Çarli Çaplini Shqiptqar Zef Deda, aktori i madh i humorit, që na bëri të qeshnim në të dy sistemet e këtyre dy gjysëm shekujve të fundit, lindi në Shkodër më 27 korrik 1950 në një familje plot kulturë e vlera shkodrane, pjesë e së cilës ishin shumë intelektualë dhe artistë në zë për kohën.
Familja Deda ka nxjerrë muzikantë, ndërsa daja ka qenë At Benardin Palaj, muzikant, etnograf e psikolog. Nanagjyshja e tij ka qenë gastore. Babai i tij ka punuar në Teatrin “Migjeni” piktor, skenograf, pjesëmarrës si aktor që në krijimin e teatrit profesionist.
Në këtë familje lindi dhe u rrit Zef Deda, por në skenen e Teatrit “Migjeni”, ku babai punonte, Zefi përfitoi kulturën, artin dhe frymen entuziaste e komike të kësaj familjeje.
Janë vitet e para të sistemit monist, të cilat lanë gjurmë edhe në fushen e artit e kësisoj edhe në rrugëtimin e artë të Zef Dedës, i cili premtoi shumë, që në në realizimin e rolit të parë kur ishte ende fëmijë.
Zef Deda u rritë në studion e babit të tij dhe në moshën 5-vjeçare e aktivizoi në një dramë në vitin 1956, në dramen ruse “Nëna” të dramaturgut Maksim Gorki përkrah aktores së madhe Roza Anagnosti (Xhuxha) dhe muzikantit Karlo Radoja. Në rrugën e ndritur të artit hyri që në moshën 6-vjeçare me rolin e Antonit, një lypsar i shoqëruar nga motra dhe vëllai i tij, më të mitur, ku do u dilnin përpara revolucionarëve që dilnin nga kisha për të bërë mbledhjen e Revolucionit.
Veç njohjes me aktorë të mëdhenj si Adem Kastrati, Zef Jubani, Bep Shiroka, Lec Bushati, Roza Anagnosti, Tinka Kurti, etj. Zefi i vogël i hyri botës së artit, rrugës të cilën e njihte edhe babai i tij, që asokohe punonte si skenograf në teatër.
Në formimin e tij kulturor e artistik merita të mëdha ka pasur familja e Zefit, pjesë e së cilës ishin muzikantë, artistë, mësues që e edukuan dhe i mësuan shumë gjëra, sidomos pas vdekjes së babait, gjëra të cilat e kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në interpretimin e roleve në skenë.
“Deri në vitin 1969 Zefi ishte aktor amator. Atë vit u bë një audicion në kërkim të talenteve të reja, të cilin e fituan së bashku me aktoren Zyliha Miloti. Ajo filloi punë menjëherë si profesioniste, kurse Zefi shkoi ushtar për tre vite, ku bashkëpunoi me Estraden e Ushtarit në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në dhjetor të vitit 1972, pak javë më vonë, më 13 janar 1973, e emëruan të punojë si aktor profesionist në estraden e Shkodrës.
Të gjitha rolet Zefi i ka dashur dhe vlerësuar, madje kite kënaqësi kur të tjerët shkruanin role për Zefin, si artistë-shkrimtarë, si shkrimtarë-artistë, por dhe humoristë. Ka pasur fatin e mirë që ka punuar me regjisorë dhe krijues të famshëm si i madhi Paulin Sekuj, Edmond Mhilli etj, të cilët kanë ditur t’i përshtasin rolet që të kishin vazhdimisht sukses, pasi Estrada Profesioniste përbëhej nga artistë të mëdhenj e të fuqishëm, artistë të mrekullueshëm që ishin një shkollë e madhe për Zefin dhe që e mësonin të luante dhe interpretonte me zemër, si: Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Katerina Biga, Jolanda Shala, Gëzim Kruja i madh, Drande Xhai, Besnik Çinari e Anton Krosaj.
Ka qenë një fat i madh, i madh fort që Zef Deda ka bashkëpunuar me këta shkrimtarë, këta artistë, por njëkohësisht ka pasur edhe përgjegjësi shumë të madhe të luai rolin që kanë shkruar për të dhe që regjisori i ka besuar Zefit. Të gjitha rolet që ka luajtur i ka dashur, i ka pasur për zemër, pra merrte tipin, formonte dhe interpretonte fort dhe ia jepte spektatorit dhe Ai po ta pëlqei do ta ruante përgjithmonë, për gjithë jeten në kujtesën e tij.
Ndikim pozitiv kishin edhe shkrimtarët e mëdhenj si Pulin Selimi, Kolec Pepa, Ahmet Kameri, Gjergj Vlashi, Paulin Preka, Nonda Bulka, Dritero Agolli e shumë të tjerë, të cilët e kishin për krenari të punonin për kolosët e Estrades Profesioniste të Shkodrës sikurse edhe për Zefin.
Pra, të gjithë këtyre artistëve, me Musa Ademin prej në fillim rreth vireve ’58-’59 kur Zef Deda ishte fëmi, u ka qëndruar afër dhe i ka dashur me pasion sepse e kanë mësuar në mënyrë të jashtëzakonshme, pra për çdo gjë, por, duke lexuar dhe duke mësuar për artin skenik, për të dalur sa më real, duke krijuar tipa, karaktere, pjesë që i kanë pëlqyer gjithmonë.
Mund të veçojmë rolet me imitime me aktoren Rita Ndoci, kur imitonin këngëtarët e asaj kohe, imitimin e mjeteve të para teknologjike, imitonte motorat, makinat, aeroplanat, trenat, imitime në gjuhë të huaja dhe role të suksesshme me të madhin Gjosho Vasia, në duart e të cilit është rritur, duke e aktivizuar me Estraden e Vaut të Dejës e më gjërë, ku në të gjitha ato role spikaste ai humori edukativ, duke vënë në dukje të metat e asaj kohe si dembelizmi, mendjemadhësia, hipokrizia e shumë vese që me anë të humorit shoqëria etiketonte dhe vinte në lojë njerëz të ngjashëm me ta.
Një përvojë të madhe profesionalizmi në interpretim Zefi mori në Shtëpinë e Pionierit, ku është rritur edhe ka mësuar në mënyrë të jashtëzakonshme si me dashtë rolin dhe interpretimin, skenen, spektatorin, si dhe me e zbërthye mirë çka don me thanë aktrim. Të gjitha këto nga mjeshtri që kanë pasur, aktorin e famshëm të Teatrit “Migjeni” Paulin Laca, i cili e mësoi kordinimin e gjestikulacionit me zërin dhe kjo ka qenë një akademi arti për Zefin, për mjeshtrinë e interpretimit skenik.
Zef Deda pati edhe majat e tij në jeten e gjatë në skenë, duke skalitur figura që nuk do të harrohen kurrë, siç mund të përmendim Çarli Çaplinin Shqiptar dhe kunatin e shokut Xhemal, të cilët kanë mbetur në kujtesen e publikut shkodran e shqiptar dhe që edhe sot e kësaj dite kanë vlera të jashtëzakonshme sa herë që shfaqen në ekranet e televizorëve.
Në shtator të vitit 2020, me rastin e 70 vjetort të lindjes, këtij aktori të madh i mora një intervistë, ku ndër të tjera tha:
“Në vitet ’90-’92 u duk sikur fituam lirinë, sikur i shpëtuam çensurës së mendimit të lirë dhe të ëndrrës për të realizuar ambicjet tona, ku për fat te keq “si e nisëm nuk bitisi”. U zhgënjyem totalish nga depërtimi i politikës në këto institucione me vendosjen e nënpunësëve të pa aftë në drejtimin e tyre sidomos kohëve të fundit, ku mund të themi se ka pësuar një regres total arti, kultura dhe arsimi në vendin tonë, pa të cilat populli është amorf, fle, vdes, shprehej jo pak i shqetësur aktori i madh dhe vazhdon: Institucionet janë të marra peng nga mafja, nuk investojnë por përfitojnë aq sa sot aktivitetet numërohen me gishtat e dorës, në një kohë kur para viteve ’90 kemi dhënë mbi 250 shfaqe në vit në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë fajin ia vënë politikës, e cila jo vetëm që e lejon të degradojë, por investon në platforma që keqedukojnë dhe tjetërsojnë artin dhe trashëgiminë tonë kulturore”.
Për t’iu shmangur pak politikës dhe kësaj gjendjeje që realisht jemi koshient se qëndrojnë, më poshtë po flasim për vlerësimet që Zef Deda ka marrë për gjatë gjithë karrierës nga institucionet e artit dhe të kulturës.
Zef Deda, biri i Shkodrës dhe i humorit shkodran, vlerësimin më të madh, para të cilëve përulet me respekt e ka marrë nga duartrokitjet e spektatorit dhe artëdashësve shkodranë e shqiptarë anë e mbanë botës për gjatë gjithë karrieres së tij.
Që fëmi Zefi ka marrë shumë mirënjohje, vlerësime e medalje ku do veçojmë atë të vitit 1967, kur mori çmimin si “Aktori më i mirë” në festivalin e estradave amatore në Vaun e Dejës, ku mori titullin “Laurat i Republikës së Shqipërisë” në moshen 17 vjeçare. Mandej në Estraden e Ushtarit mori çmimin “Naim Frashëri”, të njëjtin e fitoi edhe në Estraden Profesioniste të Shkodrës. Më vonë, në vitin 1985 me kunatin e shokut Xhemal “Laurat i Republikës” dhe shumë shpejt, pasi fitoi edhe “Naim Frashërin e Artë” në vitin 1986 e vlerësojnë me titullin “Artist i Merituar” në moshën 36 vjeçare.
Në vitin 2010 Presidenti i Republikës së Shqipërisë e vlerësoi me titullin “Mjeshtër i Madh”. Veç këtyre vlerësimeve ka marrë edhe shumë e shumë të tjera si “Krenaria e Shkodrës”, “Mirënjohja e Qytetit”, etj.
Megjithëse qyteti i tij është djepi që e përkundi, Teatri “Migjeni” është djepi që e rriti dhe Zefi gjithë jeten e tij ia kushtoi Shkodrës dhe Teatrit.
Me interes për lexuesin dhe artëdashësit është të dinë diçka mbi rikthimin e Zef Dedës në teatër pas viteve ’90-të. Rënia e diktaturës solli edhe rënien e ekonomisë familjare, që e detyroi të emigrojë në Gjermani, ku qëndroi për 6 vite. Falë aftësive dhe njohurive që kishte në gjuhët e huaja, gjeti veten në profesionin e tij, ku pati shumë sukses në skena dhe shfaqjet që organizonin aktorët më të mëdhenj gjermanë, ku për fat të mirë iu njohën edhe diplomat dhe vlerësimet shqiptare në atë shtet për punë dhe pagesë.
Dy ishin arsyet që u kthye në Shkodër: Nëna dhe spektatori tij i dashur me kolegët e tij të shtrenjtë.
Megjithëse u kthye për të interpretuar në një shfaqje në “Pallatin e Kongreseve”, Zefi e pa në ç’gjendje kishte rënë Teatri. Shumë pak investime dhe krejt pak vemendje nga shteti. Megjithatë ka punuar fort me kolegët dhe ka realizuar disa komedi e shfaqje me të cilat ka pasur shumë sukses, deri në daljen në pension.
“Gjendja e Teatrit sot është e mjerueshme dhe është pak të thuash nga mënyra e menaxhimit apo dhe gjendjes në të cilën ndodhet aktualisht ky tempull.
Sot Estrada Profesioniste nuk ka as edhe një aktor profesionist. I fundit ishte Anton Krosaj që u nda nga jeta para pak kohësh. Në këtë institucion mungojnë politikat apo qasjet me interes për rekrutimin e talentëve të reja, ku për mendimin tim nuk ka rëndësi shkolla profesionale, sa ka rëndësi dhuntia e aktrimit.
Ndër të gjithë aktorët e Estradës, të cilët mund të identifikohen si korifenjtë e këtij teatri, vetëm dy-tre kanë pasur shkollat përkatëse, por ama janë të gjithë me titujt më të lartë të karrierës, pra nuk duhen shumë formalizma zyrtare, sesa duhen talente e figura të dashura për publikun.
Momentalisht janë disa grupe të rinjsh që vërtetë shihen si një e ardhme e ndritur për estraden, por prapë duhen edhe mosha të pjekura e me përvojë, nga të cilët të marrin shembuj”. Shprehej shumë seriozisht aktori i madh Zef Deda, i cili më bëri përshtypje dhe u kujtova se humori vërtetë të bën për të qeshur, por të bën edhe për të menduar.
Me rastin e kremtimit me madhështi e nderime të 70 vjetorit të formimit të Trupës Profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, “Mjeshtri i Madh” Zef Deda bëri një gjest që do të mbesë gjatë në kujtesë. Ai me krahë hapur bëri sikur përqafoi Tetarin e tij të dashur, duke mbështetur duart në muret e tij dhe duke i dhuruar një puthje që përloti, jo vetëm atë, por të gjithë të pranishmit.
“Ashtu si besimtarët falen në kisha e xhamia, apo në institucione të tjera fetare, ashtu si sportistët apo shkencëtarët u japin shpirt objekteve ku punojnë e veprojnë në mënyrë të pashmangshme, të gjithë aktorët përulen para Teatrit”, tha përmes mallëngjimit i madhi Zef Deda.
Ai Teatër është djepi që e ka rritur Zefin, ka rritur dhe edukuar breza të tërë artistësh të paharruar. Ka dhuruar emocion, kënaqësi dhe shpresë. Ka edukuar këtë popull me virtute të mira, ka ruajtur e përcjellur ndër breza trashëgiminë tonë të lashtë kulturore. Ai Teatër është vetë jeta e Zefit, të cilin ai e puthë dhe përqafon me krenari edhe prej në shtëpinë e tij, sapo zgjohet në mëngjes.
Si një artist i madh e një baba me virtute të larta, Zefi ndihej krenar kur shikonte fëmijët e tij tek ndjekin rrugen e babait në fushen e artit.
Shkodra e këngës dhe e humorit është një thesar që nxjerr vazhdimisht talente e siç e permendëm më lart talente ka, por duan t’i kenë me shkollë e kjo e ka shtyrë Zefin t’i mbështesë, gjë që e bën të ndjehet jashtëzakonisht mirë, deri edhe krenar, jo vetëm se janë fëmijët e tij, por se do që brezave të rinj t’u lëmë amanet Teatrin.
Si baba e bëjnë krenar për faktin që kanë qenë të bindur e të dëgjueshëm për këshillat e tij, kudo kanë mësuar e punuar shumë mirë. Sot secili jep më të mirën e tij drejt suksesit në fushën e artit për çka Zefi i falenderon jashtë mase si prind.
Megjithse e përmendëm disa herë fjalen pensionist, ky status duket sikur nuk ka lidhje me Zefin dhe për këtë ai shprehej me humor: “Dikur ishte me dalë në pension 55 vjeç, por rreth viteve ’97 u shty në 65, e megjithëse e pritëm me gëzim, kjo si aktor nuk ka pikë rëndësie, pasi aktivitetin do ta bëj aktivitet me apo pa mbështetjen e institucionit. Sot edhe pse quhem i jashtëm ndjej nostalgji të madhe sa herë dal në atë skenë, ku vazhdoj të punojë e të jem aktiv nëpër shfaqje të ndryshme. Dridhem sa herë luaj në atë skenë, aq krenari e dashuri kam për skenen e Teatrit “Migjeni”, shtëpia ime e dytë”.
Më kujtohet kur i thashë këtë vit ju keni mbushur plot 70 vite jete. Kjo nuk më bind dot pasi unë mendoj se në pension ka dalë mosha, por nuk ka dalë artisti. Ai e mbështetë këtë mendim me pak humor, duke thënë: “Ishte dashtë me jetue deri në vitin 2027, me mbush 77 vjet, kur bashkë me muajin korrik ishin bërë pesë shtata e kisha bërë xhekpot, e kisha me fitue 1 500 000 Euro e me u bërë milionier. E në mos m’i dhënshin, do të presë të bëhem 80 vjeç e me festue në Pjacë me spektatorin e shpirtit tim”.
Gjithë emocion po e mbylli këtë shkrim, të cilën me plot bindje do ta quaja ndër shkrimet e mia më të trishta. Në këtë moment më rikthehet një bisedë që pak kohë më parë në një kafe më shprehu dëshiren më sublime prej artisti. “Do doja që shpirti im të pushonte në skenen e Teatrit “Migjeni” tue interpretue për spektatorin më të mrekullueshëm, artëdashësin shkodran”.
Artistë si Zef Deda janë të rrallë, nuk përsëriten dy herë, por edhe nuk vdesin kurrë. Ata jetojnë përgjithmonë në memorjen e artit shqiptar.
Ngushëllime familjes dhe të gjithë të afërmëve të tij!
Pushoftë në paqe!
Ramazan Çeka
Amerikë 2023