• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

TRI  SHTRËMBËRIME TË FAKTEVE HISTORIKE  PËR VËLLEZËRIT SOTIRI

August 4, 2023 by s p

Koço Mosko
Boston, Gusht 2023/

Shtrëmbërime të fakteve historike që kanë hyrë në fjalorë enciklopedikë, libra historie, wikipedi, gazeta dhe emisione televizive 

Vëllezërit Pandeli Sotiri, Mësues i Popullit dhe Koço Sotiri, nismëtar i shkollave të para shqipe, janë dy rilindas të shquar, por të përndjekur e të martirizuar nga armiqtë e kombit shqiptar. Jetuan e milituan në një periudhë të vështirë dhe tepër armiqësore ndaj kombit tonë dhe gjuhës shqipe. I pari çeli Mësonjëtoren e parë në Korçë, ndërsa i dyti në Pograde. Ata e kishin të mbrujtur zemrën dhe çdo qelizë të trupit të tyre me dashuri të zjarrtë për lirinë e mbrothësinë e kombit shqiptar dhe nuk u trembeshin rreziqeve e kërcënimeve nga armiqtë, të cilët në atë periudhë ishin me shumicë. 

Faik Konica në gazetën e tij “Albania”, në vitin 1898, shkruante: 

“Kur Pandeli dhe Koço, vendas nga Gjirokastra, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, midis paraardhësve orthodoksë u bë një shtangim i indinjuar: shqipja, ajo gjuhë e ulët dhe sakrilegjike, guxoi të mësohej! Dhe menjëherë filluan intrigat”. E vazhdon: “Dy burra guximtarë, të devotshëm, dy shqiptarë të vërtetë muarr përsipër këtë inisjativë atdhetare dhe ja duall deri në një pikë[1]”.

Vëllezërit Sotiri, me këtë dashuri fisnike-atdhetare u brumosën që në fëmijërinë e tyre, në fshatin Selckë ku u lindën dhe morën dituritë e para. U mëkëmbën në një mjedis patriotik të zjarrtë i cili ishte në luftë e përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur e zhvilluar traditat e të parëve dhe gjuhën amtare, gjuhën e nënës. Në edukimin patriotik e atdhetar, përveç prindërve të tyre, sidomos nënës, ndikim të madh ka patur mbi ta edhe familja e xhaxhait të tij të kamur, Thimjo Sotiri.

Personalisht unë, autor i këtyre radhëve, jam me origjinë nga fshati i vëllezërve Sotiri, lindur e rritur me historitë e tyre, treguar e stërtreguar qindra herë. Kam lexuar çdo gjë, çdo fakt e çdo gërmë që ndriçon jetën e vëllezërve Sotiri. Përfundimisht jam i brengosur dhe i hidhëruar duke parë e zbuluar hap pas hapi se e vërteta e shkollave të para shqip e në këtë kuadër veprimtaria patriotike e dy vëllezërve Sotiri, është e manipuluar dhe e shtrembëruar në të gjitha drejtimet. Nuk mund të them me qëllim apo pa qëllim. Në internet, Wikipedia, gazeta e shumë shkrime të tjera dhe emisione televizive, nuk ndriçohet e vërteta. Jeta e veprimtaria e tyre nuk bazohet mbi fakte historike. Prof. Musa Kraja për vëllezërit Sotiri shkruan kështu: 

“… në Arkivin Qëndror nuk kishte dosje, ndryshe nga disa personalitete të Rilindjes sonë Kombëtare. Për Koton nuk u habita, por për Pandeliun mendoja se duhet të egzistonin materiale të posaçme, për një dosje të tijën. Shkrime të lëna me emrin e tij drejtpërdrejtë, nuk kishte[2].”

Nuk jam historian, por i përkushtuar për jetën dhe veprën reale të vëllezërve Sotiri, i dashuruar ndaj historisë së vendlindjes sime. Ndiej detyrim moral dhe qytetar para gjithë bashkombësve të mi, të shpalos, gjersa të kem frymë, historinë e vërtetë dhe patriotizmin e flaktë të këtyre rilindsave martirë të cilët nuk kursyen asgjë për mbrothësinë e Atdheut dhe gjuhës shqipe. Punuan e luftuan për këto ideale deri në minutën e fundit të jetës. 

Si ndikoi vendlindja e tyre, Selcka e Gjirokastrës në formimin e tyre atdhetar? Shkollimin fillestar ata e kanë kryer në fshatin e lindjes, pastaj në Stamboll e më pas në Europë, Vjenë – Austri. Këto janë fakte të provuara e të pamohueshme, të cilat shqelmojnë e hedhin poshtë me neveri të gjitha gënjeshtrat, shtrëmberimet e hamendësimet që janë thënë e po thuhen deri tani dhe janë shkruar e transmetohen në media pa asnjë lloj përgjegjësie. Askush nuk dëshiron të ballafaqohet me të vërtetat, por gjithkush përsërit mekanikisht çfarë është shkruar e thënë me hamendje më parë, pa iu referuar fakteve, arkivave dhe historisë. E pafalshme, revoltuese.

Fshati Selckë, Gjirokastër ku lindën vëllezërit Sotiri, është fshat me tradita patriotike e arsimdashëse të thella. Godina e shkollës që është edhe sot, u ndërtua që në vitin 1811[3]. Në këtë shkollë rreth viteve 1847-1855 kanë marrë dijet e para edhe vëllezërit Sotiri. Shkolla bëhej në gjuhën greqisht, por në intervale të caktuara mësohej edhe shqip, me libra të ardhura fshehurazi prej Stambollit. Një histori që tregohej shpesh në fshat është ajo e Hoxhë Myftar Aliut. 

Hoxhë Myftari ishte një rilindas me origjinë nga Kallarati i Kurveleshiti, cili po sillte fshehurazi libra shqip nga Stambolli. Për t’iu shmangur kontrollit doganor dhe syrit të xhandërmarisë turke, ai ndiqte rrugën e maleve, nga një stan në tjetrin, nga një fshat malor në tjetrin. Hejbetë e tij ishin të mbushura me abetaret e gjuhës shqip të shtypura jashtë Shqipërisë. Ai ishte i besimit mysliman dhe selciotët të krishterë, por për ta mjafton që ai ishte shqiptar dhe bëntë një shërbim atdhatar, patriotik. Libri në gjuhën shqip ishte një sukses, një sihariq i madh. Abetarja i bashkonte edhe më shumë gjithë shqiptarët. Shqiptarët i dallonte gjuha nga kombet e tjerë dhe jo feja e cila shpesh është këmbyer me një fe tjetër. Selciotët kanë mbijetuar midis minoritarëve grekë, luxhiotëve orthodoksë dhe libohovitëve myslimanë. Historia vërteton se ata kurrë nuk janë grindur për probleme feje apo ndasi krahinore. Ata vetë, më mirë se kushdo e kuptonin dhe e vlerësonin mësimin dhe librat e penguara shqip. Hoxha, në misionin e tij fisnik dhe atdhetar, në udhëtim e sipër, u sëmur dhe dy fshatarë e gjetën  në një shpellë, poshtë fshatit, në një ditë të keqe me shi e suferinë. E morën në krahë dhe e çuan lart në Selckë. E lanë, e ndërruan me teshat e tyre, e ushqyen dhe duke e mjekuar me barna popullore. U kujdesën që ai të shërohej sa më shpejt, por Hoxhë Myftari nuk ja doli dot, kishte marrë plevit të rëndë dhe vdiq pas 3-4 ditësh.

Fshatarët, në nderim të sakrificës së tij patriotike, e varrosën me nderime të mëdha, sikur të ishte bir i tyre. Që fshati Selckë kishte një respekt të veçantë për këtë Hoxhë, e tregon edhe zgjedhja dhe vendosja e varrit të tij. Meqë feja ortodokse nuk e lejon të varrosej në varrezat e fshatit, selciotët e varrosën në një vend të shenjtë, afër kishës, pranë një konizme orthodokse ngritur me gurë, ku më parë duhet të ketë qenë një kult i lashtë paleokristian, ose edhe pagan. Tek koka e varrit të Hoxhës ishte vendosur një pllakë me gur të zi ku qe gdhëndur emëri i tij në alfabetin shqip të kohës dhe në greqisht. Konizma dhe Varri i Hoxhës janë shumë afër, 2-3 metra pranë, ballë përballë. Më vonë, vendi aty mori emrin “Varri i Hoxhës”. Edhe sot ashtu thirret. Varrin e Hoxhës fshati e ruajti përmbi 150 vjet. Kur e vizitoi këtë varr në vitin 1999 Prof. doktor Musa Kraja, i befasuar, por dhe i mrekulluar ka thënë: 

“Është e vërtetë, që i mençuri nderon të mençurin, atdhetari nderon atdhetarin, bujari pret bujarisht dhe këto nuk janë pak në Selckë”[4]

Eshtrat e Hoxhës i morën bashkëfshatarët e tij nga fshati Kallarat i Vlorës në vitin 2007[5] dhe i rivarrosën me nderime në fshatin e tyre kur u njoftuan për ngjarjen, shumë vite më vonë. Fshatarët e Selckës, këtë Hoxhë patriot e kanë përjetësuar edhe në këto vargje: 

“O i ziu Babashe,  

ke fëmijë apo nuk ke?

S’kemi ç’të bëjmë dhe ne, 

të përcollëm si babanë, 

Për ty tri kambana ranë”.[6]

Hoxha u përcoll me nderime në banesën e fundit nga prifti i fshatit duke u rënë këmbanave në të dy kishat; Shën e Premte dhe Shën Nikollë. Ajo ditë u konsiderua si ditë zie ku u kryen të gjitha nderimet e rastit. Një prift organizon ceremoninë mortore të një Hoxhe në një cep të trojeve shqiptare, në mezin e shekullit të XIX-të. Kjo është shumë domethënëse! E denjë për një skenar filmi. 

Një këngë Myftar Aliut i kanë ngritur edhe fshatarët e fshatit të tij Kallarat. Mbledhësi i apasionuar i këngëve popullore labe, Fatos Mero Rapaj ka regjistruar këtë këngë:


Patriotët ven e vijnë

Plot me vilva mbushur gjinë.

Ç’thonë për Myftar Ali

Dyzet ditë nga Stambolli

Rruga mbarësi s’i solli.

La pas Sarajet e ngjolit,

Hyri fshtatrave të Pogonit,

Vate në një fshat të thellë,

Nga katër male mbështjellë.

Kur vdiq Hoxha dhe dha xhanë,

Tre këmbana për të ranë,

Bënë nder si për babanë.

Kur ia hoqën xhamadanë,

Dualën librat shqipe radhë.[7]

Librat shqip nga Stambolli selicjotët i binin edhe vetë fshehurazi duke sakrifikuar e përballuar rreziqet e shumta. Ka shumë gojëdhëna e histori që tregohen.  Në fshat thuhej kjo këngë ku bëhet fjalë për një Siko Dhimadhi, (Dhima):

Siko Dhimadhi kur vije, 

Në Selckë dilje lëminje, 

Ç’bëhej në Stamboll e dije,

Kokën në trastë e vije

Për sebep të ca vivlije, 

Qysh bëje kur dilte ujku,

Pastaj të qepej dhe cfurku. 

Mbi dy fundoma sënduku

Shqiponjën s’e zë dot turku”[8]

Sa ngushtë duhet ta ndjejnë veten kur ti lexojnë këto të vërteta të fshatit Selckë ata që zhgaravitin edhe sot nëpër gazeta e internete duke shkruar se në fshatin e tij Selckë Pandeliun s’e lejuan grekomanët të hapte shkollën, nuk e qasën, etj… Këto janë gënjeshtra dhe përpjekje për ta nxirë Selckën patriote. Në fshatin e Pandeliut ishte ajka e shqiptarizmës. Aty ai mori në zemër e u brumos në shpirt me dashurinë e zjarrtë e të pakufishme për Atdheun, Shqipërinë.  Gjithsesi nuk mund të kishte atë jehonë çelja e shkollës së parë shqip në fshatin e izoluar malor Selckë sesa Korça, qytet i madh, me kulturë, popullsi, intelektualë dhe lidhje me botën e huaj. Jo më kot Rilindasit caktuan Korçën. Dhe kishin të drejtë. Ngatërrimi me vendlindjen e vëllezërve Sotiri, Selckën, është dashakeqësi dhe qëllimkeq për t’I ulur vlerat patriotike.

Në kohën kur Pandeliu me Koton ka marrë arsimin fillestar në fshat, shkolla duhet të ishte 7-vjeçare (plotore). Ajo kishte edhe një bibliotekë ku kishte libra shqip, e cila pasurohej nga viti në vit, por ato u dogjën kur ra një zjarr i mistershëm në vitet 1880. Ishte koha kur vëllezërit Sotiri merreshin me botimin e shpërndarjen e librave shqip në Stamboll.  Shkolla u rindërtua përsëri në vitin 1895, por me përmasa më të vogla.[9]

Në fshatin e vellezërve Sotiri, në kishë meshohej edhe shqip me libra me gërma greqisht. Një libër kishtar shqip po me gërma greqisht ishte edhe “Dhjata e Vjetër”, botim i vitit 1849 sipas studjuesit teolog Dhimitër Beduli[10]. Atë libër e mbaj mend edhe unë. Madje kisha dëgjuar  kur meshohej shqip nga prifti dhe psalltët, ata i kishin mësuar përmendësh shqip shumë pjesë lturgjike nga ky libër. Librin e ruante prifti At Stefan Thanati, kushëri i parë i babait tim. Në faqen e parë që ishte bosh, ishte shkruar me gërma shqip: “Dhuratë nga Shoqëria “Përparimi” e Stambollit për shkollën Plotore, (7-vjeçare).”  

Shkolla në fshatin Selckë ku kanë studjuar vëllezërit Sotiri, shtëpitë e Sotiraj ashtu siç janë, Varri i Hoxhës me Konizmën duhet pa tjetër të kthehen në objekte muzeale të klasit të parë. Të meremetohen, të rrethohen e të mirëmbahen si dëshmi e gjallë e bashkejetesës në shekuj e shqiptarëve, por dhe si dëshmi e gjallë e përpjekjeve titanike për shkollat dhe shkrimin shqip nën sundimin pesëshekullor otoman. Do të jetë muzeumi më i goditur, më i bukuri dhe më i veçanti i cili do t’u mbyllë gojën fallsifikatoreve përgjithmonë. 

 ****

            Të nginjur me atdhedashuri dhe të etur për libra, dituri e shkollë shqip, vëllezërit Sotiri, nga fatkeqësia që u ndodhi, kur u vranë babain për hasmëri, u detyruan të largohen për në Stamboll e të vazhdonin shkollat nën kujdesin e xhaxhait të tyre të mirë e human, Thimjo Sotiri.  Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 thuhet se Pandeli Sotiri ishte nxënës i Koto Hoxhit!![11]  Të gjitha dokumentet e mëvonëshme, edhe sot në internet, shkrime apo emisione televizive të ndryshme e përsërisin kudo këtë gënjeshtër të madhe, si përallë. Kjo është e pafalshme. 

Po të bësh vetëm një llogari të thjeshtë del ndryshe, dhe ja sesi. Dihet se shkolla e mesme greqisht në Qestorat u hap në vitin 1874.[12] Në atë kohë vëllezërit Sotiri ishin në moshën 30-34 vjeçare. Kishin përfunduar shkollën e mesme në Stamboll dhe të lartën në Vjenë, Austri. Pandeliu ishte rreshtuar dhe për afro 10 vjet shërbeu në ushtrinë Austro-Hungareze. Ai mbante gradën major. U kthye në Stamboll duke u vënë në shërbim të veprimtarisë patriotike. 

Koto Hoxhi nuk ka qenë mësues, por kujdestar konvikti në shkollën e Qestoratit të Lunxhërisë. Ndërsa vëllai i Pandeliut, Koto Sotiri qëndroi sup me sup me të vëllanë dhe gjithë rilindasit e tjerë në të gjitha rreziqet, veprimtaritë e aktivitetet patriotike. Ishte mësuesi më jetgjatë e punëtor, pafjalë e i thjeshtë, si asnjë tjetër në ato kohëra të vështira. Punoi mësues në Pogradec e Korçë, afro dhjetë vjet, sa të gjithë mësonjësit bashkë që i përmendin dendur e u numurojnë meritat në shkrime e emisione televizive. Koçoja e vazhdoi këtë aktivitet në Maqedoni, në Rekë e Manastir, gjersa autoritetet osmane e burgosën dhe e dënuan me burg.[13] Bëri pesë vjet burg. Sa keq, nuk është kujtuar asnjeri të shkruajë për këtë patriot të flaktë e fisnik që i dha jetën arsimit shqip. 

Jo vetëm nuk përputhen vitet, por dihen mirë edhe shkollat e mesme që kanë kryer në fakt vëllezërit Sotiri. Autori Koço Mosko Stegopuli, në biografinë e Pandeli Sotirit që i ka dorëzuar në shkollën Pedagogjike Gjirokastër, ish drejtorit Tomor Tushe, me rastin e 10-vjetorit të saj, në vitin 1959 dhe me rastin e marrjes së emrit Pandeli Sotri kësaj shkolle, shkruan: 

“I rriti dhe i mësoi në Stamboll, xhaxhai, Thimjo Sotiri. Atje kanë ndjekur shkollën e mesme të “Gallatës” (Galatasaray High School, bashkë me Janko Minxhën nga fshati Krinë)”. [14]

Këtë biografi K. Mosko Stegopuli shkruan se e ka dorëzuar edhe në Komitetin e Veteranëve të Rrethit Gjirokastër të asaj kohe. 
 

Koço Mosko Stegopuli, ish inspektor i Arsimit ne Komitetin Ekzekutiv të KP Rrethit Gjirokastër, i ka mbledhur këto te dhëna  së bashku me Vaso Konomin, ish Sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Gjirokastër. Ata u kujdesën për historikun e Lunxhërisë dhe në vitin 1972 Koço Mosko Stegopuli ishte pjesmarrës në një komision që ishte ngritur për hartimin e historikut të rrethit Gjirokastër. Këto të dhëna i ka marrë nga Aleksandra Pano (Telo) kushërirë e vëllezërve Sotiri, e cila në Stamboll ka banuar në shtëpinë nga ku u rrëzua nga kati i tretë Pandeli Sotiri. Aty në vitin 1922, ajo ka lindur edhe djalin e saj, aktorin e Teatrit Popullor, “Artistin e Merituar” Andon Pano.  

Shkolla e “Gallatës” në Stamboll, ishte një shkollë e mesme nga më të mirat e kohës, madje dhe në Europë. Aty mësimet bëheshin në gjuhën frënge, sepse ish kolegj francez i themeluar që në vitin 1481. Me mbarimin e kësaj shkolle, rreth viteve 1860, vëllezërit Sotiri, sigurisht përsëri me kujdesin e xhaxhait të tyre, Thimjo Sotiri, ndoqën shkollat e larta në Vjenë, Austri. Pandeliu studjoi për mjekësi, në “Medical University of Vienna”, ndërsa Koçoja studjoi për drejtësi. Me mbarimin e shkollës së lartë, Pandeliu, rreth vitit 1864, u rreshtua në ushtrinë Austro-Hungareze me gradën major. [15] Në ushtrinë Austro-Hungareze duhet të ketë qëndruar afro 10 vjet. Ndërsa për Koçon gjatë kësaj periudhe nuk ka të dhëna për punët e tij. Ndoshta ishte në Stamboll. Në fillim të viteve 1870, Pandeliu kthehet në Stamboll, për ironi të fatit, atëherë kur nuk qe ndërtuar ende, ose ishte në ndërtim e sipër shkolla e mesme greke e Qestoratit. Në Stamboll vëllezërit Sotiri filluan të merren me një veprimtari të dendur patriotike-atdhetare, së toku me rilindasit e tjerë. Përfundimisht bie poshtë versioni se Pandeliu ka qenë në shkollën greke në Qestorat.

Duhet të përgënjeshtrojmë edhe një shpifje tjetër. Në shumë shkrime thuhet se Koto Hoxhi në Stamboll i lidhi ose i njohu vëllezëerit Sotiri me vëllezërit Frashëri. Vëllezërit Sotiri ishin stambollinj të hershëm. Ata ishin rritur në një lagje me vëllezërit Frashëri, por i bashkonte edhe qëllimi i përbashkët dhe Shoqatat patriotike shqiptare. Sigurisht që kishin njohje të hershme, nuk ishte nevoja këtu të ndërmjetësonte Koto Hoxhi. Nuk kemi ndonjë të dhënë se ku banonte në atë kohë patrioti Koto Hoxhi dhe a njihej ai me vëllezërit Sotiri apo Naim Frashërin.  Mendoj se ky fakt është një hamendje ose shpifje për të ngritur lart vlerat e Koto Hoxhit. Kështu i bëjmë dëm historisë dhe të vërtetave duke i bërë të pabesueshme ngjarjet dhe zhvillimet patriotike.

Fakte e të dhëna të reja kemi zbuluar edhe për aktivitetin patriotik të vëllezërve Sotiri, të cilat do t’i bëjmë te njohura në vazhdim. Përsa kohë nuk i njohim vlerat reale të ajkës së patriotëve tanë, vështirë është të na i thonë apo të na i vlerësojnë të huajt.

Solla disa fakte dhe dokumente që hedhin poshtë shpifjet dhe gënjeshtrat për vëllëzërit Sotiri, këta korifej dhe të parët patriotë që u angazhuan për shkollat shqip dhe çeljen e tyre, duke sakrifikuar jetën dhe të ardhmen e tyre. Akoma më keq kur këto të pavërteta, shpifje apo gënjeshtra, quani si t’i doni, bëhen pjesë e fjalorëve enciklopedikë, librave të historisë, internetit, gazetave apo emisioneve televizive, gënjeshtrat kështu fitojnë qytetrinë dhe është vështirë t’i shkulësh. Duhet të harxhosh tërë jetën tënde për të vënë në vend padrejtësinë dhe korregjuar historinë.

Koço Mosko
Boston, Gusht 2023 


[1] Faik Konica –  Gazeta “Albania” nr. 8; suplimenti fërgjisht.

[2] Musa Kraja – “Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqip” f. 7 ; Tiranë 2002

[3] Dhimitër Beduli – “Shenime për fshatin Selckë”

[4] Prof. dr. Musa Kraja – Gazeta “Shkolla rurale”; Tetor 1999

[5] http://kallarati.com/arsimi/historiku-i-shkolles-ne-kallarat

[6] Enver Strati – “Historiku i Kallaratit” 

[7] Enver Strati – “Historiku i fshatit Kallarat. 

[8] Dr. Jorgo Thanati, etj. – “Selcka e Lunxhërisë …” f. 189 Tiranë 2011.

[9] Dr. Jorgo Thanati, etj. – “Selcka e Lunxhërisë …” Tiranë 2011

[10] Dhimitër Beduli – “Shënime për fshatin Selckë” Tiranë 1986. 

[11] Akademia e Shkencave e RPSSH- Fjalor Enciklopedik Shqiptar –Tiranë 1985 faqe 975

[12] Leko Mako – “Ju o djem do më kujtoni “, Tiranë – 2007.  faqe 97. 

[13] Musa Kraja – ““Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqip” f. 110 ; Tiranë 2002

[14] Koço Mosko Stegopuli – Kujtime, shkruar dhjetor 1988

[15] Musa Kraja – ““Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqip”,  Tiranë 2002

Macintosh HD:Users:Koto:Desktop:Screen Shot 2023-08-03 at 6.29.52 PM.png

Shkolla tani fillore e Selckë pas rindërtimit në vitin 1894 
ku kanë kryer arsimin plotor Pandeli e Koço Sotiri ( foto: Artur Mosko)

Filed Under: Histori Tagged With: Koço Mosko

IL PICCOLO DI TRIESTE (1939) / KUR AT GJERGJ FISHTA EMËROHEJ AKADEMIK I INSTITUTIT MË TË LARTË KULTUROR TË REGJIMIT FASHIST : “FALEMINDERIT LUIGI FEDERZONI, FALEMINDERIT DUÇE!”

August 4, 2023 by s p


At Gjergj Fishta (1871 – 1940)
At Gjergj Fishta (1871 – 1940)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 4 Gusht 2023

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të enjten e 15 dhe të shtunën e 17 qershorit 1939, dy telegrame të At Gjergj Fishtës drejtuar asokohe Luigi Federzoni-t dhe Benito Musolinit me rastin e emërimit të tij në Institutin më të lartë kulturor të regjimit fashist, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

“Vetëm nga gjiri i Italisë do të rilindë Shqipëria ideale”

Mesazhi i Fishtës drejtuar Federzonit

Il Piccolo di Trieste, e enjte, 15 qershor 1939, f.2 : 

Romë, 14 qershor.

At Gjergj Fishta, Akademiku i ri i Italisë, i dërgoi Shkëlqesisë së Tij Federzonit (Luigi Federzoni) këtë telegram :

“I prekur, ju falënderoj për urimet dhe kënaqësinë tuaj dhe të bashkëpunëtorëve akademikë për emërimin tim si anëtar i institutit më të lartë kulturor të regjimit fashist, i votuar me emërimin e lartë të Duçes dhe me vullnetin e Sovranit tonë. Jam i sigurt se vetëm nga gjiri i Italisë do të rilindë sërish Shqipëria ideale”. — At Gjergj Fishta

Falenderimi për Duçen nga At Gjergj Fishta

Il Piccolo di Trieste, e shtunë, 17 qershor 1939, ballinë :

Romë, 16 qershor.

Akademiku At Gjergj Fishta i dërgoi Duçes telegramin në vijim :

“Faleminderit Duçe për nderimin e lartë të Akademikut të Italisë që me prirjen tuaj dashamirëse më atribuohet dhe që e konsideroj si një tregues të sigurt të interesimit tuaj bujar si për Shqipërinë ashtu edhe për racën shqiptare, një virtyt i panjohur deri tani në diplomacinë evropiane”. — At Gjergj Fishta

Filed Under: Kulture Tagged With: Aurenc Bebja

Selim Shabanaj, in memoriam…

August 4, 2023 by s p

Atdhetari e filantropi i shquar 73 vjeçar Selim Shabanaj i Radio “Prishtina” në Zagreb, i kompanisë “Frucktus” në Kosovë, i Luftës së UÇK-së, ka ndrrue jetë në Prishtinë



Dje ka ndrrue jetë në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës dardane, në moshë 73 vjeçare, atdhetari e filantropi i shquar shqiptaro-kroat, Selim Shabanaj, i rrethuar nga dashuria e përkujdesja e familjarëve e miqëve të tij, i cili do të përcillet me nderime meritore, sot, me 4 gusht 2023, ditë e premte, ora 14.00, në fshatin e tij të lindjes, në varrezat e Dobixhe-Jagoz të Gjakovës.

1.
Atdhetari e biznesmeni i shquar, i viteve 1980-1999, Selim Shabanaj, ishte pronar i kompanisë “Fructus”, e cila numëronte asokohe mbi 550 shitore në të gjithë territorin e Kosovës, ku u punësuan qindra familje e mijëra qytetarë të Kosovës, u mundësuan në përballimin e mbijetesës shqiptare në Kosovë nga masat e dhunshme të gjithanshme të Serbisë me largime të shqiptarëve nga puna, etj.

Salih Mekaj-ish kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, shprehet se kompania “Fructus” e Selim Shabanit: “kishte jo vetëm karakter ekonomik, por ishte një oponencë e fortë ndaj masave të dhunshme të pushtetit që kishin për qëllim lodhjen e popullatës edhe përmes varfërisë”.

Patriotit e biznesmenit të shquar Selim Shabanaj për veprimtarinë e tij kombëtare atdhetare e kulturore, Serbosllavija ja mbylli 550 shitoret për nji ditë dhe ja konfiskoi mbi 23 milionë marka mallë. Për këtë arsye ai u detyrua t’i mbyllin të gjitha shitoret e tij dhe të jetonte në Mërgim, ngase ishte i përndjekur politik nga rregjimi serb, nga ky rregjim i terrorit e genocidit ndaj shqiptarëve etnikë.

Biznesmeni filantrop, atdhetari Selim Shabanaj, pas Luftës në Kosovë (1999) për shkaqe politike të gabuara të autoriteteve në Kosovë nuk gjeti përkrahje për të vazhduar me bizneset e tija shumë të suksesshme. Edhe gjendja e tij shëndetësore e detyroi atë të pensionohet e të jetojnë në Prishtinë, ku deri në ditët e fundit të jetës së vet po merrej me përshkrimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të Kosovës gjatë viteve 1980-2000, të cilat presim të shohin dritën e botimit (aq sa ka dorëshkrimuar) në një të ardhme të afërt.

Dukagjin Karaveshi nga Kosova shkruante dje se “Selim Shabanaj ka qënë institucion”, duke shprehë një të vërtetë të madhe, një vlerësim të lartë.

2.
Selim Shabanaj meqenëse kishte miqësi të madhe dhe të sinqertë me autoritetet Kroate, mundësoi me shumë dashuri e atdhetari, me humanizëm plot sakrifica njerëzore, monetare, poltike, diplomatike, mediatiek, që Radio “Prishtina” të jepte lajmet direkt nga Zagrebi, lajme të pa çensurë dhe të sakta, ku i sponsorizoi 10 gazetarë, të cilët punuan për t’i përgatitë lajmet për Kosovën.

Asokohe, Radio “Prishtina” prej nga Zagrebi, ndigjohej gjithkund e gjithkahit nga shqiptarët në ish-Jugosllavi e në Shqipëri e kudo tjetër arrinin valët e zëri i saj i të vërtetës, i shpresës, i shqiptarisë.

Selim Shabanaj ishte shumë i afërt me Dr. Ibrahim Rugovën, lidershipin e madh të Kosovës dardane, si dhe me gazetarin e botuesin e mirënjohur Agim Mala dhe me personalitete të tjera panshqiptare.

Selim Shabanaj u kyç herët në Levizjen gjithëpopullore shqiptare, që ma vonë kjo lëvizje edhe u shndrrua në parti politike, LDK, por ai nuk u antarësue në LDK dhe në as ndonji parti tjetër, por i financoi të gjitha lëvizjet, tubimet dhe aktivitete të organizura gjatë dy dekadave të fundit të shekullit të kaluem për të gjitha partitë pa dallim.

3.
I nderuari e i shquari biznesmeni atdhetar Selim Shabanaj kontribuoi shumë edhe në armatimin e popullatës shqiptare për fitoret e lirisë e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës dardane.

Personaliteti i mirënjohur i lirisë, i pavarësisë e shtetësisë së Kosovës, i botës akademike, i fushës së letrave shqipe, i shoqërisë civile, i politikës e diplomacisë së Kosovës, Jahja Lluka, aktualisht dhe President i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, pashë dje, teksa shkruante në rrjete sociale, ndër të tjera:
“Sonte mora një lajm mortor për vdekjen e njërit nga biznismenët ma të fuqishëm në Kosovë dhe më erdhi rëndë se Selim Shabanaj nuk ishte vetëm biznismen, po edhe njëri nga donatorët për të varfërit, po edhe për pregaditjen e popullatës shqiptare për mbrojtje nga hordhitë çetnike, çka me këtë rast po i nxjerri nga ditari im i një vizite në Zagreb… Dua të them se ti, Selim Shabanaj, ke ba shumë për Kosovën, po Kosova jo sa duhet për Ty. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”

4.
Biznesmen e filantropi i shquar, veprimtar atdhetar i pandalur, kontributor i madh për zhvillimet kombëtare, ekonomike, politike, kulturore, mediatike, Z. Selim SHABANAJ nga Kosova dardane, ishte i Ftuar Nderi në “Kuvendin e Madh të Ulqinit”, i ftuar personalisht nga miku i tij që nga shkolla fillore, tani Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve” z. Ramiz Tafilaj në Teksas (SHBA), njiherit edhe Kryetar i Këshillit Organizator të “Kuvendit të Ulqinit”-Kuvend PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik.

Kontributi i biznesmenit, filantropit dhe atdhetarit të shquar Selim Shabanaj për Kombin tonë është tepër i madh, ndaj dhe prania e tij, si i Ftuar Nderi, i dha peshë dhe vlerë Kuvendit të Madh të Ulqinit të 29 prillit 2023.

Me propozim direkt të motivuar shpirtërisht e të arsyetuar gjithanshmërisht të personalitetit të shquar shqiptaro-amerikan, Ramiz Tafilaj, “Kuvendi i Madh i Ulqinit” dhe “Gazeta e Alpeve”-media PanShqiptare e NdërBallkanike (Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Lugina e Preshevës e Sanxhak-Maqedoni e Veriut dhe Mërgata Shqiptare në Botë) e vlerësoi dhe e nderoi me Çmimin e Madh “Dardania”, Z. Selim Shabanaj në Prishtinë, me këtë Motivacion: “Për kontributet e tij të shquara filantroprotike ndërvite, përgjatë shekullit të kaluar deri në pensionimin e tij, për veprimtaritë e tij në zhvillimet kombëtare, atdhetare, lobuese, ekonomike, politike, kulturore, mediatike në Kosovë e mërgatat shqiptare, duke dhënë për kombin e vet gjithçka mundi nga bizneset, dituria e puna e tij e jashtëzakonshme, edhe përkundër përndjekjeve politike e ekonomike nga rregjimi i Jugosllavisë”.

Shpalljen e Çmimit të Madh “Dardania” me motivacionin përkatës për atdhetarin e filantropin e shquar Ramiz Tafilaj e lexoi në sallën e Kuvendit, gazetarja e mirënjohur Hyrë Tejeci-Murati e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), me përvojë mbi dy dekadore në fushën e gazetarisë, e cila ishte e Ftuar Nderi në “Kuvendin e Madh të Ulqinit”.

Çmimin e Madh “Dardania” akorduar atdhetarit e filantropit të shquar Selim Shabanaj ia dorëzoi miku i tij i afërt e i ngushtë i viteve të rinisë së hershme dhe i kohërave të derisotme, Ramiz Tafilaj- Kryetar i Këshillit Organizator të “Kuvendit të Madh të Ulqinit” dhe Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve”-media PanShqiptare e NdërBallkanike.

Atdhetari e filantropi i shquar Selim Shabanaj duke marrë Çmimin e Madh “Dardania” shprehu mirënjohjen e Tij për këtë vlerësim të lartë në Kuvendin e Madh të Ulqinit- Kuvend PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlkantik.

Ndarja nga jeta e atdhetarit e filantropit të shquar Selim Shabanaj është një dhimbje e madhe për Kosovën dardane, për krejt Shqiptarinë, ndaj dhe figura e këtij patrioti të madh e veprimtari të rrallë duhet të vlerësohet e nderohet nga shteti i Kosovës, nga institucionet e tij më të larta.

Ramiz LUSHAJ

Tiranë-Prishtinë, 4 gusht 2023

Filed Under: Kronike Tagged With: Ramiz Lushaj

“Bibliotekat e intelektualëve” e Injac Zamputtit dhe…intelektualët pa biblioteka

August 4, 2023 by s p

Frano Kulli/



1) – Injac Zamputti, në librin e tij “Kujtime – njerëz, fakte, ngjarje”, në një syth të rrëfimeve, andej nga faqet e fundit të librit të titulluar “Bibliotekat e intelektualëve” shkruan: Qysh në muejt e parë të mbasluftës (duhet të ketë qenë qershori 1945), Qarkori i Partisë komuniste[në Tiranë] shpërndau nëpër shtëpitë tonë një fletushkë me një listë autorësh dhe me titujt e librave që nuk duhej të mbaheshin në bibliotekat tona shtëpiake. Domosdo, të parat ishin veprat e Fishtës, Koliqit dhe të klerikëve katolikë. Por ajo që më çuditi dhe që më bani të mendohesha qe fakti se, në këtë listë ishte vu edhe emni i im…Kjo listë librash të ndaluem ishte në gjurmët e Kundër-reformës të shekullit XVI kur, në Koncilin e Trentit [Trentos] , u krijue “Indeksi”.
Dhe Zamputti, si rrallë kush tjetër e njihte dhe e dinte mirë se ç’kish qenë ai “Indeksi” i Koncilit të atëherëshm i katër shekujve më parë dhe çka kishte me qenë ky që sapo u shfaq, referuar kohës për të cilën ai flet. Ai edhe e dallon mirë fort nuancën e grihtë në të zezë që e bënte të ndryshëm”indeksin” e ri nga ai i herëshmi. “Indeksi” komunist po krijohej vetëm duke u nisë nga pozita klasore e autorëve…Dhe, natyrisht, që njëri syresh, që do të futej në orbitën e “indeksit” do të ishte me patjetër edhe vetë ai, Zamputti. Me origjinë italiane, nga babai, me shkollim e kulturë të atjeshme, përftuar atje në vitet ’30, dishepull i At Giuseppe (Zef) Valentinit e mësues në Seminarin Papnuer, koleg me Dom Ndre Mjedjen, s’kish si të lihej jashtë rrethit të “indeksit” komunist. Dhe ky veçim për të do t’i mbetet gozhdë në kujtesë për kaq dekada sa ishte numri i shekujve të kaluar, një aso gozhde, në të cilën dikush godet pa u ndalur dhe ajo ngulej pa prâ (ndalur)në gjithë qenien e tij. Një shqetësim në formën e ankthit, që pasi shfaqet në një moment e gjendje të caktuar, të ndjek si sëmundje kronike për gjithë jetën. Çdo ndodhí e gjithçka që ngjet e ka një fillesë. Zanafilla e kësaj të keqeje është “atëhere kur kanë hy këta”, kur rregjimi i ri i mbasluftës, hapte shtigjet e reja të parakalimit të dhunës e shtypjes. Mbi të diturit më së pari…Më mbas, sikurse për ata e për vetë Zamputtin mbikqyrja e vrojtimi sistemik e i pandalshëm i mbylli për të gjatë kohë në korracën e autocensurës së frikëshme. Megjithatë ai dhe nja pak, fare pak të tjerë si Çabej, Gjeçi, Shllaku, Ashta, Leka të cilët, dalldia që erdhi i zuri këtu dhe qëndruan, mbas kalvarit të mundimshëm si të Jezukrishtit ia dolën ta nxjerrin në breg vepren e vet të dobishme sa vetë ashti i kombit e me njetin e shpirtin kulturdashës tua trashëgojnë brezave. Qëndresa e tyre përballë rrebesheve absurde që sillte për ta sistemi i dhunës është fondamenti i artë i trashëgimisë sonë në fushën e dijes.
2)
Libërdashja, si kategori publike e mardhënies së ndërsjelltë të njeriut me dijen, gjithëherë tek ne ka ecë nëpërmjet lëkundjeve e ulje ngritjeve të përsëritura. Në varësi e sipas kurbës e trajtesës së kultivuar që asaj i ka bërë shoqëria, elita e saj… Pak më shumë se një muaj më parë uli qepenat njëra prej librarive të rëndësishme në Tiranë. Një tjetër, që shërbente edhe si agjensi shpërndarje për brenda vendit, ka filluar të paketojë nëpër kuti librat qëndrimgjatë aty, që simbas gjasave është preludi i melodisë krrakrra-itëse të qepen-uljes.Kurse mardhëniet e enteve publike me librin e me leximin, gjithherë kanë lënë për të dëshiruar. Edhe atëhere kur në krye të tyre, Ministrisë së Kulturës kanë qenë shkrimtarë. Dhe s’është kaq paradoksale sa duket, nëse gërmon pak, fare pak më thellë në njohjen e politikave qeverisëse për librin. Sot, sistemi i qarkullimit libror në Shqipëri është me cilësinë më të ulët krahasuar me vendet fqinje me ne. Sikundërse përkujdesja shtetrore për të e pakrahasueshme me asgjë dhe me askënd , kërkund përreth nesh. E le më të të vijë në mendje ndonjë qasje me Europën, për ku gërthasim se duam të shkojmë. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, sot ekziston më shumë si një ent ku rrogëtohen disa njerëz. E shfytyruar padrejtësisht deri në dhimbje. E denjë për të lidhur aty Gomarin Viskë Babatasi, që Fishta e sjell te Komedia e vet Satirë “Gomari i Babatasit”, në pjesën e dytë të saj “Visku i Babatasit”. Visk Babatasi është një nga të rrallët personazhe me emër të vërtetë në vepër, është person real i jetës sociale dhe politike shqiptare. Asokohe (1922-1928) qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Ishte sekretar i revistës “Albania” të Konicës,po i përgojuar dendur edhe nga ai. Ishte korçar, antikatolik i shpallur por edhe antigegë, gjithashtu. Kishte shumë humor dhe Fishtës i pëlqente humori i tij. Babatasi e kishte bërë zakon të shkonte në punë me gomar, sjellje kjo që i shkonte fort përshtat humorit të tij. Dhe e lidhte gomarin te dritarja e kryeministrisë, që ishte njëherësh edhe ministri e jashtme. Një ditë, ndërsa po lidhte gomarin në hekurat e dritares, i afrohet roja e i thotë: “Ka urdhnue zoti ministër mos me e lidhë ma gomarin këtu”. Atëherë Babatasi i kthehet e i thotë: “Ka të drejtë, zotëria, dy gomarë në një ministri nuk bën të lidhen”…
Edhe statuquosë së rrënuar të Bibliotekës së sotme Kombëtare i parapriu njëherë djegja e një tjetër herë përmbytja. Ndoshta për ta bërë më të pranuar atë që do të vinte më pas. Ndërsa sipër ambjenteve të saj të stërngushta sa të marrin frymën, aty në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë bëjnë karshillek ca zyra të një Instituti Italian. Me një kontratë, nënshkruar para gati tridhjetë vjetësh, me shtetin shqiptar. Sfiduese deri ku s’shkon, që përposë të tjerash është përmbytëse nga fyerja e poshtnimi që i bën librit, puntorëve të librit, përdoruesve të tij, intelektualëve, krejt kulturës sonë kombëtare dhe dijes sonë.
3)
Librat e vjetër hallakatur nëpër trotuare, buzë Lanës kanë ardhë duke u shtuar; vendpushimet e shpeshtuara të tyre janë gjithnjë e më plot. Në bisedat e prejkohëshme ndërmjet dashamirëve të librit ka zënë vend nevoja e lirimit të bibliotekave familjare… Tani, “indeksi komunist” ka pushuar së qeni, se nuk duhet më. Duhet diçka tjetër, po kaq e trishtë si duket, cytja e njerëzisë drej padijes sistemike, pra. Ndoshta. Fundja a nuk mund të sundohen mjaft ma kollaj njerëzit e paditur ?

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frano Kulli

AFORIZMA & PARADOKSE, KUR BOTA ËSHTË E RRETHUAR NGA INTELIGJENCA ARTIFICIALE, (AI)…

August 4, 2023 by s p

C:\Users\User\Desktop\365468799_310057604816882_2965795327917618770_n.jpg

Luan Laze

– ese nga Visar Zhiti –

Një libër – një paradoks i zmadhur nga shkrimtari Luan Laze, që priti sa priti dhe na u vërsul për të na treguar se ku kemi arritur, marramendshëm sa lart edhe ku, në një vend të vogël, të shtrydhur midis dy kulturave të mëdha botërore, të artit, filozofisë dhe demokracisë së drejpërdrejtë të antikitetit Grek dhe artit prapë, institucioneve të demokracisë prapë dhe drejtësisë të perandorisë Romake. Për paradoks, të dy këto kultura në epokat e lavdive së tyre, që vunë në qendër Njeriut dhe Rilindjen e tij, ishin shoqëri me skllevër.

Prej tyre njerëzimi ka trashëguar vepra të pavdekshme arti si dhe arenat e amfiteatrove dhe të koloseumeve, ku përlesheshin skllevërit me shpata në duele të përgjakura, vriteshin me njëri tjetrin nën brohërimat e spektatorëve shkallëve të mermerta, pra të popullit tjetër. Një tillë e kemi zbuluar dhe ne mu në qendër të qytetit të Durrësit. Kulmi arrihej, kur në arenë futeshin nga bodrumet nën tokë kafshët e egra, të uritura, luanët, që shqyenin me dhëmbë dhe kthetra mishin njerëzor.

Dhe vazhduan deri në ditët tona ato duele, betejat asisoj, luftërat, u bënë të përgjithshme, Lufta e Trojës… Beteja e Termopileve… e Torviollit… Rrethimi i Krujës, I pari, I dyti, I treti… Rrethimi i Stalingradit… dhe pastaj prapë nga e para,  Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore… e treta tani… dhe… dhe Inteligjenca Artificiale… gjithnjë e më të modernizuara, duke u përkryer habitshëm… por unë dua të ndal te Luan, te paradoksi i  emrit, i njerizuar, i mbretit të pyllit dhe jo vetëm, edhe i shteteve, emri Luan është vënë ndër njerëz qysh herët ndër popuj, Leo, Leone, Lev, Leopold, dhe Leopoldina, etj, etj, deri dhe te emri i heroit të antikitetit grek Leonidha, të gjithë janë në adhurim të forcës dhe madhështisë së tij, por dhe si një pakt pajtimi… por mes kujt, njeriut dhe egërsirës dhe pastaj mes njerëzve?    

  Gjithsesi unë dua të merrem me Luanin tim…

Luan Laze. Sipas asaj që ai e thotë dhe vetë në një aforizëm për emrin e tij: më vendosën këtë emër se e dinin që do të jetoja në një shoqëri kafshësh, duket vërtet si një luan në arena e reja, në qytete, rrugëve të tij, në shtëpi e zyra, në punë e klube, në biseda me të tjerët, me veten, në ëndrra e delire, ecën i shkujdesur, duke parë të tjerët shkallëve, në stadiume, teatër, partira, parlament, shkallëve të avionit, shkallëve të pallateve pa leje… ashensore karrierash… ballkone ballë për ballë, etj, etj. 

Luani sheh që kthetrat nuk janë më, por janë bërë ironi e tij, dhëmbët janë zemërimi, qortimet, tund bishtin hokatar, realiteti i ngjan një cirku, gazmor në dukje, ja dhe teli i ekuilibrit të rrezikshëm, të hungërish paqësisht duke i ngazëllyer spektatorët… Sot si dikur. Dikur si sot… 

Në fakt ky është libri, ky libër…

PO E SHFLETOJMË…

Keqkuptimi është një dhuratë për të kuptuar më mirë.

Hija e njerëzve është më interesante se vetë ata.

Shpëtoni prej atyre që keni brenda vetes, të shijoni veten.

Po! Po ç’ishte ky zell për të treguar me pakëz fjali ose dhe me një të vetme, por ama me 5000 të tilla, realitetin përreth, njerëzit që njohim dhe nuk njohim, adhurim apo kritikë apo frikë shpotitëse nga jeta, nga alienimi i shoqërisë njerëzore, mbase kështu do të thoshte studiuesi gjakftohtë, futje në vorbullat e ngjarjeve të aktualitetit, do të vazhdonte ai, ndoshta dhe mundësi për të qeshur me veten, do të shtoja, në kohën kur qeshet aq shumë me të tjerët, një vetvete tjetër? Apo të gjitha bashkë nga pak a asnjëra aq shumë?…

Shkencat sot kanë arritur zhvillime të paimagjinueshme, por jo nga ata që zbulojnë dhe shpikin, kur Inteligjenca Artificiale, AI siç quhet, pra “ai” në shqip, ai tjetri, që po na kërcënon me mençuri të hatashme, se nuk duket e largët dita që do të mund të sundohemi jo më nga vetvetja, por nga vetvetja e shpërngulur te makinat, në robotë, me mendjen të zbrazur në një elektroteknologji të skajshme, në kompjutera gjithfarëlloj, në univers pranë, por dhe larg, të futur nën lëkurën e njeriut, sepse mençuaria jonë ishte kaq shumë injorante, sa… s’e di, etj, etj. 

Luan Laze, edhe pse e kishte nisur ndryshe, si me një shaka të padëmshme, sikur donte të kalonte kohën, tani është në përballje, në vorbull, përkundruall kohës, qendrestar, pa e marrë përsipër si mison, kështu duket paradoksalisht…

 Ka 48 vjet që shkruan aforizma & paradokse, kështu thotë, i ka nisur që kur ishte ushtar i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, më i gjatë emri se vetë atdheu, pra, në vitet 1976 – 78, kur Shqipëria kishte dalë nga kampi socialist, nga perandoria komuniste, dhe nuk kishte shkuar asgjëkundi, ishte vetëmbyllur, regjimi ruhej me armë, me gjyqe, tela me gjëmba, pranga, dënime shkrimtarësh dhe librash, shpëlarje trush, etj, më shumë se nga armiqtë, pra, ruhej nga mençuria… e Luani ynë vit pas viti shtonte aforizmat dhe paradokset, gjithnjë e më të rrezikshme.

Po pse s’u mjaftua me 20 sentenca, aq sa kishte moshën, kur ishte ushtar? Apo me 48, aq sa vite ka që i shkruan, fundja dhe ‘76 a ‘78 sa numri i viteve, kur i nisi? Do i jenë dukur shumë aq, po le t’i pakësonte atëhere, t’i bënte 100. Prapë shumë. Duhen më pak. Mirë pra, fiks 183 aq sa nene ka Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë. Më pak, më pak. Sa Kanuni i Lek Dukagjinit, ai ka 199 nene? Sikur t’i bëjmë 200? Apo 300, 500? 525, aq sa nene ka “Kodi i Procedurës Penale…”, se ai është më modern dhe merret drejpërsëdrejti  me sentenca e hetime e paradokse e tortura. Dhe e ndërsjellta, pothuajse me to merret dhe autori Luan Laze.

Eh, prapë duheshin pakësuar, do mjaftonin 1000, apo sa 1001 netët, ne jemi popull i lidhur me Orientin, gati orient. Jo, janë shumë, duhen më pak. Sa, 2000? 3000 atëhere… 

Jo! Nuk ka më pak se 5000 aforizma dhe paradokse, ndryshe s’del libri. Dhe meqënëse jemi shqiptarë dhe bëjmë më mirë hesapet e tjetrit, them se sikur Luani të kishte shkruar nga një në ditë, do t’i duheshin afërsisht 14 vjet pa afërsisht 100 ditë për 5.000 aforizmat dhe paradokset e tij. Në fakt janë tonat. Ai këmbëngul se ka 48 vjet që i shkruan, pra i dalin mangut dhe 34 vjet, të konveruar në sentenca, i mungojnë dhe 11.410 të tilla. Defiçiti është i dënueshëm… dikur shitëset e djathit dënoheshin me defiçite kësisoj dhe unë gjej ngjashmëri midis djathit dhe sentencave, gjersa një katedër albanalogjie në Angli merrej me gatimet e supës në Ballkan. Por le të vazhdojmë me shkencë, se:

Injoranca ka ecur perpara, ne kemi mbetur në vend.

ETIMOLOGJI DHE PAK ZANAFILLË…

(me mirëkuptim..)

Studiues të ndryshëm, hulumtues, kritikë, gjuhëtarë, shkrimtarë, mësimdhënës, astrologë, udhëtarë, gastronomë, maniakë librash, etj, por dhe lexues të zakonshëm, ndodh që i vizojnë librat, filozofikë, shkencorë, etj, po edhe ato letrarë dhe mbase më shumë këto të fundit. Edhe unë kështu lexoj zakonisht, kur libri është imi, duke i vizuar pjesët që pëlqej, mendoj se kështu do ndihmohem për t’i mbajtur mend, duke mos qenë nevoja ta rilexoj të gjithë librin që s’do të doja ta rilexoja. 

Mund të jenë disa vizime në një faqe ose mund të kalojnë faqe te tëra pa vizime.

Ato shpesh e kanë kuptimin, por edhe bukurinë në kontekstin e tyre si një detal, mbase etik, një vështim a pakëz fare ndodhi, portreti, mençuri, marrëzi më shumë, etj, janë të çmuara dhe të vyera dhe më vete si sentenca, aforizma, metafora, krahësime, neologjizma, paradokse, etj, si fjalë të urta, thënë thjesht, por jo dhe aq të urta, kam shkruar dikur.   

   Po një libër që shkruhet për të qenë i tillë, vetëm me aforizma dhe paradokse, ku duhet të mbartin nënkuptueshëm karakterin, ndodhinë, konfliktin, madje dhe humorin e beftë? Dhe e gjitha me një batutë. Duhet biblioteka, do të thoshte studiuesi, libra pa fund, vizime, vizime… si shina të gjata trenash… përvojë jete, do të thosha unë, fabula me luanë e kafshë të tjera përveç njeriut, (kafshës politike, sipas Aristotelit), vëzhgime dhe aftësi, duhet qenë dhe ca ngacës, si pa të keq, me humor… dhe i gatshëm të përballosh sherret, arenën, pra do dhe ca stërvitje në palestër, edhe në ringun e boksit, në parlement, por dhe me miqtë e ngushtë, sidomos kur janë (sh)krimtarë, (kështu e kam shkruar këtë fjalë në burgologjitë e mia.) Jo se e harrova Bibliotekën Kombëtare. Asaj tonës së fundmi edhe i ra zjarri, edhe u përmbyt nga shirat e shumtë, por jo njëkohësisht në një ditë, që uji të shuante të paktën zjarrin, por n:e vite te ndryshme, ndërkaq na siguruan që letërsia e mëparshme, sidomos ajo e Realizmit Socialist nuk pësuan gjë, veç librat e rinj të këtyre viteve, në postdiktaturë, në tranzicion. Për fat 5.000 aforizmat & paradokset e Luan Lazes nuk ishin ende libër. 

Dhe vërtet, nëse ka mbetur fjalor pa u djeguar ose të paktën pa u lagur, si I shpjegon këto dy fjalë?

aforiz/ëm,-mi emër i gjinisë mashkullore, numëri shumës: –ma(t), (po kur janë 5000?) i ligjërimit libror, thënie e shkurtër shprehëse, që përmban një mendim të përgjithësur a një mendim të nxjerrë nga jeta: libër aforizmash.   

Kaq? Si pak paradoksale, më duket?! 

paradoks,-i emër i gjinisë mashkullore; i ligjërimit libror; mendim që bie në kundërshtim me një të vërtetë të njohur a të pranuar; (paradokset e Luanit nuk bien në kundërshtim me asnjë të vërtetë dhe me të panjohurat dhe të papranuarat), ide që duket sikur nuk pranohet me arsyen e shëndoshë, por që mund të jetë e vërtetë; diçka e çuditëshme, e papritur dhe e pabesueshme: paradokset e natyrës.

Të dy emra të gjinisë mashkullore? Ç’është ky maskilizëm i hapur, harbut? Mos kisha ndërruar libër pa dashje dhe po lexoja këtë të Luan Lazes? Thashë të shikoja ndonjë tjetër në gjuhë të huaj, por pa humbur kohë, në italisht në fillim, se këtë gjuhë dime ne, gjith:e shqiptarët, kështu na duket.

aforismo s. m. [dal lat. tardo aphorismus, gr. ἀϕορισμός «distinzione, definizione», der. di ἀϕορίζω «delimitare»] (pl. -i). – Proposizione che riassume in brevi e sentenziose parole il risultato di precedenti osservazioni o che, più genericam., afferma una verità, una regola o una massima di vita pratica……….

………………………………………………………………………………………………

Mjaft! Aty aty qenka shpjegimi.

paradòsso agg. e s. m. [dal gr. παράδοξος, comp. di παρα- nel sign. di «contro» e δόξα «opinione»; come sost., dal gr. παράδοξον (neutro sostantivato), lat. paradoxum]. – 1. agg. Che va contro l’opinione o contro il modo di pensare comune, e quindi sorprende perché strano, inaspettato………………………………..

……………………………………………………………………………………………… 

Mjaft, prapë! Luani duhet të jetë i kënaqur me mua, se solla këtu dhe etimologjitë nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja, por, do të thosha se qoftë fjala aforizëm, qoftë fjala paradox, më mirë se në fjalorë dhe në enciklopedi, kuptohen se ç’janë në këtë libër të Luanit, ku autori nuk i ka shpjeguar fare, sepse ai i ka zbuluar ato si dukuri dhe na i paraqit si përsiatje dhe ndodhí, të tij/të atyreve/tonat/të askujt/të të gjithëve, etj, po do të shtoja se mendimi është ndodhí dhe paradoksi është vetvetja.

Po humori? Luani bën dhe humor. Si është tradita e humorit në letrat shqipe?

Rilindja Kombëtare pati dhe komeditë e saj, them për ato të shkruarat, që nga Mihal Grameno e Haki Stërmilli, Anton Xanoni e Fan Noli, nga Foqon Postoli dhe me kulmin, Anton Zako Çajupin dhe Kristo Floqin, etj, me satirat e At’ Gjergj Fishtës, më të mirat në Ballkan, sipas një studiuesi, etj, ato së bashku emancipuan, estetikisht edhe politikisht ndërgjegjen morale kolektive, aty nisi, ndoshta para tyre mund të veçojmë bejtexhiun Hasan Zyko Kamberin me bejtet e famshme “Paraja” dhe “Trahanaja”. Gjithsesi rilindasit krijuan “shekullin e ndryshimeve”.

Më pas erdhën ndryshimet e ndryshimeve, komeditë e fitimtarëve, sentencat e tyre, sllogane jo vetëm mureve, por edhe gjyqeve, komeditë po përfundonin tragjikisht si ato të aktorit Hekuran Zhiti, që s’u botuan sa ishte gjallë, se kishte qenë kundërshta i fitimtarëve, madje dhe e kishin burgosur. 

Shakaxhinjtë e përparimit, do të thoshte Imzot Fan Noli. Dhe erdhi komedia e Realizmit Socialist, “Prefekti” dhe “Karnavalet e Korçës”, shkëlqyen humoristë si Çomora e Bubani, prozatori Qamil Buxheli, Miço Kallamata, Dritëro Agolli, Ruzhdi Pulaha, Pëllumb Kulla, etj, revista “Hosteni” dhe komedia “Pallati 176”, që duket si anonime, “Zonja nga qyteti”, etj, etj, filma dhe skeçe me mijëra, e grafomanë një ushtri e tërë bardhzinjsh, me leje krijuese, që nuk dinin ta ndanin letërsinë nga dashuria për Partinë, ata vetë janë komedia, ashtu si batutat e qeshura e tyre vazhdon dhe sot, e qashtër, e angazhuar, banale, fyese, pa te keq, e keqe, e pashkulshme si barishtet.

A ka ç’mund të vizosh në to? Aforizma & Paradokse?       

Dhe pse nuk ka gra shkrimtare të humorit? Apo është punë burrash dhe gratë s’bëjnë shaka me jetën? Aktori të estradave janë… 

I këtij mjedisi ishte dhe Luan Laze i ri. Shfaqet si befas, se ishin emrat e tjerë më të shquar, më të pritshëm. Ai duket se nuk vinte nga tradita e tyre, por nga moskultura e tij si ata, mendoj. Kulturë nga jo kultura. Dhe ky paradoks ndodhte vetëm në Shqipërinë tonë. 

Në këtë tokë ajo që vlen, nuk është vlerËsuar dhe ajo që vleresohet, kurrë nuk do të vlejë.

Dijetari i shquar, semiologu i madh, shkrimtari Umberto Eco, shpjegon:  

“Humbësit kanë gjithnjë njohuri më të gjera se fituesit, nëse kërkon që të fitosh duhet të dish vetëm një gjë dhe s’duhet të humbasësh kohë për t’i ditur të gjitha, kënaqësia e erudicionit është rezervuar për humbësit. Sa më shumë gjëra di ndokush, aq më shumë gjërat s’i kanë vajtur mbroth”.

BISEDË ME AUTORIN

(retrospektivë e…)

Po të kalojmë tek libri, më konkretish te autori. Ashtu si Shvejku i romanit të famshëm për brezin tim dhe të Luanit, “Ushtari i mirë Shvejk”, edhe ne nuk i ndahemi ushtrisë, kujtimeve të saj, por pa vajtur në front.   

– Një ditë afër repartit, aty në fshat, – tregon Luani i 5.000 aforizmave dhe paradokseve, – pashë tre burra, thernin një buall. I thashë një shoku nga Tirana se ky, i gjori buall, nuk e di fuqine e vet, se nuk do të kishte burrë që ta therte. Bualli është populli, mendova, por nuk fola… 

– Pse? 

– Si pse?… Më tërhiqnin humori, ironia, sarkazma.

– Si puna e therjes. Kishte mënyra plot dhe jo vetëm buaj…

– Pas dy vjershave, botuar në gazetën lokale “Adriatiku” me ndihmën e Komandantit tim Shpend Topallaj, tani shkrimtar se atëhere nuk i lejohej, se ishte përjashtuar nga partia, kur u lirova…

– Nga burgu?

– Nga ushtria, botova te “Hosteni” e “Drita” poezi, satira, paradokse. 

– Ushtarake?

– Jo, civile. Ndërkaq përkthyesi Lili Bare kërkoi të më takonte. Nuk e njihja. Me pyeti kush jam, nga jam dhe pse jam dhe i befasuar nga ato që kisha botuar me tha: Nëse t’i pëlqen ndonjë i burgosur politik, i ke vërtet të bukura. 

– Po ku do ta gjeje të burgosurin politik? Burgu s’ishte leje krijuese, që të shkoje…

– E mora si provokim. Më vonë mësova se ishte shok me Dritëroin dhe kishte vajzën në Rusi.

– Dhe?

– Siri Sulejmani, shkrimtar e mik i madh imi, me siguroi se nga Lili nuk të vjen e keqja. 

– Natyrisht. E keqja s’dihet nga vjen, se po ta dish, i ruhesh…

– Një nga ato paradokset, që i kishte mbetur në mendje, ishte: përderisa është vdekja, çfarë na duhen lindja? 

– Lindja? E kishe fjalën për Vendet Lindore, Bashkim Sovjetik, Kinë, Mongoli, Poloni, Hungari, Gjermani Lindore, Çekosllovaki, Bullgari, Jugosllavi, Shqi…

– Jo.

– Për regjimet e tyre, desha të them.

– Jo.

– Pse, nuk të pëlqen të kesh qenë disident? Është me leverdi sot. Mund të blesh dhe një dëshmi persekutimi… 

– E di. Do më japësh tënden?

– Nuk kam. Mbaruan fletët, i kishin marrë persekutorët… 

– Atje shtypja dhe unë.

– Çfarë shtypje?

– Shkrimet e mia. Në fillim ia jepja vajzës 70 vjeçare të Hilë Mosit, Rina Mosi Gjergji, gruaja e Paulin Gjergjit, këngëtar në Estradën e Tiranës. Ajo ishte një nga gratë më të zgjuara, që kam njohur. Kishte makinë shkrimi, dhuratë nga Jonuz Dini. Kur u plak shumë, ma dhuroi mua me lotë në sy. Sa herë shkoja në shtëpinë e saj, me drejtohej me të folurën shkodrane: Po ku je, mor ta marsha? Hajde, Debatiku i vogël! Sepse më shikonte që rrija me fqinjin, shokun e feminisë, Shpëtim Zani (Coli, te filmi “Debatik”). Sa herë merrja materialet e shpypura, Rina më uronte: Të rujt Zoti, mor bir, me kto gjona që shkruen! Satira është gjini që e di dhe e do Partia, i thosha. Që e di, edhe unë e di. Por që e do, këtë nuk e di, thoshte e paharruara Rinë. Ajo ishte lexuesja e parë e këtyre… Më pas botova tregime e skica, pa hequr dorë nga paradokset. Me 86′ u botuan disa te “Drita”. Midis tyre edhe ajo e buallit, unë e bëra demi.

– Mirë e bëre. Demi ishte më i lidhur me Partinë, kemi dhe heronj.

– Por më thirrën në Komitetin e Partisë, ishte viti 1989. 

– Kaq vonë? Për t’u bërë anëtar Partie?

– Jo. Më thanë: Armik, bën agjitacion e propagande, shkon në burgje e takon shokë atje, tregon barcoleta dhe bën satira kundër. 

– Të paskan lavdëruar.

– Sigurisht që i mohova. Por me që nuk ke bazë klasore për armik i pushtetit, siç më thanë aty, Partia po ta fal, por kujdes se nuk na i hedh dot… Dionis Bubani më tha se kur t’i botojmë herë tjetër, do të vendosim një okelio në krye: nga bota borgjezo-revizioniste. 

– Pra, nga Shqipëria e ardhme. 

– Ashtu u botuan shumë të tilla, midis tyre: Trimi për shokun lë kokën, frikacaku për kokën lë shokun! Me Dionisin ose Xhaxhin, si e thërrisnim, kur ndaheshim, më thoshte me humor: Unë nuk të vij dëshmitar! Kur Sami Çabej i tha Teodor Laços: thuaj atij djalit të sjellë librin për botim, ashtu bëra, se i kisha gati tregimet. Sipas rregullit të Shtëpisë Botuese më pyeti se kë doja për recenzent. I thashë njërin me mbiemër të një ene kuzhine, sepse ai në Konferencën e Talenteve të Reja në Durrës ma kërkoi vetë këtë gjë. Recenzenti tjetër ishte Profesoreshë Floresha Dado. Pas një muaji Samiu më tha se ena e kuzhinës kishte shkruar se me këtë autor, dmth me mua, duhet të merrej Ministria e Punëve të Brenshme dhe jo Lidhja e Shkrimtarëve apo botimet. Poeti Xhevahir Spahiu e kapi enën e kuzhinës e i tha: nuk të vjen turp të fusesh në burg një djalë 25 vjeçar?

– Siç dukej duhej të prisje dhe një vit e gjysmë, se mua 26 vjeç e gjysmë më arrestuan.

– Floresha për të njëjtin tregim, “Realiteti i një ëndrre” shkruante ndryshe, është i paarrirë artistikisht. Kaq. Libri është i botueshëm, thoshte. Një herë tjetër më shpëtoi Vito Koçi, e kisha mik shtëpie. Harroje këto fabul, më porositi, jo më ta çosh për botim. 

– U binde ti?

– …në artistiken “Migjeni” më kanë ardhur dy letra nga një person që kurrë nuk e njoha. Më shkruante me superlativa për ato që lexonte në “Drita” e “Hosteni”. Në fund të dy letrave shtonte: zgjuarsia që nuk kujdeset për veten, është e dëmshme! Ndoshta ishte provokim, ndoshta jo. Nuk e vrava mendjen. 

Por unë kisha miqësi me Inxhinier Ismail Farka, e di që e ke patur mik në burg, edhe persoanzh në librat e tu, ishte burrë i ditur, m’u lut një herë të mos e lavdëroja, se prej tyre e kishte pësuar…   

Ndërsa në një darkë me Dritëro Agollin, më mori Siri Sulejmani, që ai e donte shumë, pasi pinë sa deshën, Dritëroi e lëshoi gojën, pastaj u kujtua që isha dhe unë dhe u kthye nga Siriu: O mustaqe, more ky djalka, që bën ato paradokset, është i yni apo…? Në çast u përgjigja unë: Të isha juaji, do ngrihesha e do vija atje te vendi… Po me ty pse vepruan ashtu, drejt e në burg?

– Mos nuk e kisha me aq shaka. Dhe ata s’bënin shaka…

– Kjo është! Pastaj, po në atë zyrë, ku më kishin thirrur ata të Partisë, më vonë unë do të punoja si gazetar në “Sindikalisti” së bashku me bashkëvuajtësin tjetër tëndin, me ish të burgosurin e Spaçit, edhe ky persoanzh, mik i përbashkët dhe ky, Zyd Morava… Kur një vend e udhëheqin paradoksalet, marrëzia është disafish. Me këtë zhanër unë mund të them çdo mendim, urrejtje, përbuzje, dashuri. Me pëlqen filozofia… 

– Po jo ndonjë libër filozofie. 

– Saktë. Më pëlqen humori… 

– Por s’ka humoristë. Megjithëse është vetë jeta… 

– …ironia, argëtimi. Që kur isha adoleshent, kur thoshin: ejani në mbledhjen e pionerëve, apo në aksione, pastrim territori, mbledhje misrash në fermë, më kapte një e qeshur, s’e di pse, më vazhdoi dhe më pas në rini, burrë, në diktaturë, në posdiktaturë, qeshja me çdo gjë serioze, përveç fatkeqësive, pse qesh ti, më hakërreheshin dhe unë qeshja akoma më shumë. 

– Nuk përballohej ndryshe realiteti, antikomedia dhe antidram e absurdit, etj, etj. 

– Dëgjo, drama dhe komedi, madje dhe tregimi me duken të gjata për t’i dhënë këto…

– Romani I shkurt:er është më i shkurtër. Dhe të mos i shkruash fare… kjo është vepra më e mirë, e pashkruara…  

– Në 12 librat e mi me tregime, novela e roman ka thënie paradoksale. Shoh se i pëlqejnë.

– Dhe vendose të shkruash 5000 të tilla, që të mos e lodhësh lexuesin me romanin a tregimet…

– Pak a shumë kështu… Tani përtoj të shkruaj gjatë dhe e marr punën me “akord”. 

– 5000 aforizma dhe paradokse vërtet është shumë shkurt…

– Në SHBA, në superfuqinë e botës, në median shqip më botoi Dalip Greca disa prej tyre.

– Dhe ky është një paradoks. Të kujtohet një anije kozmike që nuk u nis dot atë vit?

– E ç’lidhje ka kjo me paradokset e mia?… Ne u pranuam në Shoqatën Satirike të Ballkanit, sukses ky! Në Lidhje, kur kishte ende lidhje…

– që të lidhte… 

– …erdhi Jordan Popov, Kryetari i Shoqatës, kërkoi të njihej me mua. Isha me Buxhelin, Çakulin etj. Më dha një gazetë “Satiricki Ballkan” Te faqja e parë me gërma të mëdha kishte një thënie që unë nuk e kuptoja. Është paradoks yti, me tha. “Në një vend, ku pëlqejnë aq shumë gënjeshtrën, është budallallek të bësh profesion tjetër, veç atij të politikanit” Kjo, tha, është fiks për vendet tona lindore. Më pas më tregoi se në të gjitha faqet e gazetës kishte nga tre ose katër paradokse të miat. Kujtoja se do të takoja një burrë të vjetër, më tha. Me keni parë pas 50 vitesh ashtu, ia ktheva me humor.

– Paska qenë largpamës, – thashë dhe unë. 

– Më largpamës je ti me mua, kur më botove një sasi me aforizma në gazetën “RD”.

– Desha të të bëja një dhuratë, më duket se ishe bërë gjysh atëhere dhe ishe… sa vjeç?

– 43.

– Gjyshi më i ri në Ballkan. Atëhere bëja faqen letrare në gazetë, një herë në javë. Dhe po pëlqehej. E donin, e prisnin të dielën e saj… Pikërisht atëhere ma mbyllën, se nuk kishte para gazeta, më thanë. E bëj pa pagesë, thashë, për dëshirë, se më erdhi zor të thosha “për ideal” me ata… Por, jo, porosi nga lart, duhet mbyllur. Nuk e kuptova qëllimin. 

– Paradoksal. As ke për ta gjetur pse. Por ama gjeta ç’shkruaje për mua në shënimin që paraprinte ato që kishe zgjedhur për botim: 

“Në epoka mashtrimesh dhe parodish tragjike, kur ngjyrat e ditës bëhen simbole të egra të politikës, ndër gjërat serioze mbeten ndoshta frika dhe humori. Si pjesë e qendresës intelektuale. Shkrimtari Luan Laze është ndër emrat e paktë, që me krijimtarinë e vet ndjek hap pas hapi ditën, shqetësimet e saj, paradoksin, krizën e vlerave shoqërore, që për fat të keq në alkiminë e shkrimtarit bëhen vlera letrare. Ndërkohë humori, shpesh here i zi, mbush faqet e bardha të shkrimeve të Luan lazes. Sarkazma është lufta paqësore që shkrimtari i bën së keqes”.

MES ARTIFICIALËVE INTELIGJENTË…

AI – Inteligjenca Artificiale në fund të fundit është inteligjenca e perceptimit, e sintetizimit dhe e nxjerrjes së informacionit, e demonstruar nga makinat, (kompjuter, robot…), në ndryshim me inteligjencën e shfaqur nga njerëzit ose kafshët e tjera. 

Po algoritmet e shkrimtarit?  

Inteligjenca Artificiale ka sukses të jashtzakonshëm në industri e banka… në numërimin e votave, kalimin e tyre nga duhet, jo nga zgjedh… po fshesat inteligjente? Kryevepra… 

Po a do të bëjnë makinat dhe aforizma, paradokse? Edhe humor, edhe ironi? A do të zëmërohen me ne? 

Dhe kjo na duhet! Është e frikshme…

Më e frikshme se artificialët e inteligjencës? Se unë për këta e kisha fjalën… 

Lajmi se një idiot ka korrur sukses, është inkurajues.

Provoni një herë lirinë e mendjes, pastaj kërkoni atë të fjalës.

Kur mbushet kupa e mëkateve, je i falur. Vazhdo me të dytën.

Nëse politika është për faqe të zezë, imagjinoni si janë votuesit e saj.

*   *   *

…një vit pas themelimit të Inteligjencës Artificiale si disiplinë Akademike lindi Luan Laze, pra, në vitin 1957. Larg, shumë larg metropoleve të shkencës, jo vetëm në hapësirë, por më larg në kohë, në Tiranën e tiranëve, plot me mesjetë dhe dikaturë dhe distopi orwelliane, ku vazhdimisht përsëritej viti “1984”. 

  Dhe s’kish si ta dinte, as ta imagjinonte dot, jo se çfarë e priste njerëzimin, por as veten, jetimin e vogël pas 4 motrave. Ndoshta duhej të argëtohej me budallallëkun… duke gdhënur veten. Gjithë ai realitet gdhë, absurd dhe i egër dhe sa i vogël… 

Që donte të ndërtonte komunizmin me ushtën e Don Kishotit dhe me legenin e tij si mburojë, që bëri burgjet para universiteteve, se robëria ishte më e dobishme se liria, urrejtja më ushqyese shpirtërisht se dashuria, po shpirt nuk ka, thoshin, ka vetëm materie, telat me gjëmba duhen më shumë se telat e kitarave, bunkerët më shumë se apartamentet, idioti është më besnik i Partisë se intelektuali, Realizmi Socialist është metoda më e mirë artistike në botë, etj, dhe kur u shemb Muri i Berlinit dhe gjithë perandoria komuniste ra e vendi ynë u detyrua të ndryshojë dhe ata që ishin në krye apo pjesë e diktaturës, frymëzim i saj, dolën prapë në krye që të ndërtonin ashtu si diktaturën dhe demokracinë, armiqtë e pronës private, të kapitalit u bënë kapitalistë, përvetësuan alamet pronash dhe, pasi u dhanë ish të burgosurve politikë shpërblimin-e-dëmshëm, një dorë oficerash të ushtrisë së diktaturës i bënë presidentë të demokracisë, komandantët e burgjeve nisën të akuzojnë të burgosurit e tyre dhe këtë e bënin të lidhur drejtpërsëdrejti me studiot televizive nga azili politik nëpër Europë e Amerikë si të përndjekur tashmë, ndërsa dështakët e Realizmit Socialist, bardhzinjtë, mungesën e talentit ia vinin si faj regjimit të baballarëve të tyre, që i shërbyen me teprí dhe janë punësuar si analistë a kritikë të Realizmit demokratik, që arritjet më të mëdha artistike kanë sharjet, nga lehës në Lindje në lehës në Perëndim, nga militantë të baltës u kthyen në baltosës, nga dhunues – në përdhunues, etj, etj, dhe kjo mendësi e pamend, kjo mënyrë jetese pa jetë, me një autovlerësim kreshpërues, lavdëro veten ose ca të tjerë si vetja, që të ta kthejnë lëvdatën ose paratë, gjithcka brenda klanit, edhe nderi shitet si diplomat, si anëtarësimi, masteri, medaljet, gruaja, fëmijët, emërimet, tenderat, botimet, po t’i bashkosh faturat e ujit me të dritave del një përmbledhje luksoze poetike, etj, ky mediokritet idioto-general, 5000 veset, 5000 aforizmat dhe paradokset rrjedhojë e këtij areali janë, me çdenatyralizimin e individit dhe të shoqërisë, të akademizimit fals të jetës, të dijeve të rreme, artificializmit të sinqeritetit njerëzor, të dashurisë artificiale, ku e kota ka zëvendësuar të duhurën, thënë shkurt: kopertina ka më vlerë se libri…

Të gjithë vrasësit bëjnë gjumë të qetë. Edhe vrasësit e shpresës,

thotë Luani në njërën nga 5.000 aforizmat. Dhe vrasësit e shpresës janë po aq kriminalë… dhe paradoksi vazhdon në një tjetër aforizëm: 

Ky vend viktimat i ka prej dashurisë dhe lavditë prej urrejtjes.

Aleluja! Lavdi viktimave! Përtej sistemeve shoqërore dhe politikave, shkrimtari Ernest Hemingway bën një përcaktim për njeriun si i pakënaquri i përhershëm, e ka sjellë z. Artan Kafexhiu në murin e fb të tij, por mbase do t’i shkonte kështu dhe këtij libri: 

“Jepi robit çka i nevojitet e veç kur të kërkojë komforte. Ofroji komforte – do të synojë për komoditete. Ngope me luks – ai do të nisë të fiksohet në detaje qejfi. Lejoje të përqëndrohet në hobe – do t’i rritet nepsi për çmëndurira. Jepi atij çfarëdo që t’i teket – ai do të ankohet se e paskëshin mashtruar e s’ju dha çfarë ai dëshironte.”

Megjithatë një paradoks që duket ende i largët për ne. 

5000 thëniet e Luan Lazes vijnë që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe të dyfishuara, trefishuara sulen si luzmë bletësh me zukama dhe në gjysmës se parë të shekullit XXI. Me mjaltin dhe thumbin.       

Përvoja e letrave shqipe në këtë lëmí është e pakët, do të thosha, jo se nuk kanë dalë libra me fjalë të urta dhe sentenca, më shumë nga bota.

E kam një tillë, mbetur nga librat e tim eti, i botuar në Korçë në 1928, kur Shqipëria u shpall mbretëri, “Sollomoni, biri i Davidit, mbret i Izraelit”, kështu titullohet, plot me fjalë të urta, të përkthyera nga hebraishtja nga një shoqëri biblike në Angli, e çmoj shumë dhe këtë di unë si më të vjetër.

Por dhe në Prishtinë, ku Kosova ishte brenda shtetit Jugosllav, me marrëdhënie të acaruara me Shqipërinë, në Veprën e plotë të dijetarit Sami Frashëri, njëri nga librat ishte vetëm me fjalë të urta. E kam gjetur vonë…

Ndërsa në Shqipërinë Socialiste, kujtoj kur isha fëmijë, doli një libër i kuq me format xhepi, me kapak plastikë, me citate të Mao Ce Dunit, që dyndeshin për ta blerë, sidomos kooperativisët e fshatrave, se kapakët i hiqeshin dhe  përdoreshin si kuletë a portofol. 

Në posdiktaturë, kur po mbaronte shekulli e donim të fillonte demokracia që kishte filluar, studiuesi Rando Devole zgjodhi dhe përktheu dhe botoi librin “Dituria më përndjek, por unë jam më i shpejtë” me 1401 fjalë (jo dhe aq) të urta, si një test i lirisë së mendimit të atij që i lexon, e mbyllja parathënien unë.

Në 2012, dijetari dhe përkthyesi Petro Zheji nxori “Libri i aforizmave”, një studim shkencor, sa gjuhësor, po aq dhe filozofik e teologjik, pra, krejt tjetër gjë.

Në revistën elektronike “Peizazhe të fjalës” që del në New York, drejtori i saj, studiuesi dhe shkrimtari Ardian Vehbiu nxjerr herë pas here aforizma, të përkthyera nga frengjishtja, të shkrimtarit polak Stanislav Lec, “Mendime të pakrehura” i quan dhe në shënimin që vë për të, shkruan: “një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX”.

Është për t’u vlerësuar vlerësimi.     

Po kështu dhe revista elektronike “Voal” në Zvicër, e bashkëshortëve poetë Elida dhe Skënder Buçpapaj, boton aforizma nga shkrimtarë dhe personalitete të shquar të botës, etj, e mund të vazhdonim me emra të tjerë, me Shpëtim Kelmendin, p.sh., ndërsa vitin që shkoi doli një libër me sentenca dhe urtësira, “Fjalë të arta” titullohej. Vërtet ky është ari apo paradoksi i tij?

Ka dhe të tjerë… ndërkaq kanalet televizive natë e ditë transmetojnë humor, jo vetëm të emisioneve kësisoj si “Fiks fare” apo “Portokalli” e “Al Pazar”, të specializuara tashmë, por dhe humor institucional, parlamentar dhe partish, dhe të policive, të shitoreve, të shkollave, të çmendinave, të mitingjeve, agjensive, me një “Big Brother” presidencial mbi të gjitha, etj, etj, që:

Sa më shumë prekim të ardhmen, aq më nostalgji për të kaluarën…

sipas një paradoksi këtu, duke bërë që të ndjehemi në një të ardhme që iku pa ardhur dhe të përplasimi me të shkuarën që na prêt, por qëllimi im ishte tjetër, të paraqisja, madje thjesht të thosha që miku im, Luan Laze, mblodhi aforizmat dhe paradokset që ka shkruar gjatë jetës, kaotikisht siç janë realitetet tona, duke i grupuar dhe ndarë në 5 krerë, pa ndonjë kronologji, mbase sipas afërisë tematike a ndonjë rendi tjetër të papërcaktuar, le të themi p.sh., kreu I: arrivizmi, II: plogështia shpirtërore, III: konvertimet demokratike, IV: kotësia si pikësynim, V: dashuria si atavizëm a ndoshta ndryshe ose fare, ku personazhi më simpatik është idioti, jo, shejtan budallai, që ka frikë të ngjajë i zgjuar, se mosdija tashmë është dije, humori – mençuri, jo, dinakëri e përditësuar, dhe na dha këtë libër për të na argëtuar, nga që absurdi është i përzierë me jetën e copëzuar a me copëzat e një jete, jo më pak se 5000, për të mos thënë të një kohe të dërrmuar… me duart tona. 

Chicago, Roselle, verë 2023

C:\Users\User\Desktop\365398422_310067774815865_8201727552397451151_n.jpg

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT