• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

BETEJA E DYTË E KOSOVËS NUK ISHTE TJETËR POS NJË DISFATË E PRITUR E HUNIJADIT

October 19, 2023 by s p

Jusuf BUXHOVI/

Edhe pse beteja e Kosovës e vitit 1389 për shumëçka mbetet e pasqaruar dhe pjesë e një miti historik të shekullit XIX , që u riaktivizua për qëllime politik të hegjemonizmit serb për t’ia krijuar platformën e paqenë historike shtetit serb të pranuar në kongresin e Berlin, megjithatë, ajo e vitit 1448 që ngjau midis forcave katolike të drejtuar nga Hunijadi dhe atyre osmane nga Mehemti II, nuk mund të thuhet se ishte historike e as vendimtare për fatin e Europës në luftë kundër Osmanëve. Përkundrazi, po qe se shikohen raportet e forcave që prodhoi fushata ushtarake e Mehmetit të II në planin ushtarak në pjesën evropiane kur pas betejesë së Varnës (1444), me përjashtim të rezistencës së Skënderbeut në Shqipëri, i ishin hapur dyert për depërtime të reja në gjithë Ilirikun për të shkuar tutje kah veriu, përpjekjet e Huniadit për të organizuar ndonjë kryqëzatë të re të krishterë mbeteshin vetëm një orvatje strategjike e vendeve katolike të Europës që me anën e “betejave” të shkëputura të fitonin paksa kohë drejt gjetjes së një kundërpërgjigje (diplomatike ose politike) që mund t’u jipej osmanëve pasi që të kenë marrë bastionin e fundit të krishterimit, Konstandinopojën e rrethuar që pas pesë vitesh do të bjerë përfundimisht në duart e osmanëve. Në këtë prizëm duhet parë edhe luftën që bënte Skënderbeu në Shqipëri, pasçka se ajo, në planin ushtarak fitoi një dimension tejtër dhe, mbase do të mund të kthehej në një front të ri antiosman, po qe se për këtë do të ishin të interesuara vendet katolike të Europës, të cilat, siç do të shihet, në përputhje me interesat e tyre të ngushta (të Vendedikut në radhë të parë), në vend të luftës së përbashkët, duke shfrytëzuar kryengritjet e shkapërderdhura të feudalëve të Ilirkut, lidhnin aleanca të fshehura me osmanët. Kjo sjellje kishte të bënte me përcaktimin e njohur në njërën anë të vasaliteteve të feudalëve të krishterë me osmanët dhe interesat e tyre që t’i ruanin pronat e tyre ose edhe t’i shtonin dhe, në tjetrën anë, të kishës ortodokse që osmanët t’i shikonte si aleatë në luftë kundër katolicizmit, strategji kjo që do të dalë në pah pas rënies së Kostandinopojës kur Kisha Ortodokse do të lidhë utoqefalinë e saj me Perandorinë Osmane, ku jo vetëm ruajti pozicionet e saj, por, si dihet, fitoi edhe privilegje në qeverisjen vendore nga Porta e Lartë duke marrë përsipër edhe mbrojtjen shpirtërore dhe kulturore të popullatës së krishterë (rajës). Në këto rrethana, veprimet e Huniadit për një aleancë të re kudnër osmanëve, duke llogaritur edhe faktorin Skënderbe dhe luftën e tij të suksesshme,ishin të dështuara, edhe pse një kohë të gjatë do të kremtohen si ngjarje historike që po “të mos ishte tradhtia e Brankoviqëve” edhe do të mund të arrihej!

Natyrisht se këto kundrime janë më shumë pjesë e opinioneve politike se sa fakte shkencore, ngaqë osmanët tashmë ia kishin dalë që të krishterët ortodoks të Ilirikut, me përjashtim të atyre që ishin të lidhur me luftën e Skënderbeut, t’i fusin në kuadër të sistemit të tyre perandorak, ndërsa me vendet e caktuara katolike (sidomos Venedikun) të lidhnin aleanca të caktuara, që kishin edhe bekimin e Papatit, për vetë faktin se vendet katolike ushtarakisht asokohe nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë osmanëve. Natyrisht, se historiografia shqpitare, të ashtuquajturën betejë e dytë e Kosovës, duhet ta rivlerësojë në përputhje me rrethanat e kohës, pra si përpjekje dëshpruese të Huniadit të joshur nga vendet katolike për interesat që u cekën më lartë dhe assesi prej saj të krijojë një mit të ri që do të rivalizonte me atë serb për betejën e vitit 1389. Sepse, e gjitha nuk ka qenë tjetër pos një veprim “pastrues” i forcave osmane kundër forcave të shkapërderdhura katolike në ikje e sipër nga humbjet, që pësuan sapo kaluan Danubin në drejtim të Moravës, e ku roli i despotit Gjurad (Gjorgj dhe Georgius) në shumë dokumente hungareze dhe ato katolike të kohës siç ishte edhe nga mbreti hungarez Sigismund quhej “Georgius Wlk Rascie Albanique dominus”, pra pa kurrëfarë predikati të “despotit serb” apo ngjashëm siç falsifikon historiografia serbe, ishte në përputhje me interesat e tij të lidhura me osmanët për të ruajtur pronat në “Vilajetin Vlk”, e ku përfshihej edhe një pjesë e mirë e Kosovës së sotme.

Filed Under: Histori

MËDYSHJA SI NË JETË DHE NË KRIJIMTARI NUK NA SHQITET

October 19, 2023 by s p

Mevlan Shanaj/

Njeriut në jetë i mungon siguria! Për çdo vendim që marrim kemi diskutimin nonstop se a kemi bërë zgjedhjen e duhur! Dilema apo mëdyshja dhe intuita , janë bashkëshoqëruese në jetë. Ke mëdyshje për çdo gjë.Vete në dyqan për çfarë dolloji nevoje dhe ke mëdyshje se cilën të zgjedhësh! Në restorant e kalon disa herë menynë ! Këto janë më të rëndomtat! Po dualizmi më i madh të ndodh për njeriun që do krijosh familjen. Thuhet që dashuritë në shumë raste lindin në 7 sekondat e para! Mua nuk më ka ndodhur për 7 sekonda por njohje graduale deri sa intuita më tha: Ky është njeriu i jetës tënde! Unë kam si bindje se intuita është shqisa më e fuqishme e njeriut! Dhe zgjedhjet më të mira në jetë i bëjmë me intuitë dhe jo me ment!Çdo veprim e marrim e rimarrim në mendje për të qenë të bindur se kemi marrë vendimin e duhur! Edhe kur marrim një vendim të cilin e pëlqejmë është e pamundur të mos e ri gjykojmë ! Asnjë hap në jetë nuk bëhet pa mëdyshjen! Gjyqi i pandalshëm me veten është gjyqi më jetë gjatë. Unë disa herë i them dualizmës : Mjaft se më lodhe dhe ja vë kufirin te thana! Mirëpo kjo një fjalë që vjen në ment se unë as që di kuptimin e kësaj shprehje! Të ketë qenë ndonjë ndarje toke që thana përcaktonte ndarjen , apo ku i dihet! Thana nuk ta sqaron kuptimin! Intuita më thotë , të mos merrem me thanat, po me zyrën e pasurisë! Aty vendosen kufijtë e rinj sipas tarafeve!Deri sa nuk ka recetë, në krijimtari, padyshim do ketë pasiguri!Pikërisht dyshimi është vuajtja që të jep rezistencën për më të mirën!

Filed Under: Fejton

ALEKSANDËR XHUVANI MBI ROLIN E PEDAGOGJISË DHE TË EDUKATËS

October 19, 2023 by s p

Ledio Xhoxhi

Punonjës shkencor në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë/

Nga studimi i veprave si edhe i shumë shkrimeve e artikujve të Aleksandër Xhuvanit për çështjet e arsimit, të shkollës e të edukatës, del se ai kishte një mendim pedagogjik të gjerë, origjinal e përparimtar. Atij i takon merita kryesore në krijimin e pasurimin sistematik të shkencave të pedagogjisë e psikologjisë shqiptare.

Aleksandër Xhuvani përpunoi një sistem të tërë pikëpamjesh për pedagogjinë dhe edukatën, për vendin dhe rolin e tyre. Në mendimin pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit gjejmë një përcaktim të saktë, të përparuar e të plotë mbi pedagogjinë, objektin dhe rëndësinë e saj. Aleksandër Xhuvani e vlerëson pedagogjinë si një shkencë shoqërore që luan rol në formimin dhe zhvillimin e personalitetit të njeriut dhe i shërben përgatitjes dhe formimit të mësuesit. Ai e vlerëson pedagogjinë si shkencë teorike dhe zbatuese. Xhuvani vlerëson lidhjen e pedagogjisë me filologjinë, sociologjinë dhe antropologjinë të cilat i quan shkenca ndihmëse për pedagogjinë.

Në fushën e pedagogjisë Xhuvani u ndikua, në radhë të parë, nga koncepsionet pedagogjike të Rilindjes, prandaj mund të konsiderohet me të drejtë se ishte vazhdues i denjë i pikëpamjeve të tyre përparimtare; i zotimit dhe i luftës për një shkollë të re, që do të shtrihej edhe në viset më të largëta e që do të ishte e hapur për të gjithë fëmijët; për një shkollë ku do të mësoheshin te gjitha dijet e vërteta shkencore dhe ku fëmijët do të zhvilloheshin drejt në pikëpamje morale, fizike e psikike. Ky fakt është çelës për njohjen e karakteristikave dhe të rëndësisë së pedagogjisë së Xhuvanit dhe të interesimit të tij të pareshtur për veprimtarinë edukative-arsimore dhe përparimin e shkollave shqiptare.

Karakteristikë për mendimin pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit është evoluimi i tij nga njëra etapë në tjetrën, në përputhje me kushtet historiko-shoqërore dhe shndërrimet ekonomike, kulturore, politike dhe ideologjike të vendit. Arsimin dhe edukatën, në kuptimin e gjerë shoqëror e pedagogjik, Aleksandër Xhuvani i vlerëson si faktorë të rëndësishëm për çlirim kombëtar e drejtësi shoqërore, për formimin e ndërgjegjes kombëtare, për rritjen e personalitetit të njeriut e përmirësimin e gjendjes ekonomike të popullit. Xhuvani luftoi me të gjitha forcat për një shkollë kombëtare, laike e demokratike. Ai mendonte se të gjithë fëmijëve të kombit duhet t’u jepet një edukatë kombëtare e njëllojtë, pavarësisht nga besimi e gjendja shoqërore. Xhuvani shtroi si të domosdoshme kërkesën për një arsim fillor të detyruar e të drejtuar nga shteti, duke e konsideruar si bazën e qytetërimit të një populli, si edhe arsimimin e gruas shqiptare, që përbën themelin e përparimit si shtet e si komb.

Edukatën e konsideron si kusht themelor për ekzistencën e shoqërisë njerëzore. E çmon edukatën sepse nëpërmjet saj njeriu fiton përvojën njerëzore pa të cilën ai nuk mund të zhvillohet si qenie njerëzore. Termin edukatë Xhuvani e jep ne kuptimin e gjerë si rritjen, formimin, zhvillimin e njeriut dhe në kuptimin e ngushtë si sjellje e mirë e njeriut. Xhuvani e vë theksin në mënyrë të veçantë në karakterin kombëtar të edukatës. Ai e lidh atë me jetën e kombit, me gjuhën e tij, me kulturën, traditat, zakonet. Synimi i edukatës kombëtare sipas Xhuvanit është të ngjallë te nxënësi dashuri për vendin e vet e për çdo gjë që gjendet e jeton brenda në të. Aleksandër Xhuvani është kundër tezës që e konsideron edukatën si të pafuqishme në përmirësimin e natyrës së njeriut. Aleksandër Xhuvani është shprehur dhe ka mbajtur qëndrime lidhur me trashëgiminë, mjedisin dhe familjen si faktorë që ndikojnë mbi edukatën e njeriut. Trashëgiminë e konsideron si një faktor me rëndësi, por jo përcaktues. Aleksandër Xhuvanin e interesoi edhe roli edukativ i familjes. Në mendimin pedagogjik të tij gjejmë ide lidhur me rëndësinë e edukatës familjare, me rolin e nënës për edukimin e fëmijëve, ide për bashkëpunimin e familjes me shkollën. Xhuvani e quan familjen ngrehinën e parë edukatore. Në familje fillon rritja dhe edukimi i njeriut, merr njohuritë e para, zakonet e para, fillojnë të hidhen themelet e karakterit. Në përmbajtje të edukatës familjare Xhuvani përfshinte detyra të ndryshme, që nga më të thjeshtat; fillestare, si: kujdesi për shëndetin e fëmijës, higjienën, kulturën e të ngrënit, veshja, e deri në detyrat për formimin e cilësive pozitive të karakterit për edukimin me ndjenja të tilla si: të atdhedashurisë, të përgjegjësisë etj. Rezultatet e edukatës familjare Xhuvani i lidhte me kulturën e nënës, me arsimin e saj. Ndër parimet e edukatës familjare Xhuvani vlerësonte në mënyrë të veçantë atmosferën në familje, harmoninë, mirëkuptimin, por edhe organizimin e drejtë të jetës në familje. Këto i konsideronte si kushte për një edukatë të mbarë të familjeve.

Aleksandër Xhuvani thoshte se edukata duhet të jetë kombëtare e patriotike, e natyrshme, individuale e sipas kohës. Merita e Xhuvanit qëndron jo vetëm në trajtimin origjinal të këtyre parimeve, por edhe në faktin se si parim bazë të edukatës ai vë karakterin kombëtar të saj dhe e shtron atë në plan të gjerë shoqëror e pedagogjik. Mësimin në gjuhën amtare ai e shihte si element kryesor të edukatës, si shenjë të gjallë të çdo kombi, pasqyrë të qytetërimit të një populli, për të siguruar të ardhmen e vetë popullit. Ai luftoi që vendin e parë në përmbajtjen e shkollës t’a zinin lëndët me karakter kombëtar, si gjuha shqipe, leximi, historia dhe gjeografia e Shqipërisë, por edhe lëndët e tjera të përshkoheshin nga fryma kombëtare, që sistemi arsimor të ndërtohej mbi bazën e psikologjisë e të individualitetit të popullit.

Në mendimin pedagogjik të Aleksandër Xhuvanit, edukatën fizike e quante si faktor të rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e shëndetit. Dy anë të edukatës fizike merrte: higjenën dhe gjimnastikën. Në mendimin pedagogjik të Xhuvanit gjejmë ide me vlerë për rolin e madh edukativ të punës në jetën e njeriut. Ai e shikonte atë si një nevojë të domosdoshme, në të cilën njeriu gjen jetën, shëndetin dhe lumturinë e tij. Ai mendonte se puna është një shkollë për të formuar karakterin, ajo shtjellon dhe shton kujtesën, gjykimin, taktin dhe vetëmohimin. Xhuvani vlerëson në radhë të parë, anën formuese edukative të punës. Ishte ndër pedagogët e parë nismëtarë që luftoi me të gjitha forcat që në mbarëvajtjen e shkollës fillore të futej edhe mësimi i punës së dorës, që çdo shkollë të kishte pranë edhe kopshtin e saj.

Si përfundim mund të them se idetë e Aleksandër Xhuvanit për pedagogjinë, edukatën dhe qëllimin e saj dallohen për kahun përparimtar, për karakterin shkencor dhe për konkretësinë. Në to shprehet shkalla e formimit të Xhuvanit si pedagog por edhe ndikimi i kohës dhe ideve pedagogjike tek disa pedagogë më të njohur.

Filed Under: Kulture

Sot 20-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II, “Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë, se Zoti na do, e se ne, duhet ta duam njëri-tjetrin”

October 19, 2023 by s p

Sot shënohet 20-vjetori i lumturimit të Nënë Terezës, simboli i përkushtimit ndaj të varfërve dhe të dashurisë për Zotin. Çdo 19 tetor, veçanërisht Shqipëria dhe India, kujtojnë përvjetorin e lumturimit të Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut, në Vatikan, e cila nuk është vetëm festë liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj.

Me 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e altarit.

Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i FORMULES SE LUMTURIMIT nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:

“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

Sot pra, me 19 tetor, nuk është festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall Festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga Qielli, ndërsa vijon të na kujtojë se:

“Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë, se Zoti na do, e se ne, duhet ta duam njëri-tjetrin, ashti Ai na do ne. Po ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke iu lutur së bashku Zotit. Familja që lutet së bashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni e respektoni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë e paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Jini të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”.

E duke shfletuar kujtesën tonë historike i dëgjojmë përsëri zërat e shqiptarëve të cilët, nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, shprehen emocionin e thellë të atij çasti kur, si rrallëherë, mbarë bota përsëriste me nderim të thellë emrin e kombit shqiptar, që kishte nxjerrë nga gjiri i vet atë që Papa Shën Gjon Pali II e përshkoi gjatë kremtimit të lumturimit të 19 tetorit të vitit 2003 si figurë simbolike të misionit të Kishës, duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte.

Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes- pati thënë Papa Shën Gjon Pali II.

Në përfundim të këtij përkujtimi, ti bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj në Vatikan me 19 tetor 2003:

“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”.

Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!”.

Kështu është shprehur Papa Gjon Pali II që e lartoi në nderimet e altarit Nënë Terezën më 19 tetor 2003, e ne sot e shikojmë të Lumen Nënë Terezë me emocion të thellë e cila nga altari nga na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni… lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ato do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin.

Le të vazhdojmë ta ndjekim shembullin e saj e të jemi mjete të dashurisë hyjnore.

Ja çka shkruhet në motivacionin e lumturimit të Ganxha Bojaxhit, Nënë Terezës:

“Murgesha imcake shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës – Gonxha Bojaxhiu (1910 – 1997) në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjigjur thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e gjerë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të mjerë, më të harruar”. Veç asaj që u tha më sipër, shtohet edhe se gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në altar në një kohë tepër të shkurtër.

Kjo ditë, me të drejtë, u shpall edhe festa e të gjithë shqiptarëve, por në të gjitha vendet kujtohet si një prej personazheve më të famshme në botë, si murgesha që ndihmoi të varfrit në Indi.

Nënë Tereza ka lindur në Shkup me 26 gusht 1910 në një familje kosovare dhe kur ishte 18 vjeçe u bë kandidate e Motrave të Loretos, të cilët kryenin misione humanitare në Indi. Në vitin 1931, Nënë Tereza shkoi në Kalkuta, ku atje punoi dhe mësoi për 17 vitet e ardhshme. Nënë Tereza u largua nga manastiri dhe filloi të ndihmonte të varfrit nëpër rrugët e Kalkutës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm gjuhën shqipe, pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare, përcjell shekulli.

Shkrimet e saj në gjuhën shqipe, janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip të popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel më 1979 dhe lutja në Shqip transmetuar nga “Zëri i Amerikës” më 17 qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezen se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Pas shumë vite kërkesash insistuese personale dhe zyrtare, në gusht të viti 1989 Agnesa Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, do të realizonte deshirën e madhe, sikurse është shprehur para largimit: “Vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim”. Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shume krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave te lirisë”.

Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Vetëm sipas të dhënave të vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtepi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetime. Nënë Tereza vdiq më 12 shtator të vitit 1997 dhe prehet në selinë e urdhrit të misionarëve të bamirësisë në Kalkuta të Indisë.

Filed Under: Opinion

NJË BOTIM ME VLERA TË SHUMTA PËR NËNËN TEREZE PROMOVOHET NË SHKUP

October 19, 2023 by s p

Shkup, 19 tetor 2023 – Sot në ITSHKSH u promovua libri “Nëna Tereze, dashuria në veprim” i autorit Don Lush Gjergji, ngjarje kjo që përkon me 20 vjetorin e lumturimit të Nënës Terezë.

I pranishëm në promovim ishte autori, kryeredaktori i revistës “Drita”, Dom Fatmir Koliqi si dhe një numër i konsiderueshëm i dashamirëve të librit dhe punosnjsve shkencorë të ITSHKSH.

Drejtori i Institutit, Prof.dr.Skender Asani, pasi foli për rëndësinë e këtij botimi që vjen në një kohë, siç tha ai, kur në botë po ndodhin konflikte dhe tragjedi njerëzore, u ndërlidh pastaj me vet përmbajtje e librit. Sipas tij duke shtruar pyetje, Don Lush Gjergji e sporovon veten në ballafaqimin më qenësor me të thënat dhe të pathënat e korpusit të madh tematik e përmbajtësor të jetës dhe veprës së Nënës Tereze. Përshkrimin më autentik që i atribuohet formimit të Gonxhe Bojaxhiut në vitet e saja fimijënore dhe rinore, autori na e pikturon përms një skalitje brilante fjalësh që i përshaten karakterit të personazhit të tij: “Gonxhja e kishte “kryer shkollën e “mirësisë” në rrethin familjar dhe famullitar, sepse kishte lindur dhe ishte rritur në një familje ku jetohej dhe ushqehej dashuria, bamirësia, bujaria dhe kujdesi për të afërmin”, nëvizoi Asani.

Për disa aspekte përmbajtësore e tematike të librit foli edhe Don Fatmir Koliqi, në emër të shtëpisë botuese “Drita”, sipas të cilit këtij libri i shtohet vlera, jo vetëm sepse është në tri gjuhë por edhe sepse është një doracak, të cilët më vështirë shkruhen, sidomos nga ata që e njohin thellësisht një personalitte.

“Ky është një doracak për shenjtëreshën tonë Nënë Tereza, për ta njohur edhe si vajzë, si një personalitet i cili ka dalë nga familjet tona dhe se familjet tona nuk janë të vogla as nuk janë të parëndësishme, por nga këto familje mund të dalin jo vetëm intelektualë, por edhe shenjtër të dimensioneve botërore”, u shpreh Koliqi.

Një përmbyllje kuptimplote e këtij promovimi u bë me fjalën e autorit libri Don Lush Gjergji, i cili pasi foli për gjenezën e ndërtimit të materies së këtij libri që kishte filluar me një botim në gjuhën italiane nga shtëpia botuese “Velar”, si produkt i disa ligjëratave radiofnike që i kishte mbajtur autori për një radio italiane, u ndal në botimin që u promovua në ITSHKSH. Sipas tij e veçanta e këtij botimi është gjuha maqedonase, një mundësi kjo komunkimi i këtij libri me lexuesit maqedonas. Në këtë mënyrë, tha ai, ofrohet një horizont më i gjerë i këndvështrimit me një publik i cili në të kaluarën ka mundur të jetë edhe i lajthitur për sa i përket origjinës etnike të Nënës Tereze.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT