• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Arbëreshët e Maschito \ Mashqit e Barile të Bazilikatës në Piemonte

October 20, 2023 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe pranë bibliotekës A. Bellusci Frascineto\ Cosenza\ Kalbari /

(10 mijë arbëreshe në Piemonte lënë jashtë ligjit të 482\99 

Arbëreshi, është si ato ditët e shkurtëra të shëndreut sa të brishta e të rralla, sa të skajshmë  e të zbehta, ku paralele e meridiene ndërthren si notat e një solfezh, që frymojnë  ende jetë, një mall të çuditshëm, të thinjur e të rrudhur prej shekujve, e çdo notë  metamorfozohet në qyteza, e çdo qytezë shkrihet në një sinfoni ku thuret dinjiteti e vetmia, e mbi të gjitha dëshira për tu ringjallur. 

Sot, më datë 15 Tetor e kishim lënë në Torino  të takohesha me kryetarin e saj Vicenzo Cucci dhe me sekretarin e kësaj organizate Antonio Gioseffi. Mbrrijë rreth orës 10 e 30.  Të dy më presin tek stacioni Torino Porta Nuovo. I shikon në thjeshtësinë e tyre, por pëe Arbërinë kanë bërë një punë kolosale sa mund të bënte një istitucion.  Janë arbëresh, dhe  si të tillë asnjëherë nuk harrojnë atë karakteristikë që ne e quajmë “Mikpritje” gjë të cilën e kemi katandisur si mos më keq ne shqiptarët. Takohemi me shumë kënaqësi  dhe me humorin e tyre dhe me mirësinë që kanë menjëherë të bëjnë të ndihesh mirë. 

Nuk bëjmë as tre minuta me makinë dhe ndodhemi në Bulevardin Viktor Emanuele. Zgjedhin si vend lokalin, barin historik, kafene- pasticeri “ Platti”, të një stili mbretëror plot me afreske të krijuar në 1875, dhe të frekuentuar nga figurat më të ndritura të Piemontes. 

Gjendemi nën harqet të ashtuquajtur “Portici” të cilat yënë një hapsirë për rreth 10 km, kur dëgjoj Antonion që më thotë:”Pikërisht këtu dy hapa larg nga kjo pasticeri unë punoja si një nënpunës për llogari të ministrisë së arsimit. Jemi pikërisht ne arbëreshët ardhur nga Jugu, (krahinat e Lukanies(Basilicata),Kalabria, Puglia e Sicilia) që mbajtëm gjallë Torinon, jemi ne  populli i jugut të Italisë arbëreshë por edhe Italianë të cilët lamë trojet tona që themeluam e të vinim për arsye ekonomike në  Veri të Italisë. Ne nuk zgjodhëm por në një farë mënyre u detyruam.  

Ndodheshim përpara portës së kafanesë, dhe para se të hymë në  bar shkrepëm një fotografi. 

Hyjmë dhe na sygjerojnë të ulemi ne tavolinën numër tre. Pasi porositëm atë që do konsumonim, menjëherë nis biseda mbi arbëreshët e Piemontes. I drejtohem si fillim  Antonio Gioseffi të cilit i them. Çmund të më rrëfeh për qytezën tuaj?  

“Jam nga Barile- rrëfen Ai- Barile është një ngulim arbëresh në krahinën e Basilikatës ku gjenden kantinat e verës së ”Aglianiko” janë të njohura në të gjithë italinë. Këto kantina gjenden në zonë që ne i themi “ Sheshi”. Më parë këto guva, kishin qenë strheza\ banesa të arbëreshëve. 

Pikërisht ato kantina si guva është zona më e lashtë e ngulimeve arbëreshe në Bariles. 

Kantinat\ strehët e dikurshme kanë shikim nga dielli nga lindja dhe arbëreshët shtëpitë dhe varret i bënin me shikim nga Lindja. Mendoj, (pra, është një hipoteza ime) që Barile ky toponim duhet të ketë si etimologji fjalën e bard-ili\ Bardhili\ bardh\, sepse në atë zonë pleqtë thoshin  “shullemi” që do të thotë “ngrohemi nga rrezet e diellit”(n.d..në fakt fjalën “shullëhemi” e përdorte edhe gjyshja ime e cila ishte nga jugu). 

Në vitin 1964, në bodrumet “Sheshi”, Pier Paolo Pasolini xhiroi skenat e lindjes së Krishtit dhe masakrës së të pafajshmëve për filmin Ungjilli sipas Mateut. Këto janë shpella të gërmuara në shtufin e llavës, të ndërtuara nga emigrantët e parë shqiptarë, ku bëhet transformimi i rrushit dhe konservimi i shkëlqyer Aglianico DOC.

Në Barile deri nga vitet 1950 flitej vetë arbërisht, dhe deri gjatë luftës së dytë botrore martesat bëheshin arbëreshë me arbëresh dhe jo me të huaj. 

Lagjet në Barile 

Në Barile lagjet edhe sot mbajnë toponime arbërore:

Majnuti,\ majë\ mali \ malësor, Scutari\ Shkodra\ Coronei . Zona më antike e ngulimeve arbëreshë quhet ”Sheshi”

Në Barile është një pikë që i thonë “Porta Shea”, pranë saj kalon një lumë. Sa herë që shkoj  atje ky term më kujton “Shea” tek Iliada dhe Odisea vendi u u mbajt dueli midis Hektorit  dhe Akile. 

Thuhet se arbëreshët populluan Barilen prej disa valë emigrimi. Flitet për një lëvizje nga shek 14 deri në fund 16. Popullsia arbëreshe solli me vete zakonet, gjuhën, kulturën  e tyre. 

Si fillim shumë arbërsh u vendosën në Melfi( Volturno\Potenz) dhe për arsye se kur erdhën nga Napoli me ndihmën e Andrea  Dories ata u vendosën në tokat e tij, por që më vonë u përhapën së Barile, Maschito, Gineshtra\ Zhura.  Kuqeri p.sh  ishin arbëresh të Melfit.  Kujtoj se arbëreshët e Zhurës iu thoshin se ata flasin  giargianian\ xharxhanian, që do të thoshte që ishin pasardhësit e  Giorgio Skëndarbeg\ Gjergj Kastrioti Skënderbe. I thërrisnin të tillë  për arsye se gjininë mashkullore e shkëmbejnë me femërore, kështu që për gjininë mashkullore edhe sot e kësaj ditë pleqtë në këtë zona e  thonë: Buongiorn-a  dhe jo  Buongiorno,i njejti fenomen ndodh kur shprehin fjalën “Giorgionian” në Giargianian\ xharxhanian .

Arkitektura e shtëpive me gurë i japin magjinë e saj këtij vendi. Vlen të përmenden objektet e besimit  kishat që ndodhen në pjesën më të vjetër të ngulimeve në zonën quajtur, “Scuteri\Skuteri\ Shkodra”, kisha  Carmine, e Sant’Attanasio dhe ajo e San Nicola, e para që u ndërtua në këtë nguli, dikur në  ritin  bizantin. 

Në pjesën jugore të qytezës ndodhen pallati baronial Torella (shekulli i 16-të, i rinovuar) dhe shatërvani monumental Steccato (1713) i vendosur në Piazza Garibaldi, i cili karakterizohet nga tre gurë të skalitur në formën e një koke nga e cila rrjedh uji. Arbëreshët ruajnë kujtime në këtë krua.  

Vlen të përmenden shtëpitë që u përkasin familjeve fisnike si Palazzo De Rosa, Palazzo Caracciolo, Palazzo Frusci, Palazzo Piacentini i shekullit të gjashtëmbëdhjetë dhe Palazzo Bozza.

Revolucioni kulturor  i viti 1968 përfshihu edhe Barilin ku u krijua edhe një shoqatë në Barile të cilën e quajtëm “Skanderbeg” dhe u themelua në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Shoqëria zgjati pak, por askush në vite nuk iu spjegoi këtyre të rinjëve, dhe nuk u ndihmuan. Mblodhën foto antike, gjurmë arbëreshe dhe themeluan një bibliotekë. Vitet 1960- 1970 ishin vitet e bumit ekonomikë dhe shumë arbëreshë u larguan në Veri të Italisë për një jetë më të mirë. 

Barile është  krenar për birin e saj arbëreshin Vincenzo Torelli (Barile, 1807 – Napoli, 1882). Ai  ishte gazetar, libretist, shkrimtar, botues dhe impresario i operës italiane i grupit etnik arbëresh . Babai i komediografi  Achille, ai konsiderohet Dekani i gazetarisë napolitane të shekullit të 19-të , themelues i  revistës «Omnibus», të cilën ai e drejtoi për pesëdhjetë vjet, dhe mbajti  lidhjen me artistë të shumtë, veçanërisht aktorë, kompozitorë dhe muzikantë. Shkroi lirika shqiptare por ndikoi edhe në alfabetin  me të cilin shkruante dhe përdorte De Rada  s në rastin e Serafiana Topia. 

Në Barile kanë jetuar shumë 100 vjeçarë nga ata kemi dëgjuar si flisnin, kur na tregonin arbërisht përralla, këngë, gjëagjëza në jetesën e tyre në katund ata  ishin ruajtës të gjuhës dhe kulturës së botës arbëreshe. 

Dua të theksoj faktin- shton Antonio- se sa herë që dëgjoj këngën “O e bukura More” i bëjë pyetje vetes: Pse themi “Petkat tona”? Ne arbëreshët njohim përemrin  Jon dhe varjanti  “Petkat Jona”, Pse duhet të heqim atë fjalën “ Jonë\ Jon\ e cila është pjesë e historisë  arbëreshe. Erdhëm edhe nga deti Jon apo ?! 

Koha po kalonte dhe kisha dëshirë të dëgjoja edhe Vicenzon, prandaj u ktheva nga ai dhe e pyeta. 

Çmund të më thuash Ti Vecenzo  për  Maschito ?

Maschito ose Mashqit është ngulimi më interesant në Bazilikatë sepse ne ruajmë me shekuj stemën e Dukagjinit në Komunën tonë.  Këtë Stemë e kemi trashëguar nga ushtarët e Skënderbeut, të cilën i udhëhoqi kapedan Lazzar Mathes. Thuhet se këta ushtare nuk u kthyen më në Shqipëri dhe fshati ishte vetëm me burra, prandaj edhe e quajtën Maskit që në shqip do të thotë Meshkuj\ burra. 

Rrëfejnë se Shqiptarët kanë dashur gjithmonë të bukurën dhe për tu lidhur morën gratë në Venosa\ Venera, një fshatë afër Maschiti. Thuhet që atje ishin gra shumë të bukura dhe të mira prandaj edhe ai katund quhej Venera- Venosa.  

Mashqiti ka historinë e tij, e  arbëreshët  e tij ishin të karakterit militir, kështu që  mbretërisë së Napolit iu interesonte që ti shpërndanin. Kështu që të gjithë arbëreshët që ishin në Melfi filluan të krijonin ngulime të tjera në bazilikatë 

Mbiemrat më në zë të Mashqitit janë: Muzacchio\ Muzakët, Raftti  dhe Maulà thuhet që vijnë nga arbërorët e Peleponezit, Manes\ Mansi, Cucci 

Është interesante se si mbiemrat i ndryshonin në bazë të gjinisë. 

Psh, kur lindëte djalë mbiemri  mbahej Cucci, kur ishte vajzë mbahej Cuccia. 

Në Sicili kemi versionin Cuccia. 

Çentriani dhe Malësor

Arbëreshët  e Bariles thuhet se erdhën nga Shkodrës në vitin 1462 të cilët u larguan pas rënies në duart e turqve, por më fonë gjatë emigracioneve të tjera erdhën erdhen edhe nga Peleponezi, pjesa e Corone në 1533 ,më vonë  feudi i familjeve Carafa dhe Caracciolo u bë i Torella-ve. Deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë ajo ruajti ritin grek, i cili më vonë u zëvendësua nga ai latin katolik  Popullsia arbërshe në Maschito ndahet në Centriani dhe Malësor. Gjatë festës së Sant Elia\ Shën Elia e cila zhvillohet në javën e dytë të gushtit Pjesa e banuar më antike,  zona e Malsoreve, që  janë Dukagjinasit marshijnë me stemën e tyre të ruajtur që nga koha që kanë vendosur këmbët, ndërsa arbëreshët që banojnë në qendër\ Çentrisët vishen me Fustanellë. Në skenë krijohen figurat stradiotit të kapitenit Lazzaro Mathes. Gjatë aktivitetit, falë ndërhyrjes së mbi 50 pjesëmarrësve, rindërtohet pjesë e historikut të saj  që lidhen me dy grupet etnike të fshatit, majzorin e Koronës dhe Qëndërnjanin e Shkodrës. Ngjarja është magjepsëse mbi të gjitha për veshjet madhështore arbëreshe, të punuara me dorë nga artizanët vendas, duke ndjekur besnikërisht traditën. 

Arkitektura e Maschitos ngelt qyteza ime me rrugicat e saj,  si edhe me gur të bardhë  ku mund të admirosh  shatërvanin monumental kushtuar heroit shqiptar Giorgio Castriota Skënderbeu, i ndërtuar në vitin 1879, siç dëshmohet nga pllaka e rikonstruktuar nga Bashkia. Për sa u përket ndërtesave, që datojnë në fund të shekullit të 17-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të 19 të. Përmendim Palazzo Manes-Rossi, Palazzo Adduca, Palazzo Jura dhe Palazzo Cariati, me portalin e tij klasik me kolona dorike dhe më pas. sërish Palazzo Dinella, Palazzo De Martinis, Palazzo Tufarolo, Palazzo Nardozza, Casa Scranna.

 Kur flasim për Mashqiti nuk mund të anashkalojmë figurën e  Luigi Giura (Maschito, 14 tetor 1795 – Napoli, 1 tetor 1864), me profesion  inxhinier dhe arkitekt italian.Inspektor i Korpusit të Urave dhe Rrugëve të Mbretërisë së Dy Siçilive,  i cili  njihet për projektimin dhe ndërtimin e urës Real Ferdinando, urës së dytë të varur në Evropë (1832), si dhe urës së parë të varur në Evropën kontinentale dhe mos harrojmë ky ishte arbëresh.  

Kisha Caroseno

Kisha Caroseno, eshtë ndërtuar nga arbërorët ardhur nga Peleponesi shqipfolës, Korona.  Ajo ruan një afresk shumë të vlefshëm të Madonës dhe Fëmijës (1558), i cili doli në dritë gjatë disa punimeve restauruese në kishë (1930).

Kisha mëmë e Sant’Elia, Shën Mbrojtës i Maschitos, me një nef të vetëm dhe e zbukuruar me llaç, është ndërtuar në vitin 1698 nga shqiptarët dhe përmban dy piktura vaji të shekullit të 16-të, si dhe pikturën e “Madonës së Shtatë velina”, e nderuar nga popullata sepse konsiderohej si mrekulli. Kisha është zbukuruar gjithashtu me dekorime me llaç dhe piktura nga Domenico Pennino dhe dy piktura të mëdha që i atribuohen Giovanni Battista Caracciolo të Napolit (1570-1637).

Në Basilikat nuk janë 5 ngulime arbëreshe, por 7 ngulime 

Barile, Maschito, Zhura, Brindizi della Montagna, San Chirico Nuovo, san Paolo Albanese, san Kostandino Albanese. Flitet edhe Trivignano në Barile por akoma nuk është sanksionuar. 

San Chirico Nuovo stema e Komunës është me Skënderbeun mbi kalë

 Së shpejti një fjalor shkencor në arbërisht  nga arbëreshët e Bazilikatës 

 Deri më sot askush nuk ka një fjalor të arbëreshëve të Bazilikatës . me ndihmën e e mjekut  Antonio Capano  historian dhe arkeolog , si dhe të prof Patrizia del Puente, studiuese dhe njohse e dialekteve në Lucania, si edhe të Doktorit Giuseppe Elia Chiaffitelli  së shpejti do të publikohet një fjalor arbërisht për arbëreshët e Lukanies.  

Për kët lajm ishte  i lumtur si Vicenzo po ashtu edhe Antonio, dhe këtë e shohim në  sytë e tyre të cilët e thonë gjithë gëzim këtë lajm. Gjatë bisedës me ta  nuk mund të anashkalonim edhe bisedën mbi të drejtat e këtij komunieteti prej 10 mijë arbëreshë që aderojnë në  Piemonte.   

Ligji mbi arbëreshët e komunitetit në Piemonte 

Kushtetuta e Republikës Italiane në Art. 6 parashikon;Republika mbron pakicat me rregulla specifike

gjuhësi”;Ligji 15 dhjetor 1999, nr.482;Rregulloret për mbrojtjen e pakicave historike gjuhësore; parashikon ndaj artit. 3 paragrafi 3″Kur pakicat gjuhësore të përmendura në nenin 2 shpërndahen nëpër territore të ndryshme krahinore ose rajonale, ato mund të ngrenë organe koordinimi dhe propozimi, të cilat autoritetet vendore të interesuara kanë të drejtë të krijojnë njoh”.

Kur u themelua Vatra Arbéreshe 

Reth 50 familje arbëreshe të Chierit u mblodhëm dhe formuam “VATRA ARBËRESHE”, e cila u themeluar në maj 2000 si një shoqatë Kulturore e Pakicave Historike Gjuhësore të Italia, në të cilën gjejmë italianë me origjinë shqiptare që historikisht kanë qenë të pranishëm në Itali që nga ajo kohë gjysma e dytë e shekullit të 14-të, pra e njohur dhe e mbrojtur nga Ligji Kombëtar nr. 482/1999.

Fillimet e saj shoqata i kishte në qytetin e Chieri, në bazë të dy vendime të këshillit Bashkiak nr. 61, datë 17.7.2003 dhe nr. 67, datë 26.09.2003,  e cila ka i njohur Shoqatës statusin e: «… organ koordinues dhe propozim për veprimtaritë kulturore të komunitetit të pakicës gjuhësore italo-arbëreshe të Chierit dhe  zonës së Chierit, pasi është një territor i kufizuar…”

Vendimi i Provincës të Potencës  

Provinca e Potenzës, në zbatim të ligjit të sipërpërmendur, me vendim të Këshillit Krahinor nr.45, datë 29 maj.2008, i njeh Shoqatës “Vatra Arbëreshe” rolin e mëposhtëm:

“…në bazë të nenit. 3 – pika 3 – të ligjit nr. 482 datë 15.12.1999 Shoqatës Arbëreshe Vatra, me qendër në

Chieri (TO) njeh rolin e koordinimit dhe propozimit për Arbëreshët e Bazilikatës banorë në Piemonte”

– Këshilli Krahinor i Torinos ka njohur njohjen e Provincës së Potenzës me vet zgjidhjen Prot.n. 50180/2008 datë 18.11.2008 (dërguar me dokument Prot.n.871538 Struktura AA7000115 dt 16/12/2008) duke vijuar ne integrimin e shtate territoriale të provincës së Torinos.

Prandaj Shoqata Arbëreshe Vatra e Chierit  është ndoshta e vetmja shoqatë e pakicë historike gjuhësore e Italisë e njohur jashtë territoreve të  origjinës, siç kërkohet me L.482/99.

Duke iu referuar rregullave dhe udhëzimeve për mbrojtjen dhe valorizimin e minoriteteve

gjuhësia historike, në dritën e Dekretit Të Kryetarit Të Këshillit Të Ministrave të datës 15 nëntor

2019, i cili në nenin 1 paragrafi 3 thotë:

“Organet mund të marrin pjesë gjithashtu në zhvillimin e projekteve të përmendura në paragrafin 1

të koordinimit dhe propozimit, të njohur në bazë të nenit 3 paragrafi 3 i ligjit 482 e vitit 1999″ Për herë të parë, që nga hyrja në fuqi e ligjit 482/99, u shpresua që me këtë Dekret të Kryeministrit të bëhej e mundur gjithashtu hapni dyert për Shoqatat Koordinuese të njohura nga Autoritetet Vendore kur këto janë të vendosura jashtë territoreve të krahinave me pakicë minoritare, pra në të gjithë territorin kombëtar, për të qenë në gjendje përfitojnë nga financimi ministrisë.

Sa është e mbështeur  nga ana financiare kjo organizatë prej Ministrisë  nga ana financiare?  

Fatkeqësisht Ministria e e financës nuk ka dhënë asnjë spjegim.. 

Lind pyetja: Kush është arsyeja: 

Paaftësia e saj? Mungesa e një vullneti politik, apo neglizhim total ?

Janë bërë tentativa të tjera, përmendim Dekretit të Kryeministrit të datës 11.12.2022 për kërkesën për financim në lidhje me vitet financiare 2023-2025, parashikuar në nenin 9 e.

15 i ligjit 15 dhjetor 1999, n. 482 dhe përgjigja është e njejtë. 

Neni 1 paragrafi 3 thotë si vijon:

“Organet mund të marrin pjesë gjithashtu në zhvillimin e projekteve të përmendura në paragrafin 1

të koordinimit dhe propozimit, të njohur në bazë të nenit 3 paragrafi 3 i ligjit 482

e vitit 1999″Pasi të jetë dorëzuar aplikimi, për të marrë fondet përkatëse dhe për të qenë në gjendje të kryeni aktivitetet kulturore të treguara,deri më sot nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj kërkesave tona për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, qoftë edhe jashtë territoret origjinale, për rreth 10,000 arbëreshë të pranishëm në Piemonte, prej të cilëve ne jemi Shoqata e Koordinimi, i njohur, siç specifikohet në hyrje.

Ligji 15 dhjetor 1999, nr.482;Rregulloret për mbrojtjen e pakicave historike gjuhësore; parashikon ndaj artit. 3 paragrafi 3

“Kur pakicat gjuhësore të përmendura në nenin 2 shpërndahen nëpër territore të ndryshme krahinore ose rajonale, ato mund të ngrenë organe koordinimi dhe propozimi, të cilat autoritetet vendore të interesuara kanë të drejtë të krijojnë njoh”. Pavarësisht se i kemi lexuar rregullat e publikuara, ne nuk kemi identifikuar se cila procedurë duhet të ndiqet për prezantimin e projekteve dhe çfarë lloj projektesh mund të prezantohen dhe pyetjet e paraqitura Ministria e Çështjeve Rajonale nuk ka marrë indikacione apo sqarime Shoqatës për të përfituar nga financimi i parashikuar nga L.482/99 siç parashikohet nga DPC.

Prandaj projektet kulturore të prezantuara nga Shoqata Arbëreshe Vatra e Chierit (TO), pa

pa arsye, ato u anulluan nga Ministria e Çështjeve Rajonale (e njëjta që bëri

normë) dhe nuk ishin në gjendje të ndiqnin zbatimin.

Një nga aktivitetet e mëdha zhvilluar nga qëndra jonë  ishin Edicioni edicionet e poesisë me 12 takime, 

Të cilat morën përpjestime internacionale, ku përfshiheshin si arbëreshët e të gjithë krahinave brënda dhe jashtë Italisë po ashtu edhe nga Shqipëria.  Një aktivitet të tillë  nuk ishte parë në botën arbëreshe. 

Për këtë aktivitet u mbështetëm ekonomikisht nga  Rajoni i Pjemontes, nga Comuna e Chierit, Nga  Città Metropolitana e Torinos si dhe nga Fondazioni CRT. 

Falenderoj me zemër si Vecenzon edhe Antonion, për mikpritjen, për bisedat, e mbi të gjitha për seriozitetin e çështjes së 10 mijë arbëreshëve të Piemontes  që është çështje e të gjithëve. 

Nuk mund të hupasim një komunitet sepse zhdukim një popull ose më mirë zhdukim kulturën e shumë trevave arbërore  mbrritur deri në kohët e sotme. 

Shpresoj që arbëreshët të kenë parasysh që janë aq të rrallë në kozmo  sa ruhen me ligj për origjinën dhe kulturën e tyre  nga shteti, dhe për këtë duhet të jenë krenar për origjinën e tyre. 

Të drejtat e rezervuara 

Ornela Radovicka 

Qëndra Albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, pranë bibliotekës A. Bellusci  Fracineto\ Cosenza\ Itali 

Shënim: Nuk  dija se cilën foto të zgjidhja prej takimit që bëmë. 

Zgjidhni vetë kush të jetë më e përshtatshme.

Më dërguan vetëm  këto dy foto, që mi nisen me e mail. 

Filed Under: Emigracion

NJË NËNË QË IA DHA ATDHEUT NJË DËSHMOR TË KOMBIT – Sadie (Pllana) Berisha 

October 20, 2023 by s p

Nusret Pllana

E shtrenjta vajzë e Banush Pllanës, që tërë jetën e barti në shpirt masakrën e Tivarit!

E nderuara vajzë e nënës Xhevrije, që të rriti me aq mundime!

E mira motër e Asllanit dhe Shukrijes, vdekja e të cilëve të la pa fjalë!

E dashur NËNË e Arianitit, Dëshmorit të Kombit, që ia fale lirisë së Atdheut!

Motër Sadie!

Me 19 tetor 2023 ndahemi nga Ti, duke të përcjellë në  banesën e fundit, të të gjithë të gjallëve, sepse dihet, jeta një ditë e ka një fund! Kjo ditë e fundit, që po ndahemi nga Ti, bijë, motër, nënë Sadije, na ka rënë hise të ta kujtojmë rrugën e gjatë jetësore, që ke bërë, duke lënë shenja që nuk harrohen kurrë! Nuk harrohen, as vuajtjet për babanë që kurrë në jetë nuk e  harroi rrugën e tmerrit të Tivarit, ku humbi shokët, miqtë, luftëtarët, që tërë jetën i barti në shpirt si kujtim dhe si dhembje! Nuk harrohen as vuajtjet e nënë Xhevrijes, e cila mbi çdo gjë ju dha dashurinë për njerëzit dhe për vendin. Një pjesë të dhembjes ta shtuan vëllai Asllani dhe kunata Shukrija, që të lanë pas duke kujtuar mallin dhe mungesën e  tyre! 

Por, rënia e Arianitit në altarin e lirisë së kësaj pjese të atdheut, të Kosovës sonë të shumë vuajtur në shekuj, ta mori gjithë dhembjen e të gjitha nënave të Kosovës, që lirisë sonë ia falën bijtë dhe bijat më të mira të atdheut! Arianiti sot është shenjë e lirisë sonë, e Kosovës që një ditë do të bëhet Shqipëri, ashtu siç e kishte falur Zoti dhe ashtu siç e kanë dashur shqiptarët në shekuj.

Motra Sadie Pllana-Berisha, lindi më 23 tetor të vitit 1948, në Prishtinë, nga Nëna Xhevrija dhe Babai Banushi. Ishte motër e dashur e Asllanit, Ylfetes, Selatinit, Vahides, Ademit, Besës e Besimit.  Skollën fillore dhe atë të mesme për infermiere e mbaroi në Prishtinë. Sa duket, për njerëz të caktuar, rrugët jetësore sikur janë përcaktuar që më parë. Motra Sadie Pllana, ishte martuar me atdhetarin e Llashticës së Gjilanit, Ilaz Berishën, i cili asnjëherë nuk është lodhur që të vejë një gur të çmueshëm në kalanë e madhe të lirisë së atdheut!

Nga kjo martesë, lindën fëmijët e mrekullueshëm, Arbërorja, Arbëri, Ardhmëria dhe Arianiti. Më i vogli i Nënë Sadijes dhe Babait Ilazit, Arianiti, kur ishte vetëm 17-vjeçar bie për të mos vdekur kurrë, sepse bëhet shenjë e lirie sonë, shenjë e rrugës së madhe të bashkimit kombëtar, bëhet i përjetshëm me moshën e tij 17 -vjeçare, sepse Dëshmorët e Kombit kanë vetëm ditëlindje!

Ti, Motër Sadie,  ishe në shërbim të lirisë së atdheut, sepse asnjëherë nuk u kurseve duke ndihmuar me çdo gjë që kishte mundësi, duke filluar nga sigurimi i barërave e deri të injeksionet dhe gjëra të tjera të nevojshme për ushtarët, për të plagosurit, për ata që kishin nevojë nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, bashkë me Arianitin tënd, sollën lirinë që e kishim pritur më shumë se një shekull.

E shtrenjta Motër Sadie! 

Sot kur po të përcjellim në banesën tënde të fundit, atje ku do të jesh bashkë me të gjithë ata që i ke dashur, e themi me bindje të plotë, e themi me dashuri, se ishe nënë e dashur dhe e përkushtuar shumë për fëmijët e tu të mrekullueshëm, ishe motër e veçantë me qetësinë tënde hyjnore, ishe bashkëshorte e një veprimtari të çështjes kombëtare, që asnjëherë nuk u lodhët t’i shërbeni ardhjes së lirisë sonë, ishe gjyshe e mbesave dhe nipave, që të deshtën aq shumë, ishe bamirëse dhe humaniste e madhe, sa edhe furnizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte brenga jote, që të mos mbetej keq asnjë i plagosur, asnjë i ri, që ia kishte prekur plumbi trupin, asnjë vajzë, që mbante uniformën e lirisë sonë. 

Por, erdhi një ditë, kjo sëmurje e rëndë, që të ndau nga ne, që të ndau nga fëmijtë tu, nga bashkëshorti yt, atdhetari Ilaz Berisha, nga të gjithë ata që i deshe dhe të deshën shumë! Por, atje ku po të përcjellim, të pret përherë 17-vjeçar, Dëshmori i Kombit, Arianiti yt!

Pushofsh e qetë dhe e paç të lehtë dheun e Kosovës, lirisë së të cilës ia fale një pjesë të jetës tënde, djalin Arianitin, Dëshmorin e Kombit!

Lamtumirë për herë të fundit, motër e dashur Sadije Pllana-Berisha!

Qofsh përjetësisht pjesë e mallit tonë për çdo gjë që ke bërë në shërbim të jetës së njerëzve dhe lirisë së Kosovës!

Pishtinë, më 19. 10. 2023

Filed Under: Rajon

Në përkujtim të antikomunistes Shpresa Selfo Koka

October 20, 2023 by s p

Nga Mjafturie Daci

New York, tetor 2023

Aktivistja e komunitetit shqiptar në New York dhe ish e persekutuara politike Znj. Flora Selfo, së bashku me familjen e saj mbajtën një pritje përkujtimore për jetën e motrës së saj Shpresa Selfo Koka. Të pranishëm ishin Flora Selfo ish e internuar politike në Shqipëri, i biri Akil Bushati ish i internuar politik në Shqipëri me të shoqen Dolora Bushati PhD, e cila ka lindur e është rritur në internim dhe e ëma e Dolores, Suzana Matja ish e internuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri. Këtë përkujtim familjar ata e ndanë sëbashku me Konsullen e Shqipërisë Valentina Loku dhe përfaqësueset e organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” si një organizatë gruaje që përkrah e ngre lart edhe për rolin e femrës shqiptare që u persekutua nga diktatura komuniste në Shqipëri. I pranishëm ishte edhe bashkëshorti i Znj. Kimete Haxhaj, Z. Zenel Haxhaj. Ishin ftuar edhe njerëz të tjerë, por shkak i motit të keq, nuk mundën të vinin.

Shpresa Selfo Koka u lind në Gjirokastër, nga një familje e njohur patriotësh dhe intelektualësh shqiptarë që me dashamirësinë e tyre për kombin investuan në Shqipëri në shumë vepra si shkolla ura, godina banimi dhe si “mirënjohje” nga diktatroi Hoxha morën pushkatime, burgosje, internime, konfiskime pasurie e vuajtje pa fund. E ndjera Shpresa Selfo Koka ishte një femër patriote dhe antikomunste e njohur, e cila u rrit dhe krijoi familjen e saj në Fier, aty ku dhe i dëbuan nga Tirana për çështje biografie si familje sigurimi i shtetit, Dhe vetëm pas ardhjes së demokraisë në pushtet u bë e mundur që ajo me familjen e motrat Flora dhe Xhilda të mernin pronat e tyre, ku një prej tyre ishte edhe Vila në Tiranë, ku përgjatë viteve në komunizëm jetoi dhe e gëzoi udhëheqësja e lartë e Partisë Komuniste Eleni Pashko me djemtë Ing. Fatos Pashko, bashkëshorti i aktores Rajmonda Bulku dhe pedagogu i ekonomisë Gramoz Pashko. Për ironi të fatit në ambjentet e kësaj Vile në rrugën e “Elbasanit” Gramoz Pashko organizonte mbledhjet e partisë demokratike. 

Fisi i madh i Selfove e sidomos familja e Xhevdet Selfos, gjyshit të Florës, veç meritave patriotike është nga të parat që ka kontribuar edhe për ngritjen e zhvillimin e disa qendrave urbanistike të qyteteve të Jugut të Shqipërisë, duke filluar nga viti 1921. Xhevdet Selfo me djemtë e tij fillimisht u morën me investime në ndërtimin urbanistik, duke filluar nga Saranda, Gjirokastra e më pas edhe në Shqipërinë e mesme deri në Tiranë. Qeveria e Lushnjës është e para qeveri shqiptare që mori disa ndihma nga fuqitë europiane për stabilizimin e popullatës çame, e cila pas masakrave nga qeveria greke u detyrua të vinte në trevat e jugut. Firma ndërtuese e Xhevdet Selfos, e organizuar me inxhinjerë e punëtorë dhe me bazë materiale, mori përsipër e ndërtoi në qytetin e Sarandës mbi 40 – 50 ndërtesa njëkatëshe, ku u sistemuan një pjesë e popullsisë çame. 

Më vonë filloi të ndërtojë vila dy tre katëshe dhe disa të tilla ekzistojnë edhe sot. Xhevdet Selfo dhe 7 djemtë e tij investuan dhe në drejtime të tjera, si në tregëtinë e materialeve hidraulike, atë të stofrave etj., duke hapur dyqane të shumtë në Gjirokastër, Durrës, Tiranë dhe u lidhën edhe me firma të huaja. Pra në vitet ’30 ata investuan në disa drejtime duke punësuar qindra njerëz. Një drejtim ishte edhe ai i hapjes dhe zhvillimit të rrugëve, duke u lidhur edhe me firma të huaja italiane, ku në veçanti me këto punime u mor Fejzi Selfo. Gjimnazi i Gjirokastrës i ndërtuar me një stil modern është vepër e Selfatëve dhe ekziston edhe sot. Selfatëve ua morën e sekuestruan dyqanet me mallra të shumtë, shtëpitë e tyre, vila, ku u futën e strehoheshin njerëzit me pozitë, si Pashkot në Tiranë etj. 

Prindërit e Florës, Shpresës dhe Xhildës ishin Fejzi dhe Nevrez Selfo. Nevrezi ishte shtëpiake, kujdesej për rritjen dhe edukimin e tre vajzve. I ati kishte studjuar jashtë, por kthehet e punon në atdhe, u mor me tregëti dhe ndërtimin e veprave industriale në Shqipëri, njihet si një personalitet human dhe bamirës për njerëzit e varfër. Shpresa Selfo Koka la pas djalin Artin dhe vajzën Rebekën, motrat Flora, Xhilda e plot nipër e mbesa, të cilët kudo ku jetojnë e punojnë janë shembull frymëzimi për brezat e rinj.

Duke mos shkëputur vemendjen, vlen për tu theksuar se disa nga anëtaret e kësaj organizate për angazhimin e tyre në mbrojtje të të drejtave të grave dhe fëmijëve janë vlerësuar nga personalitete të lartë të poltikës amerikane në Amerikë, mes tyre edhe zonjat Flora Selfo, Suzana Matja, Rita Saliu, Dolora Bushati, Mjafturie Daci, Kimete Haxhaj, Sonila Daci e të tjera. Rasti i fundit ishte kur Senatorja demokrate Nathalia Fernandez, me kërkesë të kësaj organizate i ndau këtyre zonjave “Çertifikatën e Arritjeve”. Sigurisht këto vlerësime kanë ardhur falë kontributit  dhe përpjekjeve disa vjeçare të kësaj organizate për paqen dhe të drejtat humane në New York e më gjerë. 

Biseda në këtë takim kaloi e ngrohtë dhe miqësore, u fol për vuajtjet e së shkuarës së hidhur në vitet e rrregjimit komunist në Shqipëri, angazhimet e këtyre zonjave në protestat demokratike për rrëzimn e bustit të diktatorit Hoxha, si dhe për kontributin e tyre vullnetar për të drejtat e grave dhe fëmijëve në SHBA. U fol gjithashtu për gratë e vajzat trimëresha në Kosovë që u përballën me masakrat e përdhunimet e serbe gjatë luftës në Kosovë, që për ato e për ne të gjithë janë plagë të pambyllura akoma. Pa anashkaluar nuk mbeti edhe situata në Mitrovicën e veriut, ku provokimet serbe nuk kanë të ndalur, të cilët të furnizuar me armatime të rënda nga Rusia presin rastin për të sulmuar Kosovën e për të shpallur përsëri trazira lufte për krejt Ballkanin. Me interes nga ato ishte edhe pranimi i Shqipërisë për herë të dytë në Këshillin për të Drejat e Njeirut në OKB, sukses i rëndësishëm ky edhe për ne shqiptarët dhe shoqërinë civile shqiptare. Pritja u mbajt më datë 14 tetor 2023, në restorantin “Mon Cheri” në Queens me pronarë bashkëshortët Valeriana dhe Paulin Pergjoni, ku u servirën pije të freskëta, kafe dhe ëmbëlsira tradicionale shqiptare. 

Filed Under: Komunitet

SHKOLLA SHQIPE “ARBËRIA”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË LUKSEMBURG

October 20, 2023 by s p

Benarda Agolli Thanasi mësuese në shkollën shqipe “Arbëria” në Luksemburg, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Luksemburg, nëpërmjet mësimit të gjuhës, kulturës shqipe dhe historisë kombëtare. Me mësuesen Benarda Agolli Thanasi bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ARBËRIA” NË LUKSEMBURG

Diku në vitin 2016 është hapur shkolla EAGLE nga shoqata Iliri asbl. Shkolla funksionoi deri në vitin 2017 dhe pastaj në mungesë të fondeve, nxënësve, dhe pjestarëve shoqata Iliri asbl i dorëzoi organizimin  prindërve të fëmijeve të mbetur në shkollë në atë kohë. Pas këtij momenti vetë prindërit themeluan shoqatën “Arbëria” dhe e emëruan Shkolla “Arbëria”, me betimin që shkolla të mbahet dhe të vazhdojë me mësimin plotësues. Shkolla Arbëria që nga fillimi i saj deri më sot ka ofruar dhe ofron mësimin dhe librat falas. Shkolla është themeluar në fillimet e saj nga z.Faton Agolli, z.Patriot Behrami dhe z.Izet Shkupolli. Sot shoqata përbëhet nga z.Faton Agolli, z.Izet Shkupolli, znj.Rudina Zhara Gruda. Shoqata“Arbëria” dhe Shkolla “Arbëria”, nuk është financuar  nga shteti apo ndonjë organizatë tjetër. Ne si shkollë kemi nga shteti Luksemburgez dhe Ministria e Arsimit vetëm klasat e ofruara pa pagesë. Dhe nga dy ambasadat respektivisht asaj të Shqiperisë dhe Kosovës, pajisjen me libra dhe fletore pune. Po ashtu nga të dyja ambasadat kemi disa rroba, veshje kombëtare. Në këtë vit shkollor janë rregjistruar 30 fëmijë të  moshave  4-14 vjeç. Mësimin e zhvillojmë ditën e shtunë 2 orë të ndara në dy klasa bashkë me kolegen time Besjana Gerco.

KURRIKULA E MËSIMIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE DHE TË KULTURËS SHQIPTARE NË DIASPORË

Ne si shkollë përdorim kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporė. Kurrikula shtjellohet përmes pesë tematikave, të cilat konceptohen në mënyrë të integruare komplementare njëra me tjetrën:

ldentiteti im,

Shqiptarët në hapësirë dhe në kohë,

Kultura dhe shoqëria,

Një botë për të gjithë,

Mësimi, puna, loja e koha e lirë

Qëllimet e kësaj kurrikule janë: zhvillimi dhe ruajtja e identitetit kombětar pëmes mësimit të gjuhës, kulturës së prejardhjes, si dhe njohja me trashëgiminë dhe thesarin kulturor, natyror dhe historik kombëtar: Bashkëpunimi me prindërit e kominitetit ka qënë dhe ngelet për tu vlerësuar.Vitin e kaluar kur festuam festën e 28 -29 Nëntorit prindërit kanë qëne një mbështetje shumë e madhe. Grupe prindërish bashkë me fëmijët e tyre  prezantuan para komunitetit traditat, kulturën , kulinarinë e krahinës apo qytetit nga ata vijnë.Gjithashtu dhe këtë vit jemi duke punur përsëri sëbashku për të fëstuar pavarsinë edhe më bukur se një vit më parë. Thirrja ime është që të gjithë sëbashku, ne si staf mësimor dhe prindërit pavaresisht vështirësive të ndryshme, kohës së limituar, ne duhet të vazhdojmë pa u dekurajuar të kultivojmë, identitetin, kulturën, traditat tona.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË LUKSEMBURG

“Pra Mallkue njai  bir Shqyptari,

Qi këtë gjuhë të Perëndis,

Trashigim, që na la i Pari,

Trashigim s’ia lën ai fmis,

 Edhe atij iu thaftë, po,goja,

Që e përbuzë këtë gjuhë hyjnore

Qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,

 flet e t’vetën e len mbas dore..!!                          (Gjergj Fishta)

I mbaj mend shumë mirë këto vargje kur i kam mësuar ne fëmijrinë time. Janë vargje  që shkrimtari i madh Gjergj Fishta ka mundur ta shprehë shqetësimin për gjuhën tonë. Këto vargje vlejnë dhe sot më shumë se kurrë. Mësimi i një gjuhe është thelbësor dhe i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar. Gjuha shërben si një pasqyrë e kulturës, historisë dhe traditave, duke përmbledhur në një, thelbin unik të kombit tonë. Kur ne i mësojmë gjuhën e vendlindjes së tyre , ata lidhen me rrënjët dhe nxisin ndjenjën e përkatësisë dhe krenarinë trashëgimisë së tyre. Kjo ruajtje gjuhësore siguron që  pasuria e një kombi dhe identiteti i tij të mbetet i paprekur, duke promovuar kulturën, diversitetin, komunikimin dhe të kuptuarit të vlerave të përbashkëta, te cilat lidhin popullin tonë së bashku ndër breza.

LUKSEMBURGU ËSHTË NJË SHEMBULL I PRANIMIT DHE BASHKËPUNIMIT MIDIS KULTURAVE TË HUAJA

Për ata që nuk e njohin, Luksemburgu është një shembull i pranimit  dhe bashkpunimit midis kulturave të huaja. Ndoshta përshkak të vendodhjes gjeografike e cila e mundëson të jetë në zemër të Europës, Luksemburgu është i rrethuar me kultura të ndryshme në cdo cep të tij. Përdorimi i shumë gjuhëve në Luxemburg, me Luxemburgishten, Frengjishten,Gjermanishten, Anglishten dhe prezenca e 170 kombësive reflekton se sa e hapur është shoqeria kundrejt gjuheve të huaja dhe këtë e kemi ndjerë e jetuar vetë ne, jo vetëm nga komuniteti por edhe nga instucionet qeveritare. Kemi të paguar nga shteti Luksemburges dhe ministria e Arsimit të dyja klasat per të zhvilluar mësimin falas çdo të shtunë.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DISA GJUHËSI

Ne jemi të pajisur me dy salla ku zhvillojmë mësimin e gjuhës Shqipe. Sallat janë pjesë e një prej shkollave ndër më të mirat në Luksemburg. Janë të pajisura me teknologji bashkëkohore të cilat na ndihmojnë  të ndërthurim njohuritë teorike me video, filma, këngë për ta bërë mësimin sa më interaktiv dhe të kuptueshëm për fëmijët. Por nuk mund të heshtim ndaj vështirësive që fëmijët hasin gjatë zhvillimit të mësimit të Gjuhes Shqipe. Luksemburgu ështe një shtet i vogël, shumë i bukur por ka tre gjuhë zyrtare Luksemburgisht, Frëngjisht dhe Gjermanisht, në shkolla fëmijet mësojnë dhe Anglisht. Një fëmijë i ndodhur përballe gjithë këtyre gjuhëvë ne shkollë e ka shumë të vështirë të përvëtësojë gjuhen e nënës pavarësisht këmbnguljes së prrindërvë në shtëpi apo orëve të mësimit që zhvillohen në shkollë çdo të shtunë. Këto përpjekje nga prindërit dhe nga ana e stafit të shkollës tonë nuk mjaftojnë dhe kjo shpeshherë na trishton.

KUSH ËSHTË MËSUESE BENARDA AGOLLI THANASI Kam lindur dhe jam rritur në një fshat shumë të bukur në Cangonj të rrethit Devoll. Familja ime ështe nje familje e thjeshte, me dy prindër të mrekullueshëm, nje moter dhe nje vëlla. Një familje që ka rruajtur traditat, kulturën e atij vendi. Studimet e larta i kam kryer në Tiranë, në vitet 1998-2002 në Universitetin e Shkencave, ku jam diplomuar për mesuesi dega Fizikë. Për tre vjet kam punuar si mesuese e gjuhës shqipe për misionare te huaj që vinin në Shqipëri në ato kohë. Nga  viti 2005 deri në vitin 2018 kam punuar në Gjimnazin “Myslym Keta”. Jam shumë krenare për ato vite që kam punuar aty sepse kam njohur kolegë dhe fëmijë të mrekullueshëm, të cilët sot vazhdojnë kontribojnë për shoqërinë, vendin tonë apo në dhé të huaj. Në nëntor të vitit 2018 u zhvendosëm me familjen time, bashkëshortin Dhimitrin, vajzën Abigelën dhe djalin Aleksin në Luksemburg. Për dy vjet me duhej të integrohesha me gjuhët, kulturën e vendit. Ishtë shumë vështirë në fillim, më mungonte çdo gjë dhe ajri i Shqipërisë por shumë shpejt në Janar të vitit 2021 fillova të punoj si mësuesë në Shkollën Shqipe Arbëria këtu në Luksemburg. E falenderoj shumë Perëndinë sepse e quaj veten shumë të bëkuar më fëmijët, prindërit dhe çdo gjë tjetër që më ofron ky profesion.

Filed Under: Featured Tagged With: Benarda Agolli Thanasi, Sokol Paja

NJË FTESË PËR PROTESTË…TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE KANADASË BASHKË KUNDËR REGJIMIT KRIMINAL SERB

October 20, 2023 by s p

NJË FTESË PËR PROTESTË…TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE KANADASË BASHKË KUNDËR REGJIMIT KRIMINAL SERB.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT