• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

NJË VIT PA MITROPOLIT ILIA KETRIN- Mbresa nga njerëz që e kanë njohur nga afër

October 6, 2023 by s p

   Nga FuatMemelli-Boston

Sot më 6 tetor mbushet një vit që ndrroi jetë Mitropolit Ilia Ketri, një nga figurat më të shquara përfaqësuesve të fesë orthodokse të shqiptarëve të Amerikës.  Ai shërbeu me përkushtim për rreth 60 vjet duke propaganduar besimin në Zot, mësimet e Krishtit, për paqe dhe dashuri mes njerëzve. Për disa vjet ishte kryefetar i Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë dhe Kanada. Prindërit e tij ishin me origjinë nga Sinica e Devollit por kishin ardhur herët në Amerikë. Këtu lindi, u rit dhe u shkollua Ilia. Për figurën e tij është shkruar disa herë. Në këtë përvjetor mendova të sjell këndvështrimin të disa besimtarëve, por për të mund të flisnin të gjithë ata (o) që e kanë njohur. Desha të theksoj se sot në Sinicë në nderim të figurës së tij u mboll një bli.

Niko Dako, Boston

Hirësi Ilia Ketri është një figurë e rrallë me vlera të gjithanëshme, jo vetëm në aspektin fetar, por edhe njerëzor e patriotik. Ai vërtet kishte lindur në Amerikë dhe fizikisht kishte jetuar larg Shqipërisë, por e ndjente afër Atdheun e të parëve. Ai e fliste bukur gjuhën shqipe, njëlloj si ne që kishim lindur dhe ishim rritur në Shqipëri. Në predikimet që bënte, i trajtonte problemet fetare e filozofike në aspektin human dhe predikonte dashurinë për njerëzit. Fliste ngadalë dhe me zërin e tij kumbues i bënte për  vete besimtarët. Duke e dashur megjithë shpirt Shqipërinë dhe shqiptarët, herë pas here në kishën Shën Trinia në Boston ku ai shërbente ,bëhej nismëtar për organizimin e disa veprimtarive siç ishte ajo për 550 vjetorin e ndarjes nga jeta të Skëndërbeut, të ndarjes nga jeta të Dritëro Agollit, etj. Ndjenja e tij patriotike spikaste edhe në këngët që zgjidhte për të kënduar sa herë mblidheshim në sebepe të ndryshme, ose pas meshës kur nuk kishte të ndara.

Elena Kero, Boston

Hirësi Ilia ishte si një baba, jo vetëm për mua por edhe për shumë besimtarë të tjerë. Bisedat me të të ngrohnin zemrën dhe të përtërinin besimin në Zot. Mitropolit Ilia Ketri ishte një klerik i palodhur, një At shpirtëror i pashoq, i përkushtuar  dhe i duruar. Pavarësisht moshës, ai nuk nguronte të udhëtonte me orë të tëra për të qenë i pranishëm në pagëzime, kurorëzime apo ngushëllime, për t’iu gjendur pranë bashkëkombasve të tij.Tek ai gjeje mbështetjen, qetësinë, dhembshurinë, thellësinë e mendimeve, kurajën dhe humorin. Hirësia ishte gjithnjë i interesuar për zhvillimet e kishës dhe sidomos  për  Shqipërinë dhe për ngjarjet politike, ekonomike e shoqërore të saj. Ndodhej gjithnjë pranë shqiptarëve dhe kudo kur i ndeshte, i befasonte me shqipen e tij të saktë dhe me njohuritë e shumta që kishte mbi Shqipërinë, gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. Jam e bindur se pavarësisht se i larguar nga kjo jetë, prania e tij shpirtërore do të mbetet përjetësisht e gjallë mes nesh, mes besimtarëve dhe atyre që patën fatin ta njihnin e të fjalosnin me të në mbarë komunitetin shqiptar.
 Gjergji Nini,  Boston
Ilia  Ketri ishte njeri i rrallë. Ishim të privilegjuar ne besimtarët kishës Shën Trinia në Boston ku shërbeu disa vjet me rradhë. Ai interesohej për problemet e gjithë komunitetit, jo vetëm të orthodoksëve.Disa emigrantë nuk dinin anglisht, por ai na fliste në gjuhën e nënës. Ai dinte edhe gjuhë të tjera por fjalët e tij në gjuhën shqipe, na ngjisnin në shpirt të gjithëve. Ndarja nga jeta e tij na la një boshllëk të gjithëve që do kohë të plotësohet.
 Perikli Pano, Korçë
Po kujtoj vetëm disa momente që më kanë mbetur në kujtesë  nga ardhja e tij në fshatin tonë Sinicë,  nga e kishin origjinën prindërit e tij. Ishte fillimi i viteve 1990 kur ai kishte ardhur si drejtues i shkollës të përgatitjes së priftërinjve të rinj në Shën Avlash të Durrësit. Në një nga këto ditë vjen në Sinicë te shtëpia jonë, pasi nënën e tij babaj e kishte kushërirë. Në bisedë e sipër fshatarët filluan të flisnin për politikë.  Kjo nuk i pëlqeu.Unë isha pranë tij dhe më thotë: “Merja një kënge.” Unë ja mora dhe ndryshoi atmosfera. Pas  ca kohe biseda kaloi përsëri te politika. Ai përsëri më thotë: “Merja edhe një herë.” Ja mora dhe ndryshoi atmosfera. Hirësi Ilia i kishte shumë qef këngët shqiptare. Më kujtohet që kënga e parë që ja merte, ishte ajo me titull “ Ku kullosin shqerkat”, ku thuhej: O kullosin shqerkat, sa bukuri/Në malet tona, këtu në Shqipëri, etj. Ka ardhur disa herë në Sinicë si për shëmbull kur u rindërtua kisha e Shën Thanasit. Për të shkuar aty majë një kodre ku ndodhet kjo kishë, kishte hipur  mbi një kalë që ngjante si te filmi “Udha e shkronjave”. Ka ardhur gjithashtu në ditën e Shën Kollit që festohet më 20 Maj, etj.
 Petrit Alibej, kryetar i Shoqërisë “Besa-Besën” Boston
Kam plot kujtime për Ilia Ketrin por po ndalem vetëm në një, atë ditë kur shkuam për të vizituar “Vatrën “ në New York. Megjithëse ishte situatë e rëndë koviti, sapo i shfaqa këtë mendim tha:” Do vij pa tjetër, pasi nuk kam qënë asnjëherë!”U nisëm katër veta: ai, Aleko Dhima, Guri Stefani dhe unë. Na priti kryetari i Vatrës Elmi Berisha dhe pëfaqësues të tjerë saj. U gëzua shumë nga kjo vizitë e pritja që ju bë dhe ndër të tjera në fjalën e tij, tha:” Si kryefetar i Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë dhe Kanada, jam tepër i emocionuar  që bëj këtë vizitë për herë të parë në “Vatër” , një emër i madh që nderon komunitetin shqiptar kudo në Botë. Jam i emocionuar gjithashtu që në këtë sallë shoh fotografitë e vatranëve që u dalluan për patriotizëm, për punën dhe sakrificat që bënë. Ne jemi këtu sot falë sakrificave që bënë paraardhësve tanë.Veprimtaria e “Vatrës” ka ndikuar jashtëzakonisht shumë për zhvillimin e kombit shqiptar. Ne përfaqësuesit e kishës duhet të punojmë çdo ditë që meshën ta bëjmë në shqip, që çdo kishë të ketë prift shqiptar, të mësojmë gjuhën e nënës, historinë dhe kulturën e kombit shqiptar.Perëndia më ka bekuar me prindër që më më mësuan shqip, me besim  te Zoti dhe me shpirtin patriotik. “

Filed Under: Emigracion

Bruno Selimaj ne Tri Dimensione – Biznesi, Familja, Bashkësia Shqiptare

October 6, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Mbrëmja për 45 vjetorin e restorantit të familjes Selimaj ju dha mundësinë miqve, dashamirëve e klientëve të ftuar nga nikoqirët jo vetëm të shprehnin vlerësimet e mirënjohjen e tyre për bashkatdhetarin Bruno (Shuqri) Selimaj, dhe të reflektojnë më thellë për veten. Për sa i takon anës së biznesit, Bruno ka hyrë në listat e restoranteve më të mira me menu italiane që nga koha e hapjes në vitin 1978, një jetëgjatësi që është e rrallë për vetë standardet e industrisë ushqimore në Nju Jork. Klasifikimi Zagat, anketimi më i njohur i restoranteve, shkruante se nëse shkon aty për herë të dytë, Bruno ta mban mend emrin.” Parametrat e matjes së suksesit në biznes mund të jenë fama, paratë etj., por përsa i takon bashkësisë shqiptare restoranti luksoz në lagjen verilindore të ishullit Manhattan ka qenë “vend takimesh dhe vendimesh të shumta për aktivitetet e komunitetit shqiptar për kombin në përgjithësi e për Kosovën në veçanti,” siç tha Xhevat Kukaj, gazetar dhe veprimtar nga treva Plavë-Guci. Folësit u përqendruan në disa momente kyçe të jetës së Brunos dhe veprimtarive te Bruno – restoranti që dekadë pas dekade ishte sinonim me përpjekjet e diasporës për çështjen kombëtare. Christopher Hyland, ish-Drejtori Kombëtar Politik i Fushatës së Presidentit Clinton, përcolli urimet e tij dhe vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të Brunos në të mirë të njohjes sa më të mirë të situatës të shqiptarëve në Kosovë.

Z. Kukaj e quajti Brunon –zemra e shqiptarit- ndërsa cilësitë humaniste të Selimajve i vendosi në kontekstin e bujarisë, mikpritjes dhe dashurisë për atdheun, si “traditë e trashëguar nga të parët e tyre Nokshiqan, të cilët u shkrinë e dogjën për atdheun sa herë që ishte nevoja.” Mikpritja te Bruno manifestohej në shumë forma që nga dhënia e mundësive të punësimit dhe aftësimit të shumë shqiptarëve te mbështetja materiale e shumë botimeve, projekteve e radio programeve në gjuhën shqipe. “Nuk ka demonstratë e protestë, aktivitet e manifestim kombëtar që nuk ishte Bruno prezent,” tha Kukaj në fjalën e tij përshëndetëse. Për veprimtarinë humanitare e patriotike dhe kontributin e tij, midis të tjerave, Bruno është vlerësuar me tituj e dekorata nga Presidenca e Shqipërisë dhe e Kosovës, çertifikatë mirënjohje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Agron Selimaj, bashkëpronar dhe manaxher i Club A Steakhouse, biznes që u hap në 2018, prej restorantit Bruno, bëri një përshkrim të prekshëm me episode ku ilustrohej jeta e familjarëve në të cilën përçapjet për biznesin zënë vend qendror por përparësia, siç tha ai, “u vendos se ishte familja.” Ai lexonte me emocion nga telefoni i tij para mikrofonit të vendosur në krah të barit me dru ekzotik, rrethuar nga anëtarët e familjes, bashkëshortja, vëllezërit Arben dhe Alban, të cilët punojnë bashkë me të. Bruno e kishte përjetuar skamjen në vendlindje dhe erdhi në Amerikë nga dëshira për jetë më të mirë. “Pasioni dhe vullneti – Pasion and will – janë çelësi i suksesit të tij,” tha Agroni.

Të mbash një restorant për 45 vjet është një arritje e rrallë, siç pohuan shumë nga të pranishmit një pjesë e të cilëve janë vetë në këtë biznes. Suksesi si restorantor duke pasur në krahë familjen e tij dhe njëherësh duke qenë një aktivist i përkushtuar në bashkësinë shqiptare amerikane e vendos Brunon në një kategori të rrallë mes bashkatdhetarëve.

Mbaj mend se Bruno na priste me shprehjen ‘jeni n’ shpin’ tuj” kur shkoja me babin dhe anëtarët e familjes qysh në mesin e viteve 90-ta. Atëherë disa nga ne ishim të sapoardhur në Amerikë. Bruno dhe Kumrija (Kathy) – nikoqirë fisnikë dhe bujarë prisnin e përcillnin sipas traditës shqiptare pa orar e pa ditë pushimi. “Te Bruno” ishte “oda” për takime të komunitetit, për pritje të personaliteteve por edhe festimet e ditëlindjeve. Si në atë kohë, edhe sot e quajnë “Shtëpia e Shqiptarëve”. Kur kaloje pragun dhe hyje brenda, Bruno kishte përgjatë perimetrit të sallës një mural me ngjyra të ndezura nga piktori i lindur në Romë Giancarlo Impiglia. Dekorimet, mermeri dhe menyja janë të stilit italian, por brendia është fryma shqiptare. Prej pragut të restorantit e matanë është rruga 58 midis avenysë 2 dhe 3 në Nju Jork. Nga pragu e këndej është pjesë shqiptare. Ashtu si ndodh përgjatë autostradave apo në kalime kufitare, në hyrje duhet të vëmë një pllakë a një tabelë me mbishkrimin: You are now entering Albanian heartland.

Motra ime Julika kujton se xhaxhai Peter Prifti dhe pastaj edhe babai ynë Naum Prifti e quanin Brunon Patrioti Numër 1. Në restorantin e tij mbaheshin mbrëmje patriotike për mbledhje ndihmash, takime me diplomatë e personalitete shqiptare, me kongresistë e senatorë amerikanë, bëheshin provime të shumë librave të autorëve shqiptarë, kosovarë e nga trevat e tjera shqiptare. Babai thoshte se Bruno e jepte një të tretën e fitimeve të tij për luftën në Kosovë. Ai qe i pari që e punësoi Naum Priftin në Amerikë, duke i dhënë mundësinë të bënte punë intelektuale të përditshme – që është fat i rrallë për emigrantët e sapoardhur. Bruno Selimaj dhe Dino Hasanaj ishin nismëtarët dhe sponsorët e librit Kombi, për hartimin e një vizioni mbarëkombëtar me mendimet e specialistëve shqiptarë. Babai ishte bashkë koordinator dhe redaktor i vëllimit. Ne e kemi dëgjuar babanë të thoshte se Bruno nuk i ra kurrë gjoksit dhe nuk u mburr kurrë për punët e mëdha që ka kryer nga hera për të mirën e shqiptarizmit. Ai nuk ka kërkuar asgjë për shërbimet dhe kontributin e tij, por është i mirënjohur anë e mbanë për bujarinë e tij.

Në mbrëmjen e 45 vjetorit në emër të familjes Prifti i dhuruam Brunos foton e festimit të 65 vjetorit të babit, më 7 mars 1997, bashkë me mirënjohjen tonë. Dëshmia më elokuente e influencës së Brunos për bashkësinë shqiptare janë pasardhësit e brezit të babait – ardhja e vajzave në këmbë të babait, dhe fëmijët tanë në gjurmët e prindërve të tyre.

Filed Under: Interviste

Doktrina e padënuar antishqiptare

October 6, 2023 by s p

Prof. Sylë Ukshini/

Nëse diplomatët dhe publiku i gjerë dëshirojnë të kenë qoftë edhe idenë më të paktë për qëndrimin e politikës serbe të Beogradit ndaj Kosovës, e cila në vitet ‘90 u bë një çështje evropiane dhe ndërkombëtare, atëherë duhet marrë në dorë shkrime të tilla si i Ibrahim Rugovës: “Strategjia antishqiptare” (i mbajtur fillimisht si pjesë e debatit më 26-27 prill të vitit 1988, në Beograd, gjatë një takim mes shkrimtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë) shkrimet e tilla janë Bibla dhe Kurani për ta kuptuar nacionalizmin serbomadh. Shumë

ngjarje që rrodhën përgjatë viteve 1980-ta (të organizuata nga Akademia, Kisha dhe Elita nacionaliste serbe në Beograd) dhe shkrimet e asaj kohe na japin një pasqyrë të detajuar dhe janë një përpjekje për një paraqitje besnike të situatës së atëhershme në Kosovë e cila, ngjashëm si tani, përballej me agresionin politik dhe propagandën sistematike antishqiptare, e cila projektohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe, dy institucioneve më meritore për ngritjen politike të Millosheviqit dhe bën publike idetë e tyre për abrogimin e statusit të Kosovës sipas kushtetutës jugosllave të vitit 1974 dhe kthimin e Kosovës nën kontrollin e hekurt të Serbisë, në statusin që Kosova e kishte pasur në tri dekadat e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ishte kjo koha kur Beogradi, ngjashëm si tani, filloi të përdorte strategjinë e re komunikimit të drejtpërdrejtë me serbët lokalë të Kosovës, që nënkuptonte dëgjueshmërinë e tyre vetëm ndaj udhëheqjes serbe në Beograd dhe anashkalimin e Qeverisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, në kuadër të kësaj strategjie antishqiptare, ishte edhe synimi për armiqësimin e shqiptarëve të Kosovës me popujt e tjerë të Jugosllavisë, me sllovenët, kroatet, boshnjakët, malazezët dhe maqedonasit. Pas instrumentalizimit të rastit të Danillo Miliçiqit në Vushtri (1982), të Gjorgje Martinoviqit në Gjilan (1985), dhe fotografisë së fshatit Prekallë të Pejës (1987) (publikimi i një fotografie të rrejshme në gazetën beogradase “Politika” të një fshatareje serbe, me një fëmijë në krah dhe një pushkë të varur në krahun tjetër, kinse e frikësuar nga shqiptarët), Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986) ndodhi rasti më famëkeq i në kazermën e Paraqinit (shtator 1987), ku Aziz Kelmendit, një shqiptar nga Prizreni, vetëm disa ditë para se të përfundonte shërbimin ushtarak, vrau katër ushtarë dhe plagosi tre të tjerë me përkatësi të ndryshme etnike. Skenari i kësaj ngjarjeje ishte armiqësimi i shqiptarëve të Kosovës me popujt e tjerë në Jugosllavinë e atëhershme, pikërisht kur kishte marrë hov histeria antishqiptare dhe në kohën kur lajtmotiv i hegjemonizmit serb ishte bërë vetë viktimizimi i serbëve të Kosovës, Kroacisë dhe të Bosnjës.

Asokohe, ngjashëm si tani në kohën e Vuçiqit, Millosheviqi u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të bojkotohej komunikimi me institucionet e Kosovës dhe u bënte thirrje për konfrontim të hapur me shqiptarët. Edhe nga Akademia e Shkencave dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë u ishte bërë thirrje ekstremistëve serbë në Kosovë që të kërkohej komunikimi i drejtpërdrejt me udhëheqjen serbe në Beograd. Edhe Millosheviqi dëshironte pozitën e “serbëve të vuajtur dhe të mjerë” për ta goditur “nacionalizimin shqiptar” dhe t’i hapte rrugë suprimimit të pozitës kushtetuese të Kosovës. Te shumica e serbëve të Kosovës, pas ardhjes së Millosheviqit në Fushë-Kosovë u krijua bindja dhe entuziazmi se ata mund të bënin çfarë të donin ngase kishin përkrahjen e Beogradit. Disponimi antishqiptar kishte arritur kulmin, ndërsa grupet e serbëve radikalë dhe nacionalistë nga Kosova vazhdonin vizitat e tyre në Beograd, ku Millosheviq, i cili i instrumentalizonte ata për forcimin e pozitës së tij në nivel federate dhe për masivizimin e mitingjeve. Siç thotë ish-lideri komunist i Kosovës në vitet ‘80, në këtë periudhë në Serbi po ngjallej një lloj neofashizmi i ri, ndërsa lideri i saj ishte Millosheviqi.

Në këto rrethana, përkatësisht më 1988 ndodhi takimi midis shkrimtarëve të Kosovës dhe të Serbisë, në Beograd, me temën “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi sot”, ku Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Ali Aliu dhe intelektualë të tjerë shqiptarë patën një ballafaqim triumfues me shkrimtarët serbë dhe kjo ishte arsye përse shkrimtarët dhe intelektualët serbë refuzuan të zhvillimin takimin e radhës në Prishtinë. Në këtë takim, Rugova dhe intelektualët tjerë nga Kosova nënvizuan se nuk janë shqiptarët, por serbët ata që favorizohen në strukturat udhëheqëse, në administratë, në kulturë, në arsim, gjë e cila dokumentohej edhe më të dhëna statistikore të kohës. Këtë diskurs të Beogradit, Ibrahim Rugova e kishte përshkruar si strategji antishqiptare dhe si albanofobi, e cila prej shumë vjetësh udhëhiqej nga një pjesë e shtypit, institucionet e kulturës dhe të shkencës dhe shoqatat të tjera të Beogradit. Në përmbyllje, të fjalës së tij Rugova (që botohet në vazhdim) do të tërhiqte vëmendjen se “opinioni jugosllav dhe njerëzit me përgjegjësi duhet ta kuptojnë një herë e mirë se kështu nuk mund të veprohet ndaj një populli”.

Por, doktrina antishqiptare, e cila mbështetej në Memorandumin e ASHAS-së, ishte ngjizur dhe në emër të vetëviktimizimit, synonte serbizimin e Kosovës me të gjitha mënyrat dhe me çdo mjet: me ushtri, me kërcënime, me terror dhe me spastrim etni kundèr shqiptarève të Kosovës, të

cilèn e planifikoi kreut politik dhe ushtarak i Miloshevicit. Qellimi i udheheqèsit serb ishte debimi me forcè i shqiptarève tè Kosovès

prej shtèpive dhe atdheut të tyre e më pas kolonizimin e saj. Siç shkruan studiuesi i njohur John G. Stoessinger në librin e tij “ Why Nations Go to War”: “Eksodi do tè pèrshpejtohej

nga grabitjet, vrasjet, pèrdhunimet, djegiet dhe terrori nè njè shkalle aq tè gierè sa mund tè krahasohej me Germaninè naziste. Tè gjitha dokumentet e identifikimit do tè konfiskoheshin me gèllim qè shqiptarèt tè mbeteshin pa shtetèsi dhe tè bèhej i pamundur rikthimi i tyre nè Kosove. Tè vetmen gjè qè Miloshevici nuk e kopjoi nga Hitleri ishin dhomat me gaz tè Aushvicit. Nè vend te

tyre, viktimat e tij tè mjera do tè dèboheshin drejt shteteve fainje tè Shqipèrisè, Malit tè Zi dhe Magedonisè (…) Miloshevigi e llogariti qè kjo ‘zgjidhje pèrfundimtare’ jo vetèm qè do ta rriste autoritetin e tij nè sytè e popullit serb, por do

t’i garantonte edhe vazhdimin e qèndrimit tè tij nè pushtet. I gjithè ky mekanizèm ishte shume i njohur. Vetèm identiteti i viktimave ndryshonte. Kètè herë ata do tè ishin shqiptarë dhe jo hebrenj”.

Në fakt ky ishte skenari sipas plani të koduar strategjil “ Patkoi” përmes të cilit Miloshevic të “zgjidhte” problemin shqiptar të Kosovës. “Né pérputhje me emrin e koduar te tij,

Milosheviçi planifikonte t”i mbylite shqiptarét brenda njé patkoi gjigand kali dhe pastaj t’i detyronte ata té iknin nga Kosova. Shkatérrimi

i pasurisë sé tyre dhe té gjitha dokumenteve té

identifikimit do té garantonin qè ata té mos ktheheshin dot kurre. Me një fjalé, Kosova do tè ‘spastrohej’ nga myslimanèt me gellim qè

te sigurohej lebensraum pér ardhacakèt serbé, Adolf Aihmani, njeriu i ngarkuar me débimin e hebrenjve «jaté regjimit nazist, ka gjasa ta kishte vlerësuar madhësinë e Operacionit Patkoi’” shkruan Stoessinger. Megjithatë, në Tribunalin e Hagës për Krime të Luftës ky dokument i përmend vetëm një herë kalimthi, edhe pse ish-ministri gjerman i Mbrojtjes Rudolf Scharping tregon se skicat e detajuar dhe shenimet përcjellëse ia kishte dorëzuar Prokurores se Tribunalit. Po ashtu, në Serbia për 24 vite me radhë ka munguar edhe përpjekja më minore për distancinim nga krimet dhe doktrina antishqiptare. Dhe ky mosdenim, tregon se kreu aktual shteteror nuk ka hequr dorë nga ideologjia e Serbisë së Madhe. Serbia ka mbetur aty ku ishte në vitetet 1989-ta.

Për të mësuar më shumë për klimën e atëhershme represive ndaj shqiptarëve të Kosovës, për fushatën antishqiptare të Beogradit, si dhe për kuptuar thelbin e politikës aktuale të Serbisë nën drejtimin e Vuçiqit, shkrimi i Ibrahim Rugovës, i shkruar 35 vjet më parë, paraqet anatominë e doktrinës antishqiptare të Beogradit dhe njëkohësisht dëshminë më autentike se Serbia nuk ka ndryshuar në raport me shqiptarët dhe Kosovën. Bombat e NATO-s vërtet ndëshkuan Serbinë, por krimet dhe doktrina e saj antishqiptare (Memorandumi famkeq i vitit 1986 dhe Plani Patkoi” – projekti për spastrimin etnik 1998) ka mbetur e padënuar.

Shënim:

1. Plani “Patkoi” i hartuar në vjeshtën e vitit 1998 nga kreut shetor dhe politik serb. Ky Plan u zbulua në fillim të vitit 1999 dhe për herë të parë u bë publik nga ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe Rudolf Scharping, ministër i Mbrojtjes.

2. Fotografia e fshatit Prekallë të Pejës të cilën më 1987 e botoi gazeta “Politika” e Beogradit, një imazh që parqet fshataren me një fëmijë në krah dhe një pushkë të varur në krahun tjetër, kinse e frikësuar nga shqiptarët. Propaganda edhe nëpërmjet mediave, tashmë kishte nisur…

Filed Under: Histori

Reciprociteti, do të duhej të vlente në mes Kosovës e Serbisë

October 6, 2023 by s p

Shkruan: Mr.Sc.Refik HASANI/

Institucionet e Kosovës nuk duhet të hezitojnë edhe më tej, Parlamenti i Kosovës duhet të përgatitë dhe të miratojë një deklaratë, pse jo edhe një rezolutë lidhur me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve për Krahinën e mbetur nënë administrimin e Serbisë. Shqiptarët nga kjo pjesë me të drejtë presin që Kosova të ngrit zërin, shtrojë dhe mbrojë të drejtat tona që na takojnë si ato individuale dhe ato kolektive.

Kjo pjesë nuk duhet dhe nuk mundë të jetë një monedhë dhe çmim që Serbia duhet ta njoh Kosovën dhe të sakrifikohen shqiptarët nga tri komunat. Shqiptarët nga Komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës janë një kartë e fortë për Kosovën nëse dihet të shfrytëzohet mirë, duhet të jenë një balansues në masën e kandarit politik dhe diplomatik me serbët lokal të Kosovës.

Prishtina së bashku me Tiranën, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ta ngritin çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve nga komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.

Çështja e shqiptarëve nga komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës duhet të jetë edhe në agjendën, fjalorin dhe temën e bisedave në të gjitha nivelet për të gjithë, veçmas nga Presidenti, Kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Për diplomacinë e Tiranës dhe politikën e Prishtinës, hapësira e tri komunave ende është-temë tabu, prandaj duhet sa më parë të ,,shkrihet” , kjo temë lidhur me qëndrimin që kanë mbajtur dhe ende janë duke mbajtur institucionet e dy shteteve ndaj shqiptarëve në këto tri komuna.

Është momenti i fundit që diplomacia e Tiranës në bashkëpunim me politikbërsit e Prishtinës të thonë të vërtetën për shqiptarët. Është për të ardhur keq që asnjëherë deri tani në vija institucionale të dy shtetet, Kosova e Shqipëria, nuk kanë debatuar në parlamentet e tyre me ndonjë pikë të rendit të punës rreth gjendjes së shqiptarëve.Është gabim politik dhe diplomatik nëse mendohet që Kosova i ka,,duart e lidhura” që ta mbrojë çështjen e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të kësaj ane.

Edhe në bisedimet, në mesë të Prishtinës dhe Beogradit duhet të përqendrohen edhe rreth RECIPROCITETIT, sukcesionin e mbetur nga ish-ngrehina artificiale e quajtur Jugosllavi dhe çështjet tjera si të pagjeturit, etj. Kosova veçmas pas 17 shkurti 2008, nuk mund të arsyetohet pse çështjen e shqiptarëve nga kjo pjese nuk e ka shtruar për ta debatuar.

Me të drejtë ne popullata shqiptare nga komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës jemi duke pritur nga Tirana, veçanërisht nga Prishtina, që ta ngritin zërin, mbrojnë dhe përfaqësojnë edhe interesat tona në këtë hapësirë etnike shqiptare. Kjo krahinë është mbetur në harresë, nën mëshirën e kohës. Ne shqiptarët e ish-Jugosllavisë si qendër të shkollës dhe dijës, e kemi patur Prishtinën, e kemi patur ,,busull e orientimit”.

Minoriteti serbë në Kosovë i gëzon të gjitha të drejtat, bile më shumë se ç’ju takojnë edhe me çdo të drejtë ndërkombëtare. Janë të përfaqësuar me 10 n ulëse në parlament të Kosovës, i udhëheqin dy ministri.Shqiptarët nga Komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës janë të privuar nga të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive.

Rajoni i kësaj krahine gjendet në jug të Serbisë, përgjatë vijës administrative me Kosovën, në një sipërfaqe tokësore prej 1249 km2, me 138 vendbanime, 85 bashkësi lokale dhe 17 zyre të vendit. Sipas vlerësimit të regjistrimit të vitit 1991 në tri komunat me shumicë shqiptare, jetojnë 101.549 banorë. Edhe pse kanë këtë numër përafërsisht sa janë serbët lokal të Kosovës, shqiptarët sot nga tri komuna, nga Serbia vazhdimisht injorohen, përbuzen dhe shkelen të drejtat e tyre, nuk ka media dhe ka ngulfatje të informimit në gjuhën shqipe, mungon përkujdesja shëndetësore, nuk ka ndonjë Spital regjional, por shqiptarët bredhin për shërim herë në Prishtinë, Nish, Shkup e Beograd.

Nuk u bë pagimi i dëmeve të luftës dhe nuk i investuar për kthimin e të dëbuarve dhe kategorisë së të zhvendosurve shqiptarë. Nuk ka ende amnisti për luftëtarët e UÇPMB-së, përkundrazi arrestimet nuk kanë të ndalur. Përdorimi i flamurit dhe gjuhës shqipe nëpër institucione shtetërore ende është çështje e pazgjidhur në tri komunat e cekura.Asnjëherë nuk u

Kjo Krahinë është shndërruar në një karantinë militarizimi të forcave paramilitare me shumë baza ushtarake të ushtrisë Serbe, ku janë vendosur pjesëtarët e xhandarmërisë dhe forcave elite speciale që krijojnë frikë dhe mbjellin një psikozë të pasigurisë. Në tri Komunat e cekur më lartë mungon liria e lëvizjes veçmas në komunën e Medvegjës, Karadakë të Preshevës dhe Malësinë e Bujanocit. Institucionet e Kosovës duhet të na japin instruksione të menduara mirë dhe shumë të qarta për çështjen e Këshillit Nacional, marrëveshjes së Konçulit, pjesëmarrjes apo jo të neve shqiptarëve për parlament të Serbisë etj.

Mediat tona shqiptare duhet të njoftojnë, sensibilizojnë dhe alarmojnë opinionin e gjerë, të shfaqin interesim më të madh për zhvillimet që po rrjedhin brenda Serbisë dhe qëndrimin e saj ndaj shqiptarëve në këtë republikë.

Përfundimisht të hapet ,,kutia e pandorës” lidhur me ndërtimin e reciprocitetit Kosovë-Serbi, duke e shtruar në tavolinë edhe çështjen e kësaj Krahine dhe pasurit e shqiptarëve nëpër qytete të Serbisë.Institucionet e Kosovës të formojnë një qëndrim, platformë a strategji afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë, se çfarë dhe si t’i artikulojnë kërkesat shqiptarët nga kjo pjesë. Në Kosovë jetojnë mbi 50 mijë banorë të ardhur si të dëbuar, zhvendosur nga konflikti dhe lufta e armatosur që nga qershori 1999, por asnjë shtëpi nuk është ndërtuar për këtë kategori.

Kërkojmë dhe ju bëjmë apel bartësve të institucioneve të Kosovës se nuk duhet të kenë hezitim dhe ta thonë troç: Të drejtat që gëzojnë minoriteti serbë në Kosovë, nuk mund t’iu mohohen me kurrfarë konventash ndërkombëtare as shqiptarëve që jetojnë në Komunën e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës. Faktori ndërkombëtar për serbët lokal që jetojnë në Kosovë ka kërkuar garanci dhe janë duke i realizuar, por edhe i monitorojnë vazhdimisht plotësimin e këtyre të drejtave.

Angazhime duhet të ketë edhe nga ky faktor për realizimin e po atyre të drejtave edhe për shqiptarët nga kjo pjesë, veçmas nuk guxon të mungoj përpjekja nga Prishtina.Është pa përgjegjësi totale, sjellja jo adekuate ndaj shqiptarëve të asaj pjese, kur Kosova deri më tani nuk ka caktuar as edhe një zyrtarë, Koordinator apo departament që do merret me problematikën e kësaj krahine!?.

Politika e shtetit të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me dy Akademitë tona dhe diplomacinë e shtetit Shqiptarë duhet të hartojnë një strategji veprimi dhe duhet të ngrihet në të gjitha instancat relevante ndërkombëtare. Reciprociteti luan rol dominues në ndërtimin e të gjitha marrëdhënieve në mesë të dy shteteve fqinje për shtetasit e njëri-tjetrit.

Nuk duhet të pritet dhe të mbesim,,duke e pritur godon”, a thua kur Serbia do ta njoh Kosovën si shtet. Republika e Kosovës duhet të kërkojë të drejtat e shqiptarëve në Serbi nëse dëshirojmë ndërtimin e raporteve të shëndosha në mesë të dy popujve më të mëdhenj të kësaj pjese të Ballkanit.

Kjo duhet të jetë formulë e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete që pretendojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.

Filed Under: Fejton

Ismail Lulani, malsori i pikturës moderne, lëvruesi në tablo i jetës dhe qëmtuesi i traditës përmes ngjyrave të ndezura

October 6, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Ismail Lulani, ishte dhe mbeti ndër emrat e rëndësishëm të traditës shqiptare të pikturës. Një penel që diti të zgjonte në çdo stinë e në çdo trajtesë, kumtimin e epshit të ngjyrave dhe të mëkonte me një muzikalitet dehës poetikën shprehëse të subjektit. Kohështrirja në veprimtarinë krijuese dhe gjeografia e sfidës, dëshmuan tek ai një piketë të rëndësishme të artit vizual shqiptar. Llojshmëria e punëve dhe trajtesa e veçojnë Ismail Lulanin, duke e pozicionuar në një kreshtë të lartë të asaj që për ne është jo vetëm matshmëria e së epërmes ku ai e çoi shpirtin e tij koloristik dhe skaliti ligjërimin joshës, për edhe detyresë mirënjohjeje për testamentin që la.

Stinët janë në tablonë e tij ndalesa të hovshme dhe kumtime të andshme. Pranvera gufon në zjarrin e ngjyrave dhe jepet epshëm në lakimin e trajtës dhe lodrimin e dritëhijeve që të shpojnë si sy të epshëm dhe kureshtues që të ftojnë në ngasje. Vera e grunjtë dhe tafti i amësht i tokës, duart të tendosura dhe mëtime që shkrihen në shkujdesjen e penelatave dhe harbohen në afshin e hapsirës që rreket t’i përpijë. Vjeshta, stina e shirave dhe melankolisë, kridhet shpirtërisht duke marrë gjithçka nga thellësia dhe amështi, nga zjarri dhe tamli, e duke i miksuar në një trajtesë gjallimi koloristik që vetëm Ismail Lulani duket se mund t’i zotërojë. Dhe vjen ai, dimri, një stinë që ngjeth, një amë që e thërrët me zë buçitës, një ngulm që grish në mallime e andrralla t’kahershme që vërshojnë uturishëm, e shprehen në tablo me gjithë ashpërsinë dhe adhurimin. Gjithçka në dimrin e Lulanit ka një frymëmarrje që huajtet në kreshtat ku plaket bora e në krahnoret ku lyp fluturim shqiponja.

Edhe historia është një ndalesë gurgulluese ngjyrash dhe force shprehëse në pikturën e Ismail Lulanit. Ajo ka nerv dhe dritë, forcë dhe thellësi, ka trajtë dhe ngjyrë, ka një zë që thërret nëpër kohë e që trajtëzohet në ngjyrë, për t’u përjetësuar si një kujtesë që e kërcënon e shkuara. Ai shfleton historinë duke sjellë figurat qendrore të saj në një trajtim krejt origjinal, duke hedhur në to atë shpirt që Lulani ka të mbruar me zërin e jehonave që prekin zenitet e epokës së cilës i përkiste. Portretet kanë qenë dhe kanë mbetur deri në të mbramë të sublimes së tij krijuese, qëllimsi e mëkimit të hijeshisë mëtuese dhe shprehëse të botës së brendshme, të cilat nën shpërthimin e ngjyrave kërkonin të gjenin ëndje për ta rrokur dehjen që çliron heroikja e historisë që përfaqësojnë. Ata personazhe, ato figura, ato shprehi, duket se para se të shpërthenin në tablo, kishin kohë që bashkëjetonin me piktorin. Një shpirt lirie duhet të gjente dritën dhe ngjyrën e përjetësisë që t’i ç’burgoste nga mendimet dhe shpirti i tij, për ti shndërruar në fakte dëshmuese historike, për të mbushur zbraztësitë dhe hendeqet që keqkuptimi dhe dashakeqja i mbjellin.

Në veprat e tij, sidomos rreth viteve ’80, ndihet prirja drejt pasunimit të paletës piktorike që e ban Lulanin të evidentohet nga tabloja në tablo me një stil të veçantë piktorik, që priret drejt dekorativitetit, kapjes së motiveve të veçanta dhe zgjedhjes së mënyrës së vizatimit të personazheve. Vepra artistike e piktorit Ismail Lulanit gjatë më shumë se 30 vjetëve krijimtari është e gjanë dhe e larmishme. Ai pikturon portrete, peizazhe dhe tablo kompozicionale me temë historike e sociale.Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ka qenë një peizazh nga Hidrocantrali i Vaut të Dejës (1969). Mbas kësaj Lulani do të ishte i pranishëm me tablotë e tij në të gjitha ekspozitat e konkurset lokale dhe kombëtare.Temat e cikleve piktorike të Lulanit janë frymëzuar nga ciklet e kreshnikëve (Muji dhe Halili, Gjergj Elez Alia), baladat shqiptare (Kostandini dhe Duruntina), historia e popullit Shqiptar (figura e Skënderbeut, Ali Pashë Tepelena, Shote dhe Azem Galica), nga shumë figura dhe ngjarje të Luftës Nacional-Çlirimtare, nga periudha e ndërtimit të socializmit dhe, veçanërisht, nga jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë.

Piktori Ismail Lulani veçohet dhe vlerësohet në pikturën shqiptare si një kolorist, me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, me personazhe-figura që vizatohen në mënyrë të stilizuar, si një artist që joshet mas jetës së njerëzve të thjeshtë. Mas viteve ’90 Ismail Lulani i kushtohet kryesisht peizazhit të zonave veriore Shqiptare, që e ka tërheke dhe ma perpara shpirtin e tij artistik. Me këto motive Lulani ka krijue cikle tablosh, që mund të grupohen sipas stinëve të vitit, etj, të tilla si cikli i peizazheve të vjeshtës, cikli i peizazheve të dimrit dhe cikli i bariut të dhive. Piktura e Lulanit ka një freski koloristike, që duket se buron edhe nga kontaktet e artistit me natyrën si dhe nga ndikimi i artit popullor të trevave veriore, gjë që vihet re veçanërisht në koloritin e ndezur dhe në dekorativitetin e veprave të tij.

Lulani i trajtoi motivet shqiptare të tablove të tij nga disa kandvështrime. Ai mund të quhet me të drejtë si piktori i Shqipërisë së Veriut. Përveç tablove historike, që paraqet në ekspozitat Kombëtare të para viteve ’90 (“Dedë Gjo Luli”, “Shote Galica”, “Çast beteje”, “Malësori”, etj), Ismail Lulani” dashurohet” këmbë e kokë me peizazhin shqiptar. Në mënyrë të veçantë, element mbizotërues i peizazheve të tij, përveç bukurisë natyrore, është “motivi baritor”. Siç shifet artisti ndihet i lidhur me këtë motiv për shkak të jetës së vështirë dhe të thjeshtë të malësorit – bari në malësi. Figura e barinjve të tij ka krijuar nji “personazh – imazh”, që e shofim të shfaqet herë në një tablo e herë në tjetrën. Ai është një figurë tërheqëse, më shpesh i moshuar, me veshjet popullore të zonës, të cilin artisti preferon ta pikturojë në mes të dëborës e të dhive të tij. Zakonisht ky personazh paraqitet duke ecur, me pamje nga prapa. Në përgjithësi vërejmë se veprat e Lulanit pas viteve ’90 nisin të kenë një notë të lehtë dramatike, një trishtim dhe heshtje që shpesh japin mesazhe të rëndësishme. Me gjithë atë në veprat e tij magjija ndërthuret me misterin, drita e natyrës me dritën e shpirtit dhe peizazhi dimnor me peizazhin vjeshtor. Ndër to “ndrit i njëjti diell” si në legjendat shqiptare. Veprimtaria krijuese e Ismail Lulanit shtrihet në sisteme të ndryshme shoqërore. Ai mbetet nji nga përfaqësuesit ma të randësishëm të artit shqiptar të shekullit XX.

Ismail Lulani ishte dhe mbeti në panteonin e vlertë të traditës sonë një piktor me individualitet të veçantë në artin e tij, thurur prej një mishërimi thelbësisht tradicional dhe ndjesi të spikatura të ngjyrës dhe linjës, dritëhijes dhe shkujdesjes së lodrimit të penelit mbi tablo. Ai krijoi kohën e vet në pikturë dhe vetë koha la tek ai gjurmë drite që pluskojonë yjshëm në natën e nevojës për dehje ngjyrash dhe trajtash shprehëse estetike.

***

Ismail Lulani u lind më 1933 në Tuz, Mal të Zi dhe u shua më 6 tetor të 2002 në moshen 69 vjeçare në qytetin e Shkodrës.

Në moshën 9 vjeçare së bashku me familje vendoset në Shkodr. Në vitin 1967 mbaron Akademin e Arteve të Bukura për pikturë monumentale, puna e tij e diplomës “Ded Gjo Luli me trima”, u vlerësua mjaft nga kritika e kohës. Emërohet dhe punon si profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vendoset me dëshirën e tij në qytetit e Shkodrës ku punon si profesor në Liceun Artistik të këtij qyteti deri sa del si piktor në krijimtari të lirë. Ai ishte një ndër themeluesit e degës së arteve vizive (në shkollën e mesme artistike Prek Jakova) në qytetin e Shkodrës. Ai ishte gjithashtu anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ismail Lulani është një ndër piktoret më origjinal e më të fuqishëm në historin e artit Shqiptar, ai ishte një piktor shumë aktiv në kijmtarin e tij, eksploroi me mjeshtri në të gjitha gjinit e pikturës, si kompozim, pejsazh, portret, natura të qeta, etj. Pikturat e tij shquhen për forcën dhe lojrat magjike të ngjyrës, për vizatimin ekspresiv dhe mjetet shprehëse.

Për meritat e tij ai është nderuar me çmime dhe tituj të kalibrit të lartë

Në vitin 1979 i jepet titulli “Piktor i Merituar”

Në vitin 1989 i jepet titulli i lartë “Piktor i Popullit”

I është akorduar titulli “Naim Frashri I klasit të Parë”

Në vitin 1999 në Biennialen e Romës për Artet Visive merr çmimi i dytë dhe i jepet medalja e argjentë, me tabllon (Ikja në Egjipt)

Pas vdekjes, në 70-vjetorin e lindjes iu akordua titulli “Krenaria e Shkodrës”, i cili i’u dorëzua të shoqes së artistit.

Ismail Lulani morri pjesë në të gjitha ekspozitat lokale që u zhvilluan në qytetin e Shkodrës si dhe ato kombëtare që u zhvilluan në Tiranë, rreth 20 punime të tij ndodhen në arkivat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe shumë të tjera pronë e galerive e muzeumeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ai ka ekspozuar në shumë vende të huaja si Frascat ,Romë (Itali), Paris( Francë), Linz (Austri), Neë York, Boston (USA), Toronto (Canada), Athin (Greqi), Pekin, Shangai (Kinë), Irlande, Rumani, Belgjike, Beograd(Serbi), Podgoric, Cetinj, Tivar, Ulqin (Montenegro), Prishtinë (Kosovë), Aleksandri (Egjipt), Turqi , Tunizi, Hungari, duke marë vlersimet më të larta nga krtika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm në Francë, Austri, Itali, USA, Gjermani, etj.

Ai mbetet një nga emrat më të respektuar të Shkodrës dhe një nga emrat më të shquar në historinë e artit shqiptar.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT