• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

NËNTORI I LETËRSISË NË VATËR

November 26, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 25 Nëntor 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi një ditë kushtuar letërsisë shqipe. Nën prezantimin e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z.Mhill Velaj, anëtari i kryesisë së Vatrës z.Ilir Cubi përshëndeti të pranishmit: “Në emër të Vatrës ju përshëndes dhe uroj suksese. Urimet më të përzemërta krijuesve e shkrimtarëve të pranishëm në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për diasporën shqiptare. Gëzuar Festa e Flamurit Kombëtar të gjithë shqiptarëve” tha ndër të tjera z.Cubi. Në analizën rreth poezive të z.Tahiri, z.Velaj deklaroi se poeti Ilmi Tahiri në librat: “Sytë kah atdheu”, “U ktheva atdhe” dhe “Për ty Kosovë” na ofron një krijimtari të madhe si për nga numri i poezive, masa, vëllimi e cilësia por edhe nga niveli i lartë ideo poetik por edhe ai semantik. Poeti z.Ilmi Tahiri u tha të pranishmëve se sillte për të gjithë bashkëkombësit mallin e mëmëdheut, tokës së bekuar të Kosovës heroike. Ai tha se poezitë i dedikohen heronjve të Kosovës e historisë së lavdishme të kombit tonë. Ceremonia vazhdoi me një ligjëratë kushtuar poetit të mirënjohur Ymer Elshani e titulluar “Historia ime e patreguar” përgatitur nga vajza e tij Teuta Elshani. Në fjalën e saj mes lotëve e dhimbjes, rrëfeu dramën e familjare të masakrimit të familjes së saj nga forcat serbe dhe përpjekjet e vazhdueshme për të botuar krijimtarinë e babait të saj Ymer Elshani. Ajo falënderoi Vatrën si lidere e aktiviteteve kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazetën Dielli dhe dha mesazhe paqe e qëndrese duke apeluar për drejtësi dhe ndëshkim të krimeve serbe në Kosovë. Shkrimtari z.Mhill Velaj në kumtesën kushtuar poetit Ymer Elshani deklaroi se me vizionet e tij humane, poetike, kombëtare, e integruese dha shembullin me të mirë se si duhet përjetuar jeta, lufta, kultura e atdhedashuria. Ky kolos i letërsisë nga Drenica heroike, ishte një autor model i letërsisë për fëmijë, emri i të cilit sot as që përmendet dhe shumë pak njerëz në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar e dinë se ai, dhe shtatë anëtarë të tij të familjes, u dogj dhe u masakrua mizorisht nga forcat barbare serbe, në prill të vitit 1999 duke i qendruar besnik idealeve të të parëve të tyre poashtu të dëshmuar në breza për atdhedashuri, tha z.Velaj për poetin Ymer Elshani. Veprimtari i çështjes kombëtare Shaban Lajçi recitoi për të pranishmit poezinë e Ymer Elshanit “Çelësi i artë” duke emocionuar të gjithë pjesëmarrësit. Në fund të ceremonisë letrare poeti Abdyl Hajredini për të gjithë të pranishmit u ndal te aspekte të kritikës e estetikës në letërsinë shqipe dhe prezantoi 100 poezitë e tij në librin “Mos vdis nga errësira”. Shkrimtari Mhill Velaj recitoi një poezi nga libri “Mos vdis nga errësira” kushtuar Kosovës duke ngjallur shumë emocione. Gjithashtu luftëtari i lirisë së Kosovës z.Shpend Gjocaj recitoi për artdashësit e librit poezi nga krijimtaria e tij letrare duke ngjallur emocione të forta.

Veprimtari i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës z.Agim Aliçkaj, një ndër kontributorët më të mëdhenj të zbardhjes së krimeve serbe në Kosovë, në fjalën e tij kërkoi që perëndimi të izolojë e ndëshkojë serbinë barbare. Në përfundim të ceremonisë letrare, për të gjithë të pranishmit Federata Vatra shtroi një koktej në nderim të festës së flamurit kombëtar. Vatra shpreh mirënjohjen të veçantë për poetët të cilët në përfundim të aktivitetit dhuruan librat e tyre për Bibliotekën e Vatrës.

Filed Under: Vatra

DY SHKRIMTARËT PETRO MARKO DHE ISUF LUZAJ dhe bijtë e tyre poetë…

November 26, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti

Fate po aq sa të ngjashëm, të ndryshëm po aq… luftëtarë të dy…

Është një datë, që i sjell në kujtesën kolektive më fort se ditët e tjera.

25 nëntor – dita kur Petro Marko lindi,

25 nëntor – dita kur Isuf Luzaj ndërroi jetë.

Moshatarë të vitit 1913, pra kanë dhe 110 vjetorin të dy…

Petroja është nga Bregu i Vlorës, Dhërmiu dhe Isufi nga Kanina e Vlorës.

Të dy e donin atdheun, patriotë dhe luftuan të dy me armë në dorë kundër pushtuesit, – do t’u thosha nxënësve si mësues, – por liritë i patën të ndryshme…

Petroja u lidh me partizanët fitimtarë dhe pësoi burgun e tyre, Isufi me humbësit e Ballit Kombëtar dhe u detyrua t’i ikë persekutimit, mërgoi në Amerikë…

A ishin njohur, takuar? Besoj se po…

Librat e Petro Markos, mirëpriteshin nga lexuesi, por dhe nga kritika e Realizmit Socialist, ndërsa regjimi i ndalonte shpesh e më shpesh…

Librat e Isuf Luzajt nuk mund të futeshin në Shqipërinë e mbyllur si burg, ashtu si autori i tyre, ato ishin të dënuara…

Ndërkaq edhe djali i Petro Markos edhe djali i Isuf Luzajt do të ishin poetë, njëri në burg dhe tjetri në internim.

Jamarber Marko, pasi lirohet, por mbas rënies së perandorisë komuniste do të botonte një përmbjedhje me poezi hermetike, që do vlerësoheshin dhe do të futeshin antologjive.

Dalan Luzaj do ta kalonte jetën internimeve, por pasi diktatura komuniste u shpërbë dhe Shqipëria u hap, ai iku, erdhi te i ati në Chicago SHBA, ka botuar shumë libra me poezi, lirika të dhimbjes dhe vuajtjes, dëshmi të një jete në dy kohë dhe dy vende…

A i përkujtojnë sot Petro Markon dhe Isuf Luzajn? Tirana ku Petroja jetoi dhe punoi si shkrimtar? Po shqiptarët në Chicago, ku Isufi pati shtëpinë e fundit dhe librat?

Në nderim të tyre, që i dhanë aq shumë letrave shqipe, po dhe të bijve të tyre poetë, “të letërsisë tjetër” që u martirizua, po sjell shënime nga libri im “Kartela të Realizmit të dënuar”:

Jamarbër Marko

(1951- 2010)

Petro Marko

(1913- 1991)

Jamarbër Markon e njoha mbas burgut. Poet i një metafore tronditëse. Biri i shkrimtarit të shquar…

Ati, Petro Marko ishte autor që e studionim në shkollë dhe papritur e ndalonin veprën e tij dhe ajo na bëhej më e dashur. E shikon nga larg me adhurim, madje dhe e kam takuar njëhere, isha me tim atë që njiheshin…

Shkrimtar luftëtar, i burgosur nga çdo regjim në çdo epokë të jetës së tij. Që e burrëronin dhe e bënin më të bukur…

Kur është gazetar i ri në Tiranë, me të shpërthyer Lufta e Spanjës, shkon vullnetar atje, njihet dhe me Heminguejin, kështu thoshte, e me shkrimtarë të tjerë në luftë. ​

Kudo që do të ndodhet nëpër Evropë, lufton me fashizmin.

Dhe kthehet në Shqipërinë e pushtuar dhe e burgosin…E çojnë larg. Në Ventotene? Jo, më poshtë dhe më larg në një ishull tjetër në Sicili, në Ustika, për të cilin do të botojë më vonë romanin “Një natë me dy agime”.

Çajnë burgun e Ustikës dhe bashkohet me partizanët italianë, hidhet në zonat e çliruara të Italisë, bashkon shqiptarët e mbetur andej… Kthehet në Shqipërinë e çliruar, rebel si përherë, ngrihet kundër diktatit të Beogradit ndaj vendit tonë dhe shumë shpejt e arrestojnë.

Saturni po hante bijtë e vet. Nis në burg romanin “Hasta la vista”, e nxjerrin nga burgu, e rehabilitojnë, përfundon romanin dhe e boton. Pasojnë vepra të tjera, që shpesh ia ndalojnë, se “ka qenë në burg, është i dyshimtë”, por bëhet i dashur për lexuesin me pasionin e tij prej poeti plot dufe lirie.

Shumëçka e ka treguar tronditshëm në librin “Retë dhe gurët- Intervistë me vetveten”.

Më nëpërmendet, kur në qeli i sjellin profesor Zuberin, një nga gjeologët më të mëdhenj të botës, të cilin dikur e kishte thirrur dhe Lenini për të zbuluar puset e Bakusë, madje atje i kishin ngritur dhe një bust. Dhe tani e kanë katandisur në një grumbull të gjakosur leckash. Kurse Petro Markon e mbajnë varur pas dritares me zinxhirët në qafë. Hapet dera dhe një çizme e rëndë partizani bie egër mbi fytyrën profesor Zuberit, e vrasin në qeli, sepse “nuk ka gjetur rezerva floriri në nëntokën shqiptare”.

Goditja tjetër më e rëndë që merr në jetë shkrimtari i njohur Petro Marko, siç e thotë edhe vetë në kujtimde, është burgosja e të birit, Jamarbër Marko, poet dhe ai, për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe shtetit.

Trashëgohet dënimi. Lirohet dhe Jamarbëri, por nuk i shpëton përndjekjes, ai nuk mund të botojë dot gjë…

Petro Marko vdes i drobitur dhe i zhgënjyer në prag të rënies së perandorisë komuniste, për të cilën dhe luftoi, “me pushkë dhe me penë”, siç thuhej, kishte lindur një vit pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por pa parë kurrë ndonjë agim të dytë.

Gjithsesi ai mbetet një nga shkrimtarët më interesantë shqiptarë të shekullit XX.

​Jamarbër Marko do të botonte poezitë e veta pak para vdekjes së vet, i drobitur dhe i shkatërruar nga burgu…

Shkrimtari Isuf Luzaj

(1913 – 2000)

…shet tokën e vet me ullinj në Vlorë për të studiuar jashtë vendit, në Universitetin e Sorbonës në Paris, ku do të mbrojë dy doktoratura, në filozofi e në letërsi.

Në atdhe punon në Normalen e Elbasanit dhe në Liceun e Korçës. Përmbledhja e parë poetike e tij “Rrëfime” nuk arrin të shpërndahet, e ndalin edhe autorin nga shkaku i poezisë “Neroni”.

Si kundërshtar aktiv, e shpërngulin në Itali në ishullin e të dënuarve, Ventotene. Me ndërhyrjen e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit, lirohet nga burgu dhe rikthehet për t’u bashkuar me nacionalistët, që luftonin për çlirim, por kur kishte nisur vëllavrasja dhe pabesitë.

Pasi humbin, me të mbaruar lufta, ikën duke lënë familjen, por në Itali e dënojnë, akuza: dyshime për vrasje e një gjenerali italian gjatë luftës.

Me ndihmën e Sandro Pertinit. Presidenti i ardhshëm i Italisë, me të cilin ishin njohur në Ventotene, punon në Bibliotekën e Vatikanit.

Fati i tij që në Argjentinë kërkohej një profesor filozofie me diplomën e Sorbonës. Do të njihej me shkrimtarin Jorge L. Borges. Mbas 18 vjetësh punë atje, e ftojnë në SHBA, ku e zgjedhin kryetar të Ballit Kombëtar në Kongresin e Nju-Jorkut.

Isuf Luzaj, krahas titullit “Professor emeritus”, merr edhe dekoratën “Profesor i Amerikës”, të cilën ia jep vetë Presidenti Regan. Mban leksione në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshirë, Indiana etj. Emërohet titullar katedre i 87 profesorëve në universitetin e Illinoisit.

Ka lënë në dorëshkrim edhe 32 vëllime, poezi, filozofi, histori, ditarë, romane etj., të gjitha të panjohura në atdhe, por edhe të dënuara të gjitha.

​Poeti Dalan Luzaj,

(jemi pranë në Chicago)

​Në kopertinën e pasme të njërit prej librave të Dalanit është dhe kjo thënie imja:

“Duke u lidhur me poezinë, Dalan Luzaj duket sikur i ka dhënë kuptimin që do të donte, jetës së tij.

Nën diktaturë, larg, për poetë me fatin si të tij, poezitë ishin si fasha të fshehta për plagët, ndërsa tani i shërbejnë mallittë të ikurit në liri, kujtesës më të vështirë, asaj gjuhësore tëshpirtit.

Strofa të rregullta, rima e metafora, të gjitha për të mbushurpoemën e një mungese të dhimbëshme.”

Filed Under: LETERSI

SHUHET UKË GJONBALAJ, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI

November 26, 2023 by s p

E nderuar familja GJONBALAJ/

Me keqardhje mësova lajmin e largimit nga jeta tokësore të Ukë GJONBALAJ, një prej veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kontributorëve të Vatrës mbi dy dekada veprimtari.

Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e Ukës sonë të dashur e të çmuar.

Ai do ta gëzojë gjithmonë respektin e përkujtimin tonë për përkushtimin atdhetar e vatran.

Të gjithë bashkë si vatranë e shqiptaro-amerikanë jemi pranë jush e mbarë familjes Gjonbalaj në këto momente trishtimi, zie e lamtumire.

Lusim Zotin për shpirtin e Ukë Gjonbalaj.

Pushoftë në paqe e përjetësi.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

NJOFTIMI NGA “PLAVA E GUCIA SOT” PËR FUNERALIN:

Me pikëllim të thellë, njoftojmë komunitetin, miqtë, shokët dhe dashamirët se sot, më datën 25 Nẽntor 2023, në New York si rrjedhojë e një sëmundje të rëndë ndërroi jetë më i dashuri ynẽ

UKĚ (ALI) GJONBALAJ

1 Janar 1961- 25 Nẽntor 2023

Funerali për më të dashurin tonë do të jetë nesẽr 26 Nẽntor 2023 duke filluar nga ora 1:00PM gjerẽ nẽ 700PM.

Adresa e funeralit 184 Canal street,

Staten Island, NY.

Vorimi dot behet te Hanen ne Ora 11:30AM, nẽ:

Jersey Garden Memorial , adresa 13 Conover Road, Millstone NJ

Vdekja e herëshme e Ukẽs e tronditi familjen të afërmit dhe të gjithë që e njohen tashme te ndjerin, që shquhej për virtyte të larta intelektuale dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan .

Të pikëlluar; bashkëshortja Sebahati , djemtẽ Hartini dhe Loriku , motrat, Kadirja,!Ajshja dhe Hyrija me familje, nipat dhe mbesat, tẽ afẽrmit si dhe tẽrẽ vẽllazẽria GJONBALAJ.

Redaksia e portalit “Plava e Gucia Sot” familjes GJONBALAJ I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta me rastin e vdekjes së papritshme të më të dashurit te tyre.

Filed Under: Politike

Krijim artistik i arbëreshit Zef Skiroi kushtuar Ismail Qemalit

November 25, 2023 by s p

Përgatiti për botim: prof. dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest

Giuseppe SCHIRÒ

KËNGA E PLÀKUT T’MÀTH TË SHKJYPËRIËS

O shkjyponja, që pushoni

për mbi krèpe, çë kërkoni,

çë kërkoni në kjiell tênë

prap nga mjegullat të zênë?

Atà sy të mpréhtë è t’zesë

véhtes s’vetë s’i zên besë,

s’din ku t’ngulen si mê pàra,

è më kot te t’lartat àra

atà rràhin, kurr pa u mbétur,

dritësorin për të gjetur;

atê zot è t’dritës krua

prej tsilit hòf ju u shtua;

çë s’u mèk për vjetë aspak;

çë s’u mblak me gjith se plak;

po kjëndroi si u duk, kur dolli

nga Janina è nga Stambolli;

kur të çohej Shàmi e pa

lart akjë sa mê nuk ka;

si kur Tripulli e përiti

me dëshir, si edhè Gjiriti;

ndonse t’mirën nuk e patën

kjë t’i ndzirte atyre natën.

Thà sulltani i kukj në tèrr:

isa e ‘tij mua syt më mèrr!

Për t’u fikur e dre më mbush;

è lè t’prishet Shkjypëria,

kjë të ket fitim Turkia!

S’munt t’e lê t’e zêrë mòti,

mos të ngjallet Kastrioti!

…Moj ti bishë, o bishë e plirë,

t’iku thonjsh trimi i mirë,

è ndëshkim mê t’math nga ai

prej së largut do t’kesh tì;

përsé gjen mendimi shtìgje

ndëpër male é ndëpër brigje.

Pòrsa u ndès, nuk shuhet mê,

s’e ndalon në rrugë asgjê,

é gjithkundi véte é shkòn,

si shkreptima fluturòn;

mê të ftohtin shpejt e ndzéh,

mê të rênit shpyrtin ngréh,

ê si dàshësin e prîn,

kë i kjëndron ashtú e përshîn.

Kohë e shkueme n’dhé të húaj,

ku Ismaili, edhé se vúaj,

fén s’e humbi më t’përitur,

edhè rroi, túk’endërritur,

pa dyshim se me t’vonuar

s’kishte vàll me u vërtetuar

dëshirimi i ‘tij ndo hérë

të përtrîhej tòka e mjerë,

t’ishte i lúm i shkreti vënt

çë po i rrinte n’zëmbrë é n’mënt,

é t’kish bota atê liri

çë njeriun e bên njeri!

Kóhë e t’vúajturit e gjatë,

po në sgjim é ditë é natë

e kaluame è në durim,

si n’harésë é në pertim,

kjofshme e lúme ngjer çë malet

do të çohen për mbi valet,

je për tyj pát’lêngun drûri

ç’ishte i that é pemët prûri,

pemët t’bukura é të shishme,

çë do t’mbéten të paprishme,

përsé gjithë i pokji stina,

s’i dògj’afshi, às mardhi tsina!

Kot e rrahu drûn rrëpira,

sè kjendresë i dhò e vështira.

Pràn se ajo kjëndrak e bêri,

a përhàp i trimit zêri;

è kur erdhi dita e preme,

nuk u dúkën mê të rreme a

tò fjalë çë Shkjuptarit

zêmbrë i dhanë te të kjarit:

“Ka t’agónjë dita e jote,

sé s’a fllikje é sé s’u ndote,

si Thersiti, çë s’ka ndér,

ás si Shkjáhu (t’mós ísh lér!).

U gdhi dita é ret u tretën,

dolli díelli é shkrepi jétën;

mori é u nís ahíerna trimi

ndëpër dejt nga perëndimi.

Fátin ka te syt é n’dorë

e ka flámurin… O Vlorë,

námi i jyt nuk munt t’harrónei,

é me motin do të shtonet,

se si n’Krûjë, prap e zonja,

tek tí çerdhen bê shkjyponja;

práp e zonja e dheut é e bregut,

si në kohë t’Skanderbegut:

zonjë n’fushë edhè te mali….

Pást lëvdí Ismail Kjemali!

Lëvdí pást po si dragói

çë nga armiku na shpëtói;

si i Vjosívës djali i kjuam,

ç’ás një hérë kje i pushtuam!

Të dy’shpyrtërat e tyre

me ne t’jen në çëdó zyre,

si te lufta, ashtú në pakje,

sa të kemi t’bardhë fakje,

é po t’rrójëm si na thanë,

për shëndet, të vjetrit t’anë;

bota t’díe se kush fisnik

s’munt të bênet kurr i lik.

Me t’vërtetë i punës bír

êsht aí çë rron i lír;

si edhè kush u nda nga t’shumë

me mundime edhè pa gjúmë,

një t’shpërblyeme për të prékur,

çë s’u prâ é s’u lóth tu’e ndjekur,

é ç’e zû kúr gjithkúsh rréhej

se e të marrit ísh të shprehej.

Por aí çë ka t’dukúam

prej burimi të kulluam,

me të drejte t’plotë é t’mbarë

gàs munt t’ket nga atà të parë

çë për jetë é mót do t’rrojën,

sé të gjallët s’i harrojnën.

Pran në nà do t’kemi híe

nga ajó rrjedhë lartësie,

dúhet t’njihemi të zótë,

jó me fjalë é lavde t’kotë,

po me ndér edhè me punë

mós t’na sjellë armiku dhunë,

é të thet aí, tue kjeshur:

“Ish me pëndë t’húaja i veshur

lakurikji vetlëvdonjës,

çë po shpallej si i shkjyponjës!”

Néve tí këtó mësove,

Ismail, é ndónse shkove,

do t’na ngásnjë e larta fjalë

burra t’fárës për me dílë,

sót é néstër è për jétë,

si Shkjyptarë të vërtetë.

Tek ai i lëvdoshmi várr

te ku ndodhet shëjti zjárr,

zjárri i máth çë po héth rréze

é çë tì, Ismaíl, na ndéze,

burra é párësë edhe krenje,

me të végjij’ é t’mëdhenjë,

do të víjën për këshíll,

si po kush te i bardhi uvíll

syt i mban, të mós humbasnjë

rrugën kurr edhè të ngasnjë

atê brég te ku, ndëvónë,

ka me u prêjtur për gjíthmónë.

*************

Giuseppe Schirò (Zef Skiroi), shkrimtari italo-shqiptar, ka lindur më 10 gusht 1865 në Piana degli Albanesi, vdiq në Napoli më 17 shkurt 1927. Zef Skiroi ishte një albanolog, poet, gjuhëtar, publicist dhe historian i shquar italian i etnisë arbëreshe/shqiptare, ndër figurat më të rëndësishme të lëvizjes kulturore dhe letrare shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ishte profesori i parë universitar në Itali i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Institutin Oriental të Napolit.

Ai botoi ende i ri vargje në italisht dhe shqip dhe shumë shpejt filloi të bashkëpunonte me shkrime letrare e politike në revista të ndryshme periodike. Në vitin 1887 themeloi revistën Arbri i ri (Shqipëria e re), e cila u pasua nga Arkivi Shqiptar më 1890 dhe Flamuri Shqiptar më 1904. Rapsoditë Shqiptare (1887) e bënë të njohur për albanologët dhe patriotët shqiptarë. Një përmbledhje himnesh patriotike Kënkat e luftës doli në Palermo më 1897; nga viti 1900 janë poemat Tee dheu i huaj (Në tokë të huaj) dhe botimi i dytë i idilit Mili dhe Haidhia, i një mjedisi sicilian-shqiptar (me shënime për traditat, legjendat, zakonet dhe zakonet e Piana dei Grecit); të vitit 1901 Këngët Popullore të Shqipërisë. Ndërkohë ai kishte hedhur themelet e një “Shoqërie Kombëtare Shqiptare” për të interesuar opinionin publik për pavarësinë e Shqipërisë, dhe vepra e tij Shqiptarët dhe çështja ballkanike (Napoli 1904) synonte të njëjtin synim. Në vitin 1900 emërohet profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit.

Studimet e tij të preferuara janë të lidhura me Këngët e Shenjta të Kolonive Shqiptare të Sicilisë (1907) dhe koleksionin e madh dhe të rëndësishëm të Këngëve Tradicionale dhe Ese të tjera të Kolonive Shqiptare të Sicilisë (Napoli 1923). Ky vëllim përmban edhe një poezi të shkurtër dhe disa poezi kushtuar kujtimit të djalit të tij Minos. Canti del Littorio (1926) ishin botimet e fundit të poezisë së Skiroit.

Zef Skiroi është përfaqësuesi më i madh i traditës kulturore e letrare shqiptare të Siçilisë, një nga mjeshtrit më të rafinuar të stilit në letërsinë shqipe, i cili la një prodhim të gjerë letrar. Ndër nismëtarët e një letërsie të përtërirë shqipe, i ndjeshëm ndaj modeleve letrare të kulturuara, ai ishte një frymëzues autoritar i intelektualëve të kohës së tij dhe pati një rol të rëndësishëm në lëvizjen e Rilindjes Shqiptare dhe në pavarësinë e Shqipërisë, ku mori pjesë aktive, së bashku me elitat intelektualë shqiptarë.

Rëndësi të veçantë kanë studimet e tij në fushën e filologjisë letrare dhe dialektologjisë dhe vitet e kaluara në Napoli mbeten krejtësisht të jashtëzakonshme, ku dha mësim nga viti 1900 deri në vdekjen. Në këtë cilësi, ai rifilloi idenë kombëtare shqiptare në qarqet kulturore dhe politike italiane dhe promovoi nisma editoriale-publiçistike.

Vepra e Skiroit shquhet për një qëndrim aktual dhe real të tij, për t’i vënë në spikamë plagët dhe të metat e arbëreshëve, të cilat, do të kushtëzonin humbjen e shenjave të identitetit të tyre. Në këtë aspekt , ajo ka ndikuar në ruajtjen e vetëdijes dhe të qenies shpirtërore të tyre në tërësi.

Gjuha e Skiroit përbën një force të veçantë kreative. Ajo shpreh në thellësi mendimet, ndjenjat dhe përfytyrimet e tij poetike. Është gjuhë e pasur me shprehje emblematike dhe të figurshme. Figurat më të shpeshta të tij, që e bëjnë aq të nuancuar qenësinë estetike të veprës janë: krahasimi, metafora, simboli, hiperbola, apostrofimi, epiteti, kontrasti, perifraza etj.

Krijimin poetik që sjellim pëe lexusin e “Diellit”, është nxjerrë nga: “Kuvêndi,” nr. 9, f. 7, datë 31 Mars 1919, shih edhe: “Rilindasi” suplement javor i gazetës, “Shqiptarja.com”, redaktore: Admirina Peçi. Tiranë, 27 nëntor 2011, nr. 1, f. 19 (7).

Ky krijim i mrekullueshëm: “Kënga e Plàkut t’Màth të Shkjypëriës“ që i kushtohet Ismail Qemalit, është ndër krijimet më të bukura, me një arritje të lartë artisktike, duke ruajtur frymën e dashurisë për Shqipërinë që vërrehet pothuajse në të gjitha krijimet e Skiroit. Ne kemi bërë përshkrimin besnik nga origjinali duke ruajtur gjuhën arbëreshe që ka shkruar Zef Skiroi.

Ne nuk kemi bërë një transliterim në shqipen standarte tëkëtij krijimi të Skiroit, ngase mendojmë se është mjaft i kutpueshëm për lexuesin dhe në vetëvete ruan një thesar të çmuar të arbërishtes shekullore që është shkruar të paktën që nga Lekë Matranga (1592) e deri në ditët e sotme.

Filed Under: Kulture Tagged With: Musa Ahmeti

Sali Gjuka: mësuesi i idealistëve

November 25, 2023 by s p

Dr. Çelo Hoxha

Në 17 maj 1915, gazeta Sadai Milet, e cila dilte në gjuhën turke në Shkodër, e akuzoi Sali Gjukën se “kishte flakur në mur Kuranin” dhe kishte thënë: “Jemi shqyptarë e s’jemi fetarë”. Ai u përgjigj pas dy javësh: shkurt, me guxim dhe thellësisht i prekur. 

Në 1 qershor Sali Gjuka lajmëroi përmes gazetës Populli, se kishte bërë padi kundër gazetës, por në Shqipërinë e zhytur në kaosin e Luftë së Parë Botërore, premtimi i tij se çfarë do të pasonte nëse vërtetoheshin akuzat mbetet dëshmia e vetme që historianët të mbrojnë pafajësinë e tij. “N’u vërtetoftë kjo mëkatë qi po më shpifet, nuk kam me rrnuë ma në ket jetë,” deklaroi Sali Gjuka në përgjgjen e tij. 

Polemika bëri bujë. Në një artikull të nënshkruar me emrin Sino Balashi, thuhej se akuzat ndaj Sali Gjukës kishin prapavijë politike. Sipas tij, ata që shkruanin në Sadai Milet, “kur dalin në Europë gjezdisin me kapele e bëjnë gjithçka është kundra Dinit po kur kthehen në Shkodrë me programe e me qëllime e me napoliona, ven feste të kuqe ose qeleshe e gjyslyqe e flasin në emër të Dinit”, të cilët, sipas tij, i bënin më shumë shërbim Greqisë, se vendit të tyre, me sulmin ndaj Sali Gjukës. 

Polemika zë fill ndoshta me një artikull të Sali Gjukës në gazetën Lidhja Kombëtare, 10 maj 1915. Artikulli i tij “E dreita” ishte një kritikë e hapur për ata që “kërkonin gjuhën Anadollake në Shqipënië”, që dëshironin “flamurin e Tyrkiës në vend të flamurit shqytar” dhe që harxhonin paratë e tyre për të arsimuar fëmijët “në shkolla Asiatike”. Artikulli ishte një shpullë ndaj atyre që e përdornin fenë për interesa antishqiptare, myslimanë e ortodoksë. Ai fajësonte fanatizmin fetar, të cilin e shikonte si një rrezik për kombin shqiptar. Sipas tij, fajtorë për gjendjen e trazuar nuk ishin nacionlistët, të cilët akuzoheshin nga fanatikët, por ata hoxhallarë që nuk kishin bërë detyrën e tyre, që nuk ua kishin mësuar besimtarëve të tyre “pikat e drejta të feës”. Mos harroni, këshillonte ai në artikull, “se po të kërkohet tyrkishteja, ka me u lypë edhe grekishteja”. Sipas tij, nxitësi i kryengritjes së Haxhi Qamilit ishte “zani tradhtuer, prisha e Atmes së shkretë (që) filloi me zito e mbaroi me padishahem çoka jasha.”

Kohët ishin të vështira. Një bandit, Haxhi Qamili, dhe njerëzit e tij kontrollonin më shumë territor se qeveria. Njerëzit e tij kishin vrarë katër vetë në Berat, mes tyre Hajredin Fratarin, ish-nnprefekt dhe njeri që “pat marue shkollën ma t’madhe t’Stamollës”, në Elbasan kishin vrarë Sheh Hysenin, të cilin në atë qytet “e diftoshin me gisht si niri t’drejtë e ndershëm”. Kjo gjendje ishte gjithandej: në Tiranë ishe therur dikush, në Krujë dikush ishte groposur, në Kavajë i kishin prerë dorën një personi, në zona të tjera ishin grabitur e djegur shumë shtëpi dhe një numër të pafajshmish dergjeshin në burgje. Në Berat ku jetonte Sali Gjuka, rebelët e rrëmbyen nga shtëpia firmëtarin e pavarësisë Bab Dudë Karbunarën, 73-vjeç dhe i sëmurë, dhe gjatë rrugës për në burg e rrahën me kondakët e pushkëve. 

Me akuzat e Sadai Miletit vihej në rrezik jeta e Sali Gjukës, megjithatë ai mbrojti me kurajë bindjen e tij që: “Shqypen do t’a ndreqin shkollat”. Ai e vlerësonte shumë rolin  e gjuhës shqipe në formimin e vetëdijes kombëtare dhe shtetit shqitar. Shkollat shqip ishin, sipas tij, domosdoshmëri.

Për Sali Gjukën si gjuhëtar thuajse nuk është folur fare që pas vdekjes së tij më 1925. Ai është një ndër studiuesit më të parë të gjuhës shqipe, për të cilin, pavarësisht kohëve të trazuara që jetoi, pavarësisht mosekzistencës së shtetit shqiptar, ose qenies së tij më tepër një formalitet sesa një realitet, mund të thuhet se ka bërë punë studimore më shumë se disa nga njerëzit që mbahen sot si figura të shquara të Akademisë së Shkencave. Në vitet 1913-14-15 ai botoi, në gazeta të ndryshme, një radhë artikujsh për gjuhë, me titullin: “Bisedime gjuhe.” 

Qëllimin e artikujve të tij ai e ka shprehur qartë: “Qillimi i ynë asht tui i treguë të pandehunat t’ona, me i shtyë dietarët me na giegun, me mbësuë dishka prei tyne e me e shpëtuë veten e dikë nga do farë dyshime.” Gjuka argumentonte, për shembull, se tingujt e pazëshëm të shqipes, megjithëse nuk ndihen në ligjërim, duheshin përdorur në shkrim, sepse, sipas tij, “për me dallue zanoren e giatë prej të shkurtës, shihet nevoja e një farë shejit”. Në artikullin e 25 prillit 1915, gazeta Populli, ai sqaron, sipas mendimit të tij, Z. Dudë (Babë Dudë Karbunara, me siguri) në lidhje me shqetësimin e tij se a bëhen femërorë emrat e gjinisë mashkullore që në shumës mbarojnë me e: mali, bregu që bëhen malet, brigjet. Kur lexon artikujt e tij sot vëren se gjuha ka pësuar zhvillime rrënjësore, por parimet janë po ato. Për shembull, në përdorimin e fjalëve të caktuara, thotë Gjuka në një artikull, ka dy parime: një, zgjidhet forma që përdor shumica e popullsisë, ose, dy, forma që është më afër origjinës.

Një pjesë e firmëtarëve të pavarësisë duket ishin të vendosur të plotësonin mangësinë që shqiptarët kishin në kohën e Lidhjes së Prizërenit: lëvrimin e gjuhës. Një mangësi që, sipas kujtimeve të Hajredin Bej Cakranit, ishte theksuar dhe Bismarku në një takim me Abdyl Frashërin. Sali Gjuka ishte njëri prej firmëtarëve që iu kushtua çështjes së Arsimit, në detyrën e drejtorit të Arsimit në Berat 1913-14, drejtor i përgjithshëm i Arësimit në Durrës në kohën e princ Vidit dhe sërish në Berat në 1916-17. 

Në Berat, gjatë drejtimit të Sali Gjukës, kishte dy shkolla fillore, me pesë mësues dhe 160 nxënës; në Lushnjë dy shkolla, një për djem një për vajza; në Libofshë, Divjakë dhe Peshtan nga një; në Skrapar kishte tre shkolla, në fshatrat Vërzhestë, Çepan dhe Paton.  

Shkolla shqipe kishte armiqtë e saj edhe pas mëvehtësimit së Shqipërisë. Një nga mjetet për ta luftuar ishte shpifja. Në një letër, për shembull, e nënshkruar me pseudnimin “Beratasi”, shkolla paraqitej si vend degjenerimi, ku nxënësit luanin me topa lecke në çdo cep të saj, mes tyre kishte dashuri të madhe “sa edhe natën në një shtresë flenë”, “Zonja Marie direktorin e vështron si vëllain e saj”… Sali Gjuka reagoi ashpër: “Të gjitha ato që shkruhen në fletoren t’uej mbi shollën normale të Beratit,” i shruan ai gazetës Shqypnia e Re, “janë krejt të shpifuna… Si mësuesit edhe nxansit janë të ndershëm, të pa asnji faj e të mudueshëm për përparim, prandaj historia do t’i bekoj, në vënt që shpifsit e atyne padyshim ka me i mallkue, se këto dokra po i kënaqin tradhëtorët edhe po i bajnë dam arësimit kombëtar.” Artikulli mbyllet me një thirrje për keqashësit, e cila tregon vlerësimin e tij për rëndësinë e arësimit: “I lutemi të mos lozin me pikë të jetës shqiptare.” 

Puna e Sali Gjukës sigurisht kishe dhe mirënjohësit e saj. Në numrin e saj të 8 gushtit 1917, Posta e Shqipniës shkrunte se kishte marrë shumë letra që lavdëronin punën në sektrorin e arësimit: “Po na shkruejnë prejë rrethevet të Beratit se shprovimet e fundit të vjetës në nji shkollë të nji katundi paskanë dalun me faqe të bardhë. Këtë punë e kupojmë e e besojmë me nji herë, tue dijtun se n’atë trevë të bukur të Shqipniis kemi për Drejtuer shkollash zot. Sali Gjukën, nji ndër fuqit ma të vlerta e të fuqishme në lamë t’arsimit.” Dhe gazeta e paralajmëron drejtorin, i cili i ka patur të shumta telashet: “Vetëm për nji punë i thomë S. Gjukës, domi me thanë mos m’u mërzitun, pse ka për të gjetun shum kundërshtime, pse mjerisht sikurse në tanë botën, kështu edhe ndër ne, gjinden asish qi a prej mllefit a prej smiret t’zezë kanë me shique se si me ia prishë punët.”

Sali Gjuka lindi në Pejë, 1876, por shumë shpejt familja e tij u largua nga presionet politike dhe u vendos në Shkup. Aty Sali Gjuka mbaroi shkollën normale, studimet e larta i kreu në Selanik, për drejtësi. 

Në 1909 ai hapi një shkollë fillore në Pejë, e cila nuk e pati jetën të gjatë për shkak të presionit të autoriteve osmane. Edhe një herë Sali Gjuka bëri të njëjtën lëvizje si prindërit e tij kur nuk i kishin punët mirë me qeverinë: e la Pejën dhe u vendos në Shkup. Aty filloi punës si mësues i gjuhës shqipe në shkollën normale dhe gjimnazin e Shkupit. Shumë nxënës të tij në këto shkolla u bënë mësues të shqipes më vonë. U angazhua me themelmin e klubeve shqiptare dhe, së bashku me patriotë të tjerë, themeloi në Shkup “Shoqërinë e zezë për shpëtim”. Mbledhjet e kësaj shoqërie bëheshin në shtëpinë e tij, e cila ishte strehë për gjithë veprimtarët e çështjes kombëtare. Ai shkroi protesta, memorandume, ankesa të formave të ndryshme në mbojtje të popullit shqiptar. Drejtoi klubin e famshëm të Manastirit, “Bashkmi”, dhe gazetën “Bashkimi i Kombit” që dilte në Manastir. Gazeta e bëri të njohur emrin e tij në viset e shqiptare, por fama e tij zë fill me recitimet e vjershave në gjuhën amtare, kur ishte ende fëmijë, dhe u bë i njohur në gjithë qytetin e Pejës, shkruhet në të vetmen nekrologji që u botua në shtypin shqiptar të kohës me rastin e vdekjes së tij. Në 1912 mori pjesë në organizimin e kryengritjes së përgjithshme të jugut, në fazën e fundit të shpalljes së pavarësisë organizoi studentët shqiptarë dhe formoi me ta “Çetën e studentëve të Selanikut”. Për veprimtarinë e tij kombëtare, gyqi osman e dënoi me vdekje në mungesë. 

Në mbrëmjen e fjalimeve të zjarrta, 27 nëntor 1912, Sali Gjuka i preku të pranishmit me oratorinë e tij patriotike dhe Ismail Beu “e afroj afër dhe e puthi në të dy syët me lot nëpër faqe”. Të nesërmen Sali Gjuka, së bashku me të tjerët, firmosi deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë, si delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës dhe Guxisë. Në 4 dhjetor, me 35 vota, u zgjodh anëtar i Pleqësisë.

Referuar copëzave biografike të tij, rezulton se Sali Gjuka ka qenë më me fat e më i lirë kur ka Shqipëria ka qenë e pushtuar. Katër vjetët e paqës, 1920-24 ai i kaloi në burg i dënuar për akuza të bëra, siç thotë një historian, “nga intrigantë të ndryshëm të asaj periudhe”. Një nga dobësitë e historianëve shqiptarë është fakti që sot dimë fare pak për burgosjen e njërit prej firmëtarëve ose nuk e dimë fare emrin e qytetit në spitalin e të cilit ai u shua. Pas daljes nga burgu nuk jetoi gjatë, vdiq një vit më pas, i harruar nga të gjithë dhe i mposhtur nga sëmundja. Miqësia me Bajram Currin e ndihmoi të lirohej nga burgu si i pafajshëm, por përkrahja e kryengritjes së Fan Nolit ka ndkimin e vet që u la të vdiste i harruar në “nji nga spitalet tona”.

Mehmet Vokshi, botuesi i gazetës Afrimi, i cili ishte i vemti që shkroi për vdekjen e Sali Gjukës, të paktën duke u bazuar në gjithë bibliografinë shtypit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, duket se ka goditur në shenjë kur ka e ka vlerësuar atë si “një pendë pjellore… qi dhe mas tashit shkrimet e tij kan m’u ba shkak qi emni i tij të shkruhet me shkroja t’arta në mermerin e famës.” Nëse kjo nuk ka ndodhur ende, atëherë thjesht nuk ka mbaruar tash-i.

Foto: dardaniapress. com

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT