• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Glauk Konjufca: Austria një nga mbështetësit më të vendosur të integrimit evropian të Kosovës

October 26, 2023 by s p



Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në pritjen solemne në nderim të Ditës Kombëtare të Austrisë, organizuar sonte në Prishtinë nga Ambasada e Austrisë në vendin tonë.

Duke vënë në pah rolin dhe mbështetjen e Austrisë në zhvillimin e demokracisë në Kosovë, kryetari Glauk Konjufca tha se bashkëpunimi mes dy vendeve është rritur dhe forcuar gjatë viteve, përfshirë këtu fushën e ekonomisë, kulturës, arsimin, si dhe shumë sektorë të tjerë.

Tutje, kryetari Konjufca theksoi se rezultat i këtij thellimi dhe zgjerimi të marrëdhënieve është Agjencia e Zhvillimit të Austrisë, e cila ka mbështetur shumë projekte zhvillimore në Kosovë, që kanë çuar në investime dhe punësim.

Për më tepër, Konjufca tha se Austria është një nga mbështetësit më të vendosur të integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

Lidhur me marrëdhëniet diplomatike mes parlamenteve të të dy vendeve, kryekuvendari tha se Kuvendi i Kosovës ka marrëdhënie jashtëzakonisht produktive dhe shumë të mira me Parlamentin austriak, duke përmendur po ashtu edhe grupet parlamentare të miqësisë.

Kreu i Kuvendit theksoi se partneriteti mes dy vendeve tona është dhe duhet të shërbejë si shembull i suksesit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një burim frymëzimi për të ardhmen.

Filed Under: Mergata

U MBAJT EDICIONI I XXVII I FNP “DITËT E NAIMIT”

October 26, 2023 by s p



Prej 19–21 tetor 2023, në Tetovë u mbajt Edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Në këtë edicion u zhvilluan aktivitetete letrare, artistike dhe kulturore.
Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Pierfranko Bruni (Itali), Marisa Martínez Pérsico (Argentina), Tanya Ko Hong (Korea e Jugut), Dayra Lee Montoyo Leandry (Porto Riko), Mohamed Rabie (Palestinë/SHBA), Mario De Rosa (Itali), Nikolay Naydenov (Bullgari), Ali Al Shalahi (Irak /Zvicër), Muhsine Arda (Turqi), Xanthi Hondrou-Hill (Greqi), Tara Skurtu (SHBA), Maria Teresa Alfonso (Itali), Adi Memeti (SHBA), Juliana Veliçkovska (Maqedonia e Veriut), Arjan Kallço dhe Eva Kacanja (Shqipëri), Halil Matoshi , Ndue Ukaj dhe Mërgime Jetishi (Kosovë), Puntorie Muça ZIBA, Valdeta Dulahi dhe Saranda Mehmedi (Maqedonia e Veriut),.
Hapja festive e Edicionit të 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu dhe laureati italo/arbëresh Pierfranko Bruni dhe kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore, Baba Edmond Brahimaj vendosën buqete lulesh para shtatores dhe i dhanë një minutë heshtje poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri.
Edicionin e 27-të të FNP “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, “Trazirat në botë janë si furtuna të papritura që rrethojnë vrullshëm jetën tonë të përditshme. Në këtë peisazh kaotik, poezia del si një urë e qetësisë, si një fener shprese.
Poezia vepron si një urë e përjetshme, që eleminon boshllëqet midis kulturave, emocioneve dhe përvojave të ndryshme, duke u mundësuar individëve të lidhen në një nivel të thellë përmes fuqisë së fjalëve. Ajo shërben si një urë për në territoret e paeksploruara të shpirtit njerëzor, duke krijuar një rrugë drejt vetëkuptimit më të thellë dhe ndjeshmërisë së përbashkët.
Të dashur poetë, Ju sot ndodheni në Tetovën e Poezisë, ku “Ditët e Naimit” si një operator letrar dhe kulturor, për me shumë se çerekshekulli ka promovuar dhe afirmuar letërsinë, kulturën, gjuhën, poetin tone kombëtar, Naim Frashëri, ka ndihmuar në afirmimin e qytetit, vendit dhe gjuhës sonë, por edhe në vlerësimin e gjuhës, letërsisë dhe vendin e tjetrit. Kjo ka bërë që diversiteti të shihet si një pasuri, një pasuri që garanton një të ardhme të ëndërruar. ‘Ditët e Naimit është një shenjues i urave që janë ngritur dhe do të ngrihen në vazhdimësi…
Komunikimi i ndërtuar mes poetëve, mes traditave letrare dhe ndërlidhja me të gjithë ata që duan poezinë ka bërë Tetovën një emblemë gjithnjë e më domethënëse.
Më pas, ai reagoi ndaj censurës/bojkotimit të mediumeve që i bëjnë Festivalit, si dhe ndaj mosmbështetjes së këtij edicioni nga ana e institucioneve shtetërore, ku sivjet Ministria e Kulturës ndau vetëm 104.000 denarë apo 1700 euro (ndërkaq, që të njëtin format Festiavli, ate të Strugës e financoi me 7.600 000 denarë, apo 124 000 euro), gjë që paraqet një diskriminim të hapur. Edhe Komuna e Tetovës, nuk ndau për të dytin vit me rradhë asnjë denarë, sikur Festivali të mbahet në hënë, e jo në Tetovë, ndonëse ky festival për 27 vjet e ka afirmuar dhe promovuar më mire se çdokush tjetër, qytetin tonë.
Në atë skenë të bukur, para publikut artdashës, laureatit Pierfranko Bruni, iu nda çmimi i madh “Naim Frashëri” (Në vitin, 2004, ai qe shpall Anëtar Nderi i Festivalit). Laureati me këtë rast falenderoi për këtë nder që iu bë poezisë, veprës së tij. Më tej ai u shpreh se, “Të ecësh nëpër rrugë do të thotë të lexosh gjithçka në një sintezë tronditëse. Përjetova një përvojë të jashtëzakonshme me rikthimin pas vitesh në Tetovë, në Maqedoninë e Veriut. Mes shqiptarëve të Tetovës gjeta Shqipërinë e trashëgimisë sime. Nënkupton të përjetosh me atë mikpritje që vetëm popujt që e njohën historinë të shndërrohet në mit dhe përkatësi mund ta zotërojnë. Mikpritjen që gjeta këtu në sajë të Shaipit është e vështirë ta gjesh diku tjetër, pasi unë kam udhëtuar shumë në vende dhe realitete të tjera. Kjo na bën më shumë pjesëmarrës në këto takimë që janë takime dashurie. Ballafaqimi me gjuhët do të thotë ballafaqim me njerëzit. Për mua ishte një takim kuptim plotë, i rëndësishëm, aq sa do të përpiqem ta tregoj, kudo që do shkoj, sepse ky komunitet i poetëve është komuniteti i bukurisë. Sepse tingulli është gjuha e zemrës”. Jurinë e Festivalit e përbënin Prof. Dr. Ymer Çiraku (kryetar), Mr. Ndue Ukaj dhe Prof. Dr. Vebi Bexheti.
Gjithashtu, në këtë natë magjike u nda edhe çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mirë. Atë e mori poeti shqiptar, Adi Memeti nga SHBA.
Në ditën e dytë të Programit, poetët vizituan monumentet kulturo-historike të Tetovës. Ndërkaq, në teqenë Arabati Baba, ata u pritën nga Kryegjyshi, Baba Edmond Brahimaj, i cili u foli për historikun e Teqesë dhe rëndësinë e saj ndër vite. Këtu, gjithnjë sipas programit, u mbajt ora letrare “Poetë dhe vargje”, në të cilën poetët lexuan krijimet e tyre, si dhe u nda edhe çmimi letrar “Silke/Liria”. Ky çmim i takoi poetes turke, Muhsine Arda.
Në mbrëmje në Qendrën për kulturë dhe art “Shift Center” u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”. Ku poetët pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës dhe poetë shqiptarë, lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi letrar “Ditët e Naimit”, i cili jepet për karierë letrare iu dha poetit nga Kosova, Halil Matoshi, çmimi ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetes koreane Tanya Ko Hong, çmimi letrar ‘Oaeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik shkoi për poeten nga Argentina, Marisa Martinez Persico.
Këtë vit, Drejtoria ndau edhe dy mirënjohje; për TV Koha dhe për piktorin akademik Reshat Ameti.
Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur, Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan pianistja Jasmina Salija dhe violinistja Doriana Selmani, ndërkaq, leximin e poezive në shqipe të poetëve pjesëmarrës i përcolli me piano, Jasmina Salija.
Drejtoria e Festivalit, si gjithmonë, edhe në këtë edicion botoi Antologjinë e Festivalit, të poezive të poetëve pjesëmarrës me titull “Sytë e mbrëmjes”, të përgatitur dhe redaktuar nga Shaip Emërllahu e me parathënie të George Walllace.
Festivalin, përveç Ministrisë së Kilturës, e sponzorizuan restorantet “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”.

D. Hadri

Filed Under: Ekonomi

Akti terrorist i Hamas një përpjekje për të ndezur konflikt rajonal në Lindjen e Mesme

October 26, 2023 by s p

JANI GJONI/

Panoramë gjeopolitike botërore

Po të hedhim një vështrim hartës gjeopolitike të botës sot, do të shohim zona me konflikte, rajone me tensione politike e sociale të rrezikshme të cilat historikisht kanë prodhuar shkatërrim, gjakderdhje, prishjen e sigurisë e stabilitetit në këto rajone dhe në botë. 

https://tse4.mm.bing.net/th?id=OIP.Jtr3WJ3XBpN-VVGkQAaHIwHaEZ&pid=Api&P=0&h=220

Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitn e dytë të saj, ndonëse u mendua si si një veprim ushtarak i rrufeshëm me qëllim rrëzimin e lidershipit politik dhe ndërrimin e kursit të Ukrainës drejt aleances me Rusinë. Në Afrikë, grushtet e shtetit në Niger, Burkina Faso, Chad, Sudan, Mali, Guinea-Bisao, dhe Guinea, kanë përmbysur balancën politike dhe ekonomike me përzënien e influencës franceze dhe rritjen e ndikimit Rus e Kinez në këtë rajon të Afrikës. 

https://www.frontiersin.org/files/myhome%20article%20library/1077945/1077945_Thumb_400.jpg

Në Kosovë u parandalua një veprimtari e rrezikshme që mund të çonte në konflikte ndëretnike në Ballkan, u bllokua në kohë. Taivani dhe Kina është një tjetër zonë e mbushur me tensione e ngarkesa ku Kina kërkon ribashkimin e ishullit si territor të saj. Cdo ditë rraportohhen lajme për konfrontime e provokime ekonomike, politike e ushtarake mdis tyre. Korea e Veriut me programin e saj bërthamor vazhdon të mbetet për një kohë të gjatë një problematikë e rrezikshme për rajonin e sigurinë globale. Irani me mbështetjen ndaj grupeve terroriste dhe programin e saj bërthamor cënon hapur paqen në Gjirin Persik dhe në tërë rajonin e Lindjes së Mesme. Lindja e Mesme do ta perifrazoja “kërthiza e konflikteve” për shkak të  ngërthurjeve komplekse politike, ndëretnike, fetare, pretendimeve territorial, gjëndjes së rëndë ekonomike etje. Konfliktet dhe luftërat mes shteteve e kombeve, grupeve fetare e nacionale kanë prodhuar një tension permanent rajonal e global. Konflikti Izraelito Palestines është një plagë e hapur dhe si e tillë i konvergon të gjitha këto përplasje interesash, ajo gjithnjë është përdorur e po përdoret nga aktorë rajonal e global. 

Akti terrorist i kryer nga Hamas më 7 Tetor, 2023 rindezi përsëri këtë rajon delikat, duke shkaktuar më shumë viktima në njerëz e material.  Ajo që bie në sy është se në anën palestineze nuk u dënua ky akt terrorist, por u justifikua si një shpërthim i shtypjes, izolimt e pushtimi të Izraelit për një kohë të gjatë.  Shprehja më e përdorur nga krahu palestinez është “jemi kundër dhunës ndaj civileve nga të gjitha anët” duke nënkuptuar Izraelin si terrorizëm shtetëror, por nuk kanë kurajo për të dënuar Hamasin në këtë akt të pastër terrorist. Shtete si Irani, Siria dhe Libani e përgëzuan  dhe e mbështetën sulmin e Hamasit me entuziazëm, por duke deklaruar njëkohësisht se nuk kishin dorë  në organizimin, ndihmën dhe përgatitjen e tij.  Shtetet e tjera të rajonit si: Egjipti, Jordania, Arabia Saudite mbajtën një qëndrim më të kujdesshëm por qartazi në anën palestineze. Në këtë paraqitje globale me tensione e konflikte të rrezikshme ngrihet pyetja: Kush përfiton?

Në mes të këtij kaosi global, padyshim Rusia është përfituesja kryesore. Ajo direkt ose indirekt ka mdikuar të ndezë flakën e konflikteve në këto pika të nxehta per të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga lufta e saj aktuale me Ukrainën. Nga gjarja e 7 Tetor në media, vështirë të gjesh ndonjë lajm për luftën në Ukrainë, i tërë fokusi i tyre dhe opinionit publik botëror është përqëndruar në luftën e re Izrael – Hamas.  Për më tepër, kjo situate e re, i ka detyruar Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore të investohen për ruajtjen e sigurisë globale në dy ose me shume konflikte në të njëjtën kohë. Kjo ndihmon Rusinë, i jep mundësinë Putinit të rrisë prezencën dhe ndikimin saj në skenën botërore, si dhe të imponojë rolin e saj si faktor i rëndesishëm në zgjidhjen e konflikteve. Nga njëra anë Putini i fryn zjarrit dhe nga ana tjetër kerkon të jetë zjarrfikesi i tyre.

Histori e shkurtër e çështjes palestineze

Pas shpalljes së shtetit të Izraelit në vitin 1948, një luftë e madhe filloi midis shtetit të ri Izraelit, dhe vendeve arabe fqinje. Kjo luftë solli largimin e një numri të madh të popullit palestinezë nga trojet e tyre, si dhe vendosi  krijimin e kufijve të rinj, të cilat  hapën epokën e tensioneve të vazhdueshme midis tyre. Lufta e vitit 1967 e njohur edhe si Lufta e Gjashtë Ditëve, përfundoi me fitoren e Izraelit dhe humbjen spektakolare të koalicionit të vendeve arabe e cila solli zgjerimin e mëtejshëm të Izraelit në territore të reja, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor. Kjo është e rëndësishme për konfliktin, pasi ka lënë Palestinën të ndarë dhe territorin e saj të pushtuar.

https://tse3.mm.bing.net/th?id=OIP.GR4KL7zBQMI8dI626ai0OAHaD4&pid=Api&P=0&h=220

Një nga zhvillimet më të rëndësishme në marrëdhënien mes Palestinës dhe Izraelit erdhi në vitin 1988, kur PLO, nën udhëheqjen e Yasser Arafat, njohu zyrtarisht shtetin e Izraelit dhe PLO u përjashtua nga lista terrorizmit. Ky zhvillim ishte një hap i rëndësishëm që hapi rrugën për bisedime të ardhshme midis tyre. Në vitin 1993, Izraeli dhe PLO nënshkruan Marrëveshjet e Oslo-s, një seri marrëveshjesh që caktuan një kuadër për vetqeverisjen palestineze në pjesë të Bregut Perëndimor dhe Gazës. Kjo shënonte fillimin e një proçesi paqësor që synonte zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez përmes bisedimeve.  Vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë tentuar të japin ndihmën si ndërmjetësues midis Izraelit dhe palestinezëve. “Zgjidhja me dy shtete” mbetet një qëllim i zakonshëm ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit, por arritja e një marrëveshje paqësore të qëndrueshme ka qenë e vështirë. Nderkohë po artikulohet edhe bashkimi në një shtet të vetëm nga ana e palestinezeve. Bregu Perëndimor është nën kontrollin e Autoritetit Palestinez, i cili është një qeveri e përkohshme autonome palestineze. Kjo zonë është ndarë nga Gaza dhe është e qeverisur nga Fatah, grupi rival i Hamas. Megjithatë, disa pjesë të Bregut Perëndimor janë ende nën kontrollin e Izraelit.  Konflikti dhe statusi politik i Bregut Perëndimorit mbeten burim tensionesh dhe debatesh ndërkombëtare. Hamas mori kontrollin në Gazë më 15 qershor 2007, pas një përplasje midis Hamas dhe Fatah, grupi tjetër palestinez rival. Pas kësaj date, Gaza është qeverisur nga Hamas dhe është e njohur si një entitet i pavarur, ndryshe nga Bregu Perëndimor i qeverisur nga Fatah.

Hamas konsiderohet një organizatë terroriste nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin, Bashkimin Evropian dhe të tjerët. U themelua në vitin 1987 dhe është një grup militant palestinez, një lëvizje fetare muslimane me synime politike. Ajo përbëhet nga krahu politik dhe  krahu ushtarak, Hamas mban në administrim gjithë hapësirën publike dhe ka siguruar një mbështetje të gjëre me popullin e Gazes. Hamas ka qenë i përfshirë në konflikte me Izraelin dhe është i njohur për përdorimin e dhunës ekstreme, është përfshirë në një mori aktesh terroriste.

Situata në Gazë, ku Hamas është autoriteti i vetem qeverisës, është komplekse dhe ka qenë burim konflikti të vazhdueshëm dhe debateve ndërkombëtare.  

Që nga viti 2007 Hamas ka marrë ndihma dhe mbështetje të gjithanëshme për tu përgatitur e ngritur si forcë terroriste nga Irani, Rusia, Siria, Libani, e një sërë vëndesh të tjera. Me këtëo ndihma Hamas ka armatosur një forcë paramilitare të konsiderueshme, si dhe ka ndërtuar një infrastrkcture komplekse organizimi; rrjet të gjërë tunelesh për strehim, komunikim, manovër te trupave. Flitet se shtirrja e këtyre labirintheve nëntokësore ështe rreth 400 km. 

http://media1.s-nbcnews.com/i/newscms/2014_31/592466/140730-gaza-israel-tunnels-1250p_faee3645fdac10fd3fc43b12ee14bca7.jpg
https://tse1.mm.bing.net/th?id=OIP.E6p_1q8GdBODynZHC0Fa1gHaEK&pid=Api&P=0&h=220

Gjithashtu ka keqpërdorur ndihmat e komunitetit ndërkombëtar për qëllimet e saja terroriste e politike. Hamas ka ushtruar një presion të madh pikologjik me propogandë e frikë të vazhdueshme, me akte dhune permanente duke arritur të  krijojë në popull mentalitetin e turmës. Popullsia e Gazes është kthyer në një masë e verbër e kontrolluar dhe e dirigjuar plotesisht prej tyre. Lidershipi i Hamasit jeton dhe drejton nga kryeqyteti i Qatarit, Doha, në mes të lluksit të krijuar në mënyrë kriminale.

Një ngjaje e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjërë. Lufta Izrael – Hamas

Sulmi terrorist i kryer nga Hamas me 7 Tetor, 2023, një ditë feste fetare për Izraelin, ishte i befasishëm, i mirëorganizuar dhe përgatitur me kujdes.  Goditja u krye në shumë drejtime, nga toka ajri dhe deti, në të njëjtën kohë, të koordinuara me sukses duke e kapur plotësisht në befasi Izraelin. Kjo ditë ishte edhe 50 vjetori i sulmit të Egjiptit kundër Izraelit më 1967.

Rreth orës 6:30 a.m. grupi palestinez islamik Hamas ka hapur zjarr me një breshëri raketash e predhash  në Izrael. Hamas deklaroi se kishte hedhur 5,000 raketa në valën të pare të goditjes. Forcat ushtarake të Izraelit thanë se janë hedhur 2,500 raketa.

Harta e veprimeve luftarake të Hamasit dhe Izraelit

https://img.lemde.fr/2023/10/09/ffb961e_1696838944627-inter-4023-gaza-eng.png

Vala e fuqishme me raketa shërbeu si mbulim e mbeshtetje për infiltrimin spektakolar të paparë ndonjehere ne shumë drejtime të luftëtarëve të Hamas. Sipas ushtrisë izraelite kalimi i kufirit nga trupat sulmuese u realizua në orën 7:40 a.m. 

Forca kryesore e paisur me motorbike, makina te llojeve te ndryshme, depërtoi nga toka duke thyer pengesat e sigurisë tokësore (gardhin me tela, barrierat e betonit dhe ato të kombinuara) që ndanin Gazën nga Izraeli. Janë filmuar forca special duke kaluar barrirën kufitare  nga ajri me (Power Glider) dhe nga deti me motorbarka te shpejta në veri te kufirit. 

Sulmi u drejtua kryesisht kundër zonave të banuara në afërsi të kufirit, me objektiv vrasjen e civileve pa asnjë dallim, femije burra, gra, të moshuar, si dhe rrembimin e sa me shumë pengjeve. Gjatë sulmite u goditën edhe disa njësi ushatrake , policore dhe kufitare të Izraelit.

Hamas ka deklaruar se sulmi i tyre ishte një përgjigje ndaj bllokadës së Gazës, kundër ndërtimit të vendbanimeve izraelite, dhunës së banorëve izraelitë ndaj atyre palestinezë dhe kufizimeve të lëvizjes mes Izraelit dhe  Gazës.

Nga ky sulm terrorist u vranë më shumë se 1,400 civilë dhe u morën peng më shumë se 200 vetë. Kjo ngjarje është cilësuar si më e rënda që ka pësuar Izraeli ndonjëherë dhe është krahasuar me 11 Shtatorin në USA.

Po përse sulmoi Hamasi? 

Deklarata publike e tyre është fasada për të justifikuar aktin terrorist në sytë e palestinezëve si një kundërpergjigje ndaj Izraelit. Një nga qëllimet e tyre ishte të bënin sa më shumë dëme, vrasje e tmerr, të filmuara edhe nga vetë terroristët, për të demonstruar një shëmbull në botën arabe dhe në tere popullsine muslimane se Izraeli mund të goditet dhe gjakoset me veprime të ashpra duke thyer mitin e krijuar për pathyeshmërinë e ushtrisë dhe inteligjencës Izraelite.

Hamas e ka të pamundur të realizoje ëndërrën palestineze për shfarosjen e Izraelit nga territoret aktuale, këtë ata e dinë mjaft mire, historia dhe realiteti është i qartë për këdo. Të dy palët janë të detyruar të pranojnë ekzistencën e njëri – tjetrit. Ata e dinin se si do të rreagonte Izraeli – sa më shumë viktima, aq më e fortë do të jetë kundërpërgjigja e Izraelit. Duke qenë një levizje islamike Hamas nuk ka ndonjë axhendë nacionaliste, ata nuk kanë treguar ndonjë përgjegjësi për jetën e  popullit palestinez. Humbjet që do të krijohen gjatë konfliktit në njerëz e materiale, Hamas do ti përdorë si pjesë të propogandës për të nxirë imazhin e Izraelit dhe fituar mbështetje në publikun e gjërë boteror, i cili është shumë i ndjeshëm ndaj viktimave të shumta të civilëve të pafajshëm. Pamje të tilla u shfaqen që në ditën e parë të kundërpërgjigjes Izraelite.

 Një gjë është e sigurtë se çështja e Palestinës – krijimi i shtetit të panvarur – është larguar nga axhenda ndërkombëtare e kombëtare, ajo është zëvendësuar me luftën kundër terrorizmit palestinez. Më shume se kaq dëm nuk mund të bënte askush tjetër, vetëm ata që janë të interesuar për ta shfrytezuar këtë rajon në mënyrë permanente në interes të qëllimeve të tyre. 

Kundërpërgjigja e Izraelit

Izraeli shpalli gjëndjen e luftës si shtet e komb, nga 300,000 rezervistë qe kërkoi nën armë 360,000 ju përgjigjen thirrjes së atdheut për luftë, ata erdhën brënda një jave nga tërë anët e botës, plus forcën aktive me më shumë se 150,000 ushtarakë.

Kjo situatë krijoi një unitet kombëtar, politika ndaloi përlplasjet e brëndshme dhe krijoi qeverinë e përbashkët, morali i lartë mobilizoi tërë popullin në mbështetje të qeverisë dhe forcave të armatosura.

Pro Izraelit u krijua një përkrahje dhe mbështetje ndërkobëtare e fuqishme në të gjitha aspektet, ekonomike, politike, publike, ushtarake etje. 

Objektivi startegjik i Izraelit u deklarua të shfarosi përgjithmonë Hamasin si forcë dhe të mos ketë asnjë mundësi të egzistojë. 

Plani ushtarak ka marrë në konsideratë minimizimin e dëmeve kolaterale dhe në këtë aspect, në planizimin operacional Gaza është ndarë në dy sektorë – Veri dhe Jug. Popullsia është lajmëruar të zhvendoset drejt zonës së Jugut. Ushtria do të ndërhyjë fillimisht në Veri dhe mbasi të bëjë likujdimin e Hamasit në këtë sector, do të vijohet në të njëjtën mënyrë edhe në Sektorin e Jugut. 

Sulmi tokësor ende nuk ka filluar, ndoshta akoma duhet kohë për përgatitjen e ndërhyrjes ushtarake me forca në Gaza. Ndoshta, Izraeli bën më shumë kujdes të mos krijojë shakaqe që ky konflikt të përhapet në rajon.

Roli i USA në këtë konflikt

USA pati një reagim të menjëhershëm në krah të Izraelit duke ofruar mbështetje të pa kufijshme.Duke përdorur një gjuhë dhe veprime politike të kujdesshme për të minimizuar sa më shumë viktimat në popullsinë civile.

Gjithashtu u ka bërë apel të gjitha palëve të përmbahen për të mos përhapur konfliktin në rajon.

Ushtarakisht ka vendosur në rajon dhe përreth tij, asete të fuqishme si garanci për sigurinë dhe ndërhyrje në rast nevoje. Më domethënëse janë dy grupet e forcës detare me aeroplanmbajtëset  G. Ford dhe Aizenhauer.

Cila është e ardhmja e kauzës palestineze dhe e gjithë rajonit pas eleminimit të Hamasit nga skena?  Cilat janë disa nga alternativat e saj? Një pushtim i përkohshëm nga Izraeli derisa të krijohet stabilitet i brendshëm në Gaza. Mbikqyrje nga Egjipti deri në mëkëmbjen e stabilitetit në Gaza. Kjo ka ndodhur edhe më parë.

Mbikqyrje e një koalicioni vëndesh muslimane 

Mbikqyrje ndërkombëtare me anën e forcave të Kombeve të Bashkuara (UN) 

C’është kjo luftë në Lindjen e Mesme dhe pse tani? – bëhet përsëri pyetja

Padyshim ishte një përpjekje pëer të krijuar destabilizim, për të prishur balancën dhe sigurinë globale. Faktorët dhe aktorët më të  interesuar në këtë konflikt janë: Rusia me e interesuara, Iran, Siri, Liban, Korea e Viriut, si dhe grupet e ndryshme terroriste Hejzbollah, ISIS, Al-Qaeda, etje.

Ndonëse ky konflikt është akoma në zhvillim përballja midis perëndimit, vlerave demokratike, shoqërisë së hapur, demokracisë kundrejt  terrorizmit, regjimeve autoritare, e diktatoriale është një betejë e hapur dhe me ngarkesa të rrezikshme për sigurine dhe prosperitetin botëror.

Garancia e vetme në këtë situatë janë vlerat e larta dhe të fuqishme të qytetërimit perëndimor të cilat disa herë e kanë shpëtuar njerëzimin nga humnerat e ideologjive dhe forcave të errëta në shekullin e kaluar. Këto vlera humane e demokratike nuk duhen marrë si dhurate nga qielli, por duhet punuar e luftuar për ta cdo ditë. 

Filed Under: Histori

Humnera që vjen prej gjuhës sonë

October 26, 2023 by s p

Agim Baçi/

Umberto Eko, teksa analizonte mënyrën se si shfaqen njerëzit sot në publik, shkruante se, “fatkeqësisht sot shumë njerëz po e pranojnë se është më mirë të jesh një hajdut i mirënjohur, sesa një i ndershëm i injoruar nga të gjithë”!.

A nuk e kemi hasur dhe ne në përditshmërinë tonë këtë arrogancë? A nuk jemi ne që, pasi kemi dëgjuar dikë të krenohet se ka bërë korrupsion, vazhdojmë të qëndrojmë me to pas krekosjes për këtë “kryevepër”? Sa nga ne i kanë braktisur tryeza të tilla, ku ka nga ata që krenohen për të tilla “vepra”, ndërkohë që të tjerë të pranishëm i thonë “bravo”, apo kur ikën ai apo ajo nga tavolina, i thonë “bravo filani, bir kurve, ka bërë para”!

Sociologu i njohur polak, Zigmunt Bauman, shkruante kohë më parë sesi “rrjetet sociale”, që përfaqësojnë instrumente të vëzhgimit të mendimeve dhe emocioneve të të tjerëve, po përdoren e shfrytëzohen nga pushtete të ndryshme me qëllim kontrollimin, duke nxjerrë në pah heqjen e kufirit të turpit për veprime që dekada më parë do bënin gjithkënd të skuqej, nëse merrej vesh veprimi i tij.

Atëherë, çfarë mund të bëjmë kur nuk i plas më askujt për asgjë? Si mund t’i orientojmë të rinjtë sot kur, në komunikim, ka rëndësi që të dukesh, e jo thelbi i asaj që thua?

Padyshim që korrupsion, vrasje, apo perversitete ka patur kurdo e kudo, në gjithë historinë njerëzore. Por shoqëritë janë dalluar nga barrikada që bëjnë ndaj të padrejtës, ndaj së keqes, ndaj ligësive apo dhe ndaj indiferencës për këto akte. Dhe ne sot jemi në atë pikë të paralajmërimit të Umberto Ekos, ku hajduti publik ka epërsi ndaj të ndershmit që injorohet, madje që quhet “naiv, i ngathët”.

Librat e shenjtë e kanë paralajmëruar rrezikun që na vjen nga humnera që shkakton gjuha e lëvdimit për të qenurit i aftë në vjedhje, korrupsion apo ligësi. Ne thjesht po e jetojmë, gati të dorëzuar përballë qytetarisë që ka marrë i forti, grabitësi, i korruptuari- fiks siç i do pushteti qytetarët e tij, të paaftë të dallojnë dhe të denoncojnë të drejtën nga e padrejta. Pas kësaj, pushteti do e përdorë këtë humnerë të gjuhës sonë dhe komunikimit tonë publik, për të krijuar pamundësinë e kundërshtisë ndaj të padrejtës, ndaj të keqes.

Nëse kjo humnerë thellohet, nuk ka pse të habitemi se një kryeministër apo politikanë të tjerë, tallen me qytetarët, madje, duke folur në emër dhe dëshirave të qytetarëve!

Filed Under: ESSE

BEKIM FEHMIU, VEPRA DHE TË VËRTETAT E JETËS NË NJË DOKUMENTAR

October 26, 2023 by s p

Regjisori Valmir Tertini sjell një dokumentar biografik për jetën e veprën e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, me skenar nga Fahri Musliu dhe producent Jaklid Gace. Në një intervistë ekskluzive dhënë editorit të “Diellit” Sokol Paja, regjisori i filmit Tertini rrëfen për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, të vërtetat e jetës së Bekim Fehmiut, arritjet e tij, detaje rreth organizimit të dokumentarit jetësor dhe mbi të gjitha shuan çdo pikëpyetje për karrierën dhe jetën e aktorit të shquar Bekim Fehmiu.

NJË DOKUMENTAR PËR JETËN E BEKIM FEHMIUT

Dokumentari “Bekim Fehmiu” është rrëfimi më adekuat i një aktori të keqkuptuar, pra është e vërteta e tij nga faktet vizive, fjalët e tij, shpjegimet e të afërmve e deri tek pikëpyetjet e krijuara ndër vite. Dokumentari i gjatë artistik kushtuar aktorit shqiptar Bekim Fehmiu nisi si ide në vitin 2018 për të vazhduar si projekt filmik. Synimi ishte në 10 vjetorin e ikjes së tij fizike, pra ne 2020 te kemi premieren ne Prizren, por nuk nodhi ashtu. Pandemia e bëri të veten duke spostuar xhirimet e duke vështirësuar organizimin në Itali. Pas idesë së dokumentarit faza tjetër me takime intensive mbi skenarin dhe aplikimet për fonde. Ministria dhe Qendra Kinematografike në Kosovë e refuzuan projektin 2 herë. Qendra Kombetare e Kinematografisë në Shqipëri e financoi për të nisur punën, xhiruam fillimisht në 5 shtete, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje, Kroaci, pandemia na ndërpreu xhirimet kështu që Italinë e lamë për një moment tjetër. Ndërkohë ne punonim në montazh por filmi nuk ishte i rrumbullaksuar, na duhej xhirime dhe në Itali, pasi mbyllem atë, tani ne kompletuam mungesat dhe ishim gati për dorën finale në post produksion. Shumë gjëra ekskluzive u zbuluan ndër vite që dokumentari të pasurohet në nivelin që është tani.

BEKIM FEHMIU SI IDENTITET KULTUROR

Bekim Fehmiu ishte aktori i parë i Evropës Lindore që luajti në Hollywood gjatë Luftës së Ftohtë dhe ishte një nga aktorët më të njohur ndërkombëtarisht. Në dokumentar Enver Petrovci thotë: “Krejt kemi pas qef me qenë si Bekimi” si dhe rastin kur ai ka ardhë me i vizitu në prova: “Po vjen Bekimi me na pa në prova, le mos bo hajgare”. Nga këto komente dhe shumë të tjera kuptojmë se identiteti kulturor i Bekim Fehmiut ishte një Idol, jo vetëm për artistet shqiptar por shumë më shumë.

NJË DOKUMENTAR QË IU PËRGJIGJET FAKTEVE RRETH BEKIM FEHMIUT

Dokumentari është observativ, pa narracion, por me intervista, i xhiruar në 6 shtete, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje, Kroaci dhe Itali. 66 minuta. Dokumentari nis me vdekjen duke zbuluar të vërtetat e vetëvrasjes, pastaj lindja e deri tek kulminacioni i tij, shkëlqimi dhe rolet e mëdha. Kur ke famë padyshim se lindin keqkuptime dhe gojëdhena. Si u bë i njohur në ish Jugosllavi një aktor shqiptar i cili u pranua në akademi të arteve me kusht e pa njohur gjuhën serbe. Krijimi i familjes me Brankën. Largimi nga skena si protestë. Vetëvrasja etj. Të gjitha këto keqkuptime marrin fund, sepse dokumentari u përgjigjet me fakte.

SI ISHTE BEKIMI NË TË VËRTETË

Të intervistuarit e tregojnë Bekimin siç ishte në të vërtetë, që nga lindja, kulminacioni, veset e tij e deri tek vdekja. Rrëfime ekskluzive nga vëllai, gruaja, shokët, kolegët, bashkëpunëtoret e tij.

PREMIERA, NJË EMOCION I JASHTËZAKONSHËM

Premiera e madhe ishte në Tiranë, një emocion i jashtëzakonshëm për një punë mbi 5 vjeçare. Vendosëm që të bënim Premierë të mbyllur për shkak të interesimit të madh, nuk doja që të bëhej kaos dhe të mos kishte vende për të tjerët, por salla të mbushej përplot me personalitete, stafin realizues, kineastë dhe bashkëpuntorë të ftuar dhe ashtu ndodhi. Vërtetë më mirë sesa që e planifikuam. Premiera tjetër për Kosoven ndodhi në Prizren, kinemaja me e madhe atje u mbush përplot me të ftuar. Bekimi iu kthye Prizrenit tanimë në një film dokumentar dhe publiku e mirëpriti atë. Filmi dokumentar do të ketë edhe disa premiera të tjera në vendet ku është xhiruar, po ashtu dhe ekskluzivisht do vijë në NewYork për artëdashësit shqiptar dhe të huaj atje.

Trailer: https://youtu.be/60D0CPTBZVg

Video Premiera: https://www.youtube.com/watch?v=l1yubxGy1z4&t=2s

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT