduese” dhe të sillet si në pronën e tij private në relacionet ndërkombëtare BE-SHBA.

Relacionet Prishtinë-Tiranë të qendrojnë në rrafshet kombëtare dhe të jenë më afër njëra-tjetrës, kjo e drejtë e natyrshme në frymën vëllazërore për zhvillimin e kaheve të forta ekonomike për të ardhmën e kombit shqiptar jo të varfër edhe në ketë fillim të shekullit të ri!

Albin Kurti dhe Edi Rama, bashkë për çështjen kombëtare dhe nisja në udhën e integrimeve në Evropën e bashkuar, ku hisja e kombit shqiptar po na pret në sirtarët e Brukselit.

Filed Under: Rajon

KONTAKTET POLITIKE E USHTARAKE, ARBËRORE-HUNGAREZE GJATË MOTIT TË MADH

July 6, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kontaktet arbërore-hungareze duhet të kenë qenë të hershme, që në momentet kur kurora hungareze zotëronte territore të gjera të Kroacisë dhe të Bosnjës së sotme. Dokumentacioni në dispozicion nuk na ndihmon shumë në këtë drejtim, por duke ditur se prania e arbërve qoftë si qytetarë, apo si tregtarë dhe udhëheqës ushtarakë të Republikës së Raguzës ka qenë relativisht e madhe, mund të sugjerojmë se ka pasur një kontakt të ngushtë mes tyre.Gjithësesi këto kontakte do të marrin një rëndësi edhe më të madhe politike dhe ushtarake sidomos në shekullin XV, kur territoret e Arbërit dhe të Hungarisë ishin nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të osmanëve. Më 1439 veprimtaritë e trupave osmanne erdhën duke u intensifikuar në Serbi, pranë kufirit jugor të Hungarisë. Në pranverë të po atij viti sulltan Murati II sulmoi dhe pushtoi rajonin në lindje të lumit Morava. Në të njëjtën kohë disa prej vasalëve të osmaneve po shkretonin pjesët perëndimore të mbretërisë së Serbisë. Sulltani rrethoi kryeqytetin e Serbisë, Smederevon. Despoti serb Gjergj Bankoviç ia besoi mbrojtjen e kështjellës së birit, Gregorit, dhe ungjit të tij, Thoma Kantakuzenit, ndërsa për vete u strehua në Hungari tok me djalin e vogël dhe gjithë çmund të mbartë me këtë rast. Në shpurën e tij bënin pjesë edhe shumë fisnikë hungarez. Kjo e fundit, gjatë mbledhjes së Dietës të mbajtur në Bude më 29 maj 1439, vendosi që të organizojë një fushatë kundër osmanëve për të zhdukur rrezikun që i kanosej Beogradit, çfarë e bënte jo dhe aq për tu ardhur në ndihmë serbëve. Në të vërtetë Dieta vendosi që mbreti të shkonte në luftë vetëm me ushtrinë vetjake dhe me forcat e fisnikërisë së madhe e të prelatëve, pa pasur të drejtë të thërriste nën armë të gjithë fisnikët, me përjashtim të rasteve tejmase të ngutshme, as të kërkonte taksa të përgjithshme për të pajtuar mercenar. Është pikërisht ky momenti kur fillojnë dhe kontaktet e para arbëre-hungareze për të organizuar një rezistencë të përbashkët. Në thelb, ky bashkëpunim do të mbështetej mbi sferën e përbashkët kulturore, pasi të dyja territoret përkisnin në nocionin gjeografik e kulturor të Europës. Familjet fisnike arbëre ishin përfshirë në atë, çka po përbënte idetë e para të Rilindjes Europiane, një lloj ringjallje të së kaluarës së lavdishme së kulturës së antikitetit dhe lidhjes së origjinës së tyre me heronj të asaj periudhe. Familjet fisnike arbëre fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë, si ato të Engjëllorëve, p.sh – një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë e identitetit që këto familje fisnike ndiejnë, por edhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera europiane duke përforcuar kështu idenë europiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Europës, por që ushqehet rrugës edhe me mite të rinj.

Kontaktet e para diplomatike shqiptaro-hungareze mendohet se janë vendosor për herë të parë pikërisht në fillimet e epokës së Skënderbejane. Protagonistët kryesorë të tyre kanë qenë Heroi ynë Kombëtar Gjergj Katrioti Skënderbeu (1405-1468) dhe mbreti polak Vlladisllavi III (1424-1444) dhe regjenti hungarez, governatori i Transilvanisë Janosh Huniadi, sundues të shtetit polako-hungarez. Kryeqyteti i këtij shteti ishte me rotacion, njëherë Krakovi i Polonisë dhe herën tjetër Buda i Hungarisë. Fillimet e fitoreve të Janosh Huniadit në digën danubiane përforcuan autoritetin e mbretit polak Vladislav në Hungari dhe ngjallën shpresat tek popullsitë e Ballkanit që ishin nën zgjedhën osmane. Popullsitë e krishtera të Ballkanit, e sidomos ato të vendeve kufitare me rajonet që kishin pushtuar osmanët, vuanin nën arbiritretin dhe dhunën ndaj tokave të pushtuara që ende nuk kishin pranuar Islamin apo nuk kishin realizuar një armëpushim me Sulltanin. Në ligjin klasik islamik, ndarjet kryesore tëterritoreve që sundonte Sulltani ishin si më poshtë: Dar al-islam (territori i Islamit / nënshtrimi vullnetar i Zotit), duke treguar rajone ku mbizotëronte ligji islamik, dar al-sulh (lit. territori i traktatit) që tregon – Tokat joislamike të cilat kanë përfunduar një armëpushim me një qeveri myslimane, dhe dar al-harb (territor i luftës), që tregon vendet fqinje jo-islamike sunduesit e të cilave thirren të pranojnë Islamin. Inkursionet e osmanëve, gjithnjë më të shpeshta në atë kohë, shkatërronin fshatra e qytete dhe me mijëra njerëz ishin shndërruar në skllevër. Tregtarët u shmangeshin zonave që qenë vazhdimisht të kërcënuara. Jeta ekonomike ishte e trazuar, skamja sa vinte e rritej. Mund të shtohej edhe fakti që njerëzit asokohe nuk arrinin ta kuptonin, çfarë do të bëhej e qartë vetëm falë perspektivës historike, se sundimi osman ushtronte ndikim negativ mbi jetën e popujve të pushtuar ngaqë osmanët kishin një regjim feudal-ushtarak i cili nuk merrej aspak me organizimin e prodhimit, nuk merrte masa për ta nxitur, po vetëm synonte të shfrytëzonte popullsinë e nënshtruar. Ushtria osmane dhe punonjësit civile qenë të pandershëm dhe të korruptuar, abuzonin shumë me njerëzit duke e përkeqësuar kësisoj gjëndjen ekonomike dhe duke e çuar mbrapa kulturën në vend. Marrëdhëniet arbëre-hungareze u zhvilluan në harkun e viteve 1440-1460 kur Hungaria nën udhëheqjen e Janosh Huniadit ndërmorri ofensivën e madhe në brigjet e Danubit, Serbi e Varnapër të dëbuar osmanët nga Ballkani. Në vjeshtën e vitit 1443 po përgatitej beteja e madhe e Nishit, midis forcave të Unionit Polako-Hungarez dhe atyre të Perandorisë Osmane. Në këtë betejë Skënderbeu braktisi forcat osmane dhe u kthye në Krujë më 28 Nëntor 1443. Marrja e kështjellës së Krujës shënon fillimine kryengritjes arbëre kundër osmanëve duke ndërtuar tashmë krahas digës antiosmane të Danubit dhe atë të Adriatikut. Edhe pse në pamjen e parë mund të duket si një aksion i koordinuar dokumentacioni historik nuk dëshmon një kontakt të drejtë për së drejt midis Huniadit dhe Skënderbeut. Në veprën e Marin Barletit, “Historia e Skënderbeut” (1508-1510) përmendet se Skënderbeu duhet të kishte qenë i informuar rreth ofensivës dhe planeve të Huniaditdhe Gjergj Brankoviçit dhe në fakt ai duhet të ketë bërë marrëveshje me ta, por ky konstatim është më tepër një hipotezë e Barletit sesa mbështetet në një dokumentacion historik. Barleti mund të ketë pasur informacion të besueshëm por gjithësesi narrativa e tij historike nuk mund të merret si një provë në vetvete e një marrëveshje mes Huniadit dhe arbërve. Në pranverën e vitit 1444 rezistenca arbëre u institucionalizua me themelimin e Lidhjes së Lezhës (2 mars 1444) dhe në pritje të invazioneve osmane ishte e natyrshme që Skënderbeu të shikonte për një aleancë të qëndrueshme te Huniadi dhe kurora hungareze. Skënderbeu, pavarësisht dëshirës së mirë, të shprehur në letrën e tij, nuk mundi dot t’i bashkohet koalicionit europian, të udhëhequr nga mbreti Vladislav III në Varnë të Bullgarisë. Barleti njofton se despoti i Serbisë, Gjurad Brankoviç e pengoi kalimin e arbnorëve drejt Varnës. Në mungesë të dokumenteve, historia e ka lënë me kaq këtë çështje.

Dy fushatat e mëdha të ushtrisë së krishterë të përbashkët, të përbërë nga elementë të ndryshëm prej kombësive europiane, nën udhëheqjen e mbretit të Polonisë dhe Hungarisë, Vladislavit III, të quajtur të Varnës (i biri i Vladislavit II Jagellonit) dhe të vojvodës së famshëm transilvan, Janosh Huniadit, i nxitëndëshirat e popujve ballkanas për t’u çliruar, duke sprapsur me luftë të armatosur rrezikun osman. Më 16 tetor 1444 ushtria hungareze mbërriti në Nikopolis dhe pasi ndenji aty tri ditë, vazhdoi rrugën e vjetër romake drejt bregut të Detit të Zi, duke pushtuar, grabitur e shkretuar shumë qytete e kështjella. Përballë Varnës kjo ushtri arriti më 9 nëntor dhe, po atë natë, ushtarët nga larg panë zjarret e ushtrisë së Sulltanit. Ishin vetëm 16.000 ushtarë të përbërë nga trupat e mbretit Vladislav, ato të siguruara nga kardinali Cesarini, trupa translivane dhe rumune, kroate dhe vllahe. Kjo ushtri modeste duhej të mbante shpresën te përforcimet që duhej të vinin nga zbarkimi i galerave burgunde e atyre papnore. Sipas planit të Cesarinit, trupat e zbarkuara nga flota do t’u dilnin nga pas otomanëve, duke i vënë mes dy zjarresh. Mirëpo flota nuk kishte mundur të mbërrinte në kohë dhe Murati II, i cili qe rikthyer në fron me urgjencë, kishte mundur që t’i kalonte trupat e tij në kontinentin europian me ndihmën perfide të galerave gjenoveze. Fatkeqësisht, kryqëzata europiane dështoi dhe mbreti Vladislav III u vra më 10 nëntor 1444. Burimet historike otomane nuk e fshehin mendimin se fati i luftës ishte me ushtrinë e krishtere që në fillim të betejës. Epërsia e saj ia prishi mendjen dhe vetë Sulltanit, që po matej të kriste e të ikte. Kthesa e betejës në kronikat otomane parashtrojnë ndërhyrjen e perëndisë në fatin e betejës. Mbreti Vladislav III, i fryrë nga mburrja, vendosi t’i shkatërronte ai vetë kundërshtarët dhe u vërsul kundër trupave të Muratit. I gozhduar midis një jeniçeri dhe një azapi, që i vranë kalin, ai tanimë ishte pa kalë. JeniçeriKoca Hidir ia preu kokën dhe ia dërgoi Sulltan Muratit. Marcin Bielski, humanisti polak, në veprën e vet, “Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, princin shqiptar” shkruan se Skënderbeu me njerëzit e tij nuk mundi të ishte në kohë në këtë betejë sepse për të vajtur në Varnë duhet të kalonte përmes Serbisë dhe Bosnjes dhe Despoti i Serbisë në tokat e tij i krijoi vështirësi e vonesa të panumërta. Kur dëgjoi se hungarezët u mundën dhe mbreti mbeti i vrarë, u zhyt në dëshpërim e vajtoi. Tri ditë nuk hëngri e nuk piu dhe me asnjë njeri nuk bisedoi ngaqë ndiente keqardhje. Ky relacion i Bielskit konfirmon edhe një herë tjetër letrat e shkëmbyera midis mbretit Vladislav III dhe Skënderbeut, si edhe dëshirën e të dyve për të ndërtuarnjë aleancë të ngushtë antiosmane. Por detaji më interesant në këtë libër është pasazhi, ku shkruhet se ndoshta një pjesë e shpëtuar e ushtrisë së Unionit Polako-Hungarez gjetën strehë edhe në Shqipëri. Luftëtarët e ushtrisë hungareze, shkruan Bielski u shpërndanë. Disa shkuan dhe në Shqipëri. Këtu Skënderbeu i strehoi, i ushqeu, u kuroi plagët, u garantoi siguri, u dha dhurata, pavarësisht cilës kombësie i përkisnin. Deri më tani nuk ka të dhëna dokumentare të tjera që ta vërtetojnë këtë fakt, por nuk përjashtohet mundësia që një kontigjent i shpëtuar i ushtrisë hungarezo- polake të ketë arritur në portet e Arbërisë me anijet veneciane. Në këtë rast, prania e këtij kontigjenti të ushtrisë polake do të përbënte edhe vendosjen e kontakteve të para të drejtpërdrejta midis ushrisë së Skënderbeut dhe ushtrisë hungarezo-polake. Mirëpo pavarësisht këtyre burimeve të tërthorta historike nuk ka gjurmë në dokumentacion që të shkëmbimit të ambasadorëve apo dërgatave diplomatike në këtë periudhë dy vjeçare 1444-1446 midis Skënderbeut dhe Huniadit. Vetëm në vitin 1447, në prag të fushatës së Huniadit në Fushë-Kosovë ka dy burime historike që dëshmojnë për planet e bashkëpunimit midis dy heronjve të krishtërimit. Burimi i parë historik është historiani bizantin Chalkokondyles i cili shkruajti në 1460 se Huniadi dërgoi lajmëtarë tek Skënderbeu dhe Araniti, sepse qëllimi i tij ishte të bashkonte forcat me ta ndërsa ishin duke depërtuar thellë në Europë. Për këtë arsye ata (Skënderbeu dhe Araniti) ishin informuar më parë.

Ky bashkëpunim shikohej në fakt në kuadër të një gjeostrategjie më të madhe paneuropiane rreth rrezikut otoman sesa një bashkëpunim lokal administrativ midis Hungarisë dhe Arbërisë. Plani i Janko Hunyadit ishte ti dëbonte osmanët nga Europa në disa faza. Hapi i parë, i cili duhej të realizohej në vjeshtë të vitit 1448 me ndihmën e Skënderbeut, ishte pushtimi i Maqedonisë dhe i portit të Selanikut. Duke marshuar drejt jugut të Serbisë dhe duke bashkuar forcat me ushtrinë e arbërve, ai kishte për ti ndarë më dysh zotërimet e Perandorisë osmane në Europë. Duke pushtuar Maqedoninë, Arbëria ishte e mbrojtur nga sulmet e reja të osmanëve; Selaniku mund të shëndërrohej në një bazë për flotat e Venedikut dhe të Aragonës me synimin për të bllokuar Ngushticat dhe një pikënisje, në stere, për të ndërmarrë një sulm vendimtar në drejtim të Adrianopojës. Një urë lidhëse tepër e rëndësishme midis Arbërisë dhe Hungarisë ishte Mbretëria e Napolit, shtet që nën udheheqjen e Alfonsit të Aragonës kish zhvilluar një politikë aktive antiosmane në rajonin e Europës Lindore. Mirëpo kjo politikë dhe ekspansion i Mbretërisë së Napolit në Europën Lindore zhvillohej në rivalitet me politikën dhe ekspansionin territorial që kishtë në këto territore Republika e Venedikut. Vetë konflikti me Venedikun që pati Skënderbeu në 1448 shikohej si një reflektim i këtij rivaliteti ku Princi arbër i zhgënjyer nga ndihma e deri atëhershme venedikase filloi të ndërtonte themelet e një politike të jashtme të lidhur ngushtë me Mbretërinë e Napolit. Ishte pikërisht ky konflikt qëvonoiSkënderbeun dhe fuqitë arbëre që komandonte të bashkoheshin me fuqitë e Huniadit në Fushë Kosovë. Pavarësisht faktit që në Traktatin e Paqes së nënëshkruar midis prijësve shqiptarë dhe Venedikut në 4 tetor 1448 sh kruhej se gjithashtu , mbasi kanë pleqëruar në mes tyre zotërinjtë e sipërshënuar të Shqipërisë dhe kanë vendosur që i sipërshenuari zoti Skënderbe të shkojë ai vetë me sa më shumë ushtri që të mundet për t’u bashkuar me zotin Janus(Janosh Huniadi) i përmenduri zotërim i Venedikut duhet të urdhrojë t’i jepen e ti dorëzohen të përmendurit Skënderbe, për llogari të shpërblimit të tij, brenda 15 ditëve një mijë e katërqind dukatë që do të zbriten nga shpërblimi i tij ,ushtria arbëre nuk arriti të ishte e pranishme në betejë. Një shkak tjetër i pranuar gjerësisht nga historianët ishtedhe neutraliteti i Despotit Serb George Brankovic (1377 –1456) që pengoi akoma më seriozisht që forcat arbëre të bashkoheshin me ato hungareze në Fushë-Kosovë. Arsyet e këtij qëndrimi të Despotit Serb ndaj fushatësantiosmane hungareze shtriheshin sa diplomatike po aq dhe fetare. Ai nuk i zinte besë plotësisht Hunyadit. Druhej se pas përpjekjeve për çlirim guvernatori i Hungarisë fshihte synimin për të nënshtruar popujt e Ballkanit. Frika e tij ushqehej edhe nga ndryshimi i besimeve. Pas koncilit të Firences në 1439 kur papa ti kishte manifestuar haptazi qëllimin për të përfituar prej vuajtjeve të popujve të Lindjes për ti kthyer ata në katolicizëm, serbët – popullsi ortodokse –shpesh shihnin te ndihma e ofruar nga një vend katolik një orvatje të fshehtë për ti kthyer në katolicizëm. Madje edhe në këngët popullore serbe rreth Janko Huniadit – të cilin ata e thërrasin Jank Sibiniani –ngandonjëherë ai na paraqitet si një kryqtar fanatik që rrihte të kthente me forcë në katolicizëm popujt e çliruar prej ushtrisë së tij. Fushata e vitit 1448 e ndihmoi luftën e popullit arbër, edhe pse nuk jemi në gjëndje të pohojmë ekzistimin e një aleancë formale. Aty nga fundi i pranverës së vitit 1448 i vendosur t’i jepte fund “rebelimit” të arbërve, sulltani e sulmoi Skënderbeun me një ushtri prej afro 100.000 vetash. Ai pushtoi disa lokalitete dhe rrethoi Krujën, qendrën kryesore të qëndresës por nuk mundi ta pushtonte. Lajmet e përgatitjeve të Hunyadit, por edhe arsye të tjera të mundshme, bënë që sulltani të vendoste ta ngrinte rrethimin e Krujës dhe gjatë muajit gusht të tërhiqej nga Arbëria .

Ushtria hungareze depërtoi në thellësi të mbretërisë serbe duke mos hasur forca osmane çka e dobësoi dhe vigjilencën e tyre. Më 28 shtator nisi marshimin në drejtim të jugut, nga vendi ku lumi Morava shkon e derdhet në Danub. Më pas zbriti në luginën e lumit Lab dhe në më pak se dy ditë arriti në Fushën e Mëllenjave. Kjo ka ndodhur më 14 ose 15 tetor 1448. Një gabim që beri Janko Huniadi gjatë marshimit për më shumë se 300 kilometra në territorin e armikut – pavarësisht nga përvoja e gjatë – ishte organizimi i keq i shërbimit informativ lidhur me lëvizjet e osmanëve.Mendohej që Janko Huniadi të takohej me Skënderbeun pa mbërritur te qafat që të nxirrnin në luginën e Vardarit, drejt Maqedonisë. Ai qëndroi në mënyrë që ushtria të pushtonte për pak ditë, në veri të Fushës së Mëllenjave, pranë Prishtinës. Mirëpo osmanët që ishin lajmëruar më parë nëpërmjet shërbimit të tyre të informimit kishin marrë masat për t’u prerë rrugën forcave hungareze në Fushë-Kosovë.

I përballur me shfaqjen e papritur të osmanëve, Janko Huniadi kishte dy rrugëdalje: ose tërhiqej drejt jugut, të përshpejtonte kësisoj bashkimin e forcave me Skënderbeun, ose t’u bënte ballë në vend, në pritje të ardhjes së arbërve, të cilët nuk mund të ndodheshin larg. Guvernatori e hodhi poshtë idenë e tërheqjes në drejtim të jugut. Një gjë e tillë kishte për të qenë demoralizuese për ushtarët kur ta shihnin veten të ndjekur nga armiku në një territor të panjohur për ta dhe në drejtim që i largonte edhe më nga vendi i tyre. Në të njëjtën kohë, kishte për të qënë e vështirë të shmangej një sulm i osmanëve me ushtrinë të rreshtuar në pozicion marshimi, duke krijuar një situatë që sillte humbje të sigurt. Kundrejt lumit Sitnica, në krahun e djathtë të ushtrisë osmane, ishin vendosur trupat e Anadollit, të komanduara nga bejlerbeu i ri, Sgur-pasha me origjinë arbërore. Beteja u zhvillua e ashpër, por hungarezët humbën, osmanët vranë shumë fisnikë hungarëzë gjatëtërheqjes dhe vet Huniadi ra rob te zotërimet e George Brankovic. Humbja ushtrisë hungareze në Fushë-Kosovë në 1448 i privoi forcat e koalicioneve antiosmane evropiane nga ofensiva e sulmit dhe dëbimit të otomanëve nga Ballkani dhe tashmë Huniadi do mbronte me sukses zotërimet hungareze ashtu si dhe Skënderbeu principatën e vet.

Vetëm në vitin 1455 pas shpalljes si Papë të Romës të Papa Kalistit III ideja e një kryqëzate të organizuar do të zinte vend sërish në mendimin dhe aksionin politik të vendeve evropiane, ku sërish do kryqëzoheshin fatet e rezistencës arbëre dhe hungareze. Ai ishte ideatori dhe organizuesi i ndërmarrjes së një kryqëzate, e cila u quajt “Liber Brevium Callisti III”. Kardinalët dhe predikuesit iu drejtuan turmave popullore, duke u bërë thirrje “të rrokin kryqin” për të luftuar armiqtë e besimit. Kontigjenti më i madh i kryqtarëve u mblodh në Gjermani, Bohemi dhe Hungari në sajë të predikimeve të fratit Xhiovani da Kapistrano. Rezultati i parë i kësaj mbështetjeje qe pjesëmarrja e këtij kontigjenti forcash në marrjen e Kështjellës së Beogradit nga ana e forcave hungareze, me në krye Janosh Huniadin më 6 gusht 1456. Më 6 gusht 1456, në të kremten e shpërfytyrimit të Krishtit, mbërriti në Romë lajmi se turqit qenë thyer në Beograd. Me këtë rast, papa organizoi festime falënderimi për ushtarët e kryqëzatës, sepse Beogradi ishte etapa e parë. Tashmë lipsej të marshonte drejt Konstandinopojës dhe Jeruzalemit. Mirëpo, pavarësisht kësaj ndërmarrje dhe angazhimi papnor për të mbledhur njerëz për Kryqëzatën duhet pranuar se dukej se mungonte në angazhimin e vet pothuajse e gjithë fisnikëria, që asaj kohe zotëronte gati përjashtimisht ndaj shtresave të tjera, profesionin e përdorimit të armëve; për shembull në betejën e Beogradit ku kryqëtarët luftuan trimërisht dhe fituan, nuk kishte mes tyre asnjë fisnik, por vetëm artizanë dhe fshatarë. Në këtë kontekst europian të përpjekjeve të papa Kalistit III për organizimin e një kryqëzate të sukseshme, Skënderbeu dhe Arbëria kishin pasur një interes maksimal për të pasur pjesë të rëndësishme në të. Skënderbeu pati pësuar disfatën e Beratit më 26 korrik 1455 dhe pati luhatje të pushtetit të tij pas tradhtive të nipërve të vet, Gjergj Stres Balshës, që kish dorëzuar kështjellën e Modricës më 1456 dhe Hamzait më 1457. Por pas fitores mbi ushtrinë osmane të udhëhequr nga Isak Bej Evrenozi, (gjenerali osman më me përvojë përsa u përket betejave me shqiptarët dhe i këshilluar ngushtë nga Hamza Kastrioti), në Betejën e Albulenës, Skënderbeu fitoi sërish mbështetjen e vazhdueshme të Papa Kalistit III dhe mbi të gjitha, vlerësimet pozitive në të gjitha oborret e Europës përmes korrespondencës të Papës me këto oborre për t’i tërhequr në politikën e tij antiosmane. Në planin teorik të kryqëzatës, Skënderbeu zinte një rol kryesor në rreshtimin e forcave: Arbëria dhe forcat e tij gjendeshin në linjën e parë. Për Shqipërinë u caktua si nunc për kryqëzatën, ipeshkëvi i Krajës, Pal Engjëll-Dushi, i cili do të vepronte në bashkëpunim me Skënderbeun, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Dalmaci dhe në Serbi, besojmë, ndoshta për të mbledhur në të parën ndihma për Shqipërinë, e në të dytën, për të mbështetur pozicionin e saj të lëkundur e kësisoj, drejtpërdrejt të rrezikshëm për Shqipërinë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu arriti ta mposhte pushtuesin me zotësinë e tij. Kështu shembulli i tij, nga motiv ndihmash, u shndërrua në motiv inkurajimi për princat e krishterë në luftën kundër osmanëve. Ky fakt duket qartë në letrën që papa Kalisti III i dërgonte mbretit të Hungarisë, Matia Korvinit: Falë fitoreve të tjera të arritura nga biri ynë i shtrenjtë, fisniku Skënderbe i Shqipërisë kundër turqve, forcat e armikut duhet të jenë ligështuar në maksimum . Në vijim Papa Kalisti III flet me superlativa për Skënderbeun, duke e quajtur atë kavalier trim dhe atlet i Zotit: Në Shqipëri, kavalieri dhe atleti i Zotit, Skënderbe, forca dhe qëndresa jote shpirtërore, që ti vë në veprim kundër turqve dhe lëngesat e vazhdueshme që ti duhet të përballosh… I falemi Zotit për vendin tënd, që të ka vendosur për të qëndruar si një pendë dhe një mur i fuqishëm, mbi të cilin turren duke u mundur shpesh, për të dhënë lavd e nderim të jashtëzakonshëm, armiqtë me të cilët lipset të përleshesh edhe trup me trup. Ah, sikur të kishim edhe të tjerë me vlerën tënde, mes princërve kristianë, për të mos qenë kaq të ankthshëm e kaq të shqetësuar për mbrojtjen e besimit tonë! Kjo korrespodencë inkurajuese i drejtohej Matias Korvinit për ta tërhequr në kryqëzatë, pasi menjëherë pas fitores së Beogradit, nga kufomat e shumta, si edhe nga mungesa e ushqimeve shpërtheu murtaja. Midis shumë të tjerëve kishte vdekur dhe Janosh Huniadi më 11 gusht 1456 çka e kishte komplikuar shumë fatin e kryqëzatës së porsafilluar. Lajmi i vdekjes së Huniadit tronditi gjithë botën evropiane të krishterë.Madje edhe njeriu që ai e kishte mundur, Mehmeti II, u prek nga vdekja e Huniadit duke thënë se qysh nga agimi i kohërave nuk kishte pasur ndonjë burrë që ti shërbente më mirë kauzës së tij. Trupi i heroit u soll në Transilvani dhe u varros në katedralen katolike në Alba Julia, ku dhe sot mund të shihet rrasa e bukur e vendosur mbi varrin e tij pas disa vitesh. Edhe pas vdekjes ai qëndroi në Transilvani, ku edhe ishte ngritur në majat e lavdisë prej përkushtrimit të njerëzve, të cilët i ranë pas dhe e ndoqën në betejat në të cilat Huniadi u priu me trimëri dhe zotësi të pashoqe. Pas vdekjes së Huniadit, djali i tij mbreti Mathias Corvini ndoqi një politikë të përqendruar më së tepërmi në zotërimet e tij sesa në mbështetje të koalicioneve evropiane antiosmane. Kjo ishte arsyeja që papa Kalisti III në subvencionet e mbledhura në Dalmaci urdhëroi të ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet mbretit të Hungarisë, mbretit të Bosnjës, si edhe Gjergj Kastriotit të Shqipërisë. Mbreti i Hungarisë, Matthias Corvinus (1458–1490) nga botëkuptimi i përkiste Rilindjes Europiane: Ai kishte një nga bibliotekat më të pasura në Europë që ia kalonte vetëm ajo e Vatikanit. Ai kishte arriturnjë administrim të përsosur të vendit dhe ishte përkrahës e mbrojtës i arteve të bukura. Gjatë kohës së tij, aleancat dhe vizitat e ndryshme të europianëve rritën interesimin për Europën në këto territore. Për fat të keq, pas vdekjes së Huniadit, qëndresa hungareze nuk do të jetë aq e fortë, sa pati qenë nën udhëheqjen e tij dhe pesha e veprimeve luftarake kundër osmanëve do të përqëndrohet në Arbëri e More, ku jeton një numër i madh popullsie arvanitase.

Mbreti i ri i Hungarisë Matthias Corvinus do të negociojë me Skënderbeun në 1459 nëpërmjet Vendedikut por gjithmonë me dëshirën për të përforcuar pozitat hungareze në Kroaci dhe Bosnjë pas shkatërrimit të Serbisë nga otomanët dhe humbjes së kontaktit të drejtë për së drejtë me territoret e Skënderbeut. Corvinus nuk gjendej në pozita të favorshme brenda Hungarisë dhe nuk dëshironte të ndërmerrte aksione luftarake jashtë mbretërisë së tij. Shpresat për një alencë të re me Skënderbeun u ringjallën nëvjeshtën e vitit 1464 kur pas përpjekjes së dështuar të otomanëve për të pushtuar Jajcen në Bosnjë, ai ndërmorri një ofensivë të re për të zgjeruar territoret e sundimit të tij në Bosnjë. Në fakt Republika e Venecias ishtë për të dytin vit radhazi në luftë me otomanët dhe në alenca formale me Hungarinë dhe për këtë arsye ata i kërkuan Corvinusit që nën shembullin e babait të vetë të bashkonte forcat me arbërit, të hapte frontin e dytë me otomanëtdhe të lehtësonte në këtë mënyrë venedikasit që ishin të anagazhuar me luftime me otomanët në More. Matthias Corvinus duket që të ketë kontaktuar sërish Skënderbeun me një propozim për një aksion ushtarak të përbashkët: qëllimin e të cilit është e vështirë për ta dyshuar. Si duket ka qenë lajmi i vdekjes së Papa Piut II në fillim të shtatorit që e bëri atë që ta braktiste planin e ofensivës së përbashkët me venedikasit dhe arbërit dhe të kufizohej në mbrojtjen e zotërimeve të tij në Bosnjën e veriut. Mattias Corvinus vazhdoi të ishte në kontakte diplomatike me Venedikun dhe Skënderbeun por tashmë ishte një realitet i njohur se qëllimi i tij ishte të përforconte pozitat e mbretërisë hungareze në Bosnje dhe Hercegovinë. Për këtë arsye është e vështirë të besohet se ai hyri në një marrëveshje alence me Skënderbeun në vjeshtën e vitit 1466 si përmendet në një burim historik nga mediavelisti Pall. Asnjë ndihmë efektive nuk iu dha Skënderbeut dhe në gusht 1466 ishte pothuajse një fakt i njohur në Itali se Mbreti i Hungarisë nuk do të kalojë lumenjtë Drava dhe Sava në fushatë kundër otomanëve në këtë vit. Pavarësisht se Mattias Corvinus e la Skënderbeun ashtu si dhe serbët dhe boshnjakët më parë në fatin e vet qëndresa arbëre do të vazhdojë deri në fund të shekullit XV, çka do të bëjë që inkursionet osmane drejt Italisë të mos jenë të sukseshme dhe në kujtesën kolektive shqiptare, kjo luftë do të hyjë si “Moti i madh”. Në vitet e Rilindjes Kombëtare, motivet historike, politike e kulturore të kësaj kohe do të bëhen motivet kryesore të zgjimit kombëtar dhe sëbashku me to edhe të idesë europiane mes shqiptarëve. Marrëdhënieve arbëre-hungareze do trajtohen në Këngën VIII të “Istorisë së Skënderbeut” (1898) të Naim Frashërit duke ngulitur në memorien kolektive të shqiptarëve themelet e një miqësie dhe aleance të ngushtë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Dorian Koci

Fotografia si komunikim historik dhe etnografik

July 6, 2023 by s p

Albert Vataj/

Ka kaluar një shekull qëkur, fotografia, po aq sa çdo dëshmim tjetër historishkrues, ka treguar më shumë se me zë, me figurë; se cilave vlera shpirtërore i përkasim, përmes çfarë thesaresh i tregojmë botës së qytetëruat, kulturën dhe klasin tonë, atë me të cilën jemi identifikuar dhe përfaqësohemi dinjitetshëm.

Trajtimi me ngjyra, siç qëllimisht e përcolla në këtë qasje, ardhur përmes aplikacioneve dhe programeve grafike të dizajnit, tregon një interes në rritje për t’i sjellë këto foto, shumë prej të cilave krejt të njohura, në një dimension të ri. Pak a shumë një ngulm për ta përcjellë realitetin grafik përmes ngjyrës, si element shumë i rëndësishëm i komunikimit etnografik.

Filed Under: Kulture

MË 9 GUSHT NË RUDINË TË NIKMARASHIT DO PËRKUJTOHET LUCË GJO’ MATI I TRIESHIT

July 6, 2023 by s p

Nga Gjekë Gjonlekaj/ New York/

Është detyrë njerëzore dhe kombëtare,nderimi,kujtimi dhe respekti për ata malësorë dhe malësore që vepruan e luftuan për të mirën e vendlindjes dhe kombit. Popujt e qytetëruar tanimë e kanë bërë traditë ndermin  e rasteve më të ndryshhme, duke thënë lutje dhe fjalime pranë varrezave dhe monumenteve ku ata pushojnë në përjetësi. Në përvjetoret e ndryshme ata vendosin kurorë lulesh dhe simbole kombëtare e fetare pranë varrezave ose bustave të atyre personaliteteve që e deshtën aq shumë vendlindjen e tyre në vecanti dhe kombin në përgjithësi.I tillë ishte Lucë Gjo’ Mati i Trieshit. Për këtë burrë të madh dhe shumë të nderuar kisha dëgjuar  qysh në fëmijërinë time të hershme.Dita e mortit më mirë me thënë dita e hatrit të Lucë Gjo’ Matitt ishte tepër e dhimbshme por më shumë se zakonisht sepse një burrë kaq i përmendur nuk kishte lënë djal dhe nga kjo anë hisja e tij ishte shkretëruar. Më kujtohen ato ditë bile edhe pas mortit triesh të parët e mi flisnin me shumë dashuri për këtë burrë të dalluar. Edhe gjëmëtarët e permendur sic kishin qënë Zef Tomë Hasuri, Nikollë Gali dhe Hilë Toma dhe shumë malësorë të tjerë  në gjëmët  e tyre epike kishin thënë shumë për këtë trim të përmendur të Trieshit. Zeri  i tyre kumbonte dhimbshëm deri në majat e maleve  të Vistarit, Sukës së Grudës dhe Kazhenikut. Natyrisht se ata e krahasonin Lucë Gjo’Matin me trimat më të njohur të Malësië. Një kapitull i vecantë i historisë se tij ishte udhëtimi shumë i  gjatë dhe shumë i rrezikshëm  për në ” Dheun e Përpjetjes” sic e quanin në atë kohë malësorët  Rafshin e Dukagjint. Në atë kohë një grup banditësh shqiptarë të atij Rrafshi kishin rrëmbyerë pranë një burri të moshaur një vajzë të vendlindjes së tyre. Një vepër e mbrapshtë si kjo ishte e papranushme në shoqërinë e Malësisë. Lucë Gjo’Mati e Mal Vuksani kishin rënë dakord që  së bashku do të shkojnë për të dënuar rrëmbyesin, Baram Bekën. Misioni i tyre kishte qënë shumë i rrezikshëm sepse do të kalonin nëpër male, fusha dhe pyje te panjohura. Kishte qënë rrugë  e gjatë 7 ditëshs. Për atë kohë kjo rrugë ishte tepër e vështirë sepse do të  kalonin malet pranë Bjeshkëve të Nemuna dhe ato lartësi të frikshme te Alpeve shqiptare. Është thënë e kënduar shumë për këtë ngjarje,Disa rapsodë të njohur në botën shqiptare kanë kënduar me shumë respekt e dashuri për Lucë Gjo’Matin dhe Mal Vuksanin, megjithatë në disa shënime kjo vepër është ekzagjeruar për shkak të lidhjeve familjare. Për njerun normal është e pabesueshme se nëna e Bajram Bekës i kishte shpëtuar pasi Luca e Mali kishin vrarë djalin e saj Bajram Bekeën. Për Luë Gjo’Matin nuk kishte nevojë të sajonin prralla për cfarë nuk kishte nevojë as për Mal Vuksanin.
Lucë Gj’ Mati ishte emër shumë i vecantë në Triesh dhe në Malësi, ngase ishte dalluar edhe në luftëra për lirinë e vendit. Këtë trimëri prej atdhetari e kishte treguar edhe në Luftën e Lemajës në tetor të vitit 1907. Për pjesëmarrjen e tj  në këtë Luftë shkruan Gjergj Nikprelaj  në një studim për Trieshin që ka mbetur në dorëshkrim. Gjergj Nikprelaj shkruan se Lucë Gjo’ Mati kishte marrë pjesë në Luftën e Lemajës. Kjo vepër shumë e mirë për të kaluarën e Trieshit nuk ka parë kurrë dritën e botimit. Të jetosh pothuajse një shekull sic ka jetuar Lucë Gjo’Mati ishte një sfidë e vërtetë. Të bësh një jetë aq të gjatë dhe kurrrë të mos cnjerëzohesh me asnjë malësorë tregonte më së miri se kush kishte qënë ky burrë i Trieshit. Lucë Gjo’ Mati kishte shërbyer për një kohë të gjatë si roja më besnike e Vojvodës së Trieshit, kapedan Marasha Markut. Pas shumë luftërash e tmerresh që kishte pësuar Trieshi, Marash Marku si vojvodë e kapedan kishte hyrë në shërbim të Malit të Zi, por me  kusht  që refugjatët trieshianë mund të ktheheshin në vendlindjen e tyre duke vazhduar traditën  dhe duke ruajtur gjuhën dhe fenë e të parëve pa  asnjë shtrëmbërim. Marash Marku ishte autoritet  shumë i nderuar në Triesh. Knjaz Nikolla i kishte dhënë shumë pushtet. Ai kishte edhe burgun në shtëpinë e tij për ata që bënin faje kundër njëri tjetërit. Sundimi i tij prej burri të fortë nuk solli asnjë të keqe në Triesh. Si roje personale Lucë Gjo Mati nuk ishte cnjerëzua  me asnjë trieshianë. Marash Marku nuk kërkonte kurrë vepra të dhunshme nga Luca, pavarësisht se ishte i armatosur e bëntë këtë me qëllim që të mos prishte imazhon e tij prej njeriu të ndershëm dhe atdhetar. Edhepse shërbeu për pothuajse dekada si roje personale  e armatosur e Marash Markuty Lucë Gjo’ Mati nuk prishi miqësinë me asnjë trieshian, duke mos sharë ose fyerë asnjë bashkëvendas të tij. Trieshianët shumë herë kërkonin që  Luca to mos ua lidhte duart që ishte procedurë e arrestimit por për të evituar këtë lloj turpërimi Luca kërkonte prej të akuzuarëve që t’i jepnin besën se nuk do të bënin përpjekje për arrati. Të pandehurit në rrugë e sipër për në Burgun e Marash Markut në Nikmarash arrinin marrëveshjen e pajtimit për teë mos iu nënshtruar denimit të Marsha Markut. Kjo kishte ndodhur mes dy burrave  nga Delajt. Katundi  Nikmarashi është mbase fshati më i përmendur i Trieshit kur është fjala për luftërat anti sërbo-malazeze. Për qëndresën e Nikmarashit është shkruar disa herë në revistat dhe gazetat e Shqipërisë sic është “Hylli i Dritës”.  Këtu kanë lindur shumë trima dhe trimëresha të cilët me pushkë e pëndë e mbojtën nderin dhe dinjitetine Trieshit dhe  kombit. Trieshianët  sipas Marash Markut betoheshin në armët e Skenderbeut dhe sundonin me  Kanunin e Lekë Dukagjinit. Për historinë e këtij vendi ku lirisht mund të përfëshihet edhe Lucë Gjo’ Mati mund të shkruen kapituj të shkëlqyeshëm të historisë së Malëssiëë së Madhe dhe shqiptarisë. Lucë Gjo’Mati ishte shumë i nderuar në kuvendet dhe takimet e Trieshit. Për këtë trim të përmendur dhe shumë të vecantë në oborrin e Kishës së Trieshit ruhej një gur i vecantë ku gjithëmonë do të ulej ky burrë fisnik Trieshit. 
Kohë më parë vëllazërit Vasel, Rrok dhe Nik Gjonaj kishin vendosur të nderojnë këtë emër shumë të njohur të fisit të tyre Gjonaj.Bile babai i tyre Vsel Marku në kohën e rinisë së tij kishte jetuar për një kohë të gjatë në shtëpinë e Luë Gjo’Matit. Natyrisht se ishte kujdesur për të si të kishte qënë djali i tij.Vëllazërit Gjonaj që jetojnë në Shtetete e Bashkuara në Neë York dhe Michigan vëndosën ta përkujtojnë në mënyrë bujare, duke ngritur një gur varri ku është gëdhëndur portreti i tij dhe një epitaf. Udhëtarët mund të ndalen dhe të shikojnë atë portret të  dhe lexojnnë  ato fjalë të bukura për këtë trim të  përmendur të Trieshit.Vlen për të shënuar se Lucë Gjo’Mati trashëgohet nga shumë nipa e stërnipa, mesa dhe stërmësa. Të gjithë këta janë nga dy bijat e tij të martuara në dy nga familjet e njohura të Lulgjurajëve të Grudës.Bile këtu në Neë York jeton  nipi i tijj Lekë Gjoku Lulgjuraj shumë i ndruar kë komunitetin tonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjeke Gjonlekaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT