• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Kryeministri Kurti priti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

October 31, 2023 by s p

Prishtinë, 30 tetor 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për herë të tretë në pak më shumë se dy vjet ka mirëpritur në Prishtinë, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Duke i uruar mirëseardhje në ndërtesën e Qeverisë dhe kryeqytetin e Republikës, kryeministri Kurti falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike.

Ai e njoftoi edhe për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës.

Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoicic në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten.

Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor.

Ky ishte takimi i gjashtë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Filed Under: Rajon

BE TË HEQË MASAT NDAJ KOSOVËS

October 30, 2023 by s p

Vjosa Osmani/

Në takimin e sotëm me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e falënderova për angazhimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Njëkohësisht, ritheksova nevojën për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, përderisa potencova rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, për vendin tonë.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë në ballë të reformave dinamike që e forcojnë demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit, rrisin standardin e jetesës për qytetarët tanë dhe afrojnë vendin tonë me Bashkimin Evropian. 🇽🇰🇪🇺

Filed Under: Analiza

IBALLA – PUKË, NË 120 VJETORIN E SHKOLLËS SHQIPE

October 30, 2023 by s p

Nderon edhe Presidenti Begaj!

Agron Prebibaj

Në Iballë të Pukës u festua 120 vjetori i shkollës së parë shqipe (laike) kjo shkolla e parë në veri, por edhe njëra nga katër shkollat shqipe në Shqipëri.

Organizatorët, – intelektualët e burrat nga Iballa, e ngritën festën e shkollës në altarin e diturisë kombëtare, hapja e muzeut, dhe simpoziumi “120 vjet shkollë shqipe në Iballë”, pasimi dhe promovimi që vjen nga elita e cila nderon elitën, ndërsa festa me këngë e valle ndezi harenë pukjane e miqëve nga gjithë Shqiptaria.

Presidenti Sh.t.z.Bajram Begaj nderoi dhe e ndoçi nga afer këtë 120 vjetor, i cili vlerësoi shkollën Iballë si djep diturie e njëra ndër shkollat e para shqipe.

Në këtë festë të arsimit shqiptar mori pjesë politikani kosovarë Ramush Haradinaj, kryebashkiaku i F. Arrës Hil Curri, e plotë zyrtarë e përsonalitete të tjera.

Simpoziumi shkencor organizuar nga Kol Dedaj, i një niveli të lartë shkëncor, nën kumtesat e përshëndetjet e përsonaliteteve Prof.Dr Rexhep Uka, Prof.Dr.Neritan Ceka, Dr.Mark Palnikaj, publicisti Preç Zogaj, konsulli i nderit të Austrisë Gjergj Liçejza, Prof.Pashk Leka, Dr.Nezir Bata, studiuesi Gjelosh Nikolla, prosori Gëzim Dema, etj, duke e përmbyllur studiuesi (organizatori) ing. Kol Dedaj me kumtesën ” Iballa, vater dije e atdhetarie”!

Kishte me dhjetra mesazhe nga diaspora të cilat ngohën këtë 120 vjetor arsimi shkolle shqipe, ndërsa unë do veçoj mesazhin e Dr.Sokol Farroku nga Amerika: “Aty mbarova shkollën e mesme, dhe jam krenar se nga ajo shkollë sot kemi elitarë, profesorë, akademikë, artistë, sportistë dhe intelektualë të të gjitha fushave. Zoti e bekoftë shkollën shqipe e arsimimin shqiptar! Iballa-Pukë, pasuri e shkollës shqipe!

Filed Under: Reportazh

Wilhelm zu Wied: Memorandum për Shqipërinë

October 30, 2023 by s p

Prof. Sylë Ukshini/

Princi gjerman i Shqipërisë, Wilhelm Wied, në vitin 1917 hartoi “Memorandumin për Shqipërinë”, në të cilin ai flet për formimin e shtetit të Shqipërisë dhe mbretërimin e tij si Princ i Shqipërisë, si dhe për situatën e politikës së brendshme, të jashtme dhe ekonomike të vendit.

Princi gjerman Wilhelm zu Wied (1876-1945) lindi nga një familje fisnike protestante në Neuwied në Rhine, i vendosur midis Bonn dhe Koblenz. Nëna e tij ishte Marie, Princesha e Holandës. Një oficer në ushtrinë prusiane, Wied ishte një kushëri i perandorit gjerman dhe ishte nipi i mbretëreshës Elizabeth të Rumanisë. Ai ishte i martuar me Princeshën Sophie (1885-1936) nga Schönburg-Waldenburg në Saksoni. Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i ofruan atij si kandidat kompromisi, fronin e vendit të sapopavaruar të Shqipërisë, tokë për të cilën ai dinte shumë pak në atë kohë. Pas reflektimit të duhur, ai pranoi ofertën dhe mbërriti në Durrës më 7 mars 1914 me një anije detare austro-hungareze për të marrë fronin e mbretërisë së tij të re të vogël. Situata kaotike politike si brenda Shqipërisë, ashtu edhe në lidhje me marrëdhëniet me fqinjët e Shqipërisë, e bëri praktikisht të pamundur mbretërimin e princit dashamirës. Përveç kësaj, si rezultat i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, ai mori pak ose aspak mbështetje financiare ose ushtarake nga jashtë. Më 3 shtator 1914, pas më pak se shtatë muajsh në fron, princi braktisi Shqipërinë në bordin e një jahti italian, megjithëse pa abdikuar zyrtarisht. Ai kishte shpresuar të kthehej në Shqipëri pas luftës, por humbja e Gjermanisë në vitin 1918 i bëri këto pritje iluzore. Më 1917, ai regjistroi një “Denkschrift über Albanien” (Memorandum mbi Shqipërinë) me tetëdhjetë e dy faqe, në të cilën ai prezantoi pikëpamjen e tij për mbretërimin e tij të shkurtër si dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Në këtë Memorandum mbi Shqipërinë princi Wied trajtoi këto tema:

1. Takimi i Ambasadorëve të Londrës

2. Shqipëria deri në zgjedhjen e princit të ri

3. Zgjedhja ime si Princ i Shqipërisë

4. Koha në Shqipëri

5. Shqipëria gjatë Luftës Botërore

6. E drejta ime për Shqipërinë

7. E ardhmja e Shqipërisë

8. Pyetje të politikës së jashtme

9. Pyetje të politikës së brendshme

10. Ridizajnimi i ushtrisë

11. Qeveria dhe administrata

12. Çështjet ekonomike

Filed Under: LETERSI

NË TË NJËJTIN VEND, NGA IZRAELI NË PALESTINË…

October 30, 2023 by s p

– Në ditët e luftës me poezi –

Nga Visar Zhiti

…po bëhet luftë e rëndë, i ngjan apokalipsit, që erdhi nga qielli, ku s’ka varkë Noe mes dallgëve të reve, por raketa të pabesa.

Po ç’dreq Jude nga Hamasi urdhëroi të godisnin një popull tjetër-vëlla? E gjithë bota mori anën e të sulmuarit, e të dëmtuarit. Dhe u ngritën nga toka avionë të egërsuar dhe u turrën tanket-bisha. Mbrojta u kthye në sulm.

Rripi i Gazës tani është rrethuar keq, me bombardime dhe terr, frikë dhe uri… krizë humanitare… as ujë… as…

Dhe unë i thërras kujtesës, kërkoj aty paqe dhe qetësi dhe mirëkuptim…

– Ç’të bëjnë popujt, kur ka konflikte dhe ashpërsim, luftë…? – e pyeta njëherë poetin rumun Marin Sorescu, fjala ishte për popujt e Ballkanit, por përgjigjja e tij vlen për të gjithë dhe gjithmonë:

– Të lexojnë poezi! – tha ai me një rreptësi të bukur.

Paradoksale, e mrekullueshme! – thashë me vete. ​​​

Shkrimtari hebreo-hungarez, Imre Kertész, nobelist, ka qenë i mbyllur në kampin e Aushvicit, në librin me ese “Shekulli i palumtur” i shton thënies së famshme të Adornit se pas Aushvicit nuk mund të shkruhet më poezi, një kundërshti: pas Aushvicit mund të shkruhen poezi vetëm për Aushvicin. ​​Po në luftën e Izraelit me Palestinën? Dhe po kthehem në Tokën e Shenjtë, që po shungëllon, me poezi patjetër.

​NË JERUZALEM​

TE MURI I LOTËVE

Atje deshëm të shkonim, atje, te Muri i famshëm. Një postbllok. Na kontrolluan si në aeroport. Çantat – në skaner. Po mbresat?

Gurë të mëdhenj, edhe 100 tonësh janë, -lexojmë, – mur 2000 vjeçar, i mbetur nga “Tempulli për së Dyti”, se pas Babilonasve e shkatërruan romakët në vitet 70 pas Krishtit… Krishti e ka prekur atë mur…?

Prandaj erdhëm, që ta prekim dhe ne, në të çarat e tij të futim një lutje sipas ritualit. është muri i të tre feve: krishtërimit, islamit Judaizmit, por dhe i konfliktit të tyre. Në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967 Izraeli e çliroi truallin aty nga pushtimi jordanez.

Ah, ky mur, quhet Muri i Vajtimit! Burra me pallto të gjata të zeza dhe me borsalina të zeza e me kippah mbi krye, të ngjashme me qeleshet tona, flasin me Murin, në fakt i drejtohen Zotit, përkulen, etj.

Shkova dhe unë drejt Murit, nga ana e grave shkoi Eda ime.

Në të çarat e Murit do të doja të kisha futur këtë poezi tani:

GURË TË MËDHENJ LOTËSH,

Mur që vazhdon në shekuj

si vajtimet,

me ato të çarat e thella –

dhimbje të njeriut…

Ta lë dhe unë një poezi timen aty?

Lutem, që ta ndalosh historinë

të mos kthehet si një masakër, ndaje

të tanishmen nga mëritë,

të mos rrjedhë gjaku

si uji nga tubat e këputur

të një pallati të bombarduar.

Plagët e murit si zgavrat

të bëhen fole pëllumbash paqeje.

DHE DO TË SHKONIM NË PALESTINË:

– GAMILJA E PARALUFTËS –

…kujtoj, kur kaluam nga Izraeli në Palestinë, aq lehtësisht, kështu m’u duk, nga që ne ishim pelegrinë nga Amerika, besoj. Autobuzi ndali për pak para një post-blloku, pamë ushtarë me automatikë të zinj ndër duar, vajza, që u ngjanin aq shumë reklamave të tyre me ngjyra rrugëve.

P-a-l-e-s-t-i-n-ë… West Bank, ndryshimi dukej, pluhur dhe plehra… ky vend është i begatë nga ana bujqësore, – shkruhej nëpër guida, – me pemë, por mua m’u duk i shkretëtirtë. Kishim ardhur për tjetër gjë, vazhdonim të shkonim në gjurmët e Krishtit, në Malin e Tundimeve, në…

Por dua të tregoj tani për gamilen që pamë në kthim si metaforë e Palestinës. E madhe, dëshpërimisht e urtë, më bëri përshtypje. Në bllokun tim kisha shkruar dhe këtë poezi, që u botua në ExLibris bashkë me disa poezi të tjera nga Toka e Shenjtë:

E MADHËRISHME GAMILE E PALESTINËS

​​​E madhërishme gamile e Palestinës,

​​​Ku shkon ashtu me çap të rëndë?

​​​Të vetmet lule të shkretëtirës

​​​Janë në qilim mbi kurrizin tënd.

​​Sa e trishtuar je pranë turistëve,

​Pesë dollarë një shëtitje me ty.

​Me ç’fjalë arabe në gjunjë bie?

​Dhe rrëkenë e lotit ç’ta heq në sy?

​Të rrjepur gjunjët me plagë të thata,

​Profil i zgjatur – emblemë durimi!

​Nga toka ngrihesh mbi këmbët e gjata,

​Si gdhendje e hijshme në dru ulliri.

​Mos bjerë në gjunjë, gamile, për mua,

​Jo, nuk hipi! Dhe pse na mban?

​S’e duroj durimin tënd të nënshtruar

​Dhe loti i kafshës prapë është human.

Gjithnjë më e lodhur mbart fatin tënd

Apo mallkimin e shkretëtirës?

Kurrëkund nuk shkon me atë çap të rëndë,

​E madhërishme gamile e Palestinës.

​

Dhe më rishfaqet ajo gamile si vetë Palestina, e munduar nga njërëzit e saj.

Kujtoj që turistë të ndryshëm, me 5 dollarë, hipnin mbi gamile dhe bënin një shëtije të vogël, disa hapa më tej, deri afër humnerës, mbase s’kishte fare humnerë, por kështu më duket tani, që duhet të kishte një humnerë.

E shikoja si binte në gjunjë gamilja prapë e prapë, sipas urdhërit, teksa mes britmave gazmore ndihmonin personin e radhës që të hipte mbi shpinën e saj, ngrihej me shkundullima si një kodër rëre dhe gjunjëve kishte ato shqyerjet e lëkurës e të mishit, ndërsa poshtë syrit atë rrëke të tharë loti.

Ajo vuan, mendova dhe vendosa që të mos hipja në gamile. Po kështu dhe një djalë amerikan mes pelegrinëve, Jeremy James e quanin, kishte moshën e tim biri dhe po shoqërohej shumë me ne, sidomos me Edën time, as ai për të njëjtat arsye nuk e bëri atë shëtitjen e vogël 5 dollarëshe mbi kurriz të gamiljes. Ajo vuan, më tha.

– Si quhet gamilja? – pyeta anglisht kujdestarin e saj, një palestinez gjatosh, zeshkan, që sikur dhe i ngjante.

– Stupi/du, – qeshi vesh më vesh ai.

– E juve si ju quajnë?

– Hader.

– Si ia kaloni, Mr. Hader, ç’bëni? – e pyeta sërish me kërshëri.

– Ja, vijnë turistë, ikin, ne qeshim njëlloj…

– Po me izraelitët…?

– Keq…

Keq?! Pse? M’u dhimb ai njeri. Si gamilja e tij… Si Palestina. E munduar nga vetë njerëzit e saj, nga sunduesit që e përdorin… Keq! Nuk e mendova atëhere, që nga kjo fjalë kaq e shkurtër, keq, do të dilte një luftë e re, kaq e rëndë. Këtë po mendoj tani larg, shumë larg, në Chicago dhe nisa të shkruaj prapë për gamiljen Stupi-du, ashtu e shqiptoi Haderi, të ndarë si me një psherëtimë dhe qeshi bollshëm. Ashtu kishte qeshur dhe Palestina, aq shkujdesshëm, duke i harruar terroristët e saj… por a janë gjallë tani? Ai, Haderi dhe fëmija që mbante në prehër, i ati, që edhe ai qeshte njëlloj, dëshpërueshëm. Po gamilja? Metafora e saj e di që është… Po ata që janë rrethuar në Gaza? Dhe po më vinte të shkruaja. Prapë poezi?

PALESTINA ËSHTË AJO GAMILE

e shkretëtirës së saj,

të madhe sa rëra e moskuptimeve

tragjike…

Në gjunjët është lufta,

shih, si i ka vrarë,

me lëkurën e jetës të çarë,

që u ngjan anëve

të çative të shëmbura.

Loti, edhe ai në sytë e gamiles,

ashtu i tharë, është mungesa e ujit

në rrethim,

por dhe e diçkaje tjetër më lënduese.

​​Mos e ka emrin dhimbje?

​​Mos e ka emrin mëshirë?

Nuk ka emër është përtej fjalëve…

Palestina

mbart shpirtin e vet

me atë gamile të hutuar,

si një brengë e rëndë.

Dhe kujt i hakërrehen ashtu?

Ata dhëmbë që kishin buzëqeshur

pa kuptim,

vezullojnë si teh thike, që pret rrezet

si tufa bari përreth gojës së gamiles.

Krahë avionësh prekin qafën e gjatë

të qiellit,

tanket poshtë shtypin gjurmë gjunjësh

të kujtesës së tokës.

S’dua të kujtoj më,

mbi shpinë është lufta

dhe lutem të pushojë.

Me lotët e tu unë po qaj tani,

i mbështetur pas një ulliri

si në kryq

në Tokën e Shenjtë…

Ajo ditë në Palestinë dukej e zakonshme, pa shqetësime, dua ta risjell se ndoshta kështu ndjell prapë të zakonshmen, qetësinë dhe paqen. Dhe po shkonim në një dyqan të madh.

Apo s’ishim më në Palestinë, jo, jo atje ishim… se te dera e dyqanit, shkallëve kishte vendas që shisnin kinkalerira, kryqe druri, rruzare, ikona të vogla, ju nuk blini tek ne, po ankoheshin, ju, amerikanët nuk na doni, doni izraelitët, Eda, blije këtë, është bukur për ty, blije dhe ti Visar, ou, u çudita, nga na i mësuan emrat? Pastaj u kujtova që ne kishim të varur në qafë badge-t, etiketat jeshile me emrat tanë. Blemë ç’mundëm…

Dhe u futëm në grup në dyqanin e madh. Në hyrje na jepnin nga një shporta për psonisjet, e mori Eda ime, po unë tronditjet do të fusja aty? Cilën poezi?

Po endeshim mes vitrinave brenda, gdhendjeve të mëdha në dru ulliri, statueta, Shën Mëria shtatzënë… mbi gomar… kafsha e urtë e paqes… ja, “Pietà” e Mikelanxhelos, në dru ulliri dhe ajo, mahnitëse, po ndjente dhëmbje të ullinjtë… shkuam më tej… Eda ndali te kryqet prej ari… varse… rruzare… qirimbajtëse, aty të vë qiririn e poetit palestines Mahmoud Derwish, e kisha të lexuar, mik me poetin izraelit Yehuda Amichai, që e kam takuar?… Qelq përshkënditës si buzëqeshja e shitëses, e mbështjellë me shami… margaritarët e syve… a janë më po aq të hapur? T’i ketë mbyllur dheu?…

Në pasditen e vonë s’e di ku ishim, por perëndimi i diellit i ngjante një përgjakje të hatashme në një fushëtirë qiellore…

Ç’ishte ai sulm nate terroristësh me 5 mijë raketa? Kur vetëmbrojtja është një e drejtë sublime? Që pastaj s’dihet si shpërthen… ç’gazetë është kjo?

Aty, në bregdetin izraelian kanë ardhur dy flota të mëdha amerikane, aeroplanmbajtëset e rënda, jo vetëm që të mbrojnë Izraelin, por dhe të mos lejojnë përhapjen e luftës…

Më dridhej gazeta ndër duar. Toka është e Shenjtë, ia ka treguar njerëzimit dhe ringjalljen… mes nesh është Ai që solli doktrinën e dashurisë…

PËRSËRI NË JERUZALEM,

HOTEL “AMBASSADOR”

DHE FANTAZMAT E DY POETËVE.

​Nga ballkoni kundroj këtë natë-ëndër… kupola të ndritura, një kryq hollak, ja, vargje dritash si floriri i derdhur nga ndonjë thes mitik tregtari… vetura, vetura si kurrize gamilesh…

​Kthej kryet dhe shoh Edën në dhomë, e ulur në anë të shtratit të madh, ka një copëz të vogël kartoni në dorë. Po e lexon…

​- Ç’është? – e pyes.

​- Lutja e Udhëtarit… Traveler’s Prayer. Nga pas është një poezi “Think of Others” e Mahmoud Derwish.

​- Wow, poet palestinez, – thirra, – ku i gjete?

​- Sipër kësaj qeses me çokollata.

​Dhe zbritëm në hollin e hotelit, shkova te recepsionistët dhe me pakëz humor u thashë se në dhomë kishim gjetur një poezi, ka te të gjitha dhomat apo vetëm në tonën? E dinit që unë shkruaj? – shpotita. Më kërkuan numrin e dhomës. A mund të shkojmë, më tha njëri nga ata. Patjetër, u thashë dhe u ngjitëm me ashensor. Se ku telefonoi. Janë gabim, më tha, janë lënë për dikë tjetër, do t’i marr. Çokollatat po, merri, i thashë, por poezinë jo, ajo nuk është gabim. Dhe e kam dhe sot e kësai dite atë copëz të vogël kartoni sa një kartë identiteti a kartë-vizitë me poezinë që e përktheva:

​​

MENDO TË TJERËT

Nga Mahmoud Derwish

Ndërsa përgatit mëngjesin,

mendo të tjerët

(mos harro ushqimin e pëllumbave).

Ndërsa shkon në luftërat e tua,

mendo të tjerët

(mos harro ata që kërkojnë paqe).

Ndërsa paguan faturën e ujit,

mendo të tjerët

(ata që thithin retë).

Ndërsa kthehesh në shtëpi,

në shtëpinë tënde,

mendo të tjerët

(mos harro njerëzit e kampeve).

Ndërsa fle dhe kundron yjet,

mendo të tjerët

(ata që s’kanë ku të flenë).

Ndërsa në një metaforë zbraz veten,

mendo të tjerët

(ata që kanë humbur të drejtën të flasin).

Ndërsa mendon të tjerët larg,

mendo veten tënde

(Thuaj: “Nëse do të isha veç një qiri

në errësirë”).

​Dola prapë në ballkon. Me shpresën trillane, të çuditëshme se do të mund të shikoja prej andej një liqen… mirazh… liqenin e Pogradecit? Strugën… dritat po më dukeshin si kurora të arta…

Në Festivalin botëror të Poezisë në Strugë një poeti hebre nga Izraeli, Yehuda Amichai, iu dha Kurora e Artë. Nga Shqipëria ishin të ftuar dhe poetët Bardhyl Londo dhe Rita Filipi. Do ketë patur dhe ndonjë tjetër, por kujtoj këta se rrinim bashku. Në një kishë të vjetër, ku lexuam poezi, pasi veprimtari mbaroi, unë iu afrova Amichai-t, i thashë se e çmonim shumë poezinë tij dhe e donim popullin izraelit, kemi shumë të përbashkëta, etj dhe ai u ngazëllye, u interesua për ne dhe i tha gruas që e shoqëronte që ta mbante shënim ç’i thamë. Më pas Bardhyl Londo përgatiti në shqip një libër me poezi të tij, shkoi dhe në Izrael. Ndërsa shoku ynë, shkrimtari Lazer Stani, kam parë që nxjerr here pas here në fb e tij poezi nga Amichai. Unë po sjell një përkthim timin, ndjehet ai mund i hebrenjve në shekuj:

MË PËRPARA SE

Nga Yehuda Amichai

Më përpara se porta të mbyllej,

më përpara se pyetja e fundit të bëhej,

më përpara se unë të shpërngulesha.

Më pëpara se barërat të mbulonin kopshtet,

më përpara se të mos kishte falje,

më përpara se betoni të ngrinte.

Më përpara se vrimat e flautit të ziheshin,

më përpara se gjërat të kyçeshin në dollap,

më përpara se rregullat të vendoseshin.

Më përpara se të planifikohej përfundimi,

më përpara se Zoti të mbyllte dorën,

më përpara se ne s’kishim ku të rrinim.

​EPILOG

​LETËR PRAPE NË TË ÇARAT E SHPIRTIT.

​Të ta dëmtojnë vendin ku je, është si mos kesh vend ku të rrish… Edhe poeti palestinez Mahmoud Derwish, edhe miku i tij, poeti hebre Yehuda Amichai, të dy tani janë më lart se rraketat dhe avionët bombardues, në qiell tjetër, në kopshtet parajsore, mbase shëtisin bashkë rrugëve permes yjeve. Po shqetësimi i tyre bie mbi tokë…

​Prapë luftë?! Çfarë bën miku ynë Viktor Marko Solomon? Ku është? Në Izrael? E kam humbur me kohë…

Do të doja t’i shkruaja gjithë Izraelit dhe zgjodha poetin Rami Saari, ai më ka përkthyer disa poezi, pra mund t’i drejtohesha atij:

Si jeni?… Si janë njerëzit…? Na ka tronditur kjo luftë tani… ai sulm mizor i terroristëve të Hamasit. Jemi me popullin e Izraelit… që u ka mbijetuar përndjekjeve dhe sulmeve ashtu siç dhe jemi me gjithë të pafajshmit… sidomos me fëmijet… Duke e vizituar Izraelin, Tokën e Shenjte, tani na dhimbet gjithçka me shumë, çdo rrugë e gur e bregdet… zë e fjalë dhe lutim Zotin të pushojë lufta, drejtësi e paqe, që edhe palestinezët të gjejne qetësinë e humbur… Ju ku jeni dhe si jeni? Qofshi mirë…

Të fitojë jeta!

Perqafime vëllazërore nga ne.

​Dhe ai na u përgjigj, shqip:

Faleminderit përzemërsisht… dhe padyshim mendimet juaja më ngushëllojnë në këto ditë të vështira.

Në të njëjtën kohë, ajo që e bën jetën time më të lehtë nuk është vetëm njohja që ka shumë njerëz të mirë në tëre botën, që duan që paqja të kthehet së shpejti dhe që njerëzit që absolutisht nuk janë fajtorë për situatën e tmerrshme nuk do të duhet ta paguajnë çmimin, përmes që disa pasurohen e të tjerë lëndohen, vriten edhe akoma nëse qëndrojnë të shëndoshë, më pas natyrisht vuajnë gjithë jetën dhe dhimbjen dhe pikëllimin ua përcjellin brezave që vijnë pas tyre..

Uroj që e ardhmja të mund të ndryshojë gjendjen. Ju dërgoj këndej urimet e mia më të mira për kohë shumë më të mira dhe një përqafim të madh…

NJË DASHURI E MIRË

Rami Saari

Një dashuri e mirë përherë na njeh

me rregullat e saj,

përherë na vendos ne dhe veten

në vendin e duhur

për të bërë porosinë e saj,

për të fituar hiret e saj,

mirësinë e dhënë lirisht

ashtu siç duhet dhënë –

Unë të dua, dashuri,

përzierje e së njëjtës

dhe e së ndryshmes,

e të pasurës dhe e të varfrës

me atë që është e mundur

dhe me atë që

jo.

Një dashuri e mirë! Dhe lutem: Mbrohi, o Zot, të pafajshmit… ujë dhe dritë të rrethuarve! Por sa të pafajshëm jemi, kur arrihet të bëhen faje mbi kurrizin tonë? Krime… Armëpushim sa më parë! Shpëtoi, o Zot, fëmijët… dhe poezin… Kjo i duhet botës dhe është e mundur dhe e pamundura, që mund të përmblidhen: bashkëjetesa e jetës me jetën.

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT