• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

ETNOKULTURA E VENDLINDJES NË NJË LIBËR MONOGRAFIK

October 5, 2023 by s p

https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/11/Bardhosh-Gace-albert-habazaj.jpg

E:\Rikuperim\Lepenica kopertina.jpg

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Në dekadat e fundit, në sfondin kulturor dhe historik, para lexuesit, janë shfaqur një varg veprash studimore e monografike, në të cilat hidhet dritë për traditat kulturore e historike të fshatrave e krahinave, si pjesë e etnokulturës mbarëkombëtare.

Publicisti dhe historiani Enver Memishaj, me hulumtimet dhe botimet e tij, i ka dhënë kulturës shqiptare mjaft vepra të spikatura për epopenë e Luftës së Vlorës dhe protagonistët e saj, ushtarakët Ahmet Lepenica e Hysni Lepenica, për ngjarje e tablo historike të Vlorës dhe Labërisë, duke gërmuar në kujtesën popullore, arkivat e shtetit, dëshmi e dokumente autentike, të cilat përbëjnë një pasuri të veçantë për botën shqiptare.

Libri i ri monografik “Lepenica – shënime historike”, i studiuesit Enver Lepenica shpalon një punë të gjerë shkrimore e dokumentare, me anën e të cilit, E. Lepenica zbulon thellësitë e shekujve të vendlindjes së tij, por edhe marrëdhëniet e këtij vendbanimi të lashtë me Lumin e Vlorës dhe Labërisë. Në sfondin historik dhe kulturor, fshati Lepenicë i Vlorës, zbulohet qysh në kohët prehistorike e ato lirike me mjaft gjurmë arkeologjike, siç është edhe Shpella e Shkruar, një nga dëshmitë më të hershme të jetës së banorëve.

Duke u mbështetur në një varg arkeologësh e studiuesish me emër, që nga Karl Patç, L. Ugolini, Milan Shuflaj, Shtjefën Gjeçovi, Llambi Durolli, Damian Komata, Muzafer Korkuti, Ilir Gjipali, Aleks Trushaj etj., autori ka sintetizuar traditat dhe kulturën, historinë dhe kushtet klimaterike tokësore, zhvillimin e blegtorisë dhe bujqësisë, florën dhe faunën e pasur, gjuetinë e kafshëve të egra, si dhe pasurinë shpirtërore e zakonore të lepeniciotëve.

Gjurmët e vendbanimeve të lashta në këtë mjedis natyror, si varri monumental, ai në Shënkoll, në Krivovë dhe buzë Lumit të Bardhë (Shushicës), tregojnë se banorët e Lepenicës janë marrë me mbarështimin e blegtorisë, bujqësisë, zejtarisë (endjes e thurjes së veshjeve, qilimave e sixhadeve) gdhendjes në gurë e në dru, por edhe në rritjen e bletëve dhe gjuetinë e kafshëve të egra.

Krahas bujq e blegtorë të zotë, ata kanë qenë edhe luftëtarë e ushtarakë të zotë në përpjekjet dhe luftërat për liri e pavarësi të Atdheut. Lepeniciotët, sipas pamjeve që na sjell studiuesi Enver Lepenica, u përfshinë në kryengritjet antiturke në krah të Gjergj Arianitit (1431), të princeshës Rugjina Balsha, në kuvendet dhe kryengritjet e Labërisë dhe të Himarës 1481, 1492, 1537, në qëndresën kundër pushtuesit otoman, si dhe letrat dërguar Papës së Romës dhe careshës Elisabeta Petrovna, 1759, për ndihmë, në luftërat kundër Perandorisë Otomane.

Studiuesi Enver Memishaj, ka meritën që krahas dokumenteve arkivale të kancelarive të Europës, regjistrat kadastralë të Turqisë, atyre në Arkivin e Shtetit, e ka pasuruar studimin e tij monografik edhe me dëshmi e rrëfime autentike nga më të moçmit e vendlindjes, duke dritësuar edhe më mirë ngjarje e personazhe historike, që kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën e Labërisë. Në mjaft dëshmi dhe dokumente, studiuesi Enver Memishaj, me skrupulozitetin e vet, nxjerr në dritë edhe kontributin e lepeniciotëve në kryengritjet antiturke të shek. XIX, sidomos ato të vitit 1834 dhe 1847, ku luftëtarët e Lepenicës morën pjesë në betejat e përgjakshme me taborët turke në Mallakastër, Berat, Tepelenë, Delvinë, Bregun e Detit dhe Mesaplik në krahë të Zenel Gjolekës, Cane Miftarit, Rrapo Hekalit, dhe Çelo Picarit, shpirti atdhedashës e liridashës i lepeniciotëve shfaqet në këtë botim edhe në shek. XX, në mbështetje të Qeverisë së Vlorës dhe Ismail Qemalit, në epopenë e Luftës së Vlorës 1920, si dhe në Luftën Antifashiste Naçl. Në këto përpjekje të mëdha, autori vizaton me penelata, të forta, disa nga personazhet historikë, që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare shqiptare, si: Major Ahmet Lepenica, “Nderi i Kombit”, Hysni Lepenica, Fejzo Tafili, Hano Rexhepi, Adem Islami, Isa Ngucaj, mësuesi atdhetar, Selam Musa Hitaj, luftëtari i shquar popullor, Sheme Jazo, Veledin Hadëri, Xhelal Hoxha etj., të cilët, në bashkëveprim me krahinën e Mesaplikut, u gjendën në ballë të përpjekjeve për çlirim kombëtar.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, krahas Lëvizjes Antifashiste Naçl, ku anëtari i Çetës Plakë, Hano Rexhepi, ra dëshmor, një kontribut të veçantë dha edhe çeta nacionaliste “Shqiponja” me komandant Hysni Lepenicën, “Nderi i Kombit”, në betejat kundër pushtuesve fashistë në Gjorm, Tragjas, Selenicë e gjetkë.

Një kapitull më vete, përbën edhe jeta e fshatit Lepenicë, nën sistemin totalitar 1945-1990 dhe zhvillimet demokratike në kohët më pas. Zhvillimet ekonomike, kulturore dhe historike të fshatit Lepenicë në Labëri, në penën e “Mjeshtrit të Madh”, Enver Memishaj, hedhin dritë për një etnokulturë të lashtë e të re të banorëve të kësaj treve, duke përcjellë mesazhe të mëdha edhe për kohët moderne.

Vlorë, shtator 2023.

Filed Under: Kronike

Kosova është më e rëndësishme se “vëllazëria” e Ramës me Vuçiçin

October 5, 2023 by s p

Sokol Paja/

Situata e sigurisë kombëtare në Republikën e Kosovës shqetëson në mënyrë të veçantë Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët kudo në Ballkan e mbarë rajonin. Serbia me sulmin terrorist të organizuar në Leposaviq tregoi dhe një herë se jo vetëm që nuk do paqe, por kërkon tokë shqiptare e gjak shqiptarësh. Edhe pse kanë kaluar afro dy dekada e gjysmë nga lufta e Kosovës, në Serbi, lidershipi i atjeshëm politik me në krye Presidentin Vuçiç dëshmoi vazhdimin e ideologjisë ekspansioniste, të krimit e terrorit të Millosheviçit kundër shqiptarëve. Koha ka evoluar por në Serbi duket se ka mbetur e njëjta. Të njëjtët njerëz primitiv në pushtet, e njëjta filozofi, e njëjta urrejtje ndëretnike e njëjta frymë e njëjta ideologji. Serbët duan luftë. Kurrë nuk mund të ndërtosh paqe me dikë që kërkon luftë. Bandat kriminale serbe në veri të Kosovës janë asgjë më pak veçse një tejzgjatje e regjimit terrorist të Beogradit.

Në këtë moment delikat kur Europa ia ka kthyer shpinën Kosovës në favor të Serbisë, shteti shqiptar duhet ta tregojë veten në mbështetje të pakursyer për Kosovën. Të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, bota akademike, media e institucionet fetare duket ti dalin në mbrojtje Kosovës. Sot, nesër do të jetë shumë vonë. Si fillim kryeministri Rama duhet të kuptojë që “vëllazëria” me Vuçiç përveç se një thikë pas shpine ndaj Kosovës, është gabimi fatal i Ramës ndaj gjysmës së kombit tonë në Dardani. Vëllezërit e motrat tona në Kosovë vlejnë më shumë se gjithçka e çdo gjë tjetër. Rama duhet të heqë dorë menjëherë nga përkëdhelja e Vuçiç e të ketë primare ndihmën shtetërore për Kosovën.

Deklaratat e Ramës që KFOR të marrë në mbikëqyrje veriun e Kosovës janë cenim sovraniteti pasi Kosova është Republikë me institucione fuqiplota, garante të ligjit e Kushtetutës brenda territorit. Deklaratat e papërgjegjshme të Ramës e kanë dëmtuar edhe më shumë situatën në Kosovë.

Kryeministri Rama duhet të shkëputet një herë e përgjithmonë nga “vëllazëria” me kriminelin Vuçiç dhe në bashkëpunim me lidershipin politik e opozitën e Kosovës të përgatisë një draft të konsultuar me ekspertë ndërkombëtarë dhe të padisin Serbinë në Gjykatën e Hagës për krimet shfarosëse dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Me planin për aneksimin e veriut të Kosovës, Vuçiç tregoi se është vazhdues besnik i Millosheviçit. Nuk do ketë kurrë paqe në Ballkan pa u dënuar Serbia e kriminelët serbë. Dënimi i krimit sjell paqe, siguri e stabilitet në Ballkan e më gjërë. Kosova sot s’ka nevojë për deklaratat prej lideri global të Ramës por për një plan konkret diplomatik të veprimit. Kosova duhet të qëndrojë mbi interesat personale të politikanëve e kalkulimeve elektorale të politikës së ditës. Kosova ka nevojë për miqtë amerikanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë siguria dhe garancia e vetme e kombit shqiptar në Ballkan.

Është e tmerrshme dhe e pafalshme për shtetet tona Kosovë e Shqipëri, qytetarët dhe kombin shqiptar fakti që kriminelët e Serbisë shëtisin të lirë nëpër Europë, ndërsa luftëtarët, çlirimtarët dhe heronjtë e luftës së pavarësisë së Kosovës gjenden pas hekurave në Hagë. Kjo padrejtësi historike dhe maskaradë e shëmtuar duhet të marrë fund. Prijësit e UÇK dhe luftëtarët e Kosovës nuk janë kriminelë, ata janë heronj lirie. Lufta e UÇK është pjesa më e lavdishme e historisë moderne të kombit tonë.

Diplomacia shqiptare duhet të ndryshojë kah, kombi dhe shtetet tona duhet të jenë të bashkuar dhe të unifikuar me një strategji më të fuqishme lobuese ndërshtetërore. Kosova dhe Shqipëria duhet të veprojnë si një e tërë, e përbashkuar dhe e pa ndarë, siç është populli ynë, kombi jonë, historia, dhimbja e vuajtja jonë. Bashkë jemi më të fortë dhe të pa thyeshëm. Armiku dhe rreziku janë pas portës…

Filed Under: Politike

Prova e vështirë e Kosovës

October 5, 2023 by s p

Prof. Ass.Dr. Rita Loloçi/

Këtë 24 shtator, shteti më i ri i Europës, pra Kosova kaloi një provë të vështirë: një grup i armatosur, strehuar forcërisht në mesnatë në një manastir serb rrezikoi seriozisht integritetin dhe territorin e saj dhe ishte i gatshëm për të kryer një masakër mbi popullsinë e atjeshme dhe forcat e ruajtjes së rendit.

Natyrisht kjo nuk ndodhi nga kundërveprimi i menjëhershëm i policisë që përgatiti një operacion model ndërhyrjeje, të ngjashëm me ato në vendet më të zhvilluara perëndimore. Dokumentimi i arsenalit të madh të armëve sa për një batalion, zbulimi dhe fotografimi i trupave profesioniste që synonin sulmin terrorist bëri të mundur që gjithkush të shikonte panoramën e gjithë ndërhyrjes në veri të Kosovës.

Për fat të keq në këtë përballje të armatosur humbi jetën një pjestar i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, por menaxhimi me profesionalizëm të lartë nga uniformat blu i këtij konflikti shmangu pasoja edhe më të tmerrshme, humbjet e jetëve të tjera.

Ngjarja u dënua forcërisht nga të gjitha kancelaritë botërore, përjashto vendet që janë në aleancë më shtetin në Beograd. Ambasadori amerikan në Prishtinë e cilësoi akt terrorist dhe kërkoi që personat e implikuar të viheshin para përgjegjësisë, të njëjtin qëndrim mbajtën edhe kryeministrat Kurti e Rama.

Qëndrim disi dyzues erdhi nga ndërmjetësuesit Borell dhe Lajçak që, edhe pas kësaj ngjarje të rëndë që mund të destabilizonte edhe një shtet të fuqishëm, kërkonin uljen në dialog, çka pati zemërim dhe kundërpërgjigje nga shumë diplomaci perëndimore.

Por grupi terrorist nuk është rast i veçuar për ndërhyrje në një shtet të pavarur. Serbia me presidentin Vuçiç nga njëra anë vazhdonte dialogun me kryeministrin Kurti dhe nga ana tjetër grumbullonte forca të shumta ushtarake dhe policore në kufi me Kosovën.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se SHBA po vëzhgon një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti “të pashembullt”.

Ai tha se ky është një zhvillim shumë destabilizues, që ka ndodhur gjatë javës së fundit duke i bërë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes.

Shqetësimet e ngritura ishin pjesë e bisedës telefonike të këshilltarit të SHBA për Sigurinë Kombëtare Sullivan me kryeministrin Kurti dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Blinken me Presidentin Vuçiç, me të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit”.

Ndryshe nga herë të tjera që klasa politike i përdor këto ngjarje për hesape politike, pozita dhe opozita në Prishtinën zyrtare mbajnë një qëndrim dinjitoz: kërkuan hetim ndërkombëtar për ngjarjen, sanksionim të Serbisë dhe vënien para përgjegjësisë të frymëzuesve dhe realizuesve të këtij akti brutal terrorist.

Megjithëse ende nuk ka të dhëna të plota që pjestarë të forcave policore dhe ushtarake serbe të kenë marrë pjesë në këtë ngjarje terroriste, fakti që brenda tyre kishte funksionarë politikë të Listës Serbe, truproje të ministrit Vulin, armatim ushtarak etj bëjnë përgjegjës strukturat shtetërore të presidentit Vuçiç.

Madje qëndrimi i presidentit serb duke shpallur ditë zie për terroristë të vrarë dhe duke u justifikuar për mospjesmarrje të shtetit serb e nxorri atë zbuluar tek ato kancelari që besonin ende se Serbia do të dilte më në fund nga aleanca e kahershme ruse dhe nga ajo e mëvonshme kineze.

Brenda kësaj jave, për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova u rikthye në qendër të shtypit botëror dhe të diplomacisë perëndimore, çka duhet të shërbejë për zgjedhje më të matura dhe në dobi të saj. Propozimi i saj për sanksione të menjehershme, ardhur nga vendimi unanim në pushtetin legjislativ, ka marrë përkrahjen e shumë shteteve europiane, mes të cilave Holanda, Belgjika, Finlanda, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Republika Çeke dhe Polonia.

Formati i dialogut me dyshen Borell-Lajçak, jo thjesht e vetëm se ata vijnë si përfaqësues nga dy vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës, por për mosefikasitetin e dritanishëm duhet të zëvendësohet me një format tjetër, atë të përfshirjes së drejtpërdrejt të Sekretarit të Shtetit Blinken dhe të tri shteteve me peshë që kanë kontribuar për lirinë në Kosovë, pra të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.

Po ashtu një përpjekje më e madhe diplomatike nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për njohjen e Kosovës nga katër vende që janë anëtare të NATO-s do t’i forconte më shumë pozitat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

S’ka asnjë dyshim se kur ndodh diçka e rëndë në Kosovë, reagimi i parë do të jetë nga Shqipëria, por përtej kësaj edhe disa indicativa të tjera mund të ndihmonin në sigurinë e përbashkët të dy shteteve. Si shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria ka të drejtë që të dërgojë trupa shtesë në Kosovë në cdo kohë që vjen kjo kërkesë si edhe në rastin e tanishëm.

Rezoluta 1244 e ndalon Kosovën të përdor forcë ushtarake në veri të vendit, prandaj del e domosdoshme ngritja e një fondi të përbashkët të mbrojtjes mes dy shteteve, gjë që ndodh edhe nga shtete të tjera të Aleancës së Atlantikut Verior, që do të kontrubonte në përballimin e sfidave që vijnë nga shtete jodashamirëse apo agresore ndaj tyre.

Filed Under: Opinion

Shkolla shqipe e Velës në dy shekuj e gjysëm të veprimtarisë së saj

October 5, 2023 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Mësimi i leximit dhe shkrimit shqip në Velës në Mirditë dëshmohet për herë të parë nga një një relacion i Benedikt Orsinit dërguar Selisë së Shenjtë në vitin 1629, ku ai shkruan se “ka shumë të rinj, të cilët mësojnë shkrim dhe këndim, por deri më tani nuk janë klerikuar” (s’janë bërë ende xhakoj, s’i janë destinuar karrierës kishtare). Imzot Orsini nuk na e thotë se ku jepej mësimi, por ai përmend fshatin Zejmen të zonës fushore dhe Rubikun e Velën, të asaj ane malore (Shuteriqi, 2005:167) si vende ku vepronin françeskanët. Dihet se që në vitin 1585 funksiononte kuvendi françeskan i Rubikut, (Fabianic, 1930: 4-5) e pak vite më vonë edhe kuvendi françeskan i Velës (Sirdani, 2013: 173). Siç del nga ky relacion, veprimtaria arsimore në këtë rast nuk synonte vetëm kandidatë për karrierë kishtare dhe veprimtaria arsimore ka gjasa të zhvillohej në ndonjë qendër misioni, pasi kishte karakter masiv. Kuvendi françeskan i Velës, për shkak të pozicionit gjeografik, ishte vend ideal për të hapur shkollën, që duhet të funksiononte larg zyrtarëve osmanë.

Për shkollën e Velës jepen data të ndryshme të themelimit. Edvin Zhak, e çon në vitin 1632; të tjerë përmendin vitin 1870, por edhe vitin 1692. POr veprimtaria e shkollës së Velës dokumentohet mire nga një relacion i vitit 1653 ivizitorit apostolik, Mark Kryeziu, që shkruan se “në këtë vit në Ipeshkëvinë e Lezhës po shkolloheshin 18 xhakonë, të cilët ishin në proces përgatitje”. Megjithëse nuk përmendet drejtpërdrejt një shkollë, prania e saj nënkuptohet, pasi një numër aq i madh xhakonjësh nuk mund të përgatitej në mënyrë të shpërndarë nëpër famulli.

Rol kryesor në funksionimin e shkollës së Velës kishte Imzot Gjergj Vladanji, që më vonë ishte emëruar Ipeshkëv i Lezhës(Relacione,1965: 65), për të cilin Françesk Bolica më 1650 shkruan se ”ka veti të virtytshme dhe njohuni, njeh gjuhën ilirike dhe gjuhën shqipe, rrjedh nga një farefisni shumë e mirë, sa dhe vetë turqit e Shqipnisë e çmojnë sado pak” (Relacione, 1965:90). Pas tij, Ipeshkëv u bë një kushëri i tij, Nikollë Vladanji, që kishte qenë mësues shkolle në dioqezën e Lezhës në vitet 1670, 1674 dhe 1675. Si mësues i kësaj dioqeze, në vitet 1674 dhe 1675 del se ishte dhe Pjetër Perlati, që kishte kërkuar 50 skudë si pagë për punën e tij(Malaj, 1998: 195-196). Ndërsa në një dokument të datës 23 korrik 1663 mësues i gjuhës shqipe nw kwtw shkollw del Dom Gjon Ksulio (Historia e Arsimit, 2003: 62).

Ipeshkvi i Lezhës, Imzot Gjergj Vladanji kishte vdekur në vitin 1689 (Albania Sacra, 2007: 145). Dhe para se tw kalonte nw amshim, ai kishte menduar për vazhdimësinë e shkollës së Velës, çfarë shihet në testamentin e tij, ku kërkon që një pjesë të pasurisë, prej tokave që kishte, të shkonte për mbajtjen e një ose dy mësuesve, që t’u mësonin gramatikë e rastet e ndërgjegjes klerikëve dioqezanë. Mbajtësi i testamentit të tij, në vitin 1702, shprehet: “Megjithatë, mbas vdekjes së Imzot Gjergj Vladanjit, tue qenë të pushtueme pasunitë e tij, nuk kishin mbetë tjetër, veç 250 zekina ari… Së fundit, që parja të mos rrijë kot pa u përdorë, me paragjykim të mendjes së përshpirtshme të Prelatit, kam çmue mirë, me konsensus të Monsinjor Teodorit, me investue me kohë në këtë pjesë të krishtenimit 250 zekinat e dhana me interes, gjashtë përqind në vjetë, për me nxjerrë çdo vjetë 15 zekina, shumë e mjaftueshme për mbajtjen e një mësuesi në Lezhë”(Çefa, 2013:109).

Në dokumente nganjëherë shkolla e Velës del si “shkolla e Lezhës”, por është e kuptueshme se, në atë kohë, në Lezhë nuk mund të qëndronte as Ipeshkvi për të kryer detyrat e tij dhe jo më mësuesi që do të jepte mësimin e gjuhës shqipe, e cila pengohej me gjithfarë mënyrash. Emërtimet “shkolla e Lezhës dhe “shkolla e Velës” nuk do të thotë se kemi patur dy shkolla. Kjo praktikë e emërtimit të shkollës si e Velës dhe herë si e Lezhës ka vazhduar edhe në vitin 1703. (Malaj, 1998: 128).

Për mungesë fondesh, mbahej me vështirësi njw shkollw nw Ipeshkwvinw e Lezhws, ajo e Velës dhe nuk kishte asnjë mundësi të financohej edhe një shkollë tjetër. Në vitin 1692, del se ka një shkollë në Velë, që kishte 6-8 nxënës, me një mësues (Historia e Arsimit, 2003:65), që ishte e vetmja shkollë për brezin e ri kishtar në dioqezë. Ndër mësuesit e saj përmendet Pjetër Bianku (Bardhi), që u bë mandej Abat i Mirditës. Ai kishte mjaft dijeni në latinisht dhe në italisht. Ipeshkvi e mbante Bardhin “ndër më të aftit klerikë në të gjithë Dioqezën”. Pasardhësi i tij kishte qenë Mark Guga prej dioqezës së Shkodrës, i cili kishte studiuar në Raguzë dhe në Dalmaci me shpenzimet e familjes së tij” (Çefa, 2013: 109). Një e dhënë tjetër për praninë e shkollës së Velës del prej një relacioni të Ipeshkvit Nikollë Vladanji, në vitin 1694, ku jepen të dhëna se “në Velë në këtë periudhë ishte rezidenca ipeshkvnore, ku shërbente Dom Simon Negri me dy klerikë të tjerë” (Albania Sacra, 2007: 187). Prania e rezidencës ipeshkvnore e përforcon mendimin se atje vazhdonte të funksiononte shkolla.

Dokumentet e Kuvendit të Arbërit sjellin informacione me vlerë për gjendjen e arsimit shqip në ato vite. Në këtë kohë, në Velë funksiononte shkolla. Nga udhëzimet që jepen në kapitullin e pestë të Koncilit Shqiptar mësojmë se “Kongregacioni i Shenjtë i Propagandës së Fesë kishte ngritur shkollën për përgatitjen e klerikëve në Kurbin, duke marrë për këtë qëllim dhe një mësues me pagesë. Këshillohet mësuesi të kryejë me ndërgjegje detyrën e tij. Në metodën e mësimdhënies të ketë parasysh normat e mëposhtme: përveç leximit, duhet t’u mësojë nxënësve edhe shkrimin, meqë pa shkrim nuk mund të mësohet gjuha latine as detyra baritore… Pas përvetësimit të shkrim këndimit, nxënësit duhet të mësojë njohuritë e para gramatikore dhe ato të gjuhës latine. Mësuesi duhet t’u shpjegojë vazhdimisht nxënësve katekizmin dhe vendimet e këtij Koncili, ceremonitë fetare dhe ushtrimin e detyrës baritore (Malaj,1998: 127-128). Në këtë periudhë ishin rritur kërkesat rreth nivelit të klerikëve vendës, prandaj Kuvendi porositi: “Ky mjeshtër i ri që rri në Velë, kujdes të ketë për xhakona…e të mundohet me gjithë gjoks me i vlejtë kishës e gjithë dheut”. Mësuesit porositen që “shkollarët, mbasi të kenë xanë me shkrue e me këndue (shqip), mjeshtri t’ua mësojë gramatikën e t’i bajë me xanë gjuhën latine, në mos tepër mirë, bare (të paktën) nevojshëm (Bilali, Vadahi, 2013: 138-139). Zmajeviç e përmend në relacionin e tij Dom Aleksandër Zhupën, famullitar i Velës, më e rregullta nga të gjithë të tjerat. Ky famullitar kishte shkollë dhe talent të veçantë prandaj “vetëm ai në të gjithë Shqipërinë përpilon dhe mban në rregull librat e pagëzimit” (Malaj, 1998: 73).

Shkolla e Velës del në dokumente edhe më vonë. Nga një relacion i Gjon Gallatës, Ipeshkv i Lezhës në vitin 1730, mësohet se në këtë periudhë në Velë ishte rezidenca ipeshkvnore dhe qendra arsimore e dioqezës. Nxënësit që mbaronin shkollën e Velës dërgoheshin për studime jashtë vendit, siç del edhe nga kërkesa e ipeshkëvit për të dërguar dy nxënës në kolegjet ilirike në Fermo dhe Loreto, pasi sipas tij “ kjo dioqezë nuk kishte asnjë nxënës në kolegjet e përmendura” (Albania Sacra, 2007: 186). Edhe nëntëmbëdhjetë vjet më vonë, shkolla e vazhdonte veprimtarinë e saj. Sipas relacionit të Simon Negrit, ipeshkv i Lezhës, dërguar Kongregacionit të Propagandës së Fesë në vitin 1749, “Vela administrohet nga Dom Marku, Vikari i Përgjithshëm i Dioqezës dhe mësues i shkollës së Velës”(Albania Sacra, 2007: 196).

Niveli i klerikëve vendës që kishin përfunduar studimet në shkollën e Velës, nganjëherë linte për të dëshiruar. Imzot Negri shkruan se “nga 56 klerikë të dioqezës, 6 dinë vetëm të formojnë dy rreshta letër” (Bartl, 2007:204), pasi ata kishin mbaruar vetëm shkollimin fillestar në vend, siç duket në Velë. Nga 56 klerikët, shumë pak prej tyre kishin mbaruar studimet jashtë vendit. Në këtë vit, mësues i shkollës së Velës ishte Pjetër Bardhi (Albania Sacra, 2007:207). Në vitin 1751, shkolla e Velës ishte e hapur (Dokumente për historinë e Shqipërisë, 2015: 446). Në 1760, mësues qe Lekë Bardhi, i cili njoftonte se “gjithçka shkon mirë, megjithëse atmosfera në Velë nuk është aspak e bukur për shkak të pranisë së vazhdueshme dhe kërcënuese të Karaman Pashës”. Një tjetër relatues, Mëhill Kryezezi, me 11 maj 1774, njoftoi Kongregatën e Shenjtë se “Lekë Bardhi vazhdonte me arsimue të rinjtë që i ishin besue, pavarësisht fjalëve dhe gojëve të këqija e “mashtrimeve” që disa smirëzez flisnin kundër tij”. Dy vjet më vonë, Ipeshkvi Simon Negri njofton se “shkolla po shkonte mirë e kishte dobi në duart e famullitarit të dijshëm, Dom Mark Negri, që ishte emnue mëkambës i tij” (Çefa, 2013: 74).

Me mbylljen e Kongregacionit të Propagandës, në vitin 1798, shkolla ishte mbajtur me të ardhurat e pakta të klerikëve. Në një mbledhje të vitit 1804, ishte vendosur që të gjithë klerikët të jepnin një taksë të veçantë(Çefa, 2013: 109), për të mbajtur shkollën. Një relacion i 28 prillit 1807 i shkruar nga Vela mbi “shkollat e Lezhës” mban emrin e Dom Andrea Negrit, mësues (Vatikani dhe Arbëria, 1998: 162), i cili tregon se shkolla vazhdonte të funksiononte. Po nga Vela, Ipeshkvi i Lezhës Nikollë Malçi kishte dërguar disa relacione në vitet 1800, 1807 dhe 1821 (Vatikani dhe Arbëria, 1998: 159), që do të thotë se ai e kishte rezidencën ipeshkvnore atje. Pastaj të dhënat ndërpriten për 45 vjet.

Në vitin 1866, gjatë vizitës që bëri konsulli Wiet, në Velë kishte një hospic françeskan (Vatikani dhe Arbëria, 1998:390-400), ku misionarët kryenin edhe veprimtari mësimore. Dëshmi për funksionimin e shkollës së Velës, në mes të shek. XIX, jep edhe konsulli frëng në Shkodër Hecquard: “Kohët e fundit, kur Pashai kundërshtoi ndërtimin e një seminari dhe shkatërroi atë që ishte ngritur, mirditorët zbritën në fushë dhe shembën një xhami, në shenjë hakmarrje ndaj padrejtësisë që i ishte bërë katolicizmit”(Hecquard, 2008: 2014). Cili ishte seminari që ishte shkatërruar dhe ku ishte planifikuar të ndërtohej seminari tjetër? Duke parë në vijimësi zhvillimet arsimore në atë periudhë, seminari i shembur duhet të ketë qenë ai i Velës, ndërsa seminari i planifikuar duhet të ishte i Rubikut, ku kishin qëndruar dhe misionarët françeskanë, pasi në atë periudhë misionarë françeskanë kishte në të dy vendet. Pas vitit 1866, veprimtaria arsimore u zhvillua në Rubik dhe pastaj brenda në Lezhë, sidoqoftë shkolla shqipe e Velës kishte shërbyer për rreth dy shekuj e gjysëm për përgatitjen e kandidatëve për klerikë, që gjithnjë ishin mbi nevojat e Ipeshkëvisë, pra duke u shërbyer edhe laikëve.

Filed Under: Histori

Pengesa

October 5, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Në vitin 1997, autori meksikan Don Miguel Ruiz ndryshoi mënyrën se si njerëzit mendonin për vetë-përmirësimin, me botimin e librit Udhëzues praktik për lirinë personale. Në vend që t’u tregonte njerëzve se si të ndryshonin zakonet e tyre, ai u përqendrua në një grup besimesh shpirtërore të mbajtura nga njerëzit e lashtë Toltec që theksonin “marrëveshjet” që bëjmë me veten, me të tjerët, dhe me vetë jetën.

Sipas Ruiz, më e rëndësishmja nga këto marrëveshje, dhe shpesh më e vështira për t’u mbajtur, është ajo që bëjmë me veten. Tre marrëveshjet, siç i parashtroi Ruiz, janë:

1) Mbani fjalën.

2) Mos e merrni asgjë personalisht.

3) Bëni gjithmonë më të mirën.

Veçanërisht kur bëhet fjalë për të bërë më të mirën, njeriu mund të përqendrojë mundësitë kundrejt kufizimeve, dhe duke e bërë të drejtohet drejt pohimeve pozitive kundrejt vetëkritikës.

Sa fisnikë dhe të mirë mund të ishin të gjithë, nëse, çdo mbrëmje do të kujtonte në mendje ngjarjet e gjithë ditës dhe do të mendonte saktësisht se çfarë ka qenë e mirë dhe e keqe. Më pas, pa e kuptuar, përmirëson veten në fillim të çdo dite të re.

Ne bëjmë atë që dimë të bëjmë, dhe kur dimë më mirë, bëjmë mirë. Mos u lodh kurrë duke u përpjekur dhe mos mendo se është e pamundur. Bëhu vetvetja; nuk ka imitues të tjetrit. Ka diçka që mund ta bëni më mirë se një tjetër. Dëgjoni zërin e brendshëm. Bëj gjërat për të cilat je i shkëlqyer, thotë Ralph Waldo Emerson, ne nuk mund t’i lejojmë vetes të frikësohemi për të mos e jetuar jetën tonë… Duhet të vazhdojmë me besimin se gjërat do të përmirësohen… Dhe gjërat do të përmirësohen kur ne t’i bëjmë ato më të mira.

Kuptimi thjesht është, se çdo gjë që përpiqesh të bësh, përpiqu me gjithë zemër ta bësh mirë; se “në qëllime të mëdha dhe në të vogla, kam qenë gjithmonë tërësisht i zellshëm”, thotë Charles Dickens.

Për sa kohë që përpiqeni për më të mirën, nuk jeni i dështuar. Gjithashtu nga jeta njeriu mëson se suksesi nuk matet aq shumë nga pozicioni që dikush ka arritur në jetë, sesa nga pengesat që ka kapërcyer gjatë përpjekjes për të pasur sukses.

May be an image of one or more people, television, newsroom and text

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT