Në një intervistë me revistën spanjolle, “Vida Nueva”, me rastin e 65-vjetorit të saj, Papa Françesku foli për vizitat e tija të planifikuara n; vende të ndryshme, duke përmendur udhëtimet e ardhëshme që ka në plan të bëjë në Kosovë, në Argjentinë dhe Uruguaj, si vizita në përgatitje e sipër. Pyetjes: “Keni ndonjë udhëtim të planifikuar përtej atyre të shpallura zyrtarisht? Papa Françesku është përgjigjur:“Jemi duke punuar për (një vizitë) në Kosovë, por nuk është definuar”, ka thënë Udhëheqsi i Kishës Katolike, sipas një njoftimi të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Kjo do të ishte vizita e parë në histori që bënë Papa në Kosovë.
Duke marrë parasysh rëndësinë historike që një vizitë e tillë ka për Kosovën, për Vatikanin dhe për Kombin shqiptar në përgjithësi, nuk besoj se Papa Françesku e bëri këtë njoftim si të thuash në një “vacuum” ose në një hapësirë boshllëku. Jo, jo, unë besoj se duke ditur rëndësinë historike dhe duke pasur në mend gjëndjen aktuale, veçanërisht, në Ballkanin Perëndimor por edhe në Evropë në përgjithësi, përgatitjet kanë filluar me kohë dhe në hollësi, për një vizitë të tillë të Papës në Kosovë – Dardaninë e vjetër.
Disa të dhëna informative janë me vend për lexuesin – të dhëna që i paraparijnë dhe janë të nevojshëm për të venë në kontekstin e duhur edhe njoftimin e javës që kaloi nga Papa Françeskut për vizitën e tij në Kosovë, për të cilën ai njoftoi nga Portogalia se ka në plan të bëjë në Republikën e Kosovës. Më shumë nga një shkrim modest i imi botuar në Maj të vitit 2019, me titull: Vatikani dhe Kosova Dardane:
Frank Shkreli/ Vatikani dhe Kosova dardane
Marrëdhëniet midis Vatikanit dhe Kishës Katolike Shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi, janë aq të vjetra sa është edhe vetë historia e Kishës Katolike Universale. Siç është shprehur vet Shën Pali: “Kështu, prej Jerusalemit e deri në Iliri e kam kryer plotësisht detyrën time…”. Këto marrëdhënie, historikisht, kanë pasur të bëjnë në veçanti edhe me Dardaninë e vjetër, me Kishën e Dardanisë dhe me besimtarët e saj gjatë shekujve, pasi Dardania konsiderohej si një krahinë e veçantë kishtare dhe administrative, me qendër në Shkupin shqiptar — sipas historianëve kishtarë të Dardanisë së vjetër, bazuar në dokumentet zyrtare që pasqyrojnë komunikimet midis Vatikanit dhe ipeshkvijve katolikë dardanë, gjatë një historie shumë shekullore e deri në ditët e sotme.
Në vazhdimësi të këtyre marrëdhënieve historike, ditët e fundit, u njoftuan dy lajme të mira nga Prishtina që të bëjnë optimist, se e ardhmja e lidhjeve të Vatikanit me Republikën Dardane të Kosovës, me Kishën Katolike Shqiptare dhe me besimtarët e saj atje, do të jetë edhe më e ndritshme. Sipas një lajmi të botuar në revistën “Drita”, organ kulturor fetar i Kishës Katolike Shqiptare të Kosovës, Delegati Apostolik i Vatikanit për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich dhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji njoftuan nga Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë se, më 9 dhe 10 qershor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin do të vizitonte Republikën e Kosovës. Lajmi tjetër me rëndësi është shpallja zyrtarisht e asaj që quhet Bula Papnore e që është një dokument apo dekret zyrtar publik i lëshuar nga Kuria Romake e (Vatikanit) dhe firmosur nga Papa, me anë të të cilit merren vendime të rëndësishme për Kishën. Vendimi me vlerë të veçantë dhe historik që bart ky dokument është, se Rrethin Kishtar në Kosovë, aktualisht i njohur si Administratura Apostolike e Prizrenit, e ngre në shkallën dhe dinjitetin e dioqezës, me emrin Dioqeza Prizren – Prishtinë dhe njëkohësisht emëron ipeshkvin e saj të parë, Shkëlqesinë e Tij, Imzot Dodë Gjergjin.
“Ky nuk është thjesht një akt formal – juridik, edhe pse i nevojshëm. Unë nuk jam këtu për të kryer një procedurë, por për të përkujtuar diçka më të rëndësishme. Kjo Bulë na përkujton lidhjen e thellë mes kësaj Kishe vendore dhe Papës…Ky dokument tregon konkretisht që Papa Françesku ka në zemër të mirën e çdo njërit prej jush si dhe rritjen tuaj shpirtërore. Tregon gjithashtu edhe kujdesin e Bariut të përgjithshëm, si dhe afërsinë e tij me gëzimet dhe vuajtjet tuaja”, është shprehur Delegati Apostolik për Kosovën, Imzot Jean-Marie Speich, ndërsa ka njoftuar, zyrtarisht, dekretin për Dioqezën e re Prizren-Prishtinë.
“Ky akt i Kishës Universale, në krye me Papa Françeskun, ndaj Kishës sonë në Kosovë, që ishte bërë me dije me anë të një shkrese të Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, më 5 shtator 2018 dhe lexuar në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë nga ish-Delegati Apostolik për Kosovë, Mons. Juliusz Janusz, është akti më i rëndësishmi në pesë shekujt e fundit për Kishën Katolike në Kosovë, prandaj edhe historik, i cili do të shënohet në analet e historisë së krishtërimit ndër ne”, ka shkruar Don Fatmir Koliqi, në revistën Drita.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji duke shpalosur Dekretin e Vatikanit në prani edhe të Delegatit Apostolik për Kosovën.
Njoftohet se Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë vizitës së tij në Kosovë, përveç takimeve që do ketë me komunitetin katolik të Kosovës, do të zhvillojë edhe takime të tjera. Është kjo një vizitë historike për shtetin e ri të pavarur të Kosovës dhe për Kishën Katolike atje, pasi është hera e parë që një zyrtar i lartë i Vatikanit, në nivel të Sekretarit të Shtetit, viziton Prishtinën. Revista katolike “Drita” e cilëson vizitën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Parolin si, “Një akt historik i këtyre viteve dhe muajve që kanë karakterizuar realitetin e raporteve të Kishës dhe të Vendit tonë me Selinë e Shenjtë”.
Pa dyshim se vizita e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, Kardinalit Pietro Parolin në Kosovë, paraqet një rast të veçant për komunitetin katolik të vendit, që sipas revistës “Drita”, do të do të jetë edhe “një inkurajim për Kishën lokale ‘të vogël’, për të ecur gjithmonë në rrugën e besimit e të dashurisë vëllazërore”, duke “kontribuar për të mirën e mbarë shoqërisë së vendit si dhe për t’u sjellë të gjithëve afërsinë, dashurinë dhe bekimin e Papa Françeskut.” Prandaj, komuniteti katolik i Kosovës e pret me gëzim e dashuri shtegtimin e Sekretarit të Selisë së Shenjtë, kardinalit Pietro Parolin, ndërsa vendi e pret me një interes të veçant. S’ka dy dyshim se vizita e udhëheqësit të lartë të Vatikanit po tërheq një interesim të veçant, jo vetëm në radhët e besimtarëve katolikë në Kosovë, por edhe në mbarë vendin.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin do të vizitojë Kosovën më 9-10 qershor, 2019
Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta bëri një vizitë të papritur në selinë e dioqezës së Kosovës në Prishtinë me rastin e ngritjes së Kishës Katolike të Kosovës nga Administraturë Apostolike në nivel dioqeze dhe të emërimit të ipeshkvit dioqezian, imzot Dodë Gjergjit. Radio Vatikani njoftoi se gjatë takimit me udhëheqësit e Kishës Katolike në Kosovë, Presidenti Meta përshëndeti vendimin e Papës dhe të Selisë së Shenjtë, ndërsa vlerësoi përkujdesin e tij atëror për Kombin shqiptar. Këshilltari i Presidentit Meta për çështjet e rajonit dhe diasporën, Ambasadori Flamur Gashi u shpreh për Radio Vatikanin se qëllimi i vizitës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta në Prishtinë të hënën ishte për të, “Uruar përzemërsisht këtë vendim të Selisë së Shenjtë dhe të Papa Françeskut, si shenjë mirënjohjeje për të gjithë shqiptarët që tregon Selia e Shenjtë dhe si një përkujdesje të veçantë ndaj Kosovës dhe ndaj popullit tonë. Presidenti Meta vlerësoi lartë gjithë përkujdesjen, që sidomos nën drejtimin e Papa Françeskut, Selia e Shenjtë, për Shqiptarët: të paharruara janë momentet e shenjtërimit të Nënë Terezës, emërimi i kardinalit shqiptar Ernest Troshanit, vizita e parë në Evropë që bëri Papa Françesku ishte në Shqipëri, lumturimi i martirëve shqiptarë, vizita në vendlindjen e Nënë Terezës në Shkup para disa kohësh e Papa Françeskut dhe së fundmi lajmi i gëzuar i krijimit të dioqezës së Kosovës dhe emërimi me kompetenca të plota i ipeshkvit por edhe vizita në qershor e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolini. Pra, Presidenti Meta ishte i entuziazmuar dhe tepër i gëzuar për këto që po ndodhin në raportet e shqiptarëve, në përgjithësi me Selinë e Shenjtë nën drejtimin e Papa Françeskut”, është shprehur për Radio Vatikanin në gjuhën shqip, Këshilltari i Presidentit Ilir Meta për çështjet e rajonit dhe për diasporën, Ambasadori Flamur Gashi.
Vendimi i Papa Françeskut për të themeluar Dioqezën Prizren – Prishtinë, emërimi i Shkëlqesisë së Tij Imzot Dodë Gjergjin, si Ipeshkvin e saj të parë dhe vizita, muajin që vjen, me 9-10 qershor, 2019 në Kosovë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, janë në vetvete ngjarje me rëndësi në vazhdimësinë historike të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Vatikanit, në veçanti, dhe midis Vatikanit dhe Kombit Shqiptar në përgjithësi. Hapi i natyrshëm dhe i domosdoshëm tani, për çimentimin e këtyre lidhjeve shekullore, është pa dyshim ngjarja madhore përfundimtare që të gjithë shqiptarët kudo presim me pa durim, pa dallim feje a krahine, në marrëdhëniet midis dy shteteve – njohja pra zyrtare diplomatike e Republikës së Kosovës nga ana e Vatikanit, si shtet i pavarur dhe sovran dhe shkëmbimi i ambasadorëve midis dy palëve.
Një grup shqiptaro-amerikanësh — me në krye patriotin e madh të komunitetit shqiptaro-amerikan Xhim Xhem — me udhëheqsit e Kishës Katolike të Republikës së Kosovës, Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji dhe Monsinjor Lush Gjergji para Katedralës Shën Nenë Tereza në Prishtinë, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës (Shkurt, 2023)
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta në takim me Ipeshkvin e dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, ditën e hënë, 27 maj, 2019
Dekreti Papnor i Papës Aleksandri VII dërguar arkipeshkvit Andria Bogdanit me të cilin transferohet prej Ohrit në Shkup, në vitin 1656 — (Marrë nga libri i autorit Dom Gaspër Gjini, “Ipeshkvia Shkup-Prizren Nëpër Shekuj”, botuar në vitin 1986)
Më lart, në latinisht janë emrat e ipeshkvijve dardanë nga letra dërguar Papës Golazit në vitin 494 — (Marrë nga libri i autorit Dom Gaspër Gjini, “Ipeshkvia Shkup-Prizren Nëpër Shekuj”, botuar në vitin 1986)
Në një artikull tonin të vitit 2020 me titullin grishës “Kartëmonedha Kombëtare, Feminizmi dhe Emancipimi Mendor: Disa Propozime”(https://www.voal.ch/kartemonedha-kombetare-feminizmi-dhe-emancipimi-mendor-disa-propozime-nga-melsen-kafilaj/multimedia/press/) midis të tjerash tërhiqnim vëmëndjen edhe për përfshirjen e imazhit të Shenjtores Tonë Nënë Tereza në kartmonedhën kombëtare, si një shenjë jo vetëm e emancipimit tonë mendor por gjithashtu edhe treguese e humanizmit dhe dashurisë së Saj të pa kufi, ndjenjë për të cilën Bota ka nevojë më shumë se kurrë në ditët tona. Propozim, i rënë si gjithmonë në vesh të shurdhët dhe pa kurrëfarë vramëndjeje nga ana e atyre që kemi mbi krye.Kjo për arsyen e vetme se politikanët dhe burokratët tanë, këta kolltukofagë monomaniakë janë më tepër të dhënë pas rëndësisë së Qosheve sesa fuqisë së Ideve, mallkim ky që na përndjek si Komb në shekuj.
Nënë Tereza, një figurë e njohur ndërkombtarisht dhe e nderuar si imazh me monedha përkujtimore edhe nga vende që shqiptarët si gjejnë dot në hartë si Palau, Nauru, Ishujt Solomon apo Ishujt Turk & Caicos në vendin tonë përkujtohet me monedhën 200 Lek (Au dhe Ag) vetëm në vitin 2012, përmes një dizajni i cili për nga vlerat artistike dhe realizimi jo vetëm që lë për të dëshiruar dhe as që mund të krahasohet estetikisht me vendet e lartpërmëndura (Monedha e Palaut, psh konsiderohet si një prej më të bukurave në botë) por madje në pjesën e pasme të saj përmban edhe një imazh pëllumbi “të huazuar” haptazi nga Pablo Picasso, imazh të cilin ky i fundit e dizenjoi për posterin e Kongresit Botëror të Paqes, të zhvilluar në Moskë gjatë datave 9-14 Korrik të vitit 1962.
Por ajo ç’ka është mjaft interesante dhe përbën fokusin e këtij artikulli është fakti se imazhin e Nënë Terezës për herë të parë në monedhat përkujtimore nuk e fut as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut (diçka që duhet ta bënin).Këtë gjë e realizon për herë të parë në vitin 2001 përmes monedhës 5000 Lirash Ar Urdhëri i Kalorësve të Maltës, një Urdhër Kalorsiak Katolik 900 vjeçar dhe një entitet i pavarur, i njohur për vetqeverisjen, ekstraterritorialitetin dhe misionin e tij nga E Drejta Ndërkombtare. Karakteristikë tipike për këtë monedhë përkujtimore të Mijëvjeçarit të Ri, ndryshe nga monedha shqiptare nuk është vetëm realizimi fantastik i portretit të Nënë Terezës- “Engjëllit të të Varfërve” por edhe mesazhi i fuqishëm që ajo përcjell: “Lufto Urinë për të pakësuar Varfërinë!”
Një nismë kjo e pasuar gjithashtu edhe në vitin 2003, ku në serinë e “Kampionëve të Paqes” Urdhëri në fjalë do ta vendoste sërish Shenjtoren- Nobel për Paqen (1979) në monedhën përkujtimore 500 Lira Argjend. Mesazhi domethënës përcjell esencën e vokacionit dhe misionit jetësor të vet Shenjtores: “Shërbe, Duaj, Dhuro!”
Shqiptarët asnjëherë nuk ju kanë kushtuar nderimin e duhur figurave të tyre madhore dhe gjithmonë kanë qënë të vonuar në kapjen e momenteve apo ngjarjeve të caktuara historike.Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe.Historia përsëriti vetveten edhe me rastin e Kanonizimit të Nënë Terezës si Shenjtore nga ana e Selisë së Shenjtë.Teksa shtete të ndryshme të botës nxituan që të realizonin monedha me imazhin e Shenjtores Tonë për ta përkujtuar këtë ngjarje, Qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk e vuri ujin në zjarr fare për ta materializuar monetarisht një moment të tillë historik.Diçka e cila nuk mund ti shpëtonte nga fokusi fqinjit tonë lindor, Maqedonisë së Veriut, me realizimin e një portreti dinjitoz të Shenjtores në monedhën përkujtimore 100 Dinar por gjithashtu edhe Vatikanit me realizimin e një pulle postare, medaljeje argjendi por edhe një sërë artifaktesh të tjera.
Imazhi i Nwnw Terezws në monedhat përkujtimore të Vatikanit do të autorizohej nga Papa Françesku në vitin 2022 me rastin e 25 vjetorit të kalimit në amëshim të Shërbëtores së Zotit.Për këtë qëllim dhe në kujdesin personal të Atit të Shenjtë, Vatikani do të komisiononte dy prej artisteve më të mira të Romës për dizenjimin e monedhave dhe medalionëve, Orietta Rossi dhe Gabriella Titotto. Rossi, e cila për Morinë që se njeh ka realizuar mes të tjerash edhe punë madhore si monedhën përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të Koncilit të Dytë të Vatikanit (1963-2023), monedhën përkujtimore të 500 vjetorit të themelimit të Gardës Zviceriane (1506-2006) apo edhe atë të 60 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1945-2005) e nderon Shenjtoren tonë me dizenjimin e imazhit të saj si një simbol i gjallë i Caritas në monedhën përkujtimore 2 Euro të Vatikanit.
Nga ana tjetër, po kaq interesant është edhe dizajni atipik i monedhës përkujtimore të Titottos. Monedha e argjendtë katërkëndore prej 25 Euro rafiguron një Shën Terezë të qeshur dhe të paqtuar nga rënia e butë dhe e ëmbël e dritës mbi fytyrën e saj; Drita e Besimit.Po aq i fuqishëm dhe kuptimplotë për këtë Shenjtore e cila dritën e besimit e përktheu në dritë shprese për miliarda njerëz në botë teksa njihte “Jezusin e Fshehtë” në ta qëndron edhe mesazhi i nxjerrë nga Ungjilli i Gjon Shqiponjës:“Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë!”
Ditët e fundit lexova disa shkrime kushtuar përvjetorit të kalimit në amshim të Dom Ndre Mjedës (1 gusht, 1937), meshtarit, poetit lirik, studiuesit dhe hulumtuesit të palodhëshëm të gjuhës shqipe. Me këtë rast, mu kujtuan bisedat që ndante me mua në fillim të 1970-ave për Dom Ndre Mjedën — Mons. Dr Zef Oroshi, (1912-1989) miku im dhe ish-udhëheqsi i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, i nderuar dhe i respektuar edhe nga mbarë komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim feje a krahine.
Monsinjor Zef Oroshi fliste shpesh, me mirënjohje dhe me respekt të madh, për mësuesit e tij, Dom Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën. Shpesh edhe shkruante mbi kujtimet e tija për ta në gazetat dhe revistat e diasporës anti-komunsite shqiptare të asaj kohe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë.
Në një shkrim përkujtimor botuar bë revistën Jeta Katolike Shqiptare, (Tetor-Dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, Drejtor Përgjegjës i të cilës ishte ai vet, Dr. Zef Oroshi ka kujtuar mësuesin e tij Dom Ndre Mjedën, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes. Dom Oroshi ka shkruar se mendjehollësia e Mjedës së ri i ka shtyrë të parët e (urdhit jezuit) ta dërgonin atë të studionte në universitetet më të mira të Evropës, sin ë Austri, Itali, Gjermani, Francë e Poloni, ku përveç se kreu studimet e larta për filozofi e teologji me, “suma cum laude”, Ndre Mjeda, “pasunoi mendjen e squet të tij me gjuhët dhe me letërsitë këtyne vendeve, por edhe njohuri mbi klasikët që ai aq fort i dashuronte”, ka shkruar Mons Zef Oroshi, për ish-mësuenin e tij Ndre Mjedën. Megjithse, ndër të gjitha të mirat mendore e jetësore që i ofronte atij bota perëndimore e qytetëruar dhe e lirë, Mjeda, “Kurrë nuk harroi vendin e vet, Shqipërinë. Asaj i këndoi, me plot afshin e zemrës me poezitë e rinisë së vet, botuar në “Juvenilia”, — “sende rinie” – kur Atdheu gjëndej ende nën thundrën e aziatikëve”, ka vërejtur Dr Zef Oroshi në shkrimin e tij në vitin 1977, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Mjedës.
Kur është kthyer në Shqipëri, shënon Dom Zef Oroshi, Ndre Mjeda ka dhenë mësim në gjuhë dhe letërsi shqipe në kolegjen e famshme Saverjane të Shkodrës. Si meshtar ai ka shërbyer në disa famuli të Malësisë së mbi-Shkodrës, duke përfunduar në Kukël. Ndre Mjeda ishte themeluesi i Shoqërisë Letrare “Agimi”, ndërkohë që në Kongresin e Manastirit ka luajtur një rol kyç, ndërsa ishte ndër krongresistë më aktivë, ka thenë Dr Zef Oroshi. “Por çka e ban emrin e Ndre Mjedës të pavdekshëm”, nënvijon Dr, Zef Oroshi, “Ashtë pena e tij si poet, mjeshtër klasik i vjerrshit shqip, si prozator dhe sidomos si gramatolog, ndëlr më të thellët që ka pasur Shqipëria përshumë kohë. Studimet dhe hulumtimet e tija në çeshtje gramatikore të shqipës kanë qenë vendimtare”, thekson ndër të tjera, Dom Zefi, për veprimtarinë letrare të Dom Mjedës.
Përveçse shkrimtar dhe poet mjeshtër, Dr. Zef Oroshi e cilëson ish-mësuesin e tij Ndre Mjedën edhe si, “udhëheqsin e paharruar të shkollës së përmendur, Kolegja Saverjane, drejtuar nga Jezuitët e Shkodrës” dhe si, “njërin prej Rilindasve më të flakët dhe më të hershmit e Kombit Shqiptar. Qe zgjedhë edhe deputet i Shkodrës, pothuajse kundër vullnetit të tij”, ka shkruar Oroshi.
Dom Zefi shënon në artikullin e tij – një fakt që nuk ka të bejë me gjuhën as me letërsinë – ndërsa shkruan se, “Për t’i dhënë një hov bujqësisë përparimtare, Dom Ndre Mjeda qe i pari që solli plorin e çelikt në Shqipëni”, sipas Dom Zef Oroshit.
Dom Ndre Mjedës, ka shkruar Dom Zef Oroshi, i ka takuar të jetonte në dhena të huaja dhe zemra i shkrumbohej për Atdheun e largët e të robëruar. Mallin për Atdhe ai e skaliti, qysh i ri në “Juvenilia”, duke filluar me, “Vaji i Bylbylit”, botuar që në vitin 1887 dhe me “Andrra e Jetës”, ku ai këndon jetën e fshatarit e të malësorit shqiptar, ka shkruar Dr. Zef Oroshi, për veprat e mësuesit të tij, Me sonetat klasikë, “Lissus” dhe “Scodra” (Lezha e Shkodra) ku, përmes historisë së lashtë të këtyre dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme, “lumnitë historike dhe legjendat e paraardhësve ilirë, me mbretrit Bardhylin e Agronin dhe me mbretëreshen Teuta.”
Monsinjor Dr Zef Oroshi vlerëson, në artikullin e tij, botuar në revisten Jeta Katolike Shqiptare më 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim të poetit, se, “me këto vepra, megjithse të shkurta, Mjeda naltësohet si poeti më klasik ndër të gjithë poetët shqiptarë…”, por megjithë këtë, “Ai Nanën Shqipni e ka gjithmonë para syshë”, me qëllim për të drejtuar rininë e asaj kohe kah, “udha e atdhedashunisë së çiltërt, siç kanë veprue gjithmonë, për vendin e tyre, njerëzit e mëdhej.”
Dom Zef Oroshi është shprehur se e ndjen veten të nderuar dhe të privilegjuar që ketë “pasë për mësues, këtë mjeshtër zamadh tëgjuhës sonë, si dhe për ndikimin e tij për dashurinë ndaj Gjuhës Shqipe”, dhe vazhdon me kujtimet e tija: “Dom Ndre Mjeda qe perosnalitete i përsosur në ndejë e në sjellje. Në klasën e tij mund të ndihej miza tue fluturue. Kur na lexonte ndonji pjesë artistike klasike ose bashkohore, sidomos poezi me art të lartë, këthënezej e skuqej në fytyrë – aq fort e ndjente shijen e artit…Megjithse nuk ishte i idhët me kurrkënd, pak ose aspak i qeshej fytyra e tij e gjanë – me musteqe të trasha e të dendura e kryetullac, trup i lidhur me naltësi mesatare. Ishte kritik i pamëshirshëm në pikëpamjen e artit të shkrimit, por gjithmonë me dinjitet e arsye, pa përulur kënd, kurrë.”, ka shkruar Dom Zef Oroshi në artikullin e tij në kujtim të mësuesit të vet Dom Ndre Mjedës.
Dom Zef Oroshi ka mbyllur shkrimin në kujtim të mësuesit të tij të nderuar duke hedhur hipotezën se para se të vdiste – përflitej në atë kohë, se Dom Ndre Mjeda, i ndikuar nga shkrimtari latin Virgjili, mund të ketë djegur dorëshkrimet e tija të shumta, duke thënë se, “Mjeda vdiq, por shkolla e tij mbetet e pavdekshme.”
“Ndonëse pushon në amshim, ai gjithnjë flet.” (Defunctus Adhuc Loquitur”.
Frank Shkreli
Tre kolosë të Shqipërisë: Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta (dy mësuesit e Monsinjor Dr. Zef Oroshit), me Luigj Gurakuqin
Autori — pjesëmarrës në protestën para OKB-së në Nju Jork, 1973 — me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, organizuesin e protestës kundër vrasjes makabër të At Shtjefën Kurtit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Tre pemë janë simbol dhe me traditë historike në brigjet e Akrokerauneve:
Ulliri
Rrapi
Valanidhi.
Të tri pemët kanë specifika, vlerë, dallesë, kurora dhe sidomos hije të ndryshme.
Ulliri, sikundër e thotë regjisori më i madh në kohëra, nga këto brigje, Dhimitër Anagnosti, është: ” pema e jetës”. Adhurimi për këtë pemë është trashëguar si kult, por edhe si jetëdashje. Shëmbëllane kjo trashëgimi me atë që thotë Barleti tek ” Histori e Skënderbeut” për martesat e çifteve të reja që duhen shoqëruar me mbjellje ullinjsh. Ulliri, në këto brigje, kërkon një grusht dhe, dhe shumë shkëmbënj. Kurora e tij, mbulon shkëmbinjtë ose ledhet e thata me gurë dhe kokrrat në stinën e fundvitit i hedh, për t’i gjetur ose ullinjmbledhëset e Bregut, ose zogjtë e brigjeve që lodrojnë bashkë me pulëbardhat me tramundanat në dimër e sidomos në vjeshtë.
Rrapi nuk bëhet ku është ulliri. Rrapi kërkon lartësi, ose një terren përkarshi detit. Fshatrat e Bregut kanë nga një rrap, kryesisht në qendrat e fshatrave. Të tillë gjen deri në lartësitë e Labërisë, si në luginën e Lumit të Vlorës, ashtu edhe më sipër, në Kurvelesh. Me rrepet është e lidhur shpesh poezia orale dhe veçanërisht polifonia, Kënga Vënçe Labe. Metaforat dhe baladat e kësaj treve që dëshmojnë raportin e trimave me hijet dhe degët e rrepeve janë unike, janë pjesë e papërsëritshme e simbolizmit dhe epicitetit si vjershëronjës ashtu edhe këndonjës…Marrëdhëniet njerëzore me hijen dhe degët e kësaj peme, në këto vise, shprehin një raport antroponatyror dhe antropoflorues si me asnjë pemë tjetër. ” Jemi si gjethja në erë/ që s’e dimë se ku do bjerë”…
Pema e tretë është valanidhi.
Është një pemë e mikroklimës. Nuk gjendet kudo, por përgjatë krejt shtrirjes gjeografike të vargmaleve të Vetëtimës, që nga fillesa e gadishullit të Karaburunit dhe deri në Kepin e Stillos, madje në zgjatimin matanë kufirit shtetëror, në skajin e poshtëm jugor të Çamërisë. Një pemë që bëhet vetëm në një mjedis zgjatues nëpër brigjet e Jonit. Hijerëndë dhe zogjmbledhës, pemë me bohçe dhe me lotime lëngjesh të rënda, sikundër edhe durues ndaj goditjeve të vetëtimave të shumta. Gjelbëron edhe kur merr zgafella zhurritjesh prej vetëtimash…
Janë tri pemë me cilësi dhe karakteristika qëndrese, autenticiteti, tiparesh dhe hijesh të cilat nuk do të ishin të tilla, së paku, jashtë këtij visi dhe natyrshëm, matanë kësaj njerëzie lokale që ekzistencën e vet e mishëron vetëm në tri forma materieje me tokë, me det dhe me qiej…Njeriu në atë vis, i shkel kohët e ardhme, si i pandryshuar, në formën e tri pemëve që do, veç ajo tokë.
Në kohën e disidencës së tij, Vaclav Havel do të shkruante një ese me titullin “Pushteti i të papushtetshmëve”, ku arrinte të përshkruante mekanizmin që mban fort në këmbë mosndryshimin. Shkrimi i tij u kthye në ikonë të disidencës në Europën Lindore teksa ai shpjegonte vetëmashtrimin për pafuqinë e një perimeshitësi, që detyrohet çdo ditë të varë në dritaren e dyqanit të tij shënimin ku shkruhej: “Punëtorë të botës, bashkohuni!”. Havel e shpjegon se perimeshitësi nuk është ndonjë entuziast i idealeve komuniste, por frika nga ndëshkimi e bën atë që të jetojë në një “besim mashtrues” se nuk mundet ta ndryshojë realitetin. “Por çdo të ndodhte nëse një ditë të gjithë perimeshitësit do t’i ulnin poshtë këto shënime?”, pyeste Havel. Përgjigja ishte e qartë: ky do të ishte fillimi i një revolucioni. Pra, thjesht perimeshitësi nuk është kaq i pafuqishëm. Përkundrazi, ai është mjaft i fuqishëm, por janë mosbesuesit që lejojnë që loja e vetmashtrimit të vazhdojë.
Haveli besonte se dështimi i perimeshitësit për të jetuar me të vërtetën është një dështim moral: ai është fajtor për mbështetjen e sistemit që e shtyp atë. “Fakti se ai jeton një gënjeshtër, se të gjithë jetojnë një gënjeshtër, nuk e largon të vërtetën, por vetëm e demoralizon personin që të kërkojë një jetë me të vërtetën”, shkruante Havel.
Por perimeshitësi i Havelit duket sikur nuk i përket vetëm diktaturave. Ai i përket çdo shoqërie ku mbreti ecën lakuriq, por ku qytetarët nuk kanë guxim t’ia thonë në sy të vërtetat pushtetit. Perimeshitësi i Havelit është vetëmashtrimi që mund të jetë te kushdo që sot jeton me bindjen se nuk mundet t’ia dalë, se gjithçka është e përcaktuar nga të tjerët dhe se kurajo e tij nuk vlen.
“Qytetërimi ynë është ngritur mbi urrejtje. Në botën tonë nuk do të ketë ndjenja të tjera veç frikës, zemërimit, triumfit dhe vetëposhtërimit ”, shkruan George Orwell, duke parashikuar ndoshta më saktë se kushdo tjetër diagnozën e dështimit tonë të përditshëm moral në betejën me të keqen dhe të padrejtën.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.