• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

MOSMIRËNJOHJA…

October 14, 2023 by s p

Alfons Grishaj/

Për mosmirënjohësit: Bamirësia dhe ndera janë bahçja e virtytit që vijnë natyrshëm nga burimi i shpirtit dhe jo nga teprica e magazinave që kërkojnë hapësirë. Virtyti e gjen veten kudo, duke i shërbyer qëllimit të jetës. Ndërsa mosmirënjohja, egoja negative kërkon shpërndarjen e bacteries clostridium titani për të vrarë virtytin me forcën dërmëdhënëse të predeatorit që quhet: egomanjakizëm.

Poqese çdokush e kupton kufirin me dukete se e kam shkrojtur dhe më pare e vet në tranzicionin e jetës (më duket se e kam shkrojtur dhe më parë), parajsa do mbretëronte mbi dhe. Por, ja që, mosmirënjohësit , mendojnë se maratona e tyre është një sfidë në infinit për të dalë i pari, pa e kuptuar se nuk ka të parë dhe të fundit, por vetëm tranzicion.

Maratona e jetës starton me shkëputje për në destinacion. Në këtë shkëputje dallohen frutëdhënësit nga ato shterpë. Shterpaçët janë gjithnjë smirëzinj…dhe çfarë do të bësh për ta, nuk ua mbush dot humnerën që kanë në shpirt, ngaqë i mungon ndërgjegje për të shtruar qilimin e kuq nderimit mirënjohjes. Tek “Njeriu që Qesh” e Viktor Hygo, mbretëron një kuotë e famshme: “Mosmirnjohësi e urren diellin që e ngroh dhe e ndriçon.” D.m.th., Jetën !

Sa herë kemi dëgjuar dhe folur për mosmirënjohjen. Me mijra herë. Quota e mësipërme e Hygo është definicioni më ideal për mosmirënohësit që dekripton qenësinë e nihilizmit në errësirën e skutave të ndërgjegjes së degraduar. Ka dy lloje bamirësish, morale dhe materiale. Që të dyja , njëra më e rëndësishme se tjetra. Nëse e para njihet si kulm për një jetë pakokëçarje, për mua, moralja mbetet çelsi!

Materialja, është një krah i përkohshëm, mbase mund të ndihmojë për të dalë dhe në det të çmendur, por moralja të ngre në harmoni qiellore. Nëse humb moralen, ke humbur gjithçka. Po humbe pasurinë, ke humbur gravurën e varrit të bukur, por jo varrin legjitim poqese nuk zgjedh krematorium.

Po ! Ka dhe mosmirnjohës dhe varrmihës të vetvetes, të cilët prodhojnë kontrast të panevojshëm në dritë-hijet e portretit vet. E them këtë, se po t’a respektosh mirenjohjen… bëhesh më i arsyeshëm, më racional, më brum i përdheshëm, më shpirtmadh, më besnik, më njerëzor, më largpamës, më mendjehapur, më i kujdesshëm, më vëllazëror. Dhe jo skutaxhi…, i pabesë, manipulator, gënjeshtarë, egomanjak dhe Asmodeus !

Ndodh që mosmirënjohësin e kemi në krah të djathtë, në rreshtin tjetër, përballë , në sallë, mbase mik në shtëpinë dhe bukën tënde… Mosmirënjohësi që shpërdoron “çelsin” e bujarisë, hapjen e portës tënde është më i poshtri dhe me i pabesi në sojin e vet. Sado që justifikimi i mosmirënjohësit përpiqet të qëndisë integritet me aureolë të rreme e bën rastin flagrant mosbindës dhe qesharak.

Mosmirnjohja mbetet reflektimi i karakterit, damka e lakuriqësisë qënies dhe nënqenies njeriut-majmun.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

LUFTA E FTOHTË PO BËHET MË E NXEHTË

October 14, 2023 by s p

Artan Nati/

Ndërsa lufta e Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon të intensifikohet në lindje, si edhe tensionet e vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës dhe ofensivës së Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh, duket se Evropa përballet me një sfidë të re, me përshkallëzimin e rëndësishëm në Lindjen e Mesme pasi Hamasi filloi një sulm ‘të befasishëm’ në Izraeli të shtunën. Duket se ky është vetëm një sulm i paprovokuar, brutal nga një grup terroristësh nga Gaza. Besoj se të paktën për ne Shqiptarët është e qartë se është shumë më tepër se kaq. Duart që i shtynë këta vrasës janë në Moskë , ashtu siç ishte akti i fundit terrorist në veri të Kosovës, ku bashkëpunimi ruso-serb ishte evident . Presidenti i SHBA Joe Biden dhe liderët evropianë kanë pasur frikë prej kohësh nga një përshkallëzim i luftës në Ukrainë dhe kjo është situata që kemi tani. I frikësuar për ta zhvilluar luftën drejtpërdrejt me NATO-n, Putini ka nxitur konflikte midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Serbisë dhe Kosovës, në Afrikën Perëndimore dhe tani në Izrael.
Putini është arkitektii i këtyre konflikteve dhe ndoshta nuk ka implikim direkt në to, megjithatë, ai me kënaqësi po hedh benzinë në zjarr dhe po i shfrytëzon ato. Propagandistët rusë tashmë po pretendojnë se një luftë në Lindjen e Mesme i sjell përfitim Rusisë dhe mund të ulë mbështetjen financiare për Ukrainën.
Historia ofron gjithmonë të njëjtat mësime me variabla të ndryshuar. Dhe duket sikur lufta e ftohtë po rikonfigurohet përsëri dhe në thelb kemi një përplasje civilizimesh. Shqipëria dhe Kosova, në ndryshim nga periudha e diktaturës, këtë rradhë kanë bërë zgjedhjen e tyre të lirë dhe janë në anën e drejtë të historisë dhe pikërisht aty ku ne si komb dhe kulturë kemi aspiruar të jemi, por aksidentet historike na e kanë mohuar më parë. Jetojmë në një kohë që në mënyrën më të mirë të mundshme, i duhet i treguar Putinit dhe despotëve të tjerë, brenda dhe jashtë Rusisë, se agresioni kundër demokracive do të dështojë gjithmonë. Konflikti i fundit në Gaza ka disa rreziqe në vetvete me pasoja të rrezikshme për Kosovën.
Së pari dhe më kryesorja është frika se lufta Rusi-Ukrainë mund të errësojë konfliktin izraelito-palestinez dhe atë Kosovë-Serbi.
Së dyti, ekziston frika shoqëruese se komuniteti ndërkombëtar, duke dëshmuar në kohë reale tragjedinë e shpalosur në Ukrainë, mund të vlerësojë më shumë luftën në Ukrainë dhe të zbehi preokupimin e tij të gjatë dhe të lodhshëm me Izraelin dhe Kosovën.
Prandaj, mund të pritet që Serbia të ushtrojënjë influencë, nën ndikimin e Rusisë, duke shfrytëzuar dhe nxitur pakicat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe ndoshta në Kroaci dhe Maqedoni, duke i lënë këto shtete të pasigurta, ndërkohë që Bashkimi Evropian është i preokupuar nga sfidat e tij të brendshme dhe vetë rendi ndërkombëtar është i ekspozuar ndaj pasigurive të shumta. Kuptohet rajoni ynë është më i rrezikuari në këto momente që vendet e Ballkanit perëndimor aspirojnë për anëtarësim në BE , por edhe në zgjidhjen e nyjes gordiane të ballkanit që natyrisht është Kosova. Një përshkallëzim i konflikteve rajonale të nxitura nga Rusia dhe të përkrahura nga aleatët e saj siç është Serbia , por edhe shtete të tjera ballkanike ,do të ishte me pasoja tepër negative për rajonin tonë, si edhe për Shqipërinë e Kosovën, edhe për faktin se shumë politikanë nën petkun e patriotizmit fallco, por në kurriz të çështjes kombëtare, ndjekin politika në interes të përfitimit personal. Kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka “sjellje paternaliste” ndaj autoriteteve të Kosovës, sikurse edhe kryeministrat e mëparshëm shqiptarë. Rama ndjek një linjë politike që dallon nga ajo e Kurtit, për sa u përket çështjeve të Kosovës. Por kjo nuk e justifikon faktin që ata të mos takohen.
Kurti, nga ana tjetër, pretendon se Rama duhet t’i mbështesë qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në sfidat që ka në veri me Serbinë, por edhe në raportet e krijuara nga partnerët perëndimor. Mendoj se Rama e ekzagjeron me protagonizmat e tij. “Një politikan do të bëjë gjithçka për të mbajtur punën e tij, madje edhe të bëhet patriot” thotë William Randolph Hearst Sigurisht që kryeministri Rama ka interesat e tij personale, të pushtetit të tij personal, për të marrë rolin e protagonizmit në rajon, edhe me partnerët ndërkombëtarë. Kjo duket qartë dhe është e patolerueshme , pasi Kosova është shtet i pavarur dhe aq më tepër ne të gjithë jemi Shqiptar dhe luftojmë për të njëjtën çështje. Ndërkohë politikanët e tjerë, i frynë më shumë zjarrit, jo për të zgjidhur problemin, por për të marrë rrolin e protagonistit dhe rrolin patriotik, thjesht për interesa personale.
Kauza e një kombi duhet të jetë një urë që bashkon njerëzit, jo një fushë beteje për egon e politikanëve. Mendoj se qëllimi i një kombi ose sistemi i tij politik duhet të jetë të bashkojë qytetarët e tij për të mirën më të madhe. sesa të shërbejë si një platformë për politikanët për të ndjekur ambiciet dhe egon e tyre personale. Në një demokraci ideale, fokusi duhet të jetë në shërbimin e interesave më të mira të popullit, promovimin e unitetit dhe gjetjen e bazës së përbashkët për të adresuar sfidat dhe aspiratat e kombit.

Filed Under: Sociale

Sistemi politik i Shteteve të Bashkuara dhe disa tipare karakteristike të tij

October 14, 2023 by s p

Dr. Ernest Nasto

Ekspert i politikës amerikane/

Në Shtetet e Bashkuara ka filluar tashmë, siç dihet, fushata zgjedhore për garën e 5 nëntorit 2024 që do të vendosë fatin e Shtëpisë së Bardhë për 4 vitet e ardhshme. Po ashtu në kërkim të votës së zgjedhësve do të jenë të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve si edhe 34 senatorë. Le të shohim me këtë rast disa karakteristika të sistemit politik amerikan duke venë në dukje edhe veçori të tij krahasuar me vende të tjera të zhvilluara perëndimore.

Organizimi politik i SHBA bazohet në Kushtetutën e tyre, në fuqi prej 1789 dhe më e vjetra ndër kushtetutat e sotme, e cila e përcakton formën e regjimit si një republikë federale të tipit presidencial.

Shtetet e Bashkuara janë republikë, sepse kreu i shtetit zgjidhet periodikisht dhe nuk trashëgohet si në sistemet monarkike. Republika dhe monarkia janë dy llojet e vetme të organizimeve politike në kohën tonë, dhe ndër vendet me sisteme republikane mund të përmendim Italinë, Francën, Gjermaninë, Zvicrën, etj, e po ashtu edhe Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit e të Europës Lindore. Ndërkaq një sërë vendesh të tjera janë monarki, që do të thotë se posti i kryetarit të shtetit mbetet kurdoherë brenda së njejtës familje duke u trashëguar brez pas brezi. Shembuj monarkish janë Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Holanda, Norvegjia, Suedia, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, etj. Të gjitha këto janë monarki kushtetuese me nivele të larta të zhvillimit të demokracisë.

Republika amerikane është po ashtu federale sepse njësitë e saj përbërëse, shtetet, kanë kompetenca të gjera dhe ligje të veçanta të cilat shpesh janë të ndryshme nga ligjet e administratës qendrore. Shtetet ruajnë kështu një shkallë të lartë sovraniteti, dhe kjo është pak a shumë e vërtetë edhe për vende të tjera me të njejtin organizim federal, qofshin ato republika apo monarki. Ndër vende të tilla mund të rreshtojmë Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë, Indinë, Meksikën, Kanadanë, Australinë, Brazilin, ndërsa në Ballkan kemi shembullin e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërsa në formën tjetër të organizimit, atë unitare, qeveria qendrore ushtron sovranitet të plotë në të gjitha aspektet, dhe ligjet e saj janë të vlefshme në tërë territorin. Vende me organizim unitar janë republika si Italia, Franca, Irlanda, Portugalia apo Shqipëria, si edhe monarki si Holanda, Suedia, Norvegjia, etj.

Shtetet e Bashkuara janë më në fund një republikë e tipit presidencial, pra ku kreu i shtetit kryeson njëkohësisht edhe qeverinë, e për këtë arsye s’egziston posti i kryeministrit. Republika presidenciale janë pothuaj të gjitha vendet e Amerikës Latine, Turqia, Filipinet, Indonezia, etj, dhe në to presidenti zgjidhet drejtpërsëdrejti nga votuesit. Ndërkaq një numer republikash të tjera janë të tipit parlamentar, d.m.th. të tilla ku posti i kreut të shtetit ështe i ndarë nga ai i kreut të qeverisë (kryeministrit). Shembuj republikash parlamentare janë Italia, Gjermania dhe shumica e republikave europiane, padyshim edhe Shqipëria, dhe në to kreu i shtetit zgjidhet jo nga votuesit por nga organi ligjvënës, parlamenti.

Të tri degët e pushtetit në shtetet e sotme moderne konsiderohen ato legjislative (ligjvënëse), egzekutive (ligjzbatuese) dhe gjyqësore. Karakteristikë e demokracive të zhvilluara të tipit perëndimor, ku sigurisht bëjnë pjesë edhe Shtetet e Bashkuara, është ndarja e tyre në kuptimin që asnjera s’mund të ketë mbizotërim absolut të të dy të tjerave dhe kontrolli i ndërsjelltë që ato i bëjnë njera-tjetrës (checks and balances). Kjo ndarje ishte një tipar që etërit themelues të Amerikës e theksuan në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh pervojën e hidhur të vendeve europiane të asaj kohe e duke synuar të shmangnin përçarjet që në Botën e Vjetër kishin pasur pasoja gjakderdhjesh masive e të vazhdueshme. Më vonë edhe kushtetutat e epokës moderne anembanë botës u frymëzuan gjerësisht nga parimet e asaj amerikane.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara është organi ligjvënës dhe përbëhet nga 2 dhoma: e ulta, ose Dhoma e Përfaqësuesve, me 435 anëtarë të zgjedhur nga çdo shtet sipas numrit të popullsisë, dhe e larta, ose Senati, me 100 anetarë, nga 2 për secilin shtet. Përfaqësuesit zgjidhen për një mandat 2 vjeçar ndërsa senatorët për 6 vjet. Për këtë arsye në nëntor të çdo viti çift janë në garë të gjithë përfaqësuesit dhe 1/3 e senatorëve, dhe numri i mandateve është i pakufizuar me ligj. Sa për kompetencat e secilës dhomë mund të themi se ajo e Përfaqësuesve ka për detyrë të hartojë e të miratojë ligjet, ndërsa Senati mundet t’i ndryshojë apo t’i refuzojë ato. Vetëm pas miratimit nga të dy dhomat, ligji përkatës shkon tek Presidenti për t’u nënshkruar e për të hyrë në fuqi.

Presidenti dhe kabineti i tij përbëjnë pushtetin ligjzbatues, ose egzekutiv, me detyrë zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kongresi. Presidenti zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet një mekanizmi me 2 faza: të martën e parë të nëntorit mbahet votimi popullor dhe pastaj, më 14 dhjetor, një organ i posaçëm, Kolegji Elektoral, zgjedh presidentin.

Dega e tretë e pushtetit, ajo gjyqësore, përbëhet nga gjykatat e të gjitha shkallëve, ato lokale, të apelit e gjykatat e larta të secilit shtet. Instanca e fundme është Gjykata e Lartë (Supreme Court) e Shteteve të Bashkuara, e cila ka për detyrë të përcaktojë nëse ligjet janë në përputhje me Kushtetutën.

Kolegji Elektoral që përmendëm është një nga aspektet e sistemit politik amerikan që dallohen nga ato të demokracive të tjera. Ai është një organ i posaçëm prej 538 anëtarësh, me detyrë të vetme zgjedhjen e presidentit. Kjo metodë votimi indirekte është e vetmja e tillë në tërë botën perëndimore. Kjo do të thotë se vota popullore s’përcakton drejtpërsëdrejti fituesin e garës presidenciale por vetëm përbërjen e Kolegjit Elektoral. Kjo bën që në disa raste fituesi i votës popullore të mos arrijë të sigurojë shumicën në Kolegjin Elektoral, pra të mos zgjidhet president i vendit. Kjo ka ndodhur 6 herë deri më sot në historinë amerikane: në zgjedhjet e viteve 1800, 1824, 1876, 1888, 2000 dhe 2016.

Një aspekt tjetër për t’u shënuar janë edhe partitë politike, dhe veçoria qendron në atë që ato s’përmenden askund në Kushtetutën amerikane. Megjithatë partitë kanë mbizotëruar jetën e vendit qysh prej viteve 1790. Në secilën epokë kryesore kanë qenë 2 parti të mëdha, dhe prej vitit 1860 ajo Demokratike dhe ajo Republikane. Duhet theksuar këtu fakti që edhe pse emrat e tyre kanë mbetur të njejtë, ideologjitë e partive kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në ndryshim të vazhdueshëm. Prej mesit të shekullit të kaluar mund të thuhet se partia Demokratike ka përfaqësuar pozicione e politika të qendrës së majtë, ndërsa ajo Republikane të qendrës së djathtë.

Partitë amerikane kanë një organizim të lirshëm dhe pa organe drejtuese që të përcaktojnë “vijën e partisë”. Kështu përfaqësuesit e tyre në Kongres munden të votojnë në favor të ligjeve të propozuara nga partia kundërshtare, pra të “devijojnë”, pa u druajtur nga ndonjë pasojë ndëshkimore prej partisë së tyre. Të dy partitë kanë komitete kombëtare të cilat merren kryesisht me mbledhje fondesh e me funksionet adminstrative, por drejtues praktikë konsiderohen kurdoherë zyrtarët e zgjedhur, pra sipas rastit, presidenti, apo kryetarët e grupeve në Senat e në Dhomën e Përfaqësuesve.

E më në fund veçori e sistemit amerikan janë edhe zgjedhjet primare, që kanë një traditë shumë më të gjatë e më të zhvilluar se në Europë. Ato janë në thelb një garë brenda secilës parti për të përcaktuar kandidatin e saj zyrtar që do të përballet me kandidatin e partisë kundërshtare. Garat primare zhvillohen si për postin e presidentit, ashtu edhe për ato të senatorëve, të përfaqësuesve të çdo distrikti elektoral, të governatorëve të shteteve etj.

Kuptohet që të gjitha këto tipare që përshkruam janë përsosur vazhdimisht duke krijuar mundësinë që demokracia amerikane dhe ligji i saj themelor Kushtetuta, të mund të mbijetojnë edhe në kohë kërcënimesh e krizash, dhe me jetëgjatësinë dhe qendrueshmërinë të jenë shembuj edhe për vende të tjera të mëdha apo të vogla.

======

*Autori është n/kryetar i degës së Federatës Vatra për Chicagon

Filed Under: Politike

Tulipanët e kuq të Emily Kornberg

October 14, 2023 by s p

Luan Rama/

E dashur Emily. Ti ende flije dhe ishe në ëndrrat e tua, në dëshirat dhe përrallat e tua. Ti flije ende në Kibutz-in e Be’eri në kufirin me Gaza, atje ku agu me dritën e bardhë papritur u nxi dhe ku vdekja u shfaq me kosën e Hamas-it në duar të vriste pafajësinë, paqen, ëndrrat tuaja. Vinte fshehurazi, tinëz, siç vinin dikur asasinët e Orientit, etur për gjak.

E ndjeva frymën tënde, i imagjinova një çast sytë e tu ballë vdekjes, të pashë të trembur me zemrën që të dridhej, të rikrijova sërish në sytë e mi duke ndjerë frymën tënde, frymën që nuk ndali edhe pse ti mbylle sytë, frymën që pushtoi botën dhe që vinte tek unë. Dhe frymët tona u bashkuan. Ti vije tek unë ashtu këmbëzbathur, me këmishën e natës, si bijë e një zane, atëherë kur makthi i madh pushtonte Izraelin, botën. Po, ti more frymë përsëri te unë, me mushkritë e mia, si një flutur që endet në përrenjtë e mi të gjakut. E mira Emily, e bukura, e përkora, erdhe të jetosh në strehën time. Ti e di se lulet e Be’eri një ditë do të shpërthejnë sërish dhe do të harlisen. Këtë ti do ta ndjesh me erërat që do na sjellë Mesdheu. Isha gëzuar dikur kur shumë vite më parë kisha vizituar një kibutz, po në Negev tek shkoja për në Detin e Vdekur, që lulëzonte nga dashuria e njerëzve që jetonin aty. Nëna tënde kishte vdekur dhe ti e vogël u rrite me atin tënd.

Ti Emily tani do të jesh pjesë e jetës time, ashtu siç do të jesh për njerëzit e mbijetuar të familjes tënde, siç do të jesh në jetën e miliona e miliona njerëzve që duan paqen dhe dashurinë, botën e dritareve dhe të portave të hapura. Po, ti ende ëdërroje… Tregoma Emily ëndrrën tënde të fundit që të ëndërroj dhe unë bashkë me ty, me dorën tënde në duart e mia, me atë dorë që nuk do të dridhet më. Cdo herë në ditëlindjen tënde, ti do të jesh tek unë, bashkë me dy mbesat e mia, Lola dhe Noa, do të luash dhe do të rritesh me to dhe ju do më tregoni më pas dashuritë tuaja, rininë tuaj e unë atëherë do të fle i paqtë me dashuritë tuaja.

Emily e dashur, unë do të flas gjithnjë për jetën tënde, për sytë e tu, do të mbjell shumë lule për ty, margarita dhe tulipanë, tulipanë të kuq si zemrat tuaja. Dhe flladi më pas do mund ti shpërdajë farat e tyre dhe do ti çojë tutje drejt Gaza-s, tek populli tjetër fqinj si një mesazh paqeje që dhe atje të bulëzojnë lulet e dashurisë njerëzore, që gjaku juaj të mos harrohet.

Filed Under: Interviste

Korrupsion

October 14, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Sokrati përgjithësisht thuhet se u dënua me vdekje nga një juri prej 500 burrash athinas më 15 shkurt 399 pes. Pasi u mbrojt për disa orë, Sokrati humbi çështjen e tij me një diferencë prej 280 votash. Pas disa orësh diskutimi të mëtejshëm, juria dekretoi se i vetmi dënim i përshtatshëm ishte vdekja, e administruar duke pirë një filxhan me helm (hemlock). Fjalët e fundit të Sokratit, kur u rrëzua në dysheme dhe u kthye nga një mik, ishin disi mbytëse:

“Kriton, unë i kam marë një borxh Asklepiut. Paguaje atë. Mos harro”. Akuzat mbi të cilat Sokrati ishte paraqitur para gjykatës ishin të rreme: mosnjohja e perëndive të njohura nga shteti, futja e hyjnive të reja dhe – më e famshmja nga të gjitha – ‘korruptimi i rinisë së Athinës’. Korrupsioni rrjedh nga folja latine rumpere, që do të thotë “të prishësh”, që lidhet me etimologjinë e fjalëve si prerje, ndërprerje, dhe shpërthim, shpërbërje. Kuptimi më i hershëm ishte ai fizik, duke iu referuar shpërbërjes ose kalbjes së diçkaje që është prishur ose kontaminuar, por kuptimi modern nuk është shumë prapa: korrupsioni moral, pikërisht si ai për të cilin Sokrati u shpall fajtor, u shfaq në shekullin XIV dhe ka qenë kuptimi mbizotërues i fjalës që nga mesi i viteve 1600. Corrump është një sinonim më pak i njohur dhe i harruar prej kohësh që rrjedh nga e njëjta rrënjë. Korruptim gjithashtu fillimisht do të thoshte ‘të prishësh’ ose ‘ta bësh të padobishëm’ nëpërmjet kalbjes ose dekompozimit, përpara se të shfaqej më shumë kuptime figurative në Mesjetë: nga mesi i viteve 1300, korrump përdorej në mënyra të ndryshme për të nënkuptuar ‘të japësh ryshfet’, ‘të prishësh gjuhën’ dhe ‘për të korruptuar moralisht’. Ai që bën pikërisht këtë, është korruptues.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT