• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

NJË ANALIZË MODESTE RRETH VRASJES SË KREUT TË GRUPIT WAGNER JEVGENI PRIGOZHIN

August 28, 2023 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Një nga ngjarjet për të cilën gjatë 48 orëve të fundit kanë folur të gjithë mediat kryesore të botës, është padyshim rrëzimi i avionit personal në të cilin udhëtonin drejtuesit kryesorë të grupit mercenar rus ‘Wagner’. Së bashku me Jevgeni Prigozhinin në aksident u vranë edhe drejtuesit e tjerë kryesorë Dmitri Utkin, Sergey Propustin, Valery Chekalov, Evgeniy Makaryan, Aleksander Totmin dhe Nikolay Matuseev.

Me këtë rast do të përpiqem të bëj një analizë modeste, por pa spekuluar dhe pretenduar se do të analizoj 100 për qind atë që ka ndodhur gjatë pasdites së datës 23 gusht 2023, pasi e vërteta e këtij atentati mund të kërkojë shumë kohë ose edhe mund të mos dalë në publik asnjëherë për shkak të nivelit të sofistikuar të ekzekutimit dhe personave të përfshirë në të.

Fillimisht mendoj se duhet të analizojmë llojin/metodën e sulmit që u përdor për të rrëzuar avionin e Prigozhinit.

Menjëherë lind pyetja se përse menyra e zgjedhur për ekzekutimin e Prigozhinit ishte kaq demostrative dhe spektakolare?

Përse lidershipi rus për hakmarrje nuk përdori metodat e vrasjes si në rastin e ish zv/kryeministrit rus Boris Nemtsov në vitin 2015, gazetares politike Anna Politkovskaya, vrasjes së biznesmenit rus në Britaninë e Madhe Boris Berezensky në vitin 2013, vrasjes në tentativë nëpërmjet helmimit te ish agjentit të GRU-së Sergei Skriptal në Britaninë e Madhe, ish oficerit të FSB-së Aleksander Livinenko në vitin 2006, drejtuesit të opozitës Aleksei Navalny në vitin 2020 dhe shumë personave të tjerë të cilët kanë kundërshtuar lidershipin korruptiv dhe autokrat të presidentit Putin?

Në gjykimin tij modest përgjigja është e thjeshtë. Këtë metodë vrasje personalisht e konsideroj si një veprim dhe vendim politik për të treguar përpara të gjithë botës forcën, në mënyrë që të dekurajojë të gjithë ata kundërshtarë të presidentit Putin të cilët mendojnë që në të ardhmen mund të tentojnë përsëri të sfidojnë autoritetin e tij.

Por kush ishte Yevgeni Prigozhin? Ai njihej nga të gjithë oligarkët në Kremlin si njeriu më i afërt i cili realizonte ‘punët e pista’ të Putinit kryesisht jashtë vendit në bashkëpunim me shërbimet sekrete, shërbimet e sigurisë, ambasadat ruse por gjithmonë në mënyrë të sofistikuar, fshehtas dhe pa përdorur uniformat dhe kredencialet diplomatike ruse.

Gjatë kësaj periudhe (1992-2022) Prigozhini nuk përbënte kërcënim për presidentit Putin. Por konflikti filloi të shfaqej dhe të eskalonte fillimisht me gjeneralin Valery Gerasimov dhe më pas u intensifikua më tej pas dështimit për t’i mbushur mendjen Putinit për të shkarkuar Ministrin e Mbrojtjes Sergey Shoigu dhe për ta zëvendësuar atë me mikun e tij të ngushtë gjeneral Sergei Sorovikinin. Me kalimin e kohës, deklaratat e përditshme kundër lidershipit ushtarak filluan të dalin jashtë kontrollit dhe sharjet e Prigozhinit filluan të konceptoheshin edhe si deklarata drejtëpërdrejtë kundër Putinit.

Kjo situatë doli jashtë kontrollit në mbrëmjen e datës 23 dhe 24 qershor kur një konvojë e përbërë nga 5000 luftëtarë të Wagnerit nën drejtimin e Prigozhinit morën fillimisht kontrollin e Komandës Ushtarake Jugore në Rostov mbi Don, rrëzuan një avion rus komandim-kontrolli së bashku me 6 helikopterë ushtarakë duke shkaktuar vdekjen e 30 pilotëve ushtarakë rusë, për të cilën asnjëherë nuk kam besuar se Putini do ta falte.

Të gjitha këto veprime shkaktuan frikë dhe pasiguri përfshirë edhe vetë Putinin, pasi prej 23 vitesh në pushtet askush nuk kishte guxuar të sfidonte dhe diskretitonte përpara gjithë botës autoritetin e tij. Pikërisht me këto veprime Prigozhini kishte shkeluar atë për të cilën Putini publikisht ka deklaruar se nuk ia falte askujt ‘Tradhtinë’.

Ky grusht shteti shfaqi përpara botës një kriste të madhe të qeverisjes dhe legjitimitetit të Putinit në Federatën Ruse. Mbështetja e madhe popullore e shfaqur për Prigozhinin nga populli në rrugët e Rostov mbi Don-it pas dështimit të këtij grushti shteti në tentativë, i ka dalë në ëndërr çdo natë Putinit deri ditën e pardjeshme.

Por të gjithë pyesnin se përse Putini veproi pas dy muajve dhe jo më pare?

Putini është një mjeshtër i gjeopolitikës, ai me ndërmjetësimin e Lukashenkos i dha mundësi Prigozhinit të jetonte në azil në Bjellorusi me kushtin që të mos shkelte në Rusi. Por Prigozhini duke menduar se kishte imunitetin e së kaluarës u shfaq në disa raste në Shën Petërsburg përfshirë edhe sfidën që i bëri së fundi Putinit duke takuar drejtuesit e vendeve Afrikane gjatë Samitit Rusi-Afrikë në Shën Petërsburg duke postuar edhe në media këto takime.

Por lind pyetje se përse Putini nuk e vrau Prigozhinin më parë?

Putini si një ish agjent i vjetër zbatoi atë që ka mësuar në shkollën e sigurimit të KGB-së se: “Një nga ‘teknologjitë’ e hakmarrjes është që ta afrosh kundërshtarin edhe në afër përpara se ta vrasësh”.

Menjëherë pas tentativës Putini ishte i dobësuar, por fillimisht urdhëroi shkatërrimin financiar dhe diskretitimin publik të Wagnerit nëpërmjet konfiskimit të zyrave, mjeteve financiare në shtëpinë e tij, etj.

Në gjykimin tim, në rast se Prigozhini do të kishte mbyllur gojën dhe nuk do të kishte mbajtur një profil aq të lartë edhe mund të kishte jetuar. Në rast se do të ndalonte aktivitetin dhe do të urdhëronte që njerëzit e tij t’i bashkoheshin ushtrisë ruse edhe mund të ishte helmuar, por ambiciet e tij ‘Wagneriane’ kontribuan në një përfundim ‘Wagnerian’ për jetën e tij.

Por cilat janë konseguencat e vrasjes së Prigozhinit në të ardhmen e afërt?

Së pari, kjo nuk është një përplasje personalitetesh por një manifestim i problemeve të thella që janë akumuluar në Kremlin dhe në mesin e elitës së Rusisë për mënyrën se si të ekzekutojnë këtë konflikt të armatosur. Putini është në presion të madh prej disa kohësh. Një pjesë e elitës ruse kërkon ngrirjen e konfliktit deri në zgjedhjet e vitit tjetër në SHBA, një pjesë tjetër kërkon shkarkimin e ministrit të mbrojtjes Shoigu dhe të Shefit të Shtabit të Përgjthshëm Valery Gerasimov, ndërkohë një pjesë tjetër kërkon eskalimin e konfliktit dhe përdorimin më masiv të forcave ajrore, raketore dhe tokësore dhe për rrjedhojë përfundimin e konfliktit.

Së dyti, vrasja e Progozhinit sipas analistëve mendohet se do ta stabilizojë edhe më tej pushtetin e Putinit. Personalisht mendoj të kundërtën, pasi sa më shumë të zgjasë ky konflikt aq më pak i stabilizuar do të jetë Kremlini zyrtar dhe vetë Putini.

Së treti, vrasja e Prigozhinit mund të konsiderohet si një fazë e luftës e cila gjithmonë e më shumë po transferohet nga frontet lindore dhe jugore të Ukrainës në territorin e Federatës Ruse.

Së katërti, vrasja e Prigozhinit është padyshim një fitore e përkohshme e ministrit Sergei Shoigu dhe e gjeneralit Valeri Gerasimovit për arsye se kundështari i tyre më i egër që i ka diskretituar në publik dhe përpara ushtrisë ruse tashmë është ekzekutuar.

Së pesti, lind pyetja se a do ta shkrijë presidenti Putin ‘Grupin Wagner’ ndërkohë që ai poseidon kapacitete të mëdha luftarake, në fushën e luftës kibernetike, kapacitete të cilat ekzistojnë për shkak të mbështetjes që ky grup merrte drejtëpërdrejtë nga GRU-ja dhe MM? Në gjykimin tim presidenti Putin nuk do ta shkrijë ‘Grupin Wagner’, për arsye ky grup ka zbatuar dhe ekzekutuar me sukses misione të ndryshme luftarake, të luftës informative, stërvitjes së ushtrive të ndryshme në Afrikë, shërbimeve të mbrojtjes, të ruajtjes së bazave ose ndërtesave qeveritare, etj duke rritur influencën ruse sidomos në rajonin e Sahelit (Mali, Burkina Faso, RQA, Sudan) në Siri, Libi, Ukrainë por edhe më gjerë. Pra thënë ndryshe, ‘Grupi Wagner’ ka qënë një zgjatim ose instrument force i politikës së jashtme të Federatës Ruse, por vetëkuptohet në mënyrë të fshehtë dhe i padeklaruar me qëllim rritjen e projektimit të fuqisë ose influencës politike me njësi të armatosura.

Së gjashti, qeverisja e Putinit do të vazhdojë të dështojë që të zgjidhë problemet e saj në rrugë demokratike, por fatkeqësisht do të vazhdojë të përdorë mjetet jodemokratike përfshirë edhe vrasjet për t’i mbyllur gojën kujto që do të guxojë të kërkojë llogari ose të sfidojë vendimmarrjen e tij të gabuar për pushtimin e paprecedentë dhe të paligjshëm të Ukrainës dhe për rrjedhojë vrasjen e dhjetëra mijëra ushtarëve dhe civilëve nga të dy kampet.

Së fundi, strategjia e Federatës Ruse nëpërmjet përdorimit të kompanive private ushtarake si ‘Grupi Wagner’ është implementuar me qëllim që të ulë fuqinë dhe autoritetin e SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe të rrisë influencën e Moskës në kontinentin Afrikan dhe më gjerë, duke përdorur forca me profil të ulët, të afta të sigurojnë për drejtuesit e korruptuar në këtë rajon siguri fizike, stërvitje ushtarake, këshillim dhe asistencë ushtarake. Nga viti 2015 deri në vitin 2022, përdorimi i ‘Grupit Wagner’ jashtë Federatës Ruse është rritur 7 fish sa i përket numrit të vendeve ku operon, pasi në vitin 2015 kjo kompani operonte në katër vende në vitin 2022 ajo operon në 27 vende. Kompanitë private ushtarake ruse, kanë qënë aktive në vendet e Afrikës si: Republika Qëndrore e Afrikës, Mali, Burkina Faso, Sudan por edhe në Irak, Libi, Siri, Venezuelë, Ukrainë, etj.

Dr. Dritan Demiraj është autor i librave: “Gjeopolitika e Federatës Ruse, Politika e Jashtme dhe Rendi i Ri Botëror”, “Strategjia ushtarake e Federatës Ruse, Forcat e Armatosura dhe Fuqia Luftarake” dhe “Shërbimet Sekrete në Federatën Ruse, Struktura, Misionet, Taktikat, Metodat dhe Kapacitetet e tyre”, libra të cilat botohen për herë të parë në rajon dhe më gjerë.

Më poshtë një intervistë dhënë dje për këtë temë në TV ‘News 24’. Shikim të këndshëm për të gjithë ata që kanë interes rreth kësaj teme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dritan demiraj

NË SHKUP DHE NË PRISHTINË FILLOI MANIFESTIMI KULTUROR-SHKENCOR “DRITA E GONXHES”

August 26, 2023 by s p

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup/

“Nënë Tereza me qasjen e butë, paqësore e mirëkuptuese u bë udhërrëyfyese e porosive hyjnore ndaj njerëzimit. Sot kur kujtojmë 113 vjetorin e lindjes dhe 26 vjetorin e vdekjes së Nënës Tereze, kemi shumë nevojë për fuqinë magjike të këtij udhërrëfimi, sepse trazirat në botë ndodhin më së tepërmi kur prishen balancet në mes të hyjnores dhe tokësores”, nënvizoi Asani

Shkup, Prishtinë, 26 gusht 2023 – Sot në Shkup dhe në Prishtinë filloi edicini i tretë i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, në 113 vjetorin e lindjes dhe në 26 vjetorin e vdekjes së Nënëls Tereze. Ky manifestim organizohet nga ITSHKSH në bashkëpunim me revistën “Drita”, “Universitetin e Prizrenit”, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Agjensinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Institutin e Historisë “Ali Hadri” dhe në përkujdesje të zv.kryeministrit të parë të RMV, Artan Grubi.

Ky manifestim i dedikohet kryekëput veprimtarisë jetësore të Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Tereze, një objektiv ky edhe i Deprtamentit me të njejtin emër në ITSHKSH dhe do të përfshijë një gamë aktivitertesh që do të zhvillohen në Shkup, në Prishtinë, Prizren, Tiranë dhe në SHBA. Për të artikuluar më drejtë preokupimet dhe synimet e këtij manifestimi, për të dytin vit me radhë botohet edhe revista “DRITA E GONXHES”, e cila është edhe një pasqyrë autentike e të gjitha zhvillimeve dhe përmbajtjeve tematike që lidhen me jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Tereze, duke artikuluar kështu nevojën e przantimit të kësaj figure planetare në një dimension më të strukturuar në aspektin e qasjes dhe problematizimit të temave dhe ideve që lidhen me të. Në kuadër të këtij manifestimi do të ketë edhe një ekspozitë me fotografi që shënojnë rrugëtimin tonë në shënimin e datave dhe ngjarjeve që ndërlidhen me jetën dhe veprën e Nënës Tereze.

Drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, në fjalën e tij të rastit tha sot na ka bërë bashkë emri dhe lavdia planetare e një gruaje, e cila rrugën e shenjtërimit e filloi nga vendlindja e saj, nga Shkupi ynë. Ajo këtë rrugë e nisi si Gonxhe dhe e përfundoi si Shën Nëna Tereze dhe gjithë këtë hark jetësor ajo e mbushi me dashuri, ngrohtësi, përkujdesje ndaj të vetmuarve, të sëmurve, të pastrehëve.

“Ajo, me qasjen e butë, paqësore e mirëkuptuese u bë udhërrëyfyese e porosive hyjnore ndaj njerëzimit. Sot kur kujtojmë 113 vjetorin e lindjes dhe 26 vjetorin e vdekjes së Nënës Tereze, kemi shumë nevojë për fuqinë magjike të këtij udhërrëfimi, sepse trazirat në botë ndodhin më së tepërmi kur prishen balancet në mes të hyjnores dhe tokësores”, nënvizoi Asani.

Drejtimi i një institucioni shtetëror, siç është ITSHKSH nuk është një ishull i izoluar, por është ndërveprim i kombinuar në mes të sensit menaxherial dhe mbështetjes institucionale. Edhe ky manifestim që po e fillon sot në Shkup, mban vulën e këtij ndërveprimi falë edhe mirëkuptimit dhe përkujdesjes së zv. Kryeminstrit të parë në Qeverinë e RMV, z. Artan Grubi.

“Në këtë vend që ne e shënuam si vendi i shtëpisë së lindjes së Nënës Terezë, duheshte të ndërtohet një godinë e cila përfundimisht do t’i kishte ç’rrënjosur të gjitha rrënjët e kujtesës mbi figurën e Nënës Terezë dhe trashigimisë së saj. Por ja që ngjadhnjeu e kundërta, ngadhnjeu paqja, ngjadhnjeu drejtësia, dhe ne që ishim nga ana tjetër dhe po luftonim padrejtësinë institucionale, jemi sot në dy institucione duke promovuar drejtësinë tonë dhe drejtësinë botërore të cilën e përfaqëson vlera e veprës së Nënë Terezës. E sot, ajo për të cilën foli dhe Skënderi ma përkujtoi se ajo betejë nuk përfundon asnjëherë, po e shohim edhe sot për më tepër se një dekadë nga rrënimi i atyre gardheve të metalta nga ky vend ku jemi, po vazhdon tendenca e krijimit të politikave mono-etnike, mono-kulturore, mono-religjioze, për të udhëhequr shtetin dhe për të krijuar ndasi midis komuniteteve, midis vlerave të cilët përfaqësojnë, por ja që për fat të mirë nuk gjejnë përkrahje as në komunitetin ndërkombëtar as dhe tek shumica e qytetarëve në vendin tonë dhe është e destinuar që të dështoj”, vuri në dukje Grubi.

Ditën e sotme, karvani i manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, vazhdoi rrugëtimin për në Prishtinë, ku i pranishëm ishte edhe Kryseministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili pasi paraqiti një kronologji të jetës dhe veprës së Nënës Tereze tha se 26 gushti i sivjemë na ka bashkuar sot në qendër të Prishtinës dhe na ka mbledhur këtu në sheshin “Nënë Tereza”, për më tepër pranë shtatores së Nënë Terezes, për të hapur aktivitetet në Kosovë të manifestimit kulturor dhe shkencor “Drita e Gonxhes”.

“Në të gjallë, atë e nderoi pothuajse e gjithë bota. Më 1979 ajo u laureua me Çmimin “Nobel” për Paqe, kurse më 1985, Presidenti amerikan Ronald Regan i dha asaj Medaljen Presidenciale të Lirisë, përveç shumë diplomash e titujsh nderi që iu dhanë nga shumë vende të botës anembanë. Në kohë aq të vështira, ajo arriti të gjente mundësitë për të vizituar Kosovën dhe Shqipërinë, tokën e saj të lindjes dhe të të parëve të saj. Pas vdekjes, ajo u shenjtërua nga Kisha Katolike Romane dhe kështu Tereza e Kalutës u bë Shën Tereza. Gonxhja e kishte ruajtur shqipen e saj të fëmijërisë, që mbase ishte gjuha e lutjeve të saj më personale dhe më të thella drejtuar Zotit. Shembulli që japim me veprën dhe jetën tonë çdo ditë secili prej nesh për gjithë të tjerët. Personi Anjeze Gonxhe Bojaxhiu vdiq 87 vjeçare, më 5 shtator 1997, por figura e Nënë Terezës si Tereza e Kalkutës dhe si Shën Tereza, vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën, teksa fjalët e saj tashmë janë kthyer në postulate të sjelljes së shpirtrave njerëzorë mes tyre”, tha Kryeministri Kurti.

Duke uruar që aktivitetet e këtij manifestimi të shkojnë mirë dhe mbarë si këtu në Prishtinë, ashtu edhe në Shkup e në Tiranë, shpresoj që “Drita e Gonxhes” të përhapë dritë nga shembulli që Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza dha me jetën e saj për njerëzoren e secilit ndër ne.

Si një shtëpi e hapur për vlera dhe ide, ITSHKSH i ka shfrytëzuar të gjitha favoret që sjell bashkëpunimi me Ipeshkvinë Prishtinë-Prizren. Por, ky bashkëpunim ka qenë mjaft i suksesshëm në saje të miqësisë dhe mirëkuptimit që ITSHKSH ka patur me mon sinjor Don Lush Gjergjin. Ai me këtë rast foli për vlerat universale të shembëlltyrës së Nënës Tereze dhe nderimin që duhet t’ia bëjmë në vazhdimësi kësaj figure, duke vazhduar rrugëtimin e saj me vepra që do të ishin gjithmonë në shërbim të progresit njerëzor.

Bashkëpunimi i ITSHKSH me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka shprehur gjithmonë synimin për të krijuar një strategji të përbashkët veprimi në fushat e albanololgjisë. Pjesë e këtij bashkëpunimi ishte edhe pjesëmarrja e drejtoreshës së këtij Instituti, Teuta Shala e cila tha se sot këtu në Prishtinë, po kujtojmë një figurë madhore të historisë sonë, për më tepër në fushën e humanizmit dhe bamirësisë Nënë Tereza është një nga figurat më të rëndësishme, jo vetëm shqiptare, por edhe të botës, këtë e dëshmojnë veprat e pafundme të bamirësisë e të humanizmit për të cilat u nderua me çmimet dhe nderimet më të larta duke përfshirë edhe Çmimin Nobel për paqe më 1979. “Figura e Nënë Terezës u bë edhe më madhështore pas shkuarjes në amshim kur u shpall shenjtore.Në fund, dua të përgëzoj organizatorët e këtij eventi të rëndësishëm kulturor-shkencor. Një falënderim të veçantë kam për drejtorin Skender Asani, të cilin e falënderoj për bashkëpunimin ndërmjet dy Instituteve atij të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptuarve në Shkup dhe Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, bashkëpunim ky i cili po thellohet gjithnjë e më shumë me organizimin e aktivitetet të përbashkëta shkencore”, nënvizoi Teuta Shala.

Dita e sotme e manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” përfundoi me Akademinë solemne në Qendrën “BogdaniPolis” – Katedralja “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë dhe me promovimi e nr. 2 të revistës “DRITA E GONXHES”, botim i ITSHKSH.

Në fund të manifestimit, drejtori Asani i dhuroi Kryeministrit Kurti disa tituj librash të botuar nga ITSHKSH.

Filed Under: Reportazh

Mullixhiu, i biri dhe gomari

August 26, 2023 by s p

Fabul nga Ezopi – E shqiperuar

Naum Prifti

Një ditë të nxehtë mullixhiu dhe i biri e morën gomarin ta shpinin në
pazar për ta shitur. S’kishin bërë shumë rrugë kur rastisin tek
një grup me vajza që po llafoseshin dhe qeshnin:

– Shiko këta,- tha njëra prej vajzave duke i treguar me gisht – “sa pa mend duken kur shkojnë rrugës në këmbë në vend që të shkojnë kaluar.”


Kësisoj mullixhiu hypi djalin mbi gomar dhe vetë vazhdoi udhën në krah
të tyre.

Nuk kaloi shumë kur arritën te një grup fshatarësh që kishin
hyrë në diskutim serioz mes tyre. Njëri nga burrat, kur i pa të kalonin pari, doli para të
tjerëve dhe thërriti:

-Shihni, kjo provon atë që thashë më parë. Nuk ka më respekt për moshën e vjetër. E shihni sesi djali dembel është ulur vetë mbi gomar ndërsa babai ecën në këmbë.

-Zbrit more djalë dhe lëre babanë plak t’i çlodh pak këmbët.

Me të dëgjuar këto fjalë qortuese, mullixhiu i tha të birit të zbriste dhe hypi vetë mbi gomar.

Kështu bënë një copë rrugë, djali në këmbë dhe mullixhiu kaluar, derisa arritën pranë një grupi me gra dhe fëmijë.

-Pse ti plak njeri, – i bërtiti një grua, -je ulur mbi gomar dhe ky vocërrak mezi hedh hapat pas gomarit.”

Mullixhiu u mendua pak për ato që tha gruaja. E mori djalin dhe të dy u ulën mbi gomar. Ndërsa po i afroheshin qytetit, një fshatar u tërheq vërejte:

-Sa keq! Ky  me siguri nuk është gomari juaj, – i qortoi fshatari.

Mullixhiu e siguroi se ishte i tij.

– Nuk mund ta besoja se është kafsha juaj kështu si e keni ngarkuar,- ia ktheu tjetri. Asnjë nga ju nuk duket i ligësht. Në fakt ju të dy jeni aq të fortë sa më mirë ta mbartni ju gomarin se sa gomari t’u mbartë ju. 

Atëherë mullixhiu dhe djali zbritën nga gomari. Ia lidhën këmbët me një copë litar dhe e vunë në një trung, të cilin e hodhën mbi shpatulla si vig. Të tre tani iu afruan urës për në qytet. Banorët aty pari që nuk kishin parë diçka të tillë nisën të qeshnin me të madhe. Shamata e trembi gomarin aq sa nga frika filloi të hidhte shqelma. Litari që kishte të lidhur tek këmbët u këput dhe gomari ra nga ura në lumë.

Mullixhiu dhe djali u kthyen mbrapsht duarthatë sepse “Ai që dëshiron t’i kënaqë të gjithë, nuk arrin të kënaqë asnjë!”…

Filed Under: ESSE Tagged With: Naum Prifti

“Në kërkim të origjinës së valleve e kangëve Shkodrane”

August 26, 2023 by s p

Akademik Vasil S. Tole/

Libri “Në kërkim të origjinës së valleve e kangëve Shkodrane” është kontributi më i ri etnomuzikologjik në hapësirën mbarëshqiptare me autor prof. Robert Prendushi, botim i BERK, i cili, si i tillë meriton gjithë vëmendjen e duhur për shkak të rëndësisë që paraqet për studimet tona.
Sfida studimore që autori i ka vënë vetes është nga më të vështirat syresh, kjo pasi tema të tilla që synojnë rrënjët e muzikës (që në këtë rast lidhet me vallen dhe këngën shkodrane), janë përballje sfiduese, të cilat kërkojnë më së pari, kapacitet intelektual, formim të thelluar muzikologjik dhe etnomuzikologjik, njohje shteruese të trashëgimisë studimore pararendëse, e sigurisht kompetencë profesionale të aspekteve praktike e jetësore të lëndës që trajtohet, atë që në gjuhë teknike quhet “terreni etnomuzikologjik”, pra jetën e gjallë të kësaj tradite sot në Shkodër.
Nga leximi i librit, qartazi shihet se prof. Prendushi është autori i duhur për një sfidë të tillë, e cila prej së paku 100 vitesh ka preokupuar studiuesit e muzikës dhe etnomuzikës, kryesisht shkodranë e jo vetëm, autorë me peshë kombëtare si Gjon Kujxhia, Kolë Gurashi, Ramadan Sokoli, Tonin Zadeja e Tonin Daija, Eno Koço e deri tek më i riu syresh Edmir Ballgjati.
Dihet që prej qytetërimit shkodran, e posaçërisht muzikës qytetare të lidhur me të, na vijnë dëshmitë më të hershme në rang kombëtar, si ato të lidhura me muzikën urbane e po ashtu edhe me format e para të muzikës së kultivuar si me koret, bandat e formacione të tjera muzikore që Shkodra i ka me shumicë.
Interesi studimor i prof. Prendushit lidhet kryesisht me faktin se si ka qenë muzika qytetare në periudhën paraosmane, pra përpara shek. XV, të cilën ai me të drejte, jo më kot e gjen tek vallet e kënduara (që quhen ndryshe edhe “shtregullat”), e mëpastaj edhe tek këngët e tjera shkodrane, të cilat sot njihen me emrin “ahengu shkodran”. Dhe jo vetëm këto, por edhe trashëgimia muzikore e malësisë shkodrane e koncentruar tek “gjama malësore” apo këngët rituale të “buzmit bujar”.
Në këtë aspekt ai është pasues i Gjon Kujxhisë, etnomuzikologut të ri e shumë premtues, jeta e të cilit u pre në mes nga bombardimet aleate në Italinë e vitit 1943, vend ku ai kishte shkuar për studime në fushë të etnomuzikës.
Pikërisht Kujxhisë dhe librit të tij “Valle Kombëtare” i botuar në.vitet 1940, prof. Prendushi i referohet si pikënisje e rrugëtimit të tij për kërkimin e origjinës së valleve e këngëve shkodrane. Kryesisht tek vallet e kënduara shkodrane (valle të kënduara nga gratë e nga burrat, shenjë e mjaftueshme kjo e një qytetërimi evropian në muzikë).
Kujxhia dhe më pas Prendushi, si askush tjetër shohin tek to ato elemente të veçanta që mbijetuan edhe pas pushtimit osman, elemente që shfaqen në formën e melodive të thjeshta me 4-5 nota, përdorime shkallësh modale tetra e pentakordale, pa kromatikë, ashtu siç ndërtoheshin shkallët në antikitet, preferencë për metra ritmike dy dhe tri pjestues e kombinime të përzjera prej tyre, kadencime tipike me përdorime intervalesh të ngushta e nota nëntonike, e veçanërisht këndimi i shkëmbyer i grupeve të grave e të burrave në kuintë etj.
Të gjitha këto tipare identitare, sipas prof. Prendushit u ruajtën me dashuri nga qytetarët shkodranë të cilët u detyruan të linin Shkodrën pas raprezaljeve osmane dhe që pas shumë vitesh i risollën mbrapsht në qytet, duke zbritur nga lartësitë e malësive ku ishin strehuar, apo nga qytetet fqinje europiane që nuk u pushtuan prej osmanëve, së bashku me emrat dhe pronat e disa familjeve qytetare shkodrane, ndër më të njohurat edhe sot e kësaj dite. Një mirënjohje shkon për ta!
Nga rreth 400 njësi muzikore që janë dokumentuar nga muzika popullore shkodrane, interesi studimor i Prendushit të çon tek kjo kategori krijimesh muzikore para osmane, të cilat janë vërtet të pakta në numur, por që përfaqësojnë uniken, më thelbësoren e kësaj trashëgimie: rrënjët e saj arbërore!
Shembuj të shumtë muzikorë për të vërtetuar ekzistencën e kësaj trashëgimie janë sjellë në libër me transkriptime muzikore dhe me linkun përkatës audio, me foto e shënime të shumta, falë edhe kujdesit të prof. Lorenc Radovanit, përgatitësit për botim të librit.
Është po kjo trashëgimi identifikuese e cila i dha tharm kombëtar edhe krijimeve muzikore të kultivuara që u mbështetën mbi të, prej atyre të kompozitorëve Palok Kurti, Frano Ndoja, Lec Kurti, At. Martin Gjokës, Dom
Mikel Koliqi, Prenk Jakova e deri tek temat e filmit epik SKËNDERBEU-1953 e ato të simfonisë së parë shqiptare të Çesk Zadejës-1956.
Pjesa tjetër e ahengut shkodran që është gjithashtu me vlerë, mbart krijime të shtresuara në të prej periudhës osmane, prej fqinjëve si dhe shumë krijime të reja me autor, të njohur sot tej e mbanë si mjeshtra të ahengut shkodran, prej shek. XVIII e deri më sot etj.
Këto rradhë janë thjesht një ftesë e hapur për lexim për këtë libër kaq të veçantë që i kushtohet muzikës qytetare shkodrane, e shpallur nga Ministria e Kulturës si pjesë e “Listës Kombëtare të Kryeveprave Shpirtërore Kombëtare”, dhe që me të drejtë prof. Prendushi tërheq vëmendjen e institucioneve përkatëse që të shihet mundësia që kjo trashëgimi unike të bëhet pjesë e Listës Përfaqësuese të Dukurive Jomateriale që mbrohen nga UNESCO.
Një paraqitje më të plotë të vlerave dhe çështjeve që risjell për debat shkencor ky libër, do ta bëjmë në një shkrim që do të publikohet në revista shkencore të fushës.
Urimet më të përzemërta i nderuar dhe i dashur prof. Robert Prendushi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Akademik Vasil S. Tole

Na birtë e shekullit e Ri/ që plakun e lame në shejtninë e tij…Migjeni i pashmangshëm si në çdo përvjetor të tij…

August 26, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Nga ana estetike, Migjeni përfaqëson një uragan të vërtetë, që vjen bashkëkohës me shkrimtarë të tjerë në botë, por krijimtaria e tij është dhe shumë e veçantë për realitetin e vjetër, provincial e arkaik shqiptar.

Përpara se Migjeni të debutonte në letërsinë shqipe, poezia shqipe në vetvete vuante nga patriotizmi folklorik (i pashmangshëm në fillimet e letërsisë shqipe të Rilindjes, por që tashmë ishte kthyer në një eter asfiksues) që përfaqësohej nga uniformiteti i vargut 8-rrokësh popullor. Rimat e detyruara, fjalët e mbushura me origjinë nga gjuhët osmane dhe greke përfaqësonin në dukje një rregull që nuk ekzistonte në botën shqiptare, një tip bejtezimi që kishte betonizuar fjalën shqip në kërkim të motiveve klasike, derisa shfaqet Migjeni që me vargun e tij të lirë tregon dhe dëshmon kaosin e botës shqiptare.

Migjeni me instinktin e një poeti të ri, e kupton se koha e klasicizmit të trashëguar nga letërsitë e mëdha pjesë të kurrikulave ku ishin formuar të gjithë ata që merreshin me poezinë shqipe ka kaluar dhe se fjala shqip kërkon ritme dhe tonalitete të tjera për të përfaqësuar më mirë botën e brendshme të njeriut shqiptar që nga sistemi i mileteve të Perandorisë Otomane po dilte në dritën e individualizmit dhe përsosjes së vet morale.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT