• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

Arti shqiptar në zi, shuhet Zef Deda, Vatra telegram ngushëllimi

November 24, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA shpreh ngushëllimet më të dhimbshme për ndarjen nga jeta të aktorit të shquar të humorit shqiptar Zef Deda.

Mjeshtri i madh i humorit, skenës, interpretimit e monologut do të mbetet i paharruar për çdo artdashës e çdo shqiptar. Një talent gjenial që shkroi me gërma të arta historinë e humorit e skenës la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike duke u bërë model referencë e frymëzimi për brezat që vijnë.

Vatra ngushëllon familjen Deda, miqtë, kolegët, dashamirësit e panumërt të aktorit të shquar Zef Deda.

U prehtë në paqe e përjetësi!

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Politike

TRINOMIN VATRA – DIELLI – KISHA, TA RUAJMË SI KAPITAL TË PËRJETSHËM

November 24, 2023 by s p

Prof. Thanas Gjika/

Baballarët e atdhetarizmit shqiptar në Amerikë pas përpjekjesh të shumta mundën të krijonin në vitet e para të shekullit të XX Gazetën “Dielli”, Kishën Shqiptare dhe Federatën PanShqiptare Vatra, përmes tyre ata bashkuan emigrantët e varfër të ardhur nga atdheu i robëruar.

Intelektualë të talentuar si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, Qerim Paraniti etj me artikuj, poezi, fjalime etj arritën t’i ndërgjegjësonin shqiptarët gjysmëanalfabetë e t’i bënin veprimtarë aktivë në lëvizjen kombëtare.

Me punën e mbarë që kryen Fan Noli, Bahri Omari, Kol Tromara me shokë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria e pushtuar prej ushtrive të Austro-Hungarisë, Italiasë e Francës rrezikohej të zhdukej, arritën që Federatën Panshqiptare Vatra ta kthenin në një organizatë politike që kreu funksionet e një qeverie shqiptare në emigracion. Ajo mbajti me ndihmat e emigrantëve (anëtarëve të saj) delegatë në disa qeveri të Europës. Në fund të L1B në Konferencën e Paqes që u mbajt në Versajë të Parisit, delegatët e Vatrës bashkuan vullnetin e delegatëve të kolonive të tjera shqiptare dhe ia arritën të mbronin tërësinë e territoreve të Shqipërisë Londineze. Jo rastësiht kryeministri i Greqisë, Venizellos, kur u kthye nga Konferenca e Paqes në Athinë deklaroi: “Nuk munda ta fitoja Vorio Epirin, më mundi Vatra e Amerikës”.

Gjatë Luftës së Ftohtë, kur qeveria komuniste shqiptare i mallkonte dhe i dënonte si tradhëtarë ballistët, nacionalistët dhe legalistët, Federata Vatra, e drejtuar prej Fan Nolit, ua hapi dyert këtyre emigrantëve politikë. Me këtë veprim Noli u tregoi shqiptarëve të Amerikës se Vatra si organizatë patriotike duhej t’i pranonte në gjirin e vet bijtë e Shqipërisë pavarësisht nga bindjet e tyre politike, mjafton që ata të mos ishin kriminelë lufte. Dhe përderisa këta emigrantë i kishte pranuar qeveria amerikane, kjo tregonte se ata nuk ishin kriminelë lufte si i kishte shpallur qeveria e Tiranës. Qeveria komuniste e Tiranës nuk ia fali Nolit këtëveprim. Ajo zgjeroi veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit midis emigrantëve që kishin familjet e tyre të varfra në Shqipëri dhe filloi përmes tyre luftën kundër Vatrës. Shumë emigrantë ekonomikë u larguan prej Vatrës sepse kishin frikë mos u ndodhte gjë familjarëve të tyre në atdhe. Edhe priftërinjtë ranë nën presionin e kësaj trysnie dhe u larguan nga Vatra. Madje ata nuk nxitën më asnjë emigrant që të bëhej anëtar i kësaj organizate. Peshkop Fan Nolit iu dërgua me anë të punonjësit të Sigurimit Jonuz Mersini më 1958: “Ki kujdes mos e bëj si lopa që pasi ka mbaruar mjelja e derdh kusinë me qumësht duke i rënë me shqelm!” (Rrëfim gojor i J. Mersinit gjatë një takimi në Tiranë më 1973). Noli nuk e ndryshoi qëndrimin ndaj ballistëve, nacionalistëve dhe legalistëve, por thelloi qëndrimin e tij kundër qeverisë së Tiranës dhe diktatorit Enver Hoxha. Më 1961 ai shkroi poemën “Sulltani dhe kabineti”, të cilën e botoi te Dielli 5 korrik 1961. Kjo poemë është krijimi poetik më i gjatë i Nolit. Vetë ai sqaroi se me këtë poezi “shpreha ndjenjën time kundra çdo regjimi diktatorial, që kufizon lirinë e mendimit” ( Nasho Jorgaqi “Jeta e Fan Nolit” Vol 2 OMBRA GVG Tiranë 2005, f.365), pra kuptohet se Noli e përfshinte dhe regjimin diktatorial të Tiranës në kritikën e tij të ashpër.

Federata Vatra dhe gazeta Dielli luftuan vazhdimisht në vitet 1913-1940 kundër shtypjes së popullit shqiptar që ra nën zgjedhën sebe. (Agjentura serbo-greke për ta errësuar rolin e Fan Nolit në luftën kundër zgjedhës serbe sajoi aty nga viti 1988 vargjet: “Në do botës t’i vësh zjarrë / merr me vete tre a katër kosovarë”. Mirëpo këto vargje bien ë kundërshtim me gjithë shkrimet publicistike të Nolit ku ai mburri trimëritë e shqiptarëve të Kosovës dhe kërkoi lirinë e tyre nga zgjedha serbe. Këto vargje nuk u botuan kurrv sa qew gjallë Fan Noli e bashkëpunëtorët e tij të afërt).

Federata Vatra dhe Dielli vijuan luftë për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Jugosllavi gjatë viteve 1945-1999. Drejtuesit e Vatrës dhe botuesit e Diellit kanë luajtur rol të rëndësishëm në luftën për njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe për njohjen gjithnjë e më të gjerë të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, Serbi e Greqi.

Një veprim që meriton lavdërime prej të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë është pjesëmarrja e delegacionit të Federatës Vatra më 25 tetor 2023 në meshën Papale te Sheshi i Shën Pjetrit dhe takimi me Fortlumtërinë e Tij Papa Franceskun. Në atë takim kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, duke i dhuruar shtatoren miniaturë të Shenjtores Nënë Tereza, bijë e Kosovës, shqiptoi: “ JU LUTEM NJIHNI KOSOVEN!” (Dielli, October 2023, f. 1, 3)

Sot më 23 nëntor 2023 në Ditën e Falenderimeve vlen ta falenderojmë Fedaratën Vatra për gjiçka ka bërë gjatë historisë së saj në luftën për çlirimin e popullit tonë nga zgjedhat e huaja osmane, serbe, greke, për ndërgjegjësimin tonë për të kuptuar thelbin shtypës e kriminal të regjimit komunist, për emancipimin tonë mendor e moral, etj.

Kushdo që sulmon në faqe interneti e gazeta me artikuj sharës e fyes drejtuesit e Federatës Vatra dhe editorët e gazetës Dielli shpie ujë tek mulliri i armiqve të popullit shqiptar. Vatra është një organizatë atdhetare demokratike që kryen rregullisht kuvendet e saj sipas kanunores. Aty duhen shprehur pakënaqësitë dhe mendimet kritike dhe së fundi vullneti duhet shprehur në procesin e votimit kur zgjidhen anëtarët e Kryesisë së Federatës, e Këshillit të Federatës, e Kabinetit të Kryetarit dhe editorët e Diellit.

Filed Under: Vatra

Mustafa Kruja: shenjtor në vetmitore

November 24, 2023 by s p

Dr. Çelo Hoxha/

Në 1912, Mustafa (Merlika) Kruja ka qenë person për t’u patur zili: në moshën 25 vjeçare shkroi emrin mbi një copë letër dhe hyri në histori. E kjo nuk ishte e gjitha: mosha e re, shkollimi i mirë e i përshtatshëm – Shkolla Civile e Administratës Mbretërore e Stambollit, dhe, cilësia më e rrallë – statusi i firmëtarit në dokumentin më të vyer të kombit, premtonin që djaloshi krutan të ngjitej shpejt e të kontribuonte gjatë në administratën e Shqipërisë së pavarur. 

Fillimi nuk zhgënjeu. Kuvendi i Vlorës e caktoi anëtar të Senatit të parë shtetëror; pak ditë më vonë u emërua nënprefekt i Vlorës; pas tre muajsh mori detyrën e sekreterarit të parë të Kryeministrit; pastaj, pasi qeveria e Ismail Qemal bej Vlorës ra, ai vazhdoi me detyrën e drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Elbasanit, në qeverinë e Turhan Pashës. Kjo qeveri ishte jetëshkurtër dhe e fundit deri në Kongresin e Durrësit, katër vjet më vonë.

Në vjeshtë 1914, Mustafa Kruja ishte në grupin e zyrtarëve që u larguan nga Shqipëria bashkë me mbretin gjerman të saj, Wilhem Wied. Mërgimi i parë i tij ishte shkurtër, i dyti rreth dy vjet, i treti një dekadë e gjysmë, ndërsa i mbrami zgjati përjetësisht. Kthimet fragmentare në atdhe ishin të gjitha të palumtura.

Për të shpëtuar burrat e fisit të Merlikajve, të cilët i kishte burgosur nga Esad Pashë Toptani, Mustafa Kruja, pak pasi ishte kthyer në Shqipëri, 1915, u dorëzua dhe gjatë pesë muajve në burgun e Durrësit, priti ekzekutimin e dënimit me vdekje: varje në litar. 

Esad Pasha kishte qenë bamirësi i famijes Merlika, babai i djaloshit kishte qenë rreshter i trupave mbrojtëse të pashës, gjithashtu Esad pasha e kishte këshilluar të riun e Merlikajve të studionte për shkencat politike, ngaqë dëshironte ta bënte kajmekan, por në 1913 Mustafa Kruja ishte përplasur me të ballazi për çështjen e Shkodrës dhe prej atëherë ata mbetën kundërshtarë. Esad Pasha ia kurseu jetën, por e dorëzoi te italianët, të cilët e internuan në ishullin e Favignanës, dhe kështu nisi periudha e dytë e mërgimit e Mustafa Krujës, sepse dhe pasi ata e lanë të lirë, ai u khtye në atdhe vetëm në mbarim të Luftës së Parë Botërore. 

Në 25 dhjetor 1918 Mustafa Kruja ishte delegat i Durrësit në Kongresin e Durrësit. Me propozim të Luigj Gurakuqit shërbeu si sekretar i kongresit; në qeverinë e re, me kryeministër Turhan Pashën, ai u caktua ministër i Post Telegrafës. Në atë kongres Mustafa Kruja propozoi Shkodrën për kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, propozim që u fut në procesverbal, por kryeqyteti i Shqipërisë u përcaktua trembëdhjetë muaj më vonë, në një kongres tjetër, ku Mustafa Kruja nuk mori pjesë. 

Në Kongresin e Lushnjës dhe më vonë, Mustafa Kruja u rendit shpesh, për fatin e tij të keq, në krahun e humbësve. Në Lushnjë, 20 janar 1920, ai nuk mori pjesë, ngaqë u ndje i tradhëtuar nga disa miq të tij në qeverinë e Durrësit. Nuk pranoi as postin e ministrit në qeverinë e Sulejman Delvinës. 

Në 1921, Mustafa Kruja ishte deputet në parlamentin e Shqipërisë. Atëkohë nisi përplasja e tij e madhe, me Ahmet Zogun, njeriu i fortë në ngjitje në skenën e politike shqiptare.

Në dhjetor 1921, së bashku me shokë të tjerë, Mustafa Kruja u përpoq të rrëzonte qeverinë, që ata e mendonin nën influencën e Ahmet Zogut, për ta zëvendësuar, sipas tyre, me njerëz më nacionalistë e të denjë për qeverisje. Në mars 1922, ai mori pjesë në lëvizjen e Elez Isufit kudër Ahmet Zogut dhe, pas dështimit të saj, u largua nga Shqipëria për herë të tretë.

Dy vjet më vonë, Mustafa Kruja ishte prefekt në Shkosër, Ahmet Zogu gjendej në mërgim në Jugosllavi, dhe kryeministër i Shqipërisë ishte Fan Noli. Qeveria e Nolit, e formuar pas një grusht shteti, zgjati veç gjashtë muaj. Në 25-27 dhjetor 1924, Noli dhe pasuesit e tij, “do me vapor e do me barkë”, u larguan nga Shqipëria. Mustafa Kruja e përshkruan kështu grupin në arrati: “Ishim nji ushtri intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në te se, si grup – se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definistivisht e pa fe mundsije me e çue kryet ma përpjetë.” Nga ana tjetër, Ahmet Zogu u rikthye në pushtet i vendosur që të mos luante prej tij me kërcitjen e parë të dy-tre dyfeqeve dhe qëndroi në pushtet aq sa t’i bindte të tjerët për këtë, sidomos kundështarët. Mërgimi 15-vjeçar që pasoi është një periudhat më të trazuara të jetës së Mustafa Krujës, i cili ishte i detyruar të punonte në kushte të vështira, në mjedise politike fragmentare, të përkohshme, me prirje politike të ndryshme dhe me financime nga lloj-lloj burimesh të joshqiptare. Në 1927 ai u nda përfundimisht me kundërshtarët e tjerë të Ahmet Zogut në mërgim, për shkak të ideve të tyre të komuniste.

Emigranti i përjetshëm u kthye për herë të fundit në një Shqipëri pa mbretin Zog dhe të pushtuar nga italianët. Gjatë vitit 1939 ishte anëtar i Senatit; 12 prill 1940-4 dhjetor 1941 drejtoi Instituin e Shkencave Shqiptare; 4 dhjetor 1941-19 janar 1943 ishte kryeministër i Shqipërisë; pas dorëheqjes, u tërhoq nga politika dhe iu rikthye punës shkencore, të e kishte lënë në mes kur u bë kryeministër.

Trembëdhjetë muajt si kryeministër e kanë bërë Mustafa Krujën një nga figurat më të diskutueshme në historinë e Shqipërinë. U shpall kriminel lufte, historiografia e trajtoi si kolaboracionitst, letërsia si personazh negativ. Roli i tij gjatë pushtimit, si kryeministër, përbënte një paradoks: komunistët e akuzonin si bashkëpunëtor të fashizmit, fashistët e  konsideronin një ultranacionalist shqiptar. 

Gjatë qeverisjes së Mustafa Krujës u hoqën nga flamuri shqiptar fashiot e Liktorit, Plava dhe Gucia iu bashkuan Shqipërisë, reth 300 familje hebreje në Kosovë, që tashmë ishte pjesë e Shqipërisë, morën pashaporta shqiptare, dhe u mbrojt ekonomia shqiptare. Ata që e shpallën Mustafa Krujën si kriminel lufte, në atë pjesë të flamurit ku kishin qenë simbolet fashiste, të cilat i hoqi Kruja, vendosën, pesë muaj më vonë, në Konferencën e pezës, 16 shtator 1942, një simbol tjetër të huaj: yllin bolshevik.  

Nëse ka faj, Musa Kruja duhet akuzuar për “bashkëpunim” me komunistët, pse mbante marrëdhënie me idotë të lexuar si Petro Marko, që amnistoi një kriminel ordiner e bandit si Myslim Peza, që liroi nga burgu terroriste si Liri Gega, etj. Komunistët ishin aq të pacipë, sa disa anëtarë të Asamblesë Kushtetuese të periudhës së pushtimit italian i shpallën kolaboracionistë, ndërsa disa të tjerë, si puna e Omer Nishanit, i zgjidhnin në postet më të larta. Disa nënpunës të thjeshtë të administratës së periudhës së pushtimit u dënuan si kriminelë lufte, ndërsa disa nëpunës të tjerë të administratës së pushtimit, si mësuesja Nexhmije Xhunglini (e dashura dhe, pas lufte, bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e Enver Hoxhës), gjykatësi në shërbim të fashizmit dhe, pastaj, të komunizmit Manol Konomi, oficeri i xhandarmërisë fashiste Bedri Spahiu, Nako Spiru, për të cilin flitej se kishte qenë drejtues i Rinisë Fashiste në Durrës, ishin në udhëheqjen e lartë të qeverisjes, e cila shpallte kush ishte e kush jo kriminel lufte. 

Çështja e kolaboracionizmit në Shqipëri është trajtuar në mënyrë shabllone me qasjen e vendeve të tjera, kryesisht Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, të cilët sigmatizonin me këtë term këdo që bashkëpunonte me italianët dhe gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, për të gjykuar punët e Shqipërisë qasja britanike apo sovjetike nuk ishte e përshtathsme. Nacionalistët shqiptarë, midis të cilëve dhe Mustafa Kruja, besonin se shqiptarët ishin të rrezikuar nga Greqia dhe Jugosllavia dhe mbështetja e tyre duhet të ishte një vend jashtë Ballkanit. Të ashtuquajturit aleatë nuk bënë asgjë kur u pushtua Shqipëria nga Italia dhe as më vonë, përveç faktit që dërguan në Shqipëri, në 1943 e më vonë, misione për të organizuar veprime guerrile (një metodë që i shkon përshtat mentalitetit të kriminelëve), në interes të tyre dhe në dëm të shqiptarëve. Po ta shohim Evropën dhe Ballkanin sot, kur Kosova ka fituar pavarësinë, rezulton se Nato dhe gjithë aleatët kanë bërë të njëjtën gjë që bënë Italia dhe Gjermania, në lidhje me Shqipërinë, gjatë luftës së dytë botërore. Qeveria e Shefqet Vëralcit, e para pas pushtimit nga Italia, mund të mos ketë shumë për t’u krenuar, por s’është se bëri ndonjë gjë në dëm të Shqipërisë më shumë se qeveritë që më vonë u quajtën aleate. Aleatët hynë në luftë kur u sulmua Polonia, pesë muaj më vonë, ndërsa për Shqipërinë as që deshën t’ia dinin. Ndërsa qeveritë e tjera shqiptare filluan ta çojnë vendin drejt pavarësisë. Qeveria e Mustafa Krujës hoqi nga flamuri nga simbolet fashiste, qeveritë e mëvonshme, sidomos gjatë pushtimit gjerman, i kthyen Shqipërisë pavarësinë, të paktën formalisht. Këto gjëra nuk arritën as me ndërhyrjen e aleatëve dhe as me luftën e armatosur të nacionalistëve apo komunistëve shqiptarë kundër pushtuesit, por nga këmbëngulja e njerëzve që patën kurajo të sakrifikonin dhe emrin e tyre të mirë për hir të Shqipërisë. Me pak fjalë, fshihet strategjia e komunizmit: duke etiketuar të tjerët si kriminelë lufte, ata mundohen të zbutin perceptimin kriminal të veprimtarisë së tyre.

Sidoqoftë, Mustafa Kruja ka bërë aq shumë për Shqipërinë saqë ai nuk mund të hiqet nga historia e lavdishme e saj pa e fshirë gjithë historinë e shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Jeta e tij nuk është e lidhur vetëm me politikën, madje pjesa politike ka qenë ajo ku është shfaqur dimesioni më mediokër i personalitetit të tij.

Niveli i tij në gjuhësi është shumë i lartë. Mustafa Kruja është autori i një vepre të parë në llojin e vetë, siç shprehet studiuesja Ledi Shamku-Shkreli, për të cilën shqipja ende nuk e ka të plotë: falorin kritik. Zonja Shamku është aktualisht deputete e një partie që vazhdon të ketë pikëpamjen komuniste “të kolaboracionizmit” për Krujën, por ajo, kur mbaroi së lexuari Fjaluerin Kritik të Krujës, përplasi grushtin në tryezë dhe klithi: “O Zot, ku janë gjithë gërmat e tjera?” Gërmat e tjera të Fjaluerit munngojnë, sepse qeverisja komuniste, ku të parët e zonjës Shamku kanë kanë patur poste të larta, e bastisën shtëpinë e Mustafa Krujës, ku gjendej fjalori i plotë, me rreth 30.000 lema mbi 2600 fletë të daktilografuara, dhe fati i tij nuk dihet. Në mërgim, Kruja iu fut punës përsëri për ta ribërë, dhe përfundoi vetëm dy shkronjat e para, pastaj u largua nga jeta. Fjalueri, sipas studiueses, “ky visar fjalësh, e ç’është më e rëndësishmja, visar arsyetimesh mbi format e fjalëve, moshën, përhapjen gjeografike dhe vendodhjen kontekstuale të secilës prej tyre ofron sot atë çka shqipes i mugon më fort: zgjidhjen e binarit të dyfishtë.”

Një vepër tjetër cilësore e Mustafa Krujës është studimi analatik për një nga veprat mëdha të gjuhës shqipe, për “Fjalorin Latinisht-Shqip” të Frang Bardhit. Në këtë vepër, autori këshillon që t’i studiojmë veprat e shkrimtarëve të vjetër me frymën e gjuhës letrare aktuale, për dobinë e tyre që kanë ato për të sotmen. “Në çdo fletë të këtij studimi shfaqet figura e eruditit me dije të gjera në fushën e gjuhës, me njohje të thella në lëmë të historisë, përdoruesi i mirë i disa gjuhëve të reja e të vjetra, analisti hollë i materialit gjuhësor, intelektuali me hosizont e kulturë të gjerë.” Ky është vlerësimi i akademik Kolec Topallit për Mustafa Krujën. 

Përveç politikan, gjuhëtar, apo historian, Mustafa Kruja ishte dhe prind, vëlla, shok apo mik dhe më mirë se njerëzit e tij të afërt nuk mund t’i përshkruajë njeri këto cilësi. “Horizonti i hapur, zëmërgjerësia, njohja e thellë e natyrës njerëzore e dukurive të saj, mirëkuptimi pa paragjikime i problemeve të tjerëve, gjykimi i drejtë e i matur i tyre, ishin tipare karakteri që djaloshi Mustafa kishte shfaqur herët në formimin e tij,” shprehet nipi i tij, Eugjen Merlika. Ai kujton se për hir të harmonisë familjare, ai kishte ndikuar që babai i tij të pajtohej me një kushërin e vet, megjithëse, në një konflikt prone, e drejta anonte, sipas Eugjen Merlikës, nga ana e babait të Mustafait. Ndërsa kur ishte kryeministër dhe i mori vesh se një kushëri po pasurohej duke përdorur emrin e tij dhe, kur u bind që fjalët ishin të vërteta, mblodhi fisin dhe me një vendim kushëririt iu hoq e drejta të mbante të mbiemrin e familjes. 

Një njeri kaq i prerë në marrëdhënie me të drejtën, të ndershmen dhe harmoninë, është e pabesueshme të thuhet se me qeverisjen e tij punoi t’i shërbente fashizmit në dëm të Shqipërisë. Letrat e tij, një kontribut i pashoq në lëmin e letërisë epistolare, janë një dëshmi tjetër që veprimtaria e Mustafa Krujës ka qenë e motivuar nga qëllime të larta, jo hesape materiale. Nuk ka asnjë dëshmi, në 71 vitet e jetës së tij, që ai kërkoi të jetonte për më shumë se “një kafshatë bukë për mue e fitueme me djersën t’eme.” Vetëm njerëzit pa asnjë grimë krenarie kombëtare mund ta kalojnë me indiferencë, le më të lumturohen prej tij, faktin që ish-kryeministri i Shqipërisë jetonte në banesë në dhe të huaj, në “vetmitoren t’eme”, me vështirësi ekonomike bazike dhe në dëshpërim të skajshëm, për fatin e të afrëmve në atdhe, që ndëshkoheshin sistematikisht për shkak të veprimtarisë tij.

Filed Under: Opinion

Ndahet nga jeta në moshën 73 vjeçare, “Mjeshtri i Madh” i skenës dhe humorit Shqiptar, artisti dhe aktori Zef Deda

November 24, 2023 by s p

Çarli Çaplini Shqiptqar Zef Deda, aktori i madh i humorit, që na bëri të qeshnim në të dy sistemet e këtyre dy gjysëm shekujve të fundit, lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 në një familje plot kulturë e vlera shkodrane, pjesë e së cilës ishin shumë intelektualë dhe artistë në zë për kohën.

Familja Deda ka nxjerrë muzikantë, ndërsa daja ka qenë At Benardin Palaj, muzikant, etnograf e psikolog. Nanagjyshja e tij ka qenë gastore. Babai i tij ka punuar në Teatrin “Migjeni” piktor, skenograf, pjesëmarrës si aktor që në krijimin e teatrit profesionist.

Në këtë familje lindi dhe u rrit Zef Deda, por në skenen e Teatrit “Migjeni”, ku babai punonte, Zefi përfitoi kulturën, artin dhe frymen entuziaste e komike të kësaj familjeje.

Janë vitet e para të sistemit monist, të cilat lanë gjurmë edhe në fushen e artit e kësisoj edhe në rrugëtimin e artë të Zef Dedës, i cili premtoi shumë, që në në realizimin e rolit të parë kur ishte ende fëmijë.

Zef Deda u rritë në studion e babit të tij dhe në moshën 5-vjeçare e aktivizoi në një dramë në vitin 1956, në dramen ruse “Nëna” të dramaturgut Maksim Gorki përkrah aktores së madhe Roza Anagnosti (Xhuxha) dhe muzikantit Karlo Radoja. Në rrugën e ndritur të artit hyri që në moshën 6-vjeçare me rolin e Antonit, një lypsar i shoqëruar nga motra dhe vëllai i tij, më të mitur, ku do u dilnin përpara revolucionarëve që dilnin nga kisha për të bërë mbledhjen e Revolucionit.

Veç njohjes me aktorë të mëdhenj si Adem Kastrati, Zef Jubani, Bep Shiroka, Lec Bushati, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, etj. Zefi i vogël i hyri botës së artit, rrugës të cilën e njihte edhe babai i tij, që asokohe punonte si skenograf në teatër.

Në formimin e tij kulturor e artistik merita të mëdha ka pasur familja e Zefit, pjesë e së cilës ishin muzikantë, artistë, mësues që e edukuan dhe i mësuan shumë gjëra, sidomos pas vdekjes së babait, gjëra të cilat e kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në interpretimin e roleve në skenë.

“Deri në vitin 1969 Zefi ishte aktor amator. Atë vit u bë një audicion në kërkim të talenteve të reja, të cilin e fituan së bashku me aktoren Zyliha Miloti. Ajo filloi punë menjëherë si profesioniste, kurse Zefi shkoi ushtar për tre vite, ku bashkëpunoi me Estraden e Ushtarit në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në dhjetor të vitit 1972, pak javë më vonë, më 13 janar 1973, e emëruan të punojë si aktor profesionist në estraden e Shkodrës.

Të gjitha rolet Zefi i ka dashur dhe vlerësuar, madje kite kënaqësi kur të tjerët shkruanin role për Zefin, si artistë-shkrimtarë, si shkrimtarë-artistë, por dhe humoristë. Ka pasur fatin e mirë që ka punuar me regjisorë dhe krijues të famshëm si i madhi Paulin Sekuj, Edmond Mhilli etj, të cilët kanë ditur t’i përshtasin rolet që të kishin vazhdimisht sukses, pasi Estrada Profesioniste përbëhej nga artistë të mëdhenj e të fuqishëm, artistë të mrekullueshëm që ishin një shkollë e madhe për Zefin dhe që e mësonin të luante dhe interpretonte me zemër, si: Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Katerina Biga, Jolanda Shala, Gëzim Kruja i madh, Drande Xhai, Besnik Çinari e Anton Krosaj.

Ka qenë një fat i madh, i madh fort që Zef Deda ka bashkëpunuar me këta shkrimtarë, këta artistë, por njëkohësisht ka pasur edhe përgjegjësi shumë të madhe të luai rolin që kanë shkruar për të dhe që regjisori i ka besuar Zefit. Të gjitha rolet që ka luajtur i ka dashur, i ka pasur për zemër, pra merrte tipin, formonte dhe interpretonte fort dhe ia jepte spektatorit dhe Ai po ta pëlqei do ta ruante përgjithmonë, për gjithë jeten në kujtesën e tij.

Ndikim pozitiv kishin edhe shkrimtarët e mëdhenj si Pulin Selimi, Kolec Pepa, Ahmet Kameri, Gjergj Vlashi, Paulin Preka, Nonda Bulka, Dritero Agolli e shumë të tjerë, të cilët e kishin për krenari të punonin për kolosët e Estrades Profesioniste të Shkodrës sikurse edhe për Zefin.

Pra, të gjithë këtyre artistëve, me Musa Ademin prej në fillim rreth vireve ’58-’59 kur Zef Deda ishte fëmi, u ka qëndruar afër dhe i ka dashur me pasion sepse e kanë mësuar në mënyrë të jashtëzakonshme, pra për çdo gjë, por, duke lexuar dhe duke mësuar për artin skenik, për të dalur sa më real, duke krijuar tipa, karaktere, pjesë që i kanë pëlqyer gjithmonë.

Mund të veçojmë rolet me imitime me aktoren Rita Ndoci, kur imitonin këngëtarët e asaj kohe, imitimin e mjeteve të para teknologjike, imitonte motorat, makinat, aeroplanat, trenat, imitime në gjuhë të huaja dhe role të suksesshme me të madhin Gjosho Vasia, në duart e të cilit është rritur, duke e aktivizuar me Estraden e Vaut të Dejës e më gjërë, ku në të gjitha ato role spikaste ai humori edukativ, duke vënë në dukje të metat e asaj kohe si dembelizmi, mendjemadhësia, hipokrizia e shumë vese që me anë të humorit shoqëria etiketonte dhe vinte në lojë njerëz të ngjashëm me ta.

Një përvojë të madhe profesionalizmi në interpretim Zefi mori në Shtëpinë e Pionierit, ku është rritur edhe ka mësuar në mënyrë të jashtëzakonshme si me dashtë rolin dhe interpretimin, skenen, spektatorin, si dhe me e zbërthye mirë çka don me thanë aktrim. Të gjitha këto nga mjeshtri që kanë pasur, aktorin e famshëm të Teatrit “Migjeni” Paulin Laca, i cili e mësoi kordinimin e gjestikulacionit me zërin dhe kjo ka qenë një akademi arti për Zefin, për mjeshtrinë e interpretimit skenik.

Zef Deda pati edhe majat e tij në jeten e gjatë në skenë, duke skalitur figura që nuk do të harrohen kurrë, siç mund të përmendim Çarli Çaplinin Shqiptar dhe kunatin e shokut Xhemal, të cilët kanë mbetur në kujtesen e publikut shkodran e shqiptar dhe që edhe sot e kësaj dite kanë vlera të jashtëzakonshme sa herë që shfaqen në ekranet e televizorëve.

Në shtator të vitit 2020, me rastin e 70 vjetort të lindjes, këtij aktori të madh i mora një intervistë, ku ndër të tjera tha:

“Në vitet ’90-’92 u duk sikur fituam lirinë, sikur i shpëtuam çensurës së mendimit të lirë dhe të ëndrrës për të realizuar ambicjet tona, ku për fat te keq “si e nisëm nuk bitisi”. U zhgënjyem totalish nga depërtimi i politikës në këto institucione me vendosjen e nënpunësëve të pa aftë në drejtimin e tyre sidomos kohëve të fundit, ku mund të themi se ka pësuar një regres total arti, kultura dhe arsimi në vendin tonë, pa të cilat populli është amorf, fle, vdes, shprehej jo pak i shqetësur aktori i madh dhe vazhdon: Institucionet janë të marra peng nga mafja, nuk investojnë por përfitojnë aq sa sot aktivitetet numërohen me gishtat e dorës, në një kohë kur para viteve ’90 kemi dhënë mbi 250 shfaqe në vit në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë fajin ia vënë politikës, e cila jo vetëm që e lejon të degradojë, por investon në platforma që keqedukojnë dhe tjetërsojnë artin dhe trashëgiminë tonë kulturore”.

Për t’iu shmangur pak politikës dhe kësaj gjendjeje që realisht jemi koshient se qëndrojnë, më poshtë po flasim për vlerësimet që Zef Deda ka marrë për gjatë gjithë karrierës nga institucionet e artit dhe të kulturës.

Zef Deda, biri i Shkodrës dhe i humorit shkodran, vlerësimin më të madh, para të cilëve përulet me respekt e ka marrë nga duartrokitjet e spektatorit dhe artëdashësve shkodranë e shqiptarë anë e mbanë botës për gjatë gjithë karrieres së tij.

Që fëmi Zefi ka marrë shumë mirënjohje, vlerësime e medalje ku do veçojmë atë të vitit 1967, kur mori çmimin si “Aktori më i mirë” në festivalin e estradave amatore në Vaun e Dejës, ku mori titullin “Laurat i Republikës së Shqipërisë” në moshen 17 vjeçare. Mandej në Estraden e Ushtarit mori çmimin “Naim Frashëri”, të njëjtin e fitoi edhe në Estraden Profesioniste të Shkodrës. Më vonë, në vitin 1985 me kunatin e shokut Xhemal “Laurat i Republikës” dhe shumë shpejt, pasi fitoi edhe “Naim Frashërin e Artë” në vitin 1986 e vlerësojnë me titullin “Artist i Merituar” në moshën 36 vjeçare.

Në vitin 2010 Presidenti i Republikës së Shqipërisë e vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh”. Veç këtyre vlerësimeve ka marrë edhe shumë e shumë të tjera si “Krenaria e Shkodrës”, “Mirënjohja e Qytetit”, etj.

Megjithëse qyteti i tij është djepi që e përkundi, Teatri “Migjeni” është djepi që e rriti dhe Zefi gjithë jeten e tij ia kushtoi Shkodrës dhe Teatrit.

Me interes për lexuesin dhe artëdashësit është të dinë diçka mbi rikthimin e Zef Dedës në teatër pas viteve ’90-të. Rënia e diktaturës solli edhe rënien e ekonomisë familjare, që e detyroi të emigrojë në Gjermani, ku qëndroi për 6 vite. Falë aftësive dhe njohurive që kishte në gjuhët e huaja, gjeti veten në profesionin e tij, ku pati shumë sukses në skena dhe shfaqjet që organizonin aktorët më të mëdhenj gjermanë, ku për fat të mirë iu njohën edhe diplomat dhe vlerësimet shqiptare në atë shtet për punë dhe pagesë.

Dy ishin arsyet që u kthye në Shkodër: Nëna dhe spektatori tij i dashur me kolegët e tij të shtrenjtë.

Megjithëse u kthye për të interpretuar në një shfaqje në “Pallatin e Kongreseve”, Zefi e pa në ç’gjendje kishte rënë Teatri. Shumë pak investime dhe krejt pak vemendje nga shteti. Megjithatë ka punuar fort me kolegët dhe ka realizuar disa komedi e shfaqje me të cilat ka pasur shumë sukses, deri në daljen në pension.

“Gjendja e Teatrit sot është e mjerueshme dhe është pak të thuash nga mënyra e menaxhimit apo dhe gjendjes në të cilën ndodhet aktualisht ky tempull.

Sot Estrada Profesioniste nuk ka as edhe një aktor profesionist. I fundit ishte Anton Krosaj që u nda nga jeta para pak kohësh. Në këtë institucion mungojnë politikat apo qasjet me interes për rekrutimin e talentëve të reja, ku për mendimin tim nuk ka rëndësi shkolla profesionale, sa ka rëndësi dhuntia e aktrimit.

Ndër të gjithë aktorët e Estradës, të cilët mund të identifikohen si korifenjtë e këtij teatri, vetëm dy-tre kanë pasur shkollat përkatëse, por ama janë të gjithë me titujt më të lartë të karrierës, pra nuk duhen shumë formalizma zyrtare, sesa duhen talente e figura të dashura për publikun.

Momentalisht janë disa grupe të rinjsh që vërtetë shihen si një e ardhme e ndritur për estraden, por prapë duhen edhe mosha të pjekura e me përvojë, nga të cilët të marrin shembuj”. Shprehej shumë seriozisht aktori i madh Zef Deda, i cili më bëri përshtypje dhe u kujtova se humori vërtetë të bën për të qeshur, por të bën edhe për të menduar.

Me rastin e kremtimit me madhështi e nderime të 70 vjetorit të formimit të Trupës Profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, “Mjeshtri i Madh” Zef Deda bëri një gjest që do të mbesë gjatë në kujtesë. Ai me krahë hapur bëri sikur përqafoi Tetarin e tij të dashur, duke mbështetur duart në muret e tij dhe duke i dhuruar një puthje që përloti, jo vetëm atë, por të gjithë të pranishmit.

“Ashtu si besimtarët falen në kisha e xhamia, apo në institucione të tjera fetare, ashtu si sportistët apo shkencëtarët u japin shpirt objekteve ku punojnë e veprojnë në mënyrë të pashmangshme, të gjithë aktorët përulen para Teatrit”, tha përmes mallëngjimit i madhi Zef Deda.

Ai Teatër është djepi që e ka rritur Zefin, ka rritur dhe edukuar breza të tërë artistësh të paharruar. Ka dhuruar emocion, kënaqësi dhe shpresë. Ka edukuar këtë popull me virtute të mira, ka ruajtur e përcjellur ndër breza trashëgiminë tonë të lashtë kulturore. Ai Teatër është vetë jeta e Zefit, të cilin ai e puthë dhe përqafon me krenari edhe prej në shtëpinë e tij, sapo zgjohet në mëngjes.

Si një artist i madh e një baba me virtute të larta, Zefi ndihej krenar kur shikonte fëmijët e tij tek ndjekin rrugen e babait në fushen e artit.

Shkodra e këngës dhe e humorit është një thesar që nxjerr vazhdimisht talente e siç e permendëm më lart talente ka, por duan t’i kenë me shkollë e kjo e ka shtyrë Zefin t’i mbështesë, gjë që e bën të ndjehet jashtëzakonisht mirë, deri edhe krenar, jo vetëm se janë fëmijët e tij, por se do që brezave të rinj t’u lëmë amanet Teatrin.

Si baba e bëjnë krenar për faktin që kanë qenë të bindur e të dëgjueshëm për këshillat e tij, kudo kanë mësuar e punuar shumë mirë. Sot secili jep më të mirën e tij drejt suksesit në fushën e artit për çka Zefi i falenderon jashtë mase si prind.

Megjithse e përmendëm disa herë fjalen pensionist, ky status duket sikur nuk ka lidhje me Zefin dhe për këtë ai shprehej me humor: “Dikur ishte me dalë në pension 55 vjeç, por rreth viteve ’97 u shty në 65, e megjithëse e pritëm me gëzim, kjo si aktor nuk ka pikë rëndësie, pasi aktivitetin do ta bëj aktivitet me apo pa mbështetjen e institucionit. Sot edhe pse quhem i jashtëm ndjej nostalgji të madhe sa herë dal në atë skenë, ku vazhdoj të punojë e të jem aktiv nëpër shfaqje të ndryshme. Dridhem sa herë luaj në atë skenë, aq krenari e dashuri kam për skenen e Teatrit “Migjeni”, shtëpia ime e dytë”.

Më kujtohet kur i thashë këtë vit ju keni mbushur plot 70 vite jete. Kjo nuk më bind dot pasi unë mendoj se në pension ka dalë mosha, por nuk ka dalë artisti. Ai e mbështetë këtë mendim me pak humor, duke thënë: “Ishte dashtë me jetue deri në vitin 2027, me mbush 77 vjet, kur bashkë me muajin korrik ishin bërë pesë shtata e kisha bërë xhekpot, e kisha me fitue 1 500 000 Euro e me u bërë milionier. E në mos m’i dhënshin, do të presë të bëhem 80 vjeç e me festue në Pjacë me spektatorin e shpirtit tim”.

Gjithë emocion po e mbylli këtë shkrim, të cilën me plot bindje do ta quaja ndër shkrimet e mia më të trishta. Në këtë moment më rikthehet një bisedë që pak kohë më parë në një kafe më shprehu dëshiren më sublime prej artisti. “Do doja që shpirti im të pushonte në skenen e Teatrit “Migjeni” tue interpretue për spektatorin më të mrekullueshëm, artëdashësin shkodran”.

Artistë si Zef Deda janë të rrallë, nuk përsëriten dy herë, por edhe nuk vdesin kurrë. Ata jetojnë përgjithmonë në memorjen e artit shqiptar.

Ngushëllime familjes dhe të gjithë të afërmëve të tij!

Pushoftë në paqe!

Ramazan Çeka

Amerikë 2023

Filed Under: Kulture

Pse Thanksgiving, Dita e Falënderimeve, mirënjohja përbën thelbin e kombit amerikan

November 23, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi/

Më shumë se katër shekuj më parë, një grup burrash dhe grash angleze festuan korrjen e tyre të parë të suksesshme në një botë të re me amerikanët vendas që luajtën një rol të rëndësishëm për ta bërë të mundur.

Vetëm një vit më parë, Pelegrinët u nisën nga Anglia, duke duruar një udhëtim të pabesë 66-ditor përtej oqeanit për të ndërtuar një shtëpi të re. Dihet pak për detajet e sakta të anijes së tyre, Mayflower, por ka të ngjarë të ishte një lloj anijeje me vela e njohur si karakë, afërsisht 100 këmbë e gjatë dhe 25 këmbë e gjerë, dhe e bërë tërësisht prej druri. Megjithatë, ne e dimë se ata erdhën në Amerikë me pak burime, por të udhëhequr nga dy parime të qëndrueshme – guximi dhe besimi. Ato parime janë thurur në strukturën e kombit tonë të madh sot. Këmbëngulja e tyre në kohë të vështira të paimagjinueshme na lejon liritë që gëzojmë sot.

Ne duhet të mbajmë sot në zemrat tona frymën e falënderimit që pelegrinët kishin në vitin 1621. Ndërsa mblidhemi së bashku me familjet tona në shtëpitë tona këtë vit, është e rëndësishme që të gjejmë kohë për të reflektuar dhe për të falënderuar për bekimet tona të shumta që kemi marrë gjatë vitit të kaluar. Ndoshta asnjë ditë nuk fton aq shumë reflektim personal sa bën Dita e Falënderimeve.

Me kalimin e viteve, Dita e Falënderimeve u zhvillua. Në vitin 1789, Presidenti Xhorxh Uashington lëshoi një shpallje që shënonte një ditë kombëtare falënderimi për të njohur rolin e providencës në themelimin e kombit të ri si dhe hartimin e dokumentit tonë udhëzues, kushtetutës. Proklamata vë në dukje, “që pastaj të gjithë të bashkohemi për t’i bërë Atij falënderimet tona të sinqerta dhe të përulura – për kujdesin dhe mbrojtjen e tij të sjellshme për njerëzit e këtij vendi përpara se të bëheshin komb…”

Në 1863, Presidenti Abraham Lincoln e shpalli atë një festë kombëtare – një ditë falënderimi në mes të një lufte që ndau kombin tonë dhe shumë familje Kentaki. Fjalët e shpalljes së Linkolnit janë të përshtatshme edhe sot, pasi na kujtojnë se ka gjithmonë diçka për të cilën duhet të jemi mirënjohës: “Viti që po afrohet drejt fundit, ka qenë i mbushur me bekimet e fushave pjellore dhe qiejve të shëndetshëm. Këtyre bujarive, të cilat shijohen vazhdimisht, saqë jemi të prirur të harrojmë burimin nga vijnë, u janë shtuar të tjera, të cilat janë të një natyre kaq të jashtëzakonshme, saqë nuk mund të mos depërtojnë dhe të zbutin edhe zemrën që zakonisht është e pandjeshme. për providencën gjithnjë vigjilente të Zotit të Plotfuqishëm. Në mes të një lufte civile me përmasa dhe ashpërsi të pashoqe, e cila ndonjëherë u është dukur nga shtetet e huaja se ftojnë dhe provokojnë agresionin e tyre, paqja është ruajtur me të gjitha kombet, është ruajtur rendi, janë respektuar dhe respektuar ligjet, dhe harmonia ka mbizotëruar kudo, përveç në teatrin e konfliktit ushtarak…”

Sot, Dita e Falënderimeve qëndron si një simbol i mirënjohjes, familjes dhe festës. Ndërsa festojmë, le të nderojmë historinë që na bashkon. Në këtë Ditë Falënderimi, le të kujtojmë pionierët dhe patriotët amerikanë që me guxim dolën përpara nesh për të bërë një jetë në një botë të re. Le të jemi mirënjohës për ushtrinë tonë për mbrojtjen e vendit tonë të madh, dhe aktet e tyre të heroizmit dhe sakrificës që na mbajnë të sigurt. Falënderojmë gjithashtu fqinjët tanë që u shërbejnë bashkëkombësve që kanë nevojë për një dorë ndihme dhe ata që e vënë veten në rrezik për të mbrojtur komunitetet tona.

Sot ka teori që synojnë të rishkruajnë vlerat e vërteta të shoqërisë amerikane. Për shumë amerikanë, imazhi i Ditës së Falënderimeve është një i unitetit të supozuar: mbledhja e “Pelegrinëve dhe Indianëve” në një festë harmonike. Por ky version errëson të vërtetën e ashpër, të zhytur në kolonializëm, dhunë dhe keqinterpretim. Duke eksploruar perspektivën indigjene për Ditën e Falënderimeve, ne jo vetëm që mund të dallojmë disa nga nuancat e dekolonizimit, por të fitojmë një kuptim më të thellë të historisë amerikane. Versioni i pastruar i Ditës së Falënderimeve neglizhon të përmendë dhunën, vjedhjen e tokës dhe shkatërrimin e mëvonshëm të popullsive indigjene. Është e panevojshme të thuhet se kjo shkakton shqetësim të jashtëzakonshëm për ata prej nesh që janë ende duke u lëkundur nga trauma e këtyre ngjarjeve në komunitetet tona. Duke rifituar histori dhe praktika autentike, dekolonizimi kërkon të nderojë vlerat, identitetet dhe njohuritë indigjene. Kjo qasje është një evolucion konstruktiv: në ç kolonizimin e Ditës së Falënderimeve, ne e pranojmë këtë të kaluar të dhimbshme ndërsa ri imagjinojmë jetën tonë në një mënyrë më të vërtetë. Por historia është ajo që është. Nuk mund ta shohësh apo mohosh historinë me syrin e sotëm. Sepse që të mos preken ndjenjat e dikujt për shkak të etnisë, fesë racës, pse ashtu mohon thelbin e këtij kombi të ndërtuar mbi lirinë.

Ne jemi riorganizuar në thelb si familje, si njerëz. Ne e përballojmë botën ndryshe, duke mbajtur humbjen, në tërbim dhe në trishtim. Këtë sezon festash, këtë vit, të tjerë të panumërt na janë bashkuar në këtë vend. Në këtë kohë humbjeje masive, pasi shumë njerëz do të pyesin se si t’i shtrojnë tryezat e tyre, ose nëse do të jenë në gjendje të mblidhen fare, unë vazhdoj të pyes veten nëse çelësi për të parë njerëzillëkun njëri-tjetrit është në njohjen disi se sa universale është e tmerrshmja. Natyra e vazhdueshme e humbjes është, sa njerëzor na bën, sa të brishtë, sa thelbësore është çdo ditë, kur askush nga ne nuk ka asnjë ide për të nesërmen. Pyes veten se si ne të gjithë mund të ecim përpara, jo vetëm siç vjen çdo festë, por kur kalon çdo ditë, jo më mirë, por e ndryshuar.

Jemi larg përfundimit, por kemi bërë përparim dhe për këtë jam mirënjohës. Ndërsa shikoj prapa në vitin e kaluar, jam i mbushur, siç shpresoj edhe ju, me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për atë që kemi arritur. Do të dëshiroja edhe një herë t’ju uroj të gjithë shqiptaro- amerikanëve, gëzuar kjo nuk është një ditë për të ngrënë Gjelin e detit, por për të falënderuar ju dhe të dashurit tuaj të dashur, një festë e familjes së bashkuar. Ditën e Falënderimeve më të mira së bashku. Faleminderit

Gëzuar Thanksgiving

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT