• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

TË SHPALLËT E PAMVARËSISË

November 18, 2023 by s p

foto: wikipedia.org

Mustafa Kruja 

Dërgoi për botim: Eugjen Merlika/

Tetuer 1912. Të katër Pushtetet (powers) balkanike : Mal i Zi, Sërbí, Bullgarí e Greqí i kishin shpallë luftë mbtretnisë (emoire) othomane e gjatë gjithë kufinit po sulmojshin, ku mâ shumë e ku mâ pak, me fitime. Ushtrija sërbe i ka thyem Tyrqit në Kumanovë dhe ka nisun me përparuem pa mundime të mëdhaja. Vetë Kumanova âsht shqiptare e as Sërbt as Malazezt s’kanë ku me vûmë kâmbë jashta vëndit të vet veçse në tokë shqiptare. Patrijotët e Shqipnisë, ndërmjet nji angështije dërmuese (overwhelming  anxiety) e shpresash t’âmbla por fort të zbeta (pale) për fatin e atdheut të tyne, kishin nisun qyshë ditën qi plasi lufta me lëvizun. Në krye ishin beglerët, dirigjentat e popullit shqiptar n’atë kohë. Mâ aktivët ndër ta ishin beglerët e Vlonës e Toptanët e Tiranës. Aty këtu grupe të vogla e të dame (isolated) intelektualësh pa influencë mbi turmat. Përjashta (abroad) kolonitë shqiptare në Boston, Kajro e Bukuresht, sidhe Arbreshët e Italisë.

Por ç’duhej bâmë e ç’mund të bâjshin Shqiptarët n’ato çase vendimtare? Cila ishte interesa reale e kombit? Ky gjindej, pa metaforë, përpara dilemës hamletjane : me qênë a mos me qênë ! Balkanasit kishin hŷmë në luftë hajsmi (would-be) për me shpëtuem nga salvimet (persecutions) e Tyrqet vëllaznit slavë e grekë ende (still) nën zotnimin othoman. Por me të vërtetë, po t’u ecte puna mbarë, ata kishin ndër mênd zgjânimin e pronave (dominions) të tyne deri ku të mundshin. E Shqipnija, gjeografikisht, vinte mû në ballë të vêndevet qi ata lakmojshin (coveted). Prandej, për Shqiptarët me mênd në krye (judicious) rruga për t’u ndjekun ishte nji e vetme : me përsritun gjestet e Lidhjes së Prizrenit 34 vjet mâ parë, dmth. me u shtrënguem n’armë (to take up arms) e me luftuem kundra mvatorëvet (invaders), mundsisht mbë vete e si aljatë të Tyrqet, por në fund të fundit edhe si pjesë e ushtrisë othomane.

Veçse ksi hovi (this time) rrethanat ushtarake, politike e psykologjike kishin ndërruem faqe e natyrë sa nata me ditë me ato të 1878-s. Aso here anmiku i madh, Rusija, ishte larg tokës shqiptare e nuk e shkeli asnji herë këtë ; Shqiptarët patën ngé me u mbledhun e çëmbledhun, me u matun e shmatun (matem e shmatem – rifletto lungamente su una questione), me u menduem e kshilluem shoq me shoq qyshë prej skânjeve të Veriut e deri te skânjet  e Jugës pa i pyetun kush se ç’po bâjshin e ku po vejshin ; mundën me u organizuem e armatisun ndër sŷtë  dashamirë të pushtetevet (le autorità = the rulers?) othomane, nemose në fillim ; s’patën përballë për t’i qëndruem me armë veçse nji Mal të Zi. Kurse tashti lufta  kishte zânë në gjumë jo vetëm Shqiptarët, por gati edhe vetë qeverinë tyrke e me të tânë furín’e vet gjatë gjithë kufije të Shqipnisë prej Taraboshit në Kumanovë e n’Epir.

Shqiptarët porsa kishin dalë prej nji revolucjoni katërvjeçuer kundra Portës së Naltë e ksaj s’i kishte mbetun besim në ta, jo vetëm për me i thërritun unjí nën armë, por as me përdorë në ballë të luftës ato pak bataljone qi ndodheshin  n‘ushtrín’ e saj për shërbimin e zakonshëm ushtarak si nënpushtetas (subjects) të Sulltanit.

S’kishin pra Shqiptarët fé mundsije (had no possibility) as me organizuem nji mburesë autonome kundër sulmit të furishëm e të fuqishëm t’anmikut, shumë herë mâ të fortë për numër e për mjete, as me bashkuem forcat e tyne me ato të mbretnisë : në krahasim me anmiqt ishin nji popull i vogël e pa kurrfarë ndihme të përjashtme, u mungonte nji armatim i përshtatshëm e u mungonte besim’i qeverisë e i ushtrisë tyrke.

Mund t’i vijë ndër mênd ndokuj me thânë se ndoshta do të kishte pasun ndonji farë gjase (likelihood) qi Shqiptarët t’u merrshin vesht me anmiqt vetë, me fqinjët e Balkanit, si aljatë…. nënurdhnorë (subordinate). Asnji mundsi! Do të kishte qênë vetëm nji tentativë e turpshme si ajo e nji grigje me ukun qi i âsht vërsulë me e premë. E cilido Shqiptar qi t’a kishte tentuem nji diplomatí fantastike të tillë, edhe me mâ të mirin vullnet nuk do të kishte fituem tjetër veçse vulën e tradhtisë në ballë ndër sŷt’ e bashkatdhetare të vet, qyshë në fillim,  josemâ si t’ishin pamë përfundimet (resultats) negative. Vetëm nji pjesë e vogël e popullsivet shqiptare u gënjye e e bâni këtë provë t’idhët, e aqë mâ fort âsht për t’u mjeruem për tê, pse ajo popullatë qi u gënjye e e muer këtë rrugë të keqe qe shi nj’ajo qi motmot parandej pat kuqun Cemin e shkrepat (crags) e Malsisë së Madhe (Large Highland) me gjakun e vet për lirí të Shqipnisë : Malsorët e Mbishkodrës. Këta të bekuem ku me u kshillue me të parët e vet të cilsuem (qualified) në Shkodër, votën e i besuen Kral Nikollës në Cetinë se po ishte tue luftuem për lirín’e Shqiptaret !

Jo, Shqiptaret s’u kishte mbetun asnji rrugë tjetër n’ato rrethana tragjikisht të vështira, posë nj’asaj qi zgjodhën parija e tyne kudo qi qenë e si të kishin pasë bâmë kuvênd bashkë : rrugën e apelit pranë Pushtetevet të mëdhá a disave prej tyne qi aso kohe kishin mâ tepër interesë me përkrahun të drejtat e kombit shqiptar. Mâ të parët qi e ndoqën kët’udhë qenë nji grup i vogël intelektualësh kosovarë, qi e kishin rrezikun shi përpara sŷvet, bashkë me Midhat Frashërin qi ndodhej atëherë në Shkup si mbiqyrës i qeverisë othomane për zgjedhjet parlamentare qi do t’u bâjshin. Ata u dhanë konsullatave të Pushteteve të mëdhá nji shkresë me të cilën i bâjshin me dijtun këto Pushtete nëpër konsullatat e veta se shqiptarët nuk do të njihshin asnji cënim (violation) të të drejtave të tyne si komb.

Në qytetin e vogël të Durrësit në breg t’Adrijatikut, n’atë Epidamnos piktoresk të Helene të motshëm, n’atë Dyrrachium të shkëlqyeshëm (magnificent) t’antiqitetit qi i ka pasë shërbyem aristokratisë romake për vênd verimi e pushimi e qi tash s’ishte veçse nji burgatë e keqe orjentale, baritshin (to ramble) posht’e përpjetë nëpër rrugët e përbaltueme (miry, muddy) tuba fshatarësh të Shqipnisë së mesme me hapa të rânda (a passi goffi = clumsy) qi paraqitshin nji kundresht të çuditshëm me uniformën kaki të porsaveshun : ishin elemente të nji bataljoni territorjalësh të vûmë prej pushtetevet othomane nën komandën e Hamid beg Toptanit për sigurimin e vêndit. Nji ditë vijnë n’atë qytet dy Toptanë tjerë, Avdi e Refik begu. Ishin të shoqnuem prej Midhat Frashërit, Salih Gjukës, Bedri Pejanit e Rexhep Mitrovicës, i njâjti grup i Kosovës për të cilin folëm pak mâ parë e qi porsa kishte pasë mbërrîmë në Tiranë. Kërkojnë e gjêjnë Mustafa Krujën me katër shokë tjerë, Dr. Neki Libëhovën, Stefan Kaçulinin, Mahmud Beshirin dhe Salih Nivitzën, e të gjithë ven’e mblidhen në kryepeshkopinë katholike të vêndit. Atje i priste nji patrijot i madh, Nikoll Kaçorri, ndihmës i kryepeshkopit.

Çilet bisedimi me nji analysë të gjêndjes politike e ushtarake në bazë të lajmeve qi kishte secili. Avdi beg Toptani këndon nji letër qi kishte marrë prej Syrja beg Vlorës, me të cilën ai sugjeron mbledhjen e nji kuvêndi kombtar sa mâ shpejt dhe lajmonte se kishte nisun për Vjenë të birin, Ekrem begun, qi të përpiqej me fituem ndihmën e asaj qeverije për pamvarsinë  e tânsínë toksore të Shqipnisë. Përmbajtja e ksaj letre u bâ objekti kryesuer i bisedimeve të mbledhjes. Ideja e nji kuvêndi kombtar u pa krejt e arsyeshme e, mb’anë tjetër, ishte edhe në mênden e të gjithe. Por sendërtimi (realisation) i saj dukej praktikisht i pamundshëm. Sepse ndër qytetet e Shqipnisë sundojshin (to govern) ende pushtetet othomane, e mb’anë tjetër s’do të kishte kuvênd’i Shqiptaret qi do t’a ndalte vrapin e trupavet sërbe kah bregjet e Adrijatikut. Për këto arsye, mbledhjes (meeting) nuk i a muer mêndja (to deem) me i a hŷmë  (to try) ksaj pune. Por, tue mos mundun me marrë masa qi t’i përgjigjeshin mâ mirë situatës (più rispondenti alla situazione), dau (decise) me kshilluem gjithë bashkitë (municipality) e Shqipnisë ende të pashkeluna (yet nonoccupied) prej anmikut qi të dilshin me e pritun (receive) këtê përjashta qytetevet n’emën të popullit të vêndit (local population) paqsisht e me flamurin shqiptar  në dorë si mysafir (guest) në tokën e nji Shteti asnjanës qi s’kishte mâ të bânte me Tyrqinë.

U bisedue mbasandaj për nji thirrje (appeal) Pushteteve të mëdhá. Kjo s’kishte si me u bâmë veçse tinzisht (secretly) me anën e konsullatave të tyne. Mirpo aso kohe vetëm Austro – Hungarija e Italija kishin konsullata në Durrës, prandej vetëm këtyne dyjave mund t’u bâhej thirrja. Por mbasi s’mund t’u bâhej të gjithave, u hoq edhe Italija, e cila n’ato kohna s’kishte dijtun me u frymzuem  (to inspire) Shqiptaret besim për nji dashamirsí të çinteresueme (unselfish goodëill). Kështu u vendos me i dërguem nji shkresë vetëm qeverisë austrijake tue i a adresuem  fill perëndorit Franz-Joseph I.

Ȃsht tepër interesant këtu, nga shumë pikpamje, me përmêndun (mention) nji hollsinë (detail) të bisedimit (discussion) mbi përmbajtjen (subject) e letrës qi po shkruhej për mbretin (sovereign) e Austrisë. Qe deshir’i mbledhjes qi të tregohej edhe se si e mendojshin dërguesit e asaj letre formën e përtardhmen (future) e shtetit të tyne. Të gjithë u bashkuen në nji mendim qi Shqipnija duhej t’ishte nji Shtet federativ si Helvetija e Shtetet e Bashkueme t’Amerikës së Veriut. Por nji prej shokësh të mbledhjes shtron përpara nji mendim të ri t’arsyetuem me nji realizëm e nji logjikë turbulluese : “ Nji Shqipní qi ka rruem katër shekuj e gjymsë nën nji sundim barbar e qi për këtë shkak gjindet sod n’ato kushte shoqnore e ekonomike qi dijmë të tânë, për mâ tepër rrethuem gjithandej me fqîj të panginjëshëm” thotë Salih Gjuka, “ nuk mundet me u bâmë përnjiherë Shtet mbë vete edhe me jetuem e përparuem pa ndihmën e projën e nji Pushteti të madh dashamirë !”. E proponon qi duhej kërkuem prej monarqisë austro – hungare qi Shteti shqiptar të vêhej nën projën e saj deri qi të bâhej i zoti me qëndruem mbë kâmbët e veta. Nji Shqiptar mysliman po deshironte, jo vetëm me e shkëputun vêndin e vet prej zotnimit (domination) të sulltanit khalif, por edhe me e shtimë nën hijen (protection) e perëndorit “fort katholik” t’Austro – Hungarisë. E kush âsht i pari qi i kundrështon ? Prifti katholik Nikoll Kaçorri, i cilli do t’ishte gati me pranuem për nji Shqipní “autonome” mâ parë (rather) projën e perëndorisë othomane, “qi-kështu arsyetonte Kaçorri- pa dyshim s’do të kishte mâ nji jetë të gjatë e me dekën e saj Shqipnija do t’a kishte të sigurtë pamvarsinë e plotë”. Mbledhja tekembramja e la mbënjanë (to omit, to leave out) kët’aspekt të problemës shqiptare. Rândsij’ e bisedimit të saj qe vetëm fakti qi vûni n’evidencë, në nji rasë aqë konkrete se te patrijoti intelektual shqiptar ndjenja e ideja e kombsisë qëndronte përmbi ato të fesë. Rreth ksaj çeshtjeje kemi për të folë mâ gjatë në kapitullin qi vjen.  

Por nji tjetri i a kishte pasë ruejtun  fati (the fate) lumninë  (the good luck) e lavdinë (the glory) me e lidhun të pandashëm emnin e vet me pamvarsin’ e kombit shqiptar : ai ishte Ismail beg Vlora, i quejtun përgjithsisht (ursually) me emnin Ismail – Kemal, siç njihej në mbretninë othomane. Pa pritë e pa kujtuem Bashkij’e Vlonës merr nga Vjena me 27 tetuer prej tij këtë telegramë : “Me vaporin e parë jam aty. E ardhëshmja e Shqipnisë âsht siguruem. Ju porosis qi, tue pasun besim në fatin e atdheut, të punoni së bashku si vllazën, të merreni me rregullimin  e pune të përgjithëshme (public) e të rueni qetsinë. Epnu rrethevet (environs, neighbourhood) lajmin e gzueshëm. Ju falem të gjithe atnisht. Ismail – Kemal”

Ky sihariq ( glad news) i atij burri të madh qi kishte lemë për t’u ngritun n’altarin e tempullit t’atdheut shqiptar, përhapun në të katër anët prej Vlonjatet, freskoi zêmrat e pikllueme (grieved) të gjithë patrijotet qi e ndëgjuen. Por Ismail – Kemali nuk mbërrîni aqë shpejt sa pritej dhe nuk duel në Vlonë, por në Durrës. Kishte me vete mikun e bashkpuntorin e pandashëm të tij, Luigj Gurakuqin, dhe disa patrijotë nga kolonija shqiptare e Rumanisë si Dhimitër Berattin. 

I pritën në molë Hamid beg Toptani me nji tubë patrijotësh intelektualë të Durrsit. Ndër sŷt’ e këtyne dukeshin si Mesija qi kishte ardhun me shpëtue vêndin , i shoqnuem nga apostujt e tij. Pushtetet othomane të vëndit pa dashim ishin të lajmuem për misjonin madhështuer, sa dhe të vështirë e të rrezikshëm qi ai kishte ardhun me kryem, por s’u vinte kurrgjà për dore me bâmë kundër tij, qi me gjithë shokë gjindej nën projën e sigurtë të bataljonit territorjal shqiptar. Ismail – Kemali u tfilloi imtisht patrijote të mbledhun rreth tij qëllimin e vet e masat qi duheshin marrë për t’i dalë në krye : do t’i lëshohej menjiherë gjithë bashkive të Shqipnisë ende të pashkelun prej ushtrive të beslidhune balkanikë zâni me zgjedhun e dërguem përfaqësuesat e tyne për t’u mbledhun në kuvênd kombtar në nji skelë t’Adrijatikut qi do të shënohej. Kuvêndi kombtar do të shpallte pamvarsín e kombit e do të zgjidhte nji qeverí të përkohëshme. Ai s’kishte dyshim se pamvarsija shqiptare do të njihej prej Pushteteve të mëdhà e Vjena dhe Roma e kishin siguruem se nuk do t’i lêjshin beligjerantat me e shkelun nji zonë të kufizueme (restricted) ku do të vendosej Kuvêndi Kombtar e qeverij’e përkohëshme e Shqipnisë së lirë. Duhej veç me e shpejtuem mbledhjen, në mënyrë qi të mûjshin me marrë pjesë në tê sa mâ shumë vise të Shqipnisë. Por ku do të mblidhej Kuvêndi Kombtar ? Vjena e Roma kishin porositun për nji qytet në breg t’Adrijatikut për shumë arsye praktike në lidhje me luftën qi po zhvillohej. Pra Durrësin ase Vlonën. Prej këtyne dý skelave u pa mâ me vênd Vlona. Viset rrethepërqark Durrësit ishin të banueme prej myslimanësh fanatikë, të cilët, të lidhun shpirtnisht me kalifatin e Stambollit e tue mos i dhânë dum (realize) ende gjêndjes kritike në të cilën ndodhej mbretnija othomane,  nuk do t’a pritshin mirë nji kryengritje të hapët (open revolt) kundër saj. Komandar’ i bataljonit territorjal të Durrësit, Hamid beg Toptani, nuk merrte asnji përgjegjësi për njerzit qi komandonte, të gjithë banorë t’asaj zone, kur do t’a merrshin vesht se Shqipnija po i bie mohit (deny) sulltanit kalif. Ndryshe ishte popull’i krahinës së Vlonës. Ndonse mysliman edhe ai, ishte liberal e kishte nji zgjuetí politike mâ të gjânë. Prinjësi (leader) i lëvizjes vetë ishte nji beg i atij vêndi, pra i njohun e i ndëgjuem mâ fort atje se në Durrës. Mâ në funt, kabla telegrafike me Evropën atje e kishte kryet e për tê do të kishte nevojë të domosdoshme qeverij’e re. 

Për të tâna këto arsye, Ismail Kemali vendosi me e thërritun (to convoke) Kuvêndin Kombtar në Vlonë. Por ftesat (invitations) i u derdhën gjithë Shqipnisë telegrafisht nga Durrësi me porosi qi delegatët t’u nisshin menjiherë për Vlonë.

Puna në Durrës tashma (now) ishte kryem, Ismail – Kemali me ata shokë qi kishin ardhun  me tê e me përfaqsuesat e bashkivet mâ t’afravet, si Durrësi vetë, Shjaku, Kruja, Tirana e kush tjetër mundi me mbërrîmë në Durrës a me dalë para mbi udhën Durrës – Vlonë, u nis. Rruga kryesore kalonte nëpër qytetin e Lushnjës. Por patrijotët e këtij qyteti, tue marrë vesht se pushtetet othomane të vêndit kishin pasun urdhna eprorë (upper orders) e po përgatiteshin me reshtuem ( arrest) Ismail – Kemalin me të gjithë shoqnin’e tij (company), lajmuen me kohë e kështu u muer nji tjetër udhë pa kaluem nëpër Lushnje.

Pritja qi i bâni Vlona bashkqytetarit të madh qe madhështore, enthuziaste, e përmallueshme. Jo mâ si në Durrës nji grusht patrijotë nën projën virtuale të nji bataljoni qi  në të vërtetë për tjetër qëllim ishte atje, por krejt popullsij’e qytetit e deri parí e përfaqsí katundesh kishin mbushun  rrugat e qytetit për me pritun e brohoritun të parin kryetar t’ardhëshëm të Shtetit shqiptar të rilindun mbas 444 vjet robnije. S’ka atje asnji zyrtar tyrk, Shef’i administratës, Nënprefekti, nji Shqiptar nga Berati, asht bashkuem përvûshëm me popullin, forca e sigurimit me gjithë komandarin e vet mbë krye, shqiptare edhe ajo, përshëndet plakun e thinjun me të njâjtat nderime qi do t’i bânte mbas pak ditsh si kryetar i kombit. Në çdo anë buçiste nga krahanorët e turmës klithma “Rroftë Shqipnija, rroftë Ismail – Kemali !” Popull’i Vlonës po e shpallte shlirimin e atëdheut pa pritun vendimin e Kuvêndit Kombtar, me zâ t’unjishëm e të drejtpërdrejtë (universal and direct suffrage), si Athinasit e Romakët e hershëm.

Me 27 nânduer gjithë delegatët e Shqipnisë së pashkelun prej ushtrivet të hueja kishin mbërrîmë në Vlonë. Nesret me 28 u mblodh Kuvêndi Kombtar në nji çardak të madh të shtëpisë së Xhemil beg Vlorës, ku kishte ramë Ismail – Kemali. 24 distrikte ishin përfaqësuemn’atë kuvênd prej 47 delegatësh. Edhe 20 delegatë tjerë mbërrînë me vonesë prej visesh të ndryshme. Ishte ora 4 mbasdite. Kuvêndi brohoriti (to acclaim) njizâni Ismail – Kemalin për kryetar. Këtu po nxier nga procesi verbal i kuvêndit fjalët mâ kuptimtaret (most significant) të fjalimit inaugural të tij :

“ Shqiptarët nuk e kanë  harruem kurrë as gjuhën as kombsin’e tyne, dhe prova mâ e mira janë përpjekjet e kryengritjet qi kanë bâmë herë mbas here e sidomos ndër këto katër vjett e fundit për të ruejtun të drejtat e zakonet e veta. Qeverija othomane nuk e kuptoi kurrë interesën e saj e nuk deshi kurrë t’u shpërblejë me të mirë Shqiptaret shërbimet e mëdhá qi i kishin bâmë. Tashti vonë pati rrëfyem, nji farë deshiri qi të merrej vesht me popullin t’onë. Por prap nuk vû në të gjithë vullnetin e mirë e nuk muer të gjitha masat e nevojshme për të kënaqun e paqsuem Shqiptarët. Qe ndër këto rrethana qi plasi lufta me katër Pushtetet balkanike, të cilat kërkojshin prej saj reforma e të drejta për vllaznit e tyne të nji kombi e të nji bese. Por këto, si panë se lufta po u vente mbarë, e harruen qëllimin e parë e u muerën vesht për coptimin e mbretnisë e pra edhe të Shqipnisë. Shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në këtë luftë mâ fort si të zott e vêndit e për të shpëtuem veten e tyne se si ushtarë, kur e panë se ushtrija e Tyrqisë u mund e s’po mujte me qëndruem mâ, nxituen me marrë masat qi u impononte gjêndja për të shpëtuem vêndin e vet. Kështu u bâ qi un u nisa nga Stambolli e, mbasi u mora vesht edhe me Shqiptarët e Bukureshtit, vota në Vjenë, ku fillova kontaktet me ato Pushtete të mëdhá qi kanë interesa mâ të gjalla në Balkan. E mbasi nuk mbetej mâ asnji shpresë me e shpëtuem Shqipninë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputunit e saj nga Tyrqija. Ky mendim u pa me vênd edhe nga an’e Pushteteve të mëdhá e sidomos në Vjenë e në Romë. Vetëm Rusija mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqije t’anë slavë, por as ajo nuk e mohon kombsinë shqiptare…”

Për me u dhânë këndueset nji idé të kthiellët mbi këtë dokument, pikë mâ së pari duhet të shënojmë se procesi verbal i Kuvêndit të Vlonës s’ka qênë mbajtun stenografisht e fjalë për fjalë, por shkurtazi e ad sensum, e kurkush s’ka folë atje me shkrim të përgatitun parandej, qi të mundej me i dhânë sekretarisë tekstin e fjalimit ; pra kështu edhe Ismail – Kemali. Pjesa e citueme këtu âsht mbas versjonit të dhânë në fletoren Flamuri, korrik – shëndre 1952, N. 31-36, f.3. Romë, me pak ndryshime forcuem edhe prej simotrës së saj Besa, nânduer 1954, N.15, Istanbul. Ndër këto fjalë të kryetarit sidhe në gjithë ligjëratën e tij âsht për t’u vûmë rò absenca absolute e çdo shprehsije (expression) revolucjonare a zëmrimi kundra Tyrqet, siç e lypte vêndi e rasa ; asnji namë, asnji mallkim kundra së huejsh qi zotnuen mbi vêndin t’onë për katër shekuj e gjymsë. Jo gjuhën e liderit të nji kombi qi ka vendosun me këputun hekurat e robnisë për me kthyem në lirinë e rrëmbyeme me forcë, por Ismail – Kemali ka përdorë gjuhën e nji diplomatit të nji populli të pafuqishëm kundrejt nji tjetri mâ të fortë qi i ka bâmë ndonji dhunë doret të dytë ; ase, të thomi, gjuhën e nji vllau mâ të vogël qi ankohet për disa padrejtsina të bâme nga mâ i madhi, tue i thânë këtij se ka vendosun me u damë mbë vete për me mbetun gjithmonë vlla me tê. Ky qëndrim (attitude) mund të ketë rrjedhun prej nji kompleksi a sugjestjoni të dinjitarit të vjetër të mbretnisë othomane, të cilës i kishte shërbyem brez mbas brezi ai vetë me nji varg të gjatë së parësh të vet ; por ndoshta edhe prej nji oportunitetit politik, tue e dijtun se shumic’e madhe e popullit shqiptar, si myslimane qi ishte s’ushqente mëní as ndonji anmiqsí të vërtetë kundra popullit e sidomos mbretit tyrk.

Po të shtojmë se jo veç prej gojës së kryetarit, por nga asnji mis i kuvêndit, plak a i ri, mysliman a i krishtenë, s’kanë dalë n’atë kuvênd fjalë të zjarta a sado pak t’ashpra e të fyeshme për sunduesin e deratëhershëm, i ve mêndja njeriut se atje përnjimênd s’ishin mbledhun gjind revolucjonarë, por gjithaqë doktorë t’urtë për konsultim rreth nji të sëmuni delikat qi ishte në rrezik jete. E kjo ndoshta ishte vetë rasa. Frika për ekzistencën e kombit nuk ndihej n’anmikun e vjetër qi po shkonte, por në të riun qi po vinte.

Mbas ligjëratës së kryetarit, përsjellë (followed) me të rrahuna duersh të gjata e klithma enthusjaste “Rroftë Shqipnija e lirë !”, sekretar’i parë i kuvêndit Luigj Gurakuqi u ngrit e parashtroi resolutën qi vijon , të cilën, tue qênë dokumenti historik i themelimit të Shtetit shqiptar, po e riprodhojmë këtu fjalë për fjalë siç e ka shkruem dor’e auktorit : 

“ Në Vlonë më 15/28 të vjeshtës së tretë 1328/1912.

Pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail – Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vete, e lirë e e mosvarme”

T’u mbaruemen këndim’i ksaj resolute të paharrueshme (memorable), të gjithë delegatët e ndëgjuesat brofën mbë kâmbë (spring to one’s feet) si nji trup i vetëm me nji krisëm (detonation) të pasosun shuplakash e klithmash për Shqipnin’e lirë, për Shqipninë e pavarme. Në proceset verbale të kuvêndit figurojnë me rend përfund ksaj resolute këto nënshkrime delegatësh .

Ismail Kemal, Kaçorri (Dom Nikoll Kaçorri), Abdul – Aziz Vehbi (Vehbi Dibra, ish muftiu i Dibrës e aty e mbrapa myftiu i përgjithshëm për myslimanët e Shqipnisë së pamvarme), J. Karbunara, Elmas Boco, Vehbi Harçi, Qazim Kokoshi, J. Minga, Rexhep (Mitrovitza), A. Rruçi, Abdi (Toptani ), Abas Dilaver (Çelkupa), Midhat Frashëri, Shefqet Dajiu, Zihni Abas Kanina, Xhelal (Koprencka), Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani (Karaosmani), Iljas Vrioni, Salih Gjuka, D(himitër) Beratti, D(himitër) Emanuel (Mborja?), Dimitri Zografi, Murad Toptani, Pandeli Cale, Luz Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro Ilo, Thanas Floqi, Lef Nosi, Dr. H. Murteza, Nuri (Sojliu), Mustafa Asim Kruja, M. Ferid Vokopola, Ymer (Deliallisi), Xhemaledin (Xhemal Deliallisi), Nebi Sefa Lushnja, Zuhdi Ohria dhe dy tjerë qi s’këndohen.

Në nji shtëpí modeste të Vlonës, kishte kohë qi zonja Marigó Poze, nji zonjë orthodokse shqiptare e shqiptare me mish e me gjak e me shpirt, po qëndiste me duert delikate e t’afta (dexterous) të saja e me nji dashuní pa skânj (boundless love) nji shqipe të madhe dykrenshe, të zezë mbi pëlhurë të kuqe. Ishte flamur’i Shqipnisë së lirë. Këtë flamur, ditën 28 nânduer 1912 orën 17.30, porsa patën prâjtun (had ceased) brohorit’ e resolutës së Kuvêndit për pamvarsinë kombtare, vetë thinjosh’ i përnderuem (honorable old man) Ismail – Kemali e ngriti madhnisht (majestically), tue i u dridhun duert nga mallëngjimi (emotion), në nji dritore qendrore të ndërtesës historike. N’oborr e gjatë rrugës pranë ksaj ishte derdhun popull’i Vlonës, si ditën qi kishte dalë me pritun birin e madh të saj kur po vinte së largu si Mesija i kombit shqiptar. E të gjithë delegatët e ndëgjuesat kishin zbritun e ishin përziem me turmën, të tânë me zêmër të gufueme e me sŷ të ngulun mbi atë dritore. Klithma gzimi të papërshkrueshme e aty-këtu lot e dënesma përmallimi e shoqnuen shpalimin (display) e atij symboli magjik qi ndër disa çase na ngre e na kredh ndër sfera  (to plunge) ndër sfera elysjane (Elysian).    

Flamur’i Shqipnisë âsht flamuri qi përdorte Skënderbegu. Para kohës së tij nuk dijmë se ç’formë flamuri kanë pasun princat e ndryshëm të vêndit t’onë. Sa për Skënderbegun, janë tre auktorë të vjetër qi s’na lânë as mâ të voglin dyshim.I pari Shqiptar qi i ka shqyrtuem  (to examine) këta e na i bân të njohuna përshkrimet e tyne në Albania, XII, 1909, Bruxelles, âsht Faik Konitza. Ky citon tekstualisht : 1) “L’insegna di Scanderbeg era un’aquila nera distincta in due teste sopra campo rosso.” (Anonymi i Tivarit te Biemmi, faqe 23. Qi don me thânë : flamuri i Skënderbegut ishte nji shqipe e zezë e dallueme me dy krenë mbi fushë të kuqe ( the flag of Skanderbeg was a two – headed black eagle spread on a background of red”: kështu e kam gjetun përkthimin në nji numur të vjetër të Dielli-t të Bostonit). “Rubea vexilla nigris et distincta aquilis gerebat Skanderbegus” ( Barletius, faqe XV), qi don me thânë : Skënderbegu bânte flamuj të kuq “të shkruar me shqiponja të zeza dhe dy-krenësh” ( “Skenderbeg  had red flags embellished with black two – headed eagles”). 

3) “ Dans ses estendars qui estoient tout rouges il portait une aigle noire à dux testes” (Lavardin, faqe 42) , qi don me thânë : në flamujt e tij, qi ishin gjithë të kuq ai kishte nji shqipe të zezë dy krenësh” ( On his flags, which all red, he dada black two-headed eagle”).

Faik Konitza shkruen në Dielli-n e Bostonit me 26 nânduer 1921 disa mendime interesante të tija mbi përdorimin e këtij flamuri prej Skënderbegut. Ai, mbasi përmênd shêmbuj popujsh të lashtë e të vonë qi kanë përdorë fytyra shtâzësh të ndryshme, e veçanë shqipen, për flamur, shton : “Nuk është çudí që Skënderbeu, ca nga kujtimi i Byzantit, ca nga armët (armours) që kish parë n’Itali, ndofta edhe se shqiponja me dy krerë ka qênë shênja (“coat of arms” ) e shtëpisë tij e përdori në flamurët. Sa për ngjyrën e kuqe të këtyreve, s’duket të ketë pasur nonjë kuptim të veçantë, ndofta u zgjoth si ngjyra më popullore e Shqipërisë”.

Mustafa Kruja       

Filed Under: Reportazh

HISTORI “RRUGËTIMI” I ISMAIL VLORËS DHE FAMILJES VLORA, NGA PERANDORIA TURKE-OSMANE TE SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË!

November 18, 2023 by s p

NGA NDUE  BACAJ         

HYRJE:  

Për të përkujtuar sadopak me pendën time, shpallësin e pavarësisë së Shqipërisë,  (28 nëntor 1912) mendova që perveç shkrimeve të tjera  me histori patriotike e glorifikuese të shpallësit e shpallësve të pavarësisë, të shkruaj edhe “diçka” nga historia e “rrugëtimit” të  familjes “Vlora” dhe birit të saj Ismail Vlora nga perandoria Turke-Osmane te pavaresia e Shqipërisë. Si çdo histori “rrugëtimi” e familjeve të mëdha shqiptare , edhe te familja “Vlora” dhe Ismail Vlora ka jo pak  dritë e hije nën perandorinë pushtuese turke-osmane të cilës i sherbyen dhe për këtë u shperblyen me grada e ofiqe, por edhe u persekutuen sa herë ngritën krye në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë e Shqiptarëve… Akti i shpalljes së pavarësisë nga Ismail Vlora me shokët e tij të shqiptarisë, kryesimi i Qeverisë dhe themelimi i shtetit të parë të pavarur shqiptar pas rreth 450 robëri Turke-Osmane, tregon se drita e patriotizmit të Familjes Vlora e veçanarisht e Ismail Vlorës , dominon dukshëm  mbi hijet e sherbimit ndaj perandorisë turke-osmane…. 

FAMILJA “VLORA” NËN PERANDORINË TURKE-OSMANE. 

Si themelues i familje VLORA, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505). Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i deteve, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane. Sipas Ismail Qemalit (Mahmudit), familja “Vlora”, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.1. Por familja “Vlora” ishte ndër shekuj edhe një nga familjet më besnike të perandorisë   Turke-Osmane , e për rrjellojë  edhe ndër më të pasurat dhe më të shperblyerat me grada, tituj e ofiqe turko-osmane. Sarajet e Vlorajve ishin të njohura jo vetem  në Vlorë , por edhe sarajet e Vlorajve të lagjes Pera të Stambollit e më gjërë.. Hierarkia e familjes Vlora në sherbim të shtetit turko-osman është shumë e hershme (siç shkruam më sipër), por në këtë portret pa “censurë”, mendova të cilësoi një “sherbim” të madh “konkret” të familjes “Vlora” të vitit 1571, kur në betejen (detare) antiosmane të ushtrive kristiane në Lepanto shquhen si luftëtar të mëdhenjë  Osman , Kara Sinan Ahmet  Pashë Vlora dhe Ali bej  Vlora.  I pari shperblehet  nga perandoria turke-osman me ofiqin e qeveritarit  sanxhakbej i Vlorës, ndërsa i dyti me titullin “bej”që sillte nderime e pasuri…2.  Gjithsesi vite e shekuj kaluan dhe familja “Vlora” u  rritë  me pasuri e ofiqe të shtetit Osman , gjë që kishte sjellur edhe smiren e shtetareve e pushtetareve të tjerë (lokal e qendror) Osman , ndaj në vitin 1820 gjyshit të  Ismail  Vlores i presin kryet me akuzen e një rebeluesi , që në fakt ky ishte “thjeshtë” kurbani i radhes i “smirës” turko-osmane , për të bërë zap hierarket dhe familjet e mëdha që kishin “lulëzuar” në prehrin e Stambollit. Pas kësaj edhe babai i Ismailit, (Mahmudi), u persekutua , duke e internuar e shpronsuar , gjë që zgjati për pak vite, dhe pas kësaj ju rikthyen privilegjet dhe pjesa më e madhe e pasurisë..3.  

HISTORI NGA JETËSHKRIMI I ISMAIL MAHMUD VLORËS !

Ismail  Vlora lindi me 16 janar të vitit 1844 në familjen “VLORA”, me baba Mahmudin (nga Vlora) dhe nënë Hedijen nga Gjirokastra.  Ismail Qemali fillimisht u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe  më pa u arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe. Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.4.  Karieren e tij Ismail Mahmud Vlora (në hierarkinë e lartë të perandorisë turke-osmane), e filloi  kryetar i komisionit të Danubit  e pastaj  guvernator i Varnes… Ndërsa në vitin 1877, kariera  osmane e tij kishte një tëposhte të  vogël, por pas pak koheve Ismaili u rehabilitua , dhe  perandoria osmane i beson  detyra të rendesishme në Gallipoli, gadishulli strategjik  buzë Dardaneleve. Ndërsa në vitet 1891-1892 Ismail Vlora bëhet guvernator i pergjithshëm  në Bejrut.. Për hirë të vertetes vlen të kujtohet se edhe në vitin 1900 kishte një tjeter “krisje”  në karieren  e  Ismailit , ku deri sa u “qetësua” situata  ky ishte strehuar në ambasaden angleze në Bosfor… Por  me gjithë këto “krisje” veprimtaria e Ismail  Mahmud  Vlorës  në favor të shtetit Osman,  kishte qënë gjithnjë e vlersuar dhe shperblyer nga perandoria dhe sulltanet e saj.  Për të vertetuar ketë po kujtoj se vetëm në arkivin e familjes “VLORA” në Itali ruhen gjashtë fermane të firmosura  nga  Sulltani Abdyl  Hamiti II ,gjatë viteve  1885-1900 , ku për Ismail  bej  Vloren shkruhet me konsideraten më të lartë  per kryerjen e detyrave  që ja kishte ngarkuar shteti Osman. Madje në këto fermane qartësohet se perveç titullit bej të trashiguar , i jepej edhe titulli “QEMAL”, që do të thotë (në osmanisht..) i shkleqyer , shkelqësi apo i ndritur , titull që më pas  i  zevendeson emrin e babes, duke e “quajtur “ jo më Ismail Mahmud bej Vlora , por  Ismail Qemal bej Vlora… Nga kjo familje e madhe dallohet për një kariere  të pasur në favor të perandorisë Osmane  edhe  djali i xhaxhait të Ismailit, Mehmet Ferit  Pash Vlora  , i cili kishte qënë kryetar i senatit Osman , si dhe vezir i madh i perandorisë turke-osmane në vitet 1903-1908.. Gjithashtu  Syrja bej Vlora që ishte i njohur e respektuar në Stambollë për inteligjencen , pasurinë  dhe sherbimet ndaj perandorisë, edhe ky ishte djali i  xhaxhait të  Ismailit… Zgjedhjet e vitit 1908  e bënë Ismail  Vloren kreun e një grupi deputetesh  shqiptar  në parlamentin Osman. Ai u bë kundershtar  i  xhonturqeve  dhe kjo i  krijojë mundësi që me 13 prill 1909 Ismail bej Vlora të bëhet figura kryesore e politikes turke .  Kjo ndodhi pasi repartet e ushtrisë në Stambollë u rebeluan kundër turqeve të rinjë, të cilet u larguan perkohësisht… Në këtë kohë  Ismail  Vlora u zgjodh  perkohësisht Kryetar  i  Kuvendit Turko-Osman.  Gjatë ditëve që mbajti këtë post  Ismail  Vlora u takua në një atmosferë të perzemert me sulltanin Abdyl  Hamiti II.. Kur  xhonturqit (“turqit e rinjë”) e rikthyen situaten në favorin e tyre  Ismail  Vlora mbeti thjesht deputet i Vlores…Kur  në trojet e Malesisë së  Madhe e më gjërë krisi pushka e kryengritësve kundër turko-osman (1911) , Ismail  Vlora  nuk bëri shurdhin , por i dëgjoi këto krisma , duke ardhur  të  takohej me udhëheqësit malësor të kësaj kryengritje Dedë Gjon Lulin. Edhe në Kuvendin e Greçës (10-23 qershr 1911) , Ismail Qemali në pamundësi për të marrë pjesë vet, ngarkon si perfaqësues të tij Sali Hoxhë Hidrin nga Elbasani… Ismail  Vlora për takimet e tija me udhëheqësit e kryengritjes antiotomane (1911), shkruan: “Në verën e vitit 1911 shkova në Cetinë për t’u takuar me krerët e Malësisë, të cilët ishin strehuar në Mal të Zi…Dëshiroj t’i shpreh mirnjohjen time Kral Nikollës, i cili më ndihmoi që të kryej këtë detyrë duke më pritur miqësisht dhe njerëzisht”.5. Ndërsa për kryengritësit malësorë Ismail Qemali do të thoshte: “Trima malësorë-shqiptarë që i zbardhen faqen Shqipërisë për gjithë jetën”.6.  Ismail  Qemali duke u mbeshtetur në  memorandumin autonomist  të Greçes 23 qershor  1911, nga fundi i këtij viti i kërkon parlamentit  turk  që në Shqiperi të bëhën reforma  dhe  shqiptarët të kenë një autonomi substanciale  nën kujdesin e “Portes së Lartë”… Ismail  Vlora  tashma duke parë  fundin e perandorisë turko-osmane , shprehte pa mendyshje  dhimbjen e tij të madhe  per shkatërrimin e pashmangeshem të perandorisë për të cilen kishte punuar  pa lëkundje per  ruajtjen e saj…7. Me këtë rast po vëmë në dukje  se Stambolli edhe pse në krizë ende kishte besim te “biri” i saj i shkelqyer (Qemal) , ndaj në vitin 1912  veziri i Madh Qamil  Pasha i propozonte  Ismail  Vlores  postin e kryetarit të Keshillit të Shtetit Osman. Për këtë post të ofruar Ismail  Vlora  thoshte se do ta kisha pranuar me deshirë , por tani është vonë…8.  Ndërsa në intervisten tjetër të dhënë  po gazetes austriake  “Neue Freie Presse” me daten 11 nentor 1912  do të deklaronte se shqiptarët vazhduan ta duan Turqinë , dhe nuk ju  bashkuan  shteteve  ballkanike  kur mësuan atë që po ndodhte , pasi shpresonin se Gazi  Muhtari (ish veziri i madh) dhe Qemal  Pasha  do të ndiqnin një kurs të ri në Shqiperi…9.  Po kjo gazetë  (Neue  Freie Presse), qe ishte thuajse qeveritare (Austrohungareze) me daten 14 nentor 1912 shkruante se… fuqitë europiane  kanë perqafuar pikpamjen e shprehur  me forcë nga Austro-Hungaria  dhe të mbështetur  nga Italia e Gjermania,  se Shqiperisë duhet  ti  jepet  PAVARESI, ndaj shqiptarët të inkurajohen  të shpallin  jo autonomine , por pavaresinë…10.  Vlen të theksohet se gjatë këtyre ditëve  protagonist i mbeshtetjes të shqiptareve për pavaresi kishte qënë  ministri i jashtëm i Austro-Hungarise , konti  Leopold  Berchtold .. Në një takim të  Ismail  Vlores me kontin Berchtold , kur po diskutohej shpallja e pavarësisë së Shqiperisë , Ismaili Qemali i thotë (me diplomaci) Berchtoldit ; mirse flamurin e kam , por nuk kam shtizen ku ta naltoj , dhe flamurin pa shtize  e merr çdo erë që frynë.  Atëherë Berchtoldi i pergjigjet , per shtizen e flamurit shqiptar keni bajoneten Austriake..11.   Meqense Ismail Vlora nuk e zotronte gjermanishten, dhe duke qënë se kryesonte lëvizjen patriotike shqiptare për pavarësi, kur kishte shkuar në Vjenë për me ba bisedime në ministrinë e jashtme , thirren një përkthyes. Përkthyesi më i mirë që Austria çmonte asokohe ishte  Pater Anton Harapi, (studimet në filozofi e teologji i kishte krye në Austri), dhe kështu Pater Antoni mori pjesë në bisedimet ndërmjet Austrisë edhe delegacionit shqiptar të kryesuem prej Ismail Vlorës. Jo vetëm kaq, por ai e shoqëroi delegacionin shqiptar në nisje për në Durrës prej limanit të Triestës.12.  Ismail  Vlora pas ketij takimi (që nuk kishte qënë i pari) me ministrin e njëres nga perandoritë më të fuqishme të Europes së kohës , thotë se ndërroj perfundimisht mendje se Shqiperia duhej të shpallte pavaresinë dhe jo autonominë, siç e kishte menduar kur ishte nisur nga Stambolli për të ardhur në Vjenë… Me datën 18 nëntor 1912 (pas takimit me ministrin e jashtem të Austro-Hungarisë) , sapo doli nga takimi ku kishte marrë garancinë  e njohjes së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nisi për në Shqiperi një telegram (të publikuar nga Lef  Nosi), me fjalet: “ E ardhmja e Shqipnisë  asht sigurue…”. Sic shihet telegrami eshte shkruar në gegnisht , gjë që tregon se është bërë nga Luigj  Gurakuqi apo… , që e   shoqëronin  Ismail  Vloren ne takimet  nëpër Europë e veçanarisht në ato me Vjenen zyrtare..(Siç dihet Ismail Vlora ishte zgjedhur në krye të kesaj axhende shqiptarie edhe në respekt të komunitetit musliman që perbënte shumicën e popullsisë së Shqiperisë). Është pikrisht Austro-Hungaria që Ismail  Vlorës së bashku me 14 veprimtar të tjerë, të çeshtjes shqiptare u vë në dispozicion një nga  anijet më të mira të Llojdit “Austriak”… Mbasi për historinë e këtij  udhtimi është shkruar shumë , po kujtoj vetëm se rrethanat historike penguan shpalljen e pavaresisë se Shqiperisë  nga Durresi dhe favorizuan shpalljen e pavaresisë me 28 nentor 1912 nga Vlora  pesemijë- banorëshe.. Kur u shpall pavaresia  nuk kishte asnjë km2 Shqiperi pa pushtues (serb, malazez, grek e turq,..). Edhe në vendin ku u shpall pavaresia gjindeshin reparte  ushtarake turke. Zona që mund të quhej se “shijojë” shpalljen e pavaresisë nuk i kalonte pesëmijë km2 dhe ishte në “sehirllekun” e ushtrisë së falimentuar turke … Megjithë këtë, akti i shpalljes së pavarësië bënte fjalë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë akt hynte Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi…13.  Në perkujtim e nderim të ditës së shpalljes së pavarësisë mendova të publikoj të plotë fjalën e Ismail Qemalit në mitingun e madh të mbajtur me me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit kombëtar me 28 nëntor 1912 në Vlorë:  

VËLLEZËR  SHQIPËTARË!

Oh, Sa të lumtur që e e ndiej vehten sot, që shoh këtu në Vlorë , kaq burra shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhje hstorike, për fatin e Atdheut tone të dashur.  Plotme gaz e me lot ndër syn ga mallëngjimi , pra po dal këtu para jush që t’ji gëzoj me sihariqin e madh , se sot, edhe këtë minut, kongresi (kuvendi) shpalli mvehtësinë e Shqipërisë, duke lajmruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndërr më duket ky ndryshim i madh i vendit tone, që hoqi e vuejti të zezat e ullirit pesëqind  vjet me radhë ndënësundimin turk, por që tani kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e çfarosej krejtësisht nga faqja e dheut, kjo Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj;  kjo Shqipëri që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekshëm të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurt kundër sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më të egër që ka pasë Turqija.  Mirpo, desh  Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqiptarëvet, sot e turje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tone, sepse, këtu e kështu , jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj qeshni e gëzoni. 

Për t’ia arritur kësa dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve tanë dhe e të atyre që muarën pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemra nga gazi i madh që ndieni;  mirpo mbledhja sim ë plak që jam, ma ngarkoi mua, Ngritjen e shenjtë të shenjës tonë Kombëtare, të flamurit tone të ëndërruar e të dashur (njerrë flamurin, të cilin e ka vendosur në një shizë hekuri, natyrisht të vogël dhe të fhaehur nën pallto, dhe pasi e mbanë një ekond në dorë e ngulë në shtyllat e ballkonit. Të pranishmit, porsa e shohin  Flamurin , thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri,  Rroftë Shqipëria e Lirë).  Ja, pra, ky është flamuri ynë i kuq e me shqiponjës dykrenare të zezë në mes. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trip i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, pë t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdheut tonë të Lirë.

Duke përfunduar, s’më mbetët gjë, veçse t’i dërgoj një lutje Zotit të Madh, që bashkë me bekimet e Tij, të na  japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje që të jem unë dëshmitari më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puthë e ta bëjë të valvitet i Lirë, Flamuri ynë, n’atdheun tone të lirë. Rroftë Flamuri,  Rroftë Shqipëria.14.  

Në këto kushte të vështira u  formua edhe qeveria shqiptare (e pavaresisë) me kryetar Ismail Vlorën dhe N/Kryetar Dom Nikollë  Kaçorrin… Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur Dedë Gjon Lulit iu dha mundësia  të shkoi në Vlorë, e të takoi shpallësit e pavarësisë, Ismail Qemali pas takimit  do të deklaronte se: “Dedë Gjon Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë”.15.  Ismail  Vlora qëndroi si kryeminister i Shqiperisë deri me 22 janar 1914, (12 muaj e 56 ditë), kur dha dorheqjen…Gjatë qëndrimit si kryetar i qeverisë Ismail Qemali ka një aktivitet me vlera kombëtare e ndërkombëtare të rëndësishëm. Nga ky aktivitet mendova të “shkëpus” fare pak me këtë “rast”: 

Dokumenti nr.265, i datës 2 janar  1913 jep të plotë memorandumin e qeverisë së Vlorës paraqitur sër Eduard Greit , ku ndër të tjera mendova të citoj: “Të nënshkruamit e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë kanë nderin  t’i paraqesin mbledhjes së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër pikpamjen shqiptare për të njohur kerkesat ligjore të Shqipërisë. Është fakt historikisht i pranuar se populli shqiptar formon grupimin etnik më kompakt, më homogjen e më të rëndësishëm të gadishullit Ballkanik. Raca e gjuha e tij, zakoni e karakteri i tij e shquajnë kryekput nga kombet e tjera që e qarkojnë dhe ia japin atij tamam këtë individualitet, për hirë të cilit ai ka ditur t’u bëjë ballë të tëra përpjekjeve të asimilimit…. Populli shqiptar ka vuajtur nën sundime të huaja. Ai ka bindjen se e meriton të radhitet ndër kombet e perendimit…. Shqipëria është plotësisht e vendosur të bëhet një element ekuilibri e paqeje në gadishullin e Ballkanit. Por për të përmbushur këtë detyrë nevoitet homogjeniteti i tij kombëtar…. Sot zgjidhja përfundimtare e problemit ballkanik ngrihet me forcë, populli shqiptar nuk do të duroj që të drejtat e tij të jenë pjesërisht të sakrifikuara e që e ardhmja e pavarësisë së tij të jetë ndërtuar mbi baza pak të qëndrueshme…. Pra nuk mund të vendoset paqja e plotë në gadishull derisa kufijët që janë njohur çdo etniteti politik s’do të jenë bazuar në vijat kufitare  gjeografike e etnografike të çdo shteti. Fara e grindjes dhe turbullimit do të mbetet gjithmonë e gjallë  kur të vihen nën një pushtim të huej toka të banuara me shumicë ose krejtësht prej popullsisë shqiptare…. Kufijët që kërkojmë ne janë këta: duke ndjekur një vijë demarkacioni, nisur nga kufijët e sotëm të mretërisë malazeze që përfshijnë veçanarisht, me gjithë hiderlandet përkatëse, qytete e Pejës, Mitrovicës, Prishtinës, të Shkupit e të Manastirit deri në Meçovë, duke u shtuar këtyre kufijjve , kufijët e sotëm deri në Prevezë….”.  Memorandumi u paraqitur nga delegatët shqiptar Rasih Dino, Mehmet Konica, Filip Noga.16.   Qeveria e Vlorë me në krye Ismail Qemalin ka edhe mjaftë  telegrame e komunikime të vazhdueshme me faktor të rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar dhe autoritetet e prefekturave shqiptare nga jugu në veri dhe nga perendimi në Lindje, të cilat i njoftonte për situaten dhe vendimet e konferencës së ambasadorëve në Londër, si dhe pergatitjet që duhen bërë pë çdo situate. Gjithashtu edhe autoritetet e Prefektuarave njoftonin për çdo situat të krijuar në prefekturat e tyre, si dhe gatishmerinë pë t’iu përgjigjë detyrave që do t’u ngarkonte qeveria… Letrat, telegramet dhe komunikimet e derguara nga qeveria e Vlorës me në krye Ismail Qemalin, autoriteteve të prefekturave dhe autoriteteve të huaja e anasjelltas janë të shumta dhe gjinden të shkruara në Permbledhje dokumentesh të Ismail Qemalit…  Me gjithë përpjekjet e Qeverisë së Vlorës dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës mori vendimet e padrejta e antishqiptare, ku brenda kufijve, të shtetit shqiptar u përfshi vetëm afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë (rreth 28 mijë km2 me një popullsi prej 740 mijë banorë), kurse gjysma tjetër mbeti jashtë kufijve shtetrore duke u shkëputur në mënyrë arbitrare nga trungu i atdheut. Populli shqiptar dhe qeveria kombëtare e Vlorës, që kishin ndjekur me vëmendje e shpresa punimet e Konferencës së Amabasadorëve, pritën me zemrim të thellë vendimet e saj për coptimin e rëndë të Shqipërisë. Ata nuk u pajtuan me to dhe aty ku pati mundësi, si në Vlorë, në Shkodër  e qytete të tjera si dhe në kolonitë shqiptare të mergimit u organizuan mitingje e manifestime proteste. Që në pranveren e vitit 1913, vetë kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin ndërmoren një udhëtim në Romë, në Vjenë, në Paris dhe në Londër për të njohur të drejtat e popullit shqiptar…17.   

“HISTORI” PËR SHKAQET E DORHEQJES TË ISMAIL QEMALIT: 

Shkaqet e dorheqjes me 22 janar 1914 ishin me “shumë hije” e pak lavdi… Ismail Qemal Vlora  u akuzua si  i implikuar në tentativen që xhonturqit ndërmorën për të vendosur princin turk , Ahmet  Izet Pasha në fronin e Shqipërisë. Për këtë gjë ishte  paditur  nga kushriri i tij Syrja bej Vlora në Komisionin Ndërkombetar të  Kontrollit , që kryesohej nga oficer hollandez… Me 7 janar oficeri xhonturk me origjinë shqiptare  Beqir  Grebeneja , i cili kishte marrë persiper realizimin e vendosjes  së princit turk në fronin e Shqiperisë , sapo mbërriti në Vlorë  u arrestua nga oficerët hollandez të  KNK-së , ndërsa ushtarët dhe oficerët që ndodheshin në anije nuk u lejuan të zbrisnin…Në gjyq oficerët turq  dekleruan se kishin ardhur në Shqipëri me miratimin e kryetarit  të qeverisë  së perkohshme , per të mbështetur kandidaturen  e Ahmet Izet Pashes  për fronin  shqiptar të princit. Pra marshalli (Beqir Grebeneja N.B.) sipas këtyre oficerve turq kishte vepruar në marreveshje të plotë me Ismail Qemal Vloren…18.  Ndërsa vet Beqir  Grebenes ju gjeten 35 telegrame të cilat pasi u zbërthyen dhe vlersuan nga Komisioni Nderkombetar i Kontrollit , u  vertetua  se  Ismail  Vlora ishte  implikuar… Shkelqësia e këtij beu (Ismail Vlorës) do të shkonte në Europë  dhe do të bisedonte  me Ahmet  Izet Pashen  në një qytet të vogel….(të panjohur) dhe do të lajmronte datën e nisjes .. Por siç  kuptohet, kur ata u binden se naltësia e tij Princ Vidi do të vinte patjeter në fronin e princit shqiptar , është hequr dorë  nga ky takim dhe është  filluar nga veprimtaria…19.  Edhe konsulli bullgar në Vlorë ,  Pavllovi  informonte ministrinë e tij të jashtme , se Ismail  Vlora është kompromentuar sonte , ndaj i ka paraqitur  KNK-së  dorheqjen e cila është pranuar..20.  Edhe “historiani” Arben  Puto e pranon disi këtë variant të implikimit të Ismail  Vlores, kur shkruan se KNK-ja  gjeti në komplotin  e Beqir  Grebenes  një pretekst me anë të cilit  e detyruan Ismail Vloren të japë dorheqjen..21. –Ismail Qemali u akuzua edhe se ai ideoi pas pavarësisë ndarjen e Shqipërisë në kantone,  një model si Zvicra. Por sipas njerëzve që e hodhën këtë akuzë, kjo do të bënte që fqinjët ta kishin më të lehtë ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.22.  Ismail Qemali pas largimit nga Shqipëria e kalonte kohën duke u marrë ma shumë se me çdo gjë  me intervista nëpër medie të shkruara europiane…Vlen të shënohet se Ismail Qemal Vlora edhe pse kishte vite që e kishte lënë qeverisjen e Shqipërisë, komuniteti i fuqishëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “VATRA”, e kishin caktuar për të perfaqësuar ata dhe Shqipërinë në Konferencen e Paqes në Paris. Patrioti 75 vjeçar u nis me vendosmeri të “parashtronte në Konferencë  kerkesat dhe të drejtat e Shqiperisë”, por Gjatë rrugës, në Peruxhia -Itali, ai pësoi një hemoragji dhe vdiq më 24 janar 1919…23.  

ISMAIL VLORA  DHE FAMILJA E TIJ…! 

 Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë, pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek…. Nga martesa e dytë Ismail Vlora pati nëntë  fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej…Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Vlorës që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armë mbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u sëmurë nga turbekulozi dhe vdiq në moshën 55-vjeçare…24.  Megjithë këtë akti patriotik i shpalljes së pavarësisë nga Ismail Vlora (me shokët e tij të shqiptarisë), kryesimi i Qeverisë dhe themelimi i shtetit të parë të pavarur shqiptar pas rreth 450 viteve robëri Turke-Osmane, janë vepra patriotike të pavdekshme të Ismail  Vlorës… 

REFERENCAT: 

1.https://telegraf.al/dosier/familja-vlora-afro-350-vjet-ka-qeverisur-vloren/28 Nëntor, 2014.  

2.Darling Vlora ; Ismail Qemal Vlora , para-ardhesit dhe pasardhesit ,Tirane 13997. 

3.Darling Vlora, Ismail Qemal Vlora , para-ardhesit dhe pasardhesit ,Tirane 1997. 

4.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017. 

5.Gjergj Nikprelaj, Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, fq.185-187, Gjonlekaj  Plublishing Co. New York 2004.

6.Koli Xoxe, “Ismail  Qemali”, fq.201, Tiranë 1983. 

7.Interviste  e  dhene gazetes , ” Neue Freie Presse”,date 8 nentor  1912  nga I. Vlora. 

8.Interviste e dhene nga    I. Vlora ne “The Christian Science Monitor “ te dates 18 mars 1916. 

9.Neue Freie Presse” me daten 11 nentor 1912. 

10.Neue  Freie Presse  e datës 14 nentor 1912.  

11.At Zef Pllumi , Rrno vetëm për me tregue  fq.410, sh,b.”55”, Tiranë 2006. 

12.At Zef  Pllumi, Histori kurrë e shkrueme, fq.517, sh.b.”55”, Tiranë 2006.

13.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017. 

14.AQSH I RPSSH F.245/II. D.1.  F.43 (kopje shqip), Ismail  Qemali, Përmbledhje dokumentesh, fq.231-232, perg. nga Teuta Hoxha, Tiranë 1982.   

15.Pandi  Rrumbullaku , Dedë Gjon Luli, pushkë e ngrehur për Shqipërinë, gaz. Luftëtari, dt.25 shtator 1980. 

16.Më gjërsisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.282-285.  perg. Nga Teuta Hoxha, Tiranë 1982.   

17.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.140, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.

18.Eqerem bej  Vlora ,Kujtime 1885-1925, fq.356,  botim i shtepisë se librit e komunikimit ,Tiranë 2003. 

19.AQSH ,Fondi 56 viti 1914 ,dos.30 ,f.24 ,leter e Syrja bej  Vlores derguar djemve të tij.. 

20.Dok. Bullgare. AIH,A-IV-271 f.23..  

21.Arben  Puto ,Pavaresia  shqiptare në tryezat e diplomacies 1912-1914, fq.219-220 ,Tirane 2007. 

22.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017. 

23.Gazeta Dielli, nr.5, date 25 nëntor 1988.

24.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017.

Filed Under: Opinion

SHQIPËRIA ZYRTARISHT NË KAMPIONATIN EUROPIAN TË FUTBOLLIT GJERMANI 2024

November 18, 2023 by s p

Sokol Paja/

Kombi shqiptar në festë. Kombëtarja e futbollit arriti për herë të dytë në historinë e saj kualifikimin në Kampionatin Europian të Futbollit Gjermani 2024. Një ekip i shtetit amë që është kthyer në një kombëtare të një kombi me talente prej të gjitha viseve shqiptare në trojet etnike. Kombëtarja ka bashkuar kombin. Futbolli është kthyer në promotorin më të madh ndërkombëtar të kombit tonë. “Magjistari” Sylvinho ka bërë një revolucion sportiv dhe filozofik në skuadër, ka kthyer shpresën, besimin, dinamizmin, magjinë dhe konceptet e futbollit të shpejtë, të bukur e modern. Ekipi ka pësuar një rritje të pa imagjinueshme. Një ekip i vogël që luan si një skuadër e madhe. Zemërluanët kuq e zi i treguan gjithkujt se pasioni, ëndrra, mundi e talenti e kanë gjithmonë një shpërblim. Suksesi i kombëtares ka gëzuar mbarë kombin. Suksesi historik ka ngjallur një shpresë në trojet tona. Ka frymëzuar talentet dhe kurorëzuar mundin e punën e bërë prej të gjithëve. Kombëtarja jonë është në nivele të jashtëzakonshme tekniko-taktike. Barazimi në Moldavi 1-1 që siguroi matematikisht Euro 2024 do pasohet me festën në Air Albania ndaj Ishujve Faroe. Për një kombëtare që na ka dhuruar shumë emocione, falenderim të posaçëm meritojnë dhe tifozët kuq e zi që e kanë ndjekur ekipin në çdo hap. Zoti i nderoftë djemtë tanë kuq e zi. Zoti e bekoftë kombin tonë.

Filed Under: Sport Tagged With: Sokol Paja

Françesk Solano, arbëreshi me prejardhje nga Çamëria, misionari dhe veprimtar i shquar gjuhësor dhe letrar

November 18, 2023 by s p

Françesk Solano, i cili u njoh me pseudonimin shqiptar, Dushko Vetmo bën pjesë në aradhen e gjatë të atyre veprimtarëve të shquar letrarë, të cilët zhvilluan aktivitetin e tyre në territoret italiane të banuara nga arbëreshët, gjithashtu ai pati një veprimtari intensive edhe në Argjentinë ku emigroi për 20 vite.

Dushko Vetmo, u lind më 18 nëntor 1914 në Frasnitë në krahinën e Kozencës, në një familje me prejardhje nga Çamëria. Më 1934 mërgoi në Argjentinë, si shumë kalabrezë, dhe studioi për teologji dhe gjuhë të huaja në kolegjin Klaiplos në Buenos Aires, ku dhe u shugurua prift e ku më pas dha mësim gjuhë dhe letërsi semitike. Pas njëzet vjetësh në Argjentinë, Uruguaj dhe Kili, u kthye në Itali dhe ishte pedagog i gjuhës shqipe, e veçanërisht i dialektologjisë arbëreshe, në Universitetin e Kozencës, derisa doli në pension. Ka qenë aktiv edhe për çështjet kishëtare në Eparkinë e Ungrës. Solanoja është autor veprash në gjini nga më të larmishmet. Në fushën e gjuhësisë dhe filologjisë është shquar me Manuale di lingua albanese, Koriljano Kalabro 1972 (Doracak i gjuhës shqipe), dhe Udhëzues për të biseduar shqip / Guida alla conversazione albanese, Koriljano Kalabro 1974, si dhe me shumë artikuj studimorë e studime dialektologjike. Ai gjithashtu ka redaktuar veprat e poetit, dramaturgut dhe romancierit arbëresh Françesk Anton Santori (1819-1894) dhe tekste të tjera të hershme arbëreshe. Botimi letrar më i parë i Solanos, i rrallë tani, është përmbledhja me vjersha Bubuqe t’egra, Buenos Aires 1946. Vepra të tjera në prozë, poezi e dramaturgji u botuan në Shêjzat në fund të viteve pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë, e më pas në Zjarri. Ndër to janë tregimet Ëndërrimet e Lalë Ndreut, 1958, dhe Te kështjell’ i mallkuar, 1959, proza lirike I bir’ i njeriut, 1959, dhe pjesët teatrale E po hëna, 1963, dhe Shkretëtira prej guri, 1974. Tregimet e tij u botuan të përmbledhura në Tregimet e lëmit, Shën Mitër 1975. Te praku, Trebizaçe (Trebisacce) 1977, është një përmbledhje me poezi, krijime të Solanos dhe përkthime shqip prej tij nga poezia japoneze. Në veprat e veta Solano është përpjekur të përdorë një gjuhë të kuptueshme jo vetëm për bashkatdhetarët arbëreshë, por edhe për folësit e gjuhës letrare shqipe. Gjuha e tij e pasur dhe e rrjedhshme ka shërbyer si model për shumë shkrimtarë të rinj.

“Në fshat e thërrisnin “zot”, “erdhi zoti”- kështu arbëreshët i drejtohen priftit, – por kjo, Solanos i shkonte.

Ai ishte njeri kulture dhe kishte atë virtytin e mentalitetit të zgjeruar, të gjykimit të shëndoshë, mentalitet që sjell pajtimin nga që mpreh aftësinë që t’i shohësh sendet dhe fenomenet jo vetëm nga një pikëpamje e ngushtë, jo vetëm nga pikëpamja jonë; kishte dhe virtutin e shijes, rreptësinë për të qenë një personalitet i ngulët, por me dashuri të padallimtë e të pakufizuar për gjithçka që është e bukur dhe me vlerë.

Kështu, i pajisur me shumë njohuri dhe me shumë talente, mbi të gjitha me dy virtytet që vumë në spikamë më sipër, ky njeri ka prodhuar kulturë, ka sjellë cilësi të reja ndër arbëreshët dhe për krejt atë që e quajmë botë shqiptare.

I mëshuam pak anës personale të “sjelljes” së tij intelektuale për dy arsye. Së pari, për t’ia dalë tej asaj që nuk ishte vetëm mik i Koliqit, po edhe i shumë studiusëve dhe profesorëve shqiptarë marksistë ose jo të tillë.

I lidhnin punët pastaj dhe shijimi nazik i verës dhe i të ngrënave tradicionale arbëreshe: Koliqit sa herë që i binte në kokë për verë të mirë, të kuqe, ia behte te Solanua; Çabeut nga kjo verë i përskuqeshin lehtësisht mollëzat paksa të dala të faqeve, dhe së dyti, asaj tjetrës, që ky “zot” u dekorua nga stalinistët tanë, ndërkohë që, po të jetonte në Shqipëri, do t’ia kishin thyer kërbishten diku andej nga këneta e Maliqit a e Hoxharës. Dushko Vetmo, siç thotë Konica për Gjeçovin, dinte të ishte një lartësi e përulur” – do të shktuante për poetin arbëresh, Sadik Bejko.

Francesco Solano, është një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ai ishte poet, studiues i letërsisë dhe i folklorit arbëresh, prozator, fletorar dhe profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë. Ishte poliglot, pasi zotëronte në mënyrë të shkëlqyer 8 gjuhë të huaja.

Veprimtaria e tij studimore dhe ajo krijuese, janë një thesar që e pasuron botën arbëreshe, duke e integruar atë në lëmin e emrave dhe kontributorëve të asaj shqiptarie, e cila sfidoi dhe triumfoi me vepër dhe me vlera.

Përgatiti: Albert Vataj

Burimi origjinal:

“Histori e letërsisë shqiptare” nga Robert Elsie, F.568-570

http://redaktori.net/dushko-vetmo-i-arberise-poeti-dhe…/

Foto: konica.al

May be an image of 1 person

Filed Under: Politike

“DITËT E ALFABETIT”, PREZANTOHET 70-VJETORI I PUNËS SË INSTITUTIT ALBANOLOGJIK TË PRISHTINËS

November 18, 2023 by s p

Në ditën e katërt të manifestimit “Ditët e Alfabetit” u shënua 70 vjetori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku u prezantua veprimtarinë e tij në fusha të ndryshme, përmes publikimeve dhe aktiviteteve të cilat mbrojnë trashëgiminë kombëtare, por njëkohësisht dhe historia e vështirë e ndërtimit dhe përballjes me sistemin shtypës politik.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani tha se angazhimi i Institutit të Albanologjisë me të gjitha kapacitetet e tij ka bërë që ai të jetë një ndër promotorët kryesorë për shtetndërtimin e Kosovës dhe se puna e tij është reflektuar edhe në shtetet fqinje, ndërsa kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë me themelimin e ITSHKSH, duke orientuar atë në çdo hap që të mbërrijë në nivelin e një institucioni të respektuar.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prof.dr. Hysen Matoshi, përgëzoi ITSHKSH-në për Ditët e Alfabetit dhe njashtu e vlerësoi si Instituti më dinamik në fushën e albanologjisë me të cilin është zhvilluar një partneritet i shkëlqyeshëm.

Më tej vijoi prezantimi, me ç’rast studiuesi Prof.dr.Lulëzim Lajçi u përqendrua në veprimtarinë botuese të Institutit Albanologjik gjatë vitit 2022, duke numëruar një sërë revistash, librash dhe materiale arkivore. “Vepër me vlera të veçanta për krijmitarinë e profesor Rexhep Qosjes” ishte tema e Dr. Abdurrahim Maxhunit, ku duke iu referuar studiueses Shefkije Islami, bëri një vëzhgim të punës vëllimore të largpamësit Qosja. Më pas, Dr. Angjelina Hamza prezantoi mbi temën “Kontribute etnologjike të profesoreshës Drita Halimi-Statovci”.

Ndërkaq, kumtesat e tjera paraqitën punën e degëve brenda Institutit Albanologjik si më poshtë: Prof.dr.Fadil Grajçevci me temën “Aktivitete shkencore të Degës së Letërsisë të Institutit Albanologjik”, Dr. Nuridin Ahmeti me temën “Dega e Historisë së Institutit albanologjik (1953-2023)” dhe Prof.dr.Arbnora Dushi me temë “Dega e Folklorit: Një rrugëtim përvijues nga qasjet paradigmatike tek perspektiva e studimeve”.

Aktiviteti u mbyll me urimin që ky Institut së bashkë me institucionet e tij simotra si ITSHKSH, ta dyfishojnë aktivitetin shkencor duke pasur një shtrirje gjithnjë e më të gjerë.

(ITSHKSH)

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT