• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

Babadimri nga Kosova për fëmijët shqiptar në Borås të Suedisë

December 23, 2023 by s p

Sokol Demaku/

Një traditë që entuziastë të shoqatës shqiptare me aktive në mërgatë Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni me seli në qytetin e vogël industrial por pitoresk Borås edhe këtë vitë gëzuan voglushët shqiptar të cilët nuk janë të pakët këtu me dhurata të cilat Babadimri nga Kosova ua ndau atyre në tubimin madheshtore me rastin e festave të fund vitit në lokalet e Medborgarskola, lokale të cilat edhe QKSH Migjeni ie shfrytëzon për realzimin e aktiviteteve te saja kulturore pasi që ka një bashkëpunim të ngusht me ketë organizatë shoqërore për organzimin e kurseve mësimore në lendë të ndryshme në këtë qytet.

Ishte një event i përgatitur nga mësues të gjuhë amtare dhe nxënës të shkollave fillore të cilët ndjekin mësimin e gjuhës amtare në shkollat e qytetit me recitime, këngë dhe valle shqiptare. Ishte kënaqësi të dëgjoje gjuhën dhe fjalët e ëmbla të gjuhë shqipe kur theksoheshin aq ëmbël dhe bukur nga ata fëmijë shqiptar të cilët me zellë dhe vullnet ndjekun mësimin e gjuhës amtare në menyrë që mos të harrohet gjuha dhe tradita shqiptare edhe këtu në mërgatë.

NJë mes shqiptar me kengë, valle dhe recitime shqip, një shoqërim mes prindërve dhe fëmijëve qe aq shumë kanë nevojë të komunkojnë dhe lozin e këndojnë shqip, të cilöën vite me rdhë këtu ua mudnëson QKSH Migjeni dhe se sipas asaj që thotë Bahtir Latifi organziator nga kryesia e QKSH Migjeni me aktivitete të tilla për fëmije dhe prindër do vazhdohet edhe vitin që vjen nën kujdesin dhe organzimine QKSH Migjeni.

Fjalë miradie u degjuan nga fëmjët sepse ishte një surprizë për ta që Babadimir nga Kosova tu sjellë dhurata këtu në Suedin e largët. Edhe për prindërit ishte një befasi kjo dhe ata ndjeheshin krenar me fëmij¨ået e tyre me ketë rast, e mësuesja e Gjuhës shqipe këtu Qerime Gurguri falenderon QKSH Migjeni për mundësin e oragnzimit të një aktiviteti të tillë kulturor me shumë vlera për fëmijët shkollar këtu. Ajo ishte kreatorte erecitimeve, këngëve dhe valleve të përgatitura nga nxënës këtu. Dhe thotë se shpåresson qe vitin tjetër numri i fëmijëve në pritjen e Babadimrit kosovar të jetë shumë më i madh si dukur që kishte mbi 150 fëmijë nëpritje.

Ishte madheshtore kur Babadimir me thesin e tij në shpin hyuri në sallë dhe hapi thesin me dhuratat e sjellura për voglushë këtu dhe fjalët e tija për fëmijet dhe prindërit që ata të jenë të sjelleshëm, të dejgueshëm ,nxës shembullore në shkollë dhe shtëpi. Ai për të gjithë kishte sjellë dhurata të cilatë fëmijët i morën me gëzim. QKSH Migjeni ishte kudjesur për åpamjen e fëmijëve dhe secilit i kishte dhurua nga një kapele festive.

Në fund u degjuan fjalë mirënjohje për QKSH Migjeni në Borås dhe kërkesë për një bashkëpunim me të ngushtë mes shkolles, prindërve dhe QKSH MIgjeni.

E Babadimir kosovar me thesine tioj në krah u largua nga salla duke vazhdua rrugëtimin e tij për kush e di ku apo në cilin qytet të Suedisë.

Falmderit QKSH Migjenio, falmnderit, Babadimri kosovar, falmnderit fëmijë e prindër për një aktivitet kaq madheshtor në këtë fund viti me aq shumë rezultate të arritura në veprimatrin kulturore në mërgatë.

May be an image of 15 people and christmas tree

Filed Under: Reportazh

Poeti i pushkatuar Trifon Xhagjika, 60 vjetori i largimit në amshim

December 23, 2023 by s p

DHE TRIFON XHAGJIKA THA: MË JEPNI NJË TOP T’I BIE KOMITETIT QËNDROR

Nga Visar Zhiti

60 vjet më parë e pushkatuan dhe ishte vetëm 31 vjeç, poet… vrasja ndodhi dy ditë para Krishtlindjes nga një regjim gjakatar ateistësh, pa besuar kurrë se mund të kishte dhe ringjallje…

Poeti i pushkatuar Trifon Xhagjika

“Më jepni një top, t’i bie Komitetit Qendror, sistemit tuaj!…” Këto ishin fjalët e fundit të tij, që po trondisnin trupin gjykues. I pandehuri nuk po kërkonte mëshirë, siç dhe u pëlqente sundimtarëve, që të ndjeheshin të gjithëfuqishëm, gjysmë perëndi, si emblema të dhunës me sopatë në dorë, që drithëronin botën. Jo vetëm që s’kishte kërkuar mëshirë, po kishte kërkuar një top…

– Është artilier…

– Ashtu?…

– Po, po… dhe poet…

– E dëgjove, e do topin që t’i bjerë Partisë, Komitetit Qëndror…

– …ta shëmbë me gjithë ata brënda, udhëheqjen e lavdishme….

– Qënka i çmëndur… kam frikë…

– Se mos duhet t’i kërkojmë ne atij mëshirë…

Në sallë arritën dhe dy vëllezërit e të pandehurit, sapo qe dhënë dënimi me pushkatim. U panë sy më sy…

– Kokën lart, siç e do nderi i Xhagjikëve! – thirri një nga vëllezërit, më i madhi, Ylli. Po ku është liria? – pëshpëritej gjithandej jashtë sallës së gjyqit, siç kishte thirrur që sapo ishte dënuar me pushkatim. Policët po futnin për në makinë, duke e mbajtur nga krahët fort, egërsisht dhe me një lloj adhurimimi të frikshëm, Ç’qenkësh ky kështu?!

Dimër i keq. Dhjetor, 1963. Data 23. E pushkatojne natën… ku-ku?… Dhe pas dy ditësh do të mund të festohej Krishlindja, aq sa lejohej? Dhe pas një jave Viti i Ri, nëse do të vinte… ?

Poeti Trifon Xhagjika

(1932 – 1963)

U lind në Peshtan të Tepelenës, në pranverë, në prillin e dashurisë, siç thotë kënga popullore, në datën 20, në vitin 1932. Familja e tij u shpërngul në Tiranë, në kohë e pushtimit italian në po atë vit, kur në një lagje diku themelohej në ilegalitet Partia Komuniste, ajo që do të sundonte dhunshëm duke pushkatuar dhe poetë.

Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, në fillim të viteve 50 u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite punoi si oficer në një repart ushtarak në Rrapin e Treshit në Tiranë. Kreu një kurs për Gazetari e Histori, këmbënguli, sepse donte të vazhdonte fakultetin për Letërsi.

Boton poezi nëpër gazeta dhe tërheq vëmëndjen e lexuesve e të poetëve të tjerë… E kalojnë me punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve e më vonë në gazetën “Luftëtari”.

Në vitin 1959 i përmblodhi poezitë e tij në një libërth hollak dhe nën kujdesin e kritikut avangardist Drago Siliqi i boton me titullin “Gjurmët”, ku ndihej romantiku dhe rebeli, që seç kërkonte. Gjithsesi është gjurma e tij e parë.

Mjaft nga ato poezi u bënë dhe këngë, madje dhe himnin e shkollës së tij ai e shkroi, kompozim i K. Trakos, dhe do ta këndonin breza të tërë studentësh me uniformë, edhe kur ai s’ishte më..

Sipas rrëfimeve të motrës së tij, “Trifoni kishte ndryshuar kohëve të fundit”, para arrestimit, kuptohet, ishte bërë më i vrenjtur, i shkonte, se vishej dhe bukur, kur dilte civil, Linën, asaj që i kishte kushtuar qindra vargje, e donte siç dinte të donte ai, por po rrinte gjithnjë e më shumë me ata, të pa kënaqurit me sistemin, siç thuhej atëhere, me ata që flisnin kundër, me ata që donin… të arratiseshin. “Njërit prej tyre i gjeti një kamerdare të madhe, që ngjallte dyshime se përse e doje, ia mori një kushëriri dhe e përcolli vetë atë që do të ikte andej nga Liqeni i Pogradecit. Vuante me ata që ishin ndarë me gratë e tyre ruse mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe i ndihmonte që të bashkoheshin me to… të arratiseshin…

Në gjyq e akuzuan për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe… për terror. Terror po bënin ata vetë, gjyqi, shteti, partia. Gjithsesi shpëtim nuk do të kishte… Shkak ishin dhe poezitë e tij të pa botuara, ato kundër… Dhe nuk u pa më…

Dhe do të përhapej lajmi gjithandej, në redaksitë e gazetave, në kafenetë ku shkonin shkrimtarë, gazetarë, etj, se atë… kë?… atë që ngjante me Lermontovin, poet ushtarak, që qeshte aq çíltër dhe i shkëlqenin sytë?… e kishin pushkatuar… Ku?… Pse? Ishin grup…

…andej nga liqeni i Pogradecit, në zona të dyshimta, u kapën në përpjekje për t’u arratisur. I denoncuan shoferët e rrugës, i priste një major me çantë shpine, sipas Shërbimeve Sekrete. Ja emrat e grupit, dy vëllezërit Thoma dhe Stavri Rafaeli, dy gazetarët Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, por dhe Robert Vullkani, botues e përkthyes, si dhe një tjetër shok i tyre, Franko Sara e bashkë me ta, poeti Trifon Xhagjika.

Të parin dhe të fundit i pushkatuan, të dy ushtarakë, kur në të vërtetë, ky i dyti nuk donte të arratisej, të paktën asaj herë me ata.

Këto të dhëna janë sipas Dosjes që ka hapur gazetari Mero Baze. Trifoni ishte më antikomunisti dhe pro përendimori, dhe, nëse do te vendoste të ikte, do të arratisej për në Itali, shkruan M. B.

Grupin, siç e kemi parë, e përbënin intelektualë të njohur, të letrave dhe të muzikës, ushtarakë, një pjesë e tyre kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera socialiste, kishin dhe gratë të huaja, ruse, hungareze, të rrezikshme pas prishjes së marrdhënieve me ato vende. Trifoni i kishte pajisur me mjetet që do të duheshin për arratisje.

Trifoni ndërkaq kishte botuar një libër. E lehtësonte apo e rëndonte ajo gjendjen e tij? Në dosje do të ishin poezi të tij, disidente, armiqësore, të guximshme deri në tmerr ashtu si traktet që kishin shpërndarë. Të tjerët e grupit, që i lanë gjallë, do t’u jepnin dënime të rënda dhe do të çoheshin burgjeve për t’i pushkatuar më vonë.

* * *

Kur unë vajta në burgun e Spaçit, gjeta një gjendje të rëndë në kamp, të përzishme që ndihej që në ajër, të gjithë të burgosurit më dukeshin si me një plagë plumbi, që e zinin me dorë për të mos u rrjedhur i gjithë gjaku. Ishin pushkatuar dy bashkëvuajtës, gazetarët Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, se kishin dërguar një letër në Komitetin Qendror kundër Enverit. Bashkë me ta ishte pushkatuar dhe i burgosuri tjetër Xhelal Koprenca, pro perëndimor. Bashkëvuajtësi im, Astrit Xhaferri, me të cilin u bëmë miq në Spaç, më tregonte se e kishte njohur Trifon Xhagjikën, i fliste për guximin e poesisë, edhe për gjuhën e saj, fjala duhet gjetur në vuajtjen e popullit, u thoshte.

* * *

Dorëshkrim i Trifon Xhagjikës

Punoja në gazetën e parë opozitare. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe pllakat e tij të betonta sikur na kishin zënë nën vete dhe ne po dilnim me mundim.

Ishim ballë për ballë dy të dalë nga burgjet, unë dhe Ylli, vëllai i Trifonit, ai që kishte thirrur në sallën e gjyqit: “Kokën lart!” dhe gjykatesit urdhëruan t’i hidheshin hekurat dhe atij.

Poezitë mbi tryezë. fërgëllonin dritshëm. Po përlotesha edhe unë pas Yllit…

E pashë Atdheun lakuriq,

(vetëm pa miq e shokë)

mundohej të këpuste një degë dafinë

nga lavdia e shekujve.

Atdheun e dija të uritur,

por sa i vogël qenka!

Asnjë degë nuk e këpuste dot.

E mora për dore,

ta rrit në zemrën time…

Vëllezër,

Po e kërkuat Atdheun,

e kam unë.

Ndihmomëni të qesh.

Ndihmomëni të gëzoj!

Atdheu është lakuriq!

1963

Këto poezi Trifoni recitoi dhe në gjyqin e tij, kur i dhanë dënimin me vdekje. Atë vit e kishte shkruar Gjithë dhimbje dhe forcë. Atdheun që e merr për dore për ta rritur në zemer, ndërsa atdheu po e vriste. Që po ta kërkonin atdheun e humbur, e kishte ai. Ku? Nën dhe? Vaj dhe thirrje dhe testament të tillë nuk kishte patur poezia e re shqipe.

U tronditën dhe ata që e dëgjuan jashtë, të recituar në një takim poetësh në Itali, në një kështjellë në Bari, ua dhashë unë të përkthyer.

“Atdheu është lakuriq”, me këtë titull vendosëm të botonim librin e tij me vjersha, të parin pas rënies së diktaturës, do ta përgatitte poeti Xhevahir Spahiu, ndërsa liriku Jorgo Bllaci dhe unë, ish-të burgosur, bëmë dhe redaktorin, se punonim së bashku në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, aty ku kishte nisur dënimi im. Donim t’i ishim pranë Trifonit, të ringjallnim sado pak diçka nga martirizimi i tij heroik.

Libri i parë i Trifon Xhagjikës,

i botiar postume, pas rënies së komunizmiti

Po ku është varri i tij? Bashkë me lulet t’i çonim dhe librin e ri Balta s’tregon asgjë. Veç libri, ama, vërtet kishte vezullime të mermerit… Ndiheshim të lumtur që e botuam. Po ç’lumturi zeza! Dhe do të gjendeshin poezi të tjera, duhej botimi tjetër. Ylli më kërkonte në gazetat, ku bashkëpunoja.në Tiranë. Se kush i tha që s’jam. Donin që unë të mos isha. Po Trifoni Xhagjika tani u duhej më shumë të tjerëve, jo vetëm neve, që vinim nga burgjet, që dhe ishim pushkatuar me të, sado pak. Dhe doli “Poezia” e tij e plotë, në shekullin e ri dhe mijëvjeçarin e ri.

Shqipëria ka nevojë për guximin dhe ëndrrën e tij.

`Miq!

Dëgjoni trokëllimat e kalit

të harbuar?

Jam unë!

Poeti spanjoll Garsia Lorka po vinte kështu? Po dhe atë “si një Krisht mes hajdutësh në Granada e vranë – thotë Ernesto Sabata. – Krim i urryer, simbol i kësaj bote, e cila pas çrrënosjes së poezisë, lartësoi në vend të saj vrazhdësinë dhe frikën”

Jo, po guxonte të vinte i pushkatuari tjetër, Xhagjika ynë. Nuk paskan të njëjtë vetëm fundin tragjik por edhe kalin e poezisë. Trifon Xhagjika ecën dhe reciton. Ja, fundi i poemës së tij, “Këngë e verbër”, kushtuar Republikës:

Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.

Lodhja dorën ma përshkon.

Por tërbimin nuk e ndal dot.

Jo!

Nuk mundem të të fal.

Gjuha m’u zgjidh.

Vramë po të duash.

Në netët e tua të gjakosura

do të dëgjosh zërin tim:

“Të urrej o Republikë,

lavire e zotërve gjakprishur!”

Prill 1962

Vramë po të duash!!! O Zot, e dinte ç’bënte! Mbas një viti do ta pushkonin.

Në vendlindje, në Peshtan, vendosën një bust të tij.miqtë e rinj të pasvdekjes. Por ai duhet të jetë kudo, në kujtesë, në kryeqytetin e dhimbjes, në poezi…

Filed Under: Emigracion

Një kopje e Parthenonit

December 23, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Parthenoni – tempulli i lashtë i ndërtuar në Athinë, mes viteve 447 dhe 432 pes – është një nga monumentet më të famshme në botë. Mendohet se është ngritur mbi themelet e një tempulli pellazg, të cilët kishin jetuar aty para ardhjes së fiseve greke rreth viteve 800 pes.

Pak njerëz e dinë se një kopje në shkallë të plotë e Parthenonit të ndërtua në mbarë botën ndodhet në Nashville, Tennessee, për të festuar Ekspozitën e 100 vjetorit të shtetit në 1897. Nashville kishte fituar pseudonimin “Athina e Jugut” për shkak të angazhimit të saj për kulturë dhe arsim të lartë, dhe zgjodhi të nderonte emërtimin duke rikrijuar një nga monumentet më të famshme të Greqisë së lashtë.

Në atë kohë, Parthenoni në Greqi kishte rënë në gjendje të keqe dhe organizatorët në Tenesi synonin ta riprodhonin ndërtesën ashtu siç dukej në kulmin e saj. Guri i parë u vendos në 1895 dhe u punua dy vjet për të ndërtuar shtyllat e shumta dhe veçoritë e tjera të tempullit 65 metra të gjatë. Ndërsa pjesa e jashtme e tempullit përfundimtar ishte një kopje e saktë, pjesa e brendshme e ndërtesës kishte një plan urbanistik të ndryshëm nga Panteoni grek dhe u përdor për të ekspozuar shumë piktura dhe skulptura që u blenë për ekspozitën.

Fillimisht, Parthenoni në Nashville u ndërtua duke përdorur materiale të përkohshme dhe plani ishte që ai të shkatërrohej pas ngjarjes. Megjithatë, ishte ndërtesë e dashur nga vendasit, kështu që qyteti vendosi të rindërtojë pikën referuese me materiale të përhershme. Struktura u rihap në vitin 1931, megjithëse i mungonte ende një veçori origjinale e rëndësishme: statuja 13 metra e lartë e perëndeshës Athena, që i ishte kushtuar Partenoni origjinal. Nashville porositi punën për statujën në vitin 1982 dhe ajo u përurua në vitin 1990. Në vitin 2002, shtatoria u praruar dhe u pikturua, duke i shtuar prekjet e fundit kopjes.

Filed Under: Kronike

“Nata” – simbolika e romanit të Preç Zogajt

December 23, 2023 by s p

Behar GJOKA/

Titulli i romanit më të ri të autorit Preç Zogaj, poetit, prozatorit, publicistit, politologut, pra të fushave që kanë marrëdhënie me fjalën, “Nata”, jo pak i mirëmenduar, për ta përçuar atmosferën, e rrëshqitjes ku ka rënë qenia shqiptare këtyre moteve, bashkë me misterin që bart realiteti letrar, natyrshëm vjen i përthyer nëpër rrathët e imagjinares autoriale. Nata, e përgjumjes së plotë, e shurdhmemecërisë dhe indiferencës, e heshtjes që flet, ka shërbyer si topos i kumteve, të komunikimit me qenien/me lexuesin, në një larmi ngjyrash dhe episodesh të realitetit të vrazhdë të përditshmërisë. Nëse te komedia “Ëndrra e një nate vere” e Shekspirit, nata rrezaton dritë, që përcjell estetikisht ëndrrën e bardhë, pra duke sendërtuar njërën anë të medaljes së natës, si përçim dhe receptim konceptual. Nga ana tjetër, Petro Marko, romancieri i shquar i letrave shqipe, te romani “Nata e Ustikës” (që vjen i plotë dhe me titullin e dorëshkrimit, “Një natë e dy agime”, vetëm pas viteve ’90), shpërfaqet nata si tone monotonie, si privim lirie, në burgun fashist, ku jeta e njeriut ka përfunduar në kafaz. Kurse teksti i romanit “Nata” i Zogajt, pra vetëm me një fjalë, pa asnjë ndajshtim, shqipton një çast makabër, ndonëse tani është bërë i zakonshëm në jetën tonë, çka përbën një tmerr të parrëfyeshëm. Pikërisht, në këtë çast të hatashëm, vritet një vajzë, në pragun e fillimëndrrave, vritet me thikë nga i jati, në emër të nderit, vritet nga shoqëria që bën sehir, dhe vendos diku një tufë me lule apo ndez një qiri, vritet nga shteti që ka ngritur një kioskë kinse shtetërore, që vetëm numron viktimat, sepse fajtorët ikin gjithnjë në drejtim të paditur. Nata si tmerr, pra nata e këtij romani, ndërkaq është një piskamë në mbrojtje të jetës, në mbrojtje të gruas dhe vajzës shqiptare. Vetiu na vjen në mend parashtresa e Gjergj Lukaçit, në librin “Teoria e romanit”, ku thekson: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…“, si një rrethanë teorike, me percpetu ekulibrin në mes thënies dhe shenjës estetike, pavarësisht marrëdhënies së hapur të tekstit me jetën konkrete, që mundëson thurjen e një romani realist, me përftesa të ligjërimit të larmisë estetike.

Aktualiteti si realitet letrar

“Nata” në një kuptim, shpirtëror dhe letrar, fanitet si një copë e realitetit të shëmtuar, kinse e shkëputuar nga përditshmëria, dhe e fikësuar në faqet e librit, ku qenia zhvillon betejën për jetën, ndonëse është mbytur në mjerim dhe shpërfytyrim, e përfshirë në betejën donkishoteske të nderit të humbur, si një shkas me ruajt fronin egoist, të një shoqërie rrumpallë, edhe sonibiste, edhe të prapambetur. Me shumë gjasa, kjo natë terri dhe vrastare, më tepër fekset si një kohë e ngrirë, pra një kohë e mirëfilltë letrare, e shkëputur për një çast nga jeta konkrete, tejet dinamike, që e ka vënë në sprovë fatin e qenies njerëzore, gjithnjë e përpunuar nëpër rrathët e përthyerjeve autoriale, gjithsesi për të kuptuar dhe zbuluar preklat e ditëve të trazuara të shpirtit njerëzor, e cila gjallon në këtë kohe pa kohë, tepër të trazuar, në mjegullësinë që sjellë në jetën e njeriut. Një situatë e pazakontë e marrëdhënies ndërkohore na vjen si ide nga Zh. P. Sartri në librin “Ç’është letërsia?”, kur shprehet: “…letërsia afirmon menjëherë pavarësinë e saj; ajo nuk do të reflektojë më shabllonet e mendimit të kolektivitetit, identifikohet me shpirtin, d.m.th me pushtetin e përhershëm për të formuluar dhe krijuar ide.” Pra, koha, në hapësirën e tekstit, që përfaqëson një dimensioni real dhe të parrokshëm, e cila vjen rrufe, në një vepër letrare, mbase më përtej lëvizjes, të dinamikës së brendshme, shfaqet gati si e ngrirë. Pra kemi të bëjmë me një ndalim të përkohshëm dhe metaforik të kohës, për të zgjuar vetëdijen e qenies. Koha e ngrirë, pra koha e parashtrimit metaforik, anipse në dhëniemarrje të hapur me aktualitetin jetësor, është konvenca e ekzistencës së letërsisë. Familja e Arif Malajt, e cila përbëhet nga pesë veta, me tre vajza, ka zbritur nga zonat e veriut dhe, është vendosur në Kapraj, diku në periferi të Tiranës, kryeqytetit të shqiptarëve, sipas materies letrare të tekstit, gjendet në një zgrip ekzistencial. Kanë zbritur nga malet në kërkim të një jete më të mirë, e këtu kanë gjetur shpërfilljen dhe talljen, por ndërkaq kanë marrë me vete, jo pak paragjykime të jetesë së mëparshme. Realiteti i ri, ku përzihet ëndrra me zhgjëndrrën, është më i vështirë nga sa e kishin menduar, e jo rrallë mendojnë që të kthehen nga kanë ardhur, që do bdarte nderin e tyre përfundimisht. Aspirata për jetë më të mirë, vetiu përplaset me përpjekjen për të ruajtur nderin e fisit, sidomos nderin e vajzave. Nderi, ku burri e quan veten pronar të femrës, grua apo vajzë qoftë, një atavizëm i frikshëm, që në një ditë moti, e kthen babain në vrasës të së bijës. Në fakt, simbas realitetit të romanit, bijëvrasja, një realitet i vrazhdësisë së mjediseve shqiptare, dhe më gjerë sa sa kaq, ku me sa duket, ende të vrasësh për nder është burrëri, burrërizeza, kur mjerisht është shpërfytyrim, ndërkaq bart edhe shenjën e një faj kolektiv, ku shoqëria e tanishme, përveçse indiferente, përgjithësisht e zhytyr në idealin e parasë, çdo ditë kridhet në humbjen e vlerave humane.

Narrativa dhe zëri i brendshëm

Elementi kryesor i formësimit të prozës, narrativa, ose ajo që më herët T. Todorov do ta përcaktonte si poetika e prozës, në faqet e romanit “Nata”, realisht shpaloset nëpëmjet dy gjendjeve komunikuese, që janë në marrëdhënie të ndërsjellë në mes tyre:

A – Narratori i gjithdijes, që vetëkuptohet se përfaqëson epiqendrën e autorit, si pozicion dhe shprehësi gjuhësore dhe letrare, në zbulimin e ngjarjeve, po ashtu edhe përçimin e atmosferës së intrigës romanore, të ndodhive të shumta, të vendeve ku janë vendosur ngjarjet, si dhe të figurimit të plotë të personazheve, si dëshmi karakteriale. Autori – narrator, pra shenja e tipologjisë së gjithdijes, jo vetëm sendërton universin e romanit, pra praninë totale të qenies, e cila endet në rrethakun e konteksteve, ku shpesh herë njeriu është në sprovë të pazakontë, në sprovë me veten dhe realitetin përqark, me shumë gjasa, në sprovë me ekzistencën e qenies, e kësaj ndërkohje si një element i shtuar, gjithnjë krejt i mjegulltë, është e përplasje në mes jetës reale dhe jetës virtuale.

B – Si element i ndërfutur, me jo pak mjeshtri, në pentagramin narrativ të tekstit, është edhe përfshirja e zërit/zërave të brendshëm të personazheve të romanit. Futja në hapësirën narrative të romanit, të zërave të personazheve të librit, në nivel të komunikimit real me lexuesin, kryen dy funksione. E para, nëpërmejt kësaj ndërthurje jo të shpeshtë në letrat shqipe, autori sendërgjon vonesën narrative, një element i rrokshëm i pauzës ligjërimore, jo vetëm për të ndërprerë ankthin, që shkaktojnë ngjarjet, që paralajmërojnë ngjarjen tragjike, por diçka më shumë, për të pasuruar spektrin rrëfimor. Pra, vonesa narrative, ngadalësimi i rrjedhës së ngjarjeve, mishëron efektin estetik, për të ndjerë disi më pranë klimën e letërsisë, si tregues artistik. E dyta, zërat e brendshëm, po ashtu, figurojnë dhe materializojnë botën e brendshme të personazheve, botën e territ dhe misterit, duke endur një tekst letrar të ndërlikuar dhe më të pasur si shenjëzim estetik. Gërshetimi i narrativës së gjithdijes, me ngadalësimin e ngjarjeve, që mundësohet nga prania e zërit/zërave të personazheve, është tregues i formësimit estetik të përveçëm, që i ka dhënë dorë autorit, për të vendosur ekulibër në mes konkretes dhe realitetit letrar, pavarësisht shtjellimeve në rrafshet e imagjinares.

Roman i personazheve

Prania e një morie personazhesh, por më tepër zgripi ekzistencial ku ata gjenden, pra në hapësirën tekstologjike të romanit “Nata”, në kufijtë ku jeta rrezikohet nga krimi dhe pasiguria, që lidhet natyrshëm me idenë parake, për ta ndërlidhur konkreten, me kaq shumë dritëhije, me tmerr dhe tjetërsim, shoqëruar me mëtimin autorial, për të dalë nga makthi i përditshmërisë, ndikon për të materializuar një roman të personazheve, pra të qenies siç e parasheh zhanrin e romanit, M. Kundera. Qendër e universit të qenies, të skicimit dhe shenjtërimit të personazheve, janë të tri vajzat, që realisht mishërojnë trinitetin e fatit të femrës shqiptare, gjatë kësaj ndërkohje, tejet të ngarkuar me rrezikim të jetës. Megjithatë, në mesin e treshes së vajzave, Xhoana është vatra që bart dritëhijet, e cila edhe pas rrëzimeve, që të rezervon jeta e mbingarkuar, si aventura apo flirti me Orlandon, për të zbutur ashpërsinë e këtij realiteti, ajo sheh përpara, dhe prandaj është persoanzhi më i vizatuar dhe më i identifikuar. Fakti që e ndeshim në kapituj të veçantë, me emrin Xhoana, si në kapitullin gjashtë dhe katërmbëdhjetë, porse prania e saj është e rrokshme në pjesën dërrmuese të tekstit në gjithë romanin. Madje, në kapitujt e Pjesës së pestë, që ka si nëntitull “Kuturisja”, ku krahas rolit të jashtëzakonshëm, që merr përsipër për ta dëshmuar forcën dhe ngritjen në këmbë, që ka një zgjatim të stërholluar, sidomos në atë përpjekjen për të hetuar të vërtetën e vdekjes së motrës së vogël, Marjanës. Në këtë lëkundje njerëzore, ka momente që futet në “tunelin” e frikshëm, kur merr përsipër ngrarkesa që janë të vështira për supet e saj, veçmas në takimet me “kriminelët” që prezantohen në tekst. Fati i mbrapshtë, po me ato simptoma, ndjek edhe vajzën e dytë, Rominën, ndonëse është më e heshtur, e pëson dhe bie pre e “peshkaqënëve” të kohës, që sillet në tekst me bisedat me Valmirin, që hapur kërkon favore seksuale për ta ndihmuar me kredi në bankë. Në këtë “histori”, gjithnjë letrare, mbijetese dhe tjetërsimi, fatin më i hidhur, i ra për hise, Marjanës, sugjares së shtëpisë, e përgojume, ndonëse e virgjër, e përndjekur nga lukunia e “zagarisë” së kohës, e vrarë nga babai i saj, në emër të nderit, mbase në emër të pandërshëmrisë së kohës dhe të shoqërisë së atrofizuar, në indiferentizëm dhe adhurim të parasë. Figurimin e tyre, autori e realizon me dhimdje dhe dashuri të madhe duke të kujtuar idenë e Ipolit Taine: “…shkrimtarët janë psikologë, dhe arrijën të tregojnë jo vetëm gjitha variacionet, por edhe të gjitha pasojat…”. Pjesë e personazheve, të figuruara si karakterë janë edhe Arifi, bijëvrasësi, Lumturija, nëna dhe bashkëshortja, që rreket të mbaj ekulibret e brishta në këtë shtëpi, të trazuar nga mjerimi dhe shpërfytyrimi.

Struktura e romanit ciklik

Teksti i romanit “Nata”, hapet me “Prologun”, që të fut në atmosferën e tragjedisë, e cila paralajmërohet në fjalinë nistore: “Një vrasje fillon gjithmonë më herët se të ndodhë…”(2023: 7), e cila sinjalizon fatin e vajzës së vogël të kësaj familje. Përfundimi paraqitet në “Epilogun”, kur shkruan: “Hija e tij, dytësi i tij a gjysma e tij, po vringëllijnë një thikë në ajrin e natës…”(2023: 340), për të kuptuar pasojat e tragjikës së shpalosur në faqet e romanit, kur kryefamiljari gjendet në burgun e Peqinit. Nëse “Prologu” e njofton, “Epilogu” i vë vulën, ndërkaq që janë dy elementë të dramatikës, në hapësirën e romanit, shenjon tipologjinë e romanit ciklik, ku pika e fillimit zbulon fundin, dhe fundi rimerr fillesën e tekstit. Krahas shenjëzimit ciklik, ndeshim një hapësirë të shtrirë, të ndarë dhe të përthyer në dhejtëra episode. Pjesa e parë e romanit, ku vetëmsa prezantohet gjendja e kësaj familje, mëdyshjet e jetës së re me dyshimin e kthimit nga erdhën, përbëhet nga pesë kapituj, ku identifikohet familja me gjithë vështirësitë e pranishme. Pjesa e dytë, që ka si nëntitull “Vajzat në revistën e kohës”, që përbëhet nga dhjetë kapituj, si dhe disa episode me emrat e vajzave, si për të zbuluar fatin e tyre, si dhe mbyllet me episodin “Intermexo”. Pjesa e tretë, ka të përfshirë nëntë kapituj, që përplotësojnë kuadrin e mjedisit dhe të shoqërisë. Pjesa e katërt, paraqet katër kapituj, ku sillet në vëmendje edhe sfondi politik, ku evidetimi i shitblerjes së votës, të rrudhjes së demokracisë, prek një plagë tjetër të kësaj kohe, që ndikon në shpërfytyrimin e qenies. Pjesa e pestë, me nëntitull “Kuturisja”, që përbëhet nga tetë kapituj, që më së shumti plazmojnë rropatjet e Xhoanës, vajzës së madhe për të gjetur fajtorët që ndihmuan në vrasjen e Marjanës. Në një kuptim, të zbulimit të shkaktarëve, dhe të pamundësisë për t’i shkuar deri në fund ndëshkimit të fajtorëve, që sollën vdekjen e motrës së vogël, intriga e romanit, e ul siparin e veprimit, në fundin e kapitullit të tridhjetë e dy, ku madje qartësohet prapaskena e endur për fatin e Marjanës, që preku fundin e tmerrshëm, si viktimë pa asnjë faj.

Aspekte të stilit autorial

Romani “Nata”, konturon më së miri aspekte të stilit të autorit. Krahas narrativës, mjetit të sendërtimit të prozës, në faqet e romanit, ndeshen edhe kahje ligjërimore të ngjyresave lirike. Pjesë e depërtimit në botën e brendshme të personazheve, të secilit prej tyre, e sidomos të tri vajzave, është paraqitur përmes lirizmit të brishtë. Po ashtu, shpirtëzimi i Marjanës në fytyrën e Xhoanës, është një tregues tjetër, në anët e tjera të depërtimit liriko-psikologjik. Një tipar lirik, me shumë gjasa, është fraza e shkurtër, shpesh herë e shpërfaqur si melodikë shpirtërore dhe narrative. Të gjitha këto prani, të një lirizmi të brishtë, shpalosin lidhjen organike me poezinë, e lëvruar kaq gjerësisht dhe me sukses nga autori. Pranitë poetike, vetëmsa tonifikojnë tiparet e shkrimit të prozës, e veçmas të sendërtimit të zhanrit të romanit. Në faqet e tekstit “Nata”, si njëri nga elementët shenjues, është gjuha e autorit, pra gjuha e narratorit të gjithdijes, që zbulon gradualisht botën e personazheve dhe të mejdisit përqark. Po kaq, gjuha e persoanzheve, që materializohet me replikat e shkëmbyera të personazheve, vjen e qartë dhe identifikuese, shpesh e përngjyrosur në koloritin lokal apo të folmes së zonave të caktuara, si hapësirë e dëshmisë së sociolektit. Përkujdesja ndaj gjuhës, si një sugjerim i hershëm i poetit anglez, Tomas Eliot, për ta pasuruar gjuhën, materializohet në leksikun autorial, që paraqitet në hapësirën e librit: përudhin, fatdaljes, hapjembyllje, kalahumbur, dreqninat, keqpaguar, pendëhapur, udhoren, frullakëve, vetëlazdrim, përtymthi, laskëruar, çubardh, fushëkrutani, shakllabamet, udhare, ndërëndrra, fytyrësqepi…etj fjalë autoriale të pranishme në tekst. “Nata” romani i P. Zogajt, për rrokjen e jetës në gjithë dimensionet e veta, të gërshetimit të narrartivës me zërat e brendshëm, të strukturimit të hallkave përbërëse, për vlerat letrare dhe gjuhësore, shënon një nivel tejtër të shkrimi të prozës së autorit, po kaq është pjesë e vlertë, e nivelit më të ngritur që ka dëshmuar letërsia e sotme, në lavrimin e zhanrit të romanit.

Filed Under: LETERSI

MBI “APOSTULLIN” E ILIR IKONOMIT

December 23, 2023 by s p

Sadik Bejko/

Libri “Apostulli” i Ilir Konomit ka në qendër figurën e Fan Nolit, ndryshimet dramatike që merr jeta e tij nga gazetar i varfër e i pangrënë i gazetës “Kombi” deri te më i larti udhëheqës politik dhe shpirtëror i këtij emigracioni. Noli i këtij libri, një i talentuar e i ditur, letrar e kishëtar, ekspert i sferave të larta politike e diplomatike, qytetar i botës e njëherësh kalorës i Krishtit dhe kalorës i Skënderbeut, me jetën private të ashpër si të murgut e të ushtarit, vjen me një llavë vullkanore energjish, ambicjesh, pasionesh që e mbajnë në lartësinë e synimeve, e detyrave që i ka vënë vetes.

Libri sa histori e farkëtimit dhe e rritjes së figurës së Nolit, duke sjellë tablo të jetës së emigracionit në kolonitë shqiptare në Amerikë në 20 vitet e para të shekullit XX, në veçanti zhvillimet në jetën politike e kulturore të federatës “Vatra”, e të gazetës Dielli, sjell evoluimin e ndërgjegjes politike e atdhetare të këtij formacioni, pjekurinë e aksioneve atdhetare që e bënë “Vatrën” të luajë rolin e një qeverie shqiptare në mërgim në vitet 1916-20. Aty u farkëtuan një grusht atdhetarësh idealistë që më pas vijuan jetën politike në atdhe. Balli i gjithë këtyre punëve ishte Noli.

Në këtë libër sheh qartë se ç’ ashpërsi e ç’ mizori i duhet të kalojë një njeri me ndërgjegje apostulli, ashpërsi e mizori që çdo shoqëri me jetë politike në formim e sipër i ka me tepëri, që i burojnë prej të tjerëve nga jashtë, por i shpërthejnë keqas dhe nga brenda vetes. Figura atdhetare të mëdha, por prej egoizmit, vanitetit bëjnë gabime… të vogla e të mëdha.

Përshkrimi i gjallë i situatave të jetës politike të një vendi buzë greminës, të një Shqipërie pa shtet, të pushtuar e të copëtuar, të djegur e të masakruar gjithandej, me traktate të fshehta që e asgjësonin… e bëjnë këtë libër të lexueshëm si një vepër narrative ngarkuar me ankth e dramacitet në rritje.

Për dikë si unë, që kam qenë i shtyrë në leximet mbi Nolin – njeri i librave, si diturak i prozës historike, si autor i poezive dhe i përkthimeve unike, i publicistikës… me leximin e këtij libri me shumë informacion, me referenca të pasura, m’u bë i qartë dhe ai Noli tjetër “që nuk është më”: apostullimi i tij në jetën politike fetare atdhetare nëpër kohë. Nëse veprat letrare “janë”; i prekim, i lexojmë, udha nëpër të cilën shkoi veprimi i tij prej “apostulli” nuk është më, e ka rrëmbyer koha në pakthim. Gjurmët janë në arkiva prej nga ky Nol “i humbur” duhet nxjerrë e ringjallur. Këtë punë mbresëlënëse ka bërë me shumë talent e këmbëngulje I.Konomi. Mbeta shumë i emocionuar nga leximi i tij. I uroj autorit sukses dhe energji në plotësimin e kësaj pune edhe me dy volume të tjerë!

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT