• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

OPOZITA PRET TË SHKOKLOHET PUSHTETI …?

October 3, 2023 by s p

Frano Kulli/

Zgjedhjet e përpjesëshme të Kukësit na e ripërsëritën rëndomtë këtë pohim të kakohshëm. Opozita shqiptare, ajo që përfaqësohet në rregjistrat zyrtarë të shtetit, në dy a tri copa, pa pikën e dyshimit vetëm sa gjëndet aty me targën e opozitarëve, duke konsumuar benefitet që nuk shterrin kurrë edhe në ato zyra, në secilën prej tyre, e bindur se nga pushteti është aq larg sa as nuk mendon se mund ta arrijë atë ndonjëherë. Asnjëra palë e opozitës. Të vetëdijshëm për këtë, fill mba zgjedhjeve të rradhës sa hedhin tymçen e zakonëshme të vjedhjes së zgjedhjeve dhe më pas , herë me gojë e herë me shkrim kumtojnë e ligjërojnë frazat boshe pa mendim e lëng, pa arsye. Ata e dijnë si buka që hanë se nuk do të vijnë kurrë në pushtet. Këta që janë dhe me punën opozitare që bëjnë. Të vakët, me koferenca për shtyp që as ngrohin as ftohin. Përpjekja më e fundit që na e kanë paraqitë si arritje është rindërtimi a ribashkimi i një grupi parlamentar të shumicës së opozitës. Po sa frymëzojnë deputetët ? Sa shpresë ngjallin për ndryshim ? A do të mund të rivendikoheshin ata në zgjedhjet ardhshme ?
Eksperiencat e zgjedhjeve të shkuara na e paraqesin të dyshimtë ; këtë na e tha edhe Kukësi, këtë na e thotë cikli i pandërprerë i humbjeve. Ishte edhe më e thellë se me 14 maj kjo humbja e fundit, mbas largimit të përçudshëm të pararendësit prej zyrës së kryebashkiakut. Një rënie e frikëshme e rrënimit të shpresës tek opozita, sa të bën ta mendosh se më shumë vota do të mund të kishte marrë një kandidat i pavarur …
Ne kemi sot një pushtet të keq, arrogant, propagandist, rrenacak që drejton vetëm një Shqipëri virtuale. Skandaloz sa s’bëhet , me skandale në seri. Me ministra e zyrtarë që i përdhosin zyrat e shtetit e me të tjera kukulla prej të cilëve zevëndësohen. Dhe që ja ka arrit t’i frikësojë e ti varfërojë Shqiptarët me “të bërit shtet”, duke ua servirë qytetarëve shtetin si forcën që vetëm të detyron, por nuk ka detyrime vetë përreth teje-qytetarit, që e ke zgjedhë të të administrojë jetën tënde publike.Që ka çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe rrogat e pensionet më të ultat. Një taktikë e njohur kjo e rregjimeve, që për të sunduar popujt, më së pari i varfërojnë deri në palcë ata.Ua thajnë xhepin e barkun deri në kufijtë e urisë dhe njëherësh i kërcënojnë orë e çast me forcën e shtetit, që do të bëjë me ta rregullin, rendin dhe prosperitetin.Më pas u thajnë edhe trurin, duke ua plehëruar atë më mbidozë helmuese propagande, ritmikisht, përditë, përnatë, me televizion, me radio, me gazetë, me facebook, me twiter…Me “dëgjesa publike” e me përbetime se do të “qeverisim me popullin”.
Dokrra !
Shqipëria tjetër, Shqipëria reale është ajo e varfërisë që rritet përditë, me ekonominë trokë e të orientuar vetëdijshëm me gjasë, në mënyrë të trishtë drejt drogës e parasë së zezë, që mëton të bëhet e shumtë me punë të aspaktë.Korrupsioni rekord jo vetëm që ka forcuar padrejtësisht oligarkinë, një grusht njerëzish që vetëm e zhvasin këtë vend, por njëherësh ka çarë në dysh të drejtën themelore që shtetasit kanë në një vend demokratik për t’u nisur nga i njëjti start në realizimin e prosperitetit të tyre. Milionierë shqiptarë sot janë gjyqtarë e ministra e shtetarë gjithësojësh, që “s’u ka thanë kush puna e mbarë” deri sot. Ose të përlidhun me to. Korrupsioni dhe gjithë ky orientim i drejtimit të punëve të shtetit e ka kriminalizuar frikshëm jetën e shtetasve, me bekimin e padukshëm të vetë oligarkisë. Dhe e ka vagëlluar shpresën e tyre për të ardhmen se ky vend mund të bëhet, duke u lënë të vetmen alternativë; atë të ikjes nga sytë këmbët. Të rinisë, sidomos, që është vitaliteti i vendit dhe i kombit. Siç thonë shifrat dhe jo veç opinionet e ç’ka , me gjasë është edhe synimi i fshehur i vetë oligarkisë, e cila e përcjell këtë që po ndodh me fërkim të fshehtë duarsh. Rinia nget e vrapon nga sytë këmbët, se sheh braktisjen si të vetmen zgjidhje.
Ne kemi sot një pushtet që edhe i manipulon zgjedhjet . Po, mor po. Veçse përballë këtij soj pushteti, opozita (e shpartalluar edhe me investimin sistematik e me të gjitha mënyrat të pushtetit) nuk ngjit, nuk frymzon. Përreth saj gjindet një destine e vogël që është e lidhur me përfitimet edhe në opozitë, deri në gramët e fundit e me mitin e liderit të pandryshueshëm dhe një grusht idealistësh “të pandreqshëm”. Megjith veprimin e amullt e me mosveprimin e saj por edhe me këmbënguljen gati frenetike për ta konservuar stauquonë, domethënë krizën e demokracisë, siç na thanë edhe zgjedhjet e Kukësit, ajo po venit edhe më shumë shpresën e venitur të shqiptarëve për ta rrëzuar despotizmin e këtij pushtetti .
Prijësit opozitarë as nuk ngrohin as nuk ftohin. As nuk mbajnë krahun…Ata, si duket, presin të shkoklohet pushteti e të bjerë, prej peshës së rëndë të skandaleve të veta. Kurse opozicioni shpresëthyer, shumica e shumicës së këtushme jeton letargjinë dimrore: Shqipëria nuk bëhet.

Filed Under: Kronike

Në përkrahje të aktivistes Natasha Kandiq

October 3, 2023 by s p

SHBA

Tetor 2023 /

E ftuar nga TV – Zëri i Amerikës, Kandiq flet edhe për vrasjen nga makineria serbe e tre vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, ku sipas saj vendimi për rrëmbimin dhe ekzekutimin e tre Heronjve shqiptaro – amerikan erdhi nga Beogradi, krahas aktivistes Kandiq gjatë këtij emisioni i ftuar ishte edhe vëllai i tre Heronjve, Fatos Bytyqi.

Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA përkrah aktivisten e të drejtave të njeriut Natasha Kandiq, e cila disa ditë më parë u përball me avokatin e Ratko Malldiq në pallatin e Drejtësisë në Beograd, nën akuzën për shpifje në Beograd sepse mbrojti shqiptarët. Ndërkohë që sipas gazetës Telegrafi, Vuçiç ka pranuar që Radoiçiç ishte në grupin terrorist që vrau oficerin e policisë së Kosovës në Banjske të Zveçanit. Natasha Kandiq, ka ngritur zërin për të drejtat e njeriut ndaj kirmeve serbe në Kosovë, duke sakrifikuar jetën e saj, prandaj edhe Organizata “Shpresë & Paqe” që angazhohet për të drejtat e gruas dhe fëmijëve në SHBA, vlerëson e përkrah humanisten dhe shkrimtaren Natasha Kandiq për quximin e saj dhe dëshmitë e saj të vërteta në mbrojtje të shqiptarëve për krimet serbe në Kosovë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Për hartimin e kësaj letre ne u bazuam tek shtypi shqiptar si Tv- Zëri i Amerikës, Voal.ch, gazeta Telegrafi, Wikipedia, Ballkanweb.com, etj.

Aktivistja serbe e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe Jugosllavi, Natasha Kandiq, të cilën ish kongresmeni amerikan Eliot Engell dhe senatori Roger Viker në vitin 2018 e propozuan për Çmimin Nobël për Paqen është themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare. Kandiq ka deklaruar se i ka parë vetë krimet serbe në Kosovë dhe ka folur për bombardimet dhe luftën në Kosovë. Pak kohë pas bombardimeve të NATO-s më 25 mars, afër orës dy të mëngjesit i kishte telefonuar juristja dhe ish deputetja e Kuvendit të Kosovës Nekibe Kelmendi, i cila i tha se policia kishte hyrë në banesën e tyre dhe i kishte marrë bashkëshortin (avokat shumë i njohur në Kosovë) dhe dy djemtë e tyre. Këtë bisedë thotë ajo për mediat shqiptare nuk do ta harroj kurrë. Një ditë më pas janë gjetur pa jetë trupat e avokatit Bajram Kelmendi dhe dy djemve pranë një pike karburanti në dalje të Prishtinës. 

E ftuar nga TV – Zëri i Amerikës, Kandiq flet edhe për vrasjen nga makineria serbe e tre vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, ku sipas saj vendimi për rrëmbimin dhe ekzekutimin e tre Heronjve shqiptaro – amerikan erdhi nga Beogradi, krahas aktivistes Kandiq gjatë këtij emisioni i ftuar ishte edhe vëllai i tre Heronjve, Fatos Bytyqi.

Kandiq e kishte denoncuar këtë krim në polici, këta të fundit i thanë se kanë nisur hetimet. Por ky ishte vetëm maskim i këtij krimi ka thënë aktivistja Kandiq, sepse sipas saj nuk ka pasur asnjë hetim. Nekibe Kelmendi u nda nga jeta në vitin 2011, e cila nuk i njohu dot drejtëpërsëdrejti autorët e atij krimi, e bija vijon edhe sot për të gjetur të vërtetën, por asnjë lajm rreth kësaj ngjarje të rëndë. Fondacioni që themeloi Natasha Kandiq po kërkon edhe rreth këtij krimi, por pa sukses. 

Natasha Kandiq ka qenë një ndër të rrallat në Beograd që ka mbështetur ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, ajo ka mbështetur hapur edhe Pavarësinë e Kosovës. Në Shkurt të vitit 2008 ishte e ftuara e vetme nga Serbia në Kuvendin e Kosovës në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë. Fondi për të Drejtën Humanitare është themeluar në vitin 1992 dhe qëllimi kryesor i tij është dokumentimi i krimeve dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Serbi, atje ku ka grupe etnike – shqiptare, në Kosovë dhe myslimanët në Sanxhak. Dëshmitë që ka mbledhur ky fondacion kanë qenë ndër dëshmitë kryesore në proçeset e Tribunalit të Hagës për krime lufte në ish – Jugoslavi. 

Ku me anë të video-ve që ka paraqitur në Tribunaln e Hagës, ka hedhur dritë edhe mbi krimet e ushtrisë serbe në masakrën e Srebrenicës. Një zyrë e këtij fondacioni është hapur edhe në Prishtinë në vitin 1996. Qysh në fillim të viteve 1990 ajo ka dokumentuar dhe protestuar kundër krimeve serbe midis periudhës 1991 dhe 1999 duke përfshirë torturën, përdhunimin dhe vrasjet. Sipas revistës Businessweek, puna e saj nxiti urrejtje tek serbët dhe drejtuesit ushtarakë në rajon, por fitoi admirimin e shumë mbrojtësve të të drejtave njerëzore në botë. Për aktivitetin e saj humanitar Natasha Kandiq është dekoruar me shumë Çmime e Tituj Ndërkombëtarë, Në nëntor të vitit 2012 Insttuti Kosovar i Paqes i ndau Çmimin për “Paqen”. (h & p)

Filed Under: Emigracion

SOT NË PËRVJETORIN E VDEKJES

October 3, 2023 by s p

Mid’hat Frashëri, ndër shkreptimat më të dritshme të mendimit shqiptar

Mid’hat Frashëri është prej atyre penave dhe mendjeve të ndritura të përkatësisë sonë identitare, i cili, bashkë me Fishtën dhe Konicën, por edhe të tjerë, patën guximin të flisnin hapur dhe të godisnin fort, të tregoheshin rreptësisht të drejtë në pamëshirën e deklarimeve për shqiptarët, në një përpjekje, më shumë gjasë të dështuar, për të ndikuar sadopak në mirësimin e sjelljeve dhe dobishmërinë e punëve për kombin, më shumë se për veten.

Mid’hat Frashëri me recetën e tij të ashpër për shërimin e mëndjes dhe shpirtit të shqiptarëve, bëri shumë armiq, vrenjti shumë surretër, la shumë koka mënjanë, turfulloi shumë pëshpërima, prishaqejfi jo pak zuzarë, deshti dhe urrejti si një zemër që kërkonte të prehej në një gjoks që ishte gati t’i vihej derteve të kombit, siç burra dhe gra të tjerë që u flijuan për mëvetësi dhe dritën e dlirësisë.

Ai, Mid’hat Frashëri, i përket atyre kapaciteteve intelektuale, ikja e të cilëve të shënonte një humbje për Shqipërinë e shqiptarët. Ai iku më më 3 tetor 1949, por testamenti që la ishte ajo shprëblesë e hyjshme që gjithkënd ndër ne e bën të ndihet i përulur në besim të virtyteve dhe vlerave të nalta, të atyre aspiratave që shënjohen në faqe të dritshme të historisë sonë.

Qëndroi dhe iku si një shqiptar i madh, duke na lënë amanet:

“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.”

“Nuk di se ku do të vendoset Instituti; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhe një qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”.

Ai dhe shumë mëmëdhetarë të tjerë, patën, lanë dhe dhanë gjithçka kishin që shqiptaria të jetë, të lartësojë me lavdinë; e të shkumes, të tashmes dhe të ardhmes, duke qenë dhe mbetun te çdonjëri që flet dhe jeton shqip, një amanet si një grusht dhé që e mbajmë nën krye dhe e marrim me vete kudo fati na thërret. Po, për të qenë dhe mbetur amanetçarë të veprave të mira në dobi të asaj përkatësie, e cila të ndihet e përfaqësuar dhe e krenuar prej nesh.

Kjo ndërmendje për Mid’hat Frashëri, për këtë atdhetar të ditur dhe dritur, është mirënjohje por edhe ndjenjë përgjegjësie, ndoshta jo për të bërë sa bëri ai dhe të tjerë atdhetarë për shqiptarinë, por për tu përpjekur që duke bërë sa të mundim të jemi të të njëjtës udhë që ata bënë.

Albert Vataj

Filed Under: Komente Tagged With: ALBERT VATAJ

MËSIMET E NXJERRA PAS SULMIT TERRORIST TË DATËS 24 SHTATOR TË PLANIFIKUAR, PËRGATITUR, FINANCUAR, DREJTUAR DHE URDHËRUAR NGA AGJENSITË INTELIGJENTE DHE USHTRIA SERBE

October 3, 2023 by s p

Sulmi terrorist i datës 24 shtator 2023, pasqyroi përpara gjithë botës demokratike realitetin në të cilin ndodhet situata e sigurisë në veri të Kosovës dhe vërtetoi plotësisht akuzat e vazhdueshme të bëra në të gjithë platformat, takimet dhe forumet ndërkombëtare të Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti dhe të disa ekspertëve Shqiptaro-Amerikanë të sigurisë në diasporën Amerikane, të cilët në të gjitha rastet kanë qënë në mbështetjen e tyre duke informuar institucionet relevante Amerikane.

Duke qënë se ky operacion terrorist në përbërjen e tij shfaqi shumë elementë të rëndësishëm të cilët nuk duhet të injorohen, ofroi fakte, prova dhe informacione të shumta, në cilësinë e një ish drejtuesi të lartë të agjensive më të rëndësishme në vend por jo vetëm, mendoj se është përgjegjësi e të gjithë strukturave të sigurisë së Kosovës Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, AIK-ut, që në mënyrë të veçantë të zhvillojnë një analizë të hollësishme rreth gjithë strukturës dhe zinxhirit të ngjarjeve deri në ditën e sotme.

Në këtë këndvështrim, mendoj se mësimet e nxjerra duhet të përfshijnë fushën diplomatike (rishikimin e formatit, përmbajtjes dhe personave të cilët do të përfshihen në procesin e vazhdimit të negociatave me një shtet që drejtohet nga kriminelë si Serbia), fushën e sigurisë kombëtare që lidhet me bashkëpunimin me komandën e KFOR-it, EULEX-it, ambasadat e huaja të vendeve partnere, agjensitë e inteligjencës AIK dhe të vendeve partnere, Shtabin e Përgjithshëm në MM, strukturat e policisë së Kosovës përfshirë këtu Policinë Kufitare, Policinë e Rendit dhe Njësitë e Forcave Speciale përgjegjëse për sigurinë në territorin e katër komunave veriore në kufi me Serbinë.

Duke marrë në konsideratë të gjitha faktet e publikuara deri tani por edhe shumë të tjera të cilat janë pjesë e hetimit të organeve ligjzbatuese dhe inteligjente, një pjesë e të cilave do të dalin në vijimësi, etj mendoj se ngjarje të tilla kunder njësive policore kufitare, stacioneve policore në komunat veriore dhe njësive speciale të dislokuara në këto zona është e rëndësishme të merren në konsideratë disa propozime modeste të cilat mendoj se janë immediate, do të rrisin efikasitetin e punës së policisë në këtë rajon dhe më e rëndësishme mbijetesën e forcave policore në një përplasje të mundshme në të ardhmen me grupet terroristo-kriminale të financuara nga shteti serb.

Koha ka treguar se strukturat paralele serbe në veri si ‘Brigada e Veriut’, ‘Mbrojtja Civile’, ‘Rojet e Urës’, ‘Lista Serbska’, ‘Grupi Mjekërroshat’, individët e përfshirë në kompaninë serbe të Ëagnerit rus një pjesë e të cilëve kanë luftuar në Siri, Libi dhe në Ukrainë kanë qënë shumë agresive kundër forcave paqësore të KFOR-it përgjatë viteve të fundit. Ato kanë shkaktuar vrasjen e heroit të kombit Enver Zymberi me armë sniper, vrasjen së fundi të heroit Afrim Bunjaku, vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, etj.

Duke marrë në konsideratë mbështetjen e drejtëpërdrejtë të ushtrisë serbe (armatimet, pajisjet logjistike, programet e stërvitjes dhe instruktorët, bazat stërvitore), Agjensisë për Siguri dhe Inteligjencë ‘BIA’ (koordinimin e veprimeve destabilizuese, planifikimin e operacioneve të fshehta, financimin e tyre, mbështetjen e tyre me inteligjencë, bashkëpunimin me rrjetet e fshehta të saj në veri, në thellësi të territorit të Kosovës dhe bashkëpunëtorët në institucionet e Kosovës, etj), strukturave të Ministrisë së Brendshme serbe (stërvitjen, bashkëpunimin, koordinimin dhe sigurinë e këtyre grupeve gjatë infiltrimit-eksfiltrimit nga vija kufitare me njësitë kufitare të xhandarmarisë serbe), bashkëpunimin e tyre me strukturat e shërbimeve inteligjente ruse GRU, SVR, FSB, mbështetjen e drejtëpërdrejtë politike nga Aleksandër Vuçiç, Ivica Daçiç dhe në të gjithë rastet nga Moska nëpërmjet zëdhënëses së MPJ ruse Maria Zakharova dhe ambasadës ruse në Beograd, është e rëndësishme të forcohen kapacitetet e sigurisë kombëtare në vend.

Kapja e një sasie kaq të madhe, shumëllojshme, të fuqishme përfshirë armët kundër mjeteve të blinduara, raketat kundër-tanke, minat kundër-këmbësorisë, minat kundër-tanke, minat me telekomandë, armët me volum të madh zjarri si mitralozët 40 mm, mitralozët e kalibrit 12.7 mm, mitralozët e lehtë 7.62mm, pushkët snajpere të kalibrit 12.7 mm, mortajat 82 mm, armët me silenciator, armët automatike me mjete moderne optike, sasia e madhe e granatave të dorës, dylbitë e shikimit natës, kamerat termale, dylbitë, mjetet e komunikimit, ndihmës së shpejtë, mjetet e transportit të përshtatura me mjetet e KFOR-it, etj tregojnë se kemi të bëjmë me një strukturë të mirëfilltë të sponsorizuar, organizuar, trajnuar, financuar, drejtuar dhe urdhëruar drejtëpërdrejtë nga kreu i shtetit nëpërmjet agjensive të tij shtetërore.

Pikërisht ajo më shqetëson më shumë nga ky arsenal kaq i fuqishëm, është aftësia dhe fuqia e lartë që ai ju ofron përdoruesve të tyre kundër njësive të zakonshme ose speciale policore të cilat ushtrojnë misionin e tyre kushtetues në territorin e Kosovës por edhe armatimi disporpocional që ata kanë në raport me grupet terroriste serbe në një përplasje të mundshme në të ardhmen.

Në këtë kontekst, mendoj se Qeveria e Kosovës duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit, rreziqet dhe kërcënimet duhet urgjentisht të krijojë një Taks-Forcë Ndërinstitucionale. Në përbërje të kësaj TF, duhet të jenë njësitë më të afta, pajisura, stërvitura dhe të afta të realizojnë misione të tilla nga MM, MPB të cilat në çdo rast duhet të jenë të koordinuara me faktorin ndërkombëtar, SHBA, NATO-n, KFOR, EULEX dhe BE.

Të gjitha njësitë policore të cilat realizojnë patrullime në veriun e Kosovës duhet të:

• Të kalojnë përmes një programi stërvitor rifreskues, i cili duhet të rrisë aftësisë e tyre në përdorimin e armëve dhe mjeteve të komunikimit që kanë në organikë.

• Pjesë e programit të tyre stërvitor duhet të jenë veprimet gjatë taktikave të vogla, bashkëpunimi i tyre në rast sulmi, taktikat e dhënies së ndihmës së shpejtë në terren, taktikat e evakuimit të plagosurve, taktikat e daljes nga prita, etj.

• Për shkak të pritshmërisë së hakmarrjes ndaj policisë së Kosovës, duke marrë në konsideratë fuqinë e zjarrit të armatimit dhe mbështetjes nga strukturat shtetërore serbe të këtyre grupeve, patrullat e policisë së Kosovës të cilët do të operojnë në afërsi të kufirit duhet që në përbërjen e tyre të kenë jo më pak se gjashtë persona. Në sejcilën patrullë, duhet të kenë me vete një mitraloz të lehtë, një armë sniper për të kontrolluar terrenin sa më larg, për të grumbulluar inteligjencë dhe të mbështetur grupin në rast sulmi. Pjesa tjetër e efektivit duhet të jetë e pajisur me sasi shtesë municioni, mjete të sigurta ndërlidhje, telefon satelitor, grupet nuk duhet të qëndrojnë në pozicione të hapura, por të veprojnë në koordinim me njësitë e KFOR-it dhe nga pozicione të fortifikuara qoftë kjo edhe natyrore.

• Patrullat e policisë duhet të jenë të pajisura me mjete moderne shikimi dite dhe nate. Sejcila prej tyre duhet të jetë e përgatitur për planet e të papriturave dhe të kenë të përcaktuara që më parë koridoret e tërheqjes dhe të evakuimit.

• Është e rëndësishme, që policia e Kosovës të rrisë aftësinë e monitorimit të kufirit qoftë kjo me mjetet ajrore të KFOR-it ose të dronëve të inteligjencës.

• Forcat e njësive të ndërhyrjes së shpejtë, njësitë speciale dhe njësia e anti-terrorit, duhet urgjentisht të pajisjen me armë të rënda automatike si mitralozë HK MG-3 dhe HK MG-4 (të cilat edhe nëse nuk i kanë gjenden në sasi të mjaftueshme në ushtrinë Shqiptare dhe ky është momenti që t’i dhurohen Kosovës të paktën 10 x 2 komplete të tilla). Në makinat e tyre të blinduara duhen vendosur mitralozët e rëndë, për shkak të rrezikshmërisë së lartë në këtë territor dhe armëve kundërtanke që poseidojnë terroristët/kriminelët serbë.

*Në njësitë speciale policore të Kosovës duhen shtuar aftësitë e përdorimit dhe të pajisjes me armë të precizionit të lartë sniper me aftësi veprimi dite dhe nate, duke shtuar në organikën e tyre armët me kalibër 300 Wing Mag dhe 338 Lapua Magnum të cilat mundësojnë mbështetje në distanca më të mëdha. Në të njëjtën kohë edhe sasia e armatimit të tyre duhet përmirësuar edhe më tej.

• Grupet speciale policore duhet të specializohen më tej në taktikat e përdorimit të mjeteve të blinduara qoftë kjo në situata policore por edhe gjatë rënies në mina të telekomanduara ose gjatë sulmeve direkte me kundërtank.

• Njësitë speciale policore duhet të kalojnë një kurs trajnimi për taktikat e luftimit në terrene rurale, urbane në situata reale luftarake sidomos në metodat dhe taktikat e luftimit gjatë operacioneve të ndjekjes.

• Duhet të rritet dhe të intensifikohet më tej bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacioneve midis agjensive të inteligjencës së AIK-ut dhe shërbimeve partnere të inteligjencës, drejtorisë së J-2-it në SHP të MM, drejtorisë së zbulimit të KFOR-it, etj.

• Prezenca e policise se Kosoves ne veri duhet te shtohet ndjeshem se bashku me monitorimin e vazhdueshem te kufirit nga toka dhe ajri.

* MM ne bashkepunim me SHP dhe komanden e KFOR-it duhet te pergatise planet per koordinimin me njesite e FSK ne rastet emergjente dhe koordinimin e duhur me njesite e policise se Kosoves perfshire ketu zonat e pergjegjesise operacionale, planet kryesore, planet rezerve dhe te papritura, rrugekalimet kryesore, reserve dhe jo vetem.

Si perfundim, deshiroj te shpreh mirenjohjen me te thelle per njesite e policise se Kosoves, forcat e saj te sigurise dhe lidershipin e ministrise se brendshme. Na kane bere krenare dhe meritojne te gjithe mbeshtetjen. Me mire disa rruge me pak dhe me shume arme, pasi siguria kombetare me nje fqinj si Serbia duhet te jete prioritet i pare sot me shume se asnjehere. Rreshteri Afrim Bunjaku qofte i paharruar kujtimi i tij.

Dr. Dritan Demiraj.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

Aleksandër Xhuvani si mësues e tekstolog (1912-1961)

October 3, 2023 by s p

Ledio Xhoxhi

Historian/

Prof. Aleksandër Xhuvani, pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij ia kushtoi mësuesisë. Ai kishte një konsideratë të veçantë për punën e mësuesit. Ai ndoqi vazhdën e rilindësve, që e konsideronin mësuesin jo vetëm si mësimdhënës të thjeshtë, por si luftëtar aktiv për përhapjen e arsimit kombëtar dhe për çlirimin e atdheut nga pushtuesit osmanë. Xhuvani mendonte se mësuesi duhet të ketë një logjikë të mprehtë, një gjykim të shëndoshë, të jetë i shkathët, i gjallë; një mësues i tillë e gjallëron jetën e klasës dhe të shkollës. Ai kërkon që mësuesi të ketë një kulturë të plotë. Rëndësi të madhe i jep mësimit të gjuhës shqipe. Mësuesi duhet të ketë pasion për mësimin e gjuhës shqipe, dhe duhet t’a ngjallë këtë dëshirë edhe në zemrën e fëmijëve që mëson. Mësimin ai e quan si detyrë patriotike për mësuesin. Veç kësaj ai kërkon që mësuesi të ketë dijeni të plotë për çdo gjë që duhet të mësojë nxënësi; ai gjatë gjithë jetës duhet të përpiqet për formimin e vet kulturor. Formimi shkencor i mësuesit duhet të shtrihet mbi pedagogjinë e përgjithshme, mbi psikologjinë e përgjithshme, mbi edukatën dhe më shumë mbi psikologjinë fëminore.

Aleksandër Xhuvani i jep rëndësi të madhe edhe edukimit të vetive morale të mësuesve të ardhshëm. Mësuesi, sipas tij, duhet të dallohet për një pastërti të plotë morale. Në formimin moral të mësuesit ai i vë rëndësi të dorës së parë edukimit patriotik, dashurisë për punën dhe dashurisë për fëmijët. Xhuvani mendon se mësuesi duhet të ketë një dashuri të zjarrtë për atdheun. Ai duhet të mbrojë vendin e vet, popullin e vet dhe të përpiqet me të gjitha forcat për lumturinë dhe begatinë e vet.

Historia e krijimit të teksteve për shkollat shqipe, nuk ka dyshim, përbën një objekt më vete studimi. Ajo paraqet interes të madh, veçanërisht për historinë e didaktikës dhe të përmbajtjes së edukatës atdhetare shqiptare. Për këtë, ka rëndësi në radhë të parë të nxiret në pah koncepti pedagogjik i rilindësve për tekstet shkollore, me të cilën u morën thuajse të gjithë ideologët më të shquar të kësaj periudhe. Ata, në hartimin e teksteve, e përdorën dhe e shfrytëzuan përvojën përparimtare botërore, përkthyen, adaptuan dhe krijuan vetë. Por rëndësi të veçantë ka ndihmesa origjinale shqiptare për tekstet, elementi kombëtar dhe mendimi pedagogjik në to, në përgjithësi, që përfaqëson gjithashtu, një ndihmesë me vlerë në tërësinë e mendimit pedagogjik të kësaj periudhe.

Platforma teorike-pedagogjike për tekstet shkollore mori karakter edhe më të mprehtë në prag të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kur nevoja e tyre ndjehej gjithnjë e më shumë. Në këtë kohë spikati në mënyrë të veçantë ndihmesa e Aleksandër Xhuvanit, i cili ndodhej jashtë atdheut dhe vazhdonte me ngulm veprimtarinë e vet teorike pedagogjike. Pikëpamjet e veta shkencore Xhuvani i shprehu në gazetën “Shkreptima” dhe në organe të tjera. Xhuvani theksonte nevojën e teksteve të shkollave fillore dhe veçanërisht për tekstet e hallkave më të larta shkollore. Ai mendonte se tekstet duhet të kenë përmbajtje e karakter atdhetar dhe nivel e synime shkencore e praktike. Ai mendonte se shqiptarët më parë kanë nevojë për libra shkollash e për libra mjeshtërish për të përhapur diturinë e qytetërimin dhe njëherësh mësimin e gjuhës nga populli, për të vënë themelet e një kulture të vërtetë.

Problemet e teorisë së edukatës, të arsimit dhe të të mësuarit, Aleksandër Xhuvani i trajtoi në shumë studime e artikuj e sidomos në veprën e vet kryesore me vlerë të veçantë “Fillimet e pedagogjisë”, të cilën e botoi së pari në vitin 1926, si një skicë përmbledhëse të didaktikës dhe të edukatës dhe pastaj e zgjeroi në dy vepra të veçanta solide: “Psikologjia” në vitin 1933 dhe “Didaktika” në vitin 1937. Këto vepra janë fryt i punës së tij shumëvjeçare, si pedagog i këtyre lëndëve, të cilat u futën në planin mësimor të Shkollës Normale me nismën e tij. Në të trajtohen nga një këndvështrim i gjerë shkencor dhe me mjaft kompetencë problemet thelbësore të pedagogjisë dhe të psikologjisë, objekti, metodat, ligjet, parimet e çështjet e tjera që përmbajnë këto disiplina. Ato dallohen për thellësinë e qartësinë e mendimeve, janë punuar mbi bazën metodike të drejtë, kanë një përmbajtje të shëndoshë kombëtare, dallohen për stilin e gjuhën e pastër shqipe si dhe për terminologjinë e saktë shkencore.

Veprimtaria e Aleksandër Xhuvanit u përqendrua në fushën e gjuhësisë: njësimi i gjuhës letrare dhe pastërtia e gjuhës, gramatikë, leksikologji e leksikografi, fjalëformimit etj. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë (1948, 1951, 1954, 1956), që çelën rrugën për njësimin e plotë të drejtshkrimit të gjuhës shqipe më vonë. Gjatë gjithë jetës bëri luftë këmbëngulëse për pastërtinë e gjuhës shqipe, për pasurimin e saj në bazë të veçorive e të ligjeve që e karakterizojnë. Ky ka qenë filli që ka përshkruar tejembanë gjithë veprimtarinë e tij prej lëvruesi të gjuhës shqipe. Më 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”. Vetë ai, kreu një punë me vlerë për pasurimin e gjuhës sonë letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë të mjaftë degëve të dijes sidomos të gramatikës, të letërsisë dhe të shkencave pedagogjike. Ndihmoi shumë në veprimtarinë, që nisi të shtjellohet në vendin tonë pas çlirimit në fushën e terminologjisë, drejtoi punët e para që u bënë për terminologjinë shkollore. Shtjelloi dhe një veprimtari kërkimore të gjerë e të frytshme në fusha të ndryshme të gjuhës shqipe. Qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës. Mund të përmenden punimet për pjesoren e paskajoren, monografia “Parafjalët”. Hartoi në bashkëpunim me Eqrem Çabej dy trajtesat “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1961), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe e mendimeve që pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullore.

Aleksandër Xhuvani qe njohësi më i mirë i visarit leksikor të gjuhës shqipe. Mbodhi me durim e pasion nga gjuha e popullit shumë fjalë e shprehje, të cilat u përpunuan pas vdekjes së tij në formë të një fjalori nga M. Domi dhe Q. Haxhihasani dhe u botuan për 20 vjet në revistën “Studime filologjike” (1971-1990). Xhuvani bëri një botim të dytë të sistemuar shkencërisht të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të K. Kristoforidhit dhe i dha këtij fjalori një jetë të re. Xhuvani dha një ndihmesë të vlefshme edhe për “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954). Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme, ndër të cilat mund të përmenden “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934), “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” (1957). Një ndihmesë të vyer u solli ai studimeve për letërsinë tonë, e sidomos për letërsinë e vjetër dhe arbëreshe me tekstet, antologjitë, artikujt e recensionet që botoi. Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë ndërmori botimin e plotë të veprës së tij, para shikuar në 6 vëllime, nga të cilat kanë dalë vetëm dy vëllimet e para (1980, 1990).

Duke njohur kontributin e gjithanshëm teorik dhe praktik të Aleksandër Xhuvanit arrijmë në përfundimin që kanë arritur edhe studiuesit e tjerë, se Xhuvani është një personalitet i shquar i kulturës, i historisë së arsimit dhe i mendimit pedagogjik.

Filed Under: Histori Tagged With: Ledio Xhoxhi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT