• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2023

#SiSot, më 3 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u rikthye në atdhe

November 3, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Kjo datë hapi një faqe të re në historinë e qendresës shekullore antiosmane. Zoti i Arbërisë, ashtu siç Gjergj Kastrioti e nënshkroi veten, la fushëbetejën e Nishit, për t’iu drejtuar Krujës në krye të 300 kalorësve.

Me të mbërritur, u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve. “Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj”, citohet (“Historia e Skëndebeut” nga Marin Barleti) të ketë thënë heroi ynë kombëtar duke iu drejtuar turmës entuziaste, më 28 nëntor 1443, kur për herë të parë në histori, në Krujë u ngrit flamuri kuq e zi.

Që prej këtij viti e gjersa u shua, qëndroi i pathyeshëm në krye të Shqipërisë në luftën 25-vjeçare kundër osmanëve. Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historiografisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar europiane.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#GjergjKastriotiSkënderbeu

#FototekaAQSH

Filed Under: Reportazh

“ANTITABU – për filozofinë filotabu shqiptare”

November 3, 2023 by s p

Dr. Donik Sallova/

Libri “ANTITABU – për filozofinë filotabu shqiptare”, i autorit, diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati, është një libër i cili që në titull tregon aspiratën kundërshtuese ndaj temave, çështjeve, aspekteve dhe tipareve tabu të shoqërisë shqiptare, që përfshijnë shtetin dhe kulturën tonë shtetërore, kombin dhe historinë tonë kombëtare, kulturën dhe elitat tona intelektuale. Libri që thekson prirjen tonë filozofike tabuizuese veçanërisht ndaj nevojës, detyrës dhe obligimit për të mbrojtur, kultivuar dhe përparuar të vërtetën dhe interesin tonë kombëtar, denoncon rolin e elitave politike, intelektuale, kulturore e shkencore në mirëmbajtjen dhe ngulitjen e kësaj mendësie e filozofie edhe tek shtresat e gjera shoqërore. Duke u masivizuar si e tillë, kjo prirje tashmë është bërë normë dhe ka prekur pothuajse çdo segment të shoqërisë shqiptare, duke e rrezikuar kështu sistemin vleror që e mbajnë në këmbë kombin dhe shtetin.

Autori Murati, me saktësinë prej kronikani, me përkushtimin prej ditarëshkruesi dhe refleksionin prej intelektuali e studiuesi, ka evidentuar çdo ditë anomali të sjelljes e mendësisë sonë kolektive, por veçanërisht të elitave tona drejtuese politike e kulturore, që në thelb kanë filozofinë tabuizuese ndaj të vërtetave që duhet t’i dimë dhe t’i themi si shoqëri e si politikë, si dhe interesave që duhet t’i mbrojmë e forcojmë si shtete e si komb. Libri që përbëhet nga pasazhe mendimi e elaborimi mbi zhvillimet politike brenda dhe jashtë Shqipërisë (pra edhe brenda dhe jashtë Kosovës) për periudhën e viteve 2020-2023, vë në pah shkaqe dhe pasoja të filozofisë filotabu shqiptare, sikurse identifikon role të luajtura dhe qëndrime të munguara të elitave tona kundrejt kësaj filozofie.

Kompleksi i inferioritetit ndaj të huajve, frika për të etiketuar se kush janë armiqtë e interesave tona kombëtare dhe qasja krahinore në politikat shtetërore janë disa tipare që autori evidenton tek elitat tona politike në Shqipëri e në Kosovë. Mungesa e qëndrimit dinjitoz dhe kundërshtues të elitave politike në Kosovë deri në vitin 2021 ndaj qasjes favorizuese të BE-së kundrejt Beogradit në dialogun Kosovë-Serbi, servilizmi i elitave politike në Shqipëri ndaj Serbisë dhe Greqisë në vend të mbrojtjes së interesit shqiptar në Ballkan, indiferenca e shtetit shqiptar ndaj absurdit të Shqipërisë në NATO me Greqinë që e mbanë në fuqi ligjin e luftës ndaj nesh e deri tek gjuha abstrakte e politikanëve shqiptarë që kur kujtojnë masakra e krime kundër shqiptarëve gjithnjë harrojnë t’i përmendin emrat dhe kombësinë e krimineleve që i kryen këto krime, janë vetëm disa nga tabutë që thyen ky libër.

Studiuesi Murati, konsideron se ky servilitet i elitës politike shqiptare kundrejt shteteve fqinje burimin e ka në faktin që në politikën shqiptare asnjëherë nuk ndodhi tranzicioni i propaganduar nga komunizmi në demokraci, por se kjo klasë politike është reciklim i programuar i nomenklaturave komuniste të cilat u mbollën në Shqipëri pikërisht nga shtetet fqinje, përkatësisht dhe veçanërisht nga Serbia. Ambasadori kritikon me ashpërsi qëndrimin e nënshtruar të qeverisë shqiptare ndaj politikës greke dhe pretendimin e saj të shprehur gjithnjë e më shpesh për kinse cenimin nga shteti shqiptar të minoritetit grek në jug të Shqipërisë. Në të kundërt, qeveria shqiptare asnjëherë nuk ka përfaqësuar ndonjë politikë kushtëzuese në raportet më Greqinë, duke hequr dorë përfundimisht nga hapja e çështjes çame, nga kërkesa për shfuqizimin e ligjit të luftës, apo edhe duke qëndruar krejtësisht indiferente ndaj ambicies së Greqisë për zgjerimin në ujërat e detit Jon.

Si një vazhdimësi e librit “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe e Kosovës”, ambasadori Murati edhe në këtë libër ka paraqitur kritikat e tij ndaj qëndrimit të qeverisë së Shqipërisë për raportet Kosovë-Serbi. Që nga mbështetja për projektin serb të Mini-shengenit ballkanik që dështoi në “Hapjen e Ballkanit” për influencën ruse, e deri tek marrja nën mbrojtje nga kryeministri shqiptar të “pozicionit të vështirë” të Serbisë për t’i vënë sanksione Rusisë, dëshmohet se qeveria shqiptare nuk e ka parë Serbinë me sytë e Kosovës, por përkundrazi duke i ofruar bashkëpunim pakushte Serbisë në projektin e Ballkanit të Hapur dhe duke e kritikuar qeverinë e Kosovës në politikën e saj, Tirana zyrtare gjithnjë e më shumë i është qasur Kosovës nga pikëvështrimi i Beogradit.

Si një diplomat karriere, që njeh gjuhën diplomatike, autori në libër ka paraqitur kritikat e tij kundrejt qasjes së Bashkimit Europian ndaj Serbisë politika e së cilës vazhdon të zhvillohet e papenguar brenda margjinave të shovenizmit e hegjemonizmit. Pavarësisht se Serbia replikon deri në autenticitet sjelljen e Rusisë me pretendimet territoriale dhe kontrolluese ndaj fqinjëve, BE-ja e ka toleruar, për të mos thënë e ka inkurajuar Serbinë duke mos e dënuar asnjëherë as drejtëpërdrejt e as tërthorazi aspiratën e saj. Ajo çfarë ndodhi në Banjskë të Kosovës më 24 shtator të këtij viti i vërteton venerimiet e këtij libri se Serbia e perkdhelur nga Europa do të bëhet gjithnjë e më shumë si Rusia që pushtoi Ukrainën.

Libri që po promovojmë sot, synon që përmes rrëzimit të filozofisë tabuizuese të elitës politike të ndihmojë në përmirësimin e shoqërisë shqiptare e cila nuk qëndron jashtë fokusit të kritikës së tij. Si një popull që është vonuar në shumë procese historike, dhe siç thotë autori, edhe ka gabuar përgjatë historisë, e ka të nevojshme reflektimin e thellë për të ndryshuar, si kompensim i revolucionit të munguar në historinë tonë kombëtare. Kombet që nuk janë themeluar me revolucion, pra që nuk i kanë për-kufizuar disa vlera dhe norma me vijë të kuqe, atëherë këto kombe përgjatë historisë kanë pasur probleme më të mëdha dhe të ardhmen e kanë ndërtuar me më shumë vështirësi e shpesh edhe me çmim më të lartë. Prandaj, libra si ky të autorit e mendimtarit kombëtarist Shaban Murati janë një pedagogji e domosdoshme kombëtare per shoqëritë si e jona.

Ky libër, sikurse edhe shumë libra të tjerë të Shaban Muratit, do t’i bashkohen korpusit të veprave që përmes kritikës synojnë të nxisin reflektimin, ndryshimin dhe përmirësimin e shoqërisë shqiptare. Këtu kam në mendje vecanërisht dy librat e publikuar së fundmi të Elvis Hoxhës “Parapolitik 1 & 2”, si dhe librin e Hysamedin Ferajt “E pafilozofuara” si një tekst pionier mbi filozofinë e pafilozofuar shqiptare. Shaban Murati është sot ndër figurat e rralla që me vitalitetin e tij prej krijuesi po plotëson boshllëqet e mendimit mbi kombin, interesin e strategjinë kombëtare të krijuara nga mungesa e rolit parësor në shoqëritë tona të Universitetit dhe Shkollës Kombëtare. Përmirësimi i shoqërisë shqiptare padyshim që do ta përmirësojë edhe politikën dhe shtetet tona, sepse siç thotë Aristotetli “virtyti i qytetarit është edhe virtyti i shtetit”.

Filed Under: LETERSI

DARDANËT – EPIQENDËR E BOTËS ILIRE NË ANTIKITET

November 3, 2023 by s p

Nga Jusuf Buxhovi/

Vepra “Dardanët” e arkeologut Luan Përzhita, shënon një kapërcim të rëdësishëm nga ajo e çasjes së deritanishme hipotetike dhe e ngushtuar të problematikës dardane, tek ajo identifikuese në kohë dhe në hapërsirë, gjë që Dardanët si popull dhe Dardaninë si mbretëri të njohur historikisht nga shekulli IV para erës sonë e deri te involvimi i saj në strukturat peranandorake (romake dhe bizantike), i nxjerr në dritën e atyre kundrimeve si njërin ndër faktorët më të rëndësishëm politik, shoqëror dhe kulturor të botës ilire në antikitet, në mos edhe si qendër e një graviteti të përmasave determinonte të qytetërimit të antikit nga koha e bronzit e deri te e hekurit për t’u shtrire edhe në epokat e mëvonshme.

Duke u nisur nga aspekti arkeologjik, si njëri ndër faktorët kryesor që nxjerr në pah themelet e një ngrehine etnike në kontekstin shoqëror, kulturor dhe politik, Përzhita arrin te përfundimi se “kultura ilire është formuar në këtë truall në bazë të kulturave më të vjetra të epokës së bronzit (2100-1200 para Kr.), nga epokat pararendëse, me ç’rast thuhet “se ata janë pasardhës të drejtpërdrejtë të grupeve etnike që populluan këtë pjesë të Evropës që në perudhën e neolitit (6000-4000 para Kr.).

Natyrisht se te konstatimi, që faktimet arkeologjike nga koha e bronzit (shumë prej tyre të dokumentuara nga hulumtimi i zellshëm disavjeçarë i autorit në fushën e trashëgimisë materiale në këto hapësira) të ndërlidhen me atë të neolitit (pjesërisht të identifikuara nga gjetjet arekeologjike të rrënojave të vendbanimeve në formën e fortifikimeve dhe të kështellave të hershme në pjesën e Kosovës dhe të Maqedonisë nga shtrihej mbretëria Dardane), qëndron edhe vlera e këtij studimi. Ngaqë shënon gamën e një kapërcimi tejet të rëndësishëm nga ai, ku Dardanët dhe Dardania janë parë si periferi e botës pellazgo-ilire në antikitet dhe mesjetën e hershme, të shumtën si pjesë e etnive të tjera, tek qendra ndikuese që në njëfarë mënyre del edhe nga studimi kompeks i F. Papazogllut. Pra, studimi i Përzhitës për Dardanët dhe Dardaninë, bashkë me atë të Edi Shkriut “Ancient Kosova” (Kosova Antike), nga pikëpamja arkeolgjike e njohur deri më tani, diskursin e deritanishëm të parjes fragmentare të Dardanëve dhe Dardanisë nga shkollat tradicionale të shekullit të kaluar (asaj të sllaviste të Vjenës dhe ilirie – jugosllavë) e zhvendos te opcioni i faktorit determinues, me çka krijohen mundësitë e një redifinimi, mbi rolin dhe rëndësinë që e kishte në atë kohë, siç konstaton edhe arkeologu i njohur Neritan Ceka në studimin e tij “Ilirët deri te shqiptarët”, me ç’rast ai, duke u mbështetur mbi të arriturat e deritanishme të arkeologjisë shqiptare dhe asaj përreth, qytetërimin dardan e nxjerr si qendër të botës ilire në antikitet nga koha e neolitit e tutje.

Studimi i Përzhitës “Dardanët”, kryesisht i mbështetur në hulumtimet shumëvjeçare të autorit në hapësirën e Kosovës dhe atë të Maqedonisë, ikorporon edhe hulumtimet paraprake të arkeologëve të njohur jugosllavë dhe ndërkombëtarë nga vitet e pesëdhjeta deri në ato të tetëdhejta të shekullit të kaluar, ndër të cilat duhet dalluar ato të E. Çeshkovit, të cilat, ndonëse fragmentare përnga shtrirja hapsinore, ndihmojnë nxjerrjen e konstatimeve që autori sjell në këtë libër për pamjen e gjithëmbarshme historike të Dardanëve dhe të Dardanisë në hapësirat e shtrirjes së saj (Kosovë, Maqedoni dhe Serbi qendrore dhe lindore). Në këtë aspekt, hartës së qyteteve dardane nga antikiteti si dhe tërësisë së saj, i mungon një pjesë e mirë e tyre, veçmas ato jashtë kufinjve shtetërorë të Kosovës, në Serbi, siç janë vendbanimet dhe fortifikimet e njohura nga ato të Damastionit (sipas të gjitha gjaseve në pjesën e Medvegjës), të Naisusit, në Nish dhe të kështjellave të tjera në pjesën e Rashës, të cilat filologu i njohur Budimir i quan “Kështjella të fundit në Bizantin ilir”.

Natyrisht se mungesa e hulumtimeve arkeologjike e hapësirës jashtë asaj të shtetit të Kosovës (në Serbi), studimin e privon nga pamja e saj komplekse, kur dihet roli dhe rëndësia e tyre në antikitet në kuadër të rrethanave shoqërore, politike, kulturore dhe ekonomike, megjithatë atë nuk e hendikepon konceptualisht, ngaqë inkororimi i hulumtimeve të shumta të arkeologëve jugosllavë, ndonëse indikativë, nuk janë në shpërputhje me të. Përkundrazi, shfrytëzimi i tyre i drejtë brenda për brenda një tërësie çfarë ishte ajo e kulturës dardane dhe qytetërimit të saj edhe në rrethanat e mesjetës së hershme e të vonë (krishterimit ku edhe në shekulli e parë të epokës së re shfaqet dhe në atë katër nga perandori dardan, Kontantin i Madh edhe zyrtarizohet), jo vetëm që ndihmon tezën e shtruar nga Përzhita, konforme edhe me atë të N. Cekës te “Ilirët”, por edhe e ndihmojnë atë. Autorit, pra, si dhe arkeologjisë shqiptare, i mbetët që, në kuadër të hulumtimeve arkeologjike, të gjejë forma të bashkëpunimit me institucionet përkatëse të Serbisë për ekzaminimin e plotë të qyteteve dhe lokaliteteve dardane në këtë pjesë, nga Prokupja, Rasha e deri në Nish, veçmas të identifikimit të Damastionit tashmë të identifikuar në hapësirën pranë Medvegjës, meqë aty gjendet edhe enigma e faktorëve kulturor dhe politik në trekëndëshin midis Dardanëve, Pajonëve dhe Maqedonasve. Ndërsa te Nishi e deri në Timok, gjenden ato të raporteve me shumë paqartësi midis Dardanëve dhe Tribalëve dhe Thrakasve, mbi të cilat mbështeten edhe spekulimet e formacioneve politike në mesjetë, veçmas atyre gjatë kohës së Bizantit, kur ato dalin në skenë, e që historiografia serbe, të shumtën, i ka interpretuar për qëlline hegjemoniste.

Në këtë aspekt, studimi i Përzhitës “Dardanët” duhet vlerësuar si një punë tejet të rëndësishme, që duhet vazhduar dhe sforcuar gjithandej hapësirës gjeografike dardane, në mënyrë që binarët e tanishëm në të cilat po vendoset parja arkeologjike e Dardanëve dhe e Dardanisë, si qendër e botës atike ilire, të bartet edhe në planin e githmbarshëm historik.

Filed Under: Histori

ATYRE QË E FITUAN LIRINË, PO U MOHOHET LIRIA

November 3, 2023 by s p

Shqiponjë Osmanaj/

E verteta e UÇK-së është e patjetërsueshme, një fakt i luftës për mbrojtjen e territorit të Kosovës nga okupimi serb dhe taktikat e spastirmti entik të Kosovës. Kjo ushtri, e dalë nga populli, për popullin, luftoi në mbrojtjen e po këtij populli, jo vetëm shqiptarë, por edhe të nacionaliteteve të tjera që jetonin në Kosovë dhe që aspironin të ishin njerëz të lirë. Nën këtë emblemë nuk kishte dallime të konfeksioneve të ndryshme, e as të nacionaliteteve, po luftohej me një betim e me një himn, për Kosovën e pavarur, sovrane e demokratike. Megjithëse po rendohej situata brenda Kosovës, jashtë saj, veçmas me mbështetjen e madhe të shqiptarëvë në Amerikë në krye me njeriun e çështjes mbarëkombëtare, Jim Xhema, ajo u afirmua e u pranua si realitet. Kosova tashmë kishte krijuar miqtë e saj nga lobi shqiptaro-amerikan, me diplomacinë dhe maturinë e presidentit Rugova kjo rrugë për lirinë e Kosovës të cilën e trasoi ai, i dha epilog UÇK-ja. Në këtë kontekst, kongresmenë, ushtarakë e politikanë, si Eliot Engël, Weslei Clarku, Bill Clintoni, Madelin Ollbrajt e të tjerë në Rambuje e fuqizuan rolin e UÇK-së. Me mbështetjën që i dhanë delegacionit e konkretisht shefit të delegacionit, një djali të ri në atë kohë siç e quante Kadare, ushtarin e UÇK-së, liderin dhe negociuesin e sajë, HashimThaçin, trim, mendjembrehtë, lider dhe i guximshëm, ata e bën fakt të pakthyeshëm rolin hisotrik të UÇK-së. Edhe kur Thaçi nga disa segmente breda Kosovës po kërcenohej që të mos e nënshkruate marrëveshjen e Rambujesë, ai e dinte se Kosova nuk ka rrugë më të drejtë për të ardhur deri te liria përveç rrugës përkrah Amerikës dhe aleatëve të saj. Ai e dinte ç’është fronti me pak armatim, pa ushqim e këmbëzbathur, e dinte ç’do të thotë të kalosh kufirin shqiptaro-shqiptar mbi dyzet herë, e dinte ç’do të thotë ta lësh gruan shtatzënë në mërgim e të flijohesh për vendin, si shef i Drejtorisë Politike, Thaçi po bënte kthesen historike. Nënshkrimi bashkë me delegacionin e Kosovës në Rambuje-Paris, u shndërrua në vulën e kapitulimit të Millosheviçit dhe regjimit ushtarako-politik të tij. Bombardimet e NATO-s i dhanë mbështetje UÇK-së se lufta e saj ishte e drejtë, e pastër dhe e domosdoshme. Kosova, si shtet i ri respektoi të gjitha rregullat që nga një ushtri në vetëmbrojtje të territorit të saj, të transformohej një një organizim paqësor. Fatkeqësisht, për luftën e saj, ushtria jonë po gjykohet nën akuzën për krime lufte. Për ta dëshmuar pastërtinë dhe pafajësinë e UÇK-së, Kuvendi i Kosovës themeloi Gjykatën Speciale, gjykatë që fillimisht u motivua nga raporti i Dick Martyt. Ndërsa jashtë objektivit të drejtësisë ende kanë mbetur 20 mijë gra, vajza e burra të cilët i dhunoi policia e ushtria serbe, siç janë rrëfyer disa nga viktimat e dhunimit serb të cilat i kam intervistuar e që kanë deponuar dosje në gjykata. Pra, krimet sistematike me synim spastrimi etnik dhe gjenocidin i ka kryer shteti serb. Të zhdukurit, Serbia e di se ku i ka djegur, masakruar e dhunuar. Në intervistën time në korrik të 2019-ës, politikani serb Nenad Canak tregon me emra e mbiemra qeveritarët serbë që ishin pjesë e krimeve dhe e strategjisë së tyre kombëtare dhe të sigurisë shtetërore serbe për fshehje e gjurmëve të krimit duke cituar qeveritarë e parlamentarë të asaj kohe të regjimit të Millosheviqit të kenë thënë se duhen zhdukur krimi bashkë me shqiptarët. Pra, krime në Kosovë ka kryer Serbia. Disa nga krerët e shtetit dhe të armatës e policisë serbe si Nikolla Shainoviqi, Nebojsha Pavkoviqi, gjeneralët Sreten Llukiqi e Vlladimir Llazareviq e shumë të tjerë funksionarë serb. Me gjykim të formës së prerë ngaTribunali Penal në Hagë për krimet e kryera në Kosovë është dënuar edhe Stanishiqi, shefi i shërbimit sekret serb. Kryekrimineli Sllobodan Millosheviq, i cili në atë gjykim u emërua si “kreu i grupit” ku ka vdekur në burgun e Sheveningenit.

Por se çfarë po bëjnë institucionet tona, konkretisht Kuvendi si themelues, deputetet, qeveria dhe presidenca per mbështetjen e krerëve të UÇK-së në Hagë, gjithnjë pa ndërhyrë në çështjet e drejtësisë? Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të jetë plotësisht e lirë pa lirinë e ish presidentit Thaçi, të kryeparlamentarëve Krasniqi e Veseli, të shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, të pjestarëve të tjerë të UÇK-së. Pse? Sepse ata janë simbolet kryesore të luftës sonë për liri e pavarësi.

Filed Under: Opinion

Presidentja Osmani priti në takim Dora Bakoyannis, raportuese për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

November 3, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Dora Bakoyannis, raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Presidentja Osmani e ka cilësuar jo vetëm prioritet i Republikës së Kosovës, por edhe domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje për vizitën e raportueses Bakoyannis për përgatitjen e opinionit, i cili do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shfaqur besimin për një proces të drejtë dhe të bazuar në merita.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetet joshumicë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç është dëshmuar edhe nga vlerësimi i disa organizatave ndërkombëtare.

“Kosova është e përkushtuar që t`i përmbushë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për anëtarësim. Kushtetuta e Kosovës veçse ka përfshirë konventat kyçe të Këshillit të Evropës duke i bërë ato të zbatueshme në Kosovë. Në këtë frymë, Kosova është e përkushtuar fuqimisht ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në takim me raportuesen Bakoyannis ka nënvizuar se Kosova pret që debati dhe votimi i Opinionit për aplikimin e Kosovës të bëhet sa më parë në mënyrë që të procedohet edhe me votimin formal për anëtarësimin e saj nga Komiteti i Ministrave.

“Vitin e ardhshëm, Këshilli i Evropës do të shënojë 75 vjetorin e themelimit të tij. Kështu, do të ishte shumë simbolike që vetë Këshilli i Evropës, si organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, të hapte derën për një vend demokratik, që aspiron t’i bashkohet familjes së vlerave”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani.

Në këtë takim, Presidentja Osmani e ka njoftuar raportuesen Bakoyannis edhe lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT