• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Kombi në festë, Shqipëria drejt Euro 2024

October 13, 2023 by s p

Sokol Paja/

Kombi në festë. Shqipëria, leksion futbolli Çekisë. Kombëtarja shqiptare e futbollit arriti një fitore dhe rezultat historik në rrugën drejtë Europianit të Gjermanisë. Një fitore me goladë dhe dominim absolut 3-0 ndaj Çekisë e dërguan Shqipërinë në krye të Grupi E dhe praktikisht në Euro 2024. Një ndeshje e dominuar që nga minuta e parë u shpërblye me një fitore të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët. Një ekip i fuqishëm që luan me besim dhe fantazi që ka përmbledhur djemtë kuq e zi nga çdo cep i trojeve etnike, mrekulloi çdo shqiptar me një fitore të pa imagjinueshme. Një ekip me temperament, personalitet, karakter dhe dinjitet fitoi thellë përballë Çekisë duke bërë një paraqitje mbresëlënëse. Perla e Asanit dhe rracionaliteti i Seferit ndezën zemrën dhe shpresën e madhe për një Shqipëri europiane. Eliminatoret e Grupit E kanë qenë nën shenjën e kombëtares sonë. Për herë të parë në histori, ne kryesojmë. Shqipëria shkëlqeu në çdo takim. Ekipi ka patur sukses dhe progres të hatashëm. Sylvinho e ka ndryshuar ekipin totalisht dhe lojën e skuadrës. Futbolli është kthyer në filozofi, loja në koncept e ekipi në skuadër. Një Shqipëri që të mrekullon. Fitores së magjishme iu shtua fitorja e Kosovës 3-0 ndaj Andorrës. Një natë e pa harrueshme për kombin tonë.

Filed Under: Sport

Armët e Skënderbeut në Vjenë

October 13, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Armët e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut ruhen në në sallën XXV Nr. 71 (127), të Muzeut të Arteve të Vjenës larg Shqipërisë në zemër të Evropës, por në kontinentin për lirinë e të cilit ai u dedikua dhe luftoi. Figura e Skënderbeut shërbeu për farkëtimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve në shekullin e XIX.. Ky identitet dhe vetëdije e lidhjes shpirtërore me Evropën pas një traumatizimi shumë të rëndë të kaluar nga pushtimi dhe bashkëjetesa me otomanët do të ringjallej prapë në fund të shekullit të XIX, vite kur fillojnë e plazmohen sërish idetë evropiane të shqiptarëve. Një rol përcaktues dhe të rëndësishëm do të luajë memoria historike ku të gjithë rilindasit do ti drejohen figurës së Skënderbeut dhe aksioneve të tij politike dhe ushtarake si pjesë e rëndësishme e koalicioneve evropiane mesjetare. Mirëpo Skënderbeu nuk do të mund të ringjallej i vetëm pa simbolet e tij që kishin shenjuar historinë dhe shkëlqyer në epokën e vet, ndaj për këtë arsye së bashku me monumentet dhe portretizimet letrare të De Radës dhe Naim Frashërit do të gjejmë dhe përpjekjet e para për të zbuluar flamurin dhe përshkruar armët e tij.

Informacionet e para në këtë drejtim i jep Konica në faqet e gazetës së vet Albania ku publikon për herë të parë flamurin e Kastriotëve dhe informacionin për armët e Skënderbeut. Si një studiues skrupuloz Konica , i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX në trupin e njërës prej shpatave shiheshin ende njolla gjaku, çka mund të ishte e vërtetë por nëse do të marrim parasysh dhe anën tjetër të personalitetit të Konicës, si pishtar i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare mund të ishte dhe një informacion shtesë për të krijuar emocion dhe afeksion ndër shqiptarët që ende ishin nën zgjedhën otomane. Në fakt te ky tipar i fundit i arsyes se përse Konica mund të ketë shtuar faktin se ende në shpatë kishte njolla gjaku, qendron dhe një funksion tjetër i armëve të Skënderbeut gjatë Rilindjes Kombëtare por dhe në vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Kështu në vigjilje të 20 vjetorit të pavarësisë gazeta “Besa” në Tiranë, e krijuar dhe e sponsorizuar nga Mbreti Zog I, do të japë një informacion të detajuar të vendit, mënyrës dhe rrugëve sesi janë gjendur në Vjenë, armët e heroit tonë kombëtar.

– Publicitet –

Duke iu referuar gazetës “Besa” (3 Mars 1932) mësojmë këto të dhëna për “Armët e Skënderbeut”: Koleksionuesi i objekteve të Skënderbeut ishte Arqiduka i Tirolit Ferdinandi (1529-1595), i biri i perandorit austriak Ferdinandi I (1503-1564) dhe vëllai i perandorit Maksimilian II. Këshilltar i arqidukës Ferdinand për mbledhjen e këtyre objekteve, ishte sekretari i tij privat Jacob Schrenckh von Notzing (Jakob Shrenk von Nocing). Ai koleksiononte veshje prej hekuri dhe armë të princërve të shquar, si dhe të prijësve të ushtrive, të cilat i ruante në kështjellën e tij në Ambras. Objektet e Skënderbeut përmenden për herë të parë në një letër të datës 15 tetor të vitit 1578, në të cilën duka i Urbinos Marius Sforca, i shkruante arqidukës Ferdinand, se do t’i dërgonte këtij të fundit armët e Skënderbeut. Më 15 maj 1579 arqiduka i Tirolit, Ferdinandi, i shkruan dukës së Urbinos Marius Sforces, duke e falënderuar për armët e Skënderbeut si dhe për të tjerat, të cilat mund t’i binin atij në dorë. Këto objekte përmenden për herë të dytë në letrën e dukës von Arescot (duka von Areskot) më 25 korrik 1588, e cila flet mbi armët e tjera të Skënderbeut. Objektet e Skënderbeut nuk ishin shënuar në inventarin e vitit 1585. Ndërsa në inventarin e vitit 1593, f.69, shënohet: “Dy shpata dhe përkrenarja e “Georgen Scanderbegg”. Prej këtyre dy shkresave, si dhe inventarit, konstatohet lehtë se përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut ranë në dorë të arqidukës Ferdinand, ndërmjet viteve 1588 dhe 1593, përmes ndihmës së dukës Marius Sforca të Urbinos dhe të dukës Arescot.

Në sallën XXV Nr. 71 (127), të Muzeut të Arteve të Vjenës, ndodhet përkrenarja “George Skanderbeg”. Ajo është ngjyrë e bardhë, me rrafshe të arta dhe ka sipër saj një kokë dhie të artë me dy brirë. Kjo përbëhet prej dy pjesëve: një pjesë bakri dhe pjesa tjetër sipër, është me një copë metali, buzët e së cilës janë të zbukuruara në ar. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri me një gjatësi prej 65 cm dhe në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I. N. P. E. RA. TO. BE. BT. Ky shkrim, që është shumë i vështirë për ta kuptuar se çfarë thotë, deri tani e kanë deshifruar kështu: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae. Regi Albaniae. Terrori Osmanorum. Regi Epiri. Benedicat”. Poshtë buzës së përkrenares janë vënë 9 copa të mëdha dhe këto janë të lidhura me një rrip lëkure me bojë hiri. Pesha e të gjithë përkrenares është 3000 gr. Sado që kjo përkrenare ka elemente orientale, mendohet se është punuar prej një artisti venecian.Si shikohet në shkrimin e viteve 30-të nuk vihet në dyshim mbishkrimi në përkrenaren e Skënderbeut si me të drejtë konstaton shumë vite më vonë studiuesi Kristo Frashëri në librin e vet “Historia e Skënderbeut” kur shkruan se në pjesën e poshtme të saj, ka rreth e rrotull nje rrip bakri me një mbishkrim prej gjashtë rrokjesh, të ndarë midis tyre me rozeta: IM*PE*RA*TO*RE*BT, që do të thotë: Jezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae*Terrori Osmanorum*Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit te bekon ty Skenderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqiperise, Tmerri i Osmanllinjeve, Mbret i Epirit). Por rripi prej bakri me këto gjashtë monograme duket se është vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit, të cilët kanë menduar se me shtimin e titujve do t’ia rritnin atij vlerën, kurse, sic u tha, ai nuk ka mbajtur asnjë nga këto tituj, por vetëm “Zot i Shqipërisë” (Dominus Albaniae). Arsyeja duket se ka qenë se pushtetit mbretëror dhe vetë Mbretit që shpesh herë po mundohej të gjente lidhje mes familjes së tij dhe asaj të Skënderbeut i pëlqente që ky emërtim të ishte i vërtetë pasi duke qenë i tillë, i jepte Zogut që vetëm katër vjet më parë ishte vetshpallur mbret, legjitimitet më të madh ndër shqiptarë dhe arsye shtetërore më tepër për të qeverisur. Më poshtë informacioni i gazetës Besa vazhdon për shpatat e Heroit Kombëtar. Në Muzeun e Arteve të Vjenës ka dy shpata të Skënderbeut. Njëra shpatë është me dorezë kadifeje, në të cilën shënohet emri i Skënderbeut dhe është e gjatë 88.5 cm dhe e gjerë 5.7 cm, me dy tehe, me një formë të drejtë dhe me një majë të kthyer, që përmban disa shkronja latine, ku lexohen këto fjalë: “Heroi i Perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është prej druri, e mbështjellë me lëkurë. Pesha e kësaj shpate është 1300 gr. dhe bashkë me këllëfin, është 1900 gr.

Shpata tjetër është me dorezë lëkure shagren, ka në anët e jashtme katër arabeska të thella, tre rrypa për hijeshi. Shpata është e përkulur në formë harku, gjatësia e saj është 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e gjithë shpatës është 3, 2 kg. Kjo formë me ornamente tregon se ajo është bërë në gjysmën e parë të shekullit XV.Në inventarin e pikturave të sekretarit privat Schrenchk (Shrenk), e titulluar “Armamentarium heroicum” të vitit 1601, është tabloja XVI “Skënderbeu me përkrenare”. Skënderbeu rri në këmbë në profil, duke kthyer kokën dhe mjekrën e gjatë nga krahu i majtë. Ai është i veshur me një pallto të gjatë me astar lëkure dhe ajo mbërthehet në gjoks nga shirita. Në krahun e djathtë mban lart shpatën e zhveshur, ndërsa poshtë në tokë, afër këmbës qëndron përkrenarja. Në kokë Skënderbeu mban një beretë. Objektet, që janë pasqyruar në këtë pikturë, i ngjajnë shumë origjinaleve që ndodhen në Muzeun e Artit Historik të Vjenës. Historiani Kristo Frashëri saktëson shume vite më vonë se gazeta Besa në librin e vet “Historia e Skënderbeut” dhe cilat nga shpatat përdorej në sheshin e betejave dhe cila për akte ceromoniale. Ndër dy shpatat, ka mundësi që Skënderbeu në fushën e betejës të mos përdorte ate me trup te drejte, por pallen me trup te harkuar (sic nenkuptohet nga Dh.Frengu), per arsye se e para ishte e shkurter per shtatin e tij te gjate, kurse me pallen, te cilen e kishte ne perdorim ushtria osmane, ai eshte familjarizuar me teper se me te paren. Ketyre mund t’u shtohet dhe nje arsye tjeter: me te paren luftetari e kishte me te lehte ta godiste kundershtarin horizontalisht, kurse me te dyten kishte perfitim, sidomos kur ishte trupmadh, ta asgjesonte me lehte armikun me nje te rene te fuqishme vertikalisht. E njejta gje mund te thuhet dhe me perkrenaren, e cila nuk duhet te kete qene komode ne fushen e betejes. Perfundimisht, mund te thuhet se se si perkrenarja ashtu edhe shpata me trup te drejte i kane sherbyer qe kjo e dyta te jete shpata qe Papa Pali II i dhuroi Heroit, naten e Krishtlindjeve se vitit 1466.

Nuk ka dyshim se objekti më interesant nga armët e Heroit tonë Kombëtar mbetet përkrenarja me simbolin e saj krejt të veçantë në krye, kokën e dhisë. Sipas Frashërit se çfare ajo simbolizon mbi perkrenaren e Skenderbeut, eshte veshtire te shpjegohet me saktesi. Mund te shpjegohet me kultin e dhise se eger, simbolin e zanave shqiptare, te cilat jetojne, sipas legjendes, edhe sot ne bjeshket e larta, perfshire edhe ne ate te Gjelagjoshit, mali qe qendron mbi krye te Qidhnes se Dibres.(prej nga Frashëri argumenton në librin e vet se ka origjinën familja e Kastriotëve). Mirëpo kulti i dhisë së egër sigurisht që ka një shtrirje më të gjerë në mitologjinë ballkanike duke datuar që në kultin e Zeusit, ku ai i hedhur nga Olimpi nga e ëma e vet, Gjea për ti shpëtuar frikës paranonjake të atit të vet Kronit që gëlltiste çdo qenie që lindte, bie në Kretë dhe ushqehet nga nga një dhi e quajtur Amaltia. Ka shenja qe tregojne se kulti i dhise se eger eshte shume i lashte. Shkrimtari romak i shekullit te I-II te eres sone S.Suetom Tanquilli (De Vita Caesarum, L.II, 12, 94) shkruan se perandori romak Augusti, gjate luftes kunder Batos se ilireve, kur arriti ne Apoloni, preu per nder te fitores se tij, nje monedhe argjendi me koken e dhise se egër. Po kështu është tashmë një dëshmi e njohur nëpërmjet Plutarkut se Pirro i Epirit mbante një kokë dhie të ngjashme në përkrenaren e vet çka mund të mendohet për një kult të mirëformuar në viset epiriote ilirike. Gjatë gjithë jetës së vet, qysh prej kthimit të tij në viset atërore, Skënderbeu ndihej shumë krenar ndaj trashëgimisë epiriote-maqedonase të teritoreve të veta , fakt që dëshmohet dhe në letrën e vet dërguar Princit të Tarantit në 1461 ku nënvizon origjinën epiriotase të popullsisë arbëre. Një dëshmi tjetër është vepra e Barletit ku vazhdimisht përforcohet origjina epiriote e truajve dhe popullsisë arbëre . “Njerëzit kur vështronin atë rini luftarake dhe kur shikonin atë lule burrash rreth Skenderbeut, nuk u dukej aq çudi që fuqitë e Muratit ishin thyer prej shqiptarëvet. Me të vërtetë ishin kthyer atëherë përsëri shkelqimi i lashte i Maqedonise dhe dukej se kishin ardhur prape tamam, sic ishin dikur, kohët tanimë të harruara të Aleksandrit dhe të Pirros”.

Armët e Skënderbeut në Vjenë

=======================

Mesa duket kjo krenari e trashëguar nga antikiteti që u rigjet sërish gjatë Rilindjes Kombëtare dhe u rishfaq më dukshëm në kohën e shtet formimit shqiptar shërbeu për përforcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve ku armët e Skënderbeut luajtën një rol të veçantë si objekte krenarie dhe dëshmuese të një formacioni politik të sukseshëm të shqiptarëve në mesjetë. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet që me porosi të qeverisë shqiptare të paraluftës, një kopje identike e përkrenares se Skënderbeut, punuar me 1937 nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun historik të Tiranës dhe në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë armët origjinale u ekspozuan në Muzeun historik. Memoria kolektive historike është një nga mjetet që se ndërton fuqishëm identitetin e një popullsie dhe në rastin e etnisë shqiptare, kjo kujtesë kolektive kombëtare shërbeu si një mjet bashkues për ngjizjen e identitetit kombëtar.

Bibliografia:

1- Ilir Ikonomi. Faik Konica.Jeta në Uashington. Tiranë: Onufri

2- Kristo Frashëri. Skënderbeu, jeta dhe vepra. Shtëpia botuese: Toena, Tiranë, 2002

3- Gazeta Besa, 3 mars 1932

Foto: Manjola Lumani

Filed Under: Histori

Joseph Cowen: deputeti që përkrahu çështjen shqiptare në parlamentin anglez

October 13, 2023 by s p

Prof.As.Dr. Hasan Bello/

Rrethanat e vështira që u krijuan pas Kongresit të Berlinit dhe Shën Stefanit (1878) ku një pjesë e trojeve shqiptare u jepeshin shteteve ballkanike, i shtyu shqiptarët drejt një qëndrese të armatosur, e cila gjeti shprehje me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Përpjekjet e kësaj organizate, veç ngadalësimit të këtij gjymtimi, sollën si rezultat edhe faktorizimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Fuqitë e Mëdha kur e panë se shqiptarët nuk do t`i lëshonin Hotin dhe Grudën pa luftë, vendosën që t`a detyronin Perandorinë Osmane që në vend të tyre t`i jepte Malit të Zi Ulqinin. Për zbatimin e këtij vendimi, shtetet evropiane, e kërcënuan qeverinë osmane duke dërguar një flotë ushtarake në bregdetin e Izmirit dhe në Ulqin.

Një veprim i tillë ngjalli debate në parlamentin anglez. Deputeti Joseph Cowen, mbajti një fjalim të zjarrtë duke iu drejtuar kryeministrit Gladston me fjalët: “Besoj se qëllimi i avulloreve luftarake që do të mblidhen në Raguzë është që t`i trembin turqit. Po sikur turqit të mos tremben? Ç`do të ndodhë atëherë? Forca detare e Anglisë, e Anglisë së lirë dhe konstitucionale, a do të përdori forcën për të djegur e shkatërruar kasollet e peshkatarëve dhe barinjve shqiptarë të Ulqinit?Për këtë qëllim të ligë do të përdoret fuqia e Britanisë?

Për interes të kujt do të bëhet kjo padrejtësi? Për interes të armiqve të Shqipërisë? Këta armiq janë të rrethuar prej një populli që është trim sa ata, dhe historia e të cilit humbet në mjegullën e kohës. Ky popull është populli shqiptar. Dhe shqiptarët janë populli më i vjetër i orientit. Ishin atje më parë se grekërit e vjetër.

Shqiptarët kanë legjenda dhe karakteristika të veçanta të tyre. Kanë disa cilësi që ndryshojnë nga ato të armiqve të tyre, por janë po aq trima sa ata. Plani i Fuqive është që të marrin një copë të Shqipërisë dhe t`ia japin armikut të saj, pa i pyetur shqiptarët dhe pa u kërkuar leje”.

Në këtë pikë, fjalën deputetit Cowen ia ndërpret një koleg, duke thënë se: “Shqiptarët nuk janë një komb”.

“Nuk janë një komb,–ia pret deputeti Cowen-, thotë zotëria e tij. Atë fjalë tha dhe princ Bismarku në Berlin. Princ Bismarku tha se nuk ka dëgjuar të kish një kombësi shqiptare. Po princ Bismarku nuk kish dëgjuar as për kombësin e Hollandës a të Danimarkës.

Një tjetër princ, po aq i fuqishëm atëherë, sa është Bismarku sot, pretendoi në Kongresin e Vjenës se nuk njihte kombësi italiane. Sipas mendjes së atij diplomati, Italia nuk ishte veçse një «shprehje gjeografike» dhe megjithë këtë, ne sot e dimë të gjithë se Italia është një komb i madh dhe i bashkuar. Ajo që u vërtetua për popullin e një ane të Adriatikut, pak më tepër se 50 vjet, mund të vërtetohet në një mënyrë të ndryshme dhe për anën tjetër, po për aq kohë”.

Nga fjalimi i deputetit anglez Joseph Cowen i mbajtur në vitin 1880 nuk kaloi as edhe një shekull dhe Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Cowen u tregua largpamës, objektiv dhe i drejtë.

Atëherë kur personalitetet më të mëdha të kohës vinin në dyshim ekzistencën e kombit tonë, ai thoshte se unë i njoh shqiptarët. Shqipëria po rilind.

Filed Under: Opinion

NJOFTIM NGA VATRA: NUK KA TAKIM TE SHTUNEN – VATRA ANNOUNCEMENT OF NO MEETING ON SATURDAY

October 12, 2023 by s p

PAN-ALBANIAN FEDERATION OF AMERICA “VATRA” 

2437 Southern Blvd, Bronx, NY, 10458 

USA 

Dear Members of Council, Vatra Leadership and members, 

As some of you may know, on October 11, 2023, the former branch of VATRA, the “Manhattan Branch” had sent an invitation for a meeting at our central office, to  Vatra’s President Elmi Berisha; Chief of Staff, Pashko Camaj; Secretary, Nazo Veliu and  Honorary President, Agim Rexha. This request has also appeared on social media long  before it was presented to the VATRA’s Leadership, which is a direct contradiction of  VATRA’s bylaws. 

In response to their illegitimate request, we wish to provide the following clarification: 

1- The “Manhattan Branch” is the only branch that has not signed the agreement with the  President and VATRA’s Leadership as requested by our bylaws. 

2- The “Manhattan Branch” has not paid the obligatory fees for the last two years, as  requested by our bylaws. 

3- The “Manhattan Branch” has continuously violated the VATRA codes and its laws.

4- The “Manhattan Branch” was asked to hold a meeting, to reconfirm the membership  and elect the new Chairman, because Agustin Mirakaj was expelled from VATRA and  under the legal actions for false and defamatory accusations.  

5. The “Manhattan Branch” has ignored all the pleads by VATRA’s Leadership to stop  the accusations and conform with VATRA’s codes. Instead, its chairman has engaged in  a demeaning propaganda and has issued continuous threats of even “taking VATRA by  force,” a clear and brazen violation of VATRA codes of 1926 (article 9) and the revised 2023 Code, in violations of articles 3, 42, 37, 49, 85, 88. 

Their allegations that VATRA’s Leadership is in violation of articles 27 and 30  of the Code, have no legal basis and are ridiculous. 

We ask the members of VATRA not to fall prey to this short-sighted  propaganda, which is in flagrant contradiction with the Codes of VATRA and laws of the  United States. 

In addition, please note that any member of our bellowed VATRA who violates  the Code by joining the illegitimate request for the meeting, will be in violation of  VATRA’s Codes and bylaws, and will be held responsible for such actions. 

We thank you for your understanding and consideration. 

Respectfully, 

VATRA LEADERSHIP 

12 October -2023, New York

Filed Under: Politike

Shpëtimi i hebrenjve  gjatë Luftës së Dytë Botërore në fshatrat shqiptare të Malësisë së Galabit

October 12, 2023 by s p

Dr. Sc. Qazim Namani

Ma. Emin Sallahu/

Në ketë punim trajtohen disa nga rastet e shpëtimit të hebrenjve, në familjet shqiptare nga Malësia e Galabit, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1941, territori i kësaj malësie ishte ndarë nga tre shtetet aleate që e kishin filluar luftën. Zona veriore ishte nën kontrollin e ushtrisë gjermane, dhe qeverisë kuislingë serbe, zona lindore ishte bashkuar me Bulgarinë, ndërsa Prishtina me disa fshatra në verilindje të saj, kishin ngelur në kontrollin e ushtrisë italiane, dhe ishin bashkuar me Shqipërinë.

Siç po shihet, në kufijtë e kësaj malësie, kishte pasur mjaftë raste, kur familjet shqiptare kishin rrezikuar familjet e tyre për shpëtimin e familjeve hebraike.

Duhet treguar respekt të veçantë, për shqiptarët e kësaj trevë, sepse e kishin shumë më vështirë, ti ndihmojnë familjet hebraike, sesa familjet tjera shqiptare, që jetonin brenda zonës së kontrollit nga ushtria italiane.

Për kontributin e dhënë, në shpëtimin e familjes hebraike, që kishte jetuar në fshatin Brainë, ushtria gjermane në vitin 1943 e vrau Arifin, i cili në vitin 1941 e kishte ndihmuar fqinjin e tij hebre, që ta kaloi kufirin gjermano-italian, për të shkuar në Prishtinë.

Ne gjatë hulumtimeve në terren, kemi intervistuar disa nga familjet shqiptare të cilat kishin pasur bashkëpunim, dhe kishin ndihmuar mjaftë për shpëtimin e hebrenjve në ketë rajon.

Shpëtimi i hebrenjve  gjatë Luftës së Dytë Botërore në fshatrat shqiptare të Malësisë së Galabit

Malësia e Galabit, përfshinë fshatrat në veri-lindje të qytetit të Prishtinës, anën e djathtë të lumit Llap, e deri në rrafshin e Prokuples, Leskocit, e deri te rrjedha e lumit Morava afër Vrajës, Bujanocit, ku rrjedha e këtij lumi këto male i ndanë me Malet e Zeza të Shkupit, afër Gjilanit, për të vazhduar me varg malet përgjatë rrafshit të Kosovës deri në Prishtinë. 

Është me rëndësi të ceket se deri në krizën lindore 1877/78, kjo malësi ishte etnikisht e banuar me popullatë autoktone dardane, të besimit islam, besimit katolik latin dhe atij ortodoks.

C:\Users\User\galabri= galabet\gallapi6.jpg
C:\Users\User\Desktop\galab 12.png

Malësia e Galabit

Pas Luftës së Parë Botërore, hebrenjtë të cilët mbeten për të jetuar në qytetin e Prishtinës, u miqësuan dhe bashkëjetuan, duke krijuar marrëdhënie të ngushta me shqiptarët.

Pushteti i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, e në veçanti xhandarmëria serbe bënte diskriminime, ndaj popullatës jo sllave, e sidomos ndaj popullit shqiptar. Xhandarmëria serbe ushtronte dhunë, me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet etnike, me qëllim për ti kolonizuar tokat e tyre, me kolon serbë, të cilët i sillnin, nga të gjitha viset e mbretërisë SKS, por dhe nga diaspora.

Në këto kushte të vështira, shqiptarët dhe hebrenjtë bashkëpunonin ngushtë mes veti, dhe vepronin në çdo aspekt, për të mbijetuar si komunitete jo sllave.

Gjatë viteve në mes të dy luftërave botërore, në qytetin e Prishtinës, depot me mallra të ndryshme, dhe shitoret i mbanin hebrenjtë, në bashkëpunim me Nazim Gafurrin. Në shitoret e tyre furnizoheshin me mallra, popullata shqiptare e Prishtinës me rrethinë. 

Qytetarët shqiptar sot kujtojnë rrëfimet e të parëve të tyre, se pas Luftës së Parë Botërore, në Prishtinë, Nazim Gafurri dhe një tregtar hebre, i njohur me emrin Avram, i mbanin depot kryesore të mallrave në Prishtinë, nga të cilat furnizoheshin shitoret në Prishtinë, dhe shumë qytete dhe fshatra të rrethinës.

Qytetarët rrëfejnë se hebrenjtë, që kishin hapur shitoret e tyre edhe në Ferizaj, Lipjan, Vushtrri e Besianë, furnizoheshin me mallra nga depot e Prishtinës. 

Në rrethinën e këtyre qyteteve, hebrenjtë në disa fshatra të mëdha i kishin hapur shitoret e tyre, e të cilat në atë kohë quheshin hane.

Hebrenjtë kishin hapur hane, edhe në disa fshatra të Malësisë së Galabit, rreth 30-40 km në veri-lindje të Prishtinës e të cilat me mallra furnizoheshin në Prishtinë.

Përveç qytetit të sotëm Besianës, hebrenjtë kishin hapur shitore edhe në Orllan, Brainë, Kalaticë, Tullarë, dhe fshatra tjera të kësaj malësie. 

Në këto fshatra, ku hebrenjtë i kishin hapur shitoret, i kishin sjellë edhe familjet e tyre, dhe i kishin ndërtuar shtëpitë për banim. Ata jetonin me fqinjët shqiptar, sikurse të ishin familjar dhe të një komuniteti, respektonin njëri tjetrin dhe bashkëjetonin në harmoni të plotë, duke e ndihmuar njëri tjetrin.

C:\Users\User\Desktop\hebrenje mitrovice\harta shqipria 1941\Axis_occupation_of_Yugoslavia_1941-43.png
C:\Users\User\Desktop\hebrenje mitrovice\harta shqipria 1941\Map_of_Kosovo_during_WW_II.png
C:\Users\User\Desktop\hebrenje mitrovice\harta shqipria 1941\1_IRHP0PAIboozd9bxenMpHA.png
C:\Users\User\Desktop\hebrenje mitrovice\harta shqipria 1941\harta kosova 1941.png

Ndarja e sferave të interesit në mes te Gjermanisë, Italisë dhe Bullgarisë, në trojet shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore

Shqiptarët e fshatrave të komunës së Prishtinës dhe Besianës, kishin krijuar miqësi me familjet tregtare të hebrenjve, që jetonin në Prishtinë, ata furnizoheshim kryesisht nga tregtarët hebrenj, dhe ishin blerës të mallrave në dyqanet e tyre. Po ashtu edhe hebrenjtë, mbanin lidhje reciproke dhe shpesh herë i vizitonin fshatarët në shtëpitë e tyre. 

Ferat Musa i  lagjjës së Balajve nga fshati Prapashticë rrëfen se si gjyshi i tij Musa kishte pasur lidhje të forta tregtare dhe miqësore me një familje hebraike e cila  kishte pasur shitoren pranë xhamisë së madhe në Prishtinë. Kur Musa kishte vdekur, hebreu kishte qarë, dhe kishte kërkuar nga djali i Musës, Shabani që miqësia e krijuar të vazhdohet. Familja e Musës së Shushnicëve nga fshati Prapashticë, me dekada të tëra kishte shitur prodhime dhe kishte blerë mallra në shitoret e Solomon Baharit. Këta madje edhe kishin krijuar raporte shumë të afërta, dhe çmoheshin shumë mes veti. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, pas përmbysjes së sundimit sllav, Solomon Bahari e kishte shtyrë djalin e Musës Shabanin, që të fillojë me pjekjen e tjegullave dhe tullave tradicionale. Sipas Feratit, babai i tij Shabani gjate kësaj kohe kishte mbajtur kontakte me familjet hebraike te Prishtines.

Familja e Shaban Musës nga Prapashtica, në prag të Luftës së Dytë Botërore, e kishte ndërtuar një bunker në fshatin Prapashticë, në të cilin u strehuan shumë udhëtar, luftëtar dhe disa hebrenj, gjatë kësaj lufte.

Murteza Studenica, shkruan se në vitin 1944 në Prishtinë kur komunistët e morën dhe e pushtuan qytetin bënë pushkatime të shqiptarëve dhe hebrenjve të vendi i quajtur “Shejtaria” në Tauk-Bahqe. Këtu u pushkatua edhe hebreu i pasur z. Salamon Bahari dhe djali i tij Moshe Bahari me sajimin e akuzës se gjëja babë e bir iu kishin dhënë ryshfet gjermanëve dhe shqiptarëve që ishin bashkëpunëtor të armikut, por qëllimi kryesor i pushkatimit të tyre ishte plaçkitja e pasurisë së z. Salamon Bahar i cili kishte qenë pasanik i madh para dhe gjatë luftës. Sarina Samujel Bahar e shoqja e z. Moshe Baharit, jetoi në Prishtinë deri në vitin 1981, kur dhe vdiq.

Familjet shqiptare nga Malësia e Galabit, që kishin mbetur nën shtetin bullgar, po ashtu, rrezikuan jetën e tyre për shpëtimin e hebrenjve, që vinin nga qytetet lindore, duke e kaluar kufirin e Bullgarisë me zonën në kontrollin e Italisë. Si rast që vlen të përmendet është shpëtimi i një të riu hebre nga Leskoci, për të cilin Sadik Behluli bëri shumë për të shpëtuara jetën e tij.

Sipas rrëfimeve nga Ilaz Namani nga fshati Prapashticë, ruaj kujtimet se në kohën e presioneve të pushtetit serbë,  për ti shpërngulur shqiptarët për në Turqi, në prag të Luftës së Dytë Botërore, pushteti i kishte bërë presion një familje shqiptare në Orllan, që të shpërngulej. Duke qenë në një pozitë të vështirë kryefamiljari shqiptar, vendosë që të konsultohet me një hebre, që atë kohë jetonte në Orllan. Kur shqiptari i rrëfeu hebreut për presionet e pushtetit, që ta shpërngulin nga toka e të parëve të tij. Pasi që ishin ditët e para të Pranverës, hebreu u mendua dhe i tha shqiptarit, shko në organet e pushtetit, dhe e bënë një lutje që të qëndrosh në token tuaj, deri sa ta vjelësh grurin në muajin korrik. Shqiptari veproi kështu dhe lutja ju pranua. Kur erdhi muaji korrik, askush më nuk i bëri presion të shpërngulet, dhe kjo familje shqiptare edhe sot jeton në token e vet.

Sipas rrëfimeve të Muharrem Hoxhës, nga fshati Brainë, rreth viteve tridhjeta të shekullit XX, në fshatin Brainë, kishte ardhur për të jetuar familja e hebreut Moisi Samuel.  Moisi e kishte marrë me qira shitoren e Hasit (Hasanit), djalit të Mustaf Hoxhës nga Braina, familje kjo nga Prokulpa. e shpërngulur me dhunë  gjatë krizës lindore, dhe vendosur për të jetuar në Brainë.

Në mes të dy luftërave botërore, Hasani e kishte hapur një shitore të vogël në fshatin e tij. Sipas burimeve të shkruara deri në Luftën e Parë Botërore hebrenjtë, jetonin në qytete të zhvilluara dhe shitoret i mbanin vetëm në qytete. 

Hasani në ato vite e kishte mbyllur shitoren, pas një përmbytje të qerres me mall, në përroin e Batllavës. Vala e ujit pas vërshimeve e kishte rrëmbyer qerren me mall, dhe me kalin, që e tërhiqte i cili mbytet. Arifi i cili kishte qenë me qerre, falë disa fshatarëve, të cilët kishin qenë duke kositur barin, shpëton pa u mbytur. Në shitoren e tij mbaheshin mallra, nga gjërat elementare për ushqim dhe veshmbathje. Kryesisht fshatarët në shitoren e tij furnizoheshin me krip, gazë, sheqer, bezë (shtofë), këpucë, pezhvë për lyrjen e rrotave të qerreve etj.

Pas Këtij rasti shitoren në Brainë e mbante hebreu. Muharremi, tregon rrëfimet e Isak Sylës, bashkë fshatar i tij, kur kishte shkuar me babanë e tij, për të blerë një parë opinga në hanin e Moisiut. Isaku me qenë se nuk kishte para, vendos që opingat ti blejë me këmbim te mallit, në këtë rast opingat i blenë me fasule. Për ti blerë një parë opinga, Isaku duhej të ja jepte Moisiut, një teneqe fasule, që bënin 25 kg. Moisiu në shitoren e tij, grumbullonte prodhimet bujqësore dhe blegtorale  të freskëta, por edhe lëkura të kafshëve.

Moisiu jetonte në një shtëpi afër shitores së fshatit, në këndin e arës, afër rrugës, përballë xhamisë së fshatit Brainë.

C:\Users\User\Desktop\hani dhe shtepia e hebreut.JPG
C:\Users\User\Desktop\hani.JPG

Trualli ku kishte qenë Shtëpia dhe Hani(shitorja e hebreut), në fshatin Brainë

Muharrem Hoxha tregon për rrëfimet të cilat i kishte dëgjuar nga halla e tij Kadishja, se shtëpia ku banonte Moisiu, i kishte pasur dy dhoma, dhe një korridor të vogël. Ajo i kishte rrëfyer edhe për familjen e Moisiut, ku gruaja e Moisiut e kishte pasur emrin Luna, djali i tij Bejto (e quanin Bejtush), dhe dy vajzat Alegria dhe Shelika. 

Me qenë se ishin fqinjët e parë më familjen e Muharrem Hoxhës, të dy familjet shkonin dhe vinin te njëri tjetri, sikurse të ishin familjarë të ngushtë. Halla e Muharremit Kadishja, kishte treguar se  të gjithë hebrenjtë e kanë ditur gjuhen shqipe, dhe në kemi folur vetëm shqip. Ajo kishte treguar edhe për disa tradita të familjes hebrenj, dhe për ritet e tyre fetare. Sipas saj hebrenjtë agjëronin vetëm 9 ditë. Kadishja kishte treguar se hebrenjtë nuk e ndizeshin zjarrin ditën e shtunë, dhe çdo të shtune më tirrnin mua për ta ndezur zjarrin në oxhakun e shtëpisë.

Kur hebrenjtë i kishin festat e tyre kombëtare, e thirrshin familjen e hoxhës së Brainës, e sidomos për festën e Bajramit.

Kadishja kishte treguar se punonin së bashku, luanin së bashku dhe përveç bisedave baba i saj me Moisiun bënin edhe shaka. Asaj ju kujtofshin shpesh shakat e babës së saj Hasanit dhe Moisiut duke i thënë, hajde të bimë shahadet bashkë dhe të dytë fillonin:

La ilahe ilallah, hak Muhamed resulullah. Moisiu thoshte lahe ilahe ilallah e nuk e përmendte Muhamedin. Hasani i kishte thënë: Pse Moisi nuk po e përmend Muhamedin? Ai ia kthente Hasanit, jo jo se ne jemi tjetër drejtim, dhe të dytë qeshnin së bashku.

Halla Kadishja i kishte treguar Muharremit, se Luna bukën nuk e gatuante sikurse gratë shqiptare, por i gatuanin dhe i piqeshin si petë. Gjatë kohës kur ata agjëronin në ushqim nuk i përdornin yndyrat.

Familja e Hasani për më shumë se një dekadë, ishin familjarizuar dhe kalonin shumë mirë me familjen e Moisiut. 

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, ata ndiheshin të shqetësuar, dhe merrnin lajme te hidhura për fatin e hebrenjve në Gjermani.

Pas hyrjes së gjermaneve në këto anë, në vitin 1941, te familjet e hebrenjve  u përhap frika, se mos po i shfarosin sikurse që kishte ndodhur me hebrenjtë në Gjermani.

Sidomos pas ndarjes së kufijve, dhe zonave të interesit në mes të Gjermanisë, Bullgarisë dhe Italisë, në Kosovë dhe viset tjera shqiptare, kur Braina mbeti në territorin e Serbisë, të kontrolluar nga gjermanët, Moisiu vendos që ta braktisë fshatin Brainë. Moisiu kërkon ndihmën e shqiptarëve, për të ju bashkangjitur turmës së hebrenjve që grumbulloheshin në Prishtinë. Moisiu me tërë anëtarët e familjes së tij, dukë i merr vetëm gjërat elementare për familjen dhe me ndihmën e shqiptarëve niset drejt Prishtinës, për mos me u kthye kurrë ma në fshatin Brainë. 

Arifi djali i Hasan Hoxhës, me qerre dhe me kuaj, e përcjell familjen e Moisiut deri në kufirin e sferave të interesit, mes Gjermanisë dhe Italisë. Sipas dëshmive që i morëm nga Muharrem Hoxha, Arifi, në vitin 1943, ishte vrarë nga ushtarët gjerman për shkak se kishte ndihmuar familjet hebraike nga këto fshatra të kalonin në zonën e Italisë. 

Zona që kishte mbetur brenda kufijve të Italisë, ju kishte bashkuar shtetit amë dhe quhej Shqipëri. Familja e Moisiut pas strehimit në shtetin shqiptar, dhe formimit të shtetit të Izraelit, kishte shkuar për të jetuar në shtetin e Izraelit.

Vlen të përmendet se pas vendosjes së familjes së Moisiut në Izrael, për një kohë familja e tij dhe Hasan Hoxhës nga Braina, kanë komunikuar përmes letrave.

Muharremi tregon se babai i tij Beha (Bajrami), i kishte treguar për letrën e parë që e kishte dërguar Moisiu nga Izraeli. Moisiu përveç që i kishte treguar se kanë shkuar mirë në shtetin e Izraelit, ai e kishte njoftuar Hasanin, për trajtimin e tyre në truallin e ri. Moisiu kishte shkruar se atyre ju kishin dhënë një shtëpi, dhe një lopë për ta ushqyer familjen. Ai kishte shkruar se lopa e tij, po i qet 25 litra qumësht. Për Hasanin kjo ishte një befasi, sepse nga raca e lopëve që mbaheshin, në ato vite në Kosovë , nuk ishte dëgjuar që një lopë mund të qet aq shume qumësht.

Në kujtim të asaj që Muharremi kishte dëgjuar për familjen hebraike që kishte jetuar dikur pranë familjes së tij, e kishte pagëzuar mbesën e tij me emrin e shoqes së Moisit Luna. Muharremi me dashamirësi për atë familje hebraike thotë se vajza e djalit tim e ka emrin Luna. Muharremi thotë se shpesh herë kur e thërras mbesën time Lunën , më kujtohen rrëfimet e hallës Kadishe për Lunën gruan e Moisiut.

Muharremi po ashtu tregon edhe për familjen e hebrenjve që kishte jetuar në fshatin Kalaticë. Sipas tij hebreu me emrin Isak që jetonte në Kalatic, ishte baxhanak me Moisiun, që jetonte në Brainë. Gruaja e Isakut, e kishte pasur emrin Matillka, me të cilën i kanë pasur dy djemtë.. Njëri nga djemtë e ka pasur emrin David, ndërsa emir i djalit tjetër as këtij nuk po i kujtohet.

Muharremi thotë se të gjitha këto të dhëna, për këto familje hebraike, i ka kujtim nga rrëfimet e babës së tij Beha (Bajrami), që i kishte shënuar prej babës së tij kur ishte në moshën 83 vjeçare, dhe nga halla e tij Kadishja.

Ramadan Maloku i lindur në fshatin Brainë, me 18.07 1948, (inxhinier i makinerisë, tani në pension), rrëfen kujtimet e tij për familjen hebraike e cila deri ne vitin 1941, kishte jetuar në fshatin e tij. Ramadani thotë se Moisiu i cili jetonte në Brainë e kishte një djalë dhe dy vajza. Mojsiu e kishte Isakun  në Kalaticë baxhanak. Menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Isaku është takuar në spitalin e Dubrovnikut me Behen, djalin e Hazir Malokut nga Braina. Beha kishte qene i rekrutuar si ushtarë në grupin e dytë të shqiptarëve, të cilët nga Malësia e Galabit dhe rrethina e Gjilanit e Ferizajt, u dërguan në Tivarë.

Gjatë rrugës deri në Tivarë ushtarët shqiptar, ishin vrarë dhe  rrahuar rëndë, nga ushtria e brigadave serbo-maqedonase.

Grupi i parë i shqiptarëve, nga rajoni i Drenicës dhe Kosovës qendrore, prej rreth 4000 ushtarë shqiptarë por sa arrijnë në Tivar, të gjithë pushkatohen dhe kufomat e tyre hedhen në Detin Adriatik.

Ushtarët shqiptarë nga grupi i dytë, prej 3-4 mijë, ishin rrahuar gjatë rrugëtimit, disa ishin vrarë, por  sa arrijnë në Tivar nuk vriten, shohin gjurmët e gjakut dhe rrobat e shqiptarëve, që ishin vrarë dy ditë më parë. Ky grup i ushtarëve mbahet në kushte të vështira, pa kushte higjienike, të uritur dhe pjesa dërmues të ftohur, nga rruga e gjatë dhe e mundimshme. 

Nga kushtet e vështira dhe vuajtjet gjatë rrugëtimit, Beha i Hazir Malokut, ishte ftohur dhe kishte marrë kallje të rëndë në mushkëri. Beha i sëmurë kishte përfunduar në spitalin e Dubrovnikut. Isaku baxhanaku i Maojsit, i cili kishte shpëtuar, dhe tani kishte qenë duke punuar në spitalin e Dubrovnikut, e takon Behen. Sipas rrëfim që më vonë kishte treguar vet Beha, hebreu kishte treguar mirësinë dhe kujdes të veçantë për ta shëruar Behen. Ai vazhdimisht Behes i kishte qëndruar te koka duke i dhenë barna, ushqim dhe injeksione, deri sa është shëruar. Pas shërimit Beha vazhdon rrugën deri në qytetin e Trieshtës. Pas kalimit të Trieshtës në territorin e Italisë, Beha kthehet prapë në Barinë dhe rrëfen rrugëtimin e vështirë, dhe mes tjerash tregon edhe për takimin me hebreun, në spitalin e Dubrovnikut.

Zijadin Zeqiri, i lindur në vitin 1958, në fshatin Kalaticë, i cili rrëfen rrëfimet që i kishte dëgjuar, për nga të parët e tij për qëndrimin e një familje hebraike, te familjarët e tij në fshatin Kalaticë. Sipas kujtimeve të Zijadinit, shitoret e këtyre fshatrave që i mbanin disa familje hebraike, furnizoheshin me mallra nga një hebre i quajtur Avram, dhe Nazim Gafurri në Prishtinë. 

C:\Users\User\Desktop\foto kalatice 2021\DSC_0002.JPG
C:\Users\User\Desktop\foto kalatice 2021\DSC_0003.JPG

Trualli ku kishte qenë Shtëpia dhe Hani(shitorja e hebreut), në fshatin Kalaticë

Zijadini rrëfen për një rast kur Hasani (Hasi), djali i Mustaf Hoxhës nga Barina, i njohur në këto anë si Hoxhë Braina,  e kishte treguar shpesh në këto fshatra. Hasi (Hasani) duke shkuar prej Braine në qytetin e Prishtinës, diku rrugës në mes të fshatit Siqevë dhe Bërnnicë e gjen një çantë me para dhe dokumente. Nazim Gafurri e kishte humbur çantën e tij, duke u kthyer nga Besiana (Podujeva). Hasi por sa shkon në depon e Avramit dhe Nazim Gafurrit, aty takohet me të dytë. Hasi e vëren se Nazim Gafurri ishte shumë i mërzitur, dhe nuk kishte vullnet të zhvillonte bisedën. Hasi e pyet Avramin, çka ka Nazim Gafurri ? Avrami i thotë Hasit se, Nazimi e ka humbur sot një çantë dhe është shumë i mërzitur. Hasi i drejtohet Nazimit, ja thotë çantën e kam gjetur unë duke ardhur rrugës.

Hasi në mes të dy luftërave botërore kishte qenë anëtar i Partisë së Xhemjetit, ndërsa Sejdi Sekiraça kishte qenë anëtar i Partisë Demokratike.

Në mes dy luftërave botërore, në këto anë i mbanin shitoret hebrenjtë. Një shitore ishte në fshatin Orllan, një në Brainë, një në Kalaticë, Tullarë dhe fshatra tjera. Hebreu që e kishte shitoren në Kalaticë quhej Isak. Isaku i ka pasur dy djem, njëri e kishte emrin David, ndërsa emir i tjetrit nuk i kujtohet.

Isaku e ka pasur hanin në tokën e Ramadan Ruhanit, bri rrugës që shkonte për Leskocë. 

Zijadini e rrëfen një rast, kur në mes të dy luftërave botërore, dikush ia vjedh shitoren Isakut në Kalaticë, dhe ia merr disa para dhe pak mall. Të gjithë banorët e Kalaticës, organizohen për ta zbuluar hajnin. Isaku monedhat që ju kishin vjedhur i kishte ngjyrosur, me një ngjyrë të veçantë, dhe të gjitha monedhave, ju kishte shënuar shifrat e tyre. Isaku ju thotë fshatarëve të Kalaticës, ju mos u merakosni se kjo pune do të zbulohet lehtë, duke i njoftuar fshatarët, se nuk kishte pësuar ndonjë humbje të madhe. Pas këtij rasti Isaku interesohet në hanet tjera për rreth Kalaticë , se kush nga qytetarët po shkon të blejë mall me monedhat e tij. Pas pak kohe një fshatar nga fshati Bervenik, shkon për të blerë mall me monedhat e Isakut, në hanin e Tullarit, dhe kështu zbulohet se kush ja kishte thyer hanin Isakut.

Po ashtu Zijadini rrëfen edhe një rast tjetër, kur në muajin qershor kishte pasur vërshime, pas një shiu që kishte rënë në fshatin Kalaticë. Isaku e kishte hanin dhe shtëpinë e tij pranë rrugës dhe  përroit të fshatit. Njërin nga djemtë e Isakut, e kishin marrë valët e ujit të përroit. Djalin e ri hebre, e kishte shpëtuar Shaban Ruhani , banorë i lagjes. 

Familja e Isakut, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore kishin përfunduar në shtetet perëndimore, e që në vitet nëntëdhjeta të shekullit XX, jetonin në Francë. Dy djemtë e Isakut, në vitin 1997, kishin ardhur në fshatin Kalaticë, për ta vizituar truallin e tyre ku kishin lindur. Porsa dy hebrenjtë kishin ardhur në lagjen ku kishin lindur, kishin pyetur, a është gjallë Shabani? Mes tjerash ata e kishin rrëfyer rastin dhe shpëtimin e tyre, nga komshiu i dikurshëm i tyre shqiptar.

Siç shihet nga këto raste, të familjeve shqiptare, që jetuan në zonën e kontrollit gjerman dhe shtetit nazist serbë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kontributi i tyre në shpëtimin e familjeve hebraike, ishte shumë më i vështirë sesa familjet tjera shqiptare që i ndihmuan hebrenjtë, brenda kufijve në zonën italiane.

Si përfundim mund të cekim se shqiptarët e kësaj treve rrezikuan shumë për mbrojtjen e hebrenjve, bazuar në kontrollin e ushtrisë gjermane dhe administratës së qeverisë kuisline serbe. Kjo dëshmohet edhe me rastin e Arifit, nga fshatin Brainë, i cili në vitin 1941, bëri shumë për ti ndihmuar hebrenjtë e fshatit të tij, që të kalojnë kufirin nga zona gjermane, në zonën italiane. Fal kontributit të Arifit ajo familje hebraike, që ishte ndihmuar nga shqiptarët i mbijetoi luftës dhe përfundimisht u vendos në shtetin e ri të Izraelit. Ky kontribut i kushtoi me jetë Arifit kur në vitin 1943 u vra nga ushtria gjermane. Sipas burimeve nga terreni, edhe familjet hebraike në fshatrat Kalaticë, Orllan, Batllavë, Tullarë, falë ndihmës së shqiptarëve, nga Prishtina kaluan në shtetin shqiptar, dhe arritën të mbijetojnë, gjatë Luftës së Dytë botërore.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT