• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

AGRESIONI I MBËSHTETUR NGA BEOGRADI E SHNDËRRON DIALOGUN NË TEATËR ABSURD

September 28, 2023 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

Më 24 shtator të vitit në vazhdim, në fshatin Banjskë që ndodhet në veri të Kosovës, Policia e Kosovës u përball me një grup serbësh të armatosur. Gjatë kësaj përballjeje, ra në mbrojtje të tërësisë tokësore të Kosovës dhe të sovranitetit të saj, efektivi i Policisë së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, dëshmor dhe hero i kombit. I rënë në altarin e lirisë, ai vajti në përjetësi dhe në pavdekësi. 

Bëhet fjalë me një grup terrorist të formuar dhe të mbështetur nga Beogradi. Ky grup i armatosur mbështetet politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht nga Beogradi, përkatësisht nga kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi. Grupi ka edhe mbështetjen logjistike të Beogradit. Aksioni i grupit të armatosur është agresion ndaj Kosovës, tërësisë tokësore dhe sovranitetit të saj. Është sulm barbar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe rendit demokratik të saj. 

Aksioni i grupit të armatosur sfidon edhe forcat e KFOR-it që ka mandat të ruajë rendin dhe paqen në Kosovë, e sidomos në veri të saj.

*   *   *

Më 26 korrik 2011, në operacionin e Policisë së Kosovës kundër strukturave kriminale në veri të Kosovës, afër pikës kufitare në Bërnjak, në moshën 32-vjeçare, ra në altarin e lirisë efektivi i policisë, heroi i kombit Enver Zymberi. Ishte efektivi i 14-të i rënë në detyrën për atdheun. Këta nuk vdesin, gjallë i mban historia.   

*   *   *

Aksioni dhe agresioni i grupit çetnik serb u mbështet fuqimisht edhe nga Rusia, nga Moska, nga Vladimir Putini si dhe nga Sergej Lavrovi. Shpeshherë, grupeve të armatosura serbe që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit, u bashkëngjiten edhe mercenarë rusë.

Aksioni dhe agresioni i grupit serb të armatosur rrezikon edhe paqen dhe qëndrueshmërinë e rajonit.       

Për aksionin e grupit serb të armatosur, Vuçiqi thotë: “Janë rebeluar serbët e Kosovës kundër politikës së Albin Kurtit”. 

Të gjithë duhet ta dinë se problem i Kosovës nuk është Albin Kurti. Problem i Kosovës dhe i rajonit është Beogradi, Serbia, Vuçiqi dhe ideologjia serbomadhe.

Qëllimi i grupit çetnik serb ka qenë krijimi në Kosovë i njëfarë ushtrie çlirimtare serbe. Kjo farë ushtrie do të shpallte gjendje të jashtëzakonshme apo gjendje lufte. Do të krijonte një “territor të çliruar”, në radhët e veta do të mobilizonte dhe do të rekrutonte dhunshëm edhe një numër të caktuar të qytetarëve serbë të veriut të Kosovës. Ndonëse të mobilizuar me dhunë, këta do t’i quante vullnetarë. Më vijim, në lumin Ibër do të vendoste njëfarë kufiri që do të duhej ta ndante Kosovën. Me policët serbë që e braktisën Policinë e Kosovës, do të krijonte në veri njëfarë policie serbe. Synimi përfundimtar i Beogradit dhe i Vuçiqit do të ishte krijimi në Kosovë i një entiteti serb apo i një republike serbe si ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky farë entiteti serb, kjo farë republike serbe apo ky farë parashteti do të shkëputej nga Kosova dhe do t’i bashkëngjitej Serbisë. 

Me këtë farë skenari, Beogradi dhe Vuçiqi, të mbështetur fuqimisht edhe nga Putini, dëshirojnë të krijojnë në Kosovë një realitet të ri. Dëshirojnë ta vënë Uashingtonin, Berlini, Parisin dhe Londrën para një akti të kryer. 

Vuçiqi duhet ta dijë se skenari i sipërthënë është i parealizueshëm për arsye se Kosova i posedon institucionet mbrojtëse – policinë dhe ushtrinë. Skenari i Serbisë për ta ndarë Kosovën me formacione ruso-çetnike, shpie në konflikt të armatosur. Si çdo konflikt i armatosur, edhe ky do ta kishte çmimin e vet – humbjen e jetëve të njerëzve. Kosova është shtet dhe si i tillë vepron me strukturat mbrojtëse të veta. 

Politika e Beogradit apo e Vuçiqit ndaj Kosovës, nuk është veçse parapolitikë apo ekstrapolitikë. 

Skenari i Beogradit, i Moskës dhe i Vuçiqit për të shkaktuar konflikt të armatosur në Kosovë është iluzion për arsye se aty ndodhen forcat e KFOR-it, me mandat për të ruajtur rendin dhe rregullin në tërë territorin e saj, e sidomos në veri të saj.

*   *   *

Serbët e Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat: gjuha serbe është zyrtare në tërë territorin e saj; serbët kanë të drejtë ta përdorin flamurin kombëtar të tyre, që sot përdoret në kundërshti me ligjet e Kosovës; në Kuvendin e Republikës së Kosovës kanë të garantuar dhjetë mandate deputetësh; në qeverinë e Republikës së Kosovës mund të kenë një apo dy ministra; gëzojnë të drejtën e kultivimit të vlerave kulturore serbe; gëzojnë të drejtën e arsimimit në gjuhën serbe, që nga arsimi fillor deri në atë universitar (serbët në Kosovë ka kohë që kanë ndërtuar sistem paralel armimi që është në kundërshti me ligjet e Kosovës); e kanë sistemin e shëndetësisë; në komunat ku janë shumicë, kanë të drejtë për pushtet vendor; kanë administratë në gjuhën serbe (administrata vetëm në gjuhën serbe në veri, është në kundërshti me ligjet e Kosovës); kanë të drejtë të integrohen në shoqëri; kanë të drejtë të zhvillojnë veprimtari ekonomike, kulturore, sportive etj. 

Atëherë, ç’kërkojnë përtej kësaj dhe më shumë se kaq?! Të kërkosh më shumë se kaq, do të thotë të kërkosh territor. 

Në anën tjetër, shqiptarët në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) i janë nënshtruar një gjenocidi të heshtur.

*   *   *

Mbi serbët në veri Albin Kurti nuk ushtron kurrfarë dhune apo trysnie. Përkundrazi, ata janë peng i Beogradit apo Vuçiqit. Ky i instrumentalizon ata për idenë e Serbisë së Madhe. I ka zënë peng edhe për qëllime personale të veta. Shpeshherë, për t’i asnjanësuar protestat kundër tij që mbahen të shtunave në shumë qytete të Serbisë, Vuçiqi rend për të shkaktuar trazira në veri. Duke e mbajtur peng Listën Serbe, Vuçiqi në veri të Kosovës e ka ngulfatur edhe pluralizmin politik. Me çfarë fytyre kjo farë partie do t’i përfaqësojë sot e tutje serbët e veriut, kur doli në shesh se nënkryetari i saj Millan Radoiçiq (Milan Radoičić, 1978- ), mëngjesin e 24 shtatorit të viti 2023, në fshatin Banjskë, ishte në krye të grupit të çetnikëve të armatosur?! Ky kriminel, i afërt me Vuçiqin, nga ShBA-ja dhe nga Mbretëria e Bashkuar është shpallur person i padëshiruar. Të padëshiruar janë shpallur edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë të Vuçiqit – Millorad Dodiku (1959- ) dhe Aleksandar Vulini (1972- ), i cili më 1 dhjetor 2022 u emërua drejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë (shkurtesa burimore: BIA). 

*   *   *

Agresioni ndaj Kosovës i grupit të armatosur të serbëve, të mbështetur haptas nga Beogradi dhe Moska, vënë në dyshim dialogun e Brukselit. Pas rrezikimit të sigurisë së Kosovës dhe të rajonit, dialogu i zhvilluar si deri më sot e ka humbur kuptimin. Ai po shndërrohet në teatër absurd dhe merr karakter grotesk. Me kë dialog?! Me Vuçiqin që shpalli ditë zie për kriminelët vrastarë që ia shuan jetën një efektivi të pafajshëm i cili ishte në krye të detyrës, që mbronte rendin dhe rregullin, ligjin dhe kushtetutën, në të mirë të të gjithë qytetarëve të shtetit demokratik, më demokratik se çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor.

Për ç’dialog mund të flitet kur Vuçiqi ditë për dite brohorit dhe buçet: “Serbia kurrë s’ka për ta njohur Kosovën!” Të zhvillosh dialog me të, është njësoj sikur të kishe bërë dialog me Millosheviqin apo me Voisllav Sheshelin. Me politikën parapolitike të saj, Serbia nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes për Kosovën apo për rajonin. Asaj duhet t’i imponohen zgjidhjet. 

Serbia nuk meriton të kesh as marrëdhënie diplomatike, e jo më Ballkan të hapur.     

Kosovës viktimë, i jepen masa ndëshkuese, ndërkaq Serbia destruktive, ledhatohet dhe përkëdhelet. Amerikë, shqiptarët janë proamerikanë, ndërsa serbët gjatë gjithë historisë kanë qenë dhe mbeten prorusë! 

Kosova është viktima, Serbia ka qenë dhe mbetet agresore. Është iluzion të mendosh se mund të ketë dialog me serbomëdhenjtë që i ka shkelur koha, që gjykojnë në kundërshti me tendencën historike.        

Uashingtoni, Berlini, Parisi dhe Londra duhet t’i thonë Beogradit: “O njihe Kosovën, o shko në veçim!”         

Prof.Xhelal Zejneli

Filed Under: Ekonomi

Kryeministri Kurti dhe Ministrja Gërvalla takuan Ambasadorët dhe diplomatët e akredituar në Kosovë

September 28, 2023 by s p



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, kanë pritur sot në një takim të përbashkët ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës.

Temë qendrore e këtij takimi ishte sulmi terrorist i datës 24 shtator mbi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në adresimin e tyre para diplomatëve ndërkombëtarë, Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, i njoftuan diplomatët ndërkombëtarë mbi zhvillimet më të fundit sa i përket situatës së sigurisë në vend, prezantuan qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës ndaj këtij sulmi terrorist dhe njëherazi kërkuan, që komuniteti ndërkombëtar të dënojë fuqishëm veprimet destabilizuese të institucioneve shtetërore të Serbisë në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit të njëjtë, Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, theksuan se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës edhe një herë kanë dëshmuar profesionalizëm dhe maturi, duke treguar se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe paralelisht me këtë angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla kanë ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë dhe bashkërenduar veprimet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere, aleate dhe mike për të siguruar paqe dhe siguri në vend dhe rajon.

Filed Under: Rajon

SHKOLLA SHQIPE “SCANDERBEG” NË PARMA, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË ITALI

September 28, 2023 by s p

Anila Berberi mësuese e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Parma, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe, historisë dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me Anila Berberin bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

ORGANIZIMI I VITIT TË RI SHKOLLOR TE SHKOLLA SHQIPE “SCANDERBEG” PARMA, ITALI

Si të gjitha shkollat e tjera, edhe shkolla jonë “Scanderbeg” Parma, që drejtohet dhe koordinohet nga shoqata me të njëjtin emër, ka filluar të bëjë përgatitjet për organizimin e vitit të ri shkollor. Në pamje të parë duket sikur me ardhjen e shtatorit fillojnë të shtohen ethet për të bërë më të mirën në kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Por kjo është pjesërisht e vërtetë. Nuk mund të mohojmë faktin që me shtatorin, rihapen dyert e shkollave për të gjithë fëmijët dhe ne mësuesit jemi atje për t’i pritur krahëhapur dhe për t’i shoqëruar në udhën e bukur të diturisë. Por mësueset e shkollave shqipe në diasporë, faktikisht, punojnë çdo ditë të vitit, madje më shumë gjatë kohës së pushimeve. Momentet kur mbyllet një vit shkollor janë momente reflektimi dhe analize për punën e bërë si edhe pikënisje për mbarëvajtjen më të mirë të vitit që vjen. Dhe çdo vit është një sfidë e re. Themi sfidë për tërësinë e detyrave që i ngarkojmë vetes, sfidë në konceptimin e asaj çka duam të realizojmë dhe të arrijmë, sfidë në krijimin e programit të duhur për tematikat që duam të zhvillojmë dhe trajtojmë, sfidë në punën me komunitetin dhe me prindërit, në fund të fundit sfidë me veten për të qenë sa më shumë profesionistë, pedagogjistë por mbi të gjitha sfidë për të qenë sa më shumë njerëzorë dhe sa më pranë fëmijëve për t’ju përgjigjur nevojave të tyre me dashuri në përputhje me nivelet e ndryshme të njohjes së gjuhës shqipe.

MËSIM SHQIP DHE ORË LABORATORI

Në shkollën tonë mësimi zhvillohet prej vitesh pranë një qendre rinore të ofruar nga komuna, me klasa të pajisura me gjithshka të nevojshme përfshirë mjediset e jashtme për lojrat e fëmijëve. Dhe ndërsa komuna na ofron mjediset për zhvillimin e mësimit, shoqata “Scanderbeg” kujdeset për pjesën tjetër që ka të bëjë me të gjitha aspektet ligjore dhe normative, me mjetet didaktike. E vë theksin tek pajisja me mjetet didaktike, pasi në shkollën tonë, çdo të shtunë krahas orës së mësimit bëhet edhe një orë laboratori me tematika të caktuara duke patur parasysh stinët, historinë, etnografinë, festat kombëtare, etj. Në çdo orë laboratori kemi nevojë për mjete didaktike të ndryshme. Të gjitha këto nuk na kanë munguar asnjëherë falë mbështetjes së shoqatës, por edhe të prindërve.
Meqenëse po flasim për organizimin, nuk mund të mos përmend mbështetjën që na është dhënë nga strukturat shtetërore, nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, nga Qendra e Botimeve për Diasporën e drejtuar nga znj. Mimoza Hysa, nga Konsullata e Milanos dhe nga oficerja e diasporës, znj. Luljeta Çobanaj. Falë tyre, fëmijëve tanë nuk i kanë munguar asnjëherë librat shkollorë dhe jashtëshkollorë të konceptuar enkas për ta. Ndihma e tyre shkon përtej furnizimit me libra shkollorë. Shteti ynë na ofron edhe trajnime, seminare që të na vijë në ndihmë edhe ne mësuesve për të realizuar sa më mirë detyrën tonë fisnike.

VIT I RI ME TË TJERA RISI

Moto e shkollës sonë këtë vit do të jetë: “KU KEMI LERË”, marrë shkas nga titulli i poezisë së Andon Zako Çajupit. Kjo moto përfaqëson edhe thelbin e përmbajtjes së programit shkollor. Duke qenë se fëmijët çdo vit rriten më shumë me dashurinë për gjuhën, po ashtu duhet të rriten edhe me dashurinë për mëmëdheun. Për fëmijët koncepti i mëmëdheut mund të duket abstrakt, kështu që për ta bërë më konkret kemi zgjedhur të flasim për vendlindjen e prindërve të tyre. Është sikur të rilindim në zemrat e tyre dashurinë për rrënjët tona, të forcojmë ndjenjën e përkatësisë që nuk shuhet me emigracionin. Dhe në këtë rilindje shpirtërore do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë dhe përfshirja aktive e prindërve dhe gjyshërve.
Gjithashtu, risia tjetër në këtë vit shkollor ka të bëjë me krijimin e një klase të re me të rinj të moshës 14-18 vjeç. Hapja e kësaj klase u diktua jo vetëm nga kërkesat e shumta për regjistrime të kësaj grupmoshe, por edhe nga domosdoshmëria për të ofruar një paketë didaktike që të mos përjashtonte një kategori të caktuar që për një arsye a për një tjetër, nuk ka patur akses më parë në shkollat tona të shqipes.

“MUAJI I KULTURËS SHQIPTARE”: EVENTE KULTURORE DHE ARTISTIKE PËR PROMOVIMIN E KULTURËS, TRADITËS DHE ZAKONEVE SHQIPTARE

Me hapjen e shkollës, muajt kalojnë pa u ndjerë fare. Të shtunat shkojnë e vijnë, dhe Nëntori troket edhe në dyert e shkollës sonë. Në nëntor është traditë e konsoliduar e shoqatës “Scanderbeg” që të organizojë evente kulturore dhe artistike për promovimin e kulturës, traditës dhe zakoneve tona. Çdo nëntor, shqiptarët e Parmës nuk ndjehen të huaj, por si në atdheun e tyre. Çdo fundjavë organizohet një event që na bashkon të gjithëve duke folur për një libër, duke parë e diskutuar për një dokumentar, për një shfaqje teatri, dëshmi të ndryshme, etj. Edhe fëmijët janë pjesë e kësaj atmosfere magjike. Mësueset bashkë me fëmijët dhe prindërit, gjithmonë kanë përgatitur një program të posaçëm festiv me këngë dhe valle shqiptare. Asgjë nuk është e rastësishme. Fëmijët duhet ta njohin historinë e vendit të tyre, duhet ta dinë rëndësinë e Festës së Flamurit dhe të Çlirimit. Prandaj asnjëherë nuk duhet të ndruhemi tu shpjegojmë fëmijëve se sa më shumë e njohim Atdheun, aq më shumë e duam atë.
Muaji i kulturës shqiptare përmbyllet me një festë të madhe ku bashkë me fëmijët dhe komunitetin kemi mundësinë të mblidhemi tok, të flasim e të këndojmë shqip, të kërcejmë vallet tona, të gatuajmë ushqimet tona tradicionale, të njohim më mirë njëri – tjetrin.

GJUHA SHQIPE SI IDENTITET KOMBËTAR

Përtej ndjenjës së patriotizmit dhe nacionalizmit, që ndihet edhe më fort sa më shumë largohesh fizikisht nga atdheu, duhet të bëjmë disa konsiderata që sigurisht përbëjnë bazën për një arsyetim më të plotë që shkon përtej konceptit të gjuhësisë së thjeshtë.
Pyetja që lind natyrshëm mes nesh është përse duhet të investojmë kohë e punë për të njohur shqipen, një gjuhë që në Itali nuk mund të të hyjë në punë. Pikërisht këtu dua të ndalem.
Ghuha shqipe është edhe flamuri ynë. Gjuha shqipe përbën një nga elementët e identitetit në të cilin jo vetëm ne, por nesër edhe fëmijët tanë mund të njohin rrënjët e tyre, proces pa të cilin integrimi bëhet asimilim dhe kombi dhe identiteti kulturor fillojnë të zbehen deri në zhbërje. Mungesa e identitetit, edhe pse shumë emigrantëve i lehtëson mbijetesën momentale në kontekstet e reja ku ndodhen, në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë nuk sjell mirëqenie sociale.
Prandaj, tani si edhe më përpara, këtu në Itali ashtu si edhe në Shqipëri, fëmijët tanë sot ashtu sikurse ne dje, kanë nevojë të dinë kush janë dhe nga vijnë, pa këtë nuk mund të gjejnë paqe askërkund, fëmijët tanë nuk mund të jenë qytetarë të realizuar në asnjë shoqëri pa maturuar vetëdijen e rrënjëve të veta, të historisë sonë të përbashkët kolektive, në të mirë e në të keq.
Pikërisht për të përmbushur këtë nevojë është i dobishëm mësimi i gjuhës shqipe dhe i historisë shqiptare për brezat e lindur në diasporë, i dobishëm për ta por edhe për shoqërinë ku jetojnë që do të ketë të bëjë me qytetarë të integruar me vetëdije, jo thjesht qytetarë të mimetizuar.

SHOQATA “SCANDERBEG” DHE PROMOVIMI I KULTURËS DHE TRADITAVE SHQIPTARE NË PARMA

Shoqata Scanderbeg u krijua në vitin 2006. Qëllimi i saj është promovimi i kulturës dhe traditave shqiptare në zonën e qytetit të Parmës, githashtu ndihmon në integrimin e komunitetit shqiptar në Itali dhe në ruajtjen e identitetit kombetar duke shërbyer si urë lidhëse midis komunitetit dhe qytetarëve të Parmës. Aktivitetet e Shoqatës janë nga më të larmishmet në kuadër të realizimit të objektivave të caktuara që në themelimin e saj. Hapja dhe mbarëvajtja e shkollës është pjesë e aktiviteteve të shoqatës, e drejtuar nga mësues profesionistë, të certifikuar nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë. Gjithashtu këtu mund të përmendim grupin e valleve tradicionale shqiptare i drejtuar historikisht nga koreografë profesionistë të ansamblit kombëtar të cilët jetojnë në Itali dhe vazhdojnë të ndjekin pasionin e tyre duke u percjellë brezave të rinj vallet më të bukura nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Brenda shoqatës, është edhe grupi i studentëve që japin ndihmën e tyre në aktivitete të ndryshme si edhe dhe skuadrën e futbollit me të njëjtin emër që ka fituar disa kampionate të kategorive të ndryshme në Parma.

VLERAT E SEMINARIT MBARËKOMBËTAR TË VLORËS

Në fund të korrikut, u mbajt seminari XVI Mbarëkombëtar, i organizuar nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me teoritë dhe praktikat e mësimdhënies të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë. Ishte një event me impakt shumë të ndjeshëm në punën e mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë, si nga pikpamja e prezantimit të metodave të ndryshme në mësimdhënie, por edhe nga pikpamja e socializimit dhe krijimit të zinxhirëve bashkëpunues mes vetë mësuesve. Nuk është pak të shohësh konceptime të ndryshme ore mësimi, nuk është pak të shkëmbesh përvoja dhe ide, madje edhe të debatosh. Por sa bukur është edhe të ulesh në tavolinë e t’ia marrësh një kënge korçare apo shkodrane me kolegë që deri dje nuk i njihje e sot janë pjesë e jetës tënde. Sa bukur është kur sheh realitete të ndryshme didaktike, të aplikuara në vende të ndryshme. Ndërsa dëgjon kolegët, fillon menjëherë të shkrepëtijë një ide e re në mendjen tënde, që do të realizohet me patjetër në klasën tënde, në përputhje me realitetin tënd.

KUSH ËSHTË MËSUESE ANILA BERBERI?

Para së gjithash, Anila Berberi është bashkëshorte dhe nënë e dy vajzave. Krijimi i familjes është dhurata më e çmuar që më ka dhënë Perëndia dhe arritja më e madhe në jetën time.
Pastaj vjen Anila, që në vitin 1994 mbaron studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë, dega Histori-Gjeografi. Menjëherë pas studimeve, në Tiranën e bumit ekonomik, pata fatin të punoj në një firmë italiane konsulence ku u njoha dhe preka nga afër realitetin e sipërmarrjes, duke filluar edhe hapat e mia të parë me hapjen e një studio për prodhimin e objekteve të xhamit të Muranos. Ky realitet më tërhoqi si me magji, prandaj në vitin 2003 përfundova studimet edhe në Fakultetin e Ekonomikut.
Nga viti 1997 e në vazhdim kam qenë koordinatore pranë Institutit Ndërkombëtar të Tiranës, më pas edhe pranë Fondit Shqiptar për Monumentet, shoqata jo fitimprurëse të angazhuara në projekte të ndryshme në bashkëpunim me organizata të tjera si UNICEF, ROCK NO WAR, Goethe Institut, GTZ etj..
Që nga viti 2009 e deri më sot, zhvilloj aktivitetin tim si përkthyese ligjore e regjistruar në urdhrin përkatës në Shqipëri dhe në Itali.
Në fushën e përkthimeve artistike, jam ngarkuar nga Shtëpia botuese LNB dhe kam përkthyer: “Bota e Vogël”, “Don Kamilo dhe vatha e tij”, të autorit italian Giovannino Guareschi.
Mami më ka sjellë në jetë në një ditë të shenjtë, në 15 gusht, që përkon me festën e së Shenjtës Mari. Mendoj që kjo datë ka ndikuar shumë tek formimi i Anilës si njeri, ndërsa vullneti i zotit, e ka ndihmuar Anilën të ecë përpara në të gjitha drejtimet.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me liderët e partive kryesore opozitare në Kuvendin e Kosovës

September 27, 2023 by s p

Sot Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takime të ndara, kryetarët e partive kryesore opozitare, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit të sigurisë në vend. Në fillim të takimeve me Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, atë të PDK-së, z. Memli Krasniqi dhe të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, mori pjesë, me ftesë të Presidentes, edhe drejtori i AKI-së, z. Petrit Ajeti.

Kryetarët e partive opozitare, janë informuar, brenda kufizimeve që lejon korniza ligjore, lidhur me zhvillimet e sigurisë, punën e institucioneve të Kosovës si dhe për rreziqet e shkaktuara nga Serbia për shkak të agjendës së saj destabilizuese e luftënxitëse e cila po shfaqet nëpërmjet akteve të agresionit dhe të terrorizmit.

Në të gjitha takimet janë përgëzuar institucionet e sigurisë për punën e shkëlqyeshme në ballafaqim me strukturat e dirigjuara nga Serbia që kryen sulmin terrorist kundër Kosovës dhe është shprehur mirënjohje e thellë për angazhimin e pashoq dhe sakrificën e policisë së Kosovës për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

Presidentja Osmani ka theksuar se uniteti nacional në këtë kohë të rëndë për Kosovën është imperativ dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku. Ajo i ka falënderuar partitë opozitare për qëndrimin korrekt dhe përkrahjen ndaj institucioneve të sigurisë në këtë fazë të ballafaqimit më agjendën destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

Po ashtu, Presidentja ka siguruar liderët opozitar se në çdo fazë të zhvillimeve do të njoftohen lidhur me përgatitjet dhe punën e institucioneve si dhe do të ketë bashkërendim të plotë me aleatët tanë të cilët, në bashkëpunim me institucionet tona të sigurisë, janë garantues të paqes e stabilitetit.

Presidentja Osmani ka shfaqur besimin e plotë se edhe sfidat e reja që mund të shfaqen do t’i tejkalojmë të bashkuar, duke vendosur interesin e shtetit mbi të gjitha.

Filed Under: Komente

HERONJTË KANË VETËM DITËLINDJE

September 27, 2023 by s p

Mehmet Prishtina/

NË VEND TË URIMIT

PËR DITLINDJE

HASAN PRISHTINA

GJURMËVE TË HASAN PRISHTINËS

SI DO TË DUKEJ HASANIZMI NË PROJEKSIONET E PËRBASHKËTA TË RAMËS DHE KURTIT?

Shtresa jonë hasaniste, për të cilën fliste para disa viteve Demaçi, tani mund të fillojë të fuqizohet, sepse në Tiranë dhe Prishtinë janë dy qeveri legjitime të cilat kanë shanse që të ribëjnë unitetin kombëtar jo me fjalë boshe por me punë konkrete. Edi Rama dhe Albin Kurti kanë nevojë të jenë bashkë në projeksionet e tyre qeverisëse, jo pse me këtë do të fitojnë më shumë vota në kampet e tyre politike, por pse me këtë do t’iu japin shqiptarëve më shumë kredi morale e shpirtërore për një frymëmarrje që do t’ua pastronte mushkëritë nga pluhuri i keqkuptimeve e ngatërresave të kaluara.

Nëse ëndrra e dikurshme e shqiptarëve për të pasur një front të përbashkët që nuk do të ndaheshin sipas ideologjive dhe krahinave, është pikërisht tani momenti që kjo të bëhet realitet. Është pikërisht tani çasti që mbi llogoret e ndasive politike të ndërtohen ura për të kapërcyer në bregun tjetër të qëllimit sublim për një ardhmëri ndryshe ku fëmijët tanë më shumë do të jetojnë në kënaqësinë e punëve të bëra, se sa në iluzionet ëndrrave e parealizuara.

SHQIPËRIA DHE KOSOVA MUND TË ARTIKULOJNË HASANIZMIN ME KODE TË REJA

Nëse dikur Hasan Prishtina në kancelaritë e Evropës artikulonte fuqishëm idetë e një aspirate të përbashkët kombëtare të shqiptarëve të cilën po atakonin shtetet shoviniste fqinje dhe aleatët e tyre evropianë, sot Shqipëria dhe Kosova mund të artikulojnë hasanizmin me kode të reja që i përshtaten rrethanave e konteksteve rajonale e ndërkombëtare. Një ndër ato kode do të ishte aspekti civilizues i bashkëpunimit rajonal ku Shqipëria dhe Kosova pa pasur nevojë të bëhen peng të politikave retrograde të shteteve fqinje, do të nxirrnin në sipërfaqe të gjitha ato energji kreative të cilat mund do të mund të institucionalizoheshin në Tiranë dhe në Prishtinë.

SI MUND TË NDIQET MODELI I HASAN PRISHTINËS NË FOLTOREN E PARLAMENTIT?

Shqiptarët kishin përfaqësuesit e tyre në parlamentin osman dhe njëri nga deputetët që angazhohej më së shumti për çështjen shqiptare ishte Hasan Prishtina. Ai në fjalimet e tija në parlamentin osman gjithnjë fliste për mohimin e të drejtave të shqiptarëve nga qeveria osmane. Madje në njërën nga seancat në parlament në fjalimin e tij, Hasan Prishtina kërcënoi se në rast të vazhdimit të politikës rrënuese në viset shqiptare, ai do të jetë njëri nga organizatorët dhe udhëheqësit e kryengritjes. Sepse siç tregonte edhe porosia e urtë filozofike që kishte dhënë Sami Frashëri, dy dhjetëvjeçarë më parë, se “fjalëve bajate u jep fund shpata”.

Kjo qasje e Hasan Prishtinës ndaj situatave të vështira në terren, sa mund të shërbejë si frymëzim për deputetët e tanishëm të Kosovës dhe Shqipërisë, duke zhveshur për një moment këmishën e pëkatësisë partiake e ideologjike dhe duke veshur atë të unitetit e veprimit të koordinuar.

HASAN PRISHTINA

RIGJENERUES I ARSIMIT SHQIP, KURSE SOT EMRI I TIJ DKUJT I PENGON?!

Hasan Prishtina në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare veproi si atdhetar e ideolog i shquar. Roli dhe kontributi i tij u theksua edhe në fushën e zhvillimit të arsimit kombëtar gjatë periudhës sa ishte deputet në parlamentin osman (1908-1912). Ai bëri vazhdimisht përpjekje që të hapeshin shkolla në Shqipëri dhe në to të zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe në mënyrë që nxënësit të edukoheshin e arsimoheshin në frymën kombëtare. Ai preferonte ndarjen e arsimit profesional, laik dhe fetar. Në tërë këto përpjekje të tij, Hasan Prishtina vendosi të ndante 5% të të ardhurave vjetore, të cilat do t`i shpenzonte në dobi të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve në Shqipëri. Dha kontribut të theksuar në hapjen e shkollave në Vilajetin e Kosovës, ndërsa në shkollën Normale të Elbasanit dërgoi djem nga vise të këtij Vilajeti, shkollimin e të cilëve e financoi me mjete të tij. Kontributi i Hasan Prishtinës në këtë aspekt është një tablo realiste e ngritjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Perandoria Osmane.

Dikur Hasan Prishtina ishte rigjenerues i arsimit shqip, kurse sot emri i tij vëhet në pikëpyetje?!

SHTETËSIA E KËRCËNUAR E KOSOVËS DHE KUJTIMI PËR HASAN PRISHTINËN

Sa herë që të evokojmë jubiletë që ndërlidhen me veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës, do të duhej që këto evokime t’I shohim në foksuin e zhvillimeve aktuale. Sot kur Kosova është vend i lirë dhe i pavarur, por edhe , kërcënuar nga jashtë, kujtimi për veprën patriotike të Hasan Prishtinës, nuk është kundërshtim i ndonjë figure tjetër historike,por ky kujtim na shërben si inspirim për të vazhduar rrugën e patriotëve të mëdhenj për ta mbrojtur Kosovën, nga kundërshtarët e brendshëm dhe nga armiqtë e jashtëm. Prandaj Forcimi i shtetësisë së Kosovës, ndërtimi i një shteti të drejtë e të barabartë nënkupton realizimin e idealeve të patriotëve e atdhetarëve që dhanë jetën për lirinë e popullit tonë, në mesin e të cilëve ishte edhe Hasan Prishtina.

DIPLOMACIA E HASAN PRISHTINËS

Fuqia diplomatike e Hasan Prishtinës ka qenë e veçantë. Ai ka jetuar në shumë vende të cilat anë atë kohë janë konsideruar si kryeqendrat më të zhvilluara ekonomike dhe kulturore. Është shkolluar në liceun francez në Selanik, ka mbaruar studimet për drejtësi në universitetin e Stambollit, dhe aty është edukuar për të administruar shtetin, por edhe si diplomat. Para se të kthehet në Kosovë, sidomos pas fjalimit të famshëm në Parlametnin Osman, dhe ta organizojë kryengritjen, Hasan Prishtina, ndalon në Selanik, Manastir në Sofje, në Shkup dhe komunikon me të gjitha përfaqësitë diplomatike të cilëve ju shpalos idenë e organizimit të një kryengritje. Ai ka komunikuar me të gjithë përfaqësitë diplomatike dhe e ka informuar opinionin e fuqive të mëdha se kryengritja është në prag dhe ai kërkonte mbështetje . Pra, lëvizja jonë kombëtare nuk do të mund të ketë jehonë në qarqet dhe kancelaritë diplomatike të Europës, nëse nuk ishte një tru, si Hasan Prishtina, që do të vinte në lëvizje gjithë mekanizmin e komunikimit dhe artikulimit diplomatik me shtetet që atëbotë kishin fuqi vendimarrëse edhe për vendet e vogla të Ballkanit.

ROLI I HASAN PRISHTINËS NË VENDIMARRJEN E PRESIDENTIT WOODROW WILSON MBI SHQIPTARËT

Presidenti Amerikan Wilson në vitin 1919, me ç’rast ai e mbrojti me shumë dinjitet parimin e vetëvendosjes së popujve, elaboruar në planin e tij 14 pikësh.

Po në atë vit, Hasan Prishtina u emërua në krye të delegacionit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve në Konferencën e Paqes në Paris, në fokus të së cilit ishte kërkesa për bashkimin e viseve shqiptare të ish-Vilajetit të Kosovës me shtetin shqiptar. Siç dihet Hasan Prishtinës dhe delegacionit që kryesonte ai, nuk iu lejua e drejta e fjalës në këtë Konferencë, por i dërgon letër prsidenti Wilson dhe atë që nuk mundi ta shpaloste Hasan Prishtina, e bëri politikani i madh amerikan Woodrow Wilson. Ai do të mbetet në histori si një zë i gjallë që i dha jehonë ideve të pashpaluara politike kombëtare të Hasan Prishtinës në një forum ndërkombëtar, siç ishte Konferenca e paqës në Paris.

Historia një ditë do ta dëshmojë me argumente se në këto vendime largapamëse të Presidentit Wilson sigurisht që kishte ndikuar edhe letra që atij i drejtohej nga Hasan Prishtina.

HASAN PRISHTINA – NJË KOLOS ME DY JUBILE!

Sivjet shënohen dy jubile për një personalitet të rëndësishëm – 150 vjetori i lindjes dhe 90 vjetori i vdekjes së Hasan Prishtinës.

Për të qenë sa më dinjitozë këta jubile, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi dhe Fondacioni “Hasan Prishtina”, kanë paraparë një sërë aktivitetesh tematike që lidhen me jetën dhe veprën e kolosit tonë kombëtar, Hasan Prishtina.

Me këtë rast do të organizohen tribuna, konferenca, ekspozita në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe në disa qendra të hapësirës shqiptare, ku studiues dhe krijues të ndryshëm, do të shpalosin dimensione të reja nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës.

HASAN PRISHTINA NË SHTYPIN E KOHËS

Veprimtaria patriotike e Hasan Prishtinës, ishte objekt shkrimesh të shumta të shkrimtarëve publiciustëve të Rilindjes sonë Kombëtare. Kështu, bie fjala, sipas poetit e gazetarit nga Reka, Josif Bageri, Hasan Prishtina, konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Kurse, Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i qendrës kulturore shqiptare “Dija” në Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin “për shembull ndershmërinë e deputet të Hasan Prishtina, i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj Shqipëria”.

Gazeta e kohës “Ora e Shqipnisë” në Vjenë me 23 prill 1928 shkruan artikullin me titull: Kuburja e tiranvet e gjoksi i patriotvet!

“… kur Presidenti i soçem i Shqipërisë pinte salep ndër hallvaxhitë e Stambolles e turqit e ri nën maskën e reformave filluen me martirizuar popullin shqiptar me tepër se sulltani i vjetër, Hasan Prishtina, ishte i pari shqiptar që në parlamentin e Turqisë çoj zanin e tha: “Mekenëse terorizma vazhdon e se nuk u epen të drejtat politike shqiptarvet, unë kam me kenë i pari që kam me marrë në dorë flamurin e revoluconit kundër qeverisë së turqvet të rin”, shkruante gazeta “Ora e Shqipnisë”.

EDHE 145 VJET PAS LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT, SHQIPTARËT ENDE JANË NË KËRKIM TË NJË HASAN PRISHTINE TË DYTË

Karakteri dhe programi politik i Lidhjes së Prizrenit do të shërbejë për shumë dekada si udhërrëfyes i atdhetarëve shqiptarë, të organizuar në grupime e orientime të ndryshme politike e ideologjike. E përbashkëta e këtij udhërrëfimi ishte vendosja e interesave kombëtare mbi ato partiake e ideologjike. Vendosja e Atdheut mbi çfarëdo lloj interesi personal, siç veproi edhe kolosi kombëtar Hasan Prishtina, i cili mbetet shembull unik në historinë politike shqiptare, me vetëflijimin e tij për interesin e përgjithshëm kombëtar, duke hequr dorë nga të mirat materiale e financiare që pati. Prandaj edhe 145 vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët ende janë në kërkim të një Hasan Prishtine të dytë

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT