• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

TAQ BUDA – FARMACISTI PATRIOT E POLITIKAN I ELBASANIT

November 3, 2023 by s p

Roland Gjini

Marin Haxhimihali*

Taq (Dhimitër) Buda është një personalitet i njohur në fushën e farmaceutikës, por edhe patriot dhe politikan i Elbasanit, i gjysmës së parë të shekullit XX. Lindi në vitin 1869 në lagjen Kala të këtij qyteti, lagje me tradita patriotike dhe arsimdashëse, dhe ndërroi jetë në vitin 1941. Vitet e para të shkollimit i kreu në vendlindje, arsimin e mesëm në Manastir, asokohe qendër e vilajetit me të njëtin emër, më pas, arsimin e lartë për farmaci e ndoqi dhe e përfundoi në Athinë, në vitin 1892. Po këtë vit kthehet në Elbasan, duke qenë farmacisti i parë i specializuar dhe i arsimuar jo vetëm për këtë qytet, por në tërë trojet shqiptare. Vetëm dy javë pas kthimit në vendlindje, Taqi (sikurse e thërrisnin elbasanasit dhe ky emër i mbeti në vazhdimësi), u caktua të punonte si inspektor arsimi në shkollat e qytetit, por kjo punë nuk i solli asnjë kënaqësi. Ai shet pronën e trashëguar dhe hap një farmaci që bëri emër, sepse kishte shërbim modern dhe barna të efektshme, melheme (pomada që i bënte vetë), etj. I pajisur me eksperiencën e trashëguar prej të atit, i cili ishte mjek, si dhe me një diplomë me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Mjekësisë së Athinës, Taq Buda filloi ta ushtronte profesionin e farmacistit në Elbasan që nga viti 1894. 

Farmacia ka qenë përballë Hamamit. Në katin sipër Reshiti, çiraku, grumbullonte dhe ndihmonte në përgatitjen e barnave. Poshtë ishte pritja e klientëve dhe një holl ku rrinin shpesh dhe mjekë që lëshonin recetat, si dr. Miraku etj. Farmacia, e quajtur “Shëndeti”, u pajis me barna që vinin nga Italia, ku T. Buda kishte marrëdhënie me një bazë grosiste të njohur në Bari, me pronarin e së cilës familja e ruajti miqësinë deri pas Luftës II Botërore. Letrat dhe kartolinat dërgoheshin me siglën e shtypur enkas sipër: “Farmacia Shëndeti Taq Buda-Elbasan”. Farmacia në qendër të pazarit ishte moderne për kohën, nëse i besojmë përshkrimit të një udhëtari austriak në një revistë vjeneze.

Në vitin 1897, Taq Buda martohet me Elena Kasapi (Xhufka) në një dasëm të madhe që u bë në shtëpinë e re, të sapondërtuar të Budave në qendër të qytetit. Gjatë viteve të regjimit komunist kjo shtëpi u shtetëzua dhe u kthye në Degën Ushtarake të Elbasanit. Sot është prishur dhe mbi trallin e dikurshëm të saj është ndërtuar një pallat shumëkatësh. Një rastësi fatlume bëri që dasma e tij të përjetësohej nga peneli i Edith Durham, e cila ishte mikeshë në shtëpinë e Budave, që i vizitonte sa herë kalonte nga Elbasani gjatë udhëtimeve të saj nëpër viset shqiptare. Nga kjo martesë u krijua një familje e gjerë me pesë djem (Herakliu, Stasi, Mihali, Aleksi, Sofokliu) dhe tri vajza (Athinaja, Liria, Roza).. Pra, Taq Buda është edhe babai i akademikut të njohur elbasanas, Aleks Budës. Situata e qëndrueshme ekonomike i dha mundësinë Taq Budës që të shkollonte gjashtë prej fëmijëve të tij, katër djem e dy vajza, me shpenzimet e veta. Po ashtu, ai ndihmoi financiarisht edhe familjarë të tjerë, si për shembull të mbesën, vajzën e vajzës së madhe, Enerieta Dodbiba nga Elbasani, e cila gjithashtu ka ndjekur 4 vjet Gjimnazin e Tiranës. 

Taq Buda nuk spikat vetëm si një farmacist i suksesshëm. Ai ishte gjithashtu një luftëtar i rradhëve të para për pavarësinë e Shqipërisë, për alfabetin e gjuhës shqipe si dhe për autoqefalinë e Kishës ortodokse shqiptare, pas vitit 1921 u bë edhe një politikan aktiv në Parlamentin shqiptar. Kishte njohje me patriotë shqiptarë të klubeve të ndryshme që u hapën në Elbasan, menjëherë pas shpalljes së Hyrietit (1908), sidomos me ata të shoqërisë “Bashkimi” ku bënte pjesë. Këto klube, u bënë vatra të përhapjes së shkollave dhe arsimit shqip, ndërsa shtëpia e Budave, në një dokument të vitit 1907, përshkruhet si “çerdhe subversivësh”, ku bëheshin plane kundër pushtimit osman e kundër helenizimit të Shqipërisë.  

Më 14-22 nëntor 1908, Taq Buda merr pjesë si delegat e përfaqësues i Elbasanit në Kongresin e Manastirit. Ai ishte partizan i përdorimit të alfabetit latin dhe ju kundërvu hapur përpjekjeve për ta shkruar shqipen me alfabetin grek. Këtë e dëshmon më së miri letra që T. Buda, më 27 gusht 1908, tre muaj para se të shpallej platforma për shkrimin e shqipes në Kongresin e Manastirit me dy alternativat e saj, i drejtonte gazetës Alithia (E vërteta) të Selanikut. Aty i kundërvihej me argumenta grupimit të quajtur “Shqiptarët Ortodoksë të Selanikut dhe të fshatrave përreth”, të cilët donin ta shkruanin shqipen me gërma të alfabetit grek. 

Më 2-9 shtator 1909, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, T. Buda merr pjesë si delegat i Elbasanit, në Kongresin e Elbasanit, ku u propozua midis të tjerash hapja e së parës shkollë që do të përgatiste mësues, të cilët do të përhapnin diturinë jo vetëm në Elbasan, por në mbarë viset shqiptare. Që nga ai moment Taqi u bë njëri nga financuesit kryesorë të kësaj shkolle. E çmonte vlerën e arsimit edhe si atdhetar, sepse nëpërmjet tij, si të gjithë rilindësit, mendonte që do të çelej një perspektivë e mirë për Shqipërinë. 

Taq Buda është firmëtar i Pavarësisë së Elbasanit me grupin e parisë së qytetit në nëntor 1912, tri ditë përpara shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, të nxitur nga përparimi i ushtrisë serbe drejt Elbasanit. Ka bërë pjesë, madje dhe e ka drejtuar grupimin politik “Pleqësor” të Shefqet Vërlacit, fillimisht si pjesë e Partisë Popullore (1921) pas formimit të Këshillit Kombëtar nga Kongresi i Lushnjes dhe një vit më pas (1922) ai së bashku me përkrahësit e Vërlacit, kaluan në Partinë Përparimtare. T. Buda ka qenë gjithashtu dy herë deputet në Parlamentin shqiptar: më 5 prill 1921 u zgjodh në Këshillin Kombëtar, kurse më 27 dhjetor 1923, sërish deputet në Asamblenë Kushtetuese. Ndërkaq kishte abstenuar më 2.12.1922 në votëbesimin ndaj qeverisë së Zogut. Edhe pas vitit 1922 vazhdoi të bënte pjesë në grupimin politik të Shefqet Vërlacit “Pleqësorët”. Ky pozicionim i tij pranë Vërlacit nuk kishte të bënte me ndonjë pakënaqësi të tij ndaj Aqif Pashë Elbasanit, për të cilin ruante respekt e vlerësime, por me familjen Vërlaci kishte një miqësi familjare të trashëguar. Ndërsa në planin politik, mendojmë se ndoshta fakti që “Pleqësorët”, apo “Përparimtarët”, ishin për një regjim politik në formën e republikës, e kishte joshur atë, pasi dihej që ai zotëronte një kulturë perëndimore. Një arsye më shumë mund të ketë qenë edhe fakti që Shefqet Vërlaci ishte pro italian, vend me të cilin Taq Buda kishte interesa jetësore ekonomikë, pasi qyteti i Barit ishte furnizuesi kryesor i barnave të farmacisë së tij. 

Në parlamentin e parë legjitim, të formuar nga zgjedhjet popullore, Taq Buda luan një rol tepër aktiv. Pas zgjedhjes si deputet në pranverë të vitit 1921, ai u caktua anëtar i Komisionit për Punët e Administratës e të Ushtrisë. Mori disa herë fjalën në parlament (Këshillin Kombëtar), duke ngritur probleme nga më të ndryshmet. Kështu, në një seancë parlamentare ai ngriti problemin e ndërtimit të Urave mbi lumin Shkumbin në Qukës dhe të urës së Ali Beqarit. Duke qenë profesionalisht i lidhur me mjekësinë, në një diskutim të tijin u ndal në çështjet e sigurimit të ndihmës dhe të ushtrimit të lirë të detyrës së mjekut, sidomos për ata që janë përgatitur apo po përgatiten jashtë vendit: “Në vend që t’i jepet një hovë përparimit të kësaj dege, përkundrazi, i vëmë një palë pranga, që jo vetëm të mos mundi të përparojë, por ta shtyejë për ma poshtë… Për me i dhanë një encuragemente (inkurajim) studentave që ndodhen jashtë dhe që studiojnë në këtë degë. Se i përket nderit, shëndetit, jetës e dinjitetit të popullit shqiptar”. Në fushatën e zgjedhjeve për Asamble Kushtetuese të vitit 1923, Taq Buda u vu në krye të grupit elektoral “Pleqësorët” që mbështeste Shefqet Vërlacin. Ishte në listën e kandidatëve për deputetë të Asamblesë në radhët e këtij grupi. Ky grup i fitoi zgjedhjet e dhjetori për Asamble Kushtetuese dhe mes 10 deputetëve të Elbasanit, njëri ishte Taq Buda.

Vijoi të jetë aktiv në jetën politike shqiptare edhe pas dhjetorit të vitit 1924, pra pas riardhjes së Ahmet Zogut në pushtet. Tërheq vëmendjen fjalimi i tij në Parlament gjatë diskutimit të Statutit të Republikës Shqiptare në fillimin e vitit 1925, ku T. Buda ishte i vetmi deputet që kundërshtoi sanksionimin në statut të nenit që vendoste si kryeqytet të Shqipërisë Tiranën. I ndërgjegjshëm se shumica e kolegëve tashmë e kishte vendosur Tiranën si kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, T. Buda e merr fjalën duke u shprehur: “i sigurue se forca e arsyes nuk tremet nga forca e shumicës gishtit”. Gjatë ushtrimit të funksioneve parlamentare, Taq Buda mbajti edhe postin e kryetarit të Odës ekonomike në parlament. Në këtë kuadër, hartoi edhe një raport për qeverinë ku konstatohej shfrytëzimi që i bëhej krahut të lirë të punës në Shqipëri nga kompanitë e huaja, sepse “s’ka ligje të posaçëm që të rregullojnë punëtorin me atë që jep punën”. Të njohura janë gjithashtu debatet e tij në parlament në lidhje me projektligjin për shërbimin shëndetësor dhe farmaceutik si dhe propozimi i argumentuar për shpalljen e Elbasanit kryeqytet. 

Në vitin 1925 është përsëri në listën e kandidatëve për deputetë të Elbasanit, por fakti që këtë rradhë ai nuk fitoi, e bëri që të tërhiqet nga pjesëmarrja aktive në politikë për një farë kohe. Rikthehet përsëri si politikan në prill të vitit 1939, duke u përfshirë në listën e delegatëve të Elbasanit për në Asamble Kushtetuese, përkrah kryeministrit proitalian Shefqet Vërlaci.

Një aspekt tjetër ku Taq Buda ka qenë mjaft aktiv lidhet me autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare. Më 1922 ai është përfaqësues i Shpatit në Kongresin e Beratit, ku u shpall autoqefalia e kishës shqiptare. Më 1929 është përsëri delegat i Shpatit në Kongresin II të Autoqefalisë në Korçë. Në prag të këtij kongresi, firma e Taq Budës figuron krahas atyre të Lef Nosit, Dhimitër Papajanit e Kov Delianës në telegramin përshëndetës që populli i Elbasanit i dërgonte kongresit. Elbasani shquhej për harmoni fetare, banorët e qytetit kishin miqësi të sinqerta e përpiqeshin ta ndihmonin njëri-tjetrin në çdo rrethanë, pa bërë asnjë diferencim fetar. Në këtë kuadër duhet parë edhe miqësia me shumë e shumë familje të tjera elbasanase pa dallim feje, ku dallohej miqësia me familjen e Shefqet Vërlacit, të cilin Taqi e vlerësonte për disa qëndrime e mendime, sipas tij, të spikatura.

*Dr. i shkencave Marin Haxhimihali është nipi i Prof. Aleks Budës dhe stërnipi i Taq Budës.

Filed Under: Kronike

Presidentja Osmani u takua me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier

November 3, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.

Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ajo gjithashtu theksoi se propozimi për draftstatutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut.

Filed Under: Ekonomi

Simon Gjoni dhe shenjat që nuk i shlyen koha

November 3, 2023 by s p

Arta Marku/

Pash’ ma t’bukurën stinë t’pranverës,

Pash’ ma t’bukurin drandofill,

Mos t’ja falish kuj ti erën,

Se për mu vetëm ke çilë!

Fjalët dihen, muzika po ashtu kurse muza që i nxiti ato “fshihet” pas njërës prej dhjetëra mëtueseve që ua ka ënda të paraqiten në vend të saj, duke e shndërruar historinë e një kënge në legjendë.

A ka ekzistuar në të vërtetë një LULEBORË, në një kopsht, n’ma t’bukurin në Shkodër, që e ka nxitur një poet t’i kushtonte ato fjalë dashurie?

Po poeti vetë cili është?

Po kompozitori që i veshi fjalët me nota për t’i shndërruar ato në një him për dashurinë që do të merrte dhenë?

Në të vërtetë, për këngën LULEBORË lulëzuan rrëfenjat e secila ka emrat e vet të protagonistëve, gjithnjë të ndryshëm nga varianti në variant.

Dikush thotë se lulebora e vërtetë është një vajzë e ardhur prej larg me të cilën ra në dashuri poeti. Dikush tjetër thotë se bëhet fjalë për një pasion dashurie të vetë kompozitorit. Dikush se dashuria lindi në një stinë pranvere në mes të një oborri tipik shkodran plot me lulebore, e tjetërkush se bëhet fjalë për një dashuri të lindur në zemër të dimrit nën flokët e borës. Me gjasë përvetësimi i këngës duhet të ketë qenë një joshje e parezistueshme. Nëse jo përvetësimi, pështjellimi, ndërsa protagonistët e vërtetë duhet të kenë nënqeshur duke i shpërfillur ngatërresat e duke e pranuar se gjithçka vinte prej madhështisë së këngës. E kush do të donte të identifikohej me një këngë të kotë, në fund të fundit?

Megjithatë cilët ishin protagonistët?

Cili ishte kompozitori?

Cili ishte poeti?

Cila ishte lulebora? A ka ekzistuar vërtet ajo në realitet, këtu e 75 vjet më parë? Apo ka qenë thjesht një përfytyrim krijuesish, një vegim a ëndërr?

***

LULEBORA (ose LULEBORËS) është një pikë uji në oqeanin e veprës së kompozitorit, por duket se ishte pika që i spërkati të gjithë shpirtrat e njerëzve, për të lënë gjurmë të pashlyeshme tek ata. Ndaj, të flasësh për Simon Gjonin duhet doemos të ndalesh te LULEBORA ashtu sikurse të flasësh për LULEBORËN duhet doemos ta identifikosh me autorët e saj të vërtetë.

Në fakt, nëse dikush e dëgjon a këndon luleborën, zor se mendon për autorët e saj aq sa për shijen që përfton. Megjithatë, mes historive të shumta që lulëzojnë lidhur me të, ja vlen të veçojmë të vërtetën. Atë të vërtetë që del nga sirtarët e studios së kompozitorit. Dhe është momenti tani, për shkak të botimit të librit SIMON GJONI – MUZIKA DHE EPOKA, që autori, djali i kompozitorit, Andis Gjoni zgjodhi ta sillte me rastin e 100-vjetorit të lindjes së babait.

Gjatë punës për përgatitjen e monografisë, mes shënimeve të të atit, veç veprave të plota muzikore të përmasave të ndryshme, të njohura e të panjohura, të ngjitura në skenë e ende të pangjitura, biri gjeti edhe fletoren një faqe e të cilës ishte e Luleborës. Në atë fletë, e zeza mbi të bardhë, me shkrimin e atit, djali lexoi se kënga LULEBORËS ishte me tekst të Zef Palit. Pra, ai paskësh qenë poeti që i ka dorëzuar Simon Gjonit fjalët e vjershës të cilën ky i fundit do ta bënte këngë. Dhe do ta bënte, sërish siç e dëshmon fletorja, në verën e 74 viteve të shkuara, pikërisht në 15 gushtin e 1949-ës.

Sigurisht, ajo është një fletore muzike me pentagramë dhe nota të renditura në vija e fusha e s’ka vend për fjalë rrëfimesh të gjata. Ndaj nuk kish si të ishte në atë fletore historia që fsheh kënga, protagonistët që ka në zanafillë, dashuria që e ngjizi.

Por i biri i kompozitorit e di, ia ka rrëfyer e ëma, Hermira, e cila e ka njohur Luleborën e vërtetë.

Paskësh qenë një vajzë nga Tirana, një gazetare që mbërrin në Shkodër dhe takon Zef Palin. Madje e takon në një oborr tipik shkodran të mbushur me lulebore të harlisura. Porse poetit, tjetër luleborë i intereson, tjetër lulebore i ngul shikimin pa mundur ta largojë. E atëherë merr një copë letër e shkruan vargjet: në nji kopsht ma t’bukurin në Shkodër, ty të gjeta luleborë…

Kështu zuri fill një histori dashurie që do të vazhdonte, kështu zuri fill edhe një këngë që do të bënte rrugë të gjatë.

***

Sigurisht LULEBORA është përtej historisë që ka në zanafillë, përtej dashurisë që e lindi, përtej legjendave që solli pas vetes, përtej të dëshiruarve për ta përvetësuar… Në fund të fundit u bë një himn që shumë shpejt i erdhi koha të kapërcente kufij dhe jo vetëm në kuptimin metaforik e emocional. Nuk shpërtheu vetëm dyer zemrash, por edhe sinorë qytetesh e madje shtetesh.

Në fillim doli nga Shkodra për të ardhur në Tiranë e më pas përmes radios u përhap nëpër të gjithë Shqipërinë pa ndalur këtu gjithsesi. Rrugëtimi për në Moskë a Pekin nuk do të ishte i vështirë për një këngë si ajo, që dinte të prekte shpirtra. Dhe nuk do të këndohej vetëm në radio por edhe nëpër parqe nga vendasit që ndoshta nuk i kuptonin fjalët por ndjenin muzikën…

Në monografinë e Simon Gjonit të shkruar nga i biri ka, veç të tjerash, rrëfime shumë të papritura dhe interesante për LULEBORËN edhe pse në të vërtetë kjo këngë me të gjithë historitë, legjendat e gjysmë legjendat është veç një stacion që pasohet nga stacione të tjerë, të shumtë e madje më të rëndësishëm për një kompozitor të përmasës së Simon Gjonit.

Në fund të fundit bëhet fjalë për një nga kompozitorët më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX.

***

Djali i kompozitorit ka bërë një rrëfim të qetë e të shtruar: Për luleborën dhe lulet e tjera të kopshtit të një kompozitori; për pasionin që lind me njeriun; për shndërrimin e pasionit në profesion; për rrugëtimin e një muzikanti; për shkollimin në Pragë dhe zbulimin e botës së madhe; për rikthimin në Shqipëri dhe hapjen e rrugëve të reja; për dirigjentin dhe kompozitorin që japin e marrin brenda të njëjtit njeri; për veprën e tërë të shkruar me nota; për muzikën e që njohu skenën dhe atë që ende pret ta njohë… Dhe natyrisht rrëfimi vijon për njeriun e veçantë që mbështjell velloja e artistit, për burrin, bashkëshortin, babain.

Është fjala për SIMON GJONIN, është MUZIKËN dhe EPOKËN e tij…

Filed Under: Kulture

Marjan Hoxhaj u shpall Kampion Bote (over all) ne garen e Bodybuilding-ut

November 3, 2023 by s p

Përgatiti: Albano Kolonjari/

Durrësaku, Marjan Hoxhaj, u shpall Kampion Bote në bodybuilding për kategorinë Fitness “Men’s Physique Junior” për moshat U-20, beri te ditur Komteti Olimpik Shqipëtar. Kampionati Botëror i bodybuilding-ut po zhvillohet në Santa Susanna të Barcelona-s bëri të ditur KOKSH. Shqipëria në këtë eveniment përfaqësohet nga 14-të sportistë të cilët drejtohen nga Sekretari i
“Një përgatitje e gjatë dhe shumë sfiduese u shpërblye. Jam jashzakonisht shumë i gëzuar për këtë sukses, si për veten time ashtu dhe për ekipin tonë përfaqësues”, u shpreh Marjan Hoxha. Ai gjithashtu tha:”Pata shumë emocione kur juria therriti emrin tim. Krenaria me e madhe ishte vendosia e dyfishtë e himnit Kombëtar në atë skenë të madhe botërore. (kampion bote në kategoritë “Men`s Physique junior – 20 vjeç dhe “Men`s Physique junior overall”, në Kampionatin Evropian të “Bodybuilding & fitness). Gjithcka nisi në moshen 17 vjecare dhe me progrese të vogla arritëm të bënim hapa të medhaja. Falenderoj jashtë mase @ifbb_albania ekipin tim, pa ndihmën e të cileve ky sukses nuk do ishte e mundur, palestren @_powerhouse_gym_ e cila është shtepia ime dyte si dhe familjen tim. Shpresoj qe ky rrugetim i ekipit tone te vazhdoj edhe në të ardhmen”.

Filed Under: Sport

A MUND TA SULMOJË IRANI SHQIPËRINË ?

November 3, 2023 by s p

Kolonel Hajro Limaj

ÇFARË PËRFAQËSOJNË MUXHAHEDINËT IRANIANË ?

Organizata e Muxhahedinëve të Popullit Iranian (MEK), është krijuar në Iran në vitin 1965 nga një grup studentësh radikalë që ndërthurën marksizmin dhe islamin. Themeluesit janë tre studentë: Mohammad Hanifnejad, Said Mohsen dhe Ali Asghar Badizadegan. Massoud Rajavi u bë udhëheqësi i lëvizjes vite më vonë dhe do të mbetet i tillë deri në 2003, vit kur humb çdo gjurmë e tija, duke lënë pas misterin. Anëtarët e MEK-ut ishin ndër të parët që zhvilluan luftën e armatosur kundër Shahut dhe amerikanëve të shumtë të pranishëm në atë kohë në vend. Ata mbështetën gjerësisht sulmin ndaj ambasadës amerikane në Teheran në vitin 1979 dhe kundërshtuan me vendosmëri vendimin për lirimin e pengjeve në vitin 1981. Ndërmjet viteve 1980 dhe 1981, menjëherë pas revolucionit, ata tërhoqën mbështetje të konsiderueshme publike dhe u shfaqën si opozitë ndaj regjimit të ri teokratik. Në 1981 Irani përjetoi një sezon politik të terrorit të vërtetë, shënuar si nga spastrimet e regjimit të porsalindur, ashtu edhe nga sulmet dhe atentatet e shënjestruara ndaj Iranit nga muxhahedinët.
Po atë vit, një sulm i MEK-ut fshin liderët e Republikës Islamike: u vranë 70 oficerë, duke përfshirë presidentin e atëhershëm iranian Mohammad-Ali Rajai dhe kryeministrin Mohammad-Javad Bahonar. Në vitin 1986, Franca e Presidentit Mitterrand dëbon Rajavin dhe MEK-un, të cilët më pas strehohen në Irakun e Sadam Huseinit.
Nga atje, muxhahedinët do të merrnin pjesë në luftë Iran-Irak (1981-1988) në anën e Sadamit Huseinit. Kjo do të jetë një nga arsyet më të forta të humbjes së simpatisë nga ana e popullsisë iraniane për grupin. Ata ndihmuan regjimin irakian të identifikojë objektivat iraniane për të goditur dhe gjithashtu duke organizuar sulme reale përtej kufirit. MEK-u mbeti në Irak si mysafirë të Sadamit, i cili u jepte para, armë dhe mjete ushtarake deri në vitin 2003. Vit ky që përkon me rënien e regjimit, pas vendimit të SHBA-ve në vitin 2003 për ndërhyrjen ushtarake në Irak, siguria e tyre u vendos në pikëpyetje. Në gjysmën e dytë të viteve 90 muxhahedinët e popullit iranian u përfshin në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe për shumë vite janë konsideruar terroristë edhe nga Bashkimi Evropian.
Në 2009 Brukseli vendosi t’i heqë nga lista e organizatave terroristë dhe në shtator të vitit 2012 të njëjtin vendim morën edhe Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2013 me një ndërmjetësim të amerikanëve dhe OKB-së u vendos që ata të zhvendoseshin në një vend tjetër, që ishte Shqipëria. Berisha, në vitin e fundit të mandatit të tij ra dakord me Sekretaren e Jashtme të SHBA-ve në vitin 2013, Hillary Clinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.Vendimi i Berishës u pasua edhe nga ai i kryeministrit të radhës Edi Rama.Ai ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf 3” në zonën e Manzës, në periferi të Tiranës. Rama asokohe e konsideroi vendimin si humanitar dhe jo politik. Sipas një artikulli të “Neë York Times”, Qeveria shqiptare shpresonte se mikpritja e tyre do të ishte në favor të Ëashington-it. Zgjedhja e Manzës si vendi për ndërtimin e kampit u bë pasi Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit e pa si lokacionin më të përshtatshëm. MEK-u pas marrjes së lejes vendosi të blejë tokën që ndodhet rreth 30 kilometra larg Tiranës dhe të ndërtojë aty qytezën e tij.
SULMI KIBERNETIK I “HOMELAND JUSTICE”

Por vendimi i Shqipërisë për të mbajtur 3 mijë anëtarë të opozitës iraniane ka pasur edhe kosto.Si hakmarrje për strehimin e muxhahedinëve në vëren e vitit të kaluar hakera të sponsorizuar nga Irani sulmuan sistemet dixhitale shqiptare.Shqipëria është përballur me një sulm kibernetik, i cili gjunjëzoi komplet shtetin shqiptarë. Sulmi ka ardhur nga Humëland Justice, organizatë e mbështetur nga Irani. Fillimisht janë sulmuar të gjitha sistemet me të dhënat e qytetarëve në vend, duke nisur nga aplikacioni e-Albania, ku ndodhen çdo rekord i qytetarëve që nga dokumentet mjekësore, të dhënat civile e deri çdo informacion sensitiv i shtetit shqiptarë.
Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi e fajësoi Iranin se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik të vitit 2022.Ndërkaq një vit më parë u anulua, për arsye sigurie nga kërcënime terroriste, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit. Në Qershor të 2015, disa media irakiane raportuan se MEK po blinte ose kishte blerë prona në Shqipëri për të krjuar një kamp të ngjashëm me atë që kishin dikur në Irak. Sipas tyre, një kamp i tillë mund të shndërrohet në bazë për stërvitjen e organizatave të ndryshme terroriste.

SHQIPËRI-IRAN, NJË DEKADË PËRPLASJE PËR SHKAK TË MUXHAHEDINËVE

Për 10 vite, mes Tiranës dhe Teheranit do të shkëmbeheshin akuza dhe kundër-akuza, si dhe pozicionin kundra njëra-tjetrës në çështje të interesit të tyre kombëtar. Por nga deklarata, u kalua në veprime. Shqipëria do të akuzonte Iranin për planifikimin e sulmeve terroriste në vend gjatë kualifikimeve të Kupës së Botës së vitit 2018. Në media u raportua se iranianët kishin planifikuar sulme në ndeshjen që kombëtarja shqiptare do të luante kundër Izraelit. Qeveria reagoi duke dëbuar diplomatët iranianë, përfshirë ambasadorin e Iranit.Irani, si kundërpërgjigje, akuzoi Shqipërinë për fabrikim nën presionin amerikan dhe izraelit. Në janar 2020, pas vrasjes së gjeneralit iranian Kasem Soleimani nga forcat amerikane, lideri suprem iranian Ali Khamenei dhe presidenti Hassan Rouhani mbajtën fjalime duke fyer Shqipërinë si “një vend të vogël dhe djallëzor” që po përdoret për të përmbysur regjimin islamik në Iran.Sulmet kibernetike të 15 korrikut 2022 ndaj agjencive shtetërore shqiptare i dhanë goditjen e fortë marrëdhënieve me Iranin. Më 7 shtator, kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se qëndronte mbrapa sulmeve dhe njoftoi mbylljen e ambasadës në Tiranë dhe shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Por më pak se një vit nga ky vendim, Irani u rikthye në Shqipëri nëpërmjet Turqisë. Një seksion i posaçëm është hapur nga Teherani brenda Ambasadës turke, që ka për qëllim mbrojtjen e interesave iraniane në vendin tonë.

IRANIANËT “ABUZUAN” ME MBËSHTETJEN QË U DHA SHQIPËRIA

Grupet e muxhahedinëve iranianë abuzuan me mbështetjen që u ofroi shteti shqiptar, i cili rrezikoi edhe sulme terroriste nga Irani, thotë për Radion Evropa e Lirë Enri Hide, profesor i Gjeopolitikës dhe Sigurisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Evropian të Tiranës.Sipas tij, “misioni i tyre në Shqipëri ka marrë fund” dhe “ata duhet të largohen”. Kampi i tyre në Manëz të Durrësit u bë cak i bastisjeve të policisë, e cila sekuestroi dhjetëra kompjuterë.
Operacioni rezultoi me dhjetëra të plagosur – në mesin e tyre dhe disa policë – për shkak të rezistencës që shfaqën banorët e kampit. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha se dyshohet për disa vepra penale, përfshirë: provokim lufte, përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike, ndërhyrje në sistemet kompjuterike dhe keqpërdorim i pajisjeve. 36 të plagosur. Në fakt, ka edhe veprimtari të tjera të natyrës së paligjshme të këtij grupi, brenda vendit tonë. Ambasadorja e SHBA-së: Shkëputja e marrëveshjes me MEK-un i takon Shqipërisë. Por kjo “është e paimagjinueshme” që ky vendim të merret vetëm prej Qeverisë shqiptare. Nuk ka asnjë shans që Shqipëria të vendosë e vetme”, thotë ai. Çështja është se ata kanë blerë shumë hapësira toke rreth e qark, kanë investuar në ngritjen e kampit, rrethimin e tij, sigurinë e tij. Ka shumë pikëpyetje nga kanë ardhur këto fonde. Media të ndryshme të huaja, si Guardian dhe Al Jazeera, shkruajnë se MEK merr fonde nga Arabia Saudite. Policia ka gjetur në kamp shumë pajisje teknologjike, kompjuterë, serverë dhe të tjera, dhe ka tentuar t’i sekuestrojë ato,por ajo ka hasur në rezistencën e muxhahedinëve.
ÇFARË FORCE USHTARAKE KA DHE A PËRBËN KËRCËNIM PËR SHQIPËRINË DHE KOSOVËN ?
Indeksi botëror, që bën renditjen e fuqive ushtarake, e klasifikon Iranin në vendin e 13 në 136 vendet e botës. Popullsia e Iranit prej 82 milionësh, tregon se ushtria mund të rritet. Buxheti i ushtrise 16 miliardë dollarë në vitin 2017.Irani është forcë e madhe ushtarake në Lindjen e Mesme, me 534 mijë persona aktivë në ushtri, marinë, forcë ajrore dhe Korpusin e Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC). Strategjia përfshin përdorimin e “aksin e rezistencës”, si levë për të goditur, mposhtur, apo luftuar armiqtë e Iranit që të qëndrojnë ose janë larg tokës iraniane.

RAKETAT BALISTIKE.

Një pikë tjetër e rëndësishme e strategjisë ushtarake të Iranit, janë raketat balistike me rreze të shkurtër, të mesme dhe mbi të ndërmjetme të afta për të goditur Izraelin, shtetet arabe të Gjirit, bazat ushtarake amerikane në rajon dhe pjesë të Evropës. Politika e raketave balistike mund të kombinohet me politikën e mbrojtjes përpara, si përshembull sulmet me armë balistike të rebelevë jemenitë Hauthi kundër Arabisë Saudite, si përgjigje për luftën e saj në Jemen dhe armatimin e hezbullahëve nga Irani me një seri raketash kundër Libanit. Irani nuk pranon të ketë armatosur houthit me komponentë të raketave balistike. Me avionet luftarake dhe me raketat qe disponon Irani, i ka te gjitha mundesite qe te godasë nepermjet hapsirave ajrore Tiranën dhe qendren e strehimit te iranianeve. Me thellimin e krizave Irani nje aggression te tille mund ta marrë pa diskutim. Shqiperia nuk ka mbrojtje te afte kubder ajrore per tiu pergjigjur nje sulmi te tille. Qeveria shqiptare duhet ti largoje pa tjeter kete grumbull iranianesh ne afersi te Tiranes, e cila jeton si një qendër e brendshme terroriste.

Photo: https://baf.epoka.edu.al/news-open-forum-mr-hajro-limaj-political-economical-diplomatic-and-military-relations-between-albania-and-turkey-during-1990-2000-years-755.html

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT